• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Origjina serbe e “Mini-Shengenit” dhe të pavërtetat e z. Edi Rama

December 26, 2019 by dgreca

Mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë!/

Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!

Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atij dhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!

Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin si turpi i Amerikës”! Kur Donald Trumpi fitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”. Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.

Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.

Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”. 

Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi! Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.

Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.

Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjedi të shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, por ajo vazhdon t’i mohojë të gjitha krimet e saj.

Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqin që moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).

Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”, një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101 stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë  se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.

Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.

Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Origjine serbe

ISMAIL QEMALI: JA PSE U LARGOVA NGA KOSTANDINOPOJA

December 26, 2019 by dgreca

Ismail Qemali – korrespondentit të Le Temps (1909) : “Ja pse u largova nga Kostandipoja gjatë revoltës së 13 prillit.” /

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

“Le Temps” ka botuar, të premten e 30 prillit 1909, në ballinë, intervistën e korrespondentit të saj me Ismail Qemalin, në lidhje me arsyet e largimit të tij nga Kostandipoja, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Deklaratat e Ismail Qemalit, kreut të Bashkimit Liberal: (Shkresë nga korrespondenti ynë i veçantë)

Athinë, 29 Prill.Ismail Qemali, udhëheqësi i partisë Bashkimi Liberal, anëtarët e të cilit aktualisht po ndiqen penalisht nga komiteti i partisë Bashkim dhe Progres, dhe të përfshirë në shtypjen (represionin) e Kostandinopojës, më bëri deklaratat e mëposhtme :

 “Javën e kaluar, Veziri i Madh mori një shkresë nga turqit e rinj (xhonturqit), duke më mbajtur mua, Ismail Qemalin dhe miqtë e mi, përgjegjës për ngjarjet e 13 Prillit. Unë u detyrova të largohesha nga Kostandinopoja, dhe kur arrita këtu protestova fuqishëm kundër shpifjeve të përfshirjes sime në kryengritjen e Kostandinopojës, një lëvizje qartësisht reaksionare dhe e papajtueshme me parimet e tërë jetës sime.”

Pasi kujtoi vuajtjet e tij nën regjimin absolutist, dy ekzilet e tij që zgjatën gjashtëmbëdhjetë vite dhe kthimin në Turqi, Ismail Qemali vazhdoi si më poshtë :

 “Unë isha i vetmi deputet që refuzova të takohesha dhe të darkoja me Sulltanin; në Dhomë, bëra opozitë, jo si reaksionar, por si lider i partisë Liberale; Unë kritikova ashpër partinë Bashkim dhe Progres për ringjalljen e praktikave absolutiste, për mos kryerjen e ndonjë reforme, për dënimin e Dhomës ndaj mosveprimit; por kundërshtimi im ishte absolutisht besnik dhe kushtetues, në atë masë që dy ditë para trazirave të 13 Prillit, të ftuar nga Veziri i Madh Hilmi Pasha për të marrë një portofol (post), unë refuzova, por deklarova se Liberalët ishin të gatshëm për të arritur një marrëveshje me qeverinë për të formuar një program të përbashkët të reformave dhe për të vazhduar zbatimin e tyre.

I prisja ngjarjet e 13 prillit aq pak sa kur ato ndodhën unë isha në periferi të Ortakeuy. Kur arrita në Dhomë, protestova kundër pushtimit të saj nga hoxhallarët dhe ushtarët. Të nesërmen në mëngjes, të thirrur në pallat nga veziri i ri Teufik, unë refuzova një portofol (post). I pritur nga Sulltani, unë insistova mbi nevojën që Abdyl-Hamidi të respektonte Kushtetutën. Unë kam emëruar Nazim Pashën, një tjetër viktimë të absolutizmit, për postin e komandantit të trupave të kryeqytetit; Kur u ktheva në Dhomë, unë rrëfeva bisedën time me Sulltanin dhe provokova vendimin unanim që u votua për t’i dhënë fund luftimeve të partive përballë situatës së rëndë.

Sidoqoftë, shpifjet që lëshohen kundër meje mund të shpjegohen vetëm si ndjenja hakmarrëse kundër qëndrimit të liberalëve në Dhomë.

Kaq për të kaluarën; në të ardhmen, miqtë e mi dhe unë, si dhe të gjithë patriotët e vërtetë, ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë e vetme të mundshme, atë të turqve të rinj, por këta, të përforcuar nga suksesi i tyre i fundit, duhet të braktisin sistemin e tyre të komiteteve sekrete dhe të formojnë një kabinet homogjen të aftë për të formuar një program të vërtetë dhe për të marrë përgjegjësinë për zbatimin e tij.”

Filed Under: Fejton Tagged With: Ismail Qemali

Kuvendi i ri i Kosovës i zgjedhjeve të 6 Tetorit sot në seancë konstituive

December 26, 2019 by dgreca

-LVV e LDK ende pa marrëveshje koalicioni për qeverinë e re të Kosovës

-Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë-

-Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme-

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Nis sot pasdite, në orën 15:00, seanca konstituive e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila mund të zgjasë edhe ditëve tjera, pasi dy partitë opozitare – LVV e LDK, që janë e para dhe e dyta në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para më shumë se dy muaj e gjysmë – 6 Tetorit 2019 ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës që e kishin paralajmëruar në deklarata dhe në takimet e zhvilluara për programin dhe ndarjen e posteve.

Herën e kaluar, Kuvendi i Kosovës i Legjislaturës VI, i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 Qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në  7 Shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 Gusht.

Atëherë, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ftua pasi edhe gjatë mbrëmjes së një dite më parë – 6 Shtatorit ishin zhvilluar bisedime mes koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe Listës Serbe, që rezultuan me marrëveshje. Më parë koalicioni fitues i zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje me AKR-në që kishte 4 deputetë, e cila e braktisi koalicionin me LDK-në që e kishte lidhur para zgjedhjeve.

Për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për sot, në axhendë janë tre pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve; Dhënia e betimit të deputetëve; Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri,  deputetja Fjolla Ujkani.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim kryetari dhe Kryesia e Kuvendit si edhe qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës do jenë në opozitë: PDK me 21.234% të votave do ketë 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor do të kenë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar – 12, sipas deklaratave nga LVV dhe LDK. Në qeverinë e kaluar të Kosovës me 21 ministri komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër. Dy ministra i kishin komunitetet tjera pakicë.

Në 18 Dhjetor 2019, në mbledhjen përgatiore për seancën konstituive të Legjislaturës VII, Kryesia e Kuvendit të Kosovës e Legjislaturës VI ka përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare. Konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë të kryesuesit.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe para më shumë se dy vitesh  në 11 Qershor 2017  pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga LDK me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës PDK me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 Maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 Qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Zgjedhjet e parahshme të 6 Tetorit 2019 u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejtonte, të premtën e 19 Korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim, duke theksuar se nuk dëshironte në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim të thellë në pastërtinë dhe drejtësinë  e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i qeverisë që e drejtoi rreth 100 ditë në 8 Mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 Prill 2008 dhe përseri në 29 Nëntor 2012 pas rigjykimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Legjislatura e re

Tërmetet e Nëntorit

December 25, 2019 by dgreca

NGA ALMA N LIÇO/

26 Nëntor. Toka u drodh fuqishëm. U tund dhunshëm, si për të na kujtuar se sa të pamëshirshëm e të papërgjegjshëm  jemi treguar ndaj saj.  Ajo shkundje e tmerrshme la pas viktima, shtëpi të shkatërruara, të kthyera në gërmadha. Mijëra të tilla. Pamje të trishtuara. Familjarë të pastrehë, të tmerruar, të mbytur nga pasiguria e mbështetjes së një shteti arrogant e grabitës. Mundi i një jete të tërë, i shndërruar në pirgje mbeturinash. E gjitha kjo gjëmë, në më pak se një minutë të vetme. 

Mes rrënojave dallohen orendi të thyera e copëtuara. Shtretër të përmbysur. Dollape të shqyer. Libra të hallakatur.  Pak më tutje një arush pellushi, çuditërisht i padëmtuar, i mbuluar pjesërisht nga pluhuri i inerteve. I braktisur në mes të shtyllave të betonit. Vogëlushja që disa orë më parë e shtrëngonte me krahët e saj të brishtë, ka mbetur nën rrënoja. E pa jetë. 

Hapësirën mediatike që përcjell këtë tragjedi, e ka zaptuar kryeministri, që nëpërmjet një aktrimi të pashembullt, përpiqet të marrë rolin e shpëtimtarit. Ai di gjithçka. Ai është inxhinieri, administratori, urbanisti, sociologu, psikologu, etj. Me pamjen e një karagjozi megalloman, përmes batutash bajate tall, ironizon pa mëshirë ata të mjerë që nuk kanë një strehë ku të fusin kokën. 

Solidariteti i qytetarëve të thjeshtë, ndonëse mbresëlënës, është kaq i pamjaftueshëm për të reduktuar pasojat e atij shkatërrimi, në këtë prag dimri. Çadrat e përbaltura vajtojnë nën peshën e shirave të stinës. Mjerim pa fund, pa zgjidhje, pa shpresë, pa shpjegim. Asnjë përgjegjës potencial i kësaj katastrofe, shkaktuar më së shumti nga abuzimet dhe korrupsioni i ndërtimeve, i lidhur me politikën dhe në shërbim të saj, nuk është proçeduar e dërguar para drejtësisë. Të pandëshkuar.

Dhe nuk është ky i vetmi tërmet…Një tjetër godet, teksa kalon në bulevardin qëndror të Tiranës. Dhjetra foto të stërmëdha janë varur në të. Ato ngjasojnë me një kortezh absurd të përmortshëm, ku disa fantazma kërkojnë të ringjallen. Megjithë respektin dhe mirënjohjen e natyrshme për dëshmorët  e vërtetë të  lirisë, kudo që ata prehen, nuk mund të mos përmend se idealet e tyre për një Shqipëri të lirë, u shkelën e tradhëtuan. Vendosja e diktaturës dhe krimet monstruoze vëllavrasëse të kryera  gjatë luftës, si dhe ato që pasuan vërtetojnë tradhëtinë e madhe ndaj aspiratave të lirisë e demokracisë.

Ndërmjet atyre fotove-postera, disa figura përgjegjëse të krimeve dhe genocidit ndaj bashkëqytetarëve nacionalistë, duket sikur qesëndisin e sfidojnë realitetin. Të pamëshirshëm në sundimin e tyre edhe ndaj familjeve të pafajshme, të cilët i syrgjynosën në burgje e internime. Dhjetra klerikë të masakruar, fotot e të cilëve,  si për ironi,  disa vite më parë u vendosën në të njejtin bulevard.  

Ishin ithtarët e komunizmit ruso-jugosllav, që instaluan diktaturën më mizore të pasluftës, duke depersonalizuar, varfëruar, vjedhur, përçarë një popull të tërë.  Fakte që dita ditës po ndriçojnë atë periudhë të errët të historisë sonë, të shtrembëruar nga historianet komunistë. Paradoksale, që në ato foto nuk ndodhet asnjë luftëtar që i përket formacioneve nacionaliste. A thua se luftën kundër nazi-fashistëve e zhvilluan vetëm komunistët.  Manipulues, përjashtues deri në ekstrem. 

Ehhh…edhe një tjetër tërmet ndodhi këtë muaj. Për fat të këq, ai nuk mori aspak vëmendjen e institucioneve. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në shumicë, ato dominohen nga ithtarë të diktaturës. Si fantazma të ringjallura, që Rilindja i ricikloi aq dhunshëm, ata vazhdojnë të helmojnë jetët tona. Të mllefosur, nuk rreshtin së kërcënuari e përçarë shqiptarët, në “NE” dhe “ATA”. Pushteti i tyre mizor u ngrit që në krye të herës dhe funksionoi si i tillë. Një shkrimtar, një studiues që detyrohet të arratiset nga Shqipëria. Kjo ndodh në vitin 2019. Fakt ulëritës.

Agron Tufa, Drejtor i Institutit që merret me studimin dhe botimin e krimeve të komunizmit, u kërcënua për shumë muaj me rradhë me jetën e tij dhe atë të familjes. Kërcënuesit nuk janë anonime. Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, perbën vepër penale. Asnjë mbrojtje institucionale për shkrimtarin, patriotin, që me kurajo, prej disa vitesh po bën publike krimet makabre të regjimit komunist, duke evidentuar me dëshmi dhe dokumente edhe autorët e implikuar në to. 

Teksa përcjell me trishtim këtë revansh të barbarisë komuniste, nuk kam se si të mos bëj paralelizëm me krimet e Hitlerit dhe mënyrën si ato u trajtuan. Dënimi i diktaturës dhe genocidit hitlerian, u pasua nga ndjekja këmba këmbës e mijëra nazistëve që i kishin shërbyer makinës së tij kriminale. Mijëra të tillë iu dorëzuan drejtësisë e morën dënimet e merituara. Në Shqipërinë tonë ndodh pikërisht e  kundërta. Ata që duhej të përgjigjeshin për implikimin dhe krimet e tyre në regjimin komunist, ende pas 30-vjetësh të rënies së tij,  drejtojnë dhunshëm, skërmisin dhëmbët, sulmojnë, grabisin, kafshojnë me dhëmbët e përgjakur ata që guxojnë të dokumentojnë e denoncojnë krimet e tyre. 

Pse ndodh kjo? Konkluzioni është tejet i thjeshtë. Mungesë e theksuar e vullnetit politik për të hedhur dritë e dënuar atë periudhë mizore. 

Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, (ish-komuniste) natyrisht me porosi të kryetarit të tyre, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Kjo Rezolutë përmban 17 pika të cilat, po të ishin zbatuar, do ta kishin zgjidhur përfundimisht problemin e dënimit të krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.

Por, për fat të keq, pothuajse asnjë prej pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shumë se 13 vjet nga miratimi i saj.

Pasojat janë kaq evidente. Një shkrimtar, i kërcënuar kërkon strehim politik në një shtet perëndimor. Një popull i përgjumur, i pashpresë, në arrati, që po e kërkon të ardhmen jashtë kufijve të Shqipërisë. Trishtues gjumi letargjik në të cilin kanë rënë bashkëqytetarët tanë. 

Në formën e një apeli të dëshpëruar, dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me një thënie të Albert Einstein.

“Bota është një vend i rrezikshëm, jo aq prej atyre që bëjnë keq, sa prej atyre që shohin e nuk bëjnë asgjë” . 

Filed Under: Analiza Tagged With: Tërmetet e Nëntorit

Krishtlindja, meshë solemne në Katedralen Shën Nënë Tereza

December 25, 2019 by dgreca

“Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte Mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit tw Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2019/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2020-tën e 21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të Pavarësisë.

Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para dy vitesh në 5 Shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

 “Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit Gjergji duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020.

Katedralja ishte përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Programi kremtimit në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi. 

Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt  Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00, mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremton meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Mbrëmjen e sotme në orën 18:00 nbahet Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 21-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para  11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Krishtlindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 783
  • 784
  • 785
  • 786
  • 787
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT