• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUPTIMI I KËSHNDELLAVE

December 23, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Ka dymijë vjet që, në fillim një pjesë e vogël njerëzish, më pas gjithënjë në rritje, deri në shifra astronomike, në çdo 25 dhjetor, festojnë lindjen e fëmijës Jezu. Ndërkaq, në rruzullin tonë, në këtë pikë t’Universit të zgjedhur nga Krijuesi për të ndërtuar botën e të ngjajshmëve të tij, lindnin çdo ditë shumë fëmijë. Ata rriteshin, burrëroheshin, plakeshin e vdisnin, për t’u mbuluar me pluhurin e përjetshëm të harresës që do të kursente shumë pak prej tyre, ata që do të hynin në botën e vogël të “farëve”, t’atyre që do të merrnin përsipër misionin e zhvillimit e të ecjes përpara të gjithë njerëzimit.

            Fëmija i lindur në një shpellë të Betlehemit ishte i veçantë. Kishte dalë nga barku i një virgjëreshe që quhej Maria. Ai nuk ishte fruti i një pasioni njerëzor që i a bën të pranueshme çdo femre gjithë mundin, dhimbjet e sakrificat e një akti që është në bazën e vazhdimit të historisë njerëzore. Megjithatë ai ishte një fëmijë i zakonshëm që prindët do t’a merrnin në krah, për të ikur larg së bashku drejt një vendi që do t’u epte mundësinë të shpëtonin jetën e tij të kërcënuar nga një urdhër fëmivrasës i një mbreti. Ai do të rritej si gjithë të tjerët në shtëpinë e marangozit Jozef, do të luante me fëmijët, do të miqësohej me moshatarët.

            Ungjillori Luka na tregon se në një rast kur Jezui 12-vjeçar kishte shkuar bashkë me prindërit në Jeruzalem, për të festuar Pashkën ebraike, u zhduk për tre ditë dhe u gjend në Tempullin e madh të qytetit, tek kuvendonte me të diturit e kohës, doktorët e tij. Ky episod, ndër të paktit që ndriçon fëmijërinë e tij, dëshmon brumin mendor me të cilin kish lindur e ish formuar djaloshi. Në ndryshim nga moshatarët Ai kishte orë të tëra, në të cilat qëndronte i vetmuar, i zhytur në mendime e përsiatje. Ato orë përbëjnë misterin, të pazbuluarën të cilën Jezui, Shpëtimtari, e mori me vete. Në një çast të caktuar, kur Ai mbushi tridhjetë vjeç, rrjedha e qetë e jetës ndryshoi.

            Ai filloi të flasë gjatë mes njerëzve e të bëjë “mrekulli”. Fjalët e Tij hynin drejt e në zemrat e ndigjuesve, i bënin jehonë dëshirave të tyre të fshehta, portretizonin një botë krejt të ndryshme nga ajo në të cilën jetonin. Bota e tyre, e ndërtuar mbi themelin e sundimit të më të fortit, ku mbizotëronte “përdhuna e krenarit, vonimi i ligjës, gojëçthurja e zyrtarit dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjërë nga të pavlershmit merr…”, po të parafrazojmë të madhin Shekspir, do të përballej me një përfytyresë të re ku vëndin e dhunës, të mizorisë së të fuqishmëve do t’a zinte dashuria për njëri tjetrin. Fjalët e Tij ishin mesazhi i Krijuesit për një njerëzim të sëmurë, që luhatej në rrugën e tij mes ecjes përpara e vetëshkatërrimit.

            Fjalët e Jezuit, sermonet para turmave e ndjekësve, parabolat e thjeshta me të cilat zbërthente thelbin e dukurive njerëzore, do të përbënin revolucionin më të madh që ka njohur njerëzimi në rrugën e tij të gjatë.Ai nuk ishte një revolucion me dhunë ku një pjesë njerëzish, të armatosur me një paketë bindjesh e idesh, do t’u a bënin të detyrueshme konceptet e tyre pjesës tjetër nëpërmjet armëve, terrorit e vdekjes, siç do të ndodhte shumë shekuj më vonë. Ai ishte shpallja e një doktrine barazie e drejtësie, ku elementi kryesor që do të përcaktonte marredhëniet mes njerëzve do t’ishte jo urrejtja, por dashuria e ndërsjelltë. Parimi themelor i asaj doktrine ishte  “të mos i bëhej tjetrit ajo që nuk do të të pëlqente të të bëhet ty” e fuqia e saj në lajmërimin e një epoke të re ku njerëzimi, i sfilitur nga mëkatet e shumta, do të kishte mundësinë të shëlbehej e të ringjallej. Për t’ia arritur kësaj Zoti kishte dërguar në tokë birin e tij që, nëpërmjet kryqëzimit, do të shpëtonte njerëzimin nga pesha e mëkateve. Ishte një hap më tej kundrejt tabelave të Moisiut, që përcaktonin kontekstin moral në të cilin duhej të përshkohej jeta njerëzore. Krishti sillte mes njerëzve shpresën. Ky ishte rezultati më i rëndësishëm i pranisë së tij të shkurtër mes frymorëve të këtij planeti.

            Fuqia e mesazhit të Tij ndau më dysh historinë njerëzore duke përcaktuar fillimin e një ere të re. Për dhjetëvjeçarë me rradhë historiografia e regjimeve komuniste e quajti me këtë term vitin zero kur lindi Krishti, duke mbajtur n’errësirë popuj të tërë mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë njerëzore. Habit fakti që tani pasardhësit e atyre regjimeve janë bërë “mbrojtës të flaktë” të besimeve fetare e që marrin pjesë në meshat e Këshndellave apo Pashkëve, ose shkojnë në Vatikan për të kërkuar bekimin e Papës. Nëse nuk është shprehje tipike e hipokrizisë, e lidhur me interesa të mëdha të imazhit për oportunizëm politik, siç mendoj, duhet t’a pranojmë këtë dukuri si një nga mrekullitë e viteve të fundit të Jezuit.

            Mesazhi i Krishtit u luftua, i u nënështrua për shekuj të tërë dhunës së Perandorisë më të fuqishme të kohës, asaj Romake, në lashtësi. Të njëjtin fat pati në kohët e reja, kur u bë  prè e sulmeve të paparimta të revolucionarëve të ndryshëm, në veçanti të idhtarëve të Marksit, të ardhur në pushtet në më shumë se një të tretën e botës. Megjithatë ai nuk u ndal, nuk u kufizua, nuk reshti së pushtuari mëndje e zemra njerëzish gjatë dymijë viteve. Kjo provon vërtetësinë e tij, sepse vetëm e vërteta ka fuqinë të shkallmojë mure, prita, gardhe që dhuna, në forma të ndryshme, i ve përpara për t’i penguar ecjen. Ai ushqeu gjithmonë shpresën për kohë më të mira e i armatosi njerëzit me durimin për të përballuar me dinjitet edhe sfidat më të tmerrshme, mbasi edhe në përshkimin e tuneleve më t’errëta të jetës fjala e Tij ishte një dritë në fundin e tyre.

            Qindvjetori i shkuar vuri në provë shumë popuj e shumë njerëz nëpër lagerët e gulagët e pafund të ferreve naziste e komuniste. Ata qindra milionë krijesa njerëzore, që patën fatin e keq të kalojnë nëpër to, që u ballafaquan në çdo çast me dhunën e mizorinë, e dijnë mirë se me çfarë besimi e shprese në zemër i drejtonin sytë nga qielli, në heshtje duke kërkuar ndihmën e Tij… Dukej sikur pesha lehtësohej, dhimbja pakësohej e fuqitë shtoheshin. Thonë se në vitet e tmerrshme të shtypjes policore në kampin e Spaçit, mbas revoltës së 1973-shit, në netët e ftohta të dimrit mirditas, hija e Krishtit shoqëronte vargun e të burgosurve që i ngjiteshin malit për të marrë turnin e punës. Nuk di me siguri sa është e vërtetë kjo. Shfaqjet e Zonjës së Bekuar janë të vërtetuara në Luvër, në Fatima, në Mezhdugorie, madje dhe të fotografuara, të Jezuit më pak. Por nuk do të kishte asgjë për t’u habitur dukuria e Spaçit, mbasi rrallë herë prova e dhimbjes ka qenë kaq e hidhur sa në qelitë dhe galeritë e atij kampi të mallkuar, në mesin e viteve 70.

            Mesazhi i Krishtit është një gjithësi vlerash, konceptesh, dukurish, që shkojnë nga jeta intime e njeriut, tek bashkësia e parimet e saj, tek Shteti e ligjet e tij, tek Krijuesi e raporti i krijesës me të. Është një godinë madhështore ku nuk ka skuta  të pandriçuara, ku parimin e dënimit e ka zëvendësuar ai i faljes, ku njeriu është objekt e subjekt i historisë së tij vetiake dhe njëherësh i asaj të njerëzimit. “ Nuk kam ardhur t’i u  sjell paqen, kam ardhur me shpatë në mes tuaj…” shprehet Krishti në një nga predikimet e Tij. Në dukje ka një paradoks, jep idenë se edhe lajmëtari i dashurisë hyjnore ka nevojë për dhunën për të mbështetur argumentat e Tij. Në fakt shpata është simbolike, është lufta e brëndëshme që duhet të përballojë njeriu për të sendërtuar paqen me veten, me t’afërmit, me bashkësinë njerëzore e deri me vetë Krijuesin. Për vetë natyrën komplekse të njeriut, të përbërë së shumti nga instikte, dëshira, synime e interesa vetiake të njëanëshme, rruga e përsosmërisë morale, shtegu i domosdoshëm për të kaluar në paqen e brëndëshme dhe botën sipërore të Krijuesit, lufta brënda individit bëhet një praktikë e përjetëshme. Në këtë luftë del i fituar më shumë ai që mëkatet e tij i shlyen nëpërmjet pendesës së sinqertë, mbas një pjese jete të stuhishme, se sa ai që kalon jetën e tij duke  respektuar parimet. Kur kthehet në shtëpi “djali plangprishës” shkakton më shumë gëzim se sa vëllai që çdo ditë punon normalisht për familjen. Duket diçka e pakapëshme për logjikën e thjeshtë tonën, madje bie ndesh me të, si në rastin kur Krishti predikon për t’i kthyer faqen tjetër shpullës.

            Njerëzimi i projektuar nga Krishti është një shoqëri ideale e cila përjashton dhunën, si faktor rregullues i bashkëjetesës. Por sa i mundshëm  do t’ishte sendërtimi i kësaj shoqërie që trashëgon që nga agimet e saj luftën mes njerëzve, madje dhe brënda një bashkësie apo familjeje, që fillon me vëllavrasjen? Krishti predikon, këshillon, shëron, bën mrekullira, por është i vetëdijshëm se mësimet e Tij janë më shumë në bazën e shëndoshjes e ringjalljes shpirtërore të njerëzve se sa të organizimit të tyre shoqëror e shtetëror.  “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote “, “ Rrugët e juaja nuk janë rrugët e mija “, janë pohime që nxjerrin në pah personalitetin jashtëtokësor të profetit. Ai nuk merr pozën e ligjvënësit dhe as të zbatuesit të ligjeve tokësore. Për Të është i huaj pushteti zyrtar mbi njerëzit, por Ai fiton mbi ta atë shpirtëror, sepse është zëdhënës i fjalës së Atit, i dërguar në Tokë për të ndryshuar rrjedhën e mbrapshtë të lumit njerëzor. Megjithatë Ai predikon parimet e rregullat e bashkëjetësës mes njerëzve, si koncepte  rregulluese të shoqërisë, në të cilën institucionet  shërbejnë si katalizatorë të dukurive shoqërore, pa të cilët bashkësia njerëzore do të kthehej në një anarki shkatërruese. Në këtë anarki do të përfitonin parazitët, mashtruesit, lajkatarët, njerëzit pa skrupuj që kanë për parim vetëm interesin e tyre. Në Tempullin e madh të Jeruzalemit Njeriu – Zot rrëmben kamzhikun dhe përzë me të farisejtë që e kishin mbushur.

            Njeriu jeton në dy sfera që duken të ndara, por që nuk përjashtojnë njëra tjetrën. Njëra është ajo temporale, jeta e zakonshme materiale me problemet e saj të përditëshme, me lodhjen, varfërinë, punën, familjen, Shtetin e marredhëniet e individit me të dhe ligjet e tij. Tjetra është ajo shpirtërore, që duhet të mbështetet në raportin e brëndshëm me t’afërmit e me Hyjninë e në pregatitjen e vetes për ballafaqimin me Të, kur jeta tokësore të ketë mbaruar kursin e saj. Por ky dualizëm harmonizohet nga ligjet universale të Krijuesit që, nëpërmjet fjalëve të Krishtit, gjejnë përhapjen e tyre mes njerëzve e shërbejnë si udhërrëfyes në jetën e tyre. Në këtë kontekst është tepër domethënëse dhe e një aktualiteti të paperëndueshëm thënia: “Jepini Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit!”. Është një porosi shumë e vyer të cilën, fatkeqësisht, Njerëzimi, në rrugën e tij të gjatë, nuk e mbajti parasysh.

            Vetë godina e Jezuit, Kisha katolike, për kohë të gjata, lakmoi rolin e Qezarit e, sa herë Qezarët e rradhës mëtuan të zëvendësojnë Zotin në jetën e vartësve të tyre. Neve, si popull, na takoi shorti më i keq, mbasi “Qezari” ynë e fshiu krejtësisht Perëndinë, jo vetëm nga goja e nënshtetasve të tij, duke u a bërë t’a paguanin me kokë, ose vite të gjata burgimi e pune të detyruar ushtrimin e kultit të saj, por edhe nga fjalori, duke e kthyer Shqipërinë, zyrtarisht, në Shtetin e vetëm ateist në botë edhe nga ana juridike.

            Në qendër të doktrinës së Krishtit është koncepti i faljes, që bëhet urdhërues e merr tone madhore kur është fjala për të vrarë me gurë një prostitutë : “ Ai që e ndien veten pa faj të hedhë gurin e parë!” Është një nga pikat kulmore të Testamentit të Ri, një çast, në të cilin Krishti na paraqitet si një poliedër që rrezaton dritë gjithandej. Na zbulohet si vetëdija kritike e Njerëzimit, nga buron një konceptim i ndryshëm i ligjeve në fuqi, të trashëguara apo të fituara. Nuk mjafton të zbatohet një ligj që dënon një grua që shet trupin e saj, mbasi, në rastin konkret, faji nuk përqëndrohet vetëm në personin, por merr përmasat e një dukurie të përgjithëshme, në të cilën, thellë në vete, secili ka një pjesë. Prandaj aftësia e gjykimit njerëzor zbehet, nuk ka fuqi, i lëshon vendin gjykimit hyjnor, që shprehet nëpërmjet fjalëve që Jezui i thotë Maria Madalenës, të ulur në gjunjët e tij.

            Jeta e shkurtër e predikuesit më të shquar të Njerëzimit përfundoi në kryq. Çastet e fundit nxjerrin në pah më së miri dyfishësinë e qënies së Tij njerëzore e hyjnore. Ajo klithmë dëshpërimi “Ati im, Ati im përse më ke braktisur?”, mbas një torture sfilitëse tri ditëshe i gozhduar në Kryqin e drunjtë, kur fuqitë njerëzore pothuajse ishin shterrur, është përsëritur me miliona herë në historinë e gjatë të mizorive njerëzore. Viktimat e këtyre mizorive kanë lehtësuar shpesh peshën e vuajtjes duke menduar Shpëtuesin e Njerëzimit në kryq. Ajo klithmë dhimbjeje e dëshpërimi u pasua nga qetësia e vdekjes dhe ngjitja në qiell. Ky akt përfaqëson mesazhin më të përkryer të shpresës, një mesazh që ngulitet thellë e që bën të mundur përballimin e së keqes në format e saj më skajore.

            Kanë kaluar dymijë vite, por në çdo natë Këshndellash ne rijetojmë çastin e Betlehemit. E rijetojmë në forma e mënyra të ndryshme, jo rrallë edhe nëpërmjet shfaqjesh që s’kanë asgjë të përbashkët me personazhet e shpellës së Betlehemit. I rijetojmë ata çaste me një hidhësirë në gojë, sepse jemi të vetëdijshëm se, megjithë përparimet që ka bërë Njerëzimi në rrugën e tij drejt zhvillimit e mirëqënies, megjithë realizimet fantastike të disiplinave të ndryshme shkencore, megjithë shpalosjen e paprerë të parimeve më fisnike në karta e dokumenta, ne mbetemi ende larg sendërtimit t’asaj shoqërie në të cilën mësimet e Krishtit të mos jenë vetëm objekt predikimesh klerikësh nëpër kisha.

            Në çdo prag mesnate, kur presim në heshtje e të zhytur në përsiatje çastin simbolik t’ardhjes së Mesisë së Betlehemit mes nesh, secili në botën e tij të vogëli bën një shqyrtim vetes, për të shkoqitur në intimitetin e tij, ku i vetmi dëshmitar mund të jetë Zoti, gjithshka që nuk duhet të kishte bërë apo ato që duhet të bënte dhe i mungoi dëshira, vullneti, interesi. N’atë intimitet të secilit, larg çdo lloj hipokrizie njerëzore, mbasi vetëm vetja nuk mund të gënjehet, ndoshta fillon ecja në rrugën e gjatë e të vështirë të sendërtimit të mësimeve të Krishtit. Aty lind shpresa se diçka do të ndryshojë për mirë. Ne e ushqejmë atë edhe se përvoja e gjatë e së shkuarës së Njerëzimit na le pak shteg për të besuar. Kjo është fuqia e Natës së Këshndellave, që nuk kanë mundur t’a pakësojnë as shekujt, as njerëzit, as teoritë apo doktrinat e tyre, që vazhdon të pushtojë, të magjepsë, sepse i flet shpirtit të njeriut dhe ai është i përjetshëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika- Kuptimi i Keshndellave

SINDROMA SIRIANE NË LIBI

December 23, 2019 by dgreca

NGA ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corere della Sera Eugjen Merlika/

            Po të mos besonim se historia e shkuar kushtëzon të tashmen, mund të thonim “më së fundi më mirë vonë se kurrë” përballë takimit pak ditë më parë ndërmjet Conte-s, Merkel-it dhe Macron-it mbi gjëndjen në Libi. Libia vë një problem të ngutshëm e të rëndë sigurie për Evropën. Do të dukeshin lajme të mira si fundi i shemërisë që, deri dje, kanë ndarë Italinë e Francën, si vendimi i Italisë, Francës e Gjermanisë (të cilave do të duhej t’u shtohej Britania e Madhe) për të bashkërenduar përpjekjet për të ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që të paqëtojë e të mbajë të bashkuar Vendin afrikan. Por dukjet gënjejnë, historia e shkuar peshon dhe ka pak hapësirë për optimizëm. As përsa i përket s’ardhmes së Libisë as përsa i përket (edhe përtej rastit libik) aftësisë së qeverive evropiane të bashkërendohen me sukses për të përballuar kërcënimet  në rritje ndaj sigurisë së kontinentit të vjetër. Takimi ndërmjet (pa) fuqive kryesore evropiane është shenja e dobësisë së tyre. Rusët dhe turqit po na e “vjedhin” Libinë: jo vetëm ne evropianëve por edhe amerikanëve, përgjegjësit e parë, në sajë të arratisjes së tyre strategjike, për atë që ka ndodhur në Siri e për atë që po përsëritet në Libi. Secili është rreshtuar mbas klientit të tij vendas: zotëria e luftës, gjenerali Haftar, i mbështetur nga rusët dhe kryetari i qeverisë së Tripolit, al Sarraj i ndihmuar nga turqit.

            Edhe sikur të pranojmë se është e pamundur, siç mendojnë ekspertët, që Haftari të pushtojë Tripolin dhe pjesën tjetër të Vendit me armë, mbeten dy mundësi: ose lufta civile do të vazhdojë ende gjatë, qoftë edhe me vite, ose rusët e turqit do të gjejnë një marrëveshje edhe mbi Libinë (ashtu si për Sirinë), duke ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që t’i japë fund luftës civile e që të mund të kënaqë interesat e të dy palëve (qoftë edhe me ndonjë dobi për të tjerë Vende të përfshira, nga Egjypti tek Katari). Në rastin e parë Libia do të mbetej një portë e hapur krejtësisht në dispozicion të trafikantëve të qënieve njerëzore e të terroristëve të vendosur të godasin Vendet evropiane. Në rastin e zgjidhjes së negociueshme mes turqëve e rusëve, kontrolli mbi burimet e rëndësishme energjitike dhe fuqia për të përdorur rreziqet e destabilizimit të Vendeve evropiane, për t’i përfrikësuar, do të jenë në dorë të fuqive kundërshtare t’Evropës.  Nuk është e tillë vetëm Rusia. Është edhe Turqia megjithë përpjekjen hipokrite perëndimore të shtirjes  se ende është një Vend antar i NATO-s, njësoj si gjithë të tjerët.

            Pikërisht sepse historia e shkuar peshon, kur flitet për Evropën vëmëndja përqëndrohet gjithmonë mbi problemet e qeverimit ekonomiko – financiar dhe mbi çështjet tregtare. Janë gjëra shumë të rëndësishme, sigurisht, mbi të cilat, nga ana tjetër ndarjet janë mjaft të forta sot n’Evropë. Luan megjithatë edhe një përsiatje e lashtë. Ka qenë një kohë në të cilën Evropa mund t’ishte vetëm “Evropë ekonomike” (vështrimet politike e të sigurisë i ishin përcjellur Shteteve të Bashkuara). Bota ka ndryshuar rrënjësisht, por po të gjykojmë nga disa lloje mbledhjesh të nivelit të lartë evropian, duket se drejtuesit dhe opinionet publike nuk e kanë pikasur këtë. Çështjet e sigurisë duhet t’ishin tani shqetësimi kryesor i Evropës, pika e parë në rendin e ditës në të gjithë takimet në selitë evropiane. Por evropianët nuk kanë qenë në gjëndje të gjejnë një qëndrim të përbashkët edhe për çështjen e foreign fighters (luftëtarët islamistë të kthyer, shumë prej të cilëve janë të gatshëm të bëjnë që të rrjedhë gjaku n’Evropë). Edhe çështja Brexit nuk duhet të shihet vetëm përsa i përket pasojave ekonomiko – financiare e tregtare. Fakti që fuqia e parë ushtarake evropiane (së bashku me Francën) po ikën nga Bashkimi nuk do t’a pengojë të bashkëpunojë me evropianët e tjerë në lëndën e sigurisë. Por e bën të dukshme kotësinë, s’po them për të ngritur, por tashmë edhe vetëm për të përfytyruar planet për një mbrojtje t’ardhëshme evropiane. Plane që ishin të dobëta edhe para Brexit: opinionet publike nuk ishin dhe nuk janë të gatshëm për të paguar aq sa do të duhej për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Brexit vetëm e ka mbyllur bisedën.

            Ç’duhet bërë atëherë? Evropianët, në sajë të paqes së gjatë që gëzojnë nga 1945, duket se mendojnë se kjo është një gjëndje natyrore, e pakthyeshme, e jetës shoqërore e politike. Pa kujtesë historike mendojnë se paqja dhe siguria – nga të cilat varen liria, demokracia, mirëqënia ekonomike – janë të mira të fituara përgjithmonë. Kjo mungesë realizmi ndihmon për të shpjeguar përse evropianët nuk mund të bëjnë pa Aleancën atllantike. Nëse do të jenë amerikanët që të vendosin mungesën e rëndësisë së saj, evropianët do të gjinden të xhveshur, të paarmatosur.

            Në këtë kohë teknologjitë e vjetra politike nuk duan të vdesin. Presidenti francez Makron pohon “vdekjen trunore” të NATO-s, jo vetëm për të shkundur nga plogështia amerikanët dhe evropianët, por edhe për të sjellë ndër mënd heshtazi, në dobi të opinionit publik francez, polemikën e hershme goliste kundër Aleancës atllantike. Duke harruar se në kohën dypolare, të zotëruar nga dy mbifuqitë, gjenerali de Gaulle mundi t’i lejonte vetes luksin për të luajtur rolin e heretikut në sistemin perëndimor vetëm sepse ai sistem ishte i fortë e jetik, jo në komë si sot. Golizmi i ri nuk ka më kuptim.

            Kush nuk ka fuqinë dhe vullnetin për të vendosur për fatin e tij bëhet pré e orekseve të të tjerëve. Që tani mund të konstatohet kjo dhe me gjasë do të jetë më e madhe në t’ardhmen, kur të jenë të gatshëm Vende të ndryshme evropiane për t’u zotuar, veçmas, në rrotullime valsi me rusët e kinezët, duke bërë sikur nuk e dijnë se çmimet që paguhen në vendosjen e marrëdhënieve të privilegjuara me fuqitë autoritare bëhen gjithënjë e më të larta me kalimin e kohës. Rusët dhe Turqit marrin Libinë, kërcënime terroriste janë të pritëshme, grabitqarë të uritur rrethojnë Evropën e dobët. Evropianët më të vetëdijshëm për rreziqet pyesin veten nëse qytetarët amerikanë, në zgjedhjet e pritëshme presidenciale do të çmojnë më shumë atë që mendon se lidhja me Evropën është në interesin e Shteteve të Bashkuara apo atë që e quan të udhës se është koha për të braktisur kontinentin e vjetër në fatin e tij. Në çdo rast, me të drejtë, vendimet e rëndësishme nuk do t’i marrin evropianët.

            “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2019       E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Sindroma Siriane ne Libi

JU LUTEM VEPRONI SA NUK ËSHTË VONË!

December 23, 2019 by dgreca

(Thirrje “Federatës Vatra”, “Ligës Shqiptaro-Amerikane”, “Këshillit Shqiptaro-Amerikan” dhe “Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Amerikës”/

Nga Thanas L. Gjika/

          Kohët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur ngjarje tronditëse që dëshmojnë se ish-përndjekësit e kohës së diktaturës kanë kapur pushtetin dhe veprojnë haput kundër mëkëmbjes së demokracisë. Mirëpo asnjëra nga organizatat atdhetare të diasporës sonë deri sot nuk ka reaguar zyrtarisht.

          1. Si mund të rrihet pa dalë zyrtarisht në mbrojtje kundër kërcënimeve të vijueshme ndaj jetës që iu bënë intelektualit të shquar dhe zyrtarit të lartë z. Agron Tufa, drejtor i “Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit” dhe familjes së tij! Kërcënime të tilla e detyruan atë të emigrojë në Zvicër e të kërkojë strehim politik.

          2. Si mund të rihet pa u shprehur kundër vendimit të parlamentit shqiptar për aprovimin e “Paketës Anti-shpifje”, e cila, si u përcaktua prej z. Frank G. Shkreli dhe disa organizatave të gazetarëve është një paketë kundër shprehjes së lirë të gazetarëve dhe medias!

          3. Si mund të rihet pa reaguar ndaj zgjedhjes kryetar i SPAKU-t (“Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar”) i prokurorit Arben Kraja, i cili ka punuar hetues i Sigurimit të shtetit diktatorial shqiptar në vitet 1987-1992! Kundër këtij vendimi kanë dalë shumë të përndjekur dhe vetë “Shoqata e të Përndjekurve të Diktaturës Komuniste të Shqipërisë” me kryetar z. Nebil Çika.

          Mendoj se organizatat atdhetare të lartpërmendura të komunitetit tonë të reagojnë sa më parë duke iu drejtuar Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për t’ia tërhequr vëmendjen ndaj seriozitetit të punës së personave që janë ngarkuar për kryerjen e Reformës në Drejtësi dhe të Vetingut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas Gjika-Thirrje- Komunitetit

Shqiptarët dhe hebrenjtë-miqësi që sfidon kohët

December 21, 2019 by dgreca

Nga Akri ÇIPA/

Elie Wiesel shkruante se miqësia nuk është gjë tjetër përveçse të ndash me tjetrin si me vetveten. Miqtë ndajnë momentet e lumtuara, por, më e rëndësishme është të ndajnë momentet e dhimbshme. Në castet tragjike të Shqipërisë së këtyre tri javëve të fundit, lidhja e miqësisë me Izraelin dhe popullin hebre u vu përsëri në dukje.

Nuk kishte vend për festime në Shqipëri, nëntorin që shkoi. Teksa vendi ballkanik po përgatitej për 28-29 nëntorin, një tërmet shkatërrues nuk la vend për momente gëzimi. Flamuri që duhej të valëvitej lart në qiell, ndaloi në gjysëm-shtizë.

Në 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 – më i forti në vend në dyzet vitet e fundit. Me 51 viktima, kjo katastrofë ishte eventi më tragjik në kujtesën e rishtë. Ndërsa epiqendra e tërmetit ishte shumë afër zonave më të populluara të vendit, shifrat zyrtare të qeverisë pasqyrojnë më shumë se 13 mijë banorë u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tërmeti.

Megjithëse situata ishte kritike, kumtet e miqësisë ndaj shqiptarëve ishin prekëse. Përveç mbështetjes vëllazërore nga Kosova, vendet fqinje dhe miqtë nga Europa dhe bota erdhën menjëherë në ndihmë. Italia, Greqia, Franca, Rumania, Turqia, Gjermania dhe shumë vende të tjera sollën menjëherë ekipe shpëtimi në Shqipëri dhe premtuan ndihmë financiare. Ndërmjet miqve të shumtë tek të cilët mund të mbështetej Shqipëria në këtë kohë të vështirë ishte dhe Izraeli, i cili shprehu menjëherë solidaritetin duke dërguar një ekip shpëtimi për të dhënë mbështetje logjistike dhe për të ndihmuar për rindërtimin.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 1,500 familje shqiptare mundën të kthehen në shtëpitë e tyre pas sigurimit të apartamenteve nga ekipi izraelit, por edhe të spitaleve dhe shkollave të goditura nga tërmeti.

Videoja e kryeministrit Edi Rama teksa falenderonte ekipin izraelit për mbështetjen në emergjencën post-tërmet, u shpërnda nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ritheksoi mbështetjen e Izraelit për Shqipërinë në këtë kohë të vështirë.

Kryeministri Rama u shpreh në videon e tij se Shqipëria ishte “krenarisht i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas se sa para Luftës së Dytë Botërore”. Në fakt, marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre u forcua në ato orë të errëta për Europën dhe për botën. Jo vetëm që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë refuzuan të dorëzonin anëtarët e komuniteteve hebraike vendase, por ata strehuan dhe ushqyen shumë refugjatë që vinin nga Europa qendrore dhe jugore.

Një përshëndetje e bukur ishte ajo e Forcave Mbrojtëse të Izraelit, në të cilën u përmendën disa nga historitë e panumërta të shqiptarëve që shpëtuan hebrenj nga nazistët gjatë Holokaustit. Në faqen zyrtare të ushtrisë izraelite, i mëshohej faktit se ekipi i shpëtimit në Shqipëri “kishte një kuptim shumë më të madh për izraelitët nga sa mund të dukej në pamje të parë”.

Shqipëria dhe Izraeli kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja gjatë tragjedisë së fundit e vuri në pah përsëri këtë miqësi të vërtetë.

Solidariteti pas tërmetit nuk është një rast i izoluar. Në fakt, historia është e pasur me shembuj të tillë ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre. Shqiptarët e mbajnë mend mirë kur Izraeli mirëpriti shumë refugjatë që u larguan nga Kosova në vitin 1999, teksa Serbia kishte nisur fushatën e saj të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Fushata e NATO-s e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara u mbështet dhe u përshëndet nga komunitetet hebraike në botë, veçanërisht nga komuniteti hebreo-amerikan.

Ndjenja e ndërsjelltë e respektit dhe miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, e përforcuar në një tjetër kohë të vështirë si tërmeti i fundit, është vlerësuar nga të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe përtej. Një ndjenjë e thellë vlerësimi dhe mirënjohjeje u shpreh jo vetëm nga liderët në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare, sikurse mund të vërehet dhe te fjalët e Mark Gjonaj, anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Nju Jorkut dhe përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai nënvijëzoi faktin se bota ka nevojë për më shumë histori të tilla.

Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre tregoi se ka kaluar nëpër kohëra dhe sfida të mëdha. Teksa Shqipëria po ndërmerr rrugën e gjatë dhe të vështirë të rindërtimit, është mirë të dish që ke miq të vërtetë tek të cilët mund të mbështetesh.  

Shkrimi është botuar fillimisht në gazetën prestigjioze izraelite “The Jerusalem Post”

https://www.jpost.com/Opinion/Albanians-and-the-Jewish-people-bonds-of-friendship-that-transcend-time-611492

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, Shqiptaret e Hebrenjte

DUKE SHFLETUAR DOSJEN E SIGURIMIT PER MONS. ZEF OROSHI

December 21, 2019 by dgreca

DEMONSTRATA E SHQIPTAREVE TË SHBA NË SELINË E OKB PËR PUSHKATIMIN E DOM SHTJEFEN KURTIT DHE MONS.DR.ZEF OROSHI SI KERCENIM PER PUSHTETIN KOMUNIST/

Nga Leonora Laçi/

Dhe roli i Mons. Zef Oroshit në organizimin e demonstratës, afrimin e komunitetit shqiptar rreth tij, pesha që zinte fjala e tij në komunitet.

Gjetja e dosjes së Mons.Zef Oroshit pikërisht në këtë prag jubile të meshës së parë në kishën e parë katolike shqiptare në SHBA, nga ai vet. Këto artikuj me dokumente do kenë në qendër të tyre evidentimin e aktivitetit të tij deri që mbylli sytë.

Por si filloi e gjitha kjo, fal nxitjes dhe mbështetjes nga biografi i Mons.Zef Oroshit, publicistit  nga ShBA z.Tomë Mrijaj, i cili duke mos qenë fizikisht në Shqipëri më kërkoi që të merresha personalisht me këtë çështje. Nuk është hera e parë që kam bërë kerkesa për dosje të ndryshme nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, dhe si studiuese kam pasur përparësi në këtë drejtim. 

Ca muaj pas kërkesës mu konfirmua që dosja ishte gjetur dhe ishte në proces digjitalizimi. Ky vit për veprimtarinë e Mons. Zef Oroshit ishte mjaft i rendësishëm, iu botuan në një libër artikujt e tij në revistën Shejzat dhe Jeta Katholike, nën titullin “Log Kuvendit- në Trinomin Fe- Atdhe-Përparim botuar nga Shtëpia Botuese Volaj, nga publicisti Tomë Mrijaj dhe tashmë  vjen pjesë-pjesë dosja e tij.

Kjo dosje formulare nr 2552/3, nga fondi i të arratisurve është deklasifikuar në maj të 2019, me numër total fletësh 302 por të digjitalizuara janë 488 faqe, përmban materiale të ndryshme si korrespondenca të tij me familjen, letra që mesa duket nuk kanë shkuar kurrë në adresë të tyre, përmbanë informata, relacione rreth aktivietit të tij në SHBA.  Edhe pse ai ishte në Amerikë sërisht shihej si element i rrezikshëm për pushtetin dhe ndiqej. Unë përzgjodha disa letra që përshkruajnë mësë miri punën e pandalur të tij në komunitet, veprimtaria e tij shtohej por me këtë shtoheshin dhe vuajtjet e familjes së tij në kampe internimi.

Ky artikull do të pasohet dhe nga të tjerë për të evidentuar veprimtarinë e Mons. dr. Zef Oroshit në SHBA.

Janë 6 faqe faksimile që secila evidenton një copëz të aktivitetit të palodhur të  Mons.dr.Zef Oroshit në dobi të komunitetit shqiptar në SHBA. Këto dokumente vënë  në pah aktivitetin që ai po zhvillonte në komunitetin shqiptar për mbledhjen e fondeve për të krijuar një kishë katolike shqiptare. Demonstratat që organizonte për të treguar fytyren e vërtetë të komunizmit shqiptar, po ashtu evidentohet kredibiliteti që ai kishte si figurë e rëndësishme në komunitetin shqiptar por jo vetëm. Vatikani i dha titullin Monsinjor pikërisht në valen e veprimtarive të pandalura që ai po zhvillonte. Vuri në dobi të komunitetit të gjitha vlerat intelektuale, shpalosi vlerat e një shqiptari të mirë, shfrytëzoi njohjet që pati për të ndihmuar shqiptarët të stabilizoheshin në SHBA, afroi komunitetin pranë një vatre të ngrohtë siç ishte kisha katolike shqiptare, mbajti gjallë frymën kombëtare, doket e zakonet.

 (Faqe 115)

 5480

 Teper sekret

 Date 4/9/64

Mbi priftin Zef Oroshi;

Zef Oroshi qe kur ka shkuar ne Nju York po zhvillon nje aktivitet te dukshem sidomos ne te arratisurit katolik.

Ai organizon mbledhje te shpeshta, meshon ne kishe dhe zhvillon propagande kunder vendit tone. Ai ka perkrahjen e Komitetit “Shqiperia e Lire” ketu ne pjesen me te madhe te mbledhjeve qe zhvillon, ne to mer pjese dhe Rexhep Krasniqi. Pervec kesaj Zefi shpesh edhe ne seline e Komitetit, Zefi u eshte lutur te arratisurve qe te marrin pjese ne mbledhjet qe organizon ai, por se keta i kane thene se jane shume te zene, ju duhet te punojne mjaft per te siguruar jetesen dhe per kete nuk kane mundesi te marrin  pjese ne to.

Burimi 315

R.I.Date 1/7/64

N/Tog.B.Mehmetaj

Radiogram

Faqe 140.

Misioni yne prane OKB me tel nr.414 dt 1.4.1973 njofton se me daten 1.4.1973, para nderteses se misionit u organizua nje demostrate nga t’arratisurit shqiptar, me pjesemarrjen e 150 vetave. Demostrata zgjati rreth nje ore. Demostruesit mbanin pankarta dhe hidhnin parulla te zakonshme kunder pushtetit, shperndanin nje premorie te “Komitetit Shqiperia e Lire” drejtuar OKB, presekucionit fetar ne Shqiperi.

Ne kete demostrate merrnin pjese kryesisht t’arratisur nga krahinat e veriut, ndermjet te cileve ndodhesh edhe prifti i kishes katolike Dom Zef Oroshi.

Gjithashtu njoftohet me ne gjithe kesaj jave ne gazeten “Tajmes” dhe gazetat tjera botuen nje lajm me burim “Asosajti Press” nga Vjena mbi vrasjen e nje prifti katolike Shtjefen Kurti ne Shqiperi per pagezimin ilegalisht te nje femije”.

Misioni eshte njoftuar sot nga nji person i pa njohur per organizimin e demostrates dhe morem masat perkatese te gadishmerise. Nuk pati ndonje incident. Para nderteses ndodheshin dy makina te policise.

Shoku Jonuz shenon Deges III-te

Ti kerkojme Nju Yorkut te na konkretizoje personat kryesor qe kane organizuar e marre pjese.

Te nxjerrim (Dega) kush nga veriu jane aktiv, se i njohim ne, se mundet se shoket e K/Zbulimit te marrin masa ne njerezit e tyre ketu. A ka njeriu ketu prifti Dom Zef Oroshi

-Te udhezojme ti fotografojme demostratat ose ti filmojme.

-Te hapen fjale se do te punojne njerzit e tyre ne Shqiperi.

U dhane e u nxuar ne kater kopje, per fash.demostrative, Dom Z.Oroshin, Kishen Katolike dhe K.Shqiperia e Lire

Oficeri Drejtimit

Mark Tusha

3.4.1973

INFORMACION

(Faqe 156)

Dom Zef Oroshi punon aktivishte ne drejtim te emigracionit shqiptar dhe kosovar me qellim qe te beje sa me shume perkrahes te kishes katolike, per te grumbulluar mjete financiare qe ti perdore ato per veprimtari propagandistike dhe subversive kunder RPSH. Ne kete drejtim cfrytezon ne maksimum shqiptaret qe shkojne rishtazi nga Kosova e viset e tjera shqiptare ne Jugosllavi per ne Amerike, duke siguruar atyre pune, strehim dhe ndihma financiare.

Muajit e fundit Dom Zef Oroshi ka sjelle ne SHBA nga Ulqini priftin kosovar Dom Prenken, qe ta aktivizoje ne drejtim te kosovarve. Vec se siper, kisha katolike po gjene mbeshtetje e propagandohet me te madhe nga “Radio e Ballit agrar”, qe ne cdo emisjon jep lajme e materjale per Vatikanin.

Dhene “501”

Sipas telit nr.355 dt 16.9.72

Nxjerre  ne 6 kopje prej M.Zike 22.9.73

Shoku Jonuz bene kete shenim: Deges III e II-te

Te nxirren ato per Vatikanin dhe ndofta eshte koha te bejne nje informacion me mendimin per demaskimim ne shtyp

Dt.21.9.73

P.op.M.Zike”

Marre S.COMO

Dhene 504

(faqe 162)

Date 12.2.1974

Raport

Ne janar te ketij viti “Lidhja katolike shqiptaro-amerikane” ne SHBA me rastin e hapjes se zyres se kishes ne Nju York organizoi nje mbremje, ku merrnin pjese me shume se 300 te arratisur te grupeve te ndryshme te emigracionit reaksionar, duke perjashtuar ata te “legalitetit” dhe te “ballit agrar”. Ne kete mbremje merrte pjese edhe nji antar i kongresit amerikan Mario Bioxhi, i qendres elektorale te Bronxit. Mbremjen e kryesonte prifti Rrok Mirdita, qe ka ardhur me Daniel Gjecaj, por ka mbetur akoma ne Amerike. Aktivitetet e tilla te lidhjes jane vazhdim i fushates kunder RPSH per ceshjet e fese. Ne kete mbremje Dom Zef Oroshi foli kunder regjimit ne Shqiperi, duke thene “akoma nuk i kane provuar komunistet armet tona” dhe vuri ne dukje se “ do te vazhdojne fushaten propagandistike kunder RPSH”. Duke ju referuar demaskimit, qe atij ju be vitin e kaluar nga ne, Dom Zefi foli se “eshte nder per te qe Tirana flet ne radio” dhe se “ai do ta vazhdoje luften sic ka vazhduar ne malet e Shqiperise”.

Burimi cfaqi mendimin se fushata propagandistike per ceshtjen e fese nuk duhet konsideruar e mbaruar, perkundrazi kjo vazhdon te zhvillohet sistematikisht dhe ajo mund te vazhdoje aktivitetet si edhe vitin e kaluar. Ai shton se Dom Oroshi ka ndermend te hapi edhe nje kishe tjeter ne Amerike, me qense se kjo qe kane eshte e vogel dhe shqiptaret jane shume te shperndare. Ne kete institucione pervec te arratisurve marrin pjese shume shqiptar te ardhur nga Jugosllavia per pune ne Amerike. Ne kete mbremje foli edhe Mario Bioxhi dhe me rastin e 28 nentorit ai i shtyer nga Zef Oroshi mbajti nje fjalim ne kongresin amerikan, per te fituar votat e shqiptareve te Bronxit. Nga permbajtja e fjalimit te tij duket se ai nuk ka dijeni per vendin tone

U nxuerre ne 5 kopje prej M.Zikes me 22 shkurt 1974

Dhene nga “504”

Marre nga P.OP.S.COMO

Sekret

(Faqe 165)

INFORMATE

Ne takimin e dates 17 maj burimi njoftoi sa vijon; Te shtunen e adhshme Keshilli i Kishes Katolike, ne bashkepunim me Lidhjen Katolike, do te organizoje ne hotelin Mc Alpin ne Nju York, nje mbremje me rastin e gradimit te Zef Oroshit nga ana e Vatikanit.

Nga bisedat qe kishte patur burimi me Zef Oroshin, ne kete mbramje do te merrnin pjese nje numer i madh te arratisurish nga krahina te veriut, anetare te Kishes Katolike ketu (ne Nju York), si dhe shume te ftuar. Midis tyre do te ishte edhe Mario Biaxhi, senator nga rajoni i Bronksit ne Nju York.

Zef Oroshi i kishte thene burimit se ne kete mbremje ishte ftuar edhe peshkop Stefan Lasko i Kishes Ortodokse Shqiptare, por ay (Zefi) nuk kishte marre akoma pergjigje nese Stefan Lasko do te merrte pjese ose jo ne mbremje.

Njxerre nga Nr. 94. B.Date 17.51974 ne kater kopje, per Lidhjen Katolike, Kishen Katolike, Zef Oroshin dhe Stefan Laskon nga P.Operativ Bashkim Spahiu, me daten 17.6.974.

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora-Laci- Dosja-Zef Oroshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 786
  • 787
  • 788
  • 789
  • 790
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT