• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dorëheqje e gabuar e Haradinaj

July 28, 2019 by dgreca


Nga Alfons GRISHAJ/

Mediat dhe opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar u njohën me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj. Pothuajse në mënyrë unanime ai u përshëndet nga  mediat shqiptare, prononcimet në FB, portalet private etj… duke u quajtur “një hero”, një njeri me përgjegjësi dhe vetëdije të lartë, i cili sa herë ka “nevojë” Haga për investigime dhe pyetje ekstra… ai  jep dorëheqje.  Pikërisht këtu  nis dhe zanafilla  e kritikës time… 
Oh what times! Oh what customs ! (Ciceroni)
Ramush Haradinaj, një luftëtar i thekur lirie, nuk duhet të binte në grackat e  anti-shqiptarëve dhe “eminencave gri” që falen në Serbi.  Tashmë ai e kishte përvojën dhe nuhatjen e politikanit të rritur në aksione  dhe diplomaci.  Populli i Dardanisë dhe Kuvendi saj  i dha dhe  një mandat tjetër për t’i shërbyer atdheut në mënyrë të zgjuar e rigoroze, për t’a nxjerrë  nga  kolapsi, korrupsioni dhe pazaret e ndyra të ish bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënin… dhe bëjnë akoma rolin e protagonistëve paqësorë dhe politikanëve profesionistë, por, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veç ca servilë, dallkaukë dhe puthadorë të këmbanave të vjetra antikombëtare.
Haradinaj me veprimin e vet, dhe mbase dhe këshillat e këqija, i bëri një dëm të konsiderueshëm popullit të vet duke hapur portat e kështjellës për kalin trojan. 
Lidhur me akuzën, Haradinaj ia dha mundësinë disa herë Gjykatës  Hagës (për të cilën ruaj respekt, por që çuditërisht, ky Tribunal që guxon të thërrasë Haradinaj disa herë, nuk guxon të arrestojë një ushtar të vetëm amerikan që është i akuzuar si Haradinaj!), dhe “gjuetarëve të shtrigave” për të bërë investigimet e nevojshme të specializuara. Gjithashtu, ia dha  dhe privilegjin armiqve të tij për fabrikimin  e akuzave fallso. Dhe pse Karla Del Ponte, do e përkufizonte si kriminel lufte, dhe trysnia e  mekanizmit dinak të qarqeve jomiqësore ishte e madhe, ai  mori pafajësinë. Vuçiç, do e quante lëvizjen e fundit (dorëheqjen) të Haradinaj: “Mashtrim Politik!” Por prapa kuintave nuk ndajnë të njëjtin mendim udhëheqësit e qeverive europiane,  të cilët e kanë përshëndetur për sy e faqe qëndrimin e Haradinaj, por që në fakt janë dashnorët e Vuçicit. 
Duke e njohur këtë realitet të trishtë alternativ e subjektiv, armiku e quan “Mashtrim Politik”, kurse “miqtë” që bëjnë orgji me armikun e brohorasin?! Ky është kulmi i prostitucionit politik. Litari në dy skajet e humnerës ka qenë gjithnjë ura jonë për të kaluar në Europë. Flip-flapet e politikanëve europianë i kanë kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nëse këto politikanë e quajnë vendimin e Hagës të padrejtë, përse nuk dalin hapur në mbrojtje të Haradinaj? Dihet botërisht dhe nga kalamajtë se për një akuzë që merr pafajsinë dy herë nuk mund të bëhen më investigime të tjera, sepse tregohet mungesë profesionalizmi dhe serioziteti. Në prag të kësaj thyerje, Gjykata e Hagës, do të merrte emrin,  Mejhana e Krrabës. Kjo mungesë serioziteti e institucionit të Hagës, duhet të sillte si pasojë injorimin total të riakuzës nga Haradinaj, por ai nuk e bëri! 
Mendoj se, koha e eksperimenteve dhe heroizmave ka mbaruar. Mekanizmi i zhvillimit të një shteti nuk është si mulliri, që mund ta ndalësh sa herë që bluhet mielli. Po e ndale mekanizmin e shtetit, pushon zhvillimi, ndalet ora dhe mbretëron kaosi. Ky burrë duhet ta dijë mirë këtë. Nuk bëhen eksperimente në një laborator pa lëndën kryesore dhe eproveta. Çdo eksperiment i tillë sjell dështim të shkallëzuar. Si mund ta lësh vendin tënd në amulli për të plotësuar kapriçot e të huajve? Ç’është kjo mendjelehtësi?! Sepse kështu i bie  që sa herë t’i teket b… matrapazëve  të huaj, ne duhet të ulim pantallonat dhe t’i themi:  hajdeni o burra se këtu na keni! 
Detyra ndaj atdheut është gjëja më e shenjtë që për asnjë moment nuk duhet të përzihet me pasionin dhe reaksionin personal, partiak, dhe pazaret e të huajve, sepse atëherë  dalim të gabuar, për të mos  thënë  tradhëtojmë veteveten dhe kauzën e shenjtë ndaj atdheut. Përgjegjësia ndaj kombit dhe popullit tënd nuk është uni naiv, por thelbi i shtyllës imperative që buron nga ndërgjegja dhe përgjegjësia kombëtare, që, në asnjë rrethanë apo moment  nuk mund të  tjetërsohet në aksiomë politike personale. Këtë duhet ta dijë çdonjeri që hyn në politikë dhe që kërkon të udhëheqë popullin e vet drejt lirisë dhe prosperitetit. 
Haradinaj gaboi! Gabimi i tij duhet t’i vlejë çdo shqiptari si mësim… që përpara se t’i shërbejë drejtësisë së shitur dhe urisë së verbër ndërkombëtare duhet t’i shërbejë me devocion dhe besnikëri detyrës së dhënë nga populli, pastaj të ushqejë oreksin e portave të dallaverëxhinjve që në shekuj na nënçmuan, biles  na quajtën dhe “Njerëz me bisht”! 
Sikur ne te ishim me të vërtetë pjesë e Europës dhe ajo të na donte aq fort… do na pranonte kështu siç jemi. Ateherë  do ishim të detyruar të kryenim çdo obligim ligjor dhe moral. Po Europa kërkon të na imponojë standarte që fatkeqësisht dhe ajo vetë nuk i disponon realisht. 
Vëzhguesit “inteligjentë” ksenomanë mund dhe të më vërsulën: “Hej lum miku,  kohët kanë ndryshuar!”.
Unë u them atyre që koha është e njëjtë! Diplomacia vazhdon pikë për pikë skenarët e vjetër… dhe oreksi i qarqeve antishqiptare ka mbetur po i njëjti. Ka ndryshuar vetëm një realitet që e injorojmë ne vetë të parët: shqiptarët janë më të fortë, janë bërë mal!  Një fjalë e urtë japoneze thotë: “ Mali nuk lëviz!” Pas kësaj thënie të urtë japoneze i bie që, kush të jetë i interesuar  për malin, mirë se të vijë tek mali, në të kundërt… nuk flitet më për të tillë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Alfons Grishaj-Dorehqja e Gabuar-Ramush Haradinaj

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE

July 27, 2019 by dgreca

Harun Greca 1942-2016/

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE, GJURMË JETE 3200-1500 VJET PARA KRISHTIT/

– Në gjurmë të historisë s ë  Darsisë  së  Lushnjës dhe Peqinit nga Lashtësia deri më 1944 përmes shfletimit të librit”DARSIA” shkruar nga studiuesi Harun Greca. Shfletimi bëhet si homazh për Mësuesin tim, kolegun, kushëririn si dhe në respekt e nderim të  Darsisë nga vij.

– Në këtë libër enciklopedi autori përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, duke u mbështetur në qindra dokumente arkivore, në të dhënat arkologjike, etnografike, gjuhësore si dhe në Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat që janë zhvilluar në Darsi, përfshi edhe marshimin e ushtrisë së Jul Ç ezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit, arsimimin, qëndrën dhe pjesmarrjen në luftra, bujqësinë dhe blegtorinë etj.

– Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

                                     ***

Harun Greca, djali i xhaxhit tim, i bir i Tahirit dhe Behijes, u lind më 1942 në Gjuzaj, komuna Ballagat, Lushnje. I arsimuar me vështirësi për shkak të izolimit të zonës, ai arriti të kryente studimet në shkollën e mesme në Tiranë, dhe ta plotësonte me korrespondencë arsimimin e lartë falë vullnetit dhe pasionit për studime. Universitetin e Tiranës e përfundoi me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë, në degën Gjuhë dhe Letërsi. E kam pasë mësuesin tim të parë që në fillesat e arsimit fillor, ndërsa më pas edhe koleg e këshillues. Haruni shquhej në fushën e studimeve dhe ka një kontribut të jashtzakonshëm në historikun e arsimit të Lushnjës, por në mënyrë të veçantë në Darësi. Edhe si mësues, edhe si drejtor shkolle, ai meritoi respektin dhe mirënjohjen e nxënësëve, prindërve dhe mësuesëve. Janë me dhjetëra breza nxënësish që kanë marrë mësime prej tij.

Haruni ndërroi jetë me 28 Qershor 2016 në Tiranë. Shkolla 9 vjeçare e Gjuzajt, ku ai dha më shumë se tri dekada kontribut, sot mbanë emrin e tij: Shkolla 9 vjeçare”Harun Greca” Gjuzaj. Haruni së bashku me bashkshorten e tij, Liri(ndjesë pastë), rritën dhe edukuan 3 fëmijë shembullorë, Leonorën, mësuese për shkollat e Mesme, Alabanin- mjek reanimator në Tiranë, Silvanën -Pedagoge në Universitetin Shtetëror.

Krahas kontributin si mësues, drejtues shkolle, Haruni la pas artikuj të shumtë studimorë në organet e shtypit pedagogjik, por dhe librat e botuara:

1-Darësia

 2- Mësonjëtoret e Draësisë

3- Gjuha Shqipe 9-, tekst mësimor për klasën e nëntë të shkollës 9 vjeçare dhe

4- “Gjuha Shqipe 9”, Libër ndihmës për mësuesit (bashkautor).

I ndjeri studues, një ndër kontributorët më të spikatur të arsimit në Darësinë e Lushnjës, dhe jo vetëm, na ka lënë pas si një vlerë e veçantë, një libër historik me vlera jo vetëm për darsianët, por edhe çdo lexues e në mënyrë të veçantë për studiuesit, librin”DARSIA”.

  Në një farë mënyre historia e krahinës rebele kishte mbetur ilegale në kohën e diktaturës edhe për shkak të dominionit nacionalist gjatë viteve të Luftës së Dytë botërore, por dhe të gjurmëve biografike që ajo la pas. Për rrjedhojë të ngjarjeve krahina mbeti pa infrastrukturë, pa investime, pa ujë të pijshëm, pa rrugë automoblistike. Bijtë e kësaj zone deri vonë nuk ksihin shkollë të mesme, dhe izolimi i privonte për të zbritur në qytetin e Lushnjës për të vijuar arsimin e  mesëm. Darsia u ndëshkua edhe për shkak të  biografisë së saj antikomuniste. Por autori , kur e shkroi librin, nuk i vuri si qëllim vetes të merrej me biografinë e krahinës dhe me 45 vitet e lëngimit të saj; ai përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat, përfshi edhe ushtrinë e Julçezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit etj, arsimimi, qëndresa dhe pjesmarrja në luftra, bujqësina dhe blegtoria etj…. Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

KU NDODHET DARËSIA?

Para se të japim burimin e emërtesës së krahinës le të prezantojmë vendodhjen e Darsisë sipas librit “DARSIA” botim i vitit 2010 nga Shtëpia Botuse”Globus R”, libër me 310 faqe i ilustruar me fotografi, harta, gjetje arkologjike të lashtësisë, vizatime, dhe burime të shumta bibliografike e arkivore.

DARSIA, shkruan autori, e ndodhur në zemër të Shqipërisë, ngritur mbi gjunjë mes dy fushave; të Myzeqesë dhe asaj të Peqinit, e banuar 3200-1500 vjet para Krishtit, e gjelbëruar përjetësisht prej ullinjëve shekullorë, e përshkuar kryq e tërthorë nga rruga më moderne e kohës, EGNATIA, me banorët e saj punëtorë, krijues e të talentuar, me ekonomi e kulturë të zhvilluar, ka qenë zonjë mbi zonjat.

Gjeografikisht, Darsia është vazhdim i zonës kodrinore të Dumresë, ka të njëjtin reliev, klimë e bimësi, por përbën njësi të veçanta sa i takon të dhënave në fushën e shkencës së etnografisë(në tradita, në mënyrën e jetesës, në kulturën materiale, artistike, shoqërore e shpirtërore). Në Veri kufizohet me Peqinin e Rrogozhinën në Shkumbin, në lindje me Dumrenë në Trash, Pekisht, Rrasë, Çerragë, Kosovë e Vogël e Stan Karbunarë. Jë Jugë dhe në perëndim me fushën e Myzeqesë në autostradën Lushnje-Rrogozhinë deri tek ura mbi Shkumbin. Përfshihet në rrethin e Lushnjës dhe të Peqinit dhe përbëhet nga dy pjesë: Darsia e Lushnjës dhe Darsia e Peqinit. Ajo ka pamjen e shumkëndshit të çrregullt, shtrirë e mbështetur në Myzeqe dhe Dumre dhe laget e freskohet në ujrat e rrjedhshëm të Shkumbinit.

Relievi përgjithësisht është kodrinor. Ka vetëm pak fushë në të majtë të rrjedhës së Shkumbinit dhe disa lugina në brendësi të saj. Majat më të larta të kodrave janë: Karthneku 325 m mbi nivelin e  detit, Mollasi 299 m, Shkujka në Shegas 282 m, Mollagjeçi në Ballagat 275 m, Sopi i Bardhokut në Kurtinë 239 m, dhe Balaj 230 m. Dikur të veshura me drurë e shkurre, plot bukuri e hijeshi, por sot përcëlluar, djegur e zhveshur. Sëpata dhe zjarri i shfarosën. Vetëm në faqet, poshtë tyre, riten shkurre të llojeve të ndryshme.

Në dy anët e krahinës, lindje dhe perëndim, duke filluar nga lartësitë e kodrave, rrjedhin përrenj të shumtë, të gjatë e të shkurtër, të cilët në të kaluarën shkonin ujëplot, dimër e verë.Të tillë numërohen: Lunja në Karbunarë, përrenjtë ën Shezë e Vashaj, në Manasufaj e jazxhijas, në Shegas e Dushk, në Gramsh e Zhamë, në Kasharaj e Garunjas, Përroi i Lushnjës dhe lskarica në Gjuzaj etj.

E gjitëh krahina, nga lashtësia deri ën ditët tona, ka qenë e banuar në vazhdimësi prej banorëve autoktonë. Gjatë rrugëtimit të shekujve kanë ndodhur largime dhe ribanime të herëpashershme, që dokumentohen prej gjetjeve e mbeturinave të shumta arkologjike, nga dëshmitë e ndryshme dhe dokumente shkresore.

VENDBANIMET E DARSISE

Vendbanimet janë fshatrat: Allprenaj, Balaj, Ballagat, Biçakaj, Çelhakaj, Dushk, Garunjas, Golem, Gramsh, Gjocaj, Gjuzaj, Gjyshaj, Hasmashaj, Hajdaraj, Hysgjokaj, Jazxhias, Karthnekë, Kasharaj, Kurtaj, Kurtinë, Kupas, Karbunarë, Lekaj, Manasufaj, Murriz, Mollas(Murtajas), Rrumbullakë, Sallbegaj, Skilaj, Shezë, Shegas, Thanasaj, Vashaj, Xibrakë, Zgjanë, Zhamë dhe lushnja qytet(dikur fshat).

Qendrat kryesore janë: Sheza, Htsgjokaj, Ballagati, Karbunara, Gjocaj, Golemi e Dushku. Njësitë administrative nga të cilat varen historikisht janë Lushnaj e Peqini.

  Veprimtaria kryesore e banorëve ka qenë bujqësia dhe blegtoria. Kultivohej më shumë, më lashtësi e mesjetë, gruri e vreshtaria, pas tyre, në shekullin e XVIII, misri. Përhapje të gjerë ka pasur rritja e deleve, dhive e kuajve. Sipërfaqja e zonës mbulohej kryesisht me drurë lisi, shkoze dhe blini, që manin një faunë të pasur me shpezë e kafshë ët egra të llojeve të ndryshme. Në pyje, korie e lëndina jetonin në koloni shpendët si:qukapiku, çota, fuga, shkurtëza, turtulli, dudia, pëllumbi i egër, gjeli i egër, thëllëza, shpatorja, mullenja,  gargulli, etj, por ehd ekafshë të egra si: lepuri, iriqi, kunadhja, vjedulla, dhelpra, çakalli, ujku, derri i egër etj.

Banesat, në fillimet e para, ndërtoheshin kryesisht me drurë, por më vonë edhe prej guri ranor, jo shumë rezistent. Banorët ishin mjeshtra për ndërtimin e tyre.

Në shekuj Draësia, për shkak të pranisë së egnatias, ka shërbyer jo vetëm si nyje strategjike militare, pr edhe të asaj  ekonomike, kulturopre e tregtare.Nëpër të kaluan ushtri të panumërta, tregtarë, shtegtarë, ushëtarë, të varfër e të pasur, dijetarë dhe varrmihës, dishepuj të Krishtit e Idhtarë ët tyre, që shpërndanë e mbollën Krishtërimin. Majat e kodrave, dendësiht të populluara e të urbanizuara, u kthyen shpesh në rolin e kullave observuse, mbrojtëse e sulmuse dhe rrugët në lumenj me prurje të shumta trupash të armatosura.

Po pse krahina e mori emrin Darësia?

(Vijon)-Pergatiti: Dalip Greca

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca-Daresia-Daorset

LE TË NISEMI SË BASHKU!

July 27, 2019 by dgreca

NGA NEXHAT PESHKEPIA*/

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji. Po të nisemi nji nga nji, mund t’a humbasim rrugën, do të mërzitemi nga vetmia dhe do të dëshpërohemi.

         Po të jemi vetëm, kush do të na mbrojë shpinën? Dhe anmiku asht djallzor: ai shtie mbas shpine.

              Por, po të nisemi së bashku, rrugën nuk do t’a humbasim, nuk do të mërzitemi sepse do të këndojmë së bashku kangët e trimnisë.

          Beteja e fundit do të jetë e jona, sepse kur të hidhemi në zjarrin e ndeshjes, zemra nuk do të na lëshojë.

        Nuk duhet të thomi:”Atdheu ka humbë”, ose  “Trathtarët e shitën Atdheun”. ….     Fjalë pa kuptim sepse Atdheu as humbet as shitet.

Atij që thotë:

“Atdheu asht larg dhe s’arrihet dot”, atij ne duhet t’i thomi:”Nuk asht Atdheu që asht larg teje, por asht zemra tande që asht larg Atdhut”

             Ka dhe nga ata që thonë: “Për ne, Atdheu ka vdekë”.

       Atij që thotë ashtu, gjaku i asht bamë ujë. Kur t’a shifni, ndërroni rrugë. Përveç që bajnë mëkat, sepse Perëndia, Atdheun, e ka krijue të përhershëm….Por ne duhet të thomi:”Atdheu sot po vuen. Disa ia kanë grabitë Lirinë, dhe përpiqen t’ia marrin edhe shpirtin”. Ata, që në shpirt nuk besojnë.”

   Por ne duhet të thomi:

              Le të nisemi së bashku e t’ia zgjidhim zinxhirët, Atdheut. Ta lirojmë nga zgjedha e t’a kthejmë Zot më vete, siç ka qenë dhe siç i ka hije. Së bashku t’a stolisim Atdheun me rrobat më të çmushme, t’i vëmë në kryet Kunorën e Lirisë, t’a ulim në Fronin e artë plot lavdi, të gjunjëzohemi te kambët e tij e t’i falemi.

Oh, ju lutem, dëgjomëni!

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji.

         Le të nisemi së bashku e të bashkuem, dhe do t’a shifni se do t’ia arrijmë qëllimit:

– DO T’A LIROJMË ATDHEUN!

*Ripublikuar sot tek Gazeta “DIELLI”

….një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, më 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth Atdheut, jo një nga një, por të gjithë së bashku. (Frank Shkreli)

Filed Under: Politike Tagged With: Nexhat peshkepia-Le te nisemi se bashku

LUFTA E KLASAVE – KANCERI I POLITIKËS SHQIPTARE

July 27, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/*

          Gjatë shekujve XIX dhe XX mbisunduan dy mënyra qeverisjeje, ajo e qeverisjes sipas kushtetutës borgjeze krijuar prej Napoleon Bonapartit dhe mendësia e qeverisjes diktatoriale provuar prej Komunës së Parisit dhe partive nazifashiste, të cilën e perfeksionoi Partia Komuniste Bollshevike nën drejtimin e Vladimir Iliç Leninit. Ky për të marrë dhe mbajtur pushtetin me partinë e tij si forcë e vetme politike ngriti në parim luftën e klasave për të eliminuar partitë e tjera politike dhe individët që nuk ndiqnin programin e partisë së tij. Kështu Lenini arriti të instalonte Pushtetin e Sovjetëve. Pasuesi i tij, Josif Visarjanoviç Stalini e zbatoi me zell më të madh parimin e luftës së klasave, duke u shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik 20 milion viktima, pra shumë më tepër viktima sesa u shkaktoi L2B. Një rrugë të tillë ndoqën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit edhe partitë e tjera komuniste të cilat deri në vitin 1990 e rritën numërin e viktimave të sistemit komunist në 100 milion njerëz.

          Nga ana tjetër demokracitë borgjeze ishin qeverisur sipas parimeve kushtetuese, të cilat i pati pasuruar Abraham Linkolni në mbarim të Luftës Civile, kur dha një shembull human për të shuar urrejtjen midis forcave kundërshtare. Ai u tha ushtarëve të tij se kundërshtarët e mundur nuk duheshin parë e trajtuar me urrejtje, sepse ata “janë bashkëqytetarët tanë”. Pak kohë më vonë, kur u zgjodh president për të dytën herë, Linkolni theksoi: “vendi do të qeveriset me drejtësi, pa keqdashje për askënd”. Këto thënie u kthyen në parime dhe kështu u krijua uniteti kombëtar i kombit të ri amerikan, i cili u mobilizua pa asnjë dallim për zhdukjen e pasojave të luftës dhe zhvillimin e vendit.

          Në këtë rrugë, në rrugën e krijimit të unitetit kombëtar, hyri dhe populli shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, kur intelektualët atdhetarë përpunuan ideologjinë tonë nacionaliste. Ata krijuan parulla mobilizuese si “Atdheu mbi të gjitha”, “Liri, a vdekje”, “Për lirinë e atdheut jap jetën”, etj. Ky lloj morali vijoi të frymëzonte rininë tonë edhe gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare, kur nëpër shkolla këndohej: “Do vijë koha përsëri / kur flamuri kuq e zi / do valojë mbi Kosovë e Çamëri”.

          Më 7 prill 1939, sulmit të ushtërisë fashiste iu kundërvunë forca shqiptare të ushtërisë mbretërore, të xhandarmërisë dhe disa vullnetarë popullorë. Në luftimet e asaj dite ranë 15 dëshmorë: dhjetë në Durrës, dy në Vlorë, një në Sarandë, një në Berat dhe një në Shkodër. Shumë shpejt atdhetarë të krahinave të ndryshme si Abaz Kupi, Safet Butka, Selim e Myslim Peza, Muharrem Bajraktari, Riza Kodheli, Haxhi Lleshi, etj krijuan çetat e para të armatosura dhe filluan luftën për ta kundërshtuar pushtimin fashist. Natyrisht rezistenca e 7 prillit dhe çetat e para të armatosura, kishin mungesa në organizimin e tyre. Çetat e para atdhetare që u pasuan më vonë dhe nga çetat që krijoi organizata patriotike “Balli Kombëtar” ishin të ngjashme me çetat e Rilindjes Kombëtare. Disiplina dhe ndërlidhja e tyre ishin të dobëta. Kurse çetat partizane që krijoi Partia Komuniste gjatë pranverës së vitit 1942 e më vonë, u shquan për organizim, disiplinë, ndërlidhje dhe komandë të përqendruar. Pikërisht me këto tipare çetat partizane korrën suksese dhe fituan simpatinë e aleatëve dhe të shtresave të varfra të popullit shqiptar. Dihet se Partia Komuniste Shqiptare dhe çetatat e saj të armatosura u krijuan sipas udhëzimeve të Stalinit, udhëzime që i vunë në zbatim tek ne të dërguarit e Josif Broz Titos. Enver Hoxha, i vënë në krye të PKSH-së prej tutorëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, u nxit prej tyre që të bashkohej me forcat antifashiste nacionaliste me qëllim që shpejt a vonë të delte mbi to dhe t’i eliminonte. Me këtë synim ai dhe forcat e tij morën pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm Nacional, i cili u quajt pak më vonë prej PKSH-së Këshilli Nacional-Çlirimtar. Më tej të dërguarit e Titos e shtynë Enver Hoxhën që të dërgonte përfaqësuesit e PKSH-së në Tapizë e Mukje, ku më 3 gusht 1943 u hartua Marrëveshja e Mukjes, e cila zgjodhi Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të luante në fund të luftës rolin e një qeverie provizore deri në zgjedhjet popullore kur do të përcaktohej forma e regjimit politik. Mirëpo tutorët jugosllavë e detyruan Enver Hoxhën që ta mohonte Marrëveshjen e Mukjes dhe brenda shtatorit 1943 me anë të një shkresë sekrete të firmosur nga “Shpati”, pseudonimi i Enver Hoxhës, u urdhëruan organizatat bazë të PKSh-së që ta shpallnin tradhëtar “Ballin Kombëtar” në mbarë Shqipërinë londineze dhe ta luftonin si armik edhe pse deri atëhere forcat e kësaj organizate kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane kundër pushtuesve italianë. Disa javë më vonë udhëheqja e PKSH-së shpalli “armiq” edhe forcat që drejtonte Abaz Kupi, udhëheqësi i rezistencës së 7 prillit 1939 dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional / Këshillit Na-Çl.

          M. Popoviçi dhe Dushan Mugosha e mësuan Enver Hoxhën që me çdo kusht të luftonte që PKSH-ja të zbatonte pa hezitim parimin e “Luftës së klasave”, luftës për asgjësimin e të gjitha forcave politike e ushtarake dhe të individëve që nuk përputheshin me vijën politike të PKSH-së. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, PKSH-ja filloi veprimet për t’u shpallur si forca e vetme luftarake antifashiste me qëllim që të merrte në fund të Luftës Antifashiste pushtetin si forcë e vetme politike. Kështu ajo arriti që në fund të L2B të delte fitimtare dhe të instalonte qeverinë e vet komuniste. Kjo qeveri e konsideroi luftën e klasave motor lëvizës të shoqërisë shqiptare, pa menduar se kjo lloj politike dëmtonte unitetin kombëtar dhe nuk sillte çlirimin e forcave të brendshme të kombit për t’u mobilizuar për zhvillimin e vendit. Enver Hoxha, thirrjet e rilindasve “Atdheu mbi të gjitha”, “E jap jetën për atdheun” i zëvendësoi me parullat “Partia mbi të gjitha”, “E jap jetën për partinë”. Sipas tij partia ishte më e rëndësishme se atdheu.

          Me arrestime, burgime, internime, pushkatime të atyre që mendonin ndryshe, ose që i dukeshin Enver Hoxhës se mendonin ndryshe, vijoi sundimi i diktaturës së proletariatit deri në vitet 1990-1991, kur u pranua kapitullimi i këtij regjimi dhe tek ne.

Në vitin 1992 intelektualë të shquar shqiptarë menduan se erdhi koha që politika shqiptare të largohej nga urrejtja që kishte mbjellë politike e luftës së klasave dhe të ndiqej një politikë humane për të realizuar pajtimin midis persekutuesve dhe të persekutuarve, pra për të arritur paqësisht tek uniteti kombëtar, aq i nevojshëm për popullin tonë të përçarë nga ideologjia komuniste.

          Para se të largohej nga jeta në mars 1992, Martin Camaj, poeti i lartësive, si e quan Frank Shkreli, shkroi:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

          Mesazh human që dëshmonte se poeti qëndronte larg hakmarrjes, larg inatit e zemërimit që mund t’i shkaktonin një njeriu të zakonshëm përndjekja dhe mohimi që i kishte bërë regjimi komunist.

          Po ashtu, luftëtari i të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti, ish i burgosur, në gusht 1992 shkoi nga Amerika në Shqipëri për të ndihmuar në ecurinë e proceseve për demokratizimin e jetës e të pushtetit. Sapo zbriti në Rinas ai deklaroi para gazetarëve: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’.

          Studiuesi i talentuar, Profesor Rexhep Qosja, shkoi nga Prishtina në Tiranë për të diskutuar mundësinë e arritjes së pajtimit kombëtar midis përndjekësve dhe të përndjekurve. Nga Parisi shkroi dhe Ismail Kadareja për këtë problem. Mirëpo Partia Socialiste, forca politike që mbante në gjirin e vet ish-komunistët dikur të pushtetshëm në formacionet e PPSH-së, të shtetit dhe të Sigurimit, nuk kërkoi të falur për bëmat kriminale dhe gabimet e shumta që kishin shkaktuar lëndime të rënda në më shumë se një të tretën e popullit. Gjatë vitit 1992 e më vonë, kur kishte ardhur koha e tyre, të përndjekurit nuk shprehën asnjëherë ndjenja hakmarrjeje ose revanshi. Visar Zhiti, Atë Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Lek Pervizi, Lazër e Jozef Radi e shumë të dënuar të tjerë botuan vepra memuaristike, poezi, analiza e romane, ku zotëronte humanizmi dhe jo urrejtja klasore. Por, përderisa shkaktarët e krimeve nuk kërkuan të falur, viktimat nuk kishin si dhe pse t’i falnin përndjekësit e tyre të papenduar. Kështu në shoqërinë shqiptare paskomuniste nuk u arrit pajtimi kombëtar për shkak se në Partinë Socialiste nuk pati intelektualë largpamës që të ngriheshin mbi urrejtjen klasore dhe të vlerësonin si duhej nacionalistët, ballistët, legalistët dhe dëshmorët e tyre që ranë gjatë Luftës Antifashiste nuk u vendosën në panteonin e Vorrezave të Kombit. Për fat të keq edhe Partia Demokratike, Partia Republikane etj të mbushura me ish-komunistë e ish-sigurimsa, nuk patën intelektualë vizionarë për të gjetur rrugën e pajtimit kombëtar. Lufta e dikurshme e klasave nuk u shua, nacionalistët, ballistët e legalistët urreheshin si më parë. Pronat që ua mori regjimi komunist, partitë e reja sa herë erdhën në pushtet nuk ua kthyen, por u dhanë disa copa letrash dhe i sorollatën e po i sorollatin nëpër gjykata. Ata u lanë jashtë lojës politike, asnjë post me rëndësi vendimmarrës nuk iu dha të përndjekurve të komunizmit. Madje në vitet 1991-1992 parimi i luftës së klasave u pasurua dhe me luftën midis anëtarëve e simpatizantëve të partive të reja politike. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së sulmonin e sulmojnë me sharje e shpifje anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, PR-së dhe anasjelltas. Kjo luftë e re bëhet sa për tym e tifozllëk për t’ia marrë mendjen popullit, ndërkohë që sipas planit katovica, besnikët e PKSH / PPSH-së të gëzojnë pasuritë dhe pushtetin.

          Kjo luftë vijon dhe sot duke e gërryer shoqërinë shqiptare si kanceri. Kjo luftë pas vitit 1992, kur u ndërrua sistemi ka qenë dhe është absurde. Atë e mban gjallë plani Katovica, i cili duhet shkatërruar bashkë me klasën e korruptuar politike, që e zbaton. Uroj që Vetingu dhe Reforma në Drejtësi ta shpëtojë politikën shqiptare nga mendësia e luftës së klasave dhe korrupsioni. Përndryshe populli, sidomos rinia duhet të ngrihet në një lëvizje të re më serioze e më të programuar demikratike se lëvizja e studentëve e vitit 1990…

* Artikulli është ripunuar nga autori

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas L Gjika-Lufta e Klasave-Kanceri

DOPOLAVOROT FASHISTE NË KOKËN E KRYEMINISTRIT

July 27, 2019 by dgreca

  Nga Kolec  P.TRABOINI/   Ja çfarë thotë e shkruan kryeministri i vendit tonë, kryeqeveritari i një populli që në saj të udhëheqësisë së “ndritur” po merr arratinë nga sytë këmbët në këto ditë të nxehta korriku: “…historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune./ Edi Rama, 27 korrik 2019” .

Ky kryeministri ynë, që pretendon të jetë artist e të ketë qenë pedagog arti, as nuk merr mundimin ti referohet historisë sepse shkon sipas avazit të Luigjit të XIV “Shteti jam unë” dhe rrjedhimisht vetëm çfarë them unë është e vërtetë. Shqetësues është fakti se nuk është hera e parë që bën kësisoj. Por le ti referohemi vetëm rastit të fundit ku ai e quan ndërtesën e Teatrit Kombëtar “karaktinë e “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane”. Ndërtesa nuk ka të bëjë në asnjë sens me ato që thotë zoti kryeministër. Ajo është porositur nga shteti shqiptar me vendim zyrtar, me firmë e vulë dhe është projektuar në vitin1938. Po atë vit kanë nisur ndërtimi. Nuk është ndërtim i përkohshëm, siç e cilëson kryeministri, por ndërtim i përhershëm. Po a përmbledhim historinë e këtij teatri që qeveritarët i janë qepur për ta rrënuar ne kuadrin ne PPP (lexo: partneriteti privat pushtet për grabitje të pronave publike): -U porosit nga Qeveria Shqiptare më 1938. -U projektua nga arkitekti i njohur Italian Giulio Berté. -Firma projekt – zbatuese “Pater – Construzioni Edili Speciali Milano” -Ndërtesa është e stilit futurist, modern për kohën. -Nisi punimet në vitin 1938. -U përfundua e inaugurua me 8 gusht 1939. -Një gazetë shqiptare për këtë ngjarje shkruante: “Inaugurimi në Tiranë i lokalit modern për kinema-theatër ….ka një madhësi prej 1000 vendesh të ndame në dy rende… me qëllim që t’ u japi spektatorëve zbavitje në kryeqytet në një seli të denjë zotnijsh dhe elegante.” Tani i nderuar kryeministër a mund ti shpjegoni komunitetit e artistëve dhe artdashësve shqiptarë ku është tallashi, ku është karakatina, ku është ngrehina e përkohshme dhe kush e ka projektuar, arkitekti i madh italian, Giulio Berté apo ushtarët e dopo-lavoros tënde që një zot e di se ku e ke gjetur? A është në stilin e stallave të kuajve apo e stilit modern futurist për kohën. Zoti Kryeministër, kur mbani fjalime të pafundme e të pandalshme, kur shkruani pa u lodhur e rraskapitur natë e ditë në Facebook dhe në Twiter, është mirë të mbash pranë një kovë akull… se vapa e korrikut mund të ndikojë në superxhiron e mendimeve e të dalin jashtë kontrollit. E këto ndër ne nuk janë gjëra të pa ndodhuna. Se edhe Flamurin e Deçiqit ja hoqe Ded Gjo Lulit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në mes të cilëve edhe im atë, dhe pa tu dridhur syri ja faturove dy endacakëve, Lolit dhe Colit nga fshatrat e jugut. Këtë shënim, zoti Kryeministër, më kot u mundova ta vë në morinë e faqeve të tua elektronike, sepse nga të gjitha më keni bllokuar, ju personalisht ose nga sejmenët e tu që i mban me bukë me qëllimin e lartë fisnik që të lëvrijnë si viruse elektronike. 27 korrik 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Kolec P. Traboini- teatri Kombetar-Edi Rama- Dopo Lavoros

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 934
  • 935
  • 936
  • 937
  • 938
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT