• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Speciale e DIELLI-it: Ndodhi edhe në Kosovë gjenocidi, si në Srebrenicë

July 11, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi: Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive…Regjim vrastar serb vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999/

-Kryeparlamentari Veseli: Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme/

-Qeveria e Kosovës, një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Kryeministri Haradinaj: Bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak/

 -Në korrik të vitit 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën/

-Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gruda: Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 11 Korrik 2019/ Masakra e Srebrenicës e para 24 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 20 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përkujton se, Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. “Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviçit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, është shprehur presidenti Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar: “Sot, në përvjetorin e 24-të, ne i bashkohemi përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Europën e pasluftës së dytë botërore. Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb. Vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar dekada, drejtësia ende nuk është vendosur, por koha nuk e zhvlerëson krimin dhe as drejtësinë. Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme”.

QEVERIA E KOSOVËS, NJË MINUTË HESHTJE NË 24 VJETORIN E MASAKRËS SË SREBRENICËS

Në fillim të mbledhjes së 110-të, pasditën e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës.

Me rastin e 24 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësues të komunitetit boshnjak në Kosovë – ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës, shprehu nderimin dhe respektin që ka për viktimat, duke theksuar se populli i Kosovës gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

“Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviçit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Kryeministri Haradinaj, theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, ministri Demiri, deputetja Balje dhe ish-deputeti Murati, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

NË KORRIK TË VITIT 1998 RAPORTOJA: NË KOSOVË PO NDODH BOSNJA, NË RAHOVEC PO NDODH SREBRENICA

 “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 21 vitesh, në korrik të vitit 1998.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 21 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 21 viteve, në 23 korrik në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”

24 KORRIK 1998: RUGOVA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBETARE PËR KOSOVËN


Ndërsa, në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”  raportoja: “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

NË KOSOVË KANË NDODHUR KRIME LUFTE, KRIME KUNDËR NJERËZIMIT DHE AKTE GJENOCIDI TË FORCAVE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

 “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:

“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e  madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Këtu është personeli mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…

Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë,  gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë… Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.

Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të sëmurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve, çka është shkelje e jashtëzakonshme…”

 “Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rënda”, ka thënë Gruda.

Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.

“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukë gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.

Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë civilë shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës  në Kosovë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Filed Under: Histori Tagged With: Srbenica- Gjenocidi-Ndodhi ne Kosove- Behlul jashari

Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

July 11, 2019 by dgreca

Nga Arjana Kasapolli-Selani/ *

‘Koalicioni i Kosovës për Pajtim’ quhet iniciativa e përbashkët e lansuar nga disa organizata joqeveritare që si synim kanë pajtimin ndëretnik në Kosovë, marrë parasysh historinë e hidhur të dekadave të fundit dhe konfliktit të viteve 1998-’99 dhe pasojave të tij.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tri organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica dhe ArtPolis nga Prishtina, kanë lansuar zyrtarisht ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’.

Hyrja në partneritet e këtyre organizatave po synon të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i “Fondit për të Drejtën Humanitare”, në Prishtinë tha se këtë herë kanë vendosur që të bashkohen forcat me organizata të ndryshme, për të kontribuuar në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në Kosovë. Opinioni do të duhej të jetë më i informuar, nënvizoi Blakaj, duke shtuar se përmes këtij projekti, po synohet që të zbardhet e vërteta.

“Dokumentimi i së kaluarës dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës, si dhe monitorimi i gjykimeve të krimeve të luftës, duhet të raportohen, pasi mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për këto gjëra”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive. Ai u angazhua për ndërtimin e vlerave, qëllimeve dhe të ardhmes së përbashkët brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Pajtimi është kategori e vetme, më e ndryshme, më e gjerë dhe më e lartë. Kjo është shprehje e vullnetit tonë personal. Mënyra e vetme që ne t’i sjellim njerëzit deri tek ai nivel, është që ne, të gjithë, në anët tona të tregojmë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe në atë mënyrë ta hapim rrugën kah dialogu i hapur, i cili mund të na udhëheqë më tutje drejt ndërtimit më të mirë të shoqërisë, të cilën, jam i sigurt që e meritojmë të gjithë”.

“Ky është parakushti themelor që shoqëritë në Kosovë ta ndërtojnë veten në përputhje me vlerat qytetare, me të drejtat dhe liritë e secilit individ që jeton këtu”, tha Miliçeviq.

Ndërkaq, Zana Hoxha nga organizata “ArtPolis”, tha se adresimi i problemeve ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm, duke veçuar shkollën pranverore me vajza nga Kosova e Serbia, ku ato me angazhimin e tyre si aktiviste, kanë punuar për ndërtimin e paqes për vendet e tyre.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Adriatik Kelmendi, gazetar tha se në aspektin medial, mediat shpeshherë kanë qenë vegël e politikës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Jemi 20 vjet pas luftës në Kosovë. Ne po e trajtojmë këtë temë sikur të kishte ndodhur para një, dy apo pesë vjetësh, dhe kjo tregon për një dështim të madh tonin. Nëse i kthejmë reflektorët nga vetvetja pa ndonjë hezitim mund të them se edhe ne, media, nuk e kemi kryer punën ashtu siç është dashur. Pse ka qenë shpesh më e lehtë të bien në agjendat e politikës”.

“Por, duhet nënvizuar se ka organizata dhe individë, që kanë bërë përpjekje që konfliktet dhe viktima të mos ndodhin, por edhe të bëjnë evidentimin, punësimin, të vërtetat për luftën, qëndruarit pranë familjarëve, monitorimin e gjykimeve, pra është punuar më shumë se nga institucionet që kanë buxhet.“ tha Kelmendi.

Derisa Edis Galushi, nga komuniteti rom, tha se ky komunitet në vazhdimësi është manipuluar nga të dyja palët, si nga ajo kosovare, po ashtu edhe ajo serbe.

Ai potencoi faktin se kur bëhet fjalë për pajtimin, dhe ftohen palët për diskutim, janë zakonisht palët kosovare dhe serbe, duke i përjashtuar komunitetet tjera, e që siç thotë ai, ata kanë qenë të përfshirë me ose pa dashje në procese.

“Secilën herë, jo vetëm në këtë luftë, por edhe në luftëra të tjera në vende të ndryshme, romët janë manipuluar. Janë shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve” tha Galushi.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13.500 persona konsiderohen të vrarë në konfliktin e viteve 1998-’99. Prej tyre,rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.(Kortezi-Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arjana Kasapolli-Selani- Koalcioni I Pajtimit

PËRCEPTIMI FIGURATIV DHE NDIJIMI ARTISTIK I LIRIKËS POETIKE

July 11, 2019 by dgreca

Kritikë letrare nag Shefqet DIBRANI/

Besnik Camaj: “STREHË DASHNIE”, poezi, Shtëpia Botuese, “OM”, Prishtinë 2018, faqe 112./ISBN 9789951 632 49 2/

“Krejt këtë rrush e krejt këtë verë,/

Ta kisha dhënë,/

Veç me të puthë një herë në gushë,/

T’më kishe lënë”/

Besnik Camaj, është dëshmia e maksimës se “artin e vërtetë e krijon aristokracia”, e cila i posedonte të gjitha mjetet tjera, andaj arti për këtë shtresë nuk ishte më luks se atë e kishin, por ishte nevojë shpirtërore, përkatësisht vlerë artistike që iu mungonte. 

Besnikunuk është aristokrat nga ana materiale, sado që punët i ka shumë mirë, por në arritjet akademike në të cilat ka investuar shumë, mund të kategorizohet ndër ata intelektualë të cilët me përkushtim iu kanë qasur ngritjes intelektuale. Tashmë Ai është ligjërues në shkollimet e larta akademike dhe njëri nga docentet në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Yverdon – Zvicër. Vite më parë, në komunitetin shqiptarë në Zvicër dhe kudo në Evropë, emri i tij u bë edhe më i njohur sepse iu rikthye me plotë hov organizimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Zvicër, për të dhënë edhe aty ndihmesën e poetit në fushën e organizimeve kulturore. Edhe sa ishte kryetar i SHKSHZ, sukseset nuk i kanë munguar, as nuk kanë munguar Festivalet dhe aktivitetet letrare, të cilat kryeisht i ka mbuluar nga të hyrat personale, duke bërë shumë për kulturën, librin dhe miqtë poet. 

Pa dyshim, rikthimi tek letërsia, përkatësisht tek poezi, duhet të ishte nevojë shpirtërore, për ta kompletuar veten edhe në planin artistik. Poeti Besnik Camaj, është prezent me botime e veta letrare që nga viti 1999. Nëse gjërat shikohen nga ky prizëm, duket se koha e ngritjes akademike i paska shërbyer si përvojë për t’i aplikuar ato dije edhe në veprat poetike e letrare duke krijuar profilin e tij, ndërsa poezia që shkruan ai të zë vendin e merituar në sfondin e poezisë lirike, me estetikë mirë të organizuar. 

Edhe poezitë e përfshira në librin “STREHË DASHNIE”, janë lirika që kanë nuanca të poezisë erotike, të shkruara me kujdes që këtë zhanër të poezive e bëjnë më të afërt dhe më të pranueshme. Këtë mendim poeti e shprehë në poezinë “NË KËTË BOTË”, në të cilën thotë: “të marrt’/ unë jam rrugë/ e ti strehë/ që veç pikon/ e deh”, faqe 17. Një këndvështrim dhe një qasje sa fisnike po aq meditative, e shkruar me kujdesin filozofik që përjetohen thellë, si lirika të mira: “Eja n’turr/ eja t’mësojmë si rrnohet/ mbi vullkan/ nën hije/ me flakë e tym/ dashnie”, faqe 19.

Larushia e kësaj poezie pasurohet me sfond fjalësh të rralla që i përkasin kryesisht gegërishtes letrare e cila mbulohet me shprehje nga zona e Dukagjinit, por shkrimi si i tillë është me figura stilistike që janë të realizuara estetikisht dhe artistikisht për t’ia pasur zilinë! Gjithsesi Besnik Camaj, na dëshmon se e folmja e zonës është ama e poezisë, ose poetët e kësaj treve janë më me fat pasi lindin mjeshtër të artit poetik, dhe kanë një leksik gjuhësore më të përsosur. Sigurisht janë ngjizur këto vlera të etnosit andaj poeti është i kompletuar për të ligjëruar artistikisht, andaj poezive iu ka dhënë motiv duke ndërtuar metaforën, ai ka aplikuar formën e mendimit meditativ: “E gishtat më janë mpi/ m’kanë ra për thonjsh/ tue i shti n’pej rrugët e moçme”, faqe 21.

Poezinë e këtij libri e dallon elementi erotik dhe ai lirik, që i kushtohen dashurisë njerëzore dhe harmonisë, si parakusht për ndryshim cilësor dhe nuanca letrare të kultivuara me elegancë përplot motive të pikasura me mënyrën artistike e cila përçon mesazhe të këndshme erotike: “Ishim bashkë/ unë/ ti/ dhe terri//as sot/ nuk e di/ cili nga ne të tre/ çmendoi më shumë”, faqe 20. Ky perceptim lirik, është po aq meditativ dhe përmbajtjesore duke e bërë poetin dhe poezinë të dalluar edhe për shprehjet dhe nuancat poetike, të rralla, madje disa edhe të harruara por që rikthen si të ishin kristale me vlerë të cilat i gjejmë në këto vargje, ndër më të realizuarit që janë shkruar e kultivuar.

Përmbledhja poetike “STREHË DASHNIE”, është ndarë në katër cikle që përngjajnë në katër shtylla me emërtime ritmike e mjaftë karakteristike: Brigjeve, Shtigjeve, Majave, Qiejve, të cilat bëjnë librinsi krijim lirik të konceptuar mirë artistikisht. Në anën tjetër na bënë për të besuar se përmbledhja është koncept i paramenduar në njërën anë, kurse në anën tjetër shprehja metaforike është thellësia e aplikimit të teorive shkencore që i ka studiuar, si mundësi e rrallë për ta artikuluar mendimin filozofik mbi të cilin janë krijuar nuanca dhe shprehje të shumta leksikore te cilat e bëjnë edhe metaforën poetike mirë të avancuar.

I

“buzëqeshja jote

mbushë horizontin vargje 

që mbijnë në rrënjë rrushi 

e ngjiten lart” 

dhe po aty:

II

“Krejt kët rrush e krejt kët venë

ta kisha dhanë 

veç me t’puthë nji herë në gushë 

t’më kishe lanë”

Poezia “NË VNESHTË”, faqe 26. 

Një mozaik i tërë si antitezë e dyanshme, përshtypje mirë e kultivuar, me shprehje lirike më të pranueshme.Si koncept poetik na bënë për të kuptuar poezinë me simbolikë hyjnore, me idetë që i ngrit në simbolikë të vargut dhe qëllimit për të artikuluar mendim të fuqishëm lirik e poetik. Mënyra magjepse dhe ritmika e shprehjes është sfondi që përcakton fatin e poezisë e cila tashmë ka marrë udhën e vet drejt suksesit. Ta zëmë përmes poezisë “Ka çaste”, Besnik Camaj ka shtruar një tezë teorike: “Ka çaste/ që nuk ndodhin në jetë/ edhe me dashtë/ ka net që presin n’radhë/ me marrë një biletë/ për detin e Shpirtnisë”,për të theksuar sintezën se: “janë do çaste që shëtitën qiellit/ e kurrë nuk vijnë po s’i ndoqëm”, dhe për ta përmbyllur poezinë me antitezë e cila materializon tezën teorike që parashtrohet në fillim: “ka shumë net që s’vijnë/ dhe ditë që palosen në radhë/ po ka çaste që t’presin frymën/ e nuk e lanë pa ardhë”, faqe 75. 

Thjeshtësia e vargut ka dhënë kuptimin e plot të sentencës e cila më duket se ka arritur në cakun e synuar, për të prekur majat, për të rrokur suksesin. Ky libër i posedon të dyja, edhe sukses edhe arritje njëkohësisht duke e tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare, synim të cilin sado që e fsheh, e ka edhe Besnik Camaj se është poet, më shumë i lindur se sa i krijuar. Prandaj kaq lirshëm shprehet, pa druajtje dhe po komplekset e kritikës. Thjesht ka gjetur këtë “STREHË DASHNIE” në vetën e tij, në shpirtin e tij, andaj edhe poezitë i shkruan për vete, se edhe ashtu kanë rrjedh nga vetja e tij, gjë që vetëm arti i mirë krijon rrjedhë për të shkuar deri tek lexuesi i rëndomtë dhe tek ai më profesional, në kohën kur poeti i njeh, “dy njerëz/ që varret e veta/ me thonj që prisnin rritën/ i hapën/… / sa ishin gjallë”, poezia “I NJOH”, faqe 50.

Pa dyshim, poeti ka bërë përpjekje për të gjetur forma më specifike të shprehjes poetike e cila paraqet ndjenjën e brendshme, krejt e virgjër dhe mjaftë transparente i prezantohet lexuesit, sidomos atij që ka lidhje shpirtërore më të fuqishme me poezinë e cila si loti “pikon nën strehë/ portret i varun mbi oxhak/ ftu i dukun për merak/ rrudhë që shkrifesh/ mbi dridhmat e kitarës sime/ tue i mbledhë tingujt/ nji-nga-nji”, faqe 40, vargje që pikojnë si kristale.

Në poezinë e Besnik Camajt, ndeshim larushi motivesh të cilat nga poezia lirike alternojnë kah poezia erotike të cilën e krijon me mjaftë pasion dhe në anën tjetër poezive iu jep vlerë përjetuese. 

“të përqafoj dridhshëm 

para këti syshkrimi

se veç ti/ m’i ke ngreh flokët

m’ke lanë pa to

/…/

herët-a-vonë

kam qejf me ba dashni me ty 

le të merr’ n’thu edhe Toka 

ndoshta kthehet në krah t’duhun 

e ia sheh t’mirën tanë bota” 

Poezia “ TASH”, faqe 28. 

Ose tek poezia “JAM NGJIZË”, me një erotikë më të sofistikuar, si harlisje deri në çmendje, motive erotike të shprehura nëpër vargje:

“tash po e vëneroj

të gjithë

m’paskan hangër nga pak 

veç ajo ma s’shumti 

e n’tana anët”

Faqe 29.

Besnik Camaj iu ka kushtuar kujdes marrëdhënieve ndër shoqërore të cilat kur vijnë në këtë kohë erozionesh morale duket si thirrje për të shikuar njëri–tjetrin në sy dhe për ta ndihmuar njëri–tjetrin e nëse ka hapësirë pse të mos bëhet edhe dashuri. Vargje të kësaj natyre gjejmë me bollëk që i kushtohen raporteve shoqërore qofshin ato lirika apo erotika, kudo këndvështrimi i poetit ka qasje pozitive: 

“në mur

 paska ra dielli 

nga gravurat mbi shkamb 

qenkan fshi zanat

/…/

eja i ndërrojmë dy fjalë 

shkundim pluhunin

mbushemi frymë

shkëndijat rindezen kadalë” 

Poezia “NGA PIKTURA”, faqe 37. 

Një amalgamë përjetimesh interesante, ngjizje poetike të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimet kundërthënëse edhe brenda vet kulturës, prandaj Besnik Camaj e dëshmon veten humanist lirik, humanist erotik, njeri i vlerave ku ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë.

Trajta e gegërishtes që ka përdorur poeti, shkon me afër asaj gegërishtes letrare se sa të të folmeve lokale që flitej dikur. Tashmë edhe kjo e folme është mbizotëruar nga shqipja letrare, andaj ky komunikim gjuhësor u jap lirikave vlerë artistike dhe si përjetime më shpirtërore, më të përjetuara, ndërsa poeti pranohet si lirik të cilit vargu dhe shprehjet poetike i rrjedhin nga përjetimet e brendshëm, nga niveli edukativo arsimor që ua shton vlerën lirikave në njërën anë, kurse në anën tjetër për t’i besuar se shkrimet dhe poezia për poetin, nuk janë shkrime rasti e çasti, por janë frymëzime e përjetime poetike që i lindin nga shpirti, nga muza krijuese. Gjithsesi Besnik Camaj është lirik i hollë i cili përmes kësaj trajte gjuhësore ka pasuruar leksikun gjuhësor duke e bërë librin “STREHË DASHNIE”, vlerë specifike e cila duhet të merret parasysh edhe në planin e leksikut dhe leksikografisë shqipe. Kjo trajtë gjuhësore nuk ia humb vlerën poezisë, përkundrazi në disa nuanca e sforcon duke i dhënë konotacion artistik më ndryshe se sa të tjerët andaj edhe lirikat si përjetime artistike janë të veçanta, të rralla dhe mjaftë përjetuese.

Poeti Besnik Camaj, jeton mes vlerash, krijon vlera dhe me to bënë art dhe letërsi artistike. E kur poeti shkruan lirika dhe poezi artistike drejtpërdrejt bëhet i pranueshëm dhe më shumë i komunikueshëm me lexuesin e poezive, por domosdo ngjallë interesimet edhe të kritikës letrare e cila jo pak i ka kushtuar vëmendje këtij libri dhe poetit në përgjithësi. Saktësia e mendimit është e kultivuar me përkushtim, sikurse metafora dhe simbolika që zënë vend meritor, e specifikuar me kujdes ka harmonizuar mendimin dhe idenë në përputhje me elementin lirik.

Një vëmendje specifike zë poema“Republikë”, që është vendosur në fillim të librit, dhe pa dyshim është njëra nga krijimet më të bukura artistike, jo vetëm brenda këtij libri. Kjo ngjizje në mes sinonimit të Republikës si përcaktim juridik dhe Kapelës me të cilën bëhet loja poetike sidomos kur poetit është “strehë e dashnisë të pambarueme”. Nëse në mënyrë imagjinatave na duhet dora e Republikës si sitëm juridik, po me kaq afsh streha mbron metaforën lirike, e cila gjithmonë poetit iu ka gjetur afër: “m’ke mbajte ngrohtë/ m’ke dhanë dije e m’ke ba hije/ më thërret n’emën e mbiemën/ m’i mbron rrënjët edhe fijet”. Edhe atëherë kur “sakaq shi e breshën m’godet në kokë”, edhe atëherë kur poeti “bahet qull”, rrugëve me gropa siç shprehet vet ai.

Një ngjizje kaq të fuqishme rrallë e hasim në lirikat me këtë përjetim dashnie. Pastaj vargu bëhet më i ndjeshëm kurse imazhi lirik më i fuqishëm, si të themi shprehjet artistike me të cilat autori ka nxjerr simbolin për t’i shprehur nuancat e rrëfimit lirik: “E dashtun/ t’kam ruajte/ ashtu si kam mujtë/ me krah e pa krahë/ në breshën e stuhi/ me njëqind mijë telashe/ e me shumë kufij”. Edhe këtovargje janë të shkruara me pasion: “po unë nuk të lëshojë doresh/ se kështu m’ke gatu(edukuar)/ edhe nëse të heq ndonjëherë kur djersij/ të vë prapë mbi kokë/ s’mundem pa ty”, paraqesin një nocion me dy kuptime që ka lidhje me përcaktimin semantik të Republikës si nocion juridik ku do të ngjallen alegori të pashmangshme edhe për ligjërimin e kujdesshëm lirik, shprehje këto të cilat i ndeshim përgjatë librit si klithma dhe psherëtima të papërsëritshme, tamam siç shprehet ai: “Ta dish/ aty mbas veshit/ i kam mbledhë tana pikat e shiut/ e i kam shpërnda në tela t’shpirtit”. Vërtetë Besnik Camaj, është krijues më i veçantë qoftë për strukturën fonetike si dhe për aspektet e sintaksës në ligjërimin artistik të lirikave poetike, madje duke e personifikuar poetin si Hyj’ të artit poetik.

Streha e Republikës, manifestohet si njëra nga mbrojtëset më besnike për poetin, vetëm ajo nuk e tradhtoi, andaj ashtu me të komunikon duke krijuar imazhe të interpretimit meditativ në njërën anë, kurse në anën tjetër ka bërë këtë lojë lirike si interpretim artistik që ka specifikat e veta, se “edhe ashtu kimet janë rrallu/ të mbramat janë me fat/ shkretina po hapnon nga shkujdesja/ tash krejt çka bie mbi/ rrëshqet curril/ kajshëm e skajshëm”. Sipas kësaj lirike, poeti Republikën e ka kult, e ka tempull, e ka Zot që i beson shumë, sakaq e ka jetë e ka dashuri, e ka shok, e ka mik që i rri besnik dhe e shoqëron kudo dhe kahëdo, sado që nganjëherë ka krisma, grindje, plasje e përçarje, përsëri duhet dhe duhen: “po edhe nga ikja e çasteve/ kur kapeshim për asgja/ e nuk shihehsim sysh/ kur folnim pa mendu/ e i kthenim shpinën njani-tjetrit/ në vend që t’i kuronim plagët”, është ligjërim sa fisnik po aq specifik, i rrallë dhe mirë i konceptuar që të detyron për të marrë frymë thellë, e për t’iu rikthyer “dashnisë” si fuqi magjike e shumë herë.

Sigurisht, simbolika e republikës i tejkalon kufijtë e ligjërimit poetik, ato nuanca shkojnë edhe përtej poezisë, të cilat ngjizen me elemente hyjnore, si simbolikë e të shenjtës – dashurisë, pastaj shtrihen në hapësirën gjeografike për të cilën e rreth së cilës sillen metaforat duke bërë ligjërim artistik, si interpretim me nuancë nacionale, “që të më mbrosh/ e të m’i ruash bjeshkët”, por për të fuqizuar mendimin artistike rreth toponimit Republikë, ku poeti kërkon që “të m’i ruash bjeshkët/ me gjithë ata shtigje e ata brigje/ ku e lash frymën time“, janë vetëm nuanca artistike të cilat mund të jenë ndikuar edhe nga fenomeni i lëvizjes së kufijve, veçmas do të besojmë atëherë kur ta kuptojmë se vet poeti i përket asaj zone, për të cilën dhe rreth së cilës është ndërtuar sentenca (mendimi) si imagjinatë, e cila përçon mesazhe të mëdha për simbolikën e Strehësnë Kapelën Republikë, ose janë nuanca të aspektit gjeografik, përkitazi rreth lëvizjes së Kufijve të Republikës?!

Interpretimi i “Strehës”së Republikësmerr konotacione të ndryshme dhe jep interpretime të shumta. Streha e Republikësnë aspektin juridik është mbështetja e të gjitha vlerave që i mundëson Republika si konstilacion juridik në mirëqenie të qytetarëve. Poeti duke jetuar vet nën Strehëne një Republike(Shteti), siç është Zvicra ka arritur të përkthej imazhe, të interpretoj nocione si idiomë frazologjike mbi Republikën si shprehje e juridiksionit, qoftë Kapelë e rëndomtë, e cila poetit i sjell ngrohtësi, ia mbron kokën që aty diku ai e ka të fshehur mendjen, dhe nëpërmes këtij relacioni ndërton imagjinatën për t’ia pasur zilinë, ndërsa mjeshtëria e poetit shkon aq tutje sa nganjëherë nuk e kemi të qartë nëse kjo Republikë kaq e imagjinuar na është bashkëshortja me emër “dashuri” rreth së cilës sillen lajkat lirike, lazdrimet erotike, nëpërmes të cilave shprehet respekti më sublim që mund t’i kushtohet femrës e cila ështëGrua e respektuarqë kurdoher ngjall vullkan të brendshëm, ndërsa poetit ia paska ndezur muzën për të shkruar. 

Të gjitha këto aludime, dyshime e mundësi për ta gjetur fijen e perit në lëmshin erotik, që poeti Besnik Camaj, e ka realizuar kaq artistikisht, duek dhënë interpretime të shumta që posedojnë ndjeshmëri dhe do të përjetohen me afshin e zemrës, duke e kthyer imagjinatën te burimi i Drinit, atëherë “ku futja kambë e duar/ për t’nxjerrë një troftë/ që s’e kish’ kush atëbotë”, janëëndrrime vetëm për kohën e rinisë, atëherë kur kaq ishin mundësitë, dëshirat po aq, realitet i asaj kohe për tu kënaqur me pak, siç e përshkruan poeti, me një troftë “që s’e kish’ kush atëbotë””.

Kjo imagjinatë kaq e thellë, kaq e zhvilluar, kaq e avancuar e bënë poetin të rrallë, prandaj duhet t’i lejohej interpretime deri në çmendi, qoftë pas lirikave ose edhe pas dashnive të shumta, sepse pas tyre shihet se mbeten vetëm gjurmët poetike dhe vargje kaq mirë të realizuara, me po atë afsh mirë të përjetuara. Duket se imagjinata e Besnik Camajt, është e zhvilluar më shumë se sa e kuptojmë në shikimin dhe leximin e parë. Interpretimi i saj nuk bëhet kollaj, se në aspektin ekzistencial na duhet ngrohtësia për t’i ruajtur raportet e mirësjellta, ashtu siç i ka ndërtuar imazhet lirike me kaq nuanca përjetimi. Raportin moral si mirësjellje intelektuale me Republikën, që e paska shoqëruar poetin në çdo stinë të vitit, qoftë dimrave për ta mbrojtur nga ngricat e mëdha ose verës për ta mbrojtur nga djegia e diellit. Sigurisht edhe vjeshtave nga shirat e shumtë, ndërsa pranverave Republikën e paska përdorur për ta zbukuruar kokën e tij, krejt thejsht sa për t’ia mbajtur nën zapt flokët e harlisura, ose për t’ia harlisur dashninë nëpër ambientin e bleruar që e paska rrethuar!

Kjo poemë, ashtu siç është cilësuar edhe nga të tjerët është krijim i rrallë, ndërsa poeti mjeshtër i vargut artistik për të trajtuar dhe interpretuar fenomene që e rrethojnë, shoqërojnë a bashkëjetojnë: “streha ime e dashnisë/ edhe matanë/ kam me t’mbajtë mbi kokë/ mbi vete/ deri sa të tretem/ në kristalet polifonikë/ të trupit tand/ e të bahem gati mbi rimbi/ në një botë tjetër/ me ma shumë dashni”.

Në planin artistik është krijim antologjik, në aspektin poetik dhe sintaksor si referencë për tu parë mundësit e interpretimit që i lejon e folmja gegërishte të cilën e ka përzgjedhur poeti si gjuhë për të shkruar perla antologjike! Padyshim Besnik Camaj, ka shkruar vlera monumentale e cila shpjegon për mundësin kulturore që ka gjuha jonë për të ndërtuar vargje të tilla me imazhe kaq mbresëlënëse si frymëzim idilik ku kemi deficite kulturore në interpretimin e fjalës artistike. Mbi të gjitha këto figuracione e interpretime qëndron vet poeti Besnik Camaj nga i cili arkipelagu i krijuesve shqiptar, jo vetëm në Zvicër, por në shkallë kombëtare, pret edhe blatime të tjera të kësaj natyre, të këtij niveli edhe patriotik qe besa! Se “në fund t’fundit le ta dinë të gjithë/ se të dua shëndetplotë/ dhe dua me t’pa në dritë t’synit/ kur t’mi mbyllësh qepallat/ për t’fundit herë”, Amen!…

Në anën tjetër edhe “Poemë për Artin”, që është përfshirë në ciklin e katërt “Qiejve”, është e ndarë në pesëmbëdhjetë strofa të cilat mund të publikohen secila veç e veç. Por Besnik Camaj, duke shpjeguar “çka nuk është art” dhe të kundërtën e asaj“Art çka është”, ka bërë jo vetëm këtë poemë, por si tërësi poezi të realizuara mirë dhe me mesazhe të forta artistike:

I.

“nuk asht art

me qenë shumë i hershëm

e me mbërri n’cak ma s’voni”

II

“po art asht

kur e din mirë kah po shkon

dhe ku ke me mbrri

e ipesh me tanë qenien

që rrugës çdo shteg me ça

e kujt sherr mos me i ba”

 Poema “ART ASHT”, faqe 88.

Në “STREHË DASHNIE”, si tërësi tematike lidhen të gjitha vlerat e mundshme pozitive, kurse në poemat “Republikë” dhe në “Poemë për Artin”, gërshetohen mënyrat e interpretimeve të dyfishta në formën: “asht dhe nuk asht”ose “të jesh e të mos jesh”, që në aspektin teorik pasqyron njohjen e thellë gjuhësore dhe mundësitë e interpretimit, vlera këto të cilat na vijnë si perla poetike të realizuar me sukses. Gjithsesi, poezitë janë përjetime lirike të kompletuara, duke e bërë autorin artist të poezisë së sotme shqipe, sepse siç shprehte vet ai “…art asht me ia hapë kapakët/ me kujdes t’shtuem/ e me ia nxjerrë ngadalë/ perlën e mshehun n’zemër t’saj/ për me ia dhuru personit/ që t’i ka marrë mendtë”, tamam qysh mendon vet ai se “ndoshta t’i kthen”?!…

Ky poet posedon opus lirik mjaftë të pasur, poezia si ndjenjë artistike me vlera të paimagjinueshme është pasuri artistike e poezisë së sotme shqipe, sidomos për mënyrën e interpretimit të saj: “…art asht/ askujt mos me iu tutë/ me e kritiku n’sy kur e meriton/ pa të jetë edhe i familjes t’ngushtë/ mik a farefis/ apo kushdo tjetër”. 

Ndijimet lirike kanë interpretime të dyfishta të cilat i hasim kudo, jo vetëm në shembujt e mësipërm, këtë interpretim e ndeshim rrallë në krijimet tjera poetike. Ky hov dinjitoz është ndijim personale, por interpreton nuanca të përgjithshme.

Shprehjet lirike duket se në secilin varg dhe në secilën fjalë janë peshuar dhe menduar paraprakisht, se si dhe ku të vendosen, që pastaj interpretimi të ketë mundësinë për alegori të shumanshëme e gjithanshëme letrare, artistike, filozofike dhe pedagogjike, pasi “jeta asht pjesa ma e bukur e vdekjes”.

Pa dyshim, libri “STREHË DASHNIE”, dëshmon se Besnik Camaj ka përforcuar individualitetin krijues i cili është domosdoshmëri për poetët dhe krijuesit letrar. Pavarësisht ngjasimeve dhe nuancave, lirikat e Besnik Camajt, janë krijime të rralla dhe si interpretime mjaftë specifike, të cilat pavarësisht kulturës dialektikore, nuk duhet interpretuar si ndikime, a është ndikuar, por të trajtohen si përvojë intelektuale e atij që ka sfiduar vështirësi për tu dalluar dhe veçuar, “kudo – kurdo – kahdo”,që ka shkuar dhe sa herë që ka shkruar.

 I tillë është Besnik Camaj, si njeri, si intelektual, e tash po dëshmohet se i tillë qenka edhe si poet, vlerat e të cilit kanë zgjuar interesimin e lexuesit dhe atyre që merret me interpretime e krahasime gjuhësore, artistike dhe letrare!

St. Gallen, 07.07.2019. 

Shefqet DIBRANI

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shefqet Dibrani- Strehe Dashnie-Besnik Camaj

“Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike….

July 11, 2019 by dgreca

Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ/

Prozatori Fatmir Terziu është bërë i dashur dhe i kërkuar për lexuesin e sotëm. Ndoshta e ka ndihmuar të jetë në këtë kuotë fakti se profesioni i parë i tij është mësuesia, gjuhësia dhe letërsia, mësimdhënia dhe edukimi shkollor. Ai është njohës i mirë i dialektologjisë e sociolektit dhe e vë atë në funskion të misionit letrar dhe kulturimit shoqëror. Si vëzhgues i hollë dhe i tejpërtejshëm i fenomeneve qytetërimfrenuese nga bartësit kukudhë, Terziu operon thellë deri në dhembje për ta shëruar trupin e shoqërisë shqiptare se nuk e meriton këtë trajtim shumë të të ulët se tufa e qenëve të zonjkëzave, qafëderrave të tyre apo zonjushkëzave të varakta. Si mësues dhe shkrimtar, F. Terziu na shfaqet si sinomim i gjallë i edukimit, ndërkohë që e njeh mirë botën shqiptare, se e sheh në sy, deri në kthina, gjer në kapilarë. Nuk do të merrem me gjithë veprën e tij, që përbën një opus të pasur letrar e studimor, dhe për fat zbukuron tash e 4 vjet Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.  Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin: Ju shprehim falënderimet tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare,pjesa e parë (2009); Elbasani në arkivat britanike, studim (2015); krijimtari letrare: Mos hesht, poezi (2000, 2013); Djalli i Argadasit, tregime (2002); Misteriozja, tregime (2009); Lumenjtë e ëndrrave, poezi (2012); Grykës, roman (2010); Bunari, roman (2012); Borxh ajrit, poezi (2013); Miriapodë, poezi (2013); Kojrillat, roman (2013); Blirët e Pejës, roman (2014); Xhungël mendimesh, poezi (2014); Fijet e barit të thatë, roman, (2015) dhe Era nuk jepet me qera, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një herë faleminderit! Krijimtaria letrare – studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë pronë e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë, mik i nderuar! Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ai nuk resht së shkruari, së studiuari dhe së botuari. Vetëm brenda vitit 2016 boton librin me poezi Pas shiutdhe vëllimin me tregime Zjarri është blu.Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, nga ky autor numri i regjistrimeve të gjetura është 45 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është po aq, 45 tituj.

Me vërtetësi dhe dashuri, vlerësojmë kontributin e Fatmir Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Studimtaria e tij e vyer ravijëzohet në dy vepra të botuara për dy dashuritë e tij të mëdha: Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zemrës, sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë, shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca, letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që lidhen me fatin e kësaj treve me kontribute për historinë dhe qytetërimin shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: Elbasani dhe me skicimet bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, por të përqendruar historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim historik, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë perspektivash. Nëpërmjet krijimtarisë ne shohim ideologjinë në operim, nënvizon studiuesi dhe kritiku Terziu. 

Vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Poezia e Terziut është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur, kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin Ultimatumi (1972, 2002), etj.

Megjithatë, nuk ishte ky shkaku i këtij shkrimi të thjeshtë, por qe magjia tronditëse e fjalës që më ndikoi të hedh në qelqin digjital universal dy fjalë të vogla për një tregim të madh të autorit Fatmir Terziu.

 “Roja i Vilës së Madhe” është një tregim – tërmet jo vetëm i autorit, por gjykoj se në Prozën e Sotme Shqiptare e ka vendin sipër. Nuk të lodh autori. Qysh në fillim të njeh me personazhet e tij të paktë, njerëz, kafshë, sende. Terziu e ka të shtrenjtë fjalën, nuk e harxhon kot atë, e menaxhon mjeshtërisht ekonominë e fjalës letraro-jetësore. Lexojmë tregimin dhe me frymëmarrjen tonë thithim simbolikën e tij groteske, fatkeqësisht shumë aktuale ndër këto viset tona. Me “Rojen e Vilës së Madhe” ku nuk na shkon mendja?  Nga gjiri i Lalëzit, në perlat e Palasës e Dhërmiut, Ksamilit apo Kakomesë, ku zhgërruhen derrat kokërruar, me qafat e dhjamosura palë-palë me kollaro të rënda e të demoduara lloj-lloj, që i mbajnë si për modë, por s’dinë t’i lidhin estetikisht, veçmas litarët për fyti të popullit dinë t’i lidhin fort…

Do të më shoqërojë gjatë ky tregim i Terziut, sepse është dhembja e realitetit që jetojmë këtu, përditshmëria jonë rutinë, që na ka hashashuar ndjenjat e na helmon dhe gjakun. Autori ka gdhendur me frymë jete e gërma arti këtë prozë rrëqethëse, që të drithëton në përshkrimin artistik të realitetit, parë në sy të së vërtetës. “Roja i Vilës së Madhe” vjen në një prozë lakonike që është keqardhje artistike dhe jetësore. Këtë mund të bëjë shkrimtari, por jo një, të gjithë, secili sipas stilit të vet, por ngjyer në bojën e realitetit të sotëm shqetësues.

Një tregim sociopsikologji, ku duken dy personazhe dhe ne, në vatrën e leximit, regjistrojmë pothuaj monologun, nga njëri, dhe gjuhën e shqisave, të mimikës, intuitës nga tjetri, Roja, që po të lulëzonte Mbrothësia, mund të ishte, pse jo, një kërkues shkencor këmbëngulës.

Kemi dhe një Derr, personazh në distancë të largët, nuk na vjen drejtpërdrejt, por është i pranishëm edhe te qentë e tij.

Ç’më dha imazhin e jo pak derrave e dosave në vertikalitetin tonë, ky tregim i Fatmir Terziut!

Deri edhe sot “Bukuria që vret” e Migjenit ka qenë një margaritar i penës shkrimtare të mjerimit të shekullit XX. Sot i shtohet sivëllai “Roja i Vilës së Madhe” për shekullin XXI.

Tregimi nuk lexohet dot shpejt, sepse falë mjeshtërisë artistike që ka fituar, autori na fut në punë, ta zhvillojmë imagjinatën, të studiojmë tekstin, të lexojmë nëntekstin, të mos ndihemi lexues pasivë e dembelë, se të lexosh një Tregim nuk është si të luash spathi me letra.

Autori përmend vitin 1913 … Në të tjera mendime më fut!

“Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund.

Faleminderit autorit Fatmir Terziu, meritueshëm “Mjeshtër i Madh”!

Vlorë, 08.07.2019

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Habazaj- Proza e Fatmir Terziut

NDALJANI DOREN MAFIAS SE PRONAVE!

July 11, 2019 by dgreca

APEL –PËR SHQIPTARËT PATROTË, PËR PRSIDENTIN E REPUBLIKËS, KRYEMINISTRIN DHE KRYETARIN E OPOZITËS, PËR ZGJDHJEN E PASOJAVE 29 VJEÇARE TË MAFIES SË PRONAVE/

Nga Nuro Kulluri , pronar autokton nga fshati Dukati i Vlorës./

Unë Nuro Kulluri, jam pronar autokton në fshatin Dukat, të rrethit të Vlorës dhe kërkoj të sensibilizoj drejtuesit e politikës shqiptare, se janë ata që po mbajnë peng zhvillimet demokratike në Shqipëri. Kërkoj përsëri, mbështetjen e të gjithë ambasadorëve veçanërisht ambasadorit të BE z. Luigi Soreca, të opinionit publik dhe të gjithë shqiptarëve, që nuk e pëlqejnë jetën e tyre me para të pista, që nuk ju ka vdekur ndershmëria dhe patriotizmi dhe kanë guximin të kërkojnë korigjimin e krimeve të postkomunismit. Eshte fjala për kthimin tek i zoti të pronës së trashëguar. Ky veprim rregullon problemin më shqetësues, që kemi ne si popull i dhunuar nga grupet e mafies kriminale që kanë kapur nga gryka politikën shqiptare pas vitit 1991 dhe “në emër të ligjit” po përvetëson pronat tona të trashëguara. Prona tek i zoti e mbyll burimin e korrupsionit pushtetar.  

Unë nuk jam ekspert i fushës por me këtë shkrim, denoncoj vjedhjen e pronës së fisit dhe të familjes time. Kjo shkelje ligjore është e ngjashme me vjedhjet e tjera të bregdetit turistik nga Shkodra në Sarandë por dhe të pronave në zona të tjera me vlera ekonomike. Denoncoj politikanët e perjudhes së pluralizmit, që duke zbatuar porositë e Ramiz Alisë në 1989,  duke abuzuar me termin demokraci, kanë realizuar një krim me pasoja kombëtare.

            Pronat  e trasheguara te fiseve të Dukatit  janë te  ligjeruara dhe janë respektuar nga të gjitha sistemet që kanë administruar Shqiperine përshi dhe pushtuesit osmanë dhe deri në 1947. Kam kerkuar e kerkoj pronat tona të fisit tim Kulluri dhe Peçuli. Fisi im e fakton në vazhdimësi historinë e pronës që fillon me emrin e Kori Peçuli para 550 vjetësh. Edhe sot vendi ku ndodhet antena në Karaburun, quhet “Maja e Korit” ose “Maja e Flamurit”. Në organizimin e asaj kohe këto kanë qenë prona të përbashkëta dhe janë të rregjistruara në sistemin turk, ne vitin 1473 nga Kori që ishte i pari i fisit regjistrim i bërë edhe për 39 fise të tjera. Keto dokumenta të mesjetës, tregojnë autoktoninë dhe vazhdimësinë e pronës tonë dhe janë pasqyryar në gazeten Telegraf date 19 Dhjetor 2018. 

Ju si drejtues të politikës, keni më shumë informacion se vjedhja e pronës është një situatë e përgjithshme por unë njoh mirë pronën e familjes time dhe të fshatit tim të Dukatit dhe veç familjes time ju sjell edhe një shembull tjetër. Fisi Bodoj dhe Velaj, e kanë dokumentuar me dokumeta të rregullta të para 1944 pronën, në vendin Shen Vasil, por 320 hektare të pronës  tyre është grabitur  me dokumenta fallse. Pronarët e ligjëshëm duhet të zhvillojnë gjyqe pas gjyqesh duke shpenzuar para, kohë dhe mundim që të marrin pronën e tyre të trashëguar. Ku është dhe kush është Shteti ?   

Diktarura e Enver Hoxhës 1945-1990,  i konfiskoi pronat tona dhe i vuri ato në shfrytëzim të komunitetit , por diktatura Komuniste na hoqi të drejtën e posedimit por nuk na e mohoi të drejtën e pronësisë. Juridikisht këtë e thonë shumë ligje dhe vendime të gjykatës Kushtetuese . Por  pas 1990, pronat tona, po orvaten të na i vjedhin në emër të ligjit oligarkët e politikës. Meqenëse problemi i pronës, nuk shqetëson vetëm familjen time kërkon zgjidhje të përgjithëshme. Këtë zgjidhje e ka kërkuar Shoqata e Pronarëve që në 1991,  por ata që u vunë në krye të shtetit, Sali Berisha dhe Fatos Nano,  e shkelën detyrimin moral dhe kushtetue, që çdo trugu familjar Shteti ti kthente pronën e treshëguar. Abuzimn e politikanëve tanë, me të drejtat tona për të gëzuar pronën e trashëguar e ka favorizuar indiferentizmi dhe menzxhimi i dobët i ndërkombëtarëve sepse frerin me dy gjemba për politikanet dhe drejtuesit e Shtetit e kanë në dorë  nderkombetarët dhe kjo mund të lidhet me  vlerësimin dhe informacioni jo të plotë të  ambasadorëve. 

Dëshiroj t’ju them publikisht Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama Kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe cilitdo që është i interesuar për demokracinë, se politikanët mund të luftojnë midis tyre por nëse nuk do bien dakort  që të zbatojnë detyrimet kushtetuese për të kthyer pronën tek i zoti konform detyrimeve kushtetuese dhe nuk do marrin  pergjegjesine që u takon për ta kthyer Karaburunin tek të zotët konform Kushtetutës, ju  nuk keni sy e faqe dhe moral të flisni për parime demokratike, për zgjedhe apo votime dhe aq më pak për patriotizëm. 

Kryetare e LSI, znj. Monika Kryemadhi ne dt 6.07.2019 denoncoi në TV pastrimin e parave nga politiknët por nuk tha asnjë fjalë për detyrimin  që ka Shteti ta kthejë pronën e grabitur tek i zoti. Vetingu  nuk funksionon për Shtetin dhe as për nivelin e larte, prandaj eshte e domosdoshme që ambasadorët, veçanërisht ai i BE zoti Luigi Soreca të zbatojë ato qe deklaroi publikisht me 22.06.2018, ambasadore e mëparëshme e BE për shkeljen e zgjatur të të drejtës së pronave për pronarët autoktonë, të konfiskuar nga diktatura kominste. 

Përfaqësuesit e BE e kanë të qartë se nese dora tyre rri akoma e fshehur, gjendja ne Shqiperi do bëhet edhe më e rëndë, sepse detyrimi i shtetit për të dalluar pronat e shtetit me pronat e pronarëve që duhet të kishte nisur që në 1991, akoma nuk po bëhet. Kjo hapsirë kohe lejon anarkinë dhe  transferimin e paligjshëm të pronave, shtimin e ndërtimeve paleje, legalizimit te tyre dhe kjo është  pastrim parash, që e përmendi Kryetare e LSI, por nuk sqaroi se ky është shkaku që shton rastet e  konfliktit ndërmjet shtetasve. Sot eshte mundësia të bashkojmë çdo mendim pozitiv  për të kërkuar pronat tona të trashëhuara me të gjitha rruget e mundeshme. Nuk kam dijeni se çfarë kërkonin shqiptarët në protestën e organizuar para Shtëpisë së Bardhë, nuk di nëse politika e Xhorxh Soros, për të cilin bëhen shumë komente,  e mbron të drejtën e pronës respekton apo e mohon të drejtën e qytetarëve për pronën e trashëguar, por jam shumë i sigurtë se nëse shqiptarët e Amerikës, në mënyrë individuale apo me grupe,  do të sqarojnë drejtorinë përkatëse të Depratamentit Amerikan të Shtetit, për anarkinë postkomuniste me pronat, kam besim të plotë se problemi zgjidhet. SHBA, duke kërkuar zbatimin e parimeve bazë të kapitalizmit dhe të shtetit të së drejtës, do distancohet nga përvetësimi i pronave tona në emër të ligjit dhe do kërkojë, në plan të parë pronën sipas Kushtetutës dhe origjinës dhe ky do të jetë faktori prcaktues që do ta kthejë politikën shqiptare nga anarkia institucionale në drejtimin e duhur të demokracisë.   

Në mënyrë të veçanët ju zoti Kryeministër, keni nje detyrim moral më shumë për problemin e pronës , se jeni në dijeni më të plotë pasi së bashku kemi biseduar para largimit demonstrative në formë proteste të pronarëve, nga ceremonia në Hotel Sheraton në Tiranë, ku ju në praninë e trupit diplomatic prezantuat si sukses  të qeverisë ligjin 133/2015. Shkaku i largimit tonë ishte se me porosinë tuaj, na u refuzua e drejta e fjalës ne përfaqësuesve të shoqatave të pronarëve pasi organizatorët I vumë në dijeni se së bashku me mangësitë për ligjin, ne do të denonconim faktin se në procesin e hartimit të draftit të ligjit 133/2015, grupi i specialistëve të palës shtetërore, nuk ishte konsultuar me përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve dhe se nga Shteti në strukturat e BE,  kishte rraportuar e shoqatat e pronarëve “janë konsultuar me projektligjin dhe janë dakort me kompensimin”. Ju rikujtoj se në atë mbledhje pavarësisht se ishit pak i nervozuar, ju më premtuat mua se do organizoje tryezë diskutimi me ne pronarët, por në këto tre vjet nuk e keni realizuar këtë premtim.  Theksoj se ne pronarët nuk i kundërshtojnë kompensimin kur ai është për interes publik, por nuk do të lejojmë që fjalët “interes publik” të vazhdojnë të keqpërdoren për të maskuar hajdutërinë e klaneve të pushtetarëve mbi  pronat që Shteti ka detyrim ti kthehejë fizikisht subjektit të shpronësuar. Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet që Shteti që ju drejtoni, të kthejë pronën tek I zoti sipas kushtetutës në zbatim të nenit 41, 42 dhe 181 të Kushtetutes, kompensimi të përfshijë vetëm prona që janë tjetersuar për nevoja publike. Ju vetë e keni të qartë se termi kompensim, nuk mund të zbatohet për prona që pas 1991 janë përfituar me akte absolutisht të pavlefshme dhe në kundërshim me detyrimet kushtetuese nga klanet e oligarkisë politike. Ju e dini shumë mirë se edhe në procesin e hartimit të VKM-ve për zbatimin e ligjit 133/2015 nuk është marë asnjë mendim nga shoqatat e pronarëve. Unë jam popull i thjeshtë dhe mbi të gjitha më intereson të funksionojë shteti ligjor dhe qetësia. Kjo do të duket kur shteti të gjithëve na kthejë me ligj pronën që na ka lënë babai dhe nëna, të njerëzit karakter të dobët të mos lejohen të vjedhin pronat e njëri tjetrit  dhe të mos vritemi me njëri tjetrin. Sa për emrin e Kryeministrit , të deputetir apo të kryetarit të partisë që do të fitojë në zgjedhjet e ardhëshme, janë informacione që më duhen vetëm në ditët para votimit. Ne pronat tona nuk i kërkojmë si lëmoshë, por kërkojmë të zbatoni Kushtetutën. Ju që jeni të zgjedhur të popullit dhe jeni betuar se do zbatoni Kushtetutën dhe interesat kombëtare, nëse nuk veproni që prona e grabitur të kthehet tek i zoti, jeni shkaku dhe nxitësit që ky vend të shkatërrohet dhe të shkrumbitet edhe guri i fundit.

Ju bëj këtë Apel publik, që si drejtues të Shtetit, ti jepni fund platformës së Ranmiz Alisë me kartën e lodhjes dhe të kalimit të kohës. Kësaj situate ju mund ti jepni zgjidhje me marrëveshje me një paragraf,  thelbi i të cilit të jetë:”Detyrim prioritar i Qeverisë është të zbatojë nenin 181 të Kushtetutës. Qeveria ka detyrë ti kthejë trungut të çdo pronari të drejtën e posedimit të mohuar  për pasurinë e grabitur. Kompensimi aplikohet për pronat që pas 1044 janë tjetërsuar për nevoja publike me çmimin e përcaktuar nga GJEDNJ  me vendimet e vitit 2016. Të gjitha aktet që bien ndesh  me këto kërkesa konsiderohen absolutisht të pavlefshme dhe të paqena” Nëse kjo marëveshje të nënshkruhet nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Opozitës, dhe Ambasadori i BE, ju keni kryer detyrën para popullit. Pas kësaj kriza politike do shuhet, konkurenca midis forcave politike do zhvillhen për platformat ekonomiko sociale të secilës Parti. 

Me  respekt

NURO  KULLURI

Dukat – Vlorë

Filed Under: Komente Tagged With: Nuri Kulluri-Ndaljani doren-Mafias se Pronave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 951
  • 952
  • 953
  • 954
  • 955
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT