• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur

July 25, 2024 by s p

Luan Rama/

Kur shkon në Izrael, një nga habitë e mëdha veç tempujve të vjetër, si Muri i Lotëve, Kopështi i Ullinjve, Via Dolorosa, Varri i Krishtit apo Portat e Jeruzalemit, është dhe Deti i Vdekur, një det dikur i lundrueshëm, por që prej dymijë vjetësh quhet «Deti i Kripur». Ky det, që izraelitët e sotëm e quajnë «Yam ha Melakh», është një det i mbyllur dhe i mbytur nga kripa, duke u shterur nga viti në vit. Kur futesh të lahesh në «Detin e Vdekur» të duket sikur futesh në një det vaji dhe sapo del, rrezet e para të diellit e përthajnë kripën dhe ti shpejt mbulohesh nga një cipë kripe e bardhë. Ky është Deti i Vdekur, të cilin e përshkruan në kronikat e tij dhe ish gjenerali hebre Flavius Jozef, i cili u kap rob romakët dhe pranoi, në shkëmbim të jetës, të rrinte me kamandantët romakë Vespanien dhe Titius dhe të shkruante kronikat e shekullit të I të Jeruzalemit dhe të Krishtërimit. Në një nga përshkrimet e tij, ai tregon dhe se si romakët, që nuk e njihnin Detin e Vdekur, hodhën nga anija një turmë robërish çifutë të lidhur, me idenë që t’i mbysnin, por ata kishin shpëtuar, meqë uji i kripur i kishte mbajtur gjithnjë lart.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur nuk janë thjesht një kuriozitet shkencor. As historia e shkrimit të Biblës, apo e përkthimit dhe e botimit të saj në shekujt e mëvonshëm, nuk është thjesht një dëshmi historike, e largët për botën tonë. Në fakt, të interesohesh sot për ato do të thotë të interesohesh për rrënjët dhe burimet e një kulture të vjetër ku është mbrujtur ndërgjegja e popujve tanë; popujt e një zone të gjërë gjeografike, që kapërcen Mesdheun dhe Evropën, ku në më shumë se dy mijë vjet, konstitucioni shpirtëror, letërsia dhe bota shpirtërore me ritet e saj, artet e historia e mendimit, janë ngjizur me profecitë e vjetra të Detit të Vdekur dhe tregimet e mëpasme biblike. Mjafton të përmëndësh faktin se nga shkolla pikturale italiane e «Quatrocentos», nga Rembrandt-i e deri tek Marc Chagall në shekullin e XX, tema biblike ka qënë nga më të fuqishmet dhe mbresëlënëset.

Pikërisht buzë Detit të Vdekur, pasi kalon kështjellën e famshme dhe një nga kështjellat më heroike të rezistencës hebraike ndaj romakëve, Masada, (ku janë dhe pallatet e «nderura» të mbretit Herod të ndërtuara më parë), tutje, ku fillojnë shkëmbenjtë e thepisur dhe shkretëtirat, në Kumran, janë gjetur dorëshkrimet më të vjetra hebraike që ekzistojnë deri më sot. Zbulimet e tyre përbëjnë padyshim aventurat më të mëdha në fushën e dorëshkrimeve të vjetra gjatë shekullit XX. Çfarë ishin ato dhe kush i kishte shkruar? Si u zbuluan dhe si u deshifruan e u bënë të njohura për gjithë njerëzimin? Vallë ishin ato një pjesë e bibliotekës hebraike të Antikitetit?

Beduinët dhe aventura e pergamenëve

——-

Në dimrin e viteve 1946-1947, tre barinj të tribusë Ta’amre, ruanin dhitë në afërsi të vëndit të quajtur Khirbet Qumran, jo larg nga gjurmët e një qytetërimi të vjetër hebraik. Pikërisht në ato rrëpira marramëndëse, një çast dhitë u zhdukën dhe duke i kërkuar e kacavjerrë, barinjtë gjetën dy vrima jo të mëdha. Ata hodhën gurë në to dhe menjëherë e kuptuan se ishin shpella të vjetra. Hodhën litarët dhe zbritën. Habia e tyre ishte e madhe kur në atë mjedis të thatë, u shfaqën para tyre qypa të panumurt si dhe dorëshkrime që ishin lënë rrëzë shkëmbinjve që prej njëmijë vjetësh. Që atëherë askush nuk kishte mundur t’i prekte ato dorëshkrime. Sigurisht gjuha e këtyre kodikëve të vjetër ishte e panjohur për ta, por idea se mund t’i shisnin tek ndonjë antikuar, i bëri t’i merrnin disa prej tyre. Por ata nuk e dinin se në duart e tyre kishin marrë me vete dorëshkrimet më të vjetra të shkruara nga hebrenjtë: Rrodhanin e Isakut, Manualin e Dishepullit dhe Komentuesin Habacue.

Disa javë më vonë ata u kthyen dhe veç asaj shpelle filluan të kontrollojnë dhe në shpellat pranë. Më së fundi, rrodhanët e mbledhur, të futur nëpër thasë, ata i çuan në Bethlehem, në dyqanin e një tregëtari antikuarësh i quajtur Ibrahim Ijha. Atëherë Bethlehemi ishte në zonën palestineze. Tregëtari dyshoi se ata i kishin vjedhur diku dhe nuk deshi të ngatërrohej me këtë histori, duke u thënë se ato nuk i interesonin, por se mund të shkonin tek një arab kristian, i quajtur Kando. Dhe ashtu ndodhi. Arabi Kando ua bleu për 5 livra palestineze dhe menjëherë mendoi të fitonte dhjetëfishin e tyre. Duke menduar fillimthi se ato ishin shkruar në gjuhën siriake, ai iu drejtuar metropolitit Athanas Josué Samuel në manastirin e Shën Markut. Për habinë e metropolitit, dokumentet e ardhur nga Kumrani ishin shumë të vjetër dhe të shkruar në parshëmen, mbi lëkurë dhie apo delesh, dhe të mbledhur në rrodhan. Ai e kuptoi se kishte në duar një thesar të rrallë. Kështu filloi dhe aventura e dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që për një kohë të gjatë mbetën në duart e metropolitit dhe antikuarëve, të shpërndarë në disa vënde gjersa më së fundi ranë në duart e paleografëve dhe ekipeve të specializuara. Meqë atëherë bëhej luftë, nga frika se mos digjeshin bashkë me manastirin, metropoliti Samuel, i dërgoi në Liban dhe që andej, me njerëzit e tij i nisi në Amerikë. Meqë studjuesit amerikanë treguan interes të veçantë, ai e rriti çmimin e 7 rrodhanëve, edhe pse një epigrafist hebre, Eleazar Sukenik, kërkonte me ngulm t’ia blinte. Vite më vonë, kur Jordania kërkoi t’i fuste në dorë këta rrodhanë, duke e akuzuar metropolitin si hajdut të pasurisë kulturore, përmes një lajmërimi të botuar në Wall Street Journal, metropoliti i shiti ato për 250 mijë dollarë. Por ai që i bleu, nuk ishte tjetër veçse i biri i epigrafistit izraelit Sukenik, që kishte kohë që ishte vënë në gjurmë të tyre.

Shpejt, në rrënojat e qytetërimit të vjetër Khirbet-Qumran filluan punën ekspeditat e arkeologëve. Rrodhanët e parë ngjallën interesimin e veçantë, veçanërisht të izraelitëve. Deri në fund të vitit 1947 ishin zbuluar 7 rrodhanë, por gjatë viteve 1952-1956, u zbuluan dhe 10 shpella të tjera të Wadi-së, po në Kumran, ku u gjetën shumë materiale e mbishkrime me një vlerë të jashtëzakonëshme. Beduinët, që e mësuan se dorëshkrimet e shpellave mund të shiteshin shtrenjtë, filluan të gjurmojnë në shpella të tjera në zonën përreth dhe nuk vonoi që gjetje të tjera u shfaqën në pazaret e Palestinës. Ndërkohë historianë të shumtë në qëndrat më të mëdha historike të botës filluan të hedhin hipotezat e tyre: vallë këto dorëshkrime ishin pjesa që kishte mbetur nga biblioteka e pasur e Jeruzalemit? Apo kishin të bënin me bibliotekën e «esenianëve» të tërhequr nga Jeruzalemi, meqë atëherë ataishin në kundërshtim me judaizmin zyrtar të Jeruzalemit? Kur ishin shkruar ato? Nga kush? Vallë ishin shkruar vërtet në periudhën e viteve 250 p.e.s. deri në vitin 60 të erës sonë, që është dhe data e largimit të banorëve «esenianë», pasi Kumrani u shkatërrua plotësisht nga romakët? Shumë pyetje lidheshin me dorëshkrimet për të cilat filloi një konkurrencë e madhe se kush t’i vinte në dorë, jo vetëm midis institucioneve, dhe në rradhë të parë studjuesve izraelitë dhe studjuesve katolikë të mesazhit biblik, por edhe midis shteteve, pasi më parë Kumrani ishte nën juridiksionin e Jordanisë, por pas «Luftës së 6 ditëve» më 1967, zona kaloi nën kontrollin Izraelit, dhe si përfundim edhe dorëshkrimet e gjetura në Kumran. Sigurisht, Vatikanit i interesonin së tepërmi këto dorëshkrime, meqë lidheshin me Testamentin e Vjetër, para Krishtit, të integruar siç dihet më pas në Biblën zyrtare.

Zbulimi i Kumranit ishte për paleografët, arkeologët dhe historianët një parajsë e vërtetë shkencore. Tashmë, përmes «karbonit 14» mund të saktësohej me ekzaktësi vjetërsia e tyre. Dorëshkrimet e Kumranit ishin të dy llojeve: të natyrës biblike dhe jo biblike, pra të llojit të tregimeve historike. Në këta rrodhanë kishte dhe pjesë nga Libri i Jakobit, nga Pentateque apo Eksodi, nga Deuteronome, etj. Disa kodikë ishin dhe në gjuhën e vjetër aramene, (para hebraishte), si Apokrifi i Gjenezës, Testamenti i Levit, fragmente nga Henoch Targun, etj. Autori anonim apokrif i Gjenezës kishte një gjuhë të bukur. Ai i këndonte veç të tjerash dhe bukurisë së Sarës, gruas së patriarkut Abraham, atit të hebrenjve: «Sa e bukur është fytyra e saj, sa të admirueshme e të buta i ka flokët. Të ëmbla janë sytë e saj, të hijshme janë gjinjtë me bardhësinë e tyre. Po krahët, sa të bukur janë! Dhe këmbët po ashtu, të përsosura. Asnjë virgjëreshë apo nuse që hyn në dhomën e saj natën e parë të martesës, nuk është aq e bukur sa ajo…»

Ndërkohë, një ekip i kryesuar nga prifti domenikan, biblisti i njohur dhe studjuesi i Shkollës Biblike dhe Arkeologjike të Jeruzalemit, Roland de Vaux, nisi hulumtimet dhe bëri studimin shkencor të teksteve të Kumranit. Në 200 dorëshkrimet e Shkrime hebraike, gjënden pothuaj gjithë librat e Biblës hebraike, përveç Librit të Esther-it dhe Libri i Nehemie-s. Në «bibliotekën» e Kumranit, ku u gjetën dhe plot psallme liturgjike (himnet pseudo-davidike), apo tekste të vjetra me një gjuhë paleo-hebraike me 22 shkronja, (që siç duket është huazuar nga fenikasit), janë dhe librat e parë si Libri i Tobit apo Ben Sira, si dhe Letra e Jeremisë, të cilat nuk janë përfshirë në Testamentin e Vjetër të integruar në Bibël, siç ekziston ajo dhe sot. Përveç rrodhanit të Himneve, Këngës për Holokaustin e Sabbat, në shpellat e Kumranit u gjet dhe një dorëshkrim i shkruar në fleta të mëdha bakri, me gdhëndje dhe në gjuhën hebraishte, ku studjuesit deshifruan se në të shkruhej për vëndet e fshehta nëpër Jude, ku ishte fshehur thesari i Tempullit të shkatërruar gjatë revoltave çifute në vitin 66 dhe 70 të erës sonë.

Që në fillim rezultoi se dorëshkrimet e shpellës numër 4 ishin dorëshkrimet më të pasura, pasi ato përmblidhnin 500 dorëshkrime. Dhe meqë ishte zbuluar nga beduinët, vite me rradhë qëndroi enigma nëse dhe dorëshkrime të tjera ishin shitur andej këndej nga beduinët dhe që i përkisnin pikërisht shpellave të Kumranit.

Pas bashkimit të fragmenteve të shumta të gjetura në Kumran, filloi puna e deshifrimit dhe e përgatitjes së tyre për botim. Eleazar Sukenik deshifroi rrodhanin e shpellës numur 1; rrodhanet e Samuelit u deshifruan dhe u përgatitën për botim nga J. Trever, M. Burrow dhe W. Browie të «Shkollës Amerikane të Kërkimeve Orientale». Një sensacion më vete bëri në atë kohë deklarata e profesorit të njohur të Sorbonës, në Paris, André-Dupont Sommer, i cili pohoi se në tekstet e vjetra të Kumranit dhe në ato të krishterëve të parë të Krishterimit, kishte gjetur përngjasime të mëdha. Deri në atë kohë, ishte një lloj herezie të konsideroje një lidhje midis kristianizmit dhe judaizmit, por profesori Sommer, vërtetoi përmes teksteve se atë që kërkonte prijësi shpirtëror i esenienëve, të njëjtën gjë kërkonte dhe Zoti i Galileut, Jezu Krishti, pra predikimi i pendesës, përuljes, varfërisë, ndihmës dhe dashurisë për tjetrin, besnikërisë bashkëshortore.

Koleksioni Schechter

——

Në fakt, që në vitin 1897, anglezi me origjinë çifute, Solomon Schechter, ishte informuar nga dy mikesha të tij që vinin nga Kajro, (të cilat i dhanë dhe ca fletë të vjetra të çuditshme), për ekzistencën e disa librave të vjetër në sinagogën mijëvjeçare të Kajros të quajtur Ben-Ezra. Pasi dalloi në to disa gjurmë tepër të vjetra të librave hebraikë, Schechter u nis t’i kërkonte vetë ato. Ai u fut në depon plot pluhur që hebrenjtë e quanin «gueniza», dhe duke rrëmuar në atë grumbull të çrregullt e të paprekur për shekujsh nga dora e njeriut, kishte shtënë në duar Shkrimet e Damasit. Ky ishte rrodhani i parë i dokumenteve të Kumranit, i quajtur Ekleziastik, të gjetur nga dijetarët. Ai quhej kështu sepse «esenianët» që kishin banuar në Kumran, kur kishin ikur, i kishin marrë me vete shumë nga librat e shenjtë dhe ishin vendosur në Damaskun e Sirisë, që t’i shpëtonin persekutimeve nga romakët. Schechter e çoi këtë rrodhan në universitetin e Kembrixhit dhe filloi të punonte për deshifrimin e tij. Ai e dinte se prej njëmijë vjetësh ky tekst në versionin hebraik kishte humbur, por katolikët e kishin integruar të marrë nga Bibla e shkruar në greqisht, e quajtur ndryshe «Septante». Zbulimi ishte i madh, pasi dokumentet më të vjetra hebraike deri atëherë ishin ato të shekullit II të erës sonë, (Mishna, ishte dokumenti më i vjetër i judaizmit rabinik, i vitit 200 e.s.). Kështu, «Koleksioni i Schechter», i përbërë prej 140 mijë fletësh, u quajt me termin shkencor “Cario-Damasus”, apo «Kodiku Damasus», dhe studjuesit e mëvonshëm të shekullit XX, gjetën në atë tekst judeo-kristian një ungjill më të hershëm se ungjillet e katër evangjelistëve të parë.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, (në total 900 dorëshkrime, ku ndër më kryesorët janë 11 libra), janë padyshim me një vlerë të paçmuar jo vetëm për historikun e teksteve biblike, por edhe për plotësimin e disa pasazheve që sot janë në Bibël. Disa studjues thonë se komuniteti hebre i «esenianëve» të Kumranit, (atëherë ndër sektet hebraike ishin dhe «farisejtë», sadysienët, hasidienët, etj), ky komunitet ishte ai i Shën Gjon Pagëzorit, (Jean Baptiste), i cili ishte nga më të afërtit e Jezusë. Ishte pikërisht ai që shkoi në shkretëtirë, në zonën e Kumranit, duke u thënë pasuesve të tij: «Përgatisni udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij.»

Rrodhani më i gjatë i dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që ishte ruajtur më mirë dhe që ishte më i gjati mes të tjerëve, 8,75 m, është «Rrodhani i Tempullit» që ishte Torah e hebrenjve, i cili, siç pohojnë disa studjues, është shkruar në periudhën e viteve 150-125 p.e.s. Ai na ndihmon të kuptojmë më mirë tekstet e kristianizmit të hershëm primitiv.

Filed Under: Emigracion

NJE VEPЁR E VYER  PASBIZANTINE SHQIPTARE

July 25, 2024 by s p

Nga Kristaq BALLI/

Kostandin  dhe Athanas Zografi (Vako), piktorët e njohur pasbizantinë të shek.  XVIII me origjinë nga treva  e Korçës, kanë lënë një trashëgimi të vyer në artin e  atëhershëm zyrtar të krishtërimit lindor jo vetëm për numurin e madh të veprave të tyre, por edhe për repertorin, regjistrin tematik, përmbajtjen, stilin, si dhe për nivelin e tyre artistik. Të inkuadruar në mënyrë virtuale në një grupim piktorësh, të clësuar nga disa studiues të sotëm  si atelieja e Korçës (ku rreshtohen edhe D. Selenicasi, K. Jeromonaku, vëllezërit Çetiri (Katro), Nikollë Guga( Th. Popa: Shkolla e Korçës dhe tradita e saj në pikturën kishtare: Konfereca II e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 1969; K.Naslazi: Ndikimi i shkollës ionografike të Korçës tek piktorët…” Revista Tempulli, Nr.7, 2003, f.5,22, 24)  Mësues Kostandini, etj.,  ata janë, në fakt, përfaqësues të një arti fresko dhe ikonografik të një territori më të gjerë gjeografik e  artistik që përfshin disa vende të Ballkanit Perëndimor ku inkuadrohej edhe pjesa jugore të Shqipërisë, Greqia, Kreta,  Epiri i Veriut, Maqedonia dhe sigurisht kryeqendra e artit ikonografik të kësaj periudhe – Mali i Shenjtë.  Edhe pse në një kontekst konceptual kanunor e skematik biblik të paracaktuar, si shumë artistë të tjerë, këta piktorë sollën gjithashtu shumë tipare e elementë  të rinj origjinalë evolucionistë në mënyrën se si e mbrujtën dhe e paraqitën artin e tyre. Për arsye të ndryshme historike, gjeopolitike e kulturore, shekulli XVIII shënon fazën e mbrame të artit   pasbizantin lindor në trojet mesdhetare.  Pasojat e rënies së Kostandinopojës dhe trysnia e pushtimit  otoman, nga njera anë dhe zotërimet venedikase në jug të gadishulit Ballkanik ishin ndjerë edhe në prodhimtarinë e fizionominë e artit pasbizantin. Po t’i shtojmë këtyre edhe faktin që influencat e  lëvrimit të artit të Rilindjes italiane e perëndimore kishte kapërxyer tashmë edhe Adriatikun e ishujt jonianë, veçmas Kretën, si dhe buisjen e një lëvizjeje  të gjerë humaniste e  iluministe,  është krejt e natyrshme të përligjen “shartimet”, ndryshimet, modifikimet, elementët realistë me risi kompozicionale, stilistikore, trendi për një art ku idealistja e transhendentalja ndërthuret me realisten, arti kishtar bëhet më “konkret” e  jetësor, më social, më dekorativ, më dinamik,  më ornamental, më estetik, më solemn në paraqitje, me këndvështrimet, teknikat e teknologjitë kontemporane të kohës. Untitled-2.pngDifuzioni i principeve të hershme biblike romane e bizantine, i artit paleolog maqedonas, i Kretës, i rilindjes italiane, i Malit të Shenjtë dhe territoreve të tjera ortodokse  të Lindjes ishin një traditë e përvojë shumë e gjerë dhe e thellë që përcaktoi përkatësinë e K. e A. Zografit si produkt artistik në sinkron të kohës dhe vendit kur dhe ku jetuan e punuan. Zhvillimi e lulëzimi ekonomik e kulturor i disa qendrave shqiptare si Voskopoja, Vithkuqi, Llënga, Shipska, Grabova,  Nikolica,  Korça, ku gjatë shek. XVIII u ndëtuan shumë kisha, bazilika e manastire krijoi gjithashtu premisa që ato t’i dekoronin mjeshtrat provincialë më në zë  të asaj kohe. Në këtë aspekt mund  të thuhet pa mëdyshje se ata karakterizohen nga një art ku lëvroheshin tiparet e përbashkëta të një morie të madhe ikonografësh të huaj apo edhe shqiptarë, aq sa ndonjëherë ata edhe nuk dallojnë shumë nga njeri-tjetri, nëse nuk do të kishin edhe disa detaje autentike e individuale, apo mbishkrimet dhe emrat në pikurat, apo kishat ku ata kishin lënë pikturat e tyre.

Dhjetra ansamble, qindra tablo afreskesh dhe ikonash të K.& A. Zografit zenë një hapësirë të gjerë gjeografike (Shqipëri, Maqedoni, Mali i Shenjtë) e kohore (rreth 1730-1784) (K.Balli: Të dhëna të reja mbi veprimtarinë e K. dhe A.Zografit…Simpoziumi Ndërkobëtar Shkencor 2000 Vjet Krishtërim, Tiranë 2000)   sidomos në qytetin e Korçës (Burimi Jetëdhënës), në Ardenicë (“Fjetja e Shën Marisë”,1744), ikonat në kishën e Libofshës, Voskopojë ( “Shën Thanasi”  1744  dhe  hajati i “Shën Kollit” 1750, “Shën Apostujt”, 1765), Vithkuq (“Shën Kozma e Damjanoi”, 1750, ikonat e “Shën Pjetri e Pavli, 1764”), Mali Athos (katedralen “Ungjillëzimi” të Manastirit Filotheu, 1752, 1765, “Shën Ana”, skiti i manasirit Laura e Madhe, 1755), skitin bullgar Bogodorica të Manastirit Pandelimon, Manastiri Ksiropotam (Kisha 40 Shenjtorët, 1783), etj. Bashkë edhe me krijimtarinë e djemve të tyre respektivë Terpo dhe Evthim, arti fresko dhe ikonografik i kësaj shpure familjare  përbën  një kontribut  të posaçëm sasior e cilësor në rajonin e Ballkanit.

Një prej veprave madhore, që pasqyron shprehjen e botëkuptimit të moderuar teologjik,  artistik e estetik të krijimtarisë së tyre pikturale është ikona e madhe me dy skena:  “Sinodhi i Parë Ekumenik” dhe “Aleksandri me   Imazhin e Kryqit në Betejën e Lumit Tibër”. Performanca kompozicionale e kësaj  ikone është e përveçme, përfaqësuese, unikale dhe e palëvruar në progamin ikonografik të autorëve të tjerë më të vjetër, apo më të rinj. Zakonisht, arti bizantin dhe pasbizantin i hershëm ishte më skematik, më hermetik dhe më konservator në paraqitjen tematiko-kompozicionale dhe subjektin e ikonave, apo afreskut, duke i qëndruar më besnik programit biblik të Dhjatës së Vjetër, apo asaj të Re (Ungjijve). Ikona e mësipërme është një nga shembujt e rrallë e domethënës në disa pikpamje kryesore të shprehjes e të shfaqjes së elementëve historikë, jetësorë, etnoklturorë,  e  artistikë, të cilat, të marra së bashku, konfirmojnë zbehjen e misticizmit eklisiastik të artit bizantin e pasbizantin dhe promovimin e disa aspekteve më jetësorë, më racionalë e humanë, me personazhe, ngjarje, peizazhe, arkitekturë më të afërta me realitetin dhe raportin historik kundrejt narrativave simbolike dydimensionale të Testamenteve. Këtë liri shprehjeje e vërteton edhe fakti që në krijimtarinë e tyre pikturale në afresk apo ikona ne ndeshim edhe ngjarje, personazhe të njohur nga jeta si shenjtorë e prelatë provincialë, ktitorë (dhurues), mirëbërës, arkondë, (veçanërisht tek piktori David Selenica,  si Joan Klimaksi,  Shën Nikodhim Vithkuqari, farëhedhësi, Joan Kukuzeli, Karl Topia,  Shën Gjon Vladimirin, etj.)  

Ponte_Milvio-side_view-antmoose2.jpgIkona e dyfishtë  “Sinodhi I Ekumenik” dhe “Beteja në Urën Milvian” (me dimensione 183cm x 73cm x 4cm), konceptohet e realizohet nëpërmjet një modeli të rrallë autentik, pra i  paraqitjes së dy skenave komplementare në të njëjtën ikonë që, së bashku pasqyrojnë promovimin e pranimin e gjerë të një feje të re, krishtërimit,  nëpërmjet faktesh historike të njohura botërisht e që i lidh bashkë prezenca e perandorit romak Kostandini I me origjinë nga Iliria. Por, si?

Kronologjikisht, pjesa e poshtme e ikonës, merr shkas nga beteja e njohur mbi Urën Milvian të Lumit Tibër, në luftën civile midis ushtrive të perandorëve pretetendentë romakë Kostandini I (272 – 337)  dhe Maxentius (278 – 312)  më  28-29 Tetor të vitit 312. Ura shërbente si porta e hyrëse veriore gjatë rrugës për në Romë. Fati i kësaj beteje tashmë njihet historikisht si një fitore madhore e  Kostandinit ndaj Maxentius. Ai u bë perandori suprem i  Perandorisë Romake dhe e sundoi atë gjatë viteve 312-337. Por në këtë fitore është futur edhe konteksti spiritual nga historia eklisiastike dhe  mrekullibërëse e besimit të krishterë. Sipas kronikanëve të asaj kohe Eusebius i Caesareas dhe Lactantius, beteja shënon fillimin e konvertimit të Kostandinit në Krishtërim. Kronikanët dëshmojnë që Kostandini dhe ushtarët e tij ndeshën në qiell një vizion të dërguar nga Zoti i Krishterë. Ishte vizioni i kryqit  dhe fjalët “Me këtë shenjë ju do t’i mposhtni”. Kjo u interpretua si  një premtim për fitore, nqs kryqi dhe simbolet e dy shkronjave të para të emrit Krisht në gjuhën greke, pra “XP”  do të vendoseshin në mburojat e ushtarëve, veprim i cili u plotësua një ditë para betejës. Kjo merr kuptimin doktrinor se Kostandini dhe ushtarët e tij hynë në Romë si “të krishterë”, pra duke krijuar terrenin e favorshëm për legjitimimin e një feje të re që për më se 3 shekuj ishte përndjekur deri në Katakombet e Romës. Edhe pse një pjesë njerëzish laikë nuk mund ta perceptojnë këtë koincidencë, duhet theksuar Capture (2).pngse krishtërimi është një besim hyjnor, një besim i mrekullive, i Trinisë së Shenjtë, i mistereve universale, por edhe tokësore, edhe me prirje për t’u kuptuar e asimiluar nga besimtarët me ngjarje, fenomene e personazhe konkrete (psh. Papa Gjon Pali (Si shenjtor), Shën (Nënë) Tereza, të cilët janë shenjtorët më të rinj e që të gjithë i kanë njohur.

Fragmenti i poshtëm i ikonës me dy skena, pra, Beteja në Urën Milvan ka një mbishkrim KΩNSTANTINE EN TOYTΩNIKA (Kostandini në këtë pushtim) që shpjegon përmbajtjen e skenës. Duhet ta kundrosh bashkë me pjesën e sipërme që të kuptosh se kjo pamje është një “fragment” ikone, sepse jo vetëm që është subjekt shumë i rrallë ikonografik, por thuajse të gjithë elementët e shprehjes pamore duket se i takojnë një pikture me përmbajtje laike e jetësore. Piktura ikonografike e Betejës mbi Urën Milvian të ikonës sonë ka një gërshetim surprizues të stilit të realizmit  rilindas me elementët figurativë mrekullibërës të doktrinës kristiane dhe artit pasbizantin. Skena të fut në amosferën e luftës. Në qendër Kostandini me kurorën mbretërore dhe  breroren e shenjtorit hipur në kalë të kuq dhe prapa tij kavaleria e komandantëve militarë. Përpara –  formacionet luftarake me hushta e shigjeta të prirë nga  flamuj. Ndërkaq Kostandinit i është shfaqur në qiellin blu vegimi i kryqit që i jep ogurin e fitores mbi Maxentius, në se ai do të përmbushë paradigmën e kryqit në qiell. Marrëdhënia midis betejës dhe shfaqjes së kryqit krijon lidhjen midis realitetit  dhe doktrinës së krishterë si një binom spiritual, i pranueshëm për të përligjur përhapjen e fesë së krishterë nëpërmjet një ngjarje me natyrë njerëzore. Mos është stisur konteksti spiritual i kësaj beteje të madhe ushtarake pas përfundimit ngadhnjimtar të saj? Doktrina e krishterë nuk e parashtron këtë version. Asaj i nevojitej të zbulonte brenda ngjarjeve që ndryshuan perandorinë aspektin e botëkuptimit shpirtëror dhe  elementët  mrekullibërës që duhej ta bënin hyjnore nën këndvështrimin e besimit  të ri të krishterë këtë ngjarje vendimtare.  Dhe  e ka gjetur me detaje të përligjura si mesazhe mesianike  që i dërgonte Zoti i krishterë nga kubeja e qiellit dhe që ishin të sinkronizuara me realitetin në tokë.

Nga pikpamja pikturale ky fragment dallohet për frymën e theksuar perëndimore. Një tablo kompozicionale e zgjidhur me mjeshtëri artistike e racionalizëm, ku   dominon dinamizmi, guximi, optimizmi, komunikimi, besimi dhe besnikëria  tek Kostandini që, nga ana e vet është i befasuar nga imazhi i kryqit  që i del para syve dhe që e bën atë të vendosur në betejen e tij edhe pse ushtria e armikut të tij është më e madhe. Një tablo impresionuese për nga saktësia e vizatimit,  nga paleta shumë e pasur e ngjyrave pikante,  brilante,  thuajse të gjalla, e një regjistër grafik e të   mprehtë në silhuetë, e në kontrast të fortë  me njera tjetrën. Ky mozaik i ndezur ngjyrash tregon, gjithashtu, pasurinë e veshjeve dhe rekuizitën e larmishme  ushtarake, por edhe natyrën, qiellin, tokën, peizazhin. Por, mbi të gjitha, ajo është një tablo pikturale e fantazuar në teknikën e temperas  (me vezë) që pasqyron nivelin e lartë mjeshtëror, teologjik,  profesional, artistik të K. dhe A. Zografit.

Menjëherë, pas shpalljes si “Perandori më i Madh”, midis të tjerash, politika fetare e Kostantinit e vendos atë si autoritetin e parë që ndaloi persekutimet ndaj të krishterëve dhe legalizimin e Krishtërimit njëlloj si besimet dhe kultet e tjera në Perandorinë Romake me anën e shpalljes së një dekreti të quajtur “Edikti i Milanos”, në vitin 313.  

Pa dyshim që tabloja e mësipërme do të mbetej disi partikulare, nëse intuita teologjike e kozmopolite e piktorëve K. dhe A. Zografi nuk do t’i kish bashkëngjitur ikonës skenën e “Këshillit të Parë të Nikeas”,  një ngjarje po aq madhore eklisiastike për triumfin e doktrinës së krishterë që i lidh të dyja pikturat me të njëjtin personazh qendror, Perandorin Kostandin I. “Këshilli i Parë i Nikeas”  në vitin 325, pra 13 vjet më vonë se “Beteja mbi Urën Milvian”,  quhet ndryshe edhe “Sinodi i Parë Ekumenik”; ai u thirr dhe u vëzhgua nga Kostandini. Kjo ngjarje mblodhi për herë të parë në historinë e deriatëhershme të krishtërimit 318  etër të shenjtë të kishës, prelatëve dhe peshkopëve nga e gjithë perandoria në qytetin metropolitan kishtar të Nikeas të Azisë së Vogël. Një ndër arsyet kryesore të këtij takimi ishte demaskimi i herezisë dhe teorisë arianiste të përfaqësuar nga prifti Arius i Aleksandrisë (Egjipt) (shek. IV) dhe pasuesve të tij, sipas të cilëve Krishti nuk është i barabartë me Perëndinë Atë, duke cënuar kështu doktrinën e ekuivalencës së trinitetit të shenjtë, traditën dhe harmoninë e Kishës. “Me të njëjtin besim, me të njëjtën frymë e me  unanimitet, Sinodi hartoi Simbolin e Besimit dhe rikonfirmoi doktrinën e Trinisë së Shenjtë”. ( Wikipedia: First Council of Nicaea.). Simboli i Besimit, në fakt, u bë simboli i unitetit rreth Traditës së shenjtë të Kishës dhe hodhi themelet e konsolidimit të krishtërimit si një doktrinë shpirtërore   zyrtare e perandorisë që do të sanksionohej përfundimisht me të ashtuquajturin Dekret i Selanikut (“Edict of Thessalonika”) në vitin 380.

Capture 1.pngPikërisht këtë mesazh mesianik transmeton fragmenti i sipërm i ikonës. Në këtë rast autori(ët) ka preferuar të përzgjedhë një tjetër rrymë e stil pikturimi. Për t’i dhënë asaj një kuptim të thellë transhendental dhe për ta futur në një atmosferë më eklisiastike e më sugjestionuese, piktura i afrohet nga pikpamja  kompozicionale dhe e përmbajtjes  skenave standarte të ikonografisë bizantine, por duke ndërkallur tipare të reja tipike të artit të vonë pasbizantin, veçanërisht elementëve të artit barok (shek. XVII-XVIII),  që i japin pikturës një një pamje të pasur dekorative e shumë impresionuese ndaj shikuesit. Subjekti i saj është thjeshtësisht i kuptueshëm. Në qendër të tablosë është skena e frustimit të Ariusit  nga Shën Kolli për shkak të mospranimit të herezisë së tij ndaj doktrinës së krishterë, si rezultat i së cilës ai dhe pasuesit e tij do të përjashtoheshin nga kisha e do të dënoheshin nga Kostandini me ekzil në Iliri. Kjo skenë zhvillohet në praninë e të gjithë etërve të kishës në krye të të cilëve dominon Perandori Kostandin, të cilit i është kushtuar një vëmendje e posaçme. Me kurorën dhe skeptrin mbretëror, si  dhe breroren shenjtërore, ai qëndron ulur në thronin e vendosur mbi një piedestal plot breza rrethorë dhe i shoqëruar nga katër ushtarë të armatosur romakë, që përfaqësojnë statusin e tij publik. Në krye të ikonës ndodhet mbishkrimi H AΓIA ΠΡΟΤΝ CYNOΔOC (Këshilli i Parë i shenjtë). Për të vlerësuar rëndësinë e madhe të kësaj ngjarjeje në historinë e krishtërimit, por edhe në rolin vendimtar ndaj tij të perandorit Kostandin I, pikturës i është kushtuar një kujdes i veçantë artistik brenda kuadrit të zhvillimeve më të denja ikonografike të shek. XVIII. Së pari piktura është e një niveli të lartë aristokratik dhe kjo i dedikohet temës e subjektit, por jo më pak edhe mjeshtërisë dhe eksperiencës së piktorit. Jo çdo artist mund të pikturonte skena të tilla. Ngjyra dhe veshja me ar, si dhe drita që rrezaton ai në pjesën e epërme synojnë të të futin në një situatë transhendente e devotshmërie hyjnore. Përkundër, sfondi i errët prapa figurës së Ariusit të fut në botën e mëkatit e herezisë. Fytyrat e personazheve me kontraste dhe sfumatura të errëta i aviten artit të rilindjes, ndërsa veshjet luksoze, veçanërisht ato të Kostandinit dhe etërve, ngjyrat e tyre të theksuara, draperitë e larmishme me motive të shumëllojshme gjeometrike e floreale, janë elementë ekzotikë dekorativë të artit barok e etno-folklorik që theksojnë rëndësinë dhe solemnitetin e kësaj ngjarjeje madhore për krishtërimin.

Vezullues në purpur dhe ar, Kostandini bëri një hyrje ceremonale gjatë çeljes së Këshillit, por u ul duke respektuar që peshkopët të ishin para tij. Sipas Eusebius, Kostandini qëndroi në mes të kuvendit, si lajmëtar hyjnor i Zotit, i veshur me rroba që shkëlqenin me rrezëllim drite dhe reflektonin rrezatimin e ndezur të mantelit të purpurt të stolisur  me shkëlqimin  brilant të arit dhe stolive të çmuara. Perandori ishte i pranishëm si një dëshmitar e  mbikqyrës dhe nuk kishte te drejtë për votë zyrtare. Ai e organizoi Sinodin sipas linjës së Senatit Romak.

nicaea-gate-lg+.jpgPra, në dallim nga skena e “Betejës në Urën Milvan”, në “Këshillin e Parë në Nikea” Perandori Kostandin, në aparencë, nuk është protagonisti kryesor i ngjarjes, por, sidoqoftë, pas kuintash,  roli i tij është i një rëndësie substanciale kundrejt besimit kristian. Ishte roli i liderit dhe autoritetit  suprem civil të perandorisë. Si i tillë, përgjegjësia për ruajtjen e rregullit e rendit publik ishte ekskluzivisht e tij dhe të kujdesej  që edhe  Kisha  të ishte harmonike e në paqe. Kur u vu në dijeni të debateve ariane në Aleksandri (Egjipt), ai u shqetësua dhe këshilloi Ariusin e ndjekësit e tij si shkakun e fillimit të trazirave. Por meqë situata diverse nuk u qetësua, ai vendosi të thërrasë Sinodin  në  Nikea, ku ftoi pjesëmarrjen e njerëzve më të shquar të kishave të çdo vendi. Kostandini ndihmoi për realizimin e takimit duke bërë të mundur  shpenzimet e udhëtimit të peshkopëve me anë të fondeve publike, siguroi një sallë të madhe komode në pallat ku të dëgjohej e ndiqej gjithçka me dinjitet. Gjatë fjalës hapëse të Sinodit, ai iu sugjeroi peshkopëve dakordësi e mirëkuptim dhe iu përmendi atyre të ndiqnin mësimet e drejta të Shkrimeve të Shenjta. Perandori iu kushtoi kujdes të veçantë  fjalimeve të të dy kampeve dhe u tërhoq të dëgjojë vendimin e peshkopëve. Ata i thanë se teoria e Ariusit ishte një anatemë (mallkim) dhe formuluan një dokument besimi për korrigjimin e kësaj doktrine. Kur Ariusi dhe pasuesit e tij refuzuan të binin dakord, një gjyq peshkopal vendosi përjashtimin e tyre nga kisha. Duke respektuar vendimin klerikal dhe rrezikun e një trazire të mundshme, Kostandini organizoi edhe një gjyq civil, i cili vendosi dëbimin e tyre në ekzil. Ky ishte fillimi i praktikës së përdorimit të fuqisë laike (sekulare), shembëll, i cili u ndoq nga të gjithë perandorët e mëvonshëm.

Rome-Capitole-StatueConstantin.pngIkona e dyfishtë “Beteja mbi Urën Milvian” dhe “Këshilli i Parë i Nikeas” përbën një shembull të rrallë e autentik të vyer eklisiastik, historik e artistik. Ajo është një kompozim e  sintezë e vyer e rinovimit të artit pasbizantin sidomos drejt  ngërthimit të steriotipeve, traditës e  kanuneve biblike me ngjarje dhe personazhe  historike realë që, së bashku, do ta bënin më të besueshme e më konsistente  jetën sociale e shpirtërore dhe  universializimin e  saj në një pjesë të madhe të Botës, por edhe demokratizimin e lirinë e artit e të artistëve të talentuar për t’iu shmangur klisheve të konsumuara dhe për të shfaqur edhe preferencat,  vlerat e individualitetin e tyre artistik në një realitet të ri kohor,  historik, gjeopolitik e shoqëror. 

5f608452fac54daa9cc104f4969c94de++.pngIkona e mësipërme shpërfaq edhe një fenomen shumë interesant që lidhet me organizimin e jetës ekonomike e qytetare të Korçës në mes të shek. XVIII. Gjatë këtij shekulli Qyteti i Korçës ishte rritur dhe funksiononte ekonomikisht si një qendër urbane paraindustriale, kryesisht zejtare e tregtare që plotësonin nevojat e jetës, por edhe që shkëmbenin mallrat apo prodhimet e përpunuara me krahinat përreth. Mjeshtëritë dhe profesionet ekzistuese ishin organizuar në bashkësi të quajtura “rufete”, të cilat ishin disa organizime që mblidhnin rreth tyre zejtarë, profesionistë dhe tregtarë të të njëjtave zeje (rufetet e papuçinjve, tabakëve, gëzofpunuesit,  terzinjve, kasapëve, opingarëve, bakejve, lëkurëregjësve,  hanxhijve,  samarxhinjve, kujunxhinjve, bakërxhinjve,  etj.)  dhe kishin si qëllim nëpërmjet kanunoreve apo statuteve të tyre mbrojtjen e të drejtave dhe konkurencën e tyre, por edhe detyrime kontributesh financiare në favor të bamirësisë, zhvillimit e përmirësimit të jetës urbane, të sponsorizimeve ndaj institucioneve fetare, publike, sociale,etj. Këtë funksion e konfirmon edhe ikona e mësipërme. Në mesin e ikonës është vendosur përkushtimi ΔEHSIS TΩN ΘΕOY POYΦETIOY TOY AΓIOY KΩNCTANTINOU (Lutje e shërbëtorit të Zotit të rufetit të Shën Kostandinit), 1765. Zakonisht rufetet kishin nga një shenjt mbrojtës të cilin e festonin dhe e lusnin në ditën e celebrimit të tij kishtar, madje atë ditë ata nuk punonin. Ikona e financuar prej tyre ishte e destinuar për ikonostasin e katedrales “Burimi Jetëdhenës”(Ndërtuar rreth vitit 1725), që do të thotë se ajo prestonte një vepër të vlerë dhe për mjeshtra të denjë. Ajo qëndroi aty për më se 200 vjet, deri më 1967, vit kur kishat metropolitane u prishën. Por ikona, për fat, i rezistoi kohës, ajo është restauruar dhe ekspozuar në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë dhe përbën pa dyshim një prej veprave madhore pasbizantine jo vetëm të autorëve të saj K. & A. Zografit, por të mbarë artit pasbizantin shqiptar e më gjerë.

■■■■■

Filed Under: Analiza

DIALOGU I BRUKSELIT PO SHNDËRROHET NË PUNË SIZIFI

July 25, 2024 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

BE-ja i heq vizat për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të Serbisë – Për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen (Schengen), serbëve të Kosovës u nevojiteshin viza. Këshilli i BE-së mori vendim për t’ia hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Bashkërenduese e Serbisë. Ministrat e Jashtëm të BE-së, vendimin e lartpërmendur e morën më 22 korrik të vitit në vazhdim. Autoritetet e Kosovës i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës. Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i vitiт 2024. Kosova nuk i njeh pasaportat që i lëshon e ashtuquajtura Drejtori Bashkërenduese e Serbisë e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Mbajtësit e pasaportave të tilla nuk mund të fluturojnë nga aeroporti i Prishtinës.

* * *

Vendimi i sipërthënë i Këshillit të BE-së cenon tërësinë tokësore të Kosovës dhe sovranitetin e saj.

Për çfarë dialogu të Brukselit mund të flitet? Cili është qëndrimi i udhëheqjes së përtashme serbe ndaj Kosovës?

– Në Kushtetutën e Serbisë, Kosova figuron si pjesë e pandarë e saj;

– Me rastin e betimit solemn, udhëheqësit serbë, përkatësisht serbomëdhenj betohen se do ta mbrojnë tërësinë tokësore të Serbisë, me Kosovës si pjesë të pandarë të saj;

– Serbia e quan Kosovën “Kosovë dhe Metohi”;

– Kryekrimineli i gadishullit, Aleksandar Vuçiqi, pareshtur deklaron se Serbia kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës;

– Serbia armatoset duke blerë armë kryesisht nga Rusia dhe nga Kina;

– Lloje të caktuara armësh Serbia i prodhon edhe vetë;

– Serbia armatoset kundër shteteve ndaj të cilave ka pretendime territoriale, siç janë Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia;

– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjek politikë luftënxitëse;

– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjek politikë destabilizuese;

– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjekë luftë psikologjike;

– Serbia pranë kufirit të Kosovës ka përqendruar forca të mëdha ushtarake dhe policore;

– Në Serbi veprojnë haptazi shërbimet sekrete ruse, me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit;

– Për ta destabilizuar Kosovën, Serbia organizon dhe mbështet grupe paramilitare, përkatësisht grupe terroriste;

– Më 26 korrik 2011, në Albanik, afër pikës kufitare në Bërnjak, gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e shtetit të Kosovës në veri të vendit, u qëllua nga strukturat paralele serbe polici Enver Zymberi (3 prill 1979 – 26 korrik 2011). Është polici i 14-të i rënë në detyrë;

– Më 24 shtator 2023, terroristët serbë, të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, në fshatin Banjskë të veriut të Kosovës ndërmorën sulm kundër njësive speciale të Kosovës. Me këtë rast mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku (15.04.1973 – 24.09.2023). BE-ja e cilësoi si sulm terrorist, ndërsa ShBA-ja e dënoi sulmin;

– Beogradi nuk e dorëzon kreun grupit terrorist që e udhëhoqi sulmin, Milan Radoiçiqin;

– Më 14 qershor 2023, gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës, në vendin e quajtur Tresavë/Bare, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, u rrëmbyen nga forcat serbe. Ishte një rrëmbim klasik i kryer brenda territorit të Kosovës;

– Më 5 nëntor 2022 serbët i braktisin të gjitha institucionet e Kosovës: Qeverinë ku e kanë një ministër; Kuvendin ku i kanë dhjetë deputetë; katër komunat në veri, të administruar nga kryetarë serbë dhe nga stafi administrativ serb; organet e gjyqësisë; organet e policisë etj.;

– Braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët në veri, pa asnjë arsye të bazuar, flet për bojkotimin e tyre, përkatësisht për zbatimin e mosbindjes civile, pasive apo vepruese,

– Më 29 maj 2023 grupet paramilitare, terroriste serbe, të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, në Zveçan të veriut të Kosovës sulmuan ushtarët e KFOR-it. Me këtë rast u plagosën 90 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Midis të plagosurve ishin edhe ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it. Sulmi i serbëve ndaj paqeruajtësve ishte i paprovokuar;

– Më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia duhej të nënshkruanin në Ohër shtojcën e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryetari i Serbisë, Vuçiqi nuk e nënshkroi dokumentin. Me ironi tha: “Nuk e nënshkruaj ngase më dhemb dora”. Në nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit thuhet: “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Ndërkohë, Serbia ngriti një grup pune për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës;

– Mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit tregon qartë se Vuçiqi dhe Putini nuk do ta njohin pavarësinë Kosovës edhe asociacion sikur t’u japësh serbëve në veri;

– Vuçiqi dhe Putini nuk kërkojnë të drejta për serbët në veri. Serbët në Kosovë, përfshi edhe bashkësitë etnike të tjera, i kanë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend të BE-së;

– Serbia e Vuçiqit kërkon në Kosovë territor. Me fjalë të tjera, këtu s’kemi të bëjmë me kurrfarë kërkesash për të drejta. Këtu kemi të bëjmë me synim dhe aspiratë serbomadhe për territor. Aspirata serbomadhe ndaj Kosovës dhe mbarë rajonit është hegjemoniste, kolonialiste, ekspansioniste dhe fashiste;

– Kisha Ortodokse – fashiste – Serbe nuk merret me çështje fetare. Preokupim i saj është rimëkëmbja e perandorisë së car Dushanit;

– Politika e sotme serbe është vazhdim i politikës ekspansioniste dhe pushtuese të zjarrvënësit të Ballkanit, Milosheviqit;

– Që nga viti 1999 e këndej Serbia udhëhiqet nga njerëz që e kanë vendin në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit, siç janë: Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi etj. Pas tyre qëndrojnë kriminelët e luftës Vojislav Shesheli, Tomislav Nikoliqi.

– Dy ministra të qeverisë së përtashme të Serbisë janë nën sanksione të ShBA-së, Aleksandar Vulini (1972- ) dhe Nenad Popoviqi (1966- );

– Beogradi sot ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë. Kur u shpërbë Jugosllavia, Shesheli deklaroi: “Maqedoninë e marrim me pesë tanke”;

– Që se është shpërbërë amalgama jugosllave, Serbia ndjek politikën e forcës;

– Ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Serbia ushtron gjenocid të heshtur;

– Serbia është shtet gjenocidal. Politika e ndjekur prej saj ka qenë politikë gjenocidi. Këtë e dëshmon edhe Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, e Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, e miratuar më 23 maj 2024;

– Serbia nuk arrin të organizojë zgjedhje të lira. Kjo tregon se ajo ka shkallë të ulët të demokracisë;

– Serbia është pothuajse i vetmi shtet në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës;

– Politika e sotme e Beogradit sjell në rajon Rusinë dhe Kinën, ndikimin rus dhe kinez;

– Serbia është përçuese e interesit rus në rajon;

– Serbia i takon zonës ruse të interesit, përkatësisht sferës ruse të ndikimit;

– Më 8 qershor 2024, me nismën e kryetarit të Serbisë, Vuçiqit dhe të kryetarit të Republikës Serbe, Milorad Dodikut, u mbajt në Beograd i ashtuquajturi “Kuvend Gjithëserb”. Parulla ishte “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” (Republika Serbe). Dy qeveritë miratuan “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb”. Këtë farë kuvendi dikush e quajti “ditë historike” për popullin serb.

– Nga mesi i vitit 2020, disa intelektualë dhe politikanë serbomëdhenj e vunë në përdorim termin “Bota Serbe”. Me këtë farë ideje synojnë të vënë në veprim lidhjen e serbëve të Serbisë me serbët në shtetet përreth. Disa mbështetës të kësaj ideje flasin për lidhjen shtetërore të serbëve në një bashkësi shtetërore, ndërsa disa të tjerë – për lidhjen kulturore, ekonomike dhe lidhje të tjera të serbëve në shtetet fqinje, me Serbinë.

– Udhëheqja e Republikës Serbe vazhdimisht deklaron se një ditë, këtë entitet do ta shkëpusin nga BH-ja;

– Serbia në vend që të kërkojë falje për krimet e kryera dhe të paguajë reparacion lufte, ajo kërkon territor.

* * *

A thua vallë mund të ketë dialog në Bruksel me një Serbi të këtillë, që ndërton dhe ndjek një filozofi politike retrograde dhe anakronike. Ideologjia politike serbe e dhjetëvjeçarëve të fundit është në kundërshti të plotë me parimet demokratike të BE-së.

* * *

Qëndrimi i BE-së dhe i Uashingtonit ndaj Serbisë – Një Serbi e sipërthënë meriton ndëshkimin e Perëndimit, të Uashingtonit dhe të fuqive evropiane – Berlinit, Parisit dhe Londrës. Serbia jo vetëm që nuk po ndëshkohet nga fuqitë perëndimore, përkundrazi ajo edhe shpërblehet. Ajo është e përkëdhelura e fuqive perëndimore, e ledhatuara e tyre. Në vend të saj ka kush ndëshkohet. E dhimbshme!

* * *

Kosova është shteti më demokratik i rajonit. Në të mbizotëron rendi dhe rregulli, luftohet korrupsioni dhe nepotizmi. Zgjedhjet vendore apo të përgjithshme organizohen dhe realizohen si në asnjë vend tjetër të Evropës. Liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike respektohen me kushtetutë, si në asnjë vend të BE-së. Për katër për qind serbë kërkohet asociacion!! Rast i paparë në historinë e botës. Në BE nuk bëhet luftë për territore, por për vlera demokratike. Asociacioni nuk u siguron serbëve më shumë të drejta se që i kanë sot, e s’duan t’i shfrytëzojnë, ose duan por s’i lë Beogradi.

Mos vallë mëkati i Kosovës është synimi i saj për t’u integruar në organizmat euroatlantikë?!

Kosovën e sulmojnë ngase nuk i jep territor Serbisë. T’i falë tokë Vuçiqit që të bëhet e mirë me qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes. Po cili shqiptar do ta kishte bërë një gjë të tillë?! Cili shqiptar pranon të hyjë në histori si Esat Pashë Toptani?! Të tillë nuk ka dhe s’ka për të pasur.

Nga ta kthesh kokën, mercenarë. Studio televizive mercenare, TV-programe mercenare, analistë politikë mercenarë, debate televizive mercenare, udhëheqës apo moderatorë debatesh televizive – mercenarë, mediume të shkruara dhe elektronike – mercenare; gazeta, revista, artikuj, të ashtuquajtura kollumne – mercenare. Të shitur dhe të blerë katërçipërisht.

Mercenarë! Historinë s’e bëni dot ju, jo!

Historia e botës nuk njeh rast që atë ta kenë bërë të shiturit dhe të blerët.

* * *

Evropë! Kosova meriton mbështetje dhe shpërblim dhe jo ndëshkim! Amerikë! Mos pandeh se interes yti është Serbia proruse e dishepujve dhe e pinjollëve të Garashaninit! Janë bijtë e Gjergjit ata që janë dëshmuar si populli më properëndimor i rajonit!

* * *

Kosovë, Ti zemër e shqiptarisë! Për Ty flasin shpesh edhe ata që mezi e dinë se ku ndodhesh, që s’të kanë parë kurrë, çakej që pak dinë për qëndresën Tënde epike përballë kuçedrave sllave. Flasin edhe të tillët që të kanë parë vetëm në hartë gjeografike, të tillët që mezi kanë dëgjuar për Ty. Kosovë, Ti digë e pamposhtur që mbron alpet e Arbërisë dhe brigjet e Adriatikut e të Jonit, ngrihesh mbi të drejtën historike, të drejtën e bashkëkohësisë dhe të drejtën hipotetike. Midis të madhërishmes dhe ligësisë, je përcaktuar për shkëlqimin e dritës.

Filed Under: Rajon

PËRKUJTESË PËR ATA QË NUK KANË KUJTESË

July 25, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Po të mirrej lëvizja jonë për pavarësi në periudhën e okupimit (1945-1999) me tema margjinale si targat e veturave, dokumentet e udhëtimit, larja në liqen, sot mund të ishim “republika e tretë” në Jugosllavinë e Zhablakut. Po e kujtoj shkurt politikën tonë të pavarësimit, veçmas për të rinjtë, të cilëve propaganda partiake, sidomos e LVV, ua ka shpërlarë trurin. Ja një skicë e mundshme e rrugës që kaluam:

E para, rezistenca antiserbe e antijugosllave filloi që në ditët e para të ripushtimit të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia, që kishin ndërruar kostum nga monarkiste në komuniste. Goditja ndaj lëvizjes iredentiste shqiptare ishte e pamëshirshme, por ajo kurrë nuk u shua, sado që u dëmtua rëndë dhe u dobësua në faza të ndryshme. Në një periudhë ajo u modifikua nga një lëvizje mirfilli iredentiste në një lëvizje integriste, si një rrugë e ndërmjetme për të kaluar sërish në projektin e bashkimit kombëtar e mandej të pavarësimit të Kosovës.

E dyta, demonstratat e vitit 1981, një vit pas vdekjes së themeluesit të RFSJ-së, Josip Broz Titos, e shpërfaqën konfliktin e madh ndërmjet shqiptarëve dhe nacionalizmit serbomadh dhe krizën kombëtare që ishte konservuar në ish federatën jugosllave. Represioni i tmerrshëm i regjimit komunist serbo-jugosllav, ndikoi për një homogjenizim edhe më të madh të shqiptarëve, të cilët definitivisht e kuptuan se nuk kishte shanse për barazi në shtetin jugosllav. Prandaj, kërkesa për një republikë të Kosovës brenda federatës jugosllave ishte kërkesë këmbëngulëse, për të siguruar një mekanizëm më të sigurt për të arritur barazinë kombëtare. Përgjigja serbe e jugosllave ishte e egër dhe si e atillë e pamundësoi gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme për atë konstelacion. Ndodhi e kundërta: Memorandumi serb i ASSHA lancoi projektin e Serbisë së Madhe, me eliminimin e subjektivitetit federal të Kosovës.

E treta, në realitetet e konflikteve të reja legale kulturore, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, nga shkurti 1988, filloi një konflikt publik kulturor e politik me shkrimtarët serbë, nga i cili doli fitimtar. Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë është institucioni i parë federativ që u shpërbë, pa dyshim edhe me meritën konkrete të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, bashkë me ata sllovenë e kroatë, që nuk e pranuan shantazhin dhe nënshtrimin përballë nacionalizmit serbomadh.

E katërta, më 23 dhjetor 1989 u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e filloi procesin e afrimimit ndërkombëtar të Kosovës dhe të homogjenizizmit e mobilizizmi kombëtar të shqiptarëve për Kosovën si republikë e barabartë me të tjerat ose republikë më vete. Uragani LDK e ndryshoi për disa muaj narrativën për Kosovën më botë dhe solli një emancipim politik të ri, brenda aspiratave euro-atlantike, gjë që më parë nuk ishte parë as në ëndërr. Shqipëria ishte ende në humnerën e vet staliniste, por Kosova filloi të rrezatojë pak dritë demokracie edhe për të.

E pesta, më 2 korrik 1990, nga pjesa shqiptare e Kuvendit të Kosovës, ndonëse të dominuar nga komunistët, u shpall Deklarata Kushtetuese, e cila kërkonte barazimin e Kosovës me republikat e tjera në federatën/konfederatën jugosllave.

E gjashta, më 7 shtator 1990 u miratua Kushtetuta e Kosovës, e cila e formalizonte Kosovën si republikë.

E shtata, në fundshtatorin 1991 u mbajt referendumi që e shpallte Kosovën republikë në organizimet e reja të federates-konfederatës. Ndërsa në maj 1992 u mbajtën zgjedhjet parlamentare e presidenciale që e finalizuan shkëputjen faktike me ish Jugosllavinë.

Të gjitha këto ngjarje kanë qenë të vështira, sepse krahas represionit serb ishte edhe presioni ndërkomëbtar që të mos lëvizej drejt pavarësimit. Raporti i Badenterit nuk i dha Kosovës të drejtën e shprehjes së vullnetit të vet. Në vitin 1993 a 1994 u intensifikuan presionet për të dalë në zgjedhjet lokale në Serbi. Ka qenë një presion abnormal i ambasadorëve të disa shteteve evropiane, në Gjermanisë në rend të parë. Në vitin 1995 presionet patën njëfarë suksesi, që u shprehë me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shën Exhidio për arsimin. Ishte një gabim i madh.

E teta, pas Konferencës së Dejtonit, u vërejt se lëvizja jonë ishte e dërrmuar nga problemet dhe presionet. Stafetën e rezistencës e mori lëvizja e armatosur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas sukseseve të saj dhe shkaku i barbarive serbe kundër civilëve shqiptarë, u organizua Konferenca e Rambujesë, ku lëvizja jonë e unifikuar, paqësore-ushtarake, në fakt rrezikoi me pranimin e marrëveshjes, ndonëse vegza e referendumit e arsyeton edhe atë koncesion. Pastaj ndodhën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë-Malit të Zi dhe ngjarjet kaluan në rrafshin ndërkombëtar, te Marrëveshja Ushtarake-Teknike dhe rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

E nënta, pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte finalizim i një rruge të vështirë, por të ndjekur në mënyrë këmbëngulëse e vizionare, krahas fatit të mbarë gjeopolitik, pas fitores spektakulare të Perëndimit mbi Rusinë. Kjo rrugë duhet të mbahet mend. Duhet të nderohet. Duhet të mirëmbahet…

Filed Under: Ekonomi

“Ringjallja”

July 25, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

“Burrat janë si lumenjtë… uji është i njëjtë tek të gjithë dhe është i njëjtë kudo, por çdo lumë tani është i ngushtë, tani i shpejtë, tani i gjerë, tani i qetë, tani i pastër, tani i ftohtë, tani i turbullt, tani i nxehtë. Po ashtu edhe meshkujt”. – Leo Tolstoy, “Ringjallja”. Kjo frazë është marrë nga romani “Ringjallja” i Leo Tolstoit, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj rusë. Romani tregon historinë e princit Nekhludov, i cili kupton se i ka shkatërruar jetën një gruaje që kishte joshur në rininë e tij dhe përpiqet ta shpetoje duke e ndjekur atë në dëbimin e saj në Siberi. Romani është i frymëzuar nga një ngjarje reale, por ka edhe elemente autobiografike, pasi Tolstoi ka pasur përvoja të ngjashme në jetën e tij. Kjo vepër konsiderohet si përfaqësimi i krizës shpirtërore të Tolstoit, i cili në fund të jetës hoqi dorë nga veprat e mëparshme dhe iu përkushtua kërkimit të së vërtetës fetare dhe morale. Romani është gjithashtu një kritikë për shoqërinë ruse të asaj kohe, për korrupsionin e drejtësisë, për dhunën e shtetit dhe për falsitetin e Kishës. Në të njëjtën kohë, është një himn për dashurinë, dhembshurinë dhe vëllazërinë mes qenieve njerëzore.

Leo Tolstoi ishte një nga gjenitë më të mëdhenj të letërsisë botërore, autor i kryeveprave si “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina”. Por romani i tij i fundit, “Ringjallja”, botuar në 1899, është ndoshta më i thelli dhe më domethënësi i prodhimit të tij. Në të, Tolstoi trajton temat që e kanë fiksuar gjatë gjithë jetës së tij: kuptimi i ekzistencës, përgjegjësia morale, drejtësia sociale, besimi fetar. Protagonisti i romanit është Princi Nekhludov, një aristokrat i ri, i cili, si student, kishte joshur dhe braktisur një vajzë të quajtur Katiuša, vajzën e një fshatareje që punonte në shtëpinë e tezes. Dhjetë vjet më vonë, Nekhludov e gjen veten pjesë të jurisë që duhet të gjykojë Katiushën, e akuzuar padrejtësisht se kishte helmuar një klient. Vajza, pasi ishte përzënë nga halla e saj, kishte rënë në prostitucion dhe varfëri. Nekhludov, duke e parë atë në gjykatë, e kupton dëmin që i kishte bërë dhe ndjen keqardhje të fortë. Prandaj ai vendos t’i kushtojë jetën shpëtimit të saj, duke e ndjekur në udhëtimin e saj për në Siberi, ku u dënua me punë të detyruar.

Gjatë rrugës, Nekhludov bie në kontakt me realitetin e të burgosurve, fshatarëve, revolucionarëve dhe vë në dyshim shkaqet e padrejtësisë dhe vuajtjes në botë. Ai e kupton se shoqëria në të cilën jeton bazohet në dhunë, egoizëm, gënjeshtra dhe se ai vetë është bashkëpunëtor në të. Më pas ai përpiqet të çlirohet nga zinxhirët e tij moralë dhe materialë, duke ua dhuruar tokat fermerëve të tij, duke hequr dorë nga statusi i tij shoqëror, duke u përpjekur të ndjekë Ungjillin.

Por rruga e tij nuk është as e lehtë dhe as lineare. Ai duhet të përballet me rezistencën e familjes, miqve, autoriteteve dhe mbi të gjitha kontradiktat dhe dobësitë e veta. Marrëdhënia e tij me Katiushën është gjithashtu e ndërlikuar: ai i propozon të martohet, por ajo e refuzon, sepse nuk e do dhe nuk dëshiron t’i bëhet barrë. Vetëm në fund të romanit dy protagonistët pajtohen, edhe pa u martuar, dhe premtojnë të bëjnë një jetë të re, të bazuar në dashuri dhe falje.

“Ringjallja” është një roman që trondit ndërgjegjen dhe sfidon lexuesin të vërë në dyshim kuptimin e jetës së tyre. Tolstoi nuk ofron zgjidhje të lehta, as dogma të paramenduara. Në vend të kësaj, tregon kompleksitetin dhe diversitetin e përvojave njerëzore, dhe mundësinë e ndryshimit, përmirësimit, ringritjes. Mesazhi i tij, universal dhe gjithmonë aktual, na fton të kërkojmë të vërtetën brenda vetes dhe rreth nesh, me përulësi dhe guxim.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1024
  • 1025
  • 1026
  • 1027
  • 1028
  • …
  • 2961
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”
  • Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim
  • VISAR ZHITI NDEROHET ME TITULLIN “AKADEMIK HONORIS CAUSA” NGA AKADEMIA NDËRKOMBËTARE E ROMËS
  • Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan
  • Petro Nini Luarasi, 22 prill 1865 – 17 gusht 1911
  • SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN
  • “Armiqtë apo alienët? Shkencëtarët që zhduken një nga një”
  • Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre
  • RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT