• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mon Gjonbalaj, Roko Camaj, Simon Dedvukaj – Kullat dhe 11 Shtatori

September 11, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

“E kthyer në shpresë dhe frymëzim për brezat e tjerë, 11 Shtatori 2001 është bërë simbol i bashkimit, dinjitetit dhe krenarisë së çdo qytetari në SHBA,” thotë gazetari veteran në Nju Jork Beqir Sina në përkujtim të 22 vjetorit të kësaj dite.

Me momente heshtje, manifestime, ceremoni solemne dhe homazhe, Amerika sot përkujton goditjen nga terrorizmi në Nju Jork, Virginia, Shanksville, Pensilvani. Ky shkrim është bazuar te të dhënat përkujtimore për Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe Simon Dedvukaj,

Mon Gjonbalaj, punëtor mirëmbajte me kompaninë ABM, mbante veshur çdo ditë uniformën e punës në kullën e Jugut të Qendrës Tregtare Botërore (World Trade Center’s South Tower) Në mëngjesin e 11 shtatorit Moni ishte në katin 86 të kullës. Pas përplasjes së aeroplanit UA 175, nuk kishte më mundësi shpëtimi për Monin. Në ato momente, babai i katër fëmijëve arriti t’i telefononte të birit Sal Gjonbalaj dhe t’i thoshte që të ishte i fortë dhe të kujdesej për familjen. Djali rrëfen se babai kishte dëshirë të punonte dhe vazhdoi të shkonte në punë edhe pasi e kaloi moshën e pensionit. Në 31 tetor Gjoni kishte 66 vjetorin e lindjes. Pothuajse gjysmën e viteve të jetës së tij, Moni ishte anëtar i sindikatës ndërkombëtare të punëtorëve të shërbimeve (SEIU), degës 32 BJ. Mon Gjonbalaj e kryente me përkushtim punën dhe e donte vendin e punës, për të cilën familjarët thonë se ishte për të si “shtëpi e dytë.” Ai kishte lindur në Shqipëri dhe emigroi në Amerikë. I lidhur me vendin dhe njerëzit, edhe si shtetas amerikan shqiptar, Moni shkoi për të dhënë ndihmën e tij në Kosovën e pasluftës.

Një nga artikujt personalë dhuruar nga i biri në vitin 2016 për koleksionin e muzeut të 11 shtatorit është uniforma e punës e Mon Gjonbalajt. Vizitorët që vijnë në kompleksin përkujtimor shohin krahas fotografisë dhe të dhënave jetësore edhe xhaketën e punës së tij në vendin ku janë lidhur përjetë ai dhe 2,989 të vrarë nga sulmet terroriste. (të dhënat nga Tara Prout 9/11 Memorial Exhibition and Registries Manager) Paraqitja e artikujve personale të viktimave që dhurohen nga familjarët janë pjesë e ekspozitave që freskohen herë pas here nga komisioni përkatës.

Libri për fëmijë i titulluar Risky Business (Punë me Rrezik) i kushtohet Roko (Rrok) Camajt. Puna e pastruesit të dritareve të Kullave Binjake të Manhattanit i shkonte për shtat Rokos që nuk frikësohej prej lartësive marramendëse të Nju Jorkut. Duke qenë aq lart mbi tokë, ai ndjente afërsinë me qiellin dhe thoshte “jam veç unë dhe qielli.” Në sulmin terrorist të vitit 1993, Roko arriti të shpëtonte një punonjëse të kullës e cila kishte mbetur e bllokuar tek pjesa e shkallëve të ndërtesës. Roko Camaj, babai i tre fëmijëve, humbi jetën në 11 Shtator 2001. Atë mëngjes në orën 9:15 ai i telefonoi të shoqes Katrina nga kati i 105 i kullës së jugut ku ai bashkë me 200 të tjerë kishin mbetur të bllokuar. Në pjesën e memorialit për të shkruhet se Roko erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969 nga Mali i Zi. Camaj nisi punën për Shërbime të Mirëmbajtjes tek Kullat e Qendrës Tregtare në 1973. Në librin City in the Sky (Qyteti në Qiell) i cili citohet në memorial thuhet se 43,600 dritaret e kullave pastroheshin me një pajisje të posaçme me mekanizëm çikriku. Por dritaret e kateve të epërme të kullës jugore kishin panele më të mëdha për të pasur pamje më panoramike të platformës të Obzervatorit. Për këtë arsye, ato laheshin me dorë dhe ai që mund ta bënte këtë ishte Roko Camaj.

Simon Dedvukaj kishte ardhur nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara. I riu 26 vjeçar punonte si përgjegjës i mirëmbajtjes në Qendrën Tregtare dhe ishte anëtar i sindikatës ndërkombëtare të punëtorëve të shërbimeve (SEIU), Degës lokale 32 BJ. Shtatë vëllezërit dhe motrat e tij thonë se ai sakrifikonte veten për të ndihmuar të tjerët. Në pjesën e memorialit për Simon Dedvukaj shkruhet se ai udhëtoi në Shqipëri për tu njohur me një vajzë nga vendlindja për të cilën familjarët kishin dhënë pëlqimin për martesë. Elizabeta dhe Simoni do festonin përvjetorin e parë të martesës në tetor 2001. “Djali i Marash Kolë Mirit, Simon Dedevukaj – stërnipi i kryetrimit DedëGjoLulit, i cili udhëhoqi kryengritjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, është një nga tre heronjtë shqiptarë që vdiqën më 11 shtator 2001. Ai, vdiq në moshën 26 vjeçare, duke u bërë një prej viktimave të sulmit terrorist,12 vjet më parë, teksa po punonte në katin e 95 të Kullës veriore në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë, në tragjedinë, ku humbën jetën afro 3 mijë njerëz të pafajshëm,” kujton gazetari Beqir Sina.

Në kompleksin kushtuar 11 shtatorit 2001 janë emrat, fotot, përshkrime dhe artikuj personal të tyre për familjarët, komunitetin dhe vizitorët nga mbarë vendi dhe bota.

Filed Under: Politike

KURBANET E FILLIMIT TË VITIT SHKOLLOR

September 11, 2023 by s p

Jerida Kulla/

Sot fillon shkolla në Shqipëri. Sa të hapësh rrjetet sociale, urimet rrjedhin lumë, sa nga prindërit, për fëmijët e tyre (me dëshirën e tyre si prindër, që fëmijët të bëhen të ditur), po aq dhe nga personalitete të arsimit apo të fushave të ndryshme.

Me të drejtë, e do zakoni, që kur fillohet diçka, urohet të ecë mbarë.

Sipas traditës popullore, kur ndërtohej diçka bëhej kurban, që ndërtesa të ishte e fortë dhe t’i qëndronte kohës. Ndërsa, sot, në kohët moderne, kurban fizik për fillimin e shkollës nuk bëhet, po bëhen kurban: mësuesit, nxënësit dhe prindërit.

Mësuesi është kurban se, përveç punës së tij, duhet të plotësojë një mal me “shkresa” burokratike, që ia marrin frymën dhe nuk i del koha as për fëmijët e tij.

Flitet shumë se do lehtësohet puna e mësuesit, po asgjë nuk ka ndryshuar gjithë këto vite.

Mësuesi duhet të jetë gatitu edhe në kohën e shtëpisë, t’i përgjigjet drejtorit apo të tjerëve në mesazhe në whatupp.

Po mësuesit e Diasporës, sidomos ata që punojnë në Greqi, do pyesni ju, si veprohet?

Më keq akoma. Janë bërë kurban ka 30 vite, duke punuar vullnetarisht, që gjuhën shqipe ta përçojnë te fëmijët e brezit të dytë apo të tretë.

E kurbani vazhdon vit pas viti, duke ua zbukuruar atë…

Me punën vullnetare të mësuesve të Diasporës mbahen në punë institucione të tëra në Shqipëri, ndërsa, kur vjen puna te mbështetja, vlerësimi, pagesa e mësuesve në Greqi, shteti ngre supet e sytë nga qielli, duke pritur se mos bie ndonjë gjë nga qielli.

Indiferencë, braktisje dhe mosvlerësim nga shteti ynë dhe ne presim të na vlerësojnë të tjerët…

Ka ikur koha e vullnetarizmave! Nuk mund të vazhdohet të punohet vullnetar 30 vjet. Edhe ky mësues, ka familje, fëmijë, që duhet të kujdeset. Kalon orë të tëra në fundjavë, por jo vetëm, që të shkojë i përgatitur para nxënësve.

Nuk ecet më kështu! Mësuesi duhet të vlerësohet e të paguhet si të gjitha profesionet e tjera.

Kurbani vazhdon.

Mësuesit e nxënësit duhet të punojnë me tekste të cilat nuk janë të përshtatshme për psikologjinë e fëmijës, nuk janë të sakta nga ana pedagogjike. Në to gjen gabime, qoftë shkencore, qoftë drejtshkrimore, edhe pse në paskapak ka një listë me emra, që kanë punuar me ta.

Edhe teksti shkollor është kthyer në monopol, biznes.

Në shumë raste tekstet janë kopje nga tekste të tjera të huaja, të përkthyera shatra – patra (google translate).

Mësuesi duhet të merret vetë nja dy orë për përshtatjen shqip-shqip të tekstit, që t’ua lehtësojë sa më lehtë fëmijëve.

Kush e ka fajin për këtë?!

Faji u bë qyrk e s’e mori njeri, -thuhet nga anët tona.

Fëmijët duhet të mësojnë me turne.

Si mundet vallë të rritet produktiviteti duke i thënë fëmijës të shkojë turni i dytë apo i tretë?

Do thoni ju se po e zmadhoj. Ai që ka fëmijë në shkolla me turne, e di këtë ragvim, ose që t’i shpëtojë mësimit me turne, lutet te DAR për transferim të fëmijëve në shkolla të tjera.

Fëmijët enden nga një shkollë në tjetrën.

Prindi ka më shumë stres, kur fillon fëmija shkollën, sesa kur e ka sjellë në jetë. Kur fëmija është turni i dytë, gjithë paraditen do të rrijë vetëm, se ai është në punë; kush do ta nisë për në shkollë?

Pyetjet e shqetësimet janë të panumërta, që duke mos dashur t’ua bëj kokën daulle, po e lë me kaq…

Instancat shtetërore të bëjnë punën e tyre, që të mos kemi më kurbane, që arsimi ynë të mos renditet nga fundi, po në vendet e para, se nuk mungojnë kuadrot apo specialistët.

Filed Under: Mergata

KËSHILLAT KOMBËTARË, DEKOR I QEVERISË

September 11, 2023 by s p

Nail Draga/

Këshillat kombëtare si janë duke  funksionuar,   pa ingerenca dhe pa mbeshtetje financiare programore  si të tillë janë  dekor i qeverisë e jo në favor të avancimit të vlerave autentike të popujve përkatës. Nga ana tjetër  kemi edhe keqperdorimin e detyrës zyrtare  siç është rasti me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve(KKSH)  me mos mbajtjen e zgjedhjeve për elektor të rinjë, sepse   i ka kaluar mandati tash 15 muaj(qershor 2022),  qe është veprim  i papërgjegjshëm, ku ndonëse  është formuar komisioni përkatës, ai nuk e ka kryer detyrën e vet që nuk mund të arsyetohet më asgjë, nga del  se një subjekt i tillë  është privatizuar dhe nuk është në shërbim të shqiptarëve. 

Në sajë të përbërjes heterogjene të popullsisë Mali i Zi është shtet i veçantë në Evropën Juglindore, andaj edhe themelimi i këshillave kombëtare(2008) si subjekte të veçanta ishte risi në skenën politike në këtë mjedis. Me një veprim të tillë pushteti ka dashur të dëshmojë kapacitetin demokratik para faktorit ndërkombëtar kur janë në pyetje popujt pakicë. Por, themelimi, organizimi, përmbajtja e financimi nga formimi i tyre dëshmoi se ata më shumë janë dekor të pushtetit, se sa në favor të avancimit të çështjeve nacionale e qytetarëve të pjesëtarëve të popujve përkatës. Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti për ne shqiptarët, si i vetmi popull me përkatësi etnike josllave.

Këshillat si organizata joqeveritare

Duke qenë subjekte qeveritare por qe iu ngjasojnë organizatave joqeveritare, ata janë pa ingerenca vendosëse, dhe si të tilla janë vetëm këshilldhënëse. Dhe nga një qasje e tillë jovendimmarrëse ata nuk e kanë arsyetuar vetën. Raste për të dëshmuar  ka mjaft, ku më e veçantë është  dhënia e mendimit për drejtorat e shkollave më mësim në gjuhën shqipe, që  nuk përfillet nga ministri i arsimit, sepse ai vendosë sipas shijes personale dhe përkatësisë partiake e jo vlerave profesionale e shoqërore.

Përfaqësimi politik i panevojshëm

Përveç elektorëve të zgjedhur me votë, pjesë e KKSH janë edhe përfaqësuesit politik të subjektëve politike si kryetar partie, deputet, ministër, kryetar komune e kuvendi, nga të gjitha komunat ku shqiptarët janë popullsi autoktone. Një numër i tillë nuk është i vogël, madje janë të barabartë me elektorët e zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë. Por, përvoja e deritashme dëshmon se një numër  i përfaqësuesve të tillë politik e kanë injoruar KKSH, duke mos marrë pjesë në mbledhje, madje nga themelimi i tij.

Me një qendrim të tillë ata kanë dëshmuar se nuk iu intereson  roli dhe funksioni i këtij subjekti që sipas ligjit është përfaqësues i shqiptarëve. Si duket nga partitë politike këtë subjekt e shohin si konkurrent  në çështjet të cilat duhet të trajtohen për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.  Andaj, ata si të tillë janë të panevojshëm, ku ndryshimi i ligjit për zgjedhjen e elektorëve duhet të definojë qartë pjesëmarrjen e tyre në këshillë. Sepse ata si numër formal  madje janë pengesë edhe për kuorum për mbajtjën e mbledhjeve  të cilat edhe ashtu janë të rralla. Në këtë aspekt do të ishte ma e logjikshme qe përfaqësuesit e politikës të mos jenë fare anëtarë të këshillave, sepse ata si pjesë të subjektëve politike  nëse duan mund të angazhohen për çështjet  të cilat janë pjesë e programeve partiake. 

Duhet inicuar ndryshimin e ligjit

Në këtë drejtim përgjegjësi mbajnë partitë politike të shqiptarëve si përfaqësues të tyre autentik, sepse nuk kanë treguar interesim për të inicuar ndryshimin e Ligjit të pakicave  në lidhje mbi funksionimin e këshillave kombëtare. Pa një ndryshim të tillë përmbajtësor subjekti i tillë do të vazhdojë të jetë dekor i qeverisë, pa ndikim në avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. 

Shqiptarët por edhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi, kanë nevojë për Këshilla si  subjekt dinjitoz në përfaqësim të tyre, e jo të jetë formal, pa asnjë ingerencë, por vetëm të shpreh mendimin e vet, e cila nuk obligon askënd si në pushtetin lokal e ate qendror. Pa ndryshime ligjore, organizative, zgjedhore, përmbajtësore e kadrovike si të tilla këshillat janë të dëmshme për pjesëtarët e popujve përkatës, andaj si të tillë janë të panevojshëm! 

Çështje qe është dashur të trajtohen 

Nuk ka dilemë se angazhimi i çdo këshilli  për pjesëtarët e popujve qe  përfaqësojnë paraqet temë e cila meriton qasje të veçantë. Në këtë aspekt sa i përket KKSH janë shumë çështje të cilat është dashur të trajtohen dhe të marrin drejtimin e duhur jo vetëm nga kjo përbërje e Këshillit por edhe ma herët, por për fat të keq mungojnë rezultatet. 

Këtu kryesisht mendoj për çështjet e identitetit kombëtar nga fusha e arsimit dhe e kulturës, sepse edhe në pluralizëm vazhdojmë të jemi të diskriminuar. Ndërsa, nga ana tjetër  ka qenë e nevojshme të punohet platforma politike për shqiptarët në Mal të Zi, e cila duhet të jetë obligim për partitë politike të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndërsa mos angazhimi për një platforme të tillë është dështim i përbashkët, e sidomos për  subjektët politike të shqiptarëve, të cilat e kanë pjesë të programeve partiake. Por, për një qasje të tillë KKSH  në përbërjen e tij duhet të ketë persona profesionist të dëshmuar, me autoritet shoqëror dhe duhet të vlerësohet meritokracia, e jo si deri tash të dirigjuar e të zgjedhur nga partitë politike duke eliminuar individet nga shoqëria civile.

Gazeta “Koha Javore” me pengesa subjektive

Nga viti 2001 ka filluar të botohet  gazeta”Koha Javore”, e cila del një herë në javë, fillimisht  në kuadër të SHB “Pobjeda”  e nga viti 2015 në kuadër të KKSH-së. Kjo gazetë javore është  e vetmja në shqip në Mal të Zi dhe financohet nga buxheti qeveritar. 

Ndonëse kësaj gazete mund t´i bëhen vërejtje, por në sajë të kushtëve dhe rrethanave shoqërore, ajo arriti të vazhdojë të jetë tribunë mediatike, për të gjithë ata që duan dhe dijnë të shkruajnë  shqip për çështjet e ndryshme shoqërore, politike e kulturore. 

Nga ana tjetër duhet theksuar se Këshilli Programor i “Kohës Javore” ka pengesa subjektive nga ana e kryetarit të KKSH-së, sepse nuk mund të realizojë vendimet e miratuara. Pikërisht, duke marrë parasysh  këto çështje ka qenë e udhës që KKSH të organizojë takim të veçantë kushtuar “Kohës Javore”, duke u informuar nga kryeredaktori i “Kohës Javore” si dhe nga Këshilli Programor, por deri më tash nuk ka ekzistuar një interesim nga ana e tyre për këtë medie të vetme në shqip.  Madje, nëse rastësisht do të pyetej ndonjë anëtarë i KKSH-së se kur për herë të fundit e keni lexuar gazetën “Koha Javore”, përgjigja do të ishte dëshpruese. 

Duke marrë parasysh se gazeta “Koha Javore” përgatitet nga kryeredaktori dhe dy gazetarë(!?) dalja e saj si javore është meritë e bashkëpunëtorëve, sepse pa ndihmën e tyre do të ishte e pamundur. Por, një ndihmë e tillë nga bashkëpunëtorët nuk vlerësohet nga ana e kryetarit të KKSH-së, madje ka edhe pengesa  për ndarjen e mjeteve qe janë miratuar  në buxhetin vjetor(2022). 

Por, këtu kemi edhe një paradoks tjetër sepse në lidhje me planin financiar vjetor  të “Kohës Javore” për vitin 2022 e 2023 në shumën  prej 150.00.00 euro nga buxheti i shtetit kryetari i KKSH-së nuk është konsultuar fare si me  ish-kryeredaktorin,ashtu edhe me atë aktual, por as Këshilli Programor i gazetës.  Mos koordinimi dhe mungesa e transparencës financiare nga ana e KKSH-së hap dilema të spekulimeve dhe të keqpërdorimit, jo vetëm të pozitës zyrtare.  

Pavarësisht se si do të rrjedhin çështjet me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në të ardhmën gazeta “Koha Javore”, duhet të vazhdojë të vijojë daljën, duke qenë e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Privatizimi i Këshillit

Dukuria e mos respektimit të afatit ligjor, si virus që është i pranishëm të partitë politike është e pranishme edhe të këshillat kombëtarë. Rastin  tipik e kemi të KKSH-ve, sepse nga qershori i vitit të kaluar(2022) ka kaluar afati i përbërjes së tij, por ende nuk janë mbajtur zgjedhjet për elektorë të rinj. 

Një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë, kur dihet se për mbajtjen e tyre zgjedhjeve është formuar komisioni përkatës i Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili nuk ka kryer obligimet e marra. Kemi të bëjmë me papërgjegjësi, si  akt i mosrespektimit ligjor duke e privatizuar KKSH-në për interesa personale! 

Ndërsa mos  informimi me kohë i anëtarëve te Këshillit Kombëtar dhe opinionit  për mos mbajtjën e zgjedhjeve për elektorë është dëshmi e mungesës se guximit  të ballafaqohen me realitetin në skenën shoqërore.

Filed Under: Rajon

E braktisur

September 11, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Legjionet romake ishin forca më e mirë luftarake në botën e lashtë, por nuk mund ta pushtonin dot Gjermaninë; ishin gjermanët që i shkaktuan Romës humbje dërrmuese.

Shqipëria mund ta kishte marrë Kosovën, Çamërinë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, dhe më tej,…po të kishte dashur. Por udhëheqja e saj është treguar e aftë vetëm për ta shtypur, izoluar e vjedhur popullin e vet.

Nëse Shqipëria, që në fillim, do të kishte dalë plotësisht hapur për të mbrojtur trojet e veta, nuk ka dyshim se sot do të kishim një Shqiponjë më të madhe. Tirana zyrtare nuk u përpoq kurrë për ta bërë këtë, që nga formimi i shtetit më 1912, deri në vazhdim.

Pushteti nën princ, mbret, e diktaturë, dhe sot në gjoja demokraci, ka jetuar gjithmonë me frikën se një njeri e fuqishëm me një ushtri të fortë do të vinte dhe do ta rrëzonte. Në këto pak kthesa historike, me lavdinë e bashkimit të kombit ky njeri do të ishte një rival i frikshëm për këdo; mbret, tiran, autokrat.

Në Romën e lashtë, senati dhe perandorët kishin arsye për t’u mohuar gjeneralëve mandatin dhe forcat e nevojshme për të pushtuar Gjermaninë. Në kohën e Republikës, disa gjeneralë të fuqishëm përdorën ushtritë e tyre për të marrë pushtetin: Marius, Sulla, Pompeu i Madh, Julius Casesar, Octavian. Ata ishin në gjendje ta bënin këtë sepse ushtritë e tyre ishin besnike ndaj tyre, jo ndaj shtetit, Ata që shërbenin nën një gjeneral të suksesshëm, mund të bëheshin të pasur, mund të plaçkisnin qytete dhe fshatra të pushtuara dhe gjenerali shpesh do ta ndante me ushtarët një pjesë të plaçkës së tij.

Perandoria e hershme filloi me Cezarin dhe Augustin. Romakët u rritën me historitë për Pompeun, Cezarin dhe Mariusin. Statujat e tyre ishin në pallat. Teatrot dhe tempujt e ndërtuar nga këta njerëz ishin në qytet. Ata ishin për romakët siç janë për ne Napoleoni, Churchilli, Uashingtoni. Kur një perandor shikonte gjeneralët e tij, pyeste veten: “A është ky njeri një Cezar, që pret të më rrëzojë?” Dhe një perandor i mençur nuk u jepte gjeneralëve ambiciozë komandën e ushtrive të mëdha.

Natyrisht, perandorët mund të kishin shkuar personalisht për të pushtuar Gjermaninë. Ata mund t’i kishin udhëhequr vetë legjionet. Trajani pushtoi Dakinë dhe Mesopotaminë kur ishte perandor. Por pushtimi i Gjermanisë do të kërkonte vite luftimesh të vështira dhe të rrezikshme. Kjo ndoshta ishte tërheqëse për një gjeneral ambicioz, por jo për një perandor.

Nëse një perandor do të shkonte për në luftime ai do të ishte larg Romës, ndoshta për vite me radhë. E rrezikshme të jesh kaq larg nga qendra e pushtetit kur ka shumë njerëz të etur për të provuar të marrin fronin.

Është e mundur të imagjinohet një perandor që do sfida të tilla, dhe kështu romakët nuk e pushtuan kurrë Gjermaninë.

Shqipëria, Kosova e Çamëria nuk u bënë dot bashkë. Udhëheqësit e liq shqetsohen vetëm për kolltuqet, rehatinë, dhe duan një shtet sa më të vogël, ku kryeministri bën sikur punon, dhe mikro-menaxhon furrat e bukës.

Të kundërtën bëjnë fqinjët; Athina zyrtare – pa pranuar të përmendet çështja Çame – e quan Himarën greke; dhe Serbia – pa asnjë fjalë për Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanocin – pretendon Kosovën, e cila ndjehet e ndarë nga nëna – ose Shqipëria gjithmonë ka pasur bijë plangprishës në udhëheqje të saj.

Filed Under: Komente

NIS RRUGËTIMIN E SAJ RADIO “ESENCË”

September 11, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një nisëm e veçantë dhe një risi e re e “Mjeshtrit të Madh”, humoristit Shkodran, Sandër Ruçi.

Risia nis hapsirën e re të komunikimit me publikun, në ambjentet e shtëpisë së Sandrit, si një Oaz artistik që i shtohet Shkodër Loces tonë, qytetit të tij të zemrës. Në këtë inagurim të studios së re, Sandri bëri bashkë emra të mëdhenj të humorit, këngëtarë, poetë, simpatizantë, artëdashës, shumë miq dhe bashkëpunëtor të artit dhe kulturës, por dhe mediat që vlerësuan dhe nderuan këtë nisëm të veçantë të aktorit të njohur shkodran, humoristit, Sander Ruçi, këtij mjeshtri të rrallë, me një performancë gjithnjë e më të ndritur edhe pse jeton prej disa vitesh në Jacksonville, Florida të SHBA, asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me qytetin e tij të lindjes. 

   Duke u takuar me të gjitha kategoritë e njerëzve, ai u shpreh se, këto momente magjike që po kalon mes tyre, po më zgjasin jetën, ndaj i falenderoi me shumë përulje. Këtë respekt Sandri ia kthei me kënaqësi në këtë natë të inagurimit të RADIO “ESENCË”. 

   Festa me miq dhe me shokë vazhdoi si të ishte një spektakël. 

   Ai u rikthye në Shkodër jo vetëm për ta vizituar e për t’u çmallur me të afërmit, me shoqërinë e me kolegët, por edhe për të treguar se talenti i tij nuk ka shterruar, përkundrazi me një buqetë skeçesh, parodish, monologjesh humoristike dhe satirike u ngjit disa herë në skenën e Teatrit “Migjeni”, me recitalet e tij, duke sjellë një performancë që edhe nga ana regjisoriale kishte risi.

   Është vërtetë bukur kur artistët punojnë për kontributin e punën e tyre. Ky është një tregues i vlerësimit të një karriere të gjatë, jo vetëm nga spektatorët si vlerësimi më i mirë, por edhe i institucioneve.

   Në këtë nismë, krahas becgraundit të shumë llojshëm artistik, Sandri jo rastësisht është edhe para mikrofonit në Studio, pasi ai ka një eksperiencë rreth katër vjeçare në Radion lokale, siç është ajo e Radio Shkodrës, ku emisioni famëmadh humoristik “100 fjalë për nji parë”, që Sandri e ka udhëhequr me mjaft kompetencë, ka mbetë si një gurë i çmuar në arshivën e Radio Shkodrës.

   Por Sandri nuk ndalet në rrugën e tij brilante. “Esencë” është radio më e re në Shqipëri që i shtohet Shkodrës dhe që Sander Ruçi të gjitha paisjet elektronike i ka sjellur nga Amerika dhe ka vendosur të vijë ndryshe këtë herë tek publiku, me aromen puro shkodrane.

   Si president i kësaj Radio, Sandri e ka ideuar dhe realizuar mbi bazën e përvojës shumëvjeçare që ka fituar në SHBA, duke qenë zyrtarisht shtetas amerikan, kjo radio do jetë e hapur për larmi të pafund vlerash, ku humori është në krye të vëndit, me përjashtim të politikës që do ti mbyllet dera.

   Atmosferen e kësaj mbrëmje, Shkodra e përjetoi me shumë emocion, kur Sander Ruçi deklaroi kthimin e tij në Shkodër, i cili kishte kohë që përgatitej për t’i dhuruar qytetit të vet, artëdashësve të mrekullueshëm shkodranë këtë Radio, e para e këtij lloji dhe mund të themi pa ndrojtje që ishte një arritje në rradhë të parë personale, pasi ai është autori i shumë materialeve letrare, regjisor dhe aktor brilant që natyrisht inagurimi i kësaj Radio, do bëjë të mundur që Sandri përmes gërshetimit edhe disa projektimeve përmes kësaj Radio do të pasqyrojë fragmente dhe kuriozitete nga jeta e njerëzve të ndryshëm që janë kushtuar artit dhe skenës.

   Sandri si krijues që me karakterin e tij, zhdërvjellësinë, sigurinë aktoriale e mbi të gjitha talentin e tij ka një marrëdhënie komunikimi të habitshme dhe të pakrahasueshme me një tjetër, me publikun. Ai i bën për vete, i elektrizon dhe si të thuash, entuziazmon, e çon në këmbë edhe spektatorin më indiferent. Salla për aq orë e minuta që zgjat shfaqja, shpërthen me duartrokitje dhe ovacione të shoqëruara me të qeshura të çiltra, ku mund të shprehemi shkodrançe “Kam qesh me lot”.

   Me talentin e tij të fuqishëm si aktor, regjisor dhe menaxher ai përfaqësohet denjësisht para publikut artëdashës Shkodran, duke dëshmuar e rrezatuar fuqishëm mesazhin frymëzues për gjithë bashkatdhetarët e vet dhe për gjithë miqtë e dashamirësit tanë se sa talente të shkëlqyer ka nxjerrë dhe vijon të nxjerrë nga gjiri i vet, të formojë dhe edukojë kombi i talentuar shqiptar.

   Me këtë rast edhe ne i urojmë “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi suksese për për këtë risi të veçantë, dhuraten që i bëri Shkodrës, RADIO “ESENCË”, si një produkt i karrierës së tij artistike, duke e falenderuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh që tregon herë pas here për publikun e mrekullueshëm shkodran, duke dhuruar edhe humor brilant e bashkëkohor me nivel të lartë artistik. 

   Shtator 2023

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1469
  • 1470
  • 1471
  • 1472
  • 1473
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT