• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Platoni dhe ndikimi i filozofise lindore

January 31, 2023 by s p

Dr. Dorian Sevo/

“Platoni ashtu si të urtët e hindusë dhe Buda mësonte rilindjen, rimishërimin, të përtërirë gjithmonë nga shpirti i pavdkeshëm. Frymëzimi i urtisë do të vinte nga një kujtim i turbullt i asaj që shpirti e dinte më përpara. Është hamendësuar shpesh se Platoni ia detyron filozofisë indiane ose budiste teorinë e tij të metampsikozës.”(Edmund Jacoby 2006).

Një përqasje tjetër midis filozofisë lindore dhe asaj greke përsa i përket mitetve do i përmëndim më poshtë. Dihet që në lindjen e largët një ndër figurat më në zë, përveç Konfucit, është edhe Buda.

Ajo që na bën më shumë përshtypje në mendimin budist është se në të gjejmë mendime shumë të ngjashme me mendimtarët grekë të antikitetit. Në mendimin budist flitet për zjarrin, tokën, ujin e ajrin, si përbërës kryesor të botës, dhe rrjedhimisht të vetë njeriut, ku tek njeriu, bën pjesë edhe vetëdija, ndjenja dhe gjithëpërfshirja.

Zjarri, toka, uji dhe ajri në mendimin budist quhen “dharmas” të cilët rregullojnë jo vetëm botën fizike por edhe atë psikike. Në dallim me filozofët antikë, tek Buda, elementët nuk shiheshin si të ndarë, sepse ata nuk mund të jetonin pa njëri tjetrin.

Një ndër shembujt që jep Buda për ta ilustruar këtë gjë, është shembulli i ndërgjegjes njerëzore, e cila, për të, është e pa konceptueshme që të jetë pa trupin, pra e ndarë prej tij. Gjithashtu trupi nuk mund të jetojë pa tokën dhe pa ujin.

Pra, shohim që në mendimin budist, elementët janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin, sepse ata nuk mund të jenë të plotë po të jenë të ndarë.

Asnjë nga këta elementë nuk ëshët i përkryer, sepse përkryerja dhe plotëria janë pronë e Atmanit [shpirtit të botës].

Ajo çka është më interesante në këtë filozofi është ideja e saj e pambarimshmërishë.

Vdekja në budizëm trajtohet në një mënyrë shumë të veçantë.

Buda mendon se vdekja e njeriut nuk është një fund por një gjëndje ndërmjetëse në një varg të pandërprer rilindjesh.

Diçka shumë e ngjashme me këtë ide gjëndet edhe tek libri “Fedoni” i Platonit.

Në këtë vepër metafizike të Platonit tregohet se si shpirtrat e këqij futen tek disa kafshë të ulëta; ky fenomen njihet si [metampsikoza].

Mendohet se Platoni ka mësuar dhe ka përvetësuar prej budizmit, përshëmbull, ideja që përmëndëm më lartë, e [metampsikozës], e kalimit të shpirtrave nga një trup në një tjetër është shumë e ngjashme me atë budiste.

Gjithashtu jeta e jetuar në mënyrë të virtytshme dhe të drejtë, ëshë pjesë e të dy filozofive, si asaj platoniane dhe asaj budiste.

Ideja e vetëmjaftueshmërisë është gjithashtu një ngjashmëri midis këtyre dy filozofive; si, të qënit të përmbajtur, të mos lejuarit të vetes të joshesh nga pasionet të cilat mund të të kthejnë në një skllav të tyre. Të gjitha këto ide të kujtojnë mbretin filozof të Platonit. Buda shprehej, se nëse ne heqim dorë nga kjo botë, në kuptimin që, të mos e dëshirojmë aq shumë, aq sa jeta jonë të bëhet e pa ekuilibruar dhe më pas të na shqetësoj, sa të shndërrohet në një makth të vërtetë, njëlloj si ideja për vdekjen, duhet që të heqim dorë nga kjo botë, pra nga dëshirat tona të pafundme për gjërat e kësaj bote, dhe do të shohim që frika e vdekjes nuk do të jetë më. “Kjo gjëndje e “të mos duash më të zoterosh dhe të jetosh” është për Budën nirvana (fjalë për fjalë: shuarja), synimi më i lartë i të urtit.”(Edmund, Jacoby 2006).

Filozofia budiste na mëson se “Njerëzit, për arsye të pasioneve të tyre të çrregullta, ndihmojnë për këtë dhe vuajnë nga kjo. Buda mëson se urtësia qëndron te çlirimi nga këto pasione dhe nga shtrëngesat e jetës.”(Edmund, Jacoby 2006).

Ngjashmëritë e tjera midis filozofisë së lindjes, dhe asaj perëndimore, më saktë të greqisë së lashtë, ne i vëmë re edhe tek mitologjitë e tyre.

Për shëmbull; gjykimi i të vdekurve ashtu siç e paraqesin egjiptianët e paraqesin më vonë edhe grekët. Egjiptianët e lashtë kishin idenë e një bote ku zhvendoseshin më pas shpirtrat dhe aty gjykoheshin prej një zoti suprem, të njëjtën gjë e huazuan edhe grekët, por në rastin e grekërve, ky zot suprem, i cili gjykonte të vdekurit, quhej Had, dhe kishte një pamje krejt tjetër prej atyre të egjiptianëve.

Pra shohim që shumë më vonë se egjiptianët, grekët krijuan traditën sipas së cilës, të vdekurit duhej të jepnin llogari për veprimet e tyre.

Vumë re, se grekët kanë marrë mjaftë nga mendimi filozofik lindor, madje ata e pohonin edhe vetë që kanë qënë nxënësit më të mirë të lindorëve.

Në kohën e latinëve të antikitetit, ekzistone një shprehje që e pohonte hapur përthithjen e kulturës prej lindorëve “ex orient lux” që dotë thotë se “drita vjen nga orienti” pra nga lindja, në kuptimin që qytetërimi evropian vërtet është i lindur në Greqi por nuk duhet mohuar fakti se ky qytetërim grek në antikitet është ushqyer mjaftueshëm nga kultura orientale.

Lidhur me krijimin e botës, shumë kush prej nesh do shtronte pyetjen mijëra vjeçare. Sie e krijoi Zoti botën, prej materies që ekzistonte më parë apo nga hiçi? Pyetje kjo e shtruar gjërësisht që nga antikiteti e deri në të gjithë mesjetën. Për ti dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje etërit e kishës duhet t’i drejtoheshin filozofisë greke që kjo t’i ndihmonte për t’ua shpjeguar. Një filozof me ndikim mjaft të madh në këtë drejtim ka qënë edhe Platoni me idenë e tij të Demiurgut.

Demiurgu apo Zoti i Platonit paraqitet si një artizan i madh i botës i cili vë rregull në kaosin ekzistues. Por ne do të shohim që si tek Bibla ashtu edhe tek Mitet e lashta greke dhe tek filozofia e Platonit ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme lidhur me krijimin e botës. Tek Zanafilla 1: 1-5 që është një ndër librat e parë të pentateukut në Bibël, shkruar prej Moisiut, jepet se si u krijua bota; shkrim ky që daton 1500 vjet para lindjes së Krishtit. Aty shprehimisht thuhet: Tek Zanafilla 1: 1-5 “Në fillim Perëndia krijoi qiejtë dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujrave. Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita”! Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”, kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.”(Bibla. Zanafilla. ABS 2000).

Filed Under: Komente Tagged With: dorian sevo

Poezi nga Arjana Fetahu Gaba, Nju Xhersi

January 31, 2023 by s p

S’DO TË ZGJASË SHUMË, TË PREMTOJ

Diç të mundon e kërkon ta fshehësh,

Por, sytë disi të tradhëtojnë,

Ata përpëliten në lotët e nxehtë,

E s’mund të durojnë.

Në ke vështirë të më tregosh,

Dhe frikë nga një e qarë,

Unë të tregoj që pas një reje,

Gjithmonë ylberin e kam parë.

S’do të zgjasë shumë të premtoj,

As ky trishtim s’e ka të gjatë,

Të shohësh diellin kur lind si dritë,

Do të thotë vërtetë të jesh me fat.

Unë të tregoj që gjithmonë dimri,

S’ka vend të rrijë, ndaj nis e shkon,

Pranvera nis e fillon ca puthje,

Ku vetëm shpirti t’i kupton.

Pastaj flladet që shpërndan prilli,

Trupin ta kthejnë të lehtë në gjeth,

Plot trille i ka dhe përkëdheljet,

Sa gati gati të rrënqeth.

Unë të tregoj që asaj udhe të blertë,

Ka vetëm ëngjëj nëpër erë,

Ata rrinë fshehur midis trungjesh,

Por janë aty, me ty përherë.

Arjana Fetahu Gaba,

January, 2023

Nuk jam më si më parë,

Nuk jam më si më parë,

Kur t’kërkoja ku nuk ishe,

Nuk jam më si më parë,

Kur nuk dija që s’me kishe.

Nuk jam më si më parë,

Tani marr frymë për veten time,

Dikur humbur errësirash,

Dhe nuk shihja gabime.

Nuk jam më si më parë,

Kur mbytesha pa ty,

Kur vdisja e marrosur,

Për ata dy sy.

O Zot të falem me shpirt

Tash veten e kam gjetur,

S’do isha zgjuar kurrë,

Do t’isha shpirt i vdekur.

Arjana Fetahu Gaba,

January 2023

A ka, a s’ka perëndi?!

Ti moj qeveri pa anë,

As ke din as ke iman,

Plot me shpresë të brohoritëm ,

Sikur Zot ashtu të pritëm,

Me dy gishta sytë i qitëm.

Kishim mbetur të paparë,

Gjysma gjallë gjysma të vrarë,

Prap në krye vumë zuzarë.

Qetë të djallit ustallarë.

Kusarë përmbi kusarë.

Keni marrë ashtu më kot,

E na milni sikur lopë,

Badihava shitët këtë tokë,

Ne për ty bëmë gjoksin gropë,

Na dridhet buza nëpër lotë.

Ti moj qeveri pa anë,

As ke din as ke iman,

Këmbën ngjeshur na mban në fyt,

Nga zgavrat po na dalin sytë,

Dhe godet kush kokën nxjerr,

Plaga dhëmb sa shpirti therr.

Parlamentit rri gozhduar,

Gjuhën zbërthen si e tërbuar,

Me shtatë kokë e me shtatë duar,

Si kuçedra që rri zgjuar.

Dhe ne prap të dëshpëruar,

Mbetur si kandil i shuar.

Qaj nga “Shqipëria tjetër”,

S’vlej për ty as sa një letër,

Të gjithë ktyher nëpër mbretër,

Jam harruar si ka i vjetër,

Dru e plisa kam për shtretër.

Sa e vogël bëhet bota,

Kur të duhen të gjesh vota,

Më të pyetur ma gjen shtëpinë,

Më premton: “Të ngre çatinë”,

Dhe prap zhdukesh fundërrinë.

E, unë s’kam as forcë as zë,

Veshi fjalët nuk t’i nxë,

Më harron, gjithmonë më lë,

Fat këputur sikur pë,

Hallet ngjeshur një mbi një.

Gjithmonë kemi qenë të ndarë,

Ti je korbi hipur mbi trarë,

Unë purtek hedhur mbi zjarrë,

Poshtë më pret hapur një varrë,

Je një lum që më merr zvarrë.

Në shtëpizën pa çati,

Veç në mur një kryq i zi,

Bosh e nxira kusi,

Qan nën zë një fëmijë.

A ka, a s’ka perëndi?!

Filed Under: Kulture Tagged With: ARJANA FETAHU GABA

POEZI NGA OREST ÇIPA

January 31, 2023 by s p

Varr i hapur/

U harruam ndër vogëlsira të kota

Me nga një pllakëz tinzare në dorë

Fluturaket sy ja mbathin me trurin

E kufoma na ngjason me fallxhor

Pa trilla s’bëka dot njeriu

Gënjen e gënjehet lehtësisht

Me pak pudër e buzëkuq parisjan

Frymon në hapsiren e quajtur virtualisht

Për liri… Shumë u flijuan në shekuj

U burgosën, u kyçën me dryn

Sot nga kjo pllakëz tinzare e sheshtë

Jeta është varr i hapur që hyn !

Druaj/

Lëngoj në qësëndi !

S’bëzan gjë?!

Mbaj vesh, se:

“Dykanata e portës kërcet malluar

Sa herë e brambulloj në vena atë melodi

Druaj prej delikatesës tënde të brishtë

Dhe verbimit të arsyes kur fanepsesh ti”!

S’bëzan gjë?!

Shquaj…

Diç pashë, ja:

“Dalldisjen e iletit tim të brendshëm

Zërin që kanarinat e kishin zili

Më vjen e më ikën, humbas në vegime

Përhitem e futem si prushi nën hi”!

Druaj ,

Nga ethet e të ftohtit të vjetër…

Lëngoj në qësëndi!

Druaj e druaj si unë…

Nga meraku për ty !

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Çipa

PRISHTINA NDERON XHIM XHEMËN

January 31, 2023 by s p

Komuna e Prishtinës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për ndryshimin e emrit të rrugës A, duke emëruar atë me ermin e heroit Xhim Xhema. Në reagimin zyrtar të kryetarit të Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama thuhet: “Me 45 vota PËR, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kryeqytetit vendosi ta përjetësojë veprimtarinë e paepshme të zotit Xhim Xhema për çështjen kombëtare, duke ia vënë rrugës “A” emrin e këtij njeriu të madh.

E nderojmë përkushtimin e tij të palëkundur për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, duke ua sjellë ndihmën e krerëve të politikës amerikane popullit të Kosovës në kohët më të vështira” thuhet në reagimin zyrtar të kryetarit të Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama.

Filed Under: Politike Tagged With: Xhim Xhema

BURRË I MADHËRISHËM, TË PASHË ME ÇIZME TË ZEZA BALTE DHE THINJA SHENJTI…

January 31, 2023 by s p

PËR DR. LAZËR RADIN,

një ditë pas datëlindjes së tij

dhe 107 vitesh të tjera…

Mall për Ty… Ka 15 vjet që ke ikur, por prapë je, jo vetëm kujtesë dhe imazh, por dhe vepër dhe frymë…

Jo të gjithë mundin të të kujtojnë, edhe pse ishe mik i madh, as institucionalisht, megjithëse dhe vetë mbetesh një institucion, por edhe kanë frikë prej teje, megjithëse ishe tejet njerëzor, i urtë, at’ dhe kryefamiljar në atë kasollen tënde, në internim, se familjen nuk e bëjnë muret e pallatit, pasqylirat, pasuria, por dashuria dhe përkushtimi dhe dinjiteti…

Më shfaqesh në rrugët e Lushnjës, kur vije nga internimi për ndonjë punë, i heshtur dhe vetmitar, truplartë, me çizmet e zeza të baltës dhe thinja shenjti, vërtet monumental.

E dija që im atë të kishte mik, pastaj dhe unë, u miqësova me djemtë e tu, Ninin dhe Luçin, me dhëndrin, Dinen, kemi qenë bashkë në burg, flisnim dhe për ty, kur ti ishe liruar, por në internim gjithmonë, për dorëshkrimet e tua, esenë për Migjenin, që e kishe patur shok, kjo më mrekullonte atëhere, lexova dhe kujtimet e tua për vitet ‘30, sa shumë mësova e kuptova dhe ende nuk di gjë më informuese dhe më të bukur se libri yt. Të kam ardhur dhe në kasolle, në internim, ku përreth nuk kishte vetëm lehje qensh, por dhe spiunë, edhe në Tiranë, te ajo vilëz, ku u kthyet, edhe në Nju Jork u takuam, kur ti bridhje si djalë i ri, me Ervisin, nipin, ndoshta kujtoje vitet studentore në Romë. Atje studiove në Universitetin “La Sapienza”, shok me shkrimtaren Musine Kokalari, ajo studionte për letërsi e ti për jurisprudencë. Ti vije nga Prizreni, nga kryeqyteti historik i Bashkimit të shqiptarëve, erdhe në Tiranë, në kryeqytetin e ri, i ikët përndjekjes serbe, shkove në Shkodër, kryeqytet shpirtëror, u njohe me Profesor Ernest Koliqin, me Prof. Mirash Ivanaj, me të parin do të ishit bashkë në Romë, me të dytin dhe në burg, u shquajte dhe si gazetar dhe u doktorove në Kryeqytetin e Përjetshëm, siç e quajnë Romën dhe do të shkruaja për ty që ishit njeriu i kryeqyteteve, një metaforë kjo, për të treguar klasin tënd. U ktheve në Atdhe, të shërbeje, por fitimtarët, që mbas Luftës II Botërore dhe deri sa ra perandoria komuniste, një gjysmë shekulli të mbyllën si kundërshtar burgjeve dhe internineve. Edhe andej shkruaje, poezi, studime, përktheje… Dhe kanë frikë ende nga ty, edhe tani që s’je, edhe ata që s’janë dhe bënë diktaturën, që s’i dënoi e ardhmja, askush s’mbajti përgjegjësi, s’kërkuan falje dhe pasuesit e tyre, sundimtarë të rinj, politikanë, deputetë, akademikë, kritizerë, poetë, etj, kanë ndërruar maskat, veturat, vendet, mbase dhe sjelljet, por jo mendësinë dhe qendrimet, as strategjinë e harresës dhe të kujtesës së tyre…

Prandaj dhe Lazër Radi duhej të lihej, ja ashtu si dikur, në terrin e burgjeve dhe në braktisjet internimeve. Sidomos vepra e tij. Vuajtjen edhe mund t’ia nderojnë, edhe mund ta kenë dekoruar, atë a bashkëvuajtës të tij, aq më mirë pas vdekjes, thonë ata, por veprën jo, librat, poezinë, nuk ia durojnë dot, ka shkruar në burg, në internim, ku nuk lejohej dhe letërsia ishte e shtetit, i shërbente sundimtarëve ashtu siç i shërbyen ata dhe e kanë të pamundur shkëputjen si shkëputje nga vetja. Nuk e përballojnë dot, janë mësuar me poshtërimin e tyre fatlum e nuk besojnë gjë tjetër. Poetët janë të emëruar njëherë, hierarkia s’mund të prishet. Kjo është çështja…

e tyre. Se librat e tu, gjithë ajo letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet janë pasuri kombëtare, kulture e përbashkët…

Lazër i dashur,

fola gjatë dhe nuk s’t’u drejtova me “Ju” si dikur, kur ishit mes nesh, as Zotni Lazër, sepse tani je shpirt dhe frymë dhe frymëzim. Je shkrirë në ne…

Lejomë të kujtoj dhe humorin Tuaj, shakatë dhe po e mbyll bisedën me një të tillë, se mërzia është kudo, e di. Kam lexuar një tregim të tanishëm për një zoti Shyti, gjithollog si atëhere dhe tani, që befas i vjen një ide dhe bën propozimin e çuditshëm, që në letërsi të mos jepen vetëm çmime për veprat, por dhe përçmime, Përçmimi I, II, III.

Dhe e di çfarë mendova, e pse të mos jepen çmime dhe për vepra letrare që nuk janë bërë e nuk do të bëhen kurrë? Janë më të mirëprituarat dhe më të lavdêruarat sot, për të mos patur shqetësime e ngatërresa, sidomos me të kaluarën, se atë s’dimë ta bëjmë, thoshte Orwelli, se të ardhmen po, disa e kanë dhe të sigurtë.

Eh, buzëqeshin dhe ata që s’janë më këtu…

Tani më lejo të vë disa fotografi tuajat në fb, s’kam marrë leje kurrkund, po kështu bëhet tani, merren prona, ide, emocione poezie, gjetje të tuat në roman, se u duket se u takojnë gjithmonë atyre, tjetërkujt, sa më i dikurshëm, përkthime, psh, ato që keni bërë në burg ju me shokë, kanë dalë me emra të tjerë, etj, etj.

Fotografitë nuk ma hoqën mallin, por ma shtuan, jeni Ju i ri në Romë, me shoqe, shokë, pastaj burrë me thinja, familjar, me Zonjën Tuaj, asgjë s’thashë për të, por dhe ajo ka qenë në burg e qëndroi e ju ndejti pranë, besnike dhe e fortë, perëndesha e familjes, jeni ju me djemtë e rritur, shoh rrudhat në fytyrë – sa të mira, si llogore, ku u fute ti, për të ruajtur veten, se të tjerët ishin nëpër istikame kundër të tjerëve, po sa më pëlqen fotografia e Prizrenit, ku jeni fëmijë me prindërit, është historike, zaten çdo gjë juaja e tillë është, vura dhe foton që bëmë në shtëpinë tuaj, mes nesh është albanalogu i mrekullueshëm Robert Elsie dhe unë jam me Edën time, ja, dhe librat, i pari Juaji me Jozefin, at’ e bir bashkautorë, parathënien e shkruajta unë, pastaj librat e tjerë, sa ka punuar Jozefi për korpusin e veprës Tuaj, vërtet është si një ringjallje, ndërkaq kam vënë dhe një roman timin, do ma pranoni, besoj, “Në kohën e britmës”, ku jeni personazh, përgjysmë se gjysma tjetër është im atë dhe kam ato poezi që ju kushtohen…

Përzemërsisht,

V

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lazer Radi, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1859
  • 1860
  • 1861
  • 1862
  • 1863
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT