• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…

January 28, 2023 by s p

Sokol Paja/

Qëllon shpesh në bisedat e përditshme me miq e të njohur se si dëshirë e fundit e shumë bashkatdhetarëve është: të vdes në Shqipëri, trupin ma dërgoni në Shqipëri apo e kish lënë amanet që ta varrosnin në Shqipëri etj. Të ikur prej vitesh, mërgimtarët dëshirojnë të pushojnë aty ku sot po ikin të gjithë. Atdheu sot ngjan me një arratisje, me një vetmi, me një harrim, me një mërzi. Duket sikur po shkohet drejt një vetmie masive: Paqja e vetmisë së përjetshme. Fraza tragjike përmbledh dramën e kombit tonë: shpopullimin, ikjet, largimet, harresën, moskthimet. Kohë e dhimbshme. Kohë e tmerrshme. Kohë ikjesh. Kohë vetmie. Kohë dramash. Kohë tragjedie. Të gjithë ia kthyem shpinën Atdheut. Ca e harruan, ca mërguan, ca ikën, ca shkuan dhe sot ca zuzar me Atdheun bëjnë pazar. Toka ku “balta është më e ëmbël se mjalta” na ndjek si mall, si dëshirë, si vëgim, si amanet, si paqe, si dhimbje, si dramë, si përjetësi, si jetë, si vdekje. Atdheu sot shihet veç vend i dëshirës për të vdekur. Ne ikëm të gjithë, Atdheun e vramë, vendin tonë të bekuar, vetëm e lamë. Ikjet dihen gjithmonë, kthimet asnjëherë. Pa ne, Atdheu ka veç dimër e kurrë pranverë. Atdheu sot nuk na do të vdekur por të gjallë. Dhe pse të shkojmë rrallë, mjafton të shkojmë, të shuajmë një dhimbje, një lot, një mall. Të puthim një gur, një copë tokë, të ndërtojmë një urë, të thajmë një lot. Atdheu do ta vizitosh, të investosh, të marrësh pjesë, ti qash një hall, ti shërosh një plagë, të kontribuosh e kurrë mos ta harrosh. Atdheu është dashuri pa kushte, është sakrificë sublime, është palcë e kockave tona në mërgim. Shqipëria është e bekuar dhe bijtë e saj janë si bij drite. Atdhe, kurrë ske për t’u shuar, falë dhe bijëve që ti rrite.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

KAFE ME ISMAIL KADARENË

January 28, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Me rastin e 87 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë.

(Pjesë nga libri KAFE ME MJESHTRIN: Me Ismail Kadarenë dhe mëkatet e një kombi, nga Dr. Bledar Kurti, 2019, Botime ONUFRI)

Unë pashë një transformim ngjyre në mimikën e tij. Ishte si një afresk i fshehur nën vel i cili shfaqej befasisht përpara syve të shikuesve. Përpara meje u shpalos një njeri i ngrohtë që dëshironte të fliste e të ndante mendime dhe përvoja për jetën, për letërsinë, për të shkuarën, për Evropën, për historinë, për Shqipërinë dhe tematika të improvizuara nga rrjedha e ndërgjegjes dhe tornimet e bisedës. Për tri orët në vazhdim unë e dëgjova mallëngjyeshëm dhe tërësisht i gjallëruar. Ajo kafe me mjeshtrin ishte takimi më shpengues i jetës sime.

Ky vend ka mëkatuar shumë kundër meje. Ka mëkatuar shumë edhe kundër teje, edhe kundër prindërve e stërgjyshërve tanë. Ne e quajmë ATdhe dhe MËMËdhe, pra at dhe mëmë. Por ky vend na quan kopilë, fëmijë të paligjshëm, bastardë të kohëve moderne, të padëshiruar në djepat e tij që prej shekujsh qëndrojnë bosh. Me miliona shqiptarë janë syrgjynosur me hir e me pahir nëpër botë. Por një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë. Disa ia dolën të afirmohen e disa jo. Nuk ka asnjë rëndësi. E vërteta është që të gjithë ne lexuam, ëndërruam, pamë një univers tjetër në çdo faqe të librave të Ismail Kadaresë, edhe në momentet dhe kapitujt më të errët të historisë së këtij vendi, si komuniste ashtu edhe postkomuniste. Lexuam Pallati i ëndrrave dhe kuptuam që në momentet kur e liga të censuron edhe ëndrrat, gjëja më e keqe që mund të bëjë një njeri është të bëjë asgjë.

Kadareja e përshkroi atë institucion varrmihës të ëndrrave në ditët e tij më të forta. Një akt guximi që frymëzoi dhe u manifestua më pas edhe në shkrimet e shumë shkrimtarëve të tjerë. Kur ne ishim më lindorë në mendim sesa më lindorët gjeografikisht, Kadareja të yshtte me një refleks Perëndimi. Të gjitha personazhet e penës së tij janë civilë e sharmantë, të hirshëm, tërheqës, disi të ftohtë e të përmbajtur, aspak ballkanikë e provincialë, por gjithnjë plot kulturë e intelekt. Të gjithë shkrimtarët e tjerë ranë pre e barazisë së klasave dhe e provincializmit. Komunizmi i ngrinte mendjen karrocierit se ishte filozof dhe bujkut se ishte poet, pa kuptuar këta të shkretë se kjo dredhi nuk bëhej për t’i ngritur vlerat e tyre, por për të ulur vlerat e filozofëve, poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë. Por Kadareja arrinte gjithmonë të kapërcente gravitetet e censurës dhe sterrosjen e regjimit, duke krijuar personazhe dhe koncepte të mëdha që vetëm sa nxirrnin zbuluar injorancën dhe privimin e talentit tek ata që u bënin recensione veprave të tij, që e denonconin atë apo që mundoheshin t’ia ndalonin botimet.

Në pikun e marrëzisë, Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës. Ndaj edhe në mënyrë të përvitshme ai shpallet kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi.

Pas viteve ’90 shumë lexues apo kritikë prisnin që Kadareja të shkëputej nga tematika e komunizmit apo e personazheve të atij regjimi dhe të shkruante për koncepte dhe subjekte plotësisht universale, me të cilat mund të identifikohet çdo lexues anembanë botës. Edhe unë isha ndër këta lexues dhe kritikë që prisja nga mjeshtri të bënte një kalim konceptual në tematikën e shkrimeve të tij dhe u gëzova kur libri i tij Aksidenti ishte shumë ndjellës dhe i mbushur me eros. Por, më pas arrita të kuptoj që kishte një qëllim të caktuar, një providencë historike dhe letrare që Kadareja të jetonte e të shkruante gjatë periudhës më të errët të këtij vendi. Misioni i tij ishte dhe mbetet t’i tregojë mbarë botës historinë e disa brezave që jetuan nën marrëzi. Njëri brez tashmë është shuar. Edhe brezi im, i fundit i asaj marrëzie, po shuhet. Të rinjtë e sotëm qeshin dhe habiten me përjetimet tona. Studentët e mi gjithmonë komentojnë që “po, më ka thënë babi”, sa herë që diskutohet në auditor të universitetit ajo periudhë. Të huajt nuk arrijnë ta imagjinojnë makthin gjysmëshekullor që na burgosi shpresat dhe ëndrrat. Pena e Kadaresë u tregon lexuesve në mbarë botën se ky vend i vogël ishte djepi i marrëzisë së madhe dhe se në këtë ferr, edhe pse symbyllazi, shqiptarët arrinin të ndienin shkëlqimin e dritës që cekte fytyrat e tyre. Dhe se ishte ajo prekje drite që i udhëhoqi në terrin e atyre mijëra netëve.

Pena e Kadaresë ka më se dy dekada që është e lirë, gjithsesi ai ka vazhduar të shkruajë për kohërat e robërisë krijuese. Jo sepse nuk dinte ndryshe, përkundrazi, por ky është misioni i tij si levit i tebernakullit të fjalës. Ky është misioni që vetë arti i ka diktuar.

“Dje më ndaloi në rrugë një vajzë e re dhe më tha se ishte e lumtur pasi e kishte ëndërr të më takonte”, – tha mjeshtri dhe ktheu një hurbë kafe. – “Nuk e kuptoj përse njerëzit kanë një tërheqje të tillë ndaj shkrimtarëve. E kuptoj përse joshen nga muzikantët dhe aktorët, por nuk e kuptoj përse kanë ëndërr të takojnë një shkrimtar plak si unë. Më vjen çudi. Ndoshta është fjala. Ajo u duket njerëzve mistike dhe ata intrigohen prej saj”.

Unë nuk bëra asnjë koment. Dita po ngrohej nga pak dhe ai kishte në mollëza atë kuqëlim që lidhej natyrshëm me letërsinë… Kisha shumë për të thënë e për të kuvenduar, por zgjodha të flas pak e të dëgjoja me shumë vëmendje rrëfenjat dhe komentet e gjata të cilat ai i shoqëronte me lëvizje duarsh e hera-herës me nerv.

Mjeshtri ndihej komod e i lehtësuar në prezencën time dhe po e shijonte bisedën me mua. Dukej qartë që dëshironte shumë të fliste për bukuritë dhe shëmtitë e botës, mbi pasionet dhe fajet e saj. Dhe unë e dëgjova me shumë kënaqësi, sikur të isha një dishepull i cili më vonë do të shkruante një ungjill.

M’u kujtuaPallati i ëndrrave. Ajo vepër ishte shuplaka më e madhe ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ajo frymëzoi shumë intelektualë të kohës dhe u la të kuptojnë që vetëm peshku i ngordhur shkon me rrjedhën. Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur. Nën atë marrëzi nuk kishte rregulla. Nuk kishte një udhëzues apo protokoll që duhej të ndiqej sesi të mbeteshe i papërlyer nën diktaturën më të ashpër të Evropës. E vetmja gjë që udhëhiqte mendjen, zemrën dhe vullnetin, ishte instinkti i mbijetesës. Megjithatë, kërkohej vetëm një akt shpagimi për të ecur kryelartë e pa turp drejt së ardhmes. Ashtu si keqbërësi i kryqëzuar në krah të Krishtit u shpëtua vetëm me një akt të vetëm kur tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”, ashtu edhe disa shkrimtarë shqiptarë u shpaguan përpara historisë dhe së ardhmes përmes penës së tyre. Ata të tjerët që nuk e morën këtë guxim, sidomos ata që ende jetojnë dhe krijojnë edhe sot, duhet të jenë modestë në kujtimet e tyre dhe për asnjë moment nuk duhet të shiten për atë çfarë nuk kanë qenë kurrë: levitë të fjalës dhe lirisë.

Me Pallati i ëndrrave i vitit 1981, kur Përbindëshi ishte edhe më i rrjedhur dhe paranojak sesa më parë, pena e Kadaresë i dha dy sinjale të fuqishme atij regjimi: që nuk jeni të paprekshëm dhe se edhe kur prekeni, jeni aq injorantë e të trashë, saqë nuk arrini ta kuptoni talljen e një shkrimtari me ju. Shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë përfunduan burgjeve dhe u vranë me pushkatim apo nën torturat më çnjerëzore, derisa erdhi fundi i një marrëzie dhe fillimi i një tjetre.

“Ai mjekërbardhi e ka fajin, Bledar, ai mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe ktheu kafenë me fund. – “Ai, ai. Prej tij e trashëguam atë tragjedi”. Unë tunda kokën në shenjë pohimi dhe vura në punë motorët e intelektit se për kë e kishte fjalën. “Ai mjekërbardhi, me Manifesti komunist dhe DasCapital-in e tij. Ai, KarlMarksi, ishte shkaktari i gjithë asaj marrëzie. Bashkë me atë sifilistin tjetër. Me Leninin. Me atë sifilist të shëmtuar. Vdiq i verdhë dhe i shpërfytyruar. Ishte e ndaluar të komentohej për shëndetin e tij. Kushdo që do të fliste, do të vritej, ndaj u tha se vdiq nga një paralizë. Por e vërteta është se vdiq nga sifilizi. Sifilizi që zuri nga një prostitutë. I shëmtuar i gjallë, më i shëmtuar i vdekur, ai verdhacak i shpërfytyruar, bashkë me atë mjekërbardhin lindën përbindësha që vranë artistët. I vranë. I vranë në rrugët e Kinës, i mbytën në puse në Rusi, i burgosën dhe i pushkatuan në Shqipëri. I vranë shkrimtarët. Ai mjekërbardhi e ka fajin. Ai bashkë me atë sifilistin. A e mban mend? Sa vjet ke jetuar nën atë marrëzi?” Vura re që buzët i ishin tharë nga neveria dhe vreri që sapo kishte nxjerrë nga goja, por që e dija që buronin nga kthina më të thella të shpirtit dhe të kujtesës.

Sigurisht që e mbaja mend. Si mund të harroja vitet pa ushqim mbi tavolinë, pa rroba për të veshur, pa lodra për të luajtur. Sigurisht që i mbaja mend gozhdët në këpucët e shqyera tre numra më të mëdha (që t’i përdorja për shumë vjet), të cilat më gjakosnin këmbët çdo ditë. Më kujtohej fare mirë qumështi që pija një herë në vit, pasi mbaja radhën që në dy të mëngjesit për një shishe të vetme njëlitërshe. Më kujtohet edhe histeria e një kombi të tërë për të vajtuar vdekjen e Përbindëshit. Mbaja mend se si na detyruan në klasë që të qanim me dënesë dhe se si mësueset garonin se cila e ngrinte më lart zërin e vajit dhe derdhte më shumë nga lotët e dhimbjes për humbjen e diktatorit. Këto kujtime kanë qenë gjithmonë reale për mua. Një fëmijë mund të jetojë me pak bukë të fortë e çaj mali të zier, siç jetova unë dhe të gjithë shokët e mi, mund të veshë një palë pantallona të arnuara që nga klasa e tretë deri në të tetën, por një fëmijë nuk mund të privohet nga ngjyrat. Komunizmi na privoi nga ngjyrat. E gjithë Shqipëria ishte vetëm gri dhe e zezë. Ngjyrat e purgatorit dhe të ferrit. Çdo imazh e fasadë ishte e shpëlarë dhe e pangjyrë, duke stimuluar një gjendje kome kombëtare. Ferri ishte i vërtetë. Ferri ishte këtu.

I vetmi ushqim që kishim me ngjyrat ishte përmes librave të artit. Por këta ishin luks që vetëm mund t’i ëndërronim. Edhe kur i kërkoja ndonjë të afërmi që punonte në marinën tregtare të më sillte ndonjë libër arti, në kthim oficerët e kufirit në port inspektonin me imtësi dhe konfiskonin të gjithë ata libra që kishin piktura nudo, ose i lejonin marinarit të zgjidhte vetëm një faqe dhe pastaj librin e hidhnin në det apo e ruanin për vete për t’u masturbuar në darkë me ato kryeveprat që ishin më ndjellëse. Ky ishte koleksioni im i parë i artit. Faqe të zhubrosura të grisura nga librat. Në një komodinë pranë krevatit tim kisha Mona Lisën në një faqe me cepa të grisur, në një tjetër Davidin e Michelangelo-s të grisur në mes dhe në një tjetër Rojet e natës të Rembrandt-it me figurat anësore që mungonin nga tabloja. Ato ishin ngjyrat e mia të para në mes të atij terri që kishin pjellë ai mjekërbardhi dhe sifilisti, siç i quante mjeshtri.

“Ka ende mbetje të atij regjimi. Ndaj edhe po pengohemi të shkojmë drejt Evropës. Nuk e duan integrimin e Shqipërisë. Duan ta çojnë deri në fund misionin e tyre. Ta mbajnë nën kthetra këtë vend. Ta mbajnë ende të burgosur”, – shtoi mjeshtri me inat. 

Gjatë këtyre dy dekadave postkomuniste të gjithë shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që porta drejt Evropës nuk është kyçur nga jashtë, por nga brenda. Me çelësat varur në ushkurët e brekusheve të pushtetarëve tanë provincialë, apo cilësdo relikte të atij regjimi që prodhoi mjekërbardhi, shqiptarët vazhdojnë t’i shtyjnë ditët e tyre nën realitetin e dhimbshëm të mbijetesës dhe me Evropën shpëtimtare vetëm si një ëndërr.

Evropa është një zonjë sharmante e cila pranon në shtrat si kontin ashtu edhe mullixhiun, por kurrsesi jo varrmihësit e shpresës. Dhe ne kemi shumë të tillë.

Nuk mund të fitohet liria me gardianë ëndrrash. Nëse mbetemi ende nën vargonjtë e pjellës së mjekërbardhit, një agim të ri shqiptarët do të zgjohen dhe do të kuptojnë që kanë mbetur pa atdhe, pa fe, pa emër, pa histori, pa kujtesë dhe pa shpresë. Shtëpitë e tyre do të jenë shndërruar në kurvëtore, ndërsa bijtë dhe bijat në kodoshë e lavire Babilonie. Në atë agim zgjimi, bastardëve dhe tradhtarëve të sotëm do t’u jenë ngritur monumente heronjsh, ndërsa heronjtë e vërtetë do të jenë tredhur si eunukë oborresh të lashta. Shqiptarët do të vajtojnë dhe do të mbulojnë kokën me dhé, ngaqë ajo profeci e së ardhmes u përmbush vetëm sepse ata sot mbetën duarkryq, vetëm sepse sot, në ditët e përhumbjes dhe ofshamës së madhe, ata zgjodhën të bëjnë asgjë për t’u spastruar nga demonët e së shkuarës.

Ndaj Pallati i ëndrrave është po aq i rëndësishëm sot sa edhe në atë kohë. Ndoshta në një kontekst tjetër, por absolutisht duhet të shërbejë si shtysë që çdo penë, artist, politikan e mendimtar të kryejë një akt shpagimi.

“Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri Kadare. – “Ai Marksi, mjekërbardhi. Ai e ka fajin. Bashkë me Leninin, me atë sifilistin e shëmtuar”. Më shumë se njëqind milionë viktima sollën idetë gijotinë të mjekërbardhit dhe dyqind shkrimtarë shqiptarë, dyqind levitë të fjalës u pushkatuan, u varën, u burgosën dhe u torturuan me mënyrat më çnjerëzore. “Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe me zemëratë i përmendte emrin.

“Nga një tragjedi e madhe lind një risi”, – vazhdoi mjeshtri pasi shfryu për një kohë të gjatë me neveri ndaj atyre dy varrmihësve të historisë. – “Nga lufta e Trojës, grekët krijuan teatrin. Të penduar nga masakrat në Trojë, grekët zgjodhën të vajtojnë përmes zhanrit të tragjedisë. Nga turpi që u erdhi nga mizoria e asaj lufte, ata e kërkuan shpagimin përmes artit”.

Në atë moment mendova se mjeshtri po gabohej, pasi historinë e teatrit e njihja mirë dhe e dija që kishte nisur përpara grekëve. Më pëlqeu shumë spekulimi historik që sapo kishte bërë dhe ishte një shembull jashtëzakonisht i bukur dhe i improvizuar më së miri për të ilustruar periudhën postkomuniste në Shqipëri. Por mjeshtri gabohej. Mendova ta ndërprisja dhe t’i shpjegoja se nuk ishte ashtu historia e teatrit, por zgjodha të shijoja rrjedhën e mendimeve dhe atë të ndërgjegjes së mjeshtrit. Teksa e dëgjoja me vëmendje shtjellimin e detajuar që i bënte atij koncepti, nisa t’i jap të drejtë, pasi pavarësisht se performancat e para dramatike nisën në Afrikën Veriore dhe më vonë përgjatë lumit Nil në Egjiptin e lashtë, që nga viti 3300 para Krishtit, ato ishin shfaqje publike fisnore ose ceremoni ritualesh dhe tregimesh, jo teatër i mirëfilltë. Mjeshtri nuk po fliste për shamanë që argëtonin apo terrorizonin spektatorët me magji dhe vdekje. Ai po fliste për teatrin modern që njohim sot dhe zhanrin e tragjedisë e cila bazohej mbi impaktin universal njerëzor. Tragjedia bazohet mbi hamartia – ndjenjë faji apo mëkati. Aristoteli e ilustronte tragjedinë si vetëzbulimi i protagonistit dhe manipulimi i audiencës në ndjenja mëshire dhe terrori, të cilat zgjidhen vetëm përmes katarsisit, ose spastrimit, të emocioneve të reja që lindin pas një ngjarjeje.

Grekët e zgjidhën fajin dhe mëkatin e tyre përmes teatrit. Po shqiptarët si e zgjidhën? Po ata persekutorë e pinjollë të atij regjimi si e zgjidhën? Po shoqëria jonë si u spastrua? A pati katarsis kur komunizmi dha shpirt? Këtë pyeste mjeshtri Kadare përmes analogjisë së teatrit grek dhe postkomunizmit shqiptar. Në fakt, kjo ishte analogjia më e saktë dhe më e gjetur që kisha dëgjuar ndonjëherë, pasi kurrë nuk u bë një autopsi apo analizë post mortum për atë marrëzi gjysmëshekullore.

Ne jemi një racë e veçantë që s’mund të kuptohemi veç mes veti. Por jemi kaq të paktë, saqë në rrokullimën e zezë të botës, mes së cilës vërtiten shpirtrat njerëzorë, rrallë, shumë rrallë, një herë në një mijë, ndoshta dhjetë mijë vjet, mund të na qëllojë të ndeshemi me ndokënd të gjindjes sonë, -shkruan ai te Pasardhësi, ku i referohet enigmës më të madhe në historinë e Shqipërisë komuniste: vdekjes misterioze të pasardhësit të diktatorit komunist. Por, përtej asaj ngjarjeje, këto fjalë janë edhe dëshmi për ferrin që shqiptarët vazhduan të përjetonin edhe pas periudhës diktatoriale, duke shtuar flakët për pjekjen e njëri-tjetrit, duke shtuar squfurin për djegien e njëri-tjetrit, duke baltosur edhe më shumë për shfarosjen e njëri-tjetrit, duke krijuar vetë ferrin për njëri-tjetrin.

Atë mëngjes, përpara se të takohesha në kafe me Ismail Kadarenë, më ndodhi që të dëgjoja dy burra tek të gjashtëdhjetat që e përshëndetën kështu njëri-tjetrin në rrugë: “Gjallë qenke ti? Po vdis o dreq që të hamë ndonjë copë hallvë.” “Hallvën do e ha unë i pari, – iu përgjigj tjetri, – se s’ke për ta pasur shumë të gjatë, o rrotë”.

Ndaj edhe ai takim me mjeshtrin ishte i rëndësishëm për mua, pasi vetëm përmes tij mund t’i falja mëkatet e këtij kombi. Vetëm prej tij ky vend mund të shpagohej ndaj meje, ndaj teje, ndaj prindërve tanë dhe cilitdo që i përket vëllazërisë së pajtuesve dhe jo kësaj mbrezhde periferike ku njerëzit përshëndeten me mort që në të gdhirë.

Teksa mjeshtri shfrynte me pendesë për kohët e marrëzisë së madhe, pa kuptuar m’u duk sikur po shihja në pasqyrë vetëm fragmente të trupit tim dhe pas vetes ndieja mëkate të pafundme të një kombi. Mjeshtri ishte një pasqyrë tek e cila shikoja të shkuarën dhe të ardhmen, veten dhe kombin tim, mbi të gjitha, fajin dhe turpin tonë të përbashkët.

Isha në faj që i përkisja vendit të DonKishotëve dhe SançoPançove; në faj që njerëzve pa talent, dhunti, virtuozitet dhe shije, politika e këtij vendi u ka dhënë zë dhe pozicione drejtuese, si barinj të këqij që e drejtojnë vendin drejt humnerës; në faj që i kishim shpallur luftë Perëndisë; në faj që kishim ende kafaze e vargonj në mendjen dhe idetë tona. M’u kujtua Viola dhe faji i atyre djemve të vegjël në tregimin e tij Koha e dashurisë, të cilët edhe deri vonë në jetë nuk u spastruan dot nga faji i aktit mishtor nën fustanin e Violës. Mbi të gjitha, në faj nga vetja që e kisha kuptuar me shumë e shumë vonesë, në fakt, vetëm në atë kafe me mjeshtrin, që të gjitha veprat e tij kishin qenë një përshkrim se si i gjithë ky komb kishte “futur duart” në trupin e njëri-tjetrit dhe jo vetëm kaq, por i kishin ngritur ato më lart dhe i kishin mbërthyer në fyt, për të mbytur njëri-tjetrin, si gjatë asaj periudhe gjysmë shekullore e deri më sot.

Filed Under: LETERSI Tagged With: bledar kurti

Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime

January 27, 2023 by s p

Organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në Prishtinë u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë – Kroaci, forumi i parë ekonomik i organizuar për këtë vit në Prishtinë.

Jemi dy vende të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, politikisht, historikisht, por edhe gjeografikisht. Ka ardhur koha që të forcojmë po ashtu edhe lidhjet tona ekonomike, tha Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të forumit.

Kryeministri Kurti tha se bazuar në trendet e shkëmbimeve tona tregtare gjatë viteve të fundit, jemi në rrugën e duhur për të forcuar edhe më tej edhe lidhjet tona ekonomike.

Kosova paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për Investime të Huaja Direkte apo për “Business Process Outsorcing and nearshoring” për të gjithë ju, si një destinacion serioz dhe i qëndrueshëm, tha ai.

Kryeministri theksoi se kemi qëndrueshmëri në aspektin fiskal, se Qeveria jonë ndjek një politikë fiskale që shikon përpara dhe se barra e përgjithshme tatimore është ndër më konkurrueset në Evropë.

Në vitin 2022 investimet e huaja direkte në vendin tonë janë rritur për 44%, ndërsa eksportet janë rritur për 23%, e të hyrat tatimore janë rritur për 22%, tha më tej ai.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës po zgjeron në mënyrë të qëndrueshme infrastrukturën dhe se po planifikojmë më shumë se 80 projekte publike mjedisore dhe infrastrukturore, me vlerë prej më shumë se 3 miliardë euro.

Kosova është një vend i ri dhe dinamik, plot gjallëri, me popullsi të re, e cila është mbase më e reja në Evropë, ku diku 2/3 janë më pak se sa 35 vjeç, ndërkaq mosha mesatare është 31 vjeç. Të rinjtë tanë kanë  shkathtësi si në teknologji, po ashtu edhe në profesione të tjera, teksa flasin rrjedhshëm gjuhën angleze, dhe shumë prej tyre edhe atë gjermane e kroate, tha Kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për rolin aktiv të Kroacisë në mbështetje të Kosovës, në plotësimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Kroacinë e shohim si një prej aleatëve e partnerëve më të besueshëm, dhe shpresojmë, një prej miqve tanë të cilët do të jenë të tillë edhe në fushën e ekonomisë, për një ekonomi më të fortë edhe në Kosovë edhe në Kroaci, për një të ardhme që sjell përfitime reciproke për qytetarët e dy vendeve tona, tha Kryeministri Kurti në përmbyllje.

Filed Under: Komente

PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE

January 27, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Jam socialist, jam familje dëshmori- këmbëngul një shoku im socialist. -Çfardo që të ndodh unë jam i majtë. Familja ime ka derdhur gjak për këtë vend, prandaj mirë, keq jam me Partinë Socialiste. Nuk e kupton njeriu i indoktrinuar se partitë shkojnë e vijnë e Atdheu mbetet. Një pensionist/e  pas tridhjetë vitesh demokraci deklaron para kamerave televizive dhe miljona shqiptarëve: Pensioni nuk më del as për të ngrënë bukë, dhe e kaloj si mos më keq muajin. Por unë socialist do jem deri në vdekje. As ky nuk kupton se partia nuk është atdheu e që partitë  në Shqipëri kanë qenë e janë pronë private e kryetarit. Kjo bindje e verbër nuk ka të bëj  fare me ndonjë program politik, ekonomik, kulturor, të përparuar, nuk ka të bëjë, me zhvillimin dhe mirëqënien e popullit, as me forcimin në përgjithësi të atdheut e kombit. Djem e vajza të reja, që u rreshtuan në brigadat partizane i bashkoi urrejtja kundër pushtuesit me pjesën më të përparuar të njerëzimit, kundër fashizmit e nazizmit. Vështirë që ata djem e vajza, që u vranë në luftë të dinin ç’ishte komunizmi, doktrina e Marksit, diktatura e proletariatit, revolucioni proletar dhe ylli me pesë cepa i Leninit dhe Stalinit. Ata nuk ranë dëshmorë, që në Shqipëri të vendosej diktatura e proletariatit e Shqipëria të katandisej vendi më i varfër në Europë. Diktatura ngriti kultin e partisë dhe udhëheqësit të gjithëditur e të pavdekshëm, ngriti e kultivoi një art, kulturë, moral e edukatë ndryshe nga ajo tradicionalja, që i kishte rezistuar kulturës së pushtuesve, duke ruajtur gjithçka që kishte të bënte me atdheun e identitetin kombëtar. Një ushtri e tërë njerëzish e ashtuquajtur elitë, shkrimtarë, poetë, artistë, dramaturgë, kineastë ekonomistë filozofë, inxhinierë me në krye sekretarët që pillte me shumicë Shkolla e Lartë e Partisë, u vunë në shërbim të përjetësimit të rregjimit komunist. Ata bombardonin e tridhnin trutë e shqiptarëve në kopshte, shkolla, universitete, qendra pune, këshilla lagjesh e lloj lloj organizatash të përbëra nga oficerë të liruar, spiunë, njerëz përversë e langaraqë të çdo kallëpi. E di Partia, E di udhëheqja, E di i Madhi fare. Shumë nga ata që dolën malit për çlirimin e atdheut u bënë kurban nga vet partia, kur kundërshtuan politikat e saj të terrorit e kolektivizimit komunist. Të tjerë u detyruan të ulnin  kokën ose të ktheheshin nga çlirimtarë në kriminelë për të ruajtur sundimin e Enver Hoxhës. Fjalët Shqipëri, Komb, Atdhe u zbehën dhe të parat dolën fjalët, parti, popull dhe Enver. Mjerisht kulti i partisë dhe individit vazhdon edhe në ditët tona. Ai shfaqet në të dy krahët djathtas e majtas dhe kjo shihet qartas në dhunën e shfaqur nga përfaqësuesit e saj në parlament. 

Ngjarjet e vitit 1997 ishin një dramë e rëndë për vendin dhe shënoi një hap të madh mbrapa të demokracisë. Menjëherë të dy partitë ranë dakord të shpallej amnistia e përgjithshme. Asnjë nuk u dënua nga krerët e pozitës dhe opozitës, nuk u gjykua për falimentimin e vjedhjen e firmave piramidale, vrasjet dhe shkatërrimet e institucioneve. Edhe sot militantët e partive, njerëz të indoktrinuar të ndarë në kampe armike zgjasin gishtin tregues duke thënë njeri-tjetrit. Ju, ju jeni vrasësit e shkatërruesit, e vitit 1997, duke bërë që të mos zbulohet kurrë e vërteta. Ditë më parë opozita kërkoi që të ngrihet një grup parlamentar për hetimin e udhëtimeve të kryeministrit me avion taksi. Grupi parlamentar i PS-së i përbërë nga militantë, njëzëri e kundërshtoi këtë nismë.  Pyetja është e thjeshtë: Nëse je i pastër pse do kundërshtosh një hetim të tillë? Madje vet kryeministri duhet ta kërkojë këtë hetim. Asnjë deputet socialist nuk ngriti zërin e të thoshte: Le të ngrihet! Ku është e keqja këtu? Edi Rama, Sali Berisha, Fatos Nano apo Ilir Meta nuk janë Atdheu, nuk janë kombi shqiptar, nuk janë të pavdekshëm. Ju kokëshqope që viheni në rradhë qofshi deputetë apo ishër,  ministra apo ish të tillë, punëtorë apo të papunë e pensionistë  mos i mbroni! Edhe ju o analistë që qelbni ekranet me sofizmat tuaja çdo mbrëmje, që u shërbeni partive në mënyrën më të poshtër për një rrogë kërkoni drejtësi e mos bëni sipas interesit vetjak. Nëse ata duhet të përballen me drejtësinë ju të parët kërkoni një gjë të tillë. Edhe për ngjarjet e vitit 1997, edhe për Gërdecin, edhe për 21 janarin, edhe për PPP-të edhe për portin e Durrësit, edhe për kontratat skllavëruese të naftës e kromit etj etj. Partia nuk është atdheu, që me militantizmin tuaj po bëni që drejtuesit ta shpien drejt greminës. Atdheu është mbi të gjitha, është i të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Atdheu është i pavdekshëm o kokëshqope!!

Filed Under: Fejton Tagged With: Gezim Zilja

50 VJET VEPRA POETIKE KADARE

January 27, 2023 by s p

Sadik Bejko/

Në prag të 82 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare (28 janar 1936) shtëpia botuese “Onufri” publikoi veprën e plotë poetike të këtij shkrimtari. Kjo përmbledhje e zgjedhur nga vetë autori, përmban rreth 160 tituj nga poezitë dhe poemat më përfaqësuese të poezisë së tij. Janë përfshirë poezi të shkruara mbi 60 vjet më parë duke u mbyllur me poemën “Tirana në dimër’, 2005. Veç përzgjedhjes nga librat e njohur si: “Ëndërrimet” 1957, “Lirika”, botuar rusisht, Moskë 1961, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha”, “Ftesë në studio” janë përfshirë dhe poezi të panjohura, nxjerrë nga arkivi privat i shkrimtarit.

Në fund të librit jepen shënime mbi disa nga poezitë dhe poemat, shënime për kohën dhe vendin kur janë shkruar dhe botuar, për atë që lënda e disa prej poezive ka paralajmëruar vepra në prozë të autorit, ose shënime mbi prekjet a përpunimet që kanë pësuar herë pas herë disa nga poezitë dhe poemat.

Ko përmbledhje e plotë e poezive dhe poemave të Kadaresë, duke ndjekur rendin kronologjik të kohës së krijimeve, jep mundësi për të vërejtur evoluimin në artin, në stilin e autorit; poezitë regjistrojnë çaste të gjalla nga jeta e autorit, sjellin atmosferën e kohës, elemente intimë të biografisë, çaste kohore të së përditshmes, që, duke u shndërruar në poezi, bëhen lëndë e përjetshme.

Botime të këtij lloji me pëfshirjen e pjesës më të qëndrueshme nga githë krijimtaria e poetit, lënë shteg për të medituar, për të sintetizuar mendimin mbi karakteristikat, të veçantat e kësaj krijimtarie. Kritika ka vënë në dukje se Ismail Kadare ka qenë nga poetët më me emër, poet që bashkë me dy-tre autorë të tjerë në krah të tij, në vitet ’60 të shekullit që shkoi, sollën risi e nivel të lartë cilësor në poezinë shqipe. Ata e nxorën poezinë nga dogmatizmi ideologjik i skajshëm, nga steriliteti stilistilk e gjuhësor, nga ngushtësia e rëndomësia tematike ku e kishin katandisur poetët paraprijës.

Mjeshtëria dhe freskia në organizimin gjuhësor të poezive të Kadaresë, pasuria shpërthyese imagjinative, imazhet e animizuara dhe të hiperbolizuara gjer në skajshmëri e tronditën stilin e rrafshët të të shkruarit për kohën, por dhe shënuan risi që nuk i gjeje në gjithë fondin e mëparshëm të poezisë shqipe. Thekset e tij përçmuese ndaj prapambetjes në formë e në mendim, ndaj një stili të vjetëruar në Shqipërinë e kohës së qerreve që tërhiqeshin nga buaj, sollën një frymë emancipimi, një çlirim të shprehjes poetike që u bë frymëzuese për brezat e poetëve të kohës së tij

Ismail Kadare, edhe kur u botuan romanet, (në vitin 1963 u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur’) edhe kur jashtë Shqipërisë proza e tij cilësohej e nivelit botëror, ka qenë poeti më në zë i kohës së tij.

Poezia e tij u dallua nga të tjerët për temën e qytetit. Në një vend që i përkiste qytetërimit bujqësor, me një gjuhë paksa futuriste ndonjëherë më perceptime surreale ai solli trenat, sirenat, aeroportet, pejsazhet urbane, pamje nga qytetet Gjirokastër, Tiranë, Moskë, Paris, Helsinki, Stamboll, Frankfurt, Amsterdam, Kopenhagë… Me një rebelim stilistik e gjuhësor të tillë ai po shkundte pluhurin e një folklorizmi të dyfishtë në poezinë e kohës, atë të një poezie rurale, të një poezie gjoja me motive popullore dhe folklorizmin e poetëve proletarë të realizmit socialist me traktorë e me tezgjahë, poezinë e fjalëve të bukura por pa substancë. Me kohë tema e qytetit hyri me filozofinë e lëvizjes rrethore, me qytetërimin si polis, si përgjegjësi për të sotmen dhe të nesërmen.

Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari që u dha jetë dhe interpretim në përputhje me interesimet mendore e ndjesore të kohës së vet disa prej simboleve universale si: Kali i Trojës, Piramida, Saharaja, Laokonti, Akullnaja, Kështjella. Ledi Makbeth Hamleti, Prometeu… Riaktivizimi i simboleve universale dhe i miteve historike, në veçanti i figurave prej historisë dhe miteve shqiptare sillte dhe një poezi të nënteksteve falë shumëkuptimësisë dhe universalitetit që buron nga një lëndë e tillë.

Është folur për një ngrysje, për një ashpërsim të klimës në këto poezi, për qiej të mvrenjtur, për ngrica dhe acar, për shira të vazhdueshëm, për një dramë gjer në përçudnim të pejsazhve (qiejt e ngrysur pa lejlekë/ dhe shirat pa ylber në mes), për vjeshtën, akujt, dimrat që janë deri në titujt e disa poezive. Qielli i Tiranës, qielli socialist, është “pa formë si tru idioti”, “grija funebre” e qiellit të ish-kampit socialist pasohet nga dimri me akuj dhe acar dhe “me një plenum në mes”. Ky ashpërsim i motit mesdhetar të Shqipërisë nuk është manierë. Nga tipar i formës kthehet në një nga përbërësit thelbësorë të stilit.

Pavarësisht mjeteve a teknikave të tilla, poezia e Kadaresë mbeti gjithmonë e kthjellët, larg çdo errësimi kuptimor. Nënteksti a ambiguiteti janë cilësi e teksteve të tij, diktuar dhe nga mungesa e lirisë.

Pas botimit të romaneve që menjëherë gjetën përhapje ndërkombëtare, Kadareja e mbajti dorën, shkroi më rrallë poezi. Poezia, botuar në tirazhe të mëdha tek ne dhe në gjithë vendet e Lindjes, ishte arti më i politizuar i kohës. Në Perëndim poezi botohej përherë e më pak.

Stili i librave të fundit evoloi dhe në mjetet e shprehjes. Autori u largua nga vargu i lirë, nga poemat sintezë. Filloi të shkruajë një poezi strofike, me metër, me rimë me formë pothuaj klasike. Si te Pasternaku kjo poezi kishte brengë në përmbajtje dhe novacione të brendshme të shprehjes nën rreptësinë klasike.

TIRANA NË DIMËR

Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.

Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.

Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,

Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.

Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja

M’u duk se më kujtonte një premtim.

Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,

I thashë më në fund plot pikëllim.

Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:

Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.

Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,

Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?

S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,

Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.

Dikush nga ne të dy s’është më në botë,

Po cili a cila, këtë s’e di askush.

Një copë herë me shenja morëm e dhamë.

S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.

Gjersa ajo u tret te qelqi i madh

Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.

Ky fragment, kreu i 6-të i poemës “Tirana në dimër” (2005), shënon krijimin poetik më të fundit publikuar deri më sot nga I. Kadare. Kjo poezi me varg njëmbëdhjetërrokësh, me formë strofike, poezi e zymtë klasike vjen prej periudhës së fundit krijuese të shkrimtarit. Një poezi dashurie. Ky libër ka rreth 50 poezi me këtë temë. Mbase humbja njeriun e bën më të bukur. Te poezia “Llora” ai thotë se të ndërtosh një ndarje nga e dashura “është më e zorshme se të ngresh një piramidë”.

Një nga leximet e mundshme të kësaj poezie – në fakt të këtij fragmenti nga poema “Tirana në dimër” – mund të jetë si më poshtë,

Në ndonjë segment të jetës disa gjëra – dashuria mes të tjerash- mbeten thjesht një premtim. Bie mjegulla dhe fanitja e së dashurës mbetet matanë saj. Urat janë prerë. Dhe malli, mundi, moskuptimi e akullimi në të dy krahët. Një nga pikëllimet më të mëdha të jetës. Nuk mban dot një premtim. nuk i përmbush ëndrrën një dashurie.

Sa e vështirë do të jetë për ndokënd, që këtë ta shpallë hapur. Sa e vështirë, sa guxim ta thuash… pikëllimin. Dhe sa forcë… Ç’ forcë prej sovrani që pranon të abdikojë nga zotërimet e tij, nga froni i dashurimit…. Duke pohuar njëherësh se realiteti i intimes është ndër gjërat më themelore, më të thella të jetës.

Disa nga kryeveprat e Kadaresë si “Në studion dimërore”, “Kthimi në Moskë”, “Llora”, “Ti qave”, “Kristal”, etj, janë ndërtuar me këtë lëndë të humbjes “së bukur” të dashurisë.

Ky libër i Kadaresë vjen si një dhuratë e çmuar për gjithë dashamirët dhe lexuesit e tij në këtë përvjetror të ditëlindjes së poetit.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1864
  • 1865
  • 1866
  • 1867
  • 1868
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT