• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themelohet Shoqata Shqiptaro Amerikane “Rozafa” Shkodra, New York

January 23, 2023 by s p

Nga Qemal Zylo/

Diaspora Shqiptaro Amerikane u pasurua dhe më shumë me krijimin e shoqatës më të re Shqiptaro Amerikane “Rozafa”.

Sot në mjediset e Willow Klub me pronar DJ Fati në Staten Island u krijua Shoqata Shqitparo Amerikane “Rozafa” Shkodra.

Natyrisht sa dëgjon këtë emërtim të kësaj shoqate në mendje të vijnë emrat e mëdhenj që ka nxjerrë qyteti i lavdishëm, plot kulturë , Shkodra dhe ja disa prej tyre: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Kolë Idromeno, At Gjergj Fisha, Ndre Mjeda, teolog, Mikel Kodheli, Luigj Gurakuqi, Karl Gurakuqi, Mikel Koliqi, Zef Pllumi, Millosh Gjergj Nikolla, Simon Gjoni, Cesk Zadeja, Tinka Kurti, Zef Jubani, Filip Shiroka etj.

Po ashtu dhe legjenda aq e njohur e Rozafës, kështjella ku është murrosur Rozafa qëndron hijerëndë mbi Bunën e gjerë dhe mbi qytetin e Shkodrës, ku bën krenar çdo shqiptar dhe me endje duan ta vizitojnë, njeri prej tyre ishja unë verën e kaluar.

Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, me një histori banimi mijëravjeçare në qytet dhe krahinë.

Founder, nismëtar i shoqatës Shqiptaro Amerikane “Rozafa” është aktivisti i shquar, Presidenti i Organizatës “Rrënjët Shqiptare”, ish kandidat për keshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut z. Marko Kepi me origjinë nga Shkodra. Këtë ditë të shënuar të kësaj organizate me një program të pasur e moderoi gazetarja e mirënjohur Kozeta Turishta. Elekuenca dhe lirshmëria e saj në të folur natyrshëm i bëjnë dhe më tërheqëse tubimet ku mblidhen shqiptarët. Pasi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët për krijimin e kësaj shoqate ajo tha se Shkodra ka shumë potencial intelektual pë t’i dhënë Diasporës dhe Kombit.

Themelimin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Rozafa e përshëndeti Kryetari i Bashkisë së Shkodrës z. Bardh Spahia nëpërmjet një videomesazhi për këtë dite të shënuar.

Gazetarja Turishta prezantoi gjithë Bordin të cilët folën para pjesëmarrësve duke u ndjerë shumë të përgjegjshëm pë këtë nismë tejet të rëndësishme. Vlen të theksohet se Bordi kishte një përzgjedhje shumë cilësore të perbëre nga aktivistë të njohur të komunitetit, si intelektual më në zë dhe artistë të mirënjohur.

Më konkretisht Bordi i zgjedhur përbëhet nga këta veta:

Eddie Drishti – Kryetar, Gjilberta Lucaj Cohen, Zëvendëse Presidente, Ilsi Ademi Sekretar, Metin Timi Mlloja Arkëtar, Kozeta Turishta Bordi Këhillimor, Myzafere Alija Bordi Këshillimor, Bujar Ademovi Bordi Këshillimor, Eno Kepi Përfaqësues. Shkodër.

Si media marrim pjesë në shumë aktivitete, por jo vetëm që e pranova me kënaqësi ftesën, por dhe pashë nga afër një organizim professional dhe premtues për të ardhmen.

Shpreh bindjen nga bisedat që pata me kryetarin z. Eddie Drishti officer policie për 23 vjet ne New Jersey, Amerike dhe familja e tij e persekutuar nga regjimi komunist pohoj se ai ka vizion dhe jam i sigurtë se shoqata do të eci përpara bashkë me Bordin e përkushtuar.

Në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” ju afrojmëmbështetje dhe bashkëpunim të frytshëm.

Në këtë tubim pati dhe një program të bukur artistik. Këngëtari Ilsi Ademi këndoi këngë të ndryshme të shoqëruar në Cello nga artistja Gjilberta Lucaj Cohen dhe Pranvera Çobo në kitarë. Pas krijimit të Shoqatës Shqiptaro Amerikane të pranishmit të gëzuar trokëllitën gotat me njeri tjetrin dhe i uruan Bordit të Shoqatës jetë të gjatë!

TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.

21 Janar, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: edi drishti, Qemal Zylo

AKTI DIPLOMATIK I VITIT 1451 I DALUR NGA KANCELARIA E SKENDERBUT- JO AUTOGRAF – SI BURIM I RËNDËSISHËM PËR DIPLOMACINË E SKENDERBEUT

January 22, 2023 by s p

Ilustrimi 1 dokumenti i leshuar nga kancelaria e Skenderbeut, 8 gusht 1451
Ilustrimi 2 ana verso e dokumentit se bashku me daten, vendodhjen aktuale dhe filigranes

Nga kjo kohë na janë ruajtur katër akte diplomatike, një në origjinal, akti diplomatik i dalur nga kancelaria e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por që nuk është autograf, që nuk është shkruar nga dora e tij, por e shkruar nga scribes të kacelarisë së tij diplomatike, për fisnikërinë e qytetit të Sienës dhe tre dokumentet tjera të përshkruara nga origjinali. – Akti diplomatik e ka shkruar sciribesi i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i cili gjatë hartimit të tij ka përdorur njëkohësisht gjuhët italiane e latine, duk e vështirësuar deridiku zbërthimin paleografik e diplomatik të aktit nga viti 1451. – Ky kat diplomatik për herë të parë është botuar nga Enrico Bulleti në vitin 1940, por me gabime e lëshime serioze. E kanë botuar edhe studiuesit shqiptar të cilët e kanë kopjuar tejshkronjëzmin e E. Bulletit duke filluar nga Kristo Frashëri e deri te i fundit Aurel Plasari, me të gjitha gabimet lëshimet dhe interpretimet e gabuara. – Poashtu thkesojmë se asnjë nga editorët e deritanishëm të këti ati diplomatik nuk kanë tejshkronjëzuar anën verso të aktit diplomatik nga viti 1451, dhe nuk e kanë përkthtyer asnjëher tekstin që shkruhet aty!

Dokumenti ruhet në signaturën: Archivio di Stato di Siena, Concistoro, vol. 1969, nr. 16.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

Lënda burimore-dokumentare e pabotuar ose pjesërisht e botuar për ngjarje shumë të rëndësishme historike, personalitete të famshme të mesjetës dhe për familjet patronomike shqiptare nga periudha mesjetare, dhe në përgjithësi për mesjetën shqiptare, gjendet në shumë arkiva evropiane, por në sasi të konsiderueshme sidomos në arkivat italiane, ku për fat të mirë na janë ruajtur në disa raste edhe akte/dokumente origjinale, që për fat të keq, të tilla origjinale nuk gjenden në Shqipëri, për shkak të pushimit qindravjeqar osman.

Menjëher pas fitores madhështore ndaj Sulltan Muratit të II-të, në vitin 1450, Gjergj Kastrioti Skenderbeu përmes kanaleve diplomatike, diplomatëve të kohës, njerëzve të ditur shqiptar dhe me autoritet ndërkombëtar, kryesisht prelatëve kishtar, që në fillim të vitit 1451 filloi një aktivitet të dendur, duke njoftuar pothuajse të gjitha republikat, komunat, sundimtarët dhe princërit e Europës për këtë fitore, dhe njëkohësisht duke ju kërkuar mbështetje finaciare, ushtarake dhe tjetër, për betejat e ardhëshme me turqit, ku mbrohej jo vetëm Shqipëria, por edhe Europa. 

Nga kjo kohë na janë ruajtur katër akte diplomatike, një në origjinal, akti diplomatik i dalur nga kancelaria e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por që nuk është autograf, që nuk është shkruar nga dora e tij, por e shkruar nga scribes të kacelarisë së tij diplomatike, për fisnikërinë e qytetit të Sienës dhe tre dokumentet tjera të përshkruara nga origjinali.

Akti diplomatik i 8 gushtit 1451 për herë të parë është botuar nga italiani Enrico Bulleti. Edhepse një specialist dhe paleograf i njohur, ai nuk ka arritur të bëj një editim profesional, korrekt në lartësi shkencore, sepse gjatë tejshkronjëzimit ka bërë gabime të shumta. Një pjesë e gabimeve janë për shkak se ai nuk e ka njohur toponiminë e mikrotoponiminë shqiptare si dhe as emrat e fisnikëve shqipëtar dhe shkaku tjetër është sepse nuk ka arritur të zbërthjes si duhet shkrimin e sciribesit  të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i cili gjatë hartimit të aktit diplomatik, ka përdorur gjuhët italiane dhe latine, duk e vështirësuar deridiku zbërthimin paleografik e diplomatik të aktit nga viti 1451.

Të gjithë studiuesit e tjerë që kanë botuar këtë dokument, e kanë kopjuar atë nga E. Bulleti, me tërë gabimet dhe lëshimet e bëra kur është botuar për herë të parë në vitin 1940. 

Gabimet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar që nga shënimi i gabuar i signaturës / vendodhjes së dokumentit, shiko ilustrimin nr. 2 që botojmë ne, për të saktësuar dhe hequr këtë dilemë një herë e mirë, pastaj shkurtesat për E. Bulletin kanë qenë problematike (sikur edhe për të gjithë editorët shqiptar, duke filluar nga Kristo Frashëri e deri te i fundit Aurel Plasari, që siq thame e kanë kopjuar tejshkronjëzmin e E. Bulletit, ngase nuk kanë qenë në gjendje vetë të lexojnë faksimilet e dokumentit, për shkak të mos-përgaditjes porfesionale në fushat e palografisë latine dhe të diplomatikës), sepse ai lexon fjalët tjetër për tjetër, psh. shkurtesat për fjalët “Significove,” duhet të lexohet: Significatis; pastaj: “commo,” duhet të lexohet: comitis; pastaj fjala:“comm” duhe të lexohet: comune; e shumë të tjera. Gjatë tejshkonjëzimit E. Bulletit i kanë shpëtuar disa fjalë pa i lexuar fare, (natyrisht edhe editorëve shqiptarë ju ka ndodhur kjo gjë) si psh. fjala: “domino” në rreshtin e dytë; pastaj fjala: “morti,” në rreshtin e katër, për të vijuar me fjalën: “presente” në rreshtin e tetë, dy herë dhe po në këtë resht mungon leximi i fjalës: “quanto”… etj.

Poashtu thkesojmë se asnjë nga editorët e deritanishëm të këti ati diplomatik nuk kanë tejshkronjëzuar anën verso të aktit diplomatik nga viti 1451, dhe nuk e kanë përkthtyer asnjëher tekstin që shkruhet aty!

Një çështje mjaft e diskutuar në historigrafinë Skenderbegiane është edhe emri personit që e sjell aktin diplomatik në kancelarinë e fisnikërisë së Sienës me 13 shtator 1451, abbatit /kapelanit/ Lazër. Emri i tij është tërësisht shqiptar: Lazër dhe nuk ka të bëj fare me ato që shkruhen nga disa autorë shqiptar. Abbati Lazët, është prelat kishtar i besimit të krishterë /katolik/ perëndimor e jo i ritit lindor. 

Duket sjellur në vëmendje se më shumë se një herë studiues të huaj dhe të gjithë studiuesit, historianit dhe të tjerët shqiptar që kanë shkruar për këtë akt diplomatik, kanë theksuar prerazi se është akt diplomatik autograf i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, gjë që është pohim i gabuar, jo i skatë dhe krejtësisht jo real. Na janë ruajtur akte të ngjajshme po në origjinal, që kanë dalur nga kancelaria e Gj. K. Skenderbeut për kancelarit perëndimore dhe të vendeve fqnje, janë krejtësisht identike përsa i prëket dorës së scribesit, pra është forma e njëtë paleografike, diplomatike me elemnte tjera. Gabime të tilla dhe jokompetente janë për shkak të mosnjohjes së paleografisë latine dhe diplomatikës së kohës nga ana e atyre që shkruajnë për gjëra të tilla që kërkojnë përgaditje të lartë profesionale, seriozitet të lartë shkencorë dhe përgjegjësi për ato që shkruajnë. Gabime të tilla më së shumti bëjnë ata që shkruajnë për gjëra të tilla dhe nuk janë fare profesionistë, nga fushat e medivistikës mesjtera shqiptare dhe europiane.

Ne në vijim sjellim dokumentin e tejshkronjëzuar në sipas origjinalit, duke e shoqëruar edhe me faksimile përkatëse cilësore si dhe me përkthim në gjuhën shqipe.

Tejshkronjëzimi i origjinalit

Magnifici nobiles et prudentes viri, post debitam recommendationem.

Significatis domino comitis comune quisto anno passato lo Imperatore Turchio con quartocento milia turchi si anno tenuto obisdiati una Tera la quale se clama Croya delle petrinecie de Albania et nolanno potuta pillar et factove grande bactaglia che di Cristiani intra pilliati et morti so’ in numero di sexantamilia. Et pertanto vuy commo fideli christiani et commune de grande auctoritate siati pregati et requesti da parte de lo omnipotente Dio et da nostra parte pregati stricta mente che per defensione nostra et dequista Terra de Croya degiati da quale che subsidio si commo parera et placera a vuy. Et super de zip digitati da fede et credenza ad Abbate Lazaro cappellano nostro presente portatore de la presente quanto a la propria nostra persona.

Scripta ad Croya die VIII mensis Augusti XIIII Indictione.

Vestre in omnibus beneplacitis Georgius Castrioti Dominus Albanie.

Presentata die XIII settembrio.

Nel recto: Magnificis nobilibus et prud │

entissimis viris Communis │

Civitatis Senarum Amicis │

carisimis.

Përkthimi në gjuhën shqipe

Fisnikë të madhërishëm dhe burra të urtë, pas përshëndetjeve që ju detyrohemi ju vë në dijeni se si vitin e kaluar perandori turk me katërqind mijë turq e mbajtën të rrethuar një vend që quhet Krujë (Croya), që i përket Shqipërisë, dhe nuk mundën ta marrin dhe u bë një betejë e madhe nga e cila të krishterë, midis robërve dhe të vrarëve, ishin gjashtëmbëdhjetëmijë. Prandaj juve, si të krishterë besnikë dhe komunë me autoritet të madh, jeni të lutur dhe të detyruar nga ana e Zotit të plotëfuqishëm dhe nga ana jonë të lutur nxehtësisht që për mbrojtjen tonë dhe të këtij vendi të Krujës denjoheni të jepni aq ndihmë sa tu duket me vend dhe sa tu pëlqejë juve. Dhe për këtë, denjohuni ti kini besë dhe besim abatit Lazër, kapelanit tonë, sjellësit të pranishëm të kësaj letre, si të ishte vetë personi ynë.

Shkruar në Krujë ditën e 8-të të muajit gusht, indikacioni XIV. 

Pas përshëndetjeve që ju detyrohemi. 

Gjergj Kastrioti, zoti i Shqipërisë.

Në rekto/ana e pasme e aktit diplomatik/:

Fisnikë të madhërishëm dhe burra të urtë, tëKomunës së Qytetit të dashur dhe miqësor të Sienës

Signatura/vendodhja e dokumentit dhe teksti origjinal

Në këtë akt diplomatik ka 15 rreshta tekst të shkruara nga dy duar të ndryshme. Në rreshtin e parët, lartë në fillim, vitin 1451 dhe poshtë, rreshtin e fundit e ka shkruar e njëjta dorë, dmth. scribesi i Komunës së Sienës, pasiqë ka pranuar aktin diplomatik më 13 shtator 1451. Dallimi vërehet edhe nga boja e pendës që ka përdorur scribesi. Pjesa tjetër e tekstit, 13 rreshta janë shkruar nga një dorë tjetër, përkatësisht dora e scribes-it të kancelarisë së Gjergj Kastritoit Skenderbeut. Boja e përdorur është e zezë. Shkrimi është humanistik kursiv gotik, me shkurtesa që praktikohehsin për kohën dhe ishin normale. Leximi paleografik i tekstit nuk është i vështirë për paleografët profesionistë, përkundër shkurtesave të shumta.

Në verso, janë shënuar 5 rreshta. Teksti është i shkruar në vertikalisht, dmth., këta të 5 rreshtat, janë shkruar nga e njëjta dorë e scribes-it që ka shkruar edhe aktin diplomatik e Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Akti diplomatik origjinal, në të majtë lartë, ka një vulë të Arkivit të qytetit të Sienës, e cila është e kohëve moderne dhe ka bojë të zezë. 

Me laps plumbi, në verso, paksa nga e majta, lartë është shënuar signatura/vend-ndodhja e dokumentit me një shkrim të kohëve të sotme: Consistoro 1969, nr. 16, dhe krejtë në të djathë, lartë, po me laps plumbi  është shënuar data: 8 agosto 1451.

Vula dhe dimensionet e aktit diplomatik origjinal

Akti diplomatik është i dëmtuar në të dy këndet poshtë, majtas e djathtas, ku ka qenë vula prej dyllit të kuq. Vula tani nuk ekziston, vërehen vetëm gjurmët e vulës. Nga koha apo përdorimet e pakujdesshme ajo është thyer dhe ka humbur, siq ndodh zakonisht me këtë lloj vulash. Sipas gjurmëve të vulës në letër, dimensionet e vulës kanë qenë:

Horizontalisht= 4.2cm

Vertikalisht = 4.5cm

Është e dukshme që letra është prerë nga një tërsi më e madhe /mund të jetë prerë nga një tabak/, që kishte dimensione tjera. Prerja është jo e rregullt, kështu që kemi dimensione jo të rregullta, që dallojnë nga lartë poshtë. Dokumenti origjinal ka këto dimensine:

Lartë:

Horizntalisht = 22.3cm

Vertikalisht = 15.4 cm

Poshtë:

Horizontalisht = 21. 3cm

Vertikalisht = 15.4 cm

Është fakt i njohur se dimensionet e letrës gjatë procesit të prodhimit nuk janë absolute, por ndryshojnë për shkak se gjatë tharjes dhe përpunimit të shtresave të saj me ngjitës, ato mund të lëvizin, përkatësisht të tkurren deri në 3 cm nga dimensioni normal. Te prodhimi arab i letrës, janë të njohura nëntë dimensione të vogla nga 14 x 21.3 cm deri te prodhimi “gjigand” i ashtuquajturi “Tumara” ose i “Bagdadit” që kishte dimensione maksimale 73.3 x 109.9 cm. Dimensionet e letrës në Evropë gjatë shekujve nuk kanë ndryshime të tilla ekstreme. Ato janë kryesisht brenda kufijve “normal” dhe deri në shek. XVIII, nuk kishte dimensione më të vogla se 23 x 35 cm dhe jo më të mëdha se 50 x 74 cm. Si ilustrim po përmendim rastin e prodhimit të letrës në Borgo Polese, paralagje e Bolonjës në Itali, ku na janë ruajtur katër lloje dimensionesh të letrës që ka përdorur shtypshkronja e njohur “Merlani” deri në fund të shek. XV. Këto dimensione na janë ruajtur në një pllakë mermeri gri, në të cilën janë gdhendur katër katërkëndësha ku në çdonjërën janë të shënuara këto dimensione së bashku me emrin përkatës të dimensionit: a) Imperial (perandorak) 50 x 74 cm; b) Realle (mbretëror) 44, 5 x 61,5 cm; Mecane (i mesëm) 34,5 x 51,5 cm dhe Recute (i voglë) 31,5 x 45 cm. Specialistët mendojnë se dimensioni Mecane (i mesëm) është më i lashti dhe në dimensionet e tjera Realle (mbretëror) dhe Recute (i vogël) ndeshim “vetëm” në vitin 1310 për herë të parë. Ndërsa dimensioni Imperial (perandorak) ndeshet në vitin 1379, por në përdorim shumë të kufizuar, dimensioni i Mecane (i mesëm) për herë të parë dëshmohet në vitin 1390. 

Për ne shqiptarët ka rëndësi Venediku, ku dimensionet e letrës ishin ato të lashtat edhe në fund të shekullit XV, dhe fillim të shekullit XVI, ato ishin 32 x 44 cm me shenjën filigranes në këndet e djathta të letrës. Në këtë kuadër, theksojmë p.sh. në Francë, me 18 shtator të vitit 1741, janë të rregjistuara në “Conseil d’Etat” 53 lloje dimensionesh, 25,7 x 35,8 cm minimali dhe 67 x 98,8 cm maksimali. Edhe për vendet e tjera europiane prodhuese të letrës, kemi pothuajse dimensione të njëjta pa ndryshime të theksuara.

Akti diplomatik origjinal dhe shenjat ujit – filigranes

Letra e aktit diplomatik ka qenë e thyer dhe e palosur, fillimisht në mes, e pastaj edhe dy herë majtas e djathtas. Letra është e thjeshtë, gjysëm kartoni, e trashë. Në anën e majtë, lartë, në letër është shenja e filigranes/ujit, e cila vërehet qartë dhe është prodhim venedikas nga viti 1450. Te një përfundim i tillë kemi ardhur duke krahasuar dokumente tjera të kësaj periudhe dhe nga katalogjet e specialzuiura për filigranes që janë botuar kohëve të fundit.

Filigranes është figurë, grafemë apo shenjë e dallueshme në letër, që duket qartë vetëm kur pas letrës vendosim një burim drite. Quhet shenjë uji sepse shenja në letër duket sikur ajo pjesë të jetë e lagur nga uji. Shenja krijohet me anë të fijeve të metalit të cilat ngjiten në letër dhe në momentin kur shtypet letra konturet e shenjës (gjurmës, fotografisë, gravurës, grafemës) dalin më të holla për shkak të shtypjes më të madhe që krijohet nga fija e metalit.

Për herë të parë filigranes janë përdorur në Bolonjë në vitin 1282, dhe qëllimi ishte që të letra e prodhuar aty të mos ngatërrohej me letrën e prodhuar gjetkë. Që nga paraqitja e parë e filigranes në vitin 1282, përdorimi i tyre është i pandërprerë si kur prodhimi i letrës bëhej në mënyrë manuale ashtu edhe me aplikimin e teknologjisë shkencore moderne.

Studimet e filigranes janë të ndara në tre kategori sipas specifikave të ngushta: a) sipas kriterit regjional, b) sipas ikonografisë së filigranes dhe c) sipas kronologjisë. 

a) Sipas kriterit të parë, atij regjional, elementi më i rëndësishëm është historia e prodhimit të letrës në vende të ndryshme, duke studiuar specifikat e veçanta të çdo vendi veç e veç si dhe elementet e përbashkëta me vende të ndryshe. Rezultate inkurajuese janë arritur veçanërisht në: Zvicrër, Itali, Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Austri, Rusi, Hungari, Kroaci, etj. 

b) Sipas kriterit të dytë, atij ikonografik, del që studimi i filigranes është i pamundur nëse nuk analizohen dhe studiohen shenjat e veçanta në letër, p.sh. figurat e ndryshme të kafshëve, shpezëve, por edhe ato abstrakte dhe të tjera të veçanta, p.sh, çelsi, numrat, grafemat, etj. 

c) Kriteri i tretë, ai i kronologjisë, ka rëndësi parësore, sepse përmes tij mund të përcaktohet viti i futjes në përdorim të një shenje – filigranes të veçantë, duke gjetur pastaj, vendin, por edhe duke zbërthyer ikonën dalluese. Elementi i kronologjisë, përdoret shumë shpesh te datimi dhe përcaktimi i elementeve të tjera tek inkunabulat duke saktësuar vitin e botimit, përkatësisht të prodhimit të letrës, pastaj vendin e prodhimit ose edhe prodhuesin konkret, deri te i cili arrijmë përmes ikonës së caktuar, të cilën ai prodhues e ka përdorur në vitin e caktuar, gjatë prodhimit të letrës, si shenjë mbrojtëse për punën e tij dhe në anën tjetër si dëshmi cilësie dhe profesionalizmi.

Për studimin e filigranes në inkunabula është me rëndësi studimi i Heitz-it (1902-1903), i cili sjell shenja nga inkunabulat origjinale që ruhen në Strasburg si dhe nga ato që ruhen në Bazel (1904), duke aplikuar metodën kritike krahasuese dhe në duke ballafaquar të gjitha filigranes e njohura deri në atë kohë, qofshin ato në manuscripte, dokumenta apo inkunbaula të ngjajshme. Fjala filigranes në gjuhë të ndryshme ka këto kuptime: Watermark, angl.; Wasserzeichen, gjerm.; le filigrane, fren.; filigrani, ital.; filigranos, span.; vodjanoj znak, rus.; vodoznačka, çek.; vodeni znak, kroat.; znaki wodne, pol.; shenjat e ujit, shqip, etj).

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

Dr. Ibrahim Rugova President historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës u shua para 17 viteve

January 21, 2023 by s p

-Për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së Presidentit historik Rugova, nën përkujdesjen e Presidentes Osmani, ceremonia e vendosjes së kurorave, të pranishëm liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë/

-Intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

  -Disa nga raportimet që kam bërë para 17 viteve, në Janar 2006/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  Janar 2023/ Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte, u shua para 17 viteve në 21 Janar 2006. 

Me rastin e 17 vjetorit, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së Presidentit historik Rugova, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën e 21 Janarit 2023 nga ora 10 organizohet ceremonia e vendosjes së kurorave, ku të pranishëm do të jenë liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Në këtë vit 2023 të përvjetorit të 24-të të Lirisë së Kosovës, veprimtaritë përkujtimore zhvillohen në prag të jubileut të  15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008. Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në Lëvizjen për Liri e Pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

  Që para tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Dr. Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha mëse çerek shekulli, nga dita e 24 Majit 1992 kur u zgjodh President.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. 

“Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp  të para 25 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirësive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera.

Në dokumentarin televiziv “Fakte – Konferencat për Shtyp të Presidentit Rugova”, autori Adnan Merovci – udhëheqësi i Protokollit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova gjatë viteve ’90-ta dhe deri në vitin 2000, mes gazetarëve të rregulltë që vendin ku do uleshin e kishin thuese të paracaktuar të parin më përmend mua…

Para 24 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku isha atëherë korrespondent i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  tani korrespondent i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2023-tën feston 24 vjetorin e Lirisë e 15 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës ushtarake më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjetë vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë,  për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në Rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

  Para 17 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

KOMEMORACION NË RILINDJE – NDERIMET MË TË LARTA PËR PRESIDENTIN E PAVARËSISË, DR. IBRAHIM RUGOVA

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës t’i dhuronte Pllakatin e Jubilet të 60 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, të shkruar me ar e argjend. Drejtori i Shtypshkronjës Vesel Makolli në fjalën e tij tha se Rilindja, shtypshkronja e saj, ishte botuesi më i madh i librave – veprës së madhe letrare të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Kosovës.

Të pranishmit e shumtë në koomemoracion i shprehën ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes Rugova.

DISA NGA RAPORTIMET E MIA PËR AGJENCINË SHTETËRORE ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË PARA 17 VITEVE, JANAR 2006:

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
 

     PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE Ë. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George Ë. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/  

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

NË 17 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

January 21, 2023 by s p

Sot i gjithë kombi shqiptar përkujton 17 vjetorin e kalimit në përjetësi të udhëheqësit, shtetarit, filozofit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e modern, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Sot më shumë se kurrë na mungon urtësia, frymëzimi, filozofia, shpirti, mendja dhe idetë e Doktor Rugovës. Një kapacitet intelektual ndërkombëtar që arriti ta kthente Kosovën në një çështje ndërkombëtare. Asnjëherë më shumë se sot Kosovës dhe kombit shqiptar i nevojitet testamenti filozofik i Presidentit Rugova: unifikim shtetëror e kombëtar, bashkëpunim dhe dashuri mes njëri-tjetrit. Dr. Rugova dhe veprimtaria e tij patriotike, politike e diplomatike do të mbahet mend për jetë të jetëve, në memorien e çdo shqiptari si politikani legjendar që vuri themelet e Shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Ky përvjetor largimi në përjetësi na bën të ndiejmë dhimbje për mungesën e madhe, por njëkohësisht krenarë dhe dinjitozë për veprën që Dr. Rugova na trashëgoi si popull dhe si komb.

Emri i tij është gërmëzuar me shkronja ari në historinë e lavdishme të Kosovës së bekuar.

I paharruar përkujtimi për Presidentin historik, filozofin dhe shtetarin e madh të Kosovës e kombit shqiptar Dr. Ibrahim Rugova.

Me mirënjohje e respekt të veçantë

Përulësisht

Kryetari i VATRËS

Elmi Berisha

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Ibrahim Rugova

Filozofia dhe politika sipas Dr. Ibrahim Rugovës

January 21, 2023 by s p

Refleksion në 17 vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu.

Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë (vërejtja ime), por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri…

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë…Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd…Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet…Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Lidershipi i Dr. Ibrahim Rugovës dhe qëndrueshmëria e tij sot

Vizioni i tij ishte mjaft i qartë, shumë i vendosur dhe shi për këtë së shpejti ishte shndërruar në Lider, udhërrëfyes dhe vizionar në nivelin popullor, te intelektualet, te rinia, me paraqitje të dinjiteteshme dhe të qeta, njëkohësisht të vendosura dhe parimore, por edhe të argumentuara dhe paqësore. Natyra e tij e butë, niveli i tij intelektual i lartë, largpamësie e tij pothuaj profetike e ndihmonin dukshëm në këto veprime. Nga bashkëpunimi dhe njohja ime që nga viti 1981 e deri në vdekje, kam pasur përshtypje dhe përvoja shumë pozitive. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënën Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Bota dhe Dr. Ibrahim Rugova dhe trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci

Trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci pa dyshim ishte filozofia dhe përcaktimi i tij politik dhe jetësor. Këtë e kanë cekur edhe autorët dhe studiuesit tanë dhe të huaj. Dr. Enver Bytyqi nënvizon politikën e tij kombëtare dhe ndërkombëtare kështu: “Madje vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve ballkanike. Ai ishte një lloj lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera. Ajo ishte një lëvizje për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore.

Thelbi i lëvizjes së Rugovës për çlirim ishte mospërdorimi i dhunës… Para së gjithash kjo strategji kërkonte vetëdije të plotë politike, vetëbesim, si dhe përgatitje psikologjike, shpirtërore, sociale e shoqërore të njerëzve që e përfaqësonin… Dy milion shqiptarë ishin bashkuar në mbështetjen e tyre ndaj politikave të lëvizjes çlirimtare, të cilat i kishte prezantuar Rugova” (Enver Bytyqi, Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës, vep. e cit. fq. 81-83).

Dr. Ibrahim Rugova dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe më gjerë, asaj shqiptare në Ballkan

Ai sigurisht se ishte Lideri ynë që paraqiti kërkesat popullore dhe të drejtën themelore për liri, demokraci dhe vetëvendosje, pas gjithë asaj që kishim pësuar historikisht dhe aktualisht. Bindja e tij e thellë dhe jetësore se shqiptarët jemi në anën e të mirës, të drejtës dhe të vërtetës, pra, kemi argumente si historike, ashtu edhe aktuale, apo si e kisha formuluar unë: ne shqiptarët thënë figurativisht kemi mall të mirë, por jemi tregtarë të dobët, që Ibrahim Rugovës i pëlqente shumë, e shtynte atë për internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës, sepse e dinte fare mirë se bota do të jetë me ne, jo pse jemi shqiptarë, apo kundër serbëve, por për hir të së drejtës dhe të vërtetës, kuptohet, nëse dimë ta paraqesim dhe mbrojmë botërisht.

Kjo “luftë” mediale pamoro-dëgjimore e mjeteve të komunikimit, e qarqeve politike dhe diplomatike, dukej si ajo biblike mes Davidit dhe Goliatit, sepse serbët kishin çdo gjë në dorë. Mirëpo Presidenti Ibrahim Rugova shpesh më thoshte kështu: “Ne anën tonë është e vërteta, historia, toka e Kosovës”.

Këtyre tri të vërtetave duhej t’i shtoheshin edhe dy shtylla të rëndësishme: vetëdija jonë kombëtare dhe përcaktimi ynë paqësor dhe jodhunor deri në fund, pa hequr kurrë dorë prej vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë iliro-shqiptar.

Pa këtë fitore mediale dhe politike kurrë nuk do të vinte deri te ndërhyrja e NATOS, Lufta Çlirimtare e Kosovës, pra, deri te liria dhe pamvarësia e Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova dhe personalitetet evropiane dhe botërore

Para qëndrimit të tij paqësor dhe jodhunor, para argumenteve historike dhe aktuale, para dëshmive të terrorit dhe tmerrit shtetëror jugosllavo-serb, bota nuk mund të ishte indiferente, sepse ai e kishte prekur ndërgjegjen e Amerikës, të Bashkësisë Evropiane dhe më gjerë. Me Dr. Ibrahim Rugovën çështja jonë u bë tashmë çështje ndërkombëtare e ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.

Presidenti Ibrahim Rugova stërgjinë tonë e arsyetonte kështu: “Strategjia paqësore dhe jodhunore është një zgjidhje dhe një nevojë. Në shekujt e kaluar pati shumë lufta në Ballkan dhe ne shqiptarët jemi paditur si ata që e kishim “destabilizuar” paqen. Kështu e kemi zgjedhur strategjinë jodhunore për ta mposhtur këtë tezë…Tani kemi dëshmuar para botës se jemi një popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore dhe jodhunore. Jodhuna është një mënyrë, sepse që tre vite kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithatë strategjia jodhunore dhe paqësore është më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugosllavia, EMI Bologna, 1993, fq. 29-30).

Diplomacia dhe rezistenca paqësore jodhunore e dr. Ibrahim Rugovës

Kjo diplomaci dha fryte ndoshta edhe të papritura dhe të paparashikueshme. Mirëpo si duket ne e kemi një “defekt” ndoshta edhe konstitutiv, të mirën e harrojmë shumë lehtë dhe shpejtë, e të keqen shumë ngadalë, mos të them kurrë. Kështu po ndodh edhe me figurën e Presidentit tonë të parë dhe historik Dr. Ibrahim Rugovën, ku ka pak studime, e ajo që është edhe më keq, aktualizime të porosive të tija.

Dr. Enver Bytyqi strategjinë e Dr. Ibrahim Rugovës e vlerëson kështu në mënyrë përmbledhëse: “Kështu rezistenca e shqiptarëve ishte koncentruar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti dhe ligjeve të tij në politikë, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në çështje sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftërat ballkanike për liri, pamvarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e rezistencës…” (Enver Bityqi, vep. e cit. fq. 103).

Presidenti dr. Ibrahim Rugova gjithnjë i pati në mendje dhe në zemër dy figura tejet të dalluara: Papën Gjon Pali II dhe Nënën Tereze. Këto dy figura markante kishin ndikim dhe frymëzim në jetën dhe në veprën e Ibrahim Rugovës, sepse ai, por edhe populli shqiptar, nëpërmjet tyre arriti ta informonte dhe sensibilizonte botën, mbi të gjitha Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane, për gjendjen tonë reale, si dhe për të kërkuar dhe gjetur bashkë me miqët tanë rrugën e lirisë dhe të demokracisë, atë të bashkëjetesës dhe të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, kuptohet, në dobi dhe të mirë të të gjithëve (Lexo: Enver Bytyqi, vep. e cit. fq. 112-119).

Takimet e mia dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Dr. Ibrahim Rugovën

E kam takuar për herë të parë personalisht në vitin 1981, në Brezovicë, në Takimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ndër të tjera i kam dhuruar tri botime të mia të shtypura nëpërmjet shtëpisë botuese DRITA: “Krishti ndër ne”, katekizëm për rrëfim dhe kungim të parë; Pjesën e disertacionit tim “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri” dhe monografinë time të parë kushtuar Nënës Tereze “Nëna jonë Tereze”.

Ishte shumë i kënaqur dhe i falënderueshëm për këto botime, sidomos për “Besëlidhja e Re”, botimi i “Dritës” dhe përkthimi i Dom Simon Filipaj.

Më tha ndër të tjera: “Kjo qenka një mrekulli e vogël për ditët tona… Nëpërmjet shtypit të mirëfilltë po ringjallet tradita dhe po përtërihet kultura jonë biblike dhe kristiane. Katër libra që shënojnë katër binare tona: Biblën, katekizmin apo edukimin e mirëfilltë tonë, disertacioni i Juaj i rrallë, ndoshta edhe unik për femrën shqiptare, dhe ajo që në veçanti me pëlqen, monografia kushtuar Nënës Tereze… Do t’i lexoj sa më parë dhe pastaj do t’i diskutojmë dhe shqyrtojmë së bashku, sepse janë me interes të veçantë… Ne doemos duhet të takohemi dhe të bashkëpunojmë… Prej ditës së sotme Ju jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sepse ne kemi nevojë për njerëz dhe literaturë të tillë… Nga zemra u falënderoj!”.

Nga kjo ditë dhe ky takim ne nuk u ndamë më, sepse mirëkuptimi, bashkëpunimi, përplotësimi ishte shumë i natyrshëm aq sa pata përshtypje se jemi rritur dhe edukuar së bashku. Hetova se kishte një kulturë dhe traditë shumë të dalluar, njihte fare mirë historinë e popullit dhe të Kishës katolike gjatë shekujve, sidomos atë gjatë sundimit shekullor turko-otoman. Ishte i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi. Për herë të parë nga goja, mendja dhe zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin “Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare… Mendoj se po vjen koha kur duhet prapë të takohemi dhe të bashkëpunojmë…”.

Ky vlerësimi ishte për mua risi dhe befasi e dorës së parë, sepse siç dihet, gjatë komunizmit dhe ateizmit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos, bashkësitë fetare, sidomos Kisha katolike, trajtoheshin si “armiq të Popullit dhe të Shtetit”.

Mbi këtë takim e informova në hollësi Imzot Nikë Prelën, i cili më dëgjoi më vëmendje, por edhe me ndonjë dyshim dhe pyetje. Ndër të tjera ai më tha: “Kujdes, sepse ti je ende shumë i ri e nuk e njeh “politikën” e tyre… Unë i kam njohur mirë nëpër burgje dhe gjyqe, në lëkurën dhe shpinën time… Ndoshta po vjen ndonjë kohe e re”. Dhe i hapi krihet drejt qiellit dhe tha: “Dhashtë Zoti! Ne duhet të punojmë shumë, të lutemi dhe të shpresojmë. Shumë gjatë dhe padrejtësisht kemi vuajtur, e kush e di…”.

Së shpejti qe organizuar një takim i Imzot Nikë Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Që nga ky takim me pak fjalë, por me shumë ndjenja, intuitë, do të thoja edhe “shpirt profetik” këta dy Njerëz u kuptuan, fituan besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, populli do të thoshte “u gjetën”.

Në skenë ishte Kisha katolike Shkup-Prizren, e cila pa dashje u bë në një mënyrë “zëri i Zotit dhe i Popullit”, bartëse dhe përfaqësuese e shumë proceseve që ishin me shekuj të ngulfatura, të ndaluara, siç është liria qytetare dhe fetare, kultura alternative, jo më ajo komunisto-ateiste, e drejta e popullit Shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Pas vdekjes së Josip Broz Tito-s hetohej se hegjemonia komuniste dhe fryma “kolonialiste” ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve nuk funksiononte më. Prej Vitit 1981, demonstratave studentore, punëtore dhe gjithëpopullore, populli ynë gjithnjë e më shumë vetëdijesohej se ndoshta erdhi çasti historik që edhe ne të jemi vetvetja, të lirohemi nga premtimet mashtruese të komunizmit.

Në këto procese prijës dhe vizionar ishte Imzot Nikë Prela, i cili me shumë guxim, përkushtim e filloi “luftën” informative, me shkrime, letra solidariteti, proteste kundër dhunës, burgimeve, montimeve të proceseve gjyqësore, “spastrimeve” që i shkaktonte Jugosllavia ndaj nesh, më mirë të themi Serbia nëpërmjet Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare Imzot Nikë Prela kishte takuar shpesh, gati rregullisht “Disidentin e fshehur” të sistemit, intelektualin e heshtur, por shumë të guximshëm dhe vizionar, Dr. Ibrahim Rugovën, atëherë pak të njohur nga opinioni i gjerë tek ne.

Ky bashkëpunim qe përforcuar nëpërmjet prof. Anton Çettës, i cili e bindi edhe më shumë Imzot Nikë Prelën, ne, se Dr. Ibrahim Rugova është njeri i mirë dhe i besueshëm, me të cilin mund të bisedohet dhe bashkëpunohet lirisht dhe vëllazërisht. Urëlidhësi mes nesh dhe Dr. Ibrahim Rugovës, pa dyshim, ishte prof. Anton Çetta, i cili për së afërmi, do të thoja në shpirt e njihte, nderonte dhe donte Dr. Ibrahim Rugovën.

Dr. Ibrahim RUGOVA – Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë

Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, më 26 gusht 2005, Presidenti Rugova tha: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”. (Prishtinë, 26 gusht 2005)

Mu për këtë unë do ta formuloja kështu vlerësimin tim ndaj tij: Dikush shkruan histori, dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruajti histori, si dhe mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai është për ne jo vetëm histori, por edhe e tashmja dhe ardhmëri.

Prishtinë, 20 janar 2023 Don Lush GJERGJI

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1872
  • 1873
  • 1874
  • 1875
  • 1876
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT