• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ujku, ujku, po çakalli po bën kërdinë

January 19, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Vendosja e dy TEC-ve dhe deklarata e Zv/KM-ja Balluku në Triport se ato do të jenë shpëtimi i Shqipërinë për krizën energjitike madje mund të shesim energji prej tyre, doli gënjeshtër e madhe. Populli shqiptar do të paguajë nga xhepi i tij miliona dollarë pa përfituar asgjë sepse: 

1.Të dy TEC-et lundruese kushtojnë 20 milionë dollarë. Qeveria shqiptare do t’i paguajë shoqërisë amerikane 45 milonë dollarë qera ( 63 mijë dollar/ dita) për dy vjet, pa i blerë. A nuk është kjo një vjedhje e pastër?

2. Qeveria shqiptare do t’i paguajë firmës itaianë Renco 22,5 milionë dollarë (31,5 mijë dollarë/dita)  për ofrimin e shërbimit për instalimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e TEC-ve. 

3.Në bazë të kontratës Korporata Elekroenergjitike është e detyruar të paguajë 45+22,5= 67,5 milion dollarë edhe nëse TEC-et nuk vihen asnjëherë në punë, si kosto të qirasë dhe operimit.

4. Çmimi mesatar për një megavat orë energji elektrike në bursë është  sot është 130-150 euro/MWh, ndërsa kosto e prodhimit të energjisë nga dy TEC-et e anijeve është 190 euro/MWh. Diferenca është e qartë po theksojmë se qiraja dhe operimi vazhdojnë të paguhen. 

5. Çfardo shkaqesh të shkaktojnë vonesë, për firmat Excelerate Energy dhe Renco nuk do të ketë penalitete.

6. Ministrja Balluku gënjeu kur tha se TEC-et do të mbeten pronë e shtetit dhe se ne do të shesim energji nga këto (rrangalle shën. Im) në rajon e më gjerë. Nëse do të vihej në punë TEC-i ekzistues (rregullimi i sistemit të ftohjes) i Vlorës do të duheshin rreth 50 milionë dollarë.  Në një janar duhet të kishte nisur prodhimi i energjisë elektrike nga dy termocentralet lundruese në Vlorë, por anijet nuk kanë prodhuar ende asnjë megavatorë energji elektrike. Ajo gënjeu sërish kur tha se mjetet janë gati për t’u vënë në punë, por ndezja e gjeneratorëve do të bëhet kur të jetë e nevojshme, sepse gjeneratorët ende nuk janë instaluar. 

Dëmi mjedisor pa koment

TEC-et lundruese do të djegin 600 tonë naftë të rëndë në ditë, ose 219 000 tonë naftë/vit. Nëse konvertojmë sasinë e naftës në dioksid karboni (CO2), atëherë shifra është rreth 712, 409 tonë CO2/vit. Kjo shifër është e barabartë me; 3749.5 kg CO2 në vit për çdo banor të Vlorës, 275.7 kg CO2 në vit për çdo banor të Shqipërisë, e shtuar kjo në mushkëritë tona. Në nivel vendi, për çdo banor = 82% më shumë CO2 nga ajo sasi që një person nxjerr gjatë frymëmarrjes për një vit. Ose për çdo banor të Vlorës = 10.5 herë më shumë (1050%) se sasia e CO2 që një person nxjerr çdo vit. Për ta përthithur nga atmosfera këtë sasi CO2 që çlirohet nga këto TEC-e lundruese, Shqipërisë i duhen edhe rreth 200.000 ha të tjera pyje shtesë (ose një investim prej 1 miliard euro, për të mbjellë ato pyje). Ndërkaq qytetarët e Vlorës opozitë e pozitë nuk shprehen fare për këtë që po ndodh.

Filed Under: Sociale

KËPUCA E BOTËS NË NJË ROMAN TË RI

January 19, 2023 by s p

– Një vëzhgim rreth romanit “Këpuca e aktorit” të Visar Zhitit –

Nga Artan Nati

Romani “Këpuca e aktorit”, naracion në vetën e parë, që në fakt janë një shumësi njerëzish që flasin, edhe nëpërmjet simboleve të zakonshme si këpucët, por dhe maskat, të zakonshme për teatrin, të jep përshtypjen sikur flet vetë atdheu.

Në qendër është një familje e shtresës së mesme, e lidhur ngushtë me artin, që pëson transformimin e gjithës shoqërisë shqiptare në tre periudha historike moderne, e para: nga 1912 deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon me periudhën e dytë, ate të diktaturës dhe më tej me periudhën e tretë, të demokracisë.

Devizë janë fjalët e Nënë Terezës: “Jeta është lojë, luaje. Jeta është dashuri, dashuroje.”

Dhe pikërisht këtë na shpalos ky roman, lojën dhe dashurinë nëpërmjet karaktereve në ngjarje. Simbolika e zgjedhur, këpuca, është domethënëse. Pothuajse çdo shoqëri ka pasur një histori të gjatë të këpucëve, që shkon përtej të qenit thjesht mbrojtje e dobishme për këmbët tona. Këpucët kanë qenë gjithmonë një mundësi për njerëzit që të tregojnë statusin e tyre shoqëror, stilin e tyre deri edhe madhësinë e portofolit të tyre. Këpuca është mjeti kryesor që na bënë të mundur kontaktin tonë me token, na lidh dhe na ndan. Që prej mitologjisë greke Herkuli arriti të vriste Anteusin, birin e Tokës dhe të Poseidonit vetem pasi e shkëputi atë nga toka. Romani është sa psikologjik, po aq edhe historik, aktual dhe modern, plot me drama që personazhet kalojnë për të bërë të mundur ekzistencën e tyre. Që në fillim autori na tregon rëndësinë e teatrit dhe një pjesë e personazheve janë për ruajtjen e tij dhe jo për prishjen, edhe pse i vjetër. “Sa më shume teatro në një qytet, aq më shumë qytet. Atje ku s’ka teatër, s’ka qytet, s’ka dëshmitarë artistikë të jetës. Ata që s’na duan ne, aktorëve, s’dinë të duan e nuk kanë dashuar kurrë” – thuhet në libër.

Në retrospektivë, këpucët e vendosura në oxhak si ornament, paraqesin një simbol civillzimi dhe statusi, edhe pse komik, rrugë në të cilën shoqëria jonë duhet të udhëtonte, megjithëse çalë-çalë, por drejt një endere te përbashkët, të qartë dhe të turbullit.

Moisiut, babai i protagonistit, shkon student në Normalen e Elbsanit, ku i humbet një këpucë, metaforë e një humbje në jetë, e një vjedhje në dëshirat.

Kjo reflektohet edhe në një monolog, për një ngjarje politike, ku shprehet se me grusht shteti ne pushtet kishte ardhur Fan Noli: “Ishte burrë i ditur, thoshin, i binte dhe gërnetës, kjo është e keqja e tij. Pse është cigan ? Po Lejlaja është revolucionare?…” Pra, mpleksen ndjesitë dhe bëmat. “Edhe ky Noli na paska qenë aktor. Menjëhere u bëra me të. Ku do ta gjeja? Ç’e do, lërë, se është bolshebik me Leninin… Aktor është edhe ai?”

Moisiu takon At’ Gjergj Fishten, që kthehet në një burim frymezimi për të rinjtë.

Dhe nis Lufta e Dytë Botërore, me përçarjes së familjes në roman nënkuptojmë përçarjen e vendit. Një befasi tjetër tronditëse, një duel midis Moisiut dhe një partizani, Në fakt shtresa e edukuar e vendit kërkonte bashkim dhe jo vëllavrasje, por komunistet kërkonin përçarje dhe vëllavrasje, sepse ishin ishin të shitur në krye tek jugosllavët, që I drejtonin. Moisiu përfundon i vrare në një duel, në të cilin nuk donte të vriste partizanin, e shikonte si vëlla, biles i jep edhe fishekë, kur atij I mbaruan të tijët, pra vritet me fishekët e vet. Më pas manipulohet dhe historia, nga komunistet dhe e trajtojnë si tradhtar dhe kjo fatkeqësi ndjek gjithë jetën të birin, Hektorin.

Në roman është dhe një dialog me Mit’hat Frashërin, ku ai akuzon komunistet për tradhtinë e Marrëveshjes së Mukjes. Komunistet nuk ishin te interesuar per bashkepunim, ata ishin të interesuar për marrjen e pushtetiti nën të ashtuquajturin internacionalizmin proletar .

Dhe nisin gjyqet, dënojnë njerëz me gjyqe fiktive. Autori thotë se dukej sikur gjyqtaret ishin aktorë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dënoheshin vërtet, vrasjet nuk ishin tetatër.

Gazetarja e shquar, ndërkohë dhe fiilozofe, Hannah Arendt, thoshte: “Totalitarizmi në pushtet zëvendëson të gjithë talentet e klasit të parë, pavarësisht nga simpatitë e tyre, me ata të krisur dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe kreativitetit të të cilëve është ende garancia më e mirë e besnikërisë së tyre.”

Këtë e shikojmë te gjyqtari, që percaktohet në roman si “Nofulla”, pasi ai vetem përsëriste qorrazi porositë e eprorëve dhe injoronte faktet. Pikerisht ky person bëhet ministër në demokraci dhe del kundër demostruesve të teatrit. Ashtu siç Hannah Arendt thoshte: “Revolucionari më radikal do të bëhet konservator një ditë pas revolucionit.” Kështu ndodh dhe në romam me personazhet si Çaçoja apo “Nofulla” dhe Jorgji Gërshera, emra qesharakë, por barbarë. Këta personazhe pas permbysjes se komunizmit shnderrohen në demokratë të flakte dhe marrin poste të rëndësihme. Jorgji Gërshëra, ka kete mbiemer, jo se ishte rrobaqepës, por qethte flokët e atyre që I mbanin të gjata, bëhet i madh në parlament e pritet për president .

Një nga situatat më kulminante është moment, kur Hektori përgëzohet nga diktatori në skene, të dy aktorë dhe kur po festonte ditelindjen e vajzes, e thërrasin në polici. Atje e detyrojnë të shkruaje, madje në një birucë, një dramë të realizmit socialist për një fatkeq që tenton të arratiset dhe që e kapin forcat e Sigurimit. Propagande e frikshme dhe dhunuese. Ndërkohë Hektori përgjohet nga Çaçoja, një anëtar partie, injorant dhe i pamoralshem. Në këtë situatë kafkiane Hektori ndihet i pafuqishëm për të kuptuar ose kontrolluar atë që po ndodh, një situatë përtej absurdit tragjik dhe shumë depresive. Gjendja e brendshme, per shkak të përmasave të vuajtjeve dhe kulmit të ngjarjeve të tmerrshme në të njëjtën kohë, është vërtet kafkiane. Hektori mendon se nuk ka asnjë “kuptim” për t’i dhënë kuptim jetës se tij dhe pikerisht tani ai vendos të jetojë i ndarë nga familja e tij. Kështu mendon se i ndihmon nga ashpërsimi galopant i luftës se klasave. Ai nuk harronte që në dasmën e tij kishte goditur me këpucë në shenjë revolte dhe dehjeje parrullat revolucionare, që interferonin me privatesinë e dasmes. Dashuria e nënës duhej të zëvendësohej me dashurinë e nënës parti. Nuk kishte më familje, por një familje të madhe socialiste, pa mirëkuptim. Situata të tilla krijohen gjithandej, lexuesi ndien emocione të forta, transformimet të bëjnë të krahasosh gjendjen e Hektorit me atë të Gregor Samsa-s tek “Metamorfoza” e Kafkës.

Dhe na nëpërmendet nodhia, kur në 14 dhjetor 2008, gazetari irakian Muntadhar al-Zaidi hodhi të dyja këpucët e tij drejt presidentit të SHBA-së George W Bush gjatë një konferencë shtypi në Bagdad.

Ky lloj sulmi me këpucë është përdorur shpesh, duke përfshirë goditjen e këpucës të Nikita Hrushovit në OKB në vitin 1960, etj, që në roman janë skicur me një lloj humori të zi.

Autori thotë në m;enyrë niçeane: “Çfarë dramash, çfarë ankthesh, por kemi artin që të mos vdesim nga e vërteta.”

Me interes na shfaqen këpucët e një lypësi në dyert e një katedraleje. Këpucet e tij dukeshin të Çaplinta si të pikturuara Van Goghshëm, që fytyrën e tij e shprehnin më shumë se sa vetë ajo e një maske.

Më tej zbulojmë në roman se këpuca ështe si miqësia, ose të rri mire, ta mban këmbën ngrohtë ose të shtërngon e të vret. Një tjetër arsyeton se vetura sot nuk është me luks, por si këpucët. Shoqëria ka evoluar kur kujtojmë revolucionin, vënien e dy këmbëve në një këpucë në kohën e diktatures.

Këpuca, një nga format më të vjetra të teknologjisë njerëzore, është prototipi për të gjitha teknologjitë e tjera, një term i gjithanshëm për instrumentet dhe procedurat që na lejojnë.

Me këpucën ashtu si me një Van Gogh, autori na nxjerr dhe një kuptim të vetë artit, po dhe lidhjen tonë me token, me ngjarjet mbi tokë duke kaluar dhe në mjedise të panatyrshme ose jo mikpritëse. Automjetet si makinat, varkat, anijet, edhe raketat, etj, janë si këpucë të mëdha. Veshjet hapësinore, kostumet hazmat dhe vaksinat janë si këpucët me të gjithë trupin. Mediat e gjuhës dhe të artit mund të mendohen gjithashtu si teknologji në këtë kuptim; si këpucët, ato gjithashtu na ndajnë nga përvoja e drejtpërdrejtë për të na ofruar një realitet të ri, ‘të ngritur’.

Ekzistenca zbathur – na ballafaqon me faktin e çuditshëm se këpucët nuk janë thjesht një teknologji që mund ta adoptojmë ose ta refuzojmë sipas dëshirës, por një objekt artificial që trupi ynë ka evoluar për t’i përdorur.

Në këtë këndveshtrim mund ta shikojme edhe ne lidhjen tonë me artin. Na sugjeron romani. Teatri është si një këpucë gjigande që na bën të mundur të shpjegojmë më mirë realitetin dhe veten me këpucë të tjera, të projektojmë të ardhmen, por me kepucë të reja. Këpuca është metaforë. Prandaj dhe ideja e të riut student në Milano, Atjonit, është sa moderne edhe e drejtperdrejtë, futuriste dhe sfiduese. Ashtu siç perifrazon Hektori fjalët e Nënë Terezës: Jeta është lojë – luaje.

Në fund Hektorin e zuri teatri nën vete gjatë shëmbjes, plagoset keq dhe ende më në fund digjet enigmatikisht në zjarrin që merr apartmaneti i tij. Apo I vun:e flakën? Ç’do gjë ndodh.

“Njelloj më duken të dyja” – thotë autori me gojën e protagonistit. Në Shqipëri çështjet e mëdha e jetike harrohen, ndersa ato të vogla zgjasin pa mbarim. Jemi një vend që diskuton vit për vit se kur është data e çlirimit, në 28 nëntor apo në 29? Hektori përgjigjet: “Jemi një vend që nuk jemi çliruar akoma…”

Irisi, vajza e Hektorit, mbase personazhja më mbresëlënëse, thotë në epilogun e tretë se “Babi kishte sindromin e këpucës së vjedhur. Ecjes se penguar. Ajo këpucë është teatri. Ah, babi sikur u bë këpucë edhe vetë. E futa në valixhe atë këpucën e djegur përgjysmë.” Sa pikëlluese dhe fatale, aq mbeti nga një jetë…Bashkëjetesa e Irisit me Marinit, djalit nga Prizreni, aktor dhe ai, shikohet si një simbol I bukur dhe i ngrohtë i bashkimit të Shqipërisë natyrale dhe fëmija që do të lindë prej tyre, do të jetë Shqipëria e vërtetë, që nuk do të eci në mënyrë të çalë, por do të ndihet normale me këpucët e saj të deshirave dhe ëndrrave të reja. Romani është bashkim kohërash dhe idesh dhe bashkim zërash dhe fatesh, plot me dritë-hije, dyshime njerzëzore dhe dashuri deri në shenjtëri, me copëzime, herë të errëta dhe herë vezulluese, që bashkohen mrekullisht në një tërësi, që krijojnë botë. Bota në një këpucë, këpuca në një botë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: artan nati, Visar Zhiti

E mira e pasojës

January 19, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Hrushovi u rrëzua kur ishte me pushime në Pitsunda për 5 muaj në vitin 1964. Brezhnev e telefonoi për një takim urgjent në Moskë, kur mbërriti në aeroportin Vnukovo, KGB kishte rrethuar aeroportin dhe shefi i KGB-së Vladmir Semichastny po e priste. Ai i tha se do ta rrëzonin dhe e këshilloi të mos rezistonte. Hrushovi u shoqërua në Kremlin, ku Brezhnev dhe klani i tij i paraqitën një listë të gjatë akuzash që përfshinin politikën e tij të jashtme të paqëndrueshme, reformat liberale, dështimet në bujqësi, shpenzimet e kufizuara ushtarake, shtyrjen e botës në prag të luftës bërthamore dhe tërheqjen e tij të turpshme nga Kuba. Hrushovi u përgjigj:

“…unë nuk do të rezistoj…jam i vjetër dhe i lodhur…kam bërë gjënë kryesore. A mund të kishte ëndërruar dikush t’i thoshte Stalinit se nuk përshtatej më dhe t’i sugjeronte të dilte në pension? Tani gjithçka është ndryshe. Frika është zhdukur dhe ne mund të flasim si të barabartë. Ky është kontributi im…”

Në vend që ta linte veten të largohej me forcë, Hrushovi zgjodhi të jepte dorëheqjen duke paraqitur pleqërinë dhe shëndetin e dobët si arsye të dorëheqjes. Më vonë ai shkroi në kujtimet e tij se e konsideron vendimin për ta hequr dhe për të mos e ekzekutuar si një nga arritjet e tij më të mëdha në jetë. Duke marrë parasysh fatin e njerëzve që ranë nga lufta për pushtet në sistemin sovjetik më parë, ishte një provë e gjallë se Hrushovi kishte bërë një ndryshim.

Filed Under: Fejton

EFI QELESHI ZGJIDHET KRYETARE E DEGES SE VATRES NE WORCESTER MA

January 19, 2023 by s p

Në unanimitet të plotë, më 31 dhjetor 2022, Efi Qeleshi u zgjodh kryetare e Deges se Vatres ne Worcester MA. Patriote dhe aktiviste se bashku me bashkeshortin e ndjerë Mihallaq Qeleshi kane kontribuar ne komunitetin shqiptar dhe Federaten Vatra per me shume se 20 vjet. Familja Qeleshi pas ardhjes ne Amerike, u lidh që në fillim me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Kishën Shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”. Pas pak vitesh hapën restorantin e tyre The Coffe Mug (Mëngjezore e Drekë) ku punuan së bashku burrë e grua deri në dhjetor të vitit 2019, kur u nda nga jeta Z. Mihallaq, biznesmen i suksesshëm dhe antar aktiv i Kishës, i Shoqërisë “Djemtë e Shën Mërisë”, dhe i Degës së Federatës Vatra, Worcester MA. Ashtu si i shoqi Mihallaq, Efi vijon punën dhe aktivizimin atdhetar në aktivitetet e Kishës Shqiptare, të degës së Fedatarës Vatra me qellim mbajtjen gjalle te shqiptarizmes ne mergaten shqiptare te Amerikes.

Filed Under: Reportazh Tagged With: efi qeleshi

SHPALLET VITI JUBILAR I KUVENDIT TË ARBRIT

January 19, 2023 by s p

Me rastin e 320-vjetorit – Janar 1703

Nga Frank Shkreli

                    Papa Klementi XI Albani

Ishte viti 1703 – më saktësisht – 13, 14, e 15 Janari i atij viti që në Mërçi të Lezhës është organizuar Kuvendi Kishtar i Arbrit – ose ndryshe Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare, i thirrur nga Papa Klementi i XI – Françesk Albani, me origjinë shqiptare. Organizimin e këtij Kuvendi me rëndësi të madhe kombëtare, Papa Klementi ia besoi Kryeipeshkvit të Tivarit në atë kohë, Imzot, Vinçenc Zmajeviqit. 

Me atë rast, ipeshkvijt katolikë të trojeve shqiptare, pjesëmarrës në Kuvendin e Arbrit – shqyrtuan, në përgjithësi gjëndjen e përgjithëshme, kryesisht, të mjerueshme të Kishës Katolike në ato anë nën sundimin ottoman. Përveç çështjeve kishtare, Kuvendi i Arbrit ka analizuar edhe çeshtje të tjera me rëndësi kombëtare, përfshir rrezikun që i kanosej jo vetëm fesë katolike, por edhe gjuhës shqipe dhe me të edhe identitetit kombëtar nën administratën e egër pushtuese otomane, në një situate tejet të vështirë dhe sfiduese për shqiptarët në trojet e veta. 

Për të shënuar këtë ngjarje me shumë rëndësi për ruajtjen e historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, Dioqeza e Lezhës dhe Bashkia Lezhë, organizuan fund javën që kaloi, pikërisht në ambijentet e Kishës së Shën Gjonit (në rinovim e sipër)ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit 320-vite më parë, Kishë kjo që nën drejtimin dhe udhëheqjen e të palodhurit Dom Nikë Ukgjini dhe bashkpuntorëve të tij, po rinovohet – ashtu siç janë rindërtuar një numër objektesh të tjera kishtare historike në ato anë, falë vullnetit, dedikimit dhe vendosmërisë së tij personale, fetare e kombëtare të tij dhe ndihmës së shumë prej bashkpuntorëve të tij, të cilët – në mungesë arrogante të ndihmës qeveritare për objektet kulturore – shumë prej këtyre patrirotëve nuk kursejnë asgjë për rindërtimin e këtyre objekteve me rëndësi kombëtare historike dhe fetare. Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës | Gazeta Telegraf

Në frymën e bashkpunimit dhe mirëkuptimit mbarëkombëtar të Kuvendit të Arbrit, Janarin e vitit 1703,ku e kur u mblodhën burrat e dheut për të biseduar për fatet e Kombit — MËRQIA- KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) –fund javën që kaloi Dioqeza e Lezhës dhe Bashkia Lezhë organizuan një tubim për të shënuar këtë përvjetor duke shpallur vitin 2023, si Vitin jubilar të Kuvendit të Arbrit, me rastin e 320-vjetorit.

Shihet se për nga pjesëmarrja në këtë tubim e studiuesve dhe personaliteteve akademike nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, organizatorët duket se janë munduar, me të drejtë, t’i japin kësaj ngjarjeje të rëndësishme një pamje të karakterit mbarëkombëtar. Në kishën e Shën Gjonit ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit më 1720 – ndoshta më i rëndësishmi në historinë e shqiptarëve, pas Besëlidhjes së Lezhës nën drejtimin e Kryetrimit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – ishin mbledhur klerikët nga diqoezat e Lezhës, Shkodrës e Tivarit. Morën pjesë gjithashtu edhe studiues, akademikë dhe mysafirë të ftuar nga mbarë trojet shqiptare, të ardhur nga Shkupi, Prishtina, Ulqini, Tivari, Tirana e Shkodra, në shenjë nderimi dhe respekti për Kuvendin historik të Arbrit, por edhe për rëndësinë që ka edhe sot –jo vetëm fetare, por edhe atdhetare e kulturore, për mbarë Kombin shqiptar – edhe si shembull i ruajtjes së gjuhës dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta. Organizuesit e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, fetaro-kulturore, falënderuan edhe kontribuesit nga vendi dhe jashtë vendit — pa ndihmën financiare të cilëve – do ishte pothuaj i pamundur rindërtimi dhe meremetimi i Kishës së Arbrit dhe ambienteve për rreth. Është meritë e tyre dhe udhëheqsit të punimeve të meremetimit,  Dom Nikë Ukgjinit, që sipas fotografive që kam parë, ky objekt historik, çdo ditë e më shumë, po merr shkëlqimin e vet të merituar e të munguar për shumë dekada me radhë. U lumtë këtyre burrave të dheut, të kohërave tona, të cilët kanë marrë përsipër përgjegjësi për ruajtjen dhe meremetimin e objekteve kombëtare, që në një shtet normal, janë përgjegjësi të qeverisë e të shtetit.

Me këtë rast përkujtimor, të djelën që kaloi, të Kuvendit të Arbrit në Mërçi të Lezhës u promovua edhe relacioni i autorit të punimeve të Kuvendit të Arbrit, delegatit të Papa Albanit,  Imzot Vincenc Zmajeviq, i botuar në gjuhen shqipe, nga AIlbanisches (Albanishes) Institut, St. Gallen dhe shtëpia botuese, Faik Konica Prishtinë.  Tubimi i javës së kaluar në Lezhë, shënoi gjithashtu edhe fillimin e Vitit Jubilar të 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, me premtimin për tu takuar gjatë këtij viti për ngjarje të tjera, në kujtim të këtij përvjetori jubilar.

Në tubimin, me rastin e 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, folën një numër studiuesish e historianësh, disa prej të cilëve mund ti ndjekni në këtë link më poshtë. PERKUJTOHET NE LEZHE 320 VJETORI I KUVENDIT TE ARBERIT. Bashkia dhe Dioqeza e Lezhes kane perkujtuar 320 vjetorin e Kuvendit te Arberit, nje nga… | By Rrok | Facebook — Por, si pasqyrim të punimeve të tubimit, javën që kaloi, foli edhe Dom Nikë Ukgjini, drejtuesi dhe udhëheqsi i projektit të madh të rinovimit të Kishës së Arbrit, ku 320-vite (14, 15 e 16 Janar, 1703) më parë u mbajtë Kuvendi i Arbrit. Në fjalën e tij, Dom Nik Ukgjini tha se kjo datë është një themel i rëndësishëm për mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit shqiptar., duke dhenë një historik të shkurtër të Kishës së Arbrit, ku 320-viet më parë u mbajt Kuvendi i Arbrit.

Kisha-katolike-në-trevat-shqiptare-nga-dr.Dom-Nikë-Ukgjini-1Lezhë, Mërçi, 14 janar, 2023

Fjala përshëndetës dom Nika

Shpallja e vitit Jubilar, 320 vjetori i Kuvendit të Arbrit

Të nderuar pjesëmarrës,

Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbërit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, kur ai kishte vetëm 31 vjeç, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare, të gjuhës shqipe e të identitetin etnik të kombit shqiptar. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe  më 15 e 16 janar 1703, kur në përfundim të punimeve, baritë e të gjitha trojeve të Kishës Katolike, si dhe delegatë të tjerë, nënshkruan dekretet e Koncilit të Arbnit, te cilat u botuan  në latinisht  e shqip ne vitin 1706, nga Imzot Zmajeviçi e ku përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar, përkundrejt torturave nga pushtuesit, i qëndroi pranë në gaz e në vaj, popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. 

Imzot Zmajeviçi i nxitur nga Papa Francesk Albani, u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit. 

Nisur nga ajo  se çfarë është shkruar për Kuvendin e Arbrit, mund te themi se në ketë ambientin ku gjendemi, u vendos një gur i rëndësishëm themeli për mbrojtën dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të arbërve përballë zgjedhës së rëndë të robërisë nën turqit osmanë dhe depërtimit të dhunshëm të islamizmit, i cili kishte arritur fazën e tij kulmore në fund të shek. XVII e fillim të shek. XVIII.

Sulltanati i Stambollit duke reflektuar thellë, kuptoi se Kuvendi i Arbrit ishtë një veprimtari sa kombëtare aq ndërkombetare, një nga ngjarjet me të mëdha ballkanike, ishte konkretisht një reagim strategjik i Evropes Perëndimore ndaj Shqipërisë, prandaj në vitet në vazhdim, ky objekt  legjendarë, do pësonte dëmtime, rrënime të shumta si dhe ringritje. Do  përmendim këtu dëmtimet goditëse e të parat që kishin ndodhur gjatë rivalitetit në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe Mehmet Pashë Çaushollit besnikut të sulltanit, gatë viteve 1785-1796, e ky ipeshkvi Mikel Kryziu në vitin 1789, thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Po kështu dëmtime te kësaj natyre shënohet sa ka pasur edhe në vitet në vazhdimësi. Ajo e fundit ka ndodhur nga esadistët shqiptarë në vitin 1915 dhe me pas gjatë diktaturës së egër komuniste, e cila e dominoj për 45 vite tokën e Arbrit.

Me ardhjen e demokracisë në mars të viti 1991, Kisha Katolike si pjesë e këtyre vuajtjeve të këtij populli, me këtë rast filloi edhe ajo ringjalljen e saj. Meshtarët, përpos punës intensive baritore, ju desh të merreshin edhe më ringritjen e mureve të rrënuara të disa objekteve të kultit. Kështu ndodhi edhe me Kishën legjendare të Kuvendit të Arbrit, e cila gjatë kohës se komunizmit kishte degraduar tepër, prandaj u pa e nevojshme ndërhyrja restauruese e cila ndodhi në mënyrë serioze por dhe modeste vitin 1996. 

Duke qenë të bindur se çdo aset të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare, përfaqësojnë vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar, dhe që kjo pjesë e historisë sonë të marrë edhe më tepër jetë, një grup vullnetmirësh me ide e financime arritëm gjatë vitit 2022, të ia shtojmë dinjitetin këtij objekti duke rindërtuar e meremetuar, por dhe duke shtuar gjerat të nevojshme, në Kishë dhe ambientin për rreth e qark.

Duke falënderuar te gjithë kontribuuesit financiarë nga brenda dhe diaspora deri tani kemi arritur për ta përmbyllur fazën e parë të rindërtimit, me shpresë se do i gjejmë mundësitë për përmbyllur deri në fund projektin e hartuar. 

Me ketër rast të 320 vjetorit te Kuvendit të Arbrit, gjej rastin ti falënderoj edhe atyre që na shtuan madhështinë e kësaj feste duke na mundësuar  promovimin e relacionit të Imzot Zmajeviqit në gjuhën shqipe e i cili si vend takimi historik e kishte pikërisht në Kishën e Merqisë ku sot jemi bashkuar.”  Fjala e Dom Nikë Ukgjinit në përvjetorin e 320-të Kuvendit të Arbrit.

 Koncili Kuvendi i Arberit 1703  Concilium Provinciale sive Nationale Albanum Habitum Anno MDCCIII

Filed Under: Rajon Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1877
  • 1878
  • 1879
  • 1880
  • 1881
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT