• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KAFE “ADULTER”

September 30, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

Moderatori i njohur Mjalti, ay i TV te Madh Kombetar, rrasi më thellë kasketën për të mos u njohur nga fansat e panumert. Eshte bezdi tek ecen me te shpejte, jogging rrotull e rrotull liqenit, te rrish e te pershendetesh tufat e admiruesve, tu kthesh buzeqeshjet, ndonjë batute pak më të njohurve…”Ohuuu”

E rrasi kasketën vërtet, por jo aq shpejt sa për të mos e kapur në atë moment flututurak, syri vigjilent i spiunit të lashtë Prasi…Kryente edhe ai në sens të kundërt xhiron e freskët të mengjesit krah për krah gruas Grenxa….

…Por ja tek vinte kundruall nja 100 m më pas, edhe moderatorja aq e dashur për publikun e ngeshëm, Bleta e Televizionit Gjigand Kombëtar…Kish vënë syze të mëdha, kasketë lepurushi rrasur thellë dhe xhogonte edhe ajo me shpresën se nuk do njihej nga fanset pa numër. Duhet thënë se nuk pati aq “fat”. E njohën nja dy goca,( e kujt do ja hidhte ajo. Ato mbanin vetë nga ato syzet e mëdha e kasketë të butë lepurushi). E ndaluan, i kërkuan selfie së bashku, u a plotësoi dëshirën, rrasi më thellë kasketën e rendi të kapte kohën e humbur…

Por nuk mendoi kështu për kohën e saj “të humbur” spiuni i hershëm Prasi, tashmë analist e kritik i njohur në disa media online…” Pa shih, pa shih” mendoi,” mos ka lënë takim me moderatorin Mjalti që xhogonte pak para saj…kjo Bleta punëtore e Televizionit Gjigand Kombëtar?”

Edhe titulli i asaj çka do shkruante ju shkrua vetëtimthi në krye:” Kasketat e buta të moderatorëve”…Ecën edhe ca me gruan dhe pastaj Prasi nuk mundi të përmbahej më…

“Vazhdo ti” i tha Grenxës, ik e më prit te kafja…ose pije vetë se më doli diçka…” dhe u kthye e ja mbathi në krah të kundërt duke e lënë Grenxën pilaf..

“ Ku shkon idiot…” u xhindos e i ulëriti nga pas Grenxa…”si do e pi kafen vetëm…pastaj e kemi lënë me orar të shkojmë edhe te ai mjeku, të më vizitojë pak thumbin, …”

Ai fluturoi. Në vrap e sipër tek i frushullnin gjethet e vjeshtës ndër këmbē e në veshë…sikur iu rikthye tërë jeta e shkuar, e bukur para syve…kujtoi vitet e vegjëlisë kur vinte e përgjonte çiftet që bënin dashni nga liqeni, rininë kur mori pagesën e parë për një spiunllik të vogël…Pastaj atë burrin që e kish ndjekur nga liqeni me të dashurën e që edhe tek rënkonin e bënin dashuri, lëshonin parulla kundër partisë. I spiunoi dyfish: agjitacion e propagandë dhe adulter, e e kallën në burg atë burrin pa e marrë vesh nga i erdhi…

…Spiuni i regjur Prasi ngadalësoi hapat dhe mbeti në vend me sy të çakarritur: Ç’po shihte…!!

…Mu tek ajo kafja platformë që sheh mbi liqen e ka poshtë një fushë tenisi ende të pa inaguruar,ja mu tek ajo kafene verore, quajtur ndryshe edhe Kafe Adulteri, na ishin ulur e po pinin kafe, moderatori Mjalti, moderatorja Bleta dhe…kjo ishte e pabesueshme…edhe Matka, vetë Matka, gruaja e moderatorit Mjalti….

Ja dhe Monologu i Prasit:

“Të kishin lënë takim që më parë, të tre për kafe? Jo ore…po pse nuk ishte që në fillim me gruan Mjalti? Pastaj ato kasketat e rrasura, vërtet për fansat ishin? Pastaj ca si shumë seriozë duken…të tre…as gaz e as gallatë si mes moderatorësh…duhet t’i ketë kapur në flagrancë gruaja e Mjaltit..sapo janë ulur…dhe tani po flasin qetë gjoja…për të mos bërë ndonjë skandal…të tërë i njohin…he he…po mua nuk ma hedhin dot…

..gjithsesi nuk e botoj dot pa ndonjë foto Bleta-Mjalti, në flagrancë…U pa puna…rikthim në fëmini…ndofta do më duhet të dal ca herë andej nga Gjiri i Kurvave…andej nga strehoeshin dashnorët dikur…sot e mot”

…I telefonoi gruas:” Hej Grenxe, te Kafe Llumi je? Prit se erdha”

“Ik more qelbësirë” zukati egër nga ana tjetër e liqenit Grenxa. “Pije me atë kurvën…e helm tu bëhet…Me kë u takove plehrë…Mua do ma hedhësh ti?“

Filed Under: Komente Tagged With: Ylli Pango

O ZOT I FJALËS SHQIPE

September 30, 2022 by s p

ARISTOTEL SPIRO/

ose LE TA MBROJMË PËRKTHIMIN NGA SHQIPËRIMI!

(LUTJE PËRKTHYESIT)

O Zot i Fjalës Shqipe,

O Perëndi Ligjërate!

Shpëtona kumtet e largëta prej gjuhësh të pakuptueshme!

Përkthimin mbroje nga tundimi i shqipërimit!

Bëhu shtrat që të shoh përmes teje mrekullitë e mendjes njerëzore,

çka shtrihet përtej gjuhës amtare.

Bëhu ti monument mbi piedestale veprash të përbotshme,

veç kurrë piedestal narcizist shqipërimi.

O shqipërues,

në qofsh i zoti të shprehësh shqip çdo fjalë e frazë të huaj,

shqipen nderoje duke i dhënë dashuri shkrimit të bujtur,

bëna të ngjitemi bashkë shtigjesh të panjohura mendimi.

Shpëtoje veten nga tundimi i krenarisë ligjëruese;

përmbaje dalldinë,

shelbona nga egoizmi i shqipëruesit,

bëhu më në fund i vërtetë

bëhu përkthyes

dhe t’u falshin mëkatet e vogla kuptimore,

sikundër ti ua fale përkthyesve të gjuhës sonë shtegtare.

o Zot i Fjalës Shqipe,

o Perëndi Ligjërate!

30 shtator 2022

Filed Under: LETERSI

A one-night stand…

September 30, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

Në vilën e grabitur nga “çlirimtarët”, ushtarët e shërbimit janë ndërruar. Menjëherë vajzës së bukur i ra në sy gardisti qafëshkurtër, shpatullgjerë, syzgavërt, ujku, që i bën shenja të turpshme. Si guxon, mendoi e tronditur gjimnazistja. Pas vrasjes së numrit dy të kupolës së krimit, në pjesën fundore të bllokut, ku banon familja e saj dhe disa ushtarakë të lartë, kanë nisur internimet. Babai ka ditë që s’është kthyer, e morën me BÇ-në e drejtorisë dytë, sigurimit, tha me vete dhe trupin ia përshkoi e dridhur frike. Ujku merr detyrën. E diel. E ëma s’është kthyer nga motra e vet, që punon në Komitetin Qendror. Ka shkuar të mësojë për fatin që e pret. Ujku vë dorën mbi organ. Bën nga dera.

– Takohemi te “MC LAREN”, bar-lulishtja pranë shtëpisë tënde.

– Në cilën orë?

– Muzg, gjashtë. Le që po të marr me taksi.

– Mos u mundo. Vij në këmbë.

– Merrja mercedesin tim, por s’ka vendparkimi.

Lokali te rruga “Karadaku” është mbushur me rini. Altoparlantët e vendosur në qoshet e lulishtes sjellin muzikë italiane të viteve ’70. Më të mirat e Lucio Battisti-t. Elbasani në shtator është i një dimensioni tjetër, krahasuar me Pogradecin e lagësht e të ftohtë, ku kaluam fundjavën: është i ngrohtë, i bukur dhe njerëzia bisedojnë me njëri-tjetrin duke shijuar pije jashtë në natyrë – sa ekzotike! Ne që vijmë nga larg, na lë pa frymë. Na jep atë që asnjë qytet tjetër në botë nuk e ka: dritën mistike të vendlindjes. Ndërsa dëgjojmë zërin e Lucio-s me këngën “Il Nostro caro angelo” – njëra nga më të preferuarat e kohës.

“… La fossa del leone

È ancora realtà

Uscirne è impossibile per noi

È uno slogan, falsità

Il nostro caro angelo…”

Te tryeza afrohet një mik i vjetër. Ka vite që banon në kryeqytet.

– Edmond më surprizove. S’e kisha menduar që do t’më takoje me Muçin sot. Pas kaq vitesh.

Mbetem i befasuar. Miku i përbashkët s’ka ndryshuar fare. Jeta në fshatrat malorë, mësues, ia ka ngadalsuar moshën.

– Il nostro caro angelo…

Duke imituar Battisti-n takohemi me mall. Edmondi porosit pijen që na pëlqen të treve “Bitter analcolica” me akull. Gotat ndjekin njëra-tjetrën, biseda ndizet.

– Për mua Lucio është muzikanti më i madh italian që ka jetuar ndonjëherë.

Miku ynë mësues thotë plot pasion.

– Lucio i dritës. “La luce”.

Edmondi shton duke qeshur.

– Në retrospektivë, po ta shohësh artin e tij, është kalim nga këngët e dashurisë te ideja e dashurisë.

– Iluminim.

– Në vitet e fundit të jetës u mbyll në vetvete.

– Ashtu ndodh me të mëdhenjtë.

– Kam lexuar tregimin tënd: dashuria e Ilirit me gjimnazisten dhe jam prekur.

Mësuesi më vëshron me sy të trishtuar.

– Do të doja shumë ta shkruaj edhe… por, miratimi yt.

– Me një kusht. Pa emra.

– Përse me të vërtetë guxove.

Edmondi e ngacmon me dashamirësi.

– Marrëzia e kohës.

– Kam pak raki. E kam zier vetë. E hedhim në “Bitter”. Lëng shpirti.

Qesh me zë. Rakia e bën efektin menjëherë.

– Erdhi herët. Pa filluar ora e parë e mësimit. E shoqëronte nje mësuese që kisha besim. I pata treguar edhe lidhjen me maturanten. Në fillim u trondit. Vajza kishte ardhur e internuar. E ndjekin, më këshillonte kolengia. Ju luta dhe ma solli te kabineti i kimisë. Në aneks. Sapo mbetëm vetëm e mora në krahë. U lëshua e tëra. Shtrova në çimento një përparëse të bardhë që e mbante mësuesi i kimisë, kur bënte eksperimente.

Edmondi na i mbush përsëri gotat. Edhe pse alkooli është depresiv, na i shton emocionet, reagimet.

– Po të zinin.

E pyes me pafajni.

– Do të martoheshim. I kisha marrë parasysh të tëra. E dashuroja. Kur u largua më tha duke qeshur.

– Le ta quajmë…

– Më kishte pyetur dikur për kuptimin e “A one-night stand”. Ashtu i shokur ia kisha shpjeguar, ndërsa ajo fshinte lotët.

– Seksin e imponuar në takimin e parë e kam quajtur vdekje. Ujku mori gjithçka që kërkoi nga unë dhe për dy vite radhazi kam bërë ç’mos ta harroj. Por, sot, e bëra me dëshirë dhe le ta quajmë “A one-night stand” mësues. U largua. S’u takuam më. I kishin internuar në një fshat të izolur, mes malesh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Muç Xhepa

Historiku i themelimeve të rëndësishme fetare dhe kombëtare

September 30, 2022 by s p

Don Lush Gjergji/

Historia dëshmon dhe tregon që Kisha katolike arbëreshe, që nga zanafiljja e saj, kishte një shërbim të dyfishtë: fetar, të krishterë (lindor), dhe kombëtar– arbëror (shqiptar). Ja vetë kalimthi disa dëshmi bindëse: angazhimi i tillë fillon qysh me Kuvendin e Arbërit (1703), me themelimin e dy seminareve arbëreshe, emërimin e dy ipeshkvijve për Kalabri dhe Sicili. Seminari i parë është formuarnga Papa Klementi XII me bullën“Inter Multiplices” (1732), për “italo – shqiptarë” të ikur nga “Epiri”, që iu nevojitet kologji kombëtar në rrethana të reja ambientale dhe gjuhësore. Ai ndër të tjera e përkujton paraardhësin PapënKlementi XI – Albani, shqiptar, duke shkruar që “asnjë masë paraprake nuk është më e nevojshme se ngritja e një Kolegji të ritit grek në Ullano, për edukimin e djelmoshave të Epirit…”[1]

“Shqiptarët (iatalo – shqiptarët) të pranuar mirë në Itali, pas vdekjes së Skenderbeut (1468), mvareshin nga metropoliti ortodoks i Ohrit, i cili e shtrinte jurisdikcionin e tij edhe në Itali… Në këtë kontekst historik, arbëreshët, historikisht nuk duhet trajtuar si “uniat”, porsi “bij” që i mbetën besnikë mashkimit të Firencës.”[2]

Hapi i dytë ishte emërimi i ipeshkvit për këto bashkësi, me rit lindor apo bizantin, nën jurisdikcionin e ipeshkvijve vendor latinë- italianë. Kjo ndodhi për Kalabri nga Papa Klementi XII me Bullën “Suprema Disposizione” (1735), ndërsa në Sicili me Bullën “Commissa Nobis” (1784).[3]

Kështu de iure dhe de facto njihet dhe pranohet identiteti ynë i dyfishtë: fetar, sitë krishterë lindorë apo bizantinë, dhe kombëtar, si arbëreshë apo italo – shqiptarë. Nga ana politike dhe shtetërore gjërat kishin vazhduar krejt ndryshe. Vetëm në vitin 1999 Parlamenti italian kishte njohur praninë e pakicave kombëtare shqiptare apo arbëreshe në Itali. Në shekullin XX gjërat përparojnë dukshëm me tri themelime: Eparkia e Ungras (Lungros) në Kalabri (1919), Hora Arbëreshe në Sicili (1937) si dhe kuvendi apo manastiri i etërve bazilianë, kryesisht arbëreshë, në Grottaferrata (1937).S’duhet harruar edhe krijimin e seminarit të përbashkët për arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, “Benedikti XVI” (1919).[4]

Këto dhe shumë ngjarje, themelime, figura, personalitete dëshmojnë bindshëm që Kisha katolike në krye me Papën ka pasur në vëmendje, kujdes, përkrahje dhe dashuri të madhe për Arbëreshët tanë, për identietin dhe personalitetin e tyre në Itali dhe më gjerë.

Imzot Eleuterio F. Fortino ndër të tjera shkruan kështu: “Idetë e Koncilit II të Vatikanit (1962-1965) ndihmuan që të merrej vendimi nga ana e Ipeshkvijve italo-shqiptarë e nga Kongregata Lindore, për përkthimin e tekstit të Liturgjisë Hyjnore, shtypur nga Tipografia e Vatikanit në vitin 1967 në dy botime: greko-shqiptar e greko- italiane. Në vijim heparkia e Lungros publikoi, në një botim trigjuhësh (greke-shipe-italiane)akolouthie-n e sakramenteve.

Më 23 prill të vitit 1968, me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skanderbegut, u kremtua Liturgjia Hyjnore e Shën Gjon Krizostomit në bazilikën e Shën Pjetrit udhëhequr nga tre ipeshkvijtë. Më 6 gusht të të njëjtit vit, ipeshkvi i Lungros publikoi një dekret për përdorimin e gjuhës së folur në liturgji, orientim i ripohuar nga Asambleja eparkiale e Lungros (1995-1996) për Shqiptarët e Kalabrisë.”[5]

Themelimi i eparkisë – ipeshkvisë arbëreshe në Ungra (Lungro) të Kalabrisë

Më 13 shkurt 1919 papa Benedikti XV me bullën e veçantë “Catholicifideles” ka themeluar eparkinë – ipeshkvinë lindore të ritit grek, duke i ndarë nga ipeshkvijtë perëndimore italiane. Arsyeja e këtij vendimi dhe themelimi është kjo: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”[6]

Bulla vazhdon kështu: “Shi për këtë Ne, me fuqi të plotë apostolike, vendosim që menjëherë të themelohet kanonikisht një ipeshkvi e ritit grek në Kalabri, me emërtim e selisë në Ungra – Lungro, me katedralen e Shën Kollit nga Mira, ipeshkvin ordinar…”.[7]

Eparkia apo ipeshkvia e Ungras ka sot :

800 besimtarë – katolikë; 29 famulli; 44 meshtarë; 32 murgesha.

Ipeshkvinjtë Arbëreshë të Ungras (Lungros) deri me sot:

Imzot Giovanni MELE (1919 – 1979)

GiovanniMele lindi në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) më 19 tetor 1885. Ka studiuar në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë. Gjatë viteve të rinisë dhe formimit meshtarak ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut.

Shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungra (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emërohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte – shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungras. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungras, Horës së Arbëreshëve (PianadegliAlbanesi) në Sicili dhe Abacia e Grottaferratës.

ImzonGiovanniMele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë VinçencMatrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.[8]

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot GiovanniMele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvuajtur. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot GiovanniStamati, në varrimin e Mons. GiovanniMele tha: “Imzot GiovanniMele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”.[9]

Imzot Giovanni STAMATI (1979 – 1981)

Mons. GiovanniStamati lindi në Plataci ( Pllatëni) më 9 qershor 1912. Përgatitjen për meshtari dhe studimet i kreu në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 2 maj 1935.

Së pari ishte famullitar i Firmos, duke dëshmuar aftësitë e tija njerëzore dhe të krishtera. Pastaj qe udhëheqës i rinisë katolike në eparkinë e Ungrit gjatë viteve 1936 – 1965. Në vitin 1949 emërohet edhe udhëheqësi apo kryeprift për katedralen e Ungrit, kurse në vitin 1965 edhe Vikar Gjeneral.

Më 25 mars 1967 Papa Pali VI e emëroi arqipeshkëv titullar dhe administrator apostolik “sedepiena” të Ungrës. Shugurohet ipeshkëv më 29 qershor 1967.

Pas vdekjes së Imzot GiovanniMele, emërohet ipeshkëv i Ungras (Lungros).

Gjatë tërë jetës dhe shërbimit të tij kishtar kishte disa synime bazë: vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë liturgjike bizantine (lindore), si dhe të vlerave gjuhësore dhe kulturore arbëreshe.

Në vitin 1968 e ka vendosur gjuhën shqipe, arbërishte, në liturgji, kuptohet, pas përgatitjeve dhe përkthimeve ndërdioqezane mes Horës Arbëreshe, Ungras dhe Abacisë së Grottaferratës, me aprovim të Selisë Shenjte.

Sa i përket natyrës, ishte i butë dhe gjithmonë në mesin e popullit dhe me popullin, me klerin vëlla dhe babë, prijës dhe shërbyes besnik i Krishtit dhe Ungjillit, Kishës vendore.

Vdiq pas shërbimit 52 vjeçar të meshtarisë, 19 vjeçar ipeshkvor, duke lënë gjurma të pashlyeshme në jetën e Kishës ndër Arbëreshë.

Imzot Ercole Lupinacci (1987 – 2010)

Mons. ErcoleLupinacci lindi në San GiorgioAlbanese (Mbuzati) m 23 nëntor 1933.

Ai kishte studiuar në seminarin Benedikti XV në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 22 nëntor 1959.

Gjatë viteve 1960 – 1963 ishte ndihmës në San DimetrioMagalomartire (Shën Mitri). Në vitin 1963 emërohet famullitar në San CosmoAlbanese (Strihari), deri te emërimi ipeshkvor.

Papa Gjon Pali II e ka emëruar ipeshkëv të Horës së Arbëresheve (PianadegliAlbanesi) në Sicili, më 25 mars 1981; shugurohet ipeshkëv më 6 gusht 1981. E ka udhëhequr këtë ipeshkvi (eparki) gjatë viteve 1981 – 1987.

Papa Gjon Pali II e transferoi në selinë ipeshkvore të Ungras (Lungro) në Kalabri më 30 nëntor 1987. Më 17 janar 1988 e mori zyrtarisht udhëheqjen e kësaj selie ipeshkvore. Për arsye të moshës ka dhënë dorëheqje më 10 gusht 2010. Vdiq në San CosmoAlbanese (Strihari) më 6 gusht 2016, në 35 vjetorin e shugurimit ipeshkvor.

Imzot ErcoleLupinacci ishte shumë aktiv në dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Duhet theksuar që Arbëreshët janë të vetmit në botë gjithnjë katolikë, pra me Papën dhe Kishën e Romës, por gjithnjë edhe lindorë apo bizantinë.

Mons. ErcoleLupinacci fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, italisht, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe gjuhën frëngjishte.

Në kumtesën e Eparkisë së Ungras për vdekjen e tij ndër të tjera shkruante: “Ka promovuar në mënyrë të thellë kulturën arbëreshe, liturgjinë dhe përshpirtërinë bizantine, dialogun ekumenik, dashurinë e ndritshme…”.[10]

Synimi dhe qëllimi bazë i tij ishte ky: të jetë e pranishme dhe e gjallë pasuria kishtare lindore edhe në perëndim, por edhe të ruhet lashtësia dhe tradita kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.

Ishte ipeshkëv i Horës Arbëreshe në Sicili gjatë viteve 1981 -1988, ndërsa i Ungras (Lungros) gjatë viteve 1988 -2016.

Ai disa herë e ka vizituar Kosovën, së pari gjatë gushtit 1973, ku mori pjesë edhe në shugurimin dhe Meshën e Parë të Don Ndue Gjergjit, Don Aleksandër Kolës dhe Don Lush Gjergjit (11 dhe 12 gusht 1973).

Gjatë vizitave dhe takimeve me Imzot NikëPrelën, me klerin tonë, me shumë famulli dhe besimtarë, ishte gjithnjë i hareshëm dhe frymëzues, sidomos përkrahës i flakët i revistës fetare kulturore “DRITA” dhe botimeve tona.

Ai ishte dhe mbetet urëlidhës e Kishës Arbëreshe me Kishat në trojet tona. Ishte i deleguari i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, pas rrënimit të diktaturës komuniste ateiste shumëvjeçare, detyrë kjo që e kishte krye me shumë përkushtim dhe dashuri.

Para se të emërohej DonatoOliverio ipeshkëv i Ungras (Lungros), gjatë viteve 2010 – 2012 administrator apostolik ishte Imzot SalvatoreNunnari.

Imzot Donato OLIVERIO (2012 – )

Imzot DonatoOliverio lindi në Cosenza më 5 mars 1956. Përgatitjen për jetën dhe shërbimin meshtarak e pati në Cosenza, më vonë në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar në Ungras (Lungro) më 17 tetor 1982.

Shërbeu në San BenedettoUlano (Shën Benedhiti). Më vonë ishte përgjegjës për Zyrën katekistike deri në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2012 ishte koordinatori i Kurisëipeshkvore.

Papa Benedikti XVI e ka emëruar ipeshkëv të Ungras (Lungros), më 12 maj 2012.

Mons. DonatoOliverio ka vazhduar bashkëpunimin me Kishën Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka organizuar festime për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka vizituar Shqipërinë dhe Kishën katolike në këto hapësira. Ai ka marrë pjesë po ashtu edhe në 100 vjetorin e lindjes së Shën Nënës Tereze në Prishtinë.

Është njeri i hapur dhe dinamik, me plotë gjallëri dhe vullnet për punë, shërbim dhe dëshmi për jetën e krishterë, promovues për bashkëpunim vëllazëror ndërmjet Kishave dhe Shteteve tona.

Nga Qarkorja e Eparisë së Ungras (Lungro)

100 vjetori i Eparkisë së Ungras, 13 shkurt 2019

“Më 13 shkurt 2019, në ora 16. 30 do të fillojë kremtimi i 100 vjetorit të Eparkisë sonë. Do të mblidhemi si Kisha e Eparkisë në Katedralen tonë, për t’u lutur dhe falënderuar Zotin, Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt për dhuratën bujare që ka dashur të na bëjë nëpërmjet Papës Bendektit XV, i cili më 13 shkurt 1919, kishte themeluar Eparkinë e Ungras të Arbëreshëve të Italisë kontinentale.

Dëshiroj që mos të mungojë asnjë meshtar, diakon, murgeshë, që seë bashku me fëmijë, rini, të pjekur dhe të moshuar të bashkësive tona. Kush e do Kishën, duhet ta kuptojë rëndësinë e këtij përvjetori, që nuk domethënë shkuarje në Kishë, por duhet të kuptohet rëndësia e kësaj ngjarjeje të veçantë, që do të jetë para së gjithash një ftesë për t’u thelluar në motivet dhe frymëzimin e këtij themelimi. Ngjarje kjo historike me domethënie të madhe për Shqiptarët e Kalabrisë, me kuptim antropologjik dhe shoqëror, dhe natyrisht, fetar”.[11]

Ungri, 8 janar 2019 Imzot Donato OLIVERIO, ipeshkëv

Gati të gjitha përkthimet liturgjike, biblike, katekistike dhe pastorale i ka bërë atë Emanuele GIORDANO (1920 – 2015).

Nga kjo Kishë ishte edhe Imzot Eleuterio FORTINO (1938 – 2010), teolog, ekumenist, veprimtar arbëresh shumë i shquar dhe tejet i dalluar, njeri dhe meshtar që ka lënë gjurma të pashlyeshme jo vetëm në Kishën arbëreshe, por edhe më gjerë, në mbarë popullin tonë shqiptar.

Dy fjalë për Imzot Eleuterio Francesco Fortino dhe Atë Emanuele Giordano

Mons. Eleuterio Fortino u lind në San Benedetto Ullano, në Kalabri, më 2 prill 1938 nga prindërit arbëreshë (është vëllai i studiuesit dhe albanologut të njohur prof. Italo Fortinos, vr. ime). Pas seminarit dhe studimeve filozofiko- teologjike në Universitetin e famshëm Papnor të Gregoriana në Romë, më 24 nëntor 1963 qe shuguruar meshtar. Prej vitit 1965 ka punuar me shumë zell, përkushtim dhe dashuri në Këshillin Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, i ftuar personalisht nga kardinali Johannes Geradus Maria WILLEBRANDS, ku ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm deri në vdekje. Për Mons. Eleuterio Forino ka çka të thuhet dhe të shkruhet, mbi të gjitha për fenë e tij të fortë, shpresën e tij të qartë dhe dashurinë e tij të zjarrtë ndaj Zotit, Kishës, bashkimit të të krishterëve, dialogut ndërfetar, kulturës së tij vërtet të thellë dhe enciklopedike, për zemrën e tij të hapur për çdo njeri.

Më se 25 vite ishte Nën-sekretari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, ku është dalluar gjithnjë për të mirë, për nisje dhe studime të shumta burimore, për përzemërsi dhe urti baritore, për kërkim të vazhdueshëm dhe pa kusht të bashkimit të të krishterëve, si thoshte ai “parakusht për të jetuar fenë e krishterë dhe për t’ua dëshmuar atë të gjithë njerëzve vullnetmirë”.

Kohën e fundit qe shpërblyer me disa mirënjohje të rëndësishme, si “Rosa d’argento”(2007) për marrëdhëniet mes Vatikanit dhe Kishës Ortodokse, si dhe “Shpërblimi Arbëria” (2009) në San Dimetrio Corone.

Mons. Fortino ishte “Shpirti, zemra dhe motori i ekumenizmit të Kishës Katolike në dekadat e fundit”, është vlerësimi i pothuaj të gjithë atyre që e kanë njohur.

Në një ndër intervistat e fundit ai kishte thënë kështu: “Dialogu i dashurisë na ndihmon që në tjetrin ta shohim vëllain tonë dhe në anën tjetër i shkarkon çështjet dotrinore nga ngarkesat e llojllojshme…”.

Një kapitull i veçantë është veprimtaria e tij për kultivimin dhe promovimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqipe ndër Arbëreshë dhe më gjerë, të cilën vazhdimisht e pat në mend dhe në zemër. Ishte themelues i Qendrës dhe Fletushkës “Besa” në Romë, bashkëpunëtor i rregullt në “Oriente cristiano”. Ka botuar “Liturgjia greke” /1970/, “Kisha bizantine arbëreshe në Kalabri”(2000),“Dialogu ekumenik”.[12]

Atë Emanuele Giordano ishte një prift arbëresh- i mirë dhe i njohur, mjaft i dalluar dhe afirmuar, intelektual i dorës së parë, i afërt dhe shumë i dashur, njeri që la gjurma të pashlyeshme në kulturën arbërore-shqiptare, sidomos në lëmin e gjuhës dhe të liturgjisë.

Ishte dhe mbetet shtyllë e dalluar dhe shumë e shquar e identitetit dhe studiues i kulturës arbëreshe, apo siç e quanin me dashuri dhe simpati, papas Manoli, qe një ekspert e studiues i vëmendshëm i filologjisë, letërsisë italiane e arbëresheve, është autor i shumë veprave të rëndësishme si fjalori madh “Arbëresh-italiano”, për leksikografinë arbëreshe, veprat “Gramatike Arbershe”, “Mbledhje këndimesh arbëreshe çë këndohen në Ejaninë e Frasnitë”; “Gramatikë arbëreshe”, “Vangjeli” (Ungjilli) etj. Figurë poliedrike, papasManoli u mor me histori, letërsi, folklor e muzikë arbëreshe liturgjike e kombëtare.

Është kujdesuar për botimin kritik të veprës së shkrimtarit arbëresh Bernardo Bilotta, me titull “Shpata e Skënderbeut ndë Dibrët poshtë”, botuar nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Atë Emanuele Giordano qetë, ndërroi jetë; kaloi në amshim, u kthye në shtëpinë e Atit më 17 shkurt 2015, duke lënë pas vete një histori, shumë kujtime dhe botime, një jetë kushtuar Zotit, Kishës Katolike, Popullit Shqiptar, sidomos Arbëreshëve, shembull atdhedashurie nëpërmjet kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë./drita.info

(Kumtesë në “Ditët e Dom Mikelit 2022”, Stubëll, më 17 shtatot 2022)

——————————————

[1]Marrë me shkurtime nga studimi i monsinjor Eleuterio Fortinos “KISHA NDËR SHQIPTARËT E ITALISË; NGA KUVENDI I ARBËRIT (1703) TEK KUVENDI I ARBËRESHËVE (2004) (Hipoteza të punës për një histori të Kishës shqiptare në Itali).

[2]Diocesi di Lungro, në Le diocesid’italia, a cura di L. Mazzadri, M. Tagliaferri, E. E. Gueriero, Torino, San Paoloedizioni, 2007 – 2008, 3 volumi

[3]EleuterioFortino, “Kisha ndër Shqiptarët e Italisë; nga Kuvendi i Arbërit (1703) tek Kuvendi i Arbëreshëve (2004)”,art. i cit.

[4] Lexo dhe krahaso: Po aty.

[5]Po aty.

[6]Bulla e Papës Benedikti XV “ Chatolicifideles” (1919).

[7]Po aty.

[8]Lexo: Jemi.it La ChiesaItalo – Albanese, Eparchia di Lungro, Notizie.

[9]Po aty.

[10]Po aty.

[11]Imzot Donato OLIVERIO, ipeshkëv i Ungrit (Lungros), Qarkorja për 100 vjetorin e themelimit të Eparkisë, 13 shkurt 2019.

[12] Don Lush Gjergji, Miqtë e mi në amshim, DRITA, 2015, f. 213.

Filed Under: Histori

Skender Asani, regjenerues i kujtesës komunitare tё trashëgimisë

September 30, 2022 by s p

Sot, 29 shtator është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003. Dëshiroj t’ja dedikoj Professor Skender Aanit që më frymëzoi të ndaj me ju këtë shkrim.

Shkruan Rozi DAKO

Shpesh pushimet për mua shndërrohen në një udhëtim që ngjan me shumë me një dëshirë për të shuar etjen për të njohur. Këto udhëtime mund të kthehen në eksperienca mbresëlënëse kur mendja ushqehet me emocione si rrjedhojë e takimeve me persona të vecantë që dhurojnë me bujari jo vetëm kohën e tyre, por edhe dëshirën për të transmetuar çfarë pasuron njohuritë tona, pra i japin jetë eksperiencës tonë prej udhëtari.

Një nga këto eksperienca provova pikërisht në Zagreb, ku u njoha për herë të parë me Profesor Skender Asanin, në qytetin që u ktheva ta vizitoja 2 vjet mbasi kishte ndodhur tërmeti i fortë i 29 dhjetorit 2020, ku pati 7 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha në qendër dhe nё ndërtesat historike të qytetit. Me kënaqësi vura re që qyteti, në dukje, kishte filluar të funksiononte normalisht dhe plagët i kishin lënë vend një gjallërie zhurmuese verore. Vetëm katedralja, tradhtonte këtë gjallëri, me plagët e saja të thella ende të mbështjella me garza skelash qё nuk i lejonin vështrimit të penetronte ndër to e qё ende të pashëruara po kurohen prej dy vitesh. Qëndronte e vetmja dëshmi e asaj dite të frikshme qё nga e cila katedralja nuk hapte dyert e saja për të pritur besimtarët dhe vizitoret e përfundimi i rikonstruktimit dhe më pas hapja e sё cilës ishte akoma e pacaktuar e sidoqoftë jo e afërme.

E zhgënjyer nga pamundësia për ta vizituar u drejtova tek Arkivi i Shtetit, për njё vizitë të prenotuar me shoqërues. Arkivat dhe bibliotekat përbëjnë njё pasion gati obsesiv qё lidhet ngushtё me fëmijërinë dhe rininë time, tё ushqyera që në fëmijëri nga nëna ima Zana Shehu, studiuese e historiane. Obsesiviteti im për këto objekte më shtynë të vizitoj gjatё udhëtimit tё këtij viti edhe 3 biblioteka të tjera të mrekullueshme, ku, 2 prej tyre i përkisnin manastireve të shekullit XI. Rikuperimi i arkivit të Zagrebit nga dëmet e tërmetit dhe rihapja e saj përbën një nga aktet e normalizimit të jetës mbas tërmetit, dhe bukurinë e saj e kishte “pushtuar” heshtja e shumë studiuesve qё kanë përvetësuar kështu hapësirën e tyre natyrale.

Vizita në Arkivin e Shtetit ishte e ushqyer nga kurioziteti im jo vetëm për veçanshmërinë e saj arkitektonike ku dominon stili ‘art decò’ dhe fasada e dekoruar me dy bufa, simbol i mençurisë, por edhe nga mundësia për të vizituar disa salla të veçanta, tё dekoruara nё stil ‘art nouveau’, të hapura për herë të parë për publikun. Çfarë emocioni të vizitosh një ndërtesë që ruan me besnikëri, edhe pas njё ristrukturimi kaq tё rёndёsishёm, vlerat arkitektonike që përfaqëson që nga ndërtimi i saj në vitin 1913, projektuar nga arkitekti Rudolf Lubynsi. Admirimi për dekorimet e ambienteve dhe sallave të brendshme, dritaret me stil ‘art decò’ e afresket, llambat e bankave tё leximit, pasqyrohet dhe gjen shprehjen më të lartë gjatё vizitës sё sallës së madhe të leximit. Vizita e kësaj salle mё emocionoi e mё ringjalli kujtimet e fëmijërisë kur, rreth moshës 11 vjeç, shkoja të kaloja ndopak kohë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me nënën time e cila prej 10 vjetësh tashme punonte me vazhdueshmëri edhe në Arkivin e Shtetit në Tiranë për mbledhjen e dokumenteve të familjes tonё Qiriazi -Dako. Edhe pse njё ambient familjar për mua, nuk ndihesha fort rehat sepse mendoja që prania jonë dhe zëri i ciceronit mund tё shqetësonte studiuesit. Për këtë arsye isha pak në siklet, por ndërkohë mundohesha që zhurma e hapave të mija në sallë të ishte e paperceptueshme, trupi im gati lundronte në hapësirë dhe pa guxuar ti kërkoja asnjë pyetje apo ti shprehja ndonjë kureshtje ciceronit. Vështrimi im shpesh ishte i drejtuar tek studiuesit për të kapur edhe mё tё voglin reagim negativ ndaj pranisë tonë, ndërkohë qё mezi prisja qё të mbaronte vizita në sallë. Por edhe pse isha në siklet, vështrimi im ishte drejtuar objekteve të studimit dhe emocionet u bënë akoma më përfshirëse kur më tërhoqi vëmendjen aparati për të parë filmime nga një studiues që më ngjalli mallin e mamasë kur ishte një studiuese e re me kokën e përkulur për të studiuar dokumentin e radhës… Më tutje ndodhej një studiuese që po konsultonte një libër tё viteve 1900, ku ishin të përfshira harta të ndryshme, e dy radhë më tutje ishte një grup studiuesish. Me tërhoqën vëmendjen, ndoshta sepse ishin në grup apo sepse po konsultonin dokumentet me njëri tjetri dhe, ndërsa po largoheshim më kapi veshi një fjalë të shqiptuar nga njëri prej tyre. Kjo fjalë gati e pëshpëritur e gati e paperceptueshme qe si shkёndijё, ishte fjala shqip “këtu”. Është e papërshkrueshme habia e atij momenti, e tashmë vëzhgimit admirues tё detajeve të sallës shoqëruar nga përshkrimi i ciceronit, iu shtua kurioziteti drejt grupit të studiuesve. A do të ishin vallë shqiptarё, apo kisha dëgjuar gabim e, ndërkohë që më tryste kjo pyetje, nga ana tjetër e sallës i vështroja dhe diçka më thoshte që jo vetëm ishin studiues shqiptar por ndoshta mund ti kisha parë diku. Mezi prisja të dilja nga salla sepse mendoja që një grup vizitorësh prej 8 vetash ( 2 me origjinë irane -amerikan, 1 italian, 2 francez, 2 kanadez e 1 shqiptare), për sa ishin munduar tё mos shqetësonin, kishte sidoqoftë tërhequr vëmendjen. Kështu, jam e para që dal nga salla e leximit e çliruar që nuk do ti shqetësonim më. Ndërkohë sytë e mëndja ime kërkon në memorien e saj diçka që mund të ishte familjare sepse më shumë mendoja e më shumë më vinin fleshe imazhesh. Një moment, ndërsa ciceroni vazhdonte të jepte detaje interesante mbi hollin e Arkivit ku ishte vetëm grupi ynё, them me zë të qartë dhe e bindur “Janë tre studiues shqiptar në sallë!”. Do kisha dashur të shkëmbeja dy fjalë por druajtja ime se mos i shqetësoja më ndalonte të merrja guximin të rikthehesha në sallë. Të rikthehesha do të thoshte të thyeja atë formë përqendrimi gati të hekurt që kanë studiuesit, që kisha shpesh vërejtur me nënën time kur shkoja në bibliotekë mbas shkollës ta takoja. Ajo ishte aq e përqendruar saqë do herё nuk vinte re që isha ulur pranё saj dhe leçitja. Pyetjes së saj se sa kohë isha aty i përgjigjesha me numrin e faqeve të librit që kisha leçitir ndërkohë.

Vizita mbas 45 minutave mbaroi dhe ndërkohë po bëja shkallën e fundit për të lënë Arkivin, me planin për të vazhduar programin e ditës, por, diçka më bëri të mposht karakterin tim tepër të rezervuar dhe të kthehesha, ti kërkoja leje ciceronit për të përshëndetur një person në sallë. Me hapa të lehta kalova sallën dhe iu drejtova veçanërisht njërit prej studiuesve “Më falni, më falni …më falni Profesor Skender Asani” e përsërita plot katër herë e kur po bëhesha gati të largohesha sepse mu dukën jashtë mase të përqendruar në çfarë po leçitnin, saqё jo vetëm nuk më kishin dëgjuar por as kishin vënë re që dikush ju ishte afruar. Në atë çast Profesor Asani u kthye drejt meje e më thotë “Po, dëshironi?”. Rrethanat e këtij takimi në një kontekst të pazakonshëm më bënë të humb nja 5 sekonda që të prezantohesha: “I nderuar Profesor Asani dëshiroja t’ju merrja vetëm pak minuta për t’ju përshëndetur dhe t’ju shprehur mirënjohjen e familjes sime për konsideratën e lartë që ju keni shprehur ndaj veprimtarisë patriotike të familjes sonë, …nuk më njihni …jam Rozi Dako, stërmbesa e Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos.”

Sapo mbarova këto fjalë kuptova ku e gjeta “kurajën” të tejkaloj ndrojtjen time dhe tё ndërprisja punën që po bënin: ishte e nevojshme ti shfaqja MIRENJOHJEN Profesor Asanit- Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH) që punon pa u kursyer me gjithë stafin e tij, ndër tё tjera, për të bërë të njohur figurat e shquara shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku ende sot nuk janë të garantuara plotësisht të drejtat e komunitetit shqiptar, dhe mbi të gjitha mbrojtja dhe promovimi i identitetit tё këtij komuniteti në një kontekst që “frenon” pikërisht këto lloj iniciativash.

Pata kënaqësinë e veçantё tё njoh personalisht, Profesor Asanin, nismëtar i një prej akteve me domethënëse pёrsa i pёrket shpëtimit tё njërit prej simboleve të shqiptarëve të Maqedonisë sё Veriut nga forca shkatërruese e natyrёs qё ngjason me ato qё populli ynë i ka bёrё ballё nё shekuj, shpëtimi i bredhit së mbjellur nga Nënë Tereza në Shkup, në vitin 1980. Asgjësimi i simboleve të identitetit shqiptar apo i atyre elementeve që mund të shndërrohen nё simbole me kalimin e kohës është prioritet i armiqve të kombit shqiptar sepse shohin rrezikun e transformimit tё tyre në burim frymëzimi, nё identifikim kolektiv e si rrjedhojë në element bashkimi. Këtij akti violent Profesor Asani iu përgjigj duke marrё frymëzim nga mesazhi universal i Nёnё Terezës pёr tё cilin është e pa mundur ta burgosësh forcën e farës, që gjeneron jetë dhe ushqen dashuri e cila kapërcen e ka forcë dërmuese, shpartallon çdo lloji kufijsh të ngritur, edhe ato të urrejtjes.

Ka forca që nuk mund tё kontrollohen, si stuhia që “mposhti” pikërisht madhështinë e bredhit të mbjellur në Shkup nga Nënë Tereza në vitin 1980. Tronditja ishte e madhe kur u çrrënjos nga stuhia, por ishte e nevojshme të reagohej sa më parë dhe, Profesor Asani, edhe në emër të institucionit që ai përfaqëson, iu drejtua autoriteteve përkatëse të merrnin masa tё menjëhershme qё të rimbillej ATY KU ISHTE pa humbur kohë. Por kësaj kërkese, duke ditur shumë mirë çfarë përfaqëson, institucionet përkatëse të Shkupit iu përgjigjën me një akt barbar, duke eliminuar gjithçka. Tronditja u shndërrua në shok, dhe shpresa të shihej e ripёrtёritur, u përballua me realitetin e hidhur me të cilën komuniteti shqiptar është i detyruar të bashkëjetojë në MV. Për të ringjallur trashëgiminë e Nënë Terezës mund të shpresohej vetëm në një mrekulli o nё një akt revolucionar nё sajё tё këmbënguljes dhe guximit të personave largpamës. Ndodhi kjo e dyta dhe falё këtyre akteve pёr të mbrojtur kujtesën komunitare tё trashëgimisë, identiteti shpirtëror i një populli të lashtë si i yni mund të ketë shpresë t’ju transmetohet brezave të ardhshëm. Platoni thoshte se “Dija e vërtetë është kujtimi, është kujtimi i origjinës hyjnore. Duke e ruajtur këtë kujtim, shpirtrat janë tё vetëdijshëm qё nuk i përkasin kësaj bote dhe pavdekësinë e tyre e shohin si të vërtetën e tyre”.

Ky vizion i Profesor Asanit, për të cilin i jepet rëndësi ruajtjes së trashëgimisë, solli bashkëpunimin me Ambasadorin austriak, Shkëlqesia e tij z.Georg Uotsas, qё u kurorëzua me shpëtimin e 25 filizave, që do i quaja filizat e ringjalljes, duke i njohur thënies “një bie e mijëra ngrihen” shprehjen mё domethënëse në këtë ngjarje.

Shpresa u transformua në një projekt largpamës, ku fillimisht mbështetja edhe bashkëpunimi me Ambasadorin Austriak ringjalli shpresën që kjo trashëgimi tё mos zhdukej apo thjesht tё mbetej në kujtesën kolektive dhe rikuperimi i disa filizave dha mundësinë e projeksionit në një fazë të pasme, asaj të bashkëpunimit me institucione përkatëse në trojet Shqiptare e të Kosovës qё bëri të mundur që filizat të mbillen, në hapёsira të ndryshme të këtyre trojeve, duke u bërë kështu mbartëse mesazhesh të rëndësishme, ku ai rezistencës për mbrojtjen e identitetit nuk është i vetmi dhe ku, pikërisht, ndryshimi dhe transpozimi i domethënies përfaqëson forcën simbolike të trashëgimisë. Transpozimi i domethënies, edhe pse i referohemi një objekti statik të trashëgimisë, qoftë dhe tё dëmtuar o tё paplotë, është pikërisht, veçanti e simbolizmit të trashëgimisë ajo që përbën limfën vitale që i jep jetë, vazhdimësi e përjetshmëri, dhe e shndërron në qenie tё gjallё ku fati i saj është i lidhur me vullnetin popullor për ta përfshirë të shkuarën e saj në kujtesën kolektive të tashme, ndërkohë, me prospektiven që këto dy dimensione kohore të projektojnë ekzistencën e saj në të ardhmen. Forca simbolike e tejkalon realitetin e të tashmes dhe bën të mundur, si në rastin e filizave të bredhit së Nënë Terezës, të projektohet në të ardhmen duke shprehur urimin që këto filiza të rriten dhe rrënjët e tyre të jenë aq të thella saqë të përballojnë stuhitë e kohës dhe të shtrihen aq gjerë sa të ndërthuren e të bashkojnë simbolikisht trojet Shqiptare, të bekuar nga Zoti.

Ndër të tjera, bashkëpunimi e mbështetja e menjëhershme që Profesor Asani gjeti tek ambasadori austriak, më rikujtoi histori të vjetra kur mamaja, nga dokumentet e nxjerra nga arkivi i shtetit, nxorri nё pah bashkëpunimin, aleancën, mbështetjen e kthyer në miqësi të Gjergj Qiriazit, vëllait të Sevastisё, me konsullin austriak në Manastir, gjatё kohës nё tё cilën punonte në konsullatën austriake në fillim të viteve 1900.

Ka kaluar gati një shekull dhe një konsull austriak i përgjigjet përsëri, në kohë rekord, thirrjes së së një shqiptari, Profesor Asanit, me një akt që nuk është thjesht një veprim i shtyrë nga altruizmi, por një përgjigje, qëndrim institucional kundrejt një veprimi barbar ushtruar ndaj një simboli të trashëgimisë së komunitetit shqiptar. Gjithashtu është një dëshmi që historia mund tё përsëritet, e aleanca tё vjetra mund të jenë të dobishme për çështjet tona kombëtare qё, nёse tё shfrytëzuara me sinqeritet e inteligjencë, si në këtë rast, sjellin nё realizimin e objektiveve madhore, sigurisht duke pasur kujdes ndryshimin e interesave gjeopolitike.

Kjo ngjarje me jep shpresën që populli ynë do tё gjejё nё gjirin e saj përfaqësues largpamës, si Profesor Asani, me një vullnet tё pakursyer për tu kujdesur për pasurinë tonë kombëtare, të frymëzuar edhe nga fjalёt testamentare tё Sevasti Qiriazit “Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj duke i dhënë kështu qëllim jetës sime”, pёr t’ju kundërvënë me forzë projekteve armiqësore, tё brёndёshme dhe të jashme, tё eliminimit te trashigimisё sonё, por gjithashtu duke vigjiluar edhe kundrejt sfidave bashkohore qё duhet të përballojmë, sic ёshtё rreziku i asimilimit si rrjedhojё e globalizimit. .

Takimi siç e kanë zakon shqiptarët vazhdoi, përpara një filxhani kafeje, dhe mbetet një ndër takimet më mbresëlënëse nё shumë aspekte, sepse qe jo vetëm frymëzues por mё dhuroi, mbi të gjitha, prospektiva të reja që për shumë persona janë të pa imagjinushme.

(Autorja është stërmbesa e Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos)

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2039
  • 2040
  • 2041
  • 2042
  • 2043
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT