• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ITShKSh, takim në Misionin diplomatik shqiptar në OKB

September 28, 2022 by s p

Nju Jork, 26 shtator 2022 – Stacioni i fundit i turit të ITShKSh-së në SHBA ishte Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në OKB-së në Nju Jork. Delegacioni i prirë nga drejtori Skender Asani u prit në selinë e misionit nga Andris Stastoli, Këshilltar dhe koordinator politik për KS të OKB-së. Ndërsa, pjesë e delegacionit ishte edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit Izmit Nura dhe studiuesit Sevdail Demiri dhe Sefer Tahiri.

ITSHKSH mbetet një institucion i hapur, ku nuk do të mungojë edhe shtrirja e aktiviteteve tona edhe në SHBA në vitin e ardhshëm. Z. Stastoli premtoi një mbështetje të Misionit të Shqipërisë në OKB në nxitjen e aktviteteve lobuese pranë intitucioneve të OKB-së, ku ITSHKSH pritet të prezantojë punën e Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokausit, dhe në ofrimin e një fotografie më autentike për profilin e panjohur të Gonxhe Bojaxhiut para se ajo të riemërtohej në një emër të madh – Nëna Tereze, me të cilin ITSHKSH tash e një kohë po merret në mënyrë intenzive në kuadër të Deprtamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Andaj edhe në këtë takim z. Stasolit iu dhuruan disa vepra të botuara nga ITSHKSH e që si objekt studimi kanë pikërisht figurën e Nënës Tereze, siç janë revista kulturore-shkencore “Drita e Gonxhes I”, “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” e autorëve Skender Asani, Nora Maliqi – Zylali dhe Albert Ramaj, “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” dhe “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” të dyja të autorit Anton Nikë Berisha, si dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” nga Zef Noka.

Takimi në Misionin e Shqipërisë në OKB pritet të prodhojë një frymë afatgjate bashkëpunimi, ku nuk do të mungojnë idetë dhe projektet që tejkalojnë stereotipet e ngushta etnike, racore e fetare, pikërisht ashtu siç ishte edhe kauza univerzale e Nënës Tereze, e cila u angazhua për një botë të hapur dhe të liruar nga çfarëdo lloj paragjykimi dhe keqkuptimi.

Republika e Shqipërisë prej këtij viti udhëheq me Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Filed Under: Analiza

NJË SHANS HISTORIK PËR KOMBIN SHQIPTAR

September 28, 2022 by s p

Shaban Murati/

-A nuk duhet të rishikojmë disa prioritete strategjike të politikës sonë të jashtme?

<<Ditën e madhe historike>>, u quajt 15 marsi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është i drejtë ky përcaktim, siç është e kuptueshme dhe jehona e gjerë, që pati në qarqet politike e diplomatike serioze. Mund të quhet historike edhe për vetë historinë e kombit tonë. Për rëndësinë dhe kohën, që u ndërmuar ajo, mund e duhet të jetë vërtetë e tillë për tërë historinë dhe fatet tona në prag të mijëvjeçarit të ri. Evropa dhe tërë bota, diku më shumë e diku më pak, po jetojnë një periudhë transformimesh me të vërtet tronditëse këto dy vitet e fundit. Evropa dhe bota po jetojnë e po kalojnë një periudhë tranzicioni, siç është e tillë çdo fazë kalimi nga një gjendje në tjetrën e që për fat është sot kalim në një fazë më të lartë e në një shoqëri njerëzore më njerëzore. Në një periudhë tranzicioni ndodhet edhe Shqipëria me proceset dhe përpjekjet për demokratizim, pra me përpjekjet për të qenë në një nivel me civilizimin evropian e për të shkuar me të në dekadat që po vijnë.

Periudha e tranzicionit, që të mos jetë më e gjatë se e vendeve të tjera, kërkon një rivlerësim të vlerave themelore, një përshtatje sa më adekuate me kohrat, që jetojmë dhe sidomos me kohën, që troket. Asgjë nuk mund të jetë më siç ka qenë më parë. Gjithçka e njohur ka ikur. As koncepti për sovranitetin e pavarësinë, e le pastaj për marrëdhëniet midis kombeve e shteteve, nuk mund të jenë ato të një shekulli apo gjysëm shekulli më parë. Një rivlerësim i tillë kërkon të rishikojmë disa nga prioritetet tona strategjike në fushën e politikës së jashtme. Rishikimet i kërkon gjendja aktuale, kushtet kombëtare e ndërkombëtare, dhe sidomos e kërkojnë disa nga ato momente kyçe, të cilat quhen shanse historike për politikën e jashtme të një shteti, për marrëdhëniet ndërkombëtare të një kombi. E tillë është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është një nga ato shanset , që në politikën e jashtme të vendeve të vogla nuk janë aq të shpeshta sa mund t’i humbësh. Ndaj treni duhet kapur me kohë.

Është e njohur që në përcaktimin e prioriteteve strategjike të politikës së jashtme të një shteti ndikojnë madhësitë e fuqisë dhe të pozicionit gjeografik, përveç shumë të tjerave. Me transformimet e ndodhura në Evropë dhe në tërësi në marrëdhëniet ndërkombëtare dy vitet e fundit, janë thyer shumë skena klasike e metafizike, e bashkë me to edhe ato të përcaktimit të prioriteteve. I vetmi, që mbetet bazë është interesi kombëtar, i cili padyshim dëmtohet apo ndihmohet nga përcaktimi i drejtë ose jo i prioriteteve të politikës së jashtme. Në jetën dhe historinë e popujve dhe vendeve të vegjël rëndësia dhe pasojat e një zgjedhjeje të tillë janë më të mëdha se sa roli, që këto vende kanë në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Prognozofikimi i drejtë shkencor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk mund të bëhet pa përcaktuar, po në të njejtën mënyrë, dhe prioritetet tona strategjike në këtë fushë. Diskutimi dhe vendosja e prioriteteve strategjike të politikës sonë të jashtme më tepër se kurrë duhet të jetë objekt i diskutimit publik, mbipartiak e mbiideologjik, përderisa ka të bëjë me fatet e kombit e të popullit shqiptar. Duke rishikuar këto prioritete e duke kapur shansin historik, që ofron rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të mos shkosh, pas një analize të kujdesshme e gjakftohtë të të tërë faktorëve dhe alternativave, tek ngritja e këtyre marrëdhënieve në një prioritet strategjik të politikës së jashtme të shtetit tonë. Këtu të çon përvoja e hidhur historike, këtu të çon përllogaritja e gjithë hapësirës së problemeve të mëdha të sotme dhe e të panjohurave të ardhme në të cilat noton vendi ynë.

Proceset pozitive të thella, që ndodhën dy vitet e fundit e që janë ende në zhvillim në Evropë, shpesh janë parë në korelacion me perestrojkën. Duke vëzhguar tej sipërfaqes, këto procese demokratizuese dhe vetë perestrojka nuk mund të mendoheshin e as të mendohen pa rolin protagonist pozitiv të Shteteve të Bashkuara. Pesha, roli e ndikimi i Amerikës në transformimet evropiane, çuan gjithashtu në një zgjerim të përgjegjësisë së saj në çështjet botërore. Evropa dhe bota janë tani në ndërtim e sipër të një sistemi të ri të sigurimit ndërkombëtar, pas ezaurimit të atij, që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë as na pyetën e as kishim mundësinë të ndikonim se ku do të dislokohej vendi ynë në këtë sistem. Sot është krejt tjetër dhe zgjedhjet e gabuara nuk do ishin më vetëm gabime. Rezultati kryesor i ndërtimit të sistemit të ri të sigurimit evropian e ndërkombëtar është prishja e skemës bipolare të drejtimit të strukturës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Njeri pol, perandoria sovjetike, u dezintegrua dhe, megjithë peshën ushtarake, që vazhdon të ruajë, nuk ka më ndikimin, që pretendonte dhjetë, ose pesë vjet më parë. Polet e tjera të fuqisë botërore janë në krijim e sipër, por kjo nuk është një gjë, që bëhet brenda ditës. Në këto kushte poli tjetër, dhe sot për sot i vetëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dolën më të fortë dhe më me sukses në betejën për kapërximin e ekuilibrave të vjetra dhe kërkimin e atyre të reja. Perandoritë që shkatërrohen janë si shtëpitë e vjetra, që të lëshojnë çatinë mbi krye, nëse nuk largohesh.

Ne duam të hyjmë në Evropë, por pjesa më e rëndësishme dhe jashtëzakonisht vendimtare në kuptimin politik, ekonomik e ushtarak e kësaj Evrope janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë bashkë me Kanadanë, anëtare të Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, pikërisht për shkak të lidhjeve dhe peshës, që kanë në punët evropiane. E parë në këtë prizëm, është e kuptueshme që marrëdhëniet tona me Amerikën mund të kenë dhe do të kenë një ndikim shumë të madh edhe në marrëdhëniet e vendit tonë me vendet e tjera evropiane, në Perëndim dhe në Lindje të saj.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një histori lidhjesh edhe çështja jonë kombëtare. Është vendi këtu të kujtojmë përkrahjen, që Amerika i ka dhënë shtetit të ri shqiptar pas Pavarësisë më 1912 dhe angazhimin personal të presidentit amerikan Uillson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 në mbrojtje të tërësisë tokësore të shtetit tonë kundër lakmive shoviniste fqinje. Ne shkojmë në shekullin e ri me çështjen shqiptare të pazgjidhur. Çështje të ngjashme ka njohur historia e re e marrëdhënieve ndërkombëtare me problemin gjerman. Kemi thënë që historia e bëri të vetën dhe Gjermania u bashkua. Kemi thënë edhe faktin se ishte Gorbaçovi, që dha pëlqimin. Veç nuk duhet harruar se pa vullnetin e Amerikës nuk do të ishte bërë as njëra e as tjetra. Zgjidhja e problemit gjerman në rrugë paqësore është një shembull historik dhe përvojë që zanafillën e ka në Amerikë. Është një përvojë që, në mënyrë paqësore, mund të çojë, në kohë të përshtatshme, në shlyerjen e padrejtësive historike, që i janë bërë popullit shqiptar. Përkrahja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shprehur të drejtave kombëtare demokratike e njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, me deklaratat e personaliteteve të tyre të lartë politike, me rezolutat e shumta të Kongresit amerikan kundër represionit e politikës brutale të Serbisë në Kosovë, përkrahja politike dhe propagandistike për çështjen e Kosovës, është një element tepër i rëndësishëm, që duhet mbajtur parasysh.

Duke diskutuar për problemet e prioritetit strategjik të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e qartë se i kam parasysh edhe tezat e <<ballkonofilëve>> dhe të retoristëve <<fqinjësorë>>. Bota e shekullit 21 nuk i jep më vlerën e shekullit të 19-të afërsisë gjeografike. Aq më tepër që përvoja historike shumëshekullore e popullit dhe e atdheut tonë, gjysmat e trojeve të të cilit na i kanë grabitur fqinjët e veriut dhe të jugut, nuk të jep shumë bazë për këtë lloj retorike. Padyshim, ne jemi e duhet të jemi për fqinjësinë e mirë, por kjo nuk duhet kuptuar sikur ne e kemi harruar historinë dhe duhet të paguajmë haraçe kombëtare. Si shtet i pavarur dhe sovran, që don ta ndërtojë në paqe jetën e vet, ne duam qetësinë në kufijt tanë, por kjo duhet të jetë qetësi në të dy anët e kufijve. Sa për raportin midis sigurisë dhe afërsisë gjeografike, kjo tashmë ka kuptime të tjera, dhe shembulli i Kuvajtit, që u sulmua e u pushtua nga <<fqinji dhe vëllai i tij arab>> Iraku, dhe u çlirua nga një koalicion aleat ,që vinte nga shumë larg, është domëthënës për të bërë llogari më të ftohta.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin amerikan ne kemi një histori të gjatë lidhjesh. Populli shqiptar nuk mund të harrojë dhe i është shumë mirënjohës populli amerikan, i cili gjatë një shekulli ka pritur me bujari dhe ka mbajtur në gjirin e vet valët e mëdha të kurbetit nga Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore dhe valën e emigracionit nga Kosova pas asaj lufte. Komuniteti shqiptar në Amerikë, integrimi dhe veprimtaria e tij e shquar atje, janë provë e afinitetit, që ekziston dhe që duhet të forcohet midis popujve tanë.

Është e rëndësishme që rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Amerikës u bë në një moment të rëndësishëm kthese në jetën e popullit tonë, në prag të zgjedhjeve të 31 marsit dhe kur interesi kombëtar po zë gjithnjë e më shumë vendin e tij të merituar si yll polar i politikës së jashtme të shtetit tonë. Duke pasur këtë yll do të gjejmë prioritete të drejta strategjike në politikën e jashtme dhe do të jemi më të sigurt për ekzistencën tonë si komb, për vendin dhe bashkëjetesën tonë me kombet e qytetëruara të Evropës edhe botës.

Botuar 17.3.1991

(Nga libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, Tiranë, 2012, fq.11)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Shaban Murati

MUSTAFA  KRUJA

September 28, 2022 by s p

(Formimi, karakteri, personaliteti në shoqëri e ne familje)

Nga Eugjen Merlika

Kanë kaluar plot  50 vite nga ajo mbrëmje e 27 dhjetorit 1958, kur në një klinikë amerikane, n’afërsitë e ujvarës së famshme të Niagarës mbyllte sytë përgjithmonë Mustafa Merlika Kruja. Një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth, në dukje e thjeshtë, shënoi fundin e parabolës së një jete të ndërlikuar, të filluar në një natë marsi me stuhi të 71 viteve më parë në Krujën legjendare të kryetrimit t’Arbërit, të ndërthurur me shumicën e ngjarjeve të trazuara të të parit shtet të bashkuar e të pavarur në historinë e shqiptarëve e të përfunduar në vetminë trishtuese të një mërgimi të gjatë nëpër Vënde të ndryshme, deri në strehimin mikpritës të Vëndit simbol të demokracisë.

Në qytetin ku lindi kaloi vetëm fëmijërinë, por Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj i u bashkangjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë riferimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë.

Në moshë ende të njomë, n’agim të djalërisë, mori rrugët e botës për të studjuar, më parë në Janinë e më pas në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në një periudhë vendimtare për formimin e vetëdijes kombëtare dhe themelimin e Shtetit shqiptar. Djaloshi nga Kruja i kaloi me sukses të gjitha provat shkollore, duke ngjitur një nga një shkallët e dijes, në sajë të një vullneti të hekurt, të një zgjuarsije mbi normalen e të një vendosmërie të pazakontë për të arritur synimet. Këto ishin disa nga tiparet më të spikatura të personalitetit të fortë të Mustafa Merlikës. Një ligj madhor hipotetik kompensimesh të mundësive potenciale e të kushteve reale, në rastin e tij ndoshta shërbente si një shtysë e fuqishme për të shkuar përpara.

I lindur në një familje të mesme krutane, pa ofiqe e pa pasuri, i vetëdijshëm se vetëm me forcat e tij do të hapte rrugën e jetës, u shqua që në të ri për horizontin e gjërë të interesave kulturore në fusha të ndryshme të dijes. Poezitë e Naim Frashërit, “ lyriku shqiptar mâ i kënduemi, mâ i ndiemi, mâ i kuptuemi e mâ i çëmuemi” e traktati i Sami Frashërit, “mâ i madhi  dijetar qi ka pjellë deri sod raca e jonë”, mbi Shqipërinë e mbanin të lidhur me vendin e lindjes, por frëngjishtja e mësuar heret i hapte horizontet e Iluminizmit, e fuste në shtigjet e eseizmit të shekullit 17 (La Bruyère, La Rauchefoucauld), madje dhe në teoritë e socializmit. Shkolla turke që ndiqte i jepte mundësi të depërtonte në fushat e gjëra të kulturës arabe, persiane e orjentale në përgjithësi.   

Me këtë pasuri kulturore në mëndje, në moshën 23 vjeçare, u diplomua në Mylkijen e famshme të Stambollit për Shkenca politike e administrative. Veprimtaria atdhetare, e nisur me shkrimet në fletoret turke të kohës, që nga ai çast trupëzohet e merr formë me kthimin n’Atdhe e mospranimin e postit të zv.guvernatorit të një province të Perandorisë. Mbi veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën politike, të studimeve gjuhësore e historike, e mbi mendimin e tij politik folën studjuesit e shquar në Konferencën shkencore përkujtimore, të mbajtur në Tiranë, në ditën e 50 vjetorit të largimit të tij nga jeta tokësore.  Un do të mundohem të ravijëzoj këtu portretin e njeriut Mustafa Kruja, një portret i skalitur më së miri nga autoritete të kulturës shqiptare si Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Tahir Kolgjini, Lazër Shantoja etj., që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të.

Un kam fatin të mbaj në deje gjakun e tij, jam nipi i lindur n’atë vit në të cilin ai u largua përfundimisht nga Atdheu. Isha vetëm pesë muajsh, kur gjyshi u nis me nxitim për në Austri, ku xhaxhai im i vogël, Besimi, ishte shumë i sëmurë në një klinikë të Vjenës. Para se të nisej, në një ditë fundi gushti  1944, më mori në krah, më puthi, e me një ofshamje dëshpërimi pëshpëriti: “ Të mijtë nuk i rrita dot vetë, as këtë nuk do të mundem t’a rris”. N’albumin e vjetër të vitit të parë të jetës është një fotografi e tij me mua në krahë. Kështu, “i mërguemi i përhershëm”, siç do t’a përkufizonte Koliqi, filloi ciklin e fundit të mërgimit të tij, atë më të dhimbëshmin e më të vështirin. E përballoi me forcën e karakterit dhe me ndershmërinë, për të cilën ishte shquar që në të rit e tij.

Nëse do të hartohej një listë e cilësive vetiake të Mustafa Krujës, mendoj se në krye të saj do të ishte ndershmëria, në kuptimin më të gjërë të fjalës. Ishte një cilësi e lindur por edhe kultivuar në një familje patriarkale, ku vlerat njerëzore i mëkoheshin fëmijës që kur thithte qumështin e nënës. Ishim një popull i varfër në mjete të jetesës, në përvojë qytetërimi e në kulturë, por i pasur në tradita, parime e vlera njerëzore siç ishin besa, mbajtja e fjalës së dhënë, respekti për të moshuarin, për familjen, për prindërit, për mikun e dashamirin. Mustafa Kruja ishte bir i kësaj Shqipërie që, fatkeqësisht, është në grahmat e fundit. Gjatë gjithë jetës së tij punoi që këtë Shqipëri t’a fuste në hullinë e qytetërimit t’Evropës e të zhvillimit bashkëkohor, kryelartë e pa kompleksin e përulësisë, në sajë të ruajtjes së atyre vetive. Krenaria për virtytet njerëzore të popullit të tij e shoqëroi kudo e kurdoherë. Çaste të shfaqjes së saj i gjejmë tek “Kujtimet …” e tij që nga episodet e tregtarëve të Vjenës e të Selanikut  e deri tek “bujtina” e Krujës e kujtimet e Dom Nikoll Kaçorrit.

Ndershmëria, e shfaqur në të gjthë çastet e jetës së tij vetiake, familjare e shoqërore, ishte një motiv krenarie për gjthë fisin e Merlikve që e deshi deri n’adhurim “Lalën” e tij. Në vitet e gjata të mërgimit, në “vetmitoret” e Egjyptit, të Italisë, të Francës apo të SHBA ai i thonte motrës Haxhire apo djalit Bashkim, të vetmit familjarë pranë, që ta thërrisnin “Lalë”. Kështu, thonte ai, më duket se kam pranë gjithë familjen e fisin…Ishte një formë vetë hipnotizimi për të lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë që kishte në shpirt. Ndershmëria e tij  admirohej nga miqtë e bashkëpuntorët por vlerësohej edhe nga kundërshtarët. Ndershmëria ishte korrektësi e përkryer në marredhëniet me të tjerët, por ishte edhe respekt i bindjeve që ai i shfaqte hapur në lojën e ndërlikuar të politikës. Ka mbetur proverbiale korrektësia e tij në kuadrin e jetës bashkëshortore. Në “Kujtimet e vogjlisë e të rinisë” tregohet një episod i një bisede të autorit me Luigj Gurakuqin e At Gjergj Fishtën, në një restorant të Parisit, pikërisht mbi këtë temë. Luigj Gurakuqi ishte beqar, ishte një burrë i hijshëm, shpirtmadh, i lakmuar nga gratë. Në jetën e tij vetiake, sidomos n’Itali këto të fundit nuk i mungonin. Megjithëse Luigji për Mustafain ishte një idhull ai nuk i a kursente kritikat n’atë drejtim e shoku, “i martuar me Shqipërinë”, i kujtonte atij “gabimin” që kishte bërë, duke krijuar familje në një Vend në të cilin shpesh pasojat e veprimeve të politikanëve binin mbi familjarët e tyre. Por për Mustafain familja ishte institucioni më i domosdoshëm e më i respektuar në jetën e njeriut, një detyrë së cilës nuk duhej t’i shmangej në çfarëdo rrethanash. Kështu vrejtjes së të birit, Petritit, mbi papërshtatshmërinë e aktit të martesës në periudhën e luftës, ai i u përgjigj me një letër të gjatë në të cilën mbronte tezën se luftërat nuk kanë qenë asnjëherë, në historinë e njerëzimit, pengesa për martesat e njerëzve dhe lindjet e fëmijëve. Kështu ngulmimi i tij arriti synimin t’a martonte të birin me vajzën e mikut të tij të vjetër, Sotir Gjikës, Elenën. Kjo qe nusja e vetme që ai pati në shtëpi, një nuse që në pak kohë u bë për të një bijë e vërtetë, jo rastësisht ishte e vetmja në familje që e thërristë “Babë”, duke gjetur në të dashurinë e munguar të të jatit që e la jetime në moshën 7 vjeçare. Dhe ajo e deshi dhe e respektoi me gjithë forcën e shpirtit të saj e gjatë kalvarit më se dyzetvjeçar të përndjekjes komuniste, i përballoi vuajtjet e gjata kryelartë sepse ishte e reja e Mustafa Krujës. Zemra prej prindi u gëzua shumë kur mori vesh se edhe djali i dytë, Fatosi, ishte martuar me mbesën e një miku e bashkëpuntori, të Kolë Bibë Mirakajt. Ai nuk arriti të marrë me vete gëzimin e martesës së djalit të tretë, Bashkimit, por letrave të nuses së ardhëshme i përgjigjej gjithmonë me ngrohtësinë e prindit.

Në moshën 25 vjeçare, në Vlorë, ishte sekretar i Ismail Qemalit, për të cilin ruajti gjithmonë respektin e bindjen se “Plaku i Vlorës” ishte një atdhetar i panjollë që punonte për Shqipërinë. Besnik i kësaj bindjeje u kundërvu ndaj Esat Pashë Toptanit, njeriut që kishte vendosur drejtimin e shkollimit të tij, gjë të cilën për pak e pagoi me kokë. I dorëzuar tek Esati si pasojë e kërcënimit të tij për të vrarë të gjithë meshkujt e familjes, nuk nguroi t’i thotë atij në sy arsyen e qëndrimit të tij. Para një rreziku vdekjeje duhej guxim e kurajo të shpalosje bindjet dhe armiqësinë ndaj të fuqishmit, duke patur duart e lidhura. Guximi dhe kurajoja ishin pjesë përbërëse të karakterit të tij që nuk parapëlqente dredhat dhe transformimet e politikës. Ishte më shumë një Burrë Shteti se sa një diplomat, punonte më shumë i shtyrë nga parimet e bindjet se sa nga interesat vetiake. Madhore për të ishin vetëm interesat e Shqipërisë, ashtu siç i konceptonte ai. Para tyre mund të sakrifikoheshin të gjitha: fitimi, pozita madje edhe familja. Për të mbrojtur ata interesa, nuk nguron të sfidojë opinionin publik, të rrezikojë “komprometimin” e të verë në lojë karjerën e mirëqënien. E bëri më 1915 përballë Esat Pashës; më 1922 kur organizoi me Zija Dibrën kryengritjen e marsit; më 1927 kur u largua nga KONARE, mbasi pa të mbizotëronte në të fryma filosovjetike; më 1936, kur i u drejtua shokëve të mërgimit me një letër, në të cilën propozonte ndryshimin e qëndrimit ndaj Mbretërisë shqiptare, mbas ardhjes në fuqi të Qeverisë së Mehdi Frashërit; më 1938, kur përfaqësuesit të qeverisë italiane në bisedime  i u drejtua me fjalët “Le të qëndrojë Zogu edhe njëqind vjet të tjera në qeverisjen e Shqipërisë…”; në nëntor 1941 kur mori përgjegjësinë e qeverisë nën pushtim me të vetmin qëllim për të shmangur një fitore të komunizmit n’Atdheun e tij; më 28 nëndor 1942 kur i priu demostruesve në Vlorë me flamurin në dorë; në janar 1943, kur dha dorëheqjen si Kryeministër në shenjë thyerjeje të bashkëpunimit me italianët; më 1952 kur  i u drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, duke argumentuar arsyet e qëndrimit pro boshtit në luftën e dytë botërore.

Sa i vendosur ishte të mbronte bindjet e tij politike, shkencore apo morale, po aq i gatshëm ishte t’i diskutonte ato hapur, ndershmërisht. I ndjeri Mark Temali më tregonte në kampin e Gradishtës se si një bisedë prej dy orësh me ish kryeministrin e kishte kthyer nga një kundërshtar të Qeverisë në një bashkëpuntor të saj, duke pranuar detyrën e federalit në Korçë.

Mbas fjalimit në kinema “Savoja” me titull “Në hullí të historisë” qe i gatshëm të priste këdo që dëshironte të bisedonte sy më sy me të për problemet e Vendit dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Nuk kishte paragjykime t’asnjë forme, prandaj ishte i gatshëm të dëgjonte pikpamjet e të tjerëve, të çdo moshe, të çdo sëre, të çdo krahine, të çdo bindjeje politike, mjaft që t’i shërbenin çështjes shqiptare. 

Ishte një njeri që i pëlqente rregulli në jetën e zakonshme dhe serioziteti në punë. I përkushtohej skajshmërisht çdo lloj aktiviteti që ndërmerrte, si atij intelektual e shkencor apo politik, si dhe çështjeve familjare, të farefisit apo të rrethit shoqëror e miqësor. Ishte një kundërshtar i vendosur i anarkisë, i çrregullimeve, i punës shkel e shko, i mungesës së seriozitetit. Në konceptet e tij për jetën publike një vënd të veçantë zinte elementi disiplinë, pa të cilën ai nuk e kuptonte mbarëvajtjen e Shtetit dhe të institucioneve të tij. Disiplina nuk ishte një nënshtrim i verbër ndaj autoritetit epror, por një ndjenjë respekti ndaj detyrës që kishte secili, një ndjenjë përgjegjësie ndaj zbatimit të  rregullave e ligjeve të miratuara nga institucionet.

Një veti tjetër e karakterit të Mustafa Krujës ishte mungesa e ndrojtjes për të njohur gabimet edhe në hapësirë kohe. Në “Kujtimet..” ai, djegien e shtëpisë në Krujë mbas dështimit të lëvizjes së marsit 1922, nuk i a vesh “barbarisë” së Shtetit, por fajit të tij. Në fakt atë lëvizje, së bashku me revolucionin e qershorit 1924, mbas kalimit të viteve, i quajti veprime të dëmshme për ecurinë demokratike të jetës politike shqiptare. Në këtë kuadër mund të vendosen edhe ndryshimet e qëndrimit ndaj kundërshtarit të rreptë të tij, Ahmet Zogut. Tërësia e marredhënieve të tyre, që nga njohja në moshë fare të re në një shkollë të Stambollit e deri tek fqinjësia vëllazërore n’Aleksandri t’Egjyptit, përmban ne vetvete gjithshka nxori në pah politika shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Ajo ishte shprehje e idealeve por dhe e interesave, e respektit ndaj kundërshtarit por edhe e luftës së pamëshirshme ndaj tij, e vlerësimit të tij privatisht por edhe e denigrimit publik, e qëndrimit ngulmues në bindjet por edhe e ndryshimit të përkatësive politike.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur u pa se fitorja e Boshtit, me të gjitha përfitimet e Shqipërisë etnike, po largohej gjithënjë e më tepër, ndërsa ajo e Aleatëve, me rrezikun e mbizotërimit të komunistëve në strukturat e qëndresës antifashiste, bëhej më e prekëshme, Mustafa Kruja ariti në përfundimin se Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha të Kombit nën drejtimin e Mbretit të mërguar. Që nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër niset mesazhi për kundërshtarin e shumë viteve: “ Si mue si Kapidanin e Mirditës do t’na kesh bashkëpuntorë e përkrahës!”. Ishte dora e shtrirë Mbretit dhe njohja e vetëdijshme e rolit dhe aftësive të tij, jo për komoditet politik apo përfitim vetiak, por për një bindje të thellë se kjo ishte rruga e shmangies së një katastrofe, të cilën ai e kishte paralajmëruar në të gjitha mënyrat. Para këtij synimi të gjitha vlerësimet, qëndrimet, mëritë e së shkuarës liheshin mënjanë, i dorëzoheshin kohës e historisë. Ishte pa dyshim një tregues burrërie e shqiptarizmi, ashtu siç kishte qënë, një vit më parë, mbrojtja e tezës se Shqipëria e bashkuar me Kosovën në gjysëm lirie ishte më e pranueshme se ajo pa Kosovën në liri. 

Kjo ishte me pak fjalë figura e Mustafa Krujës, mbi të cilën është hedhur sistematikisht balta e shpifjeve dhe diskreditimit. Ajo është e lidhur me një epokë, tashmë të largët, me një mendësi, një mënyrë të konceptuari të çështjes shqiptare, në një nga periudhat më të ndërlikuara të një shekulli të shënuar nga tragjedi të të gjitha niveleve. Ashtu sikurse ajo mendësi, në tërësinë e saj, po ashtu edhe ajo figurë presin sot një rivlerësim objektiv e të paanshëm, nga sita e historisë së vërtetë. Fatkeqësisht strukturat shkencore, politike, kulturore të Vendit tonë nuk janë ende në gjëndje t’a bëjnë, ato mbeten të ngujuara në kullat ideologjike të mendimit komunist. Konferenca përkujtimore në sallën Balsha të Hotel Tirsanës qe një hap i fuqishëm n’atë drejtim. Kumtesat e mbajtura  në atë sallë, nga studjuesit e shquar që shpalosën opinionet e tyre janë një dëshmi. Atyre u shkon falënderimi i përzemërt jo vetëm i familjes e farefisit të Mustafa Krujës, por dhe i atij opinioni shoqëror që është i etur të njohë, në termat e tij të vërteta, të shkuarën e Vendit të tij.     

Rishkrimi i historisë, kryefjala e këtij tubimi, duhet të jetë një proçes i thellë, i pandërprerë, i tejdukshëm, cilësor, në vazhdimësi, një proçes rindërtimi mbi kritere të së vërtetës të së shkuarës sonë, dukuri kjo e domosdoshme për të davaritur mjegullnajën e stërmadhe të mashtrimit që, për më shumë se gjysëm shekulli, ka errësuar mëndjet e shqiptarëve duke çoroditur idetë e tyre.                                                                                                             

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

NJËRA NDËR INKUNABULAT MË TË VJETRA NË BOTË NGA VITI 1454 QË PËRMEND EDHE SHQIPTARËT – RUHET NË “BAYERISCHE STAATSBIBLIOTHEK, MÜNCHEN” TË GJERMANISË

September 27, 2022 by s p

Fleta 3r e inkunabules nga viti 1454 ku permenden shqiptaret
Fleta 1r e inkunabules nga viti 1454

“Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij”. /F. Noli, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Tirane, 1967, f. 35/.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Në “Bayerische Staatsbibliothek, München” të Gjermanisë ruhet njëra prej inkunabulave më të vjetra në botë, nga viti 1454 në të cilët bëhet fjalë për shqipatrët dhe Gjergj Kastriotin Skenderbeun. Kjo inkunabulë deri me sot nuk është studiuar nga asnjë studiues shqiptar, përkundër faktit se ajo është e njohur si burim me vlera të paçmueshme për heroin tonë kombëtar shqiptar dhe mesjetën shqiptare në përgjithësi. Një studim i origjinalit, është mëse i domosdoshëm, për të thelluar njohurit praktike rreth këtij burimi të botuar-shtypur, gjë që drejtoresha e e kësaj biblioteke, prof. dr. Bettina Wagner, ku ruhet ksombla orijginale e ka shprehur hapur duke treguar gatishmërinë e saj si dhe mundësinë që ajo të ribotohet së bashku me faksimilet origjinale edhe e përkthyer e tëra në gjuhën shqipe.

Është vështirë të gjenden personalitete të tilla të shquara nga e kaluara, për të cilët të jetë shkruar aq shumë dhe në vazhdimësi, qoftë në fushën e historisë, të krijimtarisë letrare e artistike, në fushën e studimit të artit luftarak, diplomacisë, etj. sikur për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastritotin – Skënderbeun! Shkrimet e para për të datojnë që nga mesjeta, dmth. menjëherë pas vdekejs së tij, ku autorë të ndryshëm, i thurin hymne lavdërimi trimërisë dhe veprës së tij madhështore, ngase ai nuk u përkul asnjëherë, sikurse para ushtrisë së panumërt Osmane, ashtu edhe asaj venedikase, të cilave me forcën e shpatës dhe mjeshtrinë e artit luftarak, u tregoi se lufta për liri dhe mbrojtje kombëtare është e shenjtë dhe nuk njeh sakrfica të tepërta. Vepra e tij luftarake u bë shembull për shumë popuj tjerë, të cilët luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar.

Për të ndriçuar në përgjithësi, një epokë të caktuar apo një personalitet të veçantë, të shquar në histori, siq është Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, domosdo duhet mbështetur në burime dokumentare që ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qofshin ato të botuara, pjesërisht të botuara apo të pa botuara; të cilat janë si një hallkë ndërlidhëse në mes historisë kombëtare shqiptare, me historinë e vendeve të Balknait, Lindjes së Afërme dhe Evropës në veçanti. Shumë herë, një gjë e tillë është e pamundur, për shkak të mungesës së burimeve të shkruara; po në raste të caktuara, edhe kur ato ekzistojnë, faktori njeri, me veprimet e tija, të njëashme, tendencioze dhe të mbrapështa, ka bërë që shumë fakte, ngjarje e data, të shtrembërohen, të keqë-interpretohen, deri në skajshmëri ekstreme, për qëllime të caktuara. “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij”. /F. Noli, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Tirane, 1967, f. 35/.

Luftërat e Gj. K. Skenderbut dhe popullit shqiptar kundër turqëve kishin bërë jehonë të madhe në Europën e shekullit XV. Përveç dorëshkrimeve dhe dokumentave të shumta, dëshmi për këtë, është edhe njëra ndër inkunabulat më të vjetra në botë, që sot ruhet në sektorin e inkunabulavbe, Librit të rrallë dhe dorëshkrimeve në “Bayerische Staatsbibliothek, München” me sign. M. 149 [sign. e vjetër: R. I. 4°], me titull: “Eyn manung der cristenheit widder die durken.” /Türkenkalender/ [Një paralajmërim i krishtërimit kundër turqve]. Inkunabula /libri/ është shytpur në Mainz, nga Johann Gutenberg, midis 12 e 24 dhjetorit të vitit 1454, dhe paraqet një kalendar për vitin në vijim, 1455.

Inkunabula quhen librat e shtypur gjatë periudhë prej shpikjes së shtypëshkronjë së parë deri me 31 dhjetor të vitti 1500, përkatësisht, sipas vitit të Venedikut deri me 21 mars të vitit 1501. Inkunabula është shumësi i fjalës latine “incunabulum,” që në gjuhën shqipe do të thotë “djep” por që përdoret edhe për “vendlindje” dhe “fillim” dhe u fut në përdorim për të shënuar librat e shtypur gjatë viteve 1450-1500 /1501/, jo më herët se në vitin 1650 kur u festua 200 vjetori i shpikjes së shtypëshkronjës.

Viti 1500 si kufi i emërtimit të teksteve të para si inkunabula është zgjedhur vetëm për asrsye konvencionale, për të treguar kalimin nga një shkeull në tjetrin dhe nuk shënon ndonjë ndryshim thelbësor, në pamjen e jashtme të librave të shtypur nga viti 1501 e në vazhdim. Megjithkëtë, duhet thënë që inkunabulat fillimisht shtypeshin në të njëjtin stil si dorëshrkimet, që do të thotë se në to shkrimi i titujve, ndryshonte nga ai i tekstit, përdoreshin shkurtesa e fjalë në fjali, përdoreshin kolonat dhe shënimet në margina, si dhe rubrikimi në fillim të çdo kapitulli.

Kapaku [kopertina] i librit që sot është standard për të gjithë librat e shtypur, për herë të parë u shfaq në vitin 1480. Deri në atë kohë teksti i librit fillonte menjëher pas titullit që njihej si “incipit.” Të dhënat për botuesin, vitin e botimit dhe vendin e botimit ose gjendeshin në “colophon,” një pjesë në fund të libirt, ose nuk vendoseshin fare. Po t’u hedhësh një sy të gjitha inkunabulave të ruajtuara deri në ditët e sotme, mund të vërehet që vetëm një numër shumë i voglë i tyre kanë të dhëna për vendin e botimit, botuesin dhe vitin e botimit. Kur në inkunabulë mungon viti i botimit, është shumë vështirë të përcaktohet viti i botimit, e një gjë e tillë bëhet vetëm pas shumë analizave dhe kërkimeve të ndryshme krahasuese e kritike qoftë të dokumenteve, qoftë të tipit të grafemave apo të cilësis së letres dhe “filigranes” kur kjo ekziston.

Sot na është e njohur se janë shytpur rreth 40.000 mijë inkunabula në 1.200 shtypëshkronja të ndryshme. Nga numri i përgjithshëm i tyre, për 22.000 inkunabula kemi të dhëna të plota ose të pjesëshme, për vitin e botimit, vendin e botimit si dhe për shtypëshkronjën. Sot na janë të rujatura vetëm rreth 2% të numrit të përgjithshëm të inkunabulave.

Në Shqipëri, Bilbioteka Kombëtare ruan vetëm një inkunabulë, dhe atë të Enea Silvio Pikolominit /më vonë papë Piu II, me titull: “Epistola. De Conventu Mantuano”, nga viti 1473, me sign. BK. An. III/3B. [Ne disponojmë kopjen e skanuar dhe të stampuar të kësaj inkunabule]. Në Bibliotekën e Prishtinë nuk ruhet asnjë inkunabulë, ndërsa libri më i vjetër atje është nga fundi i shek XVI, përkatësisht viti 1589, të cilin autori i këtij shkrimi e ka dhuruar për atë tempull të dijes. Ndërsa për autorë shqiptarë kemi të dhëna të sakta se janë shytpur 5 inkunabula, por të ruajtura janë vetëm 3 të tilla dhe atë në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në Vatikan, të autorëve: Marin Beçikemi, Mikel Tarkanjoti dhe ipeshkvit të Tivarit, Stefanit nga viti 1483. Katalogu i parë për inkunabula është përpiluar në vitin 1688 në Amsterdam nga Cornelis a Benghem, në të cilin ndodheshin shënime për 3.000 mijë zëra.

Inkunabula për të cilën do të flasim në vijim, fillimisht ishte e lidhur në vëllimit me titull: “Liber Eximiae Raritatis et inter Cimelia Bibliothecae asservandus F. Ev.” [sign.e vjetër: Cgm 369]. Në Bibliotekën Shtetërore të Bavarisë në Mynih inkunabula ka ardhur nëpërmjet Konrad Peutinger, nga manastiri i Jezuitëve të Augsburgut. Emri i Konrad Peutinger, studiuesit gjerman të shekullit gjashtëmbëdhjetë, është tashmë i njohur për lexuesin shqiptar përmes hartave të vjetra romake që sot mbajnë emrin “Tabula Peutingeriana.” Morën emrine tij, sepse dorëshkrimi ishte në pronësi të tij. Sikur ishte zakon në kohën e shtypjes së inkunabulave, edhe kjo ksombëll nuk ka frontespic, por fillon menjëher me tekst. /Shih ilustrimin e faqes së parë, që e botojmë së bashku me këtë shkrim/. Autori i inkunabulës është anonim, edhepse mendohet se mund ta ketë shkruar vetë Johan Gutenbergu.

Johan Gutenbergu (Johann Gensfleisch) ishte ai që shpiku shtypëshkronjën e parë në hisotrinë e njerëzimit rreth viteve ’50 të shkeullit të pesëmbëdhjetë. Shpikja e shtypëshkronjës mundësoi prodhimin e shumë librave në një kohë të shkurtër. Kjo ishte shpikja më e rëndësishme e njerëzimit, që u bë shkak kryesor jo vetëm për suksesin e reformacionit, por edhe për gjithë zhvillimin e shpejtë të Europës në shekujt që do të pasonin.

Ndër librat e parë të shtypur në këtë shtypëshkronjë është një Bibël në gjuhë latine. Bibla e Gutenbergut që u përfundua së shytpuri në vitin 1455, ishte planifikaur tështypej në 200 exemplarë, në letër dhe 30 exemplarë të tjerë në pergamen. Nuk dihet me sakëtsi sa kopje u shtypën, por sot janë të ruajtura vetëm 22 exemplarë, nga të cilat 7 janë në pergamen /një ruhet në Bibliotekën Metropolitane të Zagrebit, të cilën kemi pasur fatin ta konsultojmë dhe ajo është e shtypur në pergamen/.

Shtypëshkronja që shpiku Gutenbergu, u bë shkak që ai të vdiste në varfëri të tejskajshme, megjithëse vinte nga një familje gjermane e pasur dhe e kamur e kohës. Sot seiclia prej ksombllave të Biblave të tija origjinale në pergamen është vlerësuar rreth 100 milion dollarë!, ndërsa ato në letër, me një çmin rreth 70 milion dollarë. Edhe një fletë e vetme origjinale nga Biblat që u shtypën në shtypëshkronjën e Gutenbergut, sot arrin çminim marramendës prej mëse 100 mijë dollarësh, gjë që po të kishte ndodhur në kohën e Gutenbergut, atij do t’i kishte mjaftuar të bëne një jetë “të paktën” solide. Përveç Bilbës, Gutenbergu shytpi edhe libra të tjerë, njëri ndër të cilët është edhe “Türken-Kalender. Eyn manung der cristenheit widder die druken. ” /Një paralajmërim i krishterimit kundër turqëve/.

Radhitës të inkunabulës në fjalë ishin Heinrich Keffer dhe Bechtolf Hanau, më vonë të dy pronarë të shpypëshkronjave të tyre private, /pasiqë kishim marrë zanatin te Gutenbergu/, i pari në Nyreberg, ndërsa i dyti në Bazel. Gjuha e inkunabulës, “Türken-Kalender” është gjermane, përkatësisht dialekt i krahinës së Majnit.

Inkunabula ka gjithsejt 6 fletë, përkatësisht 9 faqe teskt, që kanë nga 21 rrreshta, faqet tjera kanë nga 20 reshta. Në inkunbaulë ka mjaft gabime drejtëshkrimore, /lapsus calami/ por edhe të shypëshkronjës, ndërsa në f. 5, rreshti i fundit është përsëritur dy herë, ashtu si edhe reshti i parë në f. 6.

Të dhënat që përdor në inkunabulën e tij me titull “Türken-Kalender” (në fakt, ky titull pothuajse nuk ka të bëjë fare me këtë inkunabulë, por në burime dhe literaturë, pothuajse është “zyrtarizuar” si titull i librit edhepse, titulli i vërtet është rreshti i parë i inkunabulës “Eyn manung der cristenheit widder die druken. ” /Një paralajmërim i krishterimit kundër turqëve/, autori (Gutenbergu???) i ka nxjerrë nga një burim i shkruar në Romë, më datë 24 tetor 1454, dhe këto të dhëna konsiderohen të sakta dhe shumë preçize, gjë që është vërtetuar edhe nga burime arkivore të Arkvit Sekret të Vatikanit.

Inkunabula ka gjithsejt 183 (njëqind e tetëdhjetë e tre) vargje, e jo 189, siç shënohet në vepër e K. Biçokut e J. Kastratit, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Bibliografi 1454-1835.” Tiranë, 1997, f. 53, nr. 1, në mënyrë të gabuar, për shkak se autorët nuk e kanë konsultuar orijginalin, por burime të tërthorta dhe jo të sigurta.

Vargjet e inkunabulës formojnë një apel për popujt e gjithë Europës së krishterë, respektivisht për forcat e ndryshme europiane për luftë kundër turqëve, të cilët në maj të vitit 1453, pushtuan Konstantinopojën, dhe kështu shkaktuan shqetësim për të gjithë botën e krishterë europiane.

Ne kemi pasur fatin të shfrytëzojmë këtë inkunabulë në origjinal, në “Bayerische Staatsbibliothek, München,” por edhe faksimilet dhe mikrofilmin e saj, të dërguar nga drejtoresha e “Bayerische Staatsbibliothek, München” prof. dr. Bettina Wagner, të cilës publikisht i shprehim falëmenderimet dhe konsideratat tona, jo vetëm për këtë, por edhe për informacione të tjera me mjaft interes, rreth inkunabulës, pohojmë se ajo është shumë e veçantë dhe interesante, për studime të mëtutjeshme.

Për të qenë më të saktë, sjellim faksimilin e strofës së tretë, përkatësisht muajit mars të kalendarit të vitit 1455, dhe përkthim në gjuhën shqipe aty ku përmendën shqiparët dhe popujt e tjerë të Ballkanit:

“Perandor i pushtetshëm, fisnik i Trapesundit,

mbret i mbretërisë së Ikermanit, ju raguzinas,

arbërorë (shqiptarë), dhe bullgarë, dalmatinas,

kroatë dhe sllovenë, ju të krishterë të përshpirtshëm,

gjenovezë, ndihmoni kundër sulmeve turke,

që guximi i tyre të turpërohet…”

Duke analizuar me vëmenjde iknuabulën e vitin 1454, mund të shtrojmë pyetjen se cilat ishin njohurit dhe përftyrimet e autorit, për popujt e përmendur në këtë vepër, për sunduesit dhe princërit që luftonin kundër turqëve, në radhë të parë, çfarë njohurish kishte autori për Gj. K. Skenderbeun dhe luftën e popullit shqiptar kundër turqëve?

Sipas frymës së kohës kur u shkrua inkunabula, autori dëshiron të tregoj kulturën, arsimimin dhe njohurit e përgjithshme të tija, jo vetëm në fushën e gjeografisë, historisë, politkës por në fushën e artit të të shkruarit dhe atij luftarak. Në anën tjetër, ne nuk duhet të harrojmë se para vetës kemi një vepër poetike, të shkruar në vargje, e cila fillim e fund ka tendencë politke, respektivisht është një traktat politiko-teologjik me qëllime të caktuara për shtresat e larta të shoqërisë mesjetare europiane, për të mbështetur ata të cilët ishin në vijën e parë të luftës, mendojmë ne, në radhë të parë shqiptarët dhe Gj. K. Skenderbeun.

Në kohën e shtypjes së inkunabulës, Gj. K. Skenderbeu kishte shpartalluar disa herë ushtritë osmane, ndërsa në vitin 1450, kishte mposhtur edhe sulltan Muratin II, në rrethimin e parë të Krujës. Kjo kishte bërë që për të dhe luftrat e tija, të flitej e shkruhej me shumë respekt në Europë. Ndërsa Raguza [Dubrovniku] kishte kohë që ishte një republikë e pavarur me një tradite politiko-kulturore, që ia atribuonte pavarësinë e pushtetit të tij, diplomacisë së shkathët dhe pasurisë së madhe. Në këtë kohë, Raguza dispononte një flotë impozante, e cila, falë mjeteve të mëdha financiare të saj, jo rrallë përfshihej me shkathtësi të madhe, përkrah botës së krishterë, në luftë kundër turqve.

Kërkimet shkencore, dita-ditës po plotësojnë mozaikun portretual të Gj. K. Skenderbeut dhe epokës së tij, me të dhëna dhe informacione të reja, të sakta dhe me vlerë të veçantë, veçanërisht, atëher kur për ball kemi një libër të shtypur – inkunabulë, sikur kjo nga viti 1454. Edhepse në inkunabulë nuk është përmendur drejtëpërdrejtë emri i Gj. K. Skenderbeut, mendojë se përmendja e arbërorëve (shqiptarëve) është shprehja konkrete për të dhe lufëtrat e tija kundër turqëve.

Filed Under: Histori

Kryeministri i Malit Të Zi, Dr. Dritan Abazovic u takua me Diasporën Shqiptare Amerikane në Staten Island, NY

September 27, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në  Li Greci’s Staaten Restaurant, Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazovic u takua me Diasporën Shqiptare Amerikane në Staten Island, NY.  Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazovic është shqiptari i parë që arriti ne këtë detyre të lartë shtetërore.

Kryeministri shoqërohej nga z. Fatmir Gjeka, Ministër i të Drejtave të Minoriteteve në Mal të Zi, z. Ilir Harasani Sekretar i Përgjithshëm i Malit të Zi, z. Djordje Radulovic, Këshilltar i Kryeministrit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ish Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ivo Soc këshilltar ligjor dhe znj. Ana Rasoviq, shefe e kabinetit.  

Në presidium ishin dhe Dr. Bari Ceka i cili u mirëprit disa herë me duartrokitje për shërbimet mjekësore që iu ka dhënë familjeve shqiptare në Diasorë dhe Mëmëdhe si dhe gazetari dhe analisti i njohur nga Tirana z. Mentor Nazarko.

Ky takim u organizua nga Shoqata “Ulqini” me kryetar z.Xhemo Lanica. Z. Lanica i uroi mirëseardhjen Kryeministrit të Malit të Zi z.Dritan Abazovic dhe shprehu krenarinë që këtë takim e organizonte Shoqata “Ulqini” në bashkëpunim me shoqatat e tjera.

Salla ishte mbushur plot e përplot me pjesëmarrës nga Diaspora Shqiptaro Amerikane nga Mali i Zi, kryetar të shoqatave, aktivistë nga Ana e Malit. , Plava – Guci, Ulqini, Kraja etj.  Ardhja e Kryeministrit të Malit të Zi shqiptarit Dritan Abazovic u mirëprit me duartrokitje të pandërprera, cka tregonte për krenarinë që ndjejnë shqiptarët për kryeministrin më të ri në Ballkan.  Të pranishëm ne kete aktivitet ishin kongresmenja znj. Nicole Malliotakis, këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z. David Carr, kandidati për Senat z. Joseph Tirone, kandidati për në Asamblenë ne shtetin e Nju Jorkut z. Sam Pirozzolo.  

Aktiviteti u moderua nga zonjusha Arta Qyqalla.  

Kryeministri foli për punët e mëdha që e presin përpara, vizionin që ka për të ardhmen e Malit të Zi dhe njëkohësisht suksesin që ka për luftën kundër korrupsionit që ka kapluar këtë shtet. 

Kryeministri Abazovic vlerësoi lart rolin e Diasporës Shqiptaro Amerikane dhe tha se ajo ka pasur një rol kyc në proceset e zhvillimit të Kombit tonë.  Ai premtoi se do të luftojë për ta integruar Malin e Zi në Bashkimin Europian si dhe do të bëjë përpjekje për t’u siguruar popullit një të ardhme më të mirë se në të kaluarën.

Këshilltari i Bashkise se Nju Jorkut z. David Carr vlerësoi me çertificatë mirënjohjeje Kryeministrin Abazovic. Me çertificatë mirënjohje u vlerësua dhe nga kongresmenja znj. Nicole Malliotakis dhe nga z.Xhemo Lanica në emër të shoqatës “Ulqini”.  

Në këtë takim përshëndetën Imami i Xhamise në Staten Island z. Tahir Kuka fjalimi i të cilit ishte plot mesazhe bashkimi dhe të një oratori të shkëlqyer. Imami shqiptar nga Kosova është i zgjedhur si përfaqësuesi kryesor në policinë e Nju Jorkut, i detyrave islame ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.

Nga salla u drejtuan shumë pyetje për Kryeministrin, meraku i të cilëve ishte lulëzimi i Atdheut të tyre dhe ndryshimet që duhet të sjellë z. Abazovic.

Në fund pjesëmarrësit bënë fotografi me kryeministrin dhe i uruan atij punë të mbarë në të mire të Kombit shqitpar.

Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent z.Qemal Zylo dhe kameraman Enes Basha.  Së shpejti do të transmetohet në kanalet televizive.

26 Shtator, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2042
  • 2043
  • 2044
  • 2045
  • 2046
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT