• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BINJAKJA  E  PUSHTIMIT

September 15, 2022 by s p

(Nderim “Artistes së popullit” Vaçe Zela në 70-vjetorin e lindjes).

Në udhën e gjatë e të mundimshme të ecjes së popujve, n’atë që quhet histori, ka ditë që i ngjajnë stacioneve, udhëkryqeve, ku ngjarje të pazakonta përcaktojnë drejtimin, që ato bashkësi njerëzish, që flasin të njëjtën gjuhë, do të ndjekin në t’ardhmen. Në historinë e shqiptarëve një ditë e tillë ishte 7 prilli 1939, një ditë që ndryshoi rrymën e ngjarjeve të një populli që, për gati pesëqind vite, ëndërroi pavarësinë. Kur kjo erdhi solli një traumë po aq të dhimbëshme sa robëria, ndarjen e vëllezërve nga vatra atërore e rënien e gjysmës së tyre në të tjera robëri. Përpjekjeve të dëshpëruara të një grushti njerëzish, të ndërgjegjshëm për misionin tejet të vështirë të krijimit, forcimit e funksionimit të një shteti të rrethuar nga lakmi grabitqare fqinjësh, të përkrahur nga të mëdhenjtë e Evropës, do t’i jepte fund sendërtimi i një akti të dëshiruar me forcë nga një plejboj i politikës italiane, që kish patur fatin të martohej me bijën e diktatorit e të kishte postin e ministrit të jashtëm.

7 prilli 1939, me zbarkimin e trupave italiane në portet shqiptare, ishte fillimi i një epoke pushtimesh të huaja që zgjati pak, por që solli si pasojë një tirani vëndase, nga kthetrat e shumëllojta të së cilës nuk po mund të shkëputemi plotësisht ende sot. Por ajo datë ishte dhe një  ditë e zakonshme, në të cilën njerzit punonin, bisedonin, dashuroheshin, studjonin, ëndërronin një t’ardhme, lindnin fëmijë… Ishte jeta e zakonshme e njerëzve të thjeshtë, t’atyre që ngjarjet historike i përceptojnë me vonesë, kur ato ndikojnë materialisht mbi to.

Atë ditë, mes shumë fëmijëve të lindur në trevat shqipfolëse, në Lushnjen myzeqare në buzë të kënetës së Tërbufit, në një familje të njohur, lindi një vajzë. Vajza u quajt Vaçe dhe pati një fëmini të patrazuar nga baticat e zbaticat e jetës politike të Vendit të saj. Që e vogël shquhej për karakterin gazmor e për dëshirën e madhe për të kënduar e për të kërcyer. Në qytetin e vogël ku lindi u bë shpejt e njohur për prirjet e saj dhe u dërgua për të studjuar në Liceun artistik “Jordan Misja”. Me që nuk kishte probleme “biografie” ajo vajzë e talentuar u rrjeshtua në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar të rinisë në Moskë, më 1956. Ishte ballafaqimi i parë i myzeqares 17-vjeçare me botën e huaj, një farë shkëputje e përkohëshme nga rregullat e ngurta që zotëronin në mjediset kulturore të Vendit të saj, një ballafaqim që la gjurmë në nënëvetëdijen e artistes së re e i dha një shtysë rrugës së saj të mëtejshme. 

Pak nga pak Vaçja e re u bë e njohur në nivel kombëtar si pasojë e pjesëmarrjes në estradën e qytetit  dhe shfaqjeve të saj anembanë Shqipërisë. Kështu në vitin 1961 ajo u tërhoq nga Estrada e ushtarit, prej nga filloi kariera artistike në kryeqytet që e çoi në pak vite, në majën e Olimpit të muzikës së lehtë shqiptare për një kohë të gjatë. Më duket e tepërt të flas për sukseset e saj n’atë fushë, për çmimet e fituara, për popullaritetin e saj të padiskutueshëm, për ndihmesën e saj të jashtzakonshme në interpretimin e këngës shqiptare të lehtë e popullore, për nivelin e lartë teknik e ngrohtësinë e një zëri që, për çdo idhtar të muzikës s’atyre viteve, ishte il non plus ultra e mjeshtërisë vokale.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm të këngëtares magjike myzeqare më pëlqen të ve në dukje disa anë të karakterit e personalitetit të Vaçe Zelës, për shumë kohë të pa vëna në pah publikisht. Vaçja u rrit në Lushnjen e viteve 50-të, qytet që nga 1954 ishte kthyer në qendrën kryesore t’internimit për Shqipërinë. Savra e Pluku ishin sektorët në të cilët ishin sistemuar pjesa më e madhe e t’internuarvet në këtë rreth. Ata më të rinjtë shkonin në shkollat e qytetit, përfshirë këtu edhe gjimnazin e hapur më 1956. Të tjerët punonin, kryesisht në ndërtim, shpesh herë brënda në qytet, kurse pjesa më e madhe punonte në bujqësi. Udhëzimet që nga majat më të larta të pushtetit komunist ishin që këta njerëz të jetonin në një geto e të shiheshin gjithmonë si “armiq”. Pati mjaft nga ata qytetarë të Lushnjes që u munduan t’i venë në zbatim ata udhëzime, por pati edhe nga ata që nuk i mbajtën parasysh në jetën e tyre. Vaçe Zela ishte një nga të dytët. Pranë shtëpisë së saj ishte spitali i qytetit dhe këngëtarja e re kalonte me orë të tëra në biseda me vajza t’internuara, të shtruara në spital. Mirësjellja ishte një tipar i karakterit të saj, por ajo bëhej edhe më e dukëshme në marredhëniet me djem e vajza të shtresave “ të përmbysura”. Kjo sigurisht nuk shihej me sy të mirë nga mbrojtësit e rendit, por këngëtarja asnjëherë nuk i bëri të sajat predikimet e “moralit” komunist për famëkeqen luftë të klasave.

E kam njohur herët Vaçen kur un shkonja në gjimnaz dhe ajo ishte udhëheqëse pionerësh e këngëtare n’Estradën e Lushnjes. Më vonë ajo shkoi duke ngjitur shkallët e suksesit, ndërsa un duke zbritur ato të dallimit racial të “luftës së klasave” Në rastet e rralla që qëllonte të shiheshim ajo kurrë nuk e ktheu kokën nga ana tjetër, nuk e shmangu takimin, nuk i kurseu  fjalët e mira. U mundua të më inkurajonte për të përballuar një jetë që i ngjante një tuneli t’errët ku nuk dukej asnjë lloj drite. Në fjalët e saj ndihej mirëkuptimi, solidariteti, dhimbja.

Ajo mbeti gjithmonë e dashur, e sinqertë, e hapur me njerëzit, i vlerësoi ata nga cilësitë vetiake e jo nga mbiemri, nuk dijti t’urrejë simbas recetave të partisë apo të sigurimit te shtetit. Është një meritë që lartëson figurën, po të mbahet parasysh se bëhej fjalë për një personazh publik të rradhës së parë, në një kohë kur trysnia e shtetit në drejtim të depersonalizimit ishte skajore e pasojat e qëndresës, pothuajse gjithmonë, shumë të hidhura. Këtë anë të personalitetit do t’a tregonte më me forcë në krijimin e familjes së saj, në respektin e dashurisë së saj, në vendimin për t’u bashkuar me një njeri që nuk bënte pjesë në “biografitë e mira”, që kish për nënë një grua të huaj, që kish kryer shërbimin ushtarak në një repart pune. Këngëtarja e njohur  u dashurua me këtë njeri dhe ajo ndjenjë i qëndroi kohëve dhe peripecive të tyre deri në ditët e sotme.

Vaçe Zela mbeti vajza e çiltër myzeqare edhe duke zotëruar skenat e festivaleve të këngës shqiptare, edhe duke qënë e nderuar nga një popull i tërë, edhe duke përfaqësuar me dinjitet Vendin e saj në skenat e huaja. Ajo nuk lakmoi pozitat politike e shoqërore, nuk u bë deputete, nuk u bë as komuniste, mbeti një shqiptare që e deshi Vendin e saj e i shërbeu atij me zërin e saj, me kënaqësinë estetike që i dha bashkatdhetarëve të saj. Ka vite që ajo ka braktisur skenat, por këngët e saj janë ende të pranishme në kujtesën e njerëzve të brezit të saj dhe zënë një vënd të rëndësishëm në pasurinë artistike të popullit tonë. Imazhi i këngëtares dhe zëri i saj, në faza të ndryshme të jetës së saj artistike, mbetet i gjallë në kujtesën tonë, mbasi ka qënë një pjesë e ushqimit tonë shpirtëror, edhe se shumë tekste të këngëve të kënduara prej saj mbanin vulën e kohës së tyre, sepse nuk mund të ishte ndryshe.          

Koha bën zgjedhjet e saj, hedh në shportë pseudovlerat e frymëzuara nga interesat e çastit, të pushtetit, te ideologjive kalimtare, por ruan dhe ngre vlerat universale që kanë si bosht qëndror njeriun, botën e tij shpirtërore, prirjet dhe aspiratat e tij të përjetëshme. Mjaft këngë të kënduara nga artistja jonë e madhe i përgjigjen këtyre kërkesave, prandaj jam i bindur se do të kenë jetën e gjatë. 

E jetë të gjatë i urojnë “mbretëreshës së këngës shqiptare” në këtë përvjetor të lindjes gjithë bashkatdhetarët e saj që e kujtojnë me respekt e dashamirësi, duke e shtrirë urimin edhe tek bashkëshorti i saj fisnik dhe bija e tyre e rrallë. 

Apartamenti ku familja Rodiqi banon sot në Bazelin e Zvicrës së qytetëruar është disi i veçantë. Ai ka një dalje në një kopësht, në të cilin janë mbjelle lule nga më të ndryshmet. Është një mjedis që i sjell ndërmend këngëtares së kombit lulet e skenave nëpër të cilat kaloi jeta e saj, ajo jetë që kish filluar një të premte të zezë, më 7 prill 1939.

                                                                                                                 Prill 2009                                                                                

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011 

Filed Under: ESSE

PLIS! KURORË PERËNDIE – POEZI NGA KADRI TARELLI

September 15, 2022 by s p

PLIS! KURORË PERËNDIE!

Bora zbardh çdo majë lisi,

Rrënjë thellë në Dardani.

Mbi çdo krye zbardhon plisi,

Dhuratë zotash për shqiptari.

Plis, kur lërohet e mbillet toka,

Për ilirët, strehë, shtresë e qiell,

Me plis, mbi plis, mbështetet koka,

Ante Pellazg, puth yje, hënë e diell.

Majë shkëmbi, majë guri,

Ku shqiponja ngre fole

Plis i bardhë mbi krye burri,

i bën bashkë për komb e dhe.

Kuvend burrash shtrohet plisi,

Zbardhon mali nën flamur.

Një kushtrim, Në këmbë fisi,

Kala guri përmbi gur.

Të djeg lufta të skuq gjaku, 

Trimat shkrepin si rrufe!

Lufton djali, ngrihet plaku,

Jeta s’vlen pa mëmëdhe.

Plis, kurorë perëndie!

Shenjtëruar në stuhi,

Simbol paqe, dashurie,

Shekujt tutje, ti prap i ri!

PAJTIM! FRYMË ATDHETARIE!

Pse e huaj ndër shqiptarë, fjala pajtim?

Shqip folur e shkruar, na përkund fare pak.

Çirremi, godasim, vrasim, plot zemërim,

Arsyeja hesht, mosdashja vendos lak.

Pajtimi lyp forcë, besë dhe bajrak.

Gumëzhin në vesh, vjen si fjalë e rrallë.

Gjuha rrotullohet, buza kullon gjak,

Kur tjetrit i thyejmë dhëmb e dhëmballë.

Na trazon politika, kjo bushtër tinëzare,

E ndan një popull në parti dhe fe.

Këmbëkryq me hasmin ulet e bën pazare,

S’pyet për komb, shet nder e atdhe.

Fryma e pajtimit, ka mbetur në kërkim!

Arratisur nga vatrat tona, kohë më parë.

Gërshëra e mallkimit, na preu pa ngurrim.

Mes vetes grindje! Trojet arbërore ndarë.

Rilindasit dikur, shenjtorë të mëmëdheut,

Me penë e pushkë, na thërrasin përsëri.

Tok mblidhuni rreth zjarrit të Prometeut,

Flaka e pajtimit të ndizet, për shqiptari.

KU TA GJEJ TË SERTËN FJALË?

Ku ta gjej të sertën fjalë?

Më thoni ku ta gjej?

Pres trazuar, si det plot valë,

Ta ngjesh në shkrim e ta pëlqej,

Si gozhdë kovaçi, në varg ta mbërthej.

Ku ta gjej një fjalë? Ju pyes!

Me peshë e me shumë mend.

Ta ve në krye vatre, në sofër e kuvend.

Të keqen ta rrah burrash, sa ta vdes,

Të mirës që dhemb, t’i bëj pakëz vend.

Ku ta gjej një fjalë,

Të urtë, të ëmbël si mjaltë?

Si pishtar ta mbaj në dorë, në ballë,

Të ndriçoj natën dhe ditën e nxirë. 

Fushës e malit, shkujdesur të bredh i lirë, 

Në  dheun tim të lashtë, të qullur të ngrirë,

Shpresën e humbur ta ngroh, ta mbaj gjallë.

S’ka gjë, se këmbët më zhyten në baltë.  

Por fjalën e baltosur, s’e dua, s’e pranoj,

Druhem se firmos ndëshkimin tim.

Më dëgjon ç’ them? Ç’ thua të dëgjoj!

Mendje e ndritur të larton, të bën edhe trim,

Fjala e lëshuar, mbetet shigjetë pa kthim.

E përbuz fjalën e sheqerosur,

Për servilin, pasuri mbi pasuri.

E lakmoj edhe fjalën e marrosur,

Që godet e shemb çdo padrejtësi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kadri Tarelli

Dhimitër Leka i Himarës që Jeronim De Rada i dedikoi “Këngët e Milosaos”

September 15, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vargjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri i kushtohet Demetrio Lecca dhe ka këtë shënim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”.

Po kush ishte Demetrio Lecca/Dhimitër Leka?

Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare nga Dhërmiu i Himarës, të vendosur në Napoli në fund të shekullit të XVIII. Dhimitër Leka lindi në 24 prill 1779 në Dhërmi dhe vdiq në -Napoli, më 21 prill 1862. Ai bëri një karrierë të shkëlqyer ushtarake duke arritur gradën e gjeneral brigadierit në oborrin e Mbretit të Napolit. Dhimitër Leka u varros në Kishën Ortodokse të Napolit dhe aty gjendet varri sarkofag i tij sëbashku me bustin e gdhendur në basoreliev, vepra të porositura nga i biri i tij Achille Leka. Mnbishkrimi është në italisht : DHIMITËR LEKËS, EPIROT, TENENT GJENERAL I USHTRISË NAPOLITANE, I URDHËRIT TË SHËN GJERGJIT TË BASHKIMIT, DHE SHËN SALVADORE TË GREQISË SHËN ANËS SË RUSISË DHE SHËN MIKELIT TË BAVARISË KALORËS I KRYQIT TË LARTË, LINDUR NË DRIMADHES MË 28 PRILL 1779 VDEKUR NË NAPOLI MË 21 PRILL 1862 _______

ATIT TRIM DHE TË NDERSHËM, AKIL LEKA I NGRE NË KUJTIM.

Në gurrën popullore shqiptare ai përkujtohet nga disa vargje që i ka botuar i ndjeri Llambro Ruci në librin e vet “Zera e Akrokeraunëve”.

Ç‘u hap mandati në drekë,

Hajmedet o Dhimitër LEKË,

Hajmedet se ç’të ka gjetë,

gjëndërali i Bregdetë,

kapetan i mirë me fletë,

në stere edhe ndë detë.

Filed Under: Emigracion

#SiSot, më 15 shtator 1912, lindi shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati

September 15, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Lindi në Edërne (Adrianopojë), Turqi në një familje intelektule libohovite. Kur familja e saj u kthye në atdhe, Kasimati vijoi studimet në Liceun Francez të Korçës, si e para femër që ndoqi këtë shkollë. Më pas, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, në Shkollën Amerikane të Kavajës, në Institutin “Nana Mbretneshë”, si dhe në Liceun e Korçës.

Në vitin 1936 iu akordua bursë shtetërore për studime në Itali, në Fakultetin e Shkëncave Biologjike, në Universitetin e Torinos, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Në 18 shkurt 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, vendosi të krijojë pranë tij, një muze të shkencave dhe për këtë u ngarkua Sabihaja. Edhe gjatë viteve të para të komunizmit, ajo vazhdoi kërkimin shkencor krah figurave të shquara, si: Çabej, Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta etj.

Shpërthimi në oborrin e ambasadës sovjetike më 19 shkurt 1951, u konsiderua si “akt terrorist” nga regjimi, i cili e përdori si pretekst për arrestimin e 22 intelektualëve që do të pushkatoheshin në netët e 26 dhe 27 shkurtit. Mes tyre gjendej e vetmja vajzë, Sabiha Kasimati. Ndonëse e shpallur “armike e popullit”, puna shkencore e saj do të përvetësohej dhe do të botohej në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa dhe të dy studiuesve shqiptarë.

Më poshtë portreti i Sabihasë, si dhe korrespodenca e Ernest Koliqit, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare me shkencëtaren.

Filed Under: Histori Tagged With: Sabiha Kasimati

NË KUJTESË, 109 VJETORI I LUFTES TË SELCËS SË KELMENDIT KUNDËR SHKAJUT TË MALIT ZI…

September 15, 2022 by s p

                

   

  

(Foto te miat me rastin e përkujtimit të 100 vjetorit të luftës të Selcës) 

NGA NDUE  BACAJ                                                                                                

Me 13 shtatorit të vitit 1913, në trojet e  Selces e Kelmendit kriste  pushka  e vlonte gjaku, Ky vend që sot është tempulli i deshmorve të ketyre trojeve shqiptare dhe  ka një emër të disi të trishtueshem  JAVORR (Ja –vorri). Seljanet  e kujtojnë se Javorri  ka kenë  ba vorr i madhe, pasi këtu vetëm në luftën me shkjaun  e  Malit  Zi  kanë ra si trimat duke luftuar 74  burra seljanë. Ndersa që nga 13 shtatori i vitit 2013 (me r astin e 100 vjetorit) trashigimtarët e ketyre trimave atdhetar  të Selces e Kelmendit kanë ngritur  memorialin kushtuar kësaj lufte mbrojtëse dhe dëshmorëve të rënë në luftë me shovenë malazez. Që nga ajo kohë emri emri i “frikshëm” Javorr është “zevendesuar” me “emrin” Ja-memoriali, memoriali i trimërisë e krenarisë të atyre trimave dëshmorë që  i  lanë faqe të bardhë Selces, Kelmendit , Malesisë e Shqiperisë.. .. Heroizmi i këtyre trimave është një kurorë lavdie në historinë  e  qendreses, luftrave dhe perpjekjeve për liri , identitet e troje të veta, luftë që nuk ju nda për shekuj këtyre trojeve , nga  pushtuesit shekullorë turko-osman dhe  fqinjët grabitqar , të pabesë e mizorë , si shkjetë e Malit Zi e Serbisë… Një pjesë e emrave të trimave  seljan që e banë vdekjen si me le janë të skalitur në këtë memorial, ndersa  ata që u mungojnë emrat ( pasi nuk u janë gjetur saktësisht) i kanë  të “skalitur” në zemren e kesaj toke, që u ruan amanetin në përjetësi, amanet që në të ardhmen duhet të mundohemi të gjithë së-bashku  tja “lexojmë” tokes sonë të tejngopur me amanete e gjakë  atdhetaresh seljanë e kelmendas  nga më shqiptarët e Shqiperisë Etnike.. Këtë histori plotë  luftra dhe qendresë shumëshekullore të këtyre trojeve kreshnike që nuk duronin ti shkel as turk as shkja . poeti kombetarë At Gjergj Fishta në Iliaden shqiptare (Lahuta e Malesisë), ndër të tjera u “këndon” mrekullisht me vargjet :

S’asht  jo fis që hikë Kelmendi  / 

se aty djelmtë  i ke sokola  /                                         

    se sa here që e qiti rendi  / 

si ajo e lashta këndon shkrola /                                              

me luftue  me Turk  e Shkja  / 

ndër shtatë Krajlat namë i la vetit / 

bani  shkinat  idhtë  me kja  /

  trazim  t’madh i qiti mbretit…

Gjatë gjithë ketyre kohëve heroike e kreshnike Selca  dhe Kelmendi ishin  një voter zjarr-pashuar atdhedashurie , por me ketë rast po veçojmë vitet 1912 -1913 , vite që rrezikonin edhe ekzistencen e kesaj “cope”Shqiperie që kemi sot.. Kur nga Vlora  u shpall pavaresia më shumë se dy të tretat e Shqiperisë ishin të pushtuara ; nga ushtritë turke , greke dhe në veri nga serbo-malazezet, të cilet veç tjerave kishin rrethuar Shkodrën, të cilen arriten ta marrin me gjithë qendresen mbi gjashtë mujore të saj. Por me gjithë këtë luftë e mjerim, që edhe ushtria serbo-malazeze la në fushen e betejes reth 11 mijë ushtarë e officer, Konferenca e  Ambasadorëve në Londer me 29 korrik 1913, kur caktoi kufijët e Shqiperisë i tha Malit Zi larg duart nga Shkodra…Në këto kushte dëshprimi e humbje, ushtria malazeze kishte filluar të rrisin zollumin edhe në trojet e Kelmendit, ku me luftë , krime e grabitje mendonte të hakmerrej dhe të bënte të saja  Vermoshin e më gjërë… Pikrisht në këto kushte  u zhvillua ajo luftë mizore e tinzare  e ushtrisë malazeze kundër trimave kelmendas  seljanë. Kjo luftë ishte luftë  e pabarabartë, pasi ushtria malazeze  ishte e organizuar shtetërisht , ishte shumë më e madhe në numer (rreth 12 mijë ushtarë e officer), kishte  armë më moderne , si dhe kishte shfrytezuar pabesin… Ndërsa  seljanet u organizuan për të mbrojtur trojet dhe votrat e tyre  vullnetarisht, ishin me armatime të pakta e më primitive , si dhe ishin shumë më të paktë në numer. Por t ë gjitha keto pabarazi seljanet e kelmendasit i sfidonin me trimerin , guximin e drejtesinë e luftes në mbrojtje të trojeve të tyre , shtëpiave të tyre  dhe nderit tyre…Lufta e  Selcës  me shkjaun e pabesë të Malit  Zi  në Javorr  me 13 shtator 1913, është lufta  më sinjifikative  e heroizmit të trimave seljanë në mbrojtje të dinjitetit dhe trojeve të veta . Këtë ditë të paharruar , që edhe ajrit i vinte era barut , trimave  të Selcës që luftuan si luaj malesh pa ju ligeshtuar  zemra e dridhur qerpiku , u printe i flakti-trim Mark Preç Meri. Këtu ranë në fushen e betejes (duke fituar perjetsinë në panteonin e lavdishen të atdheut) trimat : Mark  Preç  Meri , Rrok Prelë  Zefi  , Marash  Huti , Gjon Vata  , Kolë Marash Bujaj , Martin  Vuci  , Fran  L. Toma , Dedë Gici  , Gjergj  Preçi  , Kolë Preçi , Marash Loshku , Uc  Luca  , Ujkë  Mirku  , Keq  Dumi  , Zef  Martini  , Gjokë Kola , Tomë  P. Maçaj … Vlenë të kujtohet se muaj më parë , gjatë vitit 1913 kur  kralnit e Europes po vendosnin  fatin e kufijëve të Shqiperisë në Londer , Kelmendasit kishin demostruar jo vetem pushken-top per mbrojtjen e trojeve të tyre shqiptare, por edhe mendjen diplomatike-“top”, ku me këtë rast po veçojmë  Memorandumin e 26 majit të vitit 1913, që paria e Kelmendit  u dergon autoriteteve Britanike dhe perfaqesuesve të Europes  të mbledhur në Londer ,të cileve u kerkojnë të mos bejnë Pazar me trojet shqiptare dhe kufijet e tyre të larë në gjak e lot në luftë me turk e shkja… Këtë Memorandum e nënshkruajnë : Kolë Nika , Gjon  Neli ,Prekë Groshi , Gjergj Preçi , Lukë Nika ,Gjeto Deda , Prekë Zhuri , Baca Doshi , Prekë Shtjefni , Lucë Ujka , Tomë Gjoni , Prelë Toma , Kol Preçi , Marash Vata , Pjeter Noka , Tomë Prela , Pashko Elezi , Mark Kola , Mark Ujka , Pjeter Deda , Zef Pjetri , Zef Gjoni.. Por gjatë vitit 1913 e vijim kelmendasit me në krye “piramiden” e gjallë Prek Calin , Uc  Turkun e tjer seljanë e Kelmendas ishin bërë simbol i shqiptarisë në mbrojtje të kufijeve të tyre etnik e historik , nga fqinjët malazez dhe faqezes… Një atdhetar, dijetar, meshtar dhe shenjëtor i shqiptarisë (At  Shtjefen Gjeçovi) më shumë se një shekull më parë do të  thoshte : “ …Të lypim çka na perket o vllazen. Mos t’na  ndalojnë shigjetat , as shpata ; mos t’na presin hovin pushka , mos t’na trembin gjëmimet e bubullimat , mos  t’na frigojnë vetimat e rrfeja. Na duhet me i sjell ment  n’at  t’thanien që  t’paret na msuenë : “Dasem pa mish nuk bahet”. Na jesim ndoshta e me gjakun tonë do t’lahna  ,por djelmt tonë kanë  me na ngreh (Pomentaret) Permendoret ; na jesim por djelmve ton do tu lirohen kamt prej vargojve… Nese ka një  trevë shqiptare ku zë vend kjo thenie brilante plot afsh atdhedashurie , pa dyshim është  Kelmendi….

Lavdi të perjetshme deshmoreve të ketyre trojeve nga më shqiptaret e Shqiperisë Etnike… 

MALËSI E MADHE 13 SHTATOR 2022  

Filed Under: Politike Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2058
  • 2059
  • 2060
  • 2061
  • 2062
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT