• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQETËSIME TË VAZHDUESHME, TEMA TË REJA…

August 30, 2022 by s p

Atjoni nga Gjergji 1

Atjon Zhiti, (portret nga piktori Gjergj Kola)

Nga Atjon Zhiti

Zbulimet gjithmonë janë kërkime dhe kur duken si rastësi. Pas daljes së librave të studentit Atjon Zhiti, “Për atë që dua(m)” në 2015 në Tiranë dhe në 2017 albumi dy gjuhësh, (shqip dhe italisht), “Opera Atjon”, me vizatimet e fëminisë dhe pikturat e adoleshencës, të pasuar me botimin “Jam Atjoni”, në 2020 në Prishtinë, që përmbledhin së bashku artikuj të ndryshëm, që autori i quante traktate, duke ridalë herë pas here në të gjithë median shqiptare në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë e në diasporën tonë nëpër botë, na u bë i njohur portreti i tij, një djalosh pasionant dhe “lider shpirtëror” i brezit të vet, sic e cilësuan shokët dhe shoqet..I vlerësuar me çmime, ndërkaq me emrin e tij jepen dhe dy çmime të tjerë ndërkombëtare, “Giffoni Film Festival” dhe në poezi nga Asosacioni “Bogdani” me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel, etj. Atjoni përfaqësoi Shqipërinë në Parlamentin Rinor Europian, etj, etj. por ai vjen sërish me shkrimet të tij duke na befasur. Ku ishin? Në kujtesën e kompjuterit ashtu si dhe në blloqet e tij, në shënimet dhe konspektet, mbi titujt e të cilave shënonte në anë se do të donte t’i shtjellonte më gjerë,. Ja, tre tema të reja, të pabotuara më parë, tre shkrime sigurisht kur ishte  student i filozofisë në Milano, në “Universitetin Sacro Cuore”, na tërheqin vëmendjen për shqetësimin dhe sinqeritetin, sintezën, për mendimin rinor dhe freskinë. Edhe pse janë artikuj të vegjël, kanë korrektesën e një studiuesi dhe mprehtësinë e aktualitetit.  Po i botojmë sot në datëlindjen e tij, kur do të mbushte 27 vjeç duke e ndjerë midis nesh si “Studentin e përhershëm” ashtu si dhe Tirana që ka një rrugë me emrin e tij, që na çon në një ëndërr, RRUGA E ATJONIT. 

Tema: LIRIA E FJALËS (Gojështhurje)

Të ndjehesh i lirë është një nga të drejtat themelore të individit. Por me fjalën liri përfshin shumë nëntema të saj. Një ndër më të rëndësishmet është liria e fjalës. Ne jemi një popull që dikur lirinë e kemi pasur tabu të paprekshme, aq të paprekshme sa as nuk mund të mendonim të lirë e jo më të flisnim. Por kjo tanimë i përket së shkuarës, sepse sot jetojmë një realitet krejt të kundërt. Sot jo vetëm mendojmë e shprehemi lirisht, por nuk arrijmë të ndajmë lirinë tonë të fjalës nga gjykimi… Liria e shprehjes mbron jo vetëm të drejtën për të dhënë informacion, por edhe të drejtën për të marrë informacion, pra mbrohet jo vetem folësi, por edhe shkruesi apo konsumuesi i ideve, informacioneve dhe opinioneve. “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.” Dhe njeriu, ky është një qënie e lirë, por që ka limite në lirinë e tij. Sepse siç thuhet, “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”. Pavarësisht se fjala na dhurohet ta përdorim lirisht, ne bëjmë gabimin më të madh: “Njerëzit kërkojnë lirinë e fjalës si kompesim për lirinë e mendimit, të cilën rrallë e përdorin” dhe kjo na çon në rrugë të gabuar, në rrugën e gojështhurjes, ofendimit deri në injorance. Pas këtij përdorimi na vjen ndot nga pasojat e pakëndeshme që perfundojnë deri në tragjizëm. Sa e sa veta janë vrarë për një fjalë goje dhe kjo nuk është liri e shprehjes, por kjo na çon në humbje të kontrollit të vetvetes dhe në ndërmarrjen e veprimeve të pakthyeshme me pas.                                                       Të gjithë thonë se unë kam të drejtë dhe se personi tjetër nuk më vlerësoi dhe nuk u soll si duhet, gjithnjë është tendenca për ta vlerësuar veten tonë, ndërkohë duke kundërshtuar dhe ofenduar palën tjetër. Por ne nuk kuptojmë që në një debat të fyeshem, duhen dy persona. Nuk e kemi menduar ndonjëherë që, nëse dëshirojmë të kemi një bashkëbisedim të frytshëm dhe debat pa ofendime, atëherë duhet ta fillojmë bisedën me mirënjohje dhe lavdërime të virtyteve ndaj bashkëbiseduesit tjetër, por jo, më e lehtë është fyerja, sepse kemi në dorë “lirinë e fjalës”. E tillë është natyra njerëzore, nxitini ata që me kënaqësi t’i kryejnë detyrat, t’i zgjidhin problemet dhe situatat e pakëndshme dhe asnjëherë mos u mundoni të jeni imponues dhe qortues duke dashur të arrini atë që ju doni, dhe do ta arrini, sepse një fjalë e mirë vlen me shumë se çdo gjë tjetër.

Tema: RACIZMI GJINOR (Diskriminimi)

Sot në botën që ne jetojmë, shohim që përballemi me një shoqëri në thelb maskiliste. Harrojmë që “Gratë janë edukatoret e para të sojit njerëzor” dhe si të tilla duhen trajtuar me respektin dhe dashurinë që meritojnë. Githë jetën jemi në dorën e një gruaje që kujdeset për birin, bashkëshortin apo atin e saj. Përpara saj gjendet gjithmonë një mashkull, i bërë superior, por jo deri në diskriminim. Sa bukur e thote Hygoi i madh “Ju sodisni yjet për dy arsye: se shkëlqejnë dhe janë të paarritshem, por përbri jush është një shkëlqim edhe më i brishte, dhe me një të fshehtë edhe më të thellë, gruaja”. Por sa keq që fjalët e tij janë vetëm fjalë, që dëgjohen dhe kaq. Dëgjohen vetëm me veshë. Ne, njerëzit, jemi të çuditshëm, kemi kaq shumë mospëlqime edhe nën të njëjtën çati, kaq shumë hatërmbetje, diskriminime, racizëm, të cilat mund të përfundojnë dhe në tragjedira të mëdha. Femrat vetë nga brishtësia që i karakterizon, të cilën Zoti ua ka dhuruar jo për inferioritet, por për nevojë kujdesjeje, duhet të jenë pikërisht kështu, të kujdesura nga shoqëria mashkullore. “Uji më i shtrenjtë në botë janë lotët e grave” dhe si të tilla duhen ruajtur me fanatizëm e jo të shpenzohen pamëshirshëm dhe dhembshëm, aq më pak nën përdorimin e dhunës.

  Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike, sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Të nëpërmendim: gruaja kërcënohet me shkurorëzim, nëse nuk lindëte djalë, kjo është një injorancë, raste të tilla ka pasur dhe ka akoma edhe sot, kjo nuk mund të justifikohet assesi, duke menduar se kjo është rruga e zgjidhjeve të problemeve. Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoolit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tone.

  Vërtet thuhet që gruaja ka dalë nga brinja e mashkullit në librat e Zotit, por gjithashtu thuhet: “Trajtoni mirë gratë tuaja, jini të sjellshem me to, sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara”, dhe këtë e marrim si një prekje dhe këshillë hyjnish duke e ruajtur brishtesine e asaj, që quhet “Grua”.  

Tema: GUXIMI – FITORE APO HUMBJE

  “Arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të medha”. Këtë na këshillon Herakliu antik, që bashkë me këshillen e tij na jep forcë të guxojmë. Çdo qenieje në këtë planet i është dhënë guximi si dhuratë, që na shtyn të ecim përpara në rrugën e fitores tonë. Sepse për mua guximi është padyshim një fitore. Dhe nëse zhgënjehesh sërish, ke fituar shumë. 

  Të jesh guximtar, do të thotë absolutisht të jesh triumfues me pishtarin e flakës së fitores në duar. “Guxo të bësh atë çka i ka hije njeriut, kush guxon më tepër, nuk është njeri.” Kjo është përballja e parë me të mbinatyrshmen, me Zotin. Por mos të harrojmë, që guximi është instiktiv, ai rrjedh përbrenda duke mos treguar një arsye.

Përdorimi në mënyrë të mençur i guximit, në momentin e duhut dhe për gjera jo të dëmshme për veten dhe të tjerët, është tregues i një personi që do të ketë sukses dhe jo i një personi që do të humbë.

Mbi të gjitha guximi është nevojë instiktive e individëve për të ecur përpara në triumf. Këshilla e Morgan Freeman “Unë gjithmonë u them fëmijëve të mi që, nëse shtriheni, të tjerët do të shkelin mbi ju, por nëse vazhdoni të ecni, qoftë dhe zvarrë, të ecni, se dikush gjithmonë do t’ju zgjasë dorën. Gjithmonë. Por duhet të vazhdosh të vallëzosh, duhet t’i mbash këmbët në lëvizje.10, lëvizje që nënkupton moslejimin të jesh i nënshtruar, pavarësisht rrethanave, në fund të fundit ky është guxim.

Guximin nuk mund ta quajmë fryt të fitimtarëve. Ai që përdor guximin, është në të gjitha rastet fitimtar duke rritur besimin e tij për të vazhduar përpara.  

Por guximtarët i ndajmë në të mençur dhe jo të mençur, por jo në fitimtar dhe humbës. Ata janë fitues, pasi dhe nëse marrin pasoja të pakëndëshme nga guximi i tyre, ata sërish kanë fituar një përvojë të vlefshme për jetën e tyre.

“Fati ndihmon vetëm guximtarët” 11 . Dhe kjo është fitore.

KANË THËNË PËR ATJONIN

        Studenti ynë i çmuar e aq shumë i dëshiruar në Kursin e Laurimit në Filozofi… që është i nderuar duke patur Atjonin në gjirin e vet.

Rektori Franco Anelli

           UNIVERSITETI KATOLIK “SACRO CUORE” 

                                             MILANO, ITALI

Joshës dhe nxitës, gjithçkaje ishte i aftë t’i bashkonte një histori, një legjendë, një citim, për më tepër një përvojë të vetën. Ishte si të lexoje një libër të mirë, me shumë e shumë faqe.                                              

Olimpia Franchina

    Studente në “Sacro Cuore”. Milano, Itali

Atjoni, ky djalë i qeshur, plot shpresë, plot me të ardhmen e një filozofi të madh do të mbetet gjithmonë aq i bukur, aq i edukuar…                                                                                                                                                                                             

      Hadam Oudghiri                                                                                                  pedagoge universitare në Milano, Itali                                               

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

        Sebastiano Grasso

Poet, President i PEN Clubit, Itali

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…                         

                                                                              Robert Elsie 

                                                                       Albanalog kanadez, Gjermani. 

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues… dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme… për të komunikuar.

Gëzim Qendro

  Studiues, kritik arti, Tiranë.

Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi… 

                Luan Topçiu 

                                                                     Kritik arti, studiues, Bukuresht. 

Atjoni i vogël e ka kuptuar… (dhe dha) një “strategji politike” të madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

                                                                                     Gazetar Italian, Romë.

…libri i Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë… që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlumë. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…

            Eugjen Merlika

      Studiues, historian, Itali.

Kapja e universit në të gjitha dimensionet… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa 

  Kritik arti, botues, Tiranë

Në shkrimet e Atjonit ka filozofi,  jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura me aktualitetin…                                                                                  

       Mauro Geraci                   Antropolog, studiues i letrave shqipe, Itali.

Atjoni e thotë qartë se çfarë ne duam… Brenda syve të tij sikur shkëlqente një realitet tjetër… më i bukur, më rinor… që pasqyrohet në çfarë ai la të shkruar… prej të njëjtit material me atë të shpirtit. Atjoni nga njeri i përveçëm është kthyer në simbol të përgjithshëm…

      Andreas Dushi

          Shkrimtar

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

Helena dhe Ismail Kadare 

                                                                                   Shkrimtarë 

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

                  Kardinal Gianranco Ravasi

              Biblist, kritik arti.

                  Ministër i Kulturës, Vatikan. 

 …Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

Adonis                                                                          Poet, Paris, Francë

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.                                                       

                                            Padre Marko I. Rupnik

                                      Teolog, muzaiçist, Universiteti Gregorian. Romë.

Per ate qe dua(m) …
https://www.iwabogdani.org/wp-content/uploads/2020/05/FBB897BF-3EF8-4C64-9B26-806256B97A85-696x670.jpeg
TRINIA E ATJONIT – Dielli | The Sun

        Ballinat e botimeve të studentit Atjon Zhiti

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon Zhiti, Visar Zhiti

Sot shënohet 534 vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”

August 30, 2022 by s p

Bledar Kurti/

Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.

Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.

Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.

Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More

Si të le e më së të pë!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam edhe tim vëlla:

Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.

O dritë e syve të mi.

Ne jemi bijtë e Kastriotit.

Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një 🇦🇱

Filed Under: Histori Tagged With: bledar kurti

Nëna Tereze – jetë dhe porosi për Populllin tonë (25-vjetori i vdekjes) 

August 30, 2022 by s p

Don Lush Gjergji

Në jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut (1910-1928), të Motrës Tereze të Krishtit Fëmijë (1929-1950) dhe të Nënës Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997), rendësi të vaçantë kanë pasur së pari prindërit e saj, Kolë BOJAXHIU dhe Drane lind. BERNAJ – BOJAXHIU, pastaj “shtëpia e dytë” famullia e Zemrës së Krishtit në Shkup, dhe pa dyshim historia e përgjakshme dhe martire shqiptare, krishtërimi ynë dymijëvjeçar, tradita dhe kultura jonë që ka në zemër mikpritjen, bujarinë, solidaritetin, bamirësinë. 

Ja vetëm disa dëshmi për KOLË BOJAXHIUN: “Im atë ishte tregtar i njohur, bisnismen dhe kontraktues i mirë. Ai ishte pronar, së bashku me një mik të tij, i një firmë ndërtimi në Shkup. Pastaj u bë edhe pronar shtëpishë të ndryshme, madje edhe vilash, në njërën prej të cilave jetonim edhe ne…Ishte njeri shumë i shoqërueshëm, andaj dera e shtëpisë ishte gjithnjë e hapur për të gjithë… Babai ishte njeri i rreptë, priste shumë prej nesh… Gjithmonë ma përsëriste:”Mos harro kë e ke babë!”. 

E kujtoj me gëzim bujarinë e babait tim. Ai u jepte para’ dhe gjërta ushqimore të gjithëve, pa u lavdëruar ndonjëherë, apo pa e ditur gati askush këtë… Gjithnjë më thoshte :”Duhet të jesh dorëdhënës me të gjithë, sepse Zoti ka qenë edhe është zemërgjerë me ne, Ai na ka dhënë kaq shumë, çdo gjë; Prandaj, duhet t’u bëjmë mirë të gjithëve…”(Lazër BOJAXHIU). 

“Baba Kolë më thoshte :” Bija ime, mos ha as mos prano të hash asgjë pa e ndarë me të tjerët!”; apo :”Egoizmi është sëmundje shpirtërore, që të bën rob dhe nuk të lejon të jetosh apo t’u shërbesh të tjerëve…” (NËNA TEREZE). 

“Më 28 nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Babai im i ndihmonte 

patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave…” (Lazër BOJAXHIU). 

“Ishim familje aq e lumtur, përplot hare, dashuri e fëmijëri të qetë. Edhe pse e ndjekja një shkollë laike, para së gjithash familja ime, dhe më vonë famullia e “Zemrës së Krishtit”, më dhanë një edukim të mirë dhe të shëndoshë…” (NËNA TEREZE). 

Me pak fjalë: Kolë Bojaxhiu ishte kryefamiljar i mirë dhe shumë i kujdesshëm, tregtar, ndërtimtar, patriot, muzicist, polyglot,njeri politik, këshilltari i qytetit të Sdhkupit, por mbi të gjitha babai dhe edukatori i të madhes bijë Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. 

Ja disa dëshmi për DRANE lind. BERNAJ – BOJAXHIU: “Kurrë nuk i kam parë a dëgjuar prindërit e mi duke u grindur. Gjithmonë ishin të gatshëm të flisnin, të bisedonin, të na rrinë pranë. Nëna ime, Dranja, na përkushtonte tërë vëmendjen e saj neve fëmijëve. Ajo përkujdesej për familje, ndërsa baba Kolë kishte aq shumë për t’u përkujdesur jashtë familjes… (Lazër BOJAXHIU). 

“Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, para mbëmjes e kishte zakon t’i kryente të gjitha punët, që të mund ta priste sa më mirë babain tim…” (NËNA TEREZE). 

“Shumë varfënjakë të Shkupit dhe të rrethinës e njihnin derën tonë. Askush nuk u kthye ndonjëherë duarthatë. Për çdo ditë na vinte dikush për drekë a darkë. Herën e parë kur e pyeta nënën time se kush ishin këta, ajo na u përgjegj kështu: ”Disa i keni të afërm, të tjerët janë pjesëtarëp të familjes sonë të madhe Bojaxhiu, disa janë dajtë e juaj”… Kur u rrita e kisha të qartë se ata qenë njerëz të varfër që s’kishin gjë prej gjëje dhe të cilët nëna ime i mbante me bukë…” (NËNA TEREZE). 

Rreth thirrjes së pare misionare Nëna Tereze rrëfente kështu: “Ndonëse nëna ime ishte e shenjtë, në fillim ajo qe kundër dëshirës sime për t’u bërë misionare. Ajo nuk donte të më humbte. Ne të gjithë u lutëm së bashku. Një ditë më tha: “Do ta jape lejen që të vesh në kuvend; dh ç’bëri pastaj? Ajo mbylli veten në dhomë dhe gjithë ditën nuk deshi të shihte njeri. Kur dola nga shtëpia në të cilën kisha lindur, për ta marrë rrugën e misionit, ajo më tha: “VËRE DORËN TËNDE NË DORËN E JEZUSIT DHE SHKO PËRPARA. SHIKOJE MU NË SY. KURRË MOS SHKO PRAPA, GJITHMONË PËRPARA!”. (NËNA TEREZE). 

Dhe vazhdonte: ”Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’iu dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur. Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja jonë e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ka ndihmuar shumë për të arritur një vendim të tillë…” (Nëna Tereze). 

Lidhur me familje ajo me dorë të vet e shkrojti në Binçë në gjuhën shqipe këtë porosi: “DASHNIJA FILLON N’ FAMILJE. DHE FAMILJA QI LUTET BASHK MBETET BASHK. – NE KEMI SHUM ME U FAL NERES ZOTIT PER T’ MIRAT QI DASHNIJA E ZOTIT I KA DHAN PER FAMILJET TONA. LUTUNI SHUM PER MUA SI EDHE UNE PER JU. ZOTI KJOFT ME JU!” (Binçë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze thoshte shpeshherë kështu ”Sot bota jeton në një lloj tollovie dhe mendoj se kjo fillon në familje. Bota vuan shumë sepse s’ka paqe. S’ka paqe në botë, sepse ajo mungon së pari në familjet tona, me mijëra familje janë të ndara. Duhet t’i bëjmë familjet tona qendra të mirëkuptimit, të faljes së pakufi, sepse vetëm kështu do të jetojnë në paqe… 

A i njeh ti tëvarfërit e familjes sate? Ndoshta në familjen tënde dikush është shumë i vetmuar, i padëshiruar, shumë i anësuar. Ti a e di këtë? 

Dashuria është fryt i çdo stine dhe për çdo njeri… 

Unë i kam mësuar shumë njerëz që të duhen njëri me tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi…”. 

Dhe e përfundoi porosinë e saj me këtë sintezë vërtet të mrekullueshme: 

“FRYTI I HESHTJES ËSHTË URATA. 

FRYTI I URATËS ËSHTË FEJA. 

FRYTI I FESË ËSHTË DASHURIA. 

FRYTI I DASHURISË ËSHTË SHËRBIMI. 

FRYTI I SHËRBIMIT ËSHTË PAQJA”. 

Nga familja e madhe shqiptare, katolike, bujare dhe flijimtare lindi dhe qe rritur, edukuar Gonxhe Bojaxhiu, Bija jonë, Motra jonë, Nëna e botës, tani Shenjtëresha e Dashurisë. 

Me një pretk i ndjeri Imzot Nikë PRELA (1918 – 1996) ndër të tjera pati thenë kështu: “Ndoshta para se të shpallej shenjtëreshë Nëna Tereze, do të duhej të shpallej nëna e saj, Drane Bojaxhiu, e cila për së gjalli u nda prej saj duke u flijuar dhe dhuruar deri në vdekje për të mirën e Bijës, Kishës, botës, njerëzimit…”. 

Të tilla ishin nënat shqiptare, shpresojmë se janë dhe do të mbesin flijimtare, jetëdhuruese dhe edukatore shembullore. E tillë, e madhe, e mrekullueshme, e rallë, ndoshta edhe e papersëritshme ishte NËNA JONË TEREZE. Ajo dha një dëshmi të jashtëzakonshe feje dhe dashurie, flijimi dhe shërbimi në dobi të njerëzimit që lëngonte dhe pësonte. Tani me siguri lutet dhe ndëprmjetëson para Zotit për familjet tona, për paqe, pajtim, mirëkuptim, bujari, bamirësi dhe na fton dhe frymëzon me këto dy porosi përmbajtësore dhe jetësore: “PA DASHURI DHE FLIJIM JETA S’ KA KUPTIM”. “VETËM DASHURIA DO TA SHPËTOJË BOTËN!”.“VEPRAT E DASHURISË JANË VEPRA TË PAQES”.

Filed Under: Opinion

ITSHKSH bën bashkë në Letnicë poetët me krijimet e tyre kushtuar Nënës Tereze

August 29, 2022 by s p

Drejtori  ITHKH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo ratësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Letnicë, 28 gusht – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” sot vazhdoi marshutën në Letnicë të Vitisë, me organizimin e orës letrare, në të cilën u lexuan krijime letrare kushtuar Nën Terezës. Ora letrare u mbajt në Kishën e Letnicës, me ç’rast ITHKSH faleminderon famullitarin e kësaj kishe, Don Marjan Demën, i cili ofroi mikëpritje dhe kushte që kjo orë letrare të mbahet në një atmosferë sa më dinjitoze.

Drejtori  i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo rastësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Ora letrare u bë në bashkëpunim me Ars klubin letrar “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe Shoqata e shkrimtarëve “Ramadan Musliu” nga Vitia.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe Don Lush Gjergj, i cili tha se ideja për të organizuar këtë orë letrare pikërisht në Letnicë ndërlidhet me thirrjen që Nëna Tereze kishte marrë më 14 gusht 1928  për të qenë misionare e paqës dhe dashurisë.

Poetët që lexuan në këtë orë letrare erdhën nga disa rajone dhe përfaqësues të disa brezave, duke filluar nga Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala e deri te Sabit Rrustemi, Sadete Tërnava, Gani Bytyçi, Nexhat Rexha, Ahmet Selmani, Alisa Bekteshi, Sarë Gjergji dhe Marigona Muja.

Udhëheqësi i kësaj ore letrare, Emin Azemi, në cilësinë e kryeredaktorit të revitës “Drita e Gonxhës” , duke u ndërlidhur me misionin e shenjtë të Nënës Tereze tha se përderisa astronautët për të shkuar në hapësirë iu nevoitet një stacion astronomik, Nën Tereza Letnicën e pati stacion prej ku u nisë në misionin e saj të shenjtë.
“Itaka që u përdor si metaforë poetike, për të gjithë ata që duan të kthehen aty ku kanë lindur, që nga Homeri e deri në ditët e sotme, në mendësinë e Nënën Tereze, kishte pësuar një përmbysje, sepse ajo jetën e saj nuk e përfundoi në vendlindjen e saj por në Kalkutë, ku edhe u bë pjesë e dhembjes dhe vetmisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kënaqësitë që sjell jeta në këmbim të shërbimit ndaj të tjerëve, ndaj të sëmurve dhe  ndaj të vetmuarve”, tha Emin Azemi. 

Ai në fund elaboroi edhe kuptimin e një toposi poetik, siç është El Dorado.
“Të gjithë e synojnë El Doradon, vendin e premtuar, për të realizuar ëndrrat e jetës, por vetëm N.Tereza u bë vet El Dorado për të tjerët, sepse vetëm ashtu ajo do të përmbushte qëllimin dhe vendimin që kishte marrë në Letnicë në natën e 15 gushtit të vitit 1928, për të të shkuar në mision për t’i përkushtuar tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave”, nënizoi Azemi.
ITSHKSH faleminderon Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Vitisë, sidomos drejtorin Valmir Sahitin, për mbështetjen institucionale të kësaj ore letrare.  

Filed Under: Reportazh Tagged With: Emin Azemi

Nana Terezë / Poezi nga Alfons Grishaj

August 29, 2022 by s p

Nana Terezë

Nan e nanave midis dy shekujsh

Shpirt’ i shpirtnave të katakobëve

Dishepull besnike Apostujsh

Mburojë e varfnisë së kombeve.

Shejtnesh e gjallë në qiell

Shejtnesh e gjallë në tokë

Dashnin e Zotit zgjodhe vel

Kryqin e naltsum t’ Krishtit shok.

Dikur të shau tirania

Tash lëvdohen me emrin tand

Hijemadhe dhe e dritshme hyjnia

Mbulesë ozoni anë e kand.

Nan , lutu për tan hipokritët

Q’ emrin tand stampun n’ filxhana

Orendi, tue shkallmue ritet

Tregtaruc ,rrugaça e mjerana .

Buz tok’s ka me u shfaq Jupiter

Hana ka me vrapu larg…larg

Dheu i çam dhe uji shterr

Soji i njeriut lebetit zharg.

Në vaj ka me kenë alemi

Se kombet pa Babel vajmedet

Te fundmin fluturim Zgalemi

Ka me e ba mbi nji lug det !

Me Abrahamin e Krishtin

Ke me u ul mbi dheun tue u tret

E ke me ia pshtue shqipes fisin

Në tokën e re ma t’ fortin shtet !

Sirena e Grand Kanal (Venecia)

Gjarpërova në Grand Kanal

Me një “lundërtar” në sanall

Buzë molos rruzulluar

Dy sy qielli , flokë flauruar .

Trup skalitur si drenushë,

Plot jetë siç laureshë

Hedh vështrimin e adorë

Dhe valvit të bukrën dorë.

E pyes unë “lundërtarë”:

“A e sheh vashën rreze arë?”

Dhe tek e pyes për perrinë

Ajo kthehet në gjeraqinë!

Kthej kokën prapa në varkë

Asnjeri , por veç një arkë …

Fërkoj sytë si ëndërrimtar.

Si eter avulloi “lundërtar”!

Sërish arka dhe dy rrema ,

Mugëtirë …trokth rreh zemra :

“Ku shkoi nimfa e “lundërtari” ?”

Shurdhu vala, verbu fari!

Çapëloj t’ hap arkën e trishtë…

Prej nga del çupë e fildishtë

Si Houdini qesh Sirena

Lundërtarja tok me rrema…

Prag vjeshte

Janë larguar ca të mirë

N’ dimencionin e pavdirë

Dhe të tjerë që janë përreth

Ca në vreshtë dhe ca në gjeth.

Se të moçmit thon’, “Gusht e gunë”

Mund t’ ketë breshër , fortunë…

Vreshtari vjel të bekuarin rrush

Verë për dimër , dru për prush.

Si çdo vit kështu vjen √jeshtë

Puth det , livadh e kreshtë

Çdo barishte që çngjyros tokë

Fije argjendi mbi tonën kokë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2088
  • 2089
  • 2090
  • 2091
  • 2092
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT