• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Riedukimi mediatik” si formë staliniste e censurës, shantazhit e kontrollit mediatik

July 5, 2022 by s p

Sokol Paja/

Kryeministri i Shqipërisë Rama publikisht dënoi me “riedukim 3 mujor” gazetarin Klevin Muka, një linçim tipik komunist si armiqtë e popullit para Koperativave Bujqësore, Frontit Popullor, Organizatave të Masave apo Revolucionarëve të Partisë e Pushtetit Popullor. Partia-shtet e personifikuar me Kryeministrin Rama, njësoj si në diktaturën e proletariatit, e fton gazetarin në spektaklin e qeverisë dhe nëse nuk i pëlqejnë pyetjet, shpallet direkt armik i partisë, popullit dhe pushtetit popullor, dënohet me riedukim, kombinuar me internim në prodhim, në fshat, në kooperativë bujqësore, qarkullim kuadrosh siç bënte dikur nëna parti. Një sistemik i neveritshëm bolshevik në epokën digjitale. Njësoj si dikur, partia të fton, partia të vlerëson, partia të gjykon, partia të dënon, partia të riedukon.

Një praktikë kjo tipike staliniste e censurës, shantazhit e kontrollit mediatik mbi veprimtarinë mediatike të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligjet, Kodet Mediatike dhe Liritë e të Drejtat Themelore të Njeriut. Këto sulme e ndëshkime janë këmbanë alarmi jo vetëm për gazetarët por për të gjithë shtetasit e Republikës që i besojnë medias. Në të gjithë aktivitetin e tij politik, sjelljen publike, menaxhimin e pushtetit dhe raportin me median, Rama ka demonstruar të gjithë arsenalin e tij prej një stalinisti brutal.

Sharës, kërcënues, ofendues, shantazhues, denigrues dhe dënues në vazhdim si me gazetaren Ambrozia Meta apo shkartisjet ndaj gazetarëve në studio mediatike, dëshmojnë sikletin dhe fundin ku ka rënë Kryeministri. Rama pasi ka zaptuar të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura në Shqipëri, po tenton të gllabërojë dhe 5% të mediave që ende nuk janë në shërbimin e tij për ta kthyer në monizëm institucional dhe mediatik. Pasi qeverisja e Ramës ka shpartalluar konceptin e shtetit dhe funksionimit të institucioneve, sulmet mbi gazetarët janë një rrezik për shtetin demokratik, për shoqërinë, për lirinë e medias për imazhin e Shqipërisë në botë. Një shtet i rënë në prehrin e krimit, korrupsionit e shpërdorimit, një shtet i kapur që do të kapë dhe mediat.

Një qasje denigruese e Kryeministrit Rama tashmë të zhytur në korrupsionin e Inceneratorëve, që sillet si bandë grabitqare mbi paratë publike, duhet larguar një orë e parë nga drejtimi i shtetit. Rama paraqet rrezik të shtuar për mediat, për shtetin për kombin. Kush prek mediat, ka prekur vijën e kuqe. Të gjithë tiranët që janë përplasur me median, kanë pasur fund të dhimbshëm. I tillë duhet të jetë dhe fundi i Kryeministrit më të keq të tranzionit 30 vjeçar.

Sulmet e Ramës mbi mediat, masat ndëshkimore ndaj gazetarëve, presionet e shantazhet duhet të neveriten me përbuzje prej gazetarëve e mediave në Shqipëri. Gazetarët në Shqipëri përveç se duhet ta bojkotojnë Ramën, është detyrë patriotike ti ekspozojnë korrupsionin qeveritar, keqqeverisjen, shkatërrimin e shpopullimin e Shqipërisë, lidhjet me bandat dhe oligarkët që e mbajnë në pushtet.

Foto: Gazeta Panorama

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

4 Korriku

July 4, 2022 by s p

Albin Kurti/

Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”

Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Rawls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.

Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?

Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.

Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Filed Under: Mergata

Debati Bullgari – Maqedoni e Veriut nën lenten shqiptare

July 4, 2022 by s p

Nga Akri Çipa*/

Mbledhja e fundit e Këshillit Europian (KE) dështoi ta zhbllokojë rrugën integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se dy vjet, të dy vendet kanë ngelur peng e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, nisur nga konflikti për interpretimin e çështjeve historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.

Teksa ka një përpjekje të orëve të vona për ta hequr veton dhe zhbllokuar procesin, binjakëzimi absurd i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut në këtë stad të rrugëtimit drejt BE-së (binjakëzim i paargumentuar deri më sot nga Brukseli) ka shkaktuar një bllokim të pajustifikuar për Shqipërinë.

Shumë komente dhe analiza u shpenzuan në javët e fundit për procesin integrues të të dy vendeve. Pashmangshmërisht ishte kështu edhe për faktorin që përcaktoi zyrtarisht mungesën e progresit në këtë drejtim – mosmarrëveshjen e bartur ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, çuditërisht vazhdon mungojë një reflektim shqiptar në raport me substancën e debatit identitar ndërmjet dy vendeve, mbi të gjitha për impaktin që ka mbi interesat më të gjerë të shqiptarëve në Maqedoni dhe përtej.

Në gjithë këtë situatë, kryeministri Edi Rama mori kohët e fundit një pozicion përkrah Shkupit për tejkalimin e konfliktit me qëllim heqjen e vetos për rrugëtimin drejt BE-së. Megjithatë, nëse impakti më i drejtpërdrejtë aktualisht lidhet me ngërçin për fillimin e negociatave, nuk do të duhej të neglizhohej as thelbi dhe mbi të gjitha rezultati i mundshëm i një debati identitar në një shtet ku gati 30% e popullsisë (në mos më shumë) është shqiptare.

Debati ndërmjet Shkupit dhe Sofjes ka ardhur në një farë forme dhe më herët në Shqipëri, përpara se ta prekte drejtpërdrejt integrimin në Bashkimin Europian. Në vitin 2017, ligjvënësit në Shqipëri po punonin për një ligj mbi pakicat kombëtare dhe gjatë asaj kohe Bullgaria ushtroi trysni për njohjen e “minoritetit bullgar” në Shqipëri. Ky pretendim u kundërshtua nga minoriteti maqedonas në vend.

Kjo temë u përmend rishtazi edhe nga kryeministri Rama në kuadër të vetos bullgare, por duke ofruar një lavdërim të pakuptueshëm për zgjidhjen e atëhershme të “çështjes së minoritetit bullgar”. Kjo për faktin se një telefonatë ndërmjet tij dhe kryeministrit të atëhershëm bullgar Boyko Borisov, sikurse u pohua nga vetë kryeministri shqiptar, mjaftoi që të neglizhohej çdo lloj konsultimi faktologjik për ekzistencën ose jo të pakicës. Në mënyrë arbitrare u njoh një minoritet bullgar në Shqipëri, nën trysninë edhe të Komisionit Europian dhe madje edhe përkundër qëndrimit mospajtues të vetë kryediplomatit të atëhershëm të Shqipërisë.

Prandaj, pathosi i tanishëm i kryeministrit të Shqipërisë për të ndërhyrë në çështjen identitare ndërmjet dy vendeve të tjera të Ballkanit është më së paku i pavend. Mbi të gjitha, diçka e tillë nuk duhet të bëhet pa marrë parasysh implikimet e mëdha të debateve të tilla.

Rishtazi, profesori amerikan Edward Joseph nga Johns Hopkins University parashtroi në një shkrim në Foreign Policy idenë se për ta tejkaluar ngërçin ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, SHBA duhet të “afirmojë identitetin maqedonas”. Ai sugjeron që kjo të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje kulturore nën petkun e procesit të Dialogut Strategjik, të cilin SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut e njoftuan para pak javësh. Si shembull për referencë, Joseph merr Marrëveshjen e Prespës, në të cilën bëhet një diferencim i popullsisë për t’i ndarë banorët e shtetit, që u pagëzua me emrin Maqedoni e Veriut me banorët e rajonit të Maqedonisë antike.

Problemi është se — megjithëse profesori Joseph nuk e artikulon këtë në mënyrë eksplicite — një gjë e tillë do t’i vishte një identitet “maqedonas” vetë Republikës së Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare. Nëse në vetvete çështja identitare ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve i takon tjetërkujt për ta debatuar dhe zgjidhur, sugjerimi për ta imponuar këtë identitet “maqedonas” nga jashtë ndaj vetë shtetit nuk mund t’i anashkalojë shqiptarët. Këtu jo vetëm për shkak të natyrës thelbësore shtetformuese të faktorit shqiptar në Maqedoni, por edhe për hir të trendeve demografike.

Nisur nga shifrat, nuk është i paimagjinueshëm një realitet në të cilin, në censusin e radhës, maqedonasit e vetëdeklaruar të jenë ende komuniteti më i madh në Maqedoninë e Veriut, por jo komunitet shumicë. Largpamësia është në paraprirjen e një fakti të tillë dhe të pasojave që mund të ravijëzohen për shtetin, për komunitetin shqiptar, por edhe për gjithë rajonin.

Debatet dhe kundërshtitë e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, sikurse dhe ato mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut më herët, ndikojnë jo vetëm në formësimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe në ndërtimin e realiteteve ballkanike. Për këtë arsye është pak shqetësuese mungesa e artikulimit të një pikëpamjeje shqiptare në raport me këtë debat. Mbi të gjitha kur marrim parasysh se, sikurse në rastin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarëve në Maqedoni u kërkohet përgjithësisht të luajnë një rol të dorës së parë në finalizimin e proceseve të ndërlidhura me zgjidhjet e konflikteve.

Largimi nga pushteti i ish-kryeministrit Gruevski dhe zhvillimet politike të viteve të fundit kanë parë krijimin e një realiteti politik të ri për shqiptarët e Maqedonisë. Në qasjen ndaj atij momenti, që ishte tepër delikat për vetë stabilitetin e Maqedonisë dhe të të gjithë rajonit, Tirana zyrtare tregoi një maturi për t’u admiruar dhe një aftësi brilante për të parë drejt së ardhmes.

Qëndrimi i Tiranës është zbehur disi kohët e fundit, ndoshta për hir të të ashtuquajturave nisma të bashkëpunimit rajonal, që po tërheqin më shumë vëmendje dhe energji sesa duhet. Në këtë moment kyç për Maqedoninë e Veriut, por dhe për të gjithë rajonin, duhet ripërtërirë ajo aftësi.

*Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa

Gëzuar Pavarësinë SH.B.A

July 4, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë.

Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike dhe stabilitetin e saj.

Madje, edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste, ku vendet kishin qenë në dy kampe të kundërta politike, sa herë që ishte diskutuar tërësia territoriale e Shqipërisë nga fqinjët e vet problematikë dhe të mbushur gjithë pasione shoviniste, SHBA-ja qoftë në Konferencën e Paqes, më 1946 apo dhe më vonë në kuadrin e doktrinave të NATO-s, kishin vënë veton për të përmbysur këto plane të mbrapshta, pasi për to si në fillim të viteve 20’ apo dhe në vitet 60’ e deri tani stabiliteti i Shqipërisë ishte dhe mbetet një paritet kryesor i politikës së jashtme të tyre.

Ky fakt është dëshmuar jo vetëm që gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar, por dhe në aksionin e madh që ndërmori NATO në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb ndaj Kosovës, aksion që solli lirinë për shqiptarët dhe riformatoi sërish ekuilibrin e forcave në Ballkan në formimin e shtetit më të ri të Europës – Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: Dorian Koci

DRITA E AGIMEVE TË RILINDJES QË RREZATOI VATRA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

July 4, 2022 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit)

Harku i triumfit të lirisë dhe pavarësisë së një kombi mbahet nga shtyllat e forta të të gjithë atyre njerëzve dhe shoqatave që e “mbartën në shpirt” në ditët më të vështira dhe u sakrifikuan për të në mënyrën më të zjarrtë.  E në historinë e saj , “VATRA” e shqiptarëve të Amerikës, e mbledhur rreth emrave ndër më të mëdhenjtë e kohës kur u formua (Noli, Konica, Kristo Floqi e Paskal Aleksi përbënë komisionin e bashkimit dhe themelimit të saj më 28 prill 1912), do të mbahet mend e duhet të kremtohet si një nga shtyllat mbrujtëse dhe mbajtëse të pavarësisë sonë.
“Flamur’ i Krujës” i New England-it, “Mirëbërësja” e Sirakuzës, “Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besë” e “Diellit” e shumë emërtime të tilla prekëse migrimi e dashurie për atdheun, formonin panoramën e shoqatave të diasporës sonë amerikane në vitet e mëdha të para-pavarësisë, por veçanërisht në vitet 1910-1912, ideja e bashkimit u parashtrua në mënyrë urgjente, edhe pse Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Sipas ish-botuesit të gazetës “Dielli”, Refat Xh. Gurazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e shumë atdhetarëve, por u deshën plot dy vjet që ai të realizohej. Në mbledhjen themeltare, Faik Konica shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shoqërinë: “Parmenda” dhe “Vatra”; e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të gjithë shqiptarët të mblidheshin rreth saj si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare, ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën”, për t‘i dhënë kështu udhë njërit prej rrugëtimeve më të shquar kulturoro-politike të historisë sonë.
I jashtëzakonshëm, deri në sublim është kontributi që ajo dha, sidomos në vitet kur në skenën botërore po niste të konturohej e të vendosej fati i Shqipërisë. Me t’u shpallur pavarësia, “Vatra” dërgoi Faik Konicën nëpër Europë, për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë. Në fund të Luftës së Parë Botërore, në qershor të vitit 1917, VATRA
hap fushatën e saj të njohur historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë Tij Peshkop Nolit: “Mbahu nëno, mos kij frike/Se ke djemtë në Amerikë”. Kur hyri Amerika në luftë, në prill të 1917-s, At Fan Noli takoi personalisht edhe Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë. E Wilson-i e mbajti fjalën gjer në fund. Pa përkrahjen e Wilson-it sot ndoshta nuk do të kishim këtë Shqipëri.
Por akoma dhe më mbresëlënës është kontributi i saj në fillimet e vështira të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Ja se si e kujton këtë kohë vetë Konica: “Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e shkelur nga ushtri të huaja, kur shteti ishte përmbysur dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit, VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit shqiptar, mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoi nderet, as të drejtat e shtetit, por mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subvecionuan agjencira, u kablluan mijëra protestime dhe u organizua aq mirë mbrojtja e Shqipërisë sa Kryeministri i Greqisë Venizellos, tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga VATRA e Amerikës. Shuma e tërë harxheve të vënë nga Vatra në vend të shtetit që mungonte ishte 197.072.89 $”, që po të kemi parasysh kohën për të cilën bëhet fjalë, shuma merr vlera të konsiderueshme. Përveç kësaj shume, Vatra zëvendësoi arkën bosh të qeverisë më 1921-1922, kur organizoi Huan Kombëtare, ku sërish mblodhi mijëra dollarë dhe nxori shtetin nga falimentimi.
Një tjetër bir i saj i madh, Noli, do të vendoste një gur të rëndësishëm themeli në historinë e pavarësisë fetare të shqiptarëve, me “luftën” e meshës së parë të shuguruar prej tij, e të kurorëzuar me aktin e madh të “Tomusit” të Kishës Autoqefale Shqiptare më 1937-n. Sot mbas kaq dekadash doshta do të qe mirë të përkujtohej edhe kjo ngjarje e madhe e të shikohej nëse është apo jo, ashtu e lirë dhe pakushtëzuar, udhëheqja e Kishës së sotme Autoqefale, në ato parime dhe themele që i hodhën Noli, Visarion Xhuvani e shumë të
tjerë më pas. Edhe historia jonë e shkruar, sidomos gjatë kohës së regjimit komunist, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për qëndrimin e mbajtur ndaj këtyre atdhetarëve të mëdhenj. Ndaj,  ne të gjithë sot   duhet të përkulemi e të nderojmë në cdo kremtim themeltarët dhe vatranët martirë që u persekutuan nga diktatura komuniste. Delegatët që themeluan Vatrën, Kolë Rodhja, Kristo Kirka, Koço Kosta përfunduan burgjeve; Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti u pushkatuan; në burg përfunduan edhe Aqile Tasi, Andon Frashëri e vatranë të tjerë… Rrëqethës është p.sh. rasti i Kristo Kirkës, një prej themeltarëve të “Vatrës”. Zemra e atdhetarit të orëve të para, një ndër themeltarëve të “Vatrës” dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka pushoi së rrahuri në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste shqiptare. Atdhetarit të orëve të para edhe sot e kësaj dite nuk i janë gjetur eshtrat. Por, ia vlen të përmendet nderimi që poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do ta përjetësonte në vargjet e elegjisë kushtuar për të: Nuk foli, nuk mallkoi/ Por kur fjala ju-pre/ Ndigjuem qysh thellë ankoi:/ “Për Flamur!…për Atdhe…! Megjithatë, do të qe vërtet reduktuktuese historia e kësaj organizate, pa përmendur dy gur të tjerë themeli në rrugëtim kulturor dhe shkencor të shqiptarëve për vlerësimin dhe kujtimin e historisë së vet. Ndaj  edhe ky 100-vjetori i mardhënieve shqiptaro –a merikane duhet të na sjellë në kujtesë edhe kohra  si ajo kur “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me arbëreshët e Italisë festuan dhe subvecionuan  500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Itali më 1968-n dhe 60-vjetorin e gazetës “Dielli” më 1969-n në Amerikë. Siç duket i emocionuar nga pjesëmarrja e vatranëve në festimet kastriotjane në Romë, Koliqi iu referua atyre si “një tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhur”, duke shtuar se “hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve tue vrejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, që në këto kohna të turbullta të sotme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen”, vazhdon Ernest Koliqi, “se drita e agimeve të Rilindjes ato ditë do reshte mbi bashkimin e arbëreshëve me shqiptarë, e bashkë me atë dritë edhe rrezja e bekimit të
Perendisë”. Një vit më vonë, më 1969-n, do të qe vetë albanologu i shquar i asaj kohe, miku i madh i shqiptarëve dhe arbëreshëve, At Zef Valentini, që do ta përshëndeste me një titull të bujshëm përvjetorin e 60-të të “Diellit: “Të bashkuem dikur me Skënderbeun, sot me ‘Vatrën’” (Shejzat, 1969), duke theksuar mbi të gjitha unitetin e mendimit midis shqiptarëve të Amerikës dhe arbëreshëve të Italisë. Madje, përsëri Valentini, do të shkruante një vit më vonë në këtë revistë, një shkrim me rastin e vdekjes së parakohshme të kryetarit të atëhershëm të “Vatrës”, zotit Peter Chicos. Ja si shprehet autori: Me tê, do të fillote flakadani i entusjazmes m’u bâ nxehtësi e ndrydhun në motor, e padukshme në vetvehte, por vetem nder efekte të prekshme… S’po e kjajmë vdekjen e ti vetem pse vdiq në lule të moshës së vet; por pse, nieri ideali tue qênë, punën per Shqiptarizmen e kishte çue deri në prak të njaj ringjallieje, në të cilën ai mâ mirë se kurrkush, mund t’a udhëzote me dorë të sigurtë e të patrembun”. Para disa vitesh, një diskutim në Bibliotekën e Kongresit Amerikan shënoi hapjen e një serie festimesh e aktivitetesh që do të kryheshin në përmbushjen e shekullit të parë të jetës së “Vatrës”. Por ajo që duhet t’i japë asaj vërtet kremtimin më të shenjtë, më shugurues, duhet të jetë mirënjohja dhe vlerësimi i shqiptarëve kudo që janë dhe përshkrimi prej tyre në mënyrën më të drejtë e shkencore, i veprës, luftës, kontributit e sakrificave që ata derdhën në rrjedhën e ecjes përpara të kombit dhe shtetit shqiptar dhe paralelisht kontributin që dhanë në mardhëniet e mira  shqiptaro -amerikane.

Filed Under: Vatra Tagged With: Ndricim Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2182
  • 2183
  • 2184
  • 2185
  • 2186
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT