• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

March 12, 2026 by s p

Besnik Fishta

Filatelia nuk është vetëm një hobi koleksionistësh, por edhe një formë komunikimi kulturor dhe historik. Përmes pullave postare, shtetet shpesh përcjellin mesazhe identitare, historike dhe sociale që lidhen me vlerat e tyre më përfaqësuese. Një shembull domethënës i këtij komunikimi simbolik është emisioni postar i Postës Shqiptare i datës 25 prill 2022, kushtuar bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Në këtë emision, i cili shoqërohet me zarfin e ditës së parë (First Day Cover – FDC), me pullën postare dhe vulën përkatëse, përmes gjuhës vizuale të filatelisë paraqitet një nga tiparet më të rëndësishme të identitetit shqiptar, harmonia ndërfetare.

Ky material filatelik përbën një objekt me kuptim të fortë simbolik dhe kulturor. Ai mund të interpretohet në disa plane: vizual, historik, kulturor, fetar dhe politik. Në të gjitha këto dimensione, mesazhi kryesor mbetet i njëjtë, qe bashkëjetesa paqësore e komuniteteve fetare është një vlerë e rrënjosur në historinë dhe kulturën shqiptare.

Në planin vizual, zarfi FDC paraqet një peizazh urban të stilizuar, ku dallohen qartë simbolet kryesore të besimeve fetare në Shqipëri. Në kompozim shfaqen katër ndërtesa kulti: kishat katolike dhe ajo ortodokse, si edhe një xhami dhe një teqe bektashiane, të vendosura në të njëjtën panoramë qyteti. Kjo vendosje në të njëjtin horizont urban nuk është rastësore. Ajo përbën një metaforë të qartë vizuale për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në shoqërinë shqiptare. Në vend që të paraqiten të ndara apo në kontrast me njëra-tjetrën, këto objekte arkitekturore shfaqen si pjesë e një hapësire të përbashkët urbane, duke krijuar një imazh simbolik të një qyteti ku komunitetet fetare jetojnë në paqe dhe respekt të ndërsjellë.

Edhe përdorimi i ngjyrave në kompozim ka rëndësi simbolike. Sfondi kalon gradualisht nga vjollca në rozë, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe harmonike. Kjo paletë ngjyrash përcjell një ndjenjë paqeje dhe stabiliteti, ndërsa yjet e vegjël në qiell i japin imazhit një dimension më hyjnor, duke sugjeruar se bashkëjetesa fetare është një vlerë që i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit.

Një rol të rëndësishëm në realizimin artistik të këtij emisioni postar ka edhe autori i tij. Krijues i këtij dizajni është artisti shqiptar Xhoan Guga, i cili në vitet e fundit është dalluar për kontributin e tij në projektimin e disa emisioneve postare të Postës Shqiptare me nivel të lartë artistik dhe konceptual. Punimet e tij karakterizohen nga një gjuhë grafike e pastër, simbolikë e qartë dhe aftësi për të përcjellë mesazhe kulturore që vërehen qartë edhe në këtë emision kushtuar harmonisë fetare.

Për të kuptuar plotësisht domethënien e këtij emisioni postar, është e rëndësishme të merret parasysh edhe konteksti historik dhe kulturor i Shqipërisë. Shoqëria shqiptare është karakterizuar për shekuj nga pluralizmi fetar. Në territorin shqiptar kanë bashkëjetuar komunitete të ndryshme fetare, si myslimanët (sunitë dhe bektashinj), katolikët dhe ortodoksët. Ky pluralizëm është formuar gjatë periudhave të ndryshme historike, duke përfshirë periudhën bizantine, sundimin osman dhe periudhën e shtetit shqiptar modern.

                                    Ndertesat e kultit ne qytetin Shkoder

Në shumë qytete shqiptare, si Shkodra, Tirana, Berati apo Elbasani, është e zakonshme që kisha dhe xhamia të ndodhen pranë njëra-tjetrës. Këto elemente arkitekturore janë bërë pjesë e identitetit urban dhe kulturor të vendit. Për këtë arsye, peizazhi i paraqitur në zarfin FDC nuk i referohet një qyteti të vetëm konkret, por përfaqëson një sintezë të hapësirës urbane shqiptare. Ai përmbledh në mënyrë simbolike realitetin e shumë qyteteve të vendit ku komunitetet fetare jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe respekt reciprok.

Dimensioni politik dhe identitar i këtij emisioni postar është gjithashtu i rëndësishëm. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria përjetoi një proces të thellë transformimi shoqëror dhe kulturor. Gjatë periudhës komuniste, feja ishte ndaluar dhe institucionet fetare ishin mbyllur. Pas rikthimit të lirisë fetare, shoqëria shqiptare u përpoq të rindërtonte traditën e saj pluraliste dhe tolerante. Në këtë kontekst, promovimi i harmonisë ndërfetare u bë një element i rëndësishëm i identitetit kombëtar dhe i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Emisione postare si ky shërbejnë jo vetëm si objekte filatelike, por edhe si mjete komunikimi diplomatik dhe kulturor. Përmes tyre, shteti shqiptar përcjell një mesazh pozitiv për vlerat e tolerancës dhe dialogut ndërfetar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një botë ku konfliktet me bazë fetare kanë qenë shpesh burim tensioni dhe përçarjeje.

Edhe në planin fetar, kompozimi i pullës dhe zarfit paraqet një ekuilibër simbolesh. Kryqi përfaqëson traditën e krishterimit në Shqipëri, si në variantin katolik ashtu edhe në atë ortodoks. Gjysmëhëna, nga ana tjetër, simbolizon traditën islame. Vendosja e këtyre simboleve në të njëjtën hapësirë grafike përcjell një mesazh të qartë, fe të ndryshme mund të bashkëjetojnë në të njëjtën shoqëri pa konflikt dhe në respekt të ndërsjellë.

Pulla postare e këtij emisioni paraqet të njëjtin motiv grafik si zarfi. Në të shfaqet emërtimi i shtetit emetues, Shqipëria, si dhe ilustrimi i bashkëjetesës fetare. Në filateli, pulla të tilla konsiderohen tematike universale, sepse lidhen me koncepte si paqja, toleranca dhe dialogu ndërkulturor. Për këtë arsye, ato tërheqin interes jo vetëm të koleksionistëve shqiptarë, por edhe të filatelistëve ndërkombëtarë që koleksionojnë tema si religjioni, paqja apo kultura e bashkëjetesës.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij emisioni është vula e ditës së parë të qarkullimit. Vula përmban tekstin “Posta Shqiptare – 25.04.2022 – Bashkëjetesa Fetare në Shqipëri”. Në qendër të saj paraqiten sërish elementet arkitekturore nepermjet ndertesave te kulteve. Kjo vulë ka një funksion të dyfishtë. Së pari, ajo konfirmon datën zyrtare të hyrjes në qarkullim të pullës. Së dyti, përforcon simbolikisht temën e harmonisë ndërfetare që përshkon gjithë emisionin postar.

Nga këndvështrimi filatelik, ky zarf FDC ka një vlerë të veçantë. Ai përfaqëson një emision tematik modern të Postës Shqiptare dhe trajton një nga temat më karakteristike të identitetit shqiptar. Përtej dimensionit filatelik, ky emision postar mbart edhe një mesazh të rëndësishëm etik dhe shoqëror. Ai thekson rëndësinë e respektit për tjetrin dhe të bashkëjetesës paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare. Në një kohë kur shumë shoqëri përballen me tensione dhe konflikte identitare, shembulli shqiptar i tolerancës ndërfetare paraqitet si një model pozitiv.

Përfundimisht, ky emision filatelik nuk është vetëm një produkt i koleksionueshëm, por një dokument kulturor që dëshmon për traditën shqiptare të respektit dhe bashkëjetesës. Ai e ngre pullën postare nga një objekt i vogël praktik në një simbol të madh akademikisht të vlefshëm për studimin e tolerancës, identitetit dhe kohezionit shoqëror. Duke e parë në këtë dritë, pulla postare bëhet një mjet i vogël, por me ndikim të madh, për të kuptuar dhe promovuar vlerat universale të paqes dhe harmonisë.

Filed Under: Kronike

Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953

March 12, 2026 by s p

Veprimtar, drejtues dhe organizator reformator i arsimit kombëtar. Lindi në fshatin Bekaj në Triesh të Malësisë së Madhe. Kreu gjimnazin e Pozharevacit (Serbi) dhe vazhdoi studimet për dhjetë vjet për letërsi-filozofi e për drejtësi në Universitetin Mbretëror të Romës. Fillimisht punoi në Shkodër si publicist e avokat, më pas si mësues e drejtor i Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës, mësues në Gjimnazin e Tiranës dhe ministër i Arsimit (1933-1935). Në krye të Ministrisë së Arsimit inicio dhe drejtoi reformën arsimore të vitit 1933, me anën e të cilës i shtetëzoi, kombëtarizoi dhe laicizmi shkollat shqiptare; i plotësoi tekstet e përmirësoi programet mësimore; i riparoi lokalet shkollore e forcoi disiplinën në shkollë etj. Ishte anëtar i këshillit të Shtetit (1936-1939), por pas pushtimit fashist të Shqipërisë emigroi në Turqi. Pas çlirimit u kthye në atdhe, ku regjimi komunist e dënoi me 7 vjet burg. Vdiq pas gjashtë vjetësh në burg. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” në vitin 2003.

Instituti “Lumo Skëndo”

Filed Under: Kulture

Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare

March 12, 2026 by s p

Endrit Himaj/

Muaji i Ramazanit është muaj i mëshirës, i afrimit me Zotin dhe i afrimit mes njerëzve. Një nga momentet më të bukura të këtij muaji është iftari, momenti kur familjet dhe komunitetet mblidhen së bashku për të ndarë ushqimin, mirënjohjen dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Iftaret ndërfetare (Interfaith Iftar) kanë një vlerë të veçantë sepse bashkojnë njerëz nga fe dhe kultura të ndryshme në një tryezë të përbashkët. Ato krijojnë mundësi për dialog, mirëkuptim dhe respekt reciprok, duke treguar se vlerat e besimit si paqja, mëshira dhe drejtësia janë të përbashkëta për të gjithë.

Allahu thotë në Kuran:

“O njerëz! Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin.” (49:13)

Për ne shqiptarët, kjo frymë ka edhe një domethënie të veçantë. Tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare janë vlera që i kemi trashëguar brez pas brezi. Në historinë tonë, myslimanë, të krishterë dhe besimtarë të tjerë kanë jetuar gjithmonë pranë njëri-tjetrit me respekt dhe dashuri. Tryeza shqiptare ka qenë gjithmonë e hapur për mikun, pa pyetur për përkatësinë fetare.

Prandaj, iftaret e komunitetit tonë nuk janë vetëm një vakt i përbashkët, por edhe një pasqyrim i kësaj tradite të bukur shqiptare: mikpritje, respekt dhe bashkim. Kur ndajmë iftarin me të tjerët, ne ndajmë jo vetëm ushqimin, por edhe vlerat tona – besimin, bujarinë dhe dëshirën për të jetuar në paqe me të gjithë.

Kështu, tryeza e iftarit bëhet një urë që lidh zemrat dhe një dëshmi se feja dhe tradita jonë na mësojnë të jemi më pranë njëri-tjetrit dhe të punojmë së bashku për të mirën e komunitetit dhe shoqërisë.

Filed Under: Emigracion

“Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!

March 12, 2026 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht, po e ndjek me vëmendje të shtuar dinamikën e luftës në Iran, ngjarje që vijon të mbetet në “top lajmet” të Kancelarive dhe Institucioneve të Sigurisë. Në pamundësi për përgjigje të dedikuar ndaj mediave të interesuara, në vijim gjeni përmbledhje rreth peshës gjeopolitike që mbart ndëshkimi shembullor i regjimit të Iranit jo vetëm për paqen në Lindjen e Mesme dhe interesat e ShBA-së por edhe për besimin në Rendin e Ri/Trump të Sigurisë Globale.

Pikësëpari, përkundër terrorit në studiot-TV nga analistë të gjithëditur, konspiracionistë të marrosur dhe strategjistë mëndjendryshkur, fatkeqësisht edhe gjeneralë të vetë(de)graduar, përfshi në Tiranë dhe Prishtinë, që bëjnë komente delinkuente dhe qesharake njëherësh: “për të pastruar bunkerët e Enverit, apo mbushur gavetat me rezerva ushqimore për ditën e kiametit”, çmoj se ka zero arsye për tu panikosur, pasi Irani ka zero motiv, shanse dhe kapacitete që të sulmojë me raketa territorin e Republikën e Shqipërisë !

Ndërsa edhe si kontributor teknik i negociatave për marrëveshjen e Policimit Ajror, konfirmoj se në mungesë të kapaciteteve për të ushtruar “më vehte”, Italia dhe Greqia (në emër të NATO-s, pra jo si marrëdhënie bilaterale) ushtrojnë 24/7 përgjegjësinë e mbrojtjes ajrore të RSh. E thënë më qartë, ose me termat e Nenit-5 (themeli i ngritjes dhe ekzistencës së Aleancës), nëse sulmohet me raketa Manza, Tirana, Konispoli, Vermoshi, jo vetëm do asgjësohen që në Ajër, por pasuesit e Ajatollahut, ose “djatë e rinj të Iranit”, do të marrin përgjigje vdekjeprurëse nga fuqia ajrore e USA/NATO. Asgjësimi nga NATO i 2 raketave drejtuar Turqisë [edhe pse frikacakët Teherani nuk i morën përsipër], e konfirmojnë këtë.

Së dyti, sulmin vdekjeprurës të ushtrisë amerikane ndaj sundimtarit gjakatar (37 vjet), si dhe gardës revolucionare (në fakt terroriste) të Ajatollah-ut: “e gjej si sprovë të suksesshme të Rendit të Ri Global të Sigurisë, si dhe të fuqisë shkatërrimtare të Ushtrisë Amerikane”. Për më tepër, këtë demonstrim të forcës e gjej edhe si ndëshkim shëmbullor ndaj diktatorëve të ngjashëm, pra të dalldisur nga fuqia e mbi-pushtetit (Putinit, Kim Jong-ut), që ashtu si bandat terroriste kërcënojnë se, duke përdorur armët bërthamore: “do i bëjnë gjëmën jo vetëm Izraelit dhe ShBA-së, por njerëzimit, rendit global dhe vlerave të qytetërimit!”

Për të argumentuar “fuqinë e pakonkurrueshme dhe shkatërrimtare të SHBA-ve”, mjafton të përmendim dy nga sulmet më të suksesshme në historinë moderne të njerëzimit: (a) ndaj bazave bërthamore të Iranit në Qershor 2025, me: “6 avionë B-2 me kosto 2 bilion $ secili, 37 orë fluturim; 12 bomba me 14 tonë eksploziv secila dhe 60 m thellësi depërtuese, dhjetëra raketa dhe 125 avionë F-35”, si dhe (b) arrestimin spektakolar të Maduros, kur “mbi 150 avionë dhe dronë sulmuan njëherësh 20 baza ushtarake, zgjati më pak se 4.45’ dhe me zero humbje, duke nxjerrë jashtë luftimi sistemin e mbrojtjes Ajrore të Venezuelës”.

Asnjë shtet tjetër në botë (përfshi Kinën dhe Rusinë) nuk zotëron dhe nuk ka për të pasur në 100 vitet që vijnë, fuqi ushtarake për të realizuar operacione të përafërta me këto 2 shëmbuj! Prandaj këto sulme, si dhe asgjësimi i raketave që shkelën hapësirën ajrore të Turqisë, shërbejnë edhe si mesazh i forcës ndaj djajve të rinj të Iranit, etj, që: “nëse do të guxojnë të sulmojne integritetin e cilindo nga 32 vendet e NATO-s, do të ndëshkoheshin në mënyrë shëmbullore nga fuqia vdekjeprurëse e SHBA-ve, si dhe e Aleancës!”

Thënë sa më sipër, Izraeli, vendet e NATO/BE, por edhe iranianët dhe mbarë njerëzimi do duhet t’i jenë mirënjohëse fuqisë ushtarake të SHBA-ve dhe leadership-it të fortë të Presidentit Donald Trump!

Së treti, kuja turpëruese e medias zyrtare, si dhe militantëve të regjimit të Iranit pas vrasjes së Liderit Suprem, na kujton skenat me ulërima dhe përbetime mjerane (fatkeqësisht edhe me armë dhe uniformë ushtarake) të shoqatave të Enverit pas 20 Shkurtit 1991, për të rivendosur bustin e diktatorit, si dhe shpërfytyrimin e ngjashëm të koreanëve të Veriut për vdekjen e babait të Kim Jong-ut, në dhjetor 2011?!

Për më keq, reagimin e mbetjeve të regjimit, pra trashëgimtarët e Ajatollahut; anëtarët e këshillit të përkohshëm (presidenti kukull, kreu i gjyqësorit vrasës dhe një Jurist i oborrit), si dhe gjeneralët dhe garda e kamikazëve të regjimit, duke sulmuar: “ambasadat dhe bazat USA në Bahrejn, Egjipt, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Jordani, Kuvajt, Liban, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemen; bazën e UK në Qipro, Azerbajxhanin, etj”, i gjej si qasje të dëshpëruara të një bande terroriste, ose të një gjarpri që i kanë prerë kokën. Dhe meqë jemi te pa-fuqia e Iranit për t’u përballur jo vetëm me USA/NATO, por edhe me vendet e rajonit, mjafton të përmendim reagimin e Emirateve të Bashkuara, ku: “nga 1,305 dronë, 1,229 u rrëzuan, ndërsa nga 221 raketa, 205 u shkatërruan në ajër dhe 14 përfunduan në det”.

Gjithësesi, përtej Sindromës së Stokholmit, shpresoj që vrasja e sundimtarit gjakatar (37-vjet), do të shërbejë [jo për t’u dhuruar në tavolinë pushtetin opozitës të Shah-ut në azil], por për të ndezur shpresën e lirisë së popullit, për të zgjuar përgjegjësitë e elitës fisnike të Teheranit si dhe misionin e gjeneratës së re të Iranit: “për ta çliruar dhe transformuar vendin në një shtet modern, që jo vetëm tejkalon krizën aktuale, dhe garanton sigurinë dhe bashkëjetesën paqësore mes mbi 90 milion bashkëatdhetarëve/iranianëve, por edhe që kontribuon si aktor me peshë për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe jo vetëm”!

Së katërti, për sa u përket pretendimeve cinike të Moskës, Pekinit, por “nën zë” edhe ndonjë udhëheqës perëndimor, për t’i marrë leje KS/OKB-së, kujtojmë përgjigjen denigruese që Trump i dha pinjollit të KGB/Putinit në rastin e Iranit dhe Venezuelës: “të ndalë sa më herët gjakderdhjen në Ukrainë”, ndërsa rikonfirmoi se: nuk do t’i marrin askujt leje (aq më pak KS/në agoni) për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj çdo vendi që ekspozon kërcënim për jetesën e popullit amerikan, integritetin dhe interesat e SHBA-ve”.

Për më tepër, vrasja e Ajatollahut: “nuk është pushtim, thyerje e ligjit ndërkombëtar dhe as precedent i rrezikshëm, pasi SHBA-të kurrë nuk kanë synuar pushtimin e Iranit”. Në të vërtet: “SHBA janë në luftë vetëm me regjimin e Ajatollahut, për të mos e lejuar prodhimin e armëve shkatërrimtare që kërcënojnë me shfarosje Izraelin dhe prezencën dhe interesat e SHBA-ve, por edhe paqen jo vetëm në rajon”! Kështu, nuk gjej asnjë krahasim me agresionin neo-nazist të Rusisë, +4 vjet më parë, për pushtimin e Ukrainës, interesave dhe fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantik.

Nga ana tjetër, siç edhe u gjithëpranua edhe në Konferencën e Mynihut: “ndërsa rendi global i ndërtuar pas Luftës së 2-Botërrore nuk ekziston më, mbetet domosdoshmëri kritike për të tejkaluar fundin pa lavdi të OKB-1945, agoninë burokratike të BE-së, demokracitë fasadë dhe shtetet e gjunjëzuara nga korrupsioni”. Kështu, sulmi për ekzekutimin e sundimtarit të Iranit; operacioni për arrestimin e Maduros (që e kishte kthyer Venezuelën në parajsën e narko-terrorizmit dhe interesave ruso-kineze), si dhe ngritja e Bordit të Paqes, vulosën fundin e rendit të vjetër, si dhe konfirmuan themelimin e “Rendit të Ri të Sigurisë, ose paqes së imponuar me fuqinë”, që meriton të skalitet me emrin e Presidentit Donald John Trump.

Në shtesë, përtej fundit të rezistencës së gardës terroriste në Iran si dhe luftës barbare të Putinit në Ukrainë, besoj edhe më fort se vetëm falë (super) fuqisë ushtarake të pakonkurrueshme të SHBA-së, si dhe leadership-it të fortë të Trump: “shpresa e paqes, rendi i ri global dhe vlerat e qytetërimit do të triumfojnë mbi mbetjet e Ajatollah-ut, neo-stalinistët dhe neo-millosheviçët, demokracinë burokratike dhe shtetet e dështuara, si dhe mbi-shtetet dhe organizatat apo bandat narkoterroriste”.

Ndërsa, duke përsëritur duartrokitjet e merituara për: “pjesëmarrjen e RSh/Kosovës në Bordin-Trump të Paqes; marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh-së; ndërtimin e Bazës Ajrore Kuçovë, rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe modernizimin e fuqisë ushtarake; projektin e Porto- Palermo-s (+Bondsteel-detar të USA/NATO), të ndërthurur me Korridorin-8; kontributet në interes të sigurisë kolektive dhe në mbështetje të Ukrainës; rolin lider në projektet e përbashkëta, si dhe procesin e integrimit euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”, i çmoj si prova të forcimit të bashkëpunimit/besimit strategjik, fatmirësisht të ndërthurura me interesat gjeopolitike mes RSh-së dhe SHBA-ve në rajon dhe Mesdhe.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare,

Ballkanin si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Filed Under: Analiza

Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026

March 12, 2026 by s p

Ndryshimi kryesor i rregullit në programin DV kërkon që të regjistruarit të përfshijnë informacionin e pasaportës së vlefshme dhe të paskaduar si pjesë të formularit të tyre elektronik të regjistrimit, ose të tregojnë ndryshe se janë të përjashtuar nga kjo kërkesë, në mënyrë që të dorëzojnë siç duhet një formular regjistrimi për lotarinë e diversitetit.

Të regjistruarit do të duhet të ngarkojnë një skanim të faqes/faqeve biografike dhe të nënshkrimit të pasaportës së tyre si pjesë të formularit të regjistrimit.

Do të ketë një tarifë regjistrimi prej 1 dollari për të gjithë ata që aplikojnë për Lotarinë e Vizave të Diversitetit duke filluar me ciklin e DV 2027.

Ndryshimet shtesë në rregulloren përfundimtare ndikojnë në udhëzimet dhe instruksionet për Programin e DV-së, duke përfshirë zëvendësimin e termit “gjini” me “seks” dhe zëvendësimin e termit “moshë” me “datëlindje” për të pasqyruar me saktësi informacionin e mbledhur.

Rregullorja percakton se këto ndryshime do të zbatohen me Programin e Vizave të Diversitetit (“DV-2027”) të vitit 2027. Departamenti i Shtetit ka shtyrë fillimin e programit DV-2027 dhe ende nuk e ka konfirmuar datën e fillimit për periudhën e regjistrimit.

See: Federal Register / Vol. 91, No. 47 / Wednesday, March 11, 2026 / Rules and Regulations 11891.

Ky njoftim është vetëm për qëllime informative. Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutemi kontaktoni Metuku Law P.C.

Hasan Metuku, Esq.

Metuku Law P.C.

39 Broadway, Suite 1450

New York, NY 10006

Phone: 212-480-4242

Fax: 212-566-4088

Email: Hhm@metukulaw.com

Website: www.metukulaw.com

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT