• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fetvaja e flamurit nga firmëtari i pavarësisë H. Vehbi Dibra ishte vendimtare në formësimin e shtetit shqiptar 109 vite më parë

November 27, 2021 by s p

Dr. Genti Kruja

“Në petkat që ka veshur muslimani, nëse ndodhet një figurë e vogël e një gjësë së gjallë, organet e të cilës prej së largu nuk duken, a ka ndonjë pengim?- Nuk ka.Nëse gjatë historisë në flamurin tonë është pranuar figura e njohur (shqiponja) dhe duke marrë parasysh se tash heqja e kësaj figure prish bashkimin dhe shkakton përçarje dhe fesat (pëçarje) dhe nga kjo ka shumë mundësi, që edhe vendi të pësojë disa rreziqe; pra, me qëllim për të ruajtur bashkimin e popullit dhe për të ndaluar mosmarrëveshjet dhe inatet dhe me qëllim që të sigurohet qetësia e përgjithshme, figura e përmendur (shqiponja) a duhet lënë ashtu siç është?Duhet.Kjo fetva është dhënë në bazë të Sheriatit dhe sipas nevojës së kohës dhe vendit… Duhet marrë parasysh se edhe mbretërit osmanë, të cilët janë edhe kalifë, duke patur dekorata, të cilat u jepen nga ana e mbretërive dhe që përmbajnë në to figura e zogj të zinj, venë e falin namazin… Të veprojmë sipas fetvasë së sipërme dhe të druhemi se mos e hedhim vendin në ndonjë greminë shkatërronjëse…Nga ju që jeni personalitetet e rralla, të pajisur me dituri, priten shërbime dhe çdo lloj përpjekje, që të bashkuar në mendime dhe veprime me njëri-tjetrin dhe të bashkuar e nën udhëheqjen e Qeverisë së Re, e cila është një dhuratë e Perëndisë, të shfaqemi… para botës politike dhe kësisoj të rrisim dhe të sigurojmë opinionin politik në favorin tonë.” Fetvaja (ligjshmëria islame) e dhënë nga H. Vehbi Dibra në Kuvendin e Vlorës, nuk ishte një lutje fetare, as një përshëndetje e thjeshtë, por një “dekretim” i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Genti Kruja

NAIM FRASHËRI NGULITI TEK SHQIPTARËT DASHURINË PËR ATDHEUN

November 27, 2021 by s p

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj

(Mjeshtër i Madh)

Kam lexuar me vëmendje librin e autorëve të njohur Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”. Është një libër me përmbajtje të thellë kombëtare, që në rrënjët e tij janë mendimtarët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, por në mënyrë të veçantë, Naim Frashëri i cili zë një vend nderi. Ishte ky rilindas dhe të gjithë rilindasit e tjerë që ngritën dhe ngjallën dashurinë për Atdheun, ishin Bektashinjtë shqiptarë që i dhënë frymë dhe gjak shqiptarit të shek. XIX dhe gjallëruan e ndezën kudo zgjimin e vetëdijes atdhetare, i kënduan mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.Në libër, pavarësisht se flitet për aktivitetet dhe veprimtaritë e bëra në kuadër të Vitit të Naim Frashërit, atë e përshkon fryma që ndezi Naimi, për të ushqyer shqiptarëve me ndjesinë e njësisë kombëtare. Autorët kanë gjurmuar dhe kanë dhënë çdo detaj të këtij viti që ju përkushtua nga të gjithë shqiptarët Naim Frashërit nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili për një vit rresht ishte në krye të kësaj veprimtarie madhore kombëtare.Nëpërmjet faqeve të librit njihemi se krijimi i kombit shqiptar është bazuar tek etniciteti (gjaku, gjuha, shtrirja gjeografike etj), i cili ka qenë i vetmi element unifikues. Nacionalizmi shqiptar, nuk i pati bazat e veta tek parimet liberale apo bashkimi kulturor, si në disa vende të tjera. Për shkak të izolimit nga gjithpërfshirja në mendimin europian, si pasojë e dominimit të konservatorëve e penguan zhvillimin e nacionalizmit. Shqiptarët patën një mitologji kombëtare që krijuan mitin e një prejardhjeje krenarie dhe të lashtë për vendin dhe shtetin. Këtë e bënë më së miri Rilindasit, e thekson gjatë gjithë veprës së tij, Naim Frashëri.Autorët librin e kanë ndërtuar në disa kapituj që shpalosin gjithë gjerësinë dhe shpirtin e madh të poetit që i këndosi dhe thuri vargje për Atdhenë. Pas një hyrje si lindi dhe u zhvillua ideja për vitin e Naimit, kapitulli i parë trajton Histori dhe vlerësime për Naim Frashërin. Kapitulli i dytë trajton takimin e poetëve në vitin e Naimit, si Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Petrit Ruka, Ferit Fixha, Sadik Bejko, Qazim Shehu, Pandeli Koçi, Hyqmet Hasko Dhe Përparim Hysi. Ndërsa dy kapituj, i treti dhe i gjashti trajtojnë Vitin e Naimit në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Kapitujt e tjerë deri në të trembëdhjetin trajtojnë takimet për Naimin në Tiranë, në Përmet, në vendlindjen e vëllezërve Farshëri, konferencë shkencore nga Kryegjyshata Botërore dhe Akademia e Shkencave, sesion shkencor në vendlindjen e tre Rilindasve, konferencë shkencore në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, pesë varrimet e Naimt, pasqyrimi i vitit të Naimit në media, si dhe risitë e projektit dhe të libri.Siç është shprehur Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, “Naim Frashëri është dritë që do të ndriçojë përjetësisht. Sa më shumë ikin ditët, muajt, vitet e dekadat, aq më shumë ndriçon kjo ditë, aq më të domosdoshme janë rrezet naimiane për shpirtrat tanë, si fetarë e atdhetarë”. Rilindasit e mëdhenj theksonin se dashuria për Atdheun është një ndjenjë e shëndetëshme natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për të është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli ynë, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, pra e të gjitha institucioneve kulturore, e natyrisht mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë e la atë në një nivel primitiv, që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, përballja me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët. Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembëllimin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej Atdheut. Kështu, në prag të çlirimit të Shqipërisë i kemi patur të dyja prirje: atdhedashurinë dhe shqiptarizmin e disave, e kundërshqiptarizmin e disa të tjerëve. Ndërsa Naimi shfaqet nga sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë xhurasë, mes trimërive stërgjyshore, që kumbojnë rreth e qark, – ka theksuar Moikom Zeqo.Natyra unike e gjuhës shqipe përbënte një bazë për mitin kombëtar. Periudha e Skënderbeut 1443-1468, përfaqëson të parën shprehje të nacionalizmit shqiptar, i cili u venit pas pushtimit turk dhe u ringjall sërish më 1878, pas Kongesit të Berlinit që vendosi lënien e disa trojeve shqiptare jashtë Perandorisë Otomane për esap të Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë. Shek. XIX shënoi konsolidimin e mendimit nacionalist shqiptar, nëpërmjet asaj që u quajt periudha e Rilindjes Kombëtare. Shkrimtar i madh shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poeti i madh i Bektashinjve, Naim Frashëri u gjend në vendin e duhur.Rilindasi Naim Frashëri dhe të gjithë rilindasit e tjerë duhet lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimin e Atdhedashurisë. Lidhja e Prizrenit, e cila pasoi Kongresin e Berlinit, shënon përpjekjen e parë për institucionalizimin e nacionalizmit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. Kërkesat e saj ishin bashkimi i trojeve shqiptare në një territor të vetëm me autonomi të plotë nën Perandorinë Osmane. Kështu lindi nocioni i Shqipërisë Etnike, ku për herë të parë shqiptarët do të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare.Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, thirrjet e zjarrta “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” dëshmojnë një të vërtetë tepër të qartë dhe dëshpëruese. Një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej Atdheut të tyre. Turqizimi i qindramijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjesë tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmojnë se ndjenja patriotike e një pjesë të shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin Atdheun e tyre me një Atdhe tjetër, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerë me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.Nga pena e Naimit doli më 1886 “Bagëti dhe Bujqësia”, e para poemë letrare shqipe që ngjallte tek bashkatdhetarët e vet vërtetësinë e prejardhjes së tyre gjuhësore kombëtare dhe krenarinë nacionale. Kështu Rilindasit u përpoqën shumë ti bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre. Ata kishin një Atdhe të bukur, kishin një gjuhë madhështore, një prej 6 gjuhëve themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të Botës. Ata ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër të aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me Atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të. Aksioni i tyre për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madh dhe më i gjëri aksion kulturor në krejt historinë tonë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një lëvizje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes Shqiptare. Në të vërtetë ishte ajo që Rilindi Shqipërinë, ose me saktë, ishte ajo që lindi Shqipërinë moderne.Naim Frashëri, mori nismën e pabesueshme për të krijuar një mistikë familjare dhe shpirtërore për shqiptarët e tij, pra bektashizmin tipologjik dhe përbashkues gjithshqiptar. Ringritja morale e popullit shqiptar ishte aksioni më i ngutshëm dhe më i rëndësishëm në atë kohë të vështirë që ndërmorën rilindasit. “Naimi është dielli i kombit. Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë” – shkruante Ismail Qemali. Naimit, populli i dha si mbiemër emrin e Shqipërisë, e quan Naim Shqipëria.Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”, i shkruar me shumë dashuri dhe përkujdesje nga autorët, ka për mision të përshkruaj dhe të nxjerrë në pah vlerat e poetit kombëtar, bektashiut të madh, Naim Frashëri. Për Naimin është shkruar dhe do të shkruhet në përjetësi, në kohëra dhe në brezat që do të vijnë, pasi roli i tij, i vëllezërve Frashëri dhe i të gjithë rilindasve të tjerë, të cilët u ngritën në një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, për kulturën e gjuhën shqipe, është jetike dhe kombëtare. Naimi si bektashi, si poeti dhe si atdhetarë shkroi perla të papërsëritshme për besimin e paqtë dhe për Shqipërinë. Autorët kanë ditur të nxjerrin në pah duke theksuar se “Naimi është e do të mbetet idhull në përjetësi, dritë e pashuar, jo vetëm për besimatart bektashinj në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, por për miliona bektashinj në mbarë botën dhe miliona miq të tjerë”.Ndaj aktivitetet për Naim Frashërin, nuk kanë munguar çdo vit dhe në hapësirat mbarëshqiptare, jo vetëm në data përvjetorësh që lidhen me poetin, por dhe në raste të tjera. Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës” i prurë me shumë përkujdesje nga autorët Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni dhe i drejtuar me shumë mënçuri nga Selia Bektashiane, është një risi e re, ku përshkruhet një veprimtari kombëtare mjaft komplekse e që organizohej për herë të parë. Autorët kanë ditur të përmatësojnë vlerat dhe idetë e Rilindjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë, të Naim Frashërit.Përgëzime autorëve për punën madhore të bërë dhe risitë për librin, URIME!BERNARD ZOTAJTiranë, më 27 nëntor 2021

Filed Under: Kronike Tagged With: Bernard Zotaj

DEDË GJON LULI, “FLAMURI” UDHËHEQËS I KRYENGRITJEVE (1911-1912) QË I PARAPRINË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 27, 2021 by s p

Nga Ndue  BACAJ/

Dedë Gjon Luli  e filloi aktivitetin e tij atdhetar në moshë të re, ku dallohet “të paktën” që në Luften heroike të Vranines. Dedë  Gjon Luli do të ishte  pushkë e parë edhe në Luftën e Kernices(1862), në Luftën te Mulliri i Vrakes (1871), në tre Luftrat e Shpuzes (1870-1877), në Luftrat per mbrojtjen e Hotit , Grudes , Plaves , Gucisë, Ulqinit e tjer të cilet zhvillohen nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 -1881).  Dedë Gjon Luli ishte komandant i ushtrisë (vullnetare)  të Lidhjes shqiptare të Prizrenit per Malesinë e Madhe  dhe Zevendëskomandant i ushtrisë të Deges së Lidhjes Prizrenit Shkoder.  Por lufta më e madhe e Malesorëve me në krye Dedë Gjon  Lulin është ajo e vitit 1911 që njihet si kryengritja antiosmane që çoi në ngritjen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit me 6 prill në Bratilë të Deçiqit, pas 432 viteve “mungesë” nën  pushtimin  turko-osman… Dedë Gjon Luli  ishte udhëheqesi i kesaj kryengritje që shpesh identifikohet edhe me emrin tij.  Por trimi i urtë baca Dedë ishte pushkë e parë dhe udhëheqës i  parë edhe në luftrat per  mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmit e shoveneve serbo-malazez  të viteve 1912 -1913-1915. Dedë Gjon Luli ishte jo vetem pushkë e parë e mbrojtjes të trojeve shqiptare ,por edhe “firmë” e parë në memorandumet , kerkesat dhe  protestat e 8 majit 1878, 13 qershorit 1878 , 15 qershorit 1878 , 16 qershorit, 2 korrikut, 7 korrikut, 7 tetorit, 22 tetorit e 8 nëntorit të vitit 1878, si dhe ato të 21 shtatorit 1879, të 1 marsit 1880 , 12 marsit, 4 prillit , 2 majit , 18 majit , 16 korrikut, 7 gushtit, 15 shtatorit,  19 shtatorit 1880, 26 prillit 1883, 9 qershorit  dhe 26 qershorit 1883, të majit 1903. Dedë Gjon Luli  shquhet si organizator dhe protagonist i Kuvendit të Greçes të 23 qershorit 1911 që formuloi e miratoi memorandumin (e Greçes) me trajtat e një një programi politik  per pavaresinë e trojeve shqiptare ,per të vijuar me kerkesat e 9 shkurtit 1912. Dedë Gjon Luli njihet edhe si një ndër perkrahesit e zjarrtë dhe nënshkruesit e vendimit prej 7 pikave  të  dates 5 mars 1899  (të zhvilluar në Shkoder) , në të cilen në emer të të gjithë vilajetit të Shkodres, u shpall besa dhe bashkimi  i popullsisë së ketij vilajeti me Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Pejes (të 26-30 janarit 1899)dhe komitetin e saj të kryesuar nga udhëheqësi trim e patriot Haxhi Zeka. Dedë Gjon Luli në memorandume e protesta dallohet per nënshkrimin domethenes shenjë me kryq,  një “simbol” ky jo vetem  per besnikrinë në fenë e të pareve, por edhe një simbol që kerkesat dhe protestat beheshin per gjithë Shqiperinë Etnike, nga veriu në Jug , dhe nga Perendimi në lindje. Të gjitha këto protesta shoqëroheshin me argumente liridashëse në mbrojtje të Hotit, Grudës, Kelmendit , Trieshit, Kojës, Tuzit, Plavës, Gucisë, Ulqinit e të tjera troje që Europa kishte vendosur  t’ua  jepte Malit të Zi, Serbisë etj. Në këto momente tragjike edhe pushtuesi shekullor turk ishte dobësuar e ligështuar aq shumë para Europës, sa ishte i gatshëm të lëshonte pa mëshirë territore shqiptare. Të gjitha këto protesta, shqiptarët në përgjithësi e ata të Malësisë së Madhe në veçanti i shoqëruan me kryengritje e luftëra mbrojtëse.

DEDË GJON LULIT SI UDHËHEQËS I MALËSORËVE KRYENGRITËS

Emri dhe fama e Dedë Gjon Lulit si udhëheqës i malësorëve kryengritës, detyroi jo vetëm pushtuesin turk, por edhe kralnitë e Europës ta njohin e “respektojnë” këtë malësor si tribun popullor të shqiptarëve liridashës. Ndonëse këto shtete të fuqishme të kohës i ofruan Dedës bashkëpunim, shpesh të shoqëruara edhe me florinjë, ky atdhetar i klasit të parë nuk pranoi kurrë të shitet apo shesë idealet e lirisë së atdheut, që ai e quante mbi gjithçka. Vlen të kujtohet se Dedë Gjon Luli kishte qenë ndër të parët atdhetar që mbështeti Kongresin e Manastirit (1908) dhe vendimet e tij për alfabetin shqip që kemi sot. Kur në Shkodër, një grup fanatikesh musliman të nxitur nga hyqameti turk kërkuan të organizojnë një manifestim  në perkrahje të shkronjave arabe, ata ndërruan mendje kur moren vesh se  malesorët  e Malësisë (me në krye Dedë Gjon Lulin ,N.B.) do ti pergjigjen me një manifestim akoma më të madh e më fuqishem në perkrahje të shkronjave latine. Dedë Gjon Luli i fali gjithçka lirisë së atdheut, duke angazhuar në këto luftëra djemtë e tij, por edhe nusen e djalit të tij, Norën e tjer. Luftërat çlirimtare për Dedë Gjon Lulin vazhduan deri më 24 shtator 1915, kur e vranë armiqt e Shqiperisë Etnike. E vranë Dedë  Gjon Lulin pasi keta  armiq e shihnin si një ndër pengesat kryesore të grabitjes të trojeve shqiptare të Malesisë Madhe e më gjerë… Dedë Gjon Luli kishte ndertuar një bashkepunimin të shkelqyer në mes të atdhetarëve malesoreve e më gjerë pa dallim feje e krahine, dhe kjo e kishte shqetsuar gjithnjë pushtuesit shekullore otoman dhe fqinjet hileqar e shoven  malazez. Për Dedë Gjon Lulin është shkruar e folur  gjithnjë, per  forcën, vullnetin, urtinë dhe atdhedashurinë e palekundur  për trojet shqiptare  edhe kur ai kishte dialoguar  ballperball me shovenë  apo perkrahes të tyre: Admiralin anglez  Cecil Burey i cili, për të ndalur hovin e Dedë Gjon Lulit me malësorët e tij që mbronin me çdo çmim trojet e tyre shqiptare i kishte thenë  Dedes  ,kot luftoni më se Hoti e Gruda mbaruan, pasi Europa  ia ka dhënë Malit Zi…E kreshniku Dedë pa ju dridhë qerpiku i ishte  pergjigjur rrufeshem : “Ti zotni ke tager me shitë kopshtin tand, se atë t’emin  as nuk e shes , as nuk e fali..” Admirali duke parë vehten ngusht kishte kërcënuar malësorët se mos ndejshin rahat , fuqitë e mëdha kanë me i zbatua me forcë vendimet e veta.. Pas ketyre fjaleve të admiralit kishte  ra një heshtje, që e theu vet Dedë Gjon Luli me fjalet – kushtrim : ”A ka tager e forcë Europa  me më ndalue që me derdh gjakun tem”.  Krali i Malit Zi një ditë do ti thoshte Dedë Gjon Lulit se malësorët e tu janë  vetem një grusht eshtnash perpara taborreve të turqisë. Pranoni ndihmen tonë që të shpetoni. Deda do tja priste, o Kral, shqiptari nuk ka parë tek vehtja kurr eshtnat, por zemren.. Kral Nikolla në Vrellë të Potgoricës  kur u takua ball-perball me Dedë Gjon Lulin do ti thoshte: “O Dedë Gjon Luli  gryka e pushkes sate është e ngushtë dhe vetem duke pasë në krah Malin e Zi  ty të bëhet gryka e pushkes  top”. Por Dedë Gjon Luli do ti pergjigjej aty per aty:  “Me të vertet o kral gryka e pushkes  time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare ato  ma bajnë gryken e ngushtë të pushkes sime më të gjerë e më të fuqishme  se gryken e topave të ushtrisë sate.13. Ndersa kur një gazetar i huaj e pyeti Dedë Gjon Lulin ,si është e mundur që një grusht luftëtaresh si ju të ndeshen me porten e lartë?  Dedë Gjon Luli  do t’i pergjigj rrufeshëm me fjalet: “Shqiptari është ah e nuk është shelg që të perkulet”.  Dedë Gjon Luli gjithmon perpara se të nisej në beteja kerkonte që me vehte të kishte një flamur shqiptar. Një ditë  shoket e çetes me të cilet ishte nisur në një betejë i thanë :” O baca  Dedë  kemi nevoja të tjera  më të mëdha se  flamurin sot në luftë”, baca Dedë pasi u kishte drejtuar shikimin të gjithëve  u ishte pergjigj:  “Jo bre burra, në krye duhet Flamuri  se ai i ka të tana brenda : Besen , trimnin, zakonet, bashkimin, luften dhe fitoren. Ai ka gjakun e të parëve tanë që e skuqi e na prinë”. Por me  pakë fjalë e mrekullisht e ka “permbledhur” portretin atdhetarë të Dedë Gjon Lulit , publicisti dhe vullnetari italian Euxhenio  Vaina , me daten 7 gusht 1911 (nga Tivari) kur e “quan” Ded Gjon Lulin: “Kalores të pa njollë dhe pa frikë”.

“DEDË GJON LULI NË DITË E SHPALLJES SË PAVARËSISË

Në diten e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë me 28 nentor 1912 në Vlorë, mungoi Dedë Gjon Luli, mungoi ai që duhet të ishte i pari e në krye të vendit, mungoi ai që mbajti më shumë se një gjysem shekulli të ndezur  zjarrin e lirisë në trojet e Malesisë Madhe e më gjërë, mungoi ai që me 1911 shperndau në votrat (gati të fikura ) të Shqiperisë gacat e zjarrit, per të rindezur zjarre të reja lirie e mvehtesie. Mungoi ai që frymzoi e trimëroi  Ismail  Qemalin, Luigj  Gurakuqin  e tjerë  korifenjë të shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë. Mungoi Dedë Gjon Luli, mungoi ai që vetem ai nuk duhej të mungonte kurrë. Por ndonse Dëdë Gjon Luli mungoi fizikisht, ai me vepren e tij atdhetare ishte atë ditë aty, madje në krye të vendit, se pa Dedë Gjon Lulin dhe luften e tij me trimat Malësor ,ajo ditë nuk do të kishte ardhur kurrë. Dedë Gjon Luli nuk shkoi ne Vlore pasi ishte në moshen e tij 72 vjeçare, por që ja rendonte këtë  moshë  edhe  jeta si “kaçak” duke  jetua ma shumë  jashtë (malesh e shpellash, ku shtroje kishte token e bymyer me gjak , dhe mbulojë atë copë qiell që na takonte, por që shpesh e mbulonin retë e zeza që shpraznin mbi trojet tona shi, breshen e rrebeshe). Këtë jetë të veshtirë e pershkruan sakt e bukur famulltari i kishës së Brigjes, At Agostini në një relacion që i dergon Argjipeshkëvisë të Shkodres me daten 29 janar 1886 , ku ndër citojmë : “Shumë i ndershmi Dedë Gjon Luli, i pari i arratisun , gjendet në kushte shumë të veshtira jetese, i mungon deri buka shtepinë e tij të  djegun sapo e kanë mbuluar në një qoshe. Të ndihmohet se është ma i ndershmi dhe ma i dashtuni në keto male”. Edhe sot gjindet si “shenjë” një shpell e vogel aty ku “ndahet” Hoti  me  Kastratin me homonimin “Shpella e Dedë Gjon Lulit”, ku ai shpesh ishte strehuar gjatë perndjekjeve nga hyqameti turko-osman. Këto kushte  Dedës  ja kishin renduar moshën e paksuar  fuqinë për të shkuar atë ditë në Vlorë. Por e kishte të pamundur edhe pasi rruga nga do të kalonte ishte plot tym e erë baruti ku perlesheshin dy armiq shekullorr të malësorve e shqiptareve, Shkaju i Malit Zi që kerkonte të pushtonte Shkodren e rrethueme prej tij dhe turkut, që kishte mbetur me një pjesë të ushtrisë së tij si trofe lufte , por që së bashku me shkodranë e shqiptar të tjer po mundoheshin të mbronin vehten e Shkodren. Këto veshtirësi nuk “mbaronin” me kaq , pasi Kral Nikolla i Malit Zi  me politiken dhe propoganden e tij hileqare kishte arritur të mashtroi jo pak malesorë, të cileve u kishte thënë më ndihmoni të bojmë turkun që nga Malesia e deri pertej Shkodres , e ju kudo në keto vende që do ti çlironi do të ngritni flamurin tuaj, dhe  do të jeni zot të trojeve tuaja dhe ne nuk do tu biem më në qafë, por për këtë duhet ti thejmë qafen turkut, se sa të sundojnë ai kalanë e Shkodrës, ne, as ju nuk jemi të lirë… Fatkeqësisht mjaftë malsorë u genjyen dhe moren  pjesë  së bashku me  ushtrinë malazeze, gjoja  në luften kunder turkut, por në fakt me këtë luftë  ndihmuan Malin e Zi  per të pushtuar Shkodren. Kur  malësorët e kuptuan se çfar po benin ishte vonë, pasi deri atëherë, perveçse kishin luftur kundër “vehtes” e trojeve të tyre , duke ndihmuar armikun grabitqar Malin e Zi,  kishin rënë duke luftuar edhe dhjetra malësorë,  trimeria e të cileve si asnjeherë ndër mote e shekuj kishte shkuar kot… Në ketë gjendje të vajtueshme  që kishin rënë një pjesë e Malesisë , Dedë Gjon Luli nuk kishte si ja  kthente shpinen trojeve të Malesisë Madhe… Por Dedë Gjon Luli pas shpalljes së pavaresisë do të sfidonte kohet e veshtira  dhe moshen mbi 72 vjaçare dhe do të shkonte të takonte shpallesit e pavaresisë me në krye Ismail Qmalin ,me të cilin ishte takuar edhe gjatë kryengritjes antiostomane të Malesisë Madhe në vitin 1911. Dedë Gjon Luli e siguroi Ismail Qemalin se te Malesia e Madhe do të kishte një mbeshtetje besnike dhe te palekundur per qeverinë e Vlores. Pas takimit Ismail Qmali do të deklaronte se: “Dedë Gjon Luli  është pushkë e ngrehur  per Shqiperinë”.

VRASJA E DEDË GJO LULIT

Me 24 shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirdites vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste, trimi legjendar Dedë Gjon Luli. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura, që  gjindej (jo rastesisht) në Mirditë  me një kompani ushtaresh serb në vendin e quajtur Sheshaz..Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje per të realizuar një beslidhje të Madhe me parinë e Mirdites e më gjerë, per të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga  grykesia shekullore e shkjeve të Ballkanit e më gjerë. Lufta e parë Boterore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londres të 26 prillit 1915 , duke coptuar edhe atë Shqiperi që kishte “tepruar” nga konferenca e Londres 1913. Ndaj Trimi i urtë Dedë Gjon Luli duke qënë zemra ,mendja dhe pushka e parë e Malesisë Madhe dhe shqiptarisë, për më shumë se një gjysem shekulli , kishte perbuzur moshen e thyer dhe rrezikun per jeten, duke u bërë keshtu faqja e bardhë në perjetsi e Hotit ,Malesisë e Shqiptarisë. Pas vrasjes së Dedë Gjon  Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste trupin e tij të pajetë e  kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë, ku e zbuluan disa barinjë rastesisht pas disa diteve. Me 8 tetor  (1915),famulltari i Oroshit të Mirdites  e varrosi te kisha e “tij”. Ndersa me 29 maj 1924 eshtrat e Dëdë Gjon Lulit u  rivarrosen me një cermoni  madheshtore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkoder, ku muaren pjesë mbi tremijë veta, si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto  Kozi.  Në ketë cermoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi ,ligjeratë nga e cila menduam të citojmë: “Sikurse Athina e Roma  mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndertesen e Lirisë, ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona. Mbas 400 vjetësh  Dedë Gjon Luli me çeten e vet  lufton per të paren herë nën  Flamurin e Shqipnisë, per Lirinë kombetare. Ai kje tre here Fatos se i fali Atdheut dy djemtë  dhe veten ,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve dhe esadisteve. Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e tij, vloi edhe zelli per Fe…Në të vertetohet fjala e popullit  se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit  e shpejtoi Lirinë Kombetare”.  

REFERENCAT: 

1.Ndue  Bacaj, Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-osmane 1911, (botim i dytë),  fq.88, Fiorentia-Shkodër 2018. 

2.Ndue  Bacaj, po aty, fq.89-90. 

3.At Gjergj Fishta  ,Lahuta e Malësisë ,fq.62, Romë 1991. 

4.Hamdi  Bushati ,Shkodra dhe Motet ,v.I , fq.413-431 ,Shkodër 1998. 

5.Hysni Myzyri , Ded Gjon Luli –patriot dhe luftëtar i shquar i  Rilindjes sonë , gaz. “Zeri i popullit” dt.  23.9.1975. 

6.Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911, fq.86-88, Phoenix;Shkodër 2002. 

7.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare… Tiranë 1978. 

8.Kristaq  Prifti , Lidhja Shqiptare e Pejës , fq.221, Tiranë  2002. 

9.Shtjefen Gjeçovi ,Fondi “Bernardin Palaj” ,dosja 4/1 dhe 15 AQH, R.Shqiperisë. 

10.Edwin Jacques ,Shqiptaret-Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme , fq.352, botim 1995.  

11.At  Gjon Karma “Kerkime  në malet tona [të veriut] ,fq.197. 

12.Fritz  Radovani “Dedë Gjon  Luli” ,fq.27. 

13.Pandi  Rrumbullaku ,”Dedë Gjon Luli pushkë e ngrehur per Shqiperinë” ,gazeta “Luftëtari” , dt.25 shtator 1980.  

14.Frrok Çupi, ZP, Asht ah nuk asht shelg me u perkul shqiptari ,dt.3 tetor 1979. 

15.Stefanaq  Pollo “Gjurmë të historisë së Shqiperisë”,fq.282 ,botim i A.K.Sh. ,Tiranë 1990.

16.Pal Doçi , “Dedë Gjon  Luli “ ,Tiranë 2003. 

17.Ketë ma ka treguar Marash Vatë Shabi në mars të vitit 2010. 

18.At Justin  Rrota , Ditet e mbrame  të Turqisë në Shkoder, ase rrethimi i qytetit 1912-1913 ,botim II ,botime franceskane , Shkoder , 2010 ,fq.28-31.  

19.Hortense  von Zambaur , Rrethimi i Shkodres 10 tetor 1912 -22 prill 1913, fq. 138, “Camaj-Pipa”, Shkoder 2006. 

20.Pandi  Rrumbullaku ,”Dedë Gjon Luli pushkë e ngrehur per Shqiperinë” ,gaz. Luftëtari ,dt.25 shtator 1980.

21.Fritz Radovani ,veper e cituar ,fq.38. 

22.At Gjergj Fishta-ligjeratë Për një monument të Dedë Gjo’Lulit, ”Antologji Shqipe”, bleni I ,shtëpia botuese “Kristo Luarasi” botua nga Filip Fishta , Tiranë 1935. 

23. Ndue  Bacaj, po aty,fq.104. 

24.Zekeria Cana ,fjala e tij e mbajtur në  shtator 2005 ,kur u inagurua shtepia muze e Dedë Gjon Lulit.

Filed Under: Komente Tagged With: Ndue Bacaj

ALEANCA BALLKANIKE DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE NË PRAG TË PAVARËSISË

November 27, 2021 by s p

Zef Ujkaj

SHQIPTARËT DHE FQINJËT

Ballkani ishte një pikë e rëndësishme strategjike, nyja që bashkonte Detin e Zi me Adriatikun e Mesdheun, Evropën Danubiane me atë Juglindore dhe për këtë arsye do të shndërrohej në një zonë rivaliteti mes Fuqive të Mëdha. Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia të interesuara për vendosjen e ndikimit në Ballkan do të përpiqeshin të lidheshin me popullsitë vendase, për të fituar simpatinë e tyre. Kështu Luftërat Ballkanike do të nxiteshin nga interesat antagoniste të Fuqive, dhe veçanërisht nga kontradiktat mes dy blloqeve kundërshtare. Pushtimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe krahinës së Sanxhakut nga Austro-Hungaria, shpallja e pavarësisë së Bullgarisë dhe mundësia e fitores së autonomisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë po i jepte fund ruajtjes së status quo-së në Ballkan.

Shqiptarët do të kërkonin bashkëpunim me shtetet ballkanike në luftën e përbashkët antiosmane, pasi të zhgënjyer nga politika xhonturke synonin pavarësi dhe liri kombëtare. Disa nga shtetet ballkanike do të ndihmonin kryengritësit shqiptarë gjatë viteve 1909-1912, por gjithmonë për interesat e veta, duke dashur të dobësonin pozitën e tyre dhe atë të turqve. Duke qenë se ekzistonin kontradikta të skajshme mes qëllimit të shqiptarëve dhe shteteve ballkanike, nuk do të arrihej ndonjë marrëveshje për luftë të përbashkët antiosmane. Përpjekje për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe shteteve ballkanike kundër Turqisë ishte ajo e Nexhip Dragës me kryeministrin serb Pashiq, i cili shprehu dakordësinë e shteteve ballkanike për një Shqipëri që shtrihej midis lumenjve Mat dhe Vjosë, por Draga iu përgjigj se një marrëveshje e tillë do t’i detyronte shqiptarët të luftonin përkrah turqve.Edhe tentativat e Ismail Qemalit me Greqinë dështuan, pasi kishin pretendime ndaj Shqipërisë se Jugut. Në gusht 1912 mbreti Nikolla tentoi të ftonte Ismail Qemalin në Tivar për bisedime rreth një lufte të përbashkët kundër Turqisë, por Ismail Qemali nuk pranoi meqë tashmë njiheshin planet e aleatëve ballkanikë lidhur me Shqipërinë. Gjatë vitit 1912 anëtarë të organizatës së fshehtë ushtarake serbe “Dora e Zezë” u munduan të hynin në bisedime me Isa Boletinin, i cili do të shprehej se shqiptarët do të luftonin kundër turqve, përkrah serbëve vetëm nëse ata nuk do të shfaqnin pretendime shoviniste ndaj territoreve shqiptare, në të kundërt do të kundërvepronin ndaj tyre.Ndërkohë Hasan Prishtina zhvilloi bisedime në Shkup me përfaqësuesin e Organizatës Vërhoviste Maqedonase, të cilit i propozoi shpërthimin e një kryengritjeje të përbashkët shqiptaro-maqedonase, por ai refuzoi në mënyrë kategorike një aksion të përbashkët antiturk. Kështu shqiptarët mbetën jashtë Aleancës Ballkanike, por jo për faj të tyre. Ata ose duhet të luftonin përkrah osmanëve dhe të pësonin fatin e tyre, ose përkrah shteteve ballkanike, pa kushte, në mënyrë që të lehtësonin copëtimin e vendit të tyre mes fqinjëve.

ALEANCAT MES SHTETEVE BALLKANIKE

Të gjitha shtetet ballkanike do t’u kundërviheshin kërkesave të shqiptarëve për një Shqipëri autonome. Kryeministri serb Millovanoviq i cilësonte shqiptarët të paaftë për krijimin e një shteti të civilizuar, prandaj, sipas tij, problemi shqiptar zgjidhej vetëm me copëtimin e Shqipërisë mes Serbisë dhe Greqisë. Propaganda antishqiptare e fqinjëve arrinte deri aty, sa shqiptarët i paraqisnin të ndarë në fise, pa gjuhë, alfabet e pa fe të përbashkët, pa histori, pa identitet dhe pa përvojë vetëqeverisjeje, me qëllim që të pengonin krijimin e shtetit shqiptar, i cili shihej si pengesë për aspiratat e Aleancës Ballkanike, dhe legjitimitetin e pushtimit të tokave shqiptare prej tyre.

Bisedimet mes serbëve dhe bullgarëve filluan që në vitin 1910 dhe nëtetor të vitit 1911 ata u pajtuan për ndarjen e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Territoret në veri dhe në perëndim të vargmaleve të Sharrit bashkë me vilajetin e Shkodrës do t’i përkisnin Serbisë, ndërsa Adrianopoja, Traka dhe një pjesë e madhe e Maqedonisë do t’i kalonin Bullgarisë. Marrëveshja e miqësisë dhe aleancës serbo-bullgare u finalizua në mars 1912, ndërsa Konventa ushtarake në prill 1912.

Fuqitë e Tripalëshit ishin kundër një aleance mes shteteve ballkanike dhe bënë përpjekje të shumta për të penguar afrimin e tyre. Kryeministri serb Pashiq i shprehu shqetësim ministrit të Jashtëm rus Sazonov në qershor 1912 në lidhje me rrezikun që shfaqte Austro-Hungaria për Lidhjen Ballkanike pasi ishte e interesuar për një Shqipëri të Madhe. Austro-Hungaria dhe Italia pavarësisht rivalitetit të tyre të fortë për zotërimet e Ballkanit Perëndimor ishin të vendosura për të ndaluar daljen e Serbisë në Adriatik dhe forcimin e pozitave të shteteve sllave, për të mos u rritur ndikimi rus në Ballkan. Prandaj Vjena u mundua të ndalonte Malin e Zi dhe Greqinë të bëheshin pjesë e kësaj aleance.

Kryeministri Venizellos nisur nga përvoja e humbjes së grekëve në luftë kundër Perandorisë Osmane në vitin 1897, u bind që bashkëpunimi politik dhe ushtarak me vendet ballkanike ishte i pashmangshëm. Kështu qysh në vitin 1910 filluan bisedimet greko-bullgare që kishin për qëllim “çlirimin” e Maqedonisë. Në maj u lidh Traktati bullgaro-grek, me karakter mbrojtës në rast sulmi nga Turqia, ndërsa në tetor konventa ushtarake, me karakter sulmues kundër zotërimeve osmane. Përsa i përkiste Shqipërisë, Greqia pretendonte territoret ku banonte popullsia ortodokse, duke e konsideruar fenë si sinonim të kombësisë, pavarësisht gjuhës që flisnin, gjë që mund të arrihej sipas tyre me përçarje fetare përmes politikës kishtare dhe arsimore.

Mali i Zi që ishte një territor i vogël malor dhe me një popullsi prej 250 mijë banorësh, nuk u përfill aq shumë nga shtetet e tjera ballkanike duke qenë se nuk posedonte forca të mëdha luftarake dhe shfaqte pretendime të tepruara. Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911, mbreti Nikollë i bëri Serbisë një ofertë për bashkëpunim kundër Turqisë dhe ndarjen e territoreve shqiptare. Pejën, Shkodrën dhe Lezhën do t’i aneksonte Mali i Zi, ndërsa pjesën tjetër të Kosovës dhe Shkupin Serbia. Serbia nuk u dakordësua me propozimin malazez pasi ajo vetë synonte të dilte në Adriatik përmes Shëngjinit dhe Durrësit duke pohuar se akoma nuk ishin pjekur kushtet për një luftë kundër osmanëve. Duke qenë se Mali i Zi nuk ishte përfillur nga shtetet ballkanike, Rusia, në maj 1912, mendoi që edhe kjo mbretëri e vogël mund të jepte kontribut në Aleancën Ballkanike. Kështu në gusht Mali i Zi arriti marrëveshje verbale me Bullgarinë, me të cilën Sofja i njihte të gjitha territoret që do të pushtonte, kundrejt mbështetjes ushtarake kundër Turqisë, ndërsa mbret Nikolla kërkoi mjete financiare për të aramatosur ushtrinë e vet. Serbia arriti marrëveshje politike dhe ushtarake me Malin e Zi vetëm më 6 tetor 1912, marrëveshje që u ratifikua më 4 nëntor 1912. Të dyja palët zotoheshin t’i shpallnin luftë Turqisë jo më larg se 14 tetori 1912. Kontakte gjysmëzyrtare pati midis Greqisë e Serbisë dhe midis Greqisë e Malit të Zi gjatë verës 1912, mirëpo nuk prodhuan ndonjë marrëveshje të shkruar, duke bërë që aleancat të mos ishin krejtësisht të qarta pasi nuk ishte nënshkruar një traktat shumëpalësh apo një promemorie në vija të përgjithshme e pranuar nga gjithë aleatët. Kështu Aleanca Ballkanike mori trajtën përfundimtare në shtator 1912 me marrëveshjet formale të Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë me Malin e Zi, pa një traktat të shkruar. Kështu inati, indinjata dhe tmerri u bashkuan me synimet nacionaliste dhe interesat territoriale, dhe po vërtetohej thënia e rilindasve shqiptarë në fund të shek. XIX se qeveritë ballkanike “po lehin kundër njëra-tjetrës dhe të gjitha së bashku kundër qeverisë turke për të copëtuar atdheun tonë”. Megjithëse aleanca ishte krijuar për luftë kundër Turqisë, ajo ishte në fakt një komplot për copëtimin e Shqipërisë dhe zhdukjen e emrit shqiptar.

FUQITE E MËDHA DHE BALLKANI

Shkaqet e krijimit të Aleancës Ballkanike dhe luftës që do të pasonte, ishin: dobësia dhe paaftësia e Turqisë për të parashikuar të ardhmen, paaftësia e Evropës për të zbatuar reforma në Turqi, rraskapitja e popullit shqiptar nga luftrat e vazhdueshme antiosmane, gatishmëria e shteteve fqinje për të “çliruar” bashkëkombasit e vet brenda Perandorisë Osmane, lakmia për të pushtuar toka të reja, përkrahja e aleatëve ballkanikë nga Fuqitë e Mëdha dhe qëndrimi i tyre negativ ndaj çështjes shqiptare. Megjithatë shkaku kryesor i shpërthimit të luftrave ballkanike ishin padyshim kryengritjet shqiptare të viteve 1908-1912, të cilat në gusht 1912 e detyruan Perandorinë Osmane të pranonte kërkesat e kryengritësve për autonomi të Shqipërisë.

Austro-Hungaria duke parë që nuk mund të ruhej më gjendja e status quo-së në Ballkan, gjatë muajit tetor do të mbante konferenca të shumta në Vjenë ku do të diskutohej për të ardhmen e Ballkanit, e ku mes të tjerash do të shprehej për një autonomi të Shqipërisë me kufij sa më të gjerë ose pavarësi në rast disfate të osmanëve, duke qene e gatshme të mbronte këto territore edhe me luftë pasi nuk donte shtrirje të gjerë të ballkanasve në drejtim të Adriatikut dhe Jonit. Ndërkohë që Gjermania u shpreh kundër luftës, Italia u shpreh në favor të saj, pasi do t’i lehtësohej barra për pushtimin e Tripolit. Anglisë dhe Francës iu interesonte ruajtja e status quo-së pasi kishin fituar kapitulacione të mëdha nga Perandoria Osmane, kështu që kërkonin shtypjen e lëvizjes shqiptare për autonomi. Megjithatë Fuqitë e Antantës nuk do të pranonin që Blloku Tripalësh të kishte vazhdimësi të pandërprerë territoriale nga Gjermania, Austro-Hungaria, Ballkani për të dalë në Turqi, prandaj shpreheshin për këputjen e kësaj lidhjeje para se të fillonte lufta e madhe mes tyre.

Përpjekjet e Ismail Qemalit, Preng Bibë Dodës dhe të tjerëve për të fituar mbështetjen e Austro-Hungarisë si e vetmja fuqi e interesuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare do të ishin të vazhdueshme. Vjena iu propozonte shqiptarëve të mbanin anën e osmanëve në rast sulmi nga shtetet ballkanike. Në bisedimet e shumta që Ismail Qemali pati me përfaqësues austro-hungarezë pranonte edhe protektorat mbi Shqipërinë pasi ndodhej e kërcënuar të zhdukej si komb nga aleatët ballkanikë. Nga ana tjetër dom Ndre Mjeda, dom Luigj Bumçi, kryepeshkopi i Shkodrës Zef Serreqi i bënin thirrje Vjenës që të pushtonte sa më shpejt Shqipërinë para se të binte në dorë të shteteve grabitqare ballkanike.

Rusia ndërhyri pranë Stambollit që të kufizonte lëshimet ndaj shqiptarëve, ndërsa privilegjet e dhëna për ta të shtriheshin edhe në kombësitë e tjera. Stambolli i kufizoi lëshimet ndaj shqiptarëve dhe u bëri të ditur aleatëve ballkanikë se shqiptarëve nuk do t’iu jepej autonomia. Porta frigohej nga ndërhyrja e shteteve ballkanike, kështu në shpalljen e saj ajo shmangu njohjen e kombësisë shqiptare, përcaktimin e kufijve territorialë të Shqipërisë dhe nuk përmendi askund emrin shqiptar apo Shqipëri, e gjitha kjo për të qetësuar shtetet ballkanike dhe për t’iu lënë të kuptonin se privilegjet do të shtriheshin edhe mbi popujt joshqiptarë. Megjithatë shtetet ballkanike do të mbeteshin të pakënaqura, pasi e dinin se shteti autonom shqiptar në kuadër të katër vilajeteve ishte në krijim e sipër.

Fuqitë e Mëdha vazhdonin të mbështesnin parimin e ruajtjes të status quo-së si dhe detyrimin për ruajtjen e paqes mes shteteve ballkanike dhe Stambollit. Ato pranuan propozimin e kryeministrit francez Poincaré për një ndërhyrje kolektive në Ballkan dhe Stamboll, ku Austro-Hungaria dhe Rusia do të paraqisnin kushtet në emër të tyre. Më 7 tetor ato iu deklaruan shteteve ballkanike se Fuqitë do të dënojnë të gjitha masat që shkaktojnë prishjen e paqes, në bazë të nenit 23 të Traktatit të Berlinit, ndërsa ata do të merrnin në dorë kryerjen e reformave administrative në Turqinë Evropiane, por pa cënuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Perandorisë. Në rast shpërthimi të luftës ato nuk do të pranonin ndryshimin e status quo-së. Të njëjtat kushte iu bënë të ditura edhe Stambollit. Por kjo deklaratë e Fuqive të Mëdha tashmë ishte e vonuar, pasi nuk kishin asnjë mekanizëm për ta parandaluar shpërthimin e luftës. Të njëjtën ditë, ambasadori i Malit të Zi në Stamboll i paraqiti një notë qeverisë turke, ku i bëhej e ditur se Mali i Zi ishte i detyruar të mbronte të drejtat e tij me luftë, meqë qeveria turke nuk kishte përmbushur dëshirat e tij për rregullimin e vijës kufitare. Duke qenë se Fuqitë e Mëdha nuk dhanë ndonjë rezultat në parandalimin e luftës ballkanike, Porta e Lartë filloi mobilizimin ushtarak në pjesën evropiane, ku mori të njëjtën përgjigje edhe nga shtetet ballkanike. Lufta shpërtheu të nesërmen e protestës së Fuqive të Mëdha, më 8 tetor 1912, kur Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë, e më pas më 17 tetor  pasuan Serbia dhe Bullgaria, ndërsa më 18 tetor Greqia.

Filed Under: ESSE Tagged With: Zef Ujkaj

SHKOLLA SHQIPE ‟ARDHMËRIA” NË LONDËR

November 27, 2021 by s p

Anila Kadija mësuese e gjuhës shqipe për nivelin e parë të grupmoshës 6-9 vjeç dhe drejtuese artistike, në shkollën shqipe ‟Ardhmëria”, Londër, Angli rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e krijimit të shkollës shqipe në Londër, angazhimin dhe kontributin në shkollën shqipe, kurrikulat mësimore, tekstet, bashkëpunimet dhe aktivitetet, si e pret shoqëria angleze mësimin e gjuhës shqipe, gjuha si formë e identitetit kombëtar shqiptar dhe vështirësitë e sfidat e mësimit online. Me Anila Kadija bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.


HISTORIA E KRIJIMIT TË SHKOLLËS SHQIPE “ARDHMËRIA” NË LONDËR, ANGAZHIMI E KONTRIBUTI


Historia e shkollave në Londër, sinqerisht, unë nuk mund ta bëj pasi këtu kam vetëm 6 vite që jam trasferuar por mund të theksoj me bindje që ka një histori prej më shumë se 20 vjetësh emigracioni në UK dhe këtu nuk kanë munguar asnjëherë organizata, shoqata, me shkollat e tyre ndërvite të cilat i kanë dhënë një ndihmesë kolosale komunitetit shqiptar dhe prezantimit dinjitoz shqiptar në Mbretërine e Bashkuar. Mund të citoj Shoqatën Ardhmëria, Mather Tereza, Kosova, Nënë Tereza, Shpresa Program etj. Unë jam një profesioniste e gjuhës shqipe në shumë fusha. Baza është gazetaria, profesion qysh në përfundimin e universitetit, filologjikun e Tiranes, në degën Gjuhë-Letërsi, duke u specializuar edhe në Itali në fushën e shërbimeve sociale. Kam punuar për komunitetin shqiptar qysh në fillimet e mija në emigracion në 1991, kam promovuar dhe vazhdoj të promovoj talente dhe aktivitete kulturore, libra dhe shkrimtar jo vetëm shqiptar por edhe të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë në gjuhën e tyre origjinale, pjesë e Albania Neës dhe Shqiptari i Italisë media shqiptare në Itali, Oltre il Ponte redaksi italiane në Parma, kam bashkëpunuar dhe vazhdoj me mediat shqiptare si Intervista e Tiranës, Shekulli, Dita, Revista Psikologjia, Revista Living, Vizion, Diaspora etj prej më shumë se 35 vitesh duke ju përcjellë pa kursim jehonë shqiptare përtej Adriatikut. Sponsorizoj evente talentesh duke i mbështetuar ekonomikisht dhe profesionalisht ato. Këtu është për t’u përmendur një tejet i bukur që organizohet çdo vit me fëmijet, në Londer dhe quhet XTalent. Nuk kursehem asnjëherë të jem e dobishme në çdo ftesë që më bëhet për të ndihmuar dhe promovuar komunitetin shqiptar në diasporë. Jam pjesë e KKAD-së Këshilli Kordinues i Arsimtarëve në Diasporë ku punohet dhe kontribohet për të mirën e përbashkët në shërbim të gjuhës shqipe dhe sensibilizimin që duhet t’i bëjmë familjeve shqiptare për të dërguar fëmijët në shkollat shqipe kudo qofshin ato nëpër botë. Jo më kot këtë e lashë për të fundit si ëmbëlsira pasi pasioni im dhe eksperienca ime filloi krejt rastësisht në Parma. Në shkollen shqipe të shoqatës Scanderbeg ku mu dha edhe detyra e drejtueses dhe mësuese e asaj shkolle qysh në themelimin e saj në Shtator të 2009. Vullnetarisht vazhdova deri në 2014 në Itali dhe më vone pa shkëputje në Londër me shoqatën Ardhmëria. Kjo eksperience fantastike që u pasurua edhe nga kontaktet e lidhura në seminare të ndryshme me mesues të tjerë në diasporë, më dhuroi një energji të madhe për të punuar dhe për të kërkuar edhe më shumë pasurimin e dije si profesioniste e arsimit. Kam një lidhje të frutshme me NRCSE Qendra e Burimeve Nacionale e Edukimit Plotësues në Londër dhe specifikisht me Creative project, ku shkëmbehet eksperienca internacionale e shumë gjuheve. Jam pjesë e shumë projekteve didaktike artistike të cilat i kam paraqitur dhe janë bërë pjesë e kësaj organizate jo fitimprurëse në shërbim të mësimit të gjuhëve mëmë. Shkolla ku unë jap kontributim tim është një ndër më të mirat në Londër për faktin e kualifikimit të lartë që kanë mësueset e kësaj shkolle, mënyrës së shkëlqyer e cila menaxhohet nga drejtoria dhe stafi organizues, por për të theksuar nga numri shumë i madh i fëmijëve që e frekuentojnë këtë shkollë. Libri im “Ninulla e zemrës” është një përmbledhje e të gjitha këtyre ndjesive dhe emocioneve që pasioni dhe dashuria për gjuhën dhe fëmijët janë bërë prioritet i punës time me diasporën këto 10 vitet e fundit.

KURRIKULAT MËSIMORE, TEKSTET DHE BASHKËPUNIMET


Kurrikula me të cilat punohet janë të lidhura me vite të ndryshme të eksperiencës shkollore. Gjithmonë të orientuar nga Ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me QBD Qendrën e Botimeve për Diasporën. Kemi përdorur Doracaket, Platformën SchoolMe, librat pafund që Qendra e Botimeve për Diasporën na përcjell prej dy vitesh nga Shqipëria në Londër nëpërmjet Ambasadës të Shqipërisë në Londër.

SI PRITET NË LONDËR NGA SHOQËRIA ANGLEZE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE


Londra është një qytet metropolitan gjigant. Natyra shumëkulturore krijon në mënyrë origjinale mendjen e hapur që njerëzit dhe sistemi shoqëror ka këtu. Ke çdo të drejtë të shfrytëzosh konceptin e kreativitetit dhe të iniciativës. Gjithëkush është i lirë, në kontekstin e rregullave që obligon ky shtet, të krijojë apo vendosë në praktikë një ide të bukur lidhur me shkollën meqënëse pyetja është e tillë. Kemi familje me dy kombësi, shqiptare dhe angleze, ku fëmijët ka raste edhe prindi i cili është anglez vjen të mësojë me shumë entuziazëm dhe dëshirë gjuhën e mrekullueshme shqipe.

GJUHA SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR


Gjuha është kulturë dhe krijon sintoninë më të bukur që njeriu mund të realizojë në raportet humane. Gjuha është nevojë shprehje sentimentale. Gjuha është përçim autenticiteti. Pa gjuhën nuk kemi identitet dhe ne e mbrojmë atë që brezat nëpër diasporë ta kenë të ngrohtë fjalën e gjyshërve dhe jo një gjest duarsh për ta kuptuar me vështiresi. Qëllimi ynë, si mësues, drejtuar fëmijëve, është që ajo t’ju futet thellë në esencën e jetës pa u sforcuar dhe pa e parë si “sakrificë” për kohën që po i kushtojnë një herë në javë në shkollë. Si kënaqësi që nesër do ta konsiderojnë një pasuri të paçmuar.
AKTIVITETET KRYESORE TË ZHVILLUARA DHE PLANET PËR KËTË VIT


Të panumërta! Na pret një aktivitet madhështor të dielën, ditë që përkon me Festën e Flamurit, 28 Nëntorin e shenjtë!

VËSHTIRËSITË DHE SFIDAT E MËSIMIT ONLINE


U punua më shumë se një vit në mësimin online. Kushtet e Covid-19 na obliguan për një zgjidhje të tillë. Por edhe se numri është më i kufizuar në këtë formë mësimdhënie, patëm momente jashtëzakonisht pozitive. U lidhëm edhe më shumë me prindërit duke bërë edhe projekte me ta lidhur me situatën dhe kushtet që të krijojnë stres dhe probleme në pandemi të tilla. Më shumë se asnjëherë kemi bërë projekte artistike për t’i argëtuar dhe mësuar fëmijët. Nga Shtatori kemi filluar në shkollë por klasat online vazhdojnë me ata fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të vijnë dot në shkollë dhe kjo ishte edhe një e mirë e eksperimentimit të mësimit online, që më parë nuk bëhej. Jemi gjithmonë vigjilent, situata nuk është ende e qetë, bota nuk e ka kaluar emergjencën covid, ndaj në momentin ku nuk do të mundemi të vazhdojmë në shkollë do të kemi vullnetin e mirë, të gjithë së bashku ta gëzojmë dhe të mësojmë gjuhën në formën online.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2552
  • 2553
  • 2554
  • 2555
  • 2556
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT