• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërrim i komandës në KFOR – Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO

October 12, 2021 by s p

-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoron me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e KFOR-it Gjeneralmajor Franco Federici, me rastin e përfundimit të mandatit/

-KFOR – Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja prej 15 Tetorit  2021 do ketë komandant të ri Gjeneralmajorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári/

-Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it,  komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson/



Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar komandantin e KFOR-it, në Kosovë, Gjeneralmajor Franco Federici me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontribut në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit gjatë mandatit të tij në krye të këtyre trupave.

Presidentja Osmani ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in, duke potencuar se synim strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 22 vitesh në pranverën 1999,  prej 15 Tetor  2021 do ketë komandant të ri Gjeneralmajorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári, i cili merr detyrën nga  Gjeneralmajori Franco Federici – pasuesi i Gjeneralmajorit Michele Risi që përfundonte misionin operacional 1-vjeçar në 13 Nëntor 2020.

Ceremonia e ndrërrimit të komandës mes KFOR XXV dhe KFOR XXVI do të bëhet në Kampin Film City (Shtabi i KFOR-it) në Prishtinë në 15 tetor në orën 11:00. Admirali Robert P. Burke, Komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, do të kryesojë ngjarjen.

Gjeneralmajor Ferenc Kajári për median hungareze MTI ka thënë se ai do të jetë komandant i trupave të 27 vendeve (19 anëtarë të NATO-s dhe tetë vendeve partnere) që sigurojnë personelin e KFOR-it.  Ai tha gjithashtu se KFOR ishte operacioni më afatgjatë dhe më i suksesshëm i NATO-s që nga viti 1999, citonte media në  25 Gusht 2021.

Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it,  komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson.

Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s-KFOR-it,  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ende pa kaluar tre muaj Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit… Për këto ngjarje historike atëherë kam raportuar edhe nga minutat e para të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me aviacion luftarak edhe nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin e sillnin lirinë e paqen në Kosovë…

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Vjosa Osmani

NË TREGUN E URISË: HUMNERA E KABULIT

October 12, 2021 by s p

Nga LORENZO CREMONESI

Televizorë, komplete piatash, gotash, lugësh, pirunjsh e thikash, orendi të çdo lloji, kostume, male qilimash, stufa elektrike, freskuese, ngrohëse, biçikleta, motoçikleta, deri edhe djepe: afganët shesin nën çmim gjërat e tyre për të kërkuar të mbijetojnë. Duhet të vihet në tregjet qytetare për të kuptuar të keqen e shëmbjes ekonomike. Ai i Jadei Maiwan, në qendër të kryeqytetit, ka pushtuar rrugët, shitësit janë më të shumtë se blerësit. “Oferta e kalon kërkesën. Pashmangmërisht çmimet janë në rënie të lirë. Kush ka të holla mund të bëjë allishverishe t’arta. Mund të blesh çdo gjë me njëzet përqind më pak se çmimi në kohë të zakonëshme” thotë Zoaker Brahimi, një tregëtar 28 vjeç, që po blen nga një familje fqinjë kulltuqet dhe tavolinat e sallës me një vlerë prej 40.000 afganësh për rreth 5.000. “Kemi nevojë për të holla për të ngrënë. Nuk ka alternativë, veçse të shesim nën çmim” shpjegojnë ata. Zona është e mbuluar me komplete sallonesh. Por ka edhe shtretër prej druri të çmuar, komo, dollapë. “Prej dy muajsh jam pa rrogë. Jam martuar ka pak, për fat nuk kam fëmijë. Por duhet të mbaj edhe prindërit e moshuar. Shes atë që mundem me shpresë të mundem të iki sapo të më jepet mundësia”, tregon Nader Khan, një tridhjetëvjeçar i sapo diplomuar në mjekësi. Hedh në tokë një qilim të mbështjellë: vlera 16.000 afganë, por nuk nxjerr më shumë se 2.000. Asgjë nëse mendohet se, për të ngënë mirë në restorantet e qëndrës, duhen së paku 1.000 afganë për njeri.

Në tregun e vogël të Wazir Akhbabar Khan, një nga lagjet më të kamura, arsyetohet me dollarë, mallrat janë më të çmuara. Ka mobilje luksoze, kostume të çmuara: por muzika nuk ndryshon. “E kishin vlerësuar televizorin tim të ri për 350 dollarë, kam marrë 60. Shpresonja të nxirrnja së paku 280 për frigoriferin amerikan, m’u desh të kënaqem me 80”, thotë 32 vjeçari Sultan Ahmad. Xhaxhai i tij ka punuar për bazat ushtarake amerikane, ka vizën e hyrjes për në SHBA. Sultani don të niset me të. Janë të gjitha pamje të të njëjtit problem. Shet kush ka mbetur pa punë, ka llogarinë rrjedhëse në bankë të bllokuar e i duhen të holla. Krahas atyre shesin të gjithë ata që shpresojnë të nisen. Mbas një muaji e gjysmë të fitores ushtarake talebane, Afganistani jeton një nga krizat më të rënda të historisë së tij. Ekonomia është e paralizuar. Bankat nuk japin më shumë se 200 dollarë në javë për kreditorët e tyre. Pothuajse asnjë nuk paguan rrogat. Më shumë se 9 miliard dollarët e rezervave të Shtetit janë ngrirë në bankat amerikane, që detyrojnë embargon. Kombet e Bashkuara flasin për dramë të sapo filluar. Talebanët luten të mos mbyllen kanalet humanitare, i kërkojnë OKB-së të ndigjohen, ndërsa ndihma ekonomike është karta e vetme që bashkësia ndërkombëtare mund të përdorë për të shtrënguar në urtësi qeverinë e re të Kabulit. Ndërkaq World Food Program lajmëron se janë 14 milion njerëz (pothuaj gjysma e popullsisë) në “krizë ushqimore” dhe 2 milionë në rrezik jete. Të ikurit e brëndshëm janë rreth 600.000 mijë.

“Ju mediat perëndimore shqetësoheni për gratë, por duhet të dini se këtu për qytetarin e mesëm drama më e madhe është mbijetesa e përditëshme”, shpjegon një reporter vendor i Reuters. Por në vitet e fundit shumë punonjëse kishin mbetur mbështetja e vetme e familjes dhe tani urdhëri për të qëndruar në shtëpi shton problemin e varfërisë. “Çdo marrëveshje ndërkombëtare është e paralizuar që nga 15 gushti. Edhe institutet më të shëndosha të kreditit janë në rrezik falimentimi. Ne dhe 700.000 klientët tanë nuk dijmë se çfarë të bëjmë. Talebanët nuk japin asnjë njoftim”, dëshpërohet Ahmed Shah Siddiqi i Afghanistan International Bank.

E gjithë shtresa e mesme e lartë rrezikon të fshihet. Shitësit e Hares Plaza, pallati i “computer technology”, nuk shohin një klient nga gjysma e gushtit. Shumë duan të mërgojnë menjëherë. “Jetojmë në pasigurinë e përgjithëshme”, thotë tridhjetëvjeçari Aharon Raufi, pronar i Kabul Shop, që prej pesë vitesh shet kostume të prerjes perëndimore të importuar nga Turqia. “Për talebanët un jam një armik. Nuk do të më vrasin. Thjesht nuk do të më lejojnë më të shes mallin që kam në magazina. Pra do të shkoj në falimentim”.

“Corriere della Sera”, 1 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Poezi nga Julia Gjika

October 12, 2021 by s p

FJALE E PAPESHUAR

Një fjalë e pa peshuar,

ku ti vendos tërë helmin

që mban, si zjarr

djeg jo vetëm lëkurën,

por depërton thellë në asht.

Dhimbja lëpin kockat

si reumatizma,

e dobëson zemrën, gati e plas.

BUZE OQEANIT

Endërroja një ëndërr

buzë oqeanit madhështor,

një dallgë gjigande,

la shtratin e vet,

u ngrit lart,

gati afër reve. Stërkalat

filluan të luajnë me to.

Pastaj dëgjova zhurmën,

dhe pashë përplasjen

e ujrave të shkumëzuara

pas shkembit.

Betejën kish humbur dallga.

U var në qafë të tij e ra

e pafuqishme.

thërmuar e rënuar.

Nuk dukej cfare ishte.

Faqja e shkëmbit shkëlqeu,

si asnjëhere nga rezet e diellit.

Nuk ishte as e para , as e fundit betejë

e dallgës kokëfortë,

fituar në qetësi, nga shkëmbi

pa levizur në vendin e vet.

10/11/2021.

VJESHTA NE NEW ENGLAND

Kjo vjeshtë,

shirat ja fali verës

gjethet në pemë

me përtesë ndrojnë ngjyrat.

E blerta është fuqizuar

dhe nuk pyet për erërat,

as për furcën e piktorit.

që s’kursehet.

E ngopur në lagështi.

Kjo vjeshtë stoike,

më dhuron.

një zemër të re

dhe një shpirt të ri.

Retë e ngarkuara

më ulen në sy

je këtu,

luan me flokët e mi.

Shihemi,

me duar prekemi.

Gjethet e tua,

si zogj fluturojnë,

udhën i hapin dimrit.

Prapa derës pret ai,

ndjej trokitjen e tij

dhe ty vjeshtë,

që sakaq jep shpirt.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika

Serbia po vazhdon përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës

October 12, 2021 by s p

Shkruan: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Serbia po vazhdon përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrativë e argumente të falsifikuara. Së fundi, në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM), që po mbahet në Beograd, Serbia sërish po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës.

Nën udhëheqjen e kasapit Sllobodan Millosheviq, Serbia ka shkaktuar shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, duke shkaktuar gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe duke shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të NAM-it. Si vend kolonizues, me politika destabilizuese, me mohim te gjenocidit të kryer ndaj civilëve të pafajshëm e me veprime që çdo ditë bien ndesh me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajonin tonë, Serbia dëshmon se është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NAM.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka tek mendësia Millosheviqiane.

Për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.

Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vjosa Osmani

Përballja e At Pjetër Meshkallës me Mehmet Shehun për mbylljen e kishave

October 12, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 11 Tetor 2021

“Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Me këto fjalë At Meshkalla i drejtohet kryeministrit vrastar Mehmet Shehu: “ E pabesueshme asht mbyllja! Vetem një Shqiptar që e ka qitë ceken me vdekë per Atdhe e Fe, ka mundësi me i thanë një kriminelit kryeminister komunist, se: Jeni tue shkelë premtimet solemne që i keni ba Europës. Tue dijtë se per terroristin e grupeve komuniste të Spanjës, tashti krahu i djathtë i tiranit Ever Hoxha, se “një prift katolik per ate asht vetem një shifer…” Dhe, nuk mjaftohet me kaq, po edhe vazhdon mendimin e vet per me e çue deri në fund ate që, At Meshkalla e ndryente permbrenda. Mbasi Mehmet Shehu i kundershtoi se:“Kjo asht propagandë armiqësore”, atëherë, At Meshkalla, shperthen si një vullkan i vertetë që rroposë shka i del perpara, pa marrë parasyshë aspak me cilin flet prej terroristave: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Të nderuem lexues! Kanë kalue 32 vjetë që kam pasë fatin me e sigurue këte leter historike, e ndoshta, kur ta ripersëritni leximin e këtyne rreshtave keni me u bashkue me mendimin tim: “Si ka shpetue At Pjeter Meshkalla, prift Katolik dhe jezuit Shqiptar, madje edhe prej Shkodret, studjue në Linz t’ Austrisë.., mbasi i ka thanë që as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ ka mujtë me ju ba nji propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”.  Asnjëherë kur e kam lexue nuk e kam gjetë shkakun e shpetimit të At Meshkallës, perveç një kujdesit të Mbinatyrshem per Atë Burrë Trim të pashoq. Kanë me kalue vite e vite të tjera dhe, asht e pamujtun per me gjetë dikush shkakun e shpetimit të vertetë të At Meshkallës, nga thonjtë e një katili të pashpirtë si ishin xhelatët Mehmet Shehu apo Ever Hoxha! E kur, pikrisht, mbas 22 vjetësh kur në mendjen e tyne, pushteti tashti asht i sigurt dhe i plotfuqishem. Gati gati e pabesueshme kur mendon njeriu sesi një Prift Katolik i thotë: “Ja keni ba vetit”. E krimineli vrastar asht i pafuqishem para Priftit t’ pranguem nder hekra. Një mister i vertetë! E sot, ma shumë se asnjëherë Jeta dhe Veprat fetare të At Mëshkallës duhen studjue ma shumë se kurr, mbasi Shqipnia komuniste, ishte e pakrahasueshme me të gjitha vendet tjera komuniste të Europës Lindore, per nga terrori dhe vrasjet e Klerikve Katolik Shqiptarë. Kjo perforcohet edhe me viziten e Papës së Parë që ka shkelë në Token Shqiptare. Një vizitë me të vertetë e paharrueshme historike dhe baritore e Shek. XX. E mos harroni kurr thanjen e Papës Gjon Pali i II, tek Sheshi i  monumentit  Skenderbeut në Tiranë, me 25 Prill 1993, para disa qinda e mija Shqiptarve: “Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian e asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!”. “Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit”. Këto thanje duhet me kenë të shkrueme nder të gjitha faqet e para të teksteve shkollore e universitare. Mbasi kam frikë se, “Europa i ka harrue këta porosi!” Fatkeqsisht, as në Shqipni.., sot, nuk ka mbetë kush prej “atyne”.., që duhen me ua kujtue.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovanai

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2799
  • 2800
  • 2801
  • 2802
  • 2803
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT