• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“TËRHEQJA E SHBA NJË QUMËSHT DALLËNDYSHEJE PËR KINËN, JEMI NË LUFTËN E DYTË TË FTOHTË”

September 12, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI

Historiani Ferguson: “Biden-i ka gabuar gjithshka në Kabul, tani një shkallëzim me Pekinin”. “Dyluftimit  mbi armët bërthamore i ka zënë vëndin ai mbi zgjuarsinë artificiale”

Nga i dërguari i ynë në Cernobbio

Juve flisni për një luftë të ftohtë të dytë botërore. Çfarë doni të thoni?

“Kanë qënë  e Para dhe e Dyta luftë botërore. Përse të mos jenë edhe e para dhe e dyta luftë e ftohtë botërore? – pyet  buzë Forumit Ambrosetti të  Cernobbios historiani i madh i Stanfordit Niall Ferguson – Do të ishim të verbër nëse do të shtireshim se nuk është kështu. Zgjatet prej pak kohësh dhe ka zanafillën në kalimin e Xi Jinping-ut – i pastër, i ndërgjegjshëm – drejt një shëmbëllese marksiste-leniniste më autoritare brënda e në planin ndërkombëtar drejt një shemërie të hapur me Shtetet e Bashkuara për zotërimin, së paku, të zonës së Paqësorit. Në planin e brëndshëm është mendimi i Xi Jinping-ut, mbikqyrja digjitale, përqëndrimi i pushtetit në shumë pak duar, kthimi në totalitarizëm. Në botë është rruga e Mëndafshit e e gjithë armëria e shtrirjes kineze”

A mjaftojnë këto për t’a përcaktuar një luftë të dytë të ftohtë?

“E para kishte përmasa ideologjike, gjeopolitike, ekonomike dhe rendjen drejt armatimit. Përsëri kemi të gjitha këto. Shemëria ideologjike është bërë e dukëshme që kur Xi ka deklaruar se idetë perëndimore janë më të këqiat. Pastaj ka një shemëri ekonomike dhe teknologjike. Jo më për armët bërthamore, por për zgjuarsinë artificiale. Ka një rendje për armatim, me kinezët që ndërtojnë raketa tokë-ajër në gjëndje që të fundosin një aeroplanmbajtëse. E nëse shohim hartën gjeopolitike, bota është tashmë e ndarë në dy blloqe: Vëndet që përdorin Huawei dhe të tjerët”.

A flisni me kolegët tuaj kinezë?

“Kur u them atyre privatisht se kjo është një luftë e ftohtë, ata më shohin e thonë: është afërmëndsh”

Shtetet e Bashkuara dhe Kina a nuk janë shumë të ndërvarur në planin ekonomik?

“Mund t’i ndajnë interesat e tyre ekonomike shumë shpejt. Në 1914 Gjermania dhe Britania e Madhe e bënë në pak kohë. Kina, me ndërveprimtaritë e saj ekonomike, mund të bëjë spiunazh në një shkallë shumë më të gjërë se sa sovjetikët nuk kanë arritur kurrë t’a bëjnë. E dinim përsosmërisht se çfarë bënte cilido qytetar sovjetik në Shtetet e Bashkuara. Por kinezët janë milionë: studentë, njerëz me viza pune…”

Universitetet amerikane a do të duhej të ndalonin dyndjen e tyre?

“Jo. Besoj se nuk ka asnjë lloj problemi në ardhjen e studentëve kinezë për të studjuar në Shtetet e Bashkuara. Është një gjë shumë pohenike e nëse ndokush do t’i ndalojë ai njeri do të jetë Xi Jinping-u. Por është më pak e mundëshme që kinezët të mund të punojnë në laboratorët e zgjuarsisë artificiale të Google apo Apple ose të pranohen në laboratorët e kërkimeve më të përparuara të Stanfordit. Do t’ishte sikur të kishim qytetarë sovjetikë në role të tilla në vitet 50”.

A nuk po e teproni me demonizimin?

“Ka një vështrim historik: në kohët e para të luftës së parë të ftohtë, shumë amerikanë dhe evropianë parapëlqenin t’a largonin këtë realitet. Disa vazhdojnë t’a bëjnë edhe sot, deri aty sa t’i venë fajin e shemërisë mes mbifuqive Shteteve të Bashkuara. Nuk është e pazakontë që në fillim të luftës së ftohtë intelektualët ose vëzhgues të tjerë t’i mohojnë vetvetes dukjen sheshit të dukurisë. Mua më duket se është një tjetër tregues. Edhe mbas luftës kishte ndonjë që donte të mbante marrëdhënie të mira me Stalinin e kishte vështirësi të kuptonte kush ishte e me çfarë merrej. Tani me Kinën jemi në një fazë si vitet 1946 ose 1947 ishin me Rusinë”.

Çfarë do të thoni?

“Nuk kemi mundur të përvehtësojmë plotësisht faktin që do të ketë një shkallëzim, sepse Xi Jinping-u ka nevojë të jetë luftarak – si Stalini – për arsye shtëpijake. Sistemi e kërkon sepse baza e ligjëshmërisë së Xi-së nuk mund të jetë përgjithmonë rritja ekonomike. Ekonomia do të ngadalësojë dhe tashmë ka prodhuar një pabarazi jugamerikane. Nëse ka një plutokraci në botë, ajo është Kina. Shtrirja ndërkombëtare shërben për të bërë levë mbi ndjenjën kombëtariste”

Pra Afganistani është një betejë e humbur nga ana e Perëndimit dhe e fituar për Kinën?

“Besoj se nga pikpamja kineze ka qënë një qumësht dallëndysheje, sepse administrata Biden nuk ishte e shtrënguar të gabonte gjithshka në këtë mënyrë. Mund t’a zbërthesh një mision kolonial në mënyrë të përshtatëshme, britanikët ishin mjaft të zotët në këtë. Ose mund të bëhet si Joe Biden në Afganistan. Bën të duket e mirë edhe ikja nga Saigoni më 1975”.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Afganistan, Eugjen Merlika, USA

Agim i një jete pa perëndim

September 12, 2021 by s p

Bardhyl Selimi

Lufta më e fundit (1998-1999) për çlirim në Kosovë, kurorëzoi përpjekjet 87 vjeçare të bashkëatdhetarëve tanë atje për ta hequr qafe zgjedhën serbe. Ajo u kushtoi jetën mijëra djemve dhe vajzave sypatrëmbura, që jetonin jo vetëm në vendlindje, por edhe në mërgatë. Vetëm nga Zvicra mike, me sa di unë, janë mbi 60 dëshmorë. Këtu në Tiranë i kam përcjellë përmes ekranit të televizionit ato skena prekëse të ardhjes së qindra vullnetarëve të lirisë nga mërgata, në Europë dhe Amerikë. Ndër to ishin edhe vajza 16 vjeçare, që u shkëputën nga shkolla, nga studimet apo nga jeta e sigurtë në vendet mikpritëse, duke vënë kryet në rrezik për Kosovën martire. Edhe djali im i vogël, Indriti, pasi kish dhënë 150 mijë lireta për fondin “Vendlindja thërret”, ishte i gatshëm ta bënte këtë nga Perugia e Italisë, ku studionte atë kohë. Ishte një kohë heroike, kur “kazani i luftës’ po ziente. Më kujtohet edhe im atë, gjatë vizitës së tij të dytë në Tiranë, në 1994, u thoshte djelmoshave kosovarë, që vinin ta takonin tek unë, që lufta guerilje është, hë për hë, zgjidhja më e drejtë, në mënyrë që pushtuesi serb mos të ndihet i pashqetësuar kurrë në truallin, e huaj për të. Por bashkëatdhetarët tanë zhvilluan jo vetëm luftë guerilje, ata u organizuan në formacione të mirëfillta ushtarake, ndonëse jo të papenguar edhe në shtetin amë, ku politika e brendëshme dhe ajo ndërkombëtare ndërhynte mjaft. Sapo përfundova se lexuari një liber, paksa të veçantë: një grua nga fshatrat e Kaçanikut legjendar tregon për të shoqin dëshmor. Është fjala për zonjën Zarije Zenuni-Bajrami dhe dëshmorin Agim Bajrami. Në një liber, në veten e pare, në mbi 250 faqe, pasqyrohet dashuria e sinqertë, që në shkollën e mesme, midis dy të rinjëve, pengesat që hasi kjo dashuri për arsye politike, vështirësitë që ajo kapërceu. Zarija u dashurua me Agimin, jo vetëm për bukurinë e tij, por së pari për karakterin, shpirtin e sakrificës që ai mishëronte, që në të ri, ndjenjat e tij kryengritëse për liri. Pasi u martuan, Agimi shkoi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, që në atë kohë ishte bërë i rrezikshëm për jetën e qindra djelmoshave shqiptarë. U dënua me burgim të gjatë që, falë dy amnistive, u shkurtua dukshëm. Vendosi të mërgojë ekonomikisht për ta mbajtë familjen e re, iu bashkua pas një viti edhe Zarija, me të cilën lindi tre fëmijë. Por kushtrimi i luftës çlirimtare nuk e linte të qetë Agimin në Zvicrën e begatë. U kthye në Kosovë si luftëtar. Edhe Zarija shprehu gatishmërinë t’i bashkohej atij, por u bind se kujdesi për mirërritjen e tre fëmijëve ishte më i rëndësishëm për Kosovën. Agimi u dallua në organizim, në sigurimin e armatimit fshehurazi, në beteja të herëpasherëshme, duke fituar adhurimin e shokëve. Mjerisht, më 10 gusht 1998, në kulmin e ofensivës së ushtrisë serbe, ai ra heroikisht, së bashku me dy ushtarë të tij. Ishte kjo një tragjedi për të dhe familjen. Por Zarija qendroi si burrneshë. Ajo u kthye paslufte në vendlindje, takoi shokët e luftës së bashkëshortit, mblodhi kujtimet e tyre dhe tani i pasqyroi ato në këtë liber, që bujarisht ma dhuroi, më pak se tri javë më parë në Lipjan, zoti Izet Krivanjeva, kujdestar vullnetar, ndër të tjera, i varrezave të dëshmorëve të Kaçanikut. Më bëhet qejfi që, ndër ata që ndihmuan me kujtime janë edhe të njohurit e mij përmes internetit:Adem Zaplluzha, Fadil Curri, Lumturi Plaku, Mehmet Bislimi. Është mirë kur lexon libra të tilla me dëshmi të mirëfillta nga ata që e kanë përjetuar luftën, pasi kështu njihesh më mirë me të vërtetën e kësaj lufte dhe të protagonistëve të saj.

Po sjell në vëmëdje të lexuesve vetëm një faqe nga ky libër mbresëlënës

“Nuk po shkoj në Kosovë në pushime, por po shkoj të luftoj (bashkë) me UҪK-në”. Kam përshtypjen se të gjithë heronjtë kanë një veçori të përbashkët e të pazakonshme nga të tjerët. Një të veçantë në mënyrën se si kanë vepruar, si kanë vendosur, si kanë rënë dhe çfarë amaneti kanë lënë. Është një psikologji e përbashkët e tyre dhe jam e bindur se shpirti i tyre i madh u jep një aftësi të veçantë, që nuk e kemi ne të tjerët. Ne mund ta duam shumë Atdheun dhe lirinë, Kosovën dhe Shqiptarinë, por nuk jemi heronj. Herojt janë kolosë të mendimit dhe veprimit për ideal. Ata nuk kanë gjë më të shenjtë se ideali. Kjo i bën ata heronj. I tillë ishte dhe Agim Bajrami. Ai kishte ideal të fortë dhe, me vetëdije, u kthye në Atdhe, për t’i dhënë emrin e tij Atdheut, për të paguar lirinë me gjakun e tij, për t’i dhënë gjithçka kishte, edhe frymën e fundit. Nuk u mjafua vetëm me fjalët e nxjerra nga shpirti për një Kosovë të lirë, nuk u mjaftua me dënimet në burgjet më famëkëqinj të Serbisë, nuk u mjaftua me torturat dhe dënimet që përjetoi në trupin e tij të ri; ai vazhdimisht jepte nga vetja, nuk ndalej së dhëni gjithçka kishte, e së fundi edhe jetën. Zvicra është një vend shumë komod për të jetuar i qetë, me familjen dhe miqtë, me punën e ndershme dhe paratë që fiton prej saj. Ky vend me bukuri magjike rrëzë Alpeve zvicerane, të bën për vete dhe ata që vendosen një herë këtu, e kanë të pamundur të shkëputen prej andej. Agimi i dinte të gjitha këto. Ai e vlerësoi këtë shtet edhe për pritjen e barabartë dhe pa paragjykime që u kish afruar shqiptarëve, por shpirti i tij nuk gjente qetësi kur vendi ishte nën pushtim. Sidomos me fillimin e luftës frontale, ai e kuptoi se nuk e kishte vendin këtu, por në Kosovë, atje ku luftohej, atje ku mbrohej Atdheu. Ishte idealist por edhe realist. Idealizmin e dashurisë për malet kreshnike shqiptare ai e shndërroi në realizëm, kur iu përgjigj thirrjes për ta mbrojtur këtë tokë. Atdheu në rrezik! Vendlindja thërret!

Kjo është psikologjia e heroit. Për ta dashur lirinë dhe vendin tënd, duhet të vihesh pakursim në shërbim të tij, pse jo, edhe të vdesësh për të!

Konspektoi Bardhyl Selimi, 12 shtator 2021                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                         

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bardhyl Selimi, Zarije Zenuni

Lashtësi dhe shkallë e lartë zhvillimi e kulturës sonë popullore

September 12, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Si një popull i lashtë me veti e atribute intelektuale e ndjenjësore të pasura, ilirët krijuan një kulturë popullore materiale e shpirtërore të një niveli të lartë zhvillimi, çka nuk mund ta pohojmë për një kulturë të shkruar. Nivelet e larta të kulturës së hershme ilire përfaqësohen me kulturën e ashtuquajtur Hallstatt, një vend në hapësirat alpine të Austrisë. Antropologu i shquar amerikan C. S. Coon, ka shkruar “Ilirët qenë krijuesit e qytetnimit të hekurit në Euvropën Juglindore, në nji kohë kur emni i Romës dhe i Athinës nuk ishin ndie ende” 1). “Kultura e Hallstatt, shkruan ai, asht lidhë me degën iliriane të gjuhëve indoeuropiane. Kjo asht e para herë në histori që nji gjuhë mund të identifikohet me nji kulturë dhe me nji racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë” 2). Materiale të ngjashme me ato të Hallstatt-it janë gjetur më vonë edhe në Glazinac të Bosnjës, në Prozor të Kroacisë dhe në vendin tonë:  në Koman, në Krujë, në Bukël (Mirditë), etj.

Në lëmije të kulturës shpirtërore ilire, trashëgojmë vepra arti me vlera të shquara artistike, sidomos, në fushën e arkitekturës dhe të skulpturës, në përgjithësi, të ndikuara nga arti helen e më vonë ai romak, por që kanë vulën e origjinalitetit ilir. Për t’u përmendur, ndër shumë të tjera, janë portat e portikët në qytete, varret monumentale të Selcës së Poshtme, amfiteatri i Durrësit, nimfeu dhe monumennti i Agonotetëve në Apoloni, koka skulpturore e hyjneshës së Butrintit, koka e ashtuquajtur e Demostenit, mozaikët e Arapajt, Apolonisë, Durrësit. 3).

Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë dokument të shkruar në gjuhën ilire. Është e tepërt të themi që na mungon një letërsi e tyre e kultivuar, siç e kanë grekët e romakët, edhe pse barabitemi në moshë me ta e edhe ua kalojmë, edhe pse kemi qenë e jemi që në lashtësi komshinj të tyre. Nga shkrimi i tyre njohim toponime, antroponime, disa glosa të vjelura nga autorë grekë e latinë dhe nga rrasat e varreve dhe disa fjalë që janë interpretuar si huazime ilire në greqishtën e vjetër dhe në latinishten. Disa emra të epopeve të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, si Akili, Laerti e ndonjë tjetër, dhe disa leksema që gjenden në këto dy epope janë shpjeguar me shqipen si një nënshtresë pellazgjike ose si fjalë që i përkasin dorianëve, fis ilir që invadoi Greqinë qysh në kohët parahistorike, në periudhën e invadimit të madh të popujve. Përpjekjet e filohelenëve t’i interpretojnë me greqishten, nuk kanë pasur sukses. 

Gjithsesi, rrënjët e kulturës sonë popullore lëndore e shpirtërore janë të ngulura thellë në kulturën ilire, sidomos në atë të antikitetit të vonë, kohë e ngjizjes së etnosit arbër. Duke folur për popullin tonë dhe lidhjen e tij gjenetike me ilirët, studiuesi i shquar kroat Sufflay ka thënë: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër kje nji faktor i fortë i historis, i cili njihej me emnin Ilir. Pastaj u zhduk për synin e histori-shkruesit ndër pshtjellimet e gadishullit ballkan, por fshehtasi bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore e folklore të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue në emnin Shqyptar (arbnuer), dha sheje të reja të fuqis së vet krijuese” 4). 

A jemi ne thjesht bij fisesh ilire barinjsh të pagdhendur që jetuan të rrasur ndër shpella e pyje të padepërtueshme dhe nuk kultivuan gjuhën e shkruar, apo pozicioni gjeografik i trojeve ilire dhe më vonë i atyre shqiptare solli me vete pushtimet e huaja romako-barbaro-bizantino-sllavo-turke, që i zhdukën shkrimet e tyre – këtë shkenca nuk e ka dëshmuar deri tani. Shtetet e organizuara ilire dhe qytetet e lulëzuara, niveli i lartë i kulturës popullore dëshmojnë një shkallë të lartë qytetërimi, që na bën të besojmë më së tepërmi në hipotezën e dytë. 

Lidhur me këtë çështje, Karl Patsch, në veprën e tij “Ilirët” na ka lënë një hamendësim që ka një kahje objektive, por që nuk mund të mohojë kategorikisht veprimtarinë e tyre në lëmin shkrimor: “Interesat shpirtërore të ilirëve, ka shkruar ai, nuk do të kenë qenë të mëdha, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë e në të pirë” 5). Ndërsa Çabej, duke folur për shqiptarët, ka shkruar: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote” 6). Shënojmë që këtu leksemën mistikë e ka përdorur si prirje ndaj vlerave shpirtërore, siç e përdorin në ndonjë rast të huajt; pra është po ajo që shpreh Patsch për ilirët. Për ta sqaruar më tej këtë çështje, ai ka shkruar: “Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare”. Në një rast tjetër, duke folur për romantizmin në letërsinë e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, ai ka shkruar: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës dhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësuese si gjetiu në Europë” 7).

E vërtetë është që ne nuk kemi “Iliada”, “Odise”, “Eneida”, etj., po kjo nuk do të thotë që tek ilirët, arbërit dhe shqiptarët e mëvonshëm ka munguar veprimtaria shpirtërore. Impulset e kësaj natyre ata i kanë sendërgjuar në fushën e kulturës popullore, ku ne përfaqësohemi denjësisht. Elemente rëndësore të etnokulturës sonë të lashtë janë studiuar dhe çmuar nga të huajt dhe janë bërë pjesë e thesareve të kulturës botërore. “Vlefta e një populli nuk matet me gjerësinë e tokës e me numrin e frymëve. Kombi ynë, i mbledhur nga një varg kontingjencash të kohëve, në një truall të ngushtë, ka mbetur i vogël, po të mëdha kanë qenë cilësitë e talentet e racës gjatë periudhave historike të vjetra e të reja” 8), ka shkruar eruditi ynë Hasan Dosti. Dihet që çdo popull, i madh a i vogël, gjatë historisë ka jetësuar kërkesat e veta shpirtërore origjinale, që e dallojnë nga popujt e tjerë.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërëse të kulturës shpirtërore, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike. Në mjegullnajat e kohëve nuk kanë humbur rrënjët e krijimit të një etike të fisme humane që e dallon popullin tonë nga popujt e tjerë të afërt dhe të largët, dhe që u ruajt gjatë shekujsh nga breznia në brezni nga të parët tanë, dhe shërbeu për t’u dhënë frymën rregullimit shoqëror të jetës, zakoneve, etj. Tipare të tilla shpirtërore si nderi, burrëria, besa, mikpritja, dhe përbërës të tjerë të siluetës shpirtërore të popullit tonë janë emblematike në historinë shpirtërore të popujve. Ato kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e të huajve që janë njohur me popullin tonë.

Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive, trashëgim që ka ardhur deri në ditët tona.

Na është dëshmuar kjo kanunësi nëpërmjet të së drejtës zakonore, në të cilën virtytet tona janë dhënë në mënyrë sinkretike me kodin juridik. Elementet e kësaj kanunësie etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë gjeneratorin organizativ themelor të jetës. Siç dihet, fiset ilire qeveriseshin në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale dhe janë treguar konservatorë në ruajtjen e tyre. Zavalani ka shkruar: “Elementi i qindrueshem i shoqnis së atëhershme ishte fisi, i cili vetqeverisej në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale që kanë gjetë ma vonë shprehjen e tyne në Kanunin e Lekë Dukagjinit” 9). Edhe mbas pushtimit romak, ilirët e ruajtën vetëqeverisjen e tyre mbi bazën e së drejtës zakonore, siç na e pohon E. Koliqi në studimin e vet: “E Drejta e Kanunit Shqyptar dhe E Drejta Romake”10). Dhe kështu, kjo “ligjë gojdhânore, e vetmja qi u ruejt gjer sot n’Europë”, siç shprehet ai, ka ardhur deri në ditët tona.

Shqiptarët e ruajtën dhe e pasuruan të drejtën zakonore, trashëguar prej të parëve tanë dhe e ripërtrinë në mesjetë nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur përmbledhur nga Gjeçovi, të Prijësit dhe Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu, mbledhur e kodifikuar nga Dom Frano Illia, dhe nën emrin e “Papa Zhulit”, që më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, u aktualizua dhe u njoh si “Shartet e Idriz Sulit”, të cilat u kodifikuan tash së voni, nën emmrin “ Kanuni i  Labërisë” nga Ismet Elezi. 

Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve” 11). 

Është për t’u shënuar se në dallim me kanunet e lashta e mesjetare të popujve të tjerë, si p. sh. me Kodin e Hamurabit a me Kodin e Stefan Dushanit, e drejta jonë zakonore dallon për një frymë të lartë fisnikërie, çka tregon jo vetëm një shpirt human, po edhe një shkallë të lartë qytetërimi.

Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”12).

Vlera të padiskutueshme të një kulture të lashtë, populli ynë ka jetësuar në folklorin tonë, në këngët, vallet, përrallat, fjalët e urta, gjëzat, lojërat, etj. Në të gjitha fushat e saj, krijimtaria e popullit tonë përbën një fond qytetërimi të hershëm, me vlera të larta artistike, dëshmi e një imagjinate të freskët e mbështetur në një përvojë jetësore të pasur dhe të pjekur, dhe të një shijeje estetike të hollë, të një vlerësimi tejet të lartë të së bukurës.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve, në këto fusha, të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtytësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. “Gjatë luftës për ekzistencë me tri nga perandoritë më të fuqishme të kohëve: romaken, bizantinen dhe otomanen, populli ynë krijoi, veç të tjerave, edhe një ‘perandori të katërt’, perandorinë e tij poetike, e cila nuk ka cenuar kurrë kërkend, përkundrazi ka qenë përherë, në tërësinë e saj, një mesazh miqësie për popujt e tjerë”, ka shkruar Ismail Kadare.13). Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla, një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike dhe të një imagjinate tejet të pasur, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me indianët, arabët e keltët, popujt që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në prehrin e gjuhëve indoeuropiane, pasurinë, bukurinë, origjinalitetin dhe rezistencën e saj ndaj gjuhëve të pushtuesve.

Një dëshmi tjetër e gjallë e shpirtit shqiptar krijues artistik është etnomuzikologjia jonë me rrënjë në lashtësitë e antikitetit. “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 14). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 15). Një monument i një rëndësie të jashëzakonshme në fushën e etnomuzikologjisë sonë është iso-polifonia, që UNESCO e ka shpallur “Kryevepër e trashëgimisë popullore të njerëzimit” 16). Burimin e iso-polifonisë, studiuesi Vasil S. Tole e gjen tek “E qara me botë” 17). Të qarët në grupe është i njohur edhe në Shqipërinë e Veriut, ku quhet gjamë.  Një gjamë të tillë, të zhvilluar në ditët tona në Dukagjin,   e ka treguar At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue-II”. Ai e ka cilësuar atë si “doken më të vjetër, pa dyshim parahistorike”18). Udhëtari anglez Th. Hughes ka shkruar në librin e tij “Travels in Sicily, Greece and Albania”, botuar në Londër, në vitin 1820, që në të njëjtën mënyrë si vajtonin me logori gratë gjirokastrite kishte qarë Uliksin Penelopa e tij. 19). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”, ka shkruar muzikologu Beniamin Kruta. 20).

  Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë popullore. Janë të njohura vallet tona, një manifestim dhe përqendrim i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 21). Të magjepsur prej valles kombëtare të palikarëve shqiptarë dhe Çamçes, grekët i bënë ato të tyret. 

Një dëshmi tjetër po aq me vlerë e gjejmë te kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike. Nga moria e pafund e kostumeve, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, dhe fustanellën, të cilën Bajroni e pati quajtur “kostumin më të bukur në botë”; prandaj edhe e lakmuan grekët dhe e huajtën, duke e bërë kostumin e tyre kombëtar.

 Kultura jonë popullore ka aq shumë përbërës që dëshmojnë fisnikëri shpirtërore, sa është e vështirë të trajtohen në një artikull. Po bie këtu si shembull lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është krejt e huaj.

Duke menduar këtë shkallë të lashtë e të lartë qytetërimi shqiptar me rrënjë ilire, vetvetiu të shkon mendja tek mungesa e kulturës së shkruar tek ilirët dhe letërsinë sonë artistike të dokumentuar aq vonë. Është e vështirë të pranosh që një popull me këtë potencë shpirtërore krijuese kaq të fuqishmme, një popull që krijoi një psikologji të veten autentike, një normë zakonore të rregullimit të jetës, një folklor aq të pasur, një epos original me vlera të padiskutueshme artistike,  një etnomuzikologji krejt të veçantë, etj., etj., të mos ketë lindur individualitete që të hedhin në letër veprimtarinë e tyre shpirtërore krijuese, atë veprimtari që do të kishte vendin  e vet të merituar në prehrin e kulturës së lavëruar botërore. A nuk patën edhe ilirët kërkesa të tilla shpirtërore si fqinjët e tyre grekë e romakë? Studiuesi Thoma Kacorri ka shkruar: “Megjithëse ilirishtja ka qenë gjuhë e shkruar, ende nuk kemi gjetur ndonjë tekst të saj. Kjo zbazëti duhet mbushur doemos.” 22).

Është jo vështirë, po e pamundur të besosh se ilirët nuk patën një kulturë të shkruar; më e mundshme është të pranosh se historia e gjatë e pushtimeve i bëri të paqena veprat e tyre. Edhe ne bijve të tyre nuk na qeshi fati. Është fakt historik i hidhur që në periudhën e errët 500-vjeçare të sundimit osman shqipja qe gjuhë e ndaluar, e helmuar, e masakruar. Vetëm më 1555 kemi veprën më të vjetër që ka arritur në duart tona në gjuhën tonë “Mesharin” e Gjon Buzukut, gjuha e të cilit dëshmon pa mëdyshje për një traditë shkrimi të përiudhës paraosmane, dhe vetëm më 1836 kemi veprën e parë të letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike, e edhe këtë të shkruar dhe të botuar në vend të huaj. 

Referenca

1). C. S. Coon, “The Races of Europe”, p. 182, cituar sipas Tajar Zavalanit, “Histori e Shqipnis”, Botues “Phoenix & Shtëpia e Librit”, Tiranë, 1998, f. 18.

2). C. S. Coon, vepër e cituar, p. 182, cituar sipas T. Zavalanit, vepër e cituar, f. 18.

3). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Shqipëria-Artet figurative dhe arkitektura”, f. 1055. 

4). Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët”, II, f. 33-34, Tiranë, 1926. Cituar sipas Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16.

5).“Ilirët” prej Hofrat Dr. Karl Patsch, përkthyem prej Karl Gurakuqit, Shtypshkroja “Nikaj”, Tiranë, 1922. 

6). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 27.

7). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 78-79.

8). Hasan Dosti, “Gjashtëdhjet-vjetori i fletores ‘Dielli”, në “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Përmbledhë nga Dr. Med. Hamdi H. Oruçi, f. 187. 

9). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 21.

10). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Romake”, sipas “albanovaonline.com”.

11). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, nr. 1 / 2007, f. 42.

12). “Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, Leonard Fox, “Introduction”, p. xix.

13). Ismail Kadare, Vepra letrare 12, “Autobiografi e popullit në vargje”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 58.

14). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

15). Thoma Kacori, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, “Revista Haemus”, nr. 18-20, v. 2003, f. 25.

16). Cituar sipas Prof. Dr. Agron F. Fico, “Isopolifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Illyria”, nr. 1723, dt. 19-21 shkurt, 2008.

17). Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit”, cituar sipas Prof. Dr. Agron Fico “Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit”, “Illyria, nr. 2075, 12-15 gusht, 2011.

18). At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue-II”, Botues “Hylli i Dritës”, 1997, f. 136- 140. 

19). Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.

20). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

21). Thoma Kacori, shkrim i cituar, f. 21.

22), Idem, ibidem, f. 26.

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Kultura Popullore

SHPËTIMI I SHQIPËRISE PO AFRON  

September 12, 2021 by s p

Thanas L. Gjika*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson mendimin dhe qëndrimin e Vatrës.

Sivjet më 21 qershor gjatë kthimit me autobuz me grupin e Rotarianëve korçarë nga Shkodra në Korçë u hap biseda lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. U shpreha mendimin se politika amerikane kishte zgjedhur si të keqen më të vogël, të përkrahte në ato zgjedhje Partinë Socialiste. Kur në pushtet të jetë PS-ja, Amerika do të ndihmojë rigjenerimin e Partisë Demokratike. Pas rigjenerimit të PD-së SHBA-të do t’i futen punës për sjelljen e kësaj partie në pushtet për të goditur PS-ë. Më kundërshtuan duke më thënë se klasa politike shqiptare është një e vetme e lidhur pavarësisht nga ndarja në partira politike dhe nuk mund të luftohet, gjë që nuk lejon rigjenerim politik.

Mirëpo SHBA-të e gjetën rrugën e shpëtimit me anën e shpalljes së Sali Berishës “Non grata” prej Departamentit te Shtetit. Ky vendim e detyroi Lulzim Bashën të mbajë qëndrim dhe të kërkojë largimin e Sali Berishës nga PD dhe nga grupi i saj parlamentar. Ky vendim i detyron anëtarët e PD të pozicionahen nëse do të mbrojnë interesin personal të Sali Berishës dhe të jenë antiamerikanë, apo do të mbrojnë interesin e tyre dhe të Shqipërisë dhe të jenë proamerikanë. Kuptohet se shumica e anëtarëve të PD-së nuk mund të bashkohen me S. Berishën.

Lulzim Basha pas këtij vendimi do të bëhet udhëheqësi real i PD-së dhe kjo do ta forcojë atë politikisht dhe do ta kthejë PD-në në një forcë politike të vërtetë poramerikane. Kjo do të shpjerë në forcimin e PD-së dhe së shpejti do të sjellë nevojën për zgjedhje të reja, të cilat do t’i fitojë Partia Demokratike e rigjeneruar dhe e forcuar si forca e vetme poramerikane në Shqipëri. Kjo parti pas ardhjes në pushtet do të vijojë goditjen e korrupsionit dhe do të kryejë përfundimisht Reformën në Drejtësi, pra shpëtimin e Shqipërisë.

Filed Under: Komente Tagged With: shqiperia, Thanas L Gjika, zgjedhjet ne Shqiperi

Rëndësia e fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe të Prof. Dr. Kolec Topallit

September 12, 2021 by s p

Nga Mehmet Elezi

Në vitin 2018 nëpër libraritë e Tiranës doli Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe. Vepër e Akademisë? Jo, vepër e një akademiku të vetëm. Autor ishte prof. dr. Kolec Topalli. 

Ani pse një prej gjuhëve më të vjetra të Europës dhe mbase të botës, gjuhës shqipe i mungonte një fjalor etimologjik.  Fjalori i Majerit ishte i vjetëruar dhe  i paplotë qysh kur doli, për shkaqe që dihen. Çabej, me Studimet Etimologjike në Fushë të Shqipes, hapi themelet.  Zbrazëtia e krijuar prej ikjes së tij të parakohshme nuk u mbush me asgjë.  Përpjekjet e ndonjë autori të huaj nuk përbënë dot lajm në albanologji. 

Të mos flasim me eufemizma. Kolec Topalli përbën fenomen në gjuhësinë shqiptare të 30 vjetëve të fundit. Sikur vetëm Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe të kishte nxjerrë prej duarve të veta, do të kish qenë e mjaftueshme. 

Por ky Fjalor nuk është vepra e vetme e Topallit. Fjalori është maja e një piramide, që autori  ndërtoi me punimet e tij. Janë 18 vepra me peshë në fushën e gjuhësisë historike. Ndër to edhe Gramatika Historike e Gjuhës Shqipe (2011), punë e vëllimshme, me vështrime të reja. 

Fjalori Etimologjik mund të vlerësohet si kurora në krye të kësaj piramide. 

Nuk më takon me hy në vlerësime të natyrës gjuhësore për të, për më tepër vepra sapo kishte dalë. Vepra me gati dy mijë faqe është punë shkencore e mirëfilltë. e miratuar për botim nga Këshilli Shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është mbështetur me recensionet shkencore të profesorëve më të njohur të fushës.

Etimologjia, dhe në përgjithësi çështjet e historisë së gjuhës, janë hapësira të frikshme për dijetarin. Të mbushura me prita e pabesi. Lumë i nëndheshëm, nëpër të cilin duhet me notue, duke iu shmangur vorbullave e puseve pa fund. Nëpër terr, nëpër terr. Me ndonjë xixë të rrallë, të shkrepur aty-këtu nga paraardhës dhe kolegë të shquar. Hulumtimi nëpër to lyp formim shkencor të thellë, të qëndrueshëm, në universitete të mëdha. Lyp zotërim të shumë gjuhëve. Të reja e sidomos të vjetra. 

Topalli pati studiuar këtu, në Shqipëri. S’ka pasur fatin me punue në krah të një Çabeji, që ishte akademi lëvizëse mbi dy këmbë të gjata. As fatin e thjeshtë me qenë student në Tiranë s’e ka pasur. U diplomua  me korrespondencë, pa shkëputje nga puna.

Si arriti në këto kushte me studiue gjuhë të vdekura e dukuri që vijnë nga honet e fshehta indoeuropiane? Gjërave u duhet vënë emri që u takon. Botimet e tij flasin për një kërkues shumë të talentuar. Për intuitë e guxim shkencor jo të zakonshëm. Për vullnet profesional, që thyen shumëçka. 

Ky Fjalor ishtë ngjarje. Që vinte nga bota e VIP-ave të njëmendtë. E talenteve të heshtur, të përkushtuar. Të pambështetur. Jo rrallë të nemur, të përjashtuar. Të liçitur.

Ekranet dhe shtypi shqiptar duhej të gjëmonin. 

Nuk ndodhi.

E gjeta profesorin në shtëpi të mbledhur, nën peshën e një mjekimi të vështirë të kohëve të fundit.  Guxova me e pyetë, duke i marrë leje paraprakisht. Po, tha. 

Çfarë po? 

Po, Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe autori e kishte botuar me pensionin kursimet e veta, me tirazh modest. . Akademia e Shkencave i tha s’kemi fonde. Shteti nuk e mori përsipër. 

Pushtetarët bëjnë shpenzime të çmendura luksi, flitet e shkruhet përditë. Disamilionëshe vilat, Makina, udhëtime…  Politikanë që harrohen me gjethin e parë, veç në u mbajtshin mend për bëmat, luajnë me pare, shpërdorojnë pasuritë e shqiptarëve. Për Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe shteti nuk u gjet një shumë e papërfillshme. Sa? Në fund të fundit sa duhet me botue një libër!

Mund të përfytyrohet me ndodhë kështu në një vend të qytetëruar? Në një shtet sadopak serioz, ku interesi kombëtar është përparësi?

Kombet kanë shumë gjëra të shenjta. Ne shqiptarët po ashtu. Absolutisht e shenjtë për ne është gjuha shqipe. Herë të lirë dhe më shpesh të robëruar, të shpërndarë e të copëtuar nëpër disa shtete e me disa fe, ajo që na ka mbajtur të bashkuar gjatë historisë së mundimshme ka qenë gjuha shqipe, vetëm ajo. Gjuha shqipe ishte dhe mbeti ADN-ja jonë. Gjaku shqiptar identifikohej nëpërmjet saj.  E vetmja që na bashkon prapë të tërë, ajo është. Kush do t’i zinte në gojë shqiptarët, në qoftë se sot do të ishim duke folur e duke shkruar në gjuhët e fqinjëve a të dikujt tjetër?

Fjalorët etimologjikë, siç shkruan autori në parathënie, “janë pasqyrë e historisë së gjuhës”. Dhe, në një kuptim më të gjerë, “janë pasqyrë e historisë së vetë popullit që e flet atë… Nëpërmjet këtyrë fjalorëve dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane… e cila ka ndjekur një rrugë vetiake zhvillimi”.  

Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është një shtyllë mbajtëse për Atë që na mban. Për ngrehinën mijavjeçare të Gjuhës Shqipe. 

Kur një pushtet shpërfill gjënë më të shenjtë të kombit, nuk jep as një thërrimëz për të, çka mund të pritet më pas? 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kolec Topalli, Mehmet Elezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2844
  • 2845
  • 2846
  • 2847
  • 2848
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT