• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë

March 7, 2026 by s p

“Egoja, arroganca dhe avazi i vjetër i klasës politike po pengojnë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.”

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Republika e Kosovës, si një shtet i ri me institucione demokratike dhe kushtetuese, po përballet me sfida serioze për konsolidimin e shtetit të së drejtës, një parim thelbësor jo vetëm i të drejtës së brendshme, por edhe i standardeve ndërkombëtare të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Klasa politike aktuale, e karakterizuar nga narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca, nuk arrin të sigurojë funksionimin e institucioneve në përputhje me ligjin, duke cenuar besimin e qytetarëve dhe legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit. Ky fenomen ka pasoja direkte për stabilitetin demokratik, sundimin e ligjit dhe integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtarë.

1. Narcizoidizmi politik

Narcizoidizmi politik nuk është vetëm një tipar individësh; është një fenomen kulturor-politik që dominon sjelljen e elitës. Ai manifestohet përmes:

Egoizmit të tepruar: vendosja e interesave personale dhe partiake mbi ato kombëtare.

Mungesës së përgjegjësisë: moslidhja e veprimeve politike me pasojat reale për qytetarët.

Mosrespektimit të institucioneve dhe ligjit: institucionet funksionojnë shpesh si instrument i interesave partiake, jo si mekanizma të barabartë dhe të pavarur.

Raste konkrete:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2019 – dorëheqja e Kryeministrit dhe bllokimi i Kuvendit treguan se ambiciet personale mund të paralizojnë institucionet e shtetit.

Shkeljet e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2021 demonstruan se interesat e partisë shpesh e vënë interesin qytetar në plan të dytë.

2. Adoleshenca politike

Adoleshenca politike reflekton mungesën e pjekurisë institucionale dhe vendimmarrëse:

Vendimet shpesh janë emocionale dhe të nxituara, jo strategjike.

Dialogu institucional shpesh kthehet në konfrontime personale, duke penguar reformat e domosdoshme.

Pamundësia për të marrë përgjegjësi reale ndalon konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Raste konkrete:

Mocioni i mosbesimit në vitin 2017 – vendime të nxituara dhe akuza personale mbi çështje strategjike.

Përplasjet për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2025 treguan mungesë gatishmërie për kompromis dhe dialog institucional, duke paralizuar vendimmarrjen kushtetuese.

3. Arroganca politike

Arroganca politike shfaqet kur liderët mendojnë se ata e dinë më mirë për qytetarët, edhe kur realiteti tregon të kundërt. Shpesh kjo shfaqet si paraqitje se dinë atë që nuk dinë, dhe kur qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë e kuptojnë se klasa politike nuk po di, ajo vazhdon me avazin e vjetër, duke injoruar gabimet dhe sugjerimet për përmirësim.

Ky qëndrim është i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për një shtet që synon të jetë funksional dhe i bazuar mbi sundimin e ligjit, siç kërkohet edhe nga standardet e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara.

Minon bashkëpunimin dhe konsensusin në Kuvend dhe qeveri.

Rrit distancën mes institucioneve dhe qytetarëve.

Pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë.

Raste konkrete:

Reformat gjyqësore 2020–2023 – refuzimi i dialogut me opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë, duke mbajtur “avazin e vjetër”.

Ligji i Prokurorisë Speciale – arroganca politike pengoi implementimin e standardeve ndërkombëtare për drejtësi dhe llogaridhënie.

4. Pasojat për qytetarët dhe shtetin

Ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit, bazë e çdo demokracie të konsoliduar.

Besimi i qytetarëve te institucionet bie ndjeshëm, duke dëmtuar legjitimitetin kushtetues dhe ndërkombëtar.

Korrupsioni dhe nepotizmi lulëzojnë, duke cenuar standardet e transparencës dhe llogaridhënies të rekomanduara nga institucionet ndërkombëtare.

Stabiliteti demokratik dhe zhvillimi ekonomik pengohen rëndë.

Kur politika dominohet nga narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca, shteti i së drejtës mbetet një ideal i brishtë dhe çdo përpjekje për konsolidim institucional has në pengesa egoiste dhe të papjekura.

5. Rrugët e daljes

Kosova ka nevojë për një ndryshim thelbësor institucional dhe kulturor:

Liderë që vendosin interesin publik mbi egoizmin dhe arrogancën politike.

Institucione të pavarura dhe funksionale, të mbrojtura nga ndikimi politik.

Kulturë politike që nxit dialog, konsensus dhe përgjegjësi ligjore, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të demokracisë.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një shtet i fortë dhe i drejtë, ku sundimi i ligjit nuk është një formulë e zbrazët, por realitet i përditshëm.

Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, e shoqëruar me avazin e vjetër që klasa politike nuk pranon ta ndryshojë, janë pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë. Vetëm një klasë politike e përgjegjshme, e pjekur dhe e gatshme për kompromis, e udhëhequr nga parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare, mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të garantojë zhvillim dhe stabilitet për të ardhmen.

Filed Under: Fejton

Një jetë në shërbim të historisë shqiptare

March 7, 2026 by s p

Avzi Mustafa/

(In memoriam për Prof. Dr. Halim Purellkun)

Më 2 mars 2026, në orët e pasmesnatës, në Shkup, pushoi së rrahuri zemra fisnike, e madhe dhe me ndjenja humane e historianit të pepur të historisë kombëtare, prof. dr. Halim Purellkut. Ishte një lajm i hidhur që e tronditi jo vetëm familjen, por edhe të gjithë miqtë, shokët, kolegët dhe publikun më të gjerë kulturor. 

https://www.zemrashqiptare.net/images/article/2016_04/42857/u1_Halim-Purellku.jpgÇdo vdekje e njeriut është e tillë, e papritur dhe e dhimbshme, pavarësisht lidhjes me jetëgjatësinë dhe gëzimet që ajo sjell. Por, kur ajo përmbush misionin e saj, për ne – të dashurit që kemi jetuar dhe përjetuar jetën me krijimtarinë e tij, pasurimin dhe përparimin e njerëzve dhe botës së jetës – atëherë emocionet tona arrijnë kulmin, dhimbja bëhet më e thellë dhe më e gjerë, ndërsa vetëdija për humbjen e një personaliteti të madh shpërthen në hapësirën e reales.

Kur vdekja Halim Purellkut u bë realitet që duhej pranuar, ne mundëm me dinjitet dhe dhimbje ta shprehim edhe kënaqësinë që në hapësirën tonë shoqërore, në periudhën e zhvillimit madhështor të arsimit, kulturës, shkencës, ai dha një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin tonë të përgjithshëm.

Halim Purellku u lind në vitin 1952 në fshatin Serbicë të Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Studimet për histori i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1977, ku më pas mori edhe titullin magjistër i shkencave të historisë. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Tiranës. 

Gjatë karrierës së tij punoi si profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe, më pas, si ligjërues në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik – dega e Historisë.

Prof. dr. Halim Purellku ishte një shembull i mrekullueshëm i ndershmërisë intelektuale dhe vepruese, i përkushtimit ndaj përparimit e humanizmit me pastërtinë e veprës dhe mobilizimin e potencialit njerëzor midis punonjësve të arsimit e shkencës jo vetëm në Maqedoni, por në tërë hapësirat shqiptare. Si një shembull i ndritur i frymës krijuese dhe arritjeve, prof. Halimi për pesë dekada veproi pa ndërprerë deri në frymën e fundit.

Me ikjen e tij nga kjo botë, në kuptimin fizik do të na mungojë, por ai do të jetë i pranishëm derisa të këtë shqiptarë dhe histori, sepse ai la një mori studimesh e veprash që i takojnë historisë shqiptare. Veprat e tij shkencore, si dhe puna e tij ligjërues në shkollat e mesme dhe në universitet, do të mbeten gjithmonë të ngulitura në mendjen dhe zemrën e shumë gjeneratave të nxënësve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Studimet shkencore dhe punimet e tij profesionale kanë vlerë të qëndrueshme në shkencën e historisë. Kjo qëndrueshmëri është vërtetuar edhe me faktin se ai kurrë nuk shkruante pa e dokumentuar punën e tij me të dhëna arkivore e dokumente, që nuk ishin vetëm dëshmi e hultimit të tij, por njëherazi edhe orientim në kërkimet e mëtejshme. Andaj ai i mori vlerësimet më të larta që mund t’i bëhen një autori të shkencave të historisë.

Veprat e tij flasin për një hulumtues dhe veprimtar revolucionar gjatë dekadave të trazuara të historisë sonë. Bashkëkohësit dhe njohësit e personalitetit dhe veprës së prof. Halimit thonë se ai ka ofruar një bazë të çmuar për hulumtime e vlerësime të mëtejshme dhe plotësim të argumenteve historiografike. 

Ai kudo e ngrinte zërin për një rivlerësim të historisë kombëtare dhe atë e kërkonte nëpërmjet një ndërmarrjeje shkencore. Kjo qasje do ta sjellë që ai të jetë një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, e cila do ta botojë revistën shkencore “Kërkime historike”. Kjo revistë do t’i bëjë bashkë historianët më të mirë shqiptarë, të cilët aty do ta gjejnë tribunën e ndërtimit të mendimit shkencor në fushën e historiografisë shqiptare. Ai ishte organizator edhe pjesëmarrës aktiv në kongrese historike, këshillime dhe marrëveshje të ndryshme për qëllime shkencore. 

Pikëpamjet e tij progresive e të drejta, të artikuluara me një akribi të lartë shkencore, shpeshherë nxirrnin atë si të papërshtatshëm nga regjimi komunist, por edhe më vonë. Për këtë arsye, prof. Halimi ishte nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të pushtetit. Megjithatë, kjo nuk e pengoi atë që të vepronte në frymën e përparimit dhe zhvillimin e shkencës. 

Kontributi i tij nuk ishte vetëm shkencor, por edhe kombëtar. Ai ishte njëri ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës, të cilin e shihte si mundësi për emancipim kombëtar edhe si mundësi e fuqizimit të identitetit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë.

Vdekja e prof. Halimit është një humbje e madhe për shkencën historiografike shqiptare, por një humbje e madhe edhe për mua. Unë e humba njeriun me të cilin kemi qarë aq halle bashkë që nga shkolla e mesme, në fakultet e në punën tonë universitare, ndërsa kemi marrë pjesë bashkë edhe në shumë simpoziume e debate. 

Halim i dashur, këtë humbje nuk kam si ta përshkruaj ndryshe, pos që të pajtohem me poetin e madh Sergej Esenin:

“Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!

Ty këtu në shpirt të kam, ta dish!

Fati po na ndan sot pa dëshirë,  

Po diku do shihemi sërish! 

Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!

Vetullat t’i ngrysësh, s’ka përse.

Vdekja s’është gjë e re në botë.

As të rrosh nuk është gjë e re”.

Filed Under: Rajon

Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?

March 7, 2026 by s p

Rafael Floqi/

Nga lufta ushtarake te beteja për të ardhmen politike të Iranit

Në diplomacinë ndërkombëtare ekziston një rregull i pashkruar: fuqitë e mëdha shpesh bëjnë shumë gjëra në heshtje, por rrallë i thonë ato hapur. Donald Trump nuk i përket kësaj tradite. Kur ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në përzgjedhjen e liderit të ardhshëm të Iranit pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit, reagimet nuk vonuan. Diplomatët u tronditën, kritikët e quajtën ndërhyrje në sovranitetin e një shteti, ndërsa mbështetësit e interpretuan si një deklaratë të sinqertë për realitetin e politikës së fuqive të mëdha.

Por përtej polemikave diplomatike, deklarata e Trumpit ngriti një pyetje thelbësore: nëse Amerika dhe aleatët e saj po përballen me një regjim që për dekada ka kërcënuar rajonin dhe interesat e tyre strategjike, a duhet të qëndrojnë duarkryq kur vendoset se kush do ta drejtojë atë vend?

Në këtë kuptim, deklarata e tij nuk ishte vetëm provokim politik. Ajo ishte një sinjal se konflikti aktual mund të jetë shumë më tepër sesa një operacion ushtarak kundër raketave dhe infrastrukturës ushtarake iraniane. Ai mund të jetë një betejë për drejtimin që do të marrë Irani në vitet që vijnë.

Vakumi i pushtetit pas vdekjes së Khameneit

Vrasja e Ajatollah Ali Khameneit më 28 shkurt 2026 përbën një nga momentet më dramatike në historinë moderne të Lindjes së Mesme. Për më shumë se tre dekada ai kishte qenë figura qendrore e sistemit politik iranian dhe autoriteti përfundimtar mbi ushtrinë, politikën e jashtme dhe institucionet kryesore të shtetit.

Eliminimi i tij nuk ishte vetëm një goditje ushtarake. Ishte një goditje politike që tronditi vetë strukturën e pushtetit të Republikës Islamike.

Sipas kushtetutës iraniane, lideri suprem zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ i përbërë nga klerikë të lartë. Në teori procesi është i qartë. Në praktikë, ai zhvillohet në një terren shumë më të ndërlikuar, ku përplasen interesat e elitës fetare, Gardës Revolucionare dhe fraksioneve politike të regjimit.

Në këtë kontekst, një nga kandidatët më të përfolur është Mojtaba Khamenei, djali i liderit të vrarë. Ai shihet nga disa qarqe si figura që mund të garantojë vazhdimësinë e sistemit. Por pikërisht këtë mundësi Donald Trump e refuzoi publikisht, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe një figurë “të dobët”.

Një deklaratë që ndryshon debatin

Kur një president amerikan deklaron se dëshiron të ketë rol në përzgjedhjen e liderit të një vendi tjetër, kjo ndryshon menjëherë natyrën e debatit strategjik.

Trump argumentoi se lideri i ardhshëm i Iranit duhet të jetë një figurë që sjell harmoni dhe paqe dhe që nuk përbën kërcënim për SHBA dhe aleatët e saj.

Në një intervistë ai deklaroi: “Unë duhet të jem i përfshirë në përzgjedhjen e liderit të ardhshëm.”

Ai madje e krahasoi situatën me Venezuelën, duke përmendur rastin e Delcy Rodríguez, e cila mori pushtetin pasi një operacion ushtarak amerikan çoi në arrestimin e presidentit Nicolás Maduro dhe transferimin e tij në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza federale për trafik droge.

Krahasimi është domethënës. Ai sugjeron një model strategjik ku ndërhyrjet ushtarake mund të krijojnë kushtet për ndryshime politike në krye të regjimeve që konsiderohen armiqësore.

A po shndërrohet lufta në projekt politik?

Zyrtarisht, Pentagoni deklaron se operacionet ushtarake kundër Iranit synojnë vetëm dobësimin e kapaciteteve ushtarake dhe neutralizimin e kërcënimeve të tij. Megjithatë, deklaratat politike nga Shtëpia e Bardhë sugjerojnë një ambicie më të gjerë.

Nëse lideri i ri iranian do të vazhdojë të mbështesë milicitë rajonale dhe programin raketor, atëherë konflikti me Perëndimin mund të vazhdojë për dekada. Nga kjo perspektivë lind pyetja që Trump e ngriti në mënyrë të drejtpërdrejtë: a ka kuptim të fitosh një luftë ushtarake nëse në fund gjithçka mbetet njësoj në Teheran?

Historia ofron shembuj të ngjashëm. Nga Irani i vitit 1953 deri te Iraku i vitit 2003, ndërhyrjet për ndryshim regjimi kanë prodhuar rezultate që shpesh kanë dalë jashtë kontrollit të strategëve që i nisën ato.

Reagimi i Teheranit

Irani ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi akuzoi SHBA-në për një “krim në det” pasi një fregatë iraniane u fundos nga marina amerikane në Oqeanin Indian, duke shkaktuar dhjetëra viktima. “Shënoni fjalët e mia: SHBA do ta pendohen hidhur për precedentin që kanë krijuar,” deklaroi ai.

Ndërkohë, një klerik i lartë iranian bëri një thirrje të rrallë për dhunë në televizionin shtetëror, duke kërkuar derdhjen e gjakut të izraelitëve dhe të Donald Trumpit.

Deklarata të tilla tregojnë se konflikti ka hyrë në një fazë shumë më të rrezikshme.

Mjegulla strategjike

Paradoksi i konfliktit aktual është se objektivat e tij mbeten të paqarta. Pentagoni flet për neutralizimin e kërcënimeve ushtarake, ndërsa deklaratat politike sugjerojnë ndikim në strukturën e pushtetit iranian.

Kjo krijon një mjegull strategjike që shpesh karakterizon luftërat moderne. Kur qëllimi nuk është i qartë, çdo zhvillim i ri mund të justifikojë një hap tjetër drejt përshkallëzimit. Në rastin e Iranit, rreziku është edhe më i madh, sepse vendi ndodhet në qendër të rivaliteteve mes fuqive të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Beteja për të ardhmen e Iranit

Në thelb, ajo që po ndodh është një betejë për të ardhmen e Iranit. Nga njëra anë janë strukturat e regjimit aktual, veçanërisht Garda Revolucionare. Nga ana tjetër janë segmentet e shoqërisë iraniane që kërkojnë një hapje më të madhe ndaj botës.

Por ekziston edhe një faktor i tretë: ndikimi i fuqive të jashtme. Nëse zgjedhja e liderit të ri perceptohet si e diktuar nga jashtë, kjo mund të prodhojë një reagim të fortë nacionalist. Historia tregon se popujt shpesh bashkohen rreth qeverive të tyre kur ndihen të kërcënuar nga ndërhyrje të huaja.

Një pyetje që mund të përcaktojë dekadën

Konflikti aktual nuk është vetëm një luftë për raketa apo për programin bërthamor iranian. Ai është një betejë për të ardhmen politike të një prej vendeve më të rëndësishme të Lindjes së Mesme.

Dhe në qendër të kësaj beteje qëndron një pyetje e vetme: a do ta zgjedhin iranianët vetë liderin e tyre, apo do të përpiqen fuqitë e mëdha ta formësojnë atë nga jashtë? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të përcaktojë jo vetëm fatin e Iranit, por edhe drejtimin e politikës ndërkombëtare në vitet që vijnë. Sepse historia ka treguar shpesh se luftërat që fillojnë me qëllime të paqarta përfundojnë duke ndryshuar shumë më tepër sesa kishin menduar ata që i nisën.

Filed Under: Analiza

Një monument letrar për viktimat e diktaturës…

March 7, 2026 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Në panoramën e letërsisë shqiptare të diasporës, romani “Brenga” i Dr. Pashko R. Camaj zë një vend të veçantë, si vepër që bashkon dëshminë historike me reflektimin filozofik dhe me ndjeshmërinë artistike. Autori, i lindur në Malësinë e Madhe, në trevat shqiptare në Mal të Zi, u formua në një mjedis ku identiteti kombëtar ishte akt qëndrese. Shkollimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kreu studimet universitare, specializimet dhe doktoraturën në fushën e shëndetit publik, duke u bërë doktor i shkencave dhe profesionist i respektuar në institucionet amerikane.

Veprimtaria e tij akademike u shoqërua me angazhim të thellë kombëtar. Si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, si pjesëmarrës aktiv në shoqata dhe organizata shqiptare në diasporë, ai u bë një zë i qartë në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të kujtesës historike. Në të njëjtën kohë, ai hyri në letërsi me romanin e parë “Porosia e Kullës”, një vepër që ruan frymën e traditës dhe të trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Por romani i dytë, “Brenga”, shënon kulmin e pjekurisë së tij krijuese.

Shtysa për ta shkruar “Brengën” buron nga dhimbja personale dhe nga historia kolektive. Gjyshi i autorit u vra nga forcat komuniste jugosllave, vetëm një kilometër larg shtëpisë së tij. Kjo plagë familjare u bë plagë e ndërgjegjes. Autori nuk zgjodhi heshtjen, por dëshminë; nuk zgjodhi harresën, por kujtesën. Në këtë pikë, “Brenga” mund të krahasohet me romanet e mëdha të letërsisë botërore që kanë trajtuar totalitarizmin dhe dhunën ideologjike.

Në aspektin tematik dhe moral, romani i Dr. Camajt ka afërsi me veprën Aleksandr Solzhenitsyn, sidomos me romanin The Gulag Archipelago, ku përshkruhen kampet sovjetike dhe shkatërrimi i njeriut nën diktaturë. Ashtu si Solzhenitsyn, edhe Dr. Camaj e shndërron letërsinë në akt dëshmie morale. Po kështu, dimensioni alegorik dhe paralajmërues i “Brengës” mund të krahasohet me vizionin e George Orwell në romanin 1984, ku sistemi totalitar depërton në mendjen dhe jetën e njeriut. Ndërsa në planin e thellësisë filozofike dhe të analizës së vuajtjes, romani i Camajt kujton reflektimet e Viktor Frankl në veprën Man’s Search for Meaning, ku dinjiteti njerëzor mbetet i pathyeshëm edhe në kushtet më çnjerëzore.

Në qendër të “Brengës” qëndron figura e Tonin Mirakajt, simbol i shqiptarit të përndjekur nga diktatura komuniste. Ai përjeton survejimin, presionin ideologjik, torturat psikologjike, kërcënimin e burgimit dhe frikën e përhershme për familjen e tij. Autori përshkruan me realizëm dramatik vuajtjet, netët e ftohta të pasigurisë dhe izolimin shoqëror. Kur rreziku bëhet i padurueshëm, Tonini detyrohet të marrë rrugën e arratisjes, duke lënë pas shtëpinë dhe varret e të parëve. Emigrimi i tij në Amerikë është shpëtim fizik, por jo çlirim i plotë shpirtëror; brenga mbetet si gjurmë e pashlyeshme.

Në kontrast me të qëndron Marku, personazh tragjik që mbetet në atdhe dhe përfundon në burgjet famëkeqe të Burrelit dhe Spaçit. Në këto hapësira të errëta, ai përjeton tortura, punë të detyruar, izolim dhe poshtërim. Ai nuk dënohet për krim, por për qëndrim moral. Marku mishëron mijëra shqiptarë të zhdukur në errësirën e diktaturës. Në këtë dualitet mes Toninit dhe Markut, autori ndërton një reflektim filozofik mbi zgjedhjen, sakrificën dhe dinjitetin: njëri shpëton trupin përmes largimit, tjetri ruan tokën dhe paguan me jetën e tij. Të dy janë forma të qëndresës.

Parathënia e romanit nga shkrimtari i njohur Visar Zhiti e thekson “Brengën” si akt katarsisi dhe si ndërthurje të së vërtetës historike me artin letrar. Sipas tij, kjo vepër është një dëshmi që nuk kërkon hakmarrje, por ndërgjegjësim; nuk kërkon përçarje, por dritë mbi të vërtetën.

Një falënderim i veçantë i takon shtypit “Onufri ” për përkujdesjen profesionale dhe interesimin në botimin e kësaj vepre, duke kontribuar në ruajtjen dhe përhapjen e saj në publikun shqiptar.

Me dy romanet e tij – “Porosia e Kullës” dhe “Brenga” – Dr. Pashko R. Camaj dëshmon se është intelektual i kompletuar: doktor i shkencave, studiues, veprimtar kombëtar dhe shkrimtar i ndërgjegjes historike. Veprat e tij kanë vlerë jo vetëm letrare, por edhe historike e filozofike. Ato trajtojnë dramën e diktaturës me një thellësi që do t’i bëjë të qëndrojnë gjatë në bibliotekat kombëtare shqiptare dhe në kujtesën e brezave.

Dr. Camaj është sot një figurë e mirënjohur në botën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Me “Brengën”, ai ka ngritur një monument letrar për viktimat e diktaturës dhe një testament moral për brezat që vijnë. Ai mbetet intelektual, shkrimtar dhe doktor i shkencës që i shërben kombit me dije, me art dhe me përgjegjësi historike. Në këtë kuptim, romani i tij ka një vlerë të madhe historike dhe filozofike dhe përfaqëson një nga dëshmitë më të fuqishme të kujtesës sonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar

March 7, 2026 by s p

Prof. Dr. Skender Asani/

Me rastin e 7 Marsi, Dita e Mësuesit, kujtesa historike e kombit shqiptar rikthehet drejt një prej kapitujve më të ndritur të historisë sonë arsimore dhe kulturore, aty ku rrënjët e shkollës shqipe ndërthuren me idealin e madh të Rilindjes Kombëtare dhe me sakrificën e atyre që e panë dijen si armën më të fuqishme të mbijetesës dhe të afirmimit kombëtar. Në këtë panoramë të gjerë historike, familja Qiriazi qëndron si një gur themeli i patundur, si një institucion i gjallë i kulturës dhe mendimit shqiptar, që me përkushtim dhe vizion kontribuoi në ndërtimin e themeleve të arsimit modern dhe në konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare. Në një epokë kur gjuha shqipe përballej me ndalime dhe kur identiteti shqiptar rrezikohej nga presionet asimiluese të kohës, veprimtaria e Gjerasim Qiriazi, Sevasti Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi mori dimensionin e një misioni historik, ku arsimi nuk ishte vetëm një proces pedagogjik, por një akt i ndërgjegjshëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe shpirtit të kombit shqiptar.

Në këtë kuptim, familja Qiriazi duhet parë jo vetëm si një familje e shquar arsimtarësh dhe intelektualësh, por si një qendër e rëndësishme e mendimit iluminist shqiptar që veproi në zemër të një prej qyteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare të kohës: Manastir. Ky qytet, i cili në fillimshekullin XX ishte një nga vatrat kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare, u bë vendi ku u ndërthurën përpjekjet për arsimin, për gjuhën dhe për identitetin kulturor të shqiptarëve. Pikërisht në këtë klimë të gjallë intelektuale dhe patriotike, familja Qiriazi kontribuoi jo vetëm në hapjen e shkollave shqipe dhe në përhapjen e dijes në gjuhën amtare, por edhe në krijimin e një infrastrukture kulturore që përgatiti terrenin për një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare: Kongresi i Manastirit i vitit 1908, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në mënyrë simbolike dhe historike, mund të thuhet se familja Qiriazi përfaqësonte një nga shtyllat mbi të cilat u ngrit vetë ideja e këtij kongresi. Përpjekjet e tyre për përhapjen e shkrimit dhe të arsimit shqip, për botimin e teksteve dhe për kultivimin e një vetëdijeje gjuhësore ndër shqiptarë, krijuan bazën intelektuale dhe kulturore që e bëri të mundur mbledhjen e intelektualëve shqiptarë në Manastir për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe. Në këtë kuptim, Kongresi i Manastirit nuk ishte vetëm një akt teknik i standardizimit të alfabetit, por një moment historik ku u vulos simbolikisht uniteti kulturor i shqiptarëve dhe u hodhën themelet e komunikimit modern kombëtar. Roli i familjes Qiriazi në këtë proces përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e kulturës shqiptare, sepse përmes veprimtarisë së tyre arsimi dhe gjuha u shndërruan në instrumente të fuqishme të identitetit dhe të vetëdijes kombëtare.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i kësaj trashëgimie lidhet me figurën e Parashqevi Qiriazi, e cila përfaqëson një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe diplomacisë shqiptare të fillimshekullit XX. Ajo nuk ishte vetëm një edukatore e përkushtuar, por edhe një zë i fuqishëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në Konferenca e Paqes në Paris (1919–1920) përbën një moment të rëndësishëm në historinë e përfaqësimit shqiptar në diplomacinë ndërkombëtare, ku ajo kontribuoi në sensibilizimin e opinionit botëror për të drejtën e shqiptarëve për një shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë kontekst historik, mbështetja e dhënë nga Presidenti amerikan Woodrow Wilson për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë përbën një nga momentet më domethënëse të diplomacisë ndërkombëtare të asaj kohe.

Në dritën e kësaj trashëgimie historike, përkujtimi i 7 Marsit merr një dimension shumë më të thellë simbolik. Ai nuk është vetëm një festë e mësuesve dhe e shkollës, por një moment reflektimi mbi rrugëtimin historik të arsimit shqiptar dhe mbi rolin e tij në ndërtimin e identitetit kombëtar. Familja Qiriazi përfaqëson një model të rrallë ku përkushtimi ndaj dijes, atdhedashuria dhe vizioni historik bashkohen në një mision të vetëm: emancipimin kulturor dhe shpirtëror të kombit shqiptar. Trashëgimia e tyre dëshmon se arsimi, kur mbështetet mbi idealin e lirisë dhe mbi dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, shndërrohet në institucionin më të qëndrueshëm të formimit të një kombi.

Prandaj, në kujtesën historike të shqiptarëve, familja Qiriazi mbetet jo vetëm një simbol i arsimit, por një shtyllë e identitetit kombëtar dhe një dëshmi e gjallë se historia e një populli ndërtohet mbi sakrificën dhe vizionin e atyre që besojnë se dija është drita që ndriçon rrugën e së ardhmes. Në këtë kuptim, 7 Marsi nuk është thjesht një datë kalendarike, por një moment solemn i reflektimit kombëtar, ku përmes kujtimit të Qiriazëve nderohet vetë ideali i arsimit shqip si themeli mbi të cilin u ngrit ndërgjegjja moderne e shqiptarëve dhe u përforcua uniteti kulturor i kombit.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT