• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall

March 5, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Takimi spontan me çelistin e mirënjohur me origjinë nga Korça, Edison (Edi) Pashko pas koncertit të Filarmonisës së Vjenës në Carnegie Hall ishte një moment personal por jo vetjak. Gjatë dy orëve të programit në sallë ishim përqendruar tek sektori i violave dhe violinçelave duke ndjekur me vëmendje artistin shqiptar. Edi, siç e thërrasin shkurt, është solist në violinçel në Evropë e Azi, dhe pjesëtar i një prej filarmonive më prestigjioze të botës.

Burrë rreth të 50 dhjetave me flokë të zinj dhe mjekër, që kanë nisur të shtrojnë pak bardhësi, Edisoni ka sy të qeshur dhe të butë dhe sapo flet dallohet që e ka ruajtur të pastër të folurën e vendlindjes së tij, Korçës. Me të shkëmbyer fjalët e para, i thamë se “jemi tanët” edhe për nga afërsia e të folmes mes Kolonjës dhe Korçës. Ai rrezaton mirësi dhe thjeshtësi, cilësi të një artisti pa komplekse dhe të një mjeshtri të artit të tij, që përçohet në skenë.

Tek dalja anësore pas koncertit, aty ku zakonisht artistët takohen dhe urohen nga miq e të njohur, prezantimi dhe urimi shqip hapi menjëherë portat e bisedës:

“Po prisnim të takonim këtë vit sepse vjet nuk na eci.”

“Ashtu? Sa vite keni në Amerikë?

“Që nga vitet 90′. Edhe unë aq vite kam në Vienë.”

“Do vijë violinisti Shkelzeni Doli në turneun e arshshëm?”

“Sapo ishim bashkë me Filarmoninë në Azi. Ai nuk erdhi në këtë pjesë të turneut.”

“Në cilat shtete vazhdon tani programi juaj?”

“Washington DC, Boston, Florida.”

“Do kënaqeni atje me mot të ngrohtë.”

Edi Pashko është anëtar i përhershëm i Filarmonisë së Vjenës që nga viti 2013. Programi koncertal në Carnegie Hall, Nju Jork është pjesë e turneut amerikan të përvitshëm të Filarmonisë vjeneze.

Koncerti i së dielës me kryevepra nga kompozitorët Richard Strauss dhe Jean Sibelius, nën drejtimin e dirigjentit nga Latvia Andris Nelsons, konfirmon se suksesi është fryt i një pune titanike dhe një përkushtimi madhor nga artist si Edison Pashko. Përshëndetja erdhi bashkë me një ide për tu parë në Vjenë, që, padyshim do jetësonte një dëshirë shumë-shumë vjeçare për të qenë në Koncertin e Filarmorinisë së Vjenës të vitit te ri në Sallonin e Artë në Musikverein.

Në sfondin e lidhjes trefishe Korçë-Vjenë-Nju Jork ishte krejt e natyrshme të ndieje jehonën e këngëve qytetare korçare të influencuara nga valsi dhe opereta vjeneze, traditën 30 vjeçare të koncerteve të fundivitit Salute to Vienna, krijuar sipas modelit të Musikverein në Nju Jork dhe premierën e Orkestrës Simfonike të Korçës me program të stilit vjenez në fund të dhjetori 2025. Përjetime të tilla, në takimin me artistin shqiptar përcollën fuqinë e muzikës për të krijuar lidhje të menjëhershme dhe për të falur emocione të forta shpirtërore.

Filed Under: Kulture

Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj

March 5, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Gazeta Dielli përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së shtypit shqiptar dhe të diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta “Djelli” filloi të botohet për herë të parë me 15 shkurt 1909 në Boston. Ishte gazetë e përjavshme dhe atë e udhëhiqnin Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi e Kristo Dako. Nga numri 1 deri të numri 116 ishte organ i shoqërisë “Besa-Besë” dhe më vonë gazeta qe organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. “Dielli” ndiqte zhvillimet politike dhe gjendjen në teren se çfarë ndodhte me fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ne përgjithësi dhe i komentonte ato. Gazeta “Dielli” i kushtoi një vëmendje të madhe edhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër, për atë që diskutohej dhe rolin e Fuqive të Mëdha për fatin e kufijve të shteti shqiptar.

Kjo gazetë përshkruante po ashtu edhe gjendjen sociale, ekonomike, politike e kulturore të shtetit të sapo formuar shqiptar, fatin e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë etj. Gazeta Dielli transmetonte në faqet e veta shkrimet e gazetave angleze, italiane, turke dhe shqiptare që dilnin në atë kohë. Gazeta Dielli është gazeta më jetëgjatë në historinë e gazetarisë shqiptare, e cila vazhdon të botohet edhe në këtë kohë.( Hamit Boriçit, Mark Marku “Histori e shtypit shqiptar-nga fillimi deri në ditët tona,Tiranë,2010,f,158-163).

E themeluar në vitin 1909 në Boston, ajo u bë shumë shpejt zëri më i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës dhe një tribunë e hapur për çështjen kombëtare në një nga periudhat më vendimtare të historisë së Shqipërisë. Historia e “Diellit” është histori e sakrificës, e idealizmit dhe e përkushtimit ndaj atdheut, por edhe histori e përçarjeve, e harresës dhe e fateve tragjike të shumë prej figurave që e ndërtuan atë.

Krijimi i “Diellit” dhe konteksti historik

Fillimi i shekullit XX ishte një periudhë e trazuar për shqiptarët. Shqipëria ndodhej ende nën Perandorinë Osmane, ndërsa lëvizja kombëtare po fitonte vrull. Emigrantët shqiptarë në Amerikë, megjithëse larg atdheut, ndiqnin me shqetësim zhvillimet politike në Ballkan. Ata e kuptuan se duhej një organ shtypi që të informonte, të ndërgjegjësonte dhe të organizonte komunitetin.
Në këtë kontekst lindi “Dielli”. Gazeta u themelua si një mjet për të bashkuar shqiptarët rreth një ideali të përbashkët: lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ajo u bë shpejt organi kryesor i diasporës dhe, pas themelimit të Federatës Panshqiptare Vatra në vitin 1912, u shndërrua në organin e saj zyrtar.

“Dielli” nuk ishte thjesht një gazetë informative. Ajo ishte një platformë politike, kulturore dhe kombëtare. Në faqet e saj diskutoheshin zhvillimet në Shqipëri, rreziqet territoriale, diplomacia ndërkombëtare dhe nevoja për organizim të brendshëm të shqiptarëve në diasporë.

Sfidat e para

Vitet e para të botimit të “Diellit” u shoqëruan me vështirësi të shumta. Së pari, problemi financiar ishte i vazhdueshëm. Komuniteti shqiptar në Amerikë përbëhej kryesisht nga punëtorë emigrantë me të ardhura modeste. Mbajtja e një gazete kërkonte fonde për shtypshkronjën, për shpërndarjen dhe për mbulimin e shpenzimeve redaksionale. Shpesh, gazeta mbijetonte falë kontributeve vullnetare dhe sakrificave personale të drejtuesve të saj.
Së dyti, mungesa e një standardi të unifikuar të gjuhës shqipe e bënte të vështirë komunikimin e qartë dhe të përbashkët. “Dielli” luajti rol të rëndësishëm në përhapjen e shqipes së shkruar dhe në edukimin kulturor të komunitetit.

Së treti, ekzistonin përçarje mes shoqërive shqiptare në Amerikë. Secila kishte drejtimin dhe vizionin e vet, gjë që e bënte të vështirë bashkimin. Pikërisht në këtë pikë, “Dielli” mori një rol kyç si faktor unifikues.
Roli i Fan Nolit dhe Faik Konicës dhe Roli vendimtar i Kristo Floqit
Në historinë e gazetës dallojnë figura të mëdha si Fan Noli dhe Faik Konica. Noli, me kulturën e tij të gjerë dhe me energjinë e jashtëzakonshme, e përdori gazetën si mjet për të përhapur idetë demokratike dhe për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Konica, me stilin e tij kritik dhe mendimin e mprehtë, ngriti nivelin intelektual të debatit në faqet e “Diellit”.
Të dy hodhën themelet ideologjike të bashkimit të shqiptarëve në Amerikë dhe përgatitën terrenin për krijimin e “Vatrës”.
Megjithatë, një figurë thelbësore që shpesh është lënë në hije është Kristo Floqi. Dr. Kristo Floqi ishte jo vetëm ndër themeltarët e “Vatrës”, por edhe iniciatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës.

Është e vërtetë që Noli dhe Konica hodhën farën e bashkimit, por thirrjen konkrete për takimin e parë bashkues e bëri Kristo Floqi më 11 dhjetor 1911, përmes gazetës “Dielli”, të cilën ai e drejtonte. Si editor i “Diellit”, Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke argumentuar në mënyrë të vazhdueshme për dobitë e bashkimit dhe duke kritikuar përçarësit.
Thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga vetë ai. Ky akt përbën një moment kyç në historinë e diasporës shqiptare, sepse shënoi fillimin e procesit që çoi në krijimin e një organizate të përbashkët dhe të fuqishme.

Në faqet e “Diellit”, Floqi theksonte se bashkimi ishte domosdoshmëri historike dhe se përçarja ishte armiku më i madh i çështjes kombëtare. Ai e shihte gazetën si mjet organizimi dhe si tribunë për ndërtimin e një ndërgjegjeje të përbashkët kombëtare.
Megjithë rolin e tij të madh, Kristo Floqi u përmend pak ose aspak në faqet e “Diellit” pasi u largua nga Amerika. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, emri i tij u ndalua rreptësisht në literaturën zyrtare. Nuk u shkrua pothuajse asgjë për fatin e tij në burgjet e diktaturës, ashtu siç ndodhi me shumë figura të tjera të diasporës.
Paradoksi më i dhimbshëm është se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, “Dielli” – gazeta që ai kishte drejtuar – nuk botoi asnjë rresht për të. A ishte kjo mungesë informacioni? A ishte një harresë? Apo ndikim i rrethanave politike? Pyetja mbetet e hapur.
Ky fat tragjik nuk ishte i izoluar. Bahri Omari, ish-editor i “Diellit”, u pushkatua nga regjimi komunist. Aqif Përmeti u ekzekutua. Kristo Kirka vdiq në burgun e Burrelit. Kolë Tromara dhe shumë vatranë të tjerë u përballën me persekutim.
Shumë prej tyre kishin qenë shpirti i “Vatrës” dhe kishin luftuar për kombin me përkushtim të jashtëzakonshëm. Megjithatë, historia i la për dekada në harresë.

“Dielli” si simbol qëndrese

Pavarësisht sfidave dhe padrejtësive historike, “Dielli” mbijetoi. Ajo kaloi përmes Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, periudhës së Luftës së Ftohtë dhe ndryshimeve të mëdha politike në Shqipëri.
Gazeta u përshtat me kohën, duke kaluar nga shtypi tradicional në formatet moderne dhe digjitale, por duke ruajtur misionin e saj themelor: mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe atdheut.
Historia e gazetës “Dielli” është histori e përkushtimit kombëtar, e unitetit dhe e sakrificës. Ajo është histori e Nolit, e Konicës, e Floqit dhe e shumë të tjerëve që përdorën fjalën si armë në shërbim të lirisë. Por është gjithashtu histori e harresës dhe e padrejtësive që ndoqën shumë prej tyre.

Gazeta mbetet një simbol i fuqisë së fjalës së shkruar dhe i idealizmit të diasporës shqiptare – një dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e kujtesës kombëtare. Gazeta Dielli përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së shtypit shqiptar dhe të diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E themeluar në vitin 1909 në Boston, ajo u bë shumë shpejt zëri më i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës dhe një tribunë e hapur për çështjen kombëtare në një nga periudhat më vendimtare të historisë së Shqipërisë. E lidhur ngushtë me Federatën Panshqiptare Vatra, “Dielli” ka qenë për më shumë se një shekull një pikë referimi për diasporën shqiptare.

Që në fillim, gazeta u përball me sfida të shumta: mungesë fondesh, përçarje brenda komunitetit, vështirësi teknike dhe ndryshime të mëdha politike si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri. Megjithatë, ajo arriti të mbijetojë falë përkushtimit të editorëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të komunitetit shqiptar. “Dielli” nuk ishte një biznes mediatik në kuptimin klasik; ajo ishte një mision kombëtar. Çdo brez vatranësh e konsideroi detyrë morale ruajtjen e saj si një simbol të identitetit dhe të vazhdimësisë historike.
Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore, gazeta shërbeu si burim informacioni dhe si platformë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në periudhën e komunizmit, kur në Shqipëri mungonte liria e shtypit, “Dielli” mbeti një nga zërat e pavarur të diasporës. Ajo publikoi analiza, reagime dhe qëndrime që nuk mund të shpreheshin brenda vendit. Edhe në periudhat kur komuniteti shqiptar në Amerikë u tkurr ose u përball me asimilim, gazeta mbeti një pikë bashkimi dhe kujtese historike.

Mbijetesa e saj për më shumë se një shekull lidhet me disa faktorë thelbësorë: së pari, me përkushtimin vullnetar të redaktorëve dhe bashkëpunëtorëve; së dyti, me mbështetjen financiare dhe morale të anëtarëve të “Vatrës”; dhe së treti, me aftësinë për t’u përshtatur me kohën. Nga shtypshkronjat e fillimshekullit XX deri te botimi online dhe prania digjitale sot, “Dielli” ka ditur të ruajë thelbin duke ndryshuar formën.
Sot, roli i saj është po aq i rëndësishëm, ndonëse në një kontekst tjetër. Në epokën e informacionit të shpejtë dhe mediave sociale, “Dielli” shërben si një arkiv i gjallë i historisë së diasporës dhe si një platformë serioze për debat kulturor e kombëtar. Ajo pasqyron aktivitetet e komunitetit shqiptar në Amerikë, forcon lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe ruan trashëgiminë historike të “Vatrës”. Në një kohë globalizimi, gazeta mbetet një element identiteti dhe kujtese kolektive.

Ndër editorët më të shquar që kanë drejtuar “Diellin” ndër vite, mund të përmenden:
Fan Noli – një nga figurat më të mëdha të historisë shqiptare, që i dha gazetës dimension politik dhe kulturor.
Faik Konica – mendimtar i mprehtë dhe stilist i jashtëzakonshëm, që ngriti nivelin intelektual të gazetës.
Kristo Floqi – editor dhe iniciator i bashkimit të shoqërive shqiptare në Amerikë.
Bahri Omari – gazetar dhe veprimtar që la gjurmë në historinë e saj.
Kostë Çekrezi – publicist dhe diplomat që kontribuoi në forcimin e linjës kombëtare të gazetës.
Dalip Greca – editor në dekadat e fundit, i cili punoi për ringjalljen dhe modernizimin e gazetës në epokën digjitale.
Sokol Paja – editor i 5 viteve të fundit që punon me përkushtim për të ruajtur dhe zhvilluar traditat e Diellit dhe për modernizimin dhe ruajtjen e vlerave të saj intelektuale sot.

Në përfundim, “Dielli” nuk është thjesht një gazetë; ajo është një institucion historik. Ajo ka mbijetuar luftëra, përçarje, censurë dhe ndryshime epokash, duke ruajtur misionin e saj kombëtar. Sot ajo vazhdon të jetë një dritë simbolike për diasporën shqiptare – një dëshmi se fjala e shkruar, kur mbështetet mbi ideal dhe përkushtim, mund t’i mbijetojë kohës dhe sfidave më të mëdha historike.

Filed Under: Vatra

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

March 5, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë të sigurisë ndërkombëtare! Sot është dita e pestë që kur forcat amerikano‑izraelite ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër regjimit të Republikës Islamike të Iranit. Ato forca goditën një strukturë që prej dekadash është perceptuar si burim de stabilizimi, represioni dhe kërcënimi global. Në këtë çast vendimtar për fatin e rendit botëror, bota duhet të qëndrojë e bashkuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në çdo përpjekje që mbron të mirën, progresin dhe dinjiteti njerëzor. Historia na mëson se e mira nuk mbijeton vetë; ajo kërkon vullnet, sakrificë dhe aleanca që besojnë te liria dhe të vlerat që e ngrenë njeriun mbi frikën dhe tiraninë. Në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me sfida të mëdha dhe kërcënime që prekin sigurinë e çdo kombi, Shtetet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar u gjendën përballë një zgjedhje të vështirë: të veprojnë sot për të shmangur një rrezik në rritje, ose të përballen nesër me pasojat shkatërrimtare të një regjimi që synon armatim bërthamor.

Ambiciet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka shum kohë që kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe kanë ngritur shqetësime të thella për stabilitetin global. Përballe këtij realiteti, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është parë nga shumë vende si një veprim i kryer në momentin e fundit të mundshëm, Ndërhyrja ishte një përpjekje për të parandaluar një katastrofë që do të prekte jo vetëm Lindjen e Mesme, por gjithë njerëzimin. Falë vendosmërisë së aleancës dhe falë Zotit, ky hap u ndërmor përpara se rreziku të merrte përmasa të pakontrollueshme. Qëllimi i Aleancës Amerikane-Izraelite nuk është lufta, por parandalimi i një kërcënimi që ka shqetësuar prej kohësh komunitetin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i tyre është të godasin strukturat e një diktature, të hapin rrugën për lirinë e popullit iranian, të çmontojnë kapacitetet bërthamore që paraqesin rrezik global dhe, pasi të jetë garantuar siguria, të largohen nga territori Iranian. Ky është një vizion që lidhet me parimin se ndërhyrja nuk është synim pushtimi.

Thotë populli ynë; ”Ujku mbetet Ujk…” Sipas vlerësimeve të shumë analistëve ndërkombëtarë dhe deklaratave të tyre, qeveria e mbetur e Republikës Islamike të Iranit po ndjek një strategji të rrezikshme për të zgjeruar krizën përtej kufijve të saj. Këto synime lidhen me përpjekjen për të krijuar presion ekonomik dhe gjeopolitik ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe komunitetit ndërkombëtar. Si, dëmtimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit në vendet fqinje, me qëllim goditjen e ekonomive të tyre dhe krijimin e pasigurisë energjetike në rajon, mbylljen ose bllokimin e ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, nga i cili kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë, ndërprerjen e trafikut ajror rajonal, për të krijuar kaos logjistik dhe ekonomik në vendet e Gjirit, rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe nxitjen e inflacionit ndërkombëtar, duke përdorur krizën si mjet presioni ndaj ekonomive të mëdha botërore. ”Ali Vaez; Ai vëren se strategjia e Teheranit nuk synon vetëm mbrojtjen e regjimit, por edhe shtrirjen e dhimbjes dhe destabilitetit në rajon, pa marrë parasysh koston e rëndë për popullin iranian apo dëmtimin e marrëdhënieve me fqinjët.”

Nga kjo strategji e dalur nga mbeturinat e një shteti diktatorial, Presidenti,Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit pritet të zgjasin 4 deri në 5 javë, por se SHBA ka “kapacitetin të vazhdojë shumë më gjatë” nëse është e nevojshme. Këtë e tha gjatë një ceremonie të Medaljes së Nderit, duke nënvizuar se fushata nuk ka kufizime të paracaktuara nëse situata kërkon zgjerim.”

Për ne shqiptarët në diasporë dhe të mbarë botën e kemi obligim moral, të jemi lidhur ngushtë me vlerat e lirisë, demokracisë dhe aleancës historike me Shtetet e Bashkuara, kjo çështje nuk është vetëm si një një debat gjeopolitik për ne. Është një kujtesë nga e kaluara e jonë se paqja dhe siguria nuk janë të dhuruara, por kërkojnë vigjilencë, përgjegjësi dhe veprim të përbashkët. Historia jonë na ka mësuar se kur tirania avancon, heshtja është bashkëfajësi, kur rreziku rritet, veprimi i drejtë është detyrim moral.

Filed Under: Rajon

BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!

March 4, 2026 by s p

Skender Karaqica/

Qyteti i Çikagos, me frymën e jetës urbane dhe të njerëzve të lirë, me tiparet e demokracisë në shtetin e Ilinoisit, është vendi ku jetojnë, punojnë dhe integrohen shqiptarë nga të gjitha trevat etnike, të mirëpritur nga institucionet e shtetit amerikan. Nëpër vite, në këtë qytet pati shumë veprimtari politike dhe kombëtare në kërkim të lirisë së Kosovës, të ndryshimit të sistemit totalitar komunist në Shqipëri, si dhe për avancimin e barazisë së shqiptarëve në hapësirën etnike të shpërndarë në vendet fqinje ballkanike.

Gjatë këtyre viteve, në Çikago u kultivua një frymë e fortë kombëtare përmes shumë organizatave dhe veprimtarëve, të cilët tashmë kanë hyrë në historinë e diasporës shqiptare në Amerikë, në krah të çështjes shqiptare në Ballkan. Ata punuan për të mbajtur gjallë kujtesën e historisë së dhimbshme të marrëveshjeve të fshehta të regjimeve serbe, përmes krijesës ogurzezë për shqiptarët – Jugosllavisë – të papranuar si shtet i tyre, si dhe përballë skenarëve të shpërnguljeve drejt Anadollit dhe planeve të tjera shfarosëse të kohëve vrastare.

Në shumë ngjarje në Çikago, veprimtarët nuk e ndalën rrugën kombëtare, sepse ata nuk kishin tjetër atdhe veç tokës së shqiptarizmës. Përmes protestave, takimeve me kongresmenë e senatorë, si dhe me përfaqësues të Departamentit të Shtetit në Uashington, në qendër të vëmendjes ishte fati i Kosovës, pozita kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë e Medvegjë, në Ulqin, në Çamëri, si dhe synimi për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Në qarqet kombëtare të shqiptarëve në Çikago kishte dalë fjala se në hapësirën etnike të Rekës së Epërme, në rrethin e Gostivarit, po rilindte si lule shpirti shqiptar, dikur i ndaluar dhe i fshehur përmes “ligjeve të regjimeve” dhe përmes kishës ortodokse nën etiketimin “popull maqedonas”. Kjo odise nisi të shpalosej në Çikago nga veprimtarët e vijës së parë kombëtare: Ilaz Kadriu, Faik Hajro, Azem Begzadi, Xhevat Prespa, Mahmut Skenderi, Qazim Ismaili, Skënder Karaçica, Tefik Avdullahu, Vllaznim Sherifi, Fanol Cami e të tjerë, në takimet e shpeshta me Branko Manoilovskin.

“Thuaje të vërtetën, vëllai ynë shqiptar, Branko Manoilovski nga Reka e Epërme…!”

Në takimet tona me veprimtarët shqiptarë në Çikago, tema me frymë kombëtare ishte atdheu dhe kombi shqiptar, si dhe padrejtësitë historike të regjimeve pushtuese të shekullit të kaluar. Sa herë që vinte nëntori, mërgimtarët shqiptarë shpalosnin historinë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), fatin e kombit dhe pjesën më të dhimbshme të pushtimit serb të Kosovës, si dhe plagën e përgjakur të Çamërisë.

Prisnim festën e Flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë, tashmë traditë festimi në Çikago, kur në mesin tonë erdhi vëllai ynë Branko Manoilovski nga Reka e Epërme shqiptare në Maqedoninë e Veriut. U zhvillua një bisedë e ngrohtë për historinë shqiptare të Rekës së Epërme, për kohën e regjimeve dhe hijet e harresës, të veshura me petkun fetar të kishës ortodokse, për ta shndërruar një popull shqiptar në një “popull ortodoks” brenda kornizave të një shteti të krijuar si balancë nga boshti serbo-rus dhe trashëgimia e Jugosllavisë.

“Nëna ime nuk dinte dhe nuk fliste maqedonisht”, nisi bisedën Branko Manoilovski me veprimtarët në Çikago.

Kjo fjali na erdhi si dritë dielli; nuk e kishim dëgjuar më parë. Fjala e tij nuk kishte të mbaruar. Koha për ne u bë si ora e historisë, që mbante brenda vetes brengën e viteve të regjimit, në dilemën shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh!”

Dhe ai e tha të vërtetën në Çikago:

“UNË JAM SHQIPTAR!”

U hap perdja, ranë përdhe maskat dhe u thye koha e harresës.

Fjala e Branko Manoilovskit hapi një kapitull, shpalosi një histori, riktheu kujtesën te rrënja shqiptare e Rekës së Epërme. Shpirti i Arbërit (sipas termit të De Radës) po kthehej në tokë, në gjak, në gjuhën shqipe të një populli të ndaluar e të paharruar në historinë e regjimeve me skenarë të fshehtë. Fjala e vëllait Branko na mbushi zemrat dhe na dha forcë për të ecur më tej.

I thamë me zë të lartë: dil në shtyp, fol në radio e televizion, sepse Branko Manoilovski dhe Reka e Epërme janë shqiptare!

Në Çikago u hap perdja, ranë maskat e sajuara nga regjimet e kohës. Në Rekën e Epërme të rrethit të Gostivarit ka frymë, jetë dhe besim të një populli jo maqedonas, por shqiptar, me tipare të gjuhës shqipe, të kulturës, të traditës, të flamurit, të familjes dhe të mikpritjes: bukë, kripë e zemër shqiptare.

Në Çikago, Reka e Epërme nisi të flasë shqip dhe e bëri lajm të kohës se është SHQIPTARE!

Filed Under: Analiza

Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare

March 4, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Plisi i bardhë, i njohur në traditën shqiptare edhe me emrin qeleshe, përfaqëson një nga elementët më të veçantë dhe më të qëndrueshëm të kulturës materiale dhe identitare të shqiptarëve. Ai nuk është thjesht një pjesë e veshjes tradicionale, por një simbol i trashëgimisë historike dhe i vazhdimësisë kulturore të një populli që ka ruajtur shumë elementë të kulturës së tij përmes shekujve. Në historinë e veshjes në Ballkan, plisi është një ndër objektet që dëshmon për një traditë shumë të hershme të përdorimit të mbulesave të kokës prej leshi, një traditë që lidhet me mënyrën e jetesës së popullsive blegtorale të rajonit dhe me kulturën e tyre materiale.

Në studimet mbi historinë e veshjes në botën e lashtë, shpesh përmendet mbulesa e kokës e quajtur pileus, një kapelë prej leshi që përdorej gjerësisht në rajonin e Mesdheut dhe në botën greko-romake. Forma dhe materiali i pileus-it paraqesin ngjashmëri të dukshme me plisin shqiptar. Në shumë reliefe dhe paraqitje artistike të antikitetit, figura të ndryshme historike dhe mitologjike shfaqen me një mbulesë koke të bardhë prej leshi, e cila në aspektin formal është shumë e ngjashme me plisin. Këto paraqitje sugjerojnë se përdorimi i këtij lloji mbulese ishte një praktikë e përhapur në rajonin e Ballkanit dhe të Egjeut që në periudhat e lashta.

Në disa interpretime historike dhe antropologjike, kjo traditë lidhet me kulturat parahelenike të rajonit, të cilat në literaturën e autorëve antikë përmenden shpesh me emrin pellazgë. Autorë të lashtë si Herodoti, Straboni dhe Thukididi përmendin praninë e pellazgëve në shumë pjesë të Ballkanit dhe të Egjeut para konsolidimit të qytetërimit helen. Edhe pse identiteti i saktë i këtyre popullsive mbetet objekt debatesh në historiografinë moderne, është e qartë se në rajon kanë ekzistuar kultura të zhvilluara para greke që kanë ndikuar në formimin e traditave të mëvonshme. Në këtë kontekst, disa studiues shqiptarë e konsiderojnë plisin si një element që mund të ketë rrënjë në këto tradita të hershme kulturore.

Në periudhën ilire, dëshmitë historike dhe arkeologjike tregojnë për një kulturë të zhvilluar të veshjes dhe të përdorimit të materialeve natyrore si leshi dhe lëkura. Ilirët, të cilët përbënin një nga popullsitë kryesore të Ballkanit perëndimor në antikitet, kishin një ekonomi të bazuar në blegtori dhe në përdorimin e produkteve të saj. Leshi i deles ishte një nga materialet më të rëndësishme për prodhimin e veshjeve dhe të objekteve të tjera të përditshme. Në këtë kuptim, përdorimi i mbulesave të kokës prej leshi ishte një element i natyrshëm i kulturës së tyre materiale.

Shumë studiues të historisë shqiptare e shohin vazhdimësinë e disa elementeve të kulturës ilire në traditat e mëvonshme arbërore dhe shqiptare. Edhe pse procesi i transformimit kulturor në Ballkan gjatë mesjetës ishte kompleks, disa elementë të kulturës materiale duket se kanë mbijetuar në formë të traditave popullore. Plisi i bardhë është një nga këta elementë që duket se ka ruajtur një vazhdimësi të gjatë historike.

Në periudhën mesjetare dhe në epokën osmane, plisi u bë një element i rëndësishëm i identitetit të shqiptarëve. Udhëtarë dhe kronikanë të huaj që vizituan trojet shqiptare shpesh përshkruajnë shqiptarët si një popull që dallohej nga mbulesa e bardhë e kokës. Në shumë ilustrime dhe gravura të shekujve XVIII dhe XIX, shqiptarët paraqiten me kostume tradicionale në të cilat plisi është një element qendror. Kjo tregon se ai ishte një simbol i njohur i identitetit të tyre edhe në sytë e vëzhguesve të huaj.

Përveç funksionit të tij praktik, plisi ka pasur edhe një dimension të rëndësishëm simbolik. Në kulturën shqiptare, ngjyra e bardhë lidhet shpesh me pastërtinë, nderin dhe dinjitetin. Për këtë arsye plisi nuk ishte vetëm një pjesë e veshjes, por edhe një shenjë e respektit dhe e identitetit personal. Në shumë zona shqiptare, një burrë konsiderohej i plotë në paraqitjen e tij tradicionale vetëm kur mbante plisin në kokë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj tradite është mjeshtëria artizanale e prodhimit të plisit. Procesi i krijimit të tij kërkon njohuri të veçanta për përpunimin e leshit dhe për formimin e strukturës karakteristike të qeleshes. Ky proces përfshin pastrimin e leshit, ngjeshjen e tij përmes teknikave tradicionale dhe formësimin e kapelës në mënyrë që të ruajë qëndrueshmërinë dhe formën e saj. Për shumë shekuj, ky zanat është transmetuar nga një brez tek tjetri dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e ekonomisë tradicionale të disa komuniteteve shqiptare.

Megjithatë, në kohët moderne, përdorimi i plisit në jetën e përditshme është zvogëluar ndjeshëm. Ndryshimet në mënyrën e jetesës, urbanizimi dhe ndikimi i kulturës globale kanë bërë që shumë elementë të veshjes tradicionale të humbasin funksionin e tyre të përditshëm. Si rezultat, plisi sot përdoret kryesisht në kontekste ceremoniale, në aktivitete folklorike dhe në manifestime kulturore që synojnë ruajtjen e traditave.

Kjo situatë ka nxitur shqetësime për ruajtjen e kësaj tradite. Nëse zanati i prodhimit të plisit dhe përdorimi i tij në kontekstin kulturor nuk mbështeten nga institucionet kulturore dhe akademike, ekziston rreziku që kjo traditë të zbehet gradualisht dhe të mbetet vetëm një element simbolik i së kaluarës. Për këtë arsye, shumë studiues dhe aktivistë të trashëgimisë kulturore kanë propozuar që plisi i bardhë të njihet si një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe të mbrohet në mënyrë institucionale.

Një nga mënyrat më efektive për ruajtjen e kësaj tradite do të ishte përfshirja e saj në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. Një njohje e tillë do të kontribuonte në ruajtjen e zanatit tradicional të prodhimit të plisit, në promovimin e kulturës shqiptare në nivel ndërkombëtar dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë historike dhe simbolike të këtij objekti. Përfshirja në këtë listë do të krijonte gjithashtu mundësi për programe edukative, projekte kërkimore dhe iniciativa kulturore që synojnë ruajtjen dhe transmetimin e kësaj tradite tek brezat e rinj.

Në këtë mënyrë, plisi i bardhë mund të shihet jo vetëm si një element i veshjes tradicionale, por si një simbol i vazhdimësisë historike dhe kulturore të shqiptarëve. Ai përfaqëson një lidhje të gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së identitetit kulturor shqiptar në një rajon që ka përjetuar ndryshime të shumta historike. Ruajtja dhe promovimi i këtij simboli përbën një detyrë të rëndësishme për institucionet kulturore, për komunitetin akademik dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT