• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika e mençur…

December 22, 2025 by s p

Prof. Skender Asani/

Politika e mençur nuk i mbyll dyert së ardhmes me fjali të gjata, sepse çdo fjali e tepërt është një dry mbi shpresën, por i hap ato me parime të heshtura që flasin më fort se çdo ligj i zhurmshëm dhe mbijetojnë kur pushtetet bien e epokat ndërrohen. Ajo nuk ndërtohet për të kënaqur ditën, por për të përballuar shekujt; nuk shkruhet për duartrokitje, por për gjykimin e historisë.

Porosia e saj është e qartë: kush e ngurtëson popullin me fjalë, e paralizon të ardhmen, ndërsa kush i beson parimit, i jep popullit frymëmarrje dhe kohës drejtim. Vetëm ajo politikë që di të heshtë me dinjitet, arrin të flasë me autoritet për brezat që ende nuk kanë zë, sepse forca e vërtetë e pushtetit nuk qëndron në shpjegimin e gjithçkaje, por në guximin për t’ia lënë të ardhmes hapësirën që meriton.

Filed Under: Sofra Poetike

VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK

December 22, 2025 by s p

“Koka mbi katror” është dëshmia e rrallë e një romancieri që, në vend të konkurrencës, zgjedh mirënjohjen, duke na ofruar një nga veprat më të pasura dhe më njerëzore të mendimit kritik shqiptar.

Nga Bujar HUDHRI

“E kam patur zakon që përgjatë viteve të jetës, ta ngrejë kokën herëpashere përmbi katrorin e letrave të mia dhe ta kthej vëmendjen nga kolegët…” Me këtë akt bujarie letrare, Zija Çela na fton në “koncertin” e tij personal, ku mjeshtri i prozës bëhet dëshmitar i mjeshtrave të tjerë. Ky libër nuk është një vështrim i ftohtë kritik, por një ditar intim takimesh, një dialog i thellë dhe një homazh i sinqertë për figurat që kanë formësuar letërsinë shqipe.

Përmes “partiturave” të tij, Çela zbulon për herë të parë shënimet autentike nga bisedat me enigmatikun Petro Zheji; rrëfen takimin në “Kafe Piazza” ku i sugjeroi Ismail Kadaresë një tjetër mbyllje për “Pallatin e Ëndrrave”; dhe tregon historinë e pabesueshme të përballjes me zyrtarin e lartë komunist, të cilit i kërkoi dorëheqjen.

Me mprehtësi dhe pa mëri, autori u kushton faqe Dritëro Agollit, Mehmet Krajës, Rexhep Qosjes, Veton Surroit, Helena Kadaresë, At Zef Pllumit, Petro Markos, e deri tek Ernesto Sabato e Orhan Pamuk. “Koka mbi katror” është dëshmia e rrallë e një romancieri që, në vend të konkurrencës, zgjedh mirënjohjen, duke na ofruar një nga veprat më të pasura dhe më njerëzore të mendimit kritik shqiptar.

Filed Under: LETERSI

KOZMOPOLITIZËM

December 22, 2025 by s p

Zija Vukaj/

Romani është një vend, pasaporta e të cilit është në dispozicion të çdo banori të alfabetizuar të planetit. Gjuha e romanit arrin ta kapërcejë atë në të cilën është shkruar. Iosif Brodski mendonte se përkthimi është “nëna e qytetërimit”. Vini re: ngrehinat e mëdha të romaneve janë më madhështore se gjuha që i ka farkëtuar. Pse-ja është vërtet e çuditshme, meqenëse priremi të mos besojmë tek romanet tepër të lehtë për t’u përkthyer. E njoh frëngjishten mjaft sa për të ditur se është mëkat të lexohet “Edukimi i ndjenjave” në gjuhë tjetër. Thelbi i kësaj kryevepre të mrekullueshme, në njëfarë kuptimi, është jashtë-gjuhësor. Me gjithë lakmitë e thella ndaj atyre që e lexojnë “Ana Kareninën” në gjuhën e Tolstoit, jam i bindur se treni mbi të cilin udhëton Ana, ndërsa jashtë tërbohet stuhia, nuk u përket vetëm rusishtfolësve, por edhe mua dhe juve natyrisht.

Shpirti i romaneve është kaq kozmopolit sa ia përkul çdo gjuhe qëllimet e veta. Stili i Kavabatës ruan dëlirësinë xixëlluese të një peizazhi me borë. Proza e Agnon mban në përkthim një vrazhdësi të pamposhtur të bashkatdhetarëve të mi. Lexuesi i konsumuar i tregimtarisë, nga çdo Vend që të vijë, në çfarëdo idiome që të lexojë, mundohet pak për të kuptuar që Jane Austen i merr seriozisht kushtet e mira; se Balzaku ka një kuptim për botën të ngjashëm me Donald Trampin; që Flober ka një dobësi për të çmendurit, Husysmans ka probleme të thella me të ushqyerit dhe Tanizaki i shikon vajzat e vogla me syrin e një serial killeri: në vetëdije të tilla fshihen pjesë të kënaqësisë të tij.

Filed Under: Fejton

“Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”

December 22, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Luftrat janë një magji e zezë, që shkaktojnë karma të këqia ngaqë përplasen në ujërat e qeta të jetës, duke prodhuar rrathë me valë, që zgjerohen gjithnjë e më shumë dhe e shndërrojnë njeriun në një fantazmë zoologjike, ku çdo gjë ndodh pa dijeninë e tij. Ky është pak a shumë lajtmotivi i romanit të ri të Luan Ramës “Murgu i Malit të Shenjtë”, botim i Shtëpisë Botuese “Albas”, ku shpaloset me realizëm historia e një ushtari të luftës italo-greke të internuar në Ustikë. Odisea Mihalis është një kretan që beson se ka ardhur në këtë botë për të qenë i lumtur me familjen. Por fati ia përzien letrat. Odiseada e tij fillon në malin e Gramozit ku, i plagosur rëndë, shpëton nga vdekja e sigurt, falë përkujdesjes së një fshatari shqiptar të Këlcyrës, por kapet nga italianët dhe internohet në Ustikë.

Fuqitë e tij shpirtërore e mbajnë gjallë për disa vjet, derisa arrin të rikthehet në “Itakën” e tij, te gruaja e tij e dashur. Por Lea, pas një pritjeje të gjatë dëshpëruese dhe të pashpresë, duke menduar se i shoqi ka vdekur, ka vënë kurorë me një burrë tjetër, duke vepruar në një dimension astral. Romani merret me njeriun brendësor, me goditjet që shkaktojnë demonët e luftës. Në konfliktin bazë të romanit triumfojnë këta demonë dhe bëhen përherë e më të fuqishëm.

Odisea, megjithëse i magjepsur pas gruas së tij me një dashuri gati hyjnore, që e mban gjallë pas gjithë kalvarit të vuajtjeve, nuk i përdredh ligjet e jetës sipas qëllimeve të tij, kur përballet me njeriun që është bërë bashkëshort i saj, dhe gëzon dhe pronën e tij.

Këtu nuk bëhet fjalë për një vepër absurde, por për një vepër që shtron problemin absurd. Kur e sheh që ushqimi shpirtëror mbaron dhe shpirti shkretohet, duke u kthyer në një gërmadhë lufte, kur sheh që nuk ka më jetë brenda tij, Odisea i përkushtohet zotit, duke u dorëzuar murg në Malin e Shenjtë.

Sfondi historiko shoqëror, ngjarjet e kohës ku e ka marrë temën romani, janë të pasura dhe të ngjeshura, me një densitet të jashtëzakonshëm. Autori më shumë se me heroikën e luftës, merret me pasojat e luftës.

Romani shquhet për vërtetësinë e detajeve dhe efektet dramatike, duke përdorur në mënyrë shumë funksionale retrospektivën e largët përmes vargjeve epike të poemës homerike “Odisea “, një nga kryeveprat e para të letërsisë botërore. Odisea në këtë roman është një figurë mjaft reale dhe tokësore. Pyetja që lind është: A mund të ishte Lea një Penelopë?

Parimet nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Rasti është një forcë e egër, të cilit duhet t’i besojmë sa më pak që është e mundur.

Kush është i thirrur të kryejë vepra të caktuara dhe të rëndësishme, i ndjek idealet e tij së brendëshmi dhe dhe në mënyrë instiktive, i gatshëm të presë, siç presin bletët ndërtimin e zgjoit. Ky roman mendoj se është jo vetëm një nga realizimet më të mira të shkrimtarit Luan Rama, por edhe një nga arritjet më të mira të prozës sonë të gjatë, me ngjarje dinamike dhe me situata të mprehta dramatike, një letërsi që mund të përkthehet lehtë në film. Nuk është çudi që vetë shkrimtari t’i hyjë aventurës së përshtatjes, meqë i njeh mirë rregullat e skenarit. Edhe gjuha e përdorur është mjaft e pasur, e bukur, individualizuese. Autori ka përdorur një stil të pangarkuar, të thjeshtë, të vetvetishëm.

Filed Under: ESSE

VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

December 22, 2025 by s p

E nderuara Akademike Justina Shiroka Pula,

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” dhe në emrin tim personal, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës.

Zgjedhja Juaj në krye të institucionit më të lartë shkencor në vend përbën një vlerësim të merituar për kontributin Tuaj të çmuar akademik, profesional dhe publik, si dhe për përkushtimin afatgjatë në avancimin e dijes, kërkimit shkencor dhe kulturës kombëtare. Ky mandat përfaqëson jo vetëm një arritje personale, por edhe një moment të rëndësishëm për forcimin e rolit të Akademisë në zhvillimin intelektual, shkencor dhe shoqëror të Republikës së Kosovës.

Jemi të bindur se, nën udhëheqjen Tuaj, Akademia e Shkencave dhe Arteve do të vazhdojë të konsolidojë misionin e saj si institucion referent i mendimit kritik, i ekselencës akademike dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar, duke dhënë një kontribut të qëndrueshëm në afirmimin e shkencës dhe artit shqiptar në hapësirën evropiane dhe më gjerë.

Duke ju uruar shëndet të plotë, suksese të vazhdueshme dhe realizim të plotë të objektivave Tuaja në këtë detyrë fisnike, shpreh gatishmërinë tonë për bashkëpunim institucional në të mirë të interesit të përgjithshëm kombëtar.

Me respekt të veçantë,

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 2824
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT