• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve

February 21, 2026 by s p

Prof. Dr. Arben Hajrullahu/

Pavarësisht rrjedhjes së kohës, krimet e luftës lënë plagë të përjetshme që nuk mbyllen kurrë plotësisht. Ato mbeten si pamje, si ankthe, si përfytyrime e trauma të shtresuara brenda njerëzve që i përjetuan e u mbijetuan dhe nuk dihet asnjëherë kur e si do të shpërfaqen. Krimet e luftës nuk vjetrohen asnjëherë dhe ata që i shkaktuan e i jetësuan ato duhet të ndiqen penalisht pa afat, derisa drejtësia të mund të vendoset në vend, për aq sa është e mundur.

Në historinë e gjatë njerëzore ka shtete që jo vetëm se planifikojnë dhe jetësojnë krime ndaj njerëzimit, por ato edhe nuk i pranojnë krimet e kryera ndaj të tjerëve dhe qëllimshëm refuzojnë të përballen me të kaluarën e tyre kriminale. I këtillë ishte, është dhe vazhdon të jetë fqinjiverior i Republikës së Kosovës, shteti serb. E posaçërisht në raste të këtilla, në të cilat mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve, dokumentimi i krimeve në mënyrë faktike e me metodologji shkencore bëhet urgjencë, detyrë dhe qëllim i shenjtë.

Të nderuar organizatorë të konferencës, të nderuar studiues vendas e ndërkombëtarë,

më 23 nëntor të vitit 1999, gjatë fjalimit të pasluftës nëFerizaj, Presidenti amerikan Bill Clinton pati deklaruar: „ne e fituam luftën, por dëgjoni, vetëm ju mund ta fitoni paqen!” Gati njëzet e gjashtë vjet më vonë, një mik i madh i Universitetit të Prishtinës dhe Kosovës, juristi, diplomati e profesori japonez me përmasa ndërkombëtare, Hisashi Owada, kur u nderua nga UP-ja me titullin „Doctor Honoris Causa”, më 18 qershor 2025, ligjëratën e tij „Pse luftë: Një reflektim mbi rendin publik të bashkësisë ndërkombëtare” e përfundoi me fjalët „ajo që është arritur në Kosovë mund të vlerësohet më shumë si një fitore njerëzore sesa një fitore mes kombeve”.

Këto porosi të Presidentit Clinton dhe ish-kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Owada, janë me shumë peshë për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, por as paqja nuk mund të fitohet plotësisht, e as fitorja nuk mund të jetë tërësisht njerëzore, pa vendosjen e drejtësisëpër viktimat e luftës dhe të mbijetuarit e saj.

Jo shumë larg nga këtu ku ndodhemi sot ndodhet shtatorja e Faik Rexhepit, inxhinierit që në gusht të vitit 1990 po në qendër të Prishtinës u ul në tokë, në tokën e tij, dhe nuk lëvizi nga vendi kur dhuna e organizuar shtetërore serbeshpërfaqej ndaj njerëzve që ishin mbledhur për të mirëpritur senatorët amerikanë me në krye Robert Dole-in. Atë ditë ai u rrah e u maltretua, por simbolika mbeti këtu përjetësisht.

Në Skenderaj ndodhet një shtatore tjetër që kujton dhimbjen e madhe të luftës, ajo e Leotrim Ahmetit, djaloshit shtatëvjeçar që kur u plagos rëndë i tha nënës së tij: „kam diçka në bark, jam i smutë prej barkut”. Ai vdiq tetë orë më vonë. Kosova, me njerëzit dhe institucionet e veta, duhet të identifikojë e dokumentojë çdo krim lufte të kryer në hapësirën e saj, jo për të mbetur peng i së kaluarës, por para së gjithash për të mos lejuar më kurrë që ato të përsëriten.

Të nderuar shkencëtarë e hulumtues vendas e ndërkombëtarë, drejtues e punonjës të IKKL-së,

më lejoni të përsëritëm një herë më shumë. Ju gjithnjë e në çdo rast do ta keni ndihmën e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës në kapacitetet profesionale, shkencore e të ekspertizës gjatë grumbullimit e analizimit të vazhdueshëm të fakteve për krimet e luftës.

Dy profesorë e 18 studentë të UP-së, të përfshirë në një projekt të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mblodhën informata në terren për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, me qëllim që këto krime të dokumentohen e të mos harrohen. Vitin e kaluar, raporti i përgatitur prej tyre iu dorëzua kësaj ministrie.

Gjithashtu, tre profesorë tjerë dhe 33 studentë të universitetit më të madh, më të vjetër e më të suksesshëm të Kosovës, gjatë viteve 2021 – 2022, zhvilluan 200 intervista me 200 të mbijetuarit nga masakra e Krushës së Madhe. Video-intervistat u bënë edhe libra gjatë vitit 2025.

Tani personeli akademik i UP-së është i angazhuar në një projekt tjetër të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportitpër dokumentimin e masakrave gjithandej Kosovës. Nga konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës „The Scale, Legacy, Documentation and Adjudication of Crimes Committed in Kosovo”, mbajtur në shkurt 2025, tashmë ka dalë librishumëdisiplinar shkencor si përmbledhje e të gjitha punimeve për aspekte të ndryshme të krimeve të luftës në Kosovë.

Jam shumë i nderuar që redaktorët e këtij libri më ftuan të hartoj një recension për t’u shfaqur në kopertinat e tij. Punën e konferencës, të përmbledhur në libër, e vlerësovasi kontribut jetik për fushat e të drejtave të njeriut, drejtësisë tranzicionale dhe studimeve të kujtesës së tëkaluarës — si një gur të pashkëputshëm në mozaikun më të gjerë e të gjallë të qëndrueshmërisë, dokumentimit dhe kërkimit të drejtësisë, në përballje me shkeljet e papara të të drejtave të njeriut, të përjetuara në Kosovë.

Të nderuar drejtues dhe punonjës të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë,

Ju përgëzoj për punën e përditshme dhe të vazhdueshme për mbledhjen e fakteve e dëshmive për të gjitha krimet që për shumë dekada kanë damkosur vendin dhe njerëzit e Kosovës, si p.sh. së fundmi krimet masive të viteve 1998 –1999. Kur krimet e luftës dhe ato ndaj njerëzimit, humanitetit, kalojnë në harresën njerëzore dhe ngelin tëpandëshkuara, hapet rruga që të njëjtat të përsëriten në të ardhmen. Kështu, le të përpiqemi fort të gjithë së bashku të mos lejojmë që krimet e kryera në Kosovë, e kudo, as të mos harrohen e as të mos ngelin të pandëshkuara.

Ju dëshiroj vullnet, forcë e qëndrueshmëri për ta kryer misionin tuaj. Konferencë të mbarë e u pafshim edhe në ngjarjet tjera të ngjashme që do të vijnë!

Filed Under: Komente

GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

February 21, 2026 by s p

(Me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare)

Nga Prof.dr Skender ASANI*

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO më 21 shkurt 1999, ka një domethënie të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhëve, veçanërisht në një botë ku globalizimi shpesh rrezikon gjuhët më të vogla. Kjo ditë shërben si një moment reflektimi mbi rëndësinë e gjuhëve amtare jo vetëm për identitetin kombëtar e kulturor, por edhe për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të hapur.

Gjuhët nuk janë ishuj të izoluar në shoqëritë moderne. Përkundrazi, gjuhët historikisht, përveç mesazheve të ndryshme, kanë bartur edhe mvetësitë etnopsikologjike e kulturotre të popujve të ndryshëm. Prandaj, shumëgjuhësia nuk duhet parë si pengesë, por si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi mes njerëzve dhe kulturave. Historia na mëson se qytetërimet më të zhvilluara kanë qenë ato që kanë njohur dhe respektuar gjuhët e njëra-tjetrës, duke nxitur kështu shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe tregtar. Në këtë kontekst, përdorimi dhe njohja e gjuhëve të ndryshme nuk është thjesht një nevojë administrative, por një domosdoshmëri për harmoninë dhe bashkëjetesën shoqërore.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave gjuhësore dhe respektimit të diversitetit kulturor. Sfidat e zbatimit të këtij ligji nuk duhet parë si vështirësi të pakapërcyeshme, por si një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme që institucionet dhe bota akademike të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra më efikase për zbatimin e shumëgjuhësisë në realitetin e përditshëm.

Respektimi i gjuhëve të tjera nuk cënon identitetin gjuhësor të askujt. Përkundrazi, ai ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e gjuhëve duke i bërë ato pjesë të një procesi të natyrshëm komunikimi. Për shembull, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, funksionimi normal i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore nuk duhet të shihet si një favor, por si një e drejtë e natyrshme që forcon barazinë dhe harmoninë shoqërore.

Në epokën e globalizimit dhe teknologjisë, është e domosdoshme që përfitimet e komunikimit të avancuar të reflektohen edhe në marrëdhëniet ndërgjuhësore. Një shoqëri moderne nuk mund të përparojë pa respektuar gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ligjet janë mjete juridike që rregullojnë të drejtat, por është në dorën e njerëzve të dijes dhe institucioneve shkencore të krijojnë një qasje që i përshtatet standardeve të botës së qytetëruar.

Gjuha amtare është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ruajtja dhe promovimi i saj nuk janë vetëm detyra të institucioneve, por edhe të vetë individëve dhe shoqërisë në tërësi. Nëse respektojmë dhe njohim gjuhët e njëri-tjetrit, atëherë kemi bërë hapin e parë drejt një shoqërie më të hapur, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Realiteti shumetnik e shumkulturor në vendin tonë, nuk lejon kurrfarë arbitrariteti gjuhësor. Përkundrazi, gjuha e një kombi është vet historia dhe tradita e tij dhe çdo mohim i saj është mohim i ekzistencës së atij kombi.

*Ribotim

Filed Under: Sofra Poetike

Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!

February 21, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Me qenë se i çmendur linda, jetova edhe vdiqa

Nuk desha ta provoj unë vetë Boshësinë time..

Buda më mësoi të lahem, të krihem,

Nga ferrat dhe drizat e udhëtimit.

Sokrati më mësoi të pi helmin,

Për të thënë të vërtetën.

Krishti më mësoi t’i ngjitem Kavarit.

Muhameti më mësoi Fatcaktimin

Ashtu bëra. U lehtësova saqë qëndroj pezull

Mbi çdo dhembje.

Këto vargje i përkasin poezisë “Pezull” të Isuf Luzajt, një zë drithërues që mbështjell të gjitha vuajtjet dhe trazimet. Si rrallëkush ndër poetë shqiptarë të mërgimit ai njohu kafshimin që i dha dhembja , dënimi me harresë dhe në mungesë, si “armik i vetëdijshëm i ideologjisë komuniste”, i mbërthyer në kryqin e kundërshtive të veta.

Të shenjta janë fjalët që ai ka shkruar:

“Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia,

nesër do të jem askushi në vendin tim”.

Isuf Luzaj dashuroi gjithcka dhe bëri gjëra të mrekullueshme në jetë, edhe pse mbeti një poet i “mallkuar”, i qarkuar me rrathë ferri në thellësitë e ndjenjës. Sa mjegullnajë në këtë botë mizore dhe sa dhembje në këtë mjegullnajë! Por dhimbja e poetit ka ndriçimin e shenjë të Prajsës, ndaj e sfidon vdekjen, armikun e përjetshëm. Përmes mureve të mugëta të ferrit, Isuf Luzaj “qëndroi pezull mbi çdo dhembje” dhe “asimetri cinike” dhe nxorri nga terri himnin e hareshëm:

“Ekzistencë dhe Qënie, asimetri cinike,

Ekzistoj kur veproj; lë gjurmë udhëtimi.

Qënia jam, Esencë që lëviz si një hije

Pa e ndjerë Kohën as mike as armike,

Pa njohur udhën as ku të shpije drejtimi.

Këto janë trajtat e shpirtit abstrakt

Ndonëse kujdesi përgjegjës është i imi.

Nuk ekzistoj kur jam, veçse ankthi shëtitës,

Marrë frymë ndaj provoj, besoj që jam i gjallë,

Ndjek kopenë pas çobanit për qullin e ditës,

Shtohem në breza pa njohur ç’është malli.

Kjo është piktura e shpirtit frikacak,

Ja robot angarie: ja dash sa për gjak.

Qënia s’është mjaft, kur ekzistoj, jam i lirë.

Ekzistenca dhe Esenca janë qënia më e mirë.

Kjo është simetria e nderit, virtyt flori.

***

Kur jam, e gjej unin në çdo orë e çdo stine,

Ai që qesh dje, të heq zvarrë pleqërinë

Pa ditur as unë, nga vete e pse vi?

Ky është dënimi i jetës, ky është kërkimi.

Kjo ethja c tyre, kjo angushi!

Kur ekzistoj ngjitem në shkallë

Çdo çast një unë tjetër, larg nga uni i djeshëm.

Ekzistenca dhe esenca një formulë e rrallë,

E shoh kohën që do vijë si një pasqyrë e qartë,

I shoh ndodhitë si do vinë varg e varg.

Uni fluturon në sferë të përjetshme.

Ekzistoj në këtë orë të ftohtë e të trembur.

Drita e shpirtit ngadalë si shenjtore

Vjen pa e thirrur dhe më merr për dore,

Shërojmë çdo plagë shoqërisë së dhembur,

Esenca ekzistencës i është diell diamanti,

E nxjerr nga tuneli ku e burgosi kërkesa.

Në unin tim rron besa dhe shpresa,

Sjellin me karvanë dituritë e vjetra,

Guximin e heroit, fuqinë e gjigandit.

Dhe kur i mbarohet vaji kandilit

Digjet misionari qe është fitili,

Po drita vazhdon ne shekuj ndriçimin.

Ndaj ekzistoj me Esencë te misterit.

Ati i dheut, i detit, i qiellit

Kur më nisi, më dorëzoi fenerin

Për të udhëtuar udhën e kryqit.

Për t’i mësuar Kohës mësimin”.

Shkenca e shpirtit dhe arti, në krijimtarinë e Isuf Luzajt kanë një unitet pambarim, një ansambël pambarim shtysash dhe shpërthimesh, duke nxjerrë gjithnjë në pah anën mbizotëruese, që rrok melodia antagoniste e qënies së tij. Luzaj është ndër të parët poetë shqiptarë që ka vënë këmbën në botën psikologjike moderne, duke frymëzuar njeriun e diferencuar të letërsisë. Në poezitë e tij Luzaj, poeti që jetoi në një kontradiktë të përjetshme, kontrastin e pasionit ndërmjet botës së tij shpirtërore dhe realitetit mazokist. Duke përshpejtuar me shqetësim shpërbërjen kimike të ndjenjave të grumbulluara, ai zbuloi kontinentin e ri të shpirtit dhe hapi rrugën për lundërtatrët e ardhshëm, duke kapur përpjekjen e çuditshme që ndriçon çdo vendim të zemrës së njeriut.

Ky poet, shkrimtar dhe filozof paradigmatik, i bën nder letërsisë shqipe dhe vjen ndoshta pas Nolit e Konicës në tashëgiminë tonë letrare. Ndaj studiuesit e letërsisë do bënin një gjest të dëlirë ta përfshinin krijimtarinë tij nëpër antologji, apo kurrikulat shkollore.

BIOGRAFIA

Isuf Luzaj lindi në Kaninë e Vlorës më 21 shkurt 1913 në një familje fetare. Ai ishte arsimtar, shkrimtar, dhe filozof shqiptar.

Pasi mbaroi gjimnazin në Shkodër, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ishte delegat i Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukjes më 1943. Më Nëntor të 1944 u detyrua të marrë udhën e mërgimit; në fillim në Itali, pastaj në Argjentinë dhe nga 1965 në SHBA. Është një nga figurat më të spikatura të kulturës sonë kombëtare, me një krijimtari të pasur në fushën e letërsisë, historisë dhe filozofisë. Veprat e tij, shumica të pabotuara, përbëhet nga 93 vëllime. Krijimtaria e tij letrare fillon që në vitet ’30 me përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, botuar më 1938. Më 1954 botoi në spanjisht romanin “Lumenjtë derdhen të kuq”. Lexuesi shqiptar është takuar me të tepër vonë, në vitet ’90, kur në Tiranë filloi të botohej ndonjë vepër e shkëputur e tij. Më 1995 u botua “Gloria e çmendjes” (poema), më 1996 “Ekzistenca dhe boshësia” (libër filozofik) dhe më 1999, libri “Sëmundjet e shekullit” (Ese filozofike).

Prof. Dr. Isuf Luzaj ka punuar për një kohë të gjatë në disa universitete amerikane si titullar katedre, shef i departamentit dhe si profesor i filozofisë, i letërsisë frënge, i gjuhës dhe i letërsisë spanjolle. Ai ka patur miqësi dhe korrespondencë me disa presidentë të SHBA. Titullin e lartë “Profesor Emeritus” ia ka vendosur në gjoks vetë Presidenti Regan.

Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.

Filed Under: Histori

Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…

February 21, 2026 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot, bashkë me Kryetarin Ramiz Lladrovci, bëmë homazhe për Shaban Polluzha, Mehmet Gradica dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës. Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të Luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe historike të kësaj lufte dhe të këtyre dy figurave madhore.

Duke i kujtuar sot këta dy heronj, kujtojmë edhe kontributin e familjarëve tanë në këtë rezistencë titanike kundër pushtimit jugosllav.

Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit Harry S. Truman (Declassified: E.O. 11632, Sec. 3(E) and 3(D) or (E); Dept. of State letter, Aug. 10, 197_), dëshmon për rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave. Po ashtu, ai evidenton mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të krerëve të saj që Kosova të ishte pjesë e shtetit shqiptar, siç kishte qenë gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste.

Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav – rezistencë kjo më e fuqishme në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë – mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë.

Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në përgatitjen e gatishmërisë popullore për luftën çlirimtare; ajo ka një rol të pakrahasueshëm në organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës.

Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmin shqiptar.

Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishin frymëzim i fuqishëm për brezat e mëvonshëm të luftëtarëve, duke mbajtur lart moralin dhe vendosmërinë për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës.

Filed Under: Rajon

Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar

February 21, 2026 by s p

Tefta Tashko‑Koço lindi më 2 nëntor 1910 në qytetin e Faiyumit në Egjipt, në një familje me origjinë shqiptare, ku tradita patriotike dhe dashuria për atdheun gërshetoheshin natyrshëm me edukiminz kulturor dhe human. Babai i saj, Thanas Tashko, njihej në komunitetin shqiptar të Egjiptit për gjykimin e gjerë, integritetin moral dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar, ndërsa nëna, Eleni Zografi, ishte e njohur për edukimin e thellë kulturor dhe njohuritë e fuqishme të gjuhës dhe artit. Fëmijëria e Tef­tës u shoqërua me tingujt e gjuhës shqipe dhe me përpjekjet për të mbajtur të gjallë identitetin dhe traditat shqiptare në diasporë. Pas vdekjes së të atit në vitin 1915, familja vendosi të kthehej në atdhe, dhe në vitin 1921, Tefta, së bashku me nënën, u vendos në Korçë, qytet i cili për shumë breza do të njihej si qendër ku kultura, arsimi dhe patriotizmi ndërthureshin në një energji krijuese të pashoq.

Qysh moshë e hershme, Tefta tregoi talent të rrallë për zërin dhe interpretimin vokal. Ajo u rrit në një mjedis ku artet e bukura filluan të zinin vend shumë më herët se moshat e zakonshme; të gjithë ata që e dëgjonin në muzikë ose recitim mbeteshin të impresionuar nga shkathtësia dhe ndjeshmëria e natyrshme e zërit të saj. Në 26 qershor 1926, në moshën vetëm 15‑vjeçare, Tefta Tashko u ngjit për herë të parë në një skenë publike në Korçë, ku interpretimi i saj jo vetëm që fitoi duartrokitje të zjarrta, por shënoi frymëmarrjen e një karriere që do të ngrihej shumë shpejt deri në majat e artit liriko‑muzikor. Ajo u shqua për kombinimin e teknikës, artikulimit dhe interpretimit emocional, duke bërë që zëri i saj të dëgjohej me respekt dhe admirim nga auditorë të ndryshëm, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Në shtator 1927, në kërkim të një formimi më të thellë profesional, Tefta u nis drejt Francës, ku filloi studimet në konservatorin e Montpellier, ku u njoh me repertorin operistik dhe liriko‑muzikor evropian. Ajo praktikoi me një disiplinë të jashtëzakonshme, duke përvetësuar bazat e teknikës vokale në një mjedis që kërkonte perfeksion dhe rigorozitet artistik. Nga viti 1932 deri në vitin 1936, Tefta ndoqi studimet në Conservatoire National de Musique et de Déclamation në Paris, duke qenë nën drejtimin e pedagogëve më të shquar të kohës, si André Gresse dhe pedagogë të tjerë me famë ndërkombëtare. Ajo studioi intensivisht teori muzikore, teknikë vokale, interpretim liriko‑muzikor dhe deklamacione dramatike, duke u bërë një interpretese e kompletuar, gati të përballet me çdo repertor dhe skenë të rëndësishme të artit muzikor.

Në vitin 1930, Tefta regjistroi incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathé” në Paris, një hap që e bëri atë një prej interpretesve të para shqiptare që hyri në botën e muzikës diskografike ndërkombëtare. Këto regjistrime, bashkëpunimet me muzikantë të shquar dhe prezenca në studio të njohura të kohës shërbyen për të theksuar profesionalizmin e saj dhe për ta bërë zërin e saj të dëgjohej në nivele botërore. Ajo kombinoi repertorin liriko‑muzikor evropian me këngë urbane dhe popullore shqiptare, duke treguar se arti i saj mund të bashkojë traditën dhe modernitetin në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1935, Tefta u rikthye në Shqipëri, ku aktiviteti i saj artistik u zhvillua me një intensitet të jashtëzakonshëm. Më 26 nëntor 1935, ajo shënoi një koncert të madh në Tiranë, ku repertori i zgjedhur, interpretimi brilant dhe prezenca e saj skenike fituan admirim të publikut dhe kritikës. Ajo filloi një turne artistik që përfshiu qytete të shumta të vendit — Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Vlorë dhe vende të tjera — duke sjellë zërin liriko‑muzikor edhe në komunitete që rrallëherë kishin pasur mundësi të përjetonin një interpretim të tillë.

Në vitet 1937 dhe 1942, Tefta realizoi regjistrime historike për Columbia Records në Milano, duke regjistruar disa prej veprave më të dashura të repertorit të saj. Regjistrime të tillë përfshijnë tituj si “Il cuore e la mano”, “Follie… follie”, “La serenata”, si dhe këngë tradicionale si “As aman moj lule”, të cilat sot konsiderohen thesare të muzikës shqiptare. Këto incizime jo vetëm ruan zërin e saj, por edhe metaforizojnë lidhjen mes identitetit kombëtar dhe artit muzikor, duke kaluar përtej kohës dhe hapësirës.

Gjatë viteve të para të karrierës së saj në Shqipëri, Tefta u angazhua fuqishëm edhe në aktivitete patriotike dhe kulturore. Ajo interpretoi jo vetëm opera lirike dhe repertor klasik, por edhe këngë me motiv kombëtar, duke bashkëpunuar me figura të njohura të muzikës shqiptare si Lola Gjoka e Kristo Kono, dhe u bë pjesë e nismave që synonin të forconin ndjenjën e identitetit kombëtar përmes artit. Në 2 nëntor 1938, në teatrin “Luks” në Korçë ajo dha një koncert madhështor ku interpretimet e saj bashkë me krijimet e Kono­s shënuan një moment kulmor të muzikalitetit shqiptar, duke ngjallur emocione të thella dhe ndjenja pride për trashëgiminë kulturore.

Në 30 maj 1939, Tefta përfaqësoi muzikën shqiptare në Festivalin e Folklorit në Firence të Italisë, së bashku me artistë të rëndësishëm si Marie Kraja, Adem Mani dhe Xhevat Boriçi, duke demonstruar përpara një audience ndërkombëtare se muzika shqiptare kishte zë dhe identitet të fortë, gati për të konkurruar me tradita të tjera muzikore evropiane.

Që nga themelimi i Radio Tirana në vitin 1938, Tefta u bë prezente e rregullt e këtij mediumi, ku zëri i saj liriko‑muzikor u dëgjua nga mijëra dëgjues në të gjitha qoshet e vendit. Këtu, me interpretimet e saj interpretative dhe emocionuese, ajo frymëzoi breza të rinj artistësh, duke u bërë simbol i interpretimit të pastër dhe i misionit të artit muzikor kombëtar.

Ndonëse artistja e përkushtuar për muzikën lirike dhe për promovimin e identitetit kulturor shqiptar, Tefta gjithashtu u bë pjesë e përgjegjësive sociale dhe edukative. Ajo mbështeti iniciativa për zhvillimin e arsimit muzikor, u angazhua me shoqata kulturore dhe artistike, dhe kontribuoi në ngritjen e standardeve të interpretimit muzikor në shkolla, teatro dhe institucione të ndryshme kulturore. Në interpretimet e saja lirike, ajo nuk lëshonte asnjëherë dorë nga pasioni për trojet shqiptare, duke i përfshirë këngë dhe motive muzikore që reflektonin tradita dhe ndjenja patriotike të kombit.

Në jetën personale, Tefta u martua me Kristaq Koçon, me të cilin pati një djalë, Eno Koçon. Eno më vonë u shqua si një prej figurave më të shquara të muzikës shqiptare si dirigjent, pedagog dhe studiues, duke vazhduar traditën artistike dhe pasionin për artin liriko‑muzikor të nënës së tij. Trashëgimia e Teftës vazhdoi përmes tij dhe përmes brezave të artistëve që u frymëzuan nga interpretimet e saj.

Megjithatë, më 22 dhjetor 1947, në moshën vetëm 37 vjeçare, Tefta Tashko‑Koço u nda nga jeta në Tiranë, duke lënë pas një boshllëk të madh në skenën muzikore shqiptare dhe një humbje të pashlyeshme për artdashësit dhe qytetarët që e adhuronin për interpretimet e saj magjike. Ajo u varros me nderime solemne dhe emocionuese, ndërkohë që figura e saj artistike mbeti si një simbol i pashlyeshëm i entuziazmit, pasionit, devotshmërisë për artin dhe për identitetin shqiptar.

Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm artistik dhe patriotik, Tefta Tashko‑Koço u nderua pas vdekjes me titullin e lartë “Artistes së Popullit” dhe emri i saj vazhdon të kujtohet dhe nderohet në gala koncertesh, manifestimesh kulturore dhe festivale muzikore, sidomos gjatë përkujtimit të 100‑vjetorit të lindjes së saj, ku u organizuan evente madhore për të nderuar jetën dhe veprën e një prej zërave më të rëndësishëm të historisë muzikore shqiptare.

Trashëgimia e Tefta Tashko‑Koços, e ndërtuar në art, identitet dhe mision kulturor, është një udhërrëfyes i thellë për brezat që vijnë, duke dëshmuar se muzika, pasioni dhe përkushtimi ndaj atdheut janë vlera të pashlyeshme që bashkojnë kombin dhe historinë e tij.

Gjon F. Ivezaj

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT