• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, dhe Shkëlqimi dhe Rënia e zotit Grenell

February 19, 2026 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Richard Grenell ka pasur një karrierë të spikatur në politikën amerikane dhe diplomacinë ndërkombëtare, por edhe një rrugëtim të mbushur me përplasje dhe kontradikta. Artikulli i i fundit Daily Mail pёr të ofron një pasqyrë të qartë të asaj që mund të quhet një “rënie e shpejtë” e ndikimit të tij, duke theksuar tensionet brenda administratës Trump, përplasjet e tij me figura të njohura dhe, gjithashtu, ndikimin që ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë ato me Ballkanin dhe Kosovën.

Kjo analizë shqyrton ndikimin e tij në politikën e jashtme, si dhe pasojat që ka pasur angazhimi i tij në çështjen e Kosovës, në dritën e qëndrimeve të tij të diskutueshme dhe marrëveshjeve të bëra me liderë të Serbisë.

Përplasjet brenda Administratës Trump dhe Rënia e Ndikimit të Grenell

Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës diplomatike të Richard Grenell ishte roli i tij si dërguar special i SHBA për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Grenell ka pasur një qasje që është parë si pragmatike ndaj këtyre marrëdhënieve, duke kërkuar mundësi për të arritur një marrëveshje që mund të përmirësonte lidhjet ekonomike dhe që mund të kontribuonte në stabilitetin e rajonit. Megjithatë, qasja e tij ka qenë shpesh e kontestuar, si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë, duke krijuar përçarje mes palëve dhe duke nxitur reagime negative.

Një prej aspekteve më të diskutueshme të angazhimit të Grenell ka qenë mbështetja e tij për mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky koncept është parë si një ide shumë të rrezikshme, pasi mund të përfshinte ndryshime të kufijve dhe mund të provokonte konflikte të reja në një rajon të brishtë. Më shumë se një strategji për të arritur një marrëveshje, kjo ide ka përforcuar frikën se një marrëveshje e tillë mund të forconte tendencat nacionaliste në të dy vendet dhe të çonte në një destabilizim më të madh të Ballkanit.

Grenell: Pёr idenë e shkëmbimit të territoreve, fajtor ishte Bolton

Në një intervistë me mua, pёr ALBTVUSA, para zgjedhjeve të 2024, ai pohoi se gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Abdullah Hoti :“nuk u diskutuan shkëmbime territoriale” por pёr rritjen e shkëmbimeve ekonomike . Ai gjithashtu kritikoi ish-këshilltarin John Bolton dhe ia la atij idenë e shkëmbimit të territoreve si ide e tij dhe jo e vetja. Edhe në këtë kontekst, përpjekjet e Richard Grenell për të nxitur një marrëveshje të tillë kanë dështuar të arrijnë konsensus të gjerë dhe e kanë bërë atë një figurë kontroverse, pasi shumë e konsideronin atë marrëveshjen e rrezikshme. Ai në konfidencë më tha se “ne edhe po të donim nuk do ta mund ta bënim dot këtë, pёr shkak të kundërshtimit të hapur të zonjës Merkel” por ai theksoi e faktin e mungesës së Thaçit të ndaluar një ditë para takimit.

Dihet se Merkel kishte kërkuar largimin e tij nga ambasada ne Gjermani

Në fakt, edhe shkëmbimet ekonomike dhe e ashtuquajtura Autostrada e Paqes”, që do të lidhte Beogradin përmes Nishit dhe Prishtinës me portin e Durrësit, ishte parashikuar fillimisht nga Procesi i Berlinit një dekadë më parë dhe kishte mbështetje të fortë nga Brukseli dhe Uashingtoni. dhe ajo ishte temë që “ Marrëveshja e Uashingtonit riafirmoi përkushtimin për ndërtimin e saj, si dhe të një hekurudhe përgjatë të njëjtës linjë., Sot sipas Serbia Forbes “ Serbia ka ndërtuar vetëm 5.5 kilometra rrugë – dhe sipas raportimeve, edhe ato gabimisht. Ish-ministri i Ndërtimit, Goran Vesiç, deklaroi se nuk e dinte si kishte ndodhur gabimi. Në vend të autostradës, u ndërtua një profil gjysmë-autostrade mbi rrugën ekzistuese. Duke qenë se kjo nuk ishte në planin fillestar, Vesiç njoftoi rifillimin e projektit. Afati i përfundimit ka kaluar prej vitesh dhe nuk ka një datë të re.

Kundër prokurorit Jack Smith pёr shkak të Trump-it dhe Thaçit

Në një intervistë të fundit, me mua para zgjedhjeve Richard Grenell gjithashtu shprehu një qëndrim të fortë kundër prokurorit të posaçëm të SHBA, Jack Smith, duke e akuzuar atë për një qëndrim politik ndaj ish-presidentit Trump. Grenell, i cili ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i politikave të Trump, e kritikoi atë edhe për mënyrën se si u trajtua rasti i Thaçit, duke sugjeruar se arrestimi i ish-presidentit të Kosovës, një ditë para një takimi të rëndësishëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe Donald Trump, dhe ishte një manovër politike. Jack Smith kishte dorëzuar akuzën vetëm një ditë më parë se pritej të zhvillohej takimi. Ai u shpreh se, “nëse do të kishte pasur mundësi, ai do ta kishte liruar Thaçin, duke argumentuar se arrestimi i tij ishte i papranueshëm dhe mund të ishte një përpjekje për të dëmtuar mundësinë e një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e Grenell duket si një tjetër dëshmi e angazhimit të tij për të mbrojtur “interesat e Kosovës” dhe për të sfiduar atë që ai e sheh si një ndikim të padrejtë nga institucionet ndërkombëtare. Por fakti që pas deklaratave të fundit të Hagës ndaj Thaçit Grenell nuk u ndje , dëshmon se roli i tij është bërë tashmë i pa rëndësishëm dhe se po vlerësohej më shumë në Kosovë ( kjo për shkak të një kompleksi inferioriteti që kemi ndaj ndërkombëtareve), se sa në SHBA. Kjo situatë ilustron ndikimin që ka pasur politika e brendshme e SHBA në zhvillimet e jashtme, duke e bërë çdo përpjekje për paqe të vështirë dhe të ngarkuar me tensione të brendshme dhe ndërkombëtare.

Si më fshehu Grenell takimin me Claudia Tenney ?!

Edhe pse unë si shumica e shqiptarëve bëj apel për lirimin e liderëve të UÇK-së por një lirim me ndërmjetësimin e Grenell s’do ishte i shëndoshë. Madje dhe gjatë intervistës me të, qw u mbajt në Michigan ku Grenell po përpiqej pёr fitore të Trumpit në këtë shtet të lëkunduar , vota e shqiptarëve kishte rëndësi, kur e pyeta se gjate Konventës të GOP-së ai ishte takuar me kongresmenë kryetaren e lobit serb ai gënjeu dhe e shtyu atë takim para ne kohe, kur unë kisha lexuar lajmit e lobit serb në atë takim Claudia Tenney, e cila është bashkëkryetare republikane e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nga shteti i Nju Jorkut.

Ajo ka pasur angazhim të hershëm me rajonin e Ballkanit dhe ka punuar në të kaluarën në konsullatën e ish-Jugosllavisë në Nju Jork. Ajo gjithashtu shërben si bashkë-kryetare e Serbian Caucus në Kongresin e SHBA-së — një grup ligjvënësish që fokusohen në marrëdhëniet SHBA–Serbi .Grupi pro serb bashkon anëtarë nga të dyja partitë për të diskutuar çështje që lidhen me Serbinë, komunitetin serbo-amerikan dhe politikën amerikane ndaj Ballkanit. Ky nuk është një “lob” në kuptimin ligjor, por një grup parlamentar diskutimi dhe koordinimi. Megjithatë fakti që ai e mohoi takimin më la shije të keqe.

Venezuela dhe ”humbja “e Grenellit

Një tjetër problem i madh ka qenë mosmarrëveshjet e brendshme brenda administratës Trump, ku Grenell është përballur me përplasje të forta me figura të tjera kyçe. Sipas artikullit të Daily Mail, Grenell ka pasur përplasje të ashpra me Sekretarin e Shtetit, Marko Rubio, lidhur me politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës. Grenell mbështeti një qasje më të moderuar dhe pragmatike, duke favorizuar negociatat dhe marrëveshjet, ndërsa Rubio dhe grupi i tij mbështetën një linjë më të ashpër, të quajtur “presion maksimal.” Kjo përplasje është parë si një nga arsyet që e ka lënë Grenell jashtë vendimmarrjes kryesore të administratës Trump, dhe kjo është vetëm një nga shumë përplasjet e tij të brendshme që kanë dëmtuar reputacionin dhe ndikimin e tij.

Përplasje të tjera të tij brenda administratës janë përmendur, si dhe një incident i ashpër verbal me Susie Wiles, shefen e stafit të Trump, gjatë Konventës Kombëtare Republikane. Ky incident ka pasur pasojë të drejtpërdrejtë në mundësinë e një pozite të lartë për Grenell në një mandat të dytë të Trump, duke shënuar fundin e çdo mundësie për të marrë një post të rëndësishëm në administratën e ardhshme të Trump.

Marrëveshjet dhe Biznesi: Grenell si “Diplomat Transaksional”

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i karrierës së Grenell është se ai është konsideruar një “diplomat transaksional.” Ky term i përdorur nga diplomatët që kanë punuar me të, nënkupton një qasje pragmatike dhe të orientuar nga biznesi, ku përpjekjet e diplomacisë janë shpesh të lidhura me interesa dhe marrëveshje ekonomike, në vend të një angazhimi të thellë dhe të përhershëm për stabilitetin dhe paqen.

Një nga shembujt e këtij qasjeje është angazhimi i tij në projektin e zhvillimit të një hoteli luksoz në Beograd, i cili u zhvillua në bashkëpunim me firmën e investimeve të Jared Kushner. Ky projekt është një tjetër shembull i se si Grenell ka përdorur diplomacinë për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjeve që lidhen me interesat financiare dhe tregtare, por gjithashtu është një mundësi për të krijuar lidhje më të forta me liderët e Serbisë dhe për të rritur ndikimin e tij. Po të njëjtin rol ai ka luajtur edhe në projektin e Sazanit.

Grenell i ashpër me Kurtin, i afërt me Ramën

Grenell u bë figura kryesore amerikane në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjatë administratës Trump. Ai ka pasur pozicione të forta publike dhe ka komentuar politikisht çështje që lidhen me udhëheqësit e Kosovës.

Për shembull, ai ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se marrëdhëniet Kosova–SHBA “nuk kanë qenë kurrë më poshtë”, dhe duke e përmendur këtë si një problem të udhëheqjes së tij. Po ashtu, ai është përplasur publikisht edhe me Vjosa Osmanin, ku e ka akuzuar për “manipulim të fjalëve të Trump” për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, Grenell është shfaqur i afërt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kalon dhe ditë pushimesh verore mes rivierës shqiptare dhe ishujve grekë. Ky lloj angazhimi, megjithatë, ka krijuar kritika dhe dyshime mbi motivet e tij, duke i dhënë mundësinë kritikëve të akuzojnë Grenell për përdorimin e diplomacisë për interesa personale dhe për përfitim të drejtpërdrejtë. Ky aspekt ka ndikuar në mënyrë të dukshme në perceptimin që diplomatët dhe figura të tjera të administratës e kanë pasur ndaj tij, duke e bërë atë një figurë të diskutueshme.

Ambicia dhe Realiteti i Rënies së Karrierës

Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe angazhimeve, Grenell ka përjetuar një rënie të shpejtë të ndikimit dhe reputacionit. Pas largimit nga pozitat kyçe të administratës Trump dhe përplasjes me kolegët e tij, ai ka mbetur një figurë më pak influente në qarqet diplomatike. Po ashtu, angazhimi i tij si drejtues i Qendrës Kennedy për Arte Performuese, një post që më parë do të kishte konsideruar si një mundësi për t’u risjellë në sferën publike, ka hasur në kritika të forta dhe ka sjellë polemika mbi menaxhimin e tij të institucionit.

Pasojat për Politikën e Jashtme të SHBA dhe Kosovën

Marrëveshjet dhe angazhimi i Grenell përmes projekteve biznesore dhe diplomacisë pragmatike kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme të SHBA dhe në rajonin e Ballkanit. Në veçanti, përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë idenë e shkëmbimit të territoreve, kanë krijuar një ndarje të thellë midis palëve dhe kanë bërë që shumë të dyshojnë nëse kjo ishte një zgjidhje e përshtatshme për stabilitetin e rajonit. Grenell, megjithatë, mbetet një figurë që është ende në ndjekje të ambicieve të tij të mëdha, por realiteti i rënies së tij në politikën e brendshme dhe të jashtme ka vënë në dyshim aftësinë e tij për të rikthyer ndikimin që dikur gëzonte, ndoshta për fat të Kosovës.

Fakti që në përshëndetjen e Presidentit Trump për pavarësinë e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.” rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti Trump gjithashtu shprehu gatishmërinë e SHBA-së për të zgjeruar partneritetin ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me qëllim avancimin e prosperitetit të përbashkët, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në dobi të ndërsjellë.

Presidenti Trump po ashtu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, dhe e mirëpriti Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë. Gjë që tregon se “artet performuese të Grenellit “, nuk nevojiten më, apo siç e cilësojnë nw Washington tani se “ai është një aktor i lirë”

Filed Under: Analiza

MILAN SUFFLAY, VRASJA E ALBANOLOGUT KROAT NË ZAGREB – MENJËHERË PAS VIZITËS NË TIRANË

February 19, 2026 by s p

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Pjesa 2/

Me rastin e 95 vjetorit të vrasjes së albaologut kroat me origjine gjermane. 

Sadoqë Shuflaj ishte një medievist i shkëlqyeshëm e jo gjuhëtar i sprovuar, propozimet dhe interpretimet e tij etimologjike i kanë bërë ballë kohës, duke u pranuar edhe sot si të qëndrueshme, sidomos përsa i përket elementeve onomastike shqiptare në Mal të Zi, ngase ai nuk i konsideronte ato elemente si ndikim të gjuhës apo korpusit onomastik shqiptar, por si substrat onomastik, përkatësisht si relikte gjuhësore e onomastike shqiptare në ato vise ku elementi shqiptar ishte i pranishëm edhe në mesjetën e hershme. 

Edhe në studimet tjera të dr. Millan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për dr. Millan Shuflajn paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.

Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë, për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e fton në fund të vitit 1930, që të vizitojë Shqipërinë. Kjo ftesë bëhet menjëherë pasiqë “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien” i kishte propozuar dr. Shuflajt të vazhdojë botimin e vëllimit të tretë, të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderime më të larta shtetërore, që nga mbreti Zog, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, dr. Millan Shuflajt i njihet, dhe në një farë mënyre, i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumentave mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare. I shoqëruar nga intelektualë dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat, viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentat e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen që më vonë, kur të kthehej në Zagreb, ti studionte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta bënte kurrë ngase u vra nga dora kriminale e policisë serbe.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, dr. Shuflaj më 16 janar 1931 mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të 6 (gjashtë)vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit që në emër të shpenzimeve të paguaj në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, në llogari të dr. Millan Shuflajt, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë. 

Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngultësia që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur dikujt nuk i pëlqente kjo gjë. Edhepse është shkruar se dr. Millan Shuflaj nuk ka shkruar shumë, e vërteta është krejt ndryshe. Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si libra të veçantë, iu janë të njohur vetëm një numri të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve nuk kanë njohuri se ato ekzistojnë fare.

Dorëshkrimet e Milan von Sufflay-t që ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat, në Zagreb, ruajnë thesare të vërteta për historinë kombëtare shqiptare. Të renditura në dhjetëra kuti, të sistemuara dhe katalogizuara, këto dorëshkrime nuk paraqesin problem për studiuesin, historianin apo albanologun, i cili është i përgatitur mirë nga paleografia dhe ka njohjen të paktën të disa gjuhëve në të cilat ka punuar albanologu kroat.

Në mesin e shumë dorëshkrimeve, ndodhet edhe korrespodenca e Milan von Sufflay-t. Në kutinë nr. 9, e cila është e mbushur plot me fashikuj letërkëmbimi nga letra që ka pranuar Sufflay, por, njëkohësisht aty ruhen edhe kopjet e letrave që Sufflay (pedant, korrekt dhe shumë sistemues) ju dërgonte të tjerëve. 

Duke vazhduar botimin e albanologut kroat, Milan von Sufflay, kësaj radhe ne publikut të gjerë, albanologëve dhe historianëve, ju sjellim 2 letra njëra e shkruar nga vetë Milan von Sufflay (që është e daktiloshkruar) dhe tjetra është autograf e akademikut serb Jovan Radoniqit.

Rëndësia e këtyre letrave (edhepse janë të ruajtura edhe disa të tjera në mes të këtyre dy autorëve) është sepse përfundimisht sqarohet një lloj mjegulle apo hije dyshimi që me dhjetëra vite ekziston mbi faktin se: “me të vërtet akademiku serb Jovan Radoniq i kishte huazuar disa dokumente Milan Sufflay-t”? Sa ishte numri i dokumenteve të huazuara? Pse Sufflay i kishte huazuar ato Radoniqit? Cili është fati tyre? etj., etj.

Duke mos pasur mundësi udhëtimi jashtë Zagrebi, (gjë që policia jugosllave i kishte ndaluar lëvizjen, e ne në vijim të botimit të këtij letërkëmbimi do të sjellim mjaftë dëshmi për këtë gjë), Milan von Sufflay, kishte angazhuar disa scribes [kopjues, m.a.] spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano) të këtyre arkivave, por edhe të arkivave tjera, si psh. të Mantovës, Sienës, Vatikanit, Ankonës, etj., që të kopjonin për llogari të tij, dokumente, dorëshkrime dhe burime tjera arkivore, përkundër një pagese të caktuar, gjë që ishte krejt e zakonshme për kohën. 

Duke e njohur akademikun serb Jovan Radoniqin, për arsye pune, por edhe për vete faktin se të dy kanë qenë student të Konstandin Jireçekut, Sufflay, në vitin 1926 i kishte huazuar jo më pak se 200 dokumente (që janë më shumë se 390 faqe) të përshkruara nga arkivat e Barcelonës (Aragonës) dhe Milanos (Sforza, nga i cili, një historian u huaj, sot pretendon se ka zbuluar dokumente te reja për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, e në fakt ato që në vitin 1926, Sufflay i kishte në tavolinën e tij të punës, pra as që mund të bëhet fjalë për ndonjë zbulim, kur ato prej vitesh ishin të njohura) kolegut serb, për gjoja faktin se ky i fundit dëshironte për të “ndriçuar raportet [marrëdhëniet, m.a.] e Gjergj Kastriotit dhe të Mehmetit të II-të” gjë që në fakt një punim i tillë nuk u botua kurrë. Më vonë, 11 vite pas vdekjes (“tragjike” siç e thekson Raoniq, në hyrjen e botimit të dokumenteve për Skënderbeut, f. X, “Đurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istoriska građa/. Spomenik. Srpska Kraljevsa Akademija. Drugi razred, knj. 74. Beograd, 1942), Radoniqi boton një pjesë të këtyre dokumenteve, pa theksuar në asnjë vend, se cilat dokumente ishin marrë nga i ndjeri Sufflay dhe cilat ishin fryt i punës së të tij. 

Në vijim një pjesë e letërkëmbimit Sufflay – J. Radoniq në fund të shikohen ehde riprohimet dixhitale ë roigjinalit të letërkëmbimit të cilat këtu në vijim i sjellim të përkthyera në gjuhën shqipe: 

Millan Sufflay i skruan dr. J. Radoniqit:

Akademik dhe profesor universiteti

Daniçiqeva 41 Beograd

Zagreb,

14 tetor 1930

I shumëndrituri zotëri!

Gjendem para redaktimit përfundimtar të vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia. Në këtë vëllim do të përfshij edhe marrëdhëniet e mbretit aragonas, Alfonsit, me Skënderbeun.

Që nga viti i largët 1926, unë ju kam huazuar, përshkrimet [kopjimet, m.a.] e dokumenteve nga arkivat e Barcelonës dhe Milanos, të cilat Ju, i kërkuat për të ndriçuar raportet [marrëdhëniet, m.a.] e Gjergj Kastriotit dhe të Mehmetit të II-të. Këto dokumente të përshkruara tani janë detyrimisht të domosdoshme për punën time.

Me këtë rast ju lutem, për herë të tretë, që këto dokumente të përshkruara [kopjuara, m.a.] të më ktheni sa më parë.

(Po ju shkruaj edhe adresën time: Dr. Milan Suffaly, Zagreb, rruga Gunduliqeva nr 25, kati I.). 

Në të kundërt, jam i detyruar që ato dokumente t’i porosis dhe t’i kopjoj përsëri nga arkivat e lartcekura [Barcelonës dhe Milanos] dhe për gjithë këtë që po ndodh, do të shkruaj në parathënien e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“.

Përzemërsisht ju përshëndet, 

admiruesi juaj i sinqertë

Dr. Milan Sufflay

Gunduliqeva 25

Zagreb

(Kur skanuam faksimilen e letrës, kemi vënë edhe dëshminë e dërgesës postare të Milan Sufflay-t. Ishte dërgesë speciale, dhe në të është shënuar se i adresuari e ka marrë letrën. Në anën e majtë të faksimiles mund të vërehet edhe vula e postës së Zagrebit dhe data 14. X. 1930, si dhe numri i postës 19. Natyrisht aty janë edhe shënimet e tjera të rutinës postare).

Dr. Milan Syfflay

Gunduliqrva 25

Zagreb

Beograd,

28 tetor 1930

I nderuari zotëri koleg!

Me t’u kthyer nga kongresi i bizantologëve [i mbajtur, m.a.] në Athinë, kam gjetur letrën tuaj të datës 14 tetor [1930, m.a.].

Ndihem fajtor i madh ndaj Jush, sepse është dashur që përshkrimet [kopjimet, m.a.] Tuaja, nga Barcelona dhe Milano t’ua ktheja para shumë kohësh.

Kam menduar që ato dokumente t’i shfrytëzoj plotësisht, por për shkak të obligimeve në punë, nuk kam pasur mundësi që ta bëj këtë gjë plotësisht deri tani. Me sigurinë më të madhe, i përfundoj ato për 4 ose 5 ditë, dhe do jua dërgoj me postë rekomande në adresën Tuaj.

Unë shpesh mendoj për Ju, dhe përgatitjen Tuaj shumë të lartë [profesionale dhe shkencore, m.a.] dhe më vjen shumë keq që nuk dëshirojnë  që Ju, të ju shfrytëzojnë [për punë shkencore, m.a.] dhe përgatitjen tuaj të dobishme.

Para pak kohësh, prapë kam pasur një bisedë për këtë çështje me një zotëri me ndikim, dhe kam shpresë në rezultate konkrete.

Ju respekton shumë, dhe përzemërsisht ju përshëndet,

I juaji Jovan Radoniqi.

Në fakt, Radoniqi, në botimin që cituam më lartë, (që për fat të keq ose të mirë !!!) është botimi më i mirë deri me sot me burime dhe dokumente (!!!) për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në hyrje e këtij libri, f. X, shkruan: “…kur me një rast i kam thënë Sufflay-t se po mbledh lëndën arkivore për historinë e Skënderbeut, ai pa hezitim më dha të gjitha dokumentet që kishte, veçanërisht ato nga arkivi i Barcelonës dhe ai i Milanos. Duke i shkruar këto radhë, e përkujtoj me mirënjohje zemërgjerësinë e prof. Sufflay-t, i cili vdiq në mënyrë tragjike në vitin 1931, në moshën 52 vjeçare”. 

Natyrisht, nuk mund të heshtim faktin, se botimi i dokumenteve të huazuara nga Sufflay, prej Radoniqit, nuk është korrekt, ka shkurtime, ndërhyrje në origjinal, por edhe duke lënë anash me dhjetëra dokumente tjera të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen në origjinal në arkivin e Aragonës në Barcelonë, dhe nuk janë të botuara. Ne, në një rast tjetër, pohimin tonë mund ta dëshmojmë, duke botuar faksimilet e origjinaleve të dokumenteve që ruhen në Barcelonë, të cilat i disponojmë, duke ballafaquar me botimin e Radoniqit.

Është fakt i njohur tashmë se në mes të viteve ’90, një pjesë e mirë e lëndës arkivore, (dorëshkrimeve), të Milan von Sufflay-t është kthyer nga Beogradi në Zagreb. Për çudi, aty nuk gjejmë dokumentet e huazuara Radoniqit, e as një pjesë të letërkëmbimit në mes Radoniqit e Sufflay-t, Thalloczy-it e Sufflay-t, etj, të cilat për fat të mirë tonin, na janë ruajtur në një vend tjetër, në Budapest. Në Budapest, ruhet në tërësi letërkëmbimi Thalloczy – Sufflay, por edhe një pjesë e letërkëmbimit me Radoniqin. Ne nuk dimë rrugën me të cilin ka ardhur ky letërkëmbim në Budapest, pasiqë, logjikisht nuk kishte pse të ruhej në dosjen e Thallcozy-t i cili kishte vdekur që në vitin 1916! 

Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore, shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Millan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallocin dhe K. Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështuqë të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumentave nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë.

Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me Sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.

Kontributi i dr. Shuflajt në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazias, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare. në anën tjetër, studim, që deri tashi ka mbetur i vetmi në këtë lëmi.

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapsirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. 

Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.

Edhe në studimet tjera të dr. Milan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.

Është interesant fakti, që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentet nga arkivat e Barcelonës dhe të Milanos, të cilat i kishin përshkruar për të disa scribes spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano), por ia kishte huazuar ato akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniqit, për konsultim, e për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, (Jovan Radonić. Ðurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istorijska građa/. “Spomenik,” Srpske Kralevske Akademije, drugi razred. knj. 74. Beograd, 1942. Duke shfletuar me kujdes vëllimin e botuar nga Jovan Radoniq, vërejmë se aty janë 48 dokumenta nga Arkivi i Barcelonës që Milan von Sufflay ia kishte huazuar atij) pas vdekjes së M. Sufflay, pa pasur kurrë lejen e tij për botim. Përkundrazi, M. Sufflay kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniqi t’ia kthente dokumentet nga arkivi i Barcelonës, (Shih letrën e Sufflay-t që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer shqip.Arkivi Shtetëror Korat /HDA/ Zagreb, R. O. M. Sufflay, kut. 9, IV/1,  nr. 264, /Zagreb, 18. I. 1926/ dhe kut. 9, IV/1, nr. 267, /Zagreb, 14. X. 1930/) e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t’ia kthente. (Në letrën e tij origjinale që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer në shqip, dërguar M. Sufflay-t, Jovan Radoniq, i shkruan se ato dokumente do t’ia kthente menjëherë. HDA-Zagreb, R. O. M. Šufflay, kut. 9; IV/1, nr. 218, /Beograd, 28. X. 1930/).

Filed Under: Histori

Besim Malota: “Çdo njani prej nesh për dëshirë e kish pasë me qenë n’Kosovë atë ditë”

February 18, 2026 by s p

Largimi im nga Kosova ndodhi si pasojë e përndjekjes politike. Kam qenë pjesë e organizatës së Jusuf Gërvallës, Lëvizjes Nacionalçlirimtare për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi, që synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një republikë të vetme. Organizimi i protestave në Klinë, si nxënës i gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, ishte arsyeja pse u arrestova në vitin 1982, vetëm 16 vjeç. Edhe pse u lirova, ajo periudhë ishte e rëndë për shkak të vetmisë së madhe – njerëzit kishin frikë të flisnin me mua, shokët më shmangeshin, e ndërronin edhe rrugën për mos më më fole, sepse represioni ishte i madh. Prandaj, në kushte të tilla duhej të largoshesha. Fillimisht kërkova strehim politik në Dortmund të Gjemanisë, ku vazhdova angazhimin me veprimtarë të lëvizjes, sidomos përmes klubit “Emin Duraku” në Dusseldorf.

Në fund të vitit 1984 mora ftesë për të qëndruar në Suedi, por synimi im ishte Amerika. Babai im, mësimdhënës për shumë vite në Kosovë, rrezikonte të përjashtohej nga puna për shkak të aktivitetit tim politik. Familja erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1984, ndërsa unë iu bashkova në vitin 1986, në moshën 18 vjeçare. Që nga ajo kohë, nuk iu ndava kurrë çështjes së Kosovës. Në diasporë jam marrë vazhdimisht me aktivizëm, kam organizuar protesta në Gjenevë, Bernë, Stokholm e Malmo. Në SHBA kam qenë bartës i aktiviteteve të klubit “Jusuf Gërvalla” në New York dhe bashkëthemelues i shoqatës “Shpresa” në Brooklyn më 1986, ku shërbeva për shumë vite edhe si sekretar. “Shpresa” pati një rol të madh në proceset e pajtimit të gjaqeve në diasporë, në fillim të ‘90-ve, dhe arriti deri në 3,500 anëtarë. Më vonë, u angazhova në shoqatën “Vatra”, shoqata më e vjetër shqiptare në Amerikë, e cila ka 114 vite që funksionon, ku kam qenë edhe nënkryetar. Edhe sot jam aktiv, ndonëse tashmë mendoj që ka ardhur koha për t’u tërhequr gradualisht.

Më 17 shkurt 2008 isha në Brooklyn. E dija që shpallja do të ndodhte, por për arsye personale nuk munda të udhëtoja në Kosovë bashkë me miqtë e mi, rreth 200–300 veta u nisën prej këtu. Për mua, ajo ishte një ëndërr shekullore. Gjithmonë kam besuar se Kosova një ditë do të bëhej e pavarur, por nuk e dija nëse atë ditë do ta shijonim ne apo brezat e ardhshëm.

Atë ditë ndodhi një organizim spontan në Times Square, Manhattan. U bashkova me shqiptarët që kishin dalë për të festuar – rreth një mijë vetë. U bllokua i gjithë sheshi. S’kishim as leje për të festuar, asgjë, por policia u tregua shumë e mirë. Pra, u mbyll “Times Square” për të festuar shqiptarët. Ishte krenari e jashtëzakonshme: breza të rinj, të lindur e rritur në Amerikë, të gjithë të veshur kuq e zi. Nuk e kishim ende flamurin e Kosovës, por flamuri kombëtar mbuloi gjithë sheshin.

Të gjitha mediat amerikane kanë qenë të pranishme atë ditë, midis tyre National Broadcasting Company, The New York Times. Kur e transmetuan në ekranet e mëdha shpalljen e pavarësisë së Kosovës: “Happy Independence to all Albanians from Kosovo” në “Times Square”, ka qenë kënaqësi e madhe, sepse ai vend është më i vizituari në Amerikë. Kishte njerëz nga e gjithë bota që mbetën duke shikuar çka ka ndodhur. U bllokua trafiku, u bllokuan Rruga 42 dhe Broadway – e kjo i bie si me u blloku zemra e Manhattan. Për shkak të pavarësisë, njerëzit kanë bërë tri orë për ta kaluar Manhattanin.

Çdo njani prej nesh për dëshirë e kish pasë me qenë në Kosovë atë ditë, por organizimi spontan i rinisë shqiptare në New York na mahniti. Përmes thirrjeve nëpër rrjetet sociale: “Hajdeni në Manhattan, po bashkohemi e po festojmë në ‘Times Square’”, ata u mblodhën brenda pak orësh. Ajo atmosferë e zëvendësonte disi mungesën, edhe pse brenda meje mbetej një ndjenjë pengu që nuk aty ku po ndodhte historia.

Unë jam prej atyre që gjithmonë shoh përpara. Shteti ynë është i ri, vetëm 18 vjet, dhe asgjë nuk ndërtohet brenda natës. Si një fëmijë që lind e rritet gradualisht, edhe shteti forcohet me kohë. Ka probleme, por ato zgjidhen me vite pune. E rëndësishme është që kemi shtetin tonë, ushtrinë tonë, institucionet tona dhe përfaqësitë diplomatike. Për ne në diasporë, kjo ka një domethënie të veçantë: nuk kemi më nevojë të trokasim në dyer të huaja, kemi adresën tonë.

Besim Malota, 62 vjeçar, ish-aktivist politik, anëtar i Federatës Vatra,

Trumbull, Connecticut, SHBA

Fragment nga shkrimi “U mbyll Times Square për me festu shqiptarët” Kosova 2.0, autore Valmira Rashiti https://kosovotwopointzero.com/…/u-mbyll-times-square…

Filed Under: Analiza

Një popull, një liri, një miqësi e përjetshme

February 18, 2026 by s p

Nga Ramiz TAFILAJ

Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”

17 Shkurt 2026/

Sot, qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët kudo që janë, festojnë me zemër plot 18-Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një festë për të cilën është derdhur shumë gjak për më shumë se një shekull. Një festë që nuk është vetëm datë në kalendar, por është amanet, është sakrificë, është histori e shkruar me dhimbje dhe me krenari.

Kjo është një festë për të cilën flitet gjatë tërë muajit shkurt, e që arrin kulmin me festime kolektive nëpër shtëpitë tona, në shkollat tona, në çdo qytet e fshat të Kosovës dhe në të gjitha viset shqiptare. Shkollat dhe organizatat marrin ditë pushimi dhe i bashkohen karvanit të festimeve. Mediumet elektronike mbushen me postime krenarie, ndërsa diskutimet publike jehojnë me rrëfime për heroizmin e shqiptarëve dhe për rezistencën shekullore për të mos u zhdukur nga faqja e dheut.

Fjalimet shprehin mirënjohje ndaj Zotit, ndaj rezistencës paqësore, por edhe ndaj luftës heroike të të rinjve tanë që në fund të shekullit të kaluar i rrokën armët me moton e pavdekshme “Ose liri, ose vdekje”. Nga lëvizja gjithëpopullore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, te sakrifica e bijëve më të mirë në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri tek shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, në Prishtinë – çdo etapë është gur themeli i shtetit tonë.

Fjalimet dhe postimet përfundojnë gjithmonë me një histori të shkurtër, por të fuqishme, të miqësisë shqiptaro-amerikane. Një miqësi që nisë me themelimin e Federatës PanShqiptare “Vatra” në Diasporë, vazhdon me mbështetjen e pandërprerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në momentet tona më të vështira dhe kurorëzohet me përkrahjen vendimtare për Lirinë, Pavarësinë dhe Shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Historia dhe miqësia mes dy popujve rritet dhe kalitet me edukimin e brezave të rinj dhe me këndvështrimin që ne ua përcjellim atyre. Çdo fëmijë i rritur në Kosovë, në Shqipëri e në Diasporë, tregimet për ngadhënjimin i përfundon me fjalët: “Fal Zotit dhe Amerikës, sot jemi të pavarur dhe të pazhdukur.” Këto fjalë janë të gdhendura në kujtesën tonë kolektive, në zemrën e çdo shqiptari, pa dallim moshe.

Ajo që më shtyu ta shkruaj këtë mesazh, në këtë ditë feste, ishte një vogëlushe nga Hjustoni, vetëm 6 vjeçe – Elena Mekaj, vajza e Flamur dhe Elvana Mekaj, një çift i ri nga Peja që emigruan në SHBA pas ndërhyrjes së NATO-s dhe valës së refugjatëve nga Kosova. Është mbesa e ish Kryetarit të Gjykatës së Apelit, z. Salih Mekaj. Vitin e kaluar, Elena e festoi Ditën e Pavarësisë në Kosovë me moshatarët e saj dhe e përjetoi nga afër dashurinë dhe mirënjohjen e çdo shqiptari për popullin Amerikan.

Këtë mëngjes feste, ajo iu drejtua prindërve: “Nuk është ferr, që ne të shkojmë në shkollë dhe të mos festojmë sot. Në Kosovë kemi festuar dhe kemi dëgjuar rrëfime për miqësinë shqiptaro-amerikane. Këtu askush në shkollë nuk flet për Ne, për Kosovën dhe për faktin se sa shumë i duam amerikanët. Pse, babi, pse është kështu?!”

Me urtësinë e tij, Flamuri e qetësoi vajzën duke i shpjeguar se në shtete të mëdha, si Amerika, populli jeton i sigurtë dhe nuk ka frikë nga forcat e jashtme; ndërsa ne, si shtet i vogël, kemi dashur që Bota ta dijë se nuk jemi vetëm, se kemi miq e mbrojtje. Ai e krahasoi këtë me dashurinë e prindërve për fëmijët: prindërit i mbrojnë fëmijët e tyre kur janë të vegjël, dhe kur ata rriten, bëhen të vetëdijshëm për sakrificën dhe dashuria forcohet, duke kaluar nga brezi në brez.

Edhe unë u emocionova nga këndvështrimi i Elenës së vogël. Në pafajësinë e saj fëminore qëndron thelbi i së vërtetës sonë historike: Mirënjohja nuk është dobësi, por madhështi. Të falënderosh është virtyt i një populli fisnik.

Prandaj, të dashur lexues të “Gazeta e Alpeve”, më lejoni që, përmes këtij mesazhi, në emër të Këshillit Botues me kryetar Z. Besnik Mustafaj, dhe të Kryeredaktorit Z. Ramiz Lushaj dhe në emrin tim personal, t’ju uroj 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Po e përfundoj këtë shkrim, ashtu siç e ka dëgjuar Elena në Kosovë, me fjalët që na bashkojnë të gjithëve:

“FAL ZOTIT DHE AMERIKËS” – sot kemi shtet, kemi liri dhe kemi çka të festojmë”!

Urime përjetë, Kosovë! Qoftë e bekuar toka jonë dhe e përjetshme miqësia shqiptaro-amerikane!

Filed Under: Komente

Dita e Pavarësisë së Kosovës – liria si amanet dhe përgjegjësi historike

February 18, 2026 by s p

Prof. Xhafer Beqiraj/

Sot, më 17 Shkurt, ne përulemi me nderim dhe me vetëdije të thellë para një dite që shënon kulmin e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, një rrugëtimi që kaloi nëpër sprova të rënda, nëpër dhimbje të thella, nëpër sakrifica të mëdha dhe nëpër një qëndresë të pandërprerë për liri e dinjitet. Dita e Pavarësisë së Kosovës nuk është thjesht një datë e shënuar në kalendarin shtetëror; ajo përbën përmbylljen e një periudhe të gjatë e të vështirë të historisë sonë të dhimbshme dhe, njëherësh, pikënisjen e një përgjegjësie të re shtetërore e kombëtare. Sepse liria që u fitua me shumë sakrificë nuk është vetëm arritje për t’u kremtuar, por amanet për t’u ruajtur dhe detyrim për t’u forcuar çdo ditë.

Ne, shqiptarët kudo në Ballkan, jemi të një gjuhe, të një historie e të një gjaku dhe pikërisht kjo përkatësi e përbashkët shpirtërore e etnike na ka mbajtur gjallë ndër shekuj, ndonëse padrejtësitë historike ndaj kombit tonë qenë të shumta, të rënda dhe të përsëritura. Që para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, e edhe pas saj, trojet shqiptare u copëtuan padrejtësisht, ndërsa populli ynë mbeti i ndarë në kufij të imponuar. Këto padrejtësi vijuan gjatë shekullit XX dhe ndaj Kosovës morën trajtë të organizuar e sistematike gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, duke u shndërruar në politikë shtetërore të mohimit të të drejtave kombëtare dhe të kufizimit të lirisë kolektive të shqiptarëve.

Megjithatë, historia jonë nuk është vetëm rrëfim vuajtjesh, ajo është dëshmi e qëndresës së një populli që nuk e humbi kurrë ndërgjegjen për identitetin e vet. Gjuha, kultura, arsimi dhe tradita shqiptare mbetën shtyllat që e ruajtën vetëdijen kombëtare edhe atëherë kur pushtetet ndryshonin dhe kufijtë lëviznin. Këto vlera, të trashëguara me përkushtim brez pas brezi, u shndërruan në themel të qëndresës sonë kombëtare dhe në burim të pashtershëm të idealit për liri.

Kjo vetëdije e organizuar politike do të shtrihej më pas në përmasa më të gjera shoqërore. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, shqiptarët e Kosovës nuk qëndruan të heshtur përballë padrejtësive, por e shprehën pakënaqësinë e tyre përmes demonstratave të njëpasnjëshme: në vitin 1968 për barazi dhe kushtetuetë; në vitin 1981 për republikë dhe dinjitet kombëtar; në vitet 1988–1989 kundër heqjes së autonomisë; në periudhën 1990–1996 në formë rezistence institucionale paqësore; si dhe në vitin 1997 kundër represionit e dhunës sistematike. Këto lëvizje nuk qenë reagime të rastit, por vazhdim logjik i një ndërgjegjeje kolektive që kërkonte liri, barazi dhe vetëvendosje.

Pas një periudhe të gjatë rezistence paqësore, më 28 Nëntor 1997 doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shënuar kështu kthesën vendimtare në rrjedhën e çështjes sonë kombëtare. Ndërkaq, kulmi i dhunës shtetërore ishte shënuar pas vitit 1989 kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit vendosi një sistem represiv e terrori mbi popullin shqiptar. Vitet 1990–1999 përbëjnë një nga periudhat më të errëta të historisë sonë, gjatë së cilës u shkelën të drejtat themelore njerëzore, u mbyllën shkolla e institucione, u larguan nga puna mijëra qytetarë dhe u ushtrua dhunë sistematike ndaj popullsisë civile.

Më 5 mars 1998, në Prekaz, sakrifica e Adem Jasharit me familjen dhe bashkëluftëtarët e tij e shndërroi rezistencën në simbol të përjetshëm të lirisë. Kryengritja çlirimtare kishte në themelin e saj një ideal të vetëm – lirinë. Sepse liria nuk është vetëm aspiratë kombëtare, ajo është vlera më e lartë e dinjitetit njerëzor dhe themeli mbi të cilin ndërtohen demokracia dhe e drejta e popujve për vetëvendosje.

Krimet e viteve 1998–1999 arritën përmasa gjenocidale, duke lënë pas mijëra të vrarë, të zhdukur e të dëbuar. Mirëpo, përballë kësaj dhune, qëndresa u bë vendimtare dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, e ndërthurur me ndërhyrjen e NATO-s në pranverë të vitit 1999, solli çlirimin e Kosovës dhe hapi rrugën drejt shtetformimit.

Më 17 Shkurt 2008 u kurorëzua juridikisht dhe politikisht ajo që ndër dekada ishte kërkuar me protesta, ishte mbrojtur me qëndresë dhe ishte paguar me gjak. Kosova u bë shtet, por, mbi të gjitha, Kosova u bë përgjegjësi për të gjithë ne.

Në këtë kuptim, universitetet dhe rinia jonë kanë sot një rol të pazëvendësueshëm. Sepse pikërisht këtu, në hapësirat e dijes dhe të mendimit kritik, ndërtohet e ardhmja e shtetit. Një komb që investon në dije, ndërton të ardhmen; një komb që nderon dijen, forcon lirinë; një komb që kultivon mendimin e lirë, ruan dinjitetin e vet historik.

Në këtë përvjetor, ndërsa nderojmë sakrificën e atyre që e bënë të mundur lirinë, nuk mund të heshtim përballë asaj që e konsiderojmë padrejtësi historike. Ne e shohim si të tillë gjykimin që sot po u bëhet ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit; sepse ata u ngritën në mbrojtje të popullit të rrezikuar nga dhuna dhe spastrimi etnik i shtetit serb në krye me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin. Si rrjedhojë, drejtësia ndërkombëtare nuk mund të barazojë qëndresën me agresionin e gjenocidin dhe as të tjetërsojë luftën çlirimtare nga konteksti i saj kombëtar e historik. Drejtësia e vërtetë duhet të mbështetet mbi tërësinë e fakteve dhe mbi të vërtetën historike. Andaj, sot, më 17 Shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbështetja qytetare për çlirimtarët është shprehje e dinjitetit dhe e ndërgjegjes sonë kombëtare e historike. Drejtësia duhet të mbështetet mbi të vërtetën e plotë, jo mbi padrejtësinë që u bëhet çlirimtarëve tanë në Hagë.

Dhe sot, më shumë se kurrë, na duhet unitet në vizion, maturi në veprim dhe përgjegjësi në ndërtim. Sepse vetëm një popull që e nderon sakrificën e gjakun e derdhur për liri, që e mbron të vërtetën dhe që e ndërton shtetin mbi drejtësi e mbi dije, mund ta ruajë lirinë e vet të përjetshme.

Le ta duam Kosovën jo vetëm me fjalë, por me punë.

Le ta ndërtojmë jo vetëm me emocione, por me përgjegjësi.

Le ta mbrojmë jo vetëm në kujtesë, por në çdo veprim tonin të përditshëm.

Lavdi dëshmorëve të lirisë!

Nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë!

Urime Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

Qoftë e përjetshme liria e saj!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT