• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtësi pa barazi: Pse Dhomat e Specializuara e kanë humbur legjitimitetin?!

February 16, 2026 by s p

Nga: Ramiz TAFILAJ

Hjuston Teksas SHBA, 16 janar 2026/

Në Hagë sot nuk po zhvillohet thjesht një proces gjyqësor. Po zhvillohet një betejë për narrativën e luftës së Kosovës. Në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm katër individë – është vetë legjitimiteti i rezistencës shqiptare kundër një regjimi që përdori represionin, dëbimin masiv dhe krimin sistematik si mjete politike. Për shumë qytetarë të Kosovës, kjo nuk është më çështje e fajësisë apo pafajësisë individuale. Është çështje e drejtësisë selektive. Është çështje e barazisë përballë ligjit. Dhe është çështje e dinjitetit kombëtar.

Le ta themi hapur: sot në Dhomat e Specializuara po gjykohen vetëm ish-udhëheqës shqiptarë të luftës. Nuk ka një mekanizëm të ngjashëm të dedikuar për strukturat shtetërore serbe që operuan në Kosovë. Nuk ka një gjykatë të posaçme për zinxhirin komandues që zbatonte politika të spastrimit etnik.

Po, individë serbë janë gjykuar në procese të tjera ndërkombëtare. Por këtu është thelbi i kritikës: për Kosovën u krijua një mekanizëm i veçantë, i personalizuar, i ndërtuar ekskluzivisht për të hetuar dhe ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit.

A ishte lufta në Kosovë konflikt mes dy palëve të barabarta? Apo ishte përballje mes një aparati shtetëror të organizuar dhe një popullsie që kërkonte mbijetesë?

Nëse forcat serbe përdorën zhvendosjen masive, terrorin dhe vrasjet sistematike si mjet presioni politik, pse sot nuk ekziston një strukturë e njëjtë, me të njëjtën energji dhe përkushtim, për të hetuar përgjegjësinë shtetërore serbe?

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e shohin procesin në Hagë si thellësisht të njëanshëm.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e raportit të paraqitur nga Dick Marty, raport që tronditi opinionin publik me akuza për trafikim organesh dhe krim të organizuar në nivelet më të larta të UÇK-së.

Por sot, në aktakuzat konkrete, akuza për trafikim organesh nuk qëndron.

Mekanizmi u ngrit mbi një narrativë të caktuar, ndërsa gjykimi po zhvillohet mbi një tjetër bazë.

Kjo ngre një pyetje legjitime: nëse themeli moral dhe politik i krijimit të kësaj gjykate ishte raporti i Marty-t, dhe nëse akuzat kryesore të atij raporti nuk janë pjesë e aktakuzës aktuale, mbi çfarë qëndron sot legjitimiteti i këtij mekanizmi?

Më tej, një pjesë e madhe e materialeve që përmenden në debat publik thuhet se burojnë nga arkiva dhe struktura serbe – nga i njëjti aparat shtetëror që ishte palë në konflikt. Edhe nëse juridikisht çdo provë duhet shqyrtuar, politikisht kjo krijon një hije të rëndë: a po gjykohen shqiptarët mbi dokumente të hartuara nga kundërshtari i tyre në luftë? Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një paradoks të rrezikshëm: makineria shtetërore që dikur akuzohej për represion, sot shihet si burim materiali për ndërtimin e aktakuzave.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Ato u themeluan me ndryshime kushtetuese. Pra, juridikisht janë gjykatë e Kosovës.

Por pse në sallat e gjyqit nuk qëndron stema e Republikës së Kosovës? Pse dokumentet shpesh nuk reflektojnë qartë identitetin institucional të shtetit që i ka themeluar? Pse qytetari i Kosovës, kur sheh pamjet nga Hagë, nuk e ndien se kjo është gjykata e vendit të tij?

Një gjykatë që buron nga Kushtetuta e Kosovës, por që nuk mban simbolet e saj, krijon përshtypjen e një strukture të shkëputur nga sovraniteti që pretendon ta përfaqësojë. Simbolet shtetërore nuk janë dekor – ato janë shenjë autoriteti dhe përgjegjësie.

Nëse kjo është gjykatë e Kosovës, ajo duhet ta mbajë identitetin e saj pa ekuivok.

Një nga pikat më të debatueshme është ekzistenca e një zyre ndërlidhëse në Beograd. Një gjykatë që juridikisht është e Kosovës, që operon në Hagë, por që ka përfaqësi në kryeqytetin e shtetit me të cilin Kosova ka qenë në luftë.

Argumenti formal është bashkëpunimi për prova. Por simbolika politike është e fortë dhe e pakëndshme. Për shumë qytetarë, kjo duket si një përmbysje logjike: një mekanizëm që duhet të forcojë sovranitetin e Kosovës, funksionon edhe brenda territorit të shtetit që mohon atë sovranitet.

Kjo nuk është vetëm çështje teknike. Është çështje perceptimi, besimi dhe dinjiteti institucional.

Në këtë proces po gjykohen figura që për shumë shqiptarë simbolizojnë rezistencën: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin – ky është parim universal. Por asnjë proces nuk duhet të jetë mbi dyshimin publik. Kur paraburgimi zgjat me vite, kur aktakuzat ndryshojnë në thelb nga narrativa fillestare, kur gjykata perceptohet si e njëanshme, atëherë lind pyetja: a kemi të bëjmë me drejtësi apo me menaxhim politik të historisë?

Legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota e parlamentit. Ai buron nga besimi i qytetarëve. Dhe sot, për një pjesë të madhe të shoqërisë në Kosovë, ky besim është i thyer.

Kur një gjykatë krijohet nën presion ndërkombëtar, kur operon jashtë territorit të vendit, kur nuk mban simbolet e shtetit që e ka themeluar, kur ka përfaqësi në Beograd dhe kur gjykon vetëm një palë të konfliktit – atëherë kritika nuk është vetëm emocionale. Ajo është politike, morale dhe juridike.

Si autor i këtij teksti, e them qartë: Dhomat e Specializuara, në këtë formë dhe në këtë mënyrë funksionimi, e kanë humbur legjitimitetin moral në sytë e një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës. Një mekanizëm që nuk bind popullin për paanshmërinë e tij, nuk mund të shërbejë si themel i drejtësisë.

Nëse procesi vazhdon të perceptohet si selektiv dhe i ndërtuar mbi balanca politike, atëherë ai nuk e forcon shtetin e Kosovës – e dobëson atë.

Nëse nuk provohet fajësia me standarde të pakontestueshme dhe të barabarta, atëherë lirimi i të akuzuarve duhet të jetë i plotë dhe i qartë. Jo si kompromis politik, por si akt drejtësie.

Kosova nuk kërkon imunitet për askënd. Por nuk mund të pranojë një drejtësi që duket e njëanshme. Sepse drejtësia selektive nuk është drejtësi – është padrejtësi me vulë zyrtare.

Dhe një padrejtësi e tillë, sado e sofistikuar, nuk mund të mbijetojë përgjithmonë përballë së vërtetës dhe ndërgjegjes së një populli.

Filed Under: Kronike

117 VJET DRITË KOMBËTARE – VATRA DHE “DIELLI” NË THEMELIMIN, MBROJTJEN DHE LEGJITIMIMIN NDËRKOMBËTAR TË SHTETIT SHQIPTAR DHE TË KOSOVËS

February 16, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Në historinë moderne të kombit shqiptar, rrallë mund të gjendet një institucion që për më shumë se një shekull ka ruajtur me aq përkushtim dhe vazhdimësi misionin kombëtar sa Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra. Në 117 vjet të ekzistencës së saj, ajo ka qenë jo vetëm organizatë e diasporës, por një institucion i vërtetë i diplomacisë publike shqiptare, një mbrojtëse e së drejtës kombëtare dhe një faktor me ndikim në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen shqiptare.

Ky përvjetor nuk është vetëm një jubile historik; ai është dëshmi e një tradite të qëndrueshme në mbrojtje të lirisë, të shtetit dhe të së drejtës.

I. Vatra dhe mbrojtja e shtetit shqiptar në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Në fillim të shekullit XX, kur Shqipëria rrezikonte të zhdukej si subjekt politik, veprimtaria e Vatrës dhe e elitës së saj intelektuale, ku spikasnin Fan S. Noli dhe Faik Konica, u orientua në dy drejtime themelore:

Mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje;

Legjitimimin e shtetit shqiptar në opinionin ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, veprimtaria e Vatrës përkonte me një nga parimet themelore që po formësohej në të drejtën ndërkombëtare të kohës – parimin e vetëvendosjes së popujve, i cili më vonë do të konsolidohej në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në praktikën ndërkombëtare.

Në periudhën e Konferencës së Paqes në Paris (1919), memorandume dhe materiale informuese të përgatitura nga vatranët ndikuan në krijimin e një narrative të argumentuar juridikisht mbi të drejtën historike dhe politike të shqiptarëve për shtetësi.

Organi i tyre, Gazeta Dielli, shërbeu si tribunë ku këto argumente artikuloheshin me gjuhë politike, juridike dhe diplomatike, duke formuar një diskurs që kishte ndikim real në qarqet intelektuale dhe politike të kohës.

II. “Dielli” si instrument i diplomacisë publike dhe i formësimit të opinionit ndërkombëtar

Në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare moderne, diplomacia publike konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme të ndikimit. Në këtë aspekt, “Dielli” ka luajtur një rol që mund të krahasohet me institucionet e diplomacisë kulturore dhe politike të shumë shteteve.

Në periudha të ndryshme historike, ai ka:Informuar opinionin publik amerikan mbi realitetin shqiptar;Kundërshtuar propagandën antishqiptare;Promovuar të drejtën e shqiptarëve për liri dhe shtetësi;Ruajtur vazhdimësinë e mendimit politik shqiptar në diasporë.

Gjatë viteve ’90, kur Kosova përjetonte një nga periudhat më të rënda të historisë së saj, “Dielli” publikoi analiza dhe dëshmi që ndihmuan në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për natyrën sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

III. Vatra dhe çështja e Kosovës në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare

Roli i Vatrës në mbështetje të Kosovës duhet parë edhe në dritën e zhvillimeve të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore.

Në periudhën 1989–1999, shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Kosovë krijuan një situatë që në doktrinën juridike ndërkombëtare njihet si krizë humanitare me pasoja për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Mbështetja e diasporës shqiptare dhe sensibilizimi i opinionit publik amerikan kontribuan në krijimin e një klime politike që mundësoi ndërhyrjen e NATO në vitin 1999, një ndërhyrje që në analizat juridike konsiderohet si ndërhyrje për të parandaluar katastrofën humanitare.

Më pas, shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe Opinioni Këshillimor i Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010, i cili konfirmoi se deklarata e pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, përbëjnë një moment të rëndësishëm në historinë juridike ndërkombëtare.

Në këtë proces, Vatra dhe “Dielli” luajtën rol në afirmimin publik dhe intelektual të legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës, duke mbështetur argumente që tashmë janë pjesë e jurisprudencës dhe doktrinës ndërkombëtare.

IV. Roli i diasporës në marrëdhëniet ndërkombëtare – rasti i Vatrës

Në teorinë bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, diaspora konsiderohet një aktor me ndikim në proceset politike dhe diplomatike. Vatra është një nga shembujt më të suksesshëm të këtij roli.

Ajo ka vepruar në disa plane njëkohësisht:Diplomacia publike;Aktivizmi politik;Promovimi i identitetit kulturor;Ndikimi në formësimin e opinionit publik ndërkombëtar.

Në shumë periudha historike, kur institucionet shtetërore shqiptare ishin të dobëta ose të kufizuara, Vatra ka qenë një faktor stabiliteti dhe vazhdimësie kombëtare.

V. 117 vjet – trashëgimi historike dhe përgjegjësi për të ardhmen

Pas 117 vjetësh, Vatra dhe “Dielli” përfaqësojnë një trashëgimi që nuk është vetëm historike, por edhe aktuale dhe strategjike për të ardhmen e kombit shqiptar.

Në një kohë kur sfidat e informacionit, rivalitetet gjeopolitike dhe përpjekjet për rishkrim të historisë janë gjithnjë e më të pranishme, roli i institucioneve me autoritet moral dhe intelektual bëhet edhe më i rëndësishëm.

Vatra dhe “Dielli” mbeten:ruajtëse të kujtesës historike,mbrojtëse të së vërtetës,zë i përgjegjshëm i interesit kombëtar,dhe udhërrëfyes i ndërgjegjes shqiptare.

Në këtë përvjetor të 117-të, nderimi ndaj vatranëve është njëkohësisht nderim ndaj një tradite të tërë përkushtimi ndaj lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar.

Lavdi Vatrës për 117 vjet shërbim kombëtar.

Mirënjohje vatranëve të të gjitha brezave.

Respekt për “Diellin”, që për më shumë se një shekull ka qenë tribunë e së vërtetës, ndërgjegje morale dhe dritë udhëzuese për kombin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

Dita e Presidentëve dhe kuptimi aktual i saj

February 16, 2026 by s p

Dita e Presidentëve është një festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kremtohet çdo vit të hënën e tretë të muajit shkurt. Ajo njihet zyrtarisht si “Ditëlindja e Uashingtonit”, por në përdorim të përditshëm është bërë simbol i nderimit për të gjithë presidentët amerikanë. Kjo ditë ka një rëndësi të veçantë historike, sepse lidhet me zhvillimin e shtetit amerikan, forcimin e institucioneve demokratike dhe me figurat që kanë ndikuar në rrjedhën e historisë së vendit.

Fillimisht, festa u krijua për të nderuar George Washington, i lindur më 22 shkurt 1732. Washington ishte komandanti i ushtrisë kontinentale gjatë Luftës për Pavarësi dhe më pas presidenti i parë i vendit. Ai vendosi themelet e funksionimit të presidencës, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të ndarjes së pushteteve. Vendimi i tij për të mos kërkuar një mandat të tretë krijoi një precedent të rëndësishëm demokratik, duke dëshmuar se pushteti nuk duhet të përqendrohet në duart e një individi për një kohë të gjatë.

Më vonë, kjo ditë filloi të përfshinte edhe përkujtimin e Abraham Lincoln, i lindur më 12 shkurt 1809. Lincoln udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile dhe u bë simbol i ruajtjes së unitetit kombëtar. Përmes Proklamatës së Emancipimit, ai hodhi hapat vendimtarë drejt shfuqizimit të skllavërisë. Trashëgimia e tij lidhet me përkushtimin ndaj barazisë dhe me mbrojtjen e Kushtetutës në një kohë përçarjeje të thellë.

Në vitin 1885, ditëlindja e Washingtonit u shpall festë federale, ndërsa në vitet 1970, si pjesë e reformës së kalendarit federal, ajo u zhvendos në të hënën e tretë të shkurtit për të krijuar një fundjavë të zgjatur. Megjithëse emri zyrtar nuk ndryshoi, popullariteti i termit “Dita e Presidentëve” u përhap në mbarë vendin, duke e shndërruar këtë festë në një moment reflektimi për të gjithë presidencën amerikane.

Rëndësia historike e kësaj dite qëndron në faktin se presidenca është një institucion kyç në sistemin politik amerikan. Presidenti është kreu i shtetit dhe i qeverisë, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe përfaqësues i vendit në arenën ndërkombëtare. Çdo president ka lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të vendit. Për këtë arsye, Dita e Presidentëve është një mundësi për të analizuar rolin e udhëheqjes dhe përgjegjësinë që mbart ky post.

Ndër presidentët e shquar që kanë ndikuar thellësisht në historinë amerikane përmenden disa figura të rëndësishme. Thomas Jefferson, autor kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe presidenti i tretë, zgjeroi territorin amerikan përmes blerjes së Luizianës, duke dyfishuar sipërfaqen e vendit.

Theodore Roosevelt njihet për reformat progresiste, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e rolit të SHBA-së në politikën botërore. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi vendin gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, duke zbatuar programin “New Deal” për rimëkëmbjen ekonomike dhe duke forcuar rolin e qeverisë federale. John F. Kennedy frymëzoi një brez të tërë me vizionin e tij për përparim dhe eksplorim hapësinor, ndërsa Ronald Reagan luajti një rol të rëndësishëm në fundin e Luftës së Ftohtë dhe në transformimet ekonomike të viteve 1980. Këta presidentë përfaqësojnë periudha të ndryshme dhe sfida të ndryshme, por të gjithë kontribuuan në formësimin e identitetit amerikan.

Dita e Presidentëve ka gjithashtu një dimension arsimor dhe qytetar. Në shkolla organizohen aktivitete që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për historinë kombëtare dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike. Nxënësit mësojnë se si zgjedhjet, debatet dhe vendimet politike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Kjo festë shërben si kujtesë se demokracia është një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim dhe përgjegjësi.

Nga ana shoqërore, kjo ditë shënon një moment pushimi dhe aktivitetesh familjare. Megjithatë, përtej ofertave tregtare dhe fundjavës së zgjatur, mesazhi kryesor mbetet nderimi i institucioneve dhe reflektimi mbi rrugëtimin historik të kombit. Presidenca amerikane ka kaluar periudha stabiliteti dhe krize, suksese dhe polemika, por ka mbetur një simbol i vazhdimësisë institucionale.

Në dekadat e fundit, presidenca ka qenë shpesh në qendër të debateve të forta politike. Një nga figurat më të diskutueshme ka qenë Donald Trump. Trashëgimia e tij mbetet subjekt debatesh të gjera në shoqërinë amerikane. Mbështetësit e tij theksojnë politikat ekonomike, uljen e taksave dhe emërimet në Gjykatën Supreme si arritje të rëndësishme. Kritikët, nga ana tjetër, vënë në dukje polarizimin politik, retorikën përçarëse dhe sfidat ndaj normave tradicionale institucionale. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, presidenca e Trumpit ka lënë një ndikim të dukshëm në diskursin politik dhe në mënyrën se si perceptohet roli i presidentit në epokën moderne.

Në përfundim, Dita e Presidentëve është një moment reflektimi mbi historinë dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Ajo nderon figura të mëdha si George Washington dhe Abraham Lincoln, kujton kontributet e presidentëve të tjerë të shquar dhe fton qytetarët të mendojnë mbi përgjegjësinë që mbart pushteti. Nëpërmjet kësaj dite, amerikanët jo vetëm që kujtojnë të kaluarën, por edhe riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj parimeve demokratike që kanë udhëhequr kombin për më shumë se dy shekuj.

Rafael Floqi

Filed Under: Politike

117 VITE “DIELL”

February 16, 2026 by s p

Prof.as.dr Elindë Dibra/

Në këtë përvjetor, gazeta Dielli, shënon 117 vite jetë — një udhëtim që nisi më 15 shkurt 1909, në Boston dhe që vazhdon edhe sot. Që nga ajo kohë, Dielli u bë dritarja përmes së cilës u paraqiten shqetësimet e kohës, u formësuan ide dhe u ruajt lidhja shpirtërore me atdheun. Gjatë këtyre 117 viteve, kjo gazetë është mbajtur gjallë nga përkushtimi i kontribuesve të shumtë — editorë, studiues, historianë, shkrimtarë, veprimtarë e intelektualë. Përmes tyre, Dielli u bë një hapësirë ku historia dhe shpresa për Shqipërinë e lirë u ndërthurën së bashku.

E lindur në një kohë kur nevoja për organizim kulturor dhe politik të diasporës ishte shumë e nevopjshme, gazeta u bë shumë shpejt zëri i shqiptarëve të Amerikës Themeluesit dhe kontribuesit e saj të hershëm, ndër të cilët Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Sotir Peci, Kostë Çekrezi dhe të tjerë, e panë shtypin si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjen midis diasporës dhe vendlindjes.

Gjatë dekadave, Dielli ka dokumentuar zhvillimet më të rëndësishme të historisë shqiptare, duke u bërë një kronikë e përpjekjeve të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Në faqet e saj, janë pasqyruar debatet politike, reflektimet kulturore dhe sfidat e komunitetit shqiptar në mërgim. Në këtë mënyrë, gazeta ka tejkaluar funksionin e saj informativ për t’u shndërruar në një hapësirë ku ndërtohet dhe ruhet kujtesa historike.

Roli i Diellit, si një institucion i shqiptarizmit në diasporë është vënë në dukje edhe në interpretimet e mëhershme të shtypit shqiptar në mërgim. Revista Shêjzat, në një shkrim të botuar në vitin 1959, në rubrikën “Xixat e Shêjzave”, e përshkroi këtë gazetë si një shtyllë të rëndësishme të jetës kulturore dhe identitare të shqiptarëve jashtë atdheut. Ky vlerësim dëshmon se rëndësia e Diellit është perceptuar jo vetëm si një realitet i brendshëm i diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe si një element i rëndësishëm i vetëdijes kulturore shqiptare në mërgaten europiane.

Në planin personal, pata mundësinë të nis një punë kërkimore që do të vijojë me gazetën Dielli, një përvojë me rëndësi të veçantë për drejtimin e hulumtimeve të mia. Kontakti i drejtpërdrejtë me këtë burim, përmes shfletimit të numrave të saj në arkivin e Federatës “Vatra”, më dha mundësinë ta përjetoja në mënyrë konkrete vazhdimësinë historike dhe kulturore që kjo gazetë përfaqëson.

Shfletimi i Diellit dëshmon se ajo nuk është vetëm një dokument historik, por edhe një hapësirë ku ndërthuren e shkuara dhe e tashmja e mërgatës shqiptare. Në këtë përvjetor, është e natyrshme që mirënjohja të shtrihet mbi të gjithë ata që kanë kontribuar në jetën dhe vazhdimësinë e kësaj gazete. Nga themeluesit dhe editorët e parë, te bashkëpunëtorët e shumtë që kanë shkruar në faqet e saj ndër vite, secili ka lënë gjurmë në historinë e Diellit.

Në këtë rrugëtim kanë qenë të pranishme edhe gra intelektuale që kontribuan në diskursin kulturor të diasporës. Figura si Fehime Pipa dhe Safete Juka dëshmojnë se Dielli, u bë edhe hapësira ku u artikulua zëri i grave shqiptare, të cilat trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me identitetin, kulturën dhe jetën e komunitetit si dhe me momentet kyçe të zhvillimeve në Kosovë.(kryesisht vitet ’80-90)

Prania e tyre në faqet e gazetës është një dëshmi e rëndësishme e rolit të grave në jetën intelektuale të diasporës shqiptare dhe e përfshirjes së tyre në proceset e ruajtjes së kujtesës kulturore dhe politike. Në këtë mënyrë, Dielli shfaqet si një hapësirë gjithëpërfshirëse e mendimit intelektual shqiptar në mërgim.

Kështu, përvjetori i Diellit, nuk është vetëm një moment përkujtimor, por një dëshmi e vazhdimësisë së një institucioni që ka shërbyer si kronikë e historisë dhe si hapësirë reflektimi mbi identitetin kombëtar. Nga themelimi i saj në vitin 1909 deri në ditët e sotme, gazeta vazhdon të ruajë lidhjen midis së kaluarës dhe së ardhmes së shqiptarëve në mërgim, duke mbetur një burim i çmuar për studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të diasporës. Në përmbyllje, ky përvjetor nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një urim për të ardhmen: që Dielli të vijojë të ndriçojë rrugën e shqiptarëve në mërgim, duke mbetur zë i kujtesës, identitetit dhe i shqiptarizmës.

Filed Under: ESSE

ZEMRAT TONA RRAHIN PËR KOSOVËN…

February 16, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Festë e bukur në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” dhe degën e Vatrës në Long Island.

Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e shkollës shqipe, që mban emrin e patriotit dhe shkrimtarit të madh Gjergj Fishta, nga dega e Vatrës në Long Island, u organizua një aktivitet i bukur kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm. Merrnin pjesë nxënës e mësues të shkollës, prindër, si dhe aktivistë të Vatrës e qytetarë të tjerë shqiptarë që banojnë në këtë zonë dhe më gjerë.

Kjo ditë është për të gjithë shqiptarët një festë e rëndësishme dhe e lumtur, është një ditë gëzimi mbarëkombëtar. Ndaj edhe atmosfera në shkollë ishte aq e bukur e festive. E morën fjalën e përshëndetën sekretari i Vatrës së degës në Long Island, Klaudio Turkaj, themeluesi i shkollës “Gjergj Fishta”, Dr. Paulin Marku, sekretari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj, Prend Ndoja, si dhe në fund të programit i falënderoi të gjithë të pranishmit mësuesja e gjuhës shqipe, zonja Fabiola Gjinaj. Në këtë takim të rëndësishëm pata kënaqësinë të përshëndesja edhe unë, si shkrimtar dhe aktivist i Vatrës. U ndala në vështrimin historik dhe në rëndësinë e madhe që kishte liria e Kosovës jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për Ballkanin, Bashkësinë Evropiane e më gjerë, shpallja e pavarësisë, fitorja e lirisë së Kosovës dhe krijimi i shtetit më të ri në Evropë.

Tokat tona që shtrihen në gadishullin ilirik gjithmonë patën sulme nga armiqtë që vunë shumë kufij në tokat tona, por në zemrat e në mendjen e popullit shqiptar, në dashurinë për atdhe, kurrë nuk kanë arritur të vënë kufij. Vetvetiu lind pyetja: Pse ky popull kaq fisnik, kaq bujar, u sulmua pa reshtur nga armiqtë, nga fqinjët? Ne jemi të parët e këtyre trojeve dhe jemi të vetmit që nuk kemi afërsi farefisnore gjenetike me fqinjët, ashtu siç kanë ata në mes veti. Sepse ne jemi autoktonë, kurse ata janë të ardhur e kanë zaptuar trojet tona. Historia dhe gjuha jonë janë më të vjetrat e kjo i ka munduar armiqtë tanë.

Ne e dimë se asgjë nuk vjen falas, ashtu as pavarësia e liria e Kosovës nuk erdhën falas. Historikisht kemi vuajtur për liri, jemi detyruar të shtrëngojmë armët për të mbrojtur tokat tona aq të lakmuara prej tyre, të përballemi me qëllimet e errëta të tyre dhe të triumfojmë mbi ta. Në këtë kuptim lufta për lirinë e Kosovës ka filluar shekuj më parë.

Gjatë viteve ’90 unifikimi i popullit tonë ishte një shembull i mirë që nuk do të harrohet kurrë. Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, i paharruari presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, lidhi aleanca me shtetet më të fuqishme të botës, formoi forcat e armatosura të Kosovës dhe me një diplomaci të jashtëzakonshme demaskoi politikën e gjenocidin serb para botës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe pse me armatime e në numër luftëtarësh e oficerësh ishte shumë larg me atë të armikut, doli triumfuese, sepse mbronte familjen, shtëpinë dhe tokën e tyre stërgjyshore, mbronte të drejtën e popullit për të jetuar i lirë në trojet e veta. Ajo e projektoi dhe e ndërtoi fitoren betejë pas beteje, që nga beteja e Loxhës e deri tek ajo e fundit, në Koshare, që kurorëzoi lirinë e Kosovës. Në këtë luftë u bashkua një popull i tërë liridashës, shumë familje u shuan, shumë shtëpi e fshatra u dogjën e u shkatërruan, heroizëm të pashoq shkruan familje si ajo e Adem Jasharit e të tjera. Vepra dhe gjaku i tyre nuk shkuan kot, por qëndisën fitoren e madhe historike.

Në vitin 1999 Ushtria Çlirimtare, së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me aleatin tonë më të fuqishëm, superfuqinë botërore, SHBA, e dëbuan armikun nga vendi ynë. Dhe fryma e flamuri i lirisë u valëvitën vatër më vatër në trojet tona dardane.

Më 17 shkurt të vitit 2008, me shpalljen e Pavarësisë, u vunë themelet e shtetit tonë të pavarur, i cili sot njihet nga 121 shtete të botës. Sot Kosova është një shtet i ri, një shtet që po tregon qytetërim autokton, kulturë demokratike, vështrim euroatlantik dhe po e projekton veten për në Bashkësinë Evropiane. Po punohet me projekte të qarta e konkrete për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, për të drejtat dhe mirëqenien e popullit, për forcimin e rendit e të mbrojtjes kombëtare. Sot policia e Kosovës është ndër më të mirat e rajonit. Kemi ushtrinë tonë, për fuqizimin e së cilës qeveria po bën investimet e duhura, kemi djem e vajza që sot e mbrojnë vendin me atdhedashuri, ashtu siç natyra e vendit tonë i ka krijuar, me vendosmërinë për të mbrojtur atdheun tonë.

Të gjithë ne e dimë që ka mjaft vend edhe për më mirë. Ngaqë në syrin tonë, atdheu është si fëmija në syrin e nënës. Asnjëherë nuk është mjaft i mirë, mjaft i suksesshëm. Ndaj të gjithë e duam Kosovën tonë akoma më të fuqizuar, më të lulëzuar e më të begatë, shembull përparimi në rajon dhe në gjithë Evropën.

Në vitin 1999 ushtria serbe e humbi betejën përballë popullit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe forcave të miqve ndërkombëtarë. Por ata që dje bënin gjenocid në vendin tonë, sot e kanë ndërruar strategjinë politike. Organizojnë metoda të tjera kundër shtetit dhe popullit. Një ndër to janë aleancat ruso-serbe me mbeturinat e tyre, që, me gjyqe politike të manipuluara nga prokurorë keqdashës të çështjes shqiptare, po bëjnë çmos të dënojnë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë që lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një ndër luftërat më të shenjta që nga koha e Skënderbeut, luftë për liri, për të mbrojtur familjen, tokën, shtëpinë, historinë, kulturën e gjuhën kombëtare. Ndaj manovrat e armiqve tanë e të mbështetësve të tyre do të dështojnë me turp e emri i Kosovës dhe i shqiptarizmit do të ngrihen gjithnjë e më lart.

Gëzimin e kësaj dite feste e bënë edhe më të bukur e më të prekshëm nxënësit e shkollës, të cilët recituan vjersha e kënduan këngë, në zemër të të cilave ishin gjithnjë Kosova, liria, flamuri kombëtar, gjuha shqipe.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT