• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lavdi ushtarëve të lirisë dhe falënderim i përjetshëm SHBA-ve

February 15, 2026 by s p

Ambasador Dr.Blerim Reka*/

Festimet janë jo vetëm kremtim, por edhe reflektim për atë se: ku ishim, ku jemi e ku do të jemi? Ku ishim?

As në 18 vjetorin e pavarësisë, nuk e harrojmë të kaluarën tragjike: një shekull shtypje koloniale, aparteid dhe gjenocid të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ku jemi? Sot, Republika e Kosovës është shteti më pro Amerikan në botë, vendi më demokratik në Ballkan me kushtetutën- model më të avancuar për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Shteti më i ri evropian, u ngrit nga një luftë çlirimtare kundër pushtuesit serb, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik.

Ku do të jemi? Gjithnjë përkrah SHBA dhe komunitetit evro-atlantik, duke ndarë me ta vlerat e demokracisë perëndimore. E ardhmja i takon Kosovës! Prandaj, duke Ju faleminderit juve, që ishit ambasadorë të Kosovës, kur Kosova nuk kishte ambasada,

Atëherë, kur ju ishit zëri i Kosovës së pushtuar, që fliste për Kosovën ne Uashington e Nju Jork.

URIME 18 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS!

Lavdi ushtarëve të lirisë dhe falënderim i përjetshëm SHBA-ve,

Lavdi UÇK-së dhe Komandantit legjendar Adem Jashari,

E përhershme Republika e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti i bekoftë SHBA!

*Fjala e mbajtur në Federatën Vatra me rastin e festimit të 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: ESSE

18 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS U FESTUA NË BOSTON – KATËR FLAMUJ DHE NJË FESTË

February 15, 2026 by s p

Kastriot Fetahu/

Në çastin që Faton Limani hapi takimin festiv për ngritjen e flamurit të Kosovës, sytë e mi rrëshqitën pas asaj banke të folësit dhe qëndruan në një monument provizor të ngritur me katër flamuj. Pas pak, ai na ftoi në këmbë për të dëgjuar himnet e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa flamuri i katërt është edhe ai përtej shekullit, me atë fushën e bardhë të paqes.

Pastaj? Pastaj foli Shirley Cloyes Dioguardi. Mua më pëlqen t’ia shkruaj emrin Shirli. Shirli, një bukuri arbëreshe në diasporë.

Së bashku me bashkëshortin, Joseph J. DioGuardi, ka qenë shumë aktive në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht gjatë viteve ’90.

Shirli (unë nuk e di pse i krahasoj gratë e bukura kur i shikoj), është më e bukur fisnikërisht se Mbretëresha Elizabet apo Sofia Loren. Shirli, arbëreshja në krah të një shqiptari të madh si Xho Dioguardi. I shikoja ulur dhe gëzoja që përpara ndodheshin emra të mëdhenj të çështjes shqiptare. E dëgjoja Shirlin me simpati të madhe dhe veçova pamjen e saj në fytyrë kur shqiptoi fjalët Kosovë dhe Serbi. Shirli, nuk je vetëm një grua e bukur, por edhe një shqiptare e madhe.

Ajo njihet si një figurë e rëndësishme e diasporës shqiptare në SHBA, me rol në ndërtimin e lidhjeve politike mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve amerikane, ndaj sot i buzëqesha Shirlit.

Pastaj foli Xhozef Dioguardi, ish-kongresmeni shqiptaro-amerikan.

Eh, Xho, thashë me vete, në një çast kur nuk u kapërceva dot. Ishte hera e tretë në fjalim që ai përlotej dhe më vendosi edhe mua në një pozicion të vështirë emocional. Unë nuk i rezistova dot. Në një përlotje pa lotë, u ngrita në këmbë bashkë me sallën dhe duartrokita Xho Dioguardin.

Dhe të gjithë ne, bashkë me Xhoin, shikonim flamurin…

Flamuri ynë, origjina e të cilit lidhet me stemën e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në shekullin XV. Shqiponja dykrenare është simbol i sovranitetit dhe i trashëgimisë bizantine.

Flamuri amerikan me tri ngjyra: e kuqja – trimërinë, e bardha – pastërtinë, bluja – drejtësinë dhe qëndrueshmërinë; flamuri i presidentëve Willson, Reagan, Bush, Clinton…

Flamuri i Kosovës: gjashtë yjet përfaqësojnë komunitetet kryesore etnike në Kosovë (shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë dhe goranë). Ngjyra blu dhe yjet pasqyrojnë orientimin europian dhe frymën e bashkëjetesës.

Flamuri i Vatrës kombinon shqiponjën shqiptare me elemente amerikane (ngjyra ose yje), duke simbolizuar lidhjen mes atdheut dhe diasporës.

Dhe unë, midis katër flamujve, dhe ne, midis katër flamujve, pasi shqiptarët nuk emigruan në stepat e Lindjes, instinkti i tyre i trashëguar nga Bato dhe Skënderbeu nuk i gënjeu të ndryshonin kursin e Perëndimit. Shpresoj që së shpejti, pas asaj banke të Shirlit dhe Xhosë, të jenë tre flamuj…

Paragjykimi nuk i ngjan një opinioni, por një dëshire për zgjidhjen e munguar nga arsye të pamunguara. Ndjej besnikëri për një qytetërim të ndarë dhe të humbur në tërësinë e tij.

Dua të përmbush profecinë. E ardhmja s’të ngushëllon vetëm si Zoti, por edhe me një Atdhe, një flamur.

Dhe e gjithë çfarë gëzoja në atë auditor të Harvardit kishte njerëz flamurtarë realë që e bënë të mundur, si Vatra e Bostonit dhe, përmes një flamuri të gjallë të saj, kryetari Mentor Maksutaj.

Sa të pasur jemi që kemi një flamur dhe një Atdhe.

Nuk e kuptojmë dot, kur i kemi, se me çfarë pasurie jemi të bekuar. Po e ritregoj: kur takova një punonjëse në kolegjin Malcolm X, në Chicago, dhe folëm së bashku për pak kohë, rutina fillon me pyetjen standarde: Nga je?

“Kongo”, tha ajo vajza e bukur me ato buzë të trasha dhe ca flokë kaçurrela.

“Kinsasha, Patris Lumumba”, i thashë.

Ajo kërceu duke përplasur duart dhe gëzonte si një fëmijë, duke folur pa e ditur çfarë: “Atdheu im, Atdheu im”.

Kush ka Atdhe ka pasuri shpirtërore që nuk arrin ta çmojë në kohën e pavëmendjes. Atdheu nuk është qeveria. Qeverisjet, në të gjithë botën, i bën të drejta vetëm trysnia demokratike e popujve të tyre; përndryshe, ato të shkelin si insekt, nëse ua japim mundësinë në këtë epokë narciste.

Kur dikush e pyeti Dickinson-in se ç’mendonte për Longfellow-n, ajo iu përgjigj: “Është gjeni në konstatimin e të dukshmes, ndaj nuk dua të kopjoj Longfellow-n në çështjet e Atdheut tim.”

Ai është pasuria jonë, kolaterali i vërtetë shpirtëror, i pabraktisur nga shpirti i emigrantit.

Ne, shqiptarët, jemi populli që tringëllin më shumë nga të gjithë popujt në kontrollin e metal detector-it, për atdhedashuri.

“Atdheu im, Atdheu im”, shoqërova kongolezen, më i gëzuar se ajo.

God bless America, Albania, Kosova, Vatra!

Filed Under: Vatra

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 117-TË

February 15, 2026 by s p

Sokol Paja/

Gazeta me kontributin më të madh në historinë kombëtare, gazeta më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës shqiptare, “Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i shpirtit shqiptar, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 117-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia, trashëgimia, përshpirtshmëria dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare. Gazeta “Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Media më e fuqishme dhe më e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, promovuese e vlerave shqiptaro-amerikane, “Dielli” u shndërrua në një xhevahir të çmuar të mendimit politik, eseistik, kritik, atdhetar, komunitar e kulturor shqiptar në diasporën e Amerikës.

Mbrojtëse dhe promovuese e gjuhës shqipe, historisë, frymës atdhetare e identitetit kombëtar, pasqyrë e shpirtit shqiptar, frymëzuese dhe përbashkuese e komunitetit shqiptar në mërgim, Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse. “Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Mirënjohje përjetë editorëve të “Diellit”, kryetarëve të “Vatrës”, çdo vatrani e patrioti për mbështetjen, përkrahjen dhe dashurinë ndaj gazetës më të shquar të botës shqiptare në mërgim.

Filed Under: Politike

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës

February 13, 2026 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Duke marr shkas nga ajo që po ndodh në Hagë me luftëtaret e UÇK-së, po sjell disa fakte historike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës, për çlirimin e saj nga pushtuesit serbë dhe për të siguruar jetën e popullit të saj në trojet e veta shekullore. Aksionet e para të UÇK-së të organizuara në pikëpamje ushtarake i kanë fillimet në fundin e vitit 1992 dhe fillimin e vitit 1993, duke marrë përsipër përgjegjësinë e aksioneve luftarake kundër instalimeve serbe në Kosovë. Njësitë e para të  armatosura u shfaqen në 1990. Në maj të vitit 1993 UÇK-ja u pagëzua për herë të parë me emrin që e njohim edhe sot. Aksioni i parë ku u shfaq UÇK-ja ishte në nëntor 1994 në Gllogovc, aksion pas të cilit u shpërnda një  komunikatë ku UÇK-ja merrte përsipër të gjitha goditjet kundër policisë e ushtrisë serbe të bëra deri në atë  kohë. Menjëherë Beogradi nxitoi ti quaj “forcë terroriste” si dhe një “grupim separatistesh”. Pas daljes hapur në opinion të pjesëtarëve të UÇK-së më 28 Nëntor 1997 në fshatin Llaush të Skënderajt, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci, vrarë nga milicia serbe, ajo doli hapur me uniformen e saj, çfar tregon se nuk ishte një forcë terroriste, por një ushtri që lindi për t’i dalë zot Kosovës. Ajo kishte Misionin e saj kombëtar: Shporrja me luftë të armatosur dhe pa kompromis i të gjitha forcave ushtarako-policore serbe nga trojet e Kosovës, rikthimi i lirisë dhe i krenarisë së humbur të çdo qytetari dhe ndërtimi i një shteti demokratik  e ligjor të standarteve Europiane në të ardhmen. Në mars 1998, vrasja e Komandantit legjendar Adem Jasharit shënoi pikën kulmore të rritjes së shpejtë e të menjëhershme të UÇK-së e cila tashmë nga njësitë e formacionet e vogla kaloi në formacione të mëdha luftarake. Duke qënë nën presion shumë të madh nga propoganda serbe e eila e quante atë, herë “organizatë terroriste”, herë “marksiste” dhe herë “fondamentaliste”, në maj të vitit 1998 u mor vendimi për krijimin   e Drejtorisë Politike të UÇK-së, e cila do të ishte edhe busulla e kësaj ushtrie. Duke parë me vëmendje kronologjinë e ngjarjeve të mëvonëshme do të vëmë  re se udhëheqja politike e UÇK-së kreu me sukses katër detyra mjaftë të rëndësishme, të cilat do t’i jepnin një shtytje jo vetëm opinionit brënda vendit, por do të sensibilizonin dhe faktorin ndërkombtar, si: Paraqitjen e misionit të saj si ushtri e rregullt. Bindjen e faktorit ndëkombëtar, se UÇK nuk ishte ashtu, siç e paraqisnin qarqet serbe. Sigurimin e mbështetjes së mundeshme nga Shqipëria duke shmangur përfshirjen e Shqipërisë në luftë. Sigurimin e  mbështetjes Europiane, dhe NATO-s, me SHBA-në në krye.

Në qershor 1999 në Junik, Ricard Hollbruk u takua me përfaqësues të UÇK-së, ky ishte edhe një moment historik për vetë UÇK-në që shënon edhe njohjen e saj nga SHBA. Më tej pas takimit të 6 nëntorit të 1998 me Kristofer Hill (në atë kohë Ambasadori i SHBA në Maqedoni), Amerika dhe faktori ndëkombëtar e vlerësonin UÇK-në si një partner serioz në bisedimet për zgjidhjen e çështjes  Kosovare. Veprimtaria rezultative në terren, veprimtaria diplomatike e politike, si dhe mbështetja e panderprerë e SHBA, sollën Rambujenë. Në këtë proces të vështirë e intensiv një rol të padiskutueshëm në njohjen e UÇK-së kanë luajtur SHBA me diplomatet e tyre. Aq i fuqishëm ka qënë roli i SHBA dhe në mënyrë të veçantë i zonjës Ollbrajt në këtë luftë saqë operacioni i NATO-s në Kosovë shpesh u quajt nga shtypi i kohës edhe “Operacioni Ollbrajt”.

Në të njëjtën linjë me strategjinë politike ka qënë edhe strategjia ushtarake e UÇK-së. Fillimisht ajo u shfaq si një luftë guerile deri në kalimin në luftë të përgjithëshme por pa vijë fronti. Në këto kushte UÇK-ja organizoi edhe operacione si ai “shigjeta”, beteja e Llapushnikut, apo ndonjë tjetër. “Shigjeta” është një operacion historik për vetë faktin se ai zhduku njëherë e mirë kufirin midis shqiptarëve. Në fjalët e Gjeneralit Amerikan Uesli Klark dallohet lehte se si po ecte UÇK-ja,  kur ai theksonte: “në kohën kur përpjekjet diplomatike po lëviznin përpara, unë me komandantët po përcillnim se si javët e fundit Ushtria Çlirimtare e Kosovës ngadalë po ringjallej”. Presidenti Klinton ka shprehur hapur simpatinë dhe vlerësimin e tij për UÇK-në, kur thotë “Megjithëse Milosheviçi, ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovare nga shtëpitë e tyre, ai nuk ka mundur të eleminojë UÇK-në. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve”. Ja si e përkufizon Mira Milosheviç, një gazetare serbe që jeton në Spanjë rolin e UÇK-së: “ Gandi i Bailkanit” (kështu e quan ajo Rugovën) ka njëzet vjet që  denoncon gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, porse këtij problemi ju kushtua vëmendje vetëm kur u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. 

Deri në mesin e viteve 1998, UÇK-ja kontrollonte gati 80% të territorit të Kosovës. Ne luftë e sipër ajo bashkoi vullnetarizmin popullor me përpjekje të suksesshme për përgatitjen dhe veprimet luftarake, jo vetëm në shkallë taktike e operative, por edhe në shkallë strategjike. Tashmë e parë në këndvështrimin  strategjiko-politik, UÇK-ja ishte përcaktuar për “lufte të armatosur dhe pa asnjë kompromis në çlirimin e Kosovës”. Ajo vijoi të organizohej në shumë njësi të reja, brigada dhe zona operative, dhe, në të gjitha nivelet, u krijuan komandat eprore. Gjatë kësaj periudhe u afirmuan aftësitë komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe hap pas hapi u krijuan shërbimet e specializuara. Nga shumë studjues pranohet se gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Millosheviçit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ishte aleate e NATO-s, por edhe realizoi misionin e saj si forcë tokësore e Aleancës. Në radhë të parë ajo ndihmoi NATO-n në sigurimin e të dhënave për objektivat që do të goditeshin si dhe të dhëna të tjera zbulimi mbi lëvizjet dhe dislokimin e forcave serbe.Bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n u vu re në mënyrë të veçantë me fillimin e mësymjes së UÇK-së në malin e Pashtrikut, ku NATO siguroi asistencën e saj nëpërmjet sulmeve ajrore kundër forcave serbe që vepronin në këtë rajon. Aviacioni i NATO-s ishte mbështetja ajrore e Brigadës që sulmoi në këtë rajon. Drejtuesit e lartë ushtarakë të NATO-s e quajtën të rëndësishëm këtë sulm dhe e mbështetën atë. Duke folur për këtë sulm, gjenerali Klark, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europe, thotë se “unë e kuptova plotësisht se çfarë do të thoshte për ne sulmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse ajo do të ishte e suksesshme, ajo do të tërhiqte disa batalione serbe në fushë të hapur, ku ne mund ti sulmonim”. 

Paralajmërimin amerikan dhe komunitetin ndërkombëtar Millosheviçi, asnjëherë nuk i mori seriozisht, përkundrazi intensifikoi dhunën dhe represionin në Kosovë, duke çuar kështu në rritjen e revoltës së shqiptarëve, fillimin e konfliktit të armatosur dhe së fundi në ndërhyrjen e NATO-s me operacionin Forca Aleate.  Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare. Brutaliteti i veprimeve të policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare është i paimagjinueshem. Operacionini “Patkoi”, të parapërgatitur që më parë për zbrasjen masive dhe të menjëhershme të Kosovës e tregon qartë këtë. Situata humanitare ishte dramatike. Kishte një shpërngulje masive të popullsisë  nga Kosova për në Shqipëri  e  Maqedoni. Shumica e popullsisë, rrethë 1.6 milion shqiptarë, ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Qytete e fshatra të tëra zbrazen. Në  fundin e muajt Mars të shpërngulurit drejt Shqipërisë arrijnë në rreth 1 miljon banorë. Gjatë dëbimit me forcë të tyre, bëhet ndarje e detyruar e meshkujve të moshës së ushtrisë, dhe ata  ekzekutohen në vend, kjo në të paktën 20 qytete e fshatra. Më 30 Mars forcat serbe grumbullojne me forcë në kompleksin  sportiv të Prishtinës 10.000 shqiptarë etnikë për t’i mbajtur në izolim, kurse mbi 20.000 banorë të tjerë vihen në marshim të detyruar  nga  fshati Çirëz   drejt Skënderajt,  ku izolohen në një fabrikë. Të dëbuarit me forcë për herë të parë tregojnë  për ekzistencën e varreve masive në Drenicë, Malishevë e Pagarushë. Në Drenicë ishin zbuluar rreth 150 kufoma, kurse në Malishevë 34 të tillë. Në një fshat të Drenicës, forcat serbe kishin  djegur  të gjallë një familje. Po në  brendësi të  Kosovës, por të shpërngulur nga shtëpitë e tyre ndodhen  rreth 700.000 veta. Mbi 3.200 shqiptarë u ekzekutuan. Këto dhe shumë të tjera janë dëshmi e gjallë e asaj çfar ka ndodhur në  Kosovë.

Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars Hollbruku iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi.  Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe  rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti. Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë  se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojme rikthimin e Holokaustit.” 

Sot të përpiqesh të barazosh xhelatin me viktimën është jo vetem e turpshme por edhe mizore. Prandaj  kam bindjen se gjykata do i jap fund akuzave të turpshme të prokurorëve dhe do ketë liri për çlirimtaret.

New York Shkurt 2026

Filed Under: Mergata

THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER

February 13, 2026 by s p


Burimi : The Canberra Times, e hënë, 3 maj 1971, faqe n°6
Burimi : The Canberra Times, e hënë, 3 maj 1971, faqe n°6

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 shkurt 2026

“The Canberra Times” ka botuar, të hënën e 3 majit 1971, në faqen n°6, shkrimin e reporterit Herbert Schmitt rreth situatës së brendshme asokohe të Shqipërisë komuniste, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Primitivizmi e mban Shqipërinë të mbërthyer

Nga Herbert Schmitt, në Shqipëri

Burimi : The Canberra Times, e hënë, 3 maj 1971, faqe n°6
Burimi : The Canberra Times, e hënë, 3 maj 1971, faqe n°6

Shqipëria komuniste ka filluar planin e saj të pestë pesëvjeçar ekonomik. Vizitori i rrallë perëndimor mund të pyesë veten se çfarë ndodhi me katër të parët.

Ky vend i vogël malor ndodhet mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Detit Mesdhe. Ai shfaq një prapambetje të pakrahasueshme me çdo vend tjetër evropian.

Dy milionë shqiptarët duken pothuajse të pavetëdijshëm se janë pas kohës. Përjashtuar një grup elitar funksionarësh të partisë dhe shtetit, shqiptari mesatar nuk ka asnjë mënyrë për të krahasuar gjendjen e tij me kushtet e jetesës diku tjetër. Gazetat dhe revistat e huaja nuk janë të disponueshme. Pak librari në kryeqytet mbajnë disa kopje të pluhurosura të literaturës marksiste në frëngjisht ose italisht në vitrinat e tyre.

Udhëheqësi i fortë i Shqipërisë, shefi i partisë 62-vjeçar Enver Hoxha, sundon vendin me grusht të hekurt. Aleati i tij i vetëm i huaj, Kina komuniste, mban një ambasadë të madhe në Tiranë. Megjithatë, gjatë tre ditëve në kryeqytet, një vizitor pa vetëm katër kinezë, të gjithë të veshur me uniforma blu dhe gri të stilit Mao. Kinezët duket se preferojnë të qëndrojnë pas mureve të kompleksit të ambasadës së tyre të ruajtur rreptësisht, me antena të larta radioje.

Kina ndërhyri pasi Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në dhjetor 1961. Që atëherë, udhëheqësit sovjetikë janë cilësuar si “revizionistë, devijues nga linja e vërtetë marksiste-leniniste dhe lakej kapitalistë” në gjuhën zyrtare shqiptare. Fyerjet vazhdojnë pa pushim.

Gazetarët sportivë gjermanoperëndimorë, që shoqëronin ekipin kombëtar të futbollit në Tiranë, gjetën në dhomat e hotelit kopje në gjuhën angleze të një buletini që përmbante një sulm të ashpër kundër “revizionistëve sovjetikë, shpërndarësve të opiumit fetar”. Artikulli pretendonte se kishte zbuluar “shenja të pabesueshme se feja gëzon mbështetje dhe inkurajim të hapur” nga shteti sovjetik.

Shqiptarët e mbështesin këtë qëndrim sfidues me ndihmën e Pekinit dhe një ushtri prej 50 000 vetësh. Ashtu si ushtria kineze, edhe ushtria shqiptare ka hequr të gjitha shenjat e gradave.

Sa ndihmë ekonomike vjen realisht nga Kina është e pamundur të vlerësohet pas një vizite të shkurtër dhe të kontrolluar rreptësisht, e cila përfshinte një udhëtim mbresëlënës 33 milje me autobus përmes maleve drejt Elbasanit. Një rrugë e ngushtë e asfaltuar gjarpëron mes vreshtave dhe plantacioneve të frutave, duke kaluar Qafën e Krrabës (3 583 këmbë) për të arritur në Elbasan, një qendër industriale me fabrika druri, nafte, çimentoje, duhani dhe metali. Popullsia e qytetit është 40 000 banorë.

Hoxha është i kudondodhur. Emri i tij, ose slogani “Lavdi Enverit”, dallohet në kodra, i gdhendur në gur gëlqeror ose i formuar me kujdes nga gurë të bardhë përgjatë rrugëve. Slogane që nënkuptojnë “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” shihen gjithashtu kudo — të pikturuara në muret e shtëpive, në postera të mëdhenj dhe në tabela neoni mbi ndërtesat qeveritare.

Tirana, me një popullsi prej 170 000 banorësh, ka tre bulevarde të gjera që çojnë në sheshin kryesor. Bulevardi i shkurtër i Dëshmorëve të Kombit, që shtrihet drejt jugut deri te Universiteti i Tiranës, mund të strehojë lehtësisht gjashtë ose tetë korsi trafiku. Megjithatë, këmbësorët e përdorin pa rrezik ditë e natë. Makina, autobusë, qerre me kuaj dhe biçikleta kalojnë rrallë; të pakta makina që shihen janë kryesisht të markës Fiat.

Në këtë bulevard, Shqipëria ruan edhe një kujtim nga ditët kur marrëdhëniet me Moskën ishin të ngrohta — ndoshta i vetmi monument i Stalinit në Evropën Lindore. Ai është dhjetë këmbë i lartë. Një guidë shqiptare tha: “Ai ishte një njeri i madh. Ne jemi krenarë për monumentin e tij dhe do ta mbajmë përgjithmonë.”

Edhe parqet e mirëmbajtura, bulevardet e pastra dhe disa ndërtesa universitare mbresëlënëse nuk e kapërcejnë përshtypjen e përgjithshme të zymtësisë. Ngjyrat mbizotëruese të veshjeve janë blu e errët, gri e errët dhe kafe e errët. Mushamat plastike me ngjyrë të errët krijojnë një uniformitet në rrugë.

Pengesa gjuhësore dhe mbikëqyrja policore dekurajojnë kontaktet mes vizitorëve perëndimorë dhe shqiptarëve. Kur yjet e futbollit gjermanoperëndimorë, zyrtarët dhe gazetarët sportivë u përpoqën të shpërndanin çokollata dhe portokalle për një turmë fëmijësh dhe të rriturish të mbledhur pranë hotelit të tyre, shqiptarët u tërhoqën në heshtje, pa thënë asnjë fjalë.

Një shëtitje nëpër rrugët e errëta të Tiranës gjatë natës është njëkohësisht zbuluese dhe dëshpëruese. Mungesa e trafikut krijon një heshtje të frikshme, e ndërprerë herë pas here nga zhurma e motorit të një autobusi të vonë.

Vitrina e një dyqani mekanik shtetëror shfaq një biçikletë të prodhimit kinez që shitet për 925 lekë (69 dollarë me kursin zyrtar). Një karrocë fëmijësh e palosshme dhe e prodhuar lirë kushton 400 lekë (29 dollarë). Përballë, një dyqan tekstilesh shfaq kostume për burra me prerje të vjetëruar, që shiten për rreth 50 dollarë, ndërsa këmishat e bardha kushtojnë nga 5 deri në 6 dollarë.

Paga mesatare mujore e një punëtori industrial është rreth 600 lekë (44–64 dollarë), tha një guidë. Ushqimet bazë janë relativisht të lira: një bukë dykilogramëshe thekre të errët kushton rreth 14 cent; mishi shitet rreth 54 cent për kg; dhe një paketë me 20 cigare kushton afërsisht 27 cent. Guidat pohuan se nuk ka racionim të ushqimeve apo mallrave.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 60 për qind e fshatrave shqiptare tani kanë energji elektrike, dhe prodhimi bujqësor vitin e kaluar ishte rreth 75 për qind më i lartë se në vitin 1965. Tani ka 10 000 traktorë, krahasuar me vetëm 10 në vitin 1945.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, 75 për qind e popullsisë nuk dinte as të lexonte e as të shkruante. Vitin e kaluar, sipas qeverisë, rreth 500 000 fëmijë dhe të rinj — një e katërta e popullsisë — ndoqën shkollimin e detyrueshëm ose ishin të regjistruar në universitete dhe kolegje. Analfabetizmi, sipas saj, është pothuajse zhdukur.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT