• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)

March 18, 2026 by s p

Përgatiti e përktheu Rafael Floqi/

Një nga figurat më të shquara të poezisë amerikane, Robert Frost ishte autor i shumë përmbledhjeve poetike. Krahasimi me Dritëroin vjen vetiu nga temat dhe mënyra popullore se si i trajtoi. Robert Frost lindi më 26 mars 1874 në San Francisko, ku babai i tij, William Prescott Frost, Jr., dhe nëna e tij, Isabelle Moodie, ishin zhvendosur nga Pensilvania pak pasi u martuan. Pas vdekjes së babait nga tuberkulozi, kur Frost ishte njëmbëdhjetë vjeç, ai u zhvendos me nënën dhe motrën e tij, Jeanie, dy vjet më e vogël, në Lawrence, Massachusetts. Ai u interesua për leximin dhe shkrimin e poezisë gjatë viteve të shkollës së mesme në Lawrence; u regjistrua në Dartmouth College në Hanover, New Hampshire, në vitin 1892 dhe më pas në Harvard University, megjithëse nuk mori kurrë një diplomë zyrtare.

Pas largimit nga shkolla, Frost kaloi nëpër një sërë profesionesh, duke punuar si mësues, këpucar dhe redaktor i gazetës Lawrence Sentinel. Poezia e tij e parë e botuar, “My Butterfly,” u shfaq më 8 nëntor 1894 në gazetën e Nju Jorkut The Independent. Në vitin 1895, Frost u martua me Elinor Miriam White, me të cilën kishte ndarë nderimet si nxënësja më e mirë e maturës në shkollë të mesme, dhe e cila mbeti një frymëzim i madh për poezinë e tij deri në vdekjen e saj në vitin 1938. Çifti u zhvendos në Angli në vitin 1912, pasi kishin provuar pa sukses bujqësinë në New Hampshire. Pikërisht jashtë vendit Frost takoi dhe u ndikua nga poetë britanikë bashkëkohorë si Edward Thomas, Rupert Brooke dhe Robert Graves. Gjatë qëndrimit në Angli, Frost krijoi edhe miqësi me poetin Ezra Pound, i cili ndihmoi në promovimin dhe botimin e veprës së tij.

Kur Frost u kthye në Shtetet e Bashkuara në vitin 1915, ai kishte botuar tashmë dy përmbledhje të plota: A Boy’s Will (1913) dhe North of Boston (1914), duke vendosur kështu reputacionin e tij. Në vitet 1920 ai ishte një nga poetët më të nderuar në Amerikë dhe me çdo libër të ri — përfshirë New Hampshire (1923), A Further Range (1936), Steeple Bush (1947) dhe In the Clearing (1962) — fama dhe nderimet e tij, përfshirë katër çmime Pulitzer, u shtuan. Frost shërbeu si Konsulent për Poezinë në Bibliotekën e Kongresit nga 1958 deri më 1959. Në vitin 1962 iu dha Medalja e Artë e Kongresit.

Megjithëse vepra e Frost lidhet kryesisht me jetën dhe peizazhin e New England-it, dhe megjithëse ai ishte një poet i formave dhe metrave tradicionale që qëndroi i distancuar nga lëvizjet dhe modat poetike të kohës, Frost nuk ishte thjesht një poet rajonal. Autor i meditimeve kërkuese dhe shpesh të errëta mbi tema universale, ai është një poet thelbësisht modern në përkushtimin ndaj gjuhës së folur reale, në kompleksitetin psikologjik të portreteve të tij dhe në mënyrën se si vepra e tij është e mbushur me shtresa paqartësie dhe ironie.

Në një recension të vitit 1970 për The Poetry of Robert Frost, poeti Daniel Hoffman e përshkruan veprën e hershme të Frost si “etikën puritane të kthyer në mënyrë mahnitëse lirike dhe të aftë për të shprehur hapur burimet e kënaqësisë së saj ndaj botës,” dhe e komenton karrierën e Frost si “Bardi Amerikan”: “Ai u bë një figurë kombëtare, pothuajse poet laureat zyrtar i yni, dhe një interpretues i madh në traditën e atij mjeshtri të hershëm të gjuhës letrare popullore, si Mark Twain-i.”

Presidenti John F. Kennedy, në inaugurimin e të cilit Frost recitoi një poezi, tha për poetin: “Ai i ka lënë kombit të tij një trup vargjesh të pavdekshme nga të cilat amerikanët do të marrin përgjithmonë gëzim dhe kuptim.” Dhe në mënyrë të famshme: “Ai e pa poezinë si mjetin për ta shpëtuar pushtetin nga vetvetja. Kur pushteti e çon njeriun drejt arrogancës, poezia i kujton kufizimet e tij. Kur pushteti ngushton fushat e shqetësimit të njeriut, poezia i kujton pasurinë dhe larminë e ekzistencës së tij. Kur pushteti korrupton, poezia pastron.” Robert Frost jetoi dhe dha mësim për shumë vite në Massachusetts dhe Vermont dhe vdiq në Boston më 29 janar 1963

*****

Gjithnjë

Disa thonë se bota mbaron në zjarr,

Disa thonë në një akull të ftohtë.

Nga ç ’kam shijuar prej dëshirash ,

Jam me ata që zgjedhin fundin me zjarr.

Por nëse do të duhej të shuhej dy herë,

Mendoj se di mjaft mbi urrejtjen e ngrirë

Sa të kuptoj se për njё shkatërrim të mjerë

Edhe akulli është po aq i mirë

Dhe gjithnjë mjafton, pa mëshirë.

Njё tufë me lule

I shkova pas që ta ktheja përmbys barin

Që e pat kosit’ pa u cekur vesa me diellin

Ajo u tha ,dhe tehu, qe bërë më i mprehur

Para të shihja në fushat tej ku ai qe fshehur.

E kërkova pas ca pemësh në formë ishullore

në erë ndiheshin gërvishtet e gurit gri prore.

Por ai pat ikur dhe udha qe plot bar të kositur ,

Dhe unë ashtu si ai ndjehesha, vetëm, i drobitur.

“Siç duhet të ndjehen të gjithë,” thashë i rrënuar,

“Qoftë kur punojnë veç, apo të bashkuar

Eh sa e thashë kështu më kaloi aty pranë

Pa zë, një flutur e hutuar, me krahë të larmë.

Që kërkonte në kujtime nga nata zbehur

Një lule të ndalej nga gëzimi pat mbetur.

Dhe e pashë të sillej rreth e rrotull atje

Mbi një lule që vyshkej e shtrirë përdhe.

Pastaj fluturoi aq larg sa mund ta ndiqte syri,

Dhe me krahë të dridhur tek unë u rikthye.

Dhe unë mendova një pyetje pa përgjigje,

Të kthehesha ta shpërndaja barin për tharje;

Por ajo u kthye e para dhe shikimin ma çoi

Mbi një tufë e lartë lulesh pranë një përroi,

Një duf i gjallë lulëzimi që kosa e pat kursyer

Mes kallamishteshs, pranë përroskës së rrëmbyer.

E lashë vendin për t’i njohur me emër, e sy

Dhe kur mbërrita, i gjeta “bar fluture” aty .

Që kositësi në vesë kish’ dashur ashtu ta linte,

Të lulëzonin, por jo për ne, por që era t’u vinte

Jo për të cyt’ mendim tonin drejt tij gjithsesi,

Por nga gëzimi i pastër i atij kulmi mëngjesi.

Flutura dhe unë kishim ishim përndezur .,

nga ky një mesazh agimi, natës si fshehur

Që më bëri të ndieja si zgjoheshin përreth zogjtë,

Dhe të ndieja kosën e gjatë që pëshpëriste mbi tokë,

Dhe të ndieja një shpirt me timin kaq të afërt;

Dhe kështu qysh atëherë nuk punova më vetëm;

Por i gëzuar punova si me ndihmën e tij,

Dhe i lodhur, kërkova në drekë tek njё hije;

Ëndërroja, si të thuash, njё bisedë vëllazërore

Me dikë me të cilin s’shpresoja të flisja fare.

“Njerëzit punojnë bashkë,” i thashë gëzuar,

“Qoftë kur punojnë bashkë apo dhe të veçuar.

Frika

Një dritë feneri nga thellësia e hambarit

Ndriçoi një burrë dhe një grua tek dera

Që hidhnin hijet e tyre lëkundëse mbi shtëpinë

Aty pranë, krejt e errët po çdo dritare të shndritshme.

Një qen lehte në verandë dhe sikur dikush lëvizi

Në hambarin e zi, dhe pastaj pati një klithmë.

Britma mori përgjigje nga një tjetër britmë.

Dhe qeni vazhdoi të lehte.

“Çfarë është?” tha gruaja.

“Asgjë,” tha burri.

“Je i sigurt?”

“Po.”

Por të dy e dinin se diçka nuk ishte në rregull.

Ata dëgjonin. Asgjë nuk lëvizi.

Ata pritën.

Heshtja u thellua si një pus.

“Ke frikë,” i tha ajo.

“Jo unë,” i tha ai.

Megjithatë frika lëvizte butë në errësirë mes syresh,

Një gjë të pa emër, por të pranishme si nata yshtesh.

Ulur pranë një shkurreje në dritën e plotë të Diellit

Kam qenë ulur pranë një shkurreje në dritën e plotë të diellit

Që të shihja diellin jo duke perënduar por duke lindur

Dhe kam menduar se si qëndron puna me mua

Dhe si është me të tjerët.

Kam parë një trazim ndër gjethe

Që nuk është erë.

Ka një lëvizje në bar

Që nuk është hap kalimtarësh.

Kam qenë ulur mjaftueshëm gjatë

Veç për të njohur ndryshimin

Midis asaj që lëviz

Dhe asaj që lëvizet.

Dhe kam mësuar

Se asgjë nuk mbetet fiksuar

Përveç mendjes

Që nuk pranon të ndryshojë.

Në një varrezë të braktisur

Të gjallët vijnë me hapa mbi bar

Të lexojnë gurët e varreve mbi kodër;

Varreza ende i tërheq të gjallët,

Por kurrë më të ata, të vdekurit.

Vargjet në to thonë e përsërisin:

“Ata që sot të gjallë vijnë kur

Lexojnë gurët e varreve dhe largohen,

Dhe nesër të vdekur do të vijnë të qëndrojnë aty.”

Mermerët kaq të sigurt për vdekjen rimojnë,

Megjithatë vazhdimisht s’mund të mos shënojnë

Se askush i vdekur nuk duket se vjen.

Po nga çfarë po tërhiqen njerëzit s’e gjen?

Do të ishte e lehtë të bëhesha i zgjuar

T’u thosha gurëve: se njerëzit e urrejnë vdekjen

Dhe kanë ndalur së vdekuri përgjithmonë.

Por nuk do t’u them gurëve një gënjeshtër,

Por do të them se minjtë e fushave bëjnë fole

Në strofkat ku janë shtrirë të vdekurit,

Kockat janë me zgjyrën e keqe të plevicës,

Dhe dielli e era rrotullohen e rrotullohen

Në vendin më i vdekur aty zërat s dëgjohen.

Filed Under: Sofra Poetike

18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!

March 18, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Vargjet janë marrë nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”.

Aktakuza, e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi, për krahasimin e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “armiqsh të regjimit komunist”.

Duke qenë se ishte me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si mbështetje për akuzën e sabotimit në gjyqin kundër tij, dhe pas pushkatimit të autorit e deri në vitin 2000 u kyçën të varrosura në arkiva. Letërsia e tij përbënte rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Librazhdit dënoi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi “Nderi i Kombit”. Në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe u përurua në qendër të qytetit memoriali kushtuar dy poetëve martirë, Vilson Blloshmi e Genc Leka, i projektuar nga skulptori i mrekullueshëm Sadik Spahia.

Falë përpjekjeve të parreshtura të vëllait të tij, antikomunistit dhe demokratit, heroit të gjallë Bedri Blloshmi dhe punës së studiuesit të njohur Prof. Sadik Bejko, vepra e Vilson Blloshmit përbën një rast unikal se gjithë sa u botua pas vdekjes së tij u nxorr nga arkivat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit dhe sot është e njohur gjerësisht nga lexuesit shqiptarë.

Nderim përjetë poetit Vilson Blloshmi, i cili sot do të ishte 78 vjeç dhe që jetoi një jetë si në vargjet e dhimbshme e dinjitoze të tij:

Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë

Se sa një jetë e bardhë me faqe të zezë!

Filed Under: ESSE

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 

March 17, 2026 by s p

Luljeta Xhediku/

Në një ndër libraritë më të reja të Brooklyn-it “Ryder library”, të shtunën e 14 marsit, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., organizoi promovimin e romanit “Brenga” të autorit Dr.Pashko Camaj. Në këtë takim së bashku me autorin Dr. Pashko Camaj, morën pjesë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, simpatizantë të saj dhe dashamirës të librit. Ishte i pranishëm edhe drejtori dhe themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri. Z.Hudhri ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shkrimtarit tonë të madh, të ndjerit Ismail Kadare, dhe botues ekskluziv i veprave të tij. Z. Hudhri ka dhënë një kontribut të

pazëvendësueshëm jo vetëm në botimin e letërsisë shqipe, por edhe në forcimin e marrëdhënieve me letërsinë ndërkombëtare, përmes përkthimit dhe botimit në shqip të veprave të rëndësishme të autorëve të huaj. Një ndër kontributet më të rëndësishme i z.Bujar Hudhri është edhe krijimi i librarisë shqiptare online të emëruar “Alblibris”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar dhe veçanërisht me Dr. Pashko Camaj. Kjo librari është krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe lexuesi shqiptar mund të gjejë aty libra të ndryshëm, në gjuhën shqipe dhe të huaj. Libraria u vu në përdorim më 28 janar 2026, në përvjetorin e nëntëdhjetë të lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.

 Romani “Brenga” vjen pas librit të parë autobiografik “Porosia e Kullës”. Autori Pashko Camaj sjell për lexuesin një roman të dedikuar të gjithë atyre që mbetën viktima të një regjimi të egër totalitar të komunizmit në Shqipëri. Romani “Brenga”, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, përshkruan historinë e dy të rinjve Markut dhe Toninit, ku Tonini arrin të arratiset nga Shqipëria gjatë sistemit të diktaturës dhe Marku për shkak se një natë më parë ishte takuar me shokun e tij, vuan pasojat, përndiqet, internohet dhe burgoset nga regjimi komunist i asaj kohe. Tonini arrin të vijë në tokën e ëndrrave, me një brengë që e shoqëron gjatë gjithë kohës. Autori edhe pse vetë me prejardhje nga Mali i Zi, nuk e ka jetuar plotësisht diktaturën komuniste ka arritur ta përshkruajë më së miri realitetin e asaj kohe. Grupi i punës e kishte ndarë romanin në 17 kapituj, dhe secili referues kishte zgjedhur kapitullin që e kishte tërhequr më shumë, dhe për të cilin do të fliste për përmbajtjen, idetë dhe qëllimin e autorit. Takimin e hapi znj. Alketa Veshi, e cila pasi i falënderoi pjesëmarrësit, i dha fjalën e rastit, kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj. Ai falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht Dr. Pashko Camaj për pasqyrimin që i ka bërë realitetit të kohës komuniste dhe gjithashtu e përgëzoi për mesazhet që autori përcjell në këtë libër. Pas fjalës së rastit, fjalën e mori nënkryetari i shoqatës z. Lekë Preçi, i cili foli për kapitullin “Qetësi para stuhisë”, Arta Xhaferri diskutoi për kapitullin “Arrestimi i babait dhe internimi”. Z. Imer Laçaj u ndal për të folur rreth kapitullit  “Shërbimi në ushtri”. Z.Robert Dajlani foli për kapitullin “Fillimi i makthit”. Znj. Alketa Veshi komentoi rreth kapitullit “Dezertimi nga kampi”. Z. Elton Xhaferri foli për kapitullin “Kalimi drejt lirisë”. Znj. Adelina Laçaj kishte përgatitur një prezantim në Power Point rreth kapitullit “Në botën e lirisë”. Më e reja e këtij takimi ishte nxënësja Erla Lamçe, e cila u shpreh se ky libër e bëri të kuptonte më mirë historinë për sa i përket regjimit diktatorial në Shqipëri. Luljeta Xhediku diskutoi rreth kapitullit të fundit në “Pemën e Gështenjës”. Anëtarët e shoqatës “Skënderbej” Inc jo vetëm folën e diskutuan për vlerat dhe mesazhet që romani “Brenga” përcjell, të cilat po i lëmë që vetë lexuesi t’i zbulojë, por ata ndanë edhe dëshmi nga jeta e tyre për sa i përket periudhës së komunizmit në Shqipëri që do të thotë secili prej tyre gjeti një pjesë të së shkuarës në këtë roman të Dr. Camaj. Dr. Camaj u emocionua teksa dëgjoi me kujdes të gjitha komentet që u bënë dhe falënderoi me thjeshtësinë që e karakterizon pjesëmarrësit. Gjithashtu, drejtori i shtëpisë botuese “Onufri” përgëzoi jo vetëm autorin, por edhe të gjithë anëtarët që me gjithë vrullin që ka jeta amerikane gjejnë kohë të vijnë dhe të diskutojnë rreth librit dhe krijimtarisë së Dr. Pashko Camaj. Drejtori i shtëpisë botuese, Bujar Hurdhri, dhe Dr. Pashko Camaj prezantuan gjithashtu librarinë online “Alblibris”, ku të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA mund të porosisin libra online dhe libri u vjen në shtëpi. Pasditja që anëtarët kaluan së bashku duke diskutuar rreth librit ishte një pasdite e këndshme dhe ndryshe nga të tjerat.  Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uron suksese më tej Dr. Pashko Camajt. 

Filed Under: Reportazh

ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË

March 17, 2026 by s p

Dy koncepte, dy rrugë – njëra drejt fragmentimit, tjetra drejt funksionalitetit të shtetit

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Në trajtimin e çështjeve që prekin arkitekturën kushtetuese dhe të ardhmen institucionale të Kosovës, kërkohet një qartësi konceptuale dhe një maturi politike që tejkalon diskursin e zakonshëm publik. Megjithatë, një nga temat ku kjo qartësi shpesh mungon mbetet dallimi ndërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe konceptit të vetëmenaxhimit.

Në vështrim të parë, këto dy koncepte mund të duken si alternativa të afërta. Por në analizë substanciale, ato përfaqësojnë dy vizione diametralisht të kundërta të shtetndërtimit: njëra që bart potencialin e fragmentimit institucional mbi baza etnike dhe tjetra që promovon integrimin funksional të diversitetit në kuadër të rendit kushtetues.

Asociacioni: Nga mekanizëm koordinues në potencial për entitet para-shtetëror

Asociacioni, i paraparë në Marrëveshja e Brukselit, u konceptua fillimisht si një mekanizëm bashkërendues për komunat me shumicë serbe. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare dhe analiza juridike dëshmojnë se struktura të tilla nuk mbeten statike; ato evoluojnë në përputhje me kompetencat që u delegohen.

Në momentin kur një mekanizëm i tillë:fiton kompetenca ekzekutive,siguron autonomi financiare,dhe ndërton kapacitete të pavarura vendimmarrëse,ai tejkalon rolin koordinues dhe transformohet në një strukturë me tipare të qarta të autonomisë territoriale.

Në këtë drejtim, qëndrimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është i qartë: çdo organizim i tillë duhet të respektojë në mënyrë rigoroze kufijtë e rendit kushtetues dhe nuk mund të prodhojë nivele të reja të pushtetit publik.

Përvoja evropiane ofron një leksion të rëndësishëm. Rasti i Republika Srpska, e krijuar pas Marrëveshja e Dejtonit, ilustron qartë se si një entitet me bazë etnike dhe kompetenca të zgjeruara mund të shndërrohet në faktor të përhershëm bllokues:një strukturë me kompetenca të gjera,një shtet me funksionalitet të kufizuar,një rend institucional i varur nga veto etnike.

Ky nuk është vetëm një precedent historik – është një sinjal paralajmërues për çdo model që cenon unitetin funksional të shtetit.

Vetëmenaxhimi: Integrim përmes funksionalitetit

Në kontrast, vetëmenaxhimi përfaqëson një qasje më të sofistikuar dhe më të harmonizuar me standardet evropiane të menaxhimit të diversitetit.

Ai nuk synon të krijojë pushtet paralel, por të mundësojë:organizimin e brendshëm të komunitetit,koordinimin e interesave legjitime,dhe menaxhimin efikas të shërbimeve në fusha si arsimi, kultura dhe zhvillimi lokal.

Në këtë kuptim, vetëmenaxhimi nuk prodhon autonomi politike, por kontribuon në konsolidimin e funksionalitetit institucional dhe kohezionit shoqëror.

Modelet evropiane e mbështesin këtë qasje.

Në Aland, garantimi i identitetit gjuhësor dhe kulturor realizohet pa cenuar integritetin shtetëror.

Në Tiroli Jugor, funksionaliteti i autonomisë është rezultat i një ekuilibri të ndërlikuar ndërmjet:garancive ndërkombëtare nga Austria,stabilitetit institucional,dhe një kulture politike të konsoliduar.

Megjithatë, këto modele nuk janë universale. Ato kërkojnë kushte që nuk mund të supozohen automatikisht: besim institucional, stabilitet politik dhe konsensus të gjerë shoqëror.

Analogjitë e rrezikshme dhe keqleximi i modeleve evropiane

Debati publik shpesh bie pre e analogjive të thjeshtuara, duke iu referuar modeleve si Belgjika apo Katalonia.

Megjithatë, këto referenca janë shpesh të pjesshme dhe të shkëputura nga konteksti:Belgjika është produkt i një evolucioni të gjatë historik dhe kompromisesh të thella strukturore;ndërsa Katalonia dëshmon se autonomia e zgjeruar mund të prodhojë tensione serioze kushtetuese dhe tendenca separatiste.

Për këtë arsye, transplantimi mekanik i këtyre modeleve në një realitet tjetër institucional nuk është vetëm i papërshtatshëm, por potencialisht i rrezikshëm.

Pushteti apo funksioni: dilema themelore

Në thelb, dilema reduktohet në një zgjedhje konceptuale të qartë:Asociacioni synon institucionalizimin e pushtetit mbi baza kolektive;Vetëmenaxhimi synon organizimin funksional të interesave brenda rendit ekzistues.Ky dallim përcakton drejtpërdrejt:nivelin e sovranitetit shtetëror,koherencën e rendit kushtetues,dhe stabilitetin afatgjatë të sistemit institucional.

Përtej terminologjisë: një zgjedhje për të ardhmen e shtetit

Çështja në fjalë nuk është thjesht një debat terminologjik apo teknik. Ajo është një zgjedhje strategjike për natyrën e shtetit.Ajo kërkon përgjigje të qartë ndaj një pyetjeje thelbësore:A do të ndërtohet një model që institucionalizon ndarjen, apo një model që integron diversitetin brenda një rendi të përbashkët kushtetues?

Përvoja evropiane është e qartë në këtë drejtim:autonomitë mbi baza etnike kanë prodhuar shpesh tensione dhe bllokada;ndërsa modelet e vetëmenaxhimit funksional kanë kontribuar në stabilitet dhe kohezion.

Në fund, zgjedhja ndërmjet Asociacionit dhe vetëmenaxhimit nuk është çështje formulimi politik.Është zgjedhje ndërmjet:një shteti të ekspozuar ndaj fragmentimit,dhe një shteti funksional, demokratik dhe të qëndrueshëm.

Filed Under: Komente

Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori

March 17, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Në një botë ku puthja është e ndaluar me ligj madje me vdekje, dhe “monedha” e transaksioneve janë shuplakat, filmi i shkurtër francez “Deux personnes échangeant de la salive” (Dy vetë që shkëmbejnë pështymë) ndërtohet mbi një premisë absurde pikërisht për të hedhur dritë tek tragjikomedia e diktatit mbi shoqërinë.

Filmi është produksion francez, me bashkë-skenaristë dhe bashkë-regjisorë Natalie Musteata, historiane arti dhe, Alexandre Singh, artist vizual, të cilët janë edhe partnerë në jetë.

Në komentet e tyre për skenarin, ata u ndalën tek ideja për subjektin e filmit të cilin e shkruajtën në 2023 “si reagim ndaj ngjarjeve alarmuese të asaj kohe. Në Shtetet e Bashkuara, intensifikimi i lëvizjeve ekstremiste dhe polarizimi i theksuar vunë në pah brishtësinë e normave demokratike. Në Iran gjetëm frymëzim tek lëvizja Femra, Jeta, Liria, ndërsa shokoheshim nga lajmet e dënimeve, rrëmbimeve dhe vrasjeve të grave që refuzonin të mbanin shaminë tradicionale (hijab). Kaq ekstreme dhe absurde ishin ngjarjet e llojit sureal, sa na dukej sikur ato ishin ndodhi në një botë filmi dhe jo në realitet. Qysh atëherë, absurditeti në jetën reale është bërë edhe më i egër,…të gjitha këto të japin një ndjenjë se bota po kthehet mbrapa në vend që të ecë përpara.”

Filmi 36 minutash dallohet për ngarkesën e gjuhës aluduese në temat e intimitetit dhe survejimit, konformizmit të shoqërisë ndaj kontrollit dhe dhunës. Qysh nga premiera e tij në Telluride Film Festival, në Colorado, filmi bardhezi ka fituar disa çmime.

Mbrëmë në edicionin 98 të Çmimeve të Akademisë në Hollywood, filmi “Dy vetë që shkëmbejnë pështymë” ishte fitues në kategorinë e Live Action të filmit të shkurtër. Ky ishte ndër rastet e rralla kur çmimi jepej edhe për një produksion tjetër, po ashtu fitues si komedi muzikore “The Singers” (Këngëtarët). Aktoret kryesore janë Zar Amir Ebrahimi, franko-iraniane (në rolin e gruas së dëshpëruar, Angine) Luana Bajrami nga Kosova (në rolin e vajzës shitëse 25 vjeçare, naive dhe syshkëndijë, Malaise). Në përshëndetjen e tij të pranimit të çmimit Oscar Alexandre Singh i falënderoi aktoret duke përmendur me krenari edhe vendet nga vijnë.

Për ne, momenti i ceremonisë që përcolli më shumë emocione ishte kur në sallë u tha: Luana Bajrami nga Kosova! Luana është e njohur për rolet në filmat Portrait of a Lady on Fire (Portreti i një Gruaje në Flakë) dhe School’s Out (Shkolla Mbaroi). Ajo ka pasur debutimin si regjisore në filmin The Hill Where Lionesses Roar (Luaneshat e Kodrës).

Bashkë me festimin e 25 vjetorit erdhi edhe suksesi madhor në karrierën e saj!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 2916
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Reconciliation Requires a Partner. Serbia is Not Offering One
  • Qëllimi dhe arsyeja (funksioni) e kërkimeve kosovare mbi tema jo-shqiptare
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • Shtëpitë e mëdha, vatra të traditave, atdhedashurisë e vlerave tona kombëtare
  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT