• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Filmi shqiptar “Aroma e trëndafilit të kuq” fitoi çmimin “Best Drama” në festivalin Torontos

September 27, 2024 by s p

Filmi Shqiptar “Aroma e trëndafilit të kuq” me skenar dhe regji nga Aurel Naqi rrëmben çmimin “Best Drama” në festivalin e kategorisë A në Toronto tinff. Filmi po vazhdon rrugëtimin me sukses në festivalet e kategorisë A por dhe festivale të tjera të rëndësishme, duke u vlerësuar me 4 çmime të para:

-Në festivalin e metrazhit të shkurtër në Venicë të Kalifornisë.

-Festivali i filmit në Vjenë të Austrisë

-Festivali indipendent i filmit në Los Angeles ( Film Crash)

-Festivali i Filmit në Toronto ( tinff)

Filmi bën ndalesën e radhës në edicionin e 27 të festivalit të filmit në Filadelfia ku kandidon për dy çmime :

-Best Drama

-Best Actress ( Enxhi Cuku)

dhe në festivalin e filmit në Lindenhurst ( Sulfok County ku kandidon për 6 çmime

-Best International

-Best Drama

-Best Director

-Best Actress

-Best Cinematography

-Best Editing

gjithashtu do të marrim pjesë në dy festivale të réndësishme në muajin Tetor

-Louisville International Film Festival

-ARPA International Film Festival

Filmi do të përfundojë garën e festivaleve në pranverë dhe më pas do të vijë për publikun Shqiptar.

Filed Under: Kulture

Katër risitë e Ali Asllanit, kur ishte në krye të Bashkisë së Vlorës

September 27, 2024 by s p

-Në mes të Sheshit të Flamurit simbolin e 4-topave, të cilat përfaqësonin katër vilajetet.

-Flamuri i Pavarësisë në hyrje të shtëpisë së pavarësisë kishte një shtizë 12 metra të lartë për të kujtuar vitin 1912

–         Vendosi një llustraxhi këpucësh në hyrje të derës së bashkisë.

–         Në hyrje një shomë ku vizitori të vishte kollaro para se të shkonte në zyrën e Kryetarit.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Më miqtë e mi poetë, apo vlonjatë gjithmonë do të bjerë biseda për të madhin Ali Asllani. Askush sot nuk mund ta besojë që qysh në vitet 1920 ai kishte një koncept perëndimor për ndërtimin e shtetit dhe sidomos për funksionimin e pushtetit vendor. Për të hequr një kureshtje miku im Flamur A, që ka lexuar shumë për jetën e tij më tha që Ali Asllani qysh në moshën 21 vjeçare nuk e hoqi kurrë kollaren nga qafa dhe pse punonte në administratën Osmane.

Jeta e madhe në pak rreshta

–         Ali Asllani, njëri ndër poetët dhe intelektualët tanë më të njohur u lind më 28 nëntor të vitit 1884 në fshatin Vajzë të Vlorës, ku edhe kreu mësimet e para, Shkollën e mesme, Gjimnazin e njohur  “Zosimea” e mbaroi në vitin 1888. Në këtë gjimnaz arsimoheshin shumë shqiptarë, të cilët më vonë iu drejtuan studimeve në Universitete të ndryshme në Turqi, por edhe në vendet e Evropës.

–         Në fillim ishte përcaktuar të studionte mjekësinë, por ndërroi mendje dhe mësimet e larta i bëri  në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit; kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës. Në vitin 1910, Ali Asllani u kthye në Stamboll, meqë ishte ndërruar Kabineti qeveritar, i cili e kishte përjashtuar. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat naziste-fashiste, luftë të cilën e kishte përkrahur pa rezervë, Ali Asllani ishte ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mori pjesë në shumë aktivitete kulturore. Poezia e tij u prezantua në të gjitha nivelet arsimore, në shkollat fillore dhe të mesme. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

–         Të veçantat e Ali Asllanit kur ishte Kryetar Bashkie në Vlorë

–         Ali Asllani nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në atë periudhë ai solli shumë risi në mënyrën e qeverisjes vendore që kishin erë perëndimore por dhe shumë patriotike. Konkretisht…Ishte viti i largët 1934,Ali Asllani në pozicionin e kryetarit të Bashkisë Vlorë përzgjodhi projektin e një arkitekti italian për të vendosur në mes të Sheshit të Flamurit simbolin e 4-topave të cilat përfaqësonin katër vilajetet . I shoqëruar sëbashku me shatërvanin i cili u nis po atë vit për ndërtim. Këtë veprim patritik nuk e ka bërë asnjë politikan, akademik apo drejtues i Bashkisë së Vlorës për mëse 120 vjet.  4 topat e Sheshit të Flamurit morën famën e tyre në mbarë trevat shqiptare si një nga vlerat kryesore të qytetit të historisë dhe Pavarësisë.

–         Risia tjetër është se ai me idetë gjeniale shtizën e flamurit në vendin kur u ngrit flamuri I Pavarësisë e bëri të gjatë 12 metër për të përjetësuar vitin 1912.

Gjithmonë përpara Bashkisë (sipas Gëzim Llojdisë) , ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi, kurse brenda në korridor, të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë, duhet t’i fshinte këpucët dhe t’i lyente me bojë, aq sa ato mbanin. Në qoftë se qytetari nuk kish mundësi të paguante lustraxhinë, atë e paguante Bashkia nga fondi i saj dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë, e shkonte për të takuar Kryetarin, Ali Efendinë. Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë, sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte, jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare,që atëherë ishte shumë e nevojshme, por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët, se në ato zyra të shtetit, që iu zgjidheshin problemet dhe hallet, që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta, të shkoje i rregullt, t’i doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar, sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës, të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë, duke i zgjidhur më së miri, hallet e problemet që kishin në atë kohë, Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës, por edhe banorët të fshatarëve të rrethit, që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin, Kryetarin e tyre. Edhe ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte, iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën, pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit. Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme, jo vetëm me punën e tij të ndershme, por edhe me punën që bënin vartësit e tij, që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet, sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë, ekonomistë, inxhinierë dhe teknikë që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit.

foto: wikipedia.org

Filed Under: Komente

A ekziston “marrëveshja” e Esat Toptanit me Pashiqin në shtator të 1914?

September 27, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

1-Në shtator të vitit 1914, Esat Toptani me leje dhe miratim të qeverisë italiane e ministrit të Jashtëm San Xhuliano kaloi nga Selaniku në Nish për t`u takuar me kryeministrin e Serbisë, Pashiqin, për të biseduar lidhur me mobilizimin dhe hyrjen e tij nga territori i saj drejt Dibrës.

2-Pashiqi ngurronte të takohej me Esatin, të cilin e konsideronte si njeri të pabesueshëm. Ai i deklaroi përfaqësuesit italian se Esati mund të ishte i dobishëm vetëm për shmangur një konflikt mes Serbisë dhe Shqipërisë apo një sulm të Serbisë nga territori shqiptar. Diplomati italian këmbënguli, që Pashiqi të takohej me Esatin, sepse ishte në interesin e Italisë dhe Serbisë që të shmangeshin komplikimet në Shqipëri.

3-Më 15 shtator 1914 Esati mbërriti në kryeqytetin serb të luftës, në Nish ku ishin zhvendosur të gjitha institucionet qeveritare, bankat, legatat e huaja etj. Ai u prit dy herë nga Pashqi, i cili i deklaroi se Serbia nuk kishte asnjë qëllim për të sulmuar Shqipërinë. Ai kërkoi gjithashtu që fiset shqiptare të mos zhvillonin inkursione në brendësi të territorit serb dhe të mos bëhej vegël e austro-hungarezëve apo bullgarëve, sepse përndryshe do të vinte ndëshkimi. Për këto kërkesa, Esati e siguroi Pashiqin se synimet e tij ishin të ekzistonin marrëdhënie miqësore e paqësore me Serbinë. Kjo bëri që ai ta lejonte atë të futej në territorin shqiptar nëpërmjet Dibrës.

4-Sipas disa burimeve i dërguari i Esatit në Nish, Shahin Dino, kishte përgatitur paraprakisht me diplomatët e Pashiqit një projekt-marrëveshje. Ajo është botuar nga historiani shqiptar i Maqedonisë Shukri Rrahimi në vitin 1976. Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi thekson se pavarësisht përpjekjeve në arkivat e Beogradit, nuk ka arritur ta gjejë atë për të verifikuar autenticitetin e saj. Kjo për shkak se jo vetëm studiuesit shqiptarë që kanë shkruar më pas, por edhe historianët serbë i referohen tekstit të botuar nga Shukri Rrahimi. Sipas tij, marrëveshja është shkruar në osmanisht, ndërsa Esati ka firmosur me gërma latine. Një kopje, thekson ai është edhe në serbisht. Ajo mban datën 17 shtator, ka 15 pika dhe është firmosur nga Esati në emër të popullit shqiptar, ndërsa emri i përfaqësuesit serb mungon. Kjo marrëveshje, sipas studiuesit Shukri Rrahimi, u rishikua në qershor të 1915 kur forcat serbe ndodheshin në Tiranë. Edhe ky tekst është shkruar në osmanisht dhe serbisht dhe në fund është emri i Esatit si kryetar i qeverisë shqiptare, pa firmë dhe pa vulë.

5-Në historinë e Shqipërisë ka dy marrëveshje që konsiderohen si “fake news-et” më të përhapura, ajo e Esat Toptanit dhe e Ahmet Zogut, të cilat “rastësisht” lidhen me emrin e kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. Ndëkoh që në arkiva nuk ka asnjë marrëveshje autentike të firmosur nga dy politikanët më të rëndësishëm shqiptarë të pas vitit 1912. Në periudhën kur pretendohet se janë nënshkruar, ata nuk mbanin më asnjë funksion zyrtar. Madje, nga aq sa kemi arritur të zbulojmë, kërkesave të Pashiqit për të nënshkruar marrëveshje, Esati i është përgjigjur se edhe sikur ta nënshkruaj ne nuk kemi parlament që ta ratifikojë. Pra, çdo marrëveshje e tillë konsiderohet nul (e paqenë).

6-Kush i gjen këto marrëveshje me firmë, me vulë dhe me numër protokolli të nënshkruara nga Esati dhe Zogu, është i lutur që t`i publikoi.

7-Ndërkoh që të gjitha pikat e këtyre marrëveshjeve të supozuara në favor të Serbisë, i ka nënshkruar Enver Hoxha dhe drejtuesit e lartë të regjimit komunist në vitet 1945-1948: bashkim doganor, unifikim i monedhës etj, etj. Këto marrëveshje i kemi me firmë, me vulë dhe me numër protokolli, që të gjitha të ratifikuara nga parlamenti shqiptar.

Filed Under: Histori

At Bellusci, Aleksander Moisiu dhe Ibrahim Kodra u përkujtuan në Lugano Paradiso

September 27, 2024 by s p

Ornela Radovicka/

Sot, në këtë vjeshtë shtatori gjendemi në Lugano Paradiso për të festuar 90 vjetorin e At Belluscit e cila do të realizohet jo vetëm nëpërmjet një takimi letrar organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve në Mërgatë me kryetar Musa Jupolli sekretar të tij Mentor Thaqi, por edhe me një sërë aktivitetesh të tjera. Organizimi u bë me ndihmën e artisti, por edhe një poeti i quajtur Syl Mujaj. Na pret me buzëqeshjen e tij artisti Syl Mujja. Pjësmarrësit mbrrijnë një nga një. Krijohet një energji e mbrekullueshme. Për këtë takimi leterar do t-iu rrëfej herës tjetër, por né kéto rreshta dëshiroj të ndalemi tek ky artist në plot kuptimin e fjalës. Syla, lind në Fshatin Dukaivë, Rugovë. Mësimet i merr në fshatin e Lindjes dhe në Pejë. Është një i burgosur politik në burgun famkeq të Nishit ku i përshkuan në veprën e tij letrare Lule në Beton. Në artin e tij shpirti i Sylës kalon amplitudën nga tragjikja e përjetuar pjesë e atyre burgjeve të represionit qeverisë serbe, deri në ato notat e një pentagrami të një sinfonie me grimca optimizmi për jetën, emocionet e së cilës Syla i shëndërroi në mozaik.

Syla, është një artist ekspansiv, një elektorn i lirë, në galaksi dhe këtë e shohim në mostren e tij. Ekspozita e tij është e një game të gjerë. Vetë ai e ka ndarë këtë eksozitë si rrathët e Dantes. Kalojmë nga Ferri në Parajsë. Syla penetron në këto rrathë, hulumton mbi atë që ka përjetuar, dhe me pat’hosin e tij të mbërthen në meteshat e tij patriotik. Syla kodifikon shpirtin e tij dhe ngul si hieroglife, cdo kuadrat mermeri në mozaikun e tij. Syla nuk flet me urrejtje ai flet me tonin e e padrejtësisë që iu është bërë. Kërkon të çoj në vend atë dinjitet që ia shkelën, dhe që kjo pjesë historie tragjike mos të përsëritet më kurrë!
Tabllot e tij janë pikëza djerse kromatike, spektër i atij shpirti të vuajtur si i burgosur politik, në kërkim të së drejtës jo për të qenë shqiptar, por për tu ndjerë shqiptar, autoktn në tokën e tyre. Në skicat e tij dilnin në pah ato hekurat e burgut, duar të shtërnguara e të rebeluara, imazhe të burgosurish vendosur në kolon dhe kamzhiku e diktati qëndron si shapata e Damokleut. Në artin e tij Syla mbërtheu lotët e atyre vogëlueshve dardan të plagosur, ku i vetmi “ Faji “ i tyre ishte se kishin lindur nga barku u nënave shqiptare. Vështirmi ndesh me ematomat në shpirt të atyre nënave që ende sot nuk dinë ku i kanë varret bijëve të tyre, pjesë e atyre gropat masive, e shpirti mekanik i gjenocodit bluan në makinerinë e tij eshtarat e asaj qenie që kishte të vetmin “ Gabim” sepse quheshin shqiptar.
Se ç’farë i është bërë Kosovës, dhe vuajtjet e saj, janë pikërisht këta njërëz, dëshmia historike e asaj padrejtësie deri në gjenocid,që shtrihet në trojet e Dardanisë.

Arti i tij bëhet më konciz kur futemi në sallën e kostumografisë. Ka mbajtur si busull precizionin e illustrimit. Elemente etnografik ishin të gjallë, ndeshje plisin kozmik, dhe shijoje atë bukurinë e xhubletës 6000 mijë vjeçare, tirqet. Në ato tabllo kryqëzohej bota arbëror në Greqi me Arbëreshët e Italisë. Atje ishte Bocari e Kolloktoroni, ishte Moisiu e nënë Terza, Ibrahim Kodra, e Adem Jashari. Simbolet e kombit janë të pranishme në artin e Sylës. Shqiponja, Hyjnesha Dardane,kryqi ilir. Dikur, Miku i tij Ibrahim Kodra i pati thënë: Hidhe gurin, zarin në hapsirë, dhe kërko të heqësh atë shpirtin e erret, e vuajtur dhe jepi dritën introspektive që brënda ka shpirti yt, sado i lodhur e drobitur nga vitet e burgut. Ti ke një spektër mozaik brënda teje. Ushtrohe! Në fakt këtë “ Rilindje të shprtit” e shohim në mozaikët e tij. Janë Doruntina “ në stilin Nudist” e zhveshur si Ledy Godiva e Coollier. Shohim “katër gratët” allegoria e katër stinëve që e na kujtojnë disi Kubrik “origjina del mondo” . Gra të bukura, gra ilire, ku shumëllojshmëria e atyr pjesëve mermeri nuk mungonte as bota arbëreshe, pjesëza të atyre copëzave vinin nga Hora e Arbëreshëvet.

Arti i Sylës ka edhe ato emocione familjare. I mbushen sytë me lotë Sylës kur mbesa e tij rrëfën për kostumin e zonës së Rrugoves pikturën kushtuar të atit, ndërsa ajo me atë bukurinë dardane, i drejtohet duke i thënë: Axhë, por ky është lala jonë! Nuk arrin as ta pohoj Syla, nga ata sytë e lodhur i dalin lotë. Shume të tjerë u përlotën. I ati ishte atje i gjallë, me një profil sikur i thoshte të birit: Jam krenar për ty Syl. Arti i vërtetë është ai që të emocionon dhe Syla këta ia ka arritur, sepse të gjithë ne ishim të përlotur.

Shpiri i Sylës është gjigand. Mendoj se një shpirt aq bujar, besnik, nuk harron ata që i hapën dyert ata a që e strehuan, ata që i dhanë bukën dhe dorën kur kishte nevojë dhe nuk kishte asgjë. Këtij qyteti që iu bë si Atdhe të dytë, dhe këtë e shohim edhe në tematikat e tij. Mozaiku kushtuar San Salvador, Monte Bre. Pikërisht për këtë ai i eshtë mirënjohës këtij qyteti. Erdhi momenti që edhe Syla t’iua shpërblej këtë mirësi këtij shteti, komuanës së Lugano Paradiso, dhe i dhuron njërën prej veprave të tij më të bukur punuar në mozaik.

Syla meriton një vështirm disi më tepër se arti dhe artistët në vetvete, sepse arti i tij nuk është fantazi arti i tij mban mbishkrimin e pulsante të jetës së tij. Por shpirti i Sylës i ngjan asaj botanike, asaj “lule Betoni” e cila ka natyrën esaj në perndim mbyllet por qe cel në agim. Emocionet i shtuan edhe interpretimi i veprave që bëri Arkitektja dhe poetja Shqipe Bytyqi, ndërhyrjet e artistit të kullave Milazim Ukëhaxhaj. Energjisë sonë shpirtërore shpirtërore iu bashkua alkimia që na dha vëllai i Sylës, i cili lexoi një poezi biografike. Kishte qenë 5 vjeç ai kur Sylën e mbyllën në ato mure të rrepta. Zemra e një motrës është kozmike, dhe ajo di të prek, di të depërtoj në vena e ti japi atyre pulsin e në vaji dhimbjeje por edhe me shpirtin e dritës. Atë shpirt që si ato mijëra xixëllonja shfaqen në netët pranverore të netëve të errta, e japin atë magji të jetës, e tillë ishte edhe energjia që solli motra e Syles me vargjet e lexuar prej saj. Nëse Dante përdori Beatrice, apo Virgjilin, për të shkuar në rrathët e tij, Syla mblodhi gjakun e shprishur, anë e mbanë Arbëreshi Bliaiota,Shqiptarë të Kosovës, shqiptarë të Shqipërisë, Malit Zi, por i shtoi edhe atë kornizë, ku miku nuk lihet jashtë. Me vjargjet e saj me tematikën e paqes, dhe dhuna kundër grave, kjo poete Zviceriane, e bëri atë takim me përmasa humane universale. I uroj Sylës shëndet dhe mbi të gjitha, faleminderit për këtë ekspozitë, që të rrëmben shpirtin dhe të rrit reflektimin!

Filed Under: Reportazh

FJALOR TERMINOLOGJIK I TEORISË SE MEKANIZMAVE DHE TË MAKINAVE 

September 27, 2024 by s p

Prof. dr. Agron Duro

Terminolog, Tiranë

(Sistemor, me përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip, në anglisht dhe në gjermanisht), hartuar nga autorët  Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana

Fjalori në fjalë, hartuar nga autorët Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana, është një kontribut me vlera të veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare të autorëve në fushën e terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të kryera nga autorët në fushën e terminologjisë. 

Duhet nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë puna e kryer për terminologjinë e fushave teknike, si: fusha e mekanikës teorike dhe të zbatuar, e kinematikës, e makinave dhe mekanizmave etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse termat e shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si terma parësorë janë dhënë termat shqip, ose, sipas rastit, termat e huaj si: bosht udhëzues (ngarës) (drive shaft; Antriebswelle), elementi i mekanizmit (mechanism element; Mechanismenelement),  nyjë  tesë (çernierë) kinematike (kinematic joint; Kinematisches Gelenk) etj.

Vlera më parësore e Fjalorit, qëndron pikërisht në paraqitjen në të të termave teknikë, që do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë që është në qarkullim, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve etj.

Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Krahas termave shqip janë lënë nganjëherë edhe termat në gjuhë të huaja dhe kjo është bërë jo vetëm pse këta të fundit janë më të njohur tani për tani në terminologjinë tonë teknike, por edhe për arsye se, në disa raste të veçanta, përkthimi shqip nuk përkon  plotësisht me termin e huaj. Ndeshemi këtu me ata terma që janë quajtur ndërkombëtarizma, d.m.th. terma që i takojmë në disa gjuhë evropiane të largëta njëra nga tjetra. Si ndërkombëtarizma janë vështruar jo vetëm ata terma që i kanë të përbashkët dy ose më shumë gjuhë romane, por që i takojmë edhe në gjuhë të tjera si anglishtja, gjermanishtja etj.

Ballafaqimi i shqipes me anglishten e  gjermanishten për Terminologjinë e Teorisë së Mekanizmave dhe të Makinave lehtëson punën edhe për trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me dy gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkomëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, e gjrmanishtes si e dytë). Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjermanishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore.

Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në dy gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç janë anglishtja e gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse këto dy gjuhë janë pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me anglishtne e gjermanishten, dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autorët (si njohës të mirë të terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë studiuesve të terminologjisë, studentëve universitarë në studim për terminologjinë e makinave dhe mekanizmave, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 729
  • 730
  • 731
  • 732
  • 733
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT