• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diaspora shqiptare u pasurua edhe me dy libra të rinj

August 9, 2024 by s p

PhD. Dashnim Hebibi me dy libra kushtuar gruas shqiptare në diasporë

Cyrih, 06 gusht
Nga Dahest Luma, Tiranë

Poeti, publicisti, ambasadori i paqes, gezetari, doktori i shkencave politike, presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicrës, z. Dashnim Hebibi, njofton gjithë dashamirët e librit, se dy librat e tij kanë parë dritën e botimit. Z. Hebibi është i njohur për punën e pandashme për të mirën e ardheut nga diaspora edhe ate jo më pak se 24 vjet ne radhë. Redaktor dhe recensent i librit është, z. Jeton Arifi. Dy librat kanë 800 faqe dhe janë realizuar 186 intervista. Sipas z. Hebibi, libri do të jetë në vazhdime. Z. Hebibi ndër të tjera shkruan në profilin e tij në Facebook. Të dashur miq të librit, pas një pune relativisht të gjatë dhe me shumë përkushtim, diasporës sonë iu shtuan edhe dy libra, që do të mbeten monument i përjetshëm! Dy librat ia kushtova nënave, vajzave të diasporës, që ishin pjesë e shumë ngjarjeve në të mirë të atdheut dhe janë frymëzim për gjeneratat e reja. Është një hulumtim i karakterit empirik, i realizuar me grup fokusi. Falenderoj të gjithë ata që më përkrahën, që ta arrijmë këtë sukses të radhës dhe do ju jem mirënjohës për jetë! Librat kanë parë dritën e botimit dhe shumë shpejt do të kemi edhe promovimin nëpër disa qytete të Evropës! Kopertina ka gjuhën e saj ose kuptimin e librit, si te pjesa një dhe te pjesa dy. Nëna shqiptare në diasporë me ballë hapur duke kujtuar të kaluarën e saj jo edhe të lehtë. Pjesa e dytë e librit, nëna shqiptare në diasporë, po ajo, duke e shikuar të sotmen dhe të ardhmen, gjeneratën e re e duke e shijuar suksesin e tyre edhe pse po jetojnë larg vendit të të parëve e të shoqëruar me lulen e diasporës. Vetëm dokumentet mbesin me fakte e referime për gjeneratat që do të vijnë. Edhe atëherë kur shumë prej nesh të mos jemi më, këto janë dokumente, gjurmë të pashlyera, të cilat dëshmojnë përkushtimin jetësor të shtyllës së familjes e shoqërisë shqiptare të mërguar. Ja se si e vlerëson librin, redaktori dhe recensenti, z. Jeton ARIFI: “Libri me përmbledhje intervistash të zhvilluara enkas për jetësimin e këtij projekti kaq fisnik, në thelb është një hulumtim i karakterit empirik, i realizuar me grup fokusi. Kategoria e përzgjedhur nga autori është vajza dhe gruaja shqiptare e mërguar jashtë territorit autokton shqiptar. Nga një këndvështrim sipërfaqësor të lexuesit, mund të dallohet se autori ka aplikuar një mostër të gjerë, heterogjene, pa kriter moshe, profesioni, origjine (nga hapësira gjeografike mbarëshqiptare).
Pavarësisht mostrës së kufizuar prej 187 personazheve, personaliteti i të cilave paraqet një ndryshore prej karakteresh nga një divëndërkombëtare e një sopranoje lirike, me pasqyrim figurash tëndërmjetme, në kuptim profesionesh, deri te një amvise, nëpërceptim fillestar të thjeshtë, por jo më pak të rëndësishëm, sepse secila prej këtyre vajzave e grave fisnike të pasqyruara në këtë libër dy vëllimësh, gjatë ciklit të saj jetësor, ka shërbyer si frymëzim për të tjerët.
Disa prej tyre frymëzuan botën rreth tyre e më gjerë, duke dridhur skenat më të njohura të operas; disa të tjera duke mohuar luksin e mundshëm që u ofronte përditshmëria, për ta vënë veten e tyre në shërbim e mbështetjes së kauzës kombëtare (çlirimit tëKosovës), disa të tjera duke e mbajtur familjen e duke mbështetur bashkëshortin luftëtar për këtë kauzë, shumë të tjera duke shkëlqyer në profesionin e tyre në tregun e ashpër e konkurues të punës nëtokën e re premtuese, ku kishte mërguar, e shumë të tjera duke iu përkushtuar një misioni të shenjtë, kultivimit të gjuhës, traditës, kulturës shqiptare nga gjenerata e re përmes mësimit plotësues nëgjuhën shqipe.
Autori i këtij libri, i cili, për ata që e njohin, shquhet për përkushtimin e tij ndaj veprimtarisë së diasporës shqiptare, të cilën e ka ndjekur dhe pasqyruar në veprimtarinë e tij gazetareske dhe publicistike, për më shumë se dy dekada, ka treguar një kujdes tëposaçëm në përdorimin e termit diasporë. Ai, atë e përdorë, shumëme vend dhe racionalisht, si përkufizim e term social, jo gjeografik, sepse me diasporë duhet kuptuar tërësia e komunitetit të shpërndarëjashtë trungut të shtetit amë të origjinës, e jo si hapësirë gjeografike. Kryefjala e përmbajtjes së këtij libri është gruaja shqiptare e diasporës, pra, e përfaqësueseve të vajzve, grave e nënave shqiptare të zhvendosura jashtë atdheut, qoftë për të iu shmangur dhunës sëkohës të ushtruar nga aparati shtetëror kolonizues i trojeve shqiptare ku ajo është lindur e rritur, qoftë në kërkim të një jete më të mirë, apo me synimin për të gjetur hapësirë më të përshtatshme, mëpremtuese e më me perspektivë për ta zhvilluar e dëshmuar veten. Ky libër duhet parë e pranuar nga lexuesit si fillimi i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta ndihmuar memorien kolektive lidhur me rëndësinë e peshën që bartë me vete gruaja/nëna shqiptare e ‘syrgjynosur'”.

KONKLUZION

Gruaja shqiptare e diasporës ndjehet e harruar dhe pret bashkëpunim e mbështetje nga atdheu. Ajo dhe kontributin e saj për ruajtjen e gjuhës amtare, e cila vlerësohet se është jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar. Është kjo grua, e cila ka kontribuar te gjenerata e re që sot të krenohemi me sukseset e tyre në tregun ndërkombëtar të punës. Gjuha shqipe do të ruhet brez pas brezi. Kontributi i LAPSH-së është i madh, pastaj i shoqërive kulturoreartistike, shoqatave të tjera humanitare që veprojnë në diasporë. Edhe degët e partive që kanë vepruar e veprojnë përmes përfaqësuesve të diasporës shqiptare, janë të mira, sepse takohen mes vete e flasin shqip mes vete, megjithëse, deri në një masë, ky element ka shkaktuar edhe përçarje. Gruaja e diasporës shqiptare mendon se është çështje e ngutshme që shteti të kontribuojë me konferenca shkencore dhe ti japë hapësirë femrës shqiptare në vendimarrje në atdhe, sepse sjell përvoja evropiane, pra të shteteve ku është lindur e ku është duke vepruar. Nuk thuhet rastësisht se pas çdo burri të madh është një grua e shkëlqyer. Sipas Napoleon Hillit, burrat që kanë grumbulluar pasuri të mëdha dhe kanë arritur njohje të jashtëzakonshme në letërsi, art, industri, arkitekturë dhe profesione tjera, ishin të motivuar nga ndikimi i një gruaje. Në cilësinë e autorit të këtij libri, jam i bindur që ka pasur edhe shumë gra të tjera që është dashur të jenë pjesë e këtij libri. Mbes me shpresë se do të kemi një vazhdim tjetër apo vëllime të tjera,brenda të cilëve do të pasqyrohet jeta dhe vepra e shumë grave meritore, të cilat, në saje të veprimtarisë së tyre, kanë shërbyer si frymësuese të gjeneratës së re të femrës shqiptare, veçanërisht tëatyre që jetojnë jashtë trungut të vendit të origjinës. Mbi të gjitha, ato që i keni lexuar në trungun e këtij libri, janë fjalët e këtyre grave shqiptare të cilat kanë sakrifikuar shumë që të ruhet,mbi të gjitha, gjuha shqipe. Vetëm dokumentet mbesin me fakte e referime për gjeneratat që do të vijnë. Edhe atëherë kur shumë prej nesh të mos jemi më, këto janë dokumente, gjurmë të pashlyera, tëcilat dëshmojnë përkushtimin jetësor të shtyllës së familjes e shoqërisë shqiptare të mërguar./ Përgaditi: Dahest Luma, Tiranë.

Filed Under: Mergata

MOSKUPTIMI OSE KUPTUESHMËRIA E PAPLOTË E SHKRIMTARËVE GJENIALË

August 9, 2024 by s p

Nga BUJAR SKENDO/

1.

Është pranuar prej kohësh se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një gjeniu është t’a kuptojnë tërërisht që në botimin e parë të veprës të tij. Në një rast të tillë, mjerisht, do kishim një shkrimtar thjesht të përkoshëm, lehtësisht të kuptueshëm, të kufizuar, të harrueshëm. Kurse gjeniu është shkrimtar i të panjohurës e i të paarritshmes. I dendësisë së pafund të ideve dhe thellësive të pakapshme të mendimeve. Është një shkrimtar i përjetshëm.

Me shkrimtarin tonë gjenial Ismail Kadare ka ndodhur diçka edhe më e ndërlikuar. Për herë të parë në historinë e letërsisë shqiptare kishim një shkrimtar të jashtëzakonshëm, vepra gjeniale e të cilit është admiruar nga lexuesit e tij të shumtë. Por edhe është moskuptuar, keqkuptuar, keqinterpretuar, keqtrajtuar prej diktaturës. Armiqësisht, me këmblëngulje, vetëdijshëm. Kurse kritika është treguar krejt e paaftë për t’u përballuar me veprën kadareane. Siç rrëfen vetë Kadare, për një dyzinë të librave të tij të famshëm, “nuk është shkruar asnjë reçension”! Një njollë e zezë në kulturën tonë! Mëkat i pashlyeshëm! Dhe në rastet kur është shkruar, vetëm sa është prekur ana e dukshme e vlerave të tij artistike. Dhe po ashtu, vetëm idetë e mendimet e përvijuara vetëm në shtresëzimin e parë të veprave. Nuk është tentuar aspak zbërthimi në thellësi i ideve e mendimeve të mëdha të shkrimtarit gjenial. Nga paaftësia? Nga konformizmi? Nga frika? Ndoshta nga të tria. Nuk është kuptuar, pothuajse asnjëherë, çfarë fshihej më në thellësi, çfarë mendimesh vlonin brenda, poshtë fjalëve, fjalive, paragrafëve dhe, afërsisht, 40 mijë faqeve të shkruara nga shkrimtari ynë gjenial. Nuk janë zbërthyer eflektimet e dyfishta apo të shumëfishta të artit të tij. Në atë kohë, kjo ka qene sa përfytyrueshme, e shpjegueshme, aq edhe e papërfytyrueshme, e pafalshme. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një krijimtari gjeniale si ajo e Kadaresë.

Njerëzimi, çdo gjeneratë, çdo shekull kërkon e gjen në veprat gjeniale përgjigje për shqetësimet e kërkesat e veta, zbulon ato ide për të cilat ka nevojë e është i etur. Sepse veprat gjeniale ashtu janë, një det i pafund e i pashtershëm idesh e formash artistike.

Ana e pakuptueshme e veprave gjeniale nuk ka asgjë të përafërt me pakuptueshmërinë e veprave hermetike, të errëta. Këto janë konceptuar si të tilla, të vështira për t’u kuptuar, të vetëdënuara për moskuptim. Dhe ashtu mbeten, fatkeqe, të ftohta për lexuesin. Ngarkesa me ide filozofike, fshehja e tyre si qëllim në vetvete, është krejt tjetër nga arti gjenial, nga thellësia e pambarimtë e ideve e mendimeve, nga shprehja e ideve të mëdha, preokupuese për njerëzimin, me një gjuhë thjeshtësisht madhështore.

2.

“The New Folger Library Shakespeare” në Washington, e themeluar në vitin 1932, botimin me të fundit akademik e ka bërë në vitin 1992, 35 vjet pas atij paraardhës. Një botim serioz, i pajisur me aparat të pasur analitik, spjegues, argumentues, zubulues idesh e vështrimesh të kohëve moderrne. Në fjalën hyrëse, drejtori i saj Werner Gundersheimer thekson se “pasioni për Shekspirin vazhdon të rritet”. Asnjë shkrimtar tjetër, shton ai, nuk flet më fuqishëm për qenien njerëzore, në tërë format e shfaqjes së tij. Është koha të zëvendësojmë botimin e mëhershëm me një version të ri tërësor, i cili përfshin mendimin aktual më të mirë dhe më bashkëkohor për tragjedinë “Makbeth”.

Kurse editorja Barbara A. Mowat, në parathënie nënvizon se botimi është konceptuar “për një gjeneratë të re lexuesish dhe feflekton mënyrat bashkëkohore të të menduarit për Shekspirin”.

Në kapitullin “Shakespeare’s Macbeth” shkruhet se “Në shekujt e mëhershëm historia e Makbethit është parë si një qëndrim i fuqishëm i një njeriu heroik i cili kryen një veprim të lig dhe më pas paguan një çmim të tmerrshëm, ndërsa ndërgjegjia e tij dhe forcat natyrore të të mirës e shkatërrojnë atë”. Dhe menjëherë, pas kësaj theksohet se “Në shekullin tonë, linja midis të ligës së Makbethit dhe të mirës së supozuar të atyre që e kundërshtojnë atë është e turbullt, shprehen qëndrime të reja mbi shtrigat dhe magjitë, pyetje të reja ngrihen për mënyrat si janë portretizuar burrat dhe gratë në këtë vepër”. Për të përfunduar, “Midis kaq shumë dramash të Shekspirit, “Makbethi” i flet çdo gjenerate me një zë të ri”…

Kështu ecën nëpër shekuj tragjedia gjeniale “Makbethi” dhe vetë Shekspiri. Trazues, nxitës, turbullues, provokues, qartësues. Minierë hyjnore idesh e mendimesh të thella. Edhe pse është botuar e ribotuar mijëra herë në pothuajse të gjitha gjuhët e globit, njerëzimi i kthehet e rikthehet Makbethit për artin superior dhe idetë e fshehura, por të domosdoshme për t’u zbuluar e shijuar estetikisht. Edhe pse Shekspiri ka pesë shekuj nën tokë, nëpërmjet veprës së tij gjeniale ai jep e merr mesazhe me të gjallët, vazhdon të trokasë në ndërgjegjen e njeriut dhe të njerëzimit. Vazhdon të nxisë, të frymëzojë e të dërgojë dritë hyjnore edhe prej errësirës së përjetshme.

Në kulturën tonë nuk kemi pasur ndonjë përvojë në ribotime të tilla me synime e theksime të caktuara idesh e mendimesh. Thesht sepse deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shkrimtar gjenial. Dhe kemi bërë ribotime të zakonshme, sipas koronologjisë. Gjeneratat që vijnë, me Kadarenë, do kenë rastin e provës. Do të duhet të bëjnë ribotime me një aparat të posaçëm vlerësues, me kërkime e zbulime idesh për të cilat shoqëria do jetë e interesuar…

3.

“Unë jam krenar që e kam shkruar këtë vepër (është fjala për romanin “Koncerti”- bs). Është botuar kudo në botë, por pa atë zbërthimin e vërtetë që duhej të kishte”, është shprehur shkrimtari ynë gjenial Kadare. Është fare e qartë se ka një peng në këtë pohim, që, ndoshta, është peng i të gjithë gjenive dhe që, me sa duket, lind prej tundimit që veprat e tyre të zbërthehen në tërë madhështinë artistike dhe thellësinë e ideve që ato përmbajnë, qysh kur ata vetë janë gjallë.. Shkrimtarët gjenialë digjen së brendëshmi nga dëshira që lexuesit e tyre të përjetojnë ato mrekulli e magji që ata vetë i kanë ndier gjatë procesit të të shkruarit. “Koncerti”, duke qenë një kryvepër, është analizuar, zbërthyer e vlerësuar nga kritika perëndimore. Por, sërish, pengu i shkrimtarit për moskuptim, mbetet. Dhe ndoshta do jetë i tillë për një kohë të pambaruar. Sepse ky është ligji që shoqëron veprat gjeniale. Çdo gjeneratë e çdo shekull kërkon e gjen në këto vepra ato përgjigje, ide për të cilat shqetësohet. Ato mendime që e ndihmojnë për të kapërxyer krizat që e mbajnë të mbërthyer mendimin njerëzor të kohës.

Jo rrallë shkrimtari ynë gjenial duket se është trembur nga moskuptimi i ideve të mëdha të veprave të tij dhe herë pas here ka nxituar të zbulojë vetë disa prej ideve të thella, të pazbuluara si prej kritikës, të pakapshme prej saj, ashtu edhe prej lexuesve të një gjeneratës së tij. Vetë Kadare i është kthyer e rikthyer romaneve të veta duke theksuar ide qëndrore apo edhe periferike. Në librat e tij eseistikë “Ftesë në studio”, “Nga një Dhjetor në tjetrin”, “Pesha e kryqit”, në intervista dhe në botime të tjera ai ka qartësuar shumë nga idetë e mëdha që përshkojnë romanet e tij, të cilat kanë mbetur të pazbërthyera nga kritika. Përveç të tjerash, për arsyen e thjeshtë se ato kanë qenë të veshura me mjeshtëri artistike. Dhe, sidomos, kanë qenë të vendosura në thellësi të veprës. Aty ku errësira është më e dendur, zymtësia më zotëruese, krimi, vrasja është më e pranishme. Dhe, sigurisht, mjeshtëria artistike më e lartë. Kështu ndodh të “Përbindëshi” dhe sidosmos te “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncerti” e te “Pallati i Ëndërrave”. Dhe po ashtu, te “Pasardhësi”, “Vajza e Agamemnonit”, “Hija” … Pothuajse në çdo roman të tij. I tillë është tërë korpusi i veprave të Kadaresë.

Vepra “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë, shkrimtare dhe bashkëshorte e fisme, me informacionet që vetëm ajo i dinte dhe që janë, por edhe nuk janë, të pranishme në romanet e Kadaresë, ka ndihmuar në zbulimin e shumë ideve të fshehta, të mbuluara nën pasurinë e pafundme të stilit, të artit romanesk të gjeniut. Copëza bisedash, sinopse, fjali, emra, vargje, ide, kriza, thënie, detaje, frikëra, ankthe dhe, sigurisht, zhgënjime, armiqësira, revolta, shfrime, përbetime, frymë kryengritëse, guxim, humor asgjësues… Jeta reale dhe jeta artistike e gjeniut Kadare. Të dyja madhështore, unikale. Sikundër thekson botuesi francez, “këto kujtime dëshmojnë drejtpërdrejtë mbi kompleksin e “punës së laboratorit” në të cilin është përpunuar vepra e Kadaresë”. Për të vijuar me thënien se “kjo kronikë e gjerë dhe e pasur, lexohet si një roman aventurash e pasionesh të atillë, që ngjallin dhe frymëzojnë dashurinë për artin dhe për lirinë”.

Mund të shtonim vetëm se ky “roman” i Helena Kadaresë, i shkruar me një gjuhë të pasur artistike dhe stil elegant, përmban, gjithashtu, një pasuri të pafund idesh e mendimesh të cilat ndjekin e zbërthejnë shumëçka nga kryeveprat e gjeniut, nga jeta dhe mendimet e tij jashtë e brenda veprës. “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë është gjithashtu një kryevepër më vete.

Dilema apo edhe zhgënjimi i Kadaresë për kuptueshmëri të paplotë të ideve të veprës, mendimeve të saj të mëdha, të thella, por të fshehura e të mbështjella me art të madh, ndoshta, nuk do shërohen asnjëherë. Sepse te ky mosshërim fshihen vlerat universale, të gjithkohëshme të kryeveprave. Për Kadarenë ka qenë e pamundur të shkruante “gjëra që nuk kishin mister, që nuk kishin atë tërheqjen e fshehtë, që nuk kishin mjegull t’i mbështillte”… Veprat e mëdha, siç janë romanet e Kadaresë, kanë shumë mister brenda vetes, shumë të fshehta turbulluese. Dhe shumë zymtësi, ankth, frikëra të errëta. Ai e kërkon me vetëdije këtë mister dhe, ndoshta, ndonjëherë edhe është shtangur prej tij. Vështrim të shumëfishtë të detajeve, thellësi interpretimi dhe mendimi njerëzor. Dhe, sigurisht, shumë art, shumë madhështi artistike… Ky, me sa kuptohet, është arti gjenial dhe ky është, po ashtu, fati i tij. Të jetë tërheqës për shumë gjenerata e shumë shekuj. Dhe kjo nuk mund të ndyshojë.

A është e mundur dhe a është e domosdoshme që tërë këto margaritarë të zbulohen menjëherë? Përvoja dëshmon se nuk është as e mundur dhe as domosdoshme. Veprat gjeniale janë projektuar të jenë të vlefshme për shumë gjenerata dhe shumë shekuj. Ndaj shpesh kanë krijuar përshtypjen se shkrimtarët gjenialë lindin para kohe, lindin në shekullin e gabuar…

Pamundësia për të interpretuar e zbërthyer tërë madhështinë dhe thellësinë e një vepre gjeniale është diçka normale. Gjeneratat kërkojnë e gjejnë në të, atë për të cilën kanë më shumë nevojë, atë që u jep përgjigje pyetjeve të tyre themelore, mëdyshjeve të tyre dhe të epokës së tyre. Gjenerata e shekuj të tjerë do kërkojnë e do gjejnë të tjera ide të madha, në të tjera shtresëzime të shumëfishta të veprës.

Shkrimtarët gjenialë trajtojnë problemet e mëdha të njerëzimit. Ata paralajmërojnë rëniet e epokave dhe të diktaturave. Këtë bënë Dante, Shekspiri dhe Servantesi në kohët e tyre. Po ashtu, Hygo, Gëte e Gogol… Të njëjtën bëri edhe Kadare me diktaturën komuniste. Romanet gjeniale si “Dimri…”, “Koncerti”, “Përbindëshi” e “Pallati …”, “Vajza e Agamamnonit”, “Piramida”, “Pasardhësi” e të tjerë, janë vepra komplekse, të thella, përplot zymtësi shekspiriane, tmerre, hije, vrasje pas një darke makbethiane, tradhëti. Tragjedi e madhe dhe grotesk i pamëshirtë. Diktatura komuniste, me një ligësi në thelbin e saj dhe diktatorët groteskë të saj, të zbuluar në tërë shëmtinë e tyre, në tërë krimet e tmerret e tyre planetare. Ajo lindi nëpërmjet krimit, u rrit dhe u rrëzua, po nëpërmjet krimit të stërmadh. Siç ndodh, pak a shumë, me diktaturat dhe diktatorët nga një shekull në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin. Romanet e Kadaresë nuk kanë të krahasuar në zbulimin dhe përshkrimin e madhërishëm të çarjes së perandorisë komuniste, të nisjes së rrënimit të saj. Me romanet e tij Kadare e kishte goditur komunizmin mu në qendrën e tij, në zemrën e vet perandorake. Në thelbin e krimit të tij. Përleshja e gjeniut me diktaturën ishte madhështore. Prandaj edhe hakmarrja e saj do të ishte e përbindshme. Moska komuniste “nuk do e lejonte as për njëqind vjet botimin e veprave të Kadaresë” në kryqendrën e vet.

4.

Gjeniu është një shkrimtar i domosdoshëm, i projektuar nga Krijuesi për vepra të madhërishme, universale. Një shkrimtar gjenial për tërë njerëzimin dhe për shekuj të tërë. Një shkrimtar që ka aftësinë dhe guximin të depërtojë në zonat më të errëta të shpirtit dhe të mendjes së njeriut e të njerëzimit. Një shkrimtar- gjeni lind i tillë. Gjenialiteti nuk krijohet, siç pandehet më kot. Nuk mësohet në jetl dhe as në shkollë. Nuk është thjesht këmbëngulja që e bën gjeniun. Në radhë të parë është fryma hyjnore, fuqia supreme që “zbret” në trurin e tij. Kadare pranon se “ka vërtet “diçka” që vjen nga lart, por sa herë njeriu kërkon ta shpjegojë këtë gjë, nuk e gjen dot”… Gjeniu është i pangjashëm. Është unikal. Ngjason vetëm me “rracën” e gjenive.

Çdo qytetërim lind gjeniun e vet. Shkrimtarët gjenialë paraprijnë e “përmbyllin qytetërime”, thotë Viktor Hygo në librin e tij gjenial për Shekspirin. Hapin apo vulosin kaperximet e mijëvjeçarëve, bashkë me enigmat, misteret, konfliktet. Tamam, atëherë, kur njerëzimi gjendet befas në kryqëzimin e epokave dhe kërkon me dëshpërim zgjidhje të mëdha për fatin e vetvetes. Jo çdo shekull lind domosdo gjeniun e tij. Sikundër ka edhe shekuj të veçantë që lindin më shumë se një gjeni. Dante tronditi shekujt e trembëdhjetë e katërmëdhjetë me veprën gjeniale “Ferri”, Shekspiri dhe Servantesi dominuan shekujt e gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë. Pastaj vjen Gëte, “njeriu i fundit që i dinte të gjitha”, në shekujt e tetëmbëdhjetë- nëntëmbëdhjetë. Dhe Viktor Hygo,“njeriu oqean” në shekullin e nëntëmbëdhjetë, i cili me veprat e tij të mëdha ndau epokën e absolutizmit me erën e republikanizmit…

Shekulli i njëzetë lindi Kadarenë që me gjenialitetin e tij lajmëroi rënien e diktaturës komuniste, ndoshta më e përbindshmja e tërë diktaturave.Vepra e tij ushton nga dendësia e mendimeve që ndryshojnë botën. Dhe, po ashtu, nga tërbimi njerëzor. Truri i tij nuk ishte një tru i zakonshëm. Ishte një tru i gjithbotshëm. Pothuajse tërë truri i njerëzimit i përmbledhur në një të vetëm. I dendur, tërë intensitet. Zemra e tij është mister që rreh lehtësisht e, po aq, edhe madhërisht, vrullshëm, rrëmbyeshëm. Ajo nuk ishte një zemër e dosido. Ishte një zemër universale. Gjithçka te Kadare ishte trubulluese.

Arti i Kadaresë nuk njeh kufizime hapësire e kohe. Nuk njeh as kufij qiellorë, as tokësorë. Dhe as kufij skëterrorë. Kadare nuk stepet përballë të ligës, diktaturës, sado e përbindëshme ishte. Ai nuk u ndal as përpara veseve njerëzore, sado të fshehta dhe të thella të ishin. Përkundër sulmeve, intrigave, ndalimeve, ai nuk u tërhoq asnjë pëllëmbë nga fortesa e tij përplot gjetje artistike e thellësi mendimi. Siç nuk nguroi aspak të zbulonte të mirën, të mbronte liritë njerëzore, të drejtat humane. Madje i himnizoi të tëra ato. Pafundësia dhe e pakufijshmja, zbulimi, hamendësimi, e panjohura, e pamundshmja, fantazma dhe hijet, ëndërrat, pengimi, mëdyshja.., ishin elemente artistike të arsenalit të këtij gjeniu.

Nuk është aspak e rastësishme shfaqja e tij në kohën e krizës më të madhe njerëzore të shekullit të njëzetë. Kur liria dhe e vërteta u nëpërkëmbën, u përgjakën. Kur shtypja dhe dhuna e diktaturës komuniste nuk njohu asnjë kufi. Në këtë kohë të zymtë, plot tmerr e frikë lindi ky shkrimtar gjenial, ky gjigand i mendimit njerëzor… Dhe në vetminë e tij prej “murgu në thellësi të manastirit”, siç e përcakton ai veten, krijoi veprat e tij gjeniale…

Filed Under: LETERSI

EVROPA NDËRMJET KAMALA HARRIS DHE DONALD TRUMP

August 9, 2024 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 3 gusht 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Kthimi I historisë. Qeveritarët evropianë mbajnë gojët e kyçura por të gjithë e kanë frymën të mbajtur. Në presidencialet e nëndorit do të fitojë Kamala Harris apo do të fitojë Donald Trump-i? Pasiguria është shumë e madhe, hamendësohet një ndeshje deri në votën e fundit. Fati I Evropës (e natyrisht i të gjithë botës) mund të mbetet i varur në një grusht miratimesh zgjedhore në pak Shtete amerikanë në zgrip. 

Skenari i parë: fiton Kamala Harris. Evropa ka një frymëmarrje lehtësimi. Çmohet vazhdimësia. Nuk priten ndryshime të mëdha ndërmjet qëndrimit ndërkombëtar të Administratës Biden dhe një Administrate të hamendësuar Harris. Ukraina do të vazhdojë të  gëzojë ndihmën amerikane, NATO nuk do të humbë funksionin e lidhjes ushtarake të botës perëndimore. Por çdo medalje ka edhe pamjen e saj të mbrapme. Lehtësimi për humbjen e Trump-it nuk duhet t’u bëjë evropianëve të harrojnë faktin që Amerika nuk është më ajo kohëve të shkuara, që rrudhja në paraqitjen e saj ndërkombëtare kishte filluar me presidencën e Barak Obamës (perkrahës i Harris), që veç asaj Harris apo Trump nuk përbën ndryshim – përparësia strategjike e Shteteve të Bashkuar është sot përballimi i Kinës. Shemëria n’Azi  do të kishte gjithmonë përparësinë edhe me një Administratë demokratike, në krahasim me atë që ndodh në fusha të tjera të lojës. 

Një komentator i njohur amerikan,  Walter Lippmann. Thonte se sekreti i politikës së jashtëme qëndron në të mbajturit e barazpeshës ndërmjet zotimeve ndërkombëtare e rezervave që zotërohen. Në një fazë rënieje relative të fuqisë amerikane, rezervat që zotërojnë Shtetet e Bashkuar janë rrudhur e zotimet duhet të zvogëlohen. 

Edhe me një Administratë Harris nuk do t’ishte m’e pakët për Evropën kërkesa për të bërë shumë më tepër se sa bën sot për t’u kujdesur për sigurinë e saj. Megjithatë euforia për humbjen e Trump-it, ndijimi i shpëtimit nga rreziku, mund t’i hiqnin kthjelltësi evropianëve,  t’i nxisnin për të shtyrë më tutje vendimet politikisht të kushueshëm. 

Skenari i dytë: fiton Trumpi. Një cunami. Në Ukrainë, me gjasë, lufta do të përfundonte me kushtet e Putinit. NATO do të hynte në krizë. Trumpi nuk e ka fshehur kurrë se i quan evropianët jo si një rezervë , por si një top në këmbë, një klub parazitësh. N’Evropë fitorja e Trumpit do të elektrizonte rrymat kundër-perëndimore (filo-putiniane). Armiqtë e Perëndimit , Rusia, Kina, Irani, xhihadistët  me prejardhje nga çdo pjesë e botës islamike, do të kuptonin me kënaqësi se Evropa është e dobët, në vështirësi, e lakmueshme. Një shënjestër e kollajtë.

Për arsyet e mësipërme, me fitoren e Trumpit n’Evropë do të përhapej paniku. Paniku ndonjëherë shtyn zgjidhjet e drejta. Në këtë rast zgjidhja e drejtë do t’ishte fuqizimi i lidhjes s’Evropës. Mbi të gjitha, do të duhet të kalohej nga fjalët në fakte në fushën e mbrojtjes evropiane: të ndërtohet e famëshmja “këmbë evropiane” e NATO-s me shpresë se edhe se e lënduar NATO-ja do të mund t’i mbijetonte madje edhe Trumpit. Por paniku, herë herë nuk nxit të bëhen zgjedhjet e drejta. Nën moton “të shpëtojë kush të mundë” evropianët mund të lëviznin secili për vete, duke kërkuar për hesap të vet shpëtimin. Një gjë është megjithatë e sigurtë. Duke mbajtur parasysh çinteresimin e përçmimin e Trumpit për marrëveshjet shumëpalëshe, qeverive evropiane do t’u duhej të bisedonin, secili për hesap të vet, kushtet e marrëdhënieve të reja me Shtetet e Bashkuar. Mund të vihet bast se Trumpi do t’i “injoronte” autoritetet e Brukselit e do të pranonte traktativat vetëm me qeveritë kombëtare.

Për shembull Italia do të duhej të negocionte individualisht me Administratën amerikane për shumë proçese të ndryshëm ekonomikë. Veçanërisht, me që rreziqet më të mëdha për vendin tonë vijnë nga bregu i Jugut i Mesdheut, Italia do të kërkonte t’i shkëpuste Trumpit më të mirën e mundëshme për mbulesën e mbrojtjen ushtarake në këtë rajon.

Është e natyrshme që qeverive evropiane edhe se (me të drejtë) shmangen për t’a thënë haptas, u intereson një fitore e Harris, por ato e dijnë se nëse fitorja i shkon kundërshtarit të saj duhet të mos e japin veten.

Mund të fitojë Harris ose mund të fitojë Trumpi. Por ka mundësi që të ketë një tjetër skenar të mundshëm. Kamala Harris fiton për një qime e Trumpi nuk e pranon humbjen. Pason një periudhë çrregullimesh e dhune. Me paturpësinë e tij tradicionale ai mund të padisë votime të fallsifikuara, makar duke përmendur rastin e Venezuelës ( në të cilin fallsifikimi ka qënë i vërtetë). Një Amerikë prè e çrregullimeve do të ishte ndërkombëtarisht tejet e dobësuar, më parë se të rivendoseshin qetësia dhe rendi. E shumë rreth botës do të kishin përfituar.

Madje edhe në eventualitetin më të dobishëm, pra nëse do të fitonte Harris, evropianët do të duhej të përvishnin mëngët për t’u kujdesur më shumë për veten e tyre. Nëse politika do t’ishte një lojë e zotëruar vetëm nga llogari t’arsyeshme lojtarët evropianë do të kishin ditur se çfarë duhet bërë e do t’a kishin bërë. Por në politikë llogaritë e arsyeshme duhet të ndeshen me  pasionet, paragjykimet, përtacitë mendore, vështrimet e shtrembëruar të fakteve, mbrojtjen skajore të interesave të njëpërnjëshme edhe se kjo do të rrezikonte interesat afatgjata. Ka gjithmonë një zhvendosje ndërmjet asaj që do të duhej bërë e asaj që mund të bëhet.

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2024    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Emigracion

Dalldia e identitetit te shkrimtari Thanas Medi

August 9, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Duke lexuar romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, Thanas Medin e mendoj si një murg hijerëndë që rrëfen një histori mitike. Skeleti origjinal i historisë së vllehëve nomadë plotësohet vazhdimisht derisa merr përmasat e një romani të plotë. Ngjarjet ndërthuren në intrigën e rrëfimit, lidhen e radhiten në mënyrë të tillë që të imitohen e të përfytyrohen si ngjarje të ndodhura në kufijtë e paradoksit, të përfshirjes në të kaluarën të atyre kulturave që, pa dyshim, nuk do të përfshiheshin në të tashmen, si rrjedhojë e ndryshimeve në formë. Me këtë vepër, shkruar me saktësi antropologjike dhe me një ndjeshmëri etnografike thuajse të shndritshme, shkrimtari u shndërrua në paradigmë prej krijuesi gjenial të etnologjisë vllahe, të trashëgimisë së shkëlqyer të këtij populli vital, frymëzues dhe protagonist në momente të rëndësishme historike.

Arumunët, ose vllehët e Shqipërisë, janë ndjerë historikisht si pjesë përbërëse e popullit dhe e shtetit shqiptar, me një lidhje rreth 1000-1500 vjeçare me shqiptarët. Ata kanë kontribute të vyera në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë, e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo nuk është një gojëdhënë, por e gdhendur në shkrime e dokumente. Populli shqiptar e njeh mirë kontributin dhe vlerat e pakicës arumune. Shumë nga figurat e shquara të kombit shqiptar e kanë vlerësuar lart kontributin e arumunëve dhe u kanë kështuar vëmendje të veçantë. Në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, ç’do të bëhet”, botuar në Bukuresht në 1899, Sami Frashëri shkruan: “Ky popull (arumunët), mik i shqiptarëve, ka atdhe Rumaninë dhe ka dhënë ndihmesë të madhe në luftën dhe pavarësinë e Shqipërisë, kështu që ne shqiptarët e kemi një detyrim ndaj këtij populli, por ky detyrim duhet shlyer me qëndrimin tonë miqësor dhe me një përkrahje gjithëpërfshirëse në mënyrë të atillë që ta zhvillojë kulturën e gjuhën e vetë duke e mbrojtur nga asimilimi…”.

Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, të trondit si me tematikën që trajton, ashtu edhe me forcën përshkruese të karaktereve që të mbesin të pashlyera në mendje. Autori përshkruan si rrallëkush psikologjinë e komunitetit vllah, me vlera njohëse, kreative dhe njerëzore.

Në këtë vepër zbulova imitimin krijues, nëpërmjet intrigës së një përvoje të përjetuar në një kohë të caktuar, dëgjova dhe mësova për gjuhën e tokës, gjuhën e shpirtit, gjuhën e trupit, gjuhën e sedentaritetit, gjuhën e besës (etninë) e arumunëve (vllehëve) të Shqipërisë…

Romani i kushtohet një dalldije të madhe, identitetit, që herë zgjohet, herë përgjumet te popujt etnikë, në këtë rast te vllehët nomadë, me rrënjë latine. Mesazhi i veprës është i qartë: identitetit duhet të jetë vertikal ose diakronik, që të përcillet e transmetohet brez pas brezi në histori.

Shkrimtari Thanas Medi përshkruan, me ngjyrime shumë të thepisura, pikërisht pasigurinë identitare në xhunglën e regjimit komunist që sundoi për 50 vjet në Shqipëri. Nëse sheh sot identitetin e arumunëve të Shqipërisë, duhet të shohësh që ekziston një ndryshim i madh para vitit 1992 dhe pas vitit 1992. Mund të thuhet se para 1990-ës ata kanë patur një identitet gjuhësor që i ka dalluar nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore nga shqiptarët, pra nuk ka patur konflikt identiteti. Pas vitit 1992 shohim një zgjim identiteti. Arumunët (vllehët) u njohën për herë të parë në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 si një grup pakicash deri në epokën komuniste (1967). Nga viti 1967 deri më 1992, ata njiheshin si shqiptarë të thjeshtë dhe nga viti 1992 deri më 2017, ata njiheshin si një pakicë kulturore dhe gjuhësore. Me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare. 

***

Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i cilësuar nga disa njohës të letërsisë si  një sagë  fisnore, ka mjaft nota biografike.

Në këtë gdhendje sublime të artit letrar, Th. Medi, përveç zjarrit të rrallë patriotik shkarkon arsenalin prozodik të një shkrimtari me shpirt poeti. 

Në roman gëlojnë karaktere nga më të çuditshmet dhe secili me profilin dhe veçoritë e veta si  Arhonda Buba, Sokrati dhe Katerina, Riza Kërpi apo Dhimitarqi. Në këtë kryevepër autentike të letërsisë shqipe, autori i paraqet gjërat ashtu siç i sheh dhe siç i ndien vetë. Ai i qëndron besnik natyrës së vet. Ndaj arti i tij është i vërtetë, pasi autori ka futur në të shpirtin e vet.

Shkrimtari Thanas Medi tashmë ka skalitur një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës, duke shkelur në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet. Origjinaliteti dhe individualiteti krijues i këtij autori mund të prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
Thanas Medi i thyen teknikat narrative, duke zhvendosur strukturat dhe imazhet arketipale, personazhet nuk i sheh më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por  nga brenda- jashtë. Kështu ai ka bërë hapin e madh drejt një letërsie që kthen spiritualitetin dhe sinqeritetin, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës , ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive.
Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik. Gjuha e gjallë e dinamike, thellësisht emocionale dhe me tone lirike, e ngjeshur në ide e domethënie, e shkruar me nerv dramaturgjik, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash, ku shpalosen realitete të magjishme fantastike. Rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. 

Ky roman, vlerësuar nga Ministria e Kulturës me “Çmimi i Madh Kombëtar për Letërsinë”, është pasuar me vepra të tjera tw suksesshme të autorit si “Hija e mallkuar”, “Kohë e djegur”, ”Valsi i një dasme fantazëm”, Çmendina e Athinës”.

Për herë të parë pas viteve’90, në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Kuteli, romani shqiptar vjen në një trajtë ndryshe. 

. 

Filed Under: Analiza

OLYMPIA NASSI, ZONJA E PARË  MUZIKANTE SHQIPTARE*

August 9, 2024 by s p

Nga Kristaq BALLI

KRISTI 11.jpg

Gjatë dekadave të para të shek. XX tabloja  e jetës  shoqërore e veçanërisht asaj kulturore e artistike  në Korçë, si rrallë në ndonjë trevë tjetër shqiptare, karakterizohej nga tipare zhvillimi,  emancipimi e përparimi dinamik. Korça e shkollave shqipe e të huaja, prania e disa forcave ushtarake të instaluara aty në kuadrin e përfundimit të Luftës I Botërore (franceze, austriake, greke), veprimtaria e një elite biznesmenësh e intelektualësh të rinj të studiuar, të kulturuar e të  kultivuar në emgracion (Rumani, Bullgari, Greqi, Egjipt e SHBA) që sillnin, krahas të tjerash, edhe reflekset progresive të një jete shpirtërore më të avancuar, por edhe terreni e mjedisi ”pjellor” urban e qytetar që e pranonte, e asimilonte dhe e reflektonte sakaq këtë farë mbrodhësie e kishin shndrruar atë në një qendër kulturore “kozmopolite” për kohën. nassi+.jpg

Në këtë kontekst ardhja e Bandës Vatra, në pranverën e vitit 1920 dhe themelimi i Shoqërisë së Arteve të Bukura në Korçë në fund të këtij viti, konotacioni i të cilave ishte tërësisht patriotik e kulturor i dha edhe një impuls më të fortë e më masiv përhapjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në këto lëvizje kulturore e artistike  gjithëpërfshirëse e pa dallim besimi fetar, gjinie, apo ideje që, bashkë me rrezatimin e një atmosfere të gjallë e të larmishme shpirtërore e qytetare induktonin edhe ndjenja  patriotizmi kombëtar. S’ka dyshim se promotor dhe prijës i këtyre organizimeve kulturore e artistike që përfshinin kryesisht muzikën, teatrin e ngjarjet festive me karakter atdhetar e qytetar u bë Thoma Nassi, muzikanti i parë profesionist shqiptar, një autoritet epror muzikor, organizuesi dhe drejtuesi i formacioneve të shumta orkestrore e korale në SHBA dhe Shqipëri (midis të tjerash edhe i Bandës Kombëtare Vatra), kompozitori dhe përpunuesi i këngëve lirike, patriotike, këngëve karakteristike korçare,  serenatave e folkut (shpesh anonim) me një kumbim e ngjyrim autokton, teoricieni, muzikologu, eruditi dhe profesori kontemporan, prurësi, interpretuesi dhe pomovuesi i parë i muzikës klasike të huaj elitare në Shqipëri, i ballove, ekskursioneve dhe festivaleve, krijuesi dhe drejtuesi i shkollave e kulturës muzikore, regjistruesi diskografik i këngëve dhe melodive shqiptare, drejtuesi i parë i Shoqërisë së Arteve të Bukura që u bë organizata gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës qytetare në Korçë, etj., pra personaliteti më emblematik muzikor e pikë reference në Historinë e Muzikës Shqiptare (Shih: Eno Koço: “Kënga lirike qytetare Shqiptare në vitet 30”, 2002  “Korçare Distinctive Songs”, Kristaq Balli: “Thoma Nassi-Portreti mediatik”, 2006, Pandi Bello:”Lëvizja muzikore në Korçë në fund të shek XIX deri në çlrimin e vendit”, 1987, Zhuliana Jorganxhi:”Kur shpirti këndon, Gaqo Jorganxhi”, 2005,  Kristaq Ll. Jorgji: “Veprimtaria atdhetare dhe muzikore e Thoma Nassit”, 2000, “Banda Kombëtare Vatra”, 1995, Youry Arbatsky: “The music in Albania” 1939, Fori Spiro Tërpini: Korça vatër e artit dhe kulturës shqiptare”, 2002, Vasil Ballauri: “Një dritare e Historisë së muzikës së Korçës”, 2002, Edith Durham: “The Burden of Balkans”, 1905, Taqi Dhimitër Fundo: “Disa shënime dhe kujtime mbi muzikën në Korçë”, gazetat “Shqiptari i  Amerikës”, “Gazet’ e Korçës”, “Koha”, “Iliria”, “Jet’ e Re”, “Zëri i Korçës”, “Mbleta”, ”Gazeta Shqiptare”, 1935, “Shkëndija”, “Bota”, “Drita”, “Dielli”, “Shekulli i Ri”, etj.,etj….). 

Por, sigurisht, prestigji dhe gjurmët e pashlyeshme që Thoma Nassi la në truallin e kulturës muzikore shqiptare nuk do të ishin aq të thella e të qëndrueshme, në se ai do të kishte punuar e krijuar në një mjedis e atmosferë shterpë, vakum, pa një terren të parapërgatitur, pa një kulturë e traditë të kultivuar paraprakisht, ndonëse shpesh diletante e folklorike dhe, sidomos, pa bashkëpunëtorët e tij po aq të aftë, të talenutar e të pasionuar, atdhetarë, organizues e artistë të mëdhenj (të cilëve ai shpesh ia u dedikon edhe kënaqësinë e suksesit, masivitetit dhe atmosferës  elktrizuese kulturore në Korçë), si Sotir Papahristo, Sokrat e Vangjush Mio, Kristaq Mitace, Mihal Ciko, Sotir Sugari, Vasil Antoniu, madje edhe profesorët francezë të Liceut si Rolandi, apo çifti Leglizi  dhe më në fund të asaj aradhe të madhe të rinjsh të pasionuar pas artit kryesisht atij muzikor, insrumentistë, këngëtarë, aktorë që, më shumë se talentin e mjeshtërinë, kishin dëshirën e pasionin për t’u aktivizuar, për t’u kulturuar, për të krijuar e mbajtur gjallë  një atmosferë tradicionale  kulturore të vijueshme, por edhe me një kumbim të hapur patriotik. Pra, në pranverën e vitit 1920 Thoma Nassi me Bandën Vatra, të inkuadruar në grupin e vullnetarëve të Federatës Panshqiptare “Vatra”, në ndihmë të kauzës për çlirimin e trojeve shqiptare nga të huajt mbërritën nga SHBA (Boston)  në atdhe. Në atë kohë Th. Nassi, 28 vjeç, i diplomuar në Konservatorin e New England, Boston, i sapoliruar nga ushtria amerikane (ku shërbeu si instrumentist e dirigjent),  ishte i martuar (më 1918) dhe kishte një djalë, Albertin disa muajsh si dhe prisnin lindjen e një fëmije tjetër pas disa muajsh. Kjo ishte situata shumë delikate dhe e vështirë familjare e tij para vendimit për të ardhur, apo jo në Shqipëri. Por dilemën e vendimit të tij që do të shënonte njëheresh edhe fillimin e një faze të ndritur e përcaktuese të jetës artistike, ai e shpjegon vetë në “Ligjëratën në Organizatën e studentëve shqiptaro-amerikanë të Universitetit të Harwardit, në vitin 1960”, ku shprehet: “…nuk do të ishte normale që ta  lija bashkëshorten time shumë të re në këtë situatë, por, meqë banda nuk mund të shkonte pa një drejtues – dhe unë isha i vetmi njeri i përshtatshëm – pëfundimisht vendosa të marr pjesë”. Në Tetor 1920 ndërsa Th. Nassi jetonte e punonte tashmë në Korçë, në SHBA i lindi fëmija i dytë, kësaj here një vajzë, Madalena. Një vendim tjetër po aq i rëndë e i vështirë për gruan e fëmijët e tij motakë, pra për t’i tërhequr  edhe ata në Korçë do ta afektonte e ngrohte vatrën e familjes. Ai do të kishte pranë fëmijët dhe bashkëshoren e tij të re 18 vjeçare. Si dukej ëndërronte dhe  kishte parashikuar një qëndrim e veprimtari të gjatë në qytetin e tij. Prania e saj do të ishte për të mikja,   kolegja, partnerja dhe bashkëpunëtorja më e afërt e të gjitha projekteve të tij muzikore, ajo që do t’i jepte shkëlqimin, kumbimin e aromën e brishtë femërore muzikës e mentalitetit të ri social në qytet. Ajo quhej Olympia Nassi (Olimbia Berishi Tsika Nassi, 1902-1999), e lindur, ashtu si edhe Thoma Nassi, në Dardhë të Korçës dhe e emigruar në rrethinat e Bostonit,  SHBA më 1916. Me prirje e vesh muzikor të lindur, ajo mori mësime fillimsht nga Thoma Nassi e më tej në një shkollë muzikore në Brocton,Mass, ku mësoi pianon dhe  kitarën. Gjithashtu, këndonte shumë bukur. Shoqërimi me Thoma Nassin kishte qenë tundues e përcaktues i jetës së tyre. Shigjetat e praruara të erosit kishin shenjuar në të njëjtën fole.  Përfundimisht, më 1918, kur Olimpia ishte 16 vjeç, ata u lidhën me bekim përjetë. Pas dy vitesh, pra më 1920 kishin lindur dy fëmijë, Albertin dhe Madalenën. Dokumentet dhe shtypi shqiptar i asaj kohe dëshmojnë se në vitin 1921 Olimpia ndodhej në Korçë dhe se dëshira për të qenë pranë bashkëshortit e kishte shtyrë të merrte udhëtimin e gjatë sakrifikues për aty me dy foshnjat e saj. Por, pse jo edhe ambicjet muzikore të saj në qytetin ku akoma vajzat dhe gratë ende nuk ishin plotësisht aktive në jetën sociale të komunitetit (sidomos atij musliman), mund të kishin një kontekst më të drejtpërdrejtë inspirues dhe solidar në dëshirën e tyre për ta bërë më të larmishme,  më entusiaste e më emancipuese atmosferën shoqërore e kulturore në Korçë. Shumë shpejt Olimpia u bë e para femër që theu akullin e privacionit dhe botkuptimit të vjetër shoqëror, duke luajtur për publikun në disa instrumente, në koncertet, programet muzikore dhe ballot e bashkisë, duke u bërë shembulli i parë i promovimit publik, madje edhe  solo të një femre në një formacion orkestral zyrtar. Kështu megjithse Shoqëria e Arteve nuk kishte piano të sajën, çifti Nassi, shumë shpejt mori me qira një të tillë enkas për Olimpian. Dhe për këtë, në librin e tij “Korça Vatër e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, F. S. Tërpini kujton se “Më 11 Maj 1921…z. Thoma Nassi me flaut, i shoqëruar me piano nga  zonja Nassi luajtën disa pjesë të veçanta muzikore, ku të gjithë i pritën me duartrokitje të forta.” (2002, f.17). Menjëherë pas Festivalit Artistik të organizuar prej prof. Nassit në Qershor 1921 gazeta “Koha” e Korçës(18 Qershor 1921) ekzaltohet me krenari: “Por ajo që i dha lartësinë e duhur këtij festivali ishin duetet e këndura (interpretuara – K.B.) me flaut e pikolinë prej z. Prof.Thoma Nassi bashkë me zonjën e tij në piano. Ishin ca pjesë nga më të rëndat dhe janë shumë të rrallë ata që i këndojnë…Përgëzimet tona zotit dhe zonjës Nassi që nderojnë gjithë kombin.”97487164_1420824241.jpg97475923_1420825050.jpg

Ndoshta më shumë se sa evente muzikore (s’ka dyshim edhe të tilla) impakti kryesor  social i Olimpia Nassit me prezencën si instrumentiste protagoniste në aktivitetet muzikore, bashkë me bukurinë, simpatinë, lirshmërinë dhe dëlirësinë, feminitetin e sensitetin e vet jo të zakonshëm, ishte krijimi i një shembulli të ri, i një modeli admirues, një mikrokozmosi respekti,  dashamirësie e adhurues, pse jo edhe zilie tek çdo vajzë e grua të re për ta vrojtuar, vlerësuar e jetuar jetën edhe nga një këndvështrim më shoqëror, jashtë kornizave strikte të kodit etik patriarkal, që thuajse e përjashtonin gjininë femërore nga omniprezenca dhe kontributi i saj në aktivitetet e jetës shoqërore, sidomos asaj kulturore, artistike e sportive të kohës. Nga ana tjetër Korça e kishte të fermentuar frymën liberale qytetare e do të mjaftonte vetëm shkaku për ta aktivizuar atë. Modeli feminist i Olimpia Nassit e kapërxeu  mendësinë sociale të mënjanimit dhe  pasivitetit femëror. Dy fakte të thjeshta do të ishin të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë: së pari, veç formacioneve insrumentale, vokale e teatrore “mashkullore” që ishin të konsoliduara, “mbresa” që magnetizoi shpirtrat e vajzave, prezantimi publik i Olimpia Nassit,  shpejtoi niciativën e themelimit të një kori vajzash me zëra nga shkolla e “Normales së Vajzave” po nga Th. Nassi; së dyti nëpërmjet një kori të tillë u zbuluan dhe u promovuan talente gjeniale femërore, sopranot kombëtare Tefta Tashko (1910-1947) dhe Jorgjia Firçe (1909-1994) që atëhere ishin vajza adoleshente dhe se edhe me ndihmën e Zotit dhe Zonjës Nassi ato u edukuan, u evidencuan dhe u përgatitën për shkollimin e mëtejshëm profesional  jashtë shtetit. “Zonja Nassi lavdërohet për kurajon civile që tregoi duke luajtur në piano. Për Z. Th Nassi dhe pjesëtarët e tjerë të bandës…edhe sot s’mundim t’i shterojmë bashkë me përgëzimet e shumta, edhe  lëvdatat e parreshtura të popullit” (Gazeta “Koha” 25 Shkurt, 1922)Untitled 46.jpg

Ndërkohë që Banda Vatra vijonte aktivitetin e saj intensiv koncertal dhe kishte krijuar programin e vet javor kryesisht në platformën e Lulishtes së Çezmave të Arave, ëndrra e Thoma Nassit ishte krijimi i orkestrës simfonike, si formacioni më superior dhe më i kompletuar instrumenal, i cili mund të superonte të gjitha format e zhanret e tjera muzikore nga më të thjeshtat e deri më të komplikuarat, nga më të voglat në më të mëdhatë.  I vetëdijshëm e i ethshëm se krijimi i orkestrës simfonike, si një ndërmarrje e madhe dhe e vështirë, do të vinte në mënyrë të natyrshme, graduale, por edhe duke shfrytëzuar një strategji organizuese të zhdërvjellët, ai shpesh i konceptoi kocertet e Bandës Vatra si veprimtari muzikore e teatrore të Shoqërisë së Arteve të Bukura në formë shfaqjesh miks, festivali, koncertesh bamirësie, suaresh (party), piknikësh,  ballosh publike, koncerte familiare,  apo koncerte zyrtare,  interpretime te përbashkëta korale e instrumentale në salla e ambiente të mbyllura si kazinoja, kopshti i Mitropolisë, Cinematografi Modern, salla e Bashkisë, etj.,  të cilat jo vetëm plotësonin kuadrin e një aktiviteti të mirëfilltë koncertal, por meqë në to vinte zakonisht elita e familjeve intelektuale e më të kamura ekonomikisht, ato paguanin, apo darovitnin për blerjen kryesisht të instrumentave. Njëheresh, në këtë formë, gjithashtu, kishte mundësi të evidencohej profesioalisht individualiteti artistik, talenti më i spikatur, protagonisti që, në dallim nga masiviteti bënte diferencën, cilësinë dhe i jepte shfaqjes edhe karakterin e një “gare” profesioniste, prej nga veçoheshin solistët. Koncerte të këtij konceptimi të përzier muzikor, kultivonin edhe nevojën e një organizimi më gjithëpërfshirës më profesional dhe më impenjativ për strukturat publike, pra jo vetëm konsolidimi i formacioneve ekzistuese, por edhe perfeksionimi dhe ripërtëritja e tyre në formacione të reja më të kompletuara, më bashkëkohore. Dhe në përpjekje për të realizuar këtë ide, në fakt disi utopike për vitet ’20, diçka u bë, sidomos në blerjen me konribute qytetare të shumë instrumenteve muzikore, ku veçohet pianoja e madhe, për të cilën u bë një fushatë e mëveçme financiare. Me këtë rast drejtori i arsimit Sotir Papahristo, në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, dt. 13 Maj 1924 konfirmon: “…Me zellin e aktivtetin e Z. Nassi dhe të Shoqërisë së Arteve të Bukura  u formua orkestra e dëshiruar, u mblodhën ndihma për plotësimin e orkestrës me një piano dhe më 6 Prill u dha koncerti i parë në sallën e Kopshtores së Mitropolisë…” Sigurisht nuk bëhet fjalë për një orkestër të mirëfilltë simfonike, por për një bërthamë të saj, që edhe aq, për atë kohë as që mund të imagjinohej në Shqipëri. Fundja ishte minimum i mundur e i duhur për organizimin e koncerteve me një larmi instrumentesh, ku instrumenti kryesor ishte, pa dyshim,  pianoja, në të cilën ka luajtur kryesisht Olimpia.97487164_1420824761.jpg

Prezenca dhe interpretimi i Olimpia Nassit në formacionet orkestrore të shfaqjeve të shumta të Shoqërisë së Arteve të Bukura dukej si lule pranvere në dëborë. Ajo i zbukuronte dhe i ndizte mjediset.  Ajo jo vetëm që theu një tabu të vegullt, por krijoi edhe një fenomen të ri, të paimagjinuar deri atëhere që hapi horizonte progresi shpirtëror, së epërmi tek vajzat e gratë e etura për dritare emancipimi e qytetërimi. Njerëzit, publiku apo spektatorët, sidomos vajzat e gratë mezi prisnin të shfaqej në skenë Olimpia, të interpretojë vetë, apo me  instrumentistë e këngëtarë të tjerë, ta duartrokisnin atë gjatë e fort, ta kthenin në skenë për një interpretim të ri, ta përshëndesnin me përzemërsi  e të mos e linin pa luajtur sërish me dashurinë dhe pasionin e saj shpirtëror për t’i kënaqur ata me muzikën dhe praninë fizike të saj, që në ato kohë jehonte në çdo mjedis me një akord alegorik maxhor. 

“Inaugurimi i pianos u bë me një koncert të Shoqërisë së Arteve të Bukura për nder të “Ndihmëtarëve të Fondit Piano…”, një buqetë familjesh të zgjedhura të cilët i kënaqi përkujdesja e të palodhurit, z. Thoma Nassi me një program të shkurtër, por të rafinuar (Gazeta e Korçës, 18 Tetor 1924)”…  “Zonja Th. Nassi, një prej shtyllave më të çmuara të shoqërisë (së Arteve të Bukura-K.B), e pa lodhur dhe e pa përtuar hapi koncertin me pianon e re në ora 8 e gjysmë me Prelud nga Shopen (solo) dhe si gjithënjë lojti me një mjeshtëri të pakontestuar… “Serenata  e engjëjve” (Shubert) dhe “Minuetta” (Bocherini) u ekzekutuan prej trios: Zonja Nassi-piano, z. Nassi-flaut dhe z. Anesti Ballauri-violi…Ajo (Olimpia) shoqëroi, gjithashtu z.Mihal Ciko, baritonin shqiptar, lulja e djalërisë korçare në ideal dhe në art në “Kredo nga opera “Othello” të Verdit”…(Po aty).

Pjesëmarrja e Olimpias në koncertet e Shoqërisë së Arteve të Bukura ka qenë e shpeshtë dhe e vijueshme. Shtypi i kohës, sa herë që bën fjalë për koncerte të tilla, nuk e lë pa përmendur rolin muzikor por edhe atë shoqëror të Olimpias, apo  të çiftit Nassi, së bashku, si një kurorë, që mbante peshën kryesore të programit dhe  i jepte koncertit fizionominë e një aktiviteti serioz e profesional, ku pjesët orkestrale shqiptare, këngët patriotike e lirike, si dhe pjesët e huaja orkestrale nga kompozitorët klasikë, apo ariet i jepnin koncertit vlera të spikatura artistike e  sidomos kënaqësi të thellë shpirtërore. Interpretimi i çiftit Nassi ka mbetur i pashlyer në shumë raste, por bashkëkohësit e tyre kujtojnë veçmas tre koncerte: ballon për nder të Kryetarit të Komisionit të Kufijve Justin Gotard më 15.02.1922 (F.S.Tërpini: “Korça, vatër e artit dhe kulturës shqiptare”,  2002, f.17-18), koncertin “suaré” për nder të Avni Rustemit më 23 Shkurt 1923. (K.Ll.Jorgji: Veprimtaria atdhetare dhe patriotike e Th.Nassit, Revista ”Tempulli 1,  2000, f.87), si dhe Ballon Familjare të Tetorit 1923, të cilën gazeta “Shqiptari i Amerikës” (“Ballo – Koncert Familjar i Shoqërisë t’Arteve të Bukura”,  13 Tetor 1923) e përshkruan kështu: “Vallen (vallzimin –K.B.) e hapi Profesor Nassi, duke patur “damë” zonjën e tij. Banda Vatra  luajti me radhë “Vals”, “One  Step”, “Foxtrot” dhe kadrillë…U lojtnë edhe polka, mazurka, etj…”  Sepse, në Korçë funksiononte që në vitin 1921 …” një shkollë dansi, për kërcime moderne si vals, polkë, mazurkë etj. Instruktori i këtij kursi është  Sotir Sugari…”. Vallen kombëtare e hoqi zonja Nassi me “Beratçen”, etj.

Por Olimpia ishte njëheresh edhe një nënë, madje në vitin 1923, në Korçë, ajo lindi edhe fëmijën e tretë, vajzën Karmen, kësisoj angazhimeve të saj artistike iu shtua preokupimi e kujdesi për tre fëmijët e tyre të vegjël, për të cilët nëna mbetet “matka”, qënja më e afërt, më e nevojshme. Në rritje e sipër, ajo nuk la mënjanë dëshirën që edhe fëmijët e saj të merrnin mësime në instrumente muzikore, kështu me vullnet e durim ajo i futi edhe ata në botën e muzikës.

Me rikthimin e Ahmet Zogut në fronin kryeministror në Dhjetor 1924 e më pas si president i Republikës Shqiptare (1925-1928) Banda “Vatra” u zhvendos në Tiranë. Ashtu si Fan S. Noli, Thoma Nassi deklaron se  edhe Ahmet Zogu kishte etje të pashuar për muzikën, sidomos për Vagnerin. Ata ishin takuar së bashku disa herë dhe ishin shprehur pozitivisht për të ardhmen e bandës, si edhe për zhvillimin e të ardhmen e muzikës në Shqipëri. Banda u formalizua si një  formacion instrumental shtetëror e më pas u quajt  “Banda Presidenciale” duke marrë atributet e një formacioni ceremonial, i cili zhvilloi disa aktivitete në Tiranë dhe disa qytete të tjera. 

Por, për disa arsye historike,  politike e familiare, të cilat  Thoma Nassi i qartëson vite më vonë, më 1960 në  ligjëratën  në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass., 1960,  ai vendos të kthehet përfundimisht në SHBA. Ai kishte filluar të ndjente intuitivisht se Zogu kishte filluar ta shihte veten si një mbret superambicioz. Thoma Nassi pësoi kështu një dekurajim ”…me këtë të ri brilant, i cili kishte drejtuar mirë demokratikisht, por që, më pas, u bë, fillimisht, një president ekstravagant i republikës dhe pastaj, më vonë, projektoi  shenjat e bërjes mbret… Me zemër të thyer, ju dhashë lamtumirën shumë e shumë miqve, anëtarëve të bandës Vatra dhe Zogut (i cili nuk donte të më linte të shkoja). Unë e dija fare mirë që misioni im ishte ende në Shqipëri, por unë parapriva pasoja të këqija për familjen time, nëse unë qëndroja. Re të zeza po mblidheshin. Musolini kish hartuar programin e tij ambicioz të pushtimit dhe Shqipëria ishte një nga vendet e para që do të sulmohej pa mëshirë dhe do të pushtohej prej tij…Një arsye e dytë konsistonte në faktin që tre fëmijët  e mi ishin rritur dhe kërkonin atë mënyrë shkollimi që nuk mund të sigurohej në Shqipëri” 

Periudha passhqiptare (Maj 1926)  në SHBA e gjen familjen Nassi si një ansambël muzikantësh, synimi i së cilës do të ishte angazhimi në zhvillimet muzikore proshqiptare dhe amerikane. Pjesëtarët e saj i japin ngjyrimin e lartë profesional çdo koncerti ku ata marrin pjesë. Loja e tyre është  epiqendra e suksesit të çdo formacioni. Veprimtarive koncertore bamirëse kryesisht ndaj fshatit të lindjes, Dardhës, pro Federatës ”Vatra”, apo Kryqit të Kuq Amerikan u bënë aktivitete të shpeshta e të pëlqyera. Kështu, në përpjekje për shtimin e fondeve për ndërtimin e rrugës Dardhë-Korçë, Shoqëria Dardhare “Bleta”, në Nëntor të vitit 1926 organizonte një koncert, ku interpretoi trioja instrumentale Olimpia Nassi-piano, Thoma Nassi-flaut dhe Thomas Mitchell-violi. Veçmas përmendet edhe violinisti i vogël Albert Th. Nassi, “…djalë 7 vjetësh nga vërsa…, por me ndjenjë dhe talent muzikanti dhe një ditë do të bëhet një virtuoso i vërtetë në violi, në të cilën merr mësime” (Gazeta “Zëri i Korçës, 20 Nëntor 1926).

Nga gazeta “Dielli”, me rastin e një koncerti muzikor, informohemi se më 16 Qershor 1928 në Nju Jork është bërë një ballo e madhe, ku ajo që i ka bërë më shumë përshtypje autorit të shkrimit, është qytetaria e shqiptarëve pjesëmarrës. Por,mbi të gjitha, ai vlerëson muzikën e interpretuar me art nga shqiptarët, posaçërisht nga familja Nassi: “Kjo pjesë e programit do të mbahet mend dhe, paradoksalisht, nuk mund të harrohet lehtazi…Shkaku duket mjaft çeltazi…” (Nelo Dizdari: 19 Qrshor, 1928.)

Gjatë festimeve  të ditës së Pavarësisë, më 1928, në Boston, ndër të tjera, orkestra “Tomorri” e ringritur me të rinj nga Th. Nassi, surprizën e vet pati dirigjentin e saj, Albert Nassi, birin i Thomait e Olimpias  “…një djalë i vogël nga mosha, por i madh nga dija e artit muzikor, ishte veshur me petka shqiptare, me qylaf të bardhë, me mintan prej sërmaje, me tirqe me dizga të zeza dhe me opinga shqiptare. (Gazeta “Shekulli i Ri”, Durrës, 8.12.1928) “…Djali 8 vjeç Albert Nassi dhe motra 7 vjeçare Madalena Nassi luajtën solo me aq mjeshtëri sa i çuan mëkëmbë të gjithë dëgjuesit.” (Gazeta “Prudenec I Land Beacon, cituar sipas Iliaz Gogaj). “…Më pas profesor Nassi  luajti me flaut “Fantazinë shqiptare”, të cilën e shoqëronte në piano zonja e tij Olympia dhe të dy mbushë sallën plot me melodi shqiptare…Për profesor Thoma Nassin dhe birin e tij Albert, zonjën e tij Olympia dhe e bija e vogël që lojti në piano, kur Albert Nassi lojti violin, për të gjitha këto shërbime u deyrohemi shumë falenderime dhe shpresojmë se një ditë kjo familje muzikore do të sjellë shërbime të mëdha për Shqipërinë” (Gazeta “Shekulli i Ri”, Durrës, 19.12.1928)THOMAI DHE OLIMPIA NE SHKOLLEN EASTHAM ELEMENTARY SCHOOL USA 1930.jpg

Sipas studiuesit   rus Youry Arbatsky (“The Music in Albania”, 1930) , i cili është marrë seriozisht me muzikën shqiptare të viteve ‘30: “Më i frytshëm ka qënë Thoma Nassi, një dirigjent dhe kompozitor ekselent. Ai shkoi në Amerikë me gruan dhe vajzën e tij, të cilat janë muzikante të klasit të parë.,,”

Veprimi muzikor i Thoma  dhe Olimpia Nassit, si dhe e dy prej fëmijëve të tyre, Albertit dhe Madalenës në ShBA ishte ai i përkushtimit të plotë e të përbashkët profesional në disa fusha duke mbetur akoma edhe për një kohë të gjatë si personazhet kryesore të muzikës në mjediset shqiptare. Në atë të ekzekutimit solistik, ku veçohen festivalet muzikore të kombeve të organizuara nga Klubi Kozmopolitan i Brocton-it (Cosmopolitan Club of Brocton), drejtuesi të cilit ishte Th. Nassi e ku është përfaqësuar me formacion orkestral edhe kombi shqiptar (1929 dhe 1930). Në festivalin e vitit 1930 Albert Nassi ishte drejtues i formacionit shqiptar, Thoma Nassi luante në flaut, Olimpia Nassi në piano dhe kitarë, Madalena Nassi në piano dhe tambur, etj., Pjesët muzikore që interpretuan ata ishin “Ushtarët e Lirisë” (marsh nga Odell), “Minuetë në F” nga Mozart, “Minuetë në G” nga Bet’hoven, “Vajtim shqiptar”, “Barkarola” nga Offenbah dhe “Ylberi i Bukur” nga Odell. Thoma Nassi dhe familja e tij kontribuan në botimin për të parën herë të një sërë pllakash gramafoni me muzikë shqiptare të interpretuar nga një formacion, bërthamën e të cilit e përbënte vetë familja Nassi. Për disa dhjetra vite çifti Nassi ka punuar në sistemin e edukimit muzikor të SHBA-ve, madje kanë themeluar për këtë qëllim edhe “Shkollën Muzikore Nassi” në Brocton, Mass, ku Th. Nassi ka qenë edhe drejtuesi Orkestrës simfonike. Olimpia të shumtën e herëve së bashku me Thomanë kanë dhënë mësim, apo kanë formuar orkestra në shumë shkolla të qyteteve Harwich, Chatham, Orleans, Eastham, Truro dhe Provincetown.

Por, fatkeqësisht, një tragjedi  tronditi themelet shpirtërore familiare.  Më 17 Korrik 1944, djali i tyre Albert Nassi u vra gjatë Luftës II Botërore.  Pjesëtar i euipazhit të flotës ajrore amerikane që kryente veprime luftarake në Suffolk të Anglisë si pilot radio-operator në skuadrën e bombarduesve të rëndë të Grupit 487, humbi jetën pas shpërthimit aksidental të avionit të tij gjatë kthimit në bazë nga një mision luftarak në Gion të Francës. Vetëm 25 vjeç, ai dhe  kujtimi i tij mbeti dhimbja e përjetshme e prindërve e motrave të tij, që sado pak mbart edhe pengun e ardhmërisë së tij si muzikant, që u shua bashkë me frymën e tij. Për kujtim dhe nderim  të aktit të tij sublim, një shesh i vogël në Main Street dhe Locust Road të Orleansit mban emrin e tij.71858832_1420767456.jpg

Humbja e Albert Nassit, padyshim ishte një goditje edhe në mikrobotën muzikore të famljes Nassi, e cila influencoi në planet e mëtejshme artistike të përbashkëta familjare edhe pse kemi të drejtë të konfirmojmë me shumë fakte që aktiviteti muzikor i Thoma dhe Olimpia Nassit vijon edhe për më se dy dekada të tjera, kryesisht në krijimin e formacioneve të reja dhe edukimin publik muzikor të brezit të ri të emigrantëve shqiptarë dhe të rinjve amerikanë.

Më 1964 Thoma Nassi ndërron jetë në moshën 72 vjeçare. Mbyllet kështu sipari human e artistik i një bote me kontribute e vlera të paçmuara kulturore, artistike e kryesisht muzikore për zhvillimin dhe modernizimin e jetës muzikore shqiptare të viteve ’20 e më pas, të cilat mbajnë firmën e muzikantit dhe patriotit të shquar e protagonist  Th. Nassi. 

Të dhënat familjare pohojnë se edhe Olimpia, pas humbjes të bashkëshortit ka përfunduar misionin e saj profesional, por ka jetuar gjatë, deri në vitin 1999 (pra 97 vjeç)  kur është shuar edhe ylli i jetës së saj në Falmouth, Orleans, Mass. , SHBA. 97475923_1420825291.jpg

Ja, pra, çdo jetë njerëzore ka historinë e saj personale, individuale, por ka edhe një histori shoqërore, që ju përket simblikisht edhe vetes edhe të tjerëve, kur bëmat e ideali i saj vihen në funksion të  shoqërisë humane. Olimpia Nassi, edhe pse “e eklipsuar nga hija e rëndë” e autoritetit dhe personalitetit superior artistik e intelektual të bashkëshortit të saj në zhvillimet e kapërximet intensive muzikore qytetare shqiptare, është një rreze  drite që guxoi të sfidojë kohën dhe mjedisin shoqëror me një lloj protagonizmi, apo individualizmi  tjetër. Ajo u shfaq e do të mbetet e para Artiste e talentuar shqiptare “me A të madhe” që me paraqitjen dhe interpretimin e saj të admirueshëm pianistik në publikun e gjerë  të muzikës shqiptare e botërore theu mitin e frustimit e anonimatit femëror, duke krijuar kështu një atmosferë progresi e emancipimi të paprovuar ndonjëherë e që do t’i hapte një dritare e një erë të re afirmimit të vlerave e idealeve qytetare, sociale, intelektuale e artistike femërore, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë. 

₪₪₪₪

Fotot:

  1. Prof. Thoma Nassi
  2. Banda Kombëtare “Vatra”
  3. Olympia Nassi
  4. Olympia me djalin e saj Albert.
  5. Thomai dhe Olympia me vajzën Madeline
  6. Thomai dhe Olympia me orkestrën e një shjkolle muzike në SHBA, 1930
  7. Albert Nassi 
  8. Thoma dhe Olympia Nassi, 1960

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 812
  • 813
  • 814
  • 815
  • 816
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT