• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË JUNIK U FERMENTUA IDEJA E SHTETNDËRTIMIT SHQIPTAR

May 21, 2024 by s p

Kuvendi i Junikut, të cilin sot e kujtojmë si një ngjarje me dimensione madhore kombëtare, duhet shikuar në dy kontekste kohore. Në kohën kur ai u mbajt, më 21 – 25 maj 1912, si përgjigje e drejtpërdrejt e Lëvizjes kombëtare shqiptare për të ndryshuar gjeopolitikën rajonale në favor të çështjes shqiptare, dhe në kohën e sotme, kur një Kuvend i tillë na mungon, jo thjesht si një kopje, por si model frymëzimi për të tejkaluar bajraktarizmat dhe krahinorizmat e panevojshëm.

Nëse para 112 viteve Hasan Prishtina përmes Kuvendit të Junikut arriti të mobilizojë ndërgjegjen kombëtare në mbrojtjen e interesave vitale të shqiptarëve, duke e trajtuar hapësirën kombëtare si një dhe të pandarë, territorialisht dhe kombëtarisht, sot kemi nevojë për një mobilizim tjetër, që do ta bënte hapësirën tonë kombëtare më dinamike në planin e bashkëpunimit dhe kohezionit etno-kulturor.

Po qe se i analizojmë me kujdes 12 pikat e Kuvendit të Junikut, do të vërejmë një aspiratë sublime që kishte synim të vetëm mëvetësinë politike të shqiptarëve nga sundimi i huaj, në njërën anë, dhe kundërshtimi me forcë i ambicieve ekspansioniste të shteteve fqinje për ta dezintegruar tërësinë territoriale të kombit shqiptar, në anën tjetër.

Pavarësia e Shqipërisë që ndodhi më 28 nëntor 1912, nuk erdhi vetvetiu, pasi që ishte Kuvendi i Junikut dhe ideologu Hasan Prishtina që trasuan politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht synimin final independist.

Për rrjedhojë, nëse në të kaluarën me të drejt është thënë se Kosova është djep i shqiptarizmës, sot kësaj thënie do të duhej t’ia shtojmë edhe Kuvendin e Junikut, i cili mbi djepin e shqiptarizmës këndoi ninullën e kushtrimit kombëtar, ku Hasan Prishtina ishte zëri më artikulues i këtij kushtrimi.

Rëndësia historike e Kuvendit të Junikut duhet shikuar në dy plane: në planin e parë ai shërbeu si hallkë e ngjarjeve të mëdha në mes të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si strumbullar i saj dhe në planin e dytë, të fazës së finalizimit të aspiratës kombëtare shqiptare për shtendërtim, por me një kurs gjeopolitik që ishte në koherencë me pacenueshmërinë e hapësirës kombëtare shqiptare, duke e zgjeruar gamën e zhvillimeve në hapësirat etnike të Vilajetit të dikurshëm të Kosovës, me Shkupin si epiqendër e kësaj gjeopolitike kombëtare.

Prandaj, jorastësisht hapi i radhës që erdhi pas Kuvendit të Junikut, ishte marshimi i kryengritësve shqiptarë drejt Shkupit dhe çlirimi tij në gusht të 1912-tës, si parakusht për krijimin e rrethanave që ky qytet të jetë piemonti i ardhshëm shtefromues i shqiptarizmës.

Kjo lidhshmëri e ngjarjeve e proceseve që u prodhuan pas Kuvendit të Junikut, nuk ishte aspak e rastësishme dhe duhej të ishte një mendje gjeniale si ajo e Hasan Prishtinës për të projektuar arkitekturën e ardhshme të shtetit shqiptar, e cila fatkeqësisht mbeti projekt i papërfunduar për shkak të rrethanave që u krijuan e që ishin në disvafor të këtij projekti.

Ajo çka duhet të nxjerrim mësim nga mesazhi dhe fuqia ndikuese e Kuvendit të Junikut në përshpejtimin e proceseve historike në fillim të shekullit 20-të, është aftësia për t’i shndërruar ngjarjet tona të mëdha kombëtare në fermentuese të ideve të reja, si nga politikanët, ashtu edhe nga studiuesit.

Kuvendi i Junikut para 112 viteve mblodhi shqiptarët e të gjitha viseve, pa dallim feje, ideologjie apo krahine dhe ky është mesazhi tjetër që mund t’i shërbejë politikës aktuale shqiptare që ta nxjerr politikbërjen nga provincializmi dhe feudalizmi krahinor dhe ta vendos atë në epiqendrën e interesimit gjithëkombëtar, ashtu siç veproi dikur truri i shqiptarizmës – Hasan Prishtina.

Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup

Filed Under: Kronike

Panairi “Gjergj Kastriot Skënderbeu “ në vitin e tretë për shqiptarët e Amerikës

May 21, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Gjergji, Heroi Kombëtar gjithmonë i ka bërë bashkë shqiptarët. Porosia e fundit e tij do të ndriçojë si Dielli brez pas brezi sa të ketë këmbë shqiptari mbi dhe. Thuprat nuk mund të thyhen një nga një, por së bashku. Prandaj qëndroni gjithmonë të bashkuar, sepse kështu edhe pa mua do të fitoni. Arbërisë nuk i kanë munguar kurrë trimat. Betohuni u tha Skënderbu në porosinë e fundit.

Mijëra shqiptaro amerikanë erdhën së bashku në këtë Panair, festival i gjithanshëm për kulturën, traditën, guzhinën, bizneset e shumta që kanë hapur shqiptarët kudo ku jetojnë në Amerikë.

Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” hyri ne vitin e tretë drejtuar nga z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” organizuar nga z. Aleksander Nilaj President i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Open Hands” dhe drejtues të stafit si znj. Vera Mjeku akiviste e njohur dhe 100 organizata shqiptare që ndihmuan këtë organizim madhështor ishte i suksesshëm.

Është një Festival shqiptar, kuq e zi, me ngjyra të larmishme, që ka si qëllim të promovojë historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme shqiptare do të shprehej z. Gjonaj.

Prezantuesit si Mary Camaj, Ardhmir Malziu, Ermal Mamaqi ardhur nga Shqipëria dhe Belinda Dragoti ftuan në skenë nxënës të shkollave shqipe, grupe valltarësh, këngëtarë, artistë, politikanë të shquar, ambasadorë të cilët përshëndetën publikun e shumtë.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre si Federata Pan Shqiptare Vatra me sekretar z. Pashko Camaj, bisnesmeni i shquar z. Harri Bajraktari “Nderi i Kombit”, Modelja Emina Cunmulaj Konsulle e Nderit.

Natyrshëm ndihem krenare për pjesëmarrjen aktive vullnetarisht si media me TV dhe gjithë shkollat Shqipe “Alba Life” në gjithë New York-un dhe në Online, ku nga Alba Life morën pjesë vetëm dy shkolla Bronxi dhe Brooklyni të përgatitura mjeshtërisht nga mësueset dhe asistentet.

Punonjësit e polisicë së NY-ut, dhe kalorësit parakaluan krenar pranë mijëra pjesëmarrësve.

Ceremonia u hap me interpretimin e dy himneve amerikane dhe shqiptare interpretuar nga artistja plot të ardhme Dea Kërliu dhe Ilsi Ademi.

Përshëndetën pjesëmarrësit si shqiptaro-amerikanja znj.Violeta Berisha e cila është një histori suksesi, pasi ajo sot është kryetare e Bashkisë Fairview në New Jersey, z. Eric Adams Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut i cili në shenjë respekti si gjithmonë bën simbolin e shqiponjës, Udhëheqës i Shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Chuck Shumer, Senatore e shtetit të Nju Jorkut znj. Natalia Fernandez, Presidente e Bronxit Vanessa L. Gibson, Znj. Donika Gërvalla ZV/Kryeministre e Kosovës, Ministre e jashtme dhe e Diasporës, Ambasadori i Shqipërisë në Washington DC z. Ervin Bushati, Ambasadore Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Udha Artur Avenue e Panairit ndrinte nga shumë veshje shqiptare, kundërrmonte erëmirë nga asortimentet e ndryshme ushqimore, shkëlqente nga kinkaleritë, lodrat, bizhuteritë, punimet me dorë qe kishin vulën shqipare.

Pjesëmarrësit u argëtuan nën tingujt e DJ Edi, Lloga, Dani dhe Sadikaj.

Panairi ditën e diel vazhdoi deri në orën 18:00 mbasdite në Arthur Ave & Crescent Ave Bronx, NY, që në muajin e trëndafilave merr nurin e bukur shqiptar kuq e zi.

Filed Under: Reportazh

EVROPA DHE ZHURMA E URREJTJES

May 21, 2024 by s p

Nga PAOLO LEPRI – “Corriere della Sera”, 5 maj 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Është një Bashkim evropian i përvuajtur, I shtrënguar të përballohet me urrejtjen , ai që ka dëgjuar shkoqur dje, në secilin kryeqytet  të shtënat e revoles të shpërthyera  kundër njërit prej njëzeteshtatë kryetarëve të qeverive, kryeministrit sllovak Robert Fiko. Ky atentat , që i shtohet sulmeve të ndryshme në ditët e shkuara në Gjermani, është një shenjë alarmi që nuk duhet të lihet në heshtje. Rreziku i destabilizimit është i vërtetë. Dhuna politike ekziston, mund të kapërcejë kufijtë e të zhvillohet në një bashkësi kombesh që e mendonim të sigurtë nga kërcënimet e brëndëshme, të ndërtuar në paqë. Bëhet fjalë tani që të veprohet n’atë mënyrë që shtëpia e përbashkët të përforcojë themelet e saj e të thyejë këdo që don t’a shkatërrojë, nga cilado anë të vijë. Jehona e të shtënave sllovake – të drejtuara kundër një kryeministri që ka mbajtur qëndrime të largëta nga vija e BE mbi armët në Ukrainë dhe Rusinë – i mbivendosen tingujve të hymnit evropian  të luajtur gjatë protestave në Gjeorgji kundër ligjit shkandullor të miratuar për t’i vënë shtupën demokracisë me sebepin e “ndikimeve të huaja”. Por jo të gjithë kanë qenë të vëmendshëm. Bashkimi po kundërvepron me mungesë mprehtësie ndaj një lëvizjeje që ve në rrezik ecjen e një kombi kandidat.

Sigurisht, leximi i vonuar i kësaj piskame mbi të drejtat ve në dukje edhe njëherë   gjëndjen e pothuaj-paralizës  në të cilën dergjet politika e jashtëme  evropiane, e shkaktuar veçanërisht (nuk është i vetmi problem) nga roli johenik i Hungarisë së Viktor Orbanit. Por kuptimi i saj është më i gjërë, jo vetëm sepse protestat e Tbilisit kujtojnë ditët emocionuese të Sheshit Maidan. Pasiguritë evropiane përfaqësojnë një element që duhet parë me shqetësim ndërsa është një luftë mësyese në veprim pranë nesh, që po jeton një fazë përcaktuese: një luftë në të cilën derdhet gjak të pafajshmish e me të cilën drejtuesi i Kremlinit përpiqet të shkatërrojë të njëjtat vlera të nëpërkëmbura në Gjeorgji. Rusët përparojnë në Harkiv, por sahati i BE ecën më ngadalë. Është e domosdoshme të vihet në kyçin e dorës një tjetër, i rregulluar me orën e Kievit. Kundërshtari gjeorgjan Nika Gvaramia, në një intervistë për Corrierin, ka shpjeguar qartë se cilat janë vendimet për t’u ndërmarrë në dobi të mbrojtjes së popullit të tij. “Trysnia – ka thënë – do të duhej të ishte më e fuqishme. Nuk kemi një diktator por oligarkë që kanë përvehtësuar Shtetin dhe kanë nevojë për politikën që të mbrojnë pasuritë e tyre. Prandaj me ata duhet një përçapje ndryshe: sanksione financiare, pasuritë e ngrira, ndalim hyrjeje për Ivanishvilin  dhe familjarët e tij jashtë” Kur do të bëhet e gjitha kjo, nëse është e vërtetë se në Bruksel edhe teksti i një deklarate është bllokuar gjatë për praninë e këndvështrimeve të ndryshme? Ajo që nuk është bërë për Gjeorgjinë na bën të përsiasim duke parë zhvillimet e gjëndjes në Ukrainë, me shpresë se nuk do të kryhen të tjera gabime.

Ngadalësia ka qenë gjithmonë një karakteristikë e Bashkimit evropian. Në të shkuarën ka qenë një vegël për të konkretizuar, hap mbas hapi, projekte që në shikim të parë dukeshin të pasendërtueshme. Tani është ndryshe, nuk mund të pritet. Ukraina po lufton për lirinë e të gjithëve, duhet të mbështetet në mënyrën më   të efektëshme të mundëshme. Duhet të arrijë pa vonesa leja përfundimtare për marrëveshjen në parim të pasurive ruse të ngrira që do t’i lejonte qeverisë së Kievit të zotëronte nga 2,5 deri në 3 miliardë euro për të financuar mbështetjen ushtarake dhe rindërtimin. Ajo që po ndodh në ballin e luftës detyron që fondet të dorëzohen sa më shpejt, duke shmangur vonesat e zakonshme. Ashtu siç duhet nxituar para korrikut, në të cilin fillon kryesia e rradhës hungareze, miratimi i paketës së re t’aksioneve kundër Moskës mbi ndalesën e shpërnguljes së gazit natyral të lëngshëm. 

Këto janë disa shembuj të një mbështetjeje që  nuk mund të pakësohet. Madje duhet të bëjë një hop cilësor. Zgjatja e luftës shton  tensionet, krijon një klimë në të cilën lulëzojnë veprime shtazarake, përpjekje destabilizimi, manovra t’errta. Paqja duhet ndjekur me forcë, si në Ukrainë si brënda Evropës. Është në lojë, siç thotë presidenti francez,  Macron, vetë qënia e saj.

“Corriere della Sera”, 5 maj 2024        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton

Mos votoni heqjen e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës

May 21, 2024 by s p

Është e pabesueshme se si në mbledhjen  e mbajtur me 14.05.2024, të Komisionit për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, është votuar Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” votim ky i cili ka përfshirë edhe propozimet për heqjen e emrit të Heroit Kombetar Hasna Prishtina nga UP. Në rrethana normale nuk do të duhej të shprehej nevoja për përmendjen e kontributit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, por meqenëse kemi ardhur deri në këtë pika, ku propozimi për heqjen e emrit të tij nga UP, ka kaluar të gjitha hallkat deri në Kuvendin e Republikës së Kosovës duke perfshire edhe votimin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe tani pritet votimimi në seance plenare, jemi të detyruar të ju sjellim në vëmendjen tuaj një pjese të kontributit të tij të pashoq prej një intelektuali, organizator të kryengritjeve për liri e pavarësi, kontribuues unik në hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjes së arsimit shqip në trojet shqiptare, përfaqësues i të drejtave të shqiptareve në Parlamentin Osman etj., të cilën e gjeni si me poshtë:

KONTRIBUT I HASAN PRISHTINËS, NDËR ATDHETARËT ME TË SHQUAR TË LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Në kohën e reaksionit të hapur ose të fshehur të regjimit xhonturk dhe përkrahësve të tij, arsimi kombëtar vazhdoi të zhvillohej, ndonëse me hapa shumë të ngadalshëm. Në këtë rrugë, një kontribut të theksuar kishte dhënë Hasan Prishtina, ndër atdhetarët me të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 

Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), është mjaft i theksuar dhe i rëndësishëm, në kohën kur viset shqiptare ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, përbënin një pjesë kulmore të luftës së përgjithshme për liri kombëtare të shqiptarëve. Në këtë rrugëtim ai mëtonte për libra në gjuhën shqipe, për praktikimin e alfabetit latin dhe për hapjen e shkollave shqipe fillore, të mesme e të larta.

Në kohën kur kishin filluar të formoheshin klubet shqiptare, të cilat në platformën e tyre përfshinin edhe çështjen e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, me shkollën shqipe në Vilajetin e Kosovës u mor Klubi Shqiptar i Shkupit, i formuar në gusht të vitit 1908 me kërkesën e Hasan Prishtinës dhe bashkëveprimtarëve të tij.

Ndër aksionet e mëdha të këtij klubi ishte edhe inicimi i Kongresit të Alfabetit Kombëtar. Kështu, më 14-22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e pengesat me të cilat u përball ky Kongres, veprimtaria për realizimin e synimeve kombëtare nuk u ndal, por u shtua edhe më tej.

Në Kongresin e Elbasanit, më 2-8 shtator 1909, u vendos në hapjen e një shkolle normale të mesme e kombëtare. Kështu, me hapjen e Normales së Elbasanit, më 1 dhjetor të vitit 1909, Hasan Prishtina po përgatiste djem nga vilajeti i Kosovës që t`i dërgonte atje për shkollim, vetëm në Normalen e Elbasanit, atdhetari Hasan Prishtina dërgoj mbi 70 nxënës nga Kosova dhe Maqedonia, ku me mjetet e tij mori përsipër të gjitha shpenzimet për shkollim të tyre.

Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen e qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve anembanë që të ndihmojnë me të ardhurat e tyre përhapjen e diturisë në Shqipëri. Për këtë çështje ai kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar në Shqipëri. Me këto mjete materiale ai mund të mbante rreth dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe t`i shkollonte në Normale të Elbasanit më shumë se 70 nxënës nga vilajeti i Kosovës.

Në kohën kur po zhvillohej Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 (maj-gusht), nismëtar i së cilës ishte Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë, ishte korrur një sukses i dukshëm i kryengritësve të cilët kishin arritur në Ferizaj (5 gusht 1912), ku në po këtë ditë kishte dalë edhe dekreti perandorak për shpërndarjen e parlamentit, por njëkohësisht në Ferizaj u thirr një kuvend me nismën e Hasan Prishtinës.

Ai i paraqiti këtij Kuvendi 14 kërkesa që ndryshe njihen edhe si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, brenda të cilave i kushtoi rëndësi të madhe çështjes së arsimit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, duke e ndarë arsimin laik nga ai fetar (pika 5, 6, 7 dhe 8).
Në artikullin me titull “Shqipëria e Re” të botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë” në Sofje, më 22 tetor të vitit 1912, vlerësohej lart veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës në luftën e vazhdueshme të tij për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Prandaj, kontributi i Hasan Prishtinës në emancipimin kombëtar të shkollës shqipe dha rezultate konkrete dhe të pazëvendësueshme. 

Bazuar në propozimet për ndryshime në draft statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” paraqesin këtë:

T H I R R J E

Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën kane memorie historike dhe të cilët njohin sadopak kontributin e papërsëritshëm të Heroit Kombëtar, ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë, Hasan Prishtinës, të mos përkrahin propozimin për heqjen e emrit të tij nga UP.

ZGJIDHJA E PROPOZUAR:

Në ndryshimet e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nder të tjera është parapare heqja e emrit të Heroit Kombëtar “Hasan Prishtina” nga ky Universitet, andaj në lidhje me këtë, paraqesim këtë:

P R O P O Z I M

Të amandamentohet Neni 2 i draft statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si në vijim:

Neni 2

Emri

  1. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” mban emrin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, ky emër i është vënë në vitin 2012.
  2. Emri në përdorim është “Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”
  3. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përdor akronimin “UP – Hasan Prishtina”.
  4. Universiteti shfrytëzon emrin Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në çdo komunikim zyrtar, të brendshëm dhe ndërkombëtar, në aktet juridike që janë të autorizuara apo të nxjerra sipas këtij statuti, në simbolet dhe në dokumentet publike të tij.
  5. Universiteti përdor edhe emrin “University of Prishtina “Hasan Prishtina” në gjuhën angleze dhe emrin “Universitas Studiorum Prishtiniensis “Hasan Prishtina” në gjuhen latine.
  6. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është trashëgimtar i vetëm ligjor dhe institucional i universitetit të themeluar me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës (“Fletorja Zyrtare e KSAK” nr. 33/69 më 18 nëntor 1969).
  7. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përfaqëson një monument të trashëgimisë historike, kulturore dhe institucionale të Kosovës dhe si i tillë gëzon mbrojtje më këtë statut.

Po ashtu në secilin rast, në këtë statut, aty ku përdoret Universiteti i Prishtinës të plotësohet si në vijim: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Në lidhje me mirënjohjen ndaj kontributit të plejadës së Heronjve Kombëtar, Fondacioni “Hasan Prishtina”, shpreh gatishmërinë për të marr përsipër koston financiare për sponsorizimin e një ligj, ku përmes thirrjes publike mbarëkombëtare do të angazhoheshin historian, jurist dhe ekspert të fushave të nevojshme, në lidhje me hartimin e një ligji i cili do të rregullonte njohjen dhe respektin e heronjve, ku do të vendoseshin kritere për identifikimin, përzgjedhjen dhe nderimin e heronjve kombëtarë dhe  për të parashikuar kategoritë e heronjve dhe përmes bazës ligjore të rregullohet të ruajtja e kontributit të tyre dhe mos lejimi i diskriminimit ndaj tyre (përmes emërtimeve të shesheve, institucioneve, ndarjes se medaljeve shtetërorë apo mirënjohjeve në emrin e tyre etj.)

Me nderime:

Mehmet Prishtina

Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”

Prishtinë, maj 2024

Filed Under: Analiza

ARTISTI I MADH NGA MALËSIA E MADHE GJELOSH GJOKAJ QË PËRHAPI MË TË MIRAT E KULTURËS SHQIPTARE NË BOTË

May 21, 2024 by s p

Ekspozitë në Prishtinë, 90-vjetorin e lindjes 

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Poezia e Trajtave Figurative* nga Agim Morina - In memoriam Gjelosh ...

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës si dhe Galeria Kombëtare e Kosovës njoftuan, javën që kaloi, se është hapur një ekspozitë retrospektive e artistit të ndjerë Gjelosh Gjokaj, e titulluar: Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi. I lindur në Milesh të Malësisë së Madhe, Gjelosh Gjokaj, artisti e piktori i shquar është njëri prej artistëve më të mëdhej shqiptarë, por jo vetëm, të periudhës së modernizmit shqiptar. Për më tepër në Kosovë – ku njihet gjithashtu edhe si, “babai i grafikës së Kosovës”, Gjelosh Gjokaj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për brezat, edhe si pedagog e themelues i shkollës së grafikës në Kosovë dhe si piktor në përgjithësi. Gjelosh Gjokaj si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Malit të Zi, la pas më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë, të përhapura anë e mbanë botës.

Këto dy ente të Republikës së Kosovës, në bashkpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, organizuan hapjen e ekspozitës me rastin e 90-vjetorit të lindjes së artistit të madh evropian nga Malësia, Gjelosh Gjokaj dhe të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Ekspozitën e hapi, zyrtarisht, të mërkurën që kaloi në Prishtinë, Zëvendëskryeministri, njëherësh, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nikë Gjeloshaj, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, Hajrullah Çeku, njofton – Ulqini Online – (ulqini-online.com)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca në fjalën e tij me këtë rast deklaroi se, “Kemi të bëjmë me një artist i cili mund të quhet me plot kuptimin e fjalës, botëror”.

Gjelosh Gjokaj, si artist e piktor njihet mirë në trojet shqiptare nën Malin e Zi, nga ku edhe rrjedhë, njihet mirë gjithashtu edhe në Kosovë ku edhe vlerësohet për punën dhe veprimtarinë e tij atje ku ka punuar para se të shkonte në Itali e Gjermani.  Ndërsa në Shqipëri, për fat të keq, me sa jam i informuar, nuk është edhe aq i njohur si në Kosovë dhe vende të tjera të Evropës. Unë e kisha takuar Gjelosh Gjokaj në Itali në vitin 1970, pasi ishte larguar nga ish-Jugosllavia për në Romë, prej ku, me punën e tij atje, megjithëse nën rrethana shumë të vështira për një artist – ky burrë malësor megjith sfidat para tij — përtej trojeve shqiptare, asokohe nën regjimet sllavo-komuniste në Tiranë e Beograd — nderoi Malësinë e Madhe dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, në Evropë dhe nepër botë, si përfaqësues i denjë i vlerave kulturore të trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  

Me veprimtarinë e tij prej artisti, grafisti e piktori, për katër dekadat e fundit të jetës së tij, në Itali e Gjermani, Gjelosh Gjokaj ka punuar si artist i lirë, në botën e lirë.  Këtë liri, Gjelosh Gjokaj e përdori në maksimum. Menjëherë pas arritjes në Itali, (1969), ai kishte ra në kontakt me Ernest Koliqin, botuesin e revistës së famëshme Shejzat dhe me bashkpuntorët e tij. Në të vërtetë, nepërmjet Shejzave ai përfitoi duke bërë kontakte me artistë italianë dhe si përfundim i bashkpunimit të tij me revistën e Koliqit – edhe Shejzat përfituan nga ekspertiza e tij artistike, pasi me ndihmën e tij revista mori një pamje krejt tjetër artistike duke filluar nga faqja e parë. 

A book cover with a face

Description automatically generated

Syprina e ré e Shejzave, duke filluar nga viti 1970 dhe vizatimet në fund të artikujve në atë revistë, janë hartuar nga piktori Gjelosh Gjokaj.

Por suksesi i Gjelosh Gjokaj, vërtetë, mori nam nga eskpozitat e tija artistike ndërkombëtare, në Itali dhe në vende të tjera.  “Edhe nji tjetër artist plot talent po e nderon emnin e Atdheut tonë.  Ekspozita e tij (11prill-1maj,1970) korri nji sukses të madh në daç për numër vizituesish e shitjeje veprash, në daç për miratime ndër fletore kritikësh të njohun. E kemi fjalën për Z. Gjelosh Gjokaj, lindun në Milesh afër Tuzit”, shkruante Koliqi në revistën Shejzat (4-6, 1970).  “E shpejtë dhe e lumnueshme qe karrjera e tij artistike. Erdh tue e vû në spikamë artin e vet si   piktor e si grafist, në ekspozita të shumta, jo vetëm në Jugoslavi, por edhe nëAleksandri (Egjypt), n’Havana (Kuba) e n’Amerikë të Jugut: LaPiata, Rio Grande, Rio de Janeiro. Sukses të veçantë patën ekspozitat tij në Australi, në Hindi dhe në Viçenza (Itali)”, thuhet në atë artikull të para 50 e ca viteve.  

“Mosha foshnjore e kalueme në male shqiptare, lên mbresa të dukëshme në artin e tij.  Prirjet e natyrëshme kah simbolizmi i nji dèlli surrealizmi në ligjirimin artistik i rrethojnë thelbet autoktone në nji atmosferë krejt moderne ku ato zhvillohen pa zorim e përfundojnë në nji synthezë në të cilën frymzimet e thella të traditës bashkohen lumnisht në nji freski shprehjeje mahnitëse të këso-kohëshme”, thuhet më tej në atë shkrim nga botuesi i Shejzave. Ernest Koliqi i uron artistit, grafistit dhe piktorit të spikatur, të ri malësor, Gjelosh Gjokaj, përherë sukses më “ngadhnjyese në udhët e artit” dhe njëkohësisht, e falënnderon atë për kontributin e tij dhënë për Shjezat, “për syprinën dhe vizatimet e çmueshme plotësuese të faqeve në fund t’artikujve që pati mirësinë t’i dhurojë së përkohëshmes s’onë”, ka shkruar Koliqi për bashkpunimin e Gjelosh Gjokaj me revistën Shejzat – diçka që ndoshta shumë pak veta mund ta dinin e që fatkeqsisht, për të këtë bashkpunim, për arsye politike nuk flitet.

Ndërkaq, në një shkrim tjetër në Shejzat (vitit (1971, 7-9) nga siç duket një autor arbëresh-italian sipas emrit (A.de Genti), theksohen gjithashtu vlerat artistike të artistit shqiptar, Gjelosh Gjokaj. Ai ka shkruar se që “kur ende ishte në moshë të njomë, i rritun në Veri (të Shqipërisë) në nji familje malcore shqiptare, me nji vullnet të pafashitun, kapërcei vështirsitë e studimeve që ka përhera nji i ri visesh të shkëputuna prej qendrave të mëdha kulturore.  Ai u shque midis të rijvet të kombësive të tjera, tue krye bukur e mirë studimet e arteve në Beograd. Pastaj shkoi me dhanë mësimin e pikzimit midis të rijvet shqiptarë të Kosovës.  Gjatë kësaj kohe ai brumosi edhe mâ mirë shijen artistike të gurrës kulturore mijëvjeçare të viseve arbërore. Gjelosh Gjokaj edhe në Jugoslavi kishte krijue nji emën si pikzues, por tash së mbrami i ndodhun në votrën e jehonës artistike evropjane e botënore, sukseset e tij janë bâ shumë mâ të spikatuna.  Emni i këtij shqiptari njihet prej Barcelone, Los Angeles, Paris, Moskë e deri në Tokjo.  Prania e punimeve të tij së bashku me ato të artistave italianë mâ në zâ, na dëshmon shumë. Dhe ajo që duhet të gëzojë çdo bashkatdhetar âshtë nji gjë: me i ruejt, me i shtue e me i çue mâtej anët më të mira kombëtare shqiptare, tue përqafue përparimin e kulturës evropjane dhe botnore.  Kjo, simbas nesh, âshtë edhe rruga e nënvetëdishme e artistit Gjelosh Gjokaj që âsht kah nderon kulturën shqiptare nëpër botë”, përfundon vlersimin e tij për Gjelosh Gjokajn, autori A.de Genti.  (Shejzat -Korrik-Shtator, 1971, 7-9).

Nuk besoj se mund të ketë një vlerësim më të mirë e më të lartë sot se ky për artistin e piktorin e Malësisë së Madhe, Gjelosh Gjokaj — nga një autor i revistës Shejzat më shumë se 50-vjet më parë — me rastin e hapjes së ekspozitës së veprave të tij në Prishtinë dhe në 90-vjetorin e lindjes së këtij artisti malësor, i cili nepërmjet veprave të tij artistike vetëm ka çuar përpara anët më të mira kombëtare të kulturës shqiptare, duke përqafuar, njëkohësisht, edhe vlerat dhe përparimin e kulturës evropiane dhe botërore.  Një vlersim për një artist malsor që do duhej të gëzonte të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo edhe sot në 90-vjetorin e lindjes. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij në Malësi dhe anë e mbanë trojeve shqiptare!

Frank ShkreliA person in a black hat and glasses

Description automatically generated

Gjelosh Gjokaj (1933-2016), nepëmjet veprave të tija artistike i përçoi botës “anët më të mira të kulturës kombëtare shqiptare duke përqafuar, njëkohësisht vlerat kulturore evropiane dhe botërore”. 

May be an image of text

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës të mërkurën që kaloi është hapur ekspozita retrospektive e artistit nga Malësia e Madhe, Gjelosh Gjokaj, (1933-2016) e titulluar “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj “, kuruar nga Shkëlzen Maliqi. 

Poezia e Trajtave Figurative* nga Agim Morina - In memoriam Gjelosh ...

Gjelosh Gjokaj, artisti i përmasave botërore nga Malësia e Madhe bashkpunoi ngusht me revistën e famëshme Shejzat të Ernest Koliqit duke e ngritur revistën në një nivel artistik, krejt ndryshe nga ç’ishte më parë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 957
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT