Nga GOFFREDO BUCCINI – “Corriere della Sera”, 21 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/
Sado paradoksal të duket, i kemi borxh në terma të së vërtetës, egërsisë popullarizuese të Hamasit. Në ndryshim nga Putini, që është përpjekur të fshehë krimet e ushtarëve të tij që nga ploja e Buçës, islamistët e qeverisë së Gazës gjithmonë kanë patur (edhe) një synim mësimdhënës: t’i tregohet në rrugë interneti botës se si trajtohen të pafetë. Tani kjo krenari e tmerrit na ndihmon të kujtojmë. Pa trupat e izraeliteve të reja të hedhura në kamionetat e tyre më 7 tetor, pa vështrimet dërmuese të nënave të marra me fëmijët e vegjël, pa tregimin e të burgosurave hebreje të poshtëruara në tunelet, gjithshka do të ishte zhvleftësuar si një dyshim relativ, i mbytur nga një valë kundër hebreje. Deri edhe përdhunimi i një dymbëdhjetëvjeçareje franceze, të ndëshkuar nga bashkëmoshatarët “sepse hebreje” gjen në rrahjet e mendimeve në radio ndonjë justifikues të gatshëm të vërejë: “Por në Gazë është në zhvillim një gjenocid!”. Dora dorës që, ndërmjet bombardimeve dhe urisë, rriten viktimat palestineze nën mësyemjen e Cahalit dhe dënimin kolektiv të Netaniahut, bëhen më të zbehta parakushtet e kësaj tragjedie.
Ndryshon madje edhe tregimi mbi muajt e para burgimit të dyqind e pesëdhjetë pengjeve të rrëmbyer në sulmin e së Shtunës së Zezë, jo të zënë në ballë të luftës, por të zhgulur nga një festë në Negev e nga shtretërit e tyre, nga tinarët e nga djepat në kibucet. Është në veprim prej kohësh një operacion mediatik që turbullon gjithshka. Simbas disa burimeve kushtet e këtyre të burgosurve duken në përgjithësi, të pranueshëm. Mbeten të gjallë ndoshta më pak se pesëdhjetë por dhunat lakohen në kushtore (do të kishin ndodhur). Shtohet gërgasa se autoritetet izraeliane i mbyllin gojën pengjeve të liruar për të shmangur rrëfimet se si janë trajtuar “njerëzisht” gjatë paraburgosjes siç ka bërë për shembull Yokaved Lifshitz. Me atë qëllim harrohet ndonjë hollësi: pacifistja e moshuar kishte treguar se si ishte rrahur mizorisht në rrugën e Gazës sa shihte “ferrin” e fliste nën kërcënim , duke patur ende të shoqin Oded në dorë të terroristëve. Lihet në heshtje, veç asaj, ngurimi i hebrejve për t’u treguar viktima, që i ka frenuar për javë të tëra që të përhapnin barbaritë e pësuara më 7 tetor: një gjëndje shpirtërore krenare, mbi të cilën është ndërtuar ndjenja e përbashkët e kombit mbas Shoah, deri aty sa të rrethonin me pështjellim të mbijetuarit e kampeve në vitet e para të mbasluftës, siç tregon mjeshtërisht Amos Oz.
Por Hamasi bën shumë më tepër për të na hapur sytë. Ndërsa amerikanët vrasin mëndjen në hamëndje armëpushimesh, kryetarët e organizatës kërkojnë më shumë të vdekur. Kujdes, jo izraelianësh: palestinezësh. E kishte thënë mbas pogromit të 7 tetorit, Ismail Haniyeh, kreu politik, nga streha e tij në Doha: “ Kemi nevojë për gjakun e grave, të fëmijëve e të të moshuarve për të rizgjuar tek neve shpirtin revolucionar”. E ka përsëritur së fundi, duke mos pranuar bisedimet, kreu ushtarak Yahya Sinwar, ende i fshehur në tunelet: “Këto janë flijime të nevojshme, limfë jetike”, ka shpjeguar. Bëhet fjalë për kode jashtëtokësorë për ne, por nga të cilët nuk duhet të shkëputemi kur përimtojmë dramën e banorëve të Gazës, të shtrënguar nga kundërveprimi izraelian e një klasë drejtuese që jeton martirizimin e tyre në terma ringjalljeje, duke shpënë përpara një luftë jo simetrike në të cilën shkollat dhe spitalet kthehen në baza veprimesh.
Ndërsa hapet në veri fronti i Libanit, ky është pra një çast i së vërtetës për këdo ka në zemër fatin e palestinezëve, ka vërejtur Federico Rampini, duke paditur mbi të gjithë ata fusha ku hymnizohet Palestina “e lirë që nga lumi në det” (pra, pa hebrejtë). Por krerët e Hamasit, me kërdinë e tyre mijëvjeçare, janë në të vërtetë një pikë kunërshtie e pazgjidhur për të gjithë opinionin perëndimor të zgjuar nga gjumi që e quan organizatën e Gazës një variant të Lindjes së Mesme të Kongresit Kombëtar Afrikan të Mandelës, kundër Perëndimit të bardhë, të pasur e kolonialist. Është një zgjim i papritur për ata ëndërrimtarë që dëshirojnë një federatë izraelo-palestineze mbi përgjegjësinë me të cilën së fundi Gjermania dhe Franca ndërtuan Evropën, mbasi ishin therur në shekuj: duke harruar si në këtë rast, njëri ndër federuesit mendon se duhet të asgjësojë tjetrin për normë morale hyjnore. Sigurisht ethet kombëtariste kanë kanë majisur edhe pjesën izraeliane, me skajorë si Ben-Gvir ose Smotrich, vendimtarë për fatet e ekzekutivit, dhe mijra kolonë skajorë ortodoksë, të vendosur në Cisjordani nën mbrojtjen e ushtrisë. Por Jeruzalemi ka ende kundërtrupa të fuqishëm, një shtyp të fortë, një trupë gjyqësore që i qëndron orvatjeve të nënshtrimit. Netaniahu, në mundimin për t’u përjetësuar, thyen çdo lloj rekordi të mungesës së popullaritetit: “Është sikur kapiteni i Titanikut të kërkonte një tjetër anije” thotë për të Ehud Baraku, duke përmëndur një përgjigje të vjetër, për të saktësuar më tej: “Por Bibi ka fundosur dy anije – dështimin e 7 tetorit dhe luftën që e ka pasuar – e tani kërkon lejen të jetë kapiteni i anijes së tretë e të fundit”. Rrethimi i sajuar nga Irani, që ka armatosur Hamasin në Jugë e manovron Hezbollahun në veri, me frikat pasuese e radikalizimet, është letra e tij më e mirë për të qëndruar i ngërthyer në timon.