• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Romani “Saga e Sarajevës”, si një përvojë estetike

July 26, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Leximin e romanit të Stefan Çapalikut “Saga e Sarajevës”, (Shtëpia Botuese Gjergj Fishta) e konsideroj një përvojë estetike, që krijon një fenomenologji të tërë leximi. Do t’iu sugjeroja këtë vepër miqve të mi, masës së gjerë të lexuesve dhe, pse jo, edhe pushuesve, pasi është një tekst që lexohet me një frymë, pavarësisht kuptimit konvencional dhe metaforicitetit të brendshëm. Romani është përqëndruar në një dramë turbulluese të brendshme. Është prilli i vitit 2024. Një shkrimtar bashkëkohor shqiptar shkon në një rezidencë njëmujore në Sarajevë dhe përpiqet të bier në gjurmë të paraardhësve të tij, një familje shkodrane me mbiemrin Cukali, e arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore, me ndihmën e një austro-hungarezi dhë që përfundon në qytetin e Sarajevës. Një realitet shenjues, një univers i madh fiksional, që merr karakteristikat formale te koherencës, të kohezionit, të artikulimit narrativ, të shumësisë së niveleve, tipare që ndeshen vetëm në tekstet e vërteta (por që duhet t’i vëresh me kujdes).

Në këtë roman kemi dy role narrative, të Lekës shkrimtarit, dhe Mikel Cukalit, një prej anëtarëve të familjes së arratisur. Të dy rrëfimet janë paralele, jo të mbivendosura, takohen në fund të romanit me një befasi “prustiane”, megjithëse me tipare dhe karaktere të ndryshme. (Romani i Marsel Prustit, “Në kërkim të kohës së humbur”, ishte një përsiatje e gjithanshme për kohën dhe kujtesën emocionale).

Modeli narrativ i Çapalikut është përpunuar gjerësisht vitet e fundit, duke krijuar universe narrative të ndryshme. Forma e narracionit është homodiegjetike, pra narratori është i pranishëm si personazh në veprim, por jo i fokalizuar. Është interesante të vësh re shkallën e ikonizimit të imazheve, shumë të detajuar dhe të kapshme, konvencionet në ndërtimin e figurave, metaforat vizive në përshkrimin e personazheve, lojën me ngjashmëritë dhe dallimet, shumë komplekse, kontrastet aspektuale, dinamizmin, arbitraritetin maksimal, nënligjërimin e përgjithshëm, metaforën si meknizmi kryesor i ligjërimit artistik.

Stefan Çapaliku është shkrimtar i intuitës, që aventurohet nëpër tekste të ndryshme me fraza të shkurtra, me reflektim filozofik, duke hulumtuar në elementët diskursivë dhe karakteristika subjektive provokuese dhe joshëse. Te ky shkrimtar është, gjithashtu, shumë e fortë ndjeshmëria ndaj aspekteve ndërsubjektive të ligjërimit. Te “Saga e Sarajevës”, më shumë se qasja, na intereson studimi, veçanërisht semiotik, si tekst e si diskurs.

Kemi të bëjmë me simulakre të instancave të ndryshme sociosemantike, të krijuara nga nga strategji të veçanta diskursive, të drejta e të zhdrejta, ku kodi dhe mesazhi i mbivendosen njëri- tjetrit.

Në një analizë të hollësishme, si të komponentit njohës, ashtu edhe të komponentit pasional të teksteve, shohim se, mbi të gjitha, merr rëndësi vepruese pikësynimi për të mbajtur të ndara sistemet semantike nga veshja e tyre aksiologjike.

Konstrukti i fjalive të Çapalikut është shumë i veçantë, fjalitë e shkurtra janë veçantia e stilit të tij. Çapaliku përpiqet të përshkruajë realitetin, të vërtetën siç është jetuar e ndier në të gjitha aspektet e saj, nga narratori dhe personazhet, duke u përpjekur të transkriptojë sa më besnikërisht të jetë e mundur realitetin e ndjeshëm dhe të gjitha planet e tij (fizike, emocionale, ndijore). Autori në këtë vepër përpiqet të “eksplorojë” atë që është në origjinë të ekzistencës: transcendencën e shpirtit, Transcendetalistët i shohin fenomenet fizike dhe shpirtërore si pjesë të proceseve dinamike dhe jo si entitete diskrete.

Pikërisht nga ky “lexim ekzistencial” i romanit arrita në përfundimin se qënia dhe koha ndodhen të stivosura njëra mbi tjetrën, duke iu referuar njëra – tjetrës. Ai që ekziston e zbulon kuptimin e qënies së tij duke shpalosur unitetin e strukturës së shqetësimit gjatë rrjedhës kohore-dhe anasjelltas. Pamjet e zakonshme për të ardhmen, për të tanishmen dhe për të shkuarën gjenden të hedhura tej, sepse ato i përkasin një rrjedhe kohore joautentike. Ato arrijnë të bëjnë pjesë në rrjedhën e vërtetë kohore, veçse bashkë, me kuptimin e tyre ekzistencial. Përmasa origjinale në këtë vepër është, pra, e ardhmja dhe kjo si një e e ardhme autentike, që ekziston me një natyrë të fundme që i përket rrjedhës kohore të vazhduar, jo autentike dhe pa fund. Por kjo e dyta nuk mund të rrjedhë veçse nga e para. Stefan Çapaliku, shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar, është një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë, që nxitet drejt reflektimit dhe ngritjes së pyetjeve. Dualiteti i qenësishëm i Çapalikut është manifestuar në dilemën e tij, ai nuk zgjedh dot midis fiksionit dhe kritikës, romanit social dhe konvencional, jetës dhe ligjeve.

Krijimtaria artistike e Stefan Çapalikut është një ide e emancipuar për kohën dhe kujtesën emocionale, me një emocion të disafishtë dhe shpengim të jetës, që i jep ngjyrim të përhimë imazhit. Në veprat e tij në prozë dhe dramaturgji trajton probleme filozofike tepër komplekse dhe të të holla. Të pafundme janë veprat e tij, pothuaj në të gjitha zhanret. Nga veprat në prozë, ndër të tjera përmendim: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet””, “Një ëngjëll veshë me frak” Tregimet e tranzicionit”, “Kronikë në lindje”, etj.

Filed Under: Analiza

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë ndërtuar mbi një themel miqësie historike dhe mbështetjeje të palëkundur

July 26, 2025 by s p

Washington, D.C., 25 Korrik 2025 – Gjatë një vizite zyrtare në Washington, D.C., pata nderin të takohem me Ambasadorin Philip Hughes, Presidentin e sapozgjedhur të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (CAA). Biseda jonë u përqendrua në partneritetin e qëndrueshëm midis dy Këshillave tanë dhe përkushtimin e përbashkët për forcimin e dialogut transatlantik. Ramë dakord të bashkëpunojmë në disa nisma të ardhshme që prekin diplomacinë rajonale, sigurinë dhe rolin jetik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, si dhe çështje të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dhe Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë kanë ruajtur një marrëveshje partneriteti dhe bashkëpunimi të ngushtë që prej themelimit të Këshillit tonë, të bashkuar nga respekti i ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta demokratike.

Në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për Ambasadorin Timothy Chorba për udhëheqjen e tij shembullore gjatë kohës që shërbeu si President i CAA. I përcjellim urimet më të përzemërta teksa merr përsipër detyrën e re si Kryetar i Bordit Drejtues.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë ndërtuar mbi një themel miqësie historike dhe mbështetjeje të palëkundur, që nga njohja e hershme e shtetit shqiptar në shekullin XIX, deri te kalimi i Shqipërisë nga komunizmi, ndërtimi i institucioneve demokratike, anëtarësimi në NATO dhe, më së shumti, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, zemra e kombit shqiptar.

Lidhja midis kombeve tona nuk është vetëm e rrënjosur në histori, por udhëhiqet nga një vizion i përbashkët për paqen, sigurinë dhe vlerat demokratike. Jemi krenarë që thellojmë bashkëpunimin me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë përballë sfidave dhe mundësive që sjell rajoni, u shpreh Ambassador Genci Muçaj, në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Filed Under: Analiza

Trump, Obama dhe lufta për narrativën: një betejë që kapërcen dy presidenca

July 24, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Në një akt të pazakontë, Barack Obama ka reaguar publikisht ndaj thirrjeve të Donald Trump për ta ndjekur penalisht, duke i quajtur këto akuza “të turpshme” dhe të paprecedentë në një demokraci funksionale. Kjo deklaratë erdhi në një kohë kur ish-presidenti Trump ka intensifikuar retorikën e tij politike duke akuzuar Obamën, FBI-në dhe komunitetin e inteligjencës për një “grusht shteti të brendshëm” të kryer kundër tij pas zgjedhjeve të vitit 2016. Akuza të cilat u ndezën sërish pas publikimit të raportit Durham – një hetim i gjatë i Departamentit të Drejtësisë, por i emëruar dhe udhëhequr nga një prokuror i zgjedhur gjatë presidencës Trump.

Tulsi Gabbard, drejtoresha e inteligjencës kombëtare, publikoi të mërkurën dokumente të reja që ajo tha se minonin përfundimin e agjencive të inteligjencës gjatë administratës Obama se Rusia favorizonte zgjedhjen e Donald J. Trump në vitin 2016. Znj. Gabbard publikoi një version të deklasifikuar të një raporti nga Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve, i hartuar fillimisht në vitin 2017, kur republikanët drejtonin komitetin. Raporti kundërshtoi përfundimin e arritur në dhjetor 2016 se Presidenti Vladimir V. Putin i Rusisë kishte favorizuar Z. Trump.

Të dielën, znj. Gabbard premtoi t’ia referonte detajet e gjetjeve të saj Departamentit të Drejtësisë. Dhe të mërkurën, ajo tha në një postim në mediat sociale se Z. Trump kishte urdhëruar deklasifikimin e raportit dhe se informacioni tregonte “armatimin dhe politizimin më të egër të inteligjencës në historinë amerikane”. Administrata Obama, shkroi znj. Gabbard, po “promovonte GËNJESHTËRËN se Vladimir Putin dhe qeveria ruse ndihmuan Presidentin Trump të fitonte zgjedhjet e vitit 2016”.

Znj. Gabbard ka fituar lëvdata nga z. Trump për hetimin e saj mbi gjetjet e inteligjencës dhe foli gjatë rreth asaj se si vlerësimi i vitit 2016 ishte pjesë e një gjuetie shtrigash kundër tij. Z. Trump është kritikuar ashpër për trajtimin e dokumenteve që lidhen me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein, dhe sulmet e tij ndaj administratës Obama duket se janë pjesë e një strategjie “shpërqendrimi dhe shmangia e vëmendjes”.

Znj. Gabbard përsëriti pohimin e saj se vlerësimi i inteligjencës kishte për qëllim të minonte presidencën e z. Trump.

“Duke vepruar kështu, ata komplotuan për të përmbysur vullnetin e popullit amerikan”, shkroi ajo, “duke punuar me partnerët e tyre në media për të promovuar gënjeshtrën, me qëllim që të minonin legjitimitetin e Presidentit Trump, duke kryer në thelb një grusht shteti njëvjeçar kundër tij”.

Pikëpamja e përgjithshme e Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve ishte e njohur mirë dhe anëtarët shpesh e kundërshtuan gjetjen. Por raporti i plotë me detaje të punës së CIA-s mbi vlerësimin e inteligjencës së vitit 2016 nuk është publikuar.

Zyrtarët e administratës Trump kanë pohuar se rishikimi i inteligjencës i vitit 2016 ishte i ndotur nga informacione të paverifikuara në një dosje të përgatitur nga një ish-oficer i inteligjencës britanike, Christopher Steele. E ashtuquajtura dosja Steele u përmend në një aneks të klasifikuar të raportit, por ish-zyrtarë thanë se CIA nuk e mori seriozisht dhe nuk e lejoi atë të ndikonte në vlerësimin e tyre.

Pak, nëse ka ndonjë nga pretendimet në dosje rreth zotit Trump, janë verifikuar në vitet në vijim. Sulmi ndaj përfundimeve të vlerësimit të vitit 2016 se Rusia kërkoi të denigronte Hillary Clinton, kandidaten demokrate, dhe të mbështeste zotin Trump ka qenë një kalë hobi për disa nga mbështetësit e presidentit. Republikanët prej kohësh kanë synuar veçanërisht idenë se Kremlini favorizonte zotin Trump, duke argumentuar në vend të kësaj se Rusia thjesht po përpiqej të mbillte kaos ose të minonte institucionet demokratike.

Sulmet ndaj dokumenteve janë intensifikuar në javët e fundit, pasi së pari CIA dhe më pas zyra e znj. Gabbard kanë ngritur pyetje në lidhje me këtë përpjekje.

Rishikimet dypartiake të Senatit kanë vërtetuar punën e CIA-s në vitin 2016, dhe John H. Durham, një prokuror special i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm William P. Barr gjatë mandatit të parë të zotit Trump, gjithashtu nuk arriti të gjejë ndonjë provë që dëmton përfundimet e agjencive të inteligjencës. Ndërsa mbështetësit republikanë të zotit Trump e kritikuan vlerësimin gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump e përqendroi pjesën më të madhe të zemërimit të tij te Robert S. Mueller III, ish-drejtori i FBI-së i emëruar për të hetuar çdo lidhje midis fushatës së Trump dhe zyrtarëve rusë.

Që nga rikthimi i zotit Trump në detyrë, CIA dhe znj. Gabbard janë përpjekur të mbjellin dyshime rreth vlerësimit. Znj. Gabbard ka pohuar se puna e inteligjencës në vitin 2016 nuk ishte vetëm e gabuar, por gjithashtu përbënte një konspiracion kundër zotit Trump.

Të premten, znj. Gabbard lëshoi një raport që ajo tha se ekspozoi një “konspiracion tradhtar”, duke pretenduar se zyrtarë të lartë të administratës Obama kishin ushtruar presion mbi komitetin e inteligjencës për ta ndryshuar atë.

Nga këndvështrimi i demokratëve dhe analistëve liberalë, këto akuza përfaqësojnë një përpjekje të rrezikshme për të shënjestruar politikisht kundërshtarët dhe për të rishkruar të kaluarën. Ata argumentojnë se hetimi mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 ishte i justifikuar dhe i bazuar në të dhëna reale të mbledhura nga komuniteti i inteligjencës amerikane. Raporti i Robert Muellerit, si dhe konkluzionet e komitetit të Senatit të udhëhequr nga republikanë, konfirmuan se Rusia ndërhyri në mënyrë të koordinuar për të ndihmuar Donald Trump.

Në këtë dritë, reagimi i Obamës vjen si një përpjekje për të mbrojtur integritetin e institucioneve dhe për të vënë në dukje rrezikun që paraqet normalizimi i hakmarrjes politike. “Ish-presidenti Obama nuk ka qenë kurrë i përfshirë në asnjë përpjekje për të minuar zgjedhjet ose për të fabrikuar prova,” thuhej në deklaratën e tij, duke e quajtur përpjekjen për ta bërë atë subjekt të hetimeve penale një “akt të ulët politik”.

Por, nga ana tjetër, përkrahësit e Trump dhe shumë komentues konservatorë argumentojnë se hetimi ndaj Trumpit që nga viti 2016 ishte i motivuar politikisht dhe se ka pasur një bashkërendim mes elementëve të lartë të FBI-së dhe zyrtarëve të administratës Obama për të përdorur inteligjencën si mjet për të dëmtuar një kandidat presidencial të opozitës. Raporti Durham, megjithëse nuk solli akuza të reja madhore, ngriti pikëpyetje serioze mbi vendimet fillestare të FBI-së dhe përdorimin e dosjes Steele – një dokument i financuar pjesërisht nga fushata e Hillary Clinton – për të hapur hetimin “Crossfire Hurricane”.

Ky raport u interpretua nga kampi konservator si një dëshmi se disa segmente të aparatit shtetëror ishin vendosur kundër një kandidati dhe më pas presidenti në detyrë, çka për ta përbën një shkelje të rëndë të parimeve të paanshmërisë institucionale. Trump ka përdorur këto gjetje për të forcuar narrativën e tij të “shtetit të thellë” dhe për të kërkuar drejtësi në formën e ndjekjeve penale ndaj atyre që ai i sheh si përgjegjës.

Kjo përplasje nuk është më një debat mbi faktet e vitit 2016, por një konflikt mbi interpretimin e tyre dhe përdorimin e drejtësisë në politikën amerikane. Njëra palë paralajmëron për rreziqet e autoritarizmit dhe personalizimit të drejtësisë; pala tjetër ngre shqetësimin se një kandidat presidencial u bë shënjestër e aparatit shtetëror para se të vinte në pushtet.

Në këtë sfond të polarizuar, reagimi i Obamës shihet nga demokratët si një mbrojtje e institucioneve dhe e reputacionit personal; për republikanët, kjo është një përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia e mundshme morale ose institucionale për vendime të diskutueshme të administratës së tij dhe akuzat e rreme “Rusia, Rusia, Rusia”.

Përtej emrave dhe partive, mbetet pyetja thelbësore: a po shndërrohet drejtësia në një mjet për të rregulluar hesapet politike në Shtetet e Bashkuara? Nëse kështu, atëherë demokracia amerikane po përjeton një kthesë të rrezikshme, ku jo vetëm e shkuara, por edhe e ardhmja e saj do të vendoset jo më në kutitë e votimit, por në salla gjyqesh të politizuara.

Megjithatë pyetja ngelet, kush e nisi i pari? Sidomos, tani që letrat janë të hapura.

Filed Under: Analiza

SIGURIA DHE LUFTA HIBRIDE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

July 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Në dekadën e fundit, Ballkani Perëndimor është shndërruar në një arenë sfidash të thella të sigurisë, ku lufta hibride ka kaluar nga një nocion teorik në një realitet konkret dhe determinues për stabilitetin e rajonit. Aktorët kryesorë të këtij fenomeni janë Rusia dhe Serbia, të cilat përmes strategjive të hartuara dhe të koordinuara synojnë të destabilizojnë mekanizmat shtetërorë, të pengojnë proceset euroatlantike dhe të imponojnë vizionin e tyre hegjemonist në hapësirat post‑jugosllave.

Fenomeni i ashtuquajtur “bota serbe” është kthyer nga retorikë historike në një projekt politik dhe operativ, i përkrahur nga instrumentet hibride të Rusisë, që sot kërcënon jo vetëm shtetet individuale të rajonit – si Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – por edhe gjithë sistemin e sigurisë evropiane. Nuk kemi të bëjmë me një konflikt të hapur klasik, por me ndërhyrje të ndërlikuara informative, struktura të fshehta, krim të organizuar, dezinformim, infiltrime në institucione, presion diplomatik dhe operacione speciale të padukshme; pra, një front të ri betejash të papara më parë në Ballkan.

1. Përkufizimi i luftës hibride

Lufta hibride është një strategji konflikti që përfshin kombinimin e mjeteve konvencionale dhe jokonvencionale, akteve të dhunës, luftës informative, presionit ekonomik, ndërhyrjes në institucione, sabotimeve kibernetike dhe krimit të organizuar, me qëllim asgjësimin ose dobësimin e sovranitetit dhe integritetit të shteteve objektiv. Ky koncept u kodifikua që në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000 në literaturën perëndimore, ndërsa Rusia e ka institucionalizuar pas vitit 2014 si thelb të doktrinës së saj të sigurisë.

1.1 Lufta ku armikun e njohim, por nuk e shohim

Ky është thelbi i doktrinës hibride: aktori agresor shfaqet me një “fytyrë të padukshme”. Shumë operacione realizohen në “zonën gri” mes luftës dhe paqes, duke përdorur metoda që shmangin konfrontimin e drejtpërdrejtë ushtarak dhe arrijnë objektivat strategjike pa kaluar pragun klasik të luftës së hapur. Kjo përfshin:

• Operacione psikologjike, dezinformim dhe ndarje të opinionit publik;

• Sabotim të infrastrukturave, sulme kibernetike dhe ndërhyrje në zgjedhje;

• Infiltrim të rrjeteve kriminale dhe paramilitare në strukturat kyçe të institucioneve shtetërore;

• Mbështetje të protestave ose lëvizjeve opozitare për të krijuar paqëndrueshmëri sociale dhe politike.

2. Sistematika dhe Manifestimi i Ofensivës së Luftës Hibride Ruso‑Serbe

Ofensiva hibride ruso‑serbe është sistematizuar në këto mekanizma kryesorë:

• Dezinformim dhe manipulim mediatik: përhapje narrativesh pro‑serbe/pro‑ruse, që synojnë de‑legjitimimin e qeverive properëndimore dhe krijimin e klimës së mosbesimit në publik.

• Sulmet kibernetike: caktimi i objekteve kyçe shtetërore dhe publike për paralizimin e infrastrukturës, komprometimin e të dhënave dhe ndërprerjen e shërbimeve.

• Inxhinieria demografike, shoqërore dhe juridike: përmes ndryshimeve ligjore për shtetësinë dhe manipulimit të censuseve, synohet ndryshimi i peshës së komuniteteve serbe nga pozita minoritare në faktorë përcaktues lokalë.

• Krimi i organizuar si instrument politik: bashkëpunimi me rrjetet rajonale të trafiqeve të paligjshme për të financuar operacionet hibride dhe për të dobësuar institucionet vendore.

• Politizimi i identitetit dhe instrumentalizimi i miteve historike: promovimi i projektit “bota serbe”, mitizimi i figurave dhe datave historike për legjitimimin e ndërhyrjeve politike dhe territoriale.

3. Aktivitetet e Luftës Hibride Serbo‑Ruse në Ballkanin Perëndimor

Kosovë

• Sabotim i institucioneve, pengim i formimit të qeverisë dhe provokim i krizave politike, sidomos në veri.

• Demonstrime të forcës përmes protestave nacionaliste, akte të armatosura kundër sigurisë publike dhe institucioneve ndërkombëtare.

• Organizim i akteve terroriste (si sulmi në Banjskë) dhe sabotim i infrastrukturës kritike.

• Infiltrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorët e sigurisë, ngritje të rrjeteve të spiunazhit.

• Sulme kibernetike të përsëritura dhe pengim i proceseve të rëndësishme institucionale.

Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, lufta hibride shfaqet në disa forma të ndërlidhura:

• Dezinformata dhe manipulim politik: Përhapja e narrativesh të rreme për identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, për të nxitur tensione dhe për të favorizuar bllokimin e integrimit evropian.

• Kriza politike dhe instrumentalizim institucional: Polarizimi i skenës politike përdoret për të vonuar reformat dhe për të komprometuar proceset euroatlantike.

• Lidhje të drejtpërdrejta me qarqe serbe dhe ruse: Raporti i Parlamentit Evropian (Neni 35) shprehu shqetësim se disa përfaqësues të qeverisë kanë marrë pjesë në takime që promovojnë konceptin e “botës serbe”. Veçanërisht, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq mori pjesë në Samitin e 11‑të të Sigurisë në Moskë së bashku me Aleksandar Vulin, Ivica Daçiq dhe Milorad Dodik, duke përdorur terminologji të Beogradit për Kosovën dhe duke refuzuar të marrë pjesë në mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës.

• Promovim i figurave anti‑perëndimore: Ftesa e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, në Teatrin Kombëtar Maqedonas në janar – ku u artikuluan mesazhe anti‑NATO dhe anti‑BE – u kritikua gjerësisht si akt që minon orientimin strategjik të vendit.

Këto zhvillime tregojnë se Maqedonia e Veriut është një target i përhershëm i luftës hibride, ku kombinimi i dezinformimit, infiltrimit politik dhe presionit diplomatik synon ta mbajë vendin në një gjendje pasigurie dhe fragmentimi të brendshëm.

Shqipëri

• Operacione të avancuara kibernetike mbi sistemet qeveritare dhe kritike, me qëllim pengimin e shërbimeve.

• Mbështetje e rrjeteve të korrupsionit dhe trafiqeve që minojnë stabilitetin institucional.

• Dezinformim dhe propagandë kundër kursit euroatlantik për të dobësuar narrativën properëndimore.

Mali i Zi

• Instrumentalizimi i “shtetësisë së dyfishtë” për të prodhuar ndryshime demografike që projektojnë potenciale referendume pro‑serbe.

• Infiltrim në komunitetin serb, manipulim i shoqatave fetare dhe kulturore për të thelluar ndasitë etnike.

• Sulme të përsëritura ndaj infrastrukturës shtetërore dhe institucioneve të sigurisë.

Bosnjë dhe Hercegovina

• Mbështetje e hapur politike e secesionizmit të Republika Srpska, bllokim funksionimi të institucioneve të përbashkëta shtetërore.

• Përhapje e propagandës destabilizuese, pengesë e reformave dhe përdorim i rrjeteve kriminale për financim të aktiviteteve të ndarjes.

4. Vlerësimi i Sfidave për Sigurinë Rajonale

• Polarizimi dhe fragmentimi shoqëror: Thellimi i ndarjeve ndëretnike përforcon dobësinë e kohezionit social, duke krijuar terren të përshtatshëm për interferencë të aktorëve të jashtëm.

• Dobësitë institucionale: Krizat politike të prodhuara qëllimisht bllokojnë reformat, pengojnë integrimin dhe shtojnë hapësirën për rritje të ndikimit ruso‑serb.

• Rreziku i humbjes së sovranitetit: Shtetet bëhen gjithnjë e më të varura nga axhenda të jashtme për shkak të infiltrimeve institucionale, ekonomike dhe informative.

• Krijimi i “zonave gri”: Humbja e kontrollit të efektshëm teritorial dhe institucional i jep avantazh grupimeve përcaktuese dhe dëmton besueshmërinë euroatlantike të rajonit.

Përfundim

Lufta hibride ruso‑serbe në Ballkanin Perëndimor nuk përbën më vetëm një kërcënim potencial, por është tashmë një realitet i institucionalizuar. Kjo strategji synon jo vetëm bllokimin e proceseve euroatlantike, por edhe fragmentarizimin e rajonit përmes taktikave të shumëfishta të manipulimit dhe destabilizimit, që zbehin themelet e shtetësisë, sovranitetit, unitetit qytetar dhe stabilitetit demokratik të Ballkanit.^1,2,3,4

Rekomandime

• Të intensifikohet bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të inteligjencës dhe koordinimit të politikave të sigurisë.^1

• Forcimi i kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe digjitale, rritja e transparencës institucionale dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik.^2,4

• Ndërtimi i një narrative gjithëpërfshirëse qytetare dhe promovimi i mediave të pavarura kundër propagandës destabilizuese.^2,3

• Zbatimi rigoroz i ligjeve kundër krimit të organizuar dhe financimit të jashtëm të lëvizjeve politike.^5

• Bashkëpunim më i ngushtë me BE‑në dhe NATO‑n për të garantuar integritetin e proceseve të sigurisë rajonale dhe për neutralizimin e “zonave gri”.

Literatura e shfrytëzuar

• Journal of Liberty and International Affairs, Scopus indexed, https://e-jlia.com/index.php/jlia

• Sovremena makedonska odbrana, Revista shkencore ndërkombëtare, Ministria e Mbrojtjes së RMV

• Studimet dhe raportet e Hotopus për luftën hibride në Mal të Zi, 2024

• Prof. Dr. Muhamet Racaj, “Lufta ku armikun e njohim por nuk e shofim – Lufta Hibride”, Gazeta Bota sot, 16 prill 2020

• Dokumentet strategjike të institucioneve ndërkombëtare për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

• Përmbledhje dhe udhëzime akademike për përgatitjen e punimeve shkencore, 2025

Fusnotat

• Shiko Journal of Liberty and International Affairs (2024), https://e-jlia.com/index.php/jlia

• Sovremena makedonska odbrana, 2024; Hotopus, 2024

• Ndikimi i politikave të shtetësisë së dyfishtë dhe inxhinierisë demografike: Hotopus, 2024

• Prof. Dr. Muhamet Racaj, “Lufta ku armikun e njohim por nuk e shofim – Lufta Hibride”, Gazeta Bota sot, 16 prill 2020

• Rrjetet kriminale dhe instrumentet hibride në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë: Sovremena makedonska odbrana, 2024; Hotopus, 2024

Filed Under: Analiza

Narrativa që legjitimoi viktimizimin serb

July 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në narrativën dominuese të ish-udhëheqjes komuniste në Kosovë, përgjegjësia për të gjitha të këqijat që ndodhën gjatë periudhës së Jugosllavisë u atribuohej elitës komuniste serbe dhe jugosllave, ndërsa çdo zhvillim pozitiv i atribuohej vetë kësaj elite lokale. Megjithatë, një lexim i kujdesshëm i burimeve të kohës – si për shembull gazeta e datës 30 qershor 1981 – tregon se kuadrot politike kosovare kanë marrë pjesë aktive në legjitimimin e ndryshimeve kushtetuese që më pas ndihmuan në suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në një mbledhje të përbashkët të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, u shpreh përkrahje unanime ndaj propozimeve për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e RSFJ-së dhe të Republikës së Serbisë. Nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Nebih Gashi, deklaronte:

“Punonjësit dhe qytetarët e Kosovës unanimisht përkrahin këto ndryshime, me çka vërtetohet fakti se iniciativa e shokut Tito është jo vetëm e arsyeshme, por edhe rruga jonë për zhvillimin dhe begatimin e mëtejshëm të përmbajtjes së sistemit politik dhe zhvillimit të vetëqeverisjes në të gjitha sferat e jetës publike dhe shoqërore. Forcat kundërrevolucionare të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar nuk ia dolën ta shkatërrojnë rregullimin kushtetues të Jugosllavisë”.

Një pasqyrë e shtypit të vitit 1981 e bën të qartë se ajo ishte një periudhë e rëndë represioni dhe fushatash të egra antishqiptare. Për mendimin tim, diskursi i elitës komuniste të atëhershme ka prodhuar dy pasoja tragjike:

Legjitimimi i narrativës hegjemoniste serbe, e cila e paraqiti Kosovën si një vatër destabiliteti dhe kësisoj justifikoi represionin si “masë parandaluese”.

Ndihmoi Serbinë të krijonte terrenin politik dhe juridik për suprimimin e autonomisë së Kosovës, duke e paraqitur këtë si një “reformë” legjitime kushtetuese e jo si dhunim të të drejtave të shqiptarëve.

Elita politike kosovare e asaj kohe jo vetëm që nuk e kundërshtoi narrativën jugosllave, por shpesh e legjitimoi atë me zell. Është koha të ballafaqohemi me të kaluarën pa iluzione – sepse vetëm e vërteta na bën të lirë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT