• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STOLTENBERG: NATO PO I PËRCJELLË ME KUJDES ZHVILLIMET NË SHQIPËRI

May 4, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Antarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior NATO, me të drejtë konsiderohet si arrijtja më e madhe e Shqipërisë në këtë çerek shekulli, në përpjekjet dhe hapat e sajë të mundimshëm për t’u bërë pjesë e integrimeve euro-atlantike.  Në të vërtetë, në një shkrim muajin që kaloi, me rastin e 8-vjetorit, e kisha cilësuar antarësimin e Shqipërisë në NATO, si një pikë të shkëlqyer të historisë post-komuniste të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Ndër të tjera, në atë shkrim kam cituar ish-presidentin Xhorxh Bush i cili ka thënë me rastin e pranimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, prillin e vitit 2009. “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën këthetrat e komunizmit”.  Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se menjëherë pasi Shqipëria të bëhej zyrtarisht anëtare e NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), të jetë e sigurt se nëqoftse ndonjë shtet kërcënon sigurinë e saj, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë saj, për t’a mbështetur.  Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Jaap de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast, antarësimin e Shqipërisë në aleancën perndimore si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës.

Gjëndja aktuale politike në Shqipëri sot është ajo që është dhe do të ishte e tepërt të komentohet më, pasi sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të opozitës dhe pozitës, si dhe analistëve në vend – nga mosmarrveshjet politike midis dy partive kryesore të vendit – Shqipëria është bërë turpi i Evropës dhe i NATO-s, si vend anëtar i së cilës është Shqipëria.  Duket se kjo klasë politike po e çon vendin drejtë një kërcënimi të sigurisë së vendit. Jo se kjo situatë po shkaktohet nga ndonjë fuqi e jashtme, por nga vet forcat e mbrendshme, të cilat në rend të parë janë përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe për mirëqenjën e të gjithë shqiptarëve.

Konfliktet politike në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit politik midis palëve për t’i zgjidhur ato, kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e politkanëve evropianë — të cilët dështuan kohët e fundit dështuan në ndërmjetësimin e tyre midis palëve shqiptare — por edhe të organizatës NATO, e cila nepërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Stoltenberg shprehu shqetësimin në lidhje me gjëndjen e krijuar në Shqipëri. Të mërkurën, duke folur para Komisionit të Punëve të Jashtme dhe nën-Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian, Z. Stoltenberg citohet në media të ketë thënë se Aleanca e Atlantikut Verior po i ndjekë me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe se do të dëshironte që problemet politike midis partive politike dhe udhëheqsëve të tyre në Shqipëri të zgjidhen midis tyre, dhe në institucionet e vendit. “Kjo do të thotë se dëshirojmë që atje të zgjidhen problemet politike dhe të përfundojë bojkoti në Parlament” citohet të jetë shprehur Z. Stoltenberg në Parlamentin Evropian, “pasi Shqipëria është aleate e NATO-s, të cilën e çmojmë veçanërisht”, ka thënë ai.

Fatkeqsisht, duket se institucionet më të larta euro-atlantike dhe miqët e Shqipërisë po humbasin durimin dhe shpresat se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, në vend që të prodhojë siguri e stabilitet të mbrendshëm dhe të jashtëm, nëqoftse vazhdohet kështu dhe nëqoftse nuk arrihet ndonjë marrëveshje e shpejt politike midis palëve, ajo është në rrugën e de-stabilitetit të saj politik.   Shqipëria qe pranuar në NATO me besimin se ajo do të ishte stabile, sidomos të kishte stabilitet politik, një kusht ky për të gjitha vendet anëtare dhe për ato që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s.  Duket se antarësimi i Shqipërisë në NATO qe pranuar më shumë duke shpresuar në vullnetin e mirë të politikanëve shqiptarë për ndryshime politike në Shqipëri se sa në realitetin politik të vendit, 8-vjetë më parë.   Është fatkqesi që edhe sot pas 8-vjetë antarësimi në NATO, Shqipëria gjithnjë përballet me mos-vullnetin politik nga pozita dhe opozita, për të zgjidhur sfidat serioze me të cilat përballet vendi, përfshirë korrupcionin, reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike.  Shtoju këtyre problemeve gjëndjen aktuale politike, mos tolerancën ndaj njëri tjetrit dhe mos vullnetin për dialog serioz politik–   si rezultat pastaj ke para vetes krijimin e mundshëm të një situate të tmershme me pasoja të pa parashikueshme.  Sjellje të tilla nga kjo klasë politike nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s, e për më tepër nuk u kanë hije shqiptarëve!

Për më tepër është një gjëndje e rrezikshme që Zot ruajna, po të dalë  jashtë dore, pret që të përdoret nga infleunca dhe forca të huaja anti-perëndimore, për objektivat e tyre qëllim këqia për rajonin, dhe për nga natyra historike, edhe anti-shqiptare.  Mezi presin që forcat e mbrendshme politike shqiptare t’ua përgatisin terrenin për veprim!  Të mërkurën u takuan në Soçi të Rusisë, Presidenti rus Putin dhe Presidenti turk, Erdogan.  Z. Erdogan u shpreh për takimin e tij me udhëheqsin rus se të dy palët, “Kanë një rast të mirë për të biseduar mbi çështjet bilaterale dhe ato rajonale.”  Kemi një punë serioze mbi supet tona”, u shpreh udhpëheqsi turk, duke shtuar se kemi “Një përgjegjësi tepër të madhe.  Jam i sigurt se masat që do të marrim së bashku (me Putinin) do të ndryshojnë fatin e mbarë rajonit”, u shpreh Presidenti Erdogan.  Ndërsa Presidenti rus, Putin u shpreh se marrëdhëniet ruso-turke po marrin një “status të veçant”.  “Është shumë mirë që kemi këtë takim zyrtar për të biseduar çështjet kryesore në marrëdhëniet tona dhe për të diskutuar çështjet ndërkombëtare. “Vet fakti se ne po bashkpunojmë, tregon se marrëdhënjet ruso-turke po marrin një karakter të veçant…”, është shprehut udhëheqsi rus për takimin e tij me Presidentin turk. Mbetet për tu parë nëse këto deklarata ishin kërcënime a po premtime.  Ndërkaq, media ruse ka brohoritur takimet e fundit midis Presidentit Putin dhe Presidentit Erdogan, si shënja serioze se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë janë duke u përshkuar nga ndryshime që cilësohen si sizmike, e që mund të ndodhin vetëm në një gjeneratë.

Lëvizjeve putinisto-erdoganiste në fushën ndërkombëtare dhe sidomos në politikën rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet tu kushtohet vëmëndje e posaçme dhe të mos u jepet mundësi veprimi në ujërat e turbullta të Ballkanit.  Shqetësimi ndaj influencës së këtyre dy autokratëve në punët e Ballkanit është shprehur nga nivelet më të larta të botës perëndimore.  Edhe vërejtja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg për gjëndjen aktuale në Shqipëri duhet të merret gjithashtu seriozisht dhe në këtë kontekst.

Është e vështirë të merret me mend që një udhëheqës i NATO-s të shpreh shqetësim mbi konfliktet e mbrendshme politike të një vendi anëtar, pasi NATO ekziston për të mbrojtur vendet anëtare nga ndonjë sulm i jashtëm e jo nga trazirat e mbrendshme që mund të shkaktohen nga vet klasa politike, e cila si përgjegjësi të parë të sajën ka ruajtjen e stabilitetit të vendit, mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e popullit të vet. NATO si organizatë shumëkombshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrveshjeve dhe konflikteve në radhët e saj por rri larg konflikteve të mbrendshme të vendeve anëtare.  Është e nevojshme që klasa e sotëme politike e Shqipërisë, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO – t’a pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti, po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve? Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten gjithashtu, a janë sjelljet e politikës shqiptare standarde të NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standard që të çojnë drejtë të integrimeve në organizmat tjera euro-atlantike, siç është Bashkimi Evropian, pjesëtare e të cilit shpreson të bëhet Shqipëria?

Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë politike midis pozitës dhe opozitës shqiptare në Tiranë, mendoj se kështu nuk mund të shkohet më dhe besoj se është përgjegjësi e Presidentit në detyrë dhe Presidentit të posa zgjedhur të vendit të ndërhyjnë, së bashku dhe urgjentisht, me palët për t’i dhënë fund këtij cirku të rrezikshëm politik, për të shpëtuar vendin nga ndonjë e papritur. Parë nga kjo anë e Atlantikut, me zgjatjen e gjëndjes aktuale, po kalon koha për mënjanimin e një krize të pareparueshme në institucionet politike të vendit!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NATO, Stltenberg, zhvillimet ne Shqiperi

Kohë sfidash

May 3, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në Shqipëri dialogu politik zhvillohet me tekste mesazhesh në telefona. Nga ky apo ai, persona që i rrinë pranë njëshit. Deri editore webesh etj. Analistë studiosh. A sipërmarrës që u trëmben lëvizjeve për shkak të planeve afatgjata që kanë bërë. Ndaj ky i sotshmi ishte i pari. Ai njerëzori, larg rrymave. Apo hamendësimeve mediatike. Të cilat këto ditë ishin një vorbull e tërë. Sikur ky ballë për balli, të kishte nisur më herët. Kaosi social do kishte vdekur me kohë. Ndofta edhe ata 350 mijë njerëz që kanë aplikuar për LLotarinë amerikane do i prisnin me indeferencë rezultatet e para … Këto të sotshmet.

Por nuk ka ndodhur asnjëherë kështu.

Megjithatë në këtë pike vlimi, sfida është e dy kahëshme. Sikur PS-ja të pranojë qeverinë teknike. Dhe nuk ka asgjë të tmerrshme. Aq më tepër në fund të mandatit. Një fushatë me lista të pastra etj. Nën mbikyqerjen e një asnjanjësi. Me projektet politike të nisura dhe ato panisura etj. Nuk ka asgjë. Sfidat politike janë më se normale në kohën e sotme.

Sapo e bëri Renzi në Itali. Po ndodh në Francë, Angli etj. Vetëm ne dhe Maqedonia e Ivanovit nuk i pranon.

Nuk ka asgjë. Nisur edhe nga koncepti politik bashkëkohor sot, që pushteti nuk është i përjetshëm.

Sikur ta pranojë, kjo do i shërbente jo vetëm PS por edhe kulturës politike shqiptare. Që deri më sot i ngjan një grazhdareje. Me një shosh të madh në krye. Ku të gjithë kalojnë në site. Vetëm emra si Ruçi, Braho, Braçe etj. Jo. Kanë kokë të madhe. Kurse të tjerët i kalojnë kollaj vrimat e sites. Vinë, kandidojnë, nuk flasin. Dhe shqelmin bythëve. Megjithëse dikush mund të thojë se sites i shpëtuan Dade, Leskaj, Dokle…, prapë nuk është qarkullim. Të tërë këta kishin mbetur fasada. Dhe soji i asaj rrace shqiptare që mjafton që shënoje emrin diku. Edhe kaq.

Por Edi Rama duket se nuk ka ndërmend ta bëj. Edhe pse ka yshtur një ushtri të tërë informimesh si do qejfi. Duke e ditur fare mire që bota internetit është një komunikim pa kufij. Dhe përpara se tij, gjithë këta senator që vijnë e shkojnë, janë po aq virtuoz sa edhe ai në Fejsbukk, Tuiter etj. Janë aty… madje ironik me deklaratat e Webeve shqiptare. Sa sot e kanë bindje se, që të bëhet miza buall, thonë çojeni në grazhdaren e shqiptarëve. Me siguri aty hormonet janë dopio aktive. Dhe rezultatet të magjishme.

Po sfida më e madhe qëndron tek PD-ja.

Nga 18 shkurti e këtej. Sidomos pas kësaj tentativës për ta kthyer në një kujtim të politikës shqiptare. Duhet ta mbyllin në zhgunin e një vendimi të patjetërsueshëm. Atë të qeverisë teknike dhe garancinë e zgjedhjeve të lira.

Asnjë reformë nuk fillon pa këto.

Eshtë një sfidë e vërtetë për ‘të, pasi gjatë këtyre katër viteve. Ka treguar jo forcën reale të një opozite kaq të domosdoshme për vendin. Ndofta për shkak të atyre bërrylave dhe mëndesive anti riciklim. Pasi nëse PD-ja do kish bërë opozitë, a protestuar, me fytyra të tjera. Nuk do ia kishte dhënë këtë komoditet pikturash e librash sojit të Edi Ramës. A peshqesh shtetit të shqiptarëve, ngritja e së cilit po kalon në një tranzicion të tejzgjatur. Në një mishmash vrasjesh, rryshfetesh, përqindje tenderash. Dhe mbivendosje pronash në një ekonomi tregu pa asnjë standart. Ndofta është edhe kjo një nga arsyet që kanabisi është bërë çështje e të gjithë popullit.

Por rigjenerimi është një hall më vete tek ne.

Dhe këtë nuk po e vuan vetëm PD-ja.

Megjithatë kjo sfidë pa kthim, pa pranim kushtesh të zbutura.

Apo shmangia totale nga pushteti në tavolinë. Motoja pushtet për qytetarin, jo për vete. Tregoi se PD-ja prodhoi një lider të ri. Do ishte mëkat të vazhdonte me koraca të tipit Fahri Balliu.

Dhe nëse do të qëndrojë aty…, këto orë ethesh të ndërsjellash. Në vendimin e saj. Do i siguroj shqiptare pragnisjen e një demokracie bashkëkohore. E kundërta, do jemi akoma në tranzicion. Akoma në pushtetit e Braçeve dhe Ballinjëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Kohë sfidash

Ndërtimet me leje

May 3, 2017 by dgreca

“Nuk ka ligj apo projekt në rruzullin tokësor që do të më detyron të punoi gabimisht,nëse i  respektoi të gjitha ligjet aktuale në shtetin tim, normat e standardet ndërkombëtare të fushë së ndërtimit”/

Nga  arch. Ylber Vokshi -Ylli/*

Prishtine- 3 Maj 2017- Nuk e di sa ia vlen të potencohet prapë, por për një gjë jam i sigurt se pas tërë asaj që ka ndodhur në fushën e urbanistikës dhe në tërësi në fushën  të ndërtimit në Kosovë në shekullin e ri 21,do të jenë shumë të vështira rehabilitimet urbane dhe kthimi drejtë respektimit të ligjeve,normave standardeve dhe rregullave teknike të cilat i kërkon urbanistika e vendbanimeve tona,të cilat dikur kanë ekzistuar. Sa i përket planifikimit hapësinorë, me mos punën tonë, i treguam tërë botës se jemi shumë larg zbatimit të atyre principeve dhe synimeve tona si shtet i ri.

Trajtimi i kësaj problematike sot po e tregon një të vërtetë dëshpëruese të pritur, se keqpërdorimet e mëdha me territorin dhe hapësirën e Kosovës janë të mëdha dhe në shumicën e rasteve të pa riparueshme. Gjithsesi do të ketë pasoja të mëdha  në të ardhmen e jonë për gjeneratat e reja, duhet të jemi të detyruar të jetojmë në një mjedis ku kualiteti i jetës urbane është ekstrem i varfër, i cili fare nuk po i pengon askujt. Ky popull si duket është pajtuar me detyrimin për të jetuar kështu, ku kushtet për një jetë të dinjitetshme urbane dhe rurale mungojnë, përndryshe do të kishte reagime pakënaqësie së paku nga banorët e vjetër rezident.

E tërë kjo situatë e krijuar urbane me degradime të mëdha të territorit dhe tërë hapësirës që na rrethon është e pa mundur të sanohet apo të stabilizohet, pa turbulenca të mëdha, që u diskutuan në një emision televiziv që e trajtoi këtë problematikë, vetëm në kryeqytetin e Kosovës Prishtinën. Aspak ma e mirë nuk është situata hapësinore dhe urbane as në qytetet tjetër të Kosovës, si rezultat i veprimeve të Komunave tona si dhe lejimit të këtyre veprimeve nga ana e pushtetit qendror, gjegjësisht Qeveris dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Mos respektimi i disa rregullave të një jete të përbashkët urbane e ka krijuar një situatë të pa lakmueshme, në të cilën të gjithë ne,qytetarët e thjeshtë, që jemi të detyruar të jetojmë në këto hapësira, do të jemi humbës të mëdhenj.

Thelbi i problemit janë veprimet dhe mos veprimet e organeve ekzekutive shtetërore (MMPH dhe Komunat) të cilat që nga viti 2004 (para 13 vite) kanë qenë të obliguara të rifreskojnë apo të bëjnë aktet nënligjore të reja, ku do të definoheshin të gjitha elementet e duhura për projektim dhe zbatim të planeve hapësinore dhe urbane në nivel Qendror dhe Komunal. Ato akte nënligjore duhej të ishin të harmonizuara mes veti me kërkesat reale teknike që kërkohen me elaboratet e evakuimit të objekteve dhe tërësive urbane, në rastet e fatkeqësive të ndryshme si natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, si vërshimet ,tërmetet,erërat e forta,zjarri,zhurma-akustika urbane etj. E jo ti kemi të shpërndara nëpër ligje dhe rregullore sektoriale të kopjuara keq nga të tjerët që në skajshmëri vështirëson zbatimin e tyre në realitet.

Kjo edhe duhej të ishte një nga detyrat e saja kryesore të Ministrisë,të monitoroi dhe të ndërhyjë, në rastet kur pushteti lokal nuk i respekton ligjet,normat dhe standardet e ndërtimit të ndërlidhura me,strategjitë,parimet, objektivat dhe politikat e definuar paraprakisht të Ministrisë,gjegjësisht të Qeveris së Kosovës. Edhe përpara kjo Ministri  prej se ekziston ajo nga viti 2002,ka pasur intervenime të rralla sporadike të ndërlidhura me interesa individuale,klanore,grupeve të caktuara të interesit si dhe aso të partive politike. Asnjë herë nuk ka qenë parimisht primare monitorimi,mbrojtja dhe zhvillimi i territorit të shtetit,që duhej të ishte detyrë kryesore e këtij dikasteri qeveritar.

Tek pas17 vite në korrik 2016 ma në fund u propozua një udhëzim administrativ mbi normat teknike të planifikimit hapësinorë. Ajo punë nuk u realizua deri me tani në tërësi çka iu mundësoi keqbërësve të shumtë që këto vite të abuzojnë me hapësirën dhe tokën urbane në stilin “kjo është prona ime,ajo është e shenjët dhe mundem të bëjë çka dua me te ”,duke mos respektuar së paku kodin etik të jetës së përbashkët urbane në një vendbanim-qytet. E tërë kjo situatë u mundësua fal mos veprimit të qëllimshëm  të pushtetit qendror (Qeverive të pasluftës) dhe ati lokal (Komunave).

I tmerrshëm ishte fakti se si për situatën krijuar urbane në Prishtinë asnjëra nga palët e akuzuara nuk  e konsideronte veten fajtore, edhe se përfaqësuesit e banorëve të lagjes ”Mati 1“ me të dhëna faktike e argumentonin situatën e krijuar aty,me abuzime të mëdha me procedurën e ndryshimit të planit rregullues në vitin 2011. Duhet të jemi realist të parandalojmë dukuritë e jo të merremi me pasojat, si po kërkohet nga banorët në rastin konkret, pasi nuk jemi shoqëri e pasur të ia lejojmë vetes një komoditet të tillë i cili kushton shumë.

Një e dhënë që u bë publike në emision nga drejtori i urbanizmit të KK Prishtinës është tepër shqetësuese, se si kanë vepruar asamblistët e Kuvendi Komunal të Prishtinës,me refuzimin 6 herë të revidimit të planit rregullues të mu kësaj zone “Mati 1”. Ata me vetëdije me qellim apo pa qellim kanë kontribuar në krijimin e kësaj situate konfuze, ku humbësit ma të mëdhenj po rezultojnë banorët të cilët janë detyruar të blejnë apo ti shfrytëzojnë këto objekte dhe hapësira të ndërtuara.

Sipas nenit 26 pika 7 të LPH nr 04/L-174 të vitit 2013 citoi “ Dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor, të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi derisa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji “ qartë shpjegohet se planet rregulluese urbane ekzistueset ende janë në fuqi dhe lejohet revidimi I tyre. E tëra tani është e qartë se çka fshihet pas kësaj tendence shkatërrimtare të asamblistëve komunal, pasi niveli qendror ende nuk e ka përpiluar Hartën Zonale të Kosovës me të cilën duhet të jenë në harmoni Hartat Zonale të Komunave.

Reagimet e Ministrisë në ankesat e qytetarëve në stilin “lidhur me këtë çështje ti drejtohet instancave tjera” pa i precizuar shkaktarët, vetëm ka krijuar konfuzione në shumë raste. Aspak nuk është e vërtetë që problemet e shumta të krijuara munden të zgjidhen me “Harta Zonale”, të cilat janë vetëm një dokument hapësinor dhe urban, shumë ma detal dhe i avancuar për të cilin duhen përgatitje profesionale. Duke u bazuar në infrastrukturën dhe pajisjet teknike si dhe kapacitetet profesionale nëpër komunat tona,me përjashtime të vogla, është i pa zbatueshëm.

Si duket Ministria ka pasur të vetmin qellim,me krijuar konfuzion edhe ma të madh me aprovimin e Ligjit të ri për Planifikim Hapësinor 2013,thua se nuk ju mjaftuan ato vitet e pas luftës ,ku me qellim nuk u respektua asnjë normativ apo standard, në fushën e ndërtimit. E nëse është ashtu, qëllimi është arritur pasi që katër vjet kjo fushë është tërësisht jo funksionale,neve na mbetet të shohim se deri kurë do të vazhdoi kjo gjendje edhe pas shtatëmbëdhjetë (17) viteve në shekullit e ri 21.

 

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

3 maj 2017            arkitekt i pavarur

        ylberv@gmail.com

 

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Ndertimet me leje

APEL I KLUBIT TE INTELEKTUALËVE RUGOVAS-KIRUG PER DEMARKACIONIN

May 3, 2017 by dgreca

KirurgPrishtinë, 03 Maj 2017/

Kryesia   e Klubit të Intelektualëve Rugovas “ KIRUG”, në takimin e punës të mbajtur në datën 03 maj  2017,  e përberë nga Prof dr Riza Smaka, Prof dr Mujë Rugova, Prof dr Zymer Neziri, Prof dr Ali B. Muriqi,  Prof dr Shemsedin Dreshaj, Prof dr Hysen Lajqi, Prof dr Jeton Kelmendi, Prof dr Azem Lajqi, pas  diskursit  përkitazi me  nismën aktuale të  një grupit të  deputetëve të Kuvendit të Republikës së  Kosovës për  ratifikimin me   k u s h t  të Marrëevshjes për Demarkacionin Kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ,  njëzerit miratoi këtë:

APEL   

Nisma  e   një  grupit të  deputetëve të  Kuvendit të Republikës së Kosovës për ratifikimin e     Marrëveshjes për Demarkacionin  e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe  Malit të Zi ( Marrëveshja për Demarkacionin )  me  k u s h t   për tu  rishikuar pas një një periudhe kohore , është:

  • e paprecedencë në praktikat e marrëveshjeve ndërkombëtare përkatësisht ndërshtetërore , në përgjithsi e,  veçanërisht, në  çështjet e delimitacioneve dhe demarkacioneve kufitare,
  • në  kundershtim me  parimet themelore të  marrëveshjeve   ndërkombëtare përkatësisht të marrëveshjeve   ndërshtetërore  të cilat , kurdoherë  dhe  medomos duhet të   jenë të analoge  dhe identike reciprokisht si dhe të   të pakushtëzuara,
  • favorizuese  dhe konformiste e  qendrimit dhe synimit qeveritar  pët ratifikimin makijavelist të Marrëveshjes për Demarkacionin ,  cila, nga  shkaqet e theksuara në vijim, është e dëmshme, e pa drejtë dhe e paqendrueshme juridikisht dhe politikisht, ndaj,  duhet   të refuzohet si e  pa sinçertë , spekulative dhe krejtësisht e pa bazë!

Arsyetimet:

Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës për Demarkimin e Kufirit të Kosëvës me Malin e Zi ( Komisioni për Demarkacionin), gjatë  negociatave me  Komisionin për Demarkacionin e Malit të ZI, ka  shkaktuar  sëpakut  këto  gabime  të kundershtimshme me Kushtetutën   si dhe në dëmin e integritetit territorial të   Republikës së Kosovës , nga se,  

  • në vend të  negocimit   të mbeshtetur në  vlerësimin e  faktorëve  esencialë  dhe primarë    natyrorë të determinuar nga   faktorët primarë gjeografikë,   gjeostrategjikë, historikë,  etnikë të balansuar,   ekonomikë, pronësor -Uti Possidetis , ka praktikuar  dhe trajtuar   vetëm kadastin ( sic) ,ndryshe,  komponentë e karakterit sekondar si dhe,  
  • në vend të  demarkacionit  kufitar Kosovar- Malazez sipas  delimitacionit të bërë në shkurtin e vitit 1945 , të pandryshuar asnjëherë ,   jashtë mandatit   parlamentar të caktuar nga Kuvendi, ka praktikuar   redilimitacion  ,për të qenë edhe   më keq,   të dëmshëm për integritetin territorial të  Republikës së Kosovës  , nga se,  territorin e Kosovës  , panevojshem,  padrejtësisht dhe  arbitrarisht e ngushton për 82.3 km2!  Sikundër dihet e me asgjë nuk  mohohet,  Komisioni për Demarkacionin nuk ka pasë autorizim për   delimitacion kufitar  të rinjë  Kosovar- Malazez, por, përkundrazi , ka qenë i mandatuar nga Kuvendi i RK-së qe , në bazë delimitacionit  egzistues, të sanksionuar  juridikisht nga   viti 1945 (asnjëherë të  kontestau as të  ndryshuar  deri në aktualitet)  të  aplikojë  demarkacionin në terren.

Kufinjët ndërmjet  republikave dhe krahinave autonome ( Kosova dhe  Vojvodina ishin krahina autonome me territore të sanksionuara sikundër edhe republikat – shtetet e YU II) nga viti 1945 – 92  ishin të karakterit  administrativ e , rrjedhimisht , edhe sipas Komisionit  Ndërkombëtar për Zgjidhjene  Krizës Politike të YU II ,“ Komisionit të   Badinterit”, linjat e tyre janë  promovuar dhe sanksionuar në kufinjë shtetëror!  

Në  këtë kontekst ,  vlenë të apostrofohet fakti  relevant se , sipas  rendit  juridik e  sistemit kushtetutar të YU II-të ,   Sërbisë, Malit të Zi  dhe  të Kosovës, kufinjët  administrativë  kanë qenë të sanksionuar dhe  ka qenë  lejuar  ndryshimi i tyre vetëm në saje të pelqimit të kuvendeve të  republikave përkatësisht krahinave respektive. Kufiri administrativ   përkatësisht politik kosovar – malazez, nga viti 1945 deri sot,  asnjëherë ,jo që nuk është ndryshuar, por, as nuk ka qenë temë për diskutim!

Seandejmi ,  kufiri  kufitar kosovar – malazez  : Qafë e Çakorrit – Mokna – Hajlë – Kullë , i  delimituar në  vitin 1945,  ishte dhe mbetët  legjitim,  meritorisht i  delimituar  përfundimisht, i  cili,   nuk mund të ndryshohet pa pelqimin e  kuvendeve të Kosovës dhe Malit të Zi.

Komisioni për Demarkacionin , është dashtë   që eksklusivisht , sipas mandatit imperativ nga Kuvendi që, të negociatojë me  komisionin homolog  malazez për precizimin, konkretizimin dhe materjalizimin e delimitacionit egzistent nga viti 1945  kurdoherë në përshtatje me faktorët  esencialë  të sipërtheksuar dhe në përfillje me rektifikacione përkatësisht  koncesionime territoriale ekuivalente, por, kurrsesi të akceptojë zgjidhjen kadastrale sipa së cilës Kosova padrejtësisht e panevojshëm  reduktohet për hiq më pak se 82.3 km2!  Ndaj Marrëveshja   e atillë për Demarkacionin   Kosovar – Malazez ,edhe pse e parafuar edhe nga pala kosovare , gjithnje juridikisht e pa aplikueshme ,  sipas  bindjes e qendrimit të KIRUG-ut  sikundër  edhe  pjesës së konsideruar të botës akademike, shoqërisë civile,  opozitës parlamentare  dhe të mbi 200 000 qytetarëve peticionistë tok me qindra mia  protestues publikë kurrsesi nuk duhet , jo  të ratifikohet ,por ,as të prezantohet për  ratifikim. Eventualisht, nëse Qeveria aktuale ,  e cila, çuditërisht është këmbëngulëse  për  ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin  , nëpërmjet  bashkëveprimit joparimor me Kryesinë e Kuvendit ,   të njëjtën do të prezantonte  për ratifikim , KIRG-u , apelon në ndërgjegjën  shtetërore e kombëtare të  deputetëve të kësaj legjislature qe ,atë Marrëveshje, ta refuzojnë ,pa hesitime, me indinjatë  !

Qeveria e Kosovës ,  në  vend të   shkeljes se nenit 70 të Kushtetutës nëpërmjuet  “  bindjeve të deputetëve të caktuar të Kuvendit “   si dhe trillimit të   “votimit pro ratifikacionit aktual me kusht për  revidim të pastajmë”  ,  edhe sipas funksioneve të përcaktuara me dispozitat e neneve 93 & 94 te Kushtetutës, do të duhej qe, përfundimsht dhe seriozisht të ndryshonte  qendrimin e deritashëm për ratifikimin e pakusht të Marrëveshjes për Demarkacionin ,ashtu që , vendoshmërisht të   përcaktohej  për  demarkacionin  kufitar   konform me  delimitacionin legjitim dhe legal  ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi   cili , me dokumente   politike – juridike   kosovare dhe malazeze si dhe  ndërkombëtare, është  egzistent ,   pranuar  dhe konfirmuar  !

KIRUG-u  thekson se , për të qenë me vlerë juridike ratifikimi me kusht i kufirit kosovar – malazez,  Conditio Sine Qua Non ,do të kërkohej qe, kushti i njëjtë, të ishte i   përfshirë edhe në tekstin e përbashkët të Marrëveshjes për Demarkacionin, i cili, nuk qendron nga fillimi,  madje si i tillë, nuk egziston as  në Marrëveshjen për Demarkacionin  të   ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi! Marrëveshja për Demarkacionin është akt politik  e juridik  bilateral dhe ,palët respektive i   obligon vetëm nëse do t’ishte analog e plotësisht identik dhe, si i tillë, i ratifikuar në procedurën e  kërkuar. Në rastin konkret, kushti  i tillë nuk qendron në tekstin e Marrëveshjes për Demarkacionin të  nënshkruar nga  përfaqësuesit e Kosovës dhe të Malit të Zi ,ndaj , përfshirja e kushtit në fjalë vetëm ne  teksin e Marrëveshjes për Demarkacionin qe do ta ratifikohej nga  Kuvendi i Kosovës ,do t’ishte arbitrar,  juridikdiht i pa vlerë , politikisht i pamoralshëm, i  kontrabanduar ilegalisht dhe papërgjegjshëm sikundër referuar palës malazeze ashtu edhe   deputetëve përkatësisht qytetarëve të   vendit tonë ,të cilët, eventualisht   nga lajthimi “Culpa” do të  mund të  llogarisnin në mundësinë e  revidimit  të pastajm të asaj Marrëveshjeje. Për tu   riproceduar Marrëveshja për Demarkacionin e cila do të ratifikohej edhe nga Kuvendi i Kosovës, Conditio Sine Qua Non do të kërkohej  pelqimi edhe i   Qeverisë përkatësisht Kuvendit të Maslit të Zi  , i cili, praktikisht, tepër vështirë do të mund të sigurohej. Në këtë kontekst  apostrofojme edhe njëherë  faktin e  pasinçeritetit qeveritar kur  spekulon edhe me “ ratifikimin e kushtëzuar të Marrëveshjes për Demarkacionin për revidim të pastajmë të saj”  i cili reflektohet  haptas e qartë edhe nga insistimi i asaj Marrëveshje me  synim të   riprocedimit të  shpejtë të saj!”

KIRUG-u edhe në këtë rast  ,  duke e kundërshtuar  fuqishëm “ Ratifikimin me kusht të Marrëveshjes për Demarkacionin “ prononcohet për  demarkacion ndërkufitar të vendit tonë me Malin e Zi të bazuar në delimitacionin  historik  i cili si i tillë figuron edhe

  • në hartat zyrtare të Malit të Zi,  të  Sërbisë, të YU II, Kosovës ,
  • në tekstet  shkollore, universitare e shkencore ,
  • në enciklopeditë bashkëkohore të shteteve në fjalë si dhe
  • në një numër jo të vogël të punimeve shkencore, teksteve universitare, teksteve shkollore, publikimeve dhe analizave  kritike referuar po kësaj çësjtjeje.

KIRG-u , nga shkaqe politike e pragmatike , duke e abstraktuar dimensionin e faktorin historik   para vitit 1945,   edhe në këtë rast  angazhohet dhe thekson se:

  • kufiri Kosovar – Malazez  Nolens Volens duhet të demarkohet  në linjen  Qafë e Çakorrit- Mokna – Hajlë – Kullë ,të   fiksuar dhe të sanksionuar  me delimitacionin e vitit 1945,
  • nuk   njihet  as nuk qendron në doktrinat as në praktikat e marrëveshjeve ndërshtetërore për demarkacione kufitare ratifikimi  i kushtëzuar e aq më pak kushtëzimi unilateral i ratifikacionit kufitar ,
  • vetëm   kufiri  kosovar – malazez i demarkuar sipas delimitimit të vitit 1945 do të  të fiksohej, sanksionohej dhe mbetej  i pakontestuar dhe si i tillë i qendrueshëm   i cili  do të krijonte  parakushte të volitshme për  kultivim të marrëdhënieve   shoqërore, socio – ekonomike, politike, kulturore, shkencore, sportive reciproke të  dobishme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi!

Kryetari i KIRUG-ut

Prof dr Riza SMAKA

Sekretari  i KIRUG-ut

Prof dr Jeton Kelmendi

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apel, demarkacionin, KIRURG

Takimi Mediu-ambasadori LU:Gjithmonë ka shanse për dialog

May 2, 2017 by dgreca

reu i Partisë Republikane Fatmir Mediu konsumoi sot një kafe pune me Ambasadorin amerikan Donald Lu. Takimi që zgjati më shumë se 1 orë  u zhvillua në ABA Center dhe mësohet së ishte thirrur nga diplomati amerikan.

Në fokus të diskutimit mes tyre ka qenë situata e fundit politike në vend.

Pas takimit, Mediu tha se është me rëndësi që palët të zhvillojnë një dialog konstruktiv në mënyrë që të Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mediu: Patëm një diskutim me Ambasadorin Lu për situatën që nuk ka të bëjë as me kërkesën e zotit Lu për të hyrë në zgjedhje por si mundet që palët të zhvillojnë një dialog konstruktiv që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe besoj që kjo është rruga më e arsyeshme që ne të vazhdojmë dialogun për të gjetur ato pika të komunikimit të përbashkët dhe të zgjidhjes që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë.

I pyetur nëse janë reale këto shanse, Mediu u përgjigj:

“Mendoj se gjithmonë ka shanse për dialog sa kohë jemi të përgjegjshëm që duhet të bëjmë më të mirën për vendin dhe jo për interesa jo normale të pushtetit”.

Zhvillimi vjen në një kohë kur ndaj Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj janë shtuar presionet për marrjen pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Një ditë më parë Mediu u pa në kafe dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, porse kreu i PR-së tha se kjo ishte një kafe mes komshinjsh dhe miqsh dhe se nuk kishte lidhje me aktualitetin politik.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ambasadori Lu, Fatmir Mediu, Takimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 571
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT