• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOTI E BEKOFTË MIKUN TIM ARISTOKRAT!

April 10, 2017 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/

Një ditë në pazar më zunë veshët shprehjen: I ka dalë puna çatall. Jo vetëm se m’u duk interesante, por edhe më intrigoi të rrëmoj në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ku për fjalën ÇATALLOHEM gjeta këto shpjegime: 1. vet. veta III. Ndahet më dysh duke iu hapur majat anash, hapet fort në të dy anët; bigëzohet. Çatallohet druri. 2. vet. veta III fig. Prishet; ngatërrohet një punë për shkak të grindjeve. U çatallua puna. 3. fig. Kapem me dikë, grindem me dikë.

Sa herë më mungon inspirimi për të “shkarravitur” për ndonjë ngjarje, aq herë më duhet të takohem me mikun tim me mendje prej aristokrati. E kërkova në mejhanen e tij të preferuar. Nuk e gjeta. Kamerieri që ishte paksa i përgjumur dhe që kishte vënë bythën pas banakut, më tha: Ka ditë që nuk duket këtejpari. E pyeta. Po me ç’sebep nuk frekuenton mejhanen! Ma ktheu, nuk i ka shlyer borxhet a faturat. Ku ta gjej, se! Hokatari i lagjes sonë më tha: Do ta gjesh te lulishtja e qytetit. E zbulova. Ishte shtrirë në cep të bahçes pranë shtëpisë së tij, ashtu njësoj si Ali Pashai duke thithur nargjilenë, ndërkaq në dorën e djathtë mbante një çetele (shkop ose copë druri e lëmuar, që dikur përdorej si mjet për të mbajtur llogaritë midis blerësit e shitësit), se pse e mbante atë çetele, nuk ma kapi fiqiri. Mu duk se sillej në mënyrë të matur. Perceptimi më doli kryekëput i pavlefshëm, thjesht i gabuar. Edhe kësaj here ishte shndërruar në tapë. Pasi u përshëndetëm, më tha: “A, përsëri erdhe, pa më thuaj, ç’dert ke!” Ia ktheva: Do më japësh idenë për shkrimin e radhës që do t’ua dedikoj lexuesve dhe miqve të mi të rregullt, të ndërgjegjshëm dhe seriozë! “Aha, ti që vepron e sillesh si plak matuf, paske miq të dashur, të kujdesshëm e të vetëdijshëm!? Hajde mendje, hajde!” Ore, do më japësh idenë, o do iki! Heshtje varri. Nuk e vazhdova, nga frika se po ma vë bishtin e dhelprës. Po, çuditërisht, lëre që mori pamje tjetër, por kësaj radhe nuk më kushtëzoi, andaj nuk kërkoi atë “lëngun e sertë prej Skrapari”. Ma ktheu: “Të lus, do më kursesh e do më lësh rehat, sepse sot nuk jam në të mirat e në terezi”. Unë këmbëngula në kërkim të përgjigjes së vonuar. Miku, si mik, fillimisht ia futi një ulërime të thekshme dhe pastaj më tha: “Do ta fal gjysmën e idesë, me kusht nëse m’i prek salltanetet e mia (eh, këto salltanete, mos vallë i ka vendburim gjipsi), ashtu njësoj si ca politikanë kamikazë që ua prekin a lëmojnë herdhet e kryeparëve politikë të tyre, të HUQUMATIT dhe të DOVLETIT!” Eh, ç’e bleva shtrenjtë belanë me paratë e mia. Thashë me vete, a ia vlen të shfrysh dertin për një ide të vjetër. Iu përgjigja: “Do t’i prek zarzavatet e tua të thata, veç ma jep idenë”. Ma ktheu: ”Pa ma thuaj parimin themelor, mbi të cilin do ta ndërtosh shkarravinën e radhës”. I tregova. Më tha: “Fillimisht do të shkruash për fukarenjtë dhe për varfërinë që i ka kapur për fyti, do të shkruash për budallain e fqinjit, tek i cili sa herë vijnë për vizitë mysafirët e nderuar, aq herë detyrohet ta mbulojë me njëqind plafe e jorganë…, do të shkruash edhe për politikanin tonë axhami, i cili kur nuk ka gjë të mençur për të thënë, sekretet e shtëpisë ia degdisë në vesh armikut apo partisë që e injoron, që e sikteris dhe së fundi që ia ngul së prapthi, do të shkruash pak edhe për mua!”. Ore qerrata, ki parasysh, gati një e treta e vështrimit më shkoi për ty. “Hajde se nuk u bë kiameti…, vazhdo të shkruash për disa vetëflijues politikëbërës të një partie politike këtejpari, shkruaj  për ata politikanë kalamaj dhe axhaminj të Debar Maallo-s, gjyshërit e të cilëve dikur në kohërat e njëmendjesisë, te Ura e Gurit (Sulltan Mehmetit II) të Shkupit, shisnin fara luledielli. Do të shkruash për politikanët të cilët nuk i takojnë fisit tonë, pikërisht për ata që të shqetësojnë, do të shkruash për nacionalistët, për kleptomanët, piromanët, për makiavelistët e recidivistët e rrezikshëm të këtij HUQUMATI, mos harro të shkruash edhe për ata që në Evropë duan të shkojnë me gomarë prej Ballkani, që u ka rënë leshi, për ata politikanë që trokasin në dyer të mbyllura dhe të gabuara, shkarravit edhe për ata që veshin e majtë e kruajnë me dorën e djathtë, shkruaj edhe për ata që çorbën e përgatisin pa fruta deti, në këtë shkrim tëndin futua edhe atyre që s’kanë shpatulla politike, futua edhe atyre që mëtojnë të frekuentojnë hapësirat e kështjellës së diplomacisë evropiane…, ngulua edhe atyre që i kanë shumë merak paratë bojëjeshile, futja edhe atij KOKËMADHIT, atij shtrembëruesit të organit më të lartë ligjvënës, atij që ka marrë çehren e koqe dembelit, futua atyre që kanë  probleme me diarre dhe miopi të theksuar politike, sidomos atyre që e zaptojnë me orë të tëra halenë, atyre që hiç nuk u ha palla se jashtë njerëz presin në rend për të njëjtin hall. Bëj kujdes të mos ma futësh mua!” I thashë: Mos ki dert se nuk do ta fus, a sa për të ngulmen nuk e di. Në fund të kësaj “çatallosje”, sikur donte të më thoshte: “Që kur unë isha një njeri me sjellje qytetare, që kur unë isha shehërli prej patrioti dhe aristokrati, që kur unë kisha kostum prej kadifeje, që kur unë mbaja këmishën e qëndisur, këta mbanin opingat e stërgjyshërve të tyre, këta nënkëmishën e mbanin nën brekë…, që kur unë bëja atdhetarizmin, këta sot lëre që urinojnë shtrembër, por edhe shtiren sikur bëjnë politikë leshi”. Nuk desha ta pyes se me ç’fjalor do të duhet ta shkruaj këtë shkarravinë…, e dija paraprakisht përgjigjen e tij: “Sipas një rregulli të caktuar, opinionet, vështrimet, analizat po edhe editorialet shkruhen me standardin e gjuhës, meqenëse ti nuk je i standardit, atëherë përdori të folmet krahinore edhe ato otomanizmat tuaja të fiksuara!”

Fabulistët klasikë thonë se dikur dhelprës i kishte marrë flakë bishti dhe turravrap kishte bërtitur: “Ikni se u kall dynjaja!” Ata që kishin rastisur atypari kishin thënë: “Moj, ty të është kallur bishti e jo dynjaja”. Se dhelprës a do t’i kallet bishti, unë nuk e di. Zoti e bekoftë mikun tim aristokrat dhe “dhëmbëzat e çeteles” së tij.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aristokrati, Fadil Lushi, Zoti

KUR TIRANITË NUK DORËZOHEN PËRMBYSEN

April 9, 2017 by dgreca

EDI RAMA NUK VLEN AS PËR KRYEMINISTËR AS PËR KURBAN.

KUR TIRANITË NUK DORËZOHEN PËRMBYSEN/

1 AzganOpinion Nga Azgan HAKLAJ/

Zhan Zhak Rusoi, filozofi dhe iluministi i madh francez i ka lanë si testament njerëzimit veprën e vet monumentale “Kontratën Sociale”, ku shpjegon qartë se shteti është një kontratë sociale, juridike, morale e shoqërore mes qytetarëve të lirë dhe atyre që i qeverisin. Të drejtat hyjnore natyrale të njeriut: liria, siguria e jetës, e pronës dhe barazia para ligjit janë të panegociueshme e të padhunueshme, na mëson filozofi i madh.

E bëra këtë hyrje për faktin e thjeshtë e të hidhur se Rama megjithë dekoratën e “Legjionit të Nderit” (dekoratë, thjesht politike) që ia dha para disa ditësh Presidenti i Francës nuk ka mësuar asgjë nga Franca, Tempulli i Lirisë e Simbol i Republikës, sepse në të kundërt ai duhet të mendonte: A mund të jem Legjionar i Francës unë, kryeministri i Shqipërisë, kur mijëra qytetarë, protestojnë para zyrës time ditë-natë, protestojnë para godinës së mbuluar me ferexhe, para qeverisë maskë dhe kërkojnē dorëheqjen time për shkak se kam shkelur kontratën sociale me popullin tim.

Dua të bëj një vepër për Atdheun tim pastaj le të vdes, të bëhem Kurban, thoshte shkrimtari, publicisti, politikani brilant, Viktor Hygo.Po ju a e keni bërë këtë z. Rama, që keni pranuar të dekoroheni?! Sigurisht vepra juaj ēshtē e shëmtuar, publikisht keni deklaruar se Opozita është e lirë të varë vehten. Pra, ju, kërkoni asgjësimin fizik të Opozitës njëres shtyllë të demokracisë.

Edi Rama, sëbashku me ortakun e tij – Ilir Meta, vrasës dhe persekutorë të Opozitës, mendojnë se mund të qeverisin Shqipërinë si konsuj të Romës së lashtë!

Është e pamundur të analizosh në një shkrim të vetëm “bëmat e Ramës”, për këtë duhen analiza e libra shumë voluminozē.Nuk më ka habit aspak fakti se ky Don Kishot i politikēs është përpjekur të luaj me Kartën e Nacionalizmit, por këtë mantel e zhveshi dhe doli si dikur lakuriq në Francë.Pasi e bëri vëlla Erdoganin, kërcënoj se do ta privatizojë Akropolin e Athinës dhe i tregoj vendin në Beograd mikut të tij Vuçiç, duke u mburrur për këtë, por nuk pati guximin e burrërinë të fliste dy fjalë për shqiptarin e madh, emblemën e patriotizmit të qëndresës e njëherësh të nacionalizmit modern shqiptar, z. Ramush Haradinaj, i cili mbahet peng në Francë për t’i bërē qejfin mikut të tij Vuçiç, politikanëve në Kosovë tē lidhur me Beogradin.

Kur z. Rama u dekorua m’u rikujtua njē sentencë e Perandorit të Francës, Napoleon Bonaparti, që pata cituar tek një shkrim për Kalorësin e Lirisë, Ramush Haradinaj: Dekorata më e madhe që merr njeriu në jetë është një plagë në shërbim të Atdheut. Ramush Haradinaj e ka tejkaluar këtë sentence, sepse ka disa plagë në trup dhe se ka vënë kurban në themelet e Kosovës vëllezërit e tij: Luanin, Shkëlzenin, Enverin. Ramush Haradinaj shkoj dy herë në Hagë si dorëzan i Kosovës. Pas një beteje të gjatë gati një dekadë u kthye triumfues duke e çertifikuar kauzën e shenjtë të UÇK-së, luftën e saj për çlirimin e Kosovës.

Simbolikat e Ramës janē aq naive sa janë edhe zhgarravinat e tij , pikturat me tē cilat shetit nëpër Evropë ashtu si serbët me eshtrat e Car Llazarit. Këtë e ban me paratë tona, sigurisht, në një kohë kur shtëpia ku lindi Homeri Shqiptar, Gjergj Fishta, akademiku gjenial i kulturës, patriotizmit, konstruktori i Shqipërisē Evropiane është shembur për dhé.Edi Rama proklamon atë të cilës nuk i beson as vetë ai: Unë jam kryeministēr i Rilindjes, arkitekt i shtetit të ri dhe vizionar i madh Evropian. Sa për opozitën që ka mbi 50 ditë, mbi 1.200 orë, që proteston në Shtëpinë e Lirisë, me qytetari, me kurajo të pashoqe e që i thotë në protestēn më e madhe në historinē shqiptare: “Ik”!, ai nuk don të ja dijë.

Por nē ditën e 50-të të kësaj Proteste, Lideri i Opozitës së Bashkuar, arkitekti i Republikës së Re, z. Lulzim Basha, i tha qartē: Tiranitë që nuk dorëzohen përmbysen. Nuk do të ketë zgjedhje farsë me Ty, as Qeveri fasadë për të shpëtuar klanin tand kleptokratik.

Rama ka ëndērruar se “protestuesit mjeranë” apo “çadristë të ngujuar”, siç i quan ai, t’i vinin flakën Kryeministrisë, institucioneve e mbarë Shqipërisë për t’i treguar botës se PD dhe Opozita, të cilën ai e përbuzë me neveri dhe e ka shpallur “të keqen e madhe të këtij vendi”, protestuesit i cilëson se “janë tribalë, vandalē, janë talebanët e Evropës” dhe vetëvehten e tij “shpëtimtari i qytetrimit Evropian”(!)….

Tomas Hobs ka një maksimë: E Drejta Morale është burim i të gjitha të drejtave. Ju keni humbur të drejtën morale z. Rama, sepse keni dhunuar Kontratën Sociale me popullin tend, ndaj Opozita e Bashkuar, shqiptarët, do të të flakin të bindur thellēsisht se nuk vlen për Kryeministër dhe as për kurban.

Midis qindra e mijëra protestuesve tē varfëruar e tē poshtëruar nga Rama, mes njerëzve që ai dhe sekserët e tij u zhvatën pronat dhe u rrafshuan shtëpitë, mes qindra biznesmenëve që qeveria u falimentoj bizneset e sipërmarrjet vetëm se ishin mbështetës të PD-së, mes qindra të rinjëve dhe të rejave që u shkatërroj ëndrrën ka padyshim koka të nxehta, të cilët duan ta bajnë kurban z Rama. Edhe vetë z. Rama, ndoshta ëndërron të bëhet kurban e të muroset në Sheshin “Skënderbej” dhe, ashtu si prifti shovinist Sebastianos që u varros në Konicë, të mbetet në histori.

Ai nuk do të ketë kurrë këtë fat për tē qënē kurban i Republikēs së Re dhe i Shqipërisē sē Nesërme Evropiane. Legjenda e Rozafës nuk mund tē përseritet. Kurbani është simbol i shenjtë për Njerëzimin.

Kur Profeti Abraham doli në Kodrat e Sinait dhe në shenjë besnikërie ndaj Zotit deshti të bante kurban djalin e tij, Krijuesi i Gjithësisë e zbriti nga Qielli një dash e i tha Profetit: T’i tregove besnikërinë ndaj Meje, por nuk dua kurbanë njerëzish. Kurbani, z. Rama, duhet të jetë i shëndetshëm, pa sëmundje, i pastër dhe i taksur për t’u sakrifikuar në Ditën e Shenjtë.

Fati i shqiptarëve ështē në duart e tyre

Ju nuk vleni as për Kryeministër, as për Kurban.

Ikni, ikni, ikni, që tē mos gjykoheni…

Filozofi i lashtë Konfuci na ka lanë një fjalë të urtë: Diellit që perëndon e burrit që bié i mbyllet dera. Ju keni rënë z. Rama e shqiptarët njëzëri, solemnisht, do t’ua mbyllin derën.

Tiranë, 9 prill 2017

Në foto: Azgan Haklaj duke folur në mikrofon tek Shtëpia e Lirisë, tek Çadra e Protestës.

Filed Under: Analiza Tagged With: as Kryeminister, as Kurban, Azgan haklaj, Edi Rama

Planet perëndimore dhe klanet ballkanike

April 8, 2017 by dgreca

Ballkani gjendet mes premtimeve shpesh boshe të Perëndimit dhe aspiratave të rrezikshme klanore. Qasja joserioze mund ta çojë atë në konflikte/

Nga Arsim Zekolli…/

Në mesin e të gjitha deklaratave ogurzeza apo paralajmëruese për vranësirat politike mbi Balkanin Perëndimor, e vetmja gjë që, falë kontekstit dhe tonalitetit, meriton vëmendje është ajo e Jean Claud Juncker drejtuar Donald Trump, sipas së ciles “nëse BE shpërbëhet, do të ketë luftë të re në Balkan”. Optimistët e përjetshëm preferuan që deklaratën ta interpretojnë si sinjal shpresëdhënës se vëmendja e Perëndimit ndaj rajonit sërish po kthehet me seriozitetin e duhur. Pesimistët atë e lexuan  si tentativë dinake të Junckerit për bartje të fajit përtej Atlantikut për furtunat, të cilat do të pasojnë më vonë. Megjiathate, leximi real-politik i deklaratës  të shpie drejt dy motiveve të mundshme për formulimin e qëndrimit të njeriut të parë të  BE. Motivi i parë dëshmon se Brukseli nuk ka ndonjë ide konkrete për të qetësuar gjendjen e krijuar, që të sjell në përfundimin, se Juncker në mënyrë të (pa)vetëdijshme pranon varësinë ndaj SHBA për mirëmbajtjen e paqes brenda oborrit europian.

E përbashkëta e liderëve të Ballkanit

Shikuar nga pikëvështrimi ynë i bretkocës, deklarata imponon edhe leksione tjera të bazuara mbi eksperiencat e deritanishme të qasjes transatlantike ndaj rajonit. Sa për fillim, ia vlen të parashtrosh pyetjen, se cila është pika e përbashkët që lidh Aleksandar Vuçiqin, Hashim Thaçin, Nikola Gruevskin dhe Ali Ahmetin? Përgjigja imediate do ishte se të gjithë këta konsiderohen si lojtarë të besueshëm të Perendimit. Por, vështrimi dhe leximi më i vëmendshëm i biografive të tyre pasqyron një “kurvarurë” më interesante e cila shënon ngritjet dhe dominancat e tyre politike. Që të gjithë të apostrofuarit karrierat e veta politike dhe qeverisëse i kanë filluar falë përkrahjes së fuqishme te BE (më saktësisht, të Gjermanisë) e cila që në zanafillë i ka identifikuar, kultivuar, politikisht formuar dhe në fund si shpresa të mëdha për ndryshime demokratike – instaluar në kolltuqe qeverisëse.

Që pas një periudhe relativisht të shkurtër, të kaluar në poste sunduese, të “kidnapohen” dhe rreshtohen nën flamurin e SHBA si prodhime “të gatshme për konsumim”. Por, për dallim nga agjenda iniciale e të qenurit demokrat-reformist, tani ata duken të ngarkuar me vetëm një detyrë – ruajtjen e stabilitetit me çdo kusht. Përfshirë këtu edhe çmimin më të lartë të tolerimit të logjikës së degjeneruar politike, sipas së cilës, ndërrimi i qeverisë më nuk konsiderohet si proces normal i ndryshimeve, por si kërcënim serioz e trandites ndaj stabilitetit të vendit e rajonit.

Rrugëtimet drejt ferrit

Mazedonien Arsim Zekolli (DW/K. Blazevska)

Në këtë ndarje rolesh sipas prioriteteve transatlantike, nuk do gjeni dot dallime cilësore në nxënës të mirë kundër atyre të dobët, por vetëm ilustrime për pasojat e këtushme të çertifikatave të dhëna me lehtësi absurde në duart e atyre, të cilët me shkathtësi bindnin gjermanët për “bindjet dhe vlerat e tyre demokratike”. Të trashëguar pastaj nga spin-ekspertët amerikanë, të stërvitur për servis dhe mirëmbajtje të autokratëve tanë ordiner, të gatshëm për të plotësuar që të gjitha qëllimet më të mira amerikane në rrugëtimin drejt ferrit.

Mosmarrëveshjet në raportet Juncker-Trump nuk duhet konsideruar si shkas për anime, por vetëm si dy faqe të së njejtës monedhë ballkanase në allishverishet mes imitimeve rajonale të demokracisë dhe stabilitetit, si ekzekutues i mëshirshëm i demokracisë. Ndonëse vonë, megjithatë vlen të kujtohen dy palët andej dhe këndej Atlantikut se në lojën e madhe të Ballkanit janë futur së bashku edhe me forca të partnerizuara. Por se edhe toni i zënkave të ndërsjella mes tyre, garanton se nëse nuk bashkojnë forcat, së bashku do fundosen në mocalet e krimit që tepër gjatë refuzonin të shterrin. Çfarëdo prolongimi i konfliktit absurd mes qasjes gjermane ndaj rajonit të bazuar mbi oferten “ushtri nuk kemi, por kemi lek” dhe strategjisë amerikane “lek nuk kemi, por ua garantojme stabilitetin”, patjetër do rezultojë me humbje të ndikimit  të dy paleve në rajon dhe rrënim si të demokracisë ashtu edhe stabilitetit.

Dinamika klanore

Një vërejtje e këtillë është e bazuar edhe falë rolit të tyre si prindër politik të monstrave të këtushme qeverisëse. Filozofia e sigurimit të qetësisë nëpërmjet dhuratave për djemtë e dhunshëm si ataman kolonial dhe sherifa të stabilitetit, tanimë është e tejkaluar, kundër-produktive dhe jo kompatibël me motivet fillestare. Ballafaqimi dhe negociimet e pafundme me partitë politike rajonale është i destinuar të deshtojë, dhe ashtu do mbetet derisa presioni dhe kërcënimi nuk fokusohen mbi mekanizmat  real të fuqisë dhe sanksionit. Që është më lehtë për ta thënë se për ta bërë, pasi mekanizmat në fjalë nuk janë partitë politike, por klanet e instaluara brenda tyre, si faktor efektiv të politikbërjes dhe vendosjes.

Nuk është ndonjë sekret i madh se në Maqedoni (por edhe në rajon), grupimet të cilat preferojmë t’i quajmë si “subjekt parti”, në realitet paraqesin vetëm shprehje eufemiste për sundim të klaneve. Intriga klanore të mveshura me pëlhura polit-partiake paraqiten si bashkëpunime multietnike, duke kamufluar anën e errët të konfliktit nga i cili kanë lindur dhe vazhdojnë të manipulojnë. Kjo nuk është ndonjë risi në skenen e tanishme politike, por konstantë veprimi e etabluar nga PDSH dhe Menduh Thaçi në vitet ‘90-ta. Model ky që më vonë do kopjohet nga klani kriminogjen Gruevski/Mijalkov, shumëfishohet përbrenda BDI si klani i Zajazit, klani i Teutes në Tetovë, klani i Kaqanikut në Çair, ndërsa tani në LSDM identifikohet si klani Zaev kundër klanit OJQ-medial nën kontroll të Radmilla Shekerinskes. Dinamika centrifugale klanore evoluon e përsoset edhe përbrenda partive të reja, konform modeleve dhe shembujve të partive më të vjetra.

Identifikimi i dominimit të logjikës klanore në politikat vendimmarrëse, është shtresa e fundit në procesin e mundimshëm të qërimit të qepes sociale që na ngulfat dhe përlot. Proces, ky i cili mund të kontribuojë për sqarimin e dinamikave jologjike mes partive dhe përbrenda vetë partive, që njëkohësisht qartëson shkaqet e vërteta për sjelljet inerte për të marrë vendime, për aprovim reformash dhe thënë përgjithësisht, bllokadat e shumëta që na ngarkojnë.Raportet e gjata dhe fërkimet mes klaneve i kanë qartësuar të gjitha motivet për veprime të caktuara dhe përfitimet e aspiruara, që rezulton me krijimin e një  gjendje të mosbesimit permanent, tensione dhe acarim raportesh në tërë skenen politike në vend. Në fund, diktati i epshit primar për mbijetesë të klanit shndërrohet në forcë dominante dhe gjenerator i kapjes së shtetit (VMRO-DPMNE, BDI) apo të kapjes së shoqerisë (LSDM).

Kriza rrënon shtresat

Kriza e stërzgjatur tanimë arrin të gërryejë të gjitha shtresat e mundshme politike, shoqërore e ekonomike, duke u shndërruar në acid, i cili depërton gjithandej. Zhveshja e bërthamave klanore përbrenda partive tani kërcënon të prodhojë energji enorme të agresionit si dhe procese fermentuese përbrenda partive, rrjedhimisht edhe në skenen politike dhe shoqërore.

Tentativat për të thyer bërthamat e tilla klanore si parakusht për rinisje të proceseve reformatore, provokojnë tensione përbrenda establishmentit të tanishëm. Që kërcënojnë dhe shantazhojnë me reagime destruktive zinxhirore si akt i fundit për parandalim të demisionit të tyre nga politika.

Parandalimi i reakcionit të tillë zinxhiror në rajon, imponon angazhimin e faktorëve te jashtëm që posedojnë mjaft fuqi dhe peshë për të parandaluar shpërthimin e instalacioneve të tyre me afat të skaduar. Megjithate, duhet theksuar se sa do që parandalimi i shpërthimit është intervencë urgjente dhe e realizueshme, ajo nuk do mund të konsiderohet plotësisht e suksesshme nëse nuk prek në evitimin e efekteve të fërkimeve ndërklanore dhe paraqitjen e frymëzimeve fashiste në rritje e sipër tek gjeneratat e reja. Përdorimi tepër i shpeshtë i akuzave për fashizëm si etiketim politik, na bën që sot mos të arrijmë të identifikojmë dhe alarmojmë për karakteristikat e saja socio-politike të cilat gjithnjë e më shumë po infektojnë grupimet rinore dhe diskursin publik. Sa për ta kujtuar – kriza ndoshta nuk do shpërthejë në konflikt, por rrezatimet vdekjeprurëse të energjive klanore do vazhdojnë të helmojnë qenien tonë politike (DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Zekolli, dhe klanet ballkanike, Planet perëndimore

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re?

April 6, 2017 by dgreca

nga Majlinda BUSHJA/

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re? Le ta analizojme: Kur shihet si rrugëzgjidhje kërcënimi nuk flitet më për aktorë që qendrojnë në krye të forcave politike, por për forca politike që i mungon kryeja. Pasi kërcënimi është shenjë dobësie, ku më i dobti në mungesë të aftësive reale për të dominuar gjen një rrugë tjetër force për të treguar se ekziston. Kërcënimi është “forca” e tij që parandjen humbjen dhe për të mos u përballur me të duhet të gjej me patjetër “gurin e baraspeshës” për të fshehur mangësitë dhe shmangur përballjen. Sepse përballja është mësim, pësim dhe tregues i gjendjes, por ndonjëherë dhe mospranim i saj përsa kohë nuk je në gjendje të pranosh forcën e vetvetes që vendos kufijë dhe na tregon vendin. Kështu, përballja përsa kohë është tregues shfaqet e rrezikshme dhe të pranosh atë është atribut vetëm i atyre që duan të njohin dhe pranojnë realitetin. Pse e them këtë? Shkaku i mospranimit të përballjes në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit po trazon së fundi ujërat  në politikën shqiptare, ku dialogu nuk pranohet realisht, por shihet si zgjidhje kërcënimi në distancë, si “forcë” për të ndryshuar gjendjen. Nuk është diçka e re kjo në politikën shqiptare, por një vazhdimësi duke e lënë Shqipërinë prej 26 vitesh një vend në tranzicion dhe duke konsideruar tranzicionin arsye për krizat e herë pas hershme politike në vend. Kriza të sajuara për karrigen e pushtetit, por dhe për t’i shpëtuar të shkuarës që fundos dhe gjendet si mjet shpëtimi “kriza” në momente të vështira.

Çfarë po ndodh realisht në vend, Shqipëria një demokraci e re, apo një demokraci me re, ku fjala dialog konsiderohet e huaj në ambjentet tona politike. Mesazhe kërcënuese, denigruese, (ku media fatkeqësisht është përcjellësja) “hidh e prit” që në muajin shkurt të këtij viti dhe kokëfortësia për dialog kanë krijuar një krizë politike institucionale artificiale të panevojshme që më së shumti rëndon qytetarët, dhe të ardhmen e vendit. Kërcënimi po përdoret si “aftësi” për të dominuar në politikë, dhe kokëfortësia po shihet si zgjidhje, duke u ngatërruar gabimisht me vendosmërinë në realizimin e qellimeve. Por, politika e forcës nuk tregon forcën e politikës, por paaftësinë e saj për të zgjedhur dialogun si mjet paqësor të demokracisë. Flitet shumë për dialog në parim, por kur shkon puna për t’u ulur në tryezë e për të bërë bisedime e lëshime (se bisedimet prandaj bëhen) atëherë aty dialogu mbaron dhe çdo njeri nga aktorët mendon se e drejta i takon atij, meqenëse dhe nuk ekziston e drejta absolute në vetvete. Mirëpo në këtë rast, mençuria politike është të mbrosh “të dobtin” për të treguar se je “i fortë” përmes paqes së ofruar si privilegj i atij që sundon.  Problemi është të mos e shohësh pushtetin si “Zot” e të përkulesh para tij, pasi pushteti është Verbëri dhe si i tillë nuk të lë të shohësh përreth e të kuptosh se cilat janë mjetet e paqes së detyruar, (si detyrë themelore e pushtetit dhe atij që e mban). Sa herë përkulemi para pushtetit aq herë humbasim si lidër para atyre që na kanë zgjedhur dhe kthehemi në problem përmes arrogancës që vjen prej këtij të parit dhe që na zë sytë. Por gjithmonë ka një zgjidhje për të mos u rrëmbyer nga pushteti, e për t’u treguar atyre që qendrojnë në anën tjetër zgjidhjen dhe detyrimet. Zgjidhja është të shohim të vërtetën dhe jo të krijojmë të vërtetë, të mos krijojmë nyje në fillin e pakëputur, por të zgjidhim fillin e ngatërruar pa e këputur atë. Të kuptojmë së pari se pushteti (dhe rruga drejt tij) është “një lëmsh” që ngatërrohet shpejt në duart e shumë njerëzve dhe duke qenë i tillë vetëm dialogu dhe toleranca shmangin krizat artificiale të panevojshme dhe përcaktojnë të drejtën që takon. Pasi lufta më e madhe bëhet për të fituar të drejtën dhe ai grup që hamendëson se janë shkelur të drejtat është i prirur të shkaktojë kriza dhe përgjithësisht qendron në anën e pakicës. Problemi është të bindësh pakicën se gjithmonë do ekzistojë e kundërta(pakica) pavarsisht se kujt i takon ky rol dhe kjo nuk duhet të shihet si nënshtrim për të. Vendi i gjithsecilit përcaktohet nga pëlqimi dhe besueshmëria që kushtëzohen nga të tjerë persona që kanë të drejtën të vendosin për vendin e gjithsecilit, që në këtë rast janë votuesit. Çdo kërcënim, fyerje, apo presion nuk zhbën dot të vërtetën, nuk ofron zgjidhje, por është vet problemi që pengon zgjidhjen.

E vërteta e pakundërshtueshme është se për gjithçka e çdo gjë ekziston e kundërta, sikundër edhe në politikë. Nuk ka pëlqim absolut në shoqëri, ndaj dhe ekziston e kundërta që pranohet dhe merret në konsiderat për arsyet e saj të mospëlqimit. E kundërta konsiderohet e domosdoshme dhe e dobishme në funksion të zhvillimit dhe pasurimit të ideve dhe të tërës. Ndërkohë ai që i përket kësaj pjesë duhet të gjejë arsyet reale pse ndodhet aty. Pasi kërcënimi nuk është mënyra për të kaluar në anën tjetër, por problemi që nuk na jep kohën e mjaftueshme të kuptojmë formën normale të ndryshimit.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo demokraci me re?, Majlinda Bushja, Shqipëria demokraci e re

MAFIA POLITIKE, QYTETARET DHE GAZETARET, SI SHERBETOR

April 4, 2017 by dgreca

Mafia politike popullin po e trajtojnë si rob ,kurse gazetarët si shërbtor të tyre?!/

Nga Skënder MULLIQI/

Ballkani tashmë është bërë poligon  I mirë për mafiozë politikë. Mafiozët politikë duken më të rrezikshimt   . Ata  janë bërë strehë e mirë e të gjithë mafiozve të tjerë. Madje bashkëpunimi i tyre është bërë përfekt.Po bashkëpunojnë  në trafikimin e armëve , drogave dhe në trafikimet e tjera …Politika është bërë trampolinë për të gjitha të zezat . Nga mafiozët politikë po na vijnë  aktët kriminale . Shoqëria e Kosovës është bërë brengë e të gjithë njerëzve të mirë , sepse shoqërinë tonë të re po e dhunojnë mafiozët e të gjitha kategorive .Ata madje janë ngjitur në majat e pushtetit.  Mbarë aparati ynë shtetëror është mbushur më njerëz të tipit mafioz . Këta në rrugëtimin e tyre  kan futur frikë dhe terror në mesin e qytetarëve  . Gazetarët  gadi masovikisht u frikësuan dhe po vazhdojnë të frikësohen nga mafiozet e politikës në pushtet. Rrallë  ndonjëri prej tyre në debate dhe organizme të tjera publike, po merr guximin që tu drejtoj atyre pyetje te drejpërdrejta! Kur nuk jemi të drejpërdrejtë nuk kemi debate të mirëfillta , nuk kemi demokraci dhe liri , dhe sigurisht së nuk kemi as shtet ligjor . Analistët politikë nuk po e marrin guximin qytetarë  të parashtrojnë pyetje pse të gjithë këto vrasje të pasluftës më motive politike ?Nuk po e marrin guximin të parashtrojnë pyetje kreut të shtetit  së  ekzistojnë dyshimet për implikim e tyre  tërthorazi ose drejpërdrejët në krim të organizuar dhe në korrupcion . Pse çdo ditë nuk kërkohet nga gazetarët që ata  të sqarohen para  opinionit  për hajni, plaqkitje, zhvatje te pronës shoqërore… ?Pse nuk kërkohet më me ngulm   të sqarohet  afera  e klanit mafioz “Pronto”. Dihet së çfarë dëmesh në opinionin e gjerë publik solli  kjo aferë.Gjithçka shpejt po fashitët pas disa ditëve të bujshme në opinion . Për çfarë shteti ligjor mund të flasim kur prokurorët dhe gjyqtarët nuk po marrin guximin  të ngrisin padi karshi profileve te larta? Nga pushtetmbajtësit mekatarw po rrezikohen edhe interesat nacionale . E dimë të gjithë së në çfarë pozite të pa lakmuar janë gazetarët sot në Kosovë.Të denigruar materjalisht dhe shumë pak të qmuar ! Thënë shkurt nuk kan kurrfarë tretmani në  shoqëri e cila gjithnjë e më shumë po kriminalizohet. Nese këtyre  mafiozve politikë  u parshtrohet ndonjë pyetje nga gazetarët e cila  I prekë në palcë, mënjëherë kan për ta ngritur tonin në mënyrë kërcnuese.  E ngrisin zërin dhe e shpërfaqin nervozën në mungesë të argumentit. Këta kan harruar moti së janë aty në shërbim të qytetarëve  , e jo që qytetarët atyre tu bëhën shërbëtor .Politikanët do të duhej të japin llogari për të gjitha veprimet e tyre .Tek ne gjithqka është kthyer për së mbrapshti.Politikanet popullin po e trajtojnë si rob kurse gazetarët si shërbyes të tyre .Në një shtet të normal dhe demokratik nese dikush dyshohet së ka lidhje apo është vet mafioz nuk bën të mbetet në jetën publike .Shtetin e Kosovës dhe popullin e saj seriozisht është ka e kërcënon mafia politike dhe mafia ekonomike .Nese vetës dhe Kosovës ia duam të mirën atëherë mafiozet më çdo kusht duhet të largohen nga skena politike . Të largohen së e kan bërë bërllog në të gjitha anët .Haptazi dhe ilegalisht po bëjnë  tregti  të paligjshme më armë , droga, kontrabanda te tjera  dhe pak kush po jap llogari para organeve të drejtësisë. Zakonisht po dënohen ata të cilët nuk kan ndonjë lodhje më mëfiozet e politikës. Edhe nese dikush dënohet për veprime të tilla antiligjore , ata  nuk po e vuajnë dënimin deri në fund.Patëm  rastin të shohim dhe të ndëgjojmë gjatë këtyre viteve së shumë qeveritarë  iu nënshtruan proceseve të ndryshme gjyqësore dhe jo  që nuk u dënuan , por ata u kthyen në vendet e tyre udhëheqëse! Disa  të akuzuar për korrupcion u larguan nga Kosova pa therrë në këmbë.Të gjithë politikanet  ishte dashur për veprimet e tyre antishtetërore mos të guxojnë  ta ushtrojnë profesione  publike  .Mafia politike shtetin  dhe popullin e Kosovës e kan pru në deregje shumë të ligë …

Filed Under: Analiza Tagged With: Mafia Politike, qytetarët, Skender Mulliqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 578
  • 579
  • 580
  • 581
  • 582
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT