• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mendësitë dhe megollamanitë sllavo bolshevike te Putinit janë të rrezikshme

March 21, 2014 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI/U besua sikur sytë e gjithë opinionit botëror ngjarjet në Ukrainë perceptuan në mënyrë të befasishme dhe të shpejtë. Lëvizja mbarëpopullore e ukrainasve, për një kauzë të drejtë në rrugët e Kievit tërhoqi vëmendjen e botës së civilizuar. Populli i Ukrainës i varfëruar deri në palcë, dhe pa rrugëzgjidhje kërkonte të zgjidhej e drejta dhe dëshira e tij lidhej me Evropën e bashkuar, me përparimin dhe progresin, si të vetmen rrugëzgjidhje. Qeveria pro ruse e kundërshtoi me forcë. U përgjakën rrugët e Kievit me gjak të pafajshëm. Ikja e trembur nga sytë këmbët e presidentit pro rus Viktor Jukanoviç me duar të përlyera me gjak. Ai u strehua në Rusi me shpresë dhe premtim nga ustai rus Putin se mund të kthehet përsëri në pushtet.

Por ndërkohë kishte shumë kohë që uji rridhte me ngut nën urë.

Kështu, më në fund në Ukrainë u realizua fitorja e së vërtetës, e demokracisë, zgjedhja e kryeministrit të ri të përkohshëm. Moska qëndronte gjithë sy e veshë, situata po i shkiste nga duart. Ëndrra për një Rusi të madhe po zbehej. Ariu rus lëvizi me ngut, nxori kthetrat dhe menjëherë forcat ruse hynë në Krime. Evropa e bashkuar dhe shtetet e bashkuara të Amerikës reaguan, e kundërshtuan, e dënuan, e paralajmëruan me sanksione të menjëhershme. Por ariu rus nuk dëgjoi bëri veshin e shurdhër. Sigurisht që do të ketë impakt në ekonominë ruse. Ai nuk i dinte dhe nuk e shihte se ngjarjet po perceptoheshin keq dhe krijohej një hendek i madh midis tij dhe vendeve të zhvilluara perëndimore? (Por mos ndoshta, ai mendon se ka në Soberi burime të pa shfrytëzuara dhe i ka krahët e ngrohta se pas shpine i gjendet ekonomia kineze. Të cilët heshtin dhe nuk reagojnë për këtë ndërhyrje të dhunshme, në shkeljen e dhunshme të sovranitetit të një vendi tjetër. Problemet e tyre dhe mendësitë janë të ngjashme. Problemi i Tibetit për pavarësi, etj.)

Para do kohe forcat ruse pushtuan Gjeorgjinë, presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, ngriti zërin, paralajmëroi SHBA-të dhe Evropën e bashkuar se “Rusia pas Gjeorgjisë do të vazhdojë ndërhyrjen në Krime”, Pra plani rus për ekspansion është afatgjatë, por askush nuk e mori seriozisht, të gjithëve ju duk e pamundur gati çmendurake dhe kjo as nuk do të kuptohej po të mos ishte wikiLeaks.

Siç  ka thënë ndër të tjera filozofi i madh Morits Shlik në traktatin e tij: ‘ Logjika dhe filozofia’: ‘Një deklaratë është kuptimplotë në qoftë se ajo është e vërtetë, sipas definicionit, apo është në parim e verifikueshme nga ekzistenca.’

Vite më parë, presidenti i Rusisë Vladimir Putin duke ndjekur gjithë situatën në vend dhe jashtë vendit, duke parë ndryshimin e gradualshëm të Kinës nga komunizëm në kapitalizëm. Pra mendësi komuniste të kolektivave punonjëse, me praktikë dhe shfrytëzim kapitalist, pa e ndryshuar aspak statukuonë të partisë komuniste, të grumbullimit të kapitaleve në një grusht njerëzisht të fuqishëm (komunistë) u shpreh botërisht në të kaluarën:

‘Se tragjedia më e madhe e shekullit 20-të ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.’ Pra  deklarata e tij kishte një nëntekst të madh,  ishte paralajmërim, pra ishte vërtetë dhe po verifikohet prej realitetit në fjalë. Putini donte të nënkuptonte që të mbrohej dhe të rruhej gjithçka si më parë, partia dhe shteti multi etnik dhe të futeshin elementet e kapitalizmit eksperimental kinez ose të ndonjë amalgame tjetër ala ruse. Por popujve i republikave të tjera u kishte shkuar thika në palcë dhe shpërbërja e republikave sovjetike ishte me pashmangshme. Tani ai po përdor të njëjtën mendësi diktatoriale, komuniste sllaviste, sepse diktaturat e çfarëdo ngjare qofshin ato, janë të njëjta; të dhunshme të pamëshirshme, ekspansioniste, vrastare. Ai po përqendron të gjithë pushtetin në duart e tij.

Politika e Putinit ka një origjinë të hershme sllave të pushtimeve dhe aneksimeve. Kujtojmë këtu pushtimet e hershme të carëve rusë dhe paktin e fshehtë me Hitlerin të e mossulmimit, ndërkohë aneksonte toka përreth me pretekstin nga mbrojtja prej gjermanëve. Idhulli personal i Vladimir Putinit është Juri Andopov. Të dy kanë shumë gjëra të përbashkëta. Juri Andropov njëlloj si Putini, doli nga radhët e agjentëve të KGB së tmerrshme ruse dhe u ngjit në majat e drejtimit të Kremlinit. Një nga aktet e para që bëri kur erdhi Putini në pushtet, 15  vjet më parë, ishte të restauronte pllakën  përkujtimore të Juri Andropovit, që ndodhet jashtë ish godinës masive dhe hijerëndë të KGB, në sheshin Ljubanka të Moskës.

Karriera e Andropovit e instrukton Putinin sot. Andropovi u bë i famshëm me ndërhyrjen e përplasjen në Hungari, në vitin 1956, për këtë u quajt ‘kasapi i Budapestit.’ 3000 njerëz u vranë në përplasjen midis forcave sovjetike dhe protestuesve hungarezë. Disa vite më vonë, kur Andopovi ishte në krye të KGB  sovjetike, protestave paqësore në Pragë, të Çekosllovakisë i shtypi pamëshirë, me dhunë. Ky kërcënim dhe dhunë vazhdoi në të gjitha kryeqytet e Evropës lindore, të cilët donin të shkëputeshin pre Rusisë, si në Bukuresht, Varshavë, dhe në Berlinin Lindor dhe vuri në krye të shteteve shërbëtorë të tij. Pas kësaj për vite me radhë në lindje asnjë nuk pipëtinte. Andopovi besonte se politbyroja duhet të përdorë forcën kudo dhe kurdo kur i cenohen interesat e Kremlinit. Ai zbatues i zellshëm i luftës së ftohtë, thoshte se askush nuk guxon të kundërshtojë dhe tu rezistojë Armatës së kuqe sovjetike.

Vladimir Putinin e ngacmon ëndrra e vjetër e magollanisë dhe hegjemonisë ruse në botë.  Vladimir Putini, i lindur në një hyrje të ngushtë, në varfëri me tre familje të tjera në një apartament të Petërburgut ( Leningradit) Nëna i punonte në fabrikë, ndërsa i ati ishte në marinën e nëndetëseve dhe siç thotë ai vetë në kujtimet e tij, gjuante minj kur ishte i vogël.

Vladimir Putini tashmë ndjehet i plotfuqishëm. Qysh prej vitit 1999, në Kremlin bën siç do vetë, herë zgjidhet president, herë bëhet kryeministër, pastaj vendos të bëhet president, zgjidhet president, e ndryshon mandatin e presidentit e bën gjashtë vjet. Ai beson se kur cenohen interesat e Kremlinit dhe ëndrra e shtetit të madh rus duhet ndërhyrë.

Filozofi Emil Durkhein lidhur me individin dhe individualizmin ka thënë: ‘Individualizimi ka  si pasojë moralin individual, që është kult i individit dhe është e behet i pavarur nga çdo moral e autoritet.’

Vladimir Putini e urren Gorbaçovin, se ishte krejt ndryshe prej tij. Ai e quan fajtorin kryesor për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe ishte në pjesëmarrjen e grushtit të shtetit të dështuar të mbështetur nga KGB kundër Gorbaçovit. Putini po ndjek hap pas hapi me bindje të njëjtën politikë dhe dhunë si idhulli i tij Juri Andopov. Ai ka mbështetur dhe mbështet diktaturat kudo në botë, si në luftën e përgjakshme të Sirisë, në Iran, Venezuelë dhe gjetkë, sepse vetë është diktator. Ai është i shurdhër ndaj deklaratave paralajmërimeve dhe sanksioneve të presidentit amerikan Barak Obama dhe të liderë të tjerë evropianë. Ai në bindje është sllavobolshevik rus, nuk ka ndërmend të ndalet, ai ëndërron të bëhet njëlloj si cari i Rusisë Nikollaj i I-rë.

Ish sekretarja e shteti Amerikan Kondoleza Rais si një diplomate e sforcuar e situatës ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Në një kryeartikull  disa ditë më parë për gazetën e kryeqytetit amerikan Washington Post mbi gjendjen e krijuar në Ukrainë, ajo shkruan se ngjarjet e fundit në Ukrainë, janë një alarm për të gjithë ata që mendojnë se nuk është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të marrin përsipër përgjegjësitë e një udhëheqësi botëror. Ajo e sheh qartë rrezikun dhe pangopësinë rusomadhe të Vladimir Putinit.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Putinit, Krsitaq Turtulli, megallomania, rrezikshmeri

Rusia duhet t’i kërkojë ndjesë kombit shqiptar

March 21, 2014 by dgreca

Sa për kujtesë ambasadorit rus, zotit Leonid Abramov/

 Shkruan:Prof.dr. Eshref Ymeri/

 Përmes faqes së internetit “info Albania”  të datës09 korrik 2013, u njoha me intervistën që moderatorja e emisionit “Shqip” të TV Top Channel, znj. Rudina Xhunga, i kishte marrë ambasadorit rus në Tiranë, zotit Leonid Abramov. Që në përgjigje të pyetjes së parë, zoti Abramov, ndër të tjera, deklaronte:“Rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”. Këto fjalë më kujtojnë pikë për pikë një deklaratë të njërit prej paraardhësve të zotit Abramov, atë të ambasadorit Prishepov.

Në gazetën “Shqip” të datave 23 dhe 24 dhjetor 2006, qe botuar një intervistë e ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë, zotit Aleksandër Prishepov, dhënë gazetarëve Aida Harka dhe Leonard Mitro. Në atë intervistë ai, midis të tjerash, deklaronte:’ shqiptarët dhe rusët kanë ndjenja historikisht miqësore ndaj njëri-tjetrit”.

          Me sa duket, zotërinjve ambasadorë të Federatës Ruse në Tiranë, u qenka bërë mani për të përsëritur tënjëjtën frazë stereotipe për punën e të ashtuquajturës miqësi mes rusëve dhe shqiptarëve.

Meqenëse zoti Abramov po përsërit të njëjtën gjë, e quaj të arsyeshme të ndalem në deklaratën e tij, pasi e vërteta historike qëndron krejt ndryshe për punën e “miqësisë” së rusëve ndaj shqiptarëve.

Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika ruse, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky qëështë kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

          Së dyti,kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu,më 27 tetor  (9 nëntor) 1912,në një telegramsekret qëi dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

          “Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë”(Citohet sipas librit:“Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”.Moskë 2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”.Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).

Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës së Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾  e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.

Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka patur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:

“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129).

Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që o mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë.

Së pesti,në një bisedë që J.V. Stalini ka patur në muajin shkurt të vitit 1948 me një delegacion tëPartisë Komuniste të Jugosllavisë, të përbërë nga  M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, është zhvilluar një dialog. Me këtë rast, M. Gjilasi kujton deklaratën e Stalinit:

          “- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!

          Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij… Unë përsëri fillova t’i shpjegoja:

          – Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi.

          Këtu ndërhyri Molotovi:

          – Po, kjo do të thotë ta gëlltisni.

          Ndërsa Stalini – përsëri me gjestin e tij:

          – Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt aq mëmirë” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dheKosova.(Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104.

Pra, Stalini e ka deklaruar shkoqur se Shqipëria nuk paraqiste kurrfarë interesi për Rusinë, prandaj ajo duhej gëlltitur prej Jugosllavisë.

Por Stalini u kujtua për Shqipërinë vetëm atëherë kur Titoja i ktheu krahët dhe Jugosllavinë e orientoi drejt Perëndimit. Gjatë viteve 1948-1960 pati një intensifikim të marrëdhënieve të Rusisë me Shqipërinë, të cilat u konkretizuan në shumë fusha. Por si nxitje për ato marrëdhënie nuk u bë kurrsesi ndonjë “miqësi” që rusët “ushqenin” për shqiptarët. Përkundrazi. Në themel të atyre marrëdhënieve, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë në Ballkan, qëndronin interesat madhore të Rusisë për të pasur një bazë të fuqishme ushtarake në bregdetin shqiptar, me qëllim që të konkurronte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pellgun e Mesdheut, ku lëvizte flota e gjashtë amerikane. Dhe rusët arritën që ta ngrinin një bazë të fuqishme ushtarake në Pashaliman.

          Së gjashti,siç u përmend më lart, skenat që përshkruan Sazonovi, kur opinioni publik rus, duke ushqyer “ndjenja miqësie” ndaj shqiptarëve, u ngrit peshë më këmbëkundër kombit shqiptar, duke dalë në mbrojtje të epsheve ekspansioniste të shovinizmit serbomadh pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u përsëritën 87 vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, kur aleanca veriatlantike doli në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës dhe filloi bombardimin kundër Serbisë.

Ja sesi përshkruhen ato skena:

“Siç është bërë e njohur, ajo që reagoi e para në Rusi, dhe më ashpër, ndaj agresionit të NATO-skundër Jugosllavisë, ishte “rruga”. Madje, përkundër deklaratave për gjoja pasivitetin e popullit tonë, “rruga” nuk pati ndër mend të priste kur po lëkundeshin organizatat politike. Që të nesërmen në mëngjes, pas fillimit të bombardimeve, përreth ambasadës së SHBA në Moskë, filluan të mblidhen turmat e egërsuara të njerëzve(Citohet sipas: Nikollaj Rizhkov, Vjaçesllav Tetjokin. “Golgota jugosllave”. Moskë 2002, f. 156).

Unitetin e opinionit publik rus rreth politikës zyrtare të Kremlinit, të drejtuar kundër popullit shqiptar të Kosovës, politikë kjo që merrte në mbrojtje mizoritë fashiste të Millosheviçit, masakrat e tij të egra në radhët e pleqve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur shqiptarë, e dëshmon edhe vetë Presidenti Jelcin në kujtimet e veta. Ai deklaron:

“…gjendja shpirtërore e rusëve ishte me të vërtetëtejet alarmuese, e tensionuar.Njerëzit po e vlerësonin tragjedinë jugosllave si diçka shumë serioze për ta” (Citohet sipas: Boris Jelcin. “Maratona e Presidentit (përsiatje, kujtime, përshtypje)”. Shtëpia Botuese “ACT”. Moskë 2000, f. 291).

Rezulton se mbarë opinionit publik rus, që nga Vladivostoku e deri në brigjet e Balltikut, nuk i bënin kurrfarë përshtypjesh barbaritë e shovinizmit serbomadh kundër popullit shqiptar të Kosovës. Këto barbari atij nuk i ngjallnin kurrfarë emocionesh. Me sa duket, opinioni publik rus s’kishte ndonjë kundërshtim që popullin shqiptar të Kosovës Beogradi të vazhdonte ta trajtonte si ndonjë material inert, kundër të cilit Millosheviçi kishte nisur “buldozerët” e Arkanit dhe te Sheshelit për ta rrafshuar krejtësisht.

Çudi! Po si qe e mundur që, në valën e shprehjes së dashurisë së zjarrtë të rusëve për shovinizmin serbomadh, asnjë rus i vetëm, qoftë edhe në ndonjë cep të humbur të Rusisë, nuk u bë i gjallë dhe të shprehej se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, siç deklaron zoti Leonid Abramov?! Pra, faktet dëshmojnë se deklarata e zotit ambasador është larg së vërtetës.

Së shtati, duke pasur parasysh faktin që rusët na i konsideruakan shqiptarët, demek, si “miq”, Presidenti rus, zoti Vladimir Putin, deklaron:

“Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: Dr. Islam Lauka & Prof.dr. Eshref Ymeri. “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).

Deklarata e z. Putin, me të pavërtetat që përmban, zbulon urrejtjen që ai ushqen ndaj etnisë shqiptare me shumicë dërrmuese myslimane në Evropën Juglindore. Fushatën që ndërmori aleanca veriatlantike për bombardimin e Serbisë për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zhdukja fizike prej bandave fashiste të Millosheviçit, ai, në radhët e popullit rus, e reklamon si fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për islamizimin e Evropës. Çdo lexues me mendje të kthjellët i shtron vetes pyetjen: po si është e mundur, xhanëm, që një deklaratë e tillë paradoksale të dalë nga goja e Presidentit të një supershteti, siç është Federata Ruse? Jam i bindur se sikur President i asaj Federate të ishte një intelektual i shquar nga radhët e inteligjencies shkencore, artistike apo letrare ruse, ai kurrsesi nuk do t’ia lejonte vetes një deklaratë të tillë. Por zoti Putin nuk vjen nga radhët e intelektualëve të tillë. Ai vjen nga radhët e KGB-së, prandaj edhe nuk ka asgjë për t’u habitur nga deklarata e tij.

          Së teti,në vazhdim të deklaratës së zotit ambasador se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, vijon një tjetër deklaratë e tij:

“…ajo që ka rëndësi është se ne nuk kemi probleme të karakterit politikë mes nesh.

Për fat të keq, edhe përmbajtja e kësaj deklarate është larg së vërtetës. Problemet politike mes nesh, Ministria e Jashtme Ruse i reklamon në të gjitha udhëkryqet e Evropës.

Në “Gazetën Shqiptare” të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”,të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Me këtë rast, në notëprotestën ruse, të përcjellë prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Llukasheviç, theksohej:

“…idetë nacionaliste të krijimit të një “Shqipërie të Madhe”, bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë forcimin e sigurisë në rajon ndaj dhe duhet të marrin një reagim të përshtatshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Pohime të tilla, që mbështeten në logjikën mesjetare, mund të çojnë në pasoja jashtëzakonisht negative”.

Sa herë që dikush prek, qoftë edhe kalimthi, çështjen kombëtare shqiptare, që, si një problem i mprehtë politik, vazhdon ende të mbahet pezull deri tani, në Rusi fillojnë të fryjnë erëra polare. Paskëtaj, kukuvajkat ruse, që nga Paqësori e deri në Balltik, fillojnë kujamën e tyre të pafundme, në të gjitha regjistrat e politikës ruse. Tashmë kombi shqiptar ka arritur të imunizohet plotësisht nga pasojat e mundshme të korit të vajtocave ruse. Dhe për qëndrueshmërinë e këtij imuniteti, kontribut të veçantë ka dhënë dirigjenti i tyre në Kremlin.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbarë -viçët e politikës ruse rrahën kambanat në të gjitha udhëkryqet e kontinentit tonë se pavarësia në fjalë do të sillte si rrjedhim një reaksion zinxhir që do të shkallmonte themelet e mbarë Evropës dhe pasojat e veta do t’i kishte në mbarë botën.

Madje ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov pati deklaruar asokohe se Kosova na përfaqësuakej një vijë të kuqe, shkeljen e së cilës Kremlini nuk do ta lejuakej kurrë! Paradoksale!

Po mbushen gati pesë vjet e gjysmë që kur Kosova shpalli pavarësinë dhe nuk ndodhi asgjë. Themelet e Evropës mbeten atje ku ishin dhe mbarë bota nuk pati kurrfarë pasoje. Për inat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve kryesore të Bashkimit Evropian që e njohën shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, Rusia erdhi e u mbars mirrë e mirë nga mllefi dhe mëria që e pati kapluar keqas dhe një ditë të bukur polli dy “mijushë” të vegjël fare: pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Kjo e fundit me një popullsi prej rreth shtatëdhjetë mijë banorë. Pavarësia e Kosovës vajtocat ruse i la me gisht në gojë.

Tani që shumë figura të njohura nga radhët e intelektualëve shqiptarë, çështjen e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare tash sa vjet e shikojnë me të drejtë si themelin e stabilizimit të përhershëm politik në Evropën Juglindore, përsëri fillojnë e dalin në skenë kukuvajkat e Kremlinit.

Sikleti i kukuvajkave ruse është i dyfishtë.

Nga njëra anë, ato i tremben shkallmimit të themeleve të perandorisë ruse, e cila vazhdon të mbahet në zap me forcën e armëve. Dëshmia më e pastër vjen nga rajonet e Kaukazit të Veriut, ku është krijuar në ilegalitet Emirati Kaukazian që bashkon të gjitha republikat myslimane të atij rajoni dhe që, nën surdinë, vazhdon luftën e pandërprerë për shkëputje nga neocarizmi rus.

Nga ana tjetër, ato e ndiejnë veten të fyera dhe të poshtëruara nga ngjarjet që u zhvilluan në ish-Jugosllavi gjatë bombardimeve të NATOS kundër Serbisë, si edhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto ngjarje shënojnë dështimin përfundimtar të politikës ruse në Ballkan.

Një analist rus, dështimin e kësaj politike e ka nxjerrë në pah që në verën e vitit 1999. Ai shkruante:“Një nga episodet më befasuese të epopesë ballkanike përcillet në deklaratën e Boris Jelcinit për “politikën e shkëlqyer që ka zhvilluar Rusia” gjatë ecurisë së krizës ballkanike, e cila na u kurorëzua me pjesëmarrjen e trupave ruse në operacionet paqeruajtëse në Kosovë. Kësisoj mund të deklarohet në dy raste: ose kur jeton në një botë imagjinare, duke humbur çdo lidhje me realitetin, ose duke i vlerësuar të gjithë bashkëqytetarët e vet, “rusët e dashur”, si budallenj me brirë. Se cila nga këto dy hamendje është më e papranueshme, kjo është një çështje e diskutueshme. Në Ballkan, politika e jashtme e Moskës pësoi një tjetër disfatë shkatërrimtare dhe, sipas gjasave, tashmë krejtësisht të pariparueshme”. (Citohet sipas: Aleksej Arbatov. “Shansi i fundit i Rusisë në Ballkan”. Botuar në “Njezavisimaja gazeta”. 15 korrik 1999).

Me sa duket, politika sedërpërlyer e Moskës kërkon ta mbajë me gajret Beogradin se “nuk do të jetë e mundur” rrudhosja e mëtejshme e trojeve serbe që banohen me popullsi rrënjëse shqiptare. Me fjalë të tjera , diplomacia dhe politika ruse, e keqlënduar nga ecja e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, kërkon të vetëngushëllohet me aksionet që ndërmerr kundër kombit shqiptar, duke u shtirur sikur nuk po i bie në të, që edhe Beogradi po i kthen krahët përfundimisht.

Kjo politikë, domosdo “largpamëse”, mundohet, gjithashtu, t’i gjendet pranë politikës së Grujevskit, për ta ngrohur këtë me shpresën se uniteti i Maqedonisë nuk do të cënohet në perspektivë nga prania e etnisë së madhe shqiptare në të, paçka se bashkëjetesa e saj me etninë maqedonase të kujton atë të vajit me ujin.

Duhet të jesh domosdo politikan rus që të deklarosh se aspirata e popujve për ndërtimin e një shteti kombëtar, me një stemë dhe një flamur, na qenka politikë mesjetare! Politikë mesjetare është politika ruse, e cila popujt e Kaukazit dhe të etnive të tjera joruse, vazhdon t’i mbajë nën zgjedhën e vet, pikërisht si në kohën e carizmit.

Së nënti, lidhur me pyetjen e zonjës Xhunga për marrëdhëniet ruso-shqiptare, zoti ambasador deklaron:“Për fat të keq, e njohim pak Shqipërinë moderne dhe shkaqet janë te mosmarrëveshjet e Hoxhës dhe Hrushovit. Për faj të tyre, u dëmtua edhe Shqipëria edhe Rusia, sepse na iku një ndër aleatët tanë në rajonin e Ballkanit.

Por pak më poshtë, zoti ambasador e çliron nga faji Hrushovin tërësisht, duke ia lënë atë në derë vetëm Enver Hoxhës. Ai deklaron:

“Rusinë dhe Shqipërinë prej kohësh i bashkonin marrëdhënie të mira që nëvitet ’50  dhe dy popujt nuk kanë faj që Hoxha prishi marrëdhëniet”.

Me këtë deklaratë,  zoti ambasador i bie në qafë pa të drejtë Enver Hoxhës dhe shtrembëron një të vërtetë historike. Faji për prishjen e marrëdhënieve ruso-shqiptare nuk është aspak i Enver Hoxhës. Fajin kryesor për prishjen e atyre marrëdhënieve e kishte Hrushovi kryekëput. Prej datës 25 maj deri më 03 qershor të vitit 1959, Hrushovi bëri një vizitë në Shqipëri. Nga ajo vizitë, Enver Hoxha, me nuhatjen e hollë të një politikani të etur për pushtet, e kuptoi se ku donte të dilte Hrushovi: ai kërkonte ta zëvendësonte Enver Hoxhën me një tjetër figurë nga radhët e udhëheqjes shqiptare, ashtu siç kishte vepruar me krejt udhëheqësit e vendeve satelite të Evropës Lindore, të cilët i trajtonte thjesht si kukulla në duart e veta. Por me Enver Hoxhën i ngeci sharra në gozhdë se Enver Hoxha i tha: “ndalu beg se ka hendek!”. Pas fjalimit të Enver Hoxhës në Konferencën e 81 partive komuniste dhe punëtore që u zhvillua në Moskë në nëntor të vitit 1960, fjalim, në të cilin ai ia përplasi në fytyrë Hrushovit pikëpamjet e veta, ky i fundit mori vendimin për prishjen tërësore të marrëdhënieve me Shqipërinë, shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe prerjen menjëherë të marrëdhënieve diplomatike, duke larguar me nxitim ambasadën ruse nga Tirana. Pra, marrëdhëniet me Shqipërinë i preu përfundimisht Hrushovi dhe jo Enver Hoxha. Pas këtij vendimi të Hrushovit, në mjetet e informimit masiv rus, çdo lloj informacioni për Shqipërinë u vu në karantinë të plotë, a thua se vendi ynë nuk ekzistonte më fare në rruzullin tokësor. Asokohe ishte rasti më ideal që Enver Hoxha ta kthente timonin drejt Perëndimit. Por ai, si stalinist i betuar që ishte dhe i etur për pushtet personal, e vazhdoi rrugën edhe më larg drejt Lindjes.

Së dhjeti, kam respekt për emisionet e znj. Rudina Xhunga dhe për horizontin e saj të gjerë kulturor. Por mendoj se herë tjetër, kur të qëllojë të ftojë në intervista ambasadorë pasardhës të Federatës Ruse në vendin tonë, ajo duhet t’i kthejë ato edhe në intervista-debat, për të mos i lejuar ata të shtrembërojnë ca tëvërteta historike në raportet e Rusisë me Shqipërinë dhe, në tërësi, me etninë shqiptare në Evropën Juglindore.Ndofta zonjës Xhunga nuk i ka rënë ende në dorë libri që përmenda më lart me titull “Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”, në 321 faqet e të cilit , mbi bazën e dokumenteve origjinale, zbulohet lakuriq politika tradicionalisht e egër, armiqësore, e Rusisë kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Kosovës pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe deri në ditët tona.

Në mbyllje të këtyre shënimeve, dëshiroj të theksoj se ambasadorët rusë, para se të fillojnë të japin intervista në kanalet televizive të Tiranës, do të ishte në nderin e tyre, që, si përfaqësues të politikës së jashtme ruse, të dilnin para publikut shqiptar me një pendesë, me një ndjesë të sinqertë, për krimet e rënda që Rusia ka kryer me ndërhyrjet e veta të drejtpërdrejta dhe vendimtare për copëtimin e trojeve tona etnike, duke mbjellë farën e urrejtjes mes fqinjve tanë grekosllavë.(Tiranë, 13 korrik 2013)

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet t'i kerkoje, Kombit Shqiptar, ndjese, Prof. dr. eshref Ymeri, Rusia

APOLOGJIA DHE CINIZMI I NJE AMBASADORI

March 21, 2014 by dgreca

Nga Petro DANGELLIA/

Duhej te dilte ceshtja e Krimese qe ambasadori rus ne Tirane te kujtohej dhe te fliste per shqiptaret e Shqiperise dhe te Kosoves. Pak a shume ai u shpreh, se ju shqiptaret e kuptoni shume mire ceshtjen e Krimese ku ka rus, dhe qe ne jemi te ndieshem ndaj tyre; ashtu sic jeni ju te ndieshem si shqiptare per shqiptaret e Kosoves. Me kete ai vendosi paralele historike midis Krimese dhe Kosoves.

Nuk e dime ne se z.ambasador e njeh mire historine, apo ben sikur e njeh. Mbase profesioni fillestar i tij nuk ka lidhje me historine. Por nje ambasador kur vjen ne nje vend, gjeja e pare qe duhet te beje eshte te mesoje mire historine, zakonet dhe traditat e banoreve te atij vendi. Atehere duhet t’i kujtojme atij ambasadori; se neqoftese Krimeja eshte bere ruse para rreth 250 vjetesh, dhe kjo si rezultat i nje pushtimi dhe aneksimi te realizuar nga Rusia Cariste neprmjet luftes kundrejt Perandorise Otomane; Kosova ka qene shqiptare qe ne kohen kur Krimeja banohej nga popujt pellazge, Skithet Albane; Ndersa Kosova banohej nga Dardanet, zoterit e dy kontinenteve, Europes dhe Azise, ku ky zoterim ndahej nga nje ngushtice, qe qysh atehere dhe deri me sot quhet Ngushtica e Dardaneve.

Por vijme ne kohe me te reja, ku ambasadori besojme se do te na kuptoje me mire. Ne vitin 1878, perseri si rezultat i nje lufte te Rusise kundrejt Turqise, pa driten e diellit Traktati i famshem i Shen Stefanit ku trojet shqiptare i jepeshin dhurate prej Rusise ortodokseve te Ballkanit, Grekeve dhe sllaveve serbe, malazeze dhe bullgare. Pra zoti ambasador trojet shqiptare copetoheshin nga vendi juaj, Rusia. Ne ate koheSanxhaku dhe Nishi ju shkeputen trungut meme dhe ju dhane Serbise. Nishi, vendlindja e dardanasit te madh, Kostandinit, perandorit qe i dha krishterimit lirine, i cili ka folur shqip. Ate liri qe gezon sot edhe patriarkana ruse, serbe, greke, bullgare etj etj.

Vazhdojme me tej, ne vitin 1913, Fuqite e  Medha, ku bente pjese edhe Rusia juaj dhe me kerkesen ngulmuese te kesaj te fundit, ja shkeputen Kosoven trungut meme dhe ja dhane Serbise. Ajo Kosove qe ju sot po na i kujtoni, duke u hequr se ju vjen keq per ne shqiptaret, dhe duke na treguar se cfare ndiejme ne shqiptaret per njeri tjetrin, pas asaj kasaphane qe shkaktoi vendi juaj para 100 vjetesh. Ku fatkeqesisht, jo vetem nuk na kerkoni falje per ate tragjedi, por me cinizem talleni me ndjenjat tona duke na treguar edhe se cfare ndiejme. Mire qe nuk kerkoni falje, por te pakten, per te mbuluar te keqen qe na keni bere, njiheni Kosoven si shtet te pavarur. Kjo edhe per diplomaci, qe t’u tregoni te tjereve, se ja ne e njohem Kosoven, pasi problemi i saj eshte njesoj si Krimeja. Atehere do te kishit justifikimin formal per te hequr paralele midis Kosoves dhe Krimese. Them formal, pasi midis tyre asnjehere nuk mund te hiqen paralele; pasi Kosova eshte nje toke e shkeputur nga trungu meme; Ndersa Krimeja eshte nje toke e shtuar nepermjet aneksimit me nje trung jo meme.

Kur ketij ambasadori gazetaret shqiptare i kerkojne te shprehet lidhur me njohjen e Kosoves si shtet i pavarur nga Rusia. Ai thote se nuk eshte i autorizuar te shprehet per kete problem. Por per te hequr paralele pa vend, eshte i autorizuar?! Per t’i treguar  qeverise shqiptare se cfare duhet te beje dhe cfare duhet te thote lidhur me Krimene, eshte i autorizuar?! Kjo na kujton kohen e viteve 57-60 te shekullit te kaluar, ku koleget e tij ruse perpiqeshin t’i tregonin qeverise shqiptare se si duhej te sillej, cfare duhej te bente dhe cfare duhej te thoshte. Nderkohe qe qeveria shqiptare e asaj kohe, nuk e hodhi vallen sipas avazit rus, pavaresisht se nuk kishte asnje mbeshtetje nga perendimi; kete qeverine e sotme shqiptare, qe ka mbeshtetjen absolute nga perendimi dhe NATO; nuk po e kuptojme, pasi ka rene “sklluf” dhe nuk i ndihet zeri.

Ne foto:Ambasadori rus ne Tirane

Filed Under: Analiza Tagged With: APOLOGJIA DHE CINIZMI, I NJE AMBASADORI, Petro Dangellia

E ardhmja e errët

March 20, 2014 by dgreca

Vrasja e gazetarit suedez Nils Horner në prizmin e mediave dhe opinionit të këtij shteti skandinav/

                                       E ardhmja e errët/

Duke dënuar ashpër vrasjen e këtij gazetari të njohur të radios shtetërore, opinioni dhe mediat e këtushme theksuan se më këtë akt makaber po ngulfatet fjala e lirë dhe po shkilen të gjitha normat e demokracisë/

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Geteborg, 21 mars- Situata aktuale dhe e ardhmja e Afganistanit ishin në fokus të interesimit të mediave të shkruara e elektronike të Suedisë me theks të veçantë vrasja makabre e gazetarit- korrespondentit të radios të këtij shteti Nils Horner, që ndodhi pardje në pikë të ditës në qendër të Kabulit. Në fillim të këtyre artikujve dhe debateve të zhvilluara shumë ashpër u dënua ky atentat, i cili është i drejtuar, në rend të parë, në ngulfatjen  e fjalës së lirë dhe të shkeljes të të gjitha normave të demokracisë. Me keqardhje e pikëllim u fol për figurën e këtij talenti të rrallë në fushën e gazetarisë që la gjurmë të pashlyeshme me reportazhet e tija të shkëlqyera nga shumë vende të botës të përfshira nga luftërat si dhe nga shtete të tjera të trazuara ku sundonin regjimet diktatoriale.

Drejtoresh e këtij mediumi, Cilla Benky, në një konferencë për shtyp me lot në sy e me admirim foli për një punë jashtëzakonisht profesionale të kishte kryer Nils Horner. Vrasja e tij, tha më pas ajo, ka lënë një zbrazëtirë të hetueshme në rubrikën e politikës së jashtme dhe të profesionalizmit brenda radios. Ai përherë do të kujtohet një koleg i vlerësuar, i respektuar dhe i dashur edhe për dëgjuesit e shumtë të këtij mediumi. Për veprën e madhe që kreu në misione gjithnjë të rrezikshme për jetën e tij vetëm e vetëm që opinioni suedez të njoftohet  nga vendi i ngjarjes, foli edhe kryeredaktorja e lajmeve EKO të radios shtetërore Anne Lagerkrantz. Me këtë rast po peremndim edhe një reagim të një dëgjuesi i cili tha: Një zë gazetaresk i mbrëmjes u shua përgjithmonë. Shpeshherë i kam dëgjuar reportazhet e tij të mrekullueshme nga shtete të ndryshme, por ai profesionalizem dhe informacion objektiv pushoi se vepruari përgjithmonë. Një reagim i ashpër ishte i pranishëm edhe në të gjitha kanalet televizive dhe në gazeta ku kërkohej arrestimi i vrasësit dhe dënimi i tij. Reagoi edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Carl Bildt, duke theksuar se Nils Horner ishte një gazetar jashtëzakonisht më përvojë  dhe shumë i respektuar. Atë e kam vlerësuar lartë. Se ai është vrarë në Kabul vërtetë është një tragjedi.

Ekspert dhe njohës të mirë të rrethanave debatuan shtruar edhe për situatën aktuale që po mbretëron në Afganistan duke konstatuar se përkundër disa hapave pozitiv që janë ndërmarrë e ardhmja e këtij shteti është e errët për shkak se siç duket  në horizont talebanet do ta marrin sërish pushtetin me largimin e forcave aleate.

Filed Under: Analiza Tagged With: E ardhmja e erret, Xhavit Citaku

UKRAINA, SIRENË ALARMI

March 20, 2014 by dgreca

Condoleezza Rice: Nga mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, përfitojnë duke marrë guxim vetëm ”diktatorët dhe ekstremistët e llojllojshëm anë e mbanë botës.”/                          

Nga Frank Shkreli/

Condoleezza Rice ka shërbyer si Sekretare e Shtetit nga viti 2005 deri në vitin 2009 në adminsitratën e Presidentit George Bush dhe njihet si një zë me kompetencë në politikën e jashtme dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare.  Në një kryeartikull  disa ditë më parë për gazetën e kryeqytetit amerikan Washington Post mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainë, ajo shkruan se ngjarjet e fundit në Ukrainë, janë një alarm për të gjithë ata që mendojnë se nuk është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të marrin përsipër përgjegjësitë e një udhëheqsi botëror.   Condoleezza Rice shpreh shqetsimet e sajë mbi atë që ajo sheh si një rol gjithnjë e më pasiv nga ana e Amerikës në çështjet ndërkombëtare. Ajo komenton se Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërhiqen nga arena ndërkombëtare dhe ”nuk mund të ulin zërin kur bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, duke lejuar të tjerët të udhëheqin”.   Siç duket në një kritikë të drejtë për drejtë ndaj administratës së Presidentit Obama, ajo tha se nga mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, përfitojnë duke marrë guxim vetëm ”diktatorët dhe ekstremistët e llojllojshëm anë e mbanë botës.”   Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, në komentin e saj për Washington Post, paraljamëron se heqja dorë nga luajtja e rolit udhëheqës në botë nga ana e Amerikës do të krijojë një boshllëk që më në fund do të “mbushet nga ekstremistë të al-Qaedas në Irak dhe në Siri, si dhe nga diktatorë të tipit Putin e Bashar Al Assad, i cili me mbështetjen e Iranit dhe të Rusisë masakron popullin e vet, si dhe nga retorika nacionaliste dhe nga masat e Pekinit që kanë shkaktuar përgjigje nacionaliste nga aleatëja jonë Japonia…”

Ish agjenti i policisë sekrete sovjetike KGB-ës, Vladimir Putin është shprehur në të kaluarën se tragjedia më e madhe e shekullit 20-të ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.  Kondoleezza Rice thotë në krye-artikullin e saj se ndonëse problemi me Ukrainën nuk është diçka e re, ajo shkruan se Rusisë duhet t’i bëhet e qartë se masa të tilla të mëtejshme nuk do të tolerohen dhe se, ”integriteti territorial i Ukrainës është i paprekeshëm.”  Ajo mirëpriti masat e njoftuara  deri tani nga administrata e presidentit Obama kundër Rusisë, por shkruan se, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një plan afatgjatë për t’iu kundër-përgjigjur deklaratës së Putinit në lidhje me të ardhmen e Europës pas Luftës së Ftohtë.  Zonja Rice shkruan se me agresionin e tij, “Putini po i thotë botës se Ukraina nuk do të jetë kurrë më e lirë të vendosë vet fatin e saj — një mesazh ky që ka për qëllim të bëjë jehonë edhe anë e mbanë Europës Lindore dhe vendeve Baltike — se Rusia ka interesa të veçanta dhe se ajo do t’i ndjekë për t’i realizuar ato, me çdo çmim.”  Ajo thotë se Putini do e këthej orën mbrapa, për derisa ekziston një hesitim angazhimi serioz nga ana e Përendimit për të kundërshtuar avanturat e tija.

Ish-Kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara thotë se Moska nuk është immune ndaj presioneve dhe se ne duhet të ushtrojmë një strategji afatgjatë dhe me durim, por mbi të gjitha ajo thekson se tani , “Gjëja më me rëndësi është që të rivendoset roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në komunitetin ndërkombëtar”, dhe që Amerika të mos duket “e lodhura dhe e mos interesuar” për ato që ndodhin në botë.

Kondoleezza Rice sugjeron në artikullin e saj, se midis masave të tjera, Shtetet e Bashkuara duhet t’i shtrijnë dorën rinisë së Rusisë, sidmos studentëve dhe profesionistëve të rinjë, shumë prej të cilëve janë duke studiuar në universitetet amerikane dhe që janë të punësuar në firma perëndimore duke shtuar se, “për të realizuar ambiciet e tyre, forcat demokratike në Rusi kanë nevojë për mbështetjen amerikane.   Ata, dhe jo Putini, janë e ardhmja e Rusisë”, përfundoi Zonja Rice.

Kondoleezza Rice ka të drejtë. Agresioni dhe pushtimi i Krimesë si dhe kërcënimet e Putinit për të rivendosur rolin dhe infleuncën e Rusisë në ish republikat sovjetike, me pretekstin për të “mbrojtur pakicat ruse të kërcënuara”, është një rrezik jo vetëm për Ukrainën dhe ish-republikat sovjetike, por është edhe një sfidë për të gjithë botën, duke rrezikuar rendin dhe paqën botërore. Rusia e Putinit ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë diktatorë të tipit Viktor Yanukovich, multimiliarderit të pasuruar në kurriz të popullit ukrainas, si dhe regjime jo demokratike anë e mbanë botës. Ukraina nën regjimin e Yanukoviç u varfërua, u demoralizua dhe si rrjedhim u destabilizua gjëndja duke shkaktuar ndërhyrjen agresive të Rusisë. Për më tepër, Putin-i mbështetë udhëheqsit dhe regjimet jo-demokratike edhe jashtë asaj që ai konsideorn si zonë e influencës së Moskës,  duke filluar nga Siria e Irani, e deri tek Venezuela,  me fjalë të tjera — kudo dhe këdo që tregohet armiqësor ndaj interesave të lirisë dhe demokracisë dhe kundër inetersave perëndimore, në radhë të parë të kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. S’do mendë se kriza e krijuar në zonën e Euroazisë është rezultat i drejtë për drejtë i  asaj që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry e ka cilësuar si “një akt i paturpshëm agresioni dhe një shkelje e obligimeve ndërkombëtare” nga ana e Rusisë së Putinit.  Por është edhe rezultat i një politike strategjike revanshiste, por të gabuar të Putinit,  një përpjekje nga ana e tij për të zhberë atë që ai ka thënë se ishte një “tragjedi’, — shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik.  Është kjo një politikë katastrofale dhe fatkeqe, për jo vetëm për Euroazinë, por edhe për mbarë Europën dhe  botën.  Fatkeqsia tjetër në këtë mes, qendrimi i perëndimit  gjatë këtyre viteve karshi Vladimir Putinit. Ashtu siç komentoi edhe dje në një editorial, gazeta Washington Post, “Se Adminstrata e Presidentit Obama dhe aleatët e saj Europianë janë treguar tepër të ngadalshëm që të kuptojnë se Putin-i është i vendosur të ndryshojë rendin e pas Luftës së Ftohtë në Europë dhe të rivendosë dominimin e humbur të Rusisë mbi Europën Lindore, në zonën e Kaukazit dhe Azinë Qendrore”,  thuhet editorialin e saj me titull: ‘Obama nuk kupton ambiciet e Putinit në Euroazi’. Editoriali i Washisngton Post  përfundon duke thënë se, “Kriza në Europë nuk po ndodhë për arsye se atje u përhapën institucionet  dhe influenca perëndimore, por përkundrazi, për arsyen se, Perëndimi nuk plotësoi premtimin e bërë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, për një, ‘Europë të tërë dhe të lirë’.  Kritikë kjo me vend e editorialit të Washington Post për politikën ekonomike dhe ushtarake  të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian karshi ish-vendeve komuniste.  Të shpresojmë se cilat do qofshin masat e marra tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, të mos jenë të paka dhe tepër të vonuara.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Condoleeza Rice, Frank shkreli, SIRENË ALARMI, Ukraina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 914
  • 915
  • 916
  • 917
  • 918
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT