• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!

August 21, 2013 by dgreca

Percjellje: Në këtë shkrim në formë të letrës publike që i kam dërguar Valdrin Sherifit, i cili së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina Sulejmanin dhe Alban Kryeziun përfaqësuan Republikën e Kosovës në Olimpiadën e 54  Ndërkombëtare të Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të këtij viti përpiqem të ve në spikamë disa anomali të funksionimit të hapësirës politike dhe mediatike jo vetëm të Kosovës./

Në këtë letër, ndër të tjera mund të lexoni:

“Ty Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa mediat?!!!!

…. ishin të preokupuar të mediatizonin se si ‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte dëmtuar një pompë benzine në një aksident  me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një Kallashnikov në veturë’!”

 

Letër publike Valdrin Sherifit,

 

I dashuri Valdrin,

Unë dhe ti kemi mësuar në lëndën e historisë dhe kemi parë filma dokumentar  që dëshmojnë se një ndër faqet më të errëta të historisë së njerëzimit pa mëdyshje është Lufta e Dytë Botërore.

Kemi parë se si në përpjekje për të imponuar një hierarki mes «racash » çizmja dhe uniforma naziste la pas vetes me dhjetëra miliona viktima. Sa për ilustrim po përmendi vetëm një rast, i cili nuk është përzgjedhur rastësisht në këtë letër që po ta drejtoj.

Rreth 400.000 anglez u vranë dhe rreth 4 milion londinez u detyruan të largohen nga qyteti i tyre për të evituar sulmet e barbarisë raciste, që simbolizohej përmes «çizmes dhe uniformës hitleriane».

Pesë dekada më vonë, kur ti ishe dy vjeç, humbi jetën në një aksident të komunikacionit në Paris, Princesha Diana. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk janë ndalur hipotezat për implikimin e shërbimeve sekrete angleze në kurdisjen e këtij aksidenti. Unë nuk do të lëshohem në spekulime rreth këtyre hipotezave, që sërish këtë javë i dominojnë mediat më prestigjioze të perëndimit.

Ajo që të gjithë pajtohen lidhet me rolin e pakontestueshëm në shkatërrimin e jetës së Diana Frances Spencer nga një kategori e gazetarëve që emërtohen si « racë e papës» ( transkriptimi i këtillë i emrit të personazhit të filmit Dolce Vita, fotografistit me emrin Paparazzo, është i qëllimshëm).

Tetë vite më vonë, gazetarëve të kësaj « race» nuk do t’i shpëtojë mediatizimi i skajshëm i ‘skandalit të princit’ Harry (djalit të vogël të Dianës). Faqet e para të gazetave dhe lajmi kryesor i edicioneve televizive  nxori një foto të Harry-t 20 vjeçar, të veshur në uniformë naziste! A mund të kishte ‘skandal më të madh’ se sa një ‘pjesëtar i familjes mbretërore’ të vishte atë uniformë që ishte sinonim i tragjedive të panumërta për anglezët dhe për tërë njerëzimin. Harry, kësaj radhe në cilësinë e princit, sqaroi opinionin publik se këtë veprim e kishte bërë në një ‘festë kostumesh’ që kishin organizuar bashkëmoshatarët e tij dhe për këtë “gabim” ai “u kërkoi falje publike të gjithë atyre që ishin ndier të ofenduar’.

Përkundër vjelljes së vrerit të asaj « race gazetarësh», që përmes veprimeve dhe sjelljeve të një adoleshenti tentonin ta luftonin dimensionin mbretëror të sistemit politik të Britanisë së Madhe reagime të shumta pati nga specialist të lëmive të ndryshme (psikolog, sociolog, edukator etj).

 

Psikologët, sociologët dhe edukatorët që u prononcuan lidhur me këtë ‘skandal’ e zhveshën Harry-n nga funksioni i princit dhe e shtruan në rrafshin e veprimit të një adoleshenti. Vetëm kjo qasje shkencore mund të hapte rrugën, që përtej ‘funksioneve dhe roleve të trashëguara’ si fëmijë mbreti e mbretëreshe, fëmijë princi e princeshe, fëmijë ministri a ministreje, fëmijë deputeti e politikani etj të kuptohen veprimet dhe sjelljet e një adoleshenti si veprime dhe sjellje të një të riu.

Harry është adoleshent, si miliona adoleshent që në Angli dhe në mbarë botën tenton të testojë kufijtë e asaj që i përcaktohet si ‘e lejueshme’ apo si ‘e palejueshme’, si ‘e drejtë’ apo si ‘e padrejtë’, si ‘normale’ apo ‘jonormale’ etj. Para se të gjykohet për veprimet dhe sjelljet e tilla, Harry, si edhe çdo adoleshent tjetër në botë, ka nevojë të kuptohet nga rrethi, si formë e vetme që siguron pranimin e ndihmës nga ana e adoleshentit dhe evitimin e përsëritjes së veprimeve të ngjashme.

Diskualifikimet, akuzat dhe sidomos intrumentalizimi i sjelljeve të një adoleshenti për të sulmuar politikisht prindërit e adoleshentit janë veprime shumë të ulëta.

Çka është edhe më e keqe, kjo « racë e papës» përpiqet në të gjithë botën, pra edhe në Kosovë, që të imponojnë në fushën mediatike «INDEKSIN» e temave që janë ‘legjitime’ të njihen dhe të ndiqen nga publiku i gjerë dhe temat që duhet të lihen në heshtje si ‘pa interes’ për publikun.

Ti Valdrin, megjithëse i ri dhe në moshën e adoleshencës, e ke përjetuar mbi kurrizin tënd  këtë logjikë të funksionimit të fushës mediatike në Kosovë.

Kur ti, së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina Sulejmanin dhe Alban Kryeziun si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Olimpiadën e 54  Ndërkombëtare të Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të këtij viti, kishit nevojë për mbështetje të gjithanshme, përpos moderatorit Besim Dinaj që u mundua t’i jep pak oksigjen kësaj atmosfere të kontaminuar, u ballafaquat me heshtje totale!

Në vend të mbështetjes së gjithanshme për delegacionin që përfaqësonte shtetin e Kosovë në «Parlamentin e Dijes» dhe në vend që t’ju sigurohej mundësia që të shkonit së paku një javë para fillimit të garave në Kolumbi për t’u adaptuar me kushtet përtej Atlantikut, ju mezi arritët disa orë para se të fillonte kjo garë.

Përkundër kësaj, ju përfaqësuat në mënyrë dinjitoze shkencëtarët e ri të Kosovës në këtë garë ndërshtetërore dhe ngritët renditjen e shtetit të Kosovës për 15 vende (nga vendi 94 që ishte ranguar në garat e Olimpiadës paraprake të 53-të, në vendin e 79 në botë). Ju u kthyet me tri çmime «Honourable Mention» dhe jam i bindur se sikur të kishit përkrahjen minimale, në krahasim me mbështetjen financiare dhe mediatike që u bëhet olimpiadave të muskujve, ju do të ishit kthyer me gjashtë çmime. Mungesa e tri çmimeve duhet t’i fakturohet mospërfilljes për të investuar në shkencëtarët e ardhshëm dhe pamundësinë që t’ju krijojmë kushtet dinjitoze për ta përfaqësuar denjësisht cilësinë dhe kualitetet e njohurive që i posedoni.

Ty Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa mediat?!!!!

Për delegacionin që përfaqësoi shtetin e Kosovë me rezultate shumë të mira në Olimiadën Nërkombëtare të Matematikës nuk pati gazetarë që të shkruajnë. U deshtë të marrim informatat përmes familjarëve tuaj apo përmes ueb faqes zyrtare të olimpiadës: (http://www.imo-official.org/year_country_r.aspx?year=2013&column=total&order=desc).

Duke të njohur mirë jam i bindur se ti Valdrin nuk do të kishe dashur të shkruhet në media se ti Valdrin Sherifi, i biri i politikanit Bilall Sherifit që për më shumë se 30 vjet është aktiv në skenën politike kombëtare (ish i dënuar politik me 15 vjet burgim, anëtarë i Grupit Diplomatik të UÇK-së, disa herë anëtarë i Kryesisë së PDK-së dhe aktualisht këshilltar i Kryetarit të Parlamentit të Kosvovës, z. J. Krasniqi) u kthye me çmim nga Kolumbia! Ti atje ishe si një person me individualitetin tënd dhe me njohuritë tua.

Ti Valdrin e din fare mirë se për mediat kosovare ju nuk bëni lajm! Në kohën kur ju ktheheshit me rezultate nga kjo garë ndërkombëtare «papa racët»  ishin të preokupuar të mediatizonin se si ‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte dëmtuar një pompë benzine në një aksident  me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një Kallashnikov në veturë’!

Kam bindjen e plotë se ti Valdrin e din se kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson se a u lëndua apo nuk u lëndua Valon Buja në aksident por shpallin me pompozitet se dëmi i shkaktuar i pompës është 7000 euro!  Kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson të shohin sjelljet dhe veprimet e Valon Bujës, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovcit si sjellje dhe veprime të adoleshentëve dhe ta zhveshin interpretimin e gjërave nga bagazhi i funksioneve publike të prindërve të tyre. Përkundrazi! Përmes veprimeve dhe sjelljeve të adoleshentëve tentojnë të bëjnë luftën politike kundër personaliteteve të caktuara publike!

Adem Grabovci, Shukri Buja dhe të gjithë personalitetet publike janë objekte sulmesh dhe mbështetjesh për veprimet që i bëjnë apo nuk i bëjnë! Kjo është normale në çdo shoqëri që synon demokratizimin e vet! Ajo që është neveritëse te ne, sikurse edhe në vendet tjera, ka të bëj me instrumentalizimin e veprimeve dhe sjelljeve të fëmijëve për të luftuar prindërit e tyre!

I dashur Valdrin! Jam i mendimit se ti, unë  dhe shumica dërmuese e njerëzve klithim në kupë të qiellit: leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!

Bardhyl Mahmuti/ 21 gusht 2013

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, jashte hesapeve politike, Lereni femijet

Populli shqipëtar në zgrip

August 20, 2013 by dgreca

Nëse unë e kritikoj një mohues të kombit ,unë po e rëndojkna papunësinë? Ku ka llogjikë,kjo akuzë ? Nese unë si historian i demaskoj mbrapështitë turke ,serbe,greke; me këte  si mund ta rendoj çështjen  tonë sociale? Gabim je or djalë?Mendo më drejtë , mendo shqip! (f.xh)/

Shkruan:Fahri XHARRA/

Populli shqipëtar në zgrip; po përsëritet e keqja . “Në fund të shekullit te 19-të kur na u dobsua Turqija,(dhe mbetem përfundimisht nën Serbi ) shkune disa fshatar te pleqnari Xhemajl Abrija dhe e pyten? Xhemajl Aga… Po na pysin per regjistrim ” A jeni Shqiptar a musliman” e nuk po dime si me u pergjigj! Shkrunu kurrkusha ju tha Xhemajl aga.. Si bre kurrkusha i than fshataret!
-Po, kur nuk e dini se c’ka jeni ,ma mire me u shkru si kurrkusha.”

Buza e një gremine dhe  i një shkëbi të thepisur quhet :Zgrip . A jemi  ne në zgrip?

Çfarë absurdi i llojit të vet , ka filluar të promovohet nje komb i ri  që disa po e quajnë veten ” Osmanlli ” .Çudia e madhe se , Skenderbeu dhe lufta e tij po perpiqet te cilësohet si ” Lufte Fetare ” nga disa hoxhallarë duke  i cituar disa historianë dhe sipas tyre kjo na qenka ” e verteta ”. Kësaj i thonë :”Te mohosh veten” .Feja duhet ti sherben kombit , shtetit , atje ku vepron . Askush nuk eshte kunder Fese, por nuk duhet të lejohet që të behet instrumentalizimi dhe as politizimi i saj ! Kjo është e papranueshme ! Nese ciliido, personalitet fetar i cilesdo Fe nuk është edhe Kombetar , atëherë ata me apo edhe pa vetedijen e tyre janë kundër vetes , e edhe kunder fesë . !(A.Hoti)

Zgripi i humnerës kombëtare është shumë afër. Zgripi është pika e fundit,fundi, mbarimi i diçkaje Sa jemi ne në zgrip? Kush është vënë në krahun antikombëtar duke gdhendur (grryer) në trupin e etnisë së vet në emër të Islamit. Ku i kemi hoxhallaret atdhetar, të cilët duhet të jenë të parët që t’u kundërvihen këtyre fundrrinave të shitura për ca para e salltanete që ua ofrojnë sektet ekstreme islame arabo-turke?!… Këta e shfrytzojnë gjendjën anarkike në Kosovë për t’i mberri qëllimet e tyre të errëta në dëm të kombit shqiptar.(DIG)

A duhet të flasim nga froni, fron ky që e braktisëm me shekuj, a duhet të flasim nga malli  për zërin tonë burimor shqiptar?

“Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij.  Dy grupimet që do të ndesheshin, “albanologët e rinj”, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë.Thënja “patriotizmi, streha më e fundit e horrave”, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare.(I.Kadare)

Por strehsat nuk po dorëzohen lehtë. Ata e kanë kuptuar se do të ishte më mirë të përdorin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptojnë se po e trondisin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e jonë,po vehen në zhbirimin e ca dokumenteve  dhe ca hartave të ca arkivave, me ngulm të vërtetojnë osmanitetin tonë. Zgripi moral ,historik dhe identitar i një kombi të lashtë.

Edhe rusët paskan ”hise” në tokat e Kosovës .” Me marrjen e tokave serbe , me marrjen e krahinës së Kosovës dhe Metohisë, nacionalistët shqipëtar i rrëmbyen edhe disa pjesë tokeje të Rusisë në Kosmet. Kisha ortodokse ruse , në t`ashtuquajturën Kosovën e pavarur i ka në pronësi disa kisha ,pasuri kishtare dhe disa fshatra të cilat rusëve në shekullin e mesëm iu paskën falë serbët. Këte e vërteton urdhëri i Car Lazarit të cilin e kishte nënshktuar ai në vitin 1380.( Rusi imaju zemlju na Kosmetu , V.Novosti 18,08,13 Beograd).” Zgripci tëhollohet dhe bëhet edhe më i lehtë për rënje në humnerë.

Po as Rusia e as kisha ortodokse ruse nuk kanë egsistuar në vitët 130,1381. Por sidoqoftë, serbet flasin e ne mirremi me luftërat në Siri dhe Egjypt.

” Në brigjet e Bosforit ,jetojnë bile 3 milion njerëz me prejardhje nga këto anë (serbia fxh) ,të cilët në menyrë nëncmuese (pezhorative) i kemi quajtur ” poturice”. Sigurisht që nuk ishte fjala për migracion klasik ,por për emigracionin e të shpërngulurve të fesë muslimane memera turk  i cili ka zgjatur me shekuj,por që të cilët janë ngusht të lidhur metokën e stëgjyshërve të tyre (Веровали или не: У Турској живи девет милиона Срба!)

Mos po iu duket kjo një lojë serbo-turke në mohimin e etnisë së 7 milion shqiptarëve në Turqi ( Sipas serbëve 9 milon serb) ? Loja e ardhshme është kërkimi i pronave në Kosovë, nga shqiptarët (serbet) e shperngulur në Turqi.

Pra ,në vend se të shkojmë në Libi , Siri , Egjypt  të shikojmë më shumë për zgripin tonë të cilin po na e gëdhendin dhe pergadisin.

Hani , ju hani! Hani e mos u ngopshi ! (fxh)/

19.08.13, Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, shqiperia ne zgrip

Çmenduria serbe- i kërkojnë rrënjët nga kultuar parailire

August 19, 2013 by dgreca

9 milion serbë qenkan në Turqi !/

Nga Fahri XHARRA/

Serbët në kërkim të certifikatës së rrejshme të lindjes së tyre po i kalojnë të gjitha normat e një etike shkencore. Që njëzet vjet ata po punojnë në një drejtim të ri të largimit tonë nga e vërteta historike. Qëllimet e tyre  janë drakonike, Derisa me shekuj kanë shkruar se ne jemi askushi ,barinj të zbritur nga malet e pa emëruara ; që gjurmët tona arkeologjike janë të pagjetëshme posi ato të arinjve apo të ujqërve ; tani dalin  me teorina edhe më tronditëse duke na “sjellur” nga Azia e vetvetën duke e paraqitur si burim i të gjitha civilizimeve të herëshme të kësaj treve .Serbia dhe Europa nuk guxojnë të harrojnë që na kemi qenë kërthinëza e civilizimit të herëshëm europian.. Librat shkruhen , ato lexohen. Letra i banë edhe rrenat  më të pakuptimta që të shkruhet mbi te.

Ndërsa autorët serbë na këshillojnë: “ Për shqiptarët kishte me qenë në interes më të madh nacional sikur të përcaktohej qartë identiteti i tyre etnik dhe në atë mënyrë e kishin fituar epitetin e një populli të rëndësishëm të Kaukazit me një civilizim dhe traditë mijëravjeqare; se sa me kokëfortësi të paraqiten si pasardhës të ilireve dhe me vetëdije të sajojnë një rrenë me përkatësinë më të ultë morale – vetëzhgënjimin:”( Vesna Peshiq- Albanci lazni Iliri).  “Qëllimi i hulumtimit të prejardhjës së Shqiptarëve, qëndron në atë që përfundimisht të hidhet poshtë një falsifikim historik, një mit ideologjik, me të cilin ishte arsyetuar dhe legjitimuar rrëmbimi i tokave të huaja , e në këtë rast tokave tona( serbe f.xh.) , toka të cilat e kanë një vlerë që nuk maten me asgjë për historinë kulturën dhe gjeostrategjinë e popullit serb ; toka nga të cilat populli serb, kurr nuk do të hjek dorë .”( Akademik Mihajlo Markoviq). Pastaj vazhdohet:“ Ç`farë faktesh e arsyetojnë lidhëshmërinë historike në mes të Shqiptarëve dhe Ilirëve, a egziston ndonjë lidhje gjenetike në mes tyre? Asnjë “. “ Nuk gjëndet asnjë dokument historik i cili e vërteton qëndrimin e shqiptarëve në Ballkan deri në shek. e XI-të. Nuk ka indikacione arkeologjike për praninë e tyre në këto anë.Të gjitha toponimet shqiptare verehen pas shekullit të mesëm ; ndërsa sipas formave të saja strukturore gjuha shqipe nuk ka asnjë gjë të përbashkët me Ilirishten”.(Shqiptarët e Kaukazit…)

 

 

Ndersa vetën e paraqesin :“ Nga burimet historike,të lidhura me Dioklenë,shënimi më i thukt është ai i Pop Duklanit, i cili në Udhëpërshkrimin e tij i përshkruan ndodhitë  e rëndësishme që nga shek i IV deri te i IX-ti.. Në fillim ai ( pop Duklani) shkruan se paraardhësit e serbeve ,Gotët kanë ardhur në kohën e Carit Anastasi . Kjo lidhëshmëri e Gotëve me Serbë vjen në  kohën e Arkixhakonit Tomas;për  te ,Gotët dhe serbë shin “arianë”-heretik. Përktimin e Biblës gotike  e kanë bërë Alanët (Serboijët) dhe që e çfrytëzonin në kishat e tyre, e cila gjë ishte vazhduar me  ardhjen e tyre  në këto anë që nga shekulli i I-IV .” dr. Jovan I.Deretiq “ Sërbia para Imperatorisë së Romës”

Terenet tona -thot Dragoslav Srejoviq,janë organikisht të lidhura, Sërbia është Piemonti i Balkanit në aspektin territorial dhe kulturor. Ky ishte vendi më i plleshëm i krijimtarisë njerëzore, dhe pa e dijtur se çka ndodhur në këto anë – nuk ka as arkeologji ballkanike e as të asaj europiane juglindore  e as botërore,

Shekulli i tretë i kësaj epoke  njihej si shekulli i krizës,dhe e mrekullisë së shpëtimit të Imperatorisë së Romës nga shkatërrimi ,shkatërrim i cili u ushtrua për dy-tre shekuj më vonë. Që nga koha e lindjës së Imperatorit të parë romak e deri në shkatërrimin e saj ”kanë” lindur në tokat tona serbe 17 Imperatorë – thonë arkeologët serb . Le ta thonë ;atyre nuk ju prishin mohsat  ; por pohsat e tyre dhe mohsat tonë  e vërtetojnë shtrembërimin djallëzor të historisë.

 

 

Serbia  e Adriatikut ne kohën e Agronit të dytë(viti230 prk)
Kështu  Serbët paraqitën në botë  me hartat e tyre.(Kurtuazi e z.Naim Shala)

Serbët ishin eshe keltë ”Kur isha studente   nëWels,studjoja historinë e gjuhës kelte, shkruan prof.dr. Kuiq  mbeta pa mend  kur e takova mikëpritjen ,mentalitetin ,zakonet ,shpirtin e bardhë dhe thashë: sikur të isha në Serbinë time. Welsianët më janë vellezër nga gjaku!Sigurisht që edhe në mua qarkullon gjaku kelt ,në palcën time. Në Kladovë (Serbiaverilindore f.xh.) në kohë i gjetëm varrezat e mëdha kelte, ,por edhe vetë emri Kladovo në keltishte do të thotë: varreza. Por  ka edhe më shumë : Kopaonik – zoti i bakrit, Gjevgjelia – zoti i hekurit, arilje- vend i livadheve.Risan – keshtjella në detë, Paraqin-kulla e qendrueshme, Budva- qytet i vërshuar, Prishtina- e çmuar ,  me vlerë,Tutin – i pastër.  Te gjitha qytetet ,lumenjt ,malet që mbarojnë me din,dun,tin,tun janë me prejardhje kelte.Kushe njef  mirë gjegrafinë pozitive  do ta kupton që mu si sot edhe atëherë Keltët jetonin këtu para se të shkonin në ujdhesat Britanike’” – e përfundon lakmitarja dhe përshtjelluesja e historisë Z. Kuiq.

 

“ Vepra më e vjetër helene-ilire Iliada dhe Odiseja, janë të skruara me t`ashtuquajturin heksmetër, të cilat paskan shumë ngjajshmëri me këngët epiko-lirike serbe. Me qenëse është përdorur gjuha jonike me ate eolike, e gjithë kjo tregon se Homeri ishte Ilir, dhe këto gjuhë Ilire. Në shkrim është përdorur alfabeti iliro -helen” . “ Fanula  Papazoglu ,mendon që Frigjija ishte krahinë kufitare me Ilirinë,dhe është  krejt e kuptueshme që ky ishte  shteti i Trojës. Ilirët e kanë marr emrin  nga kryeqyteti i tyre ,që në atë kohë ishte Sarda, sepse Ilirët ishin Sardë ,gjegjësisht Sardanë( Dardanë) ,pra serb.” (?)

 

Shikoni se sa të vjetër qenkan serbët: “Serbia antike ,në mbrendinë tokësore të saj është quajtur Dardania, sipas Dardanit,gjegjësisht Sardanit, Sarbonit që nga shekulli i XIV para krishtit, dhe Serbija antike përgjat bregdetit të Adriatikut është quajtur Iliria. PraSerbiaqenka para 34 shekujve ne këto anë . Zbulim epokal i serbëve.?  E ne, si po thonë ata të ardhur nga Azia ,diku ne shekujt XI-XII- të.

 

” Profesori Radivoje Peshiqi , bindshëm flet për përkatësinë serbo-sllave të Trojës: Me analizën komparative-linguiste ( metoda krahasuese -gjuhësore) të veprës së Homerit , me një saktësi të madhe e nxjerrë analogjinë ( ngjashmërinë) e gjuhëve parahelene, latine dhe sllave, dhe me “saktësi” të drejton në komponentën e fuqishme sllave te  Pellazgishtja, dhe me këte e lëvizë rrethin pellazg në lindje, perëndim dhe veri ku ata (pellazgët,pra) do të na lënë një ndikim të madh edhe sot në gjuhën tonë (serbe,pra) “

 

Në kohët e fundit  serbët na dalin me një ”zbulim” tjetër: ” Gjuha serbe ishte gjuhë e diplomacisë dhe ushtrisë turke,bile edhe Sulltani fliste serbisht-Besuat apo jo: Në Turqi jetojnë 9 milion serb!”

 

”Ata me një ndërdije të pastër dhe apsolute për prejardhjen e tyre, me një krenari të pabesuar e cekin dhe  e ndiejnë veten të nderuar që rrënjë e tyre i kanë në Serbi. Shikoni, disave prej tyre para ardhësit iu kishin shpërngulur 300-400 vjet më herët në këto toka turke por ata edhe sot dita-ditë flasin serbisht dhe që të gjithë e dinë se cfarë mbiemri të pagëzuar në kishë e kishin dikur..- na e zulon Dragan  Milosavljeviq , kryetari i Shoqatës serbe-turke të miqësisë ”Inat”. ” Bile edhe mbreti Aleksandër Karagjorgjeviq paska pas deklaruar me 1912 se serbet i kanë barazuar ”hesapet ” me Turqit , dhe në të ardhmen me ata mund të ishin vetëm miq”

 

Mandej Dragan Milsavljeviqi thot se një herë i kishte pas thënë një profesori të Ankarasë,se mjaftonte që serbët i kishin turqit 400 vjet përmbi vete por ai iu kishte gjegjur”: Pyetja është se kush kë e sundonte,sepse ju serbët e kishit qeverinë në dorë si vezirë të mëdhenj .mëshumë se sulltani” .kështuqë Serbia vetëm në vitet 1543 e deri 1612 , serbia e kishte udhëhequr imperatorinë me 13 kryevezirë, 7 zëvendës vezirë, 23 vezirë , 8 admirala si dhe me një mori guvernatorësh .(!)

Edhe këte :” E vizituam komunën më të madhe të Stambollit atë Bajram Pasha dhe duke biseduar me njerëzit e atyhit –  shkruan në srbin.info , shofim se aty  jetojnë dhe janë

350 000 ,90 % të tyre janë me prejardhje serbe. Me krenari  e bartin gjuhen serbe nga gjenerata në gjeneratë.

Pershendetje nga Turqia serbe.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 9 milione ne Turqi, cmenduria serbe, Fahri Xharra

Pse Nikoliç “ndihëmon” për bashkimin e shqiptarëve?!

August 19, 2013 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.

“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.

Ky ishte lajmi i të shtunës dhe të dielës. Po a është dhe a do të mbetet një lajm i ri, fakti që Nikoliç refuzon kategorisht njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur e sovran? Një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve prej më shumë se njëzet vitesh na njeh me faktin se të gjithë presidentët e kryeministrat e Serbisë, të gjithë shefat e diplomacisë së saj, të gjithë krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të gjithë emrat prominentë të Alkademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, pa përmendur çetnikët e të gjitha kohërave dhe rrymave, kanë refuzuar të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Këtë e ka bërë edhe Milosheviçi, edhe Koshtunica, edhe Tadiç, po e bën Nikoliç, pasuesi i Vojisllav Koshtunicës, i cili me platformën e tij antishqiptare të vitit 1995 rekomantonte shfarosjen e shqiptarëve përmes shpërnguljes, ushtrimit ekstrem të dhunës, deri edhe të infektimit të tyre me virusin e SIDE-s. Pra, shqiptarët janë mësuar me çmendurinë politike, ushtarake, paramilitare, policore, barrikaduese, shkatërruese e asgjësuese të Serbisë, çmenduri, të cilën e shohim çdo ditë të na shfaqet në veriun e Mitrovicës e kudo ku serbët kanë mundësi ta shfaqin.

Por ajo që bën përshtypje në këtë rast është se deklarata e presidentit të Serbisë i drejtohet vëllait të Barak Obamës, Abongo Malim Obama. Kjo i jep një dimension të ri konceptit revanshist të Serbisë për Kosovën. Kjo do të thotë se Nikoliç kërkon aleatë në SHBA për revanshin e tij politik në Kosovë. Ndoshta i shkon mendja se mund të tërheqë edhe presidentin e SHBA-ve në aventurën e tij, njehrësh të zakontë e njëkohësisht të pazakontë, për shkak të një marrëveshjeje që dy kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar më 19 prill të këtij viti në Bruksel.

Një deklaratë e tillë e shpallur në sytë e një prej personaliteteve më të njohur, me lidhje gjaku me presidentin Obama, duket edhe si një sfidë e llojit të veçantë, të cilën vetëm nacionalistët, ekstremistët dhe terroristët serbë dijnë, kanë guximin dhe vetëdijen e tillë që ta bëjnë. Një prej tyre, presidenti serb, Nikoliç, nuk bën përjashtim nga garnitura nacionaliste e Serbisë e gatuar me mentalitetin e doktrinave të shumta shoviniste si ajo e Naçertanies se Ilia Garashaninit, apo platformat e tjera të mëvonëshme, duke filluar me Cvijiçin, Pashiçin, Çubrilloviçin, Rankoviçin e deri te Sllobodan Milosheviçi. Breza të tërë të mëkuar me mitin për Kosovën kanë lënë pasardhësin e tyre të denjë në krye të shtetit të Serbisë, me emrin famëkeq, Tomisllav Nikoliç, për shkak të angazhimit të tij krah Shejshelit dhe Milosheviçit për asgjësimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Pa bërë shumë histori, le të kthehemi te realiteti i sotëm në Kosovë, Serbi e në rajon, për të saktësuar sa reale dhe logjike është deklarata e Nikoliç. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e lidhjeve midis tyre. Kjo marrëveshje vazhdon të negociohet për zbatimin praktik të saj. Ajo ka në themel të saj njohjen e realitetit në Kosovë, dmth vendosjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke mbajtur parasysh faktin se tashmë Kosova funksionon si shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Nëse i heq marrëveshjes midis Prishtinës e Beogradit këtë substancë të sajën, atëherë ajo bëhet e paqenë. Nëse e zhvesh marrëveshjen e 19 prillit nga pranimi i realiteteve të reja të krijuara me formimin e shtetit të Kosovës, atëherë vjen pashmangshëm dështimi i përpjekjeve të BE-së dhe baroneshës Eshton për vendosjen e paqes e të sigurisë në Europën Juglindore. Ndërkaq duket se Nikoliç është i pakënaqur me marrëveshjen në fjalë nënshkruar nga aleati i tij, Daçiç e kryeministri shqiptar, Thaçi. Ai luan rolin e kalit të Trojës në normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe bën diversion politik përkarshi SHBA-ve, Europës, Kosovës e shqiptarëve në Ballkan si dhe përkarshi disa udhëheqësve politikë në Beograd, të cilët preferojnë Brukselin në këmbim të Kosovës.

Një analizë e ftohtë e situatave që zhvillohen, çon në përfundimin e pakontestuar, sipas të cilit Serbia e ka të pamundur kthimin mbrapsht të proceseve integruese e bashkëpunuese rajonale, si kushti kryesor i hapave integruese në Bashkimin Europian. Por pengesa Nikoliç si dhe pengesa të tjera të kësaj natyre do të zgjasin procesin e integrimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin. Mësë paku deklarata e tij do të trimërojë serbët e veriut të Kosovës, me qëllim që ata ta refuzojnë projektin europian të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Se do të ndodh kështu duket edhe në disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit. Qeveria e Serbisë vendosi të krijojë strukturat e saj të ashtuquajtura legale aty ku jetojnë serbët në Kosovë. Ishte ky një vendim provokativ që i kundërvihet drejtpërdrejt marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill. Strukturat paralele në veri të Kosovës u mblodhën dhe vendosën gjithashtu që të refuzojnë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me të cilat do të njihej autoriteti i Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës.

Po t´i shtojmë deklaratës së Nikoliç të gjitha ndodhitë kundraproduktive në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë duket qartë se nuk do të jetë lehtë zhvillimi komplementar i të gjithë rajonit e në veçanti integrimi në BE e në NATO. Prandaj Prishtina zyrtare si dhe strukturat joqeveritare, institucionet, njerëzit që kanë kompetencën të marrin vendime, të gjithë shqiptarët, madje dhe Tirana zyrtare, shqiptarët në Maqedoni, ata në Serbi, në Malin e Zi kanë detyrimin të përcaktojnë sjelljen e tyre në rrethana, të cilat Beogradi mund t´i imponojë. Derisa presidenti i Serbisë deklarohet kaq hapur kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj atëherë duhet marrë në konsideratë dhe duhet vlerësuar si serioze situata që mund të krijohet pas kësaj. Refuzimi i Beogradit do të çojë domozdoshmërisht në refuzimin e Moskës, pra legalisht do të pengohet jo vetëm përparimi e integrimi i saj, por edhe pranimi në OKB.

Tashmë statuskuoja në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë do të shndërrohet në një pengesë serioze për të gjithë shqiptarët në rajon, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, jo vetëm në kuptimin e krijimit të hapësirës “Shengen” të Ballkanit, por edhe më gjerë. Nëse Nikoliç është serioz në deklaratën për mosnjohjen “kurrë” të pavvarësisë së Kosovës, atëherë edhe shqiptarët duhet të bëhen më seriozë në reagimin e tyre të përbashkët. Një plan B është vërtet i domozdoshëm. Ky plan duhet të përfshijë në programin e tij një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Kjo do të thotë se në të duhen planifikuar çeshtjet e risendërtimit të hartës politike të rajonit, jo më në bashkëbisedim me Serbinë e Nikoliçit e të Milosheviçëve të rinj, por më bashkësinë ndërkombëtare.

Nëse kemi parasysh diversionin serb të pandërprerë, atëherë duhet shkuar kah gjetja e një zgjidhjeje, e cila jo vetëm i jep Kosovës të drejtën e shtetësisë, por e bën të pamundur ndërhyrjen e Beogradit në punët e saj të brendshme. Zgjidhje të tilla nuk janë pak, ato janë disa. Një prej tyre është vendosja e rendit kushtetues në veri të Kosovës, pa i marrë leje Beogradit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një konfederate fillimisht Shqipëri-Kosovë dhe më pas bashkë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, madje të hapur, nëse do të dëshironte, edhe për Serbinë.  Unë po përmend këto dy opcione, të cilat nuk janë të lehta për t´u realizuar. Por në të vërtetë realizimin e tyre po e lehtëson vetë Serbia. Njësoj siç bëri Milosheviçi para vitit 1999. Nëse Milosheviçi nuk do të kishte hequr autonominë e shqiptarëve, nëse ai nuk do të kishte shkaktuar masakra e dhunë të tmerrshme që tronditi botën kundër shqiptarëve, zor se shqiptarët do ta kishin përkrahjen e botës për të patur shtetin e Kosovës. Pra, Milosheviçi mori jetë njerëzish, shumë jetë njerëzish, por është fakt se e lehtësoi qëndrimin e Perendimit në vendimmarrjen për Kosovën. Kështu po ndodh dhe do të ndodh edhe me udhëheqësit e sotëm e të ardhshëm të Serbisë, të cilët vijojnë ose do të vijojnë të udhëhiqen nga ideologjia fashiste e parardhësit të tyre. Qëndrimi i tillë çfarë ë shfq vazhdimisht presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka dy efekte pozitive, kompaktëson shqiptarët në idenë fikse të një zgjidhje radikale dhe përfundimtare të probllemit të tyre në dobi të lirisë e të demokracisë dhe mënjanon shumë prej vështirësive për t´u njohur ndërkombëtarisht kjo zgjidhje.

Zhagitja e mëtejshme e problemit të Kosovës dhe shtetësisë së saj të njëmendtë, kokëfortësia e Beogradit për të krijuar edhe më tej problem të panumërta, me idenë fikse të “neutralitetit ndaj statusit”, si dhe format e stërholluara të refuzimit të pavarësisë si ajo e logos së Republikës në fletët e votimit, vetëm se çojnë në radikalizimin e veprimeve në Kosovë. Nikoliç u përpoq në Beograd që ta bindë vëllain e presidentit amerikan për të mbështetur këto veprime të çmendura të tij dhe nëse Kosovës i hiqet bindja se “Amerika është me ne”, atëherë ky vend si dhe gjithë rajoni nuk do të kenë më qetësi. Kjo do të thotë që integrimi euro-atlantik të shtyhet për një kohë të gjatë, kjo do të thotë një cikël i ri i izolimit rajonal, kjo do të thotë hezitim i investimeve të huaja në Europën Juglindore. Dhe gjithë kësaj situate të padëshirueshme as për serbët vetë i kontribuon Tomisllav Nikoliç si dhe bëshkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisjen e Beogradit.

Ndërkohë në Bashkimin Europian deklarata të tilla priten ftohtë e nuk vihet re asnjë shqetësim, ndonëse ndonjë deklaratë elektorale e politikanëve shqiptarë është interpretuar me forcë si “destabilizuese për rajonin”. Ky qëndrim i dyfishtë I Brukselit, pra kjo politikë proserbe dhe antishqiptare, duhet të marrë fund, ndryshe Stefan Fyhle me shokë nuk kanë pse akuzojnë viktimat e të shpërblejnë agresorët. Deklarata e Nikoliç ishte një aggression i ri kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Mësë paku ajo shërben si thirrje për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo nuk është pak, nëse kemi parasysh që sponsor i asaj marrëveshjeje është Bashkimi Europian.

Por në Bruksel e kanë më të lehtë të bëjnë presion ndaj Thaçit, sesa ndaj Nikoliçit e Daçiçit. Prej këtej buron presioni që bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos përdorur simbolet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Nëse ndodh kjo, atëherë marrëveshja e Brukselit është ajo çfarë thonë serbët, shkurt një marrëveshje me parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë duhet të presim që nesër në Beograd të nisë iniciativa tjetër politike e diplomatike për të ridiskutuar për statusin e Kosovës. Dhe kur kjo të jetë pikë diskutimi, atëherë deklarata e pavarësisë, e lexuar me aq bujë nga Hashim Thaçi, do të rrëzohet, sepse do të duhet një deklaratë tjetër “pavarësie” apo “varësie”, e cila nuk do të jetë e formatit të deklaratës së 17 shkurtit 2008. Shkurt ka dy rrugë, ose duhet mbrojtur lufta e popullit shqiptar në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, ose duhet shkuar drejt një zgjidhje, të cilën e dëshirojnë serbët agresorë e për të cilën ata bëjnë presion të vazhdueshëm. Nëse udhëheqësit politikë në Prishtinë vihen përkrah ambicjeve të Beogradit, atëherë shqiptarët do të promovojnë një udhëheqje tjetër më dinjitoze për zgjidhjen përfundimtare të çeshtjes së tyre, në funksion të lirisë së pakushtëzuar nga askush.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqiptareve, Enver Bytyci, ndihmon, per bashkimin, pse Nikolici

Po kërkohet qe edhe serbet brenda Kosovës te mos e njohin shtetin e Kosovës

August 19, 2013 by dgreca

nga Bekim REXHEPI/

Janë zgjedhjet e ardhshme te 3 Nëntorit, ato te cilat ua qartësojnë serbeve të Kosovës që të mos e njohin definitivisht Kosovën si shtet të tyre. Në fakt ne kishim dilema se një dite Serbia mund ta njoh pavarësinë e Kosovës, madje ishim afër një shprese dhe gjase se ndofta janë bisedimet apo vetëm përmes tyre Serbia më në fund do të qartësohet politikisht ndaj realitetit të krijuar në Kosovë.

Janë zhvilluar një varg bisedimesh dhe janë bërë një varg marrëveshjesh me Serbinë, sa i përket Kosovës dhe gjendjes së saj. Por të gjitha këto bisedime dhe të gjitha këto marrëveshje akoma nuk kanë sjellë ndryshime të theksuara ne raportet shqiptaro serbe.

Politika zyrtare e Kosovës ka bërë disa hapa në drejtim të përmasimit të këtyre raporteve duke ua falur edhe krimet, edhe dëmet nacionale. Por, serbet këto raporte nderë etnike as edhe sot nuk orvaten ti relakësojnë në dobi të vetë raporteve por orvaten që ato ti shfrytëzojnë akoma ne dobi te ultranacionalizmit të tyre.

Duke iu kthyer dhe një herë çështjes së zgjedhjeve të tre nëntorit, zgjidhje qe po synohet të fusin edhe popullatën serbe të veriut. Është për tu analizuar nëse serbet e Kosovës ne këto zgjedhje do të dalin masovikisht apo vetëm sa për të përmbushur një lloj komoditeti politik për pushtetin në Prishtinë, i cili më shumë është i interesuar të fus serbet në zgjedhje për shkak të pushtetit se sa ti fus në shërbim të shtetit dhe vet serbëve. Është tashmë e çartë se propozimi për datën e tre nëntorit ka rrjedhë nga qeveria serbe ne Beograd, dhe më pas ka akorduar edhe qeveria në Prishtinë, që data për zgjedhjet në Kosovë të jetë tre nëntori. Por përpos këti propozimi të qeverisë serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë që përbën një absurditet politik (sepse çfarë do të ishte reagimi i Serbisë nëse qeveria e Prishtinës do të propozonte një datë për zgjidhjet në Serbi). Absurditeti nuk ka te ndalur, shih se çfarë presioni ka KQZ-ja e veçanërisht anëtaret e Komisionit Qendror Zgjedhor, rasti i z. F. Maloku, është rast qe tregon se si funksionon pushteti dhe jo shteti kushtetues.

Nuk duhet injoruar rasti i z. Maloku, sepse ai do të ngjeshi edhe me shumë faktin se Kosova nuk qeveriset nga shteti kushtetues por nga pushteti qe e ka kapur shtetin me gjithë kushtetutë.

Kryetarja e KQZ-së Daku, është jashtë mandatit të saj, sepse ka udhëtuar disa herë në Bruksel duke marrë pjesë në dialogun politik. Gjithashtu zonja Daku, ka urdhëruar kryeshefin ekzekutiv të KQZ-së që të bëjë zëvendësimin e zyrtarëve komunalë në komunat në veri të vendit me individë të propozuar nga qeveria serbe, me çfarë është jashtë mandatit dhe shkel pavarësinë e vet KQZ-së.

Valdete Daka, orvatet të spekuloj akoma më shumë duke ritheksuar se “deri tash akoma nuk është diskutuar se si do të duket logoja në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit”.

Çfarë logo-je tjetër duhet të kenë zgjidhjet në Kosovë, përpos asaj logo-je shtetërore. Këtu orvatet të mënjanohet simbolet shtetërore dhe për hir të pushtetit, duke i dhënë të drejtë qe edhe serbëve të Kosovës të mos e njohin Kosovën si shtet të tyre. Përse të mbahen zgjedhjet ne veri të Kosovës nëse ato nuk e legjitimojnë pushtetin e vendit atje?! Ato mund të mbahen atje vetëm nëse e legjitimojnë një pushtet i cili i përgjigjet shtetësisë së Kosovës, në të kundërtën është më mirë të mos mbahen fare siç po orvatet të mashtrohet vetëm opinioni i brendshëm shqiptar sepse opinioni serb është i qartësuar sa i përket zgjedhjeve në Kosovë.

Serbet do të hynë ne zgjedhjet e Kosovës nëse këto zgjedhje ua mundësojnë serbëve të Kosovës të mos i pranojnë domosdoshmërish institucionet e Kosovës. Simbolet shtetërore janë shumë të rëndësishme dhe nuk duhet lëshuar pe qe ato të zhbëhen, për shkak të një procesi që në esencë nuk do të legjitimoj asgjë. Më mirë të mos zhvillohen zgjedhjet e tre nëntorit fare se sa të hiqet dorë nga simbolet. Është gati e njëjta gjë sikur me fusnotën që morri Kosova nga koncesionet që më herët i bëri Serbisë, e në fund ajo edhe pse morri fusnotën për Kosovën, serish i bojkotoi të gjitha takimet ku morën pjesë përfaqësuesit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, brenda Kosoves, po kerkohet, qe dhe serbet, Shtetin e Kosoves, te mos e njohin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 954
  • 955
  • 956
  • 957
  • 958
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT