• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONCESIONET VRASTARE

August 7, 2013 by dgreca

Duhet bere e qarte se serbet e Kosovës nuk mund te diktojnë edhe me tej politiken e Kosovës përmes bojkotit dhe krimit te organizuar ne veri, pa çka se Serbia  shfaqe interesin e saj nacional. Ne kemi interesin tone nacional ne secilën pëllumb te Kosovës e edhe serbet janë pjese integrative e shtetit tone ndaj nuk mund te krijojmë paradokse politike për hatër te një pakice qe ushtron terror dhe dhune te vazhdueshme./

  Shkrua nga Bekim Rexhepi/

Prej pas luftës koncesionet për Kosovën nuk janë ndalur fare, ato vazhdojne akoma te behen edhe pas 13 viteve me të njejtin intensitet në dem të qytetarëve dhe të Kosovës. Por pika e koncesioneve sa vije e behet me nevragjike, me plote dyshime se ato s’do te kene te ndalur ndohere, per aq sa kohe te jene ne fuqi segment te nje pushteti qe para interesit shteteror e qytetar kane ate interesin personal e fisnor. C’pas demilitarizimit te UCK-se, e deri te kerkesa e sotme Serbise qe te menaxhoj me liqenin e ujmanit dhe me Trepcen. Nese keto dy te fundit arrihen te behen koncesione definitivisht ato do te jene dhe do te mund te quhen koncesione vrastare per Kosoven.

Liqeni i Ujimanit (Gazivodës)

Pse Serbia synon qe ky liqe të futet nën juridiksionin apo nën kontrollin e asosacionit serb të komunave serbe në Kosovë, sepse përpos shkritores se xehes e metaleve të tjera syno të mbaj edhe shkritoren në Zveçan. Pra një gjysmë kontrollit i minierës së Trepçës në Stan Terg, i liqenit dhe i shkritores përfundimisht Serbin e bene te jete faktor i rëndësishëm në Kosove po aq sa edhe qeveria ne Prishtinë sepse defakto qeveria duke bere koncesione e defaktorizon vetveten dhe faktorizon Serbinë, sepse arrin te mbaj nen kontrolle tri asetet me te çmuara ne vend.

Me këto koncesione e fundit ne marrëveshjen me Serbin për Kosovën, Qeveria e Kosovës mund te shkoi edhe deri ne koncesionet e reja dhe vrastare për Kosovën sikur te lëshoi pe me liqenin dhe me Trepçën. Pra, Serbia me çdo kusht përpiqet qe për serbet e Kosovës, dhe qe janë edhe serb te Serbisë  sepse tashme është e qarte tendenca e Serbisë se për serbet e Kosovës dëshiron qe këta serb here tu thotë se ata janë qytetar te Kosovës dhe here te Serbisë. Por pavarësisht keti perceptimi Serbia ne Kosove synon qe për këta serb të krijoj një sistem të pavarur funksional dhe fare jashtë një varësie nga qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës. Më këtë duket se synohet qe definitivisht kjo pjesë e veriut të Kosovës të mund të shkëputur nga administrimi qendror, me qëllim që më pastaj ne kohe te tjera te mund të krijoj parakushte të një secesioni.

Sa për kujtesë në vitin 1981, një terrorist serb ishte nisur me një destinacioni terrori, pikërisht ne liqenin e Ujimanit. I mbushur një arkivol me përplot eksplozivi, qëllim për ta shpërthyer paranojën e liqenit, dhe me pas te mund te shkaktoi një dem te papare, të shkarkonte sasinë e pakontrolluar të ujit dhe të shkaktonte dëme të mëdha, të paparashikueshme për qytetin e Mitrovicës me rrethinë. Por, ky qëllimi i kriminelit serb, ishte përmbysur pasi një shofer taksie-shqiptar qe po e voziste automjetin me arkivol, pas te gjitha dyshimeve qe kishte, arriti që para aktit të krimit të paralajmëroj policin, dhe ishte kapur befas ky terrorist. Në memoria kjo ngjarje nuk mund te shlyhet lehte, por ç’mund të bëhet nëse qeveria e papërgjegjshme do tregohet ne bisedime me Serbin, e cila po planifikon një kontroll serb, lokal për Liqenin, akoma pa u bërë marrëveshja për kërkesën e qeverisë serbe, qeveria e Kosovës e njohur për lëshime marramendëse mund të tregohet edhe më shumë e papërgjegjshme, edhe më këtë rast ndaj një reagim i qytetareve do te duhej te ishte me i pranishëm.

Serbet qe mund ta kenë nën kontroll liqenin një ditë, mbase do të mund të luajnë me pjesën jugore të Mitrovicës me rrethinë, pasi që dihet se sasia e ujit qe lëshohet nga liqeni i Ujmanit është jetike edhe për pjesën jugore.

E nëse ky aset ekonomik i Kosovës, shpërdorohet, apo u epet në duart atyre që janë te stisur ta marrin, pa u shkëputur fare nga ato ngarkesa, dhe elemente raciste se nuk duan dhe nuk munden të jetojnë në një shtet ku shumice shqiptare, pra një minoriteti serb prej 4%, qe gjithnjë e më shumë synon të pavarësohet nga administrimi juridik i Kosovës përbën një rrezik të paimagjinueshëm për qytetin e Mitrovicës dhe rrethinën e saj por edhe për tërë Kosovën sepse rrënon perspektiven ekonomike te saj.

Trepça

Trepça është dhe mbete aseti me i rëndësishëm ne vend, ndaj këtu duhet pasur kujdes se çfarë te behet me te. Serbia mund te pretendoi qe ka aksionet e saja ne te. Por te gjitha këto aksione te saja janë bere ne kohe te paligjshme juridike dhe me dhune e arbitraritete politike ekonomike dhe nacionale. Pra Kuvendi i Kosovës apo edhe qeveria me vendimet e saja politike duhet t’i japi fund spekulimeve dhe tendencave te mëtutjeshme te arbitraritetit me Trepçën. Kuvendi apo Qeveria duhet ti shpalli te gjitha marrëveshjet e mëhershme inekzistenet sa i përket Trepçës ngase ato janë bere me arbitraritet te njëanshëm duke shkele te gjitha vendimet politike ekonomike dhe kushtetuese te Kosovës. Me dhune dhe me forma te tjera Trepça është kolapësuar me qellim qe te mund te vihet deri tek këto kontestime te cilat kanë vetëm një adrese serbe. Pra Trepça duhet te menaxhohet nga Qeveria me qellim qe te pushojnë te gjitha spekulimet rrethe saj. Qe te mund te rikthehet punësimi ne te dhe te kthehet gjendja fizike e popullsisë. Me këtë mund te kemi pastaj edhe rezultate ne shkolle me fëmijët, ulje ne kriminalitet, ndryshime brenda familjes dhe perspektiva me e madhe ne shtet dhe për shtet.

  Shkritorja në Zveçan

Kjo shkritore është e rëndësishme po aq sa vet miniera e Trepçës sepse aty behet shkrirja e metaleve dhe me këto shkrirje, ne mbase mund te kemi rritje ekonomike te brendshme te dobishme duke mos shpenzuar shkrirjen e metaleve ne vendet e tjera përreth. Nuk mund te epen këto asete ne duart e ekstremisteve serb qe veriun e mbaj te bllokuar me barrikada me tensione politike. Dhe ne emër te këtyre tensioneve te bëhen lëshime-koncesione qe ata kinse te mund te integrohen ne sistemin e shtetit te Kosovës. Duhet bere e qarte se serbet e Kosovës nuk mund te diktojnë edhe me tej politiken e Kosovës përmes bojkotit dhe krimit te organizuar ne veri, pa çka se Serbia  shfaqe interesin e saj nacional. Ne kemi interesin tone nacional ne secilën pëllumb te Kosovës e edhe serbet janë pjese integrative e shtetit tone ndaj nuk mund te krijojmë paradokse politike për hatër te një pakice qe ushtron terror dhe dhune te vazhdueshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, Koncensionet vrastare

KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS

August 6, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nga Ministria e Jashtme e Kosovës po njoftohet për çdo ditë nga një skandal. Në vend të njohjeve. Në vend që të dëgjojmë se Kosova për shembull u njoh nga filan shtet, nga shteti i kaq e aq, marrim vesh se numrin dy të Ambasadës së Kosovës në Zagreb e shtriu për tokë policia e vendit mikpritës, sepse voziste veturën me targa diplomatike në gjendje çmendurisht të dehur; një tjetër diplomate në Bernë, si e privilegjuara e ambasadorit, i pret e përcjell qytetarët e Kosovës me këmbët mbi tavolinë, pa i ulë hiç, ndërsa një tjetër diplomate e Kosovës, nga Berlini kësaj here kishte sulmuar fizikisht ambasadorin Vilson Mirdita dhe ky ishte ankuar në të thatë.
Diplomatja në fjalë quhet Fatmire Musliu. Ajo është motra e deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, të cilën disa javë më parë na e panë sytë në sallën e Kuvendit të Kosovës si amazonë e kryeministrit Thaçi, me këpucë në dorë, alla hrushovçe gati me iu sulë deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu, sepse ky i fundit nga foltorja kishte shprehur rezervat e tij për shefin e saj.
Numri dy i Ambasadës të Republikës të Kosovës alias zvambasadori alias ministri këshilltar në përfaqësinë e Kosovës në Zagreb alias Urtak Hamiti, që u arrestua nga autoritetet vendase, kur kishte humbur totalisht kontrollin e veturës dhe të vetvetes, është i biri i Sabri Hamitit, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i nipi i Sami Hamitit, zyrtar i lartë në qeverisjen lokale të Prishtinës, i akuzuar për korrupsion dhe prapë i nipi i Muhamet Hamitit deri vonë Ambasador i Kosovës në Londër! Edhe diplomatja në Bernë, që shtypi e njofton me sjellje aspak diplomatike duhet të ketë diku një lidhje gjaku a fisi, që e ka prurë në shtetin me komunitetin më të madh të shqiptarëve nga Kosova! Vura pikëçuditëse në fund të fjalive dhe ndonjë grafoman mund të më tërheqë vemendjen drejtshkrimore. Punë e madhe fort. Unë i devijova drejtësisë të shkrimit për të treguar grafikisht se kjo që tregova deri tani më ka tronditur emocionalisht, më ka zemëruar dhe nuk e di nëse dikush ndan me mua të njëjtin emocion, apo aq ju bën, le të transportohet në Afrikë Kosova, në botën e tretë apo të katërt! Apo snobizimi europian veç na gudulis emocionet sa për të shkëmbyer disa batuta në facebook dhe tung pastaj!
Tronditja dhe shqetësimi më vjen sepse prej këtyre skandaleve krijohet imazhi negativ i diplomacisë të Kosovës në Europë e botë, pasojat e të cilës i vuajnë direkt shqiptarët e Kosovës, sepse t’i vuanin diplomatët ku do ta gjenim, por ata i vazhdojnë privilegjet sa të jenë brenda rrezes së pushtetit.
Unë mendoj se nuk ishte asfare i mjaftueshëm reagimi i Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, sipas të cilit „kjo ministri pret nga stafi diplomatik dhe konsullor i Kosovës nëpër botë që të ketë sjellje shembullore“. Por Selimi harron të kujtojë se është pikërisht ky dikaster që e ka emëruar dhe përzgjedhur stafin e vet të këtij lloji, me nipa e bij, motra e miq të kastës udhëheqëse, e cila kutërbon nepozitëm, arrogancë, mungesë profesionalizmi dhe klientelizëm politik, kur do të duhej që niveli i përfaqësimit të ishte më i larti, më solidi dhe më me integritet, sepse diplomatët e Kosovës janë ura lidhëse të shtetit të ri me Europën dhe botën, me institucionet ndërkombëtare dhe me metropolet vendimmarrëse për të ndikuar në përshpejtimin e proceseve dhe procedurave që Kosova dhe qytetarët e saj të mos trajtohen si qytetarë të dorës të dytë të Europës. Sa më të shkëlqyer të jenë diplomatët e Kosovës, aq më i shkëlqyer është imazhi. Sa më të dalë boje diplomatët, aq më i dalë boje dhe i zgjyrosur imazhi. Ndërsa me diplomatë politikë dhe të skandaleve, të cilët karrierën e tyre e lidhin me pushtetin dhe jo me formatin e tyre profesional, shteti i ri i Kosovës transformohet në një kooperativë folklorike. Me shumë keqardhje, por po e them, se shteti i ri i Kosovës ngjan me një Republikë bananesh.
Ministri Enver Hoxhaj është një diplomat me karierë teknicieni, por duket nuk ka ndikim tek Hashim Thaçi i cili mjaftohet me llogaritë e çastit dhe as i shkon mendja fare tek strategjitë afatgjata shtetformuese dhe shtetndërtuese. Petrit Selimi që njihet si fans i Thaçit, krenohet me arritjet e tij personale, ndërsa që të gjitha këto skandale ndodhin nën hundën e tyre, përpara syve të tyre nga varësit e tyre.
Diplomatë të tillë surrogato janë ata që bëjnë imazhin e Kosovës përpara syve të botës. Me sjelljet e tyre të papërgjegjëshme ata janë „delja e zezë“ që e frikëson Europën dhe e bën dyshuese për t’i mbajtur shqiptarët e Kosovës të margjinalizuar. Kur do të duhej që diplomacia e Kosovës të përfaqësohej me elitën e saj, e cila ekziston, paçka se nuk është pjesë e klanit të kastës.
MPJ e Kosovës ezauron me sukses diplomacinë partiake, ndërsa ka dështuar sa i përket një strategjie kombëtare, e cila do të duhej të përfshinte të paktën edhe dy shtete të tjera në Ballkan, shtetin amë dhe Maqedoninë, ku shqiptarët janë palë shtetformuese. Strategjia kombëtare do të duhej të përfshijë edhe diasporën, sot më tepër se kurrë të margjinalizuar dhe përçarë.
Diplomacia e Kosovës merr eksperiencë negative padyshim edhe nga modeli i diplomacisë që ka ofruar shteti amë, brejtur dhe gërryer prej të njëjtave sindroma. Nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni, trafiqet e mbajnë Kosovën në shenjestër si vend problematik dhe nuk e lejojnë të përparojë, ndërkohë që papunësia shkon deri në 60-70% dhe Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, çka do të thotë se dramat sociale i vuan rinia e vendit, e cila ëndërron të bëhet ose si Rita Ora ose si Xherdan Shaqiri, por kjo arrihet vetëm jashtë e duke e braktisur Kosovën.
Shekullin e faktorizimit të shqiptarëve, diplomacia shqiptare po e kthen në disfavorin e shqiptarëve. Ky është skandali mbi të gjitha skandalet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ne diplomacine kosovare, nepotizem

Nuk ka shqiptarë sipas serbëve!

August 6, 2013 by dgreca

“Dëshira dhe qëllimi yn – shkruante  Josif Bageri – âsht të çgjumim kombin prej gjumit rônd dhe t’a shohëm të nisun në udhët gjënd të kjytetnimit dhe t’kullturës”./

Nga Fahri XHARRA/

Një temë që nuk guxon të anashkalohet është edhe i ashtuquajturi albanizim i serbëve nëpërmjet të muslimanizmit. Dëshira por dhe qëllimi për mohimin e çdo gjëje shqiptare, nga ana e sllavëve e ka zanafillën bukur moti; por më e theksuar ishte  me përforcimin e Imperatorisë Ruse mu në kohën kur ne dhe sllavët ( sllavët në tokat tona)  ishim  ende të pushtuar nga Imperatoria Otomane. Në atë kohë filloi propagimi antishqiptar , vjedhja e pakyrsyer e historisë sonë dhe përvetësimi i saj ,shkurt përgatitja e një terreni si ideor ashtu edhe ”shkencor historik” për një pushtim të ri të tokave shqiptare ,duke u gjetur një patron i ri i cili ” nuk paska pasë mundur të vijë në shprehje” nga qenka penguar nga otomanët. Dokrra!

Nëse e lexojmë librin” Sërbia e vjetër dhe Maqedonia ”(  Makedonien und Alt Serbien by Spiridon Gopcevic ) të Spiridon Gopçeviqit (Vjenë ,1889) atëherë e shohim qëllimin e  racist dhe zhbërës të një kombi ardhacak. Por historia për ne  kishte qenë njerkë , por fatbardhësisht gjeografia  na ishte nënë ,dhe  sot me praninë tonë në tokat tona i dalim ballë kësaj strërvjedhjeje.

Fakte ”ndriquese”  sipas Gopçeviqit ,janë të gjitha ato fakte me të cilat mundohet të spjegohet shtrembërimi i së vërtetës. Origjina e banorëve të “ Serbisë së Vjetër “dhe Maqedonisë duhet të jetë gjithësi sllave pa marrë parasyshë se ata për të cilet flet  libri ishin shqiptar. Ata duhen në një mënyrë apo tjetër të iu dalin si serb apo bullgarë (e ka fjalën për Maqedoninë).

” Kur na jipen fakte për vendbanimet dhe kombësinë e  banorëve të këtyre vendeve ,ata ishin Mohamedanë .Shumica na spjegojnë se ishin Turq apo shqiptar por duhet dijtur se këta  ”Turq ” flitshin ”bulgarisht”.Por në instancat specifike , ata ishin Serb Mohamedanë , numri i të cilëve është shumë më i madh se sa supozohet dhe flitet se janë. Të gjitha vendet që unë i vizitova e vërejta se ata që i thonë vetës Turq nuk kuptonin asgjë nga turqishtje por ata flitshin vetëm serbisht . Në llogari të kësaj  është shumë e mundur  që ata Osmanlinj ose shqiptarë ishin nëtë vërtetë Serb të Mohamedanizuar..”

Pra fjala është për shqiptarët musliman të Maqedonisë ,sepse për ata të krishterë as që flet. Qëllimi është i qartë: ”t`i përvehtësojm” sa më shumë që mundemi.

Por e vërteta ishte që edhe shqiptarët katolik ose ortodoks të Maqedonisë ishin shqiptarë. Shqiptarët ortodoks në Maqedoni janë një komunitet që nuk njihet zyrtarisht edhe pse ata janë realitet dhe realiteti rreth tyre është një çështje e heshtur. Janë në numër të vogël apo simbolik ata që deklarohen se janë shqiptarë, mirëpo me fe ortodokse.Është e ditur se pas pushimit serb nga  viti 1913 filloi edhe asimilimi dhe presioni ndaj shqiptarëve ortodoks të këtyre trevave për të ndryshuar mbiemrat e tyre , dhe qenjen e tyre . Kurse për ta muslimanët që nuk e pranojnë që sllavë ,ishte e paraprë rruga tjetër ;shpërngulja në Turqi.

“Na i morën qytetet dhe na i lanë malet, na e morën Dibrën dhe na e lanë malësinë, na e morën Gjakovën dhe na e lanë malësinë, kështu ne i përngjajmë një trupi pa kokë”.

( Luigj Gurakuqi)

Kjo thënjë plot brenga e Luigj Gurakuqit , e pasqyron  të vërtetën e planeve , shkrimeve ,përpjekjeve të diplomacisë sllave në atë dhe në këtë kohë.

”Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, – Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, – që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë Babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983”, thekson për agjencinë INA, Manolovski.

Ish Kryetari i Akademisë se Shkencave të Maqedonisë, Mateja Matevski është shqiptarë. ”Akademiku i shquari Matevski vazhdon të heshtë se prindërit e tij ishin shqiptarë. Do të bënte gjynah nëse do të thoshte se ata ishin tjetër soj. Kisha një shok timin të ngushtë në shkollën 8-vjeçare në Gostivar. Me te flija në të njëjtën dhomë në konvikt.  Emrin e ka Gligor Jovanovski, i cili tani është anëtar i Akademisë se Shkencave të RM-së. I njihja prindërit e tij – që të dy shqiptarë. Dhe vetëm para 6 vitesh mësova se ky shoku im është stërnip i Josif Bagerit, pra, djali i Isaisë ishte djal i Manojlit, e ai ishte vëllai i Josifit”, nënvizon Manolovski.

Po sa janë në numër qofshin akademikë, personalitete të mirënjohura të fushave të ndryshme të politikës, letërsisë, artit dhe fushave të tjera që janë shqiptarë ortodoks, mirëpo që deklarohen publikisht se janë maqedonas.? Po sa janë qyetarë të zakonshën që as që guxojnë të shprehin mëtë voglën imtësi për pëkatësinë e tyre etnike?

Gopçeviqi e paraqet Kërçovën: …. ky është një qytet  me 3500 njrerëz , nga të cilët 800 janë të Krishterë dhe  1200 Serb të Islamizuar….) ,Dibra “… 12 000 veta , 1000 të Krishterë , 4000 Serbë Mohamedanë , 3000 Serbë të Albanizuar, 4000 Shqiptarë  “

“Është e vërtetë se Bllagica nuk dinte shqip, ashtu siç nuk dinte maqedonisht nëna e saj plakë. Jeta e saj ishte dramë. Gjë që më vinte keq qysh atëherë. Më vinte poashtu shumë keq për Vrapçishtin ku asnjë njeri nuk dinte shqip, por vetëm turqisht dhe për të cilët pleqtë e katundit tonë më thonin se vonë jan bë vonë “turçelinj” e për të cilët në defterët osmanë shumë kam mësuar se ato janë fise shqiptare apo siç quhen aty “arnaut kokëfortë”. Më ka ardhur keq që një pjesë e madhe e Gostivarit dhe do fshatra përreth vetëm turqisht flasin. Pa qenë Turq ! ( Xhemal Ahmeti : I dashur kojshi , Kim Mehemti nuk ishte i sinqertë!)

VAJTIM E MALLKIM!

 O, Shqypni për ty mejtoj!

Për ty, po qajë e vajtoj.

Se djemt e tu keq jon da

Dhe po vriten vlla me vlla!…(Josif Bageri, ”, Bukuresht 16. IV. 1899)

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, nuk ka shqiptare, thone serbet

«Ortodoksia serbe» dhe « herezia shqiptare»

August 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

Në shkrimin tim të titulluar “’mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’”  nxorra në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) të Serbisë, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”.

Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” «vizionin serb» për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartëpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të «vizionit shqiptar» me një arsenal të llojllojshëm akuzash.

Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë të përmbysin rolet:nga persekutor në viktimë!

Për këtë arsye, analizat duhet të jenë të përqëndruara në aspektë të ndryshme. Mirëpo, që në fillim po theksoj se fakti i aspekteve të ndryshme që përmbajnë akuzat e tyre nuk janë të rastësishme. Përkundrazi! Ato janë tejet të koordinuara dhe në harmoni të plotë me logjikën e argumentimit të mbrojtësve të «vizionin serb»!

Në këtë shkrim do të përqëndrohem në përpjekjet e këtij klani për të përmbysur rolet dhe për të paraqitur veten si ‘heretik’ dhe ‘vikktima’ dhe do të nxjerr në shesh se stigmatizimi i mbrojtësve të «vizionin shiptar» si “fundamentalist”, “si klerik politik ”, “si inkuizitor”, si “stalinist”, si “enverist” etj. sado kundërthënëse dhe përjashtuese të duket, sado që, siç konstaton Arben Idrizi, “ekziston një dallim fundamental në mes nocioneve” ato janë koherente me arsenalin e termeve të ambalazhuara në “kuzhinën serbe” dhe të përdorura vazhdimisht, si në të kaluarën ashtu edhe sot!

Para se të vazhdoj të trajtoj kontekstet shoqërore dhe historike të përgatitjes së “nocioneve” stigmatizuese serbe kundër shqiptarëve, e shoh të udhës që të përmend shkurtimisht domethënjen e dy nocioneve: «ortodoksia» dhe «herezia».

Ky digression do të na ndihmojë që të kuptojmë se fjala është për përmbysjen e roleve në dinamikën e konfliktit dhe luftës në Kosovë.

Fjala «ortodoksi» ka prejardhje nga greqishtja e vjetër ὀρθός, orthos (« e drejtë », « e saktë», « korrekt »), dhe δόξα, doksa (« rrugë », « opinion » « mendim »), që tekstualisht do të thotë “rrugë e drejtë”, « opinion i drejtë », « mendim i saktë». Ndërsa, nga ana tjetër, fjala «herezi» në shumicën e gjuhëve ka depërtuar përmes fjalës latine haeresis, e kjo ishte huazuar nga greqishta e vjetër dhe paraqiste një mundësi zgjedhje e një« doktrine, opinioni, sistemi ideshë». Pra, përcaktimi për një vision alternative, qoftë religjioz apo politik, përballë «ortodoksisë» dominante.

Këto dy «nocione» do të jenë kategori kryesore të luftës së “vizionit religjioz të krishterë” dhe mbrojta e “ortodoksisë” arsyetohej si mission për t’i siguruar «paqen qillore» njerëzimit!  Përmes ‘censurës’ dhe ‘inkuizicionit’-terme të preferuara të grupit të lartëpërmendur të “shkrimtarëve” dhe të “intelektualëve- si instrumente dhune, “vizionarët e krishterë” do të krijojnë «ferrin tokësor».

Meqenëse në tipologjinë e diskursit të pjestarëve të grupit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” theksohet përndjekja e “heretikeve” nga ” inkuizitorët” dhe “ nga klerikët e indoktrinuar deri në asht nga dogma” po përmendi vetëm disa të dhëna që karakterizojnë luftën në mes «ortodoksisë» dhe «herezisë».

Vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimi i çdo gjëje që nuk ishte në përputhje me “vizionin e krishterë” janë karakteristikat e kësaj forme të totalitarizmit me të cilën është ballafaquar njërzimi. Që të ruhet ‘vërtetësia e kësaj dogme’ autoritetet kishtare do të hartojnë «Lista të  librave të ndaluara (Index Librorum Prohibitorum)» dhe kjo frymë e përndjekjes do të jetë e praninishme deri në vitin 1966).

Sa i përket përmasave të ndalesave të librave dhe autorëve përmes futjes në “lista” (Indekse!)  po përmendim se “vetëm gjatë periudhës 1600-1996 janë ndaluar rreth 5200 vepra dhe rreth 3000 autorë.  (Index Librorum Prohibitorum 1600-1966, Vëllimi i XI, 2002, f.34 Vepër e përpiluar nga grup autorësh nën drejtimin e J.M. Bujanda).

Sa i përket kësaj forme të trotalitarizmit dhe analogjisë që bëjnë me Kosovën anëtarët e grupit të lartëpërmendur, e shoh të udhës të përmend vetëm një segment të “visionit të krishtërë” si “ortodoksi”, si “rrugë e drejtë”, si “vizion i drejtë”: “Zbulimi I kontinentit te Ri” dhe kolonizimi i tij!

Në mënyrë të ngjajshme si dyndja e popujve sllav mbi territoret iliro-shqiptare, ushtarët dhe klerikët e popujve të “civilizuar” te Europës iu vërsulën territoreve dhe popujve autokton të “Botës së Re”. Duke i stigmatizuar si “njerëz të egër”, si “njerëz pa shpirt”, si “popuj të pacivilizuar”, si “popuj barbar” etj., ata që pretendonin se kishin “mandatin hyjnor” që t’i siguronin njerzimit rrugën drejtë ‘parajsës qiellore’ ushtruan format më çnjerëzore të dhunës.

Të udhëhequr nga strategjia se “Konkistadorët janë ketu për te vrarë dhe për të marrë , ndërsa fetarët për të fshirë kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve “( Fernando Baez, Histoire universelle de la destruction des livres, Fayard, 2008, f 156) u shkatërrua çdo gjë që ishte e mundur të shkaterrohej në këtë “Botë të Re”.

Nuk do të zgjatem në tërë atë dhunë të ushtruar kundër civilizimeve të kësaj “Bote të pacivilizuar” por, po përmendi sa për ilustrim vetëm këtë. Peshkopi dhe inkuizitori spanjoll i Meksikës, Juan de Zumarraga, me mburrje krenohej se kishte djegur të gjitha kodekset e popullit Aztek qe kishin shpëtuar nga djegja e mëparshme. (Vepra e cituar e Fernando Baez, f.155) ndërsa zëvendësi i tij, Diego de Landa, në vitin 1548 organizoi në qytetin Mani asgjësimin e 27 kodekseve dhe 5000 tempujve dhe idhujve të civilizimit Maja. Vetëm tri kodekse të këtij civilizimi kanë mundur të mbijetojnë kohët. ( Vepra e cituar, f 177)

Në këtë artikull nuk mund të nxjerrim tërë atë dhunë të ushtruar nga pushtuesit serb për të humbur të gjitha gjurmëve iliro-shqiptare të territoreve të pushtuara. Nëse ka nevojë mund ta bëjmë në shkrimet e ardhshme. Ajo që mund të thuhet në këtë shkrim ka të bëjë me analogjinë tejet domethënëse në mes të “konkistadorëve të Amerikës Latine” dhe të ushtarëve dhe priftërinjeve serb, ku dikush “vriste dhe mirrte” e dikush përpiqej “të fshinte kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve”.

Ti kthehemi edhe një herë temës së mëparshme të stigmatizimit të shqiptarëve.

Fenomeni i stigmatizimit të shqiptarët nga institucionet politike, diplomatike dhe mediatike serbe do të merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë otomane dhe krijimin e kontekstit shoqëror dhe historik që lidhet me procesin e krijimit të shteteve të pavarura në këtë pjesë të Europës.

Fatkeqësisht, stigmatizimi serb i shqiparëve si “islamik në Europën e krishterë” do të gjejë përkrahësit e vet edhe në qarqet politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdhe të asaj kohe.

Mbështetja e “visionit serb” nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia cariste, dhe ‘mbyllja e veshëve me dhyll’ ndaj ‘të vërtetës shqiptare’ do të kenë pasoja të mëdha në përcaktimin e kufijve shtetëror në këtë pjesë të Ballkanit.Tërësia e territoreve të banuara me shqiptar  që përfshinte Vilajeti i Kosovës, si njësi administrative e Perandorisë Otomane , dhe një pjesë e madhe e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Manastirit, i dhurohen shtetit të ri serb.

Të gjithë të interesuarit për këtë periudhe vendimtare në krijimin e shteteve të reja në Ballkan mund të binden se “vizioni serb” dhe’vizioni grek”, të propaganduara si vizione të “krishtera”, do të arrijnë suksese në përhapjen e mendimit se “shteti shiptar në Ballkan” do të ruante prezencën otomane në Evropë. Rezultate e Kongresit të Berlinit, të Konferëncës së Ambasadorëve në Londër dhe e të ashtuquajturës “Paqë e Vërsajës” e trimëruan politikën serbe që të Aplikojë politikat shfarrosëse kundër shqiptarëve në përputhje me “vizionin e saj ortodoks” të shtuar në Platformën famëkeqe «Naçertanje».

Moment tjetër që e shoh të rëndësishëm ta përmendi lidhet me pozicionimin e Jugosllavisë në anën e shteteve komuniste. Që nga instalimi i diktaturës komuniste në Jugosllavi, dhjetëra mijë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq nën akuzën  “e antikomunizmit dhe ndikimit me ideologji borgjeze”. Ata që nuk pranonin “ortodoksinë’ serbe, të definuar dhe të kamufluar nën plafin e “parajsës jugosllave” përjetuan ferrin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

Vetëm disa vite më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhenjeve politike dhe diplomatike me “Internacionalen Komuniste “ në vitin 1948, shqiptarët do të vriten, përndiqen, arrestohen dhe dënohen nën akuzën e “ithtarëve të stalinizmit”.

Periudha nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri te shpërthimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një moment kyq në strategjinë e luftës antishqiptare.

Kontestimi masiv i “ortodoksisë serbe” se gjoja “shqiptarët kishin vendosur me vullnet të vet t’i bashkohen Serbisë” dhe kërkesa e afishuar për të jetuar të pavarur nga Serbia në kuadër të Federatës jugosllave, i terboi bartësit e aparateve shtetërore, politike, mediatike dhe religjioze të “vizionit serb”. Komunistët serb dhe shqiptar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe të Kosovës u vërsulen me të gjitha aparatet e dhunës fizike dhe mediale kundër ‘heretikëve’ shqiptar.

Të akuzuar si “nacionalist” dhe si “enverist” vetëm në periudhën 1981-1987 do të kalojnë nëpër duart e hetuesisë serbe dhe argatëve të tyre komunistë shqiptar të Lidjes së Komunistëve të Kosovës mbi 1/3 e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Krahas vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve dhe dënimeve të atyre që nuk pranonin t’i nënshtroheshin “të vërtetës serbe”, me mijëra libra shqip, të botuara në Tiranë, këngë dhe vepra të diciplinave të ndryshme shkencore u ndaluan me dekret shtetëror. ‘Inkuizicioni i klerikëve komunistë serb e shqiptar të Kosovës kundër ‘herezisë’ shqiptare është i dëshmuar në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.

Interpretimi zyrtar i komunistëve serb lidhur me vendimin e aneksimit të Kosovës konsistonte në gjoja shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar nën Serbinë socialiste. Këtë interpretim të “ortodoksisë komuniste serbe” argatët shqiptar në strukturat komuniste të Kosovës të tipit të  Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit dhe funksionarëve tjerë që përpiqeshin edhe më tepër se serbët që të mbanin “ortodoksinë e vizionit serb” si opcion të vetëm  për Kosovë.

Madje, ata do të mundohen të bindin “turmën e manipuluar” “se rruga e Kosovës drejt zhvillimit të gjithanshëm dhe Fondeve të Federatës kalon nëpër Beograd”.

Opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë përcjellur me vëmendje ngjarjet e asaj kohe ju kujtohen mirë këto deklarata. Siç ju kujtohet edhe deklarata e xhelatit të «Kushtetutës së Tankeve», Rrahman Morinës, “se populli shqiptar me ndryshimet e kushtetutës të vitit 1989 nuk ka humbur asgjë por ka fituar shumë! Por, fatkeqësisht në mesin tonë ka hi një dreq i madh dhe po mundohet ta turbullojë mendjen e popullit” . Kjo deklaratë e Rrahman Morinës për “Dreqin e Madh” që “turbullon shpirtin e popullit dhe që mund ta bëjë të shpërthej  kundër Serbisë” ndodhi në kohën kur bartësit e aktivitetit kundër okupimit serb të Kosovës bëhëj në mënyrë tërësisht të fshehtë. Pra, në kohën kur pushteti i okupatorëve të Kosovës nuk i dinin se kush ishin personat konkret. Po rikujtojmë se cilësimi me termin «dreq» është cilësim tipik i “inkuizitorëve dhe klerit fetar”.

Përmbysja e komunizmit dhe instalimi i sistemit gjoja demokratik në  Serbi, e cila udhëhiqej nga ish diktatori komunist S. Millosheviq, krijoi kontekstin “à la mode” që të fshihen cilësimet e moçme të “shqiptarit antikomunist dhe të ndikuar nga ideologjia borgjeze” dhe të ndryshojnë amballazhin e akuzave përmes të cilave shqiptarët që nuk pranonin ortodoksinë e vizionit serb të stigmatizohen si “komunist”, si “terrorist” dhe si “fundamentalist”…

Në këtë shkrim nuk do të zgjatem në citimin e diskurseve të shumta të politikanëve dhe gazetarëve serb, dhe të atyre «jo serb» (madje edhe shqiptar!) që mbështesnin “vizionin serb për Kosovën” si “vision i vetëm i drejtë” dhe, sipas të cilëve, shqiptarët që nuk pranonin këtë “të vërtetë” nuk ishin gjë tjetër pos “komunist”, “stalinist”, “enverist”, “terrorist”. “ekstremist”, “fundamentalist”….

Kësaj radhe do të kufizohen vetëm në shkrimet e kohëve të fundit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” të sortës së Lubonjës, Idrizit, Buzhalës, Matoshit dhe Mushkolajt.

Një çerek shekulli më vonë, tani më kur edhe emrat e bartësve të veprimtarisë çlirimtare të Kosovës janë publik për opininin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, pasardhësit e Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit, Rrahman Morinës etj nën maskën e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin e tyre do të aktualizojnë diskurset dhe stigmatizimet e vjetra. Kështu, Arben Idrizi, të cilit i pëlqenjë parafrazimet herë të Senekës e herë të Salman Ruzhdiut kësaj radhe, në shkrimin e tij të gjatë kundër Jakup Krasniqit dhe “turmës së manipuluar”, parafrazon Rrahman Morinën. Ai,  ndër të tjera shkruan:

“Ballafaqimi human dhe intelektual me doktorë të shkencës si z.Krasniqi është më i vështirë se ballafaqimi me djallin. Turma në vetvete shpesh mund të jetë e ndenjur, janë ai lloji i klerikëve që e trazojnë, e bëjnë të pluskojë dhe gurgullojë, derisa edhe të shpërthejë si vullkan. Klerikët politikë dhe klerikët fetarë, sidomos kur janë të indoktrinuar deri në asht nga dogma përkatëse dhe njëkohësisht kanë në dorë pushtetin dhe gëzojnë njëfarë autoriteti (çfarëdo qoftë) para turmës që përfaqësojnë, në të vërtetë nuk janë veçse ideologë skizofrenikë të vrasjeve, shfarosjeve individuale e në masë”. Duke mos ia përmendur emrin e Rrahman Morinës, ai mendon se do t’ia arrijë të fsheh gjurmët e burimeve të “mendimeve të veta të lira”!

I vetmi dallim i tekstit të Arben Idrizit nga teksti që i ishte dhenë Rrahman Morinës për ta recituar 25 vite më parë qëndron në përmendjen e emrit të «dreqit të madh», të z. Jakup Krasni. Për ta krijuar mozaikun biblik “të dreqërve të tjerë” që kontestojnë ortodoksinë serbe, po i njëjti Arben Idrizi, siç mund të shihet në shkrimin e titulluar ’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’, e publikoi “listën serbe” të atyre personaliteteve të shquara të historisë së re të Kosovës që krijuesit dhe mbështetësit e vizionit serb i konsiderojnë për ‘kriminele dhe vrasës’.

Në arsenalin e “listave”, si në kohën e inkuizicionit, nuk munguan as emra personash e as vepra të caktuara. Madje, kopjimi i diskursit të para 25 viteve nuk i mungoi as Enver Hoxha. Jakup Krasniqi, ky “dreq i madh” «që trazon turmën deri në shpërthime vullkanike» siç cilësohet në shkrimin që mban emrin e Arben Idrizit, nuk ka të drejtë, në cilësinë e doktorit të shkencave të historisë apo edhe të bindjeve të veta personale, të mbajë as librat e Enver Hoxhës, sepse ai ishte për paraardhësit e Rrahman Morinë dhe kopilave të ortodoksisë serbe “Nëna e Dreqit”! Fotografia e e Enver Hoxhës në kopertinën e një libri shndërrohet, në diskurset e kësaj sorte, në “fotografi bukur të madhe në kornizë”!

Në arsenalin e sulmeve që grupi i “shkrimtarëve”, “intelektualëve”, “krijuesve të opinionit” dhe “deputetit” nuk munguan edhe nocionet tjera stigmatizuese të kuzhinës serbe.

Kështu, Berat Buzhala, në cilësinë e deputetit të PDK-së, në shkrimin ekskluziv për Gazetën Ekspress, shkruan artikullin e titulluar “ Lubonja dhe Beni nuk janë problem”  deklaron me pompozitet se edhe në rastet “kur nuk pajtohet me konstatimet e ‘ngushta’ dhe ‘rigjide’ të Lubonjës dhe Benit prapë se prapë unë rreshtohem në taborin e tyre nëse do të më kërkohej që të rreshtohesha. Me tërë qenien time unë i urrej fundamentalistët!”  Që i urren “fundamentalist” që luftuan ortodoksinë serbe Berat Buzhala e ka bërë të qartë që moti. Por, ajo që mbetet e paqartë dhe që përpiqet ta fsheh në shkrimin e tij lidhet me faktin se ai nuk e tregon se kush i kërkoi “të rreshtohet pro Lubonjës dhe Benit”. Fundi i fundi kjo nuk  çon shumë peshë. Ajo që shihet qartë ka të bëjë me arsenalin e stigmatiziimit të shqiptarëve me nocione dhe terme të gatuara në kuzhinën serbe.

Megjithatë duhet të pranoj se Berat Buzhala ka të drejtë kur thot së “Lubonja dhe Beni nuk janë problem”. Problemi qëndron në “vizionin serb për Kosovën”, si vision racist dhe gjenerator I politikave të shpeshta gjenocidale në këtë pjesë të Europës. Për deri sat ë mbetet gjallë dhe të ushqehet kjo “ortodoksi serbe” edhe ndër shqiptarë do të gjenden të atillë që do të mendojnë  “se rruga e Kosovës për Europë kalon nëpër Beograd”. Ndërsa, ata që si Halil Matoshin që “u vargisen thirrje e çjerrje bishash me fytyra të mërdhezura për linçim publik” tentojnë të rikthejnë strukturat dhe logjikën që aplikoi “diferencim ideopolitik” kundër atyre që rrugën e Kosovës për në Europë nuk e shohin përmes Beogradit”.

Zhurma dhe “çjerrjet e bishave” deri në kupë të qiellit për t’u sjellur argumente dhe fakte se janë ‘argatë të ortodoksisë serbe’ në Kosovë, fsheh frikën e tyre nga e vërteta. Ata që “luftojnë për mendimin ndryshe”, madje “sado ekstrem që të jetë” artikullit tim dhe fakteve që unë ua bëra publike, ia mbullën hapsirën në mediat e kontrolluara prej tyre.  Për mua është plotësisht e qartë dhe i kuptoj. Sepse, siç thot R. de Gourmont “ ajo që është më e tmerrshme në procesin e kërkimit të vërtetës, është gjetja e saj!”

6 gusht 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe herezia shqiptare, Ortodoksia serbe

‘Tradhtarët’ e mirë të klasës së mesme

August 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Albin Kurti  /

Problemet ekonomike dhe sociale janë të njëjta dhe të ndryshme. Të njëjta në kuptimin që vështirë të gjesh se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. Dhe, të ndryshme në kuptimin që shkaqet janë ekonomike kurse pasojat janë sociale. Mirëpo, problemet ekonomike dhe sociale janë të ndryshme jo vetëm ashtu në vetvete apo në raport me njëra-tjetrën, por edhe për shkak se këndvështrimet e njerëzve janë të ndryshme. Pra, janë të ndryshëm njerëzit që flasin për gjërat dhe jo, thjesht, gjërat. Kështu, klasa e pasur në Kosovë përgjithësisht nuk sheh as probleme ekonomike dhe as probleme sociale – sipas tyre Kosova po përparon, duke shtuar eventualisht që ky përparim mund të mos e ketë shpejtësinë e mjaftueshme. Në fakt, kur kjo klasë flet për shpejtësinë ajo realisht flet për klasat e tjera për të cilat Kosova nuk po përparon. Pamjaftueshmëria e shpejtësisë së përparimit të Kosovës e konstatuar nga klasa e pasur duhet lexuar si pamjaftueshmëri e shtrirjes dhe gjerësisë së përparimit edhe në klasat e tjera (përveç asaj të pasur). Prandaj, porsa i ndezim televizorët që t’i ndjekim edicionet e lajmeve, ajo që më së shumti shohim e dëgjojmë aty janë premtimet e klasës së pasur për të tjerët. Ata që jetojnë shumë mirë në të tashmen (qeveritarët dhe miqtë e tyre) u premtojnë jetë (më) të mirë në të ardhmen të tjerëve (qytetarëve).

Në anën tjetër, klasa e mesme dhe klasa e varfër e popullsisë besojnë që Kosova ka edhe probleme ekonomike edhe probleme sociale. Mirëpo, përderisa klasa e mesme e shoqërisë identifikon probleme ekonomike, ajo e varfër konstaton probleme sociale. Dhe, më tutje, përbrenda klasës së mesme, në shtresën e epërme të kësaj klase, problemet shihen si ekonomiko-sociale, ndërkaq në shtresën e poshtme të klasës së mesme si socio-ekonomike.

Klasa e pasur, në rastin më të mirë, dëshiron të diskutohet QYSH po ikin qytetarët nga Kosova për në kampet e burgjet e Hungarisë, dhe PSE policia s’arrin dot t’i ndalojë ata. Klasa e mesme dhe e varfër, në rastin më të keq, do që të diskutojë PSE po ikin qytetarët tanë kur i kemi më shumë se 14 vjet çlirim e më shumë se pesë vjet pavarësi prapa vetes, dhe QYSH duhet të ndryshohen politikat ekonomike e sociale për ta bërë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë. Klasa e pasur bluan mendjen se si t’ia bëjë që qytetarët të mos kenë MUNDËSI të ikin meqë po na e prishin imazhin e shtetit karshi ndërkombëtarëve, ndërsa klasa e mesme dhe e varfër duan zgjidhje që qytetarët të mos kenë NEVOJË të ikin nga vendi i tyre, që do të thotë që klasa e pasur mendon në mënyrë POLICORE kurse klasa e mesme dhe e varfër në mënyrë POLITIKE. Ose, një shembull nga bota e korporatave: ankesat për pagesat e larta të menaxherëve ekzekutivë janë krejtësisht të ndryshme për nga struktura varësisht nëse vijnë prej punëtorëve apo prej pronarëve. Është nënpyetja pas përgjigjes dhe jo pyetja e parë ajo që na i sqaron pozicionet e njerëzve, motivet e aspiratat e tyre. Ose, për t’u rikthyer sërish në Kosovë: ish luftëtarët e UÇK-së nuk përbëjnë tashmë aspak një kategori të përbashkët shoqërore: kemi një pakicë prej multimilionerësh midis tyre të instaluar në pushtet e shtet, dhe shumicën tjetër ku bëjnë pjesë edhe ata mbi 40 ish pjesëtarë të UÇK-së që bënë vetëvrasje pas luftës për shkak të kushteve shumë të rënda të jetesës. (Në disa raste kur isha për ngushëllime në shtëpitë e tyre vërehej qartë varfëria e skajshme: prej rrobave shumë të vjetra e shtëpisë së pasuvatuar edhe në muret e brendshme, e deri te xhami i krisur i gotës me të cilin ta sjellin ujin e pusit dhe qilimi që t’i lag çorapet meqë është i vendosur drejt e në tokë në vend se në dysheme.)

Për ndryshime politike dhe shoqërore në Kosovë, problemi më i madh është kur klasa e mesme nuk e mirëkupton ose edhe nuk e kupton fare klasën e varfër. Të merremi vesh: është e qartë dhe e pritshme që klasa e varfër dhe ajo e pasur të mos kuptohen me njëra-tjetrën. P.sh. një qytetar që ka pasuri prej disa milionë eurosh dhe një tjetër qytetar që ka mbetur me vetëm disa euro në xhep nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Ata mund të flasin të njëjtën gjuhë, p.sh. gjuhën shqipe, por ata nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Sepse, ata kanë botëkuptime krejt të ndryshme që vijnë prej jetesës në dy botëra aq të ndryshme e me halle po aq të ndryshme. Fundja, përvoja jonë jetësore na tregon që madje nuk ka as fakte për të cilat pajtohen të gjithë njerëzit. Mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre. Kjo nuk vlen për secilin rast e për çdo kohë njësoj, por nëse do të përpilonim agregate statistikore të këtyre qëllimeve e synimeve, pa dyshim që do të përfundonim tek intencat klasore. Mirëpo, kur klasa e mesme shpërfill të varfërit dhe i lë vetëm ata, aty gjendja bëhet gati e pashpresë, sepse bie potencialiteti për ndryshime. Sado të pasur që të jenë ata në pushtet dhe sado të pushtetshëm që të jenë të pasurit, kur klasa e mesme i qëndron shumë pranë masave të varfëra aty gjendja mund të jetë shumë e rëndë porse gjithsesi ka shumë shpresë për ndryshime. Të varfërit, në njërën anë, nuk kanë pasur shans për arsim cilësor, kurse, në anën tjetër, janë të kurthuar nga mbijetesa e përditshme që nuk të lë as kohë e as energji ta ngritësh kokën. Janë qytetarët që përnjëmend i duan ndryshimet e të cilët vijnë nga klasa e mesme ata që i kompensojnë mangësitë e të varfërve dhe i ndihmojnë ata në organizim e beteja politike, shoqërore dhe ekonomike. Pra, janë qytetarët e klasës së mesme ata të cilët nuk e përjetojnë realitetin thjesht si pasojë duke e kufizuar atë në shumësi problemesh sociale, por arrijnë të kuptojnë shkaqet dhe interesat ekonomike të të pasurve që prodhojnë mjerim social për të varfërit. Këta qytetarë duhet të bëhen intelektualë në kuptimin e Sartre-it, pra të ‘tradhtojnë klasën e tyre’, në drejtim të masave popullore. Për këtë gjë ka nevojë çdo vend i shtypur e i shfrytëzuar, për këtë ka nevojë edhe Kosova – pra, për ‘tradhtarë’ të klasës së mesme nga klasa e mesme. Sa më shumë këso ‘tradhtarësh’, aq më të mëdha bëhen mundësitë e rriten shpresat për ndryshimet e nevojshme.

Për fund, shpresoj që ky shkrim t’ju cysë sadopak që kur të bisedoni me të tjerët të keni parasysh që ata nuk janë vetëm persona të veçantë të popullit tonë por edhe njerëz të përgjithshëm të klasës së tyre shoqërore. Dhe, se kjo e fundit, kushedi, ndoshta i përcakton ata më shumë sesa e para. Zaten edhe këtë shkrim që porsa e lexuat nuk duhet ta kuptoni vetëm si shkrim i autorit që mban emrin e mbiemrin tim, por si një shkrim i një njeriu që i përket klasës së mesme dhe shtresës së poshtme aty. Kur lexoni shkrim të ndonjë politikani të pasur sigurisht që ai nuk është tërësisht i ndryshëm prej shkrimeve të mia vetëm për shkak se i kemi emrat e ndryshëm, apo jo?

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e klases se mesme, tradhetaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT