• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA JUNIKU I DJESHËM TEK STRATEGJITË E BASHKËPUNIMIT NË SHEKULLIN XXI

May 21, 2025 by s p

Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar. Është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

Nga Prof.dr Skender Asani

Në historinë e kombeve, momentet kur ndërgjegjja kolektive ngrihet mbi ndasitë e përditshme dhe projekton një të ardhme të përbashkët, mbeten gurë kilometrikë të rrugëtimit kombëtar. Një nga këto momente për shqiptarët ishte padyshim Kuvendi i Junikut, i mbajtur më 21–25 maj 1912, që përfaqësonte një akt të thellë vetëdijeje politike dhe kombëtare në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në atë moment kritik të historisë, kur harta e rajonit po ridizajnohej dhe popujt përreth artikulonin projektet e tyre shtetformuese, shqiptarët përmes Kuvendit të Junikut shfaqën me qartësi synimet e tyre politike: mëvetësinë, vetëvendosjen dhe ruajtjen e integritetit të hapësirës shqiptare. Të udhëhequr nga figura si Hasan Prishtina, delegatët e atij kuvendi ndërtuan një arkitekturë politike me vizion afatgjatë, për të shmangur fragmentimin dhe për të garantuar përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare në projektin e përbashkët kombëtar.

Sot, pas më shumë se një shekulli, ndodhemi para një faze tjetër të rëndësishme historike: përmbylljes së disa proceseve të mëdha politike dhe përcaktimit euroatlantik të hapësirës shqiptare. Në një botë ku konstelacionet gjeopolitike po ndryshojnë me shpejtësi, shqiptarët, për t’u përballur me sfidat e reja, kanë nevojë për të njëjtin mobilizim që karakterizoi Junikun e vitit 1912.

Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës kërkon një qasje të mençur dhe gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton ndërtimin e një lidhjeje institucionale të fuqishme me Shqipërinë, si një formë funksionale e afrimit të mëtejshëm kombëtar, por edhe pranimin e kërkesave të miqve perëndimorë për të përmbyllur njohjen e plotë të shtetësisë së saj. Këto janë hapa strategjikë në drejtim të konsolidimit të pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe të rumbullakimit të pavarësisë së saj.

Njëkohësisht, është e domosdoshme që me urtësi politike të rumbullaksohet edhe procesi i shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet rritjes së barazisë institucionale, afirmimit të përfaqësimit të drejtë dhe ndërtimit të partneritetit real me faktorin shtetëror. Ky proces duhet të udhëhiqet nga një mendësi moderne politike dhe nga një narrativ i ri që tejkalon provincializmat dhe ndarjet artificiale.

Në këtë kuadër, nuk mund të lihet pa u theksuar pozita strategjike që ka Shqipëria në rajon. Duke ecur me hapa të fuqishëm drejt integrimit evropian, ajo po shndërrohet në një faktor politik dhe ekonomik të rëndësishëm, si dhe në një shtyllë kyçe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ky zhvillim e rrit rolin e Shqipërisë si urë lidhëse dhe si mbështetje e fuqishme për çështjet shqiptare në të gjitha hapësirat.

Një dimension i rëndësishëm i këtij mobilizimi është edhe mërgata shqiptare në botë. Kontributi i saj ndër shekuj ka qenë thelbësor për mbijetesën dhe afirmimin e shqiptarëve në Ballkan. Sot, në rrethana të reja, ajo duhet të jetë më e organizuar dhe më e angazhuar për vendlindjen – përmes investimeve ekonomike, mbështetjes së zhvillimit institucional dhe lobimit aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Mërgata mund të shërbejë si një urë e fuqishme mes atdheut dhe botës perëndimore, duke ndihmuar në avancimin e qëllimeve të përbashkëta.

Kuvendi i Junikut nuk ishte një akt i izoluar. Ai ishte produkt i ndërgjegjësimit kombëtar dhe i ndjeshmërisë historike që kuptoi nevojën për unitet. Edhe sot, përballë sfidave të globalizimit, të fragmentimit të brendshëm politik dhe të përplasjes së interesave gjeopolitike, modeli i Junikut mbetet një udhërrëfyes për bashkërendimin e vizioneve dhe për ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare.

Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar, ku bashkëpunimi institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, afirmimi i barazisë në Maqedoninë e Veriut, integrimi i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqizuar i mërgatës shqiptare përbëjnë shtyllat e qëndrueshme të së ardhmes sonë. Vetëm përmes një mobilizimi të tillë gjithëkombëtar, me një mendësi të qartë euroatlantike dhe me një diplomaci të mençur, shqiptarët mund të sigurojnë vendin që u takon në hartën e re të rendit botëror dhe të kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin afatgjatë të rajonit. Kjo është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

Filed Under: Emigracion

Më 13 maj 1944 u krijua “Lidhja Shkodrane”

May 13, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Në Shkodër më 13 maj 1944 u krijua nga 150 përfaqësues së qarkut të Shkodrës e më gjerë, “Lidhja Shkodrane”, një marrëveshje midis Ballit Kombëtar, nënshkruar prej Mid’hat Frashërit dhe Lec Kurtit, legalitetit të përfaqësuar nga Ndoc Çobaj e Shefqet Muka, dhe Indipendentët, nga Gjon Marka Gjoni e Sulçe beg Bushati, me program qëndresën ndaj mësymjes të ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe luftën kundër bashkëpunimit komunist shqiptaro-jugosllav, që po rezikonte ekzistencën e kombit shqiptar. U formua edhe Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes, me pjesëmarrës nga të tre grupimet kryesore.

Filed Under: Emigracion

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte

April 25, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte. Kjo është një nga ato. Thomas Jefferson dhe John Adams, dy nga Etërit Themelues më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vdiqën të dy pikërisht në të njëjtën ditë: 4 korrik 1826.

Nuk ishte vetëm një ditë. Ishte pikërisht pesëdhjetëvjetori i Shpalljes së Pavarësisë që ata vetë kishin ndihmuar në kete ngjarje.

Jefferson ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Virxhinia, Adams në Massachusetts, pa dijeni për njëri-tjetrin.

Por historia nuk mbaron këtu…

Rastësia bëhet pothuajse e mbinatyrshme kur zbulojmë se pesë vjet më vonë, më 4 korrik 1831, James Monroe, presidenti i pestë i Shteteve të Bashkuara, gjithashtu u largua nga jeta tokësore në të njëjtën ditë simbolike të kombit të cilit i kishte shërbyer.

Tre Etër Themelues, tre Presidentë, një datë vdekjeje. Kur historia shfaq këto sinkronizime të jashtëzakonshme, është e vështirë të mos ndalosh asnjë çast për të reflektuar mbi ndërthurjen misterioze të jetës, vdekjes dhe simboleve kombëtare.

Filed Under: Emigracion

Papa “i periferive” iku në amshim

April 24, 2025 by s p

Frano Kulli/

1) Pa u ulur ende në sedien papale, por, mbasi në konklavën e radhës kishte dalë tymi i bardhë, që jepte lajmin e shugurimit të tij, udhëtimin e parë prej aty Papa Françesku e pati bërë me atë makinën modeste, që përdoronte më përpara kur ishte kardinal. Kjo pati sjellë disi habi e pak zhurmë gjithashtu, por edhe një ndalesë në vëmendjen e opinionit botëror. Si diçka e pazakontë, që nuk kishte ngjarë tjetër herë më parë. Por që gjithashtu qe edhe shenja e parë për t’u vënë re se këtu e këndej do të kishim një Papë më liberator, një Papë më pranë thjeshtësisë e më pranë të të thjeshtëve. Një Papë…edhe “të periferive”. Sepse vetë Krishtërimi, në gjenezën e vet nuk është i elitave.

Më pas, në kornizën kohore të një viti ai dha kumtin e një vizite; të së parës vizitë në Europë, krejtësisht në periferi të saj. Në periferi jo për nga pozita gjeografike por për tjetër pozitë e përbërës të tjerë… “Dua t’ju kumtoj – do të përmblidhej kumti i tij aso here – që, duke pranuar ftesën e ipeshkvijve dhe autoriteteve civile shqiptare, dëshiroj të shkoj në Tiranë më datë 21 shtator 2014. Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”, pati deklaruar deklaruar Papa.

Si e tillë, kjo nuk kishte për të qenë vetëm një vizitë pastorale (baritore), ndër katolikët e në kishën shqiptare. Pa mëdyshje ishte më e rëndësishmja vizitë e bërë në këtë vend nga ndonjë personalitet tjetër botëror në harkun kohor të 21 vjetëve, pas vizitës së Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993. Po ne, të familjarizuar edhe me këtë mishmash allashqiptar, ku hierarkia e vlerave dhe e gjërave dhe, për rrjedhojë, edhe dukja, shpërfaqja e tyre është përgjithësisht e rrëmujshme, e patëm përcjellë si gati të zakonëshme ngjarjen kulmore. Veçanërisht establishmenti politik e publik i këtij vendi. Kurse ipeshkvijtë dhe autoritetet kishtare, sigurisht ishin duke bërë detyrat e veta, ata më së shumti komunikoin me grigjën e besimtarëve katolikë ashtu siç ua do rendi më strikt i misionit të tyre, në rastin e një udhëtimi apostolik që Ati i Shenjtë do të bënte në Kishën tonë dhe më pak po komunikonin me publikun përtej kësaj grigje.

Kurse Mesazhi i Papa Françeskut ishte fare i zgaqur dhe nuk linte aspak vend për të bërë diçka të tillë. Ai po vinte në Shqipëri për “të përforcuar në besim Kishën në Shqipëri”…por edhe për të “dëshmuar inkurajimin dhe dashurinë e tij ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë…”. Ja cilat janë dy motivet kryesore pse Ai vinte në Shqipëri. Në Shqipërinë së cilës pa dyshim edhe Ati i Shenjtë i njihte dhe ia çmonte shumë, si një vlerë të spikatur qytetërimi, bashkëjetesën ndërmjet tri besimeve që mbajnë shqiptarët…Krenaria dhe mburrja jonë, ndër të mburrjet e pakta të arsyeshme.

Ai do të vinte për shqiptarët, besimi i të cilëve kishte nevojë ende për ripërtëritje, të cilët janë të zhgënjyer me ritmet e ecjes dhe në nevojë për të ringjallur shpresën, të dëmtuar edhe prej pasojave të ideologjisë së shkuar komuniste, po edhe prej reminishencave të saj po e po.

Prej Tij, pastaj ne shqiptarët kemi Të Lumë 40 Martirët tanë, në tempullin e përbotshëm të Kishës. Shumica prelatë të kishës, por edhe laikë e besimtarë të feve të tjera. Një dhuratë plot hire për ne.

2)

Më pas, i gjithë pontifikati i tij, e gjithë koha e veprimi i tij Papal, do të ndiqte trajektoren drejt thelbit të rëndesave botërore , në gjetjen e kauzave që e zbusin egërsinë e jetës së njerëzisë e të popujve. Ishte i pari Papë që vinte nga urdhëri jezuit dhe mori emrin Françesku, pa numër rendor, emrin e Shenjtit simbol të të varfërve e të pamundurve, I pari Papë që vendosi të mos jetojë në pallatin apostolik; theu shpesh rregullin po kurrë shpirtin dhe përballoi për këtë , me urti e dinjitetin e Shenjtërisë së Tij edhe kundërshtí të shumëandejshme . Ishte i pari Papë që vizitoi vende, në të cilat kurrë nuk kishte shkelur një Papë, nga Iraku në Korsika ; qe i pari Papë , që vendosi një deklaratë vëllazërie me një nga autoritetet më të mëdha islame, e fshiu dënimin me vdekje nga Katekizmi.

E jetoi kohën e Shenjtërisë së vet në një botë të trazuar, me lufta të mëdha e të vogla nga cepi në cep të botës dhe numërohen mbi 300 apele kundër luftës e po kaq thirrje të zëshme për paqen, gjithashtu. U gjënd pranë emigrantëve e mbrojtjes së kauzave të tyre, më përshpirtërinë e vet të dallueshme; proverbiale do të mbetet sentenca e përsëritur e Tij: siamo i figli di emigranti.

Gjithnjë e pa u ndalë për asnjë çast udhëhoqi shëmbëlltyrën e një kishe të hapur , një kishe nënë të besimtarëve, përtej një kishe “të lodhur në Europën e Amerikën e mirëqenies”.

3)

Dhe, mbasi ai u nis e shkoi në Shtëpinë e Atit Qiellor, gjejmë testamentin e tij. Edhe këtu, i rrallë e i dallueshëm në kauzën e vet të të thjeshtësisë apostolike… Ka porositur që trupi të vendoset në një arkivol të thjeshtë. Ka porositur, gjithashtu që të mos varroset në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në bazilikën e Santa Maria Maggiore. Gjë që nuk ka ndodhur prej më se një shekulli.Dhe…mbi varrin e tij duhet të shkruhet vetëm emri: Franciscus.

Filed Under: Emigracion

Papa Françesku

April 22, 2025 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

Papa Françesku, Papa i parë i Kishës Katolike të Amerikës Latine që magjepsi botën me stilin e tij modest dhe shqetësimin për të varfërit, ka vdekur, njoftoi kardinali Kevin Farrell, Camerlengo e Vatikanit. Ai ishte 88 vjeç.

Çfarë duhet të dini:

• Shkaku i vdekjes nuk është ndarë ende: “Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha kardinali Kevin Farrell në një njoftim për vdekjen. Françesku, i cili vuajti nga sëmundje kronike të mushkërive dhe që i ri kishte hequr një pjesë të njërës mushkëri, u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt 2025, për një krizë respiratore që u zhvillua në pneumoni të dyfishtë. Ai kaloi 38 ditë atje, shtrimi më i gjatë në spital i papatit të tij 12-vjeçar.

• Papa tjetër është ende për t’u vendosur: Vdekja e një pape vë në lëvizje një sërë ritesh dhe ritualesh të orkestruara me kujdes. Kardinalët e kualifikuar përfundimisht votojnë për një pasardhës papal në Kapelën Sistine.

• Françesku u bë papë në vitin 2013: Jorge Mario Bergoglio i lindur në Argjentinë solli një frymë të freskët në një institucion 2000-vjeçar. Ai mori detyrën ndërsa ndikimi i Kishës Katolike u zbeh gjatë papatit të trazuar të Papa Benediktit XVI, dorëheqja e befasishme e të cilit çoi në zgjedhjen e Françeskut.

Cilët kardinalë shihen si pretendentë për të qenë si Papë të ardhshëm?

Çdo mashkull katolik i pagëzuar ka të drejtë, megjithëse vetëm kardinalët janë zgjedhur që nga viti 1378. Fituesi duhet të marrë të paktën dy të tretat e votave nga ata kardinalë nën moshën 80 vjeç dhe kështu të kenë të drejtë të marrin pjesë.

Ja një vështrim në disa nga kandidatët e mundshëm:

Kardinali Peter Erdo

Erdo, 72 vjeç, kryepeshkopi i Budapestit dhe primat i Hungarisë, u zgjodh dy herë kryetar i Këshillit të Konferencave Episkopale Evropiane, në 2005 dhe 2011, duke sugjeruar se ai gëzon vlerësimin e kardinalëve evropianë që përbëjnë bllokun më të madh të votuesve të zgjedhësve.

Kardinali Reinhard Marks

Marksi, 71 vjeç, kryepeshkopi i Mynihut dhe Freisingut, u zgjodh nga Françesku si këshilltar kryesor në vitin 2013. Marksi më vonë u emërua në krye të këshillit që mbikëqyr financat e Vatikanit gjatë reformave dhe shtrëngimit të rripit.

Kardinali Marc Ouellet

Ouellet, 80 vjeç, nga Kanadaja, drejtoi zyrën me ndikim të peshkopëve të Vatikanit për më shumë se një dekadë, duke mbikëqyrur zyrën kryesore të pastrimit për kandidatët e mundshëm për të kryesuar dioqezat në mbarë botën.

Një udhëzues se si zgjidhet Papa i ardhshëm

Vdekja e një pape fillon një ritual shekullor që përfshin betimet e shenjta nga kardinalët që zgjedhin një pasardhës, shpimin e fletëve të votimit me një gjilpërë dhe fije pasi të jenë numëruar dhe më pas djegien e tyre për të prodhuar ose tym të bardhë ose të zi për të sinjalizuar nëse ka një udhëheqës të ri për 1.3 miliardë katolikë në botë.

Ja një vështrim në procesin:

Kush është në krye?

Pasi Papa të ketë vdekur, camerlengo, ose kamerlengo, duhet të vërtetojë vdekjen dhe të vulosë banesën papale. Ai drejton detyrat administrative dhe financiare të Selisë së Shenjtë derisa një papë i ri të marrë detyrën.

Puna kryesisht ceremoniale e Camerlengo-s aktualisht mbahet nga kardinali Kevin Farrell, kreu amerikan me origjinë irlandeze i zyrës laike të Vatikanit, i cili gjithashtu njoftoi vdekjen të hënën në mëngjes.

Sa është koha?

Vdekja e një pape fillon një sekuencë të saktë ngjarjesh që përfshijnë konfirmimin e vdekjes në shtëpinë e papës, transferimin e arkivolit në Bazilikën e Shën Pjetrit për shikim publik, një meshë funerali dhe varrim. Varrimi duhet të bëhet ndërmjet ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së tij.

Pas funeralit, ka nëntë ditë zie zyrtare, të njohura si “novendiali”.

Gjatë kësaj periudhe, kardinalët mbërrijnë në Romë. Për t’i dhënë të gjithëve kohë për t’u mbledhur, konklava duhet të fillojë 15-20 ditë pas shpalljes së “sede vacante”, megjithëse mund të fillojë më shpejt nëse kardinalët bien dakord.

Kush mund të zgjedhë një Papë?

Vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç kanë të drejtë të votojnë. Rregulloret aktuale e kufizojnë në mënyrë nominale numrin e zgjedhësve në 120, por papët shpesh e kanë tejkaluar këtë tavan. Sipas statistikave të Vatikanit të përditësuara së fundmi, ishin 135 kardinalë nën moshën 80 vjeç dhe me të drejtë vote. Kardinalët mbi moshën 80 vjeç mund të zgjidhen Papë.

Ata mbi 80 vjeç nuk mund të votojnë, por mund të marrin pjesë në mbledhjet e para-konklavës, të njohura si kongregacione të përgjithshme, në të cilat diskutohen problemet e kishës. Pikërisht në këto takime në vitin 2013, kardinali i atëhershëm Jorge Mario Bergoglio foli për nevojën që kisha të shkonte në “periferitë ekzistenciale” për të gjetur ata që vuajnë – një fjalim i hapur që ndihmoi në zgjedhjen e tij.

Presidenti italian Sergio Mattarella thotë se akti i fundit publik i Papa Françeskut ndihej si lamtumira e tij e fundit

Në një mesazh ngushëllimi pas vdekjes së Françeskut të hënën, Mattarella u përqendrua në atë që Françesku vendosi të bënte të dielën e Pashkëve, kur u shfaq në të njëjtën lozhë ku u prezantua për herë të parë me botën pas zgjedhjes së tij në 2013 dhe dha bekimin e Pashkëve Urbi et Orbi (latinisht “për qytetin dhe botën”).

Pasi dha bekimin, Françesku kënaqi turmën prej rreth 35,000 njerëzish me një përshëndetje të gjatë nga celulari i tij.

“Një mendim spikat mbi gjithçka – atë që ai vendosi të bënte dje – në Pashkë, me bekimin e tij për botën dhe turneun e tij në shesh mes besimtarëve, me kujtimin e tij të fundit për parimin e humanizmit si kriterin e sjelljes për çdo person”, tha Mattarella. “Sot duket si një përshëndetje për kishën, për gratë dhe burrat në mbarë botën.”

Presidenti Trump shprehu ngushëllime Presidenti Donald Trump postoi në Truth Social: “U prehsh në paqe Papa Françesku! Zoti e bekoftë atë dhe të gjithë ata që e donin!”

JD Vance takoi Papa Françeskun në Vatikan të dielën. Vatikani tha se ata u takuan për disa minuta në Domus Santa Marta “për të shkëmbyer urimet e Pashkëve”. Vance dhe Papa janë ngatërruar ashpër mbi migrimin dhe planet e administratës Trump për të dëbuar në masë emigrantët.

Vatikani thotë se publiku i gjerë ka të ngjarë të jetë në gjendje të bëjë nderimet e fundit duke filluar nga e mërkura

Data do të konfirmohet kur kardinalët të mblidhen të martën në mëngjes, për herë të parë që nga vdekja e Françeskut, për të marrë vendimet e para në lidhje me planet e funeralit dhe çështje të tjera urgjente.

Arkivoli i Françeskut do të zhvendoset nga kapela e hotelit Domus Santa Marta, ku ai jetonte, në Bazilikën e Shën Pjetrit për ta parë publikun.

Sipas një rituali të ri Françesku të miratuar vitin e kaluar, trupi i Papës do të vendoset në një arkivol druri, me një arkivol zinku brenda. Papa do të jetë i veshur me petka liturgjike të kuqe, me mitra – mbulesa tradicionale e peshkopëve – dhe një lloj shalli prej leshi pallium.

Kur trupi futet në bazilikë, këndohet litania e shenjtorëve. Kamerlengo, kardinali Kevin Farrell, drejton procesionin.

Në një ndryshim të urdhëruar nga Françesku, trupi i Papës nuk do të vendoset më në një varg të ngritur në bazilikë. Përkundrazi, arkivoli i thjeshtuar prej druri është vendosur përballë shtyllave, me qiriun Pasqual afër.

Asnjë datë për funeralin nuk është shpallur, por duhet të mbahet nga katër deri në gjashtë ditë pas vdekjes.

Mik i madh dhe i paharrueshëm i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e quajti Françeskun “mikun e madh dhe të paharrueshëm i Shqipërisë ”. Për udhëtimin e tij të parë europian në vitin 2014, Françesku zgjodhi Shqipërinë, një tokë prej 3 milionë banorësh që është kthyer në një simbol të dialogut ndërfetar. Shqipëria është një komb kryesisht mysliman, me komunitete më të vogla katolike dhe ortodokse që përgjithësisht jetojnë në harmoni. Të gjithë ata vuajtën rëndë nën diktatorin stalinist Enver Hoxha, i cili e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967. Autoritetet fetare të të gjitha besimeve u vranë, u torturuan, u burgosën ose u dërguan në kampe pune.

Koreografia e Zotit

Kryepeshkopi i Nju Jorkut, Kardinali Timothy Dolan u mrekullua sesi vdekja e Papa Françeskut erdhi vetëm një ditë pas të dielës së Pashkëve.

“Ne kurrë nuk mund të koreografikojmë lindjen ose vdekjen tonë, kjo është gjithmonë në duart e Zotit. Por nëse mund ta koreografit, nuk mund ta koreografikoni më mirë se ajo që ndodhi,” u tha Dolan gazetarëve në Katedralen e Shën Patrikut në Manhatan herët të hënën.

Papa Françesku ka vdekur. Ai ishte Papa i parë i Amerikës Latine në histori, i cili magjepsi botën me stilin e tij modest dhe shqetësimin për konservatorët e varfër, por të tjetërsuar me kritikat ndaj kapitalizmit dhe ndryshimeve klimatike. Ai ishte 88 vjeç.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 205
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VALLE FIT THIS SATURDAY!
  • BIOGRAFIA E GJERGJ KASTRIOTIT NGA MARTIN SEGONI
  • VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT
  • TRASHËGIMIA ARKEOLOGJIKE E LUGINËS SË SHKUMBINIT SI BURIM PËR TURIZMIN KULTUROR INOVATIV
  • Ambasadori i xhazit dhe i vlerave shqiptare
  • Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin
  • Prof.Dr. Isak Shehu, muzika i buron nga rrënjët
  • THE CANBERRA TIMES (1984) / BRITANIKJA KERIN HOPE : “UDHËTIM NË SHQIPËRI, KU MAKINAT, KONTRACEPTIVËT, MJEKRAT DHE FEJA JANË TË NDALUARA.”
  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT