• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trashegimia mes brezave: promovimi i vlerave te gruas shqiptare

July 21, 2022 by s p

Anila Niklos/

Kam pasur privilegjin e madh te takoj Dr. Kohen ne New York. Si idhulli im gjate viteve te shkolles se mesme, kjo grua e forte, e qarte ne vizion, qe respekton moralin, dhe qe tejkalon pritshmerite ne familje, profesion, e shoqeri eshte padyshim nje ikone per shume e shume breza vajzash e grash jo vetem shqiptare, por edhe te vendeve te tjera, kudo ku ajo ka kontribuar.

Muajin e kaluar pata kenaqesine te udhetoja ne North Carolina (Karolina e Veriut) me nje grup grash te suskesshme ne fushen e biznesit. Ne nje moment treguan kuriozitet per Shqiperine dhe nuk nguarruan te me benin pyetje. Mos harroni qe secili nga ne prezanton nje pjese te kombit tone ne menyre te vazhdueshme pavaresisht se jetojme ne Amerike. Ne jemi ura lidhese midis Shqiperise dhe Amerikes. E pare ne kete aspekt gje qe eshte shume e natyrshme tek une, nuk munda te mos ndaja me keto individe historine e Dr. Kohen.

Per mua Dr. Kohen eshte modeli i gruas qe duhet lexuar e studiuar. Dr. Kohen eshte gjithmone ne levizje, duke punuar, duke kontribuar, duke ofruar veten e saj per ata qe kane nevoje. Ajo eshte nje bashkeshorte e denje dhe nje nene e papare. Si profesioniste jam pa fjale per arritjen e saj akademike dhe suskesin e saj si nje grua biznesi.

Megjithese Dr. Kohen e kam takuar para shume vitesh kur ajo jetonte ne New York dhe une ne Ohio, tani te dyja jetojme ne Florida. Por pandemia ndaloj shume gjera dhe une mund ta takoja vetem gjate festes se nenes. Pse ka shume rendesi per mua ndarja me te gjithe ju e ketij relacioni, e ketij respekti qe une kam per Dr. Anna Kohen? Eshte e rendesishme sepse edhe pas kaq shume vitesh ajo vazhdon te me dhuroje surprisa te bukura dhe me jep mundesine te njoh gra shqiptare nga te gjitha sferat e jetes, po ashtu edhe te krijoj miqesi te reja te pacmuara.

Ja pra edhe kujtimi i bukur ne Florida.. Maj 2022

Dr. Anna Kohen ka vite që e feston diten e Nenes, këtë ditë të vecantë fillimisht në New York kurse vitet e fundit, ajo dhe Shoqata Motrat Qiriazi (Albanian American Women’s Organization Florida Chapter) të cilën ajo drejton festuan me madhështi Nënën dhe vlerën e saj në jetën e të gjithëve, dhe në shoqëri. Mbrëmja e festës u mbajt në Safety Harbor Resort and Spa në Tampa të Floridës. Për mua, kjo ishte mundësi shumë e vecantë sepse tepër vite kane kaluar dhe jo vetëm që nuk e kisha takuar Dr. Kohen por edhe pandemia nuk lejoj festimin e grumbullimet e njerëzve në ambjente publike.

Me këtë rast mendova te mbështes këtë celebrim te Nënës, dhe të shkoja në këtë festë jo vetëm por me nje grup shoqesh dhe njerëzish të afërt në jetën time. Dita erdhi shumë shpejt. Momentin e fundit njëra nga mikeshat kërkoj falje që e kishte të pamundur të vinte në festë. Megjithë dëshirën që kisha të vinte me mua vajza e saj i bëri surprisë dhe sigurisht që nuk do ti merrja kohë nga koha me vajzën e saj. Ajo grua ka një vend shumë special për mua. Sa herë vizitoja New York-un ajo dhe burri i saj kujdeseshin pa masë për mua. Faktikisht i quaj si prindërit e mi. Lida është një grua shumë vitale që më fal shumë dashuri. Tani ajo jeton ne Sarasota dhe meqënëse kisha shume kohë pa e parë mendova që ky moment do ishte shumë special. Por nuk ishte e thënë që të realizohej këtë herë.

Ditën e festës e nisa udhëtimin shumë herët. Motra ime, shoqja ime shqiptare, dhe shoqja ime Amerikane nisëm udhëtimin për në Tampa. Sikur udhëtimi vet mos ishte shume i gjatë, në një pjesë të rruges mu desh të isha edhe më tepër e kujdesshme sepse shiu binte me gjyma. Kur arritëm te festa nje tavolinë ishte bërë gati për ne. Kush e njeh Dr. Kohen e di që ajo punon me një intensitet të fortë. Megjithëse arritëm pak vonë tavolina jonë ishte gati. Dr. Kohen na përshëndeti përzemërsisht dhe na ftoj tek tavolina e posacme. Pikërisht këtu fillon gjithcka.

Dr. Kohen e hapi fjalimin e saj duke i uruar pjesëmarrësve mirëseardhjen, festën si edhe i falenderoj për prezencën e tyre. Në fjalimin e saj Dr. Kohen përmendi dhe falenderoj të gjithë të pranishmit, të gjithë organizatat përfaqësuese në festë, si edhe të gjithë sponsorët e festës. Dr. Kohen foli për mision e organizatës dhe tha: “Qëllimi ynë është të ndihmojmë gra, fëmijë, nëna që rrisin fëmijët pa ndihmën e një partneri, dhe të moshuar vit pas viti. Ne te Motrat Qiriazi, Dega e Floridës, gjithashtu besojmë te bashkëpunimi me të tjera organizata lokale, e kështu së bashku e mbështetim më mirë komunitetin tonë.”

Në fjalimin e saj Dr. Kohen përmendi organizatat lokale si Vatra e Tampa Bay, Albanian Heritage e Tampa Bay, Albanian American Organization of South-West Florida si edhe vuri në dukje se pjesëmarrësit në mbrëmje përfaqësonin familje nga Clearwater, Largo, St. Peté, Venice, Bradenton, Sarasota, Naples, Orlando, dhe Miami.

Një falenderim i ndjerë u pasqyrua edhe për sponsorizuesit e mbrëmjes, Arian Kushta, PA., Dodona Roboci, Luxury Real Estate Consultant, Klodiana Hysenlika, Injury Attorney, Klodiana Starova, Casa Italia, Adriana Terezi, Mel’s Diner, dhe Miss Fotini Allteni, Kosloski Family Foundation.

Shumë falenderime iu adresuan Bordit drejtues të Albanian American Women’s Organization (AAWO), Dega e Floridës për kontributin e tyre me festën e Nënës si edhe Zonjes Angie Sharxhie për kurabijet e gatuara me duart e saj prej floriri.

Masterja e Ceremonive Dorina Dori, përshëndeti të pranishmit dhe ja dha fjalën Presidentes së AAWO, Dega e Floridës, Dr. Kohen e cila mbajti fjalimin e mbrëmjes.

Është tashmë një traditë e gjatë e shoqatës AAWO që në mbrëmjen e Festës së Nënës, një nga gratë e komunitetit të nderohet me cmimin, “Gruaja e Vitit” për kontributin e saj në komunitetin shqiptar. Këtë vit, Sevdie Pllana meritoi cmimin Gruaja e Vitit, 2022. Historija e saj flet për një grua dhe nënë shumë të fortë udhëtimi i së cilës është i mbushur plot me pengesa, sakrifica, e vetmohim. Rolet e saj të shumta… bashkëshorte, nënë, motër, anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, grua biznesi, e me të gjitha rolet ajo ka arritur sukses.

Më mbushet zemra plot që një grua si Sevide Pllana, e cila për pak i shpëtoj masakrës së Racakut, që së bashku me bashkëshortin e saj udhëhoqën demonstratat paqësore në Kosovën e viteve 90’, përjetuan bastisje të shtëpisë, provuan urinë, e të tjera vështirësi gjatë jetës në Kosovë, dhe me pas në Amerikë humbja e dhimbshme e bashkëshortit nuk e ndaloj atë për të rritur tre vajza të shkëlqyera të cilat e bëjnë vetëm të krenohet. Është një ditë shumë domethënëse për Sevdien, dhe për te gjitha nënat dhe vajzat shqiptare. Sevdija meriton këtë cmim dhe jam e sigurtë që vajzat e saj e duan pa masë. Gjëja më e bukur në jetën tonë familjare dhe shoqërore është lulëzimi dhe suksesi i brezit të ri i ndërtuar mbi sakrificat e prindërve dhe brezin e ri që ndjek këshillat e tyre dhe studion e ndërton një të ardhme të bukur në të cilën përfshin, nderon dhe respekton prindërit e vet.

Edhe ne tavoline time një grua shqiptare e mëncur dhe e dashur më priti sikur të më kishte motrën e saj. Megjithëse ishte hera e parë që më takonte më priti me shumë ngrohtësi. E vlerësova jashtëzakonisht mikpritjen e saj. Folëm për fëmijërinë, për bukurinë e gjuhës shqipe, për vlerat e kulturës tonë. Traditat tona shqiptare janë shumë te bukura edhe kur i provojmë në Amerikë. Kjo grua shqiptare edhe emrin e ka shumë të bukur, e quajnë Amantia. Nëna e Amantias e mori shoqen time Amerikane me vete në pistën e kërcimit dhe i mësonte te vallëzonte ndër tingujt e këngëve të këngëtarit të shquar Frederik Ndoci. Kjo atmosferë e ngrohtë nuk kish se si të mos përcillej në të gjithë qënien time dhe do mbetet me mua, motrën time dhe shoqet e mija për një kohë te gjatë.

Dr. Kohen ka një vlerë të jashtëzakonshme në shoqërinë tonë. Një nënë e mrekullushme për familjen e saj ajo ka kohë që është nëna e gjithë komunitetit shqiptar dhe një rol model për të gjitha ne.

Filed Under: Emigracion Tagged With: ANILA NIKLOS

HISTORIA E SHKRUAR NGA PUTINI ME PËRÇMIMIN E SË VËRTETËS

July 14, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Me Putinin është pak si me Hitlerin. Si në mijë raste, duke filluar nga Mein Kampf (1925), Führeri nuk u lodh së thëni gjithë botës se kush ishte e se çfarë kishte ndër mënd të sajonte – por që në Perëndim shumë nuk e merrnin me seriozitet – në të njëjtën mënyrë në këta vite Putini është shkapërderdhur në dhjetra fjalime mbi projektet e tij të pandalëshme kombëtar-imperialistë, pa i kushtuar pothuaj asnjëri prej nesh shumë kujdes. Ndoshta sepse shumë prej atyre bisedave kishin të bënin me të shkuarën, ishin fjalime historike. Kishim harruar se në kohën tonë historia (përdorimi I saj) është mjeti më I parapëlqyer i diktatorëve për të pohuar këndvështrimin e tyre të botës e për të mbështetur prapësitë e tyre, veçanërisht për të ligjëruar synimet e tyre agresivë. Në fakt, duke lexuar sot pjesë të shumta t’atyre fjalimeve në një syzim të shkurtër të sapo botuar nga një historian I njohur sllavist francez, Nicolas Werth (Putini, kryetari I historianëve, Gallimard) kuptojmë se të gjitha llogaritë janë të sakta.

I bindur që nga fillimi i karierës së tij se “rezerva kryesore e fuqisë dhe e s’ardhmes së Rusisë qëndron në kujtesën e saj historike” dhe që “për të ringjallur njinjisinë tonë kombëtare, vetëdijen tonë kombëtare, duhet të rivendosim lidhjet ndërmjet epokave të ndryshme të së njëjtës histori mijëvjeçare, të pandërprerë, Putini i u kushtua në mënyrë pasionale risajimit të asaj historie me një përçmim të pakufizuar të së vërtetës.

Synimi i tij kryesor qe para së gjithsh të “çkomunistizonte” për të thënë përvojën sovjetike, duke e katandisur Tetorin në një aksident të historisë, një vepër simbas tij e një grushti kriminelësh pa asnjë lidhje të vërtetë me Vëndin e për më shumë përgjegjës mbi të gjitha të nënëshkrimit në 1918 të paqes së Brest-Litovskit me Gjermaninë gulielmine. Kështu “Vëndi i ynë u shpall i mundur nga një Vënd tjetër i cili vetë kishte humbur luftën! – pohon i zemëruar Putini – : një fakt i përveçëm në historinë e njerëzimit! Ishte rezultati i tradhëtisë t’atyre që atëherë qeverisnin Vëndin (…); territore të pafund, interesat jetike të Vëndit tonë janë shitur nën çmim për të plotësuar interesat e një grupi që dëshëronte vetëm të fuqizonte pozitën e tij të pushtetit”.

E pastruar nga komunizmi përvoja sovjetike është kështu e gatëshme të lidhet drejtpërsëdrejti me të shkuarën cariste, të ribojatisur me ngjyrat e madhështisë më të shkëlqyer. Është e vërtetë që në përvojën sovjetike spikat figura e rëndë e Stalinit, për shkak të të cilit “milionë qytetarë tanë kanë vuajtur”. Putini e pranon , por për të shtuar se “nuk duhet harruar se demonizimi i Stalinit është njëri ndër drejtuesit e sulmit të Perëndimit kundër Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik”. Është e qartë arsyeja përse përvoja sovjetike duhet shpëtuar me çfarëdo çmimi: sepse në brëndësinë e saj vendoset fitorja mbi nazizmin dhe një fitore e tillë thirret për të përbërë themelin historik të pakundërshtueshëm si të shtyrjes rishimperialiste të udhëheqjes putiniane, si të krenarisë kombëtaro-atdhetare ruse që Putini vetë synon t’a ushqejë në të gjitha mënyrat për të mbështetur atë shtyrje.

Besoj se nuk ekziston askund në botë një ngjarje historike e mbrojtur nga një blindim gjyqësor si ai që në Rusi, me dalzotësinë e despotit, mbron “Luftën e madhe atdhetare 1941-1945. Një luftë, që thotë ndërmjet të tjerave Werth, në doracakun e sotëm të historisë të rrethit të fundit të shkollave ruse, është paraqitur krejtësisht e shkëputur nga lufta e Dytë botërore në tërësinë e saj, pra as duke cekur sado pak për shëmbull luftën në ballin perëndimor, fitoren gjermane mbi Francën, betejën e Anglisë apo Pearl Harbor-in. Një nen i ligjeve përkujtesorë, të miratuar të nesërmen e pushtimit të Krimesë më 2014, parashikon deri në pesë vite burg (pesë vite!) secilit që, përveç vënies në dyshim të themelësisë së gjykimit të Gjykatës së Nurembergut, a) “ përhap lajme shkencërisht të rreme mbi veprimtarinë e BRSS gjatë luftës së Dytë botërore”; b) “përhap lajme haptas jo në respekt të datave të lavdisë ushtarake të kujtesës së Rusisë, që lidhen me mbrojtjen e atdheut, apo të përdhosë simbolet e lavdisë ushtarake ruse”. Nuk mjafton. Më 24 shkurtin e shkuar, menjëherë mbas sulmit mbi Ukrainën, u shtua një shtojcë e bishtit të kashtës – që ndalon shprehimisht “çfarëdo orvajtje të kryer në hapësirën publike, që synon të verë në të njëjtin rrafsh veprimet e Bashkimit Sovjetik dhe të Gjermanisë naziste gjatë luftës së Dytë botërore”. Mbas ligjeve kanë breshëruar dënimet: për shëmbull në ngarkim të atij që kishte guxuar të kujtonte paktin Hitler-Stalin të gushtit 1939, ose e kishte përcaktuar “kasap” gjeneralin Rudenko, që më parë se të ishte prokuror sovjetik në gjyqin e Nurembergut, kishte qënë antar i gjykatave të jashtzakonëshme që, në vitet e Terrorit të Madh stalinian kishin dërguar në vdekje mijra të pafajshëm.

Siç është e lehtë të përfytyrohet, Ukraina përbën një objekt të zgjedhur të Putinit historik, pikëpamja e të cilit është përmbledhur në një tekst të gjatë të vitit 2021, i cili që nga titulli thotë gjithshka: “Rreth bashkimit historik të rusëve me ukrainasit”. Këta të fundit përshkruhen si një popull sllav, të cilin mësyemja mongole e shekullit Xiii i shtyu drejt perëndimit, duke i dorëzuar ndikimit të Polonisë dhe katoliçizmit, ndërsa rusët themelonin Moskën, e paracaktuar në sajë të Pjetrit të Madh dhe pasuesve të tij, të bëhej “qëndra përbashkuese” e gjithë sllavizmit. Pra Ukraina si madhësi e pavarur nuk ka qënë kurrë, ka qënë një shpikje e “politikës bolshevike të kombësive në kurriz të Rusisë historike” dhe e lënë në vetvete ka shfaqur një prirje të fshehtë të kalojë nga ana tjetër: me polakët, katolikët, suedezët, nazistët. Mbi karakterin e “çnazifikimit” të Vëndit Putini deri tani nuk është shprehur në publik. Ka parapëlqyer të lerë të flasin ideologët e tij si ky Timofei Sergeizev, për të cilin me të drejtë Werth e quan të dobishme të sjellë qëllimet e tij rrënqethëse: “Çnazifikimi qëndron në një tërësi masash kundrejt masës naziste të popullsisë që, për arsye teknike, nuk mund të jetë e përndjekur drejtpërsëdrejti për krime lufte (…); është e nevojshme të vazhdohet një pastrim i përgjithshëm (…); përveç drejtuesve më të lartë duhet të quhet njëlloj fajtore një pjesë e rëndësishme e masave popullore, përgjegjëse për nazizëm pasiv, për bashkëpunim me nazizmin (…). Koha e çnazifikimit nuk mund të jetë në asnjë rast më e pakët se sa një brez njerëzor. (…) Çnazifikimi do të jetë pashmanshmërisht një çukrainizim (…) Çnazifikimi i Ukrainës do të thotë edhe çevropianizimin e saj të pashmangëshëm”.

Ka ende ndonjë që n’emër të “paqes” synon t’i mohojë armët atyre që prej muajsh po maten me kriminelë të tillë?

“Corriere della Sera”, 8 korrik 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

Vota e Diasporës është e Drejtë Kushtetuese

July 13, 2022 by s p

Diaspora për Shqipërinë e Lirë

❗Diaspora për Shqipërinë e Lirë përshëndet deklaratën e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri si një hap të rëndësishëm për mundësimin e votimit nga jashtë vendit.

❗Deklarata e z. Vincenzo Del Monaco ku shprehet inkurajimi i OSCE Presence in Albania që Shqipëria të mundësojë votimin nga jashtë vendit, siç përcaktohet në Kushtetutë” dhe gatishmëria e OSBE-së të japi ndihmën e saj, është inkurajuese. Po ashtu, edhe angazhimi i ambasadës amerikane është i mirëpritur.

❗Këto deklarata duhet të ndiqen me hapa konkrete si nga klasa politike shqiptare ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Në këtë kontekst, rikujtojmë se Lëvizja deklarohet kategorikisht kundër krijimit të një zone zgjedhore të 13-të, me 5 deputetë të rezervuar për diasporën, si një propozim i cili dobëson peshën e votës së diasporës dhe tjetërson vullnetin politik të mbi 1.4 milion shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

❗Diaspora për Shqipërinë e Lirë do të vazhdojë të angazhohet në maksimum për të dhënë kontributin e saj të patjetërsueshëm për këtë premtim që u kemi bërë bashkëatdhetarëve tanë anembanë botës.

Filed Under: Emigracion

Shqiponjat e vogla fluturojnё lart  

July 5, 2022 by s p

Dr. Adriana Fishta-Bejko

Me datën 25 Qershor, 2022, pas një viti pune intensive të mësuesve, prindërve dhe nxënësve për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë edhe në diasporēn a largët në Calgary, Kanada, shkolla shqipe “Foleja e Shqiponjave” festoi arritjet e tyre në veprimtarinë e bukur të mbylljes së vitit shkollor 2021-2022. Suksesi i kësaj veprimtarie u arrit në sajë të një bashkëpunimi të suksesshëm midis bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave”, prindërve të fëmijëve, fëmijët dhe bordit të shoqatës “Albanian-Canadian Association of Calgary”. Një shfaqje e bukur e punës në ekip dhe pa “protagonistë” rezultoi në një festë plot emocione të bukura, krenari dhe dashuri për të bukurën. Recitime, valle, ekspozitë pikture dhe shumë mirënjohje për ata që kontribuan në përcjelljen e vlerave, kulturës, historisë, traditës dhe gjuhës shqiptare!  Ҁdo gjë për Fëmijët tanë! – është motivi që shihet qartë në Komunitetin Shqiptar në Calgary, i cili është model i bukur i patriotizmit dhe ruajtjes se identitetit në Diasporë.                                                                                                       Këto rezultate janë arritur vetëm në sajë të një mësimdhënje të mirë-organizuar dhe me baza shkencore, me një një filozofi të qartë (mësimdhënja me bazë trurin) dhe një pedagogjije të mbështetur ne metodat e Reggio Emilias. Një mësimdhënje e tillë rezulton në angazhimin e nxënësve të Folesë, në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare duke shijuar edhe mësim interesant me projekte të bukura.    Në vazhdimësi “Shqiponjat” tona n’a gëzojnë me arritjet e shkëlqyeshme në përvehtësimin e gjuhës letrare dhe kultures shqipe. Kjo u duk qartë në montazhin e nxënësve me një program të pasur artistik me recitime, konkurs pikture e këngë. Programi filloi me Himnin e Flamurit që u shoqërua në piano nga ish-nxënësi ynë Drinor Ugzmajli. Dy nxënës, Lois Kola dhe Eliana Bejko, sollen me krenari flamujt e Shqiperise dhe Kosovës në sallë. Mësuesja e parë e shkollës sonë, Zoica Dhamo dhe kryetari i shoqatës, Bledi Elshani, përshëndetën pjesëmarrësit. 

.   Në konkursin e Fjalës Artistike u recituan poezi nga Naimi, Asdreni, Fishta etj. dhe Ҁmimin e pare e mori vogelushja 5 vjecare Emma Fetiu me vjershën “Kam një kukull në kuti”. Ҁmimin e dytë e mori Eliana Bejko me poezinë “ Për një shkronjë……”   dhe Ҁmimin e tretë e mori Arjana Kuqi me vjershën  “Ç’ke harruar moj Valbonë”

Në konkursin e piktures u nderua me cmimin e pare nxënësja Mattea Sulko. Po ashtu, organizatorët falënderuan edhe mbështetësit e përherëshëm të shkollës shqipe, z. Shaqir Duraj, z. Agron Miloti, z. Petrit Belishaku, znj. Marsela Kola etj.

Mbi të gjitha, është kënaqësi që pikërisht këta fëmijë, të cilët përpara se të vinin në Shkollën Shqipe, as që mendohej se do të lexonin vetë një ditë libra apo të flisnin shqip, sot janë arsyeja pse komuniteti shqiptar në Calgary mblidhet dhe gëzon sëbashku. E pra, sot ata mbaruan dhe një vit shkollor tjetër dhe gjatë pushimeve verore do të mund të lexojnë kudo që do të shkojnë dhe do të flasin me gjyshin dhe gjyshen në Tiranë, Prishtinë, Ulqin apo Shkup pa përkthyes.

Në Shkollën Shqipe të Calgary ne japin një kontribut modest në ruajtjen e identitetit tonë në diasporë. Sot ishte dita e fundit për këtë vit shkollor dhe “sakrificat” për të ardhur në shkollë të shtunave mbaruan. Por asgjë nuk arrihet pa mbështetjen e prindërve të fëmijëve, të cilët edhe sot i kishim në krah! Mirënjohje pafund për cdo bashkëatdhetar kudo në botë që me krenari thotë “Jam Shqiptar” dhe me dinjitet punon për ruajtjen e Shqiptarizmës, sic thonin Rilindasit tanë,   edhe jashtë trojeve shqiptare. Siҫ n’a mësonte Fishta ynë,

Pra, mallkue njai bir Shqyptari, 
qi këtë gjuhë të Perëndis’, 
trashigim, që na la i pari, 
trashigim s’ia len ai fmis; 
edhe atij iu thaftë, po, goja, 
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; 
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, 
flet e t’veten e lèn mbas dore

Filed Under: Emigracion

Festohet në Kosovë Dita e Pavarësisë së Amerikës. Flamuri i Shpresës…

July 4, 2022 by s p

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier: ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e Pavarësisë së Kosovës. Kjo është arsyeja përse mbesim të patundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës/

-Para ardhjes në Prishtinë, Ambasadori i ri i emëruar i SHBA në Kosovë Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha/

 -Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. I pranishëm në festën e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 shkruaja edhe kronikën: Flamur i shpresës për Kosovën…/

 SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË,  4 Korrik 2022/ Në festën e Ditës së Pavarësisë së Amerikës – 4 Korrikut, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, tha se ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e Pavarësisë së Kosovës.  

“Kjo është arsyeja përse mbesim të patundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Prandaj, sot, përderisa festojmë 246 vite të ShBA-së si shtet i lirë, i pavarur, sovran, gjithashtu së bashku festojmë 14 vite të pavarësisë së Kosovës dhe përparimit të jashtëzakonshëm të arritur për këtë kohë kaq të shkurtë.

Nuk mund të mendoj asnjë vend më të përshtatshëm për të bërë këtë se pikërisht këtu – në ambasadën e ShBA-së në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike”, theksoi Ambasadori Amerikan Hovenier.

Në fillim të vitit 2022 Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier ka mbërritur në kryeqytetin Prishtinë dhe në 10 Janar mori zyrtarisht detyrën. Hovenier është nominuar për Ambasador në Kosovë në muajin Korrik 2021 nga Presidenti Amerikan, Joe Biden. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 Dhjetor 2021 se Hovenier është betuar si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë para Nënsekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland. Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha.

Në Festën e madhe në Prishtinë të 246 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve ishin edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  dhe Kryeministri Albin Kurti.

“Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partnetiteti që ka njohur ndonjëherë bota.

Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme”, është shprehur Presidentja Osmani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, Deklarata Amerikane e Pavarësisë ishte një kthesë e madhe në historinë botërore.

“Për herë të parë, një shtet po themelohej me thirrjen e qartë në nocionin iluminist për të drejtat e patjetërsueshme të individit. Siç shprehen baballarët themelues në rreshtin më të paharrueshëm të Deklaratës, ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të Drejta të patjetërsueshme, si Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë. Për të siguruar këto të drejta, Njerëzit krijojnë Qeveritë, duke marrë Fuqitë nga miratimi i atyre që qeverisen’”,  tha Kryeministri Kurti.

“Ndërsa ngremë një dolli për 246-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, le të ri-përkushtohemi për të mbrojtur themelin e filozofisë së saj politike.

Gëzuar 4 Korriku, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit tuaj”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

Në Kosovë festohet tradicionalisht 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 26 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Në 5 Qershor 2022  u bënë 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më parë,  në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë  në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton”.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 14 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe më shumë se  23 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.

Në 1 Nëntor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.

Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.

Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT