Dr. Dorian Koçi/
Mikhail Gobaçov përpos gjithë funksioneve të tjera që njihet gjerësisht në botë si udhëheqës komunist , anëtar i byrosë politike të PKBS dhe në fund në vitin 1985, i emëruar si pasardhësi i trashëgimisë komuniste sovjetike, prej kohësh i ishin atribuuar edhe funksione të tjera të fshehta dhe okulte si “arkitekti i ndërrimit të sistemeve”, “hartuesi i variantit të Katovicës”, “mjeshtri i madh që tërhiqte gjithë fijet e politikës post sovjetike në ish republikat” etj. Këto emërime të fundit përpos që i jepnin një aeurolë disi mistike , në fakt ndihmojnë që të hedhësh më shumë dritë në marrëdhëniet e pushtetit të dikurshëm me shoqërinë e sotme në Evropën Lindore dhe të shikosh më thellë në tunelin e një epoke që me vdekjen e Mikhail Gorbaçovit merr fund për shoqërinë e Evropës Lindore.
Tranzicioni në Europën Qendrore dhe Lindore (përfshirë dhe Shqipërinë) në nivel politik ka përparuar në mënyrë tejet të ndryshme nga ajo që na lë të kuptojmë modeli klasik i tranzicionit, nëse do ta krahasonim me demokratizimin e shoqërive perëndimore, në periudhën 1860-1920. Ky model ka të bëjë me zgjerim në rritje të zbatimit të praktikave demokratike, pasi eksperienca e Europës Qendrore dhe Lindore pasqyron ndryshime pjesërisht të papritura me këtë dukuri. “Në Europën Perëndimore, demokratizimi u krye në favor të klasave të caktuara, ndërsa në ato Qendrore dhe Lindore ndodhi e kundërta: nga ndryshimet e kryera përgjatë tranzicionit përfitoi apo po përfiton një elitë e caktuar” (Tranzicioni politik në Europën Qendrore dhe Lindore, E. Tafili Hyskaj). Kjo elitë nuk është vetëm politike dhe ekonomike, por edhe kulturore.
Në tekstet zyrtare të shkollave, historitë e arti dhe kulturës shqiptare përfaqësuesit më të denjë vazhdojnë të jenë elita kulturore e formuar në socializëm. Nëse në fillim të viteve ’90 përfaqësuesit më të denjë të kësaj elite arritën që nëpërmjet mistifikimit të lirisë personale të përgatisnin terrenin për një tranzicion të mundshëm të shoqërisë shqiptare nga socializmi e totalitarizmi drejt ekonomisë së tregut dhe individualizmit të spikatur të vlerave, tashmë nuk mund të mbajnë më mbi supe procesin ende të paformuar të një etike të re kulturore. “Boshllëku që lë modeli i etikës marksiste ka krijuar elementet paraprake për një model të etikës ulitariste në variantin e theksuar të edonizmit, sepse për të pasur një model tjetër etik (për shembull etikës personale) shërben një përgatitje kulturore shumë e gjatë dhe një kulturë e promovimit të dinjitetit njerëzor, që sot mungon” (Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit, A.P. Nikolla).
Mungesa e kësaj kulture dominuese për të inspiruar dhe përfaqësuar brezat e rinj të Evropës Lindore është vërtet dëshpëruese dhe ka lënë një boshllëk të madh, aq sa në ligjërimin publik, madje dhe në nivel të lartë të administratës shtetërore, përdoren ende simbole dhe personazhe kulturore të së shkuarës. Për fat të keq, mungojnë analiza të plota dhe shteruese për të parë efektet e sistemit totalitar komunist mbi qytetarët e Evropës Lindore. “Diktatura e partisë-shtet dhe ekonomia e planifikuar nuk duhen harruar, ashtu si nuk duhet lënë në harresë fakti që komunizmi ka ndikuar tejmase në praktikat shoqërore, duke skematizuar mënyrën e të vepruarit, çka do të thotë që transformimet shoqërore në Europën Qendrore dhe lindore varen jo vetëm nga përmbushja e objektivave të marrë përsipër për të realizuar, por në të njëjtën kohë edhe nga ndryshimi i botëkuptimit” (Tranzicioni politik në Europën Qendrore dhe Lindore, E. Tafili Hyskaj).
Sfida më e madhe e kulturës së vendeve të Evropës Lindore mbetet pikërisht në ndryshimin e këtij botëkuptimi, sigurisht jo duke krijuar në vend të njeriut të ri, njeriun pragmatik, i aftë për të kryer kompromiset më të mëdha dhe për të përftuar më shumë në kurriz të shoqërisë, por të nxisë hierarkinë e vlerave kulturore të nevojshme për të krijuar një etikë morale integruese me kombet e tjera në Europë.