• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në sytë e së sotmes po bëhet pasqyrë, frika…

October 30, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

“Kuaj të murrëtyer të apokalipsit”, sikundër do të shprehej Stefan Cvajku, duket se na mbartin dhe s’dimë se për ku dhe se sa gjatë, tej kësaj kohe, po na çojnë…Ideologjitë e mëdha kanë vdekur, por askush nuk bën meshën për to! Ideologji të reja po shtatzanojnë në mendjet e shoqërisë së trazuar të kësaj bote. Nuk kemi shikim për largësi kohore edhe pse kemi aq shumë samite, ecejake krerësh të shteteve të fuqishme e imponuese.

Jemi në përplasje mes unipolares dhe multipolares globale… Makinat e luftës po rëndohen nga pesha dhe po sofistikohen për vrasje. Tunelet bërthamore jane riaktivizuar si kurrë ndonjëherë…Kontinetet janë në asimetri të frikshme ndikimesh dhe vendimesh. Dhe çështë më e keqja, fati i terstë po triumfon mbi ndjeshmërinë humane të shteteve, popujve dhe sidomos njerëzisë në tërësi… Sa të ngjan se po jetojmë apoteozën e ndjeshmërisë edhe tek providenca (!)

Aktualisht kemi shumë mendje të rrepta, por shumë pak fuqi dëshmojnë mendjet e mprehta.

Kemi shumë mendime brutale dhe Botës i mungon truri i ftohtë dhe largpamës. Po parazitohet truri njerëzor dhe po shumohet frikshem, po triumfon, Truri Artificial… Në sytë e së sotmes po bëhet pasqyrë, frika….!!!! Njerëzia është njëherësh: lindës edhe varrmihëse e vetvetes…

Filed Under: ESSE

SHENJTËRIA E HESHTJES OSE KUR HESHTJA BËHET DRITË

October 28, 2025 by s p

Marash Mirashi/

Rreth librit “Marija që përloti Papa Françeskun”.

Në traditën e letërsisë dhe kujtesës shqiptare, rrallë gjenden libra që arrijnë të bashkojnë në një të vetme frymën e dëshmisë, dritën e shpirtit dhe hijeshinë e fjalës. “Marija që përloti Papa Françeskun” libri i përgatitur me përkushtim nga miku ynë Frano Kulli, një prej botuesve dhe publicistëve me të njohur në vendin tonë, ngrihet përmbi kufinjtë e kronikës fetare për t’u bërë një testament i gjallë i njeriut që i mbijetoi errësirës duke mos e humbur shkelqimin e dritës. Në këtë libër që i kushtohet murgeshës Marije Kaleta, çdo faqe është si një fragment lutjeje, çdo kujtim është si një copë qiell mbi tokën e Zadrimës. Nga ana tjetër, çdo dëshmi ngjan si një dorw që shtrihet butësisht për të rikthyer dinjitetin e një kohe të nëpërkëmbur.

Në thelb të librit që ne po promovojmë sot, qëndron ideja e thjeshtësisë si formë e lartë shenjtërisë fisnike. Që në parathënien e Imzot Simon Kullit, ndjehet fryma e një përulësie që është më e thellë se çdo doktrinë. Ai nuk flet aty për Marije Kaletën si për një figurë të lartë, por si për një njeri që e jetoi përditë hyjnoren dhe besimin në zot në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, duke u lutur dhe duke shërbyer në heshtje.

Trashëgimia shpirtërore e Motër Marije Kaletës qëndron në apostulatin e thjeshtësisë”, shkruan ipeshkvi. Unë mendoj se kjo fjali përbën boshtin moral e filozofik të gjithë librit. Kjo është shenjtëria që nuk kërkon aureolë, që nuk ecën mbi podium, por që endet nëpër rrugicat me baltë të Pistullit, duke i përqafuar njerëzit me dashuri të thellë dhe me përkushtim misionareje. Në këtë libër të ndërtuar si një një mozaik dëshmish, çdo autor, çdo zë, çdo dokument i shton një gur të ri këtij monumenti shpirtëror.

Autori i këtij libri, Frano Kulli në hyrjen e tij meditative, e sheh Motër Marijen jo vetëm si një figurë fetare, por si një shëmbëlltyrë të një kohe që u përpoq të zhdukte Zotin dhe bashkë me të, njeriun. Rrëfimi i tij është një poemë e kujtesës, e shkruar me një gjuhë të qetë e plot përshpirtje, që të kujton rrëfimet e At Anton Harapit apo prozën reflektive të Koliqit. Nga ana tjetër, është dëshmia e Dom Marjan Lumçit ajo që e mbush librin me frymë njerëzore dhe e bën të dridhet nga brenda. Halla Marije, gruaja që s’mund ta urrejë, është një nga rrëfimet më të bukura të shkruara ndonjëherë për një figurë fetare shqiptare. Nuk është një apologji sigurisht por një rrëfim dashurie e përulësie.

Si një gazetar që u kam blatuar reportazheve të mia dheun e vendit tim vë re në këtë libër një diçka tepër interesante e që më bën shumw përshtypje. Në çdo faqe të librit, Zadrima shfaqet jo vetëm si vend gjeografik, por si mit shpirtëror, një hapësirë ku feja, gjuha dhe zakoni bashkohen në një frymë. Kjo tokë e vogël, ku kanë lindur figura të mëdha të kulturës katolike shqiptare, kthehet në simbolin e qëndresës së heshtur ndaj çdo forme dhune. Dokumentet arkivore dhe relacionet e Ipeshkvijve të shekujve të mëparshëm, që përfshihen në libër, e thellojnë këtë ndjenjë të vazhdimësisë, që nga shekulli XVII e deri në ditët tona, Pistulli dhe Dioqeza e Sapës në përgjithësi kanë mbajtur të njëjtën frymë besimi dhe të njëjtin përkushtim ndaj fesë. Libri në vetvete nuk është vetëm rrëfim për një grua të shenjtë, por një epope e vogël e qëndresës shpirtërore shqiptare.

Në planin ideor, vepra ngrihet si një manifest për thjeshtësinë, si një kundërvënie ndaj kulturës së shfaqjes dhe të zhurmës që sundon botën moderne. Ajo na rikujton se njeriu i vërtetë nuk shpëton përmes forcës apo lavdisë, por pwrmes përulësisë. Pikërisht kjo e përloti Papa Françeskun, jo historia e dhimbjes së saj, por madhështia e përulësisë së saj. Kur ajo i tregoi Papës sesi kishte pagëzuar një fëmijë me ujin e kanalit, në mungesë të ujit të bekuar, Papa pa në sytë e saj jo vetëm një murgeshë, por vetë simbolin e Kishës që nuk vdes, që jeton edhe kur ndalohet, që fal edhe kur torturohet.

Në fund, “Marija që përloti Papa Françeskun” është një libër që zë vend në këndin më me dritë të bibliotekave tona. Ky libër nuk u flet thjesht vetëm besimtarëve, por çdo njeriu që ka kërkuar dritën e shpresës në mes të errësirës. Libri për Motwr Marijen na tregon edhe njëherë se heshtja është mënyra më e lartë e komunikimit me Zotin, se mirësia është forma më e thellë e guximit, dhe se dashuria është mënyra më fisnike e qëndresës. Në figurën e Marije Kaletës, Shqipëria gjen një pasqyrë të vetvetes, një vend që ka vuajtur, që është përndjekur, por që nuk ka harruar të falë. Ajo grua e vogël e Pistullit është ndoshta simbolika më e pastër e shpirtit shqiptar, një shpirt që beson pa bujë, që dashuron pa kushte dhe që jeton pa mëri. Një prurje me mjaft vlerë e “botimeve Fishta” dhe posaçërisht e botuesit të saj, mikut tonë fisnik e të ditur, publicistit me emër Frano Kulli, të cilin e falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen për kontributin e tij në botimet shqipe prej tre dekadash.

Filed Under: ESSE

Zef Zorba: “Një gozhdë e ngulur thik në mur”

October 27, 2025 by s p

Prof. Viola Isufaj/

Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë

e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.

Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë

e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…

Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë

e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.

e ngulur thik…

e futur thellë ….

e mbetur thatë… (Zef Zorba, NJË GOZHDË)

***

Duket se teksti poetik i Zef Zorbës “Një gozhdë” do të shihet si tekst i formës së pastër të artit për art. Është sikur të themi se kemi përpara një poezi që, edhe pa asnjë interpretim, i mjafton vetvetes. Letërsia, ajo flet për letërsinë.

Një instrument i fortë dikur ka goditur. Vetëm se goditja na vjen sot e shurdhët, si vetë natyra e bashkëtingëllores th te ndajfoljet thikë/thellë/thatë – ky tingull i përsëritur, pa zë, si vetë dhimbja na fut përsëri në mjegulli. Një goditje ritmike dhe pas pak, harmonia ka marrë tone të zymta. Vetë rock-u karakterizohet nga një natyrë ambigue e përfshin tema nga më të ndryshmet. Ashtu si gjuha e rock-ut, është përdorur këtu një gjuhë harmonike dhe e thjeshtë, por që bëhet e komplikuar, shumë e komplikuar gjatë kombinimeve. Cilësimi i ritmit rock nga vetë autori në shënimet në fund të librit mundet që të ketë të bëjë me një ironi:

Ironia e fatit mbi diç që kurrë nuk supozohej të mbetej thatë apo të mbetej vetëm por që mbeti pikërisht ashtu.

Në poezinë e Zorbës shpesh një skenë apo një ngjarje e veçantë shprehet me anë të rrethanave të jashtme, duke komunikuar emocionet që provokojnë pikërisht këto rrethana; a janë të nevojshme të përcaktohen rrethanat vetë? Të kërkosh për realitetin-do të thotë mbase të gabohesh për letërsinë. Po çfarë përvoje-prapë e pyesim veten-është pështjellë, esencializuar, transformuar në imazhin e pashlyeshëm pamor e tingullor dhe ka lejuar mbishtresimin e disa kuptimeve e shumë të tjerave?

Në vend që të syrgjynosim qëllimin, ne mund të qëndrojmë të përngjashmimi, ose më mirë përfaqësimi i referencës për ta lidhur me vlera ekstraletrare (ekzistenciale, etike) dhe momente historike.

Elipsa do ta bëhet pëfaqësim i një “heqjeje” diku në botë, ngase gozhda është ngulur thellë, prandaj më pas ka mbetur kaq thatë; e sikur të mos ish ngulur kaq thellë, nuk do të kish mbetur kaq thatë.

***

Një ditë, për shkak se vajza e poetit ndiente dhimbje të fortë dhëmbi, i ati e shoqëroi në ambulancë.

Në momentin që hyjnë atje, gjejnë si çdo ditë, varur në mur portrete të anëtarëve të byrosë politike, por ndryshe nga çdo ditë, një vend ishte bosh: sapo e kishin hequr portretin e Beqir Ballukut. Krerët e shtetit diktatorial po godisnin njëri-tjetrin dhe pas një dënimi e ndëshkimi, kishte mbetur një gozhdë, thatë në mur, pa foton. Vajza e vëren dhe i tregon gozhdën pa portret, futur thellë në mur. Ai e pa dhe qeshi.

Më vonë, Zef Zorba do të shkruante:

“Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë… “

***

(Viola Isufaj, disa fragmente nga “Baladë dritash per Zorbën”, Akademia e Shkencave e Shqiperise, 2024, nderuar me:

1. Çmimi për veprën studimore më të mirë për kontributin në historiografinë letrare shqipe Panairi i Librit, 2024 – Shoqata e Botuesve Shqiptarë

2. Çmimi për veprën studimore më të mirë të vitit– Panairi i Librit, Ulqin 2024)

Filed Under: ESSE

Sistemet e partive politike

October 25, 2025 by s p

Fitim Zekthi/

Historia politike e botës ka treguar se partitë politike sillen si sisteme që përpiqen të mbijetojnë dhe të rriten, të forcohen dhe të bëhen më të fuqishme, në mënyrë që të sigurojnë sa më mirë mbijetesën e tyre. Kjo është, pak a shumë, një ligjësi gati natyrore. Për këtë qëllim, partitë politike përpiqen të largojnë çdo gjë që përbën pengesë për to në jetën e tyre politike, për të mbijetuar, për t’u rritur, për t’u fuqizuar dhe për të fituar.

Historia ka treguar se partitë kanë larguar drejtues, grupe apo liderë sa herë që ata janë shndërruar në pengesë apo barrë. Asnjëherë partitë nuk e lidhin fatin e tyre me fatin e një lideri, drejtuesi apo grupi të caktuar. Si partitë totalitare, ashtu edhe ato demokratike, qoftë në vende diktatoriale apo demokratike, në shumicën e rasteve nuk e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e një drejtuesi.

Partia Konservatore në Britaninë e Madhe, për shembull, e largoi kryeministren Margaret Thatcher kur ajo u bë barrë për partinë. Raste të tilla, kur kryetari apo kryeministri largohet, janë të shumta. Asnjë parti nuk dëshiron ta lidhë fatin e saj me fatin e kreut apo të drejtuesve të saj. Kështu ka ndodhur me pothuajse të gjithë kryetarët në Britani: me Macmillan-in, Major-in, Brown-in, Chamberlain-in, Smith-in, etj. E njëjta gjë ka ndodhur në Gjermani me Kohl-in, Brandt-in, Schroder-in, e të tjerë. Po kështu në Itali me Renzi-n, Letta-n, Bersani-n, Amato-n, etj.

Të gjitha partitë e tyre kanë mbijetuar, kanë vazhduar të jenë pjesë e jetës politike, kanë ardhur në pushtet, kanë rënë dhe janë rikthyer sërish. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me partitë totalitare, si ato fashiste apo komuniste. Edhe ato nuk e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e drejtuesve. Partia Fashiste në Itali, kur pa që Musolini ishte kthyer në pengesë, e largoi atë: vetë Këshilli i Lartë Fashist e përjashtoi Duçen dhe vendosi në krye Badoglio-n.

Edhe në Bashkimin Sovjetik, pas largimit të Leninit, Stalinit apo Hrushovit, partia vazhdoi jetën e saj dhe nuk e lidhi kurrë fatin me drejtuesit e veçantë. Po kështu, edhe Partia Komuniste e Shqipërisë nuk e lidhi fatin e saj me fatin e Enver Hoxhës. Ajo u përpoq të mbijetojë dhe, në fakt, mbijetoi për disa vite, deri në vitin 1991 (nëse nuk vazhdon ende në forma të tjera partiake).

Kur fati i një organizate lidhet me fatin personal të një grupi apo individi, atëherë ajo organizatë pushon së qeni e tillë: vdes si organizatë politike dhe del jashtë funksionit të saj natyror, për të mbijetuar, për t’u rritur dhe për të luftuar për pushtet. Ajo shndërrohet në një formë tjetër organizimi që nuk ka më lidhje me procesin politik.

Filed Under: ESSE

Miqësia…

October 20, 2025 by s p

Mimoza Dajçi/

Koha ka treguar se jeta përballet me shumë sfida, kriza, siç janë varfëria, dhuna në familje dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, të cilat dëmtojnë sigurinë dhe harmonitë familjare, shoqërore, paqen e zhvillimin midis popujve të botës. Për t’u përballur me këto kriza dhe sfida, shkaqet e tyre duhet të adresohen duke promovuar dhe mbrojtur një frymë të përbashkët të solidaritetit njerëzor që merr shumë forma, sipas deklaratave të OKB-së, më e thjeshta është Miqësia.

Miqësia ndërmjet popujve, kulturave, rretheve të ndryshme shoqërore dhe individëve mund të frymëzojë përpjekjet për paqe dhe të ndërtojë ura mes komuniteteve. Nëpërmjet miqësisë, duke zhvilluar lidhje të forta besimi, mund të kontribuojmë në ndryshimet themelore të këtyre krizave dhe sfidave që na dalin përpara. Për miqësinë shkenca e mjekësisë thotë se: “Miqtë janë shumë të rëndësishëm për shëndetin fizik dhe mendor të njeriut në të gjitha fazat e jetës”.

Siç kemi edhe ne shqiptarët një shprehje tepër të veçantë për miqësinë, “Më mirë një mik se një çiflik, ose “E kam mik/mike për kokë”, çfarë tregon se besimi mes palëve është në një nivel të lartë, që në fakt nuk ndodh gjithmonë. Ka raste kur në rrethana të ndryshme dikush gjindet në një hall të madh, miku që mendon se e ka për kokë, shikon rehatinë e tij e nuk i përgjigjet. Ai nuk mund të quhet më mik/mike për kokë.

Nuk ka rëndësi nga vjen e ku shkon, rëndësi ka të jetë një miqësi respektivisht e besueshme dhe jetë gjatë kudo që jeton e punon. Kanë thënë se Ilaçi më i mirë i miqësisë është koha, sa më e besueshme është ajo, aq më e bukur dhe e qëndrueshme është.

Por për të arritur qëndrushmëri dhe stabilitet, “Duhet një rrjet sigurie që do të na mbrojë të gjithëve dhe të krijojë pasion për një botë më të mirë ku të gjithë janë të bashkuar për të mirën madhore të përbashkët, pasi miqtë janë aty për të na ndihmuar në momente të vështira dhe për të festuar momentet e mira sëbashku”, shkruhet në materialin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, për Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë,

Miqtë nuk janë të rëndësishëm vetëm në nivel individual. Miqësia mund të jetë gjithashtu e rëndësishme në një nivel global. Miqësitë që kalojnë kufijtë mund të ndihmojnë në sjelljen e paqes dhe shmangien e luftës. Duke qenë se miqësia përfaqësohet në nivel universal, OKB ka njohur Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë, ku gjithashtu përfshihen edhe të rinjtë, si udhëheqës të ardhshëm, në aktivitetet e komunitetit që përfshijnë kultura të ndryshme duke nxitur mirëkuptimin dhe respektin ndërkombëtar për diversitetin.

Miqësitë vijnë në të gjitha format dhe madhësitë. Ata/ato mund të jenë dikush që i kemi takuar qysh fëmijë, një shok klase në shkollë, dikush që e kemi takuar në punë, etj. Ata mund të jenë miq që jetojnë në distancë në një vend tjetër ose miq virtualë që kemi njohur nëpërmjet internetit. Por kushdo qofshin, sido që i takojmë, ka një lidhje të veçantë të bazuar në një histori dhe interesa të përbashkëta, duke shijuar, duke bërë gjëra së bashku ose thjesht duke folur dhe kuptuar njëri tjetrin.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT