• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënë Tereza: Nënë e jetës, dashurisë dhe e paqes

August 26, 2020 by dgreca

Disa mendime me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-

Nga Don Lush Gjergji-

Nëna e jetës-

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979).

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës, dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Shërimi i vetmisë është dashuria”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin…”.

Nëna e dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

Nëna e paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi. Ajo e shëron vetminë”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen, si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore./drita.info

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Nene Tereza

TERRIN MES DY DRITAVE S’E DURON YLLI QË SHKOQET, AS NJERIU-Martin Camaj

August 26, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg“Ex Malo Bonum”, është një citim latinisht nga Shën Augustini, që në shqip mund të përkëthehej se, nga një e keqe vjen diçka e mirë. Nga fillimi i muajit korrik qe botuar një shkrim nga Auron Tare për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, një “studim”, siç u quajt nga disa, që akuzon Koliqin dhe Camajn si poliagjentë dhe kollaboracionistë të forcave më të errta anti-shqiptare.  “Studimin” e botoi portali nga Nju Jorku, Peisazhe të Fjalës.  Bazuar në absurditetin e akuzave dhe aludimeve të Auron Tares, për nja dy javë, “studimi” i Auron Tares u bë çështje e ditës, media shqiptare, përfshir televizionin– sikur nuk kishte halle më të mëdha për shqiptarët– i kushtonte kohë dhe hapësirë, nga nata në natë.  Auron Tare për pak kohë u bë “TV star”, si rrjedhim i akuzave dhe aludimeve të tija pa bazë. 

                                                   Martin Camaj

Këtyre zërave, modestësisht, iu bashkova edhe unë në atë kohë duke thënë se megjith pretendimet e Tares, “studimi” i tij nuk sillte asgjë të re, që nuk dihej më parë.  Për më tepër, mua dhe shumë të tjerëve, na u duk se pretendimet e Auron Tares ishin një shpifje me qëllim baltosjen e këtyre dy shkrimtarëve. Aludimet dhe të pretendohej se këta dy shkrimtarë të njohur të kombit shqiptar ishin poliagjentë dhe anti-shqiptarë, mu duk mua dhe shumë të tjerëve si diçka që kishte dalur nga tryeza e Enver Hoxhës, në kulmin e luftës së ftohtë.  Me atë rast, thashë gjithashtu se shkrimi ose “studimi” “Dritëhije në Histori” i Auron Tares, botuar në portalin e Ardian Vehbiut, “Peisazhe të Fjalës” në Nju Jork, nuk ishte as i “rrallë”, as “origjinal”, siç pretendohej nga autori dhe botuesi.

Sidoqoftë, debati rreth këtij “studimi”, ishte ai që ishte, me qëndrime pro nga autori dhe botuesi dhe ndonjë mbështetës i tyre, që si duket mezi kishin pritur rastin të hedhnin baltë kundër dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë—ndërkohë që shumë të tjerë shprehën pikëpamjet e tyre kundër “studimit” të Auron Tares, për mungesë dokumentacioni dhe sidomos, për interpretimet dhe aludimet dashakeqëse, pa mbështetje dokumentacioni.

Por, siç ka thenë Abraham Linkolni, në fund të fundit “E vërteta është, zakonisht, mbrojtja më e fortë dhe më e mirë kundër shpifjeve”.  Zot ruajna prej atyre që të mirës i thonë e keqe dhe të keqës të mirë.  Por, siç ka thënë edhe Shën Augustini, shpesh ndodhë që edhe nga një e keqe – siç ishin shpifjet publike të Auron Tares kundër Koliqit dhe Camajt—ndodhë që vjen diçka e mirë.  

Në këtë ndërkohë, me të thenë të drejtën, u gëzova kur mora vesh se Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) ka në plan të organizojë, këtë javë, një tryezë të rrumbullakët me rastin e 95-vjetorit të lindjes (21 Korrik, 1925).  Specifikisht, në njoftimin e AIDSSH thuhet se, “Në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, AIDSSH me partnerë, organizon tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëpunëtorëve akademikë, studiuesve brenda dhe jashtë vendit e institucioneve publike.

Më 28 gusht, ora 18.00, live nga Pallati Presidencial në Tiranë.”, thuhet në njoftimin e botuar në faqen fejsbuk të AIDSSH.  Ndërkohë, AIDSSH kërkon nga të interesuarit se, “Për shkak të interesit të lartë për pjesëmarrje në tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja” dhe kufizimeve të detyruara në kushtet e përhapjes së COVID-19, të interesuarit që marrin pjesë në aktivitet janë të lutur të dërgojnë email të konfirmimit të pranisë së tyre në info@autoritetidosjeve.gov.al brenda datës 27 gusht 2020, e enjte.

AIDSSH njofton gjithashtu se ashtu siç është lajmëruar edhe më heret, aktiviteti do të transmetohet “live” nga AIDSSH dhe media të pranishme. 

Image may contain: text

Concept & Grafic Design: Henrik Lezi 

Uroj që tryeza e rrumbullakët  e AIDSSH për Jetën dhe Veprimtarinë e Martin Camajt, të hedhë dritë mbi shpifjet dhe aludimet propagandistike të ish-regjimit komunist, në përgjithësi si dhe të atyre nostalgjikëve modernë të atij regjimi, të cilët duan që me çdo mjet të baltosin dy figurat më të njohura të letrave dhe historisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha, uroj që qëllimi dhe përfundimi i kësaj tryeze të jetë zbardhja e të vërtetës, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt – përfshir edhe akuzat dhe aludimet e kohëve të fundit kundër tij — sepse këtë do të donte edhe ai vet – të vërtetën, me të gjitha të mirat e të këqiat, asgjë më pak as më shumë se të vërtetën!  Që drita e së vërtetës të zëvendësojë terrin e akuzave djallëzore të kundërshtarëve të tij, “shpend mishngranës me fytyrë njerëzore”, sepse “Terrin mes dy dritave ‘s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu…” Martin Camaj.  

Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive, që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, ka shkruar Kadare.  Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, të cilës i referohet Kadare – sidomos në fushën politike dhe letrare – është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër që prej kohës së komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet Shqipëria dhe bota shqiptare, thirrja e Camajt për “Afrim të Shqiptarëve”, është më aktuale se kurrë.  Uroj që pjesëmarrësit — në tryezen e rrumbullaktë të enjtën në Tiranë, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, organizuar nga AIDSSH – të dalin nga ajo konferencë më të bashkuar në përpjekjet e tyre, për të hedhë më shumë dritë mbi të vërtetën dhe më jo baltë mbi jetën jetën dhe të veprimtarinë e Martin Camajt.

Frank Shkreli 

Image may contain: text

Për një mendim ndryshe, për personin dhe dosjen e Martin Camaj, mund të ndiqni një intervistë me të Sonila Boçi Pepivani, Akademia e Studimeve Albanologjike, të Fatmira Nikollit në News24:

Përmbledhje e shkurtër e intervistës nga News 24: Martin Camaj, në dritë dosja e shkrimtarit — Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshtë dosje bashkëpunëtori, por të përndjekuri”.  Historianja: E kanë arrestuar që ta perdornin.  Dokumenti, “Camaj bashkëpunetor nën detyrim” “Dosja nuk flet për torturë, thuhet u mor me force” Boçi: Dosja thote qe Camaj e dezinformoi Sigurimin “U arratis me ata qe i kerkuan te denonconte” “Komiteti i Prizrenit? Nuk del roli i Camajt atje” “Permendja e Camajt dhe roli jane gjera te ndryshme” Camaj zero marredhenie me Politiken.  Boçi: Camaj agjent? Do te ishte krejt atipik! Boçi: Ne dosje ngaterrohen faktet me opinionet, “Dosja e Camajt nuk ka fakte, duhet vërtetuar” Sonila Boçi: Çmitizim? Atdheu e partia ishin një.  Boçi: Po të ishe kundër partisë, ishe tradhtar –Sonila Boçi, historian.  Gazetare, Fatmira Nikolli

Një bashkëpunim i #IH_ASA me #AIDSSH

Fatmira Nikolli Sonila Boçi Pepivani Akademia e Studimeve Albanologjike- faqe zyrtare News 24

Martin Camaj, ne drite dosja e shkrimtarit Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshte dosje bashkepunetori, por te perndjekuri” Historianja: E ka…

                    

YOUTUBE.COM

Martin Camaj në dritë – dosja e Sigurimit për shkrimtarin, përndjekje, detyrim e letra anonime.  Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk është dosje bashkepunëtori, por të përndjekuri”  

Poezi nga Martin Camaj

VRASJA E POETITI

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

Image may contain: text

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Terrin mes dy dritave, Ylli qe shkoqet

U NDA NGA JETA GAZETARI KURAJOZ KOSTAQ XOXA

August 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: SHPENDI TOPOLLAJ-

Si rezultat i një arresti kardiak, u nda nga jeta gazetari i mirënjohur Kostaq Xoxa. Kostaqi u lind në Tiranë në vitin 1931 në një familje të shquar atdhetare. Babai i tij Xoi Xoxe ishte një gazetar dhe politikan i ndershëm dhe i guximshëm, fjalimet e të cilit në Parlament dhe kujtimet e shkruara, mbeten shembujt më domethënës për të treguar se cili duhet të jetë roli dhe pozicioni i një intelektuali të vërtetë në shërbim të popullit. Në rrugën e tij eci përherë edhe Kostaqi, i cili pati një jetë plot peripeci, si pasojë e goditjeve të herëpasherëshme që regjimi komunist ushtroi ndaj familjes së tij, pasi kishte arritur edhe t`i burgoste pa asnjë faj, të atin. Provoi çpronësimin e egër, përbuzjen dhe deri pengimin për t`u shkolluar rregullisht, edhe pse ishte përherë nga nxënësit më të shkëlqyer, apo internimin e kufomës së vëllait të vdekur dhe mos lejimin për ta varrosur atë. Bëri punë të rëndomta krahu, si në Kriporen e Kavajës, dhe shofer kamioni, gjersa duke parë aftësitë e tij, kulturën e gjërë, prirjet letrare dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja, me ndërhyrjen e një njeriu të mirë, Kahreman Yllit, emërohet mësues në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, ku arriti të japë me mjaft kompetencë edhe lëndën e matematikës. Për korrektesën e tij, aftësitë pedagogjike, horizontin e gjërë dhe mënyrën e komunikimit me nxënësit, duke aplikuar metoda të reja mësimdhënieje, ai mbeti i dashur dhe i respektuar nga kushdo. Pas vitit 90 – të shte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos te gazeta “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd. Për të, të gjithë ishim vëllezër dhe së bashku do ta bënim më të mirë këtë vend. I rreptë në qëndrimet e tij politike, dhe armik i vendosur i korrupsionit, ai asnjëherë nuk bëri kundërshtarë. Miqtë e tij të shumtë ishin të çdo krahu, dhe ai mundohej me gjithë shpirt të ndihmonte cilindo që kishte nevojë për të. Skrupuloz në kërkesat gjuhësore, ai kujtdo i shfaqte gatishmërinë për t`ia korrektuar librat qysh në dorëshkrim, pa asnjë shpërblim, duke thënë se le të jemi të kundërt në mendime, te gjuha jonë e bukur duhet të jemi njësoj. Ishte mik besnik Kostaq Xoxa dhe u gëzohej arritjeve të të tjerëve. Sapo botohej një libër, ai e lexonte dhe shkruante artikullin përkatës me talentin e një kritiku të mirëfilltë, duke vënë në dukje anët e mira dhe mangësitë që konstatonte në të. I pakët nga trupi, por zjarr në biseda, me atë të qeshurën që i buronte nga shpirti, ky shok, ky mik, ky bashkëshort e prind i rrallë, që ngriti fuqishëm deri në fund, zërin për demaskimin e krimeve të komunizmit dhe domosdoshmërinë e futjes në Evropë, do mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu, modeli i intelektualit të ndershëm, plot integritet e dinjitet. La në pikëllim gruan e tij të mençur, Meritën dhe dy fëmijët e mrekullueshëm, por dhe një boshllëk te të gjithë ne që e deshëm dhe e vlerësuam ashtu sikurse e meritonte. Jeta dhe vepra e tij nuk do të harrohen lehtë, pasi ai me to, do na kujtojë gjithmonë thënien e Virgjilit se “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar, jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”. Dhe Kostaq Xoxa ynë, iku nga kjo botë i virtytshëm!  

Filed Under: ESSE Tagged With: Kostaq xoxa, Shpendi Topallaj, u nda nga jeta

Me ju dhimtë gurit e drurit- këto ishin fjalët e burrit

August 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Nue Oroshi-
Oda shqiptare historikisht në mungesë të institucioneve edukativo-arsimore në trojet shqiptare e ka luajtur një rol historik në edukimin e gjeneratave të reja.Në odën shqiptare është përcjellur tradita shqiptare dhe pleqtë e mençur kanë shpjeguar shumë fillozofi popullore të cilat kanë qenë edukative për kohën dhe rrethanat historike shqiptare. Aty janë përcjellur edhe shumë fjalë të cilat e kanë pasur peshën e vet historike,për shumë ngjarje dhe personalitete qoftë ata që kanë qenë mbarë të orientuar por edhe për ata që kanë qenë të orientuar mbrapshtë. Pleqtë e mençur kur kanë dashur të flasin për personalitete qoftë politike apo personalitete të tjera të cilët ishin shëndrruar në kancer për shqiptarët dhe vepronin në dem te popullatës e përdornin fjalën ka me u ba me ju dhimtë gurit e drurit. Guri gjithmonë në traditën shqiptare ka simbolizuar forcën për faktin se gjatë tërë historisë luftëtarët e lirisë shpeshherë si mburoj i kanë pasur shpellat e gurit ku janë strehuar shpeshherë dhe kanë kaluar dimrat e vështirë, dhe jo rastësisht në fillozofinë tonë popullore është folur edhe fjala “ma i fortë se guri”, për përsonalitetet qendrestare.Kurse edhe druri ka pasur një rol shumë të madh në familjet tradicionale shqiptare sepse në dimrat e gjatë dhe me plot borë ka ngrohur vatrën e shtëpisë. Gjatë shumë bisedave që zhvilloheshin në odat shqiptare për personat problematikë dhe që ishin kundër çështjes kombëtare por edhe për të tillët që i keqpërdornin pozitat politike për qëllimet e tyre financiare,duke e dëmtuar kombin dhe popullin shqiptar në shumë aspekte përdorej fjala:”Ka me u bërë me ju dhimtë gurit e drurit.” Vërtetë shpeshherë ata persona kanë pasur një fund tragjik dhe kanë përfunduar si është më së keqi. Atëherë pleqtë tanë nëpër odat shqiptare i merrnin edhe shembujt të shumtë për personat e tillë.Edhe një pjesë e politikanëve shqiptar në trojet shqiptare që për përfitime të tyre personale e familjare e kanë sjellur popullin shqiptar në gjendje të vështirë e mbramja do t´iu vjen keq.Ata do t´iu dhimbsen gurit e drurit por asesi nuk kanë për t´iu dhimbsur popullit shqiptarë që e kanë sjellur buzë greminës. Nuk e di të tillët a e mendojnë se pozicionet politike nuk janë të perjetshme ato janë kalimtare në demokraci.E sikur pleqtë në atë kohë edhe mirreshin vesh prej një krahine në krahinën tjetër i qojshin fjalë njëri- tjetrit.Njëri thoshte: ” Moj e mira qe shkon me mshtjerra lumtë na lumtë na erdh pranvera”.E pasi plaku tjetër e kishte pritur me vite atë pranverë por nuk kishte ardhur ia kthente me fjalët: ” Moj e mira që shkon me dhenë terrt e verrtë e kurrni send”.Këto ishin komunikimet e pleqve të mençur për kohën dhe rrethanat politike.E fjalët e burrit se personat kanë me ju dhimtë gurit e drurit më tingellojnë edhe sot pas shumë viteve kur i ndëgjoja pleqtë tanë plisbardhë, të cilët edhe pse nuk ishin aq shumë të shkolluar por e kishin qëndresën e gurit dhe trurin e pastër prej biluri i cili rrezatonte dritë në mes të errësirës dhe edukonin brezat me fillozofinë popullore që përcillej prej brezi në brez.Është për tu theksuar se politikanët dhe intelektualët që rrjedhin nga familjet që është përcjellur tradita shqiptare brez pas brezi nëper oda shqiptare ndonjëri nga ta e ka ruajtur edhe sot e asaj dite atë burrërinë tradicionale shqiptare.Kjo shihet gjatë takimeve dhe shumë shpejtë mund ti dallosh politikanin dhe intelektualët, tradicionalë shqiptar nga politikanët e familjeve pa taban kombëtar.Për faktin se politikanëve dhe intelektualeve pa taban kombëtar ju mungon edukata familjare.E burrat e dheut në të kaluarën kur dëshironin t´ia lëshojnë një fjalë të rend dikujt që e meritonte e sillnin fjalën shumë herë rreth e rrotull deri sa vinin tek fjala që duhet thënë bashkëbiseduesit. Këtu po e sjelli vetëm një dialog që e kam fokusuar si i ri që u zhvillua në një odë të komunës së Prizrenit.Derisa pleqtë bisedonin një plaku të mençur të kanunit që shtjellonte tema me karakter kombëtar njëri nga fundi i odës i thotë: “Nuk është ashtu siç je duke thënë “,plaku e ndalë bisedën dhe e pyet:“Mbasi nuk është ashtu na shpjego se si është?“ e ai i përgjigjet :”Si është nuk e di por ashtu si thue ti nuk është “.Dhe kur pritet reagimi i plakut qohet vëllai i ti dhe i thotë këto fjalë”Këtë person ma leni mu”. I përgjigjet me fjalën “Moj e mira nato talla n´tollovi nihet budalla”.Fatkeqësisht sikur ai fatziu i fundit të odës na u ka mbushë politika shqiptare.Ata thonë nuk është ashtu edhe pse vet nuk e dinë se si është dhe si duhet ecur përpara dhe as nuk kërkojnë këshilla se si duhet udhëhequr shteti.Me një fjalë po përseritet ajo fjala e mirditorës së mençur që e kishte pasur djalin shumë puntor e ku thoshte:”Me majtë kuzhdo shpi, Kola jem i kish majt tri-por nja e menzi.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Me ju dhimte gurit, Nue Oroshi

PROFESOR BARDH SHIROKA

August 18, 2020 by dgreca

Bardh Shiroka- (1932 – 2006)–

Shkruan: Frtiz Radovani- Melbourne-Australi-

Bardhi i bardhë si kmisha që ka veshë në dukje e, në Shpirtë gjithë jeten!

Ata që e njohën afer perjetë të jetës nuk e harrojnë buzqeshjen e Tij aq të ambel sa kishte fjalen, e deri tek shterngimi burrnor i dorës së paster. 

Ishe fëmijë kur e njohta prej vllaut të madh Alfonsit, me të cilin ishin të një moshe, shokë po, dhe të asaj brezni studentash që e paguene me jetë  persekucionin e terrorizmit komunist në Shkodren e masakrueme… 

Vetem me kujtue emnat e kriminelave vrastar Zoji Themeli, Hilmi Seiti e ish hetuesit korçar Skender Villa, drejtor i Gjimnazit Shkodres, mjafton me kuptue se shka ka kalue rinia shkodrane, e panjollosun me sigurimin. 

Bardh Nik Shiroka ishte nder studentat e shkelqyeshem nder mësime, kur me 10 maji 1950 u arrestue grupi i studentave të Shkodres. Bardhi e perfundoi Gjimnazin, po nuk mujti me i shpetue arrestimit mbas atyne pak viteve që ishte ushtar në repartin ushtarak të Beratit, me 4.7.1955.

Dëshira e madhe e sigurimit komunist per me prangue dhe torturue dhe Bardhin si të gjithë shokët e Tij, nuk ishte plotsue pa e pa në birucat e sigurimit të Shkodres, ku zhvilloi hetimet. Gjykata e Shkodres drejtue nga toger Faik Spahiu, nuk u kursye me fillue akuzen kunder Bardhit, me “shkollen françeskane të Shkodres, dhe me vazhdue me perpjekjen e Tij, per me rrëzue pushtetin komunist…” vetem me llafe e shpifje ashtusi, ka kenë gjithmonë per 47 vjetë dhe procedura e “drejtësisë sonë popullore” antidemokratike. Akuzat ishin ato të grupit studentave të vitit 1950… 

Akuza që randon Bardhin në dënimin e Tij asht gjoja “pjesmarrja e Tij në një organizatë kriminale studentore, që kerkon me rrëzue pushtetin…” 

Këta veprime të dhunshme të sigurimit baheshin per me justifikue para opinjonit Shkodres, shifrat nalta të dënimeve të randa, si rasti i Bardhit, që u dënue 10 vjetë burg, me punë të detyrueshme nder kampe shfarosje. 

Vendimi i dhanun me 19 Tetor 1955 nga gjykata e Shkodres, u aprovue me 23 Nandor 1955 nga Gjykata e Naltë në Tiranë, me kryetar Mustafa Qilimi, dhe antar Hilmi Telegrafi dhe Sotir Spiro, tue firmosë origjinalin. 

Pafajsia e Bardh Shirokës vertetohet nga lirimi i Tij mbas 7 vjetësh burg, me 24 Gusht 1962. Sikur akuzat ndaj Tij të kishin vetem një rresht nder të gjitha fletët të vertetë: Bardh Shiroka nuk delte nga burgu as mbas 20 vjetësh tue Ju persëritë dënimet nga 20 e 25 vjetë, mbas dënimit të parë. Kjo praktikë asht ndjekë me disa mija vetë të ridënuem nder burgje.

Bardhi ka folë dhe ka shkrue rusisht, italisht, greqisht, latinisht dhe, në burg ka mësue edhe anglishten në mënyrë të persosun.  

Bardh Shiroka (28 Shtator 1932 – 10 Maji 2006), ishte nder figurat ma të nderueme të inteligjencës së qytetit të Shkodres, gja per të cilen, kur  unë në vitin 1991, ishe në kryesinë e BSPSH, dhe kerkova nga Nenkryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë provizore, zotni Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Perndjekunve Politik të Shqipnisë”, gja që Ai e aprovoi mbrenda 4 ditësh dhe, na njoftoi nga Tirana per zgjedhje të një Kryetari, unë ju drejtova Bardh Shirokës, tue Ju lutë me marrë atë detyrë. Bardhi nuk e pranoi, tue u justifikue me gjendjen shndetsore jo të mirë. Atëherë me që nuk i lente gja mangut Bardh Shirokës, qytetari po aq i njoftun Lin Martini, Ju drejtova Atij, tue rikujtue edhe një thanje të At Mëshkallës per Te: “Nder të rijtë e burgosun aso kohe në Burrel, asht kenë dallue me gisht per qendrimin e tij Lin Martini!” Kjo ishte garanci e plotë per detyren që po i kerkojshe. Me vështirsi e pranoi, tue Ju lutë edhe Karlet Luka, Dedë Gjonmarkaj. Dhe, Emni i Linit mbeti i nderuem! 

Arsyeja e vertetë e kundershtimit Tyne, nuk ishte se Ata nuk e donin që të formohej ajo Shoqatë, po ishin shumë pesimistë per drejtuesit e Shtetit…

Sot mbas gati 30 vjetësh… Kur asnjeni nuk jeton ma, u mundova me Ju rikujtue Popullit të Shkodres Emnat e Nderuem t’ Atyne Burrave, që nuk e dij a i vijnë ma Asaj Shkoder… Vertetë që Ata vuejtën si Krishti, po në Themelet e Rozafës, Ata shkruene Emnat e vet me shkronja t’ arta!

Nderim e Lavdi të Perjetëshme kujtimit t’ Atyne Burrave..! 

Melbourne, Gusht 2020.  

Filed Under: ESSE Tagged With: Frtiz Radovani, Profesor Bardh Shiroka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT