• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themelet e kishës shqiptare në Amerikë

December 4, 2015 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/

Përpjekjet njerëzore e kombëtare të  emigrantëve shqiptarë pengoheshin me të gjitha mënyrat e mjetet  nga propaganda e lobit grek dhe e kishës greke. Kulmi i kësaj intrige u shfaq më 25 gusht të vitit 1907, ditën që vdiq patrioti  Kristaq Thimi Dishnica në qytetin e vogël industrial Hudson.

Hudson-i ishte një qytet i vogël, por atje banonte një koloni shqiptare relativisht e madhe dhe e rëndësishme. Jetonin dhe punonin kryesisht shqiptarë  emigrantë  nga Shqipëria Juglindore: korçarë, voskopojarë, kolonjarë dhe përmetarë, “të ndarë në dy fusha politike, që antagonizonin njëra-jatrën me tërbim: shqiptarët nacionalistë dhe grekomanët fanatikë” [1]

Po vdekja e Kristaqit i bashkoi. Ata nuk kishin kishën dhe priftin e tyre shqiptar, që të kryente shërbimet mortore. Kisha greke nuk pranoi, sepse i ndjeri ishte atdhetar shqiptar. Atëherë, shqiptarët e Hudson-it iu drejtuan priftit të kishës ortodokse siriane, që ndodhej në qytetin Worcester. E lutën priftin sirian që t’i bënte të vdekurit shërbimet kishëtare. Fillimisht, ai pranoi dhe u bë marrëveshja. Siç shkruan Vangjo Miller[2] në gazetën “Liria”, shqiptarët e Hudson-it, Natick-ut, Marlboro-s e të Boston-it shkuan me karroca në Worcester me kortezhin funeral.

Kristo Kirka , që në atë kohë jetonte në Natick, u ndodh në mes të bashkëkombasve, që shoqëronin kufomën e të ndjerit.

E ka përshkruar  me dhimbje, por edhe me zemërim, këtë peligrinazh dhe këtë vuajtje kalvari:

“Në atë kohë, kisha ortodokse varej nga Patriarkana e Stambollit, që i shërbente sundimit osman, por edhe kishës greke dhe helenizmit. Ritet fetare zhvilloheshin në gjuhën greke. Ne, ortodoksët shqiptarë, konsideroheshim grekë dhe çdo përpjekje për shqiptarizimin e kishës, shtypej pa mëshirë, duke filluar nga mallkimi e duke mbaruar te helmi e thika. Ishte e pamundur, bile çmenduri, të luftonje për kombësinë shqiptare, për kishën shqiptare, për mëvehtësinë shqiptare. Po rrethanat e sollën që përmbysja e madhe të fillonte pikërisht atje  ku kishim shkuar ne, në Amerikën e lirë! Ishim të rinj dhe, ndonëse puna ishte e lodhëshme, në kohën e lirë nuk rrinim kot, por e shfrytëzonim për veprimtari shoqërore, kulturore e patriotike.  Askush nuk na pengonte, siç ndodhte në Shqipëri. Nisëm të organizonim shoqëri të ndryshme të shqiptarëve. Në krye këto shoqëri kishin fizionomi lokaliste, bie fjala, shoqëri e atyre shqiptarëve që kishin ardhur nga i njëjti fshat apo krahinë. Ata njiheshin me njëri-tjetrin dhe e ndjenin nevojën për të qenë të bashkuar, që të kishin ku të mbështeteshin në rast nevoje. Më pas, krijuam shoqëri kulturore, arsimore e atdhetare, që kishin një vizion dhe veprimtari më të gjerë shoqërore dhe politike. Kështu që, problemi i kishës nuk ishte kryesori, sepse shoqëritë na bashkonin të gjithëve, pa dallim krahine dhe feje: ortodoksë, myslimanë e katolikë. Për festat e mëdha fetare, si Pashkë e Krishtlindje, një pjesë e otodoksëve shkonin në kishën greke, sipas zakonit në vendin tonë,  ndërsa ne që i kishim ndarë hesapet me intrigat greke dhe me grekomanët, venim në kishën ruse ose siriane. Por na ndodhi diçka që e ndryshoi krejt rrjedhën e ngjarjeve të zakonshme. Papritur, njëri nga shokët tanë, Kristaqi nga Dishnica e Korçës, u sëmur rëndë  nga një plevit, që u shtri në të dy anët e mushkërive të ronitura dhe, me gjithë përpjekjen e mjekëve, ndërroi jetë në Hudson. U njoftuam dhe u mblodhëm, siç ishte zakoni. Dhimbja ishte e madhe, sepse ishte hera e parë që na vdiste në vend të huaj një shqiptar.  Po më shumë na shqetësoi puna e varrimit, që duhej bërë sipas riteve fetare në kishë. Me që ishte rit vdekjeje, disa shokë të Hudson-it, njoftuan priftin e kishës greke, po ai nuk pranoi t’ia bënte shërbimet e fundit. Kjo gjë na brengosi, por edhe na zëmëroi. Iu drejtuam priftit të kishës ruse, ai u tregua i gatshëm, por na e ktheu fjalën, pas ndërhyrjes së grekëve dhe të grekomanëve fanatikë. Atëherë, Risto Koki, që banonte në Worcester, bisedoi me  priftin sirian për t’i bërë shërbesat fetare të varrimit. Ai pranoi, por duhet ta çonim të vdekurin në Worcester. S’kishte kohë për të humbur. Një shoku ynë, që punonte në një shoqëri për shitjen e perimeve, na siguroi një karrocë, që mund të përdorej vetëm përgjatë natës, kur ata nuk punonin. Kështu që, në mbrëmje, nja pesë a gjashtë miq të të ndjerit, ngarkuan qivurin me të vdekurin në karrocë dhe u nisëm për rrugë.

Nuk e harroj deri sa të vdes atë udhëtim mortor nëpër natë.

Ishte ftohtë, thëllim i akullt. Bridhnim me karrocë, të mbledhur grusht me njëri-tjetrin dhe me arkivolin përpara. Në një qytet të largët të një kontinenti të madh, ndienim dhimbjen e ikjes së një shoku, lotët digjnin zemrën për vetminë edhe në vdekje. Mendonim jetën dhe pastaj atë, mortjen, që do të vinte një ditë. Kështu do të endeshin edhe trupat tanë? Ku do të na preheshin kockat? Nata ndillte pikëllim, ndërsa hëna bënte dritë. Zjenim së brendshmi me të vdekurin e pavarrosur mbi karrocë. Asnjë nuk fliste dhe mendimi na fluturonte larg, shumë larg, te vendi ynë, qyteti ynë, shtëpia jonë… Atë natë e ndjemë, më tepër se çdo herë tjetër, se ishim në vend të huaj. Sa të pafuqishëm, të pambrojtur  e të vogël  e ndjeva veten time! Provova thellë në shpirt një ngashërim e një përmallim aq të madh, sa mendova që në atë çast, të linja gjithçka e të vraponja drejt shtëpisë, si ai zogu që fluturon drejt folesë dhe atje të prehesha i qetë, bile edhe të vdisnja i qetë në vendin tim e midis njerëzve të mi. M’u përfytyrua nënë Athinaja, që ma bënte me dorë dhe më thërriste: “Eja, bir, eja!” Shkundnja kokën që të vinja në vete. Përpara arkivoli me trupin e pajetë të Kristaqit! Me hidhërim të thellë mendonja për nënën e gjorë të tij, dëshpërimin dhe kujën e saj, kur të merrte mandatën e zezë të të birit të pavarrosur. Mos vallë, një ditë edhe nënë Athinaja do të merrte nga larg mandatën time?  Përse më shkon mendja te vdekja, kur jam kaq i ri? Ç’më bëri të ligështohem?  Fati ynë i keq edhe këtu, edhe në Shqipëri. Dhe këtë fat tragjik duhet ta ndryshojmë ne që jemi këtu, por edhe ata që janë atje. Me përpjekje të përbashkëta, me dashuri  për njëri-tjetrin dhe për  mëmëdhenë, sepse pa mëmëdhe, ne s’jemi kërkush. Ky duhet të jetë ideali që duhet të mbushë jetën tonë…

Me këto mendime në kokë, arritëm më në fund, aty ndaj të gëdhiri, në Worcester dhe u drejtuam për tek kisha siriane. Por, për habinë dhe zëmërimin tonë të madh, prifti na e ktheu fjalën. Na tha se na lejonte ta varrosnim në një cep të varrezave, por nuk do t’i bënte ritet fetare. Për mendësinë tonë të besimit ortodoks, ishte mëkat i madh ta varrosnje të vdekurin pa prift dhe pa lutjet fetare. I vdekuri nderohet, kështu thotë ungjilli, ky është nom dhe detyrim i kishës. Kundërshtimeve tona ai nuk iu përgjigj, ngriti supet dhe u largua. E kuptuam  që ishte sërish dora e kishës greke.[3]

Kristoja e përshkruan me vërtetësi dhe dhimbje të madhe njerëzore këtë  ngjarje  të jashtëzakonshme antinjerëzore dhe antifetare. Por ai dhe shqiptarët e tjerë reflektuan dhe kërkuan një dalje, madje, menduan për një zgjidhje definitive dhe të dobishme për të gjithë.

Vangjo Miller, njëri nga shqiptarët ortodoksë të Hudson-it, shkruante i indinjuar te gazeta “Liria”: “Ishte  ndërhyrja e grekëve të qytetit, që i bënë presion priftit të mos e bënte shërbesën. Intriga e tyre e ulët bëri efekt  dhe kisha siriane nuk e bëri shërbesën. Trupi i të ndjerit mbeti jashtë kishës. Ishin grekët ata që intriguan kundrejt shqiptarëve”[4]

U revoltuan shqiptarët, po ç’të bënin?

U mblodhën rreth arkivolit dhe e pleqëruan. Shqiptari Kozma Angello u dorëzua prift sa për momentin, i këndoi shërbesën, sepse dikur kishte shërbyer si psallt në kishën  e fshatit dhe Kristaqi i ndjerë  u varros pa ceremoni fetare në kishë.

Kjo ngjarje e dhimbshme u bë shkak që shqiptarët ortodoksë të mendonin  edhe për vdekjen e tyre në vend të huaj. Si do t’i përballonin situata të tilla të ngjashme? Kishte pasur edhe raste të tjera të mospagëzimit apo të moskurorëzimit të shqiptarëve nga kisha greke, kur bëhej fjalë për ortodoksë atdhetarë. Por refuzim të varrimit të tyre s’kishte pasur gjer atëherë. Vdekja e hapte udhën  vetë. Kisha greke kishte shkelur edhe mbi institucionin e patjetërsuar të vdekjes.

“Çdo gjë ka një fund, – thoshte  Kirka. – Me lotë në sy e me dhimbje në shpirt, hodhëm nga një grusht dhe  mbi varrin e bashkëkombasit tonë dhe u larguam ngadalë, me kokën ulur, me një peng të madh në zemër, por edhe me një indinjatë për atë sjellje çnjerëzore të atyre, që gjoja flisnin në emër të Krishtit e të njerëzimit, po bënin të kundërtën. Gjithashtu, edhe me një vendim të prerë për të ngritur kishën shqiptare. Në Amerikë kishte një komunitet në rritje shqiptarësh, që , sipas ligjeve demokratike të vendit, kishin të drejtë, si gjithë komunitetet e tjerë, të ndërtonin lirisht faltoret e tyre, sipas besimit. U mblodhëm menjëherë dhe, si e shoshitëm mirë e mirë, vendosëm që në fillim të shuguronim një prift shqiptar. U zgjodh një komision i posaçëm, ku bëja pjesë edhe unë dhe ia filluam punës. Caktuam nga një komunitet për secilin dhe u nisëm për të shkelur çdo qytet e fshat që kishte shqiptarë. Sigurisht, që disa nga ne e lanë punën dhe po harxhonin nga paratë që kishin kursyer. Natyrisht që na shtynte shumë edhe ngjarja e hidhur me të ndjerin Kristaq.  Ai edhe me vdekjen e tij, po i  shërbente çështjes shqiptare” [5]

Miller shkruan se shqiptarët vendosën përfundimisht që të shkëputeshin nga tirania e kishës greke dhe të proklamonin indipendencën e kishës së tyre.  Me nismën e disa patriotëve ortodoksë të Hudson-it, u formua një komision me në krye Vangjo Miller, që iu drejtua shqiptarëve të Marlboro-s, Natick-ut dhe Boston-it për të ngritur Shoqërinë Kishëtare. Të parët që iu përgjigjën kësaj nisme, ishin shqiptarët e krishterë të Natick-ut, ndër ta edhe Kristo Kirka.

“Të gjithë shqiptarët e kolonive  të  sipërpërmendura, veçanërisht ata të Natick-ut, iu përgjigjën thirrjes  dhe pas disa javësh u mbajt mbledhja, e cila zgjodhi një komision që kërkoi  kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin: Fan Noli nga Bostoni  dhe Petro Luarasi nga Clintoni. Pasi ata u votuan prej delegatëve të Natick-ut, Marlboro-s  dhe Hudson-it, fitoi Noli që të dorëzohej prift. Delegatë nga Natick-u ishin zotërinjtë Kristo Kirka, Nik Dishnica, Andrea Kristo, Dhori Bardhoja”.[6]

Kristo  Kirka ishte një nga nismëtarët dhe themeluesit e Kishës Shqiptare në Amerikë.

“E ndjejmë për detyrë të numërojmë anëtarët e parë  të kishës, ndihmat morale dhe materiale  të të cilëve bënë të mundur dorëzimin e Fan Nolit si prift dhe hodhën themelet e Kishës sonë kombëtare  që kemi sot” – shkruante V.Miller.

Fan Noli pranoi të dorëzohej prift për motive kombëtare.

Por, edhe këtu kishte një problem, shugurimi i Nolit prift nga një dhespot i një kishe të huaj. Sigurisht, kishat në Amerikë nuk vareshin nga Patriarkana e Stambollit, por kishat ortodokse ruse, serbe e greke, kishin qëndrime të bashkërenduara ndaj çështjes shqiptare, natyrisht edhe ndaj ngritjes së kishës shqiptare.

“Na dolën pengesa të mëdha, – kujtonte  Kristo Kirka. – Porsa e merrte vesh përpjekjen tonë, kisha greke ndërhynte dhe na e prishte. Më në fund, e rregulluam me dhespotin e  kishës ruse në New York. I dhamë disa ndihma për kishën e tij dhe bëmë sikur nuk e kuptuam synimin që kishën tonë ta kishte nën kontrollin e tij. Po punën më të madhe e bëri vetë Noli. Theofani u dorëzua prift sipas të gjitha kanuneve të kishës. Ceremonia e shugurimit prift prej hirësisë së tij, peshkopit Platon, u bë në Mitropolinë  ruse të New York-ut, më 8 mars 1908. Gëzimi ynë ishte i jashtëzakonshëm, sepse në qendër të lëvizjes sonë  u vu shërbestari i devotshëm,  Fan Noli, bashkëvuajtësi ynë, miku ynë dhe modeli ynë për shqiptarizëm e kulturë. E përqafuam uratën tonë, i puthëm dorën dhespotit rus dhe dolëm gjithë gaz e hare. Gëzimi na kishte dhënë krahë dhe na dukej sikur e gjithë bota ishte jona”.[7]

Kristo Kirka bënte pjesë në komisionin përfaqësues të shugurimit të Fan Nolit prift.

“Komisioni që vajti në New York që të dëshmonte dorëzimin e Fan Nolit si prift, përbëhej prej këtyre zotërinjve: Vangjo Miller për koloninë Hudson, Kristo Kirka për koloninë Natick, Sotir Peci për koloninë Boston dhe Spiridon Ilo e Gaqo Dushi për New York-un” – shkruante  gazeta “Liria”  e Boston-it.[8]

Kristoja do t’i përkushtohej seriozisht ngritjes së kishës shqiptare në Amerikë, sepse ai e shihte këtë si pjesë të çështjes sonë kombëtare. Por, për të arritur deri në fund të kësaj udhe të mundimshme, duheshin ende përpjekje.

Le t’ia lemë Kristos t’i rrëfejë vetë :

“U nisëm me tren për në Boston. Në stacionin e trenit kishte dalë një grumbull i madh shqiptarësh, që na priti me me brohoritje. Kish edhe myslimanë mes tyre. S’kishte ndodhur më parë kështu. Shkuam për te kafeneja e Dhorit, ku mblidheshim zakonisht. Ata që na shihnin rrugës,  ndoshta  na  merrnin për të dehur në ndonjë orgji, sepse flisnim me zë të lartë, po prifti ç’donte me ne!? Nolit, veshur me rason e zezë të priftit dhe me kryqin varur në gjoks,  i kishte rënë një nur i bukur shenjtori. Kjo ngjarje ndikoi thellësisht edhe në jetën e tij. Kur arritëm afër kafenesë, më shkuan sytë te disa shqiptarë, si nja dhjetë veta, që i mbanim për grekomanë. Rrinin të ndrojtur e të menduar matanë rrugës. U shkëputa nga grupi, kapërceva rrugën dhe u vajta pranë.

– Po ju, ç’më rrini si hunj! Pse nuk vini të festojmë  bashkë?

– Po, ja…, – mërmëriti njëri.

– Ne vijmë, po a na pranoni? – pyeti një tjetër.

– Ejani, o burra, se të gjithë vëllezër të një gjaku jemi dhe  një mëmëdhe kemi! – u thashë dhe u zgjata dorën. Akulli u shkri. Dy prej tyre u futa krahun dhe hymë së bashku brenda. Ata që ishin ulur, u ngritën dhe u bënë vend. Në krye të  tavolinës së gjatë ishte ulur hirësia e tij, Noli, që rrinte i heshtur dhe i menduar. Ndoshta, s’e kishte menduar ndonjëherë se do të bëhej prift, sepse  nuk besonte në dogmat  dhe në mrekullitë fetare. Besonte në Zot dhe në thelbin human të krishterimit, besonte te forca e njeriut, që mund ta mirësonte botën, besonte tek vetja e tij, që nën petkun e priftit e të predikimeve të tij, mund t’u shërbente shqiptarëve të Amerikës, por edhe të Shqipërisë, për të hyrë në rrugën e  përlindjes dhe të qytetërimit.

Dhori, që njihej si inatçi, m’u afrua dhe më tha mënjanë:

– Po këta grekomanë, ç’m’i solle këtu?

– Dhori, – i fola me qortim, – këta janë  të mashtruar ose të paditur. Po janë shqiptarë, ama! Është detyra jonë t’i afrojmë, t’u hapim sytë  dhe t’i bindim të ndërrojnë udhë. Tani që do të kemi kishën tonë, priftin tonë, të cilin e njohin dhe e respektojnë të gjithë, e kemi më të lehtë të merremi vesh dhe të bashkohemi. Shqipëria nuk është vetëm  jona, është e të gjithë shqiptarëve. Ti dhe unë e ca të tjerë, edhe fuqi të mbinatyrshme të kemi, nuk e bëjmë dot vetëm Shqipërinë. Do ta bëjmë së bashku.

Dhori  tundi kokën, po nuk u bind plotësisht.

– Atyre u kanë hedhur trutë e gomarit, – tha nëpër dhëmbë dhe u largua.

Natyrisht duhej punë bindëse me ta dhe me shumë të tjerë që i kishte verbuar propaganda greke. Po këtë punë ringjalljeje, më mirë se ne, do ta bënte kisha jonë dhe hirësia e tij Fan Noli, që shquhej për një gojëtari të rrallë dhe magjepsëse”. [9]

Komisioni për themelimin e kishës shqiptare bëri një punë të madhe për të ngritur e kompletuar ndërtesën e kishës, e cila kërkonte mjaft shpenzime, për ta bërë  të njohur e të frekuentuar për shqiptarët dhe për ta vënë atë në shërbim të tyre.

“Tani që kishim priftin, duhej edhe kisha, kështu që iu përveshëm punës për ta bërë. Ne që ishim nismëtarët, filluam të shkonim konak më konak për të mbledhur paratë e nevojshme. Në shumicën e rasteve,  jepnin ndihmën që duhej, por kishte raste kur na shmangeshin. Të gjithë kishin vajtur në kurbet për të bërë prokopi dhe për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri, ndaj edhe kursenin shumë, deri tek ushqimi. Kështu që, me gjithë dëshirën e mirë për të ndihmuar, duhet të vinje disa herë deri sa t’ua shkëpusnje dollarët, që i nxirrnin me mund e djersë. Më në fund, ia arritëm qëllimit: të hollat i mblodhëm dhe kishën e bëmë. Biseduam disa herë sesi do ta quanim dhe të gjithë dhanë proponime  të ndryshme. Noli shfaqi mejtimin që të quhej “Kisha e Shën Gjergjit”. Ky shenjt, paraqitet nëpër ikona si një kalorës i krishtërimit, i hipur sipër kalit të ngritur kas, që vret gjarprin gojëjëhapur, i cili zvarritej drejt njerëzve. Kjo ishte një alegori fort e goditur për Shqipërinë, shpëtimtarin e saj dhe armiqtë, që e kërcënonin. Po, proponimi i Emzot Nolit, lidhej më së shumti me emrin e Gjergj Kastriotit, kalorësin dhe mbrojtësin e qytetërimit evropian. Ndërkohë, ai kishte përkthyer nga greqishtja  pjesë të Ungjillit që duheshin për shërbesat fetare, si edhe kishte kompozuar muzikë kishëtare, që do të shoqëronte ritet fetare.

Dhe ja, ajo ditë e bekuar, aq e shumëpritur, erdhi. Atë të diel, të datës 22 mars 1908, në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, u mblodhën me qindra shqiptarë. Erdhën nga çdo anë e Amerikës. Ishin të gëzuar, por edhe të tronditur, sepse po përjetonin një ngjarje të madhe. Tingujt e kambanës na ftonin t’i faleshim perëndisë në gjuhën tonë, por edhe të ndjeheshim shqiptarë, të bashkuar e të mbrojtur. Dalëngadalë, me qetësi e rregull, u futëm brenda. Ishim aq shumë, saqë, ndonëse të shtrënguar me njeri-tjetrin, mjaft besimtarë mbetën jashtë. Rrinim të heshtur, të tendosur dhe me dridhje në zemër. Nën dritën e qirinjve, doli prifti Theofan, i veshur me rroba të reja ceremoniale. Dukej si një Mesi, i dërguar nga Zoti. Me zërin e tij të dridhshëm e të qartë si drita e diellit, ai nisi të meshonte. Të gjithë ishim shtangur dhe po dëgjonim si të ngrirë, pothuajse pa marrë frymë. Për herë të parë  po dëgjonim meshë në gjuhën tonë dhe po kuptonim fjalët e Ungjilit, ato fjalë plagëshëruese dhe ngushëlluese, që predikonin dashuri për njëri-tjetrin, paqe dhe mirësi, falje për të penduarit  dhe mëshirë për mëkatarët. Deri atëherë faleshim dhe e bënim kryqin, pa kuptuar asgjë nga ato që thoshin priftërinjtë grekë. Ndërsa atë të diel, e përjetuam thellë atë meshë në gjuhën shqipe. Ishim të mallëngjyer e të përlotur, ishim më të mirë dhe më afër Perëndisë. Kur mbaroi mesha, njëri tha: “Ç’fjalë hyjnore, që të hyjnë drejt e në zemër!”. Një tjetër, që ishte grekoman, mërmëriste: “Tashi e ndjej veten shqiptar, siç kam lindur”. I vura dorën në sup. “Ashtu ndihemi të gjithë sot. Po duhet të ndihemi shqiptarë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë”- i thashë. “E ku e dinim ne të gjorët! Na thoshin që greqishtja  ishte gjuha e Zotit dhe se kush punonte kundër Greqisë, vepronte  kundër Perëndisë. Po tani e kuptuam të vërtetën”- m’u përgjigj. Më preku sinqeriteti i tij dhe ne u bëmë miq. Po puna nuk mbaroi këtu. Ne, të komisionit kishëtar, vendosëm që në çdo qytet, ku kishte një numër të mjaftueshëm shqiptarësh, të ngrinim kishën shqiptare. Kaluan vite plot lodhje e mundime dhe ne arritëm të ngrinim mjaft kisha të tilla, që  t’u shërbenin komuniteteve shqiptare. Por nuk ishim të kënaqur, as të qetë, sepse na hante një merak i madh:  kur do të arrinim që këtë gjë ta bënim edhe në Shqipëri? Në atë kohë atdheu ynë vuante nën një robëri të dyfishtë:  sundimit osman dhe sundimit të kishës greke. Kur do ta hidhnin tutje shqiptarët këtë robëri?”[10]

Hapi i parë u bë në Amerikë.

“Themelimi i Kishës Kombëtare Shqiptare në Amerikë më vitin 1908, ishte ngjarja më e madhe në historinë e emigracionit shqiptar para themelimit të “Vatrës”. Ajo ndihmoi shumë për zhvillimin në kah pozitiv të lëvizjes kombëtare dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për themelimin e “Vatrës”. [11]

Ndërkohë, kisha shqiptare dhe imzot Noli, ndihmuan mjaft në gjendjen shpirtërore të shqiptarëve, por edhe në lehtësimin e jetës së tyre në SHBA. Njëherësh, edhe në bashkimin, shkuarjen  dhe veprimtarinë e shqiptarëve atje.

Por ajo çka ishte më e rëndësishme në rang kombëtar, Kisha e shqiptarëve të Amerikës u bë gur themeli dhe faktor kryesor në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri. Ja ç’mesazh kishte për shqiptarët Kristo Kirka në vitin 1909:

“Kisha kombëtare ortodokse “Shën Gjergji” vajti shumë përpara n’Amerikë dhe, pothuaj, s’mbeti qytet a fshat ku ndodhen shqiptarët, që të mos ketë dëgjuar meshë edhe predikim shqip. Që nga Saint Louis e gjer në New York, që nga Philadelphia  e gjer në Lewistown, më prifti i shqiptarëve, Fan Noli, u prit me gas në zemër dhe, megjithëse moti ishte nga më të varfërit, ndihmat që iu dhanë nga shqiptarët e Amerikës, ishin fort të mëdha.  Por ajo që na çudit më tepër nga të gjitha, është moslëvizja kishëtare brenda në Shqipëri. Shqipëtarët ortodoksë të Shqipërisë s’bënë gjë gjer më sot që të rrëfejnë se  duan që gjuha e tyre të futet zyrtarisht në kishat ortodokse. Duhet të kuptohet që, vetëm duke thirrur nëpër kafenetë dhe duke shkruar artikuj të zjarrtë kundër Patriarkanës nëpër gazeta, nuku ndreqet gjë, por duhet veprim me methodë dhe organizim. Duhet të bëhet një kongres ortodoks shqiptar në Korçë a n’Elbasan, ku të ketë delegatë nga gjithë anët e Shqipërisë e të vendosë dhe s’andejmi të dërgohet një peticie në Patriarkanë për kërkimet tona. Për këtë, duhet të përpiqet komisioni kishëtar i këtushmë, i cili të merret vesh  edhe me ortodoksët atdhetarë të brendshëm e të jashtëm. Kështu që Patriarkana të mos thotë , siç i tha një korespondenti të një gazete europiane se  shqiptarët ortodoksë s’i kanë kërkuar gjë deri tani”.[12]

Kristoja kishte të drejtë, sepse në vitet 1908-1909, kur u shpall konstitucioni xhonturk, u krijuan mundësitë edhe në Shqipëri për çeljen e shkollave shqipe e të klubeve kulturorë, të kongreseve kombëtarë  e kulturorë, si ai i alfabetit në Manastir dhe ai i arsimit në Elbasan. Mund e duhej të krijohej edhe një lëvizje kombëtare për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe predikimin e saj në gjuhën shqipe.

 

[1] Gazeta “Liria”,SHBA,korrik 1986

[2] Vangjo Miller, atdhetar shqiptar, sekretar i Kishës shqiptare në Boston dhe inspektor i Federatës “Vatra”

[3] N.Kirka, Për Mëmëdhenë.

[4] Gazeta Liria , SHBA, korrik 1986

[5] N.Kirka, Për Mëmëdhenë.

[6] Gazeta “Liria” SHBA, korrik 1986

[7] N. Kirka, Për Mëmëdhenë

[8] Gazeta Liria, Boston, 1986

[9] N.Kirka, Për Mëmëdhenë

[10] Po aty

[11] B.Meta, Shoqëria Panshqiptare Vatra.

[12] Gazeta “Dielli” mars 1909

*(U botua ne numrin special te Gazetes DIELLI ne SHBA me 28 Nnetor 2015. Marre nag Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka”, liber qe fitoi cmimin Pena e Argjendte.

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: Kristo Kirka, ne Amerike, Themelet e kishës shqiptare, Uran Butka

ATDHETARIA SHQIPTARE- RRËNJËT DHE FUNKSIONI I SAJ SHOQËROR

December 4, 2015 by dgreca

Nelson R. Çabej*/

Atdhetaria dhe nacionalizmi janë dy terma që janë përdorur e madje përdoren edhe sot anëkëmbyeshëm sepse të dy nënkuptojnë thelbërisht lidhjen e njeriut me atdheun, dashurinë dhe vullnetin për të punuar për të mirën e tij e për ta mbrojtur atë.Krijimi i shteteve kombëtare në Europë gjatë dy shekujve të fundit është rezultat i ideologjisë nacionaliste dhe veprimit politik të frymëzuar prej saj. Në kohën tonë, si rrjedhim i luftrave të lidhura me stuhitë nacionaliste që përfshinë Europën, sidomos dy luftrat botërore të shekullit të kaluar, termi nacionalizëm, ka marrë ndonjëherë ngjyrë të papëlqyeshme politike, andaj, në vënd të tij, shumë herë përdoret termi atdhetari për të përshkruar një formë më të pranueshme të nacionalizmit. Për këtë arsye në këtë shkrim, në përputhje me këtë prirje të kohës, do të përdoret termi atdhetarí, edhe pse lëvizja që shpuri në formimin e shtetit kombëtar të shqiptarëve në 28 nëntor 1912, ashtu si dhe lëvizjet analoge që shpunë në themelimin e shteteve të tjera kombëtare në Europë e në botë, njihen përgjithësisht si lëvizje nacionaliste.

Për mendimin materialist marksist, atdhetaria buron nga përputhja e interesave individuale me vëndin në të cilin jeton njeriu e, rrjedhimisht, atdheu i përket klasave sunduese që kanë pronësinë mbi mjetet e prodhimit, koncept që është mishëruar në aforizmën marksiste: “Proletarët nuk kanë atdhe”. Sipas këtij koncepti, klasat e shfrytëzuara, në kushtet e shoqërive shfrytëzuese, kanë vetëm iluzionin e atdheut dhe atdhetaria e tyre bazohet mbi atë iluzion. Historia e ka hedhur poshtë këtë qëndrim thjeshtëzues, të njëanshëm e të gabuar dhe, në kundërshtim me të, ka provuar rolin faktorëve psiko-emocionale dhe të ndjenjës natyrore të identitetit etnik të popullit, që gjënden në themel të atdhetarisë.

Atdhetaria nuk është ideologji; ajo nuk krijohet dhe formulohet nga ideologët, po lind vetiu në popull nga burime të vetdishme e të pavetdishme. Ajo është një, ndërkohë që ideologjitë që shoqëria mund të përvetësojë e të vëjë në jetë janë të shumta, e rrjedhimisht nuk mund të jenë të gjitha të drejta. Ndryshe nga ideologjia, atdhetaria është diçka më e thellë, ideale dhe e vetvetishme, që nuk ka nevojë të mësohet apo të induktohet, ndonëse mund të ndikohet nga ideologjia mbizotëruese. Ajo në thelbin e vet është ideal, që nuk buron nga ndonje ide, por përkundrazi ajo vetë është burim idesh dhe veprimesh të shumllojshme, politike, shoqërore, ekonomike, etj..

Si dashuri e njeriut për vëndin e popullin e vet, atdhetaria është element i pazëvëndësueshëm i mbijetesës së tij përballë valëve të paparashikueshme historike që kanë fshirë nga faqja e dheut popuj e kultura të tëra. Atdhetari mbetet atdhetar dhe vazhdon ta njësojë veten me vëndin e tij edhe kur ka kritika serioze për gjëndjen dhe për politikën e vëndit të tij, sepse ai e njëjson veten jo me vëndin siç është, por me atdheun siç duhet të jetë dhe si e dëshiron ta shohë; sepse ai është i bindur se gjëndja mund të përmirësohet dhe kjo e shtyn atdhetarin të punojë për atë qëllim. Ai mbetet atdhetar sepse në mënyrë të pavetdishme ndan politikën shtetërore edhe kur ajo është e gabuar, nga atdheu, që mbetet gjithënjë ”i shënjtë”.

1- Atdhetaria shqiptare

 Atdhtaria e shqiptarit buron nga ndjenja e lidhjes së ngushtë të tij me Shqipërinë, që shprehet në formën e dashurisë, nderimit dhe respektit të tij për atdheun dhe bashkësinë shqiptare, por dhe nw respektin dhe nderimin e atdheut për bijtë e tij, që ka gjetur shprehjen klasike në fjalën e urtw shqipe:

”Guri i rëndë në vënd të vet”

dhe Çajupi e gdhëndi në vargjet:

Në ç’vend kemi lerë ?

Ku na bëjnë nderë?

Në Shqipëri. ”

Atdhetaria e lidh shqiptarin jo vetëm me shqiptarët dhe Shqipërinë e sotme por edhe me historinë e saj, me gjuhën shqipe, me të gjitha traditat dhe kulturën shqiptare. Ajo ështe nyje që e lidh atw me luftën dhe kujtimin të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e të mirën e Shqipërisë në histori.

Në nivel individual, atdhetaria buron nga detyrimi moral që ka çdo njeri për t’ia shpërblyer vendit të vet atë që i ka dhënë, gjuhën, kulturën, traditën, afeksionet e dashurinë që ka marrë e ka dhuruar, kujtimet për to, si dhe ‘qoshen’ që i bëri në këtë botë, por edhe diçka më sublime, frymëzuese dhe ideale, që është e vështirë për t’u shprehur, që lidh njeriun me vëndin e tij të lindjes. Këtë detyrim moral duket se kishte parasysh John Kennedy kur porosiste: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vëndi im për mua, por ç’farë mund të bëj unë për vëndin tim”.

Këtë detyrim moral ndaj Atdheut e gjejmë të shprehur, në një frymë poetike e idealiste, edhe te Naimi i Madh

”Ti Shqipëri më ep nderë,

Më ep emrin Shqipëtar”.

Por për shumë shqiptarë të pafajshëm, me atdheun, me vëndin ku lindën e u rritën lidhen edhe vuajtje njerëzore, fatkeqësi dhe keqtrajtime të motivuara politikisht. Megjithatë shumica e këtyre njerëzve është e prirur t’i ndajë ato nga atdheu dhe t’i lidhë, ashtu siç duhet, me ideologjitë politike dhe sistemet e ngritura mbi to. Është për këtë arsye që atdhetarët e vërtetë nuk ia veshin Atdheut fajet e sistemit, të partisë apo të grupit politik sundues.

Dashuria për Shqipërinë, njësimi e vetes me të, shqetsimi për problemet shqiptare, besnikëria dhe vullneti për të sakrifikuar dhe mbrojtur Shqipërinë, janë tipare themelore të atdhetarisë shqiptare. E përkufizuar si më sipër, ajo qëndron mbi qytetarinë e thjeshtë, që nënkupton zbatimin e ligjit në marrëdheniet me qytetarët e tjerë dhe me shtetin. Ajo shtron edhe detyrime morale të individit ndaj shoqërisë dhe atdheut që tejkalojnë kërkesat e ligjit shtetëror. Në këtë kuptim ajo qëndron më lart se sa qytetaria dhe morali atdhetar qëndron më lart se sa morali i mishëruar në ligj.

Edhe nacionalizmi rilindas dhe frymën nacionaliste pasrilindase, kanë qënë gjithënjë moralisht të drejtë, në kuptimin që në asnjë dokument, veprim a qëndrim të shtetit shqiptar, gjatë një shekulli të ekzistencës së tij, nuk gjëndet ndonjë gjurmë shovinizmi, revanshi apo pretendimi për troje shqiptare të humbura në të shkuarën e largët historike, si ato që, fatkeqësisht, gjënden në dokumente dhe veprime agresive popujsh e kombesh të tjerë.

Atdhetaria në përgjithësi, nuk është ndodhi, por process që evoluon në kohë. Si proces historik ajo ka evoluar nga një dashuri e lidhje e gjithanshme shpirtërore e një bashkësije njerëzish të lidhur nga prejardhja, gjuha, doket e kultura e përbashkët, në një dashuri mbifisnore nw Lashtwsi dhe Mesjetw, deri sa shfaqet në formën ë saj të plotë si atdhetari shqiptare me nacionalizmin shqiptar në shekullin XIX, kur lindi ideja dhe nisi lëvizja për bashkim kombëtar dhe themelimin e një shteti të pavarur shqiptar. Energjia e pashtershme e saj u shfrytëzua e u kanalizua nga Rilindasit tanë në luftën për pavarësi kombëtare.

Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, kjo atdhetaria rilindase fitoi edhe një tipar të ri, atë të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Në kohën tonë ajo ka evoluar dhe është rritur cilësisht në shumë drejtime. Ajo sot përfshin jo vetwm parimet e demokracisë shqiptare, por dhe solidartitetin e popullit tonë me popujt e tjerë të Europës e të botës, për të dalë deri në aspiratën më të re të shqiptarëve për tu bashkuar me popujt e tjerë europianë në gjirin e Bashkimit Europian.

Ajo është larg njw atdhetaríje tw verbër, që të miratojë çdo veprim apo qëndrim të qeverive shqiptare, vetëm e vetëm pse janë qeveri shqiptare. Në kohë paqeje ajo frymwzon ide dhe veprime konstruktive, sheh nw në mënyrë objektive dhe kritike politikën e brëndshme e të jashtme të qeverive shqiptare. Sepse qeveria nuk është Shqipëria, por është vetëm një organizëm politik i caktuar për ta përfaqësuar atë përkohësisht. Kështu, atdhetarët shqiptarë para luftës së dytë botërore luftuan kundër politikave antidemokratike të shtetit shqiptar dhe pas luftës së dytë botërore dolën haptas kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Atdhetarët shqiptarë e vazhduan këtë luftë edhe në mërgim dhe vetë gazeta ”Vatra”, që nga fillimi mbeti vatër e vërtetë e atdhetarisë shqiptare dhe luftëtare e paepur për vendosjen e demokracisë në Shqipëri gjatë tërë periudhës së sundimit komunist. Edhe në ditët tona, atdhetaria shqiptare nuk nënkupton besnikërinë pa kushte ndaj politikave zyrtare të Shqipërisë e të Kosovës. Ajo nuk i pengon shqiptarët të kritikojnë e të demonstrojnë hapët kundër politikave të brëndshme e të jashtme, që mund të bien në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.

Shqiptarët sot kërkojnë që barazinë e tyre para ligjit ta shohin jo vetëm të shkruar në kushtetute, por ta prekin e ta gëzojnë në jetë dhe kjo nuk do të arrihet pa krijuar shtetin e ligjit, pa i dhënë fund korrupsionit të shfrenuar që është bërë një litar në fytin e popullit shqiptar.

Përgjegjësia morale për mbrojtjen e interesave të minoriteteve të njohura e të panjohura zyrtarisht të shqiptarëvë dhe të farës shqiptare të përhapur nëpër botë është e pandashme nga atdhetaria shqiptare. E po kështu ajo nënkupton edhe solidaritetin dhe miqësinë me popujt e tjerë, e posaçërisht me ata fqinjë, italian, grek, serb e maqedon, fakt që ka gjetur shprehjen konkrete në njohjen shëmbullore të minoriteteve kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre si në Shqipëri dhe në Kosovë..

Atdhetaria shqiptare nënkupton drejtësinë edhe në marrëdhëniet me popujt e vendet fqinje dhe nuk vë interesat kombëtare shqiptare mbi të drejtën e popujve të tjerë të njohur nga e drejta ndërkombëtare. Ajo nuk pranon shkeljen e së drejtës se ndonjë populli tjetër për hir të ‘idealit kombëtar shqiptar’. Për të është i huaj revanshi dhe hakmarrja primitive. Ne nuk ëndërojmë të kthehemi t’u bëjmë fqinjve ato që kanë bërë ata kundër nesh. Nga kjo pikëpamje, ne shqiptarët mund të jemi krenarë për pozitën e lartë morale nga e cila e shohim kontinentin tonë dhe botën.

Atdhetaria e bazuar në epërsinë reale ose të perceptuar të popullit tënd mbi të tjerët, ideja ”popullit të zgjedhur”, frymëzon racizmin, agresion, pushtimin dhe nënshtrimin e popujve ”jo të zgjedhur”. Duke përligjur dhunën dhe krimin e genocidin ndaj popujve të tjerë, ajo ka pasur pasoja të rënda e, në ndonjë rast, katastrofike për njerëzimin. Kushdo që njeh historinë e shqiptarëve, e di mirë se shqiptarët ashtu si në çdo kohë, edhe sot janë të lirë nga ndjenja të tilla nënnjerëzore.

Dashuria e shqiptarëve për atdheun e tyre buron nga ndjenja e prejardhjes, gjuhës, kulturës, dokeve, miteve dhe historisë së përbashkët të tyre. Ajo nuk lidhet në mënyrë të posaçme me ndonjë ideologji politike të djathtë ose të majtë dhe, si një entitet moral qëndron mbi çdo ideologji politike dhe fetare, sepse gjen jehonë në të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga degëzimi politik apo fetar të cilit i përkasin. Kjo ndjenjë e thellë e shqiptarisë është magneti i fuqishëm që lidh në mënyrë të pandashme shqiptarët e të gjitha trojeve, pavarësisht nga bindjet politike dhe fetare në një atom të pandashem etnik.

Duke tejkaluar mentalitetin e kohës, rilindasi i madh, Pashko Vasa e formuloi më shume se një shekull më parë rolin e shqiptarisë si ideja më e fuqishme e bashkimit mbarëshqiptar në thënien monumentale ”Feja e shqyptarit a shqyptaria”.

2- Ideali i lirisë dhe ideali kombëtar

Ashtu si liria e individit është një e drejtë e lindur e qënies njerëzore, edhe liria e cdo bashkësije njerëzore, duke përfshirë bashkësitë kombëtare të popujve, është gjëndja natyrore e çdo populli. Liria e një populli nuk mund të arrihet pa një shtet të pavarur kombëtar sepse vetëm një shtet kombëtar i krijon popullit mundësinë të bëhet zot i fateve të tij. Duke u ndodhur për shekuj të gjatë nën sundime të huaja, çlirimi nga ato sundime ka qënë gjithënjë ideal i shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre iliro-arbërorë. Ai ideal ishte forca shtytëse e luftrave të paprera çlirimtare të tyre. Që ai ideal nuk u shua ndonjëherë, këtë e dëshmon fakti që trojet shqiptare kanë qënë vatrat më të nxehta të luftrave kundër sundimeve perandorake në Ballkan për thuajse 20 shekuj. Atë ideal të lirisë ndër shqiptarët e gjeti të gjallë në shekullin XV Skenderbeu, siç e ka shprehur në fjalën e tij me rastin e kthimit në atdhe më 1443:

”Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në zemrat tuaja”

Në kohën tonë ideali kombëtar përfshin edhe ruajtjen dhe zhvilllimin e demokracisë, pa të cilën nuk mund të ketë liri të vërtetë.Ndërsa atdhetaria shqiptare është element i pandashëm i formimit të etnosit arbëror/shqiptar, ideali kombëtar është një dukuri e mëvonshme. Është e vërtetë se përpjekje për formim shtetesh kombëtarë arbërore/shqiptare pati, të paktën që nga periudha e mesjetës së mesme, siç provohet nga formimi i Shtetit të Arbrit në shekullin XII-XIII dhe despotatet shqiptare tw Epirit në shekujt XIV-XV, por ato shtete, si dhe shtete të tjera të Europës, nuk kapërcyen dot mentalitetin e copëzimit feudal mesjetar, që kërkonte themelimi i shteteve kombëtare. Objektivisht, kjo ishte një detyrë historike që as mund të shtrohej, le pastaj të realizohej, para se të arrihej një stad më i lartë i vetëdijes kombëtare, por edhe një dobësim i pushtetit qëndror perandorak osman, siç ndodhi nga fillimi i shekullit XIX.

Ideali kombëtar i rilindasve shqiptarë, ideja e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar, është i lidhur ngushtë me atdhetarinë shqiptare. Ai bashkëpuqet në kohë me lëvizjen popullore antiosmane që nxitën reformat e Tanzimatit, të cilat i paraprinë asaj ose bashkërendën me të, duke filluar nga mesi i shekullit XIX. Së jashtëmi ai ideal u favorizua dhe frymëzua nga era e levizjeve nacionaliste dhe formimi i shteteve kombëtarë, që kishte përfshirë Europën e Ballkanin në atë kohë.

Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor 1912, u realizua pjesërisht ideali kombëtar i Rilindjes që ishte shpëtimi nga kërcënimi i ndarjes së trojeve shqiptare midis shtetevet fqinjë, që do të ishtë faza e parë e asimilimit etnik dhe e zhdukjes sw popullit e kombit shqiptar. Krijimi i atij shteti, në të cilin rolin vendimtar e luajti fryma atdhetare dhe lëvizjet e armatosura popullore për liri, ishte kurorëzimi i punës së madhe dhe të mënçur të Rilindasve shqiptarë.

Sot, pas një periudhe njëshekullore të konsolidimit dhe rrënjëzimit të shtetit shqiptar dhe me fitimin e pavarësisë së Kosovës, ideali kombëtar shpall dhe kërkon bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, në përputhje me një parim themelor të politikës europiane të së drejtës së popujve për vetvendosje të sanksionuar edhe ne Kartën e Kombeve të Bashkuara..

Ideali shqiptar, bashkimi i tërë shqiptarëve në trojet e tyre etnike në një shtet të vetëm kombëtar sot është Ylli polar dhe frymëmarrja e atdhetarisë dhe e kombit shqiptar. Një komb pa ideal, në botën e sotme është i destinuar të zhduket herët ose vonë në mënyrë të pashmangshme, edhe vetëm së brëndëshmi, pa ndikimin e faktorëve të jashtëm.

3- Rrënjët historike të atdhetarisë shqiptare

Atdhetaria shqiptare është fruti i një procesi që i ka rrënjët thellë në historinë e popullit tonë. Ne jemi pasardhësit e ilirëve, banorëve të Ballkanit perëndimor, që shtriheshin nga Lumi Sava dhe Danubi në veri deri në Gjirin e Artës.

Natyrisht ne nuk mund të themi se ilirët e Lashtësisë kishin një koncept mbi bashkësinë e madhe ilire së cilës i përkisnin, por, si çdo bashkësi njerëzore ata kishin vetëdijen ‘Ne’, një vetëdije etnike të bazuar në gjuhën që flitej në fis e në bashkësinë e fiseve që ata arrinin të perceptonin.

Krijimi i shteteve ilire të ardianëve me Agronin, Teutën e Gentin dhe të Epirit, sidomos nën sundimin e Piros së Epirit, që arritën të luajnë nje rol politiko-ushtarak të sërës mesdhetare, por edhe të shtetit të fuqishëm të Dardanëve, na japin të kuptojmë se, që në ato kohë, të parët tanë iliro-epirotë kishin zhvilluar një vetëdije etnike mbifisnore si një kusht thelbësor i formimit të shteteve mbifisnore mbi baza etnike (me gjuhë, doke, mite dhe kulturë të përbashkët). Mbretëresha Teuta u fliste të deleguarve romake për të drejtat detare dokësore të shtetasve të saj, të cilët u përkisnin një numri fisesh të Ilirisë së Jugut dhe në ushtrine e tij Pirua kishte ushtarë jo vetëm nga fisi i tij molos, por edhe nga fiset dhe nënfiset e kaonëve dhe të thesprotëve. Kryengritjet e mëdha shumëfisnore të ilirëve kundër Romës flasin po ashtu në të mirë të ekzistencës së një vetëdije mbifisnore ilire edhe në rajonet veriore të Ilirisë.

Shteti i parë shqiptar, Shteti i Arbrit nga fillimi i shekullit XIII dhe despotatet (mbretëritë) epirote të sundimtareve shqiptare Peter Liosha, Gjin Bua Shpata dhe Gjin Zenebishi në shekujt XIV-XV, u krijuan mbi një bazë etnike arbërore, ndonëse dy prijsat e parë i zgjeruan kufijtë edhe në territore të banuara pjesërisht nga popullsi greke. Krijimi i këtyre shteteve shqiptare relativisht të mëdha, brenda kufijve të perandorisë Bizantine dhe në kushtet e copëzimit feudal, tregonte se vetëdija mbifisnore ”Ne” ishte zgjeruar në drejtim të një koncepti panarbëror.

Shumë shpejt pas formimit të këtyre shteteve shqiptare, nga mesi i shekullit XV, heroi kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu bëri përpjekjen e parë për të bashkuar të gjithë shqiptarët në luftën kundër pushtimit osman me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës të vitit 1444. Megjithatë, ky bashkim panarbëror nuk u krye plotësisht sepse tanimë një pjesw e madhe e teritoreve shqiptare të Shqipërisë së jugut (thuajse tërë territoret e ish provincës romake Epirus vetus, nga Vjosa deri në gjirin e Artës) kishin rënë nën sundimin osman. Por Lidhja e Lezhës, edhe pse nuk përfshiu dot tërë krahinat dhe prijsat feudalë shqiptarë, ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të kapërcimit të copëzimit feudal dhe krijimit të një vetëdije ‘Ne’ panarbërore

Edhe pas pushtimit osman të trojeve shqiptare, pishtari i lirisë që mbajti ndezur për një çerek-shekulli lufta heroike e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut nuk u shua. Pushtimi i ri nuk shënoi shuarjen ndwr shqiptarët as të dëshirës për të fituar lirinë, as të përpjekjeve të tyre të armatosura antiosmane.

Edhe pse krijimi i shtetit (vilajetit) shqiptar përkohësisht të pavarur të Ali Pashë Tepelenës, në një kohë kur nacionalizmi në Europe kishte dalë si një forcë madhore e ndryshimit politik, nuk shpuri në një ngjallje të pritshme të nacionalizmit në Shqipëri, ai i dha një impuls emocional vetëdijes kombëtare shqiptare. Shkaqet e kësaj daljeje të vonuar të shqiptarëve në skenwn e nacionalizmit europian nuk lidhen me izolimin kulturor të Shqipërisë nga Europa Perëndimore më shumë se sa me demografinë fetare të Shqipërisë së asaj kohe.

Fati historik, dhe jo dëshira e shqiptarëve, bëri që pas skizmës së shekullit X, rivaliteti midis Romës dhe Bizantit në pjesën perëndimore të Ballkanit, popullsia shqiptare të ndahej thuajse në mes në një zone katolike në veri të vëndit dhe ortodokse bizantine në jug. Kjo ndarje ishte, mbase, shkaku vendimtar i ‘paaftësisë’ së shqiptarëve për të formuar një kishë të pavarur kombëtare ashtu siç kishin bërë bullgarët, sërbët e, në shekullin XIX edhe grekët. Përhapja më vonë e islamit në një pjesë të trojeve shqiptare thelloi ndarjen fetare në Shqipëri. Kjo ndarje e madhe fetare, ndalimi i shkollave shqipe dhe mungesa e njw Kishe kombëtare në trojet shqiptare gjatë shjekujve tw sundimit osman la truall të lirë për depërtimin në jug të Shqipërisë të gjuhës greke nëpërmjet Kishës autoqefale greke dhe shkollave greqisht, që shpunë në adoptimin gradual të greqishtes paralel me humbjen e shqipes dhe të vetëdijes etnike shqiptare nga segmente të konsiderueshme të popullsisë shqiptare, në territoret e ish provincës romake Epirus vetus, nga Gjiri i Artës deri në lumin Vjosa.Lidhja e ngushtë shpirtërore me vëndin dhe traditën e tij kulturore, ndonjëherë e cilësuar gabimisht si konservatorizëm, ka qënë një nga faktorët më të rëndësishëm të mbijeteses së shqiptarëve. Mbijetesa e habitshme këtij populli, që ka ruajtur identitetin e vet etnik duke u ndodhur për rreth 15 shekuj në epiqendrën e trysnisë helenizuese e sidomos romanizuese, përballë të cilave u shuan identitetet etnike te dhjetra popujve dhe kombeve të Europës, i ka shpurë ndonjëherë edhe dijetarë objektivë (jo vetëm ata shovinistë), në idenë e gabuar dhe të hedhur poshtë historikisht se shqiptarët mund të kenë ardhur dukur në mesjetë në trojet e tyre të sotme.

Dalja e prijsave feudalë shqiptarë në krye të vilajeteve të mëdha të Janinës e të Shkodrës, Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjve, mund të ketë krijuar ndër shqiptarët një mirazh çlirimi nga zgjedha turke, duke lehtësuar dhe forcuar kështu pushtetin e tyre në atë shkallë që i dha mundësi, Aliut t’i kundërvihej haptas pushtetit qëndror osman dhe të sundonte praktikisht në mënyrë të pavarur nga Sulltani. Ndërhyrja ushtarake osmane e mbyti në embrion shtetin e pavarur protokombëtar të Aliut. Por nuk do të ishte shumë e guximshme të mendohej se, edhe pas dështimit, ai shtet kontribuoi për zgjimin në vetëdijen e shqiptarëve të idealit kombëtar, në idenë se një shtet i përbashkët i tërë shqiptarëve ishte brënda mbretërisë së gjërave të mundëshme.

Kjo duket se gjen mbështetje dhe në faktin se menjëherë pas rënies së shtetit të Aliut (1822), në vitin 1828, gjyshi i Ismail Qemalit, kreut të shtetit të ardhshëm të pavarur shqiptar, u kërkonte disa feudalëve të tjerë shqiptarë të mos mirrnin pjesë në shtypjen e revolucionit grek, por të kujdeseshin për të ardhmen e vëndit të tyre. Besëlidhja e Beratit e feudalëve shqiptarë në nëntor 1828, për të mos u vënë në shërbim të politikës osmane dhe për të rifituar vetëqeverisjen e humbur me rënien e shtetit të Ali Pashë Tepelenës, tregonte se ideja a krijimit të një shteti të pavarur shqiptar ishte ende gjallë.

Megjithatë, si dokumenti i parë që tregon se në vetëdijen etnike të shqiptareve ”Shqipëria” po ngrihej në formën e një koncepti politik dhe atdhe i përbashkët i shqiptarëve është kënga e mirënjohur popullore për kryengritjet e mëdha kundër reformës së taksave të Tanzimatit që u shpall me ediktin e vitit 1839 të Sulltan Mahmutit II:

”-Pse lufton a derëzi,

– As për mua as për ti,

Po për gjithëShqipëri.”

….që u bë manifest politik i kryengritjeve kundër asaj reforme ekonomike osmane.Kjo këngë popullore tregon sheshit se shpëtimi i Shqipërisë në kohën e kryengritjeve të Tanzimatit ishte bërë ideal kombetar i popullit shqiptar. Nw po këtë kohë, në vitin 1844, Naum Bredhi (Veqilharxhi) hartoi ”alfabetin e Vithkuqit” me 33 gërma dhe botoi abetaren Evëtori Shqip Fort i Shkurtër për të shkruar shqip e për të mësuar gjuhën shqipe, edhe pse ligji lejonte mësimin në shkolla vetëm të turqishtes dhe të greqishtes. Me sa dihet, kjo ishte ngjarja e pare ne frontin kulturor e Rilindjes sonw kombwtare. Këto dy ngjarje mund të konsiderohen si bërthama rreth së cilës u mbështollën shtresat e ortekut të zhvillimeve të mëvonëshme politiko-kulturore të Rilindjes Kombëtare shqiptare, që i dhanë formën nacionalizmit shqiptar dhe bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.

Nacionalizmi, si kudo në botë, edhe në Shqipëri nuk ka qënë i përsosur, por ajo që mund të thotë me siguri kushdo që njeh historinë e nacionalizmit/atdhetarisë shqiptare është se ai nuk u moleps ndonjëherë nga elemente shoviniste, ekspansioniste ose imperialiste, siç ndodhi në ndonjë vënd tjetër. Ai lindi e u zhvillua si një lëvizje për shpëtim kombëtar, në një periudhë kritike që rezikonte zhdukjen e kombësisë shqiptare dhe u bë nje instrument politik i pazëvëndësueshëm për bashkimin kombëtar, fitoren e pavarësisë dhe themelimin e shtetit modern shqiptar.

Krerët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare shfrytëzuan për nevojat ideologjike të nacionalizmit shqiptar burimet historike dhe albanologjike të kohës për prejardhjen e lashtë iliro-pellazgjike dhe formimin e popullit shqiptar e të gjuhës së tij në trojet e sotme shqipfolëse, për zakonet, traditat kulturore dhe dokësore, për të farkëtuar bashkimin e domosdoshëm të të gjithë segmenteve të popullit, për krijimin e shtetit shqiptar. Ata mbushën me zgjuarsi e me sukses të çarat që kishte lënë historia në besimin e coptuar fetar (katolik, ortodoks, musliman e bektashi) të shqiptarëve, dhe ngadhnjyen në luftën për jetë a vdekje me propagandën përçarëse antishqiptare të nxitur nga fqinjët shovinistë.

Duke kthyer sytë prapa në atë periudhë relativisht të shkurter zhvillimesh të vrrullshme në ballët ideologjikë, politikë, fetarë dhe kulturorë të Rilindjes sonë kombëtare, njeriu nuk mund të mos admirojë vizionin e gjerë dhe largpamësinë, mënçurinë, punën vetmohuese dhe sakrificat personale të atij brezi të lavdishëm atdhetarësh, nuk mund të qëndrojë pa u përkulur me respekt para veprës së tyre të madhe, krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në kushtet e jashtme dhe të brendshme nga më të pafavorshmet që mund të përfytyrohen.

* U publikua ne numrin special te printuar te 28 nentorit 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: - RRËNJËT DHE FUNKSIONI I SAJ, ATDHETARIA SHQIPTARE, Nelson R. Çabej, SHOQËROR

Gandisti i madh Ibrahim Rugova

December 2, 2015 by dgreca

Nga Anton Çefa/Në atë kohë kur në Evropën Lindore, komunizmin nuk e mbanin më këmbët dhe në Berlin po shembej Muri i turpshëm i ndarjes dhe i krimit dhe kur të gjithë popujt e Evropës po synonin të rindërtonin fatet e tyre; kur në Evropë, popuj të ndarë prej vitesh bashkoheshin me vullnetin e tyre dhe popuj të tjerë të bashkuar prej vitesh, ndaheshin po me vullnetin e tyre, kur në Ballkan po luheshin drama tejet tragjike, dhe kur populli shqiptar i Kosovës rrezikohej të humbte si lunatik shansin e vet historik, u shfaq në histori njeriu me idenë e madhe të shpëtimit dhe me një vullnet e këmbëngulje të çuditshme për ta realizuar atë, Ibrahim Rugova. Koha lindi njeriun e saj, Kosova birin e vet, populli i saj shpëtimtarin.

I dobët fizikisht, serioz dhe disi i sertë e me sy gjurmues me reflekse mendimtari, me profilin plot hije e drita të një intelektuali, në gropën e gjoksit të të cilit peshon një dhimbje e rëndë prej plumbi, e cila konkretizohej së jashtmi me një shall rreth qafës-shënjëzimin e robërisë së Kosovës së tij të dashur dhe lakun e mjerimit shekullor të popullit të tij.
Kishte punuar prej vitesh në frontin e letrave, gjithnjë i ndriçuar nga kjo dhimbje; tani i duhej t’i braktiste letrat dhe të hidhej në frontin e veprimit politik. Kosova e tij e shumëvuajtur kishte nevojë për ndriçim dhe drejtim. Ai e kishte ravijëzuar në ndërgjegjen e tij idenë e madhe të ndriçimit dhe drejtimit. Tani e tutje, mbi supet e tij të brishta do të mbante peshën e halleve të një populli, të një shteti që kërkonte të lindte që prej një shekulli. Tani e tutje, ai do ta organizonte popullin e tij dhe do ta drejtonte në rrugën e shpëtimit, duke shpallur dhe mbrojtur para gjithë botës idenë e tij të madhe. Tani e tutje, ai do të bënte luftë në krye të popullit të tij me armët e një shenjti.
Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të armikut shekullor serb, Ai, me një mprehtësi të rrallë mendimi, me një zemër të madhe humane, me një transparencë të ndritur vizioni dhe me predispozitat shpirtërore të përballimit dhe mposhtjes së dhunës me mjete paqësore, orientoi popullin në rrugën e mbrojtjes së ekzistencës nacionale, që armiku synonte ta zhbënte, të ruajtjes së vlerave njerëzore e qytetëruese, që armiku kërkonte t’i zhdukte, në rrugën e ndritur të lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe begatisë. Lëvizjes së fuqishme të popullit për liri e pavarësi, ai i dha zemrën dhe mendjen drejtuese – LDK- në, të parën parti demokratike në botën shqiptare dhe me një ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë.
Simbas strategjisë së tij dhe nën drejtimin e tij, mori formë struktura shtetërore e Kosovës së lirë, duke filluar me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, në korrik të 1990-ës, me miratimin e Kushtetutës, po në atë vit, me Referendumin Popullor, një vit më vonë dhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe parlamentare, në vitin 1992. Kështu, nën dhunën e përgjakshme serbe, lindi shteti i shqiptarëve të Kosovës, një shtet i ri që nuk e kishte dashur kurrë dhe e kishte sakrifikuar bota e madhe. “Shteti paralel” – siç e quajti dikush – erdhi gjithnjë duke u përsosur dhe forcuar.
Me një këmbëngulje të paparë, ai shpalli para mbarë botës: në Washington, në Bruksel, në Londër, në Romë, në NewYork, në Berlin e kudo, të drejtën dhe vullnetin politik të popullit të tij: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai, një figurë minore që nuk e njihte askush, nuk e përfillte askush dhe që shumëkush e kundërshtonte dhe çuditej me të, arriti të njihet e të vlerësohet, të respektohet dhe të dëgjohet, të miratohet dhe të përkrahet nga bota e madhe. Kështu, ai e bëri Kosovën problem të botës së madhe.
Rugova i ofroi Evropës rrugën gandiane të popullit të Kosovës, që do ta çlironte atë dhe do ta bashkonte me Evropën, së cilës i takonte fizikisht dhe shpirtërisht. Kosova, vendi i tij, ishte Dardania ilire e dikurshme me rrënjë të një qytetërimi të lashtë “që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian”, siç ia pati kujtuar ai vetë Senatit Evropian. Vërtet, Perandori i Bizantit, Justiniani, i cili i pati dhënë Evropës që në shek. VI ligjët qytetare -“Corpus Juris Civilis”-, që patën shërbyer si bazë e sistemeve ligjore për pjesën më të madhe të shteteve evropiane, qe bir i tokës dardane.
Përmes rezistencës paqësore, përsëri, Dardania e ditëve të sotme po i reflektonte Evropës dritë qytetëruese. Me trupëzimin në praktikë të idesë së tij të madhe, ai po i jepte Evropës çelësin magjik të paqes së Ballkanit, – gadishullit të mbrujtur me barot e gjak, – çelësin e vëllazërimit e të tolerancës së popujve ballkanas, çelësin e stabilitetit dhe të integrimit në Evropën e Bashkuar.
Evropa dhe bota e kuptoi dhe e përkrahu. Dhe kur pushtuesi serb, armiku i përjetshëm i popullit shqiptar, në figurën udhëheqëse të satrapit Milloshevic, u lëshua si ulkonja e etur për gjak mbi popullin e pambrojtur, Evropa vendosi ta korregjojë gabimin e vet të dikurshëm dhe, me nxitjen e përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndëshkuan kriminelin. Me sakrifica të mëdha dhe me flijimin e bijve të saj më të mirë që i dolën në mbrojtje me armë në dorë, Kosova fitoi lirinë dhe u fut në rrugën e pavarësisë dhe të demokracisë.

* * *
Ai vdiq, pa e gëzuar shpalljen formale të pavarësisë, së cilës i kushtoi jetën; por mermeri i kujtesës, në të cilin ndërgjegjja popullore gjithshqiptare ka gdhendur madhështinë e tij, është i pavdekshëm. I renditur krah figurave më të larta që ka nxjerrë kombi shqiptar, si Presidenti i parë i Kosovës martire, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë të së cilës vuri veten me një përkushtim flijues dhe me zotësi të pashoqe, ai do të jetojë përjetësinë e lavdisë historike.
Rugova nuk qe dhe nuk do të mbetet thjesht vetëm një personalitet shqiptar a ballkanik. Vlerat e tij shtrihen më përtej në Evropë dhe në të gjithë botën, sepse ai, me idetë e praktikën e tij, e sidomos me krijimin e strukturave shtetërore paralele në Kosovë, dha një ndihmesë të re me vlera të veçanta origjinale në luftën paqësore për çlirim dhe të drejta njerëzore të të gjithë popujve të robëruar, ndihmesë që i pasuroi dhe i zhvilloi më tej idetë dhe praktikën e rezistencës paqësore të Gandit , “satyagraha-n” gandiste.

 

Ribotim i redaktuar

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Gandisti i madh, Ibrahim Rugova

FERDINAND KOÇI NJË ARTIST NDËRKOMBËTAR NE ANGLI

December 2, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/
 1.Një kulturë ku sipas studiuesve  është formuar  nëpërmjet një procesi të gjatë  por në  ndërveprim me kulturën e popullësisë përreth tyre,kultura rome ka përshkruar një udhëtim të gjatë nëpër  llaftari, dimërore.Pra copëra, rrëzimi ka ngjarë. Dhimbje,lotësh midis, harrimi në fund.Romët, komuniteti ku jetojmë gjatë sëbashku në të njëtën diell.Por,gjithmonë ,në cdo regjim të përcmuar. Kush i ka njohur romët ka kuptuar se nga buronë edhe shpirti artist i tyre.Ata janë mjeshtër të  vërtetë muzikës dhe artit .Ata nuk krijojnë artificializma, por  shpirti i tyre prodhon art,ngase vetë në thelb ata janë artistë të mirfilltë.Ata ose bëhen ose nuk bëhen artistë,ata ose  bëjnë arte ose nuk bëjnë fare.Prandaj edhe kultura rome ,sipas  Elena Marushiakova & Veselin Popov: përbën një variant të veçantë etnik të kulturës evropiane. Kjo është e barabartë me ato të të gjitha kombeve të tjera evropiane, dhe si i tillë është po aq unik dhe të veçantë si asnjë prej tyre.Kultura rome është një pjesë e traditës së përbashkët kulturore evropiane. Pas rivendosjen e komuniteteve rome nga Evropa në pjesë të tjera të botës, ndërveprimi i ri erdhi në ekzistencë dhe karakteristikat shtesë janë mbivendosur, në këtë mënyrë si rezultat mund të shohim një subvariant  të re të pandryshueshme…
2.Një artist shqiptar nga ky komunitet është Ferdiand Koci.Gypsy Roma Traveller Leeds e ka përfshirë biografinë e Ferdinandit mes artistëve të tjerë  të shquar në Evropë.Eduart Koci,vëlla me  Ferdinandin më ka rrëfyer  për ekspozitat e hapura në disa vende të ndryshme të Evropës. Ferdinandi në hapjen e ekspozitës së tij të parë  në Mbretërinë e Bashkuar në Leeds, si pjesë e festimeve  . Ferdinand Koçi në Grand Finale GRTHM në LeedsHe ka përfunduar shumë vepra të ilustrim për libra dhe publikime mbi romët në veçanti.Ai siguroi të gjitha ilustrime për “Burimeve Learning tregimit” Udhëtarët e ‘mendjet e hapura -Rrugët hapur’ dhe  DVD ‘Traveller pari “. Ai flet rrjedhshëm gjuhët :Rromane, anglisht shqipe dhe gjithashtu, frëngjisht dhe disa gjuhë të tjera si italiane dhe polake.
Ai ishte i pari romë i regjistruar në shkollën e artit në Tiranë ,c’praj atëherë ka studiuar në Francë dhe ka ekspozuar gjerësisht në të gjithë Evropën. Ferdinand mund të flasë për jetën e tij si një romë dhe gjithashtu  ka njohuritë e tij të gjera  per  grupimet e ndryshme rome , komunitetet endacake rome,që  ai i  ka takuar në të gjithë Evropën ku ata jetonë. Ferdinand është shumë e interesuar  per të  ekspozuar punën e tij. Puna  e tij e sjell ne arte është një shfaqje në bibliotekë GRTAS Leeds dhe mund të shihet me takim.
 3.Si nisi Ferdinandi në këtë udhë të bukur ,por të vështirë të pikturës mbetet e vecantë për një djalë romë.
Gypsy Roma Traveller: “Ferdinand Koçi filloi të bëjë imazhe në moshën katër vjec nga një pasion për të bërë kështu .Ai i hutuar nga punët e tij të përditshme me lopët i është dashur të shikojë  do të endet jashtë, ndërsa ishte tërhequr nga pasioni .. letër me lapsa apo qymyr. Ky pasion e çuan të bëhet romi i  parë, për të marrë pjesë në Shkollën e Artit në Universitetin e Tiranës, dhe një artist profesionist, kështu  fshihen kontradiktat e përditshme në mes të barazisë socialiste dhe moshës së vjetër margjinalizimi. E megjithatë, se pasioni është në kundërshtim me punën nga e cila ai fiton shumë nga të ardhurat e tij, puna që ai  bënë dhe lëvizjet në pjesë të tjera në studion e tij me një të qeshur të vogël, duke thënë se “kjo është vetëm ilustrim.” Ky është tensioni mes “artit” dhe “ilustrim”, megjithatë , e cila i jep pickim për të copat e tij më të habitshme. “
4.Ekspozita  e fundit  e këtij artisti rom me famë është hapur  në një Galeri me pronarë  Dan dhe Julie kanë varur piktura, printime dhe skulptura te  bëra  nga artisti Koci, përdorimin më të mirë të hapësirës dhe arriti të akomodojë  mbi 40 copë, shumë prej të cilave nuk janë shfaqur më parë. Ekspozita Ndërkombëtare e Artistit  romë në Leeds shprehet ditët e fundit një gazetë:”Artisti rome  me fame ndërkombëtare” .
*Gëzim Llojdia– Ms-anëtar i Akademsië Evropiane të Arteve-Portret i pikturuar nga Ferdinand Koci

Filed Under: ESSE Tagged With: FERDINAND KOÇI, Gezim Llojdia, NE ANGLI, NJË ARTIST NDËRKOMBËTAR

EPOKA E PLISIT, 100 VJETORET E DHIMBJES E KRENARISË KOMBËTARE

December 1, 2015 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ/
Ky vit përkon me 100 vjetorët e Konferencës së fshehtë të Ambasadorëve në Londër, vrasjes së Ded Gjo Lulit, vrasjes së kapidanit të shqiptarizmës, Çerciz Topulli dhe intelektualit të shquar Muço Qulli .
Sapo lamë pas 120 vjetorin e lindjes së Ahmet Zogut, burrit që themeloi shtetin modern shqiptar, i cili ishte vetëm 17 vjeç delegat në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Kane kaluar vetem pak dite nga 107 vjetori i Kongresit te Manastirit.
Edhe pak muaj na ndajnë nga 100 vjetori i vrasjes së Isa Boletinit. Në këto momente që vendosa të shkruaj këta rreshta për këto ngjarje të mëdha të memories kombëtare më erdhi në mendje betimi i ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Berthold : “Nuk do ta heq revolen nga brezi pa e shpallur Shqipërinë të pavarur.”Ai kishte në konsideratë jo vetëm kontributin e shquar që kombi ynë i dha qytetërimit dhe lirisë së Evropës. por edhe realitetin e ri gjeopolitik që do të krijohej në Ballkan dhe Evropë nga shembja e shpejtë e Perandorisë Otomane.
Në krye të betejave të mëdha që janë zhvilluar që nga kundërshimi i Reformave të Tanzimatit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni u vunë strateg e patriotë të shquar si : Binak Alia, Sokol Rama, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Hodo Aliu,Tafil Buzi,Dervish Cara.
Këto lëvizje dhe Rilindja Shqiptare ishin preludi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku për herë të parë ata do të startonin me një platormë të qartë politike.
Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Omer Prizreni, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Bajram Curri, Haxhi Zeka, Mehmet Pashë Dëralla janë plejada e parë e ndritur e plisave dhe xhamadanëve të epokës së Lidhjes së Prizrenit, e cila do të pasohej nga një brez burrash mendjendritur si: Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Aqif Pashë Elbasani,Naxhip Draga të cilët duke qënë në krah dhe frymëzues të strategëve të mëdhenj si : Isa Boletini, Idriz Seferi, Ded Gjo Luli, Elez Isufi dhe Islam Spahia kurorëzuan me sukses kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1911-1912 dhe ëndrrën për pavarësi.
Në nëntor 1912 Mali i Zi dhe Serbia pasi thyen ushtrinë turke hynë në Kosovë dhe, si dikur hordhitë e Xhengis Khanit, shkatërruan gjithçka me zjarr dhe hekur.Për të kuptuar sado pak përmasat e kësaj tragjedie vlen të theksohet se mbretëria serbe angazhoi në Kosovë 4 armata, pra rreth 230.000 mijë ushtarë të armatosur deri në dhëmbë.
Kundër ripushtimit të ri të Kosovës e ngritën popullin në këmbë viganët e qëndresës Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Shota e Azem Galica, Ahmet Delia, Sali Rama i Gjorgjevikut, Bedri Pejani, Hoxhë Kadri Prishtina dhe Zefi i vogël. Pushtuesit serbë burgosën trurin e kryengritjes kombëtare Hasan Prishtinën për të sabotuar Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.Nga zjarri i betejës me hordhitë malazese kryetrimi shqiptar i shekullit XX ,Isa Boletini u nis me shpejtësi drejt Vlorës me 300 kalorës trima të tij.
Pas marshimit nga Nishi drejt Krujës të Gjergj Kastriotit në nëntor 1443 ardhja në Vlorë e Isa Boletinit dhe gardës së tij është një ngjarje e shënuar me germa të arta në historinë e kombit. Ai u bë mbrojtësi e garanti i qeverisë së parë kombëtare pas 500 vjetësh të udhëhequr nga korifeu i kësaj Pavarësie plaku i urtë Ismail Qemali. Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 nën presionin e Perandorisë Ruse dhe të fqinjëve shovenistë ballkanas lanë gjysmën e trojeve etnike jashtë kufijve të shtetit të ri shqipëtar.
Patriotët e popullit shqiptar nuk u pajtuan kurrë me këtë padrejtësi. Populli ynë ka një proverb profetik “Uji fle, hasmi s’fle”. Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 kishte vendosur në parim copëtimin e Shqipërisë në dobi të serbo-grekëve dhe italianëve. Kjo do të kishte kosto jashtëzakonisht të lartë e në kufijtë e të pamundurës. Për të realizuar këtë platformë organizuan eleminimin fizik të prijësave të shquar të luftrave për liri: Ded Gjo Lulit, Isa Boletinit, Çerciz Topullit, Muço Qullit. Kalvari i vrasjeve do të vazhdojë vite më vonë Themistokli Gërmenji, Azem Galicën, Bajram Currin, Elez Isufin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin.
Kjo strategji ogurzezë nuk u realizua.Prijësit e lirisë u eliminuan vërtet, por shkuan drejt lavdisë së përjetshme për t’u vendosur në panteonin e kombit. Flakadani i lirisë që ata ndezën nuk u shua dhe udhëtoi si pishtar olimpik drejt Kongresit të Lushnjes, Luftës së Vlorës, Konferencës së Pezës, të Mukjes dhe asaj të Bujanit duke sanksionuar përjetësisht lirinë, pavarësinë e unitetin e atdheut në moton: “Një komb, një histori, një gjuhë, një flamur”.
Nga Marrëveshja e Paqes në Paris dhe marrëveshje e Jaltës, ku pavarësisht se Shqipëria i shpëtoi egzistencës, ajo doli e cunguar dhe ky cungim do të çertifikohej me ndarjen e kombit në pesë shtete.
Shqipëria edhe pse u çlirua nga fashizmi ra në kthetrat e komunizmit për një gjysmë shekulli. Ëndrra e Shqipërisë etnike e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe Bedri Pejanit që u eliminuan fizikisht dhe e shumë luftëtarëve të tjerë do të mbetej përgjysmë.
Jasharajt dhe Haradinajt janë të fundit të kësaj plejade të ndritur të plisit dhe xhamadanit.
Dy simbolet e shenjta tashmë krahas Atdheut, Flamurit Kombëtar e Gjuhës Shqipe.
Ngadhnimi i ekipit kombëtar të futbollit në stadiumin e Beogradit ku djemtë tanë si matador mbrojtën Flamurin e Skënderbeut përballë demave të tërbuar të kujton Betejën e Termopileve të 300 spartanëve të Leonidhës përballë ushtrive të panumërta perse të Kserksit.
Kualifikimi për në Kampionatin Europian, festimi mbarëpopullor dhe refreni “Me plis në Paris”çertifikon Epokën e Plisit.
Sot, në këtë prag të 28 Nëntorit kundër Kosovës janë hartuar dy marrëveshje: Demarkacioni me Malin e Zi dhe Zajednica me Serbinë, prandaj Unioni Aristik i Kombit Shqiptar fton të gjithë artistët dhe gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e Festës Protestë në Prishtinë të organizuar nga opozita e udhëhequr nga simboli i qëndresës Ramush Haradinaj, i cili vuri në themel të Kosovës tre vëllezërit e tij Luanin, Shkëlzenin dhe Enverin. Ai shkoi në Hagë si dorzan i Pavarësisë të Kosovës. Me betejën e tij të gjatë triumfoi dhe legjitimoi Luftën e UÇK-së dhe të NATO-s për kauzën e drejtë të popullit të Kosovës.
Pikërisht sot është detyrim i çdo shqiptari kudo që jeton për t’u bërë pjesë e mbrojtjes të çdo pëllëmbe të tokës shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: 100 VJETORET E DHIMBJES, Azgan haklaj, E KRENARISË KOMBËTARE, EPOKA E PLISIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT