• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ramiz Mena, një emblemë e luftëtarit antikomunist

November 30, 2015 by dgreca

Nga Neritan Kolgjini/
Ramiz Mena u largua prej kësaj bote në dt.24 korrik 2015, e premte, shtatë ditë pas bajramit. Peshën e këtij lajmi të idhët e kemi të vështirë ta shprehim me fjalë. Sepse të flasësh për jetën e personalitetin e Ramiz Menës, të zbërthesh thelbin e asaj çka ai përfaqësonte si për familjen e farefisin e vet, ashtu dhe për rrethin miqësor e shoqëror, është gati e pamundshme. E sigurt është që ai do të ketë përherë një vend të posaçëm në zemrën e secilit prej nesh, njerëzve që e kemi njohur nga afër. Personaliteti i tij, njerëzillëku, mençunia dhe sensi i ëmbël i humorit do të na mungojnë tashmë pa kthim. Na qetëson disi veç fakti që ai do të kujtohet më së shumti si nji shtyllë apo kollonë e moralit njerëzor. Për familjen dhe të rinjtë e lindur kryesisht në kampe internimi, ai ishte “Babloshi”, “baba i zemrës”. Dhe kështu do të jetojë në kujtimet tona.
Në këtë shkrim nuk do të zgjatem shumë për historinë e tij të vuajtjeve në burg e internim. As për rezistencën me armë në dorë kundër regjimit komunist. Dokumentet e arkivit dhe dëshmitë e ndryshme janë aty që ta thonë këtë. Për këto aspekte le të shkruajnë historianët, studiuesit e njerëzit që kanë kushtet dhe mundësitë ta bëjnë.
Unë do të rrëfej për Babloshin që kam njohur vetë, që kam zbuluar përmes shkrimesh e dokumentesh. Nga ky vështrim them me plot gojën se bashkë me Ramiz Menën, vdiq edhe një copëz e gjallë e me peshë e historisë së këtij vendi.
Më kot prita ditë me radhë nëse në faqet e gazetave apo ndonjë Tv do të jepte ndonjë shkrim nekrologjik, ose qoftë një lajm të shkurtë a kronikë. Asgjë… as nga gazetarët, – që justifikohet të mos e njohin, – por më e çuditshmja, as nga njerëzit që e kanë njohur! Secili mund të ketë arsyet e veta të heshtjes. Por kjo as e ul e as e zhvlerëson këtë vigan të racës shqiptare. Vdekja e Ramiz Menës na solli parasysh pasojat që mund të shkaktojë humbja e kujtesës historike dhe ndërgjegjes shoqërore në këtë vend.

Për ta qartësuar idenë, le të sjellim një shembull këtu nga media botërore, që ka pasur jehonë edhe në Shqipëri. Konkretisht në Top Channel, me kronikën: “Shuhet i mbijetuari i fundit i ‘arratisjes së madhe’!” të datës dt. 28/08/2015, ku njoftohet për vdekjen e Paul Royle, 101 vjeç, pilot australian, i cili kishte rënë rob në duart e gjermanëve, duke bombarduar në Poloni. Ai u kap rob dhe u dërgua në një kamp përqendrimi, prej ku arratiset bashkë me 76 pilotë të tjerë nga të cilët mbijetuan vetëm 3 gjithsej. Mbijetesa e tyre u përjetësua në filmin e vitit 1963, “Arratisja e Madhe”, ku luante si aktor edhe Steve McQueen. Kjo ishte me pak fjalë kronika e TCh.

Australianët janë një komb dinjitoz dhe të vetëdijshëm për vlerat njerëzore që kanë në shoqëri, prandaj mediat kanë shkruar e nderuar vdekjen e një të mbijetuari të luftës.
Nga ana tjetër një personalitet, edhe më i madh se Paul Royle për australianët, ka qenë Ramiz Mena për shqiptarët. Megjithatë mediat tona nuk prodhuan dot as një nekrologji të shkurtë, e jo më të bënin një film për të. Zaten në një kohë kur vlerat njerëzore po bjerren e injorohen, duket si pasojë logjike lënia në errësirë e emrit, vlerave dhe kontributit atdhetar të një kolosi si Ramizi. Afërmendsh që në këtë zallamahi ku njerëzit nuk po njohin as veten, pak gjasa kishte të kujtohej dikush që të shkruante për një monument morali siç ishte Ramiz Mena.

Por, kush ishte Ramiz Mena? Me dy fjalë mund ta portretizojmë: Ishte një legjendë njerëzore që i mbijetoi skëterrës komuniste; ishte një luftëtar i rezistencës antikomuniste për disa vite me radhë; ishte një i burgosur politik; një i internuar i kampit më të tmerrshëm të Lushnjes, Gradishtës; ishte mishërim ekzemplar i genit dhe racës së pamposhtur shqiptare që si feniksi lind nga hiri i vet. Për familjen dhe miqtë ishte një njeri me moral e virtyte të rralla, të cilit pak mund t’i aviteshin; një diamant për nga karakteri! Ai ishte praktikisht si një copëz legjende e shkëputur nga e shkuara dhe e vendosur në të tashmen.

Ja si e përshkruan z.L.Pepmarku figurën e Ramizit, në një shkrim homazh të botuar në gazetën “Dielli” të Vatrës në SHBA:
“Ai nuk u dëgjua të fliste ndonjëherë për vuajtjet e tija, në mal gjatë viteve të arratisë, në burg gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, në internim ku e kaloi jetën bashkë me familjen e tij, deri në vitin nëntëdhjetë, të shekullit XX-të. Ndonëse kujtonte me dhimbje dhe tregonte rrjedhshëm e deri në detaje, për qëndresën dhe vuajtjet e shokëve në burgjet dhe kampet e internimeve. Skena të tmerrshme nga qelitë e burgjeve, Këneta e Maliqit, Kampi i Bedenit e deri te mbathja e nallçeve në shputat e këmbëve me gozhdë në Kalanë e Gjirokastrës, janë disa nga skenat rrënqethëse që nuk të shqiten nga mendja.”

Ky shkrim ishte i vetmi botim nekrologjik me rastin e vdekjes së Ramizit, që gjithsesi u publikua përtej Atlantikut. Si duket, shqiptarë të denjë për këtë emër sot ka vetëm në Amerikë, kurse në këtë anë ku ka sunduar “dreqi i kuq”, nuk gjenden më, edhe sikur të dalësh rrugëve me qiri në dorë si Diogjeni i lashtësisë.

Nuk ekzagjerojmë po të themi se Babloshi kishte prerjen e një mendimtari të thellë e gati filozofi. Im atë Ahmeti më thoshte se inteligjenca e Ramizit ishte e një niveli tepër të lartë. Sipas tij ajo ishte e dallueshme madje edhe në disa shenja fizike. Ajo që të binte në sy nga portreti i tij ishte balli me rrudha të imëta e të shumta. Ato dukej sikur reflektonin volumet e arkivës që kishte në kokë. Por edhe të dhimbjes e tmerreve që kishte vuajtur e parë me sy në kohën që ishte në arrati kundër regjimit komunist, apo në burgjet e frikshme të viteve ’50-të.

Babloshi ishte një kuvendar i rrallë e njohës i thellë karaktereve të ndryshme të shqiptarëve. Njeri që zotëronte në mënyrë të përkryer të folurën alegorike të maleve të veriut, të pagëzuar rëndom si “e folura e Dibrës”, por që në fakt shtrihet në gjithë alpet shqiptare, ashtu edhe në Labëri e deri në Çamëri.

Por nga ana tjetër, Babloshi ishte tepër i përkorë kur vinte puna të fliste për veten, apo historinë e fisit të Bajraktarëve të Lurës, pinjoll i të cilëve ishte. Për këtë histori theroresh e sakrificash atdhetare, ai nuk fliste praktikisht kurrë. Natyrisht këtë duhet ta bënin miqtë e dashamirët, mbi të gjitha historianët, ata që kanë bindjen se opinionit u duhen thënë të vërtetat me rëndësi për këtë vend.
Nuk pranoi t’i botojë kujtimet familjare, për sa kohë ishte gjallë, megjithëse i kishte bërë gati për botim qysh në 2004-ën nën redaktimin e z.Xh.Martini.

Ja ç’shkruan prof. Miftar Spahija në një letër të dt.19 nëntor 1997, rreth fletoreve me kujtime të Babloshit:
“Kujtimet qё i vune pёrmbi kartё duhet t’i dije, duhet t’i nxane çdo djalё e vajzё e Menajve; ato janё ushqim atdhedashunie pёr tё gjithё ata e ato qё duen Shqipninё. Ato kujtime qё i vune nё kartё nuk janё fjalё filosofie, fjalё abstrakte as nё qiell as nё tokё, janё fjalё qё prekin me dorё, se folin me gjakun e tetё-nandё djelmve tё Menajve, qё ia falёn jetёn Shqipnisё. Ato janё historia, jo llapkimet e krimit; pёr atё gjak qё derdhёn Menajt folin gurёt, folin prrojnat, folë Pllaja e Lurit, folë Guri i Vashёs.” North Bergen, NJ.

Rrethit të ngushtë familjar dhe miqësor, Babloshi u kishte rrëfyer me detaje tmerret e burgjeve komuniste, ndër të cilat ato të burgut të Kalasë së Gjinokastrës, të kënetës së Maliqit, kanalit të Bedenit etj… shtoi dhe burgun e Elbasanit… Ai na kishte rrëfyer gjithçka përshkruhet me hollësi nga Patër Zef Pllumi në veprën e tij monumentale “Rrno për me tregue”. Ne i kishim dëgjuar prej Babloshit tonë këto horrore, vite përpara, madje që në kohë të komunizmit. Prandaj kur lexonim At Zefin, shpesh përsërisnim: “ja këtë na e ka thënë Babloshi! Kështu na e ka thënë Babloshi! etj”.

Babloshi ishte antikomunist në çdo qelizë të trupit. Kjo dëshmohet me aktivitetin e tij që në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist në vend, e deri në grahmat e fundit të regjimit në 1990-ën! Unë disponoj dy dokumente: vendimin e gjykatës për dënimin e tij me 10 vjet burg si luftëtar kundër skuadrave të ndjekjes së Sigurimit, si dhe një dokument të arkivës, ku dokumentohet se Ramiz Mena ndiqej nga Sigurimi deri në prag të viteve ’90-të.

Nuk e di pse, por qysh nga fëminija ime, Babloshi më ngjante me Mujo Ulqinakun. Një luftëtar, i cili thjesht duhet të kapte armën, për ta ngjallur heroin që shihnim në libër! Nuk jam i sigurt nëse ky imazh më ishte krijuar prej mënyrës se si i mbante mustaqet e shkurtra, apo ngaqë e dija se ishte mbretnor e zogist!

Babloshi ishte një lexues i vëmendshëm i zhvillimeve politike dhe zbërthente saktë ngjarjet politike. Më pas, ky talent i tij do të shfaqej pas viteve ’90-të në radhët e Legalitetit. Personaliteti i Ramizit ishte i tillë saqë mund të quhej fare mirë si zemra e Lëvizjes së Legalitetit. Kjo, për sa kohë ai pati gjendjen shëndetësore të kontribuonte, sepse tashmë mosha dhe vuajtjet e kishin bërë të veten. Babloshi po shtynte çapat e fundit të jetës, të cilës i shijoi vetëm frytet e hidhura.

Babloshi e kishte njohur kodin e komunikimit politik qysh i ri, kur në 1944, në kullat e fisit të tij të Bajraktarit të Lurës, u mbajt mbledhja apo Kuvendi i Lurës. Një tubim që mund të konsiderohet si tentativa e fundit serioze për bashkimin e forcave nacionaliste kundër murtajës komuniste.
Nga ajo kohë, ai na ka rrëfyer mjaft biseda e deklarata të krerëve të nacionalizmit shqiptar si Abaz Kupi, Mitat Frashëri, Muharrem Bajraktari etj., të cilët i kishte dëgjuar me veshët e vet duke diskutuar.

Poeti Ramiz Lushaj ka shkruar një poezi kushtuar Ramiz Menës, me titull “Bajraktarët e Lurës – Kulla në Histori”, që mban datën 24 maj 2015, ku thuhet:
“Kulla e moçme e Menëve, bajraktarit të Lurës/ E thjeshtë si pushka./ E madhe si lufta./ E dashur si liria.”
Dhe vërtet, Babloshi, më shumë se bajraktar, ishte vetë bajrak! Më shumë se luftëtar, ishte një arsenal lufte! Më shumë se mbretnor, ai qe mbret i moralit njerëzor. Nga goja e tij nuk u dëgjua kurrë një fjalë negative apo rënduese as për karakteret e dobët që gjendeshin në kampet e tmerrshme të Lushnjes.

Babloshi ishte njëherësh nji lexues i pasionuar. Kushdo që e ka vizituar në shtëpi, me siguri mund të dëshmojë se ai mbante gjithmonë në komodinën e vet nji botim të ri, që kishte të bënte me historinë, politikën apo nacionalizmin shqiptar.

Por ndoshta figura e këtij burri të rrallë do të dukej e paplotë sikur ta portretizonim vetëm si nji luftëtar antikomunist, politikan nacionalist, të burgosur të ndërgjegjes, e pinjoll të bajraktarit të Lurës! Kështu mund të themi se ai ishte njëherësh edhe një familjar shembullor, një prind fantastik, një Bablosh i pashoq! Megjithëse kishte kaluar rrathët e ferrit komunist, ai mbeti thellësisht njerëzor! Dinte të shfaqte butësinë e një fëmije, kur ishte fjala për të trajtuar një çështje familjare. Zëri i tij edhe pse me tone të forta baritoni, nuk është dëgjuar kurrë i lartë. Kush ka biseduar me të, e mban mend të flasë mjaft lehtë e qetësisht. Qoftë edhe kur trajtonte probleme nga më delikatet, që kishin të bënin me politikën, apo vështirësitë e jetës së njeriut!

Një njohës i arabishtes ka shpjeguar se emri Ramiz në gjuhën semite ka pakashumë kuptimin “njeri i shënuar nga fati, i veçantë”. Sipas tij fjala “Ramiz” rrjedh nga folja re-me-ze, dhe do të thotë: ai që shënon, bën një shenjë, vendos simbol. Pra Ramiz, do të thotë: ai që vendos një simbol, shenjë. Besoj pak njerëz e dinë si unë, që Babloshi ishte një besimtar nga të rrallët. Ai thoshte përnatë lutje dhe dinte disa sure të Kuranit.

Humbja e tij na ka pikëlluar, sepse nuk e shohim më fizikisht dhe nuk do të kemi kurrë mundësi të flasim me të. Nuk do ta kemi kënaqësinë shpirtnore me folë me një burrë të fisit tonë, i cili si nji pater familias, të na udhëzojë, mësojë e urdhërojë për gjërat më me vlerë në jetë.
S’kemi ç’bëjmë tashmë. Ky është ligji i pamëshirshëm i njerëzimit dhe kështu është caktuar rrisku prej Allahut të Gjithëfuqishëm. Ne thjesht bindemi.
Ai shkoi i realizuar në atë botë pa kthim. La mbrapa fëmijë e nipa plot. Iku me nder e faqe të bardhë!

Filed Under: ESSE Tagged With: e luftëtarit antikomunist, Neritan Kolgjini, një emblemë, Ramiz Mena

Imam Edin Gjoni: TE BASHKUAR RRETH FLAMURIT KOMBETAR

November 29, 2015 by dgreca

Mesazhi i percjelle nga Imam Edini Gjonaj ne darken festive te 103 vjetorit te pavaresise se Shqiperise, organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes dhe Bashkesia Shqiptare ne Nju Jork, ku ishin te pranishem te tre besimet fetare/
Sonte, pas 103 viteve nga pavarësia e shtetit tonë, të gjithë qëndrojmë të bashkuar pranë flamurit tonë: i madh dhe i vogël, në Shqipëri dhe jashtë saj, mbi Shkumbin dhe nën të, të Krishterë dhe Myslimanë: të gjithë një gjaku dhe një gjuhe, një zemre dhe një qëllimi.
Sot qëndrojmë krenarë si shqiponja dykrenore që ruajtëm substancën e kombit tonë fisnik, gjuhën tonë të lashtë dhe të ëmbël gjatë gjithë shekujve të qenies tonë … 
Krenarë përpara historisë së pastër si loti, për duar të papërlyera, për faqe të bardhë me të cilën serbes mund ta shikojmë çdo popull në sy…
Por mbi të gjitha krenarë për një të vërtetë të madhe që e kam për borxh ta theksoj sonte dhe përherë: për mirëshkim dhe dashuri  vëllazërorë ndërfetar (e jo kurrësesi tolerancë), që në këtë kohë kaosi dhe rrëmuje, na bën që të jemi shembull ekzemplar për mbarë planetin.  
Më kujtohet Imami dhe mësuesi im zoteri Rexhep Lika kur më fliste për fshatin tonë, Këllezën, në Anë të Malit, pjesë e komunës së Ulqinit (përndryshe fshati në të cilin ka lindur përkthyesi i parë i Biblës në tërësi, Dom Simoni Filipaj) për një rast shembullorë. Ishte ajo kohë, më thoshte ai, kur akoma fshatarët e Këlleznes së Poshtme nuk kishin asnjëfarë ore (sahati), ndërkohë që prifti i katundit kishte orë. Atëherë prifti lajmëronte fshatarëve mysliman përmes kambanave kur ta ndërpresin ushqimin dhe ta fillojnë agjërimin në agim (syfyr) gjatë muajit të Ramazanit. Por në anën tjetër, ku si në Shkodër mund ta gjeni dikë si Myftiun e saj, i cili mu në mes të fjalimit të Bajramit, që është fjalimi më solemn në vit për myslimanët, ta ndërpresë fjalimin mu në respekt ndaj kambanat e Kishës. 
 Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia. Gjeste që dolën natyrisht dhe pa asnjë teklif nga zemërgjerësia e Shqiptarit.  
 Prandaj, e them sonte dhe përherë, Shqipëria e jonë është në këtë pikëpamje sikur diamanti:
– Unike dhe fisnike në substancë, 
– Reflekton ngjyra të ndryshme kur drita përthyhet nëpër të, prandaj edhe kemi divergjencë fetare e cila asaj i jep vetëm bukuri e hijeshi dhe na pasuron si komb.  
– Dhe diamantin kush përpiqet që ta thyejë, në fund do ta thyej veten e vet. 
Më në fund:
I lutem Zotit: 
Ta bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin Shqiptarë kudo që të jetë,
Ta bekojë Vatrën tonë, 
Ti bekojë SHBA, këtë tokë dhe popull, për të cilën Zoti e lidhur fuqishëm fatin tonë si komb dhe si shtet dhe të gjithë aleatët tonë. 
 Urime Përzemërsisht Festa e Pavarësisë!

Filed Under: ESSE Tagged With: ‘Flamurit Kombëtar, Imam Edin Gjoni, rreth, te bashkuar

Urimi i Familjes Mbretërore

November 28, 2015 by dgreca

Familja Mbretërore ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 103-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!/MESAZHI: Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!

 Në Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë rikujtojmë me nderim të madh Etërit e Kombit, përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuan për ndërtimin e identitetit dhe shtetit shqiptar, prej të cilëve trashëguam vullnetin për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve.Kjo ditë thërret po ashtu në mendjen tonë, me më shumë forcë se ditët e tjera, nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve për të punuar me përkushtim e ndershmëri në dobi të interesave të popullit dhe kombit.
Motra dhe vëllezër!
Duke uruar njëri-tjetrin për festën tonë më të madhe dhe duke iu gëzuar arritjeve të përbashkëta, me dëshirë të madhe në zemër, duhet të mendojmë si të përmirësohet më tej jeta e shqiptarëve dhe të lartësohet edhe më shumë emri i kombit.
Festa jonë e madhe është rast i mirë për të reflektuar edhe për vështirësitë e jetës së shqiptarëve të thjeshtë, edhe për zbehjen e shpresës për të ardhmen, e në veçanti për largimin tronditës të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.
Është rast i mirë për të reflektuar edhe për plagët e rënda nga të cilat vuan shoqëria shqiptare. Kriminaliteti, korrupsioni dhe trafiqet, janë fenomene të cilat shqiptaret nuk i meritojnë, ndaj duhet t’i refuzojmë me forcë dhe t’i luftojmë bashkërisht.
Po ashtu, nuk i meritojmë dhe nuk duhet të pranojme krizat politike në trojet tona, sepse ato përveç se pengojnë reformat e nevojshme, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të vendeve tona dhe jetesën e qytetarëve. Mbi të gjitha thellojnë krizën e besimit ndaj politikanëve, pushtetarëve dhe institucioneve, rrezikojnë proceset demokratike dhe ardhmërinë tonë. Ato dëmtojnë aspiratat europiane të shqiptarëve, raportet tona me partnerët ndërkombëtarë, stabilitetin dhe balancat me fqinjët dhe vendet e rajonit.
Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!
Dëshiroj t’i bëj thirrje dhe të inkurajoj klasën politike të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen, pasi të ketë nxjerrë mësimet e duhura: për humbjen e rastit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO; për çështjen e ashtuquajtur “Zajednica”; për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Kosovën Lindore; për mosvënien në zbatim të përcaktimeve të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni; dhe, po ashtu, për pritjen pa fund të shqiptarëve të Çamërisë për rimarrjen e shtëpive dhe pronave të etërve dhe gjyshërve.Megjithatë duhet të jemi optimistë, sepse shqiptarët kanë fuqi dhe rezerva të pafundme për t’i përballuar me sukses të gjitha sfidat, ashtu siç kanë dhënë prova në të gjitha etapat e historisë sonë, madje edhe në kohërat shumë më të vështira të diktaturës komuniste.

Këto janë probleme me të cilat po përballemi, sa për shkak të gabimeve tona të së tashmes, aq edhe prej padrejtësive të së kaluarës ndaj kombit shqiptar.

E ndërsa kemi përqafuar vlerat europiane të demokracisë dhe po ecim në rrugën e integrimit, ne shqiptarët kemi shansin historik t’i dhurojmë Europës së kërcënuar dhe sulmuar nga terrorizmi, shembullin më të shkëlqyer në botë të bashkëjetesës fetare.

Duke u përulur me nderim para secilës prej trashëgimive e traditave fetare të shqiptarëve, dhe harmonisë fetare si kontribut dhe trashëgimi e përbashkët e të gjitha feve, shqiptarët duhet të promovojnë dhe përforcojnë këtë vlerë të jashtëzakonshme.
Paqja dhe prosperiteti kalojnë edhe nëpërmjet njohjes, respektit dhe dashurisë ndaj të tjerëve, prandaj nuk duhet të pranojmë ndërhyrje të jashtme që na dëmtojnë.

Motra dhe vëllezër!

Familja Mbretërore ju bën thirrje kudo që ndodheni, të bashkoni forcat dhe përpjekjet në interes të vendit dhe kombit, për të lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar i bashkuar!

Princi Leka II

Filed Under: ESSE

Atdheu ynë Shqiperia

November 28, 2015 by dgreca

Nga Anton CEFA/

 Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.

I kemi dhënë dy emra, emrat e prindit: atdhe dhe mëmëdhe, dheu i  babait, dheu i mëmës, prindit që na lindi, prindit që na rriti.

E kemi quajtur Shqiperi, në emër të shpendit mbretëror. Shqiperi e madhe, Shqiperi e vogël, Shqiperi e malit, Shqiperi e fushës, Shqiperi e pasur, Shqiperi  e varfër, Shqiperi  e mendjes, Shqiperi e zemrës.

“Shqiperi, moj nëna ime,

Më ke rritur me thërrime.

Shqiperi, të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë.”

Shqiperi, ky dhe i shtrenjtë, kjo lëndë e shenjtë, ky det i hapët, ky qiell i kaltër.

Shqiperi,  ti shpirti im; Shqiperi, ti zemra ime; Shqiperi, ti jeta ime; Shqiperi, ti varri im.

Shqiperia ime, Shqiperia yte, Shqiperia jonë, tokë e larë me gjak, e mbruajtur me djersë. Pjellë e një historie të shqetësuar, hapësirë e copëtuar nga mëria, e nëpërkëmbur nga  smira, e yshtur nga urrejtja.

Shqipëri, ti kështjellë e heroizmit mitik, muranë lavdie shekullore.

Historia të dha dy data: atë të 28 Nëntorit 1443, dhe atë të 28 Nëntorit 1912, datën e Heroit të Shpatës e të Lirisë, datën e Burrit  të Shtetit e të Pavarësisë.

Shqiperi, jemi bijtë e tu  të patjetërsueshëm, bijtë e dashurisë, bijtë e kënaqësisë, bijtë e vuajtjes, , bijtë e dhimbjes, bijtë e lavdisë, bijtë e krenarisë.

“Na jem’ bijt e nji fisi t’permendun

N’dorë qi i shndriste si rrfeja çeliku

Qi e qestisë veç tu’ u dridhun anmiku

Qi t’tanë bota kah besa e nderon.”

 

Jemi popull i lashtë, i lidhur ngusht me tokën tonë jo prej shekujsh, po prej mija vitesh.

Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje.

Shqiperi  të duam, ti je shpirtësuar në qenien  tonë, në dheun e zemrës sonë, në qiellin e shpirtit tonë. Te ky shpirtësim, na vegon drita e misionit tonë, misionit të dëshirës, dëshirës së vullnetit, vullnetit të veprimit, veprimit të flijimit. Flijim, kjo dritëz e kaltër ndriçimi qiellor!

*   *   *

 Reflekse të 28-ës

Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksionesh.

Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën na përflak, një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet, një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë, një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.

U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skënderbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.

Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.

Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.

Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.

Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe refleksione tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja të gjysmëhënës, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.

Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë  të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.

E kush nuk shpirtësohet në vetëdijësimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!

E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !

E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !

E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksioni të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!

Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .

Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në  zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se

“Zoti vetë e tha me gojë,

që kombe shuhen përmbi dhe,

por Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Atheu ynë, shqiperia

Katёr Shqiptarёt nё Amerikё dhe Pavarёsia e Shqipёrisё

November 27, 2015 by dgreca

NGA ENKELA VEHBIU/

Pranverё 2001. Zilja ra gjatё nga ana tjetёr e telefonit. Mё nё fund njё burrё I nxehur mu drejtua nё shqip – çfarё don? I kthehem po shqip mora tё konfirmoj orёn. U ndje keq, mё kёrkoi nё anglisht falje pёr tonin, dhe qeshi me tё madhe. Nё qytetin universitar tё Las Krusesit nё jug tё Nju Meksikos njihja vetёm njё vajzё shqiptare.  Njё ish profesor I universitetit dhe tenist I zoti, me prindёr nga Korça, kish dёgjuar pёr ne tё dyja dhe na ftoi nё shtёpinё e tij pёr darkё. Atё pasdite familjen e profesorit e kishin shqetёsuar mjaft telefonatat e telemarketingu saqё ai I kish sugjeruar tё birit ti drejtohej telefonatёs sё radhёs nё shqip. Unё isha telefonata e radhёs.

Vec sё qeshurёs sa herё qё e kujtoj, ai moment mё ngjall dhe kёrshёri – njё njeri i shkolluar, lindur e rritur ne SHBA, ende ruante brenda vetes pak Shqipёri. Si ka mundёsi? Çfarё na bёn shqiptarё? Çfare na bёn krenarё? A i pёrkasim njё trualli? A e kultivojmё identitetin shqiptar? Literatura ёshtё e shumtё, por po e lё mёnjanё sot. Pyetjet e mia, aq mё tepёr nё kёtё prag pamvarёsie, u ula ti ndajё me dy çifte – dy shqiptarё tё Shqipёrisё dhe dy shqiptarё tё Kosovёs, katёr shqiptarё tё diasporёs.

Shqiptarёt e Shqipёrisё

Burrelasit Melida dhe Dilaver Gasa flasin qetё. Tё trashёguar me tre femijё dhe gjyshёr tё njё mbese, ata u vendosёn nё Omaha, Nebraska 13 vjet mё parё. Nё njё shtёpi tё rehatёshme nё zemёr tё Amerikёs,  futesh dhe brenda gjen Shqipёrinё. Foto tё Burrelit, pllaka tё Skёnderbeut, Durrёsit dhe Krujёs zbukurojnё muret e lyera kёndshёm, ndёrsa nga ekrani tingujt e shqipes mbushin shtёpinё sa mё duket se vajza Matiane prej porcelani e vendosur pranё televizorit me zor pret t’ia marr valles. Me emocion Melida dhe Dilaveri mё pёrshkruajnё ndjesinё e tyre.

Festa e flamurit nё Shqipёri mё thonё kurrё nuk rroku zemrёn. Edhe pse nё mendimin e tyre ёshtё festa mё rёndёsishme ajo nuk u ndje si e tillё asnjёherё. Te dy pjesёn mё tё madhe tё jetёs e kanё kaluar nё Shqipёrinё e kuqe, dhe si traditё, mё 28 nёntor anёtarёt e komitetit tё partisё mbanin njё fjalim nё qendёr tё qytetit, ndёrsa mё 29, vendosnin kurora tek varrezat e dёshmorёve, tё ndjekur nga femijё. Nё pёrvjetore shton Dilaveri shkohej dhe festohej dhe nё Vlorё. Qytetin e mbajnё mend tё zbukuruar me flamuj. Vetё nuk kanё pasur kurrё flamur nё shtёpi, ndёrsa himnin kombёtar e dёgjonin dhe kёndonin shumё rrallё. Festa asnjeherё nuk u pa si festё mё thonё, por si ditё pushimi.  Nё mёndje shёnoj – pamvarёsia nuk arriti kurrё tё rrokё qelizёn e shoqёrisё shqiptare. Identitet I pazhvilluar. Dita e flamurit – thjesht njё datё pa emocion.

Gjёrat ndryshuan kur erdhёn kёtu dhe vetёm nga njё shkak – malli pёr mёmёdhe. Flamurin e festojnё çdo vit, dhe Melida 56 vjeçare, kujton 100 vjetorin e pavmarёsisё. Vura njё flamur tek dera mё thotё, I ndoqa nё televizor tё gjitha festimet dhe qaja sa nga gezimi ashtu dhe nga mёrzija. Doja tё isha atje. Ndёrsa Dilaveri, 57 vjeçar, shton se sa mё shumё moshohet aq mё shumё mallёngjehet. Nuk mё mallёngjejnё vdekjet mё thotё, por ngjarjet positive dhe ndodhitё njerёzore, ato po. 100 vjetorin e pamvarёsisё tregon ta ketё ndjerё shumё, por jo aq sa pamvarёsinё e Kosoves. Nё kёmbё pёrgjatё gjithё kohёs sё leximit tё deklaratёs nё parlament kujton lotёt qё pa kontroll I mblidheshin tek mjekrra. Eshtё fitore e madhe thotё – Kosova e lirё.

Shqiptarёt e Kosovёs

Fortesa dhe Gazmend Ademi, tё dy nga Ferizaj, mbёrritёn nё Omaha nё verёn e ’99-ёs.  Tё rinj siç ishin me vetёm 17 dhe 21 vite mbi supe seicili, ankthi i kish pushtuar tek uleshin nё Omaha. Gazmendi biles kishte menduar si tё gjente ca kartona dhe tё ndёrtonte njё strehёz pёr tё kaluar natёn. Pak e dinin qё nё aeroport I pritnin jo vetёm njerёz, por dhe kamera tё televizioneve lokale. Ardhja e refugjatёve tё luftёs sё Kosovёs bёri bujё nё edicionet e mbrёmjes. Tё nesёrmen telefoni I sponsorizuesit, personit qё I strehoi, ra pёr Gazmendin. Genc Gjoca, nje shqiptar I Tiranёs I foli shqip. “Vdes e shkoj dhe atё telefonatё dhe njeri nuk e harroj,” thotё Gazmendi, ndёrsa lufton me lotёt qё I veshin sytё. Jo vetёm se ishte hera e parё qё dёgjonte shqipe tё pastёr por mbi tё gjitha siguria qё I dha prania e njё shqiptari. Siç thonё tё dy, njё shqiptar I Shqipёrisё ёshtё respektuar gjithnjё ashtu siç respektohet njё vёlla I madh nga njё shqiptar I Kosovёs. Tё dy djem tё njё nёne – Shqipёri.

Epike – vetёm kёshtu mund ta perkufizoj forcёn e ndjenjёs sё te rinjve pёr atdhe, qё sot janё qytetarё amerikan, tё trashёguar me tre femijё dhe tё rehatuar si mos mё mirё nё dheun e ri.  Fortesa kujton ta kenё festuar pamvarёsinё nё shkolla me programe artistike. Ana zyrtare ishte shumё e vakёt – nuk kishin tё drejtё tё festonin, por brenda shtёpisё ndjenja rrihte fort. Vatёr dhe flamur. Dasёm dhe flamur. Shtёpi e re dhe flamur. Kёngё dhe Shqipёria nёna jonё. Fjalim dhe Shqipёria nёna jonё.  Shqipёria, shqiptarёt, flamuri – tё gjitha sё bashku njё mburrje pajustifkim siç e pёrshkruan Gazmendi – e ngulur thellё nё qelizёn e shoqёrisё Kosovare.

 

Kater Shqiptarё tё Diasporёs

Dilaveri e pёrgjithёson shpejt marrdhёnien e shqiptarit te Shqipёrisё me atё tё Kosovёs – nё Shqipёri ne kemi vuajtur pёr bukё, ata nё Kosovё kanё vuajtur pёr flamur. Ndaj, as ne nuk I kuptojmё plotёsisht ata, dhe as ata ne. Nga kjo qasje mundesh ti japёsh shpjegim edhe tё pёrbashkёtave dhe ndryshimeve qё katёr shqiptarёt vёnё re tek njёri tjetri.

Gjuha bashkon. Fortesa mban mend tё jetё rrёnqethur herёn e parё qё ka dёgjuar shqipen standarte. Gazmendi e pёrforcon. Nuk ia njihnin tingullin. Nё fshatra lart nё kodёr edhe I kapnin valёt e TVSH-sё, nё qytet veshin e kishin tё pa vrarё me gjuhёn. Por shqipja edhe ndan.  Melida vё nё dukje vёshtirёsinё. E kam pasur dhe vazhdoj nё disa rast ta kem tё vёshtirё t’ia kuptoj tё folurёn. Fortesa ka mё pak, por ende has probleme nё bisedat telefonike. Por ndryshimi I madh vjen nё konsideratёn pёr njёri-tjetrin.

Fortesa flet me respekt pёr dёshirёn e shqiptarёve tё Shqipёrisё pёr shkollim dhe vendin e gruas nё familje. Ne jemi prapa shton ajo. Gazmendi ka vёnё re se janё mё tё hapur.  Kosovarёt sipas tij nuk ta thonё kurrё atё qё mendojnё aq hapur. Por lёndime dhe ka. Fortesa ёshte çuditur qё nuk e ka dёgjuar deri vonё fjalёn Kosovё nё asnjё kёngё tё Shqipёrise. Kёta nuk paskan menduar fare pёr ne – kujton Fortesa ti jetё drejtuar Gazmendit, I cili pёrpiqet ta qasё nga ana tjetёr situatёn. Ne kemi pritur mё shumё thotё ai sepse nuk kemi ditur fare pёr vuajtjet tuaja. Dhe sot e kёsaj dite nuk munden ta imagjinojnё jetёn nё Shqipёrinё e kuqe. Nuk e shprehin, por kam ndjesinё qё nё pёrgjithёsi kanё pёrjetuar njё far harrese nga vёllai I madh. Megjithatё, siç thotё Gazmendi, njё shqiptar I Kosovёs nuk e ul kurrё njё shqiptar tё Shqipёrisё.

E pёrbashkёta e dy shqiptarёve ёshtё mё e lehtё. Fortesa menjeherё rreshton thashethemen dhe qesh. Gazmendi e plotёson listёn me mikёpritjen, tё njёjtёn gjё qё rreshton dhe Melida. Tё dy palёt ndjejnё tё mos I pёrkasin plotёsisht mё as Kosovёs dhe as Shqipёrisё. Jemi si goca – shton Dilaveri I cili ka nje aftёsi tё kёndёshme pёr ti kufizuar situatat thjesht – martohet, shkon me bujt tek baba dhe pas pesё ditёsh dёshiron tё kthehet nё folenё e vet. Nuk na gjehet karari me njё fjalё – plotёson Melida.

Pamvarёsisht se nuk ndjejnё ti pёrkasin vendeve tё tyre si mё parё, pa ngurrim tё thonё se ёshtё koha pёr njё shtet tё vetёm shqiptar. Gazmendi, I cili I mban tё dy flamujt nё shtёpi, I kupton intelektualёt dhe nё mёndje u jep tё drejtё pёr tё gjitha ç’ka kanё kundra njё shteti tё pёrbashkёt. Me shprit ama – jo. Nё zemrёn e çdo shqiptari tё Kosovёs ёshtё dёshira pёr bashkim thotё ai. Ndjenjёn e shqiptarisё e kanё kaluar dhe tek fёmijёt, te cilёt tё dy palёt I kanё rritur tё jenё krenarё qё janё shqiptar. Po pёr çfarё tё jenё krenarё?

Fortesa pёrmend gjuhёn dhe historinё. Gazmendi flet me mburrje pёr besёn e shqiptarit. Melida buzёqesh dhe ia lё fjalёn Dilaverit. Ne jemi njё komb I vogёl kёshtu qё dhe kountributi ynё ёshtё modest, thote ai mendueshёm, por jemi rreshtuar gjthnjё me progresin, gjithnjё me tё mirёn nё ngjarjet historike botёrore ku testohen kombet.  Dhe pёr kёtё duhet tё jemi krenarё.

Lё bisedat dhe e ndjej fort identitetin tim jo si shqiptar I Shqipёrisё, jo si shqiptar I Kosovёs, por si shqiptar I kombit tim – kёtij grupimi abstrakt qё duhet tё ketё pasur njё ndjenje pёrkatёsie tё çeliktё, tё mirёformuar kohё para pushtimit 2000 vjeçar, qёkurse grupimi im I mbijetoi historisё. Ne ridolёm me gjuhёn tonё. Ne nuk u asimiluam. Ne I themi vetes Shqype.

Shpresoj qё dita tё vij, kur sociologё dhe antropologё, gjuhёtarё dhe historianё, te ma shpjegojnё qartazi, pa emocion dhe zёnka tё mёrzitёshme, kёtё pёrkatёsi. Tё ma pёrshkruajnё deri diku kombin tim ashtu siç ka qenё dhe tё mё udhёheqin kujdesёshёm drejt asaj qё ata mendojnё qё duhet tё jetё. Deri mё atё ditё, do tё vazhdoj tё jem verbazi – Krenare qё Jam Shqiptare.

Gёzuar Pamvarёsinё!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Enkela Vehbiu, Katёr Shqiptarёt nё Amerikё dhe, Pavarёsia e Shqipёrisё

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • 424
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT