( Në përkujtim të 18 vjetorit të rënies heroike)/
Nga Harry Bajraktari/
Me rastin e 18 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ardian Krasniqi në një përballje të ashpër me policinë serbe ne Kliçinë të Pejës, sot përkujtohet me pietet të lartë vepra heroike dhe sakrifica e tij që dha për lirinë dhe pavarësisnë e Kosovës. Ardian Krasniqi qe ndër ushtarët e parët që u inkuadrua në radhët e UÇK-së.
U lind më 12 tetor 1972 në Vranoc, Lugu i Baranit. Rrjedh nga familja e Sylërexhëve e cila ka dhënë shumë për çështjen kombëtare-në luftërat e ndryshme për lirinë e Kosovës. Është kënaqësi e madhe kur sot sheh përmendoren e Haxhi Zekës, Bajram Currit dhe Adrian Krasniqit që lidhen me një histori të fshatit Vranoc.
Adriani mësimet e para i mori në Beran, gjimnazin e përfundoi në Pejë, ndërsa studimet i vazhdio në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ky, qysh kur ishte nxënës i gjimnazit, vërejti format e vrazhda të nëpërkëmbjes së shqiptarëve nga regjimi kriminelit Millosheviq. I frymëzuar nga e kaluara historike, e sidomos nga skenat rrënqethëse që i shihte përditë në rrugët e Pejës, shqiptarë të keqtrajtuar nga policia serbe, krijoi bindjen se pa kryengritje të armatosur s’ mund të vinte liria e Kosovës. Ngaqë babai i tij Rexhepi, ishte mësues dhe pas një vizite që i bën Shqipërisë në vitin 1980, solli literaturë të llojllojshme nga e kaluara e shqiptarëve, ku Adriani frymëzohet nga ajo, ndonëse ende ishte i ri.
Kur në vitin 1987 u itensifikua shovenizmi serb, Adrian Krasniqi, filloi aktivitetin e tij kombëtar për ta kundërshtuar këtë politikë pushtuese. Ai si gjimnazist me disa shokë të tij organizoi demonstrata dhe protesta në shenjë solidarizimi me grevën e minatorëve të “Trepçës”, në vitin 1989. Dhe nga kjo kohë, për ditë e më shumë, bëhet më aktiv në çështjet kombëtare.
Në vitin 1990 me grupin e tij filloi grumbullimin e armëve për të nisur aksionet kundërshtuese. Armatimin e vendoste te xhaxhai i tij, Xhaferi në Vranoc. Ndërkohë, organet e sigurimit serb në vitin 1993 i bien në gjurmë, ku bastisin shtëpinë e tij në Vranoc dhe Pejë, me ç’ rast demolojnë e shkatërrojnë shumëçka brenda tyre. Nga ky moment, Adriani kalon në ilegalitet dhe vendoset në Shqipëri. Inkuadrimi i tij në radhët e UÇK-së daton qysh në pranverën e vitit 1992, si komandant i njësitit për Dukagjin. Veprimtarinë e tij e zhvillonte në relacionin Kosovë -Shqipëri. Në vitin 1995 sulmon stacionin e policisë në Çellopek, ku identifikohet emëri i tij, ndërkohë që pushtuesi serb shpall fletarrestin. Në Pejë policia bastis për së dyti herë, por s’e gjen askë nga familja. Krasniqi krahas aktivitetit organizativ, përqëndrohet më shumë në sektorin e furnizimit me armë. Meqenëse ai kishte lidhje me disa familje nga Shqipëria, më saktë nga Tropoja, shfrytëzon rastin që shtëpinë e Sulejman Berishës ta bëjë depo për furnizim me armatim. Kështu nga Shqipëria ai ka hyrë mbi 40 herë në Kosovë, duke sjellë armatim për UÇK-në. Merrej edhe me sulme të drejtpërdrejta.
Ai ishte në lidhje të ngushtë me Zahir Pajazitin, njëri ndër organizatorët kryesor të UÇK-së. Njeriu që e ka bindur atë se e vetmja rrugë për çlirimin e Kosovës është kryengritja e armatosur ka qenë Zahir Pajaziti, të cilin ai e ka pasur idol, e ka çmuar dhe vlerësuar si një strateg të madh të luftës.
Një aksion të armatosur, organizuar në vjeshtën e vitit 1997 kundër stacionit të policisë në Kliqinë, komuna e Pejës, merrnin pjesë Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Qerim Kelmendi. Pas një përleshje të ashpër me policinë serbe të këtij stacioni, bie heroikisht Adriani, një feniks i lirisë së Kosovës. Më vonë, do të bien në luftë kundër ushtrisë serbe edhe dy shokët e tij, Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Ilir Konushevci.
Djali i axhës së Ardian Krasniqit, Florin Krasniqi, biznesmen dhe veprimtar në ShBA e mbështeti atë në idealin e tij për liri dhe pavarësi të Kosovës në çdo pikëpamje, duke i dërguar armë, rroba ushtarake dhe arsenal tjetër të luftës, në mënyrë që ai dhe bashkëluftëtarët e tij të kryenin akcione të armatosura në përballje me policinë dhe ushtrinë serbe, e cila në vitin 1997, e më vonë, bënte terror mbi popullatën shqiptare në Kosovë.
Florin Krasniqi e vizitoi Ardianin edhe në Shqipëri, ku ndodhej bashkë me Zahir Pajazitin në Durrës, në përgatitje të një luftë të organizuar kundër ushtrisë serbe. Florin Krasniqi, aq sa zgjati lufta në Kosovë, ishte në krahun e saj dhe pas përfundimit , kur Kosova fitoi pavarësin, ai për katër vjet ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Vranoci ka një traditë të hershme patriotike dhe, në këtë drejtim, veç Adrianit ka nxjerrë edhe shumë luftëtarë e veprimtarë për çështjen e atdheut.
Vepra e dëshmorit të kombit Ardian Krasniqit do të përkujtohet sot, nesër dhe gjithmonë nga brezat e ardhshëm, si finiks i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ne Foto: Para përmendores së Adrian Krasniqit në Vranoc: nga e majta Ilir Krasniqi (vwllai i Ardian Krasniqit), Sherif Krasniqi, Harry Bajraktari, Florin Krasniqi, Florim Bajraktari dhe Agron Krasniqi, 2009./