• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

3 ESSE PER 3 POETE TE TREVES SE MYZEQESE

September 29, 2015 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

POEZI QË PËRCJELLIN MENÇURI  DHE IDE FISNIKE/                                      

Përsiatje mbi librin poetik të Elmaz Qerreti,“Kamera e diellit”/

Në vitin 1973, punoja si kooperativist i thjeshtë në fushat e Kooperativës së Fier-Sheganit, ku kryeja një konvaleshencë ideologjike për gabime ideore e politike në krijimtarinë time poetike, konvaleshencë e cila do të zgjaste katër vjet në këtë Kooperativë dhe gjashtë vjet në Komunale.

Në verën e vitit 1974, vjen në Kooperativë me mua edhe Elmaz Qerreti, i përzënë nga arsim si nipi i një kombëtaristi, eksponent i Balli Kombëtar. Punonim të dy arave si gjithë kkoperativistët e tjerë, paguheheshim njëlloj si ata.

Një ditë u ulëm nën një mullar me dega për të ngrënë drekë. Elmazi nxori nga borseta  e bukës një fletore me poezi. I lexova. Ishin poezi të vërteta, për fëmijë të një cilësie të lartë. I shtrëngova dorën. U gëzuam. Nuk po shkonim më të ngrysur në kooperativë. Poezitë e njeri-tjetrit na kishin çelur, na kishin gjallëruar si me magji.

Na bënë të harronim se ishim dy të dënuar me punë të detyrua në prodhim. Pas konvaleshencës ideologjike, na u dha përsëri e drejta e botimit e cila na ishte hequr prej dhjetë vjetësh. Filluam të botonim përsëri. Që atëherë poeti Elmaz Qerreti, ka botuar disa libra me poezi e poema për fëmijë që janë pritur shumë mirë dhe janë vlerësuar edhe nga poetët e njohur të kësaj fushe si Xhevat Beqaraj e Odise Grillo të cilët e konsiderojnë atë një poet të talentuar për fëmijë. Krahas poezisë për fëmijë, poeti Elmaz Qerreti, ka botuar me sukses në shtypin letrar edhe poezi për të rritur dhe prozë. Romani i tij Kollokotroni, është një roman për emigracionin, me një personazh simpatik, punëtor pa hile, por edhe erudit, njeri me etik të lartë, shqiptar me taban i cili e habit mjedisin grek, ku punon, me aftësitë, sjelljen, ndershmërinë e tij. Me punën e vet, ndershmërinë, aftësitë e dhuntitë tij, ai nderohet e respektohet nga vendasit. Vendasit, jo vetëm e nderojnë, por edhe e mbrojnë nga padrejtësitë, insinuatat raciste apo nga përndjekjet eventuale të policisë.

Edhe në librin poetik Kamera e diellit, përveç poezive të frymëzuara nga jeta e përditshme, poeti ka dhe plot poezi të frymëzuara nga jeta në mërgim, poezi që tingëllojnë të vërteta, plot detaje jetësore, pa e ndarë humorin si puhie e fllad freskues e prehës.

Edhe poezitë e shkruara kudo që ka shkuar nëpër botë janë të ndiera, jo turistike. Gjeopoezia e tematikës së librit është kombëtare, evropiane, pse jo dhe botërore për shkak të mundësisë së hapjes së Shqipërisë dhe e mundësisë së poetit për të qarkulluar kudo nëpër botë.

Natyrisht, poezitë e shkruara me art janë ato që marrin jetë nga njerëzit mes të cilëve ka jetuar e jeton autori. Të ndjera në mënyrë të epërme janë poezitë për nënën, babanë, për dashurinë, natyrën, fshatin nga i cili rrjedh.. Poezitë më të brishta janë ato që u kushtohen të brishtëve: nipit dhe mbesës, lindur si Si zoçkat e vogla,në gardhin e fqinjit, (Itali), dhe s’i afrohet gjyshit.

 

Mezi më afrohet mbesa,

Lindur dhe rritur

Alpeve

Të Italisë.

Si zoçkat e vogla,

Që s’çelën në furrikun e vetë,

Por në gardhin e komshisë .

                                      (Mezi më afrohet mbesa )

Poezitë erotike, jo vetëm s’janë të pakta në libër, por janë edhe më të ndjerat e të frymëzuarat e librit. Ato janë krijuar me ndjenja të sinqerta, humor aromatik që i bën më të harlisura ndjenjat dhe dashurinë.

Zogu zogun ndjek ndër gjethe,

Luajnë në pluhur, bëjnë rrëmujë,

Ti me hedh një grusht me rërë ,

Unë ta zhys kokën në ujë .

                                                          ( Në plazh )

Ka disa poezi, ku vajza dhe djali në takimet e tyre s’i frenojnë ndjenjat dhe gjestet dashurore, por ata nuk harbojnë, nuk kalojnë në shthurje, por qëndrojnë të bukur e të dashuruar në çeltirën e blertë të një dashurie me vlagë të pashterueshme.

Kam ca ditë që punoj i vetëm

Në mes të grekëve,

Komunikoj me shenja ,

Si në shkollën e shurdhmemecëve.

Dhe më poshtë me humor të bukur:

Ej , sykaltra Panajote, moj mis greke,

Mos u lodh shumë, mos u mërzit.

Po qëndrove dhe ca pranë meje,

Unë do të harroj të flas dhe shqip.

                   ( Elena Panajotis )

Edhe dashurinë e zogjve në pluhur, poeti e jep të pastër, gjithë cicërima.Qerili dashurohet me pulëbardhat dhe jep shpirt në krahët e tyre mes kaltërsive të qiejve e të detit.

U mplak dhe Qerili çapkën

Dhe krahët, dhe këmbët iu mpinë,

Dhe syri i vuri një cipë,

Dhe kënga në sqep po i ngrin.

         ( Qerili )

Mençuritë, pasuritë shpirtërore, virtytet, ndershmërinë, bukurinë, poeti i  derdh vitrinave të poezive të librit, që lexuesi t’i shoh e të mos i kërkojë nëpër skutat e errëta labirthike. Bukuria nuk pranon të duket  përgjysmë, por e tëra. e plotë. Gjeopoezia  e librit na flet për një poet që i ka të dy instrumentet e artit: instinktin dhe racionalitetin. Ka disa poezi që e çertifikojnë këtë. Janë ato që e marrin spunton nga historia e lashtë dhe e re, nga mitet, eposet, filozofia, urtësia popullore të cilat do t’i hasni e do t’i lexoni e do të më jepni të drejtë, besoj. Poezitë për vdekjen e babait, të nënës, duket sikur na japin atë kumtin se pasi të vdesim, do shohim njerëzit e mëdhenj: Pitagorën, ndër filozofët;  Hekateun, ndër historianët, Homerin, ndër poetët, Olimpin, ndër muzikantët, kumt ky që na bën disi optimist për të përballuar tronditjen për humbjen e njerëzve të afërm

Nëpërmjet poezive të librit ne udhëtojmë njëherësh nëpër njeriun, nëpër historinë, vendet, kultura e ndryshme dhe poeti krijon kështu poezinë e jashtëzakonshme etiko morale, ku shohim një Helenë tmerrësisht të bukur, të pabesë, kurorëshkelëse dhe një shqiptar që edhe pse s’është indiferent ndaj së bukurës, është besnik e respektues i normave dhe zakoneve, i moralit të lartë shqiptar që familjen e ka të shenjtë.   

    Menelau më sheh me dyshim,

Tek shihem me Helenën sy më sy

Mos u tremb, Menela, miku im,

S’jam Parid, të të vjedh në shtëpi.

 ( Bised me menelaun )

Poeti, përdor figura, por si figurë më organike ai ka humorin që së bashku me paradoksin, i përdor njëherësh me estetikë duke krijuar kështu një figurë aliazh, të këndshme e. Dy të rinj takohen nën nshelg buzë përroit:

Një përrua nëpër gurë

Bëhet prapë nervoz.

Shelgjet buzë mezhdes,

Si dy  desh merinozë.

                         ( Ne dhe Polifemi )

Përroi bëhet nervoz me gurët që i pengojnë rrjedhën. Dy të rinjtë i shqetëson disi hëna me rrezet si miell i verdhë i situr imët, imët dhe me dritë si avuj të florintë buke e cila si një polifem i artë, paradoks i guximshëm ky dhe estetik, kërkon t’i zbuloi dy të rinjtë siç kërkonte dhe polifemi të zbulonte  Odisenë me shokët e tij duke prekur me dorë delet një nga një:

Ne të dy nën  shelg

Rrimë nën kurorë.

Hëna, porsi Polifemi,

Na kërkon me dorë .

                    ( Ne dhe Polifemi )

Dy të rinjtë bezdisen disi, por s’tunden, sepse ata janë në Itakën e tyre të dashurisë:

   Na kërkon e s’na gjen dot

Polifemi plak

Po ne s’ikim. Pse të ikim ?

Jemi në Itakë .

                            ( Ne dhe Polifemi )

Poemat Letër Partizanit Meke dhe Protesta e Dantes, janë dy poema polivalente, ku poeti Elmaz Qerreti tregohet konstruktor me fantazi dhe një poet arkitekt që këto dy ngrehina poetike i ngre solide, funksionale (me ide) dhe estetike, me art.

Perandor është punë e vështirë,

Nuk bëhet çdo njeri, o Meke,

Po ti ishe atëherë kokëshkretë ,

Po ti ishe kokë më vete.

Të ishit bërë me mua ,

S’do ishit, siç jeni kështu.

Të tjerë sot do të  vinin

   Të punonin argatë te ju.

       ( Letër partizanit Meke )

Përfundimin e mbarë të këtyre dy poemave cilësore, polivalente, autori nuk ia detyron fatit apo dredhave stilistike, por aftësisë, mjeshtërisë dhe talentit të tij inteligjent. Poeti Elmaz Qerreti është rekordmen në peshën e tij, si në poezinë për fëmijë, në prozën dhe në poezinë për të rritur. Ai nuk është indiferent ndaj krijimtarisë botërore, ndaj poetëve të shquar, por ai di të përfitojë, të përthith nga poezia e cilësore, di të asimilojë.

Qerreti, edhe pse është serioz e i urtë, i matur si subjekt, nuk u druhet finteve elegante poetike dhe, aty – këtu edhe të ndonjë ekscentrizmi të bashkëshoqëruar me humorin e tij të ngrohtë si avull buke. Ai nuk i duron kornizat, por s’është edhe për dritare të shqepura poetike. Në poezinë e tij, ai bën shaka, por nuk ngërdheshet kurrë. Sot, më duket sikur ka më shumë ngërdheshje e banalitete poetike sesa letërsi artistike. Por të shohim se kush do të fitojë: ngërdheshjet apo letërsia artistike.

Unë nuk shoh poezi të shkruara për interes në librin e poetit Qerreti. Ai më duket idealist e fisnik. Po ta shënonim esencën e këtij poetit me numrin dhjetë, siç thotë Hygoi, tek ai do të gjenim një pjesë interes dhe nëntë pjesë sedër.                              
POEZI ME NUHATJE EVROPIANE/

***

 Impresiono për librin e ri «Ujëvara hëne» të poetit të talentuar Miltiadh Davidhi/

NGA FASLLI HALITI/

Miltiadh Davidhi, jeton, punon në Çermë të Lushnjës, por ai shkruan poezi, jo sikur të jetë nga Çerma e Lushnjës, por sikur të jetë nga Parisi i Francës. Kur ai më dha dorëshkrimin me poezi, unë e prita me skepticizëm dhe fillova ta lexoj me fudullek, nga lart. Por poezitë e tij e sfiduan fudullekun tim. Ato më detyruan që unë t’i lexoja me një frymë deri në faqen e fundit. Ishin mbi njëqind poezi. Të njëqindta të pastra, me imazhe dhe figura moderne, por jo histerike, eksentrike, por figura të qëlluara që të çonin mrekullisht nga e njohura, tek e panjohura. Poezitë e Davidhit, nëpërmjet ritmit, kadencave, tingujve të pastër, jozhurmues,  nëpërmjet një sintakse jo të komplikuar poetike, me koloritin bleror të fushave myzeqare, të futen në shpirt; të ngrenë, të mençurojnë, të urtësojnë të argëtojnë, të zbukurojnë, por edhe të aktivizojnë, të hapin sytë që ta shikosh jo vetëm mjedisin me ngjyrat e të katra stinëve, por edhe botën, qiellin, universin, kozmosin. Jo, jo, nuk i teproj dimensionet poetike, filozofike, estetike të poezisë së këtij poeti të një fshati periferik. Ai vërtet jeton, punon dhe krijon në fshat, Ky poet lidhet çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, pa u shkëputur asnjë çast, jo vetëm nga metropoli i vendit të tij, por edhe nga bota dhe metropolet e botës. i tëri interesim dhe i etur për dije, njohje, kulturë, Davidhi është poeti dhe  njeriu që jeton i përket globalizmit dhe jo parcelizmit feudal. Kjo bën që poezia e tij të ndihet komode në dorën e çdo lexues shqiptar, ballkanik, evropian apo botëror. Mos mendoni se po e teproj, vetëm se po entuziazmohem dhe jo më kot, sepse këtë entuziazëm ma krijon poezia e poetit Miltiadh Davidhi.

Duke jetuar në fshat, poeti mund ta mbushte librin e tij vetëm me poezi me lopë e pëllitje lopësh, me dele e blegërima delesh, me pula e kakarisje pulash, me gjela e këngë gjelash, me grunja e valëzime grunjash; me vidha, plepa, muzgje, me yje dhe me hënë; por jo, ai veç këtyre e ngjesh librin me poezi emocionale, me mendime, ide, imazhe të kohës, me prirje të forta progresiste, civile, të konceptuara në formë moderne duke e afishuar veten si një poet, jo vetëm shqiptar, por edhe evropian. Kështu ndodh edhe me poetin tjetër Xhelal Tosku i cili ka lindur, jeton, punon në qytetin e vogël të Rrogozhinës, por ai shkruan siç shkruan cilido poet i mirë evropian.Nëse gjeniu, jo gjithmonë zgjedh vendet e mëdha për të lindur, e njëjta gjë ndodh edhe me talentin. Miltiadh Davidhin dhe fqinjin e tij me talent fin, Xelal Tosku, na sjellin një poezi moderne nga Çerma periferike e Lushnjës dhe tjetri nga Rrrogozhina ndanë shkumbinit. Njerit ia ushqen poezinë fusha myzeqare me valëzimin e barërërave të saj që luajnë me erën duke nxitur dhe poetin që t’i fusë ato në vargjet e tij, ashtu të hareshëm e blerim prehës dhe tjetri, poeti nga Rrogozhina buzë Shkumbinit valë vallëzuese dhe melos danubian. Pse? Sepse, si poeti i Çermës së skajshme dhe tjetri poet i Rrogozhinës bri Shkumbinit, poetikisht, estetikisht, filozofikisht, kulturalisht jetojnë si gjithë kolegët e tyre: në Tiranë Paris, Londër, Romë, Nju Jork, Moskë, Madrid, Berlin e kudo në botë. Është hapësira demokratike, medja elektronike dhe e shkruar, interneti dhe, mbi të gjitha qarkullimi i lire i ideve dhe i vet subjektit që e mundësojnë këtë duke i dhënë, gati kujtdo shansin për t’u pajisur me informacion, kulturë, përshtypje të gjalla live, nëse kujtdo nuk i mungon vullneti, etja për progres dhe natyrisht, talenti.

Poezitë e Miltiadh Davidhit burojnë nga mjedisi ku ai jeton, por ato e superojnë atë mjedis, sepse janë të një cilësie më të lartë, për nga fryma, origjinaliteti, timbri i ri, ritmi i ri, melosi, drita dhe ngjyra e re, inspirimi dhe  vokacioni poetik. Të gjitha këto janë të sinkronizuara te vetë poeti dhe, poezia e tij, vjen tek ne lexuesit e ngarkuar me atë esencë lulesh dhe prodhimi të parcelave të fermerëve, veçanërisht të atyre fermerëve që s’marrin rrugën e emigrantit argat të tokave të huaja, por i qëndrojnë mbi kokë tokës së tyre, që e duan dhe janë të lidhur me të, që më shumë se e punojnë,  e qendisin atë me merakun, fantazinë dhe mbi të gjitha me djersën dhe shpatullat e tyre. Si këto parcela e gjej dhe e shoh unë librin poetik të Miltiadh Davidhit me parcela të blerta, ku përzihen natyrshëm lulkuqet me kërcejtë dhe kallinjtë e grunjave. Ashtu si fusha që i kultivon të gjitha kulturat e bimëve, kështu dhe Davidhi i kultivon me merakun dhe finesën e poetit, kulturat poetike: së pari ato shpirtërore, meditative, pa lënë pas dore ato vizive; peizazhin, muzgjet, mjegullat, perëndimet aq mahnitës myzeqar, netët blu, mëngjeset që të lajnë me dritën e tyre të ngrohtë në ngjyrën e pjeprit, me vesën e tyre, që të gjallërojnë me zgjimin e gjithçkaje fushore.       

Poezitë e këtij poeti, nuk janë nuska dhe talismane, ato janë bukuri dhe mençuri. Nuska dhe talismani e shtangin, e friksojnë njeriun gjer në nënshtrim. Edhe bukuria dhe mençuria të shtangin, krijojnë habi, por ato nuk frikësojnë dhe nënshtrojnë, përkundrazi, mençuria dhe bukuria tërheqin, afrojnë, bëjnë t’u hidhesh në krahë, t’u futesh në gjoks. Bukuria do të çlirojë botën, thotë Dostojevski. Poeti nuk bën magjira, por bën poezi për jetën, ekzistencën, harmoninë, poezi që ndihmojnë dhe jo poezi që ngatërrojnë dhe frikësojnë njeriun. Të gjithë i ekzagjerojmë nga pak dhimbjet, mundimin, sakrificat, kurse Davidhi nuk ekzagjeron as praninë e njerës as praninë e tjetrës; ai vetëm i shpreh ato duke frenuar teprimin e ndjenjave dhe emocioneve, jo për t’i kursyer, por vetëm e vetëm që të mos i shkatojë drama dhe lemerira askujt.

Poezia e poetit Miltiadh Davidhi, lexohet lehtë, por nuk harrohet lehtë, përkundrazi ajo mbetet gjatë në mendjen dhe shpirtin e kujtdo.   

***

POEZI E VRULLSHME DHE DELIKATE

IMPRESIONE ( PëR LIBRIN «REGËTIM A E GJETHES», TË POTIT  SAMI VELÇANI,

NGA FASLLI HALITI

Nga titulli Regëtima e gjethes dhe kopertina me një gjethe që dridhet nga ndonjë fllad apo puhi e lehtë, të krijohet përshtypje se do të kesh të bësh me një libër me poezi të qeta, delikate, të brishta, por nuk ndodh kështu. Duke e lexuar i gjen të dyja: delikaten dhe të furishmen; puhinë dhe stuhinë poetike.

Temperament tempestiv dhe prudent autori, me temperament të tillë dhe poezia e tij.

Poeti sheh gjithçka që ia gëzon dhe ia vret syrin, por fokuson, portretizon të bukurën, të pastrën, të virtytshmen, atë që ka tendencë të progresojë, të ecë gjatë. Poeti gëzohet dhe zymtësohet, sipas rastit.Të dyja këto ndjenja i modelon me dritë, por me një dritë që të ndihmon të shohësh më qartë dhe jo që të të verbojë; po kështu dhe zymtësinë nuk e jep me kolor të zi, por me një tis gri që të fut në mendime, që të bën të shtosh vëmendjen ndaj këtij qëndrimi tepër njerëzor.

Atë diell që lindi e bëra vëlla, thotë poeti duke iu gëzuar dritës, pa mallkuar errësirën. Ai më mirë ndez një qiri se sa të mallkoj errësirën. Poezitë e poetit me nerv, por edhe delikat, Sami Velçani, janë qindra, mijëra qirinj dhe prozhektorë që sfumojnë errësirën. Errësira është vazhdimisht në kundërti me dritën dhe vazhdimisht në tërheqje duke bërë që drita të fitojë përherë e më shumë terren.

Lirikat erotike janë gjithë dritë e kolor autokton.

T’i puth supet lakuriqe

Nga deti e porsa dalë,

Bukuroshe djall e Çirçe,

me dy gjokset llambadar.

Poezitë e librit nuk ngujohen, ato kalojnë sa në një gjendje në një gjendje tjetër. Nga puthja e supeve lakuriqe dhe gjokseve llambadarë, poeti kalon në një gjendje krejt dramatike, madje tragjike. Na jep tablonë e kapedanëve që masakrohen pabesisht në Manastir.

Kuajt nëpër udhë

Shfryjnë  në frerë ari

Kush këndon ninullë

Si orakull kali.

Kalimi nga një gjendje e lumtur në një gjendje të rëndë nuk bëhet lehtë, ajo kërkon art, talent, dy cilësi që poeti i ka dhe i përdor magjistralisht. Shprehja metaforike Si orakull kali, është jo vetëm origjinale, por përmban bukur e magji gjë që e shpëton nga kadenca kadareane.

Ajrin mbush baroti

Mbi kokë përskuq molla

Njëqind burra moti

Mbledh nuse belholla.

Kalim tjetër ky nga një gjendje dramatike në një gjendje të hareshme, nga britmat, rënkimet, ohet, në këngët, vallet. Një alternim i tillë gjendjesh jo vetëm që arrihet, por arrihet mrekullisht, pa asnjë lloje stonature. Kur ke të bukurën në esencë, realizohen mrekullira poetike dhe estetike.

E theksova se libri është i pasur me gjendjet e alternuara poetike, lirike, dramatike, meditative, filozofike e stil flad e furtun, pasi ka libra me gjendje të njëjta poetike që japin përshtypjen se janë të shkruara brenda ditës, apo javës. Poetit i krijohen gjendje të shumta dhe ai i realizon këto në kohë të ndryshme. Arti fillon aty, ku ti i rishkakton perceptimet dhe përshtypjet nga realiteti, thotë Tolstoi.

S’flenë mëritë e vjetra

Kryq me shpirt mjeran

Nënat me të zeza

Prerë me jatagan.

S’ka se si të jepet më emocionalisht, më mençurisht e më trimërisht drama çame. Poezia zgjon, kumton ringjallje.

Për ku shkojnë karvanët

Përse qajnë kufijtë

Një komb po ringjallet

Bisqet rrit për ditë.    

Detaji dhe përfytyrimi poetik janë një pasuri tjetër e librit poetik

Regëtima e gjethes.

Deti mbytej nëpër lot.

Detaji shkrihet me paradoksin dhe ne shijojmë një dopjo figurë stilistike.

Jo vetëm mjeshtër i detajit, por Velçani është edhe mjeshtër i përfytyrimit poetik:

Berati hesht, pamje veziri

Si trup çingije dridhen pishat

Si zjarr që fshihet poshtë një hiri

Gjokset e hovur, çajnë këmishat.

Imazhi, jepet njëherësh me krahasim, metaforë, detaj, mitonnimi. Është një përzierje mjeshtërore dhe jo një nakati, për të dhënë sa më të kulluar e të pastër imazhin e qytetit të lashtë.

Si sythet pa çelur pranvere

Atëherë rinia s’kish vlerë

Ti erdhe trokitje pas dere

Dhe ditët m’i dehe si verë.

Kumti është i kuptueshëm. Sythet e paçelur të pranverës, kanë çelur, shkumëzojnë në lule me mundësira frutash të papara. Dhe ky libër poetik që po promovojmë ka lule dhe fruta njëkohësisht.T’i shijojmë si lulet dhe frutat. Edhe të dish të shijosh është art.

 ***

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, Miltiadh Davidhi, Ujevara hene

Mos e mbroni Kadarenë!

September 28, 2015 by dgreca

Ai s’ka nevojë për mbrojtje. Ai është më i mbrojtur se gjithkush. Ai u përket atyre qenieve fatlume që, duke qenë tokësore, botën e shohin nga lart./

Nga Nga Mehmet Elezi/

1.Filloi stina e shpifjeve kundër Kadaresë, shkroi dikush. E kuptoj metaforën, por shpifjet kundër Kadaresë s’kanë stinë. Stina e tyre është në çdo stinë.

Kundër tij janë kundërshqiptarët. Sepse Kadareja është Shqiptar i madh.

Kundër tij janë pasuesit dhe nostalgjikët e diktaturës. Sepse Kadareja është zë i Lirisë. Me frekuencë të rruzullimtë.

Kundër tij janë ata që kryet e kanë në Lindje, këmbët në Perëndim. Sepse Kadareja është interpret i genit perëndimor të shqiptarëve. Dëshmi artistike hijerëndë e këtij geni.

Kundër tij janë gjithfarë moshash, që vetëshpallen qytetarë të botës. Ngaqë s’kanë mundur të bëhen fillimisht qytetarë të vendit të tyre.

Kundër tij janë të vegjlit që kënaqen me mendimin se mund të shembet një i madh. Ngaqë vetë janë të vegjël, të padukshëm.

Kundër tij janë përgojuesit e përhershëm. Ata që e ndiejnë veten të realizuar kur flasin keq për të tjerët, sidomos për dikë që është më lart. Ata që, kur paragjykojnë, kujtojnë se po gjykojnë. Ose, siç thotë Eduard Morrou, “kujtojnë se janë duke menduar, kur në të vërtetë janë duke riorganizuar paragjykimet e tyre”.

Këta bashkë krijojnë një orkestër.

Kundër Kadaresë?

2.Mos e mbroni Kadarenë.

I brishti e i vogli kanë nevojë për mbrojtje, i madhi e i fuqishmi jo. Kadareja është zot në Olimpin e Artit. Fuqinë nuk ia jep karrigia e dyshimtë apo e merituar. Ia jep vepra e tij planetare.Një emër i përbotshëm i letrave mund të rrëzohet vetëm në u rrëzoftë Njeriu. Në u rrënoftë Bota.Kallëzojnë për një avion plot bomba, që u përplas në Majë të Hekurave gjatë Luftës së Dytë. Përbindëshi i ftohtë, barkmbushur me vdekje, plasi si fluturushë (tullumbace), u bë i paqenë. Dy vjet më vonë, dhjetë vjet më vonë, njëzet vjet më vonë, muziktarë popullorë e rapsodë ngjiteshin lugjeve shkëmbore, drejt eshtrave të fluturakut. Mes mbetjeve metalike përzgjidhnin tuba me i ba fyej. Me fyejtë e duraluminit të tij kanë kënduar mija herë në vetminë e bjeshkës, në skena kombëtare e ndërkombëtare, në mrize, në dasma. Këndojnë edhe sot.Le të sulmohet Kadareja, drejtpërdrejt a me telekomandë nga prapaskena, gjuajtjet do të kenë fatin e avionit që u zhbë në Majë të Hekurave. Copat e tyre shkrimtari i shndërron në fyej. Në art që u përcillet brezave.

 

3.A është i përkryer Kadareja?

Cili Kadare, njeriu apo shkrimtari?Asnjë shpirt gjeniu në mijëra vjet s’ka mundur të jetë i përsosur. Dhe s’mund të jetë kurrë. S’ka mal pa hone dhe gremina të tutshme. S’ka pyll madhështor pa drunj të kalbur dhe ujq. S’ka det shungullues pa ndotje e oktapodë, që humbin nëpër dallgë.

Çdo qenie njerëzore ka dobësitë njerëzore, siç ka edhe ngasjet e gjakimet e nënvetëdijes. Nuk është meritë mos me i pasë ato, kjo është e pamundshme, ato janë brenda njeriut. Meritë është me i mbajtë fort nën kontroll. Me i sundue, jo me të sundue.Përkryerja ekziston vetëm në qiell.Si qëllim e si mision po, por si jetësim, si përmbushje, përsosmëria nuk mund të jetë për vdekatarët. Edhe një shenjtore e gjallë, si Nëna Terezë, ka pasur mëdyshjet e veta, grimëherat e dyshimit e të ligështimit. E errësojnë? Ato veç e afrojnë, e bëjnë më të prekshme prej nesh. Më njerëzore, më bindëse. Në pasqyrën e luhatjeve të saj gjejmë veten, shohim njeriun prej mishi e gjaku. Qenka si ne. Pra kurrgjë s’është e pamundshme as për ne.Në pastë gjëra që shumëkush i sheh tjetërqysh, jo si Kadareja, kjo s’ndryshon gjë. Këtu shkëputet Liria nga totalitarizmi. Tek e drejta dhe mundësia me këqyrë jo nëpër një dritare, por nëpër shumë dritare, ku më pak e ku më shumë të hapura e me dritë. Monopolin e të vërtetës e ka vetëm e vërteta.Në pastë njerëz që ende s’e kuptojnë naltësinë e malit Kadare, kjo mbase ka një përligjje. Naltësitë kuptohen më mirë të vështruara nga larg.Sytë vjen një ditë dhe mbyllen e harrohen. Vepra e madhe kurrë.

4.Në kthesën dramatike që lidh dy mijëvjeçarët, cili i ka dalë zot Kosovës dhe çështjes shqiptare me armën e letrave, ballas e tronditshëm, si Kadareja?Me përkushtimin e një Shqiptari.Me zërin e fuqishëm, europian.Me hapësirën mediatike që ka një personalitet, për të cilin kontinenti është i vogël.

5.Mos e mbroni Kadarenë!

Tjetërkush ka nevojë për më shumë mbrojtje. Ai jo.Kadareja nuk sulmohet si vete, si individ. Sulmohet si institucion kombëtar. Sulmohet si Vlerë shqiptare përfaqësuese.

Skënderbeu nuk sulmohet në emër të ndriçimit të historisë. Synohet me e tjetërsue si Vlerë shqiptare përfaqësuese.Sulmet mbi prejardhjen ilire shpesh kanë prapavijë të errët. Prejardhja ilire shihet si Vlerë identitare e shqiptarëve.Gjuha shqipe, kur rreken me e ça dyzash, shenjohet si Vlerë identitare shqiptare. Ajo ka mbijetuar mija vjet, na njëjtëson e na bashkon të tërë. Të pakuptueshëm mbeten edhe ata që i thonë ndal çdo reforme përtëritëse gjuhësore. Që mbahen te filozofia e djeshme, te përjashtimi oruellian, përballë gjithëpërfshirjes së vlerave.

 

6.Mos e mbroni Kadarenë!

Ai s’ka nevojë për mbrojtje. Ai është më i mbrojtur se gjithkush. Ai u përket atyre qenieve fatlume që, duke qenë tokësore, botën e shohin nga lart.Gjeniu dëgjon zhurmnajën poshtë vetes dhe vetëm rrudh supet: kush janë këta, ç’dreqin duan? I shpërfill. Në emër të tij e merr fjalën Zarathustra: “Ju vështroni lart kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”.Në e marrtë Çmimin Nobel – të merituar qyshkur – bota e letrave do të tundë kryet: kësaj here po! Si për Markezin e për Llosën.Në ndodhtë e kundërta, dështimi do të jetë për jurinë. Gjykimi dhe paanësia do t’i përfliten. Siç i janë përfolur në fillim të qindvjetëshit të njëzetë dhe në fund të tij. Nga Tolstoi, te Borgesi.Kadareja mbetet Kadare, me ose pa Nobelin. Veprat janë aty, më të rënda se çdo çmim. Pushtuese elegante të Botës.

7.Pra?

Mos harxhoni frymë me mbrojtë Kadarenë. Mundohuni me mbrojtë Shqipërinë dhe shqiptarët.Se ata që duket sikur i mëshojnë Kadaresë, i mëshojnë Shqipërisë, u mëshojnë shqiptarëve.Për t’ua shpërbërë ADN-në e Vlerave që i njëjtësojnë. (E dergoi per Diellin Bardhyl Selimi)

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadarene, Mehmet Elezi, Mos e mbroni

Papa: lumturia e shenjtëria qëndron në gjeste të vogla

September 28, 2015 by dgreca

…Në Dublin, Dita e Familjes 2018/

“Fjala e Zotit na fton të gjithëve të marrim pjesë në profecinë e besëlidhjes ndërmjet një burri e një gruaje, që lind jetën e zbulon Zotin”. Kështu foli Papa Françesku në homelinë e meshës, që mbylli Takimin VIII Botëror të Familjeve në Filadelfia. Qindra mijëra njerëz, ardhur nga pesë kontinentet, u lutën me Atin e Shenjtë, i cili theksoi se lumturia e shenjtëria lidhen me gjeste të vogla. Më pas, lajmi se Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Dublin të Irlandës, në vitin 2018. Por të kthehemi në meshën e mbrëmshme.

Filadelfia, SHBA-të, bota, u ndalën në lutje me Papën. Në fotografitë, që tashmë qarkullojnë nëpër të gjitha mediat, shihet qartë një lumë njerëzish, por edhe feje, që mbushi Benjamin Franklin Parkway. Qindra mijëra njerëz, të kthyer me duar të bashkuara në lutje, nga Kryqi mbi Eakins Oval, gjysëmqarku nga ku familjet, të shtunën, festuan dhe u lutën me Atin e Shenjtë. Në elter, së bashku me klerin e pranishëm, Papa Françesku kremtoi meshën e madhe, që mbylli Takimin e Familjeve, pasi përshkoi në mesin e turmës entuziaste, rrugën që e çoi nga seminari i Shën Karl Borromeut në shesh, gjatë së cilës, si zakonisht, bekoi, puthi e përkëdheli fëmijë e të rritur:

    “Zoti, Ati ynë, – pohoi Papa – nuk lejon ta mundin në bujari e mbjell, mbjell praninë e tij në botën tonë”.

Dashuria e Zotit

Zoti na ka dashur i pari, vazhdoi Ati i Shenjtë, duke u thënë familjeve t’i besojnë Hyjit e ta lëshojnë gjithë vetveten në duart e Atij, që nuk zhgënjen. Kujtoi fjalët e Jezusit: “Mos e pengoni të mirën, përkundrazi, ndihmojeni të rritet”. Nënvizoi se lumturia dhe shenjtëria qëndron në gjestet e vogla, siç thuhet në Ungjillin sipas Markut:

    “Kushdo t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim… nuk do ta humbë shpërblimin”.

Gjestet e vogla

Në jetën e familjes, kjo kërkesë shihet në gjestet vërtet minimale, të cilat mund edhe të mos vihen re aspak në jetën e përditshme:

 “Janë gjeste dhembshurie, dashurie, mëshire”.

Një pjatë e ngrohtë me gjellë, bekimi para gjumit, një përqafim… Janë gjeste familjare, vuri në dukje Papa, që tregojnë kujdesin për detajet e çdo dite dhe i japin jetës shijen e shtëpisë. Feja, shtoi, rritet kur jetohet e plazmohet nga dashuria:

 “Prandaj, familjet tona, shtëpitë tona, janë kisha të vërteta shtëpiake: janë vendi i përshtatshëm, në të cilin feja bëhet jetë e jeta bëhet fe”.

Ndërtimi i shtëpisë së përbashkët

Papa Françesku nënvizoi se Jezusi na kërkon të mos u vëmë fre këtyre gjesteve të vogla të mrekullueshme, madje dëshiron që t’i shtojmë e t’i shkaktojmë. Duhet ta lemë veten në dorën e Shpirtit Shenjt, theksoi sërish Papa, sepse Ai na sfidon ta kuptojmë pse jetojmë e çfarë duam t’u lemë trashëgim fëmijëve:

   “Shtëpia jonë e përbashkët nuk mund të tolerojë ndarje shterpe”.

E këtu, Ati i Shenjtë e ftoi edhe një herë krejt familjen njerëzore të kërkojë një zhvillim të gjithanshëm e të qëndrueshëm:

   “Bijtë tanë, të gjejnë tek ne pika referimi për bashkimin e jo për ndarjen. Bijtë tanë, të gjejnë tek ne njerëz të aftë të bashkohen me të tjerët, që të lulëzojë kudo gjithë e mira, që ka mbjellë Ati Qiellor”.

Besëlidhja e burrit me gruan

Në një botë të lodhur nga përçarjet e katastrofat, Papa Françesku e sheh familjen si diçka profetike dhe e ftoi atë t’i hapë dyert e zemrës e ta përtërijë fenë në Fjalën e Zotit. Gjithashtu, i ftoi të gjithë të marrin pjesë në profecinë e besëlidhjes ndërmjet një burri e një gruaje, që lind jetën e na zbulon Zotin.

Dublin 2018

Në fund të meshës, përshëndetja e kreut të Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vincenzo Paglia, i cili lajmëroi se Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Dublin të Irlandës, në vitin 2018.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dita e familjes, Lumturia e shenjteria, Papa

REFLEKSION PËR SHTATË FJALSHIN & E RESHIDA ÇOBËS

September 27, 2015 by dgreca

Nga Hasan SELIMI/
 “Luginës së gjinjve,/
Hutuar dallgë e bardhë, /
Harroi bregun”. /
 E nderuar Reshidë. Fort bukur ky lloj përkufizimi klasik dhe krejt filozofik. Nuk ka çka mendon tjetër njeriu vetëm misterin e kësaj strofe me nga dy fjalë. Mundem me i thënë vetëtimë, mundem me i thënë koncentrimi filozofik i çdo ngjarjeje.
Jeta vazhdon dhe njeriu duhet të ketë optimizëm. Thellësia e mendimit të vargut që ju bëni lenë me gojë hap çdo lloj kritiku sa do i shkathtë të jetë. E lenë me gojë hap se nuk di se çka me thënë tjetër, se çka me thënë më parë për këtë pamflet. Ja “Luginës së gjinjve” e kush nuk ka kaluar nga kjo anë me lëngun e jetës të dhënë nga nëna. E kush nuk hutohet, kur nëna gjirin fëmijës ia tregon. Nga ëmbëlsia dhe nga nevoja njeriu gjindet i pa asnjë pretekst tjetër vetëm me emocionin e gëzimit në gulçin e shpresës.
    Gjinj ka çdo nënë njeri, gjinj ka edhe nëna kafshë. Fëmijë ka nëna njeri, fëmijë ka edhe nëna kafshë, bile edhe shpend. Njësoj është. Dhimbje dhe dashuri ka nëna njeri, dhimbje dhe dashuri ka nëna kafshë, apo shpend. Në të gjithë gjinjtë ka jetë, në të gjithë gjinjtë ka dashuri, në të gjithçka ka gjinj, ka edhe seks ,sepse pa seks nuk do kishte gji, sepse pa seks nuk do të kishte lindje dhe pa lindje nuk do të ketë emocion gëzimi për gjirin e nënës.
Këtu më kujton Oshon, njërin nga filozofët më të kohës. Ai e shpjegon me një imtësi filozofike të pakrahasueshme zhvillimin dhe seksin, dashurinë dhe konfirmimin material deri tek fëmija që do të thërrasë nënë.
    Që të mos zgjatem tek i madhi Osho, ne duhet të përcjellim shtatë fjalët e poetes Reshida Çoba si një skenë në vazhdim, si një kapardisje për gjinjin e vet. Ju lutem kuptoni dhe mos e shpërdoroni poeten se Ajo po flet në Vetën e Parë. Ajo po flet për “Luginës së Gjinjëve”. E kush është femër dhe nuk ka pa gjinjtë e vet. E kush është mashkull dhe nuk ka pa gjinj. Cili nuk është marrosë prej atij objekti material jetësor kaq të pazëvendsueshëm. Ju keni pa nëna që nuk kanë qumsht në gjirin e vet pas lindje. Fëmijën e rritin me qumshtin e dhisë, apo të lopës së kuqe. Ky fëmijë e ka mallin e pashuar për gjirin e nënës. Herë pas here hapë gjoksin e nënës dhe puth gjinjtë edhe pse e di se qumësht aty nuk ka.
   “Hutuar dallgë e bardhë” Po, po qumshti është dallgë e bardhë. Ju keni parë edhe në reklama marketing se si bën dallgë qumshti. Ndoshta ju ka sjell puna dhe keni pa qumshtin në zjarr, kur zihet se si nxjerr shkumë të bardhë dhe ndërton një stom të madh shkume e qumshti bashkë, si vullkan që del nga bërthama e tokës, pastaj dirgjet në faqet e kovës si ortek në shpatet e bjeshkëve. Ja, ai qumsht që derdhet në zjarr fik krejt zjarrin. Pra, shuhet edhe zjarri nga qumshti. Edhe zjarri paska etje për qumsht dhe qumshti i shuan etjen.
      “Luginës së Gjinjëve”/“Hutuar dallgë e bardhë”/. Merre si në të vërtetë si ka ndodh shpesh herë. Shikon gjinjtë dhe mendja se ku nuk të shkon. Janë me të vërtetë të bardhë, me të vërtetë ka një luginë në mes tyre, ka edhe brigje në të gjitha anët, ngado që ti shikosh ka brigje, ka lugina, ka bardhësi pa fund. Të mos harrojmë ka shumë jetë, ka shumë dashuri, se dihet pa dashuri nuk ka jetë. Bile disa herë nuk kam qejf të përseris edhe dashuri, edhe jetë. Këto dy emra fjalë nuk kanë kuptim pa njëra- tjetren, bile ku shënon njerën ke shënuar të dyja.
E tash “Harroi bregun” po, po merre si ta marrësh. Në se e merr se harron të puthish buzën nuk ka asnjë faj askush. Para gjinjve nuk ka asnjë diçka tjetër që e zëvendëson. Tek njeriu ka shumë pragje, shumë brigje, shumë dilema, ndaj është materie më vehte. Në asnjë rast dashuria nuk shpërdorohet. Nuk ka koncept që mund të vërtetoj mendësinë e shpërdoruesit të dashurisë. Në se je me nënën, atëherë duhet të jetosh. Gjini i nënës është në atë moshë që gdhend vetëm në nevojën për jetë.
“Harroj Bregun”, po mundet të harrohet gjithçka edhe epshi i pa përmbajtur qendron pezull mbi gjinjtë e bukur të gruas nënë. Ka nga ata që e trajtojnë si t’u deshirojnë qejfi i tyre, por në këndvështrimin tim një nënë, e cila është edhe grua para saj dhe gjinjve të saj kanë një ndjesi të pamatshme. Sado pendë e guximshme të jesh nuk mund të përshkruash emocionin që të sjell epshi dhe pezullimi që të sjell mania e gjirit të nënës grua. Them nënë-grua, sepse çdo grua është nënë dhe çdo nënë është edhe grua. Tani, uroj që çdo grua të bëhet nënë.
Shtatë fjalët e Reshida Çobës më detyruan të shënoj gjithë këtë mendim timin për gjinjtë, për luginat e tyre, për dallgët që ato çojnë, për zanafillën biologjike dhe për atë më kryesoren për filozofinë e vargut të saj.
Por unë e kam fjalën për gjinjtë që ka lind nga nëna dhe jo për gjinjtë e harrnuar dhe të montuar, që në prekje ngjajnë si dru. Këtu e kam fjalën për gjinjtë, për ndjesinë që jep ai gji në misterin e tij, si diçka e padukshme, e imagjinueshme, e paimagjnueshme, që mendo e kujton dhe nuk guxon ta prekësh si e paprekshme dhe që nuk duron përçmim. E kam fjalën për gjirin si ushqimi fillestar nga nëna që të rritë dhe të pjek intelegjencën, të konsolidon llogjikën e të jep jetën. Për këtë lloj gjiri shkruan Reshida Çoba.
Këto shtatë fjalë janë një postulat, tezë e një mendimi të kualifikuar. Ju thashë më lart se duhet një simpozium i tërë të zbërthejë këtë shtatë fjalësh. Koncentrimi filozofik i vargut të Reshidës sjell me vete një thesë fjalë që duhet të seleksionohen. Gdhend fjalë, gdhend metaforë, gdhend realitet, gdhend epokë.
Autorja u nxori punë të gjithëve, mendoj unë. Për një shkreptim rrufeje pa re që përzhitë gati çdo mendje në harrim, jo si harresë, por si vëllim.
Aty nuk ka figura, pak dhe shumë, aty nuk ka legjenda, pak dhe pa fund, aty ka mister që askush ndonjëherë s’ka për ta njohur. Ka dhe transparencë që shihet nga kudo, aty ka gjithçka që gjen njeriu tek nëna.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hasan Selimi, Reshida Coba, shtate fjaleshi

PAPA NË OKB: PUNONI PËR PAQEN, KUNDËR LUFTRAVE, KUNDËR PERSEKUTIMEVE!

September 25, 2015 by dgreca

“Punoni për paqen, drejtësinë, ambientin, familjen, mundësitë për arsimim, kundër luftrave e kundër persekutimeve”: kjo, këshilla atërore e Papës Françesku për përfaqësuesit e kombeve, mbledhur në asamblenë e përgjithshme në selinë e OKB-së në Nju Jork. Por të ecim me radhë…

Në stilin e Papës Françesku, vizita e tij në Nju Jork filloi me lutjen në katedralen 136-vjeçare të shën Patrikut, në Fifth Avenue, e me takimin e djeshëm me të pastrehët, por dita e sotme qe një nga më të rëndësishmet e udhëtimit të dhjetë apostolik të Atit të Shenjtë. Sot, herët në mëngjes(me orën amerikane), Papa foli para asamblesë së OKB-së, mbledhur për takimin më domethënës të një pesëmbëdhjetëvjeçari veprimtarie: atë, në të cilin krerë shtetesh e qeverish, ambasadorë e përfaqësues, do të vendosin për objektivat e Kombeve të Bashkuara në pesëmbëdhjetëvjeçarin pas vitit 2015.

Papa takohet me personelin e OKB-së

Ati i Shenjtë u prit nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon e dy fëmijë, të dy funksionarëve rënë gjatë shërbimit, i dhuruan lulet e mirëseardhjes. Fillimisht, Françesku i foli personelit të OKB-së e, edhe ai, nga ana e tij, vendosi lule në pllakën përkujtimore të funksionarëve të rënë në shërbim, të cilët i kujtoi edhe në fjalën para asamblesë, duke përmendur njërin prej tyre, Dag Hammarskjold. Duke i falenderuar për punën, shpesh të padukshme e të heshtur, Ati i Shenjtë u tha punonjësve se kontribuojnë në përmirësimin e OKB-së dhe u kërkoi:

    “…qëndrojini afër njëri-tjetrit, respektojeni njëri-tjetrin, që të mishëroni në vetvete idealet e kësaj Organizate të familjes njerëzore të bashkuar, që jeton në harmoni, që vepron jo vetëm ‘për’ paqen, por edhe ‘në’ paqe; që punon jo vetëm ‘për drejtësinë’, por edhe me ‘frymën’ e drejtësisë”.

Ati i Shenjtë vlerësn punën e OKB-së

Pas takimeve private me autoritetet e OKB-së, Papa Françesku u foli përfaqësuesve të kombeve, duke kujtuar që në fillim vizitat e paraardhësve të tij, që nga Pali VI, tek Gjon Pali II e tek Benedikti XVI. Ati i Shenjtë, në herën e pestë të një pape në OKB, shprehu mirënjohjen për përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë përgjigje juridike e politike gjendjeve të ndërlikuara në botë. Papa vuri në dukje se në çastin aktual, teknologjitë i shkurtojnë distancat, por mund të shkaktojnë edhe tmerre, nëse përfundojnë në duart e ideologjive nacionaliste, të cilat e mbajnë veten universale, por nuk janë të tilla. Edhe Kisha Katolike i njeh pikërisht OKB-së rëndësinë historike dhe punën e kryer në 70 vjetët e jetës së saj, sidomos në fushën e së drejtës ndërkombëtare, në normativat për të drejtat e njeriut, në përsosjen e së drejtës humanitare dhe të të drejtave të tjera, që favorizojnë paqen dhe pajtimin:

   “Është e sigurtë që, pavarësisht se problemet e rënda të pazgjidhura akoma janë të shumta, nëse do të kishte munguar gjithë kjo veprimtari ndërkombëtare, njerëzimi nuk do të kishte mbijetuar nga përdorimi i pakontrolluar i vetë mundësive e i potencialitetit të vet”.

Organizmat financiare ndërkombëtare të vigjëlojnë mbi zhvillimin

Përvoja 70-vjeçare, nënvizoi më tej Papa, tregon rëndësinë e përshtatjes me nevojat e epokës, të kërkimit të barazisë ndërmjet vendeve, të fuqizimit efektiv të institucioneve si Këshilli i Sigurimit apo organizmat e tjera financiare, që duhet të përballojnë krizën ekonomike, sidomos në vendet në zhvillim:

“Organizmat financiare ndërkombëtare duhet të vigjëlojnë mbi zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve, për të shmangur nënshtrimin mbytës të këtyre vendeve ndaj sistemeve të kredive, të cilat, larg nga promovimi i progresit, i nënshtrojnë popullsitë me mjetet e varfërisë më të madhe, përjashtimit e varësisë”.

Gjithësia vjen nga një vendim dashurie i Krijuesit

Papa foli për frymën e drejtësisë, kusht i domosdoshëm në realizimin e vëllazërimit universal; vuri në dukje se në panoramikën botërore vërehen shumë të drejta të rreme, të cilat ndihmojnë pushtete të caktuara dhe shkaktojnë shkatërrimin e ambientit, duke rritur numrin e të përjashtuarve nga shoqëria. Ati i Shenjtë ngriti zërin me forcë për të pohuar se ambienti është ngushtësisht i lidhur me nivelin e përjashtimit të njerëzve nga shoqëria, duke kërkuar “të drejtën për ambientin”:

  “Ne të krishterët, së bashku me fetë e tjera monoteiste, besojmë se gjithësia vjen nga një vendim dashurie i Krijuesit, i cili i jep mundësinë njeriut ta përdorë atë me respekt për krijimin, për të mirën e vëllezërve të vet dhe për lavdinë e Krijuesit, por pa e shpërdoruar e pa u ndjerë i autorizuar ta shkatërrojë”.

Vullnet e hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të ambientit

Abuzimi me ambientin lidhet drejtpërdrejt me procesin e përjashtimit nga shoqëria – përjashtim ekonomik e shoqëror, që i fshin me një të rënë të lapsit të drejtat e njeriut dhe vetë ambientin, duke sjellë “kulturën e hedhurinave”. Duhet bërë ç’është e mundur, bëri thirrje Ati i Shenjtë, që të parashikohen masa urgjente dhe të frytshme si në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ashtu edhe në Konferencën e Parisit për ndryshimet e klimës. Nuk mjaftojnë kompromiset, deklaroi Papa. Kemi nevojë për vullnetin e vërtetë e për hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të ambientit, për të vepruar kështu kundër fenomenit të përjashtimit e të mënjanimit shoqëror e ekonomik, që sjell si pasojë trafikun e njerëzve, trafikun e organeve, shfrytëzimin seksual të fëmijëve, skllavërinë e punës, prostitucionin, trafikun e drogës e të armëve, terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar të organizuar:

  “Është kaq e madhe rëndësia e këtyre situatave dhe numri i viktimave të pafajshme të përfshira në to, saqë duhet të shmangim çdo lloj tundimi për të rënë në një nominalizëm deklamues, me efekte anestetizuese për ndërgjegjet”.

E drejta për arësimim, bazë e Agjendës 2030

Kemi nevojë për mjete teknike konkrete, pranoi Papa Françesku, por kjo sjell me vete dy rreziqe: të kthehemi në burokratë, që hartojnë lista me qëllime të mira, ose të besojmë se zgjidhjet teknike janë përgjigjja për të gjitha problemet. Ati i Shenjtë kërkoi ndërhyrje të kujdesshme, udhëhequr nga fryma e drejtësisë, duke pasur parasysh se pas planeve në letër ka njerëz konkretë e jo numra. Zhvillimi gjithanshëm nuk mund t’u imponohet njerëzve. Ata duhet të jenë protagonistët e fatit të tyre:

  “Kjo kërkon të drejtën për arsimim – përfshirë edhe vajzat e vogla, të përjashtuara në disa vende – që sigurohet së pari, duke respektuar e duke forcuar të drejtën parësore të familjeve për të edukuar dhe të drejtën e Kishave e të organizatave të tjera shoqërore t’i mbështesin e të bashkëpunojnë me familjet në edukimin e bijve e të bijave të tyre. I kuptuar kështu, edukimi është baza për realizimin e Agjendës 2030 e për përtëritjen e ambientit”.

Njohja e një ligji moral të shkruar në vetë natyrën njerëzore

Qeveritarët, sipas Atit të Shenjtë, duhet të bëjnë ç’është e mundur që familja të ketë një jetë dinjitoze. Minimuni absolut në nivelin material ka tri emra, theksoi Papa: shtëpia, puna e toka; ndërsa në nivelin shpirtëror, lirinë e shpirtit, në të cilën përfshihet liria fetare, e drejta për arsim e të drejtat e tjera qytetare. Françesku vijoi të përvijojë Agjendën e tij për vitin 2030, duke nënvizuar se të gjitha këto shtylla të rëndësishme për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut e kanë themelin në të drejtën për jetën, që, në një kuptim më të gjerë, Papa e quajti “të drejtë për ekzistencën e vetë natyrës njerëzore”.

Jemi në rrezik, vuri në pah Ati i Shenjtë, nga kriza ekologjike dhe nga shkatërrimi i një pjese të biodiversitetit, nga pasojat e qeverisjes së keqe të botës, udhëhequr vetëm nga ambicia, paraja dhe etja për pushtet. Kjo ndodh, ngaqë njeriu nuk e njeh më Zotin e jeton sikur Hyji të mos ekzistonte:

  “Mbrojtja e ambientit dhe lufta kundër përjashtimit kërkojnë njohjen e një ligji moral të shkruar në vetë natyrën njerëzore, që përfshin dallimin e natyrshëm ndërmjet burrit e gruas dhe respektin absolut për jetën, në të gjitha fazat e përmasat”.

Të zbatohet Karta e OKB-së

Siç thuhet edhe në Kartën e OKB-së, nëse nuk i vemë vetes kufizime etike, nuk do të jemi në gjendje të promovojmë zhvillimin shoqëror dhe liritë, sot, të kërcënuara nga korrupsioni e nga kolonizimi ideologjik, që imponon stile jetese krejtësisht të papërgjegjshme, në kundërshtim me identitetin e popujve. Duhet të kemi kujdes, nënvizoi Papa Françesku, të shmangim luftrat ndërmjet popujve e kombeve e të mos e shkatërrojmë ambientin, përmes luftës. E duke kujtuar 70-vjetorin e OKB-së, Ati i Shenjtë vuri në dukje se të gjitha këto qëllime të mira janë të shkruara në Kartën e saj, mjafton të zbatohen:

  “Nëse respektohet dhe zbatohet Karta e Kombeve të Bashkuara me transparencë dhe sinqeritet, pa synime të dyta, nëse konsiderohet pikë referimi e detyrueshme për drejtësinë e jo mjet për të maskuar qëllime të dyshimta, arrihen rezultate paqeje. Kur, në të kundërtën, norma ngatërrohet me një mjet të thjeshtë për t’u përdorur kur na duhet e për t’u lënë mënjanë herë të tjera, hapet një vazo e vërtetë e Pandorës me forca të pakontrollueshme, që dëmtojnë rëndë popullsi të pafajshme, ambientin kulturor e, edhe ambientin biologjik”.

Gjendja e të krishterëve dhe e pakicave etnike

Hyrja e neni i parë i Kartës së OKB-së, nguli këmbë Papa Françesku, kërkojnë një strukturë juridike, që promovon paqen. E kundërta e kësaj është realiteti i tregut të armëve dhe të armëve bërthamore. Ati i Shenjtë përmendi me kënaqësi marrëveshjet e fundit bërthamore në Azi e në Lindjen e Mesme, që shkojnë në drejtimin e një bote pa konflikte. Më pas, u ndal në gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave etnike në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në vende të tjera afrikane, duke kujtuar dhunën e urrejtjen, shkatërrimin e vendeve të kultit, të trashëgimisë kulturore e fetare e të shtëpive, duke kujtuar jetën e vënë në rrezik, që krijon nevojën për të zgjedhur ndërmjet jetës në skllavëri, ose emigracionit. E jehoi fuqishëm thirrja e Papës për përgjegjësi, ashtu siç pati kërkuar edhe më 9 gusht 2014, në letrën për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së:

“Jo vetëm në rastet e persekutimit fetar apo kulturor, por në çdo gjendje konflikti, si në Ukrainë, në Siri, në Irak, në Libi, në Sudanin e Jugut e në rajonin e Liqeneve të Mëdha, para interesave të veçanta, edhe kur janë të ligjshme, qëndrojnë fytyra konkrete. Në luftra e në konflikte ka njerëz, vëllezër e motra, burra e gra, të rinj e të moshuar, fëmijë, që derdhin lot, që vuajnë e vdesin. Njerëz, që bëhen hedhurina, ndërsa s’bëhet tjetër, veçse numërohen problemet, strategjitë e diskutimet”.

Ati i Shenjtë foli edhe për fenomenin e trafikut të drogës, që mbulohet me heshtje nga politika, por që sjell vdekjen e miliona njerëzve. Për dinamikën e tij, ky trafik lidhet me atë të njerëzve, me trafikun e armëve, me shfrytëzimin e të miturve e me format e ndryshme të korrupsionit, që hyn thellë në përmasat e ndryshme të jetës shoqërore, politike, artistike, ushtarake, fetare, duke krijuar struktura paralele e duke shkatërruar besueshmërinë e institucioneve.

Rreziku i vërtetë vjen nga vetë njeriu

Së fundi, Papa Françesku kujtoi fjalët e paraardhësve të tij në Kombet e Bashkuara, sidomos të Palit VI, i cili thoshte se rreziku i vërtetë vjen nga vetë njeriu, që mund t’i përdorë mjetet gjithnjë e më të fuqishme në dispozicion, për zhvillimin ose për shkatërrimin e botës:

“Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të vazhdojë të ndërtohet mbi kuptimin e drejtë të vëllazërimit universal e mbi respektin për shenjtërinë e çdo jete njerëzore, të çdo burri e të çdo gruaje, të të varfërve, të të moshuarve, të të palindurve akoma, të të sëmurëve, të të papunëve, të të braktisurve, të atyre që gjykohen si hedhurina, sepse konsiderohen vetëm numra të kësaj apo asaj statistike e asgjë më shumë. Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të ndërtohet edhe mbi kuptimin e një farë shenjtërie të natyrës së krijuar”.

Të vihen mënjanë interesat sektoriale, për të mirën e përbashkët

Ashtu siç thoshte Papa Pali VI, nënvizoi Françesku, qytetërimi duhet bazuar mbi parime shpirtërore, të cilat jo vetëm janë të afta ta mbajnë, por edhe ta shndrisin e t’i japin jetë. Nuk është kështu sot, denoncoi Ati i Shenjtë. Bota bashkohore duket mëse e lidhur dhe e bashkuar, por vijon pa ndërprerje fragmentimin e saj shoqëror, i cili e vë në rrezik shoqërinë, pasi e ekspozon ndaj interesave të veçanta, duke i nxitur njerëzit njëri kundër tjetrit. E duke siguruar ndihmën dhe mbështetjen e Kishës Katolike, thirrja e fundit e Papës Françesku për përfaqësuesit e kombeve:

“Koha e sotme na fton të privilegjojmë veprime, që mund të lindin dinamizma të reja në shoqëri e mund të sjellin fryte në ngjarje historike të rëndësishme e pozitive. Nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i shtyjmë për më vonë ‘disa agjenda’. E ardhmja na kërkon vendime kritike e globale para konflikteve botërore, që shtojnë numrin e të përjashtuarve e të nevojtarëve… Do t’i marrim këto vendime, nëse përfaqësuesit e shteteve do të dinë të vënë mënjanë interesat sektoriale dhe ideologjitë, për t’u përpjekur sinqerisht t’i shërbejnë së mirës së përbashkët”.

Filed Under: ESSE Tagged With: KUNDËR LUFTRAVE, KUNDËR PERSEKUTIMEVE!, PAPA NË OKB:, PUNONI PËR PAQEN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 438
  • 439
  • 440
  • 441
  • 442
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT