Ai s’ka nevojë për mbrojtje. Ai është më i mbrojtur se gjithkush. Ai u përket atyre qenieve fatlume që, duke qenë tokësore, botën e shohin nga lart./
Nga Nga Mehmet Elezi/
1.Filloi stina e shpifjeve kundër Kadaresë, shkroi dikush. E kuptoj metaforën, por shpifjet kundër Kadaresë s’kanë stinë. Stina e tyre është në çdo stinë.
Kundër tij janë kundërshqiptarët. Sepse Kadareja është Shqiptar i madh.
Kundër tij janë pasuesit dhe nostalgjikët e diktaturës. Sepse Kadareja është zë i Lirisë. Me frekuencë të rruzullimtë.
Kundër tij janë ata që kryet e kanë në Lindje, këmbët në Perëndim. Sepse Kadareja është interpret i genit perëndimor të shqiptarëve. Dëshmi artistike hijerëndë e këtij geni.
Kundër tij janë gjithfarë moshash, që vetëshpallen qytetarë të botës. Ngaqë s’kanë mundur të bëhen fillimisht qytetarë të vendit të tyre.
Kundër tij janë të vegjlit që kënaqen me mendimin se mund të shembet një i madh. Ngaqë vetë janë të vegjël, të padukshëm.
Kundër tij janë përgojuesit e përhershëm. Ata që e ndiejnë veten të realizuar kur flasin keq për të tjerët, sidomos për dikë që është më lart. Ata që, kur paragjykojnë, kujtojnë se po gjykojnë. Ose, siç thotë Eduard Morrou, “kujtojnë se janë duke menduar, kur në të vërtetë janë duke riorganizuar paragjykimet e tyre”.
Këta bashkë krijojnë një orkestër.
Kundër Kadaresë?
2.Mos e mbroni Kadarenë.
I brishti e i vogli kanë nevojë për mbrojtje, i madhi e i fuqishmi jo. Kadareja është zot në Olimpin e Artit. Fuqinë nuk ia jep karrigia e dyshimtë apo e merituar. Ia jep vepra e tij planetare.Një emër i përbotshëm i letrave mund të rrëzohet vetëm në u rrëzoftë Njeriu. Në u rrënoftë Bota.Kallëzojnë për një avion plot bomba, që u përplas në Majë të Hekurave gjatë Luftës së Dytë. Përbindëshi i ftohtë, barkmbushur me vdekje, plasi si fluturushë (tullumbace), u bë i paqenë. Dy vjet më vonë, dhjetë vjet më vonë, njëzet vjet më vonë, muziktarë popullorë e rapsodë ngjiteshin lugjeve shkëmbore, drejt eshtrave të fluturakut. Mes mbetjeve metalike përzgjidhnin tuba me i ba fyej. Me fyejtë e duraluminit të tij kanë kënduar mija herë në vetminë e bjeshkës, në skena kombëtare e ndërkombëtare, në mrize, në dasma. Këndojnë edhe sot.Le të sulmohet Kadareja, drejtpërdrejt a me telekomandë nga prapaskena, gjuajtjet do të kenë fatin e avionit që u zhbë në Majë të Hekurave. Copat e tyre shkrimtari i shndërron në fyej. Në art që u përcillet brezave.
3.A është i përkryer Kadareja?
Cili Kadare, njeriu apo shkrimtari?Asnjë shpirt gjeniu në mijëra vjet s’ka mundur të jetë i përsosur. Dhe s’mund të jetë kurrë. S’ka mal pa hone dhe gremina të tutshme. S’ka pyll madhështor pa drunj të kalbur dhe ujq. S’ka det shungullues pa ndotje e oktapodë, që humbin nëpër dallgë.
Çdo qenie njerëzore ka dobësitë njerëzore, siç ka edhe ngasjet e gjakimet e nënvetëdijes. Nuk është meritë mos me i pasë ato, kjo është e pamundshme, ato janë brenda njeriut. Meritë është me i mbajtë fort nën kontroll. Me i sundue, jo me të sundue.Përkryerja ekziston vetëm në qiell.Si qëllim e si mision po, por si jetësim, si përmbushje, përsosmëria nuk mund të jetë për vdekatarët. Edhe një shenjtore e gjallë, si Nëna Terezë, ka pasur mëdyshjet e veta, grimëherat e dyshimit e të ligështimit. E errësojnë? Ato veç e afrojnë, e bëjnë më të prekshme prej nesh. Më njerëzore, më bindëse. Në pasqyrën e luhatjeve të saj gjejmë veten, shohim njeriun prej mishi e gjaku. Qenka si ne. Pra kurrgjë s’është e pamundshme as për ne.Në pastë gjëra që shumëkush i sheh tjetërqysh, jo si Kadareja, kjo s’ndryshon gjë. Këtu shkëputet Liria nga totalitarizmi. Tek e drejta dhe mundësia me këqyrë jo nëpër një dritare, por nëpër shumë dritare, ku më pak e ku më shumë të hapura e me dritë. Monopolin e të vërtetës e ka vetëm e vërteta.Në pastë njerëz që ende s’e kuptojnë naltësinë e malit Kadare, kjo mbase ka një përligjje. Naltësitë kuptohen më mirë të vështruara nga larg.Sytë vjen një ditë dhe mbyllen e harrohen. Vepra e madhe kurrë.
4.Në kthesën dramatike që lidh dy mijëvjeçarët, cili i ka dalë zot Kosovës dhe çështjes shqiptare me armën e letrave, ballas e tronditshëm, si Kadareja?Me përkushtimin e një Shqiptari.Me zërin e fuqishëm, europian.Me hapësirën mediatike që ka një personalitet, për të cilin kontinenti është i vogël.
5.Mos e mbroni Kadarenë!
Tjetërkush ka nevojë për më shumë mbrojtje. Ai jo.Kadareja nuk sulmohet si vete, si individ. Sulmohet si institucion kombëtar. Sulmohet si Vlerë shqiptare përfaqësuese.
Skënderbeu nuk sulmohet në emër të ndriçimit të historisë. Synohet me e tjetërsue si Vlerë shqiptare përfaqësuese.Sulmet mbi prejardhjen ilire shpesh kanë prapavijë të errët. Prejardhja ilire shihet si Vlerë identitare e shqiptarëve.Gjuha shqipe, kur rreken me e ça dyzash, shenjohet si Vlerë identitare shqiptare. Ajo ka mbijetuar mija vjet, na njëjtëson e na bashkon të tërë. Të pakuptueshëm mbeten edhe ata që i thonë ndal çdo reforme përtëritëse gjuhësore. Që mbahen te filozofia e djeshme, te përjashtimi oruellian, përballë gjithëpërfshirjes së vlerave.
6.Mos e mbroni Kadarenë!
Ai s’ka nevojë për mbrojtje. Ai është më i mbrojtur se gjithkush. Ai u përket atyre qenieve fatlume që, duke qenë tokësore, botën e shohin nga lart.Gjeniu dëgjon zhurmnajën poshtë vetes dhe vetëm rrudh supet: kush janë këta, ç’dreqin duan? I shpërfill. Në emër të tij e merr fjalën Zarathustra: “Ju vështroni lart kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”.Në e marrtë Çmimin Nobel – të merituar qyshkur – bota e letrave do të tundë kryet: kësaj here po! Si për Markezin e për Llosën.Në ndodhtë e kundërta, dështimi do të jetë për jurinë. Gjykimi dhe paanësia do t’i përfliten. Siç i janë përfolur në fillim të qindvjetëshit të njëzetë dhe në fund të tij. Nga Tolstoi, te Borgesi.Kadareja mbetet Kadare, me ose pa Nobelin. Veprat janë aty, më të rënda se çdo çmim. Pushtuese elegante të Botës.
7.Pra?
Mos harxhoni frymë me mbrojtë Kadarenë. Mundohuni me mbrojtë Shqipërinë dhe shqiptarët.Se ata që duket sikur i mëshojnë Kadaresë, i mëshojnë Shqipërisë, u mëshojnë shqiptarëve.Për t’ua shpërbërë ADN-në e Vlerave që i njëjtësojnë. (E dergoi per Diellin Bardhyl Selimi)