• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROVOKIME POLICORE NDAJ FLAMURIT KOMBËTAR NË MAL TË ZI

December 20, 2018 by dgreca

Ngjarjet e ditëve të fundit në lidhje me pengimin e përdorimin e  flamurit kombëtar shqiptar të përkujtojnë kohët e kaluara, ku ndalohej simboli kombëtar  në sajë të një albanofobie e cila  po rikthet përseri  që është kundër barazisë qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve dhe mos respektimit praktik të ligjeve që janë miratuar në  në Mal të Zi kur janë në pyetje popujt pakicë në këtë mjedis multinacional.

1 Nail Draga1a Flamuri

Shkruan: Dr. Nail  Draga/

Edhe pse me Kushtetutën e Malit të Zi neni 79 pika 2 si dhe me Ligjin  për përdorimin e simboleve kombëtare neni 1, 2 dhe 3, është i lejuar përdorimi i simbolit kombëtar të popujve pakicë në Mal të Zi, ditëve të fundit në praktikë është paraqitur një albanofobi, pikërisht nga ata që duhet të mbrojnë qytetarët nga provokimet e ndryshme kur janë në pyetje të drejtat qytetare dhe nacionale.

Dhe pikërisht në ditën e festës kombëtare të shqiptarëve me 28 nëntor në Ulqin, në vend që festa e shqiptarëve të ndërohej duke vendosur flamuj kombëtar në qytet sikurse vitëve të mëparshme, ndodhi një incident i papritur me një qytetar i cili është ndaluar nga policia lokale me argumentin se në makinën e tij ka  vendosur dy flamuj të vegjël kombëtar shqiptar. Arsyeja ishte se ai(S.V.)ka shpalosur flamurin e një shteti tjetër që është e ndaluar me ligj. Dhe personi në fjalë është procesuar  dhe dërguar të gjykatësi për kundërvajtje, ku pritet ti jepet vendimi i denimit. Ishte ky rasti i parë deri më tash ku ka vepruar policia, nga miratimi i ligjit për simbole kombëtare nga viti 2000.

Një lajm  i tillë për opinionin ishte befasi e papritur dhe e papranueshme,  por nuk vonoi shumë dhe diçka e tillë u njoftua nga Malësia(4.12.2018). Mediat njohtuan se në fshatin Milesh, qytetari  E.B. në kulmin e shtëpisë në ndërtim ka vendosur flamurin kombëtar shqiptar. Edhe ai është dërguar në polici, është procesuar si  dhe i është marrë flamuri kombëtar si mjet delikti. Pritet vendimi i gjykatësit për masen e denimit. Dhe një veprim i tillë nga policia arsyetohet me Ligjin për qetësi e rend publik, neni 23(Sl.list CG, nr.64/11). Kemi të bëjmë me një ligj i cili nuk është harmonizuar me Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare(Sl.list RCG,nr.55./00), që paraqet dobësinë  profesionale të hartuesve të tij, si dhe mos reagimin nga Ministria e drejtave të njeriut dhe të pakicave. Ndërsa duke pasur parasysh sindromin antishqiptar i trashëguar nga e kaluara  nuk kemi si të  mos  dyshojmë se  një veprim i tillë  është bërë me qellim, duke i dhënë mundësi urdhërdhënësit që policia të veproj në terren në mënyrë utilitare  sipas inercionit  sikurse ishte rasti  ditë më parë në Ulqin e Malësi.

Një rast i tillë të kujton vitin 1992, kur në Tuz   Rrok Dushaj në promovimin e  Lidhjes Liberale të Mal të Zi ka përdorur flamurin shqiptar dhe është denuar për kundërvajtje duke  paguar gjoben në vlerë prej 3000 dinarë.

Në rastin konkret policët janë më së paku fajtorë, por përgjegjësia kyesore bie mbi urdhërdhënësite tyre, të cilët në rastin konkret mbajnë përgjegjësi  për keqpërdorim të pozitës zyrtare ku ndaj tyre duhet të meren masa ndeshkuese, sepse veprimi i tyre është kundër barazisë qytetare e nacionale të pjesëtarëve të  shqiptarëve  në Mal të Zi.

Flamuri  kombëtar shqiptar dhe jo flamuri  i një  shteti tjetër

Edhe pse  për këtë rast ka  pasur  reagime nga disa subjektet politike shqiptare  e jo nga ata të ashtuquajtura qytetare, është konstatim i përgjithshëm se  rastet e tilla na rikthejnë në të kaluarën, në kohën kur flamuri kombëtar shqiptar ishte i ndaluar nga pushteti i kohës(1982-2000).  Arsyetimi policor  se kemi të bëjmë me simbolin e një shteti tjetër, është shpjegim demagogjik si në kohën e monizmit, duke harruar se jetojmë në pluralizëm. Një deklarim i tillë dëshmon  se   ata nuk kanë njohuri se është në funksion Ligji për përdorimin e  simbolëve kombëtare, dhe se nuk dallojnë simbolin kombëtar me ate shtetëror duke dëshmuar injorancën e tyre, sepse shqiptarët kudo që janë kanë një simbol kombëtar  pavarësisht së në cilët shtete jetojnë.

Kur shteti nuk nderon qytetarët e vet

Në një shtet demokratik qytetarët e tij janë të barabartë dhe si të tillë trajtohen nga institucionet shtetërore, jo vetëm me deklarata të rastit por me veprime konkrete duke zbatuar në praktikë barazinë qytetare dhe nacionale. Vetëm shtetet e pakonsoliduara dhe ato me paragjykime  nga e kaluara moniste janë me komplekse dhe e kanë të vështirë të jenë në hap me kohën dhe demokracinë europiane. Madje ka edhe të tillë të cilët nuk realizojnë në praktikë as ligjet të cilët i miratojnë vet si dhe standardët ndërkombëtare kur janë në pyetje mjediset multinacionale, ku në këtë aspekt as Mali i Zi  nuk bën përjashtim.

Veprimet e tilla policore, kur është ne pyetje simboli kombëtar nuk janë personale por ka të bëjë me të gjithë shqiptarët, andaj një veprim i tillë është goditje e të drejtave kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi, që është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe kundër barazisë qytetare dhe nacionale.

Nëse do të vazhdohet me këtë politikë diskriminuese  ndaj simbolit tonë kombëtar  nuk është çudi qe polici të ndalojë nëse do të hetojë   simbolin kombëtar shqiptar  në makinë, apo  në rroba e gjetiu që do të ishte skandal me regji shtetërore.

Mbetet të shohim se çfarë ndryshimi në këtë aspekt(neni 23) do të ketë Ligji për qetësi e rend publik, kur është në pyetje përdorimi i simbolëve kombëtare  për popujt pakicë në Mal të Zi, i cili bëhët me dije se do të jetë në procedur  parlamentare deri në fund të këtij viti.

(Dhjetor, 2018)

1 a Policia

(Fotokopje të vendimeve të denimeve ….)

Filed Under: Featured Tagged With: albanian flag, Flamuri shqiptar, Nail Draga, Provokimet e policise Malazeze

ATJON ZHITI-PËRKUJTESË NË PËRVJETORIN E KATËRT

December 19, 2018 by dgreca

19 VJEÇ – 19 MENDIME/

    1-A.-Zhiti

NGA STUDENTI ATJON ZHITI/

          “Studenti i përhershëm” Atjon V. Zhiti, siç e njohin shokët dhe shoqet e brezit të tij, një i ri me dëshira të mëdha, që donte jetën dhe gëzimet e moshës, nismëtar në veprime, i dashur dhe bukur, me një buzëqeshje “kryevepër” siç thonë ata që e kanë njohur, ka 4 vjet që na vëzhgon nga Qielli, na ndjek dhe na do përherë.

          Fjala e tij e mënçur ishte një dritë në udhën e të rinjve. Dhe vërtet në Tiranë ka një rrugë me emrin e tij “Rruga e Atjonit”, që bashkohet me rrugën “Faik Konica, të cilin ai e adhuronte.

          Ndërkaq dhe Atjoni ka lënë një libër me ese, “Për atë që dua(m)”, por dhe një album me pikturat e fëminisë dhe adoleshencës së tij, “Opera Atjon”, i vlerësuar edhe jashtë vendit, po kështu jepen dhe dy çmime ndërkombëtare me emrin e ti, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe për poezi nga “International Writers Association ‘Pjetër Bogdani’”.

Zërin e Atjonit e ndjejmë ashtu siç dilte i çiltër dhe pasionant nga krahërori i tij i gjerë dhe na vë në mendime. Ai i printe moshës së tij.

Zgjodhëm 19 thënie të tij, aq sa pati dhe moshën, të nxjera nga esetë e tij, i grupuam, që kumbojnë aktiuale, si të shkruara tani;

TIRANIA:

1- Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…

Shtetari pa shtetasin është një hiç.

2- Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit.

Tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.

3- Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla, ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot   të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.

LIDERI:

4- Lideri ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.

A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

KORRUPSIONI:

5- Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.                                                                            Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.

6- …korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.

7- Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.

PËR “OPININON-IN”

8- Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.

Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.

Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

9- Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.

Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.

PËR SHKOLLËN:

10-  …ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar…         11- Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal(ni) për modestinë…

12- …Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.

PËRGJEGJËSIA PËR NDRYSHIMIN:

13- Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…

14- Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.

15- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

16- Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

17- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.

LIRIA:

18- Liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?

19 – TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT.

Filed Under: Featured Tagged With: Atjon Zhiti, PËRKUJTESË NË PËRVJETORIN E KATËRT

PRESIDENTI THAÇI NE KESHILLIN E SIGURIMIT

December 18, 2018 by dgreca

– USHTRIA E KOSOVËS, KONTRIBUESE E STABILITETIT NË RAJON/

1 a thaci pergjigjet1 a Vucic1 sek paqerujtesve2 france1 Thaci OKB

– FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së-

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni. Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon”, ka theksuar Presidenti Thaçi në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimt të OKB-së/

NJU JORK, 17 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ku ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbledhja urgjente në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën ishte këruar nga Serbia pas themelimit të Ushtirsë së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018 miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri.

FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së

I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin që sot të jem para jush në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Dua të falënderoj Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit për vëmendjen e vazhdueshme karshi Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.
Unë kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe.
Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë.
Ju falënderojmë përgjithmonë.
Falë jush, u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.
Ju ishit zëri ynë, kur neve na mungonte një i tillë.
Por, të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës.
Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë.
Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme të vërteta me të cilat përballet bota sot.
Të nderuar të pranishëm,
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.
Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar.
Është i vonuar, sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës.
Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj.
Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu?
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Kosovës apo të drejtën ndërkombëtare.
Pikë së pari, Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999.
Dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë.
Së dyti, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.
Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj.
Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj.
Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit.
Pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar.
Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës.
Më lejoni, zonja dhe zotërinj,
Në cilësinë time si President i Republikës së Kosovës dhe si Komandant Suprem tua them troç se ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet.
Transformimi i misionit të FSK-së nuk është një hap të cilin e kemi ndërmarrë si mesazh kundër askujt.
Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt.
Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike.
Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet joshumicë.
Serbë, malazezë, kroatë, turq, boshnjakë, romë, egjiptianë, ashkalinj, etj.
Një forcë, e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës.
Çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi.
Të nderuar të pranishëm,
Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni.
Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon.
Mua më vjen keq që disa qytetarë serbë të Kosovës, pjesëtarë të FSK-së, janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezultat i presionit sistematik të ushtruar mbi ta nga shteti i Serbisë.
Për mua kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e disa ushtarëve nga komuniteti serb për intimidimin që u është bërë nga shteti i Serbisë.
Familjet e tyre janë sulmuar.
Shtëpitë u janë goditur me granata.
Dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra nga policia e Serbisë kur kanë udhëtuar në Serbi.
Kjo është vërtetë e tmerrshme.
Më vjen shumë keq për ta, sepse e di që shumica dërrmuese e tyre e kanë dorëzuar uniformën e tyre me lot në sy dhe me zemër të thyer.
Por, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja jonë për të përfshirë edhe më shumë të gjitha komunitetet në ushtrinë e Kosovës.
Kjo është ushtri, e cila do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet joracionale për luftë dhe konflikt që burojnë nga fqinji ynë verior.
Gjithashtu, më lejoni t’ju siguroj se Kosova do të respektojë të gjitha marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për bashkëpunim me KFOR-in.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n.
E gjithë puna jonë do të jetë e koordinuar me NATO-n.
Themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet perceptuar asnjëherë si një përpjekje për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë.
Përkundrazi, vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e ushtrisë është në funksion të drejtpërdrejtë të ndërtimit të mekanizmave, të cilët do ta bënin vendin tonë edhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë lokale dhe më gjerë.
Qëllimi jonë është që të zhvendosim paradigmën nga një vend i cili ka qenë konsumues i sigurisë dhe të bëhemi kontribuues i paqes dhe stabilitetit.
Por, kjo në asnjë mënyrë nuk ndërhyn me misionin aktual të NATO-së në Kosovë.
Përkundrazi, Ushtria e Kosovës vetëm do ta ndihmojë dhe plotësojë atë.
KFOR edhe sot, pas 20 vitesh, shihet si mision shpëtimtar.
Qytetarët e vendit tim i respektojnë pjesëtarët e NATO-s si heronj.
Ende u dhurojnë lule.
Dhe përjetë do t’u jenë falënderues.
Të nderuar të pranishëm,
Unë jam krenar që jam presidenti i vendit më pro NATO dhe më pro BE në botë.
Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë.
Nuk kemi dhe as nuk kërkojmë alternativë tjetër, rrugë tjetër.
E ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e rajonit tonë është në strukturat euroatlantike.
Andaj, të nderuar të pranishëm, kjo pashmangshëm na shpie tek esenca e çështjes në fjalë.
Problemi të cilin kanë fqinjët tanë verior sot nuk është ushtria e Kosovës, por ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Këto rrethana e bëjnë dialogun ndërmjet dy vendeve tona proces kyç.
Pa dialog dhe pa marrëveshje finale, ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të pafund dhe të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral.
Por, të dëmshëm për të ardhmen e vendeve tona.
Ju lutem, vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia udhëhoqi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Më thoni ju lutem kush përfiton nga mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë?
Përfiton vetëm krimi i organizuar.
Përfiton terrorizmi.
A thoni që unë duhet ta denigroj tani këtë forum duke përdorur gjuhën dhe metodat e përdorura nga Serbia kundër Kosovës?
Të them të drejtën, unë sinqerisht ndjej keqardhje për sjelljen e tyre.
Është më se e natyrshme që një sjellje e tillë të pasohet me masa të marra nga institucionet e Kosovës për produktet serbe të cilat hyjnë në Kosovë.
Pra, Kosova nuk e ka provokuar këtë situatë.
Ky reaksion është pasojë e veprimeve agresore të Serbisë.
Unë dua të besoj që kjo gjendje do të tejkalohet në një të ardhmen e afërt.
Prishtina dhe Brukseli janë duke komunikuar intensivisht për këtë çështje.
Të nderuar të pranishëm,
Megjithatë, në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë.
Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.
Për sa kohë që ne nuk kemi një marrëveshje përfundimtare dhe të implementueshme, situatat e tilla do të përsëriten vazhdimisht.
Unë dhe populli i Kosovës nuk e mbështesim konfliktin.
Në fakt, ne asnjëherë në historinë tonë nuk e kemi shkaktuar asnjë konflikt.
Gjithmonë kemi qenë viktimë.
Gjithmonë kemi luftuar për mbijetesë.
Paqja nuk nënkupton mungesën e mospajtimeve, por ky cikël i dhunshëm duhet të marrë fund.
Ushtrimi i forcës për shoqëritë demokratike do të thotë monolog, jo dialog.
Andaj, është detyra e gjeneratës sime që të lëmë pas një rajon pa konflikte, një rajon në paqe të qëndrueshme.
Një Ballkan funksional në të cilin Kosova dhe Serbia, si dy vende të pavarura, aspirojnë të ardhmen evropiane.
Unë e di shumë mirë se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfidues, madje edhe më i rrezikshëm sesa të bërit e luftës.
Por, paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Ndaj brezave që pasojnë.
Atyre ua kemi borxh një të ardhme pa konflikte.
Kosova është gati.
Ne jemi gati për dialog.
Ne jemi gati për vendime të vështira.
Por, edhe jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment historik, do të pësojnë të gjitha palët e përfshira.
Të nderuar të pranishëm,
Dy dekada më parë, në një ditë të rëndomtë si kjo, unë kam qenë në uniformë, duke luftuar kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Jam shumë krenar për të kaluarën time dhe të bashkëluftëtarëve të mi.
Sot si president i shtetit të pavarur të Kosovës, jam i vetëdijshëm që kam përpara edhe një sfidë tjetër të madhe.
Betejën për ardhmërinë tonë.
Betejën për paqen.
Betejën për të përmbyllur një konflikt shekullor mes dy popujve tanë.
E di që nuk do të jetë aspak e lehtë.
E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore.
Por, ato janë të domosdoshme.
Unë besoj thellësisht se një marrëveshje e tillë do të kishte fuqi transformuese në rajonin tonë.
Një marrëveshje e tillë do të ndryshonte prioritetet.
Askush më nuk do të mund të fitonte vota duke nxitur urrejtje.
Askush nuk do të mund të materializonte frikën.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’i hapte derën një lidershipi të ri që synim kryesor do ta kishte reformat dhe zhvillimin.
Unë besoj plotësisht në një të ardhme, ku Kosova dhe Serbia ulen si të barabarta në tryezën e familjes evropiane.
Unë besoj në një të ardhme ku ushtarët e Kosovës dhe ata të Serbisë shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në misione paqeruajtëse anekënd botës.
Unë besoj në një të ardhme të tillë, sepse e kam përjetuar të pamundurën, të pabesueshmen, e cila ka ndodhur para syve të mi.
Unë frymëzohem çdo ditë nga sportistët kosovarë të cilët na mësojnë se kthimi është i mundshëm edhe pas dështimit, se flamuri ynë mund të ngrihet edhe në vende që nuk e kanë njohur ende shtetin tonë.
Frymëzohem nga gazetarët të cilët më kritikojnë çdo ditë dhe më bëjnë president më të mirë të vendit tim.
Frymëzohem nga qytetarët e Kosovës që përkundër dhimbjeve që kanë vuajtur, rrënimeve dhe humbjeve, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga vlerat dhe parimet dhe ende këmbëngulin në liri, barazi, drejtësi e dinjitet.
Unë besoj në një të ardhme evropiane për Kosovën dhe rajonin tonë.
Një të ardhme pa intriga, konflikte dhe urrejtje.
Mbetet në dorën tonë që ta jetësojmë këtë të ardhme.
Shpejt, në javët dhe muajt e ardhshëm.
Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike.
Ju faleminderit!

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalim, ne Keshillin e Sigurimit, Presidenti Thaçi

NË NJU JORK U FESTUA KRIJIMI I USHTRISË SË KOSOVËS

December 17, 2018 by dgreca

BATALIONI ATLANTIKU DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NJU JORK FESTUAN KRIJIMIN E USHTRISË SË KOSOVËS/

1 a salle me Mexhuan1 Velelzerit Bytyci1 Bruno1 Gjonleka1 salle me Mark1 vera1 a Tropoja

– DRITAN MISHTO: Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” : Liria e Kosoves u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojme bashkarisht.

1 Dritan Mishto11 adem drit Marko1 Marko

YONKERS-14 DHJETOR 2018- Të premten në mbrëmje, 14 Dhjetor 2018, në Royal Regency Hotel në Yonkers-NY, u organizua, nën përkujdesjen e Batalionit” Atlantiku”, veprimtaria kushtuar themelimit ligjor të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Drejtues i veprimtarisë ishte Shefki Mexhuani. Përveç organizatorëve morën pjesë edhe Këshilltari i Bashkisë së Nju Jork-ut Mark Gjonaj, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Dritan Mishto, presidenti i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi, biznemesmeni dhe donator i Luftës, Bruno Selimaj, ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj e të tjerë.
E përshëndetën themelimin e ushtrisë së Kosovës: Kolonel Gani Shehu, Ahmet Krasniqi- babai i tre deshmoreve-vëllezërve Bytyçi:( Ylli, Agroni dhe Mehmet,) Gjeke Gjonlekaj, ish luftëtar i Batalionit Atlantiku, publicisti Uk Lushi, Arben Krasniqi,ish ushtaraku Mark Qehaja,Qerim Gjocaj, dhe shume ish pjestarë të batalionit, që sollën kujtimet e tyre dhe uruan Kosovën për këtë ditë të madhe të krijimit të ushtrisë.Po ashtu përshëndeti Këshilltari Mark Gjonaj, Marko Kepi e të tjerë.
Edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” festoi së bashku me Batalionin Atlantiku, krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në urimin e tij publik gjatë veprimtarisë, ndër të tjera ai tha:
Jam sot këtu për të shprehur në emër të Vatrës dhe vatranëve gëzimin e papërshkruar për themelimin e Ushtrisë Së Kosovës, Gëzuar!
Nga sot Kosova u nis në rrugën që së shpejti të jetë pjesë e operacioneve, ku së bashku me SHBA të kontribuojë për paqen e sigurinë kudo që lypet.
Festimi i kësaj dite me ju, djemtë trima te Batalionit Atlantiku, ka një domethënie të veçantë.
Nuk mund të gjesh një rast analog në diasporat e tjera, kur të rinj të lindur e rritur larg vendit të prindërve të tyre, biles që as nuk e kishin vizituar asnjëherë atë vend, siç ndodhi me djemtë shqiptaro amerikanë të Atlantikut , të marrin armët dhe të shkojnë të luftojnë për lirinë e Kosovës.
Këta djem folën atëherë kur duhej folur me armë dhe trimëri dhe duhet t’u themi: Ju jemi mirënjohës dhe Bravo Ju qoftë!
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra siç shihet dita ditës do të jetë në bashkëpunim të plotë me të gjitha organizatat e komunitetit duke vlerësuar punën e gjithësecilit. Ndaj jam sot këtu, të bashkojmë duart më fort për punët e mira që do kemi përpara.
Liria e Kosovës u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojmë bashkarisht.
Gëzuar Ushtrinë Kosovë!
Zoti bekoftë SHBA!
Ju faleminderit!
Korresp I Diellit
Shenim: Per detaje te veprimtarise ju rekomandojme te ndiqni Televizionin Kultura Shqiptare ne pakten e ALB TV(Kanali 26) si dhe ne Bronx net(Kanali 69)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Batalioni Atlantiku, dritan Mishto, Ushtria e Kosoves, Vatra

Koncert Shqip nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” NY

December 17, 2018 by dgreca

1 alba Life1 alba Life cikat1 alba Life violinealba Life piano2 alba Life recit

….Se Gjuha, Mëmëdheu mbesin…/

Se njerëstë gjithë vdesin,/

Po jeta s’mbetet e shkretë,/

Gjuha, Mëmëdheu mbesin/

Të patundurë përjetë.  N.Frashëri/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e shkollës publike amerikane nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut mbylli plot sukses semestrin e parë të vitit akademik

2018-2019 me një koncert festiv për festat e fundvitit.

Ndonëse është një e premte dhe e shtunë njujorkeze ku shumë, shumë mund të kalosh një fundjave të qetë familjare, apo të shkosh jashtë qytetit të pushosh, mësuesit, prindërit dhe nxënësit shqiptarë të Shkollës Shqipe “Alba Life” kanë zgjedhur që këto ditë të arta siç dhe e quajnë shumë prej tyre ta harxhojnë për të mësuar Shqip. E meqënse semestrit të parë i erdhi fundi Shkolla Shqipe vazhdon traditën e saj të mrekullueshme ta mbyll fundvitin me një koncert me këngë e valle dhe interpretime të poezive nga shkrimtarë të shquar të Kombit.

Ashtu siç kam shkruajtur herë pas here dhe e pamundur mos ta shpreh përsëri e përsëri sa të kem frymë, bota e fëmijëve më ka magjepsur gjithmonë dhe pohoj se jam e privilegjuar që zgjodha gjithë jetën time me familjen të jem pranë tyre dhe t’ju mësoj Gjuhën Shqipe, Gjuhën më të bukur në botë. Ky privilegj nga Hyu dhe dashuria nuk mund të shijohet vetëm në se nuk bashkëpunon me mësueset e dashura që kanë po të njejtin dashuri dhe pasion sa dhe shkruesja e këtyre radhëve për mësimin shqip.

Është vërtetë ngazëllyese, emocionuese, është aq përndritëse sa kur i sheh nxënësit me çanta në shpinë dhe me prindërit e shoqëuar dhe që shkëputen me vrap nga krahët e tyre për t’u takuar me njeri’tjetrin apo për të na dhënë një përqafim të duket sikur Shqipëria, Kosova, Dibra, Mali i Zi, Çamëria kanë mbërritur aty dhe çdonjerit i shtohet jeta, i shuhet pakëz malli që djeg kur je larg…

E pamundur të shprehësh në një reportazh copëza nga bisedat e prindërve për gëzimin e tyre që ndjejnë për fëmijët që mësojnë shqip, por unë po ndalem vetëm në dy prej tyre:

Kjo shkollë m’i hoqi ndrojen fëmijës tim, sepse skena që ai ngjitet 4 herë në koncertet e vitit shkollor e bëri më konfident, më të pavarur dhe pa pengesa për të folur në publik…

Një prind tjetër më tha tekstualisht: Oh cfarë kënaqësie ndjej kur djali më thotë që kur do të vijë e shtuna, se mezi po e pres për të mësuar shqip dhe të takoj shokët dhe shoqet shqiptare, ju na i hoqët fëmijët të premten dhe të shtunën nga I-padi qe po i mbyt fëmijët fizikisht dhe mendërisht…

Doemos që çdo shkollë me funksion mësimor-edukativ është në shërbim të Kombit të vet është në shërbim të bijeve të vet.

 

Programi i koncertit të fundvitit për vitin akademik 2018-2019

 

Programin e kanë drejtuar tre prezantues të talentuar, si Ujana Zajmi studente nga “Columbia University”, Eneo Rustani dhe Gloria Puli, nxënës të Shkollës Shqipe “Alba life” të cilët plot seriozitet dhe profesionalizëm e bënë dhe më të bukur atmosferën festive të kësaj dite të paharrueshme.

Programin e kanë drejtuar tre prezantues të talentuar, si Ujana Zajmi studente nga “Columbia University”, Eneo Rustani dhe Gloria Puli, nxënës të Shkollës Shqipe “Alba life” të cilët plot seriozitet dhe profesionalizëm e bënë dhe më të bukur atmosferën festive të kësaj dite të paharrueshme.

Programi e hapi studentja Ujana Zajmi e cila tha:

Mirëdita, mirëdita të dashur nxënës, prindër dhe mësues,

Mire se keni ardhur në festat e fundvitit dhe le të festojmë së bashku këtë sezon të bukur festash në gjuhën tonë të ëmbël Shqipe.

Unë jam Ujana Zajmi studente pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe mësoj shqip me Dr.Valbona Zylo Watkins. Edhe pse udhëtoj nga Manhattani nga “Columbia University” Gjuha Shqipe nuk njeh largësi, ajo na bashkon të gjithëve, sepse është identiteti ynë kombëtar.

Nuk ka më bukur kur ne mblidhemi së bashku dhe dëgjojmë këta nxënës të mrekullueshëm të Shkollës Shqipe “Alba Life” një shkollë serioze e cila operon në disa lagje të Nju Jorkut.

Mësueset e kësaj shkolle kanë përgatitur një program të bukur artistik dhe ju ftoj ta dëgjojmë:

1-E fillojmë programin me Himnin për Flamurin: Ty Flamur të duam shumë kënduar nga kori i shkollës Shqipe “Alba Life”.

2-Pranë jush do të sjellim nxënësit e grupmoshës më të vogël të cilët kanë mësueset Vlera Thaqi dhe Brunilda Veipi Puli në Staten Island që është dhe shtëpia e parë e Gjuhës Shqipe.

3-Para jush Arbëror Okshe me vjershën Viti I Ri

4-Diellon Bardhi:Urim zemre

5-Ariel Hoxha: Gjuha Shqipe

6-Bekim Smailovic: Gjuha jonë

7-Chloe dhe Ema Bacelli:  Flamuri

8-Gerard Pero: Babadimri

9-Rei Veizi: Sa të dua o Shqipëri

Ja në grup do të recitojnë nxënësit si Rei, Ema, Elena, Iliriani, Ademi dhe Riani

Le t’i përcjellim me duartrokitje, pas shfaqjes së bukur nga nxënësit e mësuese Vlerës dhe Brunës

Në shkollën tonë përveç që mësohet Gjuha Shqipe kemi dhe nxënës që luajnë në instrumente të ndryshme.  Pranëjush do tëkemi nxënëset Dea dhe Emma Watkins që do të luajne në piano: “Jingle Bells” Zilet tringëllojnë

Tani  ftoj në skenë nxënësit e mësuese Denisa Sinanit.

1-Suad Saipi: Ku kemi lerë

2-Albi Ujkashi:  Atdheu

3-Edis Borici: Mëmëdheu

4-Emma Watkins: Hymni I Flamurit nga Fan Noli

5-Eduart Maqellara: “Ku kemi lerë” ÇAJUPI

6-Adam Ametaj: “I dashur Atdhe” Asdreni

7-Valentina Cunningham “Mace, mace pis pis”

Le t’i përcjellim me duartrokitje, pas shfaqjes së bukur nga nxënësit e mësuese Denisës

Kori i shkollës Shqipe “Alba Life” vjen me këngën “Për Mëmëdhenë”

Ftoj në skenë:

Kelvin Rustani i cili do të luajë në violinë  “Natë e qetë” (Silent Night)

Eneo Rustani Prezanton:

Unë jam Eneo Rustani nxënësi i Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn prej disa vitesh dhe vi me dëshirë për të mësuar Gjuhën më të bukur në botë:

Le ta përcjellim me duartrokitje nxënësin e talentuar Kelvin Rustani dhe ftoj në skenë

nxënësit e mësuese Entela Mudës.

1-Rilind Bardhi: Një fragment nga fjalimi i Ismail Qemal Vlorës në vitin 1912

2-Loriana Thaqi, Marigo Posio

3-Gloria Puli: Bagëti e Bujqësi

4-Dion Salillari: Korca nga Naim Frashëri

5-Dea Watkins: I dashur Atdhe: Adreni

6-Natalia Sinani: Gjuha Shqipe Hil Mosi

7-Onida Grainca:  Ku kemi lerë: A.Z. Çajupi

Pas shfaqjeve me sukses të nxënësve të Shkollës Shqipe në Staten Island ftoj në skenë nxënësit e mësuese Ardita Miloti Vadahi dhe Klaus Sharra të cilët vazhdojnë mësimin në një lagje tjetër ë Nju Jorkut nëQueens ku me krenari themi se kjo shkollë ka 2 vjet që është hapur dhe po vazhdon me sukses programin e mësimit të Gjuhës Shqipe.  Le t’i mirëpresim me duartrokitje ju lutem!

E fillojmë programin me nxënësin e dashur:

1-Nevil Vadahi i cili do të recitojë: 28 Nëntori

2-Sulejman Demiri reciton: Flamuri

3-Era Vadahi: 28 NëntoriI dhe ngjyrë atdheut nga Alma Papamihali

4-Alisia Shaholli: Mësojmë shqip

5-Alba Vadahi: I dashur Atdhe nga Asdreni

Gloria Puli prezanton:

Unë jam nxënëse e shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe jam krenare që vazhdoj programin e kësaj shkolle qe na meson Shqip, jam krenare që vi në këtë Shqipëri të vogël këtu në New York.

Një lagje tjetër e Nju Jorkut ka më shumë se një dekadë që po kumbon shqip dhe pikërisht sot do të vinë pranë jush nxënësit e përgatitur nga mësuese Gela Bulku, ndonëse janë të vegjël ata vinë me dashuri të madhe për të mësuar Shqip.

Ja le t’i dëgjojmë:

  1. Emily Kodra: “Gëzuar gjithë shqiptarëve”
  2. Enzo Rustani: “Vjersha e Dimrit”
  3. Adisa Tahiri: “Lart në Breg i Bardhi Bredh”
  4. Jori Lamce: “Krishtlindja”
  5. Rilind Shehu: “Tak, tak, tak, Dera Troket”
  6. Diesa Berisha: ” Dimri”

Në fund të gjithë do të thonë:

Ti Shqipëri me jep nder,

më jep emrin shqiptar,

zemrën ti ma gatove,

plot me dëshirë e me zjarr.

Ujana Zajmi tha se pas këtyre nxënësve të mrekullueshëm do të sjellim nxënësen Dea Watkins e cila do të luajë në piano “Rudolph dhe red nose raindeer”

E vazhdojmë programin me këngën “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë” kompozuar nga artisti Petrika Melo, që është njëkohësisht dhe hymn për shkollën Shqipe.  Këndon kori i shkollës.

Le t’i përcjellim me duartrokitje këta nxënës të talentuar!

Tani ftoj në skenë nxënësin Arelt Xhaferi, i cili ka udhëtuar nga Bronxi për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat e tij shqiptare si dhe Shkollën Shqipe “Alba Life”, ai do të interpretojë:

“Po vjen Ismail Qemali”

Gloria Puli tha se ftoj nëskenë nxënësit e mësuese Adelina Laçaj të cilët janë në Brooklyn.

Ata do të interpretojnë në grup Poemën e famshme të Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”.  Këta nxënës janë:  Kelvin Rustani,  Elio Tahiri, Blenda Shehu, Erla Lamçe, Ultion Haskaj dhe Tate Haskaj

Ujana Zajmi tha se sot pranë nesh kemi dhe Balerinin e shquar shqiptar Klevis Tafaj i cili i është bashkuar programit tonë për t’i mësuar fëmijëve vallet e bukura shqiptare.  Klevis Tafaj është First Soloist at Ajkun Ballet Theatre, New York dhe ka shprehur dëshirën për të mësuar fëmijët shqiptarë dhe ka ëndërr për t’i ngjitur në skenat e Nju Jorkut dhe më gjerë.

Ja ju ftojmë të degjoni vallen e Tropoës me nxënësit e Shkollës Shqipe në Brooklyn

E mbyllim programin me këgën e dashur mbarë kombëtare nga fëmijët “Ja na erdhi Viti i Ri” Këndon kori i Shkollës Shqipe “Alba Life” përgatitur nga mësueset pranë kësaj shkolle.

Koncerti u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga prindërit dhe të pranishmit.

Balerini iI shquar Klevis Tafaj ka përshëndetur gjithë nxënësit dhe prindërit dhe i frymëzoi për t’i sjellë në shkollë për të mësuar Gjuhën Shqipe, por edhe për të vallëzuar vallet e mrekullueshme shqiptare për të cilat do të jem në dispozicionin tuaj.

Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollës Shqipe “Alba Life” pasi i ka uruar për festat e fundvitit i ka falënderuar tëgjitha mësuesit si Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Brunilda Vehipi Puli, Denisa Sinani, Dr.Valbona Zylo Watkins, Adelina Laçaj, Gela Bulku, Ardita Vadahi Miloti dhe Klaus Sharra se pa bashkëpunimin me to nuk do të ishte e mundur suksesi i kësaj shkolle kaq serioze dhe plot përkushtim.  Ai falënderoi prindërit dhe të gjithë nxënësit që dhe pse të lindur dhe të rritur jashtë trojeve shqiptare ata vinë me një dashuri të pakufishme për të mësuar Shqip. Në përfundim të gjithë pjesëmarrësit drekuan së bashku në mjediset e kafeterisë së shkollës.

Së shpejti TV “Alba Life” me bashkëpunëtorë kameramanet Todd Watkins, Klaudio dhe Monesa Muçollari do të transmetojë në kanalet televizive këtë koncert madhështor të shfaqur nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në New York

Keze Kozeta Zylo, shkrimtare, publiciste, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

15 dhjetor, 2018

Staten Island, New York

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook-dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: fundvitit 2018, Keze Kozeta Zylo, Koncert festiv

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 366
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT