BATALIONI ATLANTIKU DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NJU JORK FESTUAN KRIJIMIN E USHTRISË SË KOSOVËS/
– DRITAN MISHTO: Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” : Liria e Kosoves u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojme bashkarisht.
YONKERS-14 DHJETOR 2018- Të premten në mbrëmje, 14 Dhjetor 2018, në Royal Regency Hotel në Yonkers-NY, u organizua, nën përkujdesjen e Batalionit” Atlantiku”, veprimtaria kushtuar themelimit ligjor të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Drejtues i veprimtarisë ishte Shefki Mexhuani. Përveç organizatorëve morën pjesë edhe Këshilltari i Bashkisë së Nju Jork-ut Mark Gjonaj, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Dritan Mishto, presidenti i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi, biznemesmeni dhe donator i Luftës, Bruno Selimaj, ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj e të tjerë.
E përshëndetën themelimin e ushtrisë së Kosovës: Kolonel Gani Shehu, Ahmet Krasniqi- babai i tre deshmoreve-vëllezërve Bytyçi:( Ylli, Agroni dhe Mehmet,) Gjeke Gjonlekaj, ish luftëtar i Batalionit Atlantiku, publicisti Uk Lushi, Arben Krasniqi,ish ushtaraku Mark Qehaja,Qerim Gjocaj, dhe shume ish pjestarë të batalionit, që sollën kujtimet e tyre dhe uruan Kosovën për këtë ditë të madhe të krijimit të ushtrisë.Po ashtu përshëndeti Këshilltari Mark Gjonaj, Marko Kepi e të tjerë.
Edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” festoi së bashku me Batalionin Atlantiku, krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në urimin e tij publik gjatë veprimtarisë, ndër të tjera ai tha:
Jam sot këtu për të shprehur në emër të Vatrës dhe vatranëve gëzimin e papërshkruar për themelimin e Ushtrisë Së Kosovës, Gëzuar!
Nga sot Kosova u nis në rrugën që së shpejti të jetë pjesë e operacioneve, ku së bashku me SHBA të kontribuojë për paqen e sigurinë kudo që lypet.
Festimi i kësaj dite me ju, djemtë trima te Batalionit Atlantiku, ka një domethënie të veçantë.
Nuk mund të gjesh një rast analog në diasporat e tjera, kur të rinj të lindur e rritur larg vendit të prindërve të tyre, biles që as nuk e kishin vizituar asnjëherë atë vend, siç ndodhi me djemtë shqiptaro amerikanë të Atlantikut , të marrin armët dhe të shkojnë të luftojnë për lirinë e Kosovës.
Këta djem folën atëherë kur duhej folur me armë dhe trimëri dhe duhet t’u themi: Ju jemi mirënjohës dhe Bravo Ju qoftë!
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra siç shihet dita ditës do të jetë në bashkëpunim të plotë me të gjitha organizatat e komunitetit duke vlerësuar punën e gjithësecilit. Ndaj jam sot këtu, të bashkojmë duart më fort për punët e mira që do kemi përpara.
Liria e Kosovës u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojmë bashkarisht.
Gëzuar Ushtrinë Kosovë!
Zoti bekoftë SHBA!
Ju faleminderit!
Korresp I Diellit
Shenim: Per detaje te veprimtarise ju rekomandojme te ndiqni Televizionin Kultura Shqiptare ne pakten e ALB TV(Kanali 26) si dhe ne Bronx net(Kanali 69)