• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I KOMUNËS SË VITISË FTON VATRËN PËR VIZITË

September 27, 2016 by dgreca

Dr. Naser Rugova dhe Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, ishin mysafirë në Vatër/

2-ok-gjoni-flet

3-dalipi-spjegonTë Hënën me 26 Shtator 2016 në mbrëmje në selinë e Vatrës ishin mysafirë nga Kosva, dr. Naser Rugova, pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti. Mysafirëve ua uroi mirëseardhjen Kryetari i Vatërs dr. Gjon Buçaj. Të pransihëm ishin edhe dy zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, si dhe anëtari i Kryesisë Marjan Cubi, Zef Përnocaj, Zef Balaj, dhe editori i Diellit.

Kryetari i Vatrës i ka njohur mysafirët me rrugëtimin e Vatrës, me veprimtaritë e saj nëpër disa shtete të Amerikës së Veriut dhe Kanada, me qëndrimet e saj ndaj çështjes kombëtare si dhe kontaktet e vazhdueshme që Vatra mbanë me Kosovën, qoftë përmes përfaqësive diplomatike në Nju Jork e Ëashington, po ashtu dhe përmes vizitave të ndërsjellat që bëjmë në Kosovë, apo përmes  vizitorëve  që vijnë e  na vizitojnë këtu në selinë e Vatrës.

Kryetari informoi edhe për qëndrimet e Vatrës për bashkëpunim me qeveritë në Kosovë e Shqipëri, por kritikoi tendencat për ta politizuar dhe përçarë diasporën, plagë nga e cila, kjo diasporë ka vuajtur shumë gjatë kohës së komunizmit, ku Vatra dhe vatranët ishin të padëshiruar. Reminishencat e qëndrimeve të djeshme po duken edhe sot.

Qëllimi ynë, tha dr Buçaj është që të mbajmë gjallë trashëgiminë që na lanë të parët e Vatrës. Do të ishte e pafalshme nga historia nëse këto 104 vite të Vatrës do të mbuloheshin nga pluhuri i harresës. Ia kemi borxh themelusve, martirëve të Vatrës, që ta mbajmë gjallë këtë thesar të Historisë Kombëtare dhe ta çojmë më tej.(Për më shumë lexoni në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Naser Rugova, Sokol Haliti, vizite ne Vater

“MIQTË E KORÇËS”, MYSAFIRË NË VATËR

September 27, 2016 by dgreca

1-te-dera

1-gjergj-gjon

1-nje-tjeter-me-kamzenTë Hënën , 26 Shtator 2016, në Vatër ishte për vizitë Prof. Gjergji Gjinko, i cili ndodhet në SHBA për të prezantuar dhe për të ngritur degët e Shoqatës”Miq të Korçës”. Ai u prit nga kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj.

Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe e përgëzoi për inisiativën që ka ndërmarrë për të kontaktuar komunitetin korçar në ShBA. E rëndësishme, tha kryetari i Vatrës është mos sjellja në diasporë e konfliktualitetit politik, që është në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Ne jemi të hapur për bashkëpunim e siguroi inisiatorin e krijimit të shoqatës së re, kryetari Buçaj.

Edhe Vatra, tha dr. Buçaj, u është mirënjohëse korçarëve, sepse ishin ata që shkrinë shoqatat e tyre dhe u bashkuan në Vatër. Edhe pjesa më e madhe e atyre që e udhëhoqën procesin e bashkimit në Vatër ishin po ashtu korçarë. Ata i bënë një shërbim të shkëlqyer jo vetëm Vatrës, por mbi të gjitha Kombit shqiptar. Krijuan një Federatë që zëvëndësoi shtetin e  munguar; ishte më solide se sa shteti i pavarur shqiptar; i parapriu shpalljes së Pavarësisë dhe gjatë viteve të Luftës së parë Botërore dhe pas saj, kur shteti i pavarur kishte rënë, Vatra e përfaqësoi dhe e zëvendësoi denjësisht. Ne jemi të hapur që bijtë, nipërit e mbesat e  tyre të vijnë dhe ta vazhdojnë veprën kombëtare  e paraardhësve të tyre.

Kryetari i Vatrës u ndal në rrugëtimin historik, zhvillimet në Vatër, fuqizimin e saj vitet e fundit, ngritjen e degëve nëpër shtete të ndryshme, që i kanë dhënë gjallëri jetës komunitare shqiptare në SHBA etj . Dr. Buçaj e njohu mysafirin edhe me veprimtaritë e këtij viti të Vatrës dhe fokusimin e saj në aktivitetet e inkuadruara në “Vitin e Faik Konicës”.

Prof. Gjergji Gjinko tha se ndjehej i nderuar që vizitonte Vatrën dhe sillte mesazhe nga bijtë, bijat, nip kombëtarerit e mbesat e ish vatranëve korçarë. Duke folur për vizitën e tij në SHBA, ai tha se kishte filluar jo vetëm prezantimi i shoqatës në Diasporën shqiptare të Amerikës, por edhe krijimi i degëve, siç ndodhi të dielën më 25 Shtator në Kishën ortodkse në Queens, NY(St Nicholas Albanian Church), po kështu ka ndodhur në komunitetet e tjera dhe do të vazhdohet edhe në Uster, në  Waterbury etj. Mysafiri bëri një prezantim të shqatës”Miq të Korçës”, që është inisiativë e një grupi miqsh, simpatizantësh e dashamirësish të Korçës, të cilët banojnë në Tiranë. ( Të plotë lexojeni në Diellin e printuar) (Dielli)

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: "MIQTË E KORÇËS", MYSAFIRË NË VATËR

Njeriu – Epokë Faik Konica

September 26, 2016 by dgreca

1-lazar-taci-gjeniu-faik-konica

Ne Foto: Llazar Taci: Gjeniu Faik Konica

Për europianizimin dhe modernitetin e kombit shqiptar/

– Parathënie e librit “Faik Konica, Përlindësi Modern” nga Fotaq Andrea –/

Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti.- Faik Konica./

Libri “Faik Konica, Përlindësi Modern” përfshin shkrime të viteve 2012-2016 përmbledhur në nëntitullin “Fletore koniciane”, me bosht qendror tipiken e Rilindësit Faik Konica: europianizimi dhe moderniteti i kombit shqiptar, si komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet e vitalitet historik që meriton, pas shekujsh të tërë qëndrese e mbijetese, vendin e vet në  familjen e bashkuar europiane.

Që njëzetvjeçar, me një jetë plot përkushtim patriotik, dëshmuar me Veprën e fuqishme që na ka lënë, Faik Konica ishte dhe mbetet Njeriu–Epokë, strumbullari i intelektualitetit shqiptar,  me një mision të lartë fisnik: Edukimi i Kombit, apo siç shprehet ai “Stërvitja morale dhe sociale e popullit”, stërvitje mendore, botëkuptimore, intelektuale e kulturore. Nga ky këndvështrim, “Vepra Konica” na shfaqet si një Institucion, tërësi unikale, në të cilën ideja e tij novatore për modernitet e prosperitet shqiptar u desh të çajë, që në kapërcyell të shekujve XIX-XX, shtigjet e vështira të botëkuptimit obskurantist otoman, t’u mbijetojë paragjykimeve e besimeve, të fertilizohej në terren të përshtatshëm të lirisë dhe pavarësisë për të ardhur sot e sprovuar dhe më aktuale se kurrë, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke pasur parasysh botëkuptimin e përparuar perëndimor, të cilin e ka pikë referimi, Konica e kishte më se të qartë se “problemi i Shqipërisë, më tepër se kombëtar, ish një problem moral… se ky popull, që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjatër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i çpastrohet zemra” (“Për stërvitjen morale e sociale të popullit”).

Kjo domosdoshmëri për qytetërim e përparim, parashtruar në mënyrën më të qartë dhe të prerë sidomos te “Katër përralla nga Zullullandi” arrihet, sipas shprehjes së Konicës, duke “përdorur artilerinë më të rëndë të trurit” për të dalë “nga qarku veskeq” i botëkuptimit të prapambetur shekullor. Me madhështi e forcë gjeniale, Ai kuptoi mbi të gjitha se “akti gjuhësor” ishte kushti sine qua non për emancipim e progres shoqëror, i bindur se gjuha shqipe, letrare dhe standarde, do të ndryshonte edhe botën e vjetër shqiptare, nisur nga postulati se “shkrimi ndryshon botën, letërsia ndryshon botëkuptimin”, ashtu si vetë lindja e shtypshkronjës moderne me Gutenbergun do të sillte një vështrim të ri mbi botën duke i çelur rrugën shkencës moderne dhe artit të të jetuarit. Andaj Konica, si askush rilindës tjetër, për “lërimin e mendjes”, për “bukën e mendjes”, për tjetërsim bashkëkohor të njeriut shqiptar, për kulturim e qytetërim të tij shoqëror, bleu si individ shtypshkronjën e vet “Albania”,  për të shtypur revistën “Albania” në rrugën “Albania” të Brukselit, shtypshkronjë me parametra të lartë të kohës, ku veç periodikut të tij trembëdhjetë vjeçar, shtypi “Historia e Shqipërisë” të Dom Ndoc Nikaj, “Jeta e Kara Mahmud pashë Shkodrës” nga Nasuf Beg Dizdari, “Jeta e Mustafë Pashë Shkodrës”, “Abetari i ghues shqip”, “Kalendari i Maleve” dhe një mori kartolinash me portretin e Skënderbeut.

I vetëdijshëm për vendin që lypset të zërë medoemos njeriu modern shqiptar në shoqërinë bashkëkohore, Konica si rrallë kush, nuk e kurseu fjalën e rreptë me gjuhën shpatë, për të goditur drejt e në zemër injorancën dhe prapambetjen pesëshekullore, tërë dukuritë shoqërore regresive, mentalitetin e ashpër dhe të zymtë anadollak, “pa shenjë njerëzie e qytetarie”, “mendjepalarët” e “ligëtarët”. Ai foli troç e açik, për zullu e Zullulland, pa lëshime e zbukurime romantike, vetëm e vetëm që të prekte fuqimisht në sedër e të tralliste mendjet e përgjumura që bënin “Jetën e Kurmit”, sipas shprehjes së tij, apo që thjesht jetonin fizikisht, të vdekur “mendërisht”. Në një kohë kur parashtrohej urgjente nevoja që shqiptari “të nisë të rrojë jetën e mendies” së zbukuruar – “jetën intelektuale” – përkrah popujve të qytetëruar.

Libri “Faik Konica, Përlindësi modern” lindi si një nevojë për t’iu përgjigjur në kohë, falë shkrimeve koniciane me theks aktual, shumë çështjeve të sotme në rend të ditës, zhvillimeve politike e shoqërore në rrafsh të brendshëm e të jashtëm kur, krahas punës hulumtuese që bënim në arkiva e biblioteka të huaja, ndeshnim në dokumente e fakte të reja që zbulonin shumë anë të panjohura apo të keqinterpretuara të figurës së Rilindasit shqiptar. Mbi të gjitha, ky libër lindi si një nevojë për ta bërë sa më të dashur figurën e Konicës në publik e në masë të gjerë, kur nuk mjaftuan pesëdhjetë vjet totalitarizëm për ta dënuar, denigruar e shuar zërin e tij shqiptar e extra-shqiptar, por kur vazhdohet edhe sot e kësaj dite nga antikonicianë të hazdisur e mendje të cekta dhe cinike të viteve ’80 ta përlyejnë e njollosin emrin e tij me terminologji të shpëlarë nga kuptimi apo më keq, me epitete të fjalorit brutal komunist, kur vetë Konica këto mendje zullape i ka dërrmuar e lipsur me kohë, që me Marsejezën e zulluve: “Ne jemi trima/Dalim nga vrima/Zëri i Zullullandit kur na thërret./Jemi luftëtarë pa frikë/Me shigjetë ose me thikë/Dora jonë e fortë vret”. E më tej: “Luftë për ca zuzarë/që u lindën shqipëtarë./Është turp për kësi krimbash/të mundohet një komb trimash”. Pandehin se po ulin figurën e të Lartit Konica me gjoja “analiza” pa kurrfarë morali dhe pa kurrfarë objektiviteti shkencor, por me qepje e arnime, me “thënie” e “kundërthënie”, me luftë “citatesh” e mendësi totalitare, pa depërtuar një grimë në shpirtin e thellë patriotik dhe pa respektuar mbi të gjitha “Statusin e nderuar të Rilindësit”. Në fund të fundit, thotë vetë Konica, “Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat” dhe “Është krim të trazosh lumturinë e budallait”. Veçse vatranët dhe tërë shqiptarët e Amerikës, të cilëve u vlon në damarë dashuria për Faik Konicën, që ruajtën dhe vunë në vend amanetin e tij si gjënë më të shtrenjtë, duke i besuar Shqipërisë-Mëmë eshtrat e tij sipas testamentit të vyer që na la, kanë të drejtë të shqetësohen dhe të shprehin revoltën e tyre të ndershme për mosruajtjen dhe mosmirëmbajtjen e varrit të Konicës nga ana e shtetit shqiptar dhe e bustit të tij njollosur për turp nga antikombëtarë, dashaligë e shthuranakë, dhe i kërkojnë, në mënyrë të veçantë shoqërisë civile, të ndërhyjë urgjentisht dhe me forcën e shtetit ligjor për mbrojtjen e figurës së Rilindësit të Madh.

Libri ka për “dritare” të parë vitet kur djaloshi Konica, me bagazh të rëndë erudicioni dhe ndjenjë të fuqishme patriotike nis aktivitetin botues që me artikullin e tij “Shqipëria dhe Turqit” (1895), për të vijuar me botimin e periodikut “Albania”, një enciklopedi madhore e botës shqiptare e më tej, e krejt vlerave gjuhësore, historike, letrare, artistike, shoqërore e shpirtërore të kombit tonë që në hershmëritë e veta, përqendruar rreth figurës së “Babait të Kombit”, siç e quan Ai Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Nis e kristalizohet kësisoj në periudhën 1895-1900 figura e Faik Konicës si gjeni i Letrave shqipe, kur në vatrën “Albania”, tek kalit vetveten, Ai mbledh e farkëton gati tërë plejadën e Përlindjes shqiptare, nga N. N. Naço, D. Hima e I. Themo, te L. Skëndo Frashëri, M. Toptani, N. Nikaj, P. Bardhi, F. Shiroka, H. Mosi, Asdreni, Çajupi, G. Skiro. K. Luarasi, M. Duçi e deri te K. Hoxhi, F. Noli, L. Gurakuqi, me shokë dhe plot emra të nderuar të Rilindjes. Gjen këtu e kështu mishërim vetë thënia e Nolit se “shqiptarizmin e mësuam nga Faik Konica”, se “Korrim drithën që ka mbjellë Faiku… [që]  ka punuar më tepër e më përpara se të gjithë ne… [se] sot e mot, korrim e do korrim drithën koniciane! ”

Në këtë libër, sjellim për herë të parë për lexuesin disa zbulime dokumentare, artikuj, letra e të dhëna biografike hulumtuar kryesisht në bibliotekat dhe arkivat e Francës dhe Belgjikës që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën dhe veprën e Konicës. Janë përkthyer e botuar për herë të parë nga ana jonë artikulli “Shqipëria dhe Turqit”, libri “Mbi Edukimin”, “Letra drejtuar Apolinerit”, “Harta koniciane”, “Letër e Apolinerit drejtuar Konicës”, si dhe është hedhur dritë mbi almanakun “Kalendari i Maleve”. Po ashtu, jepen dhe analizohen me hollësi fakte të dokumentuara për jetën personale të Faik Konicës, për bashkëjetesën e tij me dy “miket e zemrës”, për praninë e djalit të tij Henrik Lohengrin beg Konitza, për konvertimin e tij në fenë katolike, për lidhjet e ngushta me botën shkencore, letrare, politike e shoqërore të Perëndimit, që nga orientalisti Leon Cahun e gjuhëtarët Louis Benloew e Pedersen, te shkencëtari Elisée Reclus, E. Legrand dhe te gjeniu epokal francez Guillaume Apollinaire apo shkrimtari amerikan Benjamin de Casseres. Zbulohen kështu anë të panjohura të tij që janë quajtur “enigma” koniciane, hulumtohet në thellësi në “minierën” Konica, sidomos në lidhjet e tij të ngushta me letërsinë klasike e moderne, me simbolizmin, artin dhe muzikën.

Erudit, poliglot, novator, polemist, vizionar, luftarak, stilist i rrallë me pendën-pallë, përherë me qëndrim vertikal e i paepur, Konica iku nga bota orientale për të hyrë në botën perëndimore, në botën e Letrave, të muzikës, artit dhe lirisë shpirtërore. Zgjodhi lirinë hapësinore për të çelur sytë e mendjes të një kombi të tërë, duke e pasur fjalën sintetike, me forcë tërheqëse, të urtë e të artë, të vyer e të shenjtë, siç vërtetohet te “Fletoret koniciane – Ju flet Faik Konica”. Hodhi kësisoj me “Albania-n” bazat moderne në krejt fushat e Mendimit estetik shqiptar dhe të Letrave, nga sociologjia te hartografia, duke lëvruar me sukses e pashembullti në shumë disiplina, konkretisht: gjuhësi, stilistikë, letërsi, kritikë letrare, përkthimologji, metodologji, bibliografi, folkloristikë, dokumentalistikë, pa lënë mënjanë historinë, politikën, psikologjinë dhe përgjithësisht kulturologjinë shqiptare. U ndal në mënyrë të veçantë në edukimin e fëmijës dhe të rinisë, e sidomos në emancipimin dhe rolin e gruas në shoqëri, duke pasur adhurim të skajshëm për gruan shqiptare si faktor themelor i emancipimit të shoqërisë patriarkale shqiptare. “… Gruaja, në Shqipëri, më tepër se gjetkë – thekson Konica -, ka një fuqi aq të madhe në formimin e ndjenjave dhe të mendimeve të njerëzies, sa ka qenë gjithnjë kundër islamizmit, se gruaja shqiptare, që në kohë të para, me një instinkt të pa-lajthitur [të pagabuar], ndjeu se islamizmi, me poligamien dhe me ndarjen (divorcin) – aq të lehtë sa mund ta çporrsh një grua të kanunëshme posi një shërbëtore – ish i rrezikshëm për të drejtat e gruas dhe shenjtërinë e familjes”.

Andaj Koncia adhuronte mbi të gjitha Nënën e vet, fisnike nga Familja e nderuar Delvina, për faktin se në vatrën familjare, siç na pohon Sherif Delvina, “ishte NënëMadhja Konica, e prirë drejt Perëndimit të përparuar europian, ajo që pati mendimin dhe këmbënguli që fëmijët e saj Faiku dhe Mehmeti të arsimoheshin në Perëndim!” Sepse e kishte të qartë përparësinë në botëkuptim që dhuronte Perëndimi i zhvilluar në krahasim me Orientin e prapambetur! “Ai ishte kush ishte: Djali i Zelihasë, që fliste gjithë mendje e pa frikë nga Perëndimi i vlerave!” më thotë plot dashuri për Faikun dhe me zë të ngrohtë ky Zotëri i madh që është Sherif Delvina. “Trashëgoi nga e ëma madhështinë, mençurinë, guximin për jetën dhe pasionin për të renë!” Për të lënë përjetësisht një gjë, atë gjë të vyer, me vlerë të pavdekshme: “Shqiptarizmin”, idealin për një Shqipëri të përparuar perëndimore!

“Dritare” e dytë për këtë libër përbëjnë shkrimet e Faik Konicës përzgjedhur kryesisht nga revista “Albania” me theks aktual. Përqendrohen kryesisht në tema madhore si lufta kundër dhunës e terrorit në krejt format e veta, nga fizike e verbale deri te fetare e ekstremiste; politikat politiciene pa taban e vizion (“politikanët – këta profesionistë të gënjeshtrës!”): politikat klanore, antikombëtare, bajraktariste e populiste; politikat atentiste, rrënjët dhe pasojat; korrupsioni në shoqëri dhe “klasa e pilafçinjëve dhe sharlatanëve”; mburrja, shpifja, arbitrariteti dhe pasojat e tyre; paprekshmëria e kufijve; politikat shoviniste dhe grabitqare të fqinjëve të Shqipërisë: zhvillimet socio-politike maqedone, e greke, aleancat e huaja në kurriz të kombit shqiptar; idealizmi si formë e lartë e patriotizmit, me ndjenjë të fuqishme kombëtare, me kulturë të lartë dhe përkushtim fisnik për kombin; vlerat historike shqiptare, pasuri për kombin shqiptar dhe për Europën (nga Skënderbeu te Bajroni, etj.) Janë këto disa nga temat madhore trajtuar në këtë libër, që zbërthejnë mbi të gjitha psikologjinë shoqërore në rrafsh kombëtar e ballkanik, për t’i çelur udhë përparimit të sotëm drejt familjes së madhe europiane të bashkuar, si një domosdoshmëri e kohëve moderne.

Më në fund, ky libër vjen si një binom i romaneve misterioze të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” që i kemi zbuluar e studiuar që në vitet 2011-2012, por që, për arsye të caktuara dhe në rrethana të ndërlikuara, nuk mundëm t’i botonim e t’i bënim më parë të njohura publikisht. Vetëm nxitja dhe mbështetja e fuqishme morale e miqve dhe e mjaft emrave të nderuar të botës shkencore e akademike shqiptare, mbi të gjitha e Federatës Panshqiptare “Vatra” na mundësuan të hidhnim hapin e parë në botimin e këtij libri dhe të dy romaneve të rinj të Faik Konicës, në kuadrin e një studimi më të gjerë për figurën e tij shumëpërmasore me konceptualitet themeltar për një shoqëri e komb modern shqiptar.

 

 

Fotaq Andrea

Shtator 2016.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Fotaq Andrea, libri, njeriu epoke-Konica

BASHKIA E KAMZES I DHUROI VATRES 70 ABETARE

September 26, 2016 by dgreca

 

1-abetare-kryet 2-kamzaAshtu si edhe vitet e tjerë, edhe për këtë vit,  Bashkia e Kamzës i dhuroi Vatrës, 70 abetare dhe fletoret e punës për shkollat shqipe, që kanë hapur degët e Federatës nëpër shtete të ndryshme të Amerikës. Këto abetare janë sponsorizuar në mënyrë individuale nga një bashkatdhetar që jeton në Nju Xhersi. E rëndësishme është që Kamza po bën atë që nuk bën Ministria e Arsimit në veçanti dhe shteti shqiptar në përgjithësi.

Sot, me 26 Shtator 2016, përfaqësia e Bashkisë së Kamzës që ndodhej e ftuar në një veprimtari ndërkombëtare për ujrat, që organizohet  në St Louis, u pritën nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj. Në pritje ndodheshin edhe nënkryetari Asllan Bushati, Zef Balaj, Zef Përnoca, Lek Mirakaj dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Përfaqësia e Bashkisë së Kamzës përbëhej nga: z. Vendim Demaj, zv/Kryetar i Bashkisë; Bilbil Bajraktari-Kryetar i Këshillit, Sokol Ndreu-Sekretar i Këshillit bashkiak, Qemal Çejku- sekretar i përgjitshshëm i Bashkisë, Atli Hoti- drejtor Juridik dhe Albert Lusha- drejtor i Tatimeve.

Kryetari i Vatrës u uroi mirëseardhjen mysafirëve, duke i falenderuar për vizitën dhe për mbështetjen që ata i kaën dhënë Vatrës për shkollat shqipe. Po ashtu Kryetari Buçaj i njohu mysafirët shkurtimisht me veprimtaritë e Vatrës gjatë këtij viti, që është shpallë “Viti i Faik Konicës” dhe u ndal në qëndrimet e  Vatrës për çështjen Kombëtare. po ashtu kryetari i vatrës shprehu brengën e Vatranëve, që kanë familjet në Shqipëri,  për gjendjen e mjerushme që është krijuar në Shqipëri nga varfëria, krimi i organizuar, korrupsioni, droga etj. Vatranët kanë besuar për një shtet demokratik në ndihmë të qytetarëve dhe jo për  një shtet të korruptuar, që nuk u del për zot qytetarëve të vet, të cilët po marrin rrugët e botës.

  1. Buçaj tha se ne kemi pritur këtu Presidentë, Kryeminsitra,Minsitra, deputetë, dhe qytetarë të thjeshtë. Vatra i ak dyert hapur për të gjithë qytetarët shqiptar, ngado që vijën prej trojeve etnike. Ka kritikues që na thonë se përse nuk i ftoni të majtët që të vijnë në Vatër. Përgjigja jonë është bërë publike:- Është i mirëseardhur kushdo që ka ineters të vizitojë Vatrën. Askujt nuk ia mbyllim derën, por fatkeqësisht deri tani ka munguar interesei i qeveritarëve të majtë për t’u takuar me Vatrën. Natyrisht ne nuk detyrojmë kënd. Kryeminsitrin e tanishëm e kemi e takuar, por ai vetë nuk e ka parë të arsyshme të vijë të shohë se ku është Vatra. Puën e tij!

Zv/ kryetari i bashkisë Vendim Demaj, falenderoi Kryetarin e  Vatrës për pritjen dhe dha një raport të shkurtër për gjendjen në bashkinë e Kamzës dhe në të gjithë Shqipërinë, ku pjesa më e madhe e qytetarëve vuajnë edhe për bukë.Ai e përshkroi gjendjen të vështirë duke thënë se krimi dhe shteti janë bashkë, droga ka mbuluar shqipërinë, paunësia ka arritu në shifrat më të larta.

Në diskutime u përfshinë nënkryetari Bushati, Lek Mirakaj, Zef Balaj e Zef Përndocaj.

Në fund u dhuruan Abetaret që ishin sjellë si dhuratë për fëmijët shqiptar të shkollave shqipe.

Kryetari i Vatrës falenderoi për dhuratën.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Abetare, Bashkia e Kmazes, Vater

U përurua Statuja e Nënë Tereses në Brooklyn – New York

September 25, 2016 by dgreca

* Organizata jo qeveritare Rrënjët Shqiptare – me Marko Kepin, senatorin e shtetit të New Yorkut, Marty Golden dhe me sponosrizimin e një grupi shqiptarësh – vendosën shtatoren e Nëna Terezes në një nga lagjet më të banuara me shqiptarë Brokklyn  të New Yorkut. 
*Merr pjesë dhe zbulon shtatoren Presidenti i Republikës së Shqipërisë – Shkelqesia e Tij Bujar Nishani
Nga Beqir SINA New York/
2-gjoni

1-nene-tereza

BROOKLYN NY : Në platon e Kishës Saint Anthanasius në Brooklyn New York,  ku jetojnë më shumë se 20 mijë shqiptarë, sot me një ceremoni madhështore, është përuruar shtatorja e të shenjtores e të Shejtës Nënë Tereza – Saint Tersesa of Calcuta.
Shtatorja në në qytetin e Brooklyniit, është vendosur me iniciativë të, Organizatës jo qeveritare Rrënjët Shqiptare – Marko Kepi,  me senatorin e shtetit të New Yorkut, Marty Golden dhe me sponsorizimin e një grupi shqiptarësh të cilit janë edhe donator për ndërtimin e shtatores.
Ndërsa puna për vendosjen e shtatores, per afro dy javë, është e kryer vullnatarisht  nga kompani të biznesmenve të suksesshem shqiptare ne Amerikë.
Shtatorja e Nënë Terezës, është përuruar në njërin nga sheshet kryesore të këtij qyteti, vetëm dy javë mbasi kreu i Kishës katolike Papa Françesku, në Vatikan më 4 Shtator 2016 e shpalli të Shejtë Nëna Terezen.
Shtatorja është rreth 2 metra e lartë , është e derdhur në bronz dhe peshon rreth 300 kg dhe në bazamentin e saj ka të shkruar një citat të Nënë Tereza, në  anglisht, si dhe emrin e saj të plotë, rethuar nga nja “kopësht” me lule të freskta.
Ceremoninë e udhëhoqi me shumë ekulencë duke krijuar emocione të mëdha , tek qytetarët e shumtë, gazetarja e njohur Kozeta Turishta, ndërsa e prezantojë atë dhe e përshëndeti presidenti i Albanian Roots z. Marko Kepi, duke faleminderuar donatorët , dhe dhënë nga një mirënjohje për secilin prej tyre.
Shtatoren e zbuluan Presidenti i Republikës së Shqipërisë – Shkelqesia e Tij Bujar Nishani, Imam Tahir Kukaj që zbulojë mbulesen, dhe Pastor Nathan Preston, senator Mary Golden dhe Rabai i Brooklynit.
Master of Ceremonies Pledge of Allegiance Boy Scout Troop, – kurse, Himnin e SHBA dhe atë të Shqipërisë i këndojë Lola Mezini. Valentina Ivezaj- kendoje “I’m a Flower”
Lutja fetare u hap nga Msgr. David L. Cassato, Pastor i Kishës St. Athanasius, ndërsa luajti në violincel Gilberta Luca.
Kreu i Kishës Saint Anthanasius në Brooklyn New York, Msgr. David L. Cassato, tha në fillim të ceremonisë së përurimit se statuja e  të Shenjtes Tereza, në sheshin para Kishës ka një domethënie, e kjo është se mirësia qe asnjëherë nuk është e mjaftueshme për të gjithë qytetaret.
Senatori republikan i shtetit të Nju Jorkut, zoti Martin J. Golden me anë të një deklerate, ka njoftuar se Senati i New Yorkut – ka nderuar me Prokalmatë Presidentin e Republikes se Shqiperise zotin Bujar Nishani.
Gjithashtu ai i dorezoje Presidetit te Shqiperisë Dekleraten e  miratuar unanimisht, e cila e ka shpallur 4 shtatorin 2016, “Dita e Nënë Tereza” në shtetin e Nju Jorkut, nëpërmjet një Rezolute, të paraqitur në Senatin e Shtetit të New Yorkut.
Në Rezolutën e senatorit Golden thuhej se : ”Në emër të një jete të jetuar mirë në shërbim ndaj Zotit dhe ndaj të gjithëve, unë jam krenar të prezantoj këtë rezolutë që në mënyrë të përshtatshme do të nderojë të Shejtën Terezën në shtetin e Nju Jorkut, për të përkuar me kanonizimin e saj si një Shën e Kishës Katolike Romake më 4 Shtator 2016 në Selinë e Shejtë.
Për vite të tëra, e Shenjta Tereza, përmes themelimit të saj të Shtëpisë dhe Organizatës së Misionareve të Bamirësisë, të përkushtuar, vetem për të shërbyer nevojave të të sëmurëve dhe të varfërve “, thote senatori Golden, nderkohë që kërkohej që 4 shtatori 2016, të shpallet “Dita e Nënë Terezas” në shtetin e Nju Jorkut, nëpërmjet një Rezolute në Senatin e Shtetit.
“Një simbol ndërkombëtar i shpresës, emri i saj i dashur Nënë Tereza e lindur Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, me prejardhje nga një familje shqiptare, tej mase, ka bërë një ndryshim të vyer në të gjithë botën, përfshirë edhe qytetin tonë New Yorkun.
Kështu ajo do të kujtohet gjithmonë, me Shtëpinë dhe degën e Organizatës së Misionareve të Bamirësisë, në Harlem, të cilat kan qenë të përkushtuar, vetem për të shërbyer nevojave të të sëmurëve dhe të varfërve, në këtë mënyrë ne do të nderojmë dhe kujtojmë atë, edhe ne qytetarët e New Yorkut”, tha senatori Marty Golden.
Rezoluta e senatorit Golden, pas miratimit, thuhej se kishte autorizuar automatikisht Senatin e Shetit të New Yorkut, për emërimin e 4 shtatorit 2016 një Ditë e shënuar në nder të Nënë Terezës, mbasi ajo tashmë është edhe data që Shenjta Tereze e Kalkutes, e cila është shpallur një e Shenjt në një ceremoni shenjtore,  të mbajtur në Vatician në Romë, Itali me 4 Shtator.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani – i cili mori pjesë edhe në Meshen për të Shenjten Nëna Tereze, si e quajm ne shqiptarët,  u pritë me duartrokitje dhe entuziasëm të madhe, të qytetarve shqiptarë në këtë lagje të New Yorkut.
Ai  e quajti vendosjen e shtatorja së të Shenjtes Tereze, në Brooklyn “një dhuratë për qytetin e Brooklynit në New York , qytetin që nuk fle kurrr, dhe qytetin e Frenk Sinatrës”.
“Ky është mesazhi më i mirë, që Nëna Shqiptare – e Shejta Nënë Tereza, tani vjen dy javë mbas Shejtërimit të saj nga Papa Francesku, si mesazh për të gjithë qytetarëve e Bruklinit, pa dallim feje dhe kombësie”, tha sot në përurimin solemn Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani.
Ai shtoi se Nënë Tereza ishte modeste, tërë jetën e saj i është përkushtuar mirëqenies së njerëzve, ishte pranë të gjithë njerëzve, pa dallim feje apo kombësije, dhe për këtë arsye, siç theksoi, ai tani e Shenjta Nënë Tereza, nuk është vetëm nëna e shqiptarëve, ku ajo ishte lindur, por nëna e të gjithë njerëzve në botë, dhe është një Shenjëtëresh”.
Në përurimin e shtatores së Shenjëtës Terezës, para Kishës Anathasius, ishin të pranishëm qytetarë të shumtë të Bruklinit , si dhe numri i madh shqiptarësh nga New Yorku. Shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë çast për t’u fotografuar pranë shtatores, edhe me Presidentin e Shqipërisë.
Në këtë ceremoni morën pjese edhe Asambaleisti i parë shqiptarë i New Yorkut, zoti Mark Gjonaj me bashkeshorten Roberta, Ambasadorija e Shqipërisë pranë OKB znj Besiana  Kadare, konuslli i Kosovë zoti Fatmir  Zajmi, diplomat të Indian të akredituar në New York, e të tjer.
Përfshirë edhe disa lider të komunitetit shqipatrë si : Kryetari i Vatrës zoti Gjon Buçaj me bashkëshorten Nikoletën, nen / kryetari Asllan Bushati , anetari kryesise zoti Zef Balaj, ish Kryetarja e Bashkise Shqiptare ne Kanada Ruki Kondaj, kryetari i Shoqates Atdhetare Dibra Dashi Miftari, kryetari i Akademise Shqiptaro Amerikane dr Skender Kodra , këngtari i njohur Frederik Ndoci, Gëzim Nika, Alberie Hajdargjonaj , Kryetrai i Keshillit Kombetra Shqiptar Haxhi Dauti, poeti dhe shkrimtari Pierr Simsia, ish gazetari Zerit te Amerikes Gjek Gjonleka, nxënës të shkollave në Bruklin, studentë, artistë dhe biznesmen dhe veprimtare.
Me pasë pati edhe një koncert me kengetaret Gezim Nika , Alberie Hadergjonaj, Grupi Rozafati, grupi i femijeve Albalife, Valentina Ivezaj dhe kengetarja e njohur Ledi Vokshi
Monumenti i të Shenjtes Nënë Tereza në  Brooklyn  do të jetë i 5-ti në qytetin e New Yorkut. Monumente të ngjashme të saj, janë ngritur , ndër të tjera , jo vetëm në New York por edhe dhe në Detroit, Ohaio,  në Shtetet e Bashkuara, e tjerë.
 Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910, kur ai ishte pjesë e Perandorisë Otomane, ndërsa vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, në Indi.
Në vitin 1928 u largua nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Ajo më pas u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare
Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.

Filed Under: Featured Tagged With: Brooklyn, Marko Kepi, Nene Tereza, presidenti Nishani, Shtatorja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 560
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT